Rama e kujton Topallin si një burrë të ditur e të heshtur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar Kolec Topallin, i cili ndërroi jetë dje.

Prof. Dr. Kolec Topalli është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Një muaj më parë profesori u nderua me çmimin “Çabej” nga Akademia e Shkencave për “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe”.

“Kolec Topalli, një burrë i mençur, i ditur dhe i heshtur, që u nda nga jeta duke lënë pas një hije të bardhë respekti për figurën e tij prej spektatori misterioz të vendit ku jetoi..”, ka shkruar Rama në Facebook.

Nobeli për Letërsi mund të anulohet edhe vitin tjetër

Çmimi Nobel për Letërsi, i cili këtë vit nuk u nda fare për asnjë shkrimtar, ka mundësi që do të shtyhet edhe për vitin tjetër.

Si duket skandali me ngacmime seksuale brenda Akademisë Suedeze po ndikon edhe në ndarjen e çmimeve prestigjioze.

Është hera e parë pas 70 vitesh që Akademika Suedeze nuk e ndan një çmim, ndërsa ka mundësi që letërsia për dy vite me radhë, këtë vit dhe vitin tjetër, të mos ketë një Nobelist.

Bëhet fjalë për skandalin seksual ku 18 gra u ankuan se janë ngacmuar seksualisht nga njëri prej anëtarëve të Akademisë, ndërsa gazetari suedez Dagens Nyheter e shpalosi dokumentacionin e tij gazetaresk duke tronditur botën e letrave dhe intelektit.

Nobeli për Letërsi ndahet qysh prej vitit 1901, ndërsa vitin e kaluar u fitua nga Kazuo Ishiguro, i lindur në Japoni por me shtetësi angleze. / KultPlus.com

Familjarja e Bekim Fehmiut mbaron studimet në Harvard

Andra Fehmiu u bë dje shtetasja e parë nga Kosova që mbaron studimet 4 vjeçare në Universitetin e Harvard.

Andra, në këtë rrugëtim ia ka dalë falë punës së vet, me bursë të plotë nga Universiteti prestigjioz në Boston.

Andra është familjare e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu.

Ambasadorja Vlora Çitaku e ka dhënë lajmin kësisoj dhe ka postuar një fotografi me familjen e Andra Fehmiut e cila është një studente e shkëlqyer e cila ka mbaruar studimet në një prej universiteteve më të mira në rruzull.

Andra për pak kohë ka mbajtur praktikë edhe në Kosovë. / KultPlus.com

Dua Lipa e mahnitshme në reklamën e Champions League (VIDEO)

Dua Lipa dhe “New Rules” është kolona zanore e një reklame ku këngëtarja nga Kosova prezanton Champions League.

Ajo do të performojë në ceremoninë e mbylljes së Champions League, në bashkëpunim si gjithmonë me PEPSI.

https://www.youtube.com/watch?v=csEAAUNRYgE

Rrezikohet mbajtja e Eurovizionit 2019 në Izrael

Maariv raporton se Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) ka deklaruar se janë të shqetësuar se disa vende mund të tërhiqen nga gara e ardhshme e Eurovizionit nëse Jeruzalemi përzgjidhet si qyteti mikpritës i festivalit të madh.

Duke cituar një takim midis Transmetuesit Publik të Izraelit dhe Transmetuesit të Bashkimit Evropian, Maariv raporton se EBU ka deklaruar se janë të shqetësuar për pasojat që mund të ketë nëse Festivali i Këngës Eurovizion 2019 mbahet në Jeruzalem. Gjithmonë, festivali mbahet në vendin i cili e fiton atë një vit më parë.

EBU kërkon që garat e ardhshme të mbahen në një mënyrë që do të minimizonte rrezikun që vendet të tërhiqeshin nga konkurrenca dhe muzika.

Ky raportim ka ardhur pas raportimit nga Haaretz dje, se EBU i cili mbikëqyrë festivalin është deklaruar se janë të shqetësuar ndaj çdo politizimi që mund ti bëhet garës në vitin 2019, shkruan KultPlus.

Sipas Haaretz Ministri Ayoub Kara ka deklaruar dje se do të ftojë shtetet arabe për të marrë pjesë në garën e ardhshme. Mirëpo kombet të cilat ai i ka përmendur nuk kanë të drejtën që të marrin pjesë në festivalin garues.

EBU përmes platformës zyrtare të internetit dhe mediave sociale ka këshilluar publikun që të mos bëjnë rezervime të biletave apo çdo akomodim tjetër derisa të konfirmohen data dhe vendi i saktë i mbajtjes së Eurovizionit vitin tjetër.

Turizmi shqiptar në rritje, 12% më shumë turistë këtë vit

Turizmi në Shqipëri vijon të tërheqë turistët e huaj nga Europa, rajoni dhe jo vetëm, duke e çuar frekuentimin e tyre në 12 % më shumë krahasuar me një vit më parë.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në promovimin e projektit “Smile Albania” theksoi se vendi ynë është vizituar së tepërmi nga turistët e huaj duke premtuar se ky sezon turistik do të jetë i sigurt dhe impakti i këtij të fundit do të jetë pozitiv në ekonomi.

“Në tre mujorin e parë kemi marrë të dhëna shumë të mira për rritjen e numrit të turistëve krahasuar me të dhënat e tremujorit të parë të vitit të shkuar ku kemi një rritje prej 12 % dhe nëse vitin e shkuar arritëm të prekim tavanin e 5 mln turistëve jemi të bindur se këtë vit jo vetëm fal të dhënave që kemi marr nga të gjitha agjencitë dhe operatorët turistik, por edhe si rezultat i një pranie shumë të madhe pozitive të Shqipërisë dhe qyteteve të ndryshme të saj në faqet e reklamave dhe promovimit dhe turizmit nëpër botë, me siguri do të marrim një rezultat edhe më të mirë se ai vitit të kaluar dhe me siguri impakti i turizmit në ekonomi do të jetë edhe më i fortë se a vitit të kaluar.

Kryeministri u ndalë dhe te vëmendja që mediet e huaja i kushtuan Tiranës.

Vetëm dje apo pardje Tirana u shpallë nga një prej faqeve më të vizituara të promovimit të destinacioneve turistike në botë “Lonely Planet”, si një ndër 10 destinacionet më të mira për Europën në vitin 2018.

Natyrisht kur thuhet më të mirat në këtë rast nuk thuhet që je mi ndër 10 qytetet këtu në tiranë ndër më të mirët e Europës, por flitet për një destinacion që është ndër 10 më të mirët, pasi ofron shumë surpriza për këdo që kërkon një destinacion./ ata

Disa nga këngët që kanë lënë gjurmë në futboll (VIDEO)

KultPlus ju sjellë disa nga këngët kushtuar futbollit që pastaj u shndërruan në hite. Kujtojmë se në këtë vit këngë e Kampionatit Botërorë është kënga “Live It Up” nga Era Istrefi, Will Smith dhe Nicky Jam.

Viti 1962: The Ramblers – Rock Del Mundial

https://www.youtube.com/watch?v=ZB-Jy7KTetw

Viti 1966: Lonnie Donegan – World Cup Willie

Viti 1982: Placido Domingo – El Mundial

Viti 1989: Gianna Nannini dhe Edoardo Bennato – Un’estate Italiana

Viti 1994: Queen – We are the champions

Viti 1998: Ricky Martin – La Copa de la vida

Viti 2000: E- Type – Champione

Vitit 2004: Nelly Furtado – Forca

https://www.youtube.com/watch?v=jCa8Ni-8yAg

Viti 2006: Il Divo dhe Toni Braxton – The Time of Our Lives

Viti 2006: Shakira – Hips Don’t Lie ft. Wyclef Jean

Viti 2010: Shakira Waka Waka

Viti 2010: K’Naan Waving Flag

Viti 2014: Pitbull, Jennifer Lopez, Claudia Leitte – We Are One (Ole Ola)

Viti 2016: David Guetta, Zara Larsson – This One’s for You

Viti 2018: Nicky Jam feat. Will Smith & Era Istrefi – Live It Up

Në kujtim të 172-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit

Si sot, më 25 maj të vitit 1846, lindi poeti i madh i Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri, shkruan KultPlus.

Sot mbushen plotë 172 vite nga lindja e tij dhe e kujtojmë përmes këtij shkrimi që flet për të.

Naimi lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës fisnikësh e timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.
Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten, osmane, Arabishten dhe Persishten në Teqenë e Frashërit. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjët nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në banjat e Badenitnë Perandorinë Austro-Hungareze. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 rishkoi në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kristoforidhit. Pas arrestimit të vëllait Abdyl në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip.

Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjellë nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës./ KultPlus.com

Roman i një mozaiku jetësor

Shkruan Vlorë Thaçi.

Romani autobiografik , “Të gjithë të mitë” nga Zuvdi Hoxhiq Berisha, paraqet të kaluarën e vendlindjes së tij, një të shkuar me përplot të dhëna reale e historike për të gjithë të afërmit, paraardhësit e miqtë, konkretisht të gjithë të tijtë, si pjesë e albumit të tij.

Konkretizon me mjeshtri ngjarjet që lidhen me të parët, raportet e tij me familjen , shoqërinë e lidhjet e pashmangshme që ka autori me vendlindjen,por mbi të gjitha marrëdhëniet midis popujve, kombësive dhe feve .

Shpreh me krenari origjinën e tij , që rrjedh nga një familje e pasur shqiptare, Berishajt e Kodralisë së Deçanit ,e traditën bektashiane prej nga dolën vëllezërit Frashëri, prej ku vazhdon edhe me topose të tjera : Kosova si tërësi dhe qytetet e saj: Prizreni, Gjakova, Deçani, Juniku, e zgjerohet deri në viset e Shqipërisë.

E sa i përket titullit ”Të gjithë të mitë“ autori i referohet njerëzve me vlera të larta duke e përgjithësuar tërë shoqërinë, sepse për të, të tijtë janë të gjithë :edhe shqiptari ,edhe malazezi,edhe boshnjaku; çdo njeri me zemër e virtyte të mëdha. Të tiitë tipizohen si njerëz të mirë e me virtyte të larta, ndërsa të këqinjtë përjashtohen nga projektimi i albumit të tij ideal.

Sa i përket strukturës së romanit, ai është shkruar me një frymë moderne e të ndarë në njëzetëenëntë pjesë, ku secila prej tyre përmban ngjarje të veçanta, të shkruara me frymëzim, emocion e ndjenjë të thellë shpirtërore. Ato ngërthejnë ngjarje interesante e historike, të paraqitura natyrshëm e rrjedhshëm, ku me një metodë bindëse i evidenton edhe dorëshkrimet origjinale të shkruara në gjuhën arabe dhe atë serbo-kroate , për t’ia ofruar lexuesit si dëshmi.

Karakteristikë tjetër e stilit të autorit, është edhe prania e barbarizmave, fjalëve të huaja, konkretisht e atyre nga gjuha turke ku krejt në fund Berisha, na jep edhe një tablo të tipit të fjalorit ku e sqaron secilën fjalë. Pos kësaj ai gjithashtu bën një kombinim në roman, duke i hibridizuar zhanret si poezia e proza dhe gërshetimin mes dorëshkrimeve e fjalorit.

Berisha, ndërton një laramani temash e situatash, ku koha e hapësira shpesh ndryshojnë, varësisht prej ngjarjeve e rrethanave që gërshetohen. Komunikimi i autorit është fillimisht me kohën e kaluar, me paraardhësit e tij, me kohën e tashme me miqtë dhe me aktualitetin e sotëm, duke e përmbyllur me kohën e ardhme, prej nga lë dëshmi e shpreh didaktizëm për të ardhmen.

Vepra fillon dhe përfundon me Cuf Berishën, gjyshin e Zuvdiut, me relacionin shpirtëror të tyre, prej nga mbithekson prejardhjen e gjyshit, emrin e trashëguar nga ai prej një paraardhësi, shkrimtarit Zyh Dinit.

Autori me një theks të veçantë trajton edhe rëndësinë e influencimit fetar, ku përçon idenë e mosndasive fetare. Jo rastësisht Teqet, Kishat, Manastiret janë të vendosura në një topos prej nga projektohet bashkimi i tërë shoqërisë.

Me një dimension të fuqishëm shpaloset edhe besimi në Zot, kujtojmë rrëfimin në pjesën e tretë të veprës, ku fenomeni natyror, termeti, rrënon gjithçka e të cilit i mbijetojnë besimtarët si personazhi me Kuran në dorë, i cili s’kishte dëgjuar e as s’kishte parë asgjë, si dhe me objektet fetare, rasti Teqes, e cila gjatë tërmetit rrotullohet 33 herë e rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Pra sintetizohet lidhja e përafërt mes feve, ku pavarësisht besimeve të ndryshme, njerëzit kanë respektuar, ndihmuar dhe vlerësuar njëri- tjetrin. Kësisoji, ndihma si vlerë njerëzore trajtohet edhe në rastin tipik tek personazhi Pater Gjergj Jakobi, një i burgosur i cili ndihmohet nga bekashinjtë që të mos e vrasin turqit.

Ndikimi që ka autori nga e kaluara shqiptare e traditat e të parëve, vërehet dukshëm gjatë tërë romanit, e sidomos atëherë kur Berisha, paraqet rëndësinë që përçon trashëgimia tek populli shqiptar, ku bëhet bartës dhe ruajtës i tyre, duke filluar me librin e vjetër dhe tespihët e trashëguara nga gjyshi, si mjet shprehës për besim.

Një domen tjetër i rëndësishëm është edhe shumësia e personazheve, të cilët janë të ndarë në: personazhe reale si: Cuf Berisha, mulla Zejnullahu, Haxhi Rrustemi, e miq e të afërmit e autorit, në personazhe letrare si: Gjergj Fishta, Fan Noli, Naim Frashëri, Esad Mekuli etj. Në personazhe historike : Ali Pashë Tepelena, Shotë Galica dhe në personazhe nga letërsia popullore, si: Muji e Halili, Gjergj Elez Alia.

Mulla Zejnullahu, del si një personazh me rëndësi të madhe në roman, i cili në rolin e përkthyesit ka kontribuar në përkthimet që i posedonte vetë autori, e për të cilat ky i fundit thotë:

”E bëj këtë për të mitë, më të afërtit, ndoshta si unë në fillim edhe ata në fund, ato tregime dhe ngjarje do t’i bëjnë si gojdhëna të lindura nga natyra e njeriut që të zmadhojë gjithçka që e ka të paqartë dhe që duke i përsëritur gjatë viteve të njëjtat biseda, t’i bëjë të besueshme”.

Dukshëm vërehet edhe mbështetja e autorit në elementet popullore të cilat veç sa e bëjnë edhe më të pasur gjuhën e romanit. Figura e gjarpërit herë pasqyrohet si mbrojtës dhe ruajtës i shtëpisë dhe pasurisë e herë si aludim i armikut, pastaj elemete si:vallja qilimi, xhubleta, anekdotat, bindja e popullit për ekzistencën e mjeksisë popullore, elemente këto tipike popullore .

Po ashtu jipet edhe një ngjarje interesante për dervishët, që cilësoheshin si njerëz të dashur e të respektuar për tjetrin, që e donin teqen më shumë se jetën, e njiheshin si kultivues e mbledhës të bimëve të ndryshme përmes së cilave prodhonin ilaçe mjekësore. Siç është rasti me personazhin Haxhi Rustemin.

Përmes gjyshit Cufit, autori portretizon njeriun e thjeshtë , shembullor e mikëpritës që iu del në ndihmë të gjithëve e që i këshillon ta duan fenë e vet dhe të tjerëve . Prandaj jo rastësisht e fillon veprën me këtë prezantim:” Gjyshi im është Cuf Berisha, për ta ripërmendur edhe në epilogun e veprës: Cuf Alia mason! Pra, me anë të karakterit të Cuf Berishës, na jep një ide, për tolerancë fetare e bashkim me të tjerët.

Pos figurës kryesore të romanit Cuf Berishës, autori gjithashtu na jep një linjë tjetër, atë të miqësisë që ka pasur autori me shokët e tij të fëmijërisë si p.sh : Esad Mekulin, Dushan Kostiqi, Hysein Bashiqi e shumë të tjerë, që edhe këta hynë në radhën e personazheve reale të lartpërmendura.

Përmes personazheve letrare Naim Frashërit, si përkthyes i sureve të kuranit në shqip , Gjergj Fishtës, si prift Katolik dhe Fan Nolit, si krenar për fenë ortodokse. Autori në një anë mbivlerëson figurat e tyre, ndikimin dhe rolin e tyre patriotik që zënë në letërsinë shqipe, kurse në anën tjetër thekson ndikim e madh që ata kanë pasur në përhapjen e fesë që ata i përkisnin.

Tendenca e autorit, është shpalosja e historisë shqiptare, përkatësisë fetare të tyre, njerëzve me ndikim si : Mekuli, Fishta etj, e rikthehet deri tek Eposi i kreshnikëve, ku përmes të bëmave të tyre potencon trimërinë dhe e riaktualizon atë edhe në të tashmen.

E lidhjen mes kombeve e jep më së miri përmes protagonistës femër Lenës, martesën e saj në Bosnjë me Dano Arezhinën. Miratimi i martesës së tillë është simbolikë e lejimit të martesave në largësi e me përkatësi të ndryshme fetare.

Lidhjen mes bashkëatdhetarëve e paraqet në mënyrë të përsosur me anë të personazheve si: Pjetër Marubi dhe Sadik Saraçi ,figura të njohura në atë kohë, njëri si fotograf e tjetri si doktor.Të dy të asimiluar por jo edhe humbja e vetëdijës për vendin e të parëve.

Përvec tjerash në roman jepet edhe tradhëtia e bektashinjëve shqiptarë karshi Turqisë, të cilët të mbledhur e të rebeluar në shoqëri të fshehta arrijnë të ngriten kundër saj. Revolta e tyre lidhet me një lloj shprese për të ardhmen, me një rimëkëmbje, prej nga dalin si reagues dhe vetëdijësues. Mbrojtja e tyre rezulton me krenarinë për identitetin shqiptar, duke thënë njëzëri: “ Ne nuk jemi turq, ne jemi shqiptarë” .

Kundërvënia e tillë shkakton edhe ofendime të shumta si reciprocitet, ndaj sundimit turk pesë shekullor.

Habia e tyre ndaj asaj tradhëtie shkakton ofendimin e Turqisë ndaj bektashinjëve duke i krahasuar me gjarpërinjtë si alegori e tradhëtisë. Siç shihet, në këtë rast, për dallim prej modelit mbrojtës, figura e gjarpërit këtu del si portretizim negativ i tradhëtisë si fjalia e thënë nga Sulltani: “ Kemi rritur gjarpërin në gji”

Berisha, në kuadër të kësaj vepre, që i takon letërsisë autobiografike, niset të prodhojë dëshmi që del në trajtën e një testamenti letrar e jetësor, që autori e shkruan në vetën e tretë, e ku kohë pas kohe pozicionin e rrëfimtarit ia kalon një personazhi tjetër.

Me anë të këtij mozaiku autori na lë të kuptojmë mesazhin që përçon tek lexuesi ,për një bashkëjetese shembullore mes popujve, kombësive dhe feve .E në anën tjetër një lloj testamenti që ka të bëjë me paraardhësit e tij, e që njëkohësisht përmes tij t’u lërë pasardhësve diçka që do t’i lidh me ta.

Romani në fjalë prek dimensione të shumta jetësore me tema mjaft komplekse e universale, të cilat i mbijetojnë kohës. Autori njihet me një stil të veçantë alegorik e me një gjuhë të pasur e të figurshme, prej nga arrrin ta mundësojë komunikimin me lexuesin e kohëve të ndryshme.

(Autorja është studente e nivelit Master në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë shqipe. Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë).

Tirana hapi tetë dyer në Bienalen e Venedikut (FOTO)

Tetë dyer dhe shumë fotografi janë vendosur në Pavijonin e Shqipërisë në Pavijonin e Bienales së Venedikut, te cilat krijonin një mini-Tiranë në mes të Venedikut e që e kanë quajtur “Zero Space”, shkruan KultPlus.

Dyert më të vjetra të Tiranës kanë lënë oborre shtëpish pa dyer, por ato tashmë po vizitohen nga vizitorë të shumtë, të cilat bartin edhe numrat e shtëpisë në dyert e prezantuara, që tregonin vjetërsi të madhe. Dhe mbi dyer janë vendosur shumë fotografi, të cilat janë shkrepur nga qytetarë tiranasë, të cilët nëpërmjet fotografive tregojnë pjesë Tirane, nga më të ndryshmet.

Kuratori Elton Koritari ka thënë për KultPlus se ky prezantim i Tiranës sjellë pikërisht Tiranën në këtë bienale, pasi që, është përfshirë hapësira, sidomos kati përdhes.

“Ne kemi dashur që vizitorët në Pavijonin tonë, mos të ndihen si vizitorë por si qytetarë të Tiranës”, ka thënë ai.

Ndërkohë edhe Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, por edhe kryetari i Bashkisë Erion Velijaj janë shprehur të kënaqur me këto porta të Tiranës ne Venedik, kurse për fotografitë, pasi që janë fotografi të ditëve të sotme, Velijaj ka thënë se këto fotografi janë përshkrimi më i mirë i punës së tij, si kryetar bashkie.

Poashtu të dy kanë vlerësuar lartë prezantimin e Kosovës në këtë Bienale, ku kanë thënë se artistët shqiptarë duhet të jenë krenarë për punën e tyre, pa përmend ngjyrën e pasaportës./ KultPlus.com

Pacolli në ekspozitën për Kosovën kuratore e të cilës është bashkëshortja e tij

Kosova është prezantuar për herë të parë edhe me ekspozitën “Urbanizmi i ri dhe bashkëjetesa kulturore në Kosovë” në hapësirat e Qendrës Kulturore Evropiane në Venecia, njofton kumtesa.

Trashëgimia e pasur kulturore, bashkëjetesa fetare, krijime të tjera artistike të talenteve të rinj, fëmijëve me autizëm, zunë vend në një nga ekspozitat në kuadër të Bienales së Venecias, e cila u vizitua nga drejtues institucionesh dhe zgjoi interesimin e shumë vizitorëve nga vende të ndryshme të botës.

“Imazhet e Kosovës ishin mes projekteve më brilante të studiove të dëshmuara arkitekturore më të madhe të botës, fakulteteve të kësaj lëmie në gjithë globin. Ura e Gjakovës, objektet e tre feve që bashkëjetojnë shpesh në viset tona, shkolla e vjetër shqipe e Prishtinës, u bënë pjesē e vitrinës më të ndritshme të botës në arkitekturë, në ndërtesën e Qendrës Kulturore Europiane, mu në midis tē Venedikut plot turistë nga gjithë bota.
 Kosova po bëhet më e njohur.”, ka thënë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Pacolli përderisa e ka vizituar këtë ekspozitë.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri me 25 Nëntor, 2018, ndërsa pritet të vizitohet nga qindra mijëra turistë nga vende të ndryshme.

Kuratore e ekspozitës ishte Drejtorja Artistike e Fondacionit “Ibrahimi Kodra”, znj Maria Pacolli, ndërsa ajo u organizua falë mbështetjes dhe bashkëpunimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Punëve të Jashtme./ KultPlus.com

Nazim Gafurri e Stak Mark Mirdita, në pullën postare të Kosovës

Në kuadër të tematikës “Dëshmorët”, Posta e Kosovës ka emetuar emisionin e pullave postare dedikuar dy dëshmorëve e atdhetarëve të shquar, Nazim Gafurri dhe Stak Mark Mirdita.

Nazim Gafurri ishte një veprimtar dhe atdhetar i madh i kombit, i cili përmes publikimeve të tij arriti ta ndërkombëtarizojë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, që iu bëheshin shqiptarëve të Kosovës nga sistemi jugosllav. Për t’i dal në mbrojtje popullit, shkriu tërë dijen dhe pasurinë që kishte. Patriotizmi i tij e vuri nën shënjestrën e pushtetit, që ia organizuan atentatin e tretë vdekjeprurës, më 7 maj 1928.

Stak Mark Mirdita rrjedh nga një familje patriotike, që lirisë së Kosoves ia dha gjashtë dëshmorë. Njihet si personalitet i hershëm dhe i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe si humanist i madh i popullatës së varfër. I cilësuar person i rrezikshëm për sistemin pushtues jugosllav, pushkatohet në vigjilje të Krishtlindjeve të vitit 1944, së bashku me shumë patriotë shqiptarë.

Posta e Kosovës përmes një kumtese për media, ka bërë të ditur se kjo pullë postare në imazhin e saj mbartë portretet e dy dëshmorëve, veprimtarëve të shquar të periudhës së viteve 1920-1945, të cilët me guximin e tyre intelektual, pasqyruan të vërtetën para botës për krimet e sistemit jugosllav ndaj popullatës shqiptare që jetonte në ish Jugosllavi.

Me “Yjet e së ardhmes” u festuan 18 vite jetë të Kinemasë ABC

Alberina Haxhijaj

Aktori i ndjerë Istref Begolli, 18-të vite më parë kishte inauguruar Kinemanë ABC në kryeqytet. Kinema kjo e cila gjatë këtij rrugëtimi ka sjellë premiera, debate dhe punëtori të shumta, çdo herë duke nxitur zhvillimin e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Shënimi i vitit të 18-të të kësaj kinemaje bëri së bashku ata që janë të dhënë pas kinematografisë dhe që e kanë për zemër këtë kinema, të vendosur në qendër të qytetit. Kinemaja ABC, vazhdon të sjellë premiera të shumta dhe mbetet vendtakim për të pasionuarit për filma. Gjithashtu edhe përkrahëse e madhe për promovimin e artistëve, me theks të veçantë kinematografisë shqiptare.

Drejtoresha Miradije Vllahiu, u shpreh se ky është viti i 18-të që rrugëtojnë bashkë përmes sfidave, rënieve dhe ngritjeve. Një përpjekje e përbashkët për t’i qëndruar besnik vlerave të kinematografisë dhe një ecje e pandalur për të dëshmuar traditën e kinemasë.

“Në këtë 18-vjetor Kinemaja ABC ka mbajtur një ritëm me botën. Ka shfaqur 847 filma edhe hollivudian, evropian, ata nga rajoni dhe mbi të gjitha filma shqiptarë. Ky nuk është fundi; qindra filma të tjerë janë shfaqur në kuadër të aktiviteteve të llojllojshme, të javëve të filmave të realizuar qoftë me misionet diplomatike ose edhe me autorë të tjerë dhe dhjetëra festivale”, u shpreh ajo gjersa theksoi se zgjedhja e këtij filmi është bërë për të dëshmuar vazhdimin e përkrahjes ndaj kinematografisë shqiptare.

Tutje ajo tha se Kinemaja ABC është vendtakim i të gjithë atyre qe e duan filmin dhe rrugëtuan me të, ndërsa vendi i Kinemasë ABC është i pazëvendësueshëm, pavarësisht rrjedhave të sotme dhe sfidave.

Ky përvjetor u shënua me premierën e filmit të metrazhit të gjatë “Yjet e së ardhmes”, të regjisorit Edmond Topi. Filmi ky i cili solli të qeshura në sallën e kinemasë gjersa shpalosi historinë e Robit (40 vjeç) që është një artist i “pashpërthyer” akoma.

Ai prej vitesh bën muzikë por ende nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse së bashku me formacionin e tij muzikor “Zjarri” arrin të fitojë konkursin kombëtar “Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s‘shkon sipas planit.

Për të bërë prezantimin e kësaj premiere fjalën e mori Mirela Oktrova e cila u shpreh se kjo mbrëmje është një festë e miqve të kinemasë.

“Për produksionin “Yjet e së ardhmes” është një privilegj që ta prezantojmë filmin pikërisht këtu sot dhe më rastin e 18-të vjetorit të Kinemasë ABC. Prandaj gëzuar ditëlindjen, më sa më shuam produkte cilësore nga bota shqiptare. Faleminderit shumë për mirëpritjen pasi që këtu në kinema dhe çdo kund tjetër në Prishtinë, ndjehemi gjithmonë si në shtëpi, prandaj do të vazhdojmë që të rikthehemi”, tha ajo.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Gazmend Paja, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Karafil Shena, Sadush Ylli… nga dita e premte 25 maj, filmi “Yjet e së Ardhmes” shfaqet çdo natë në ora 20:00./ KultPlus.com

Me moton TI UDHËHEQË, sonte nisë rrugëtimi i 6-të i FemArt

Sonte fillon edicionin i 6-të i “FemArt”-it, i cili këtë vit i bashkon njerëzit nën moton “Ti udhëheqë”. Festivali hapet sonte me shfaqjen “Trojanet” ndërsa për 5 ditë do të promovohen konceptet feministe, shkruan KultPlus.

Me moton TI UDHËHEQË festivali inkurajon qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore.

Zana Hoxha Krasniqi, drejtoreshë e Artpolis-it dhe e festivalit FemArt, tha se viti i gjashtë i FemArt-it do të sjell risi të shumta duke theksuar se e veçanta e këtij edicioni është bashkëpunimi mes artisteve kosovare dhe atyre amerikane.

“Jemi shumë të lumtura që sivjet në edicionin e 6-të po paraqitemi me një program edhe më të pasur artistik me mbi 20 lokacione të ndryshme dhe 42 aktivitete kulturore dhe artistike. Aktivitet të fushave të ndryshme të cilat tejkalojnë barrierat e kufijve”, u shpreh ajo.

“Ne dëshirojmë që të thërrasim të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë por edhe më gjerë që të marrin jetën në udhëheqjen e tyre, të udhëheqin më ëndrrat e tyre, me dëshirat por në të njëjtën kohë të kenë solidaritet me ata që nuk e kanë jetën e tyre në udhëheqje”, u shpreh Krasniqi.

Programi artistik i Festivalit adreson çështje si Të Drejtat e njeriut dhe Lëvizjet Feministe, Të Drejtat Seksuale dhe Shëndetin Ripordhues, Drejtësinë Tranzicionale dhe Ndërtimin e Paqes, Të Drejtat e Komunitetit LGBTQI+, Fuqizimin e Grave, Dhunën Kundër Grave, njëherë Promovon Storiet e Suksesshme Rajonale dhe Globale të Grave.
Jeta Berisha, koordinatore e projekteve në ArtPolis tregoi se këtë vit do të mbahen mbi 40 aktivitete në tri komuna të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë e Veriut dhe Ferizaj.

“Programi është mjaft i pasur dhe më shumë mesazhe të cilat do të barten te qytetarët. Ne shpresojmë që do të përmbushim atë që është temë aktuale në vendin tonë dhe do të mundohemi që së paku të ju sjellim sadopak argëtim dhe të shpalosim punën e të gjitha artisteve dhe aktivistëve”, tha ajo duke shtuar se ky edicion do të bëjë së bashku më shumë se 200 artiste dhe aktiviste.

FEMART – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmave (dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë), Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantimeve të ndryshme në formë të artit.

Festivali fillon sonte në ora 21:15 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me shfaqje teatrale “Trojanet”./ KultPlus.com

“Rilindja Urbane”, 67 bujtina të hapura për turistët në Gjirokastër

Projektet kombëtare të Rilindjes urbane janë duke dhënë rezultate të prekshme dhe sidomos në përthithjen e turistëve të huaj të cilët kanë vendosur të vizitojnë Shqipërinë si një destinacion të sigurt, argëtues dhe përballueshëm ekonomikisht.

Nga projektet e Rilindjes Urbane, kanë përfituar një serë qytetesh si, Berati, Korça, Himara, Durrësi dhe Gjirokastra, qytete të cilat kanë shfrytëzuar trashëgiminë e pasur kulturore për të bërë turizëm.

Kryeminsitri, Edi Rama, i cilësoi këto projekte si mjaftë të rëndësishme për vendin dhe qytetet që ato janë ndërtuar, duke theksuar se vetëm në Gjirokastër janë ndërtuar 67 bujtina nga 4 që kishte qytet para 3 vitesh.

“Fal programit kombëtar të Rilindjes Urbane kemi krijuar një hapësirë të re , me të gjithë qytet që janë të lidhura me trashëgiminë kulturore, që janë të lidhura me të tjera arsye për të shkuar dhe për ti vizituar, sepse projektet e Rilindjes urbane kanë sjellë një dritë të re pozitive një këto destinacione.

Po të shikojmë shifrat e Gjirokastrës, Beratit, Korçës apo edhe Vlorës, Himarës, Durrësit dhe kështu me radhë, jo thjesht shikojmë rritje të numrit të vizitorëve por shikojmë edhe një rritje të ndjeshme të mundësive për të qëndruar si rezultat i rritjes së kapaciteteve.

Në Gjirokastër vetëm përpara 3 apo katër vjetësh, ishin 3 apo 4 hotele ose bujtina që mund të qëndroje për të kaluar natën, por sot janë 67 që janë të regjistruara në faqen globale “Booking.com” ku mund të prenotosh në distancë dhomat”.

Programi i “Rilindjes Urbane” sipas kreut te qeverisë, Rama, ka sjellë dhe një impuls të ri në ekonominë e turizmit dhe ekonomisë familjare, dhe tashmë shumë persona mund të përfitojnë nga turizmi vetëm duke hapur shtëpitë e tyre.

“Programi ka sjellë një impuls të ri në ekonominë e turizmit dhe ekonominë familjare, të shumëkujt që deri dje nuk e kishte mundësinë ta imagjinonte se mund të investonte për turizmin duke vendosur në dispozicion të turizmit dhe turistëve shtëpinë e vet apo mjedisin e vet për shkak se tërheqja e vet qytetit ishte shumë e dobët.

Sot, nuk është më kështu.

Natyrisht ka shumë për të bërë në këtë qytet, në cdo zonë por sot nuk është më kështu.

Rritja e kapaciteteve mikpritëse është e vazhdueshme dhe gjithnjë më intensive në çdo zonë të Shqipërisë”, perfundoi kryeministri Rama.

Winterthuri bëhet me shtatore të Shën Terezës

Pas tri vitesh përpjekje, në bashkëveprim me organet e qytetit Winterthur, më në fund po vjen dita e përurimit të shtatores së shenjtëreshës, Nënë Tereza, përurim që do të mbahet më 02 qershor 2018.

Zbulimi i shtatores mbahet nga ora 17:00, kurse pjesa akademike për Nënë Terezën dhe Skënderbeun do të mbahet po ashtu më 02 qershor 2018, me fillim ora 19:00, në Hotel Zentrum Toss, Zurcherstrasse 106, Winterthur, ku do të ketë panelistë të akademive, program artistik dhe fjalë rasti nga të ftuarit.

Nga Kosova marrin pjesë, Ipeshkvia e Kosovës (Don Lush Gjergji), Bashkësia Islame e Kosovës, Bashkësia Ungjillore e Kosovës (Pastori Femi Cakolli), Kryegjyshata Bektashiane Botërore me seli në Tiranë (Baba Mondi), diplomacia në Zvicër dhe të ftuar të tjerë, si dhe kryetari i qytetit të Winterthurit me stafin e tij, njofton Albinfo.

Ministër i ri i Kulturës në Maqedoni është Asaf Ademi

Ministër i ri i Kulturës në Maqedoni, nga radhët e Lëvizjes Besa, është Asaf Ademi nga Gostivari, raporton Ina.

Në biografinë e tij dërguar në Kuvend nënvizohet se ai është i lindur në vitin 1980 në Gostivar. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Gostivar, ndërsa Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Nga viti 2003 është punësuar në komunën e Gostivarit si konsltues për implementimin e projekteve, ku më pas është avancuar në udhëheqës të njësisë për zhvillim ekonomik lokal dhe udhëheqësi i sektorit të urbanizmit. Në vitin 2009 është punësuar në Ministrinë e Jashtme dhe është emëruar për ambasador në Danimarkë deri në vitin 2013. Pas kryerjes së mandatit të ambasadorit ai është angazhuar si drejtues i kompanisë “Inskejl” me 100 të punësuar me përfaqësinë e saj në Shkup.

Ademi në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për kryetar të komunës së Gostivarit nga radhët e Lëvizjes Besa.

Pas publikimit të këngës së botërorit, Will Smith: Bashkëpunimi me Erën e Nickin përfaqëson harmoni

Era Istrefi, Will Smith dhe Nicki Jam kanë sjell këngën që i dedikohet botërorit të futbollit.

“Live it Up” është një këngë me ritme verore, e cila i përshtatet pikërisht një gare të futbollit. Projekti është prodhuar nga top producenti, Diplo.

Këngëtarja jonë këndon në gjuhën angleze, kurse në refren spikat me zërin atraktiv duke dominuar në tërësi këtë projekt.

Për Federatën Botërore të Futbollit ka folur edhe aktori hollivudian Smith, i cili duket se është ndarë i kënaqur me bashkëpunimin me Erën dhe Jamin.

“Është një nder i madh kur të kërkohet të këndosh në Kupën e Botës 2018. Kjo ngjarje globale mbledh njerëzit nga e gjithë bota së bashku për të përjetuar gëzime, qeshje dhe magjinë. Bashkëpunimi me Nickyn, Diplo dhe Erën në këtë rrugë përfaqëson harmoni, shije eklektike dhe zhanre të ndryshme muzikore që vijnë së bashku. Në fund të ditës, thjesht duam të shohim vallëzime dhe lumturi në sytë e njerëzve”, tha aktori i njohur me famë botërore, shkruan Telegrafi.

Philippe Le Floc’h , kryeshef i FIFA-s, pohoi se muzika dhe sporti krijojnë sinergji të paparë duke nxitur ndjenjat e tifozëve në mbarë globin.

“FIFA dhe Sony Music gëzojnë një bashkëpunim të suksesshëm në Programin Zyrtar të Muzikës për vite me radhë. Sinergjia midis futbollit dhe muzikës është e habitshme, duke nxitur ndjenjat e tifozëve anembanë globit. Kjo këngë – me një seri të klasit botëror të denjë për shfaqjen më të madhe në Tokë – mishëron gëzimin dhe unitetin, ku njerëzit në të gjithë botën do ta ndajnë gjatë Kupës Botërore të 2018”, tha Philippe Le Floc’h .

Ky është suksesi i radhës i madh për Era Istrefin, e cila krijoi njohje ndërkombëtare me projektin “BonBon”.

Sot fillon ‘Java Artistike Studentore’ në Pejë

“Java Artistike Studentore”, organizohet për herë të parë nga Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” prej datës 25 maj deri më 31 maj, shkruan KultPlus.

Përgjatë pesë netëve do të përforcojnë studentët e Fakultetit të Arteve dhe do të paraqiten instrumentistë, solistë, ansamblet (Kori dhe Orkestra) dhe studentët e regjisë.

Sipas njoftimit nga Universiteti për herë të parë organizohet një eveniment i tillë pranë kësaj njësie akademike dhe vije në vazhdën e paraqitjeve dhe pjesëmarrjeve të shumta të studentëve në koncerte dhe gara ndërkombëtare.
“Në natën e parë me 25.05.2018 do të paraqiten studentët e klarinetës klasa e Prof. asoc. Fatbardh Gashi, Natën e dytë me 26.05.2018 do të paraqiten studentët e Flautit dhe të regjisë, klasat e Prof. asoc. Dardane Nallbani dhe Profesor Isa Qosja, Natën e Trete me 28.05.2018 do të paraqiten studentët e Drejtimit Pedagogjik dhe Orkestra e fakultetit. Në ketë natë janë studentët e Prof. asoc. Mimoza Drançolli, Prof. ass. Syzana Jakupi, Prof. asoc. Besa Berberi, Ma. Shkumbin Krasniqi dhe Orkestra e fakultetit nën dirigjimin e Prof. Arifikmet Xhemaili.

Natën e katërt me 29.05.2018 do te paraqiten studentët e Saksofonit klasa e Ma. Dardan Gjinolli”, thuhet në njoftimin e Universitetit.

Nata e pestë me datën 31.05.2018 do te jetë edhe nata përmbyllëse ku do te paraqitet Kori i fakultetit nën dirigjimin e Prof. asoc. Hysen Nimani”

Po ashtu në fund të “Javës studentore” do shpërndahen mirënjohje për bashkëpunëtor, mbështetës dhe student të dalluar.
Të gjitha koncertet do të fillojnë prej orës 18:00 në teatrin “ Istref Begolli ” Pejë./KultPlus.com

Shkrimtari gjerman, fitues i çmimit ‘Azem Shkreli’

Shkrimtari gjerman, Hans Joachim Lanksch, e ka fituar çmimin “Azem Shkreli” të edicionit të 16-të të takimeve ndërkombëtare letrare.

Shkrimtari gjerman u vlerësua për kontributin e tij të dhënë në letërsinë shqipe, duke përkthyer në gjuhën gjermane disa vepra të shkrimtarëve shqiptarë.

Gjatë takimit qendror të edicionit të 16-të me radhë të “Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli”, shkrimtarit gjerman u nda çmimi kryesor.

Hans Joachim Lanksch tha se ndihet i privilegjuar me përzgjedhjen e tij si fitues sivjetmë i takimeve letrare “Azem Shkreli”.

“Kuptohet se çdo çmim është një nder dhe gëzim i madh për atë që fiton. Për mua çmimi “Azem Shkreli” është një nder i veçantë, për disa arsye: e para Azemin e kam pasur mik, jam takuar për herën e parë në vitin 1986 në Brezovicë dhe jam takuar çdo herë kur ka qenë në Gjermani”, tha ai.

Si arsye të dytë që ndjehet mirë për marrjen e këtij çmimi është se një shkrimtar i huaj po e merr atë, duke u vlerësuar për kontributin e dhënë në letërsinë shqipe.

Hans Joachim Lanksch gjatë karrierës se tij ka përkthyer në gjuhën gjermane disa vepra të shkrimtarëve shqiptarë, ndër to edhe veprat e shkrimtarit Azem Shkreli.

Edicioni i 16-të i “Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli”, ishte nikoqir i shumë shkrimtarëve nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë takimit shpalosën vargje të bukura të poezive të tyre.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj tha se takimet letrare “Azem Shkreli” çdo vit po sjellin figura të shquara të letërsisë në qytetin e Pejës./ kallxo

Tradita 1500-vjeçare japoneze, prezantohet në Muzeun e Kosovës

Sot në Muzeun e Kosovës, zhvillohet “Kumihimo Workshop”, ku Hoko Tokoro prezanton teknikën tradicionale japoneze të quajtur Kumihimo, për krijimin e gërshetave me ngjyra nga fijet e mëndafshit.

Në Japoni, kjo zeje është trashëguar brez pas brezi për 1500 vjet. Samurajët dikur përdornin Kumihimon për krijimin e brezit për të vendosur armët e tyre, dhe gjithashtu rripin e Kimonos, i cili ishte i thurur nga një kordon sipas mënyrës së artit Kumihimo.

Aktiviteti fillon nga ora 13:30 në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com

”TOURNE” projekti europian që bën bashkë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Italinë

Një bashkëpunim i ngushtë midis vendeve tona me Italinë dhe Malin e Zi nis me projektin europian ”TOURNE”.

Ky projekt ka të bëj me funksionimin dhe zhvillimin e rrjetit teatror tripalësh italian-shqiptar-malazez, në shërbim të promocionit e zhvillimit të turizmit dhe kapaciteteve të tij.

Bashkia e Fierit është lidere e këtij projekt i cili u prezantuar sot në një konferencë për shtyp nga kryetari i bashkisë Fier Armando Subashi bashkë me partnerët tanë nga Italia, Mali i Zi dhe Bashkia Tiranë.

Armando Subashi kryetari i bashkisë Fier gjatë konferencës për shtyp u shpreh se “vetë titulli i këtij projekti ka të bëj me një rrjet teatrosh të cilët jo vetëm do shkëmbejnë eksperienca e tyre në fushën teatrore, jo vetëm do të paraqesin vlerat artistike të trevave tona, por padyshim do të shërbej si një shkëmbim eksperiencash shumë pozitive për promovimin e vlerave kryesisht në fushën e turizmit, në turizmin arkeologjik -kulturor dhe të turizmit fetar.

Ai shtoi se ”kjo nuk është hera parë që ne jemi pjesë e këtij projekti pasi kemi qenë dhe vite të tjera, por e veçanta e këtij viti është se bashkia e Fierit vjen në rolin e udhëheqësit për këtë projekt dhe padyshim përgjegjësia jonë është shumë më e madhe se vitet e tjera”.

“Siç kishim sukses në finalizimin dhe fitim e këtij projekti me fondet e BE-së ,po aq të suksesshëm do të jemi dhe në aplikimin e projektit në muajt në vijim. E kemi filluar mbarë dhe përfitimet janë të mëdha nga ky projekt jo vetëm për bashinë e Fierit por dhe për partnerët tanë”, tha Subashi./ ata

Ti je e mirë, dashuri

MARINA IVANOVNA CVETAJEVA / Përktheu: Qazim Shemaj

Dhe e putha djaloshin në kokë,
S’ia gjeta dot buzën, s’e di!
E prapë siç dihet me kohë,
Ti je e mirë, dashuri.

Një çikëz verë të gëzuar
Dhe tej e hedh qyrkun, e flak,
Oh, siç është thënë e shkruar,
I çmendur do ndizesh ti, gjak.

Veç , jo-për kohën që patëm
Dashuria s’u bë dot grua!
Vetë Venera, si mori sëpatën,
Shkrepën ashkla kudo në katua.

Me ferrin me akull e murtajë,
Me dimrin vuri kurorë.
Dashuria dy krahët e saj
I do me çizme të forta për borë.

Pa shih ç ’krijim i adhuruar,
Ti thurma litarin, se ç ’fat,
Dhe ulu sipas përvojës së shkruar
Siç shtrihet vajza në krevat.

Dhe mirupafshim vonë a herët,
Në prapë do shihemi tok,
Kur ne të mësojmë që djemtë
T’i puthim më mir’ se në kokë.