Shqipëria është një vend plot surpriza duke mahnitur edhe turistin më skeptik. E gjendur mes maleve dhe detit është një vend ku mund të befasohesh nga kultura dhe nga panoramat e saj natyrore.
Peizazhe shumëngjyrëshe, liqene, male të larta, lumenj, lugina, dete, kjo është panorama që ofron Shqipëria për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend të panjohur më parë.
Bukuritë e rralla natyrore vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguara brez pas brezi. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e shqiptarëve, një vlerë kjo e njohur tashmë edhe nga bujtësit e huaj.
Për turistët e huaj, por edhe për ata vendas, janë disa zona turistike në Shqipëri, që nuk duhen lënë pa u vizituar.
E tillë është edhe Gryka e Valbonës, që gjendet në veri të vendit, në Tropojë.
Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peisazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.
Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën në të katër stinët.
Pastaj të pret një luginë e bukur që shtrihet mes bjeshkëve të nemuna duke i ndarë malet shkëmborë për të krijuar këtë panoramë kaq të bukur të natyrës shqiptare.
Edhe emri i saj, Valbonë e thotë këtë – Luginë e Bukur… Këtu mund të përjetosh veç bukurive natyrore edhe jehonën e Kreshnikëve, Mujit dhe Halilit… Sipas eposit, Bjeshkët e Nemuna kanë qenë një ndër vendbanimet e tyre, mrizet e zanave.. e plot legjenda të tjera që i dëgjon mes banorëve vendas.
Por, udhëtimi për në Valbonë, në liqenin e Komanit është një ndër udhëtimet më të bukura që mund të bëhet, malet e larta përgjatë bregut, plot gjelbërim e shkrepa të thepisur, mes grykash, një udhëtim si në përralla. Më pas mund të akomodohesh në hanet zonës, shtëpitë e banorëve të vëna në shërbim të turistëve, duke ruajtur traditën dhe duke u shërbyer atyre në mënyrë tradicionale.
Zgjohesh dhe nën rrezet e diellit të mëngjesit të shfaqet përball maja e hekurave, grykët e hapura, Maja e Rodit, Mali i Thatë, të gjithë duken sikur prekin qiellin…
Edhe kthimi është një guidë turistike më vete duke kaluar përmes Gjakovës e Prizrenit, duke vizituar qytetet historike të lidhjes së Prizrenit, pazarin, kalanë etj…dhe në mbrëmje je në Tiranë… Këtë verë kushtoja ca ditë Valbonës së bukur./ KultPlus.com
“Gatitmë një banjë të nxehtë, shumë të nxehtë
me gjethe shqindi dhe mërsine; – e paske gatitur?”
(Janis Ricos: Agamemnoni)
Kryekomandanti po bëhej gati të hynte në banjë,
Kur sytë i ndeshën në një milingonë në mur.
E vocërr, e brishtë, gati e papeshë
Lëshohej ngadalë drejt tryezës së begatë.
“Mos e prek!” – i thotë të shoqes, Klitemnestrës
Me flokë të krehur bukur si rrjetë.
Dhe i flet për Patroklin, Akilin e kuajt e tij
Dhe për kalin e drunjtë me sy të qelqtë.
Dhe për Helenën, që pas rënies së Trojës
Rrinte gojëkyçur përpara pasqyrës
Duke pritur vdekjen si një pulëbardhë.
Rrjedhin fjalët nga goja e burrit luftëtar,
Ditën e parë të kthimit në shtëpi.
Klitemnestra hesht dhe bën sikur dëgjon.
Hijerëndë heq sandalet, pelerinën, përkrenaren
Dhe skeptrin gjithë diamante lë mënjanë.
Jashtë bien tamburet, hingëllijnë kuajt,
Turma brohoret emrin e tij: Agamemnon!
Po ai seç ka një shije të hidhur në gojë.
Kasandra ulërin në trans tek shkallët e pallatit
dhe thotë se këtu vjen era gjak, era gjak, njerëz…
Para se të hyjë në banjë siç e pat bërë nëna
I hedh edhe një shikim dhomës sallonit.
Tani milingona është ngjitur tek thërrimet,
Ndërsa gruaja hesht dhe se ç’bluan në vete…
Uji i nxehtë lëshon avuj të ngrohtë si duhmë vdekjeje
Kundërmimi i luleve ndjell gjumë e kapitje.
Trimi zulmëmadh ra në kurth si peshk,
Ai që kishte qenë tigër në tokë, peshkaqen në det.
Ndjeu tehun e mprehtë të shpatës së shemrit, ah!
Gjakun që vërshoi çurg nga plaga në qafë!
Bëri të ngrihej, por trupi s’i bindej
Gjersa u plandos si cung në vaskë.
Vaska e mermertë u shndërrua në pellg,
Tek mbytej mynxyrshëm mundësi i madh;
Agamemnon Atridi, mbret i akejve.
Ndërsa milingona e vocërr vazhdon gostinë e saj
Në pallatin mbretëror, në mësallën e bardhë.
Festivali HAPU, edhe këtë vit ka në qendër lëvizjen në hapësirat publike të qytetit të Prishtinës, duke vazhduar eksplorimin e tyre të pashterur në kërkim të pikave që provokojnë lëvizjen e përbashkët me qytetin, shkruan KultPlus.
Sipas drejtorit artistik të festivalit, Florent Mehmeti, me këto lëvizje publiku do të përjetoj së bashku eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit për kryeqytetin.
“Duke lëvizur do të takohemi, do të bashkë-krijojmë, bashkë-bisedojmë e bashkë-ndjejmë dhe do të bashkë-lëvizim. Lëvizja e qytetit do të na prodhojë imazhet e lëvizura të transformuar në një film që për rol kryesor ka banorët e këtij qyteti dhe vizitorët e shumtë në këtë kohë”, është shprehur ai.
HAPU këtë vit hapet në natën e parë me lëvizjet e “Liquid Loft” nga Austria, mjeshtërisht të koreografuara nga Chris Haring duke lëvizur kështu bashkë me publikun deri në oborrin e Muzeut të Kosovës dhe prej aty do të jehojnë në kokat tuaja shumë e shumë gjuhë nga kënde të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe gjuhën e regjistruar në Prishtinë, të asociuara me imazhet në lëvizje të krijuara me finesë nga Liquid Loft.
“Duke vënë në lëvizje trupat dhe duart tona të udhëhequra nga Frank Bölter do të palosim së bashku origami objekte të madhësive reale që lëvizin me ne. Do t’i lëvizim së bashku dhe t’i vendosim në pika, prej ku objektet tona do të kërkojnë me ngulm lëvizjet që duhet bërë për të mirën e përbashkët”, është shprehur Mehmeti në komunikatën e dërguar për media.
Pikënisja tjetër e lëvizjes është vendosur në objektin e Fakultetit të Arteve, prej ku do të fillohet udhëtimi artistik, i krijuar nga Kunstlabor nga Graci i Austrisë dhe artistët vendorë nga Teatri ODA, duke lëvizur brenda e jashtë zonave “in betëeen” (‘zonave ndërmjet’) për të vazhduar këto lëvizje në ditët e para të gushtit në Festivalin La Strada në Grac të Austrisë.
Lëvizëse do të jetë edhe nata e fundit me lëvizjet e aktorëve në ulje e ngritje të kompanisë së re NOA dance teatër në bashkëpunim me Teatrin ODA, nën përkujdesjen e mjeshtërisë koreografike të Robert Nuhës.
Lëvizjet e këtij edicioni të Festivalit HAPU janë prodhim i lëvizjeve të shumta gjatë gjithë vitit duke parë e shijuar artistë evropiane e duke lëvizur artin dhe artistët e Kosovës në nivelin evropian në kuadër të partneritetit të festivali me IN SITU.
“Ky partneritet i veçantë na ka frymëzuar për të krijuar e për të vendosur këto lëvizje evropiane në hartën e Prishtinës dhe jemi të sigurt që njëjtë do të ju frymëzojnë edhe juve gjatë lëvizjeve në hapësirën tonë të përbashkët, duke lëvizur kështu bashkërisht qytetin”, është shprehur në fund Florent Mehmet.
Festivali i Artit në Hapësirë Publike do të mbahet nga 19 deri më 21 korrik./ KultPlus.com
Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar në spital, bilbilin e gjuhës shqipe, këngëtaren Nexhmije Pagarusha pas aksidentit të pësuar në banesën e saj, shkruan KultPlus.
Ministri Gashi u informua për së afërmi për gjendjen shëndetësore të këngëtares së madhe Pagarusha dhe u shpreh i lumtur që gjendja e saj është e mirë dhe që fatmirësisht nuk ka pësuar ndonjë lëndim më të rëndë pas aksidentit të mbrëmshëm.
“E vizitova krenarinë kombëtare, bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, dhe u interesova personalisht për gjendjen e saj shëndetësore dhe ndjehem jashtëzakonisht i lumtur e i gëzuar që ajo është në gjendje të mirë dhe nuk ka pësuar ndonjë lëndim serioz. I dëshiroj shërim sa më të shpejtë këngëtares dhe në anën tjetër dua të falënderoj tërë ata që janë përkujdesur për shëndetin e saj, që nga stafi mjekësor edhe studentet që kanë ndërhyrë për ta ndihmuar këngëtaren tonë të madhe”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.
Ministri i ka ofruar këngëtares Pagarusha mbështetjen e plotë të MKRS-së për çfarëdo që është e nevojshme për këngëtaren./KultPlus.com
Projekti filmik “Ombrella”, gjendet në mesin e kategorisë së projekteve të filmit të metrazhit të shkurtë artistik, të cilët janë subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit.
Duke pasur parasysh se Qendra Kinematografike e Kosovës është institucioni më i rëndësishëm i filmit në Kosovës, të kesh mbështetjen e tyre sigurisht që është nderë për një regjisor. Kjo përkrahje ka një kuptim edhe më të madh kur të mundëson që të vësh në jetë një film, të tregosh një histori për të cilën beson që do rrëmbej zemrat e publikut.
“Ombrella” është shkruar nga Ag Apolloni ndërsa do të vijë në jetë përmes regjisë së Ben Apollonit. Në një rrëfim për KultPlus, Ben Apolloni ka zbuluar detaje rreth këtij filmi dhe asaj se çfarë fshehët prapa emrit “Ombrella”, i cili rezulton ende vetëm në letër.
“Ne, regjisorët, ëndërrojmë gjithë kohën por kënaqësinë e vërtetë e arrijmë kur ëndrrat tona i shfaqim në kinema dhe i shohim bashkë me të tjerët, me publikun”, thekson që në fillim Ben Apolloni.
Ben Apolloni është ne mesin e regjisorëve të cilët e konsiderojnë shumë të rëndësishëm trajtimin e temave që kanë lidhshmëri me luftën e fundit në Kosovës përmes kinematografisë. Ai thekson se nuk është e rëndësishme vetëm që këto tema të vihen nëpër ekranet e kinemave por edhe të hulumtohet më thellë për to.
“Skenari ka derivu nga një kapitull i romanit të Ag Apollonit, ‘Ulurima e ujkut’ dhe ne shpesh kemi biseduar se ai roman do të mund të bëhej film, është brumë shumë i mirë, por këtë herë kemi marr vetëm një kapitull të tij për ta krijuar filmin e shkurtër “Ombrella”. Besojmë që mënyra se si ky skenar e trajton temën e të zhdukurve të luftës dhe familjarëve që i presin ata, është shumë e veçantë dhe ne duhet të bëjmë filma që jo veç prekin temat por “gropojnë” thellë në to”, thotë ai.
“Ombrella” është një histori përplot shi e lot. Është një histori për gruan që pret burrin e për vajzën që pret babanë e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Qëllimi im por edhe i vëllait tim, Ag Apollonit, që ka shkruar skenarin, ka qenë dhe është që të bëjmë një film për këtë temë që ndoshta edhe është trajtuar por jo në formën dhe në thellësinë që po mundohemi ne ta prekim”, thotë ai dhe shton me gjithë bindje se filmi ka një qasje tërësisht origjinale ndaj kësaj teme dhe është shumë provokative.
Regjisori, Ben Apolloni gjersa flet për filmin të krijon përshtypjen se po e sheh atë në mendjen e tij. Aftësia e tij prej regjisori i ka mundësuar që duke pasur në dorë draftin e parë të skenarit, të zgjedh edhe aktorët të cilët do e shpalosin këtë histori.
“Aktorët e kanë marr skenarin kohë më parë, para se të konkurrojmë për subvencion në QKK. Pra, audicion për këtë film nuk do të ketë”, tregon ai.
Aktorët që do të kenë rolet kryesore në “Ombrella” janë: Aurita Agushi, Mentor Zymberaj dhe Hera Gashi.
Në anën tjetër producenti Xhemajl Avdyli po e vazhdon punën e tij rreth krijimit të ekipit të filmit dhe së shpejti do të fillojnë edhe gjetjen e lokacioneve, të cilat mund të jenë kudo përveç në Prishtinë. Kryeqendra nuk është pjesë e lokacioneve të cilat po mendohen dhe po rrjedhin nëpër mendimet e ekipit punues.
“Synim i yni është që filmi të xhirohet në vjeshtë, kah fundi i tetorit, besoj”, tregon regjisori.
Filmi “Ombrella” para se të fitojë mbështetjen nga QKK-ja ka fituar edhe mbështetjen nga Ministria e Kulturës. Në janar të këtij viti ai ka fituar me një projekt për film të shkurtër në Fondin e Filmit në Maqedoni dhe bashkë me producentin Halim Luta po punojnë që edhe atë film ta finalizojnë brenda këtij viti.
“Është hera e parë që kemi aplikuar për subvencion në QKK dhe më vjen mirë që me të parën u përkrahëm. Kemi shumë projekte që presin të realizohen dhe “Ombrella” veç po ua hapë rrugën projekteve tjera që po presin në radhë”, përfundon regjisori për KultPlus.
Rikujtojmë se “Ombrella” është në mesin e 19-të filmave të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit./ KultPlus.com
Sot bëhen plotë 88 vite që nga vdekja e Andon Zako Çajupit, shkruan KultPlus.
Ai lindi më 27 mars të vitit 1866 ndërsa vdiq më 11 korrik të vitit 1930. Andon Zako Çajupi ishte poet, dramaturg dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
U lind Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani me tregje në zgjerim e sipër deri në Itali. Mori mësimet fillore në Nivan të Zagorisë, në shkollën greke të atjeshme.
Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite tek Sainte Catherine des Lazaristes. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër,[1] ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin.
Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu./ KultPlus.com
Është paralajmëruar që sa kohë që këngëtarja kosovare do të këndojë në Kampionatin Botëror të Futbollit.
Era Istrefi është pjesë e këngëtarëve të këngës zyrtare të këtij kampionati – ‘Live it up’, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam, shkruan KultPlus.
Kësisoj, sot vet këngëtarja e ka konfirmuar këtë permes rrjetit social Instagram.
Era Istrefi do të këndojë më 15 korrik në finalen e Kampionatit Botëror Rusia 2018./KultPlus.com
Këngëtarja e mirënjohur shqiptare Nexhmije Pagarusha, mbrëmë ka pësuar një aksident në shtëpinë e saj ku më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zyra e Informimit të QKUK-së mbrëmë ka njoftuar se pacientja N. P ka kërkuar ndihmë mjekësore pas lëndimeve që ka marrë në shtëpi, ndërsa kanë njoftuar se është jashtë rrezikut për jetë.
Në lidhej me gjendjen e këngëtares, sot, është bërë e ditur se ajo është lënduar në banesën e saj si pasojë e një dollapi i cili është rrezuar duke e lënduar edhe këngëtaren. Gjithashtu është bërë e ditur se pas këtij aksidenti në ndihmë këngëtares i kanë dalë dy studente.
Këto detaj i ka bërë të ditur Deputeti i NISMA-s Socialdemokrate, Milaim Zeka i cili e ka vizituar këngëtaren.
Nexhmija Pagarusha e njohur si Bilbili i Kosovës, më 7 maj ka festuar datëlindjen e saj të 85-të, me ç’rast është dekoruar nga presidenti i SHBA-së, Donlad Trump./ KultPlus.com
Një letër e shkruar 500 vjet më parë nga reformatori protestant, Martin Lutheri, lë vend për hamendësime mbi atë çfarë ai vërtet mendonte për hebrenjtë. Në letër ai u referohet si “demonë të mishëruar”, por studiuesit e tij thonë se kaq nuk mjafton për ta quajtur antisemit.
Letra me një faqe, e shkruar nga të dyja anët, pritet të shitet në një ankand në Boston për 300 mijë dollarë. Ajo është shkruar diku nga shtatori i vitit 1543 dhe i drejtohet një kleriku të lartë në Kishën e Shën Nikollës në Berlin. Letra në fakt është përgjigjja që Lutheri i kthen zyrtarit të kishës gjermane në lidhje me kërkesën për t’i interpretuar disa vargje biblike, me anë të të cilave ish-miku i Lutherit, Johann Agricola, arsyetonte trajtimin e tij pozitiv të hebrenjve në atë që sot është Gjermania.
Në përgjigjen e tij, Lutheri i tregon Georg Buchholzerit se ai ka bërë mirë kur ka predikuar kundër hebrenjve dhe duhet të vazhdojë ta bëjë këtë, duke injoruar kështu ish-mikun e tij, Agricola, për të cilin thotë se është një gënjeshtar i zellshëm.
“Sepse këta hebrenj nuk janë hebrenj, por mishërim i demonëve që mallkojnë Zotin tonë”, shkruan Lutheri, sipas përkthimit të bërë nga RR Auction.
“Por, më herët ai i simpatizonte hebrenjtë për shkak të mënyrës se si trajtoheshin nga kisha katolike”, thotë Eric Metaxas, autori i librit “Martin Luther”.
Është e sigurt që Lutheri pati qëndrime negative në vitet e mëvonshme për hebrenjtë, kjo për shkak se ata nuk përqafuan versionin e tij të krishterimit. Por, Metaxas thotë se duhet bërë kujdes kur krahasohet antisemitizmi i shekullit XVI me atë të shekullit XXI, përcjell Telegrafi./ KultPlus.com
Në partneritet me Departamentin e Etnologjisë të Shqipërisë, Dokufest do të mbajë përsëri një punëtori nga Laboratori i Antropologjisë Vizuale, shkruan KultPlus.
Tema e sivjetme Liminaliteti: imazhe, tinguj, zëra – do të përfshijë një grup studentësh dhe kërkuesish të cilët do të kenë përqendrim etnografik në zonën kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke synuar reflektimin dhe hartimin e liminaliteteve që formësojnë jetën moderne.
Liminaliteti është një nocion antropologjik i cili koncepton pozicionet e kufirit ndërmjetës në proceset shoqërore tranzicionale ose metamorfike, ku individët qëndrojnë në prag, dhe i përshtaten një gjendjeje në mes të identiteteve shoqërore.
Temat kryesore do të trajtojnë: Shtetin modern si prodhues i liminaliteteve dhe zonat kufitare si kontekste të liminaliteteve.
Materiali empirik – fotografitë, tingujt dhe zërat – do të prezantohet në një punëtori treditore gjatë edicionit tonë të shtatëmbëdhjetë në Prizren.
Një brez bashkëkohor i antropologëve socialë dhe politikë po sfidon perspektivat konvencionale duke trajtuar liminalitetin në botën moderne, duke pasqyruar modalitetet solide dhe /ose të rrjedhshme të modernizmit./KultPlus.com
Blerim Destani po realizon xhirimet e filmit “The Poison Rose” në krahë me aktorët John Travollta dhe Morgan Freeman.
Ky film ka filluar xhirimet që nga maji i këtij viti në Savannah të Georgia nën regji të George Gallo dhe skenar të bazuar në novelën e Richard Salvatore.
Blerimi në këtë film luan karakterin e Lorenzo Rodriquez, emri i karakterit që ai luan ashtu si edhe fotografitë nga xhirimet na asocojnë në një djalosh meksikan me një stil karakteristik. Filmi është në stilin e dramave detektive të tipit “Chinatown,” “L.A. Confidential,” apo “The Long Goodbye” dhe flet për një ish yll futbolli të cilit i bëhet pikë e dobët një vajzë e cila është në telashe, shkruan Java News.
Ashtu si në filmat klasik, ai përfundon në një rrjet kompleks krimesh. Kur ai zbulon se vajza në fakt është e bija e tij e humbur prej shumë kohësh, niset që ta shpëtojë atë dhe rrugës në shpëtimin e saj zbulon shumë sekrete të pista të qytetit./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Rita Ora është duke qëndruar në Londër ku edhe ka pranuar Hyjneshën në Fron të gravuar në filigran nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Pas pranimit të kësaj dhurate të dy së bashku shoqëruar edhe nga miqtë e tjerë kanë darkuar, shkruan KultPlus.
Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci është ai i cili ka ndarë me miqtë e tij në Facebook një fotografi nga ky takim. Në shkrimin e tij ai e vlerëson punën që bënë këngëtarja duke e quajtur thesar të çmuar kombëtar.
“Pas përfundimit të samitit të Ballkanit Perëndimor të Londrës, vjen samiti me superyllin tonë botëror, Rita Ora. Së bashku e përkujtuam shpalljen e saj ambasadore nderi, mu para tri vitesh atë ditë, në ambasadën e Kosovës. Koha po kalon, por Rita mbetet thesar i çmuar kombëtar. Jemi me fat që e kemi, atë dhe yjet e tjerë në fusha të ndryshme, të cilët po na dhurojnë një imazh të ri pozitiv gjithandej nëpër botë”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se tri vite më parë Rita Ora ishte zgjedhur Ambasadore Nderi e Kosovës nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga./KultPlus.com
Ambasadori turk në Tiranë, Ahmet Yöruk zbriti në Tepelenë ku takua me kreun e Bashkisë së këtij qyteti Tërmet Peçi.
Ky i fundit i ka paraqitur diplomatit të Ankarasë një rezyme të zonës, vizionit për zhvillimin ekonomik të saj përmes agroturizmit, e sidomos turizmit historik, duke veçuar Kalanë e Ali Pashës.
“Së fundmi dua të kthehem në diçka më konkrete, çka është vërtet e nevojshme pasi kemi gati 17 projekte në fushën e infrastrukturës, ku midis tyre do veçoja projektin e kalasë së Ali Pashës, si një nga “armët” më të forta për zhvillimin e turizmit në Tepelenë”, u shpreh kryetari Peçi.
Ndaj këtij propozimi është shfaqur i gatshëm i dërguari i Ankarasë, kur tha:
“Janë mbi 400 biznese turke që operojnë në Shqipëri, me një numër prej 15 mijë të punësuarish dhe me një lëvizje monetare që kap vlerën mbi 3 miliard euro në vit. Kjo tregon frymën dhe suksesin, për të zhvilluar më tej dhe forcuar këto marrëdhënie. Propozimi juaj për kalanë e qytetit më pëlqen shumë dhe jemi të hapur për të financuar në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Ne kemi dy fondacione tepër të fuqishme ku mes së cilave kemi zhvilluar mjaft investime në Shqipëri dhe unë premtoj se një prej tyre do jetë i gatshëm të investojë në Kalanë e Tepelenës, për rijetëzimin e arkitekturës otomane, duke ju dhënë mundësinë ju dhe qytetit, të realizoni atë që keni dëshirë dhe sfidë. Ne do të ndihmojmë që së bashku të mund të kemi më shumë përfaqësi të shtetit tonë këtu dhe biznese që zhvillojnë ekonominë. Shumë shpejt ju presim në Tiranë për të nisur projektin e parë dhe t’i hapim rrugën të tjera projekteve”./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një nismë për programin ‘Rrugët e Besimit’ nga jugu në veri.
Aktualisht janë ngritur kantieret për restaurimin e plotë të 5 monumenteve të kulturës së besimit islam në vend, ku ndërhyrja e parë tërësore pas dekadash lënie në rrënim do të nxjerrë në dritë vlerat e tyre të jashtëzakonshme kulturore e artistike duke i kthyer në referenca kyç të itinerareve turistike.
Investimi në fjalë parashikon ndërhyrje në disa objekte kulti në Berat, duke nisur nga restaurim i Xhamisë Mbret, i Xhamisë së Beqarëve, i Teqesë Helvetive, por edhe Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë dhe Xhamia e Pazarit në Gjirokastër.
Ndërkohë, “Rrugët e Besimit” kalon edhe në Kishën e Shën Mërisë në Peshkëpinë e Sipërme të Dropullit, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve restauruese. Po ashtu parashikohet që të nisë shumë shpejt dhe restaurimi i pikturës murale në Kishën e “Shën Venerandës”, në Pllanë – Lezhë, ku do të kryhen ndërhyrje konservuese – restauruese në pikturën murale të kishës.
Pjesë e projektit është edhe restaurimi i “Kishës së Shën Premtes”, në Valsh të Elbasanit. Sakaq, ka nisur puna për restaurimin e Urës së Shën Prodhomit, Voskopojë, monument kulture i kategorisë së I-rë, ndërtuar në shekullin XVIII dhe në Kishën e Shën Thanasit në Leshnicë.
“Këto kantiere janë vetëm një nga ofertat e reja turistike në programin ‘Rrugët e besimit’, ku nga Veriu në Jug, po ofrojmë vendet e kultit më tipike dhe përfaqësuese, jo vetëm të kulturës dhe artit, por edhe të bashkëjetesës fetare si një origjinalitet shqiptar”, është shprehur ministrja e kulturës Mirela Kumbaro.
Në këtë verë janë miratuar disa projekte restaurimi nga KKR:
Restaurim “Ura Antiko – Mesjetare “mbi lumin Vjosë, nën kalanë e Tepelenës;
Restaurim “Ura e Nivanit”, Zagori;
Restaurimi i “Kalasë së Drishtit”, Shkodër;
Restaurim i pikturës murale në Kishën e Marmiroit, Pashaliman – Vlorë;
Restaurim i “Kalasë së Bashtovës”, pranë fshatit Vilë, Rrogozhinë;
Restaurim i “Urës së Mesit”, në fshatin Mes, Shkodër;
Restaurim i “Kishës së Ipapandisë”, në Dhërmi –Vlorë, shkruan konica.al./KultPlus.com
Sërish atletet e Edi Ramës në samitet ndërkombëtare bëhen lajm.
Edhe në Londër, në takimin e krerëve të Ballkanit Perëndimor me liderë të Bashkimit Europian kryeministri shqiptar është shfaqur me atletet e tij të bardha.
Kjo ka tërhequr vëmendjen e rrjetit prestigjioz britanik BBC që në një video të shkurtër të publikuar në faqen zyrtare në Twitter shkruan: “Fotoja familjare” është një traditë në takimet e liderëve botërorë, por këpucët e zakonshme në rresht të parë nuk janë dhe aq tradicionale. Këto i përkasin kryeministrit shqiptar Edi Rama që siç duket po e shijon mjaft këtë moment” – thuhet në komentin e BBC./KultPlus.com
Tregimi fillon me lindjen time. Isha fëmija i vetëm në një familje shumë të varfër, nuk kishim ushqim që do të na mjaftonte. Nëse ndonjë ditë gjenim pak oriz ashtu që ta largonim urinë. Pasi e mbaroja pjesën time, nëna edhe pjesën e saj ma dhuronte mua, dhe thoshte: “O biri im! Haje këtë oriz, sepse nuk jam e uritur. Kjo ishte gënjeshtra e parë e saj.
Kur u rrita pak, nëna pasi mbaronte punët e shtëpisë dilte për të gjuajtur peshq në lumin e vogël që ishte afër shtëpisë. Shpresonte që nëse haja peshk, do të më ndihmojë në zhvillimin tim. Një herë kishte nxënë dy peshq.
Shpejtoi për në shtëpi në mënyrë që t’i përgatisë; i vendosi para meje dhe unë fillova ta ha peshkun e parë dalë-ngadalë, ndërsa nëna ime hante atë që mbetej në mes të eshtrave/halave. M’u rrëqeth zemra dhe peshkun tjetër ia dhurova asaj. Ma ktheu mbrapsht dhe më tha: “O biri im! Ha edhe këtë peshkun, a nuk e di se unë nuk i dua peshqit?!” Kjo ishte gënjeshtra e dytë e saj.
U rrita dhe duhej që unë patjetër të shkoja në shkollë, por nuk kishim pasuri që t’i mbulonim shpenzimet e shkollës. Nëna shkoi në treg dhe bëri marrëveshje me një tregtar të rrobave, që ajo të shkonte shtëpi për shtëpi, për të prezantuar mallin. Një natë dimri u vonua nëna ime, ndërsa unë po e prisja në shtëpi, dola ta kërkoj në rrugë afër lagjes, e gjeta duke mbajtur rrobat dhe duke trokitur shtëpi për shtëpi, e unë e thirra: “Oj nënë, eja të kthehemi në shtëpi, sepse është bërë vonë dhe moti është i ftohtë, ti nesër mund ta vazhdosh punën që nga mëngjesi. Buzëqeshi nëna dhe më tha: “O biri im! Unë nuk jam e lodhur.” Kjo ishte gënjeshtra e tretë e saj.
Në shkollë kishim provim përfundimtar dhe nëna këmbënguli të vinte me mua. Hyra në provim e ajo qëndronte jashtë duke më pritur mua, në nxehtin e madh. Kur cingëroi zilja dhe përfunduam, dola, ndërsa ajo më përqafoi fort dhe me ngrohtësi. Më pas, më përgëzoi për suksese të mëtejshme. Me vete, kishte një lëng, të cilin e ruante për mua kur të dal nga provimi, e piva dhe shova etjen, por nënës time i dilnin djersët në fytyrën e saj nga vapa e madhe, ia ofrova lëngun menjëherë dhe i thashë: “Pi, oj nëna ime!” Ndërsa ajo ma ktheu: “O biri im! Pije ti, se unë nuk jam e etur.” Kjo ishte gënjeshtra e katërt.
Pas vdekjes së babait tim, nëna ime jetoi si vejushë dhe përgjegjësitë e shtëpisë ranë mbi atë, kështu që ajo duhej të sillte të gjitha gjërat e nevojshme në shtëpi. Jeta u bë e vështirë dhe filluam të ndiejmë urinë. Xhaxhai im ishte njeri i mirë dhe jetonte afër nesh, na sillte ushqime me të cilat largonim urinë, e kur fqinjët tanë panë gjendjen tonë të vështirë që dita-ditës po keqësohej, e këshilluan nënën time që të martohej me ndonjë burrë që do të shpenzonte për atë, por ajo u përgjigj: “Nuk kam nevojë për dashuri.” Kjo ishte gënjeshtra e pestë.
Kur mbarova studimet universitare, gjeta një punë të mirë deri diku, mendova se tani është koha që nëna ime të pushojë, e unë të marr mbi supe detyrimet e familjes. Në atë kohë ajo nuk kishte shëndet të mirë që t’ia mundësonte asaj shitjen shtëpi për shtëpi, kështu filloi të shiste perime. I caktova një pjesë të rrogës sime vetëm e vetëm ta linte punën, refuzoi t’i marrë dhe tha: “O biri im! Ruaji paratë e tua, unë kam aq pasuri sa të më mjaftojë!” Kjo ishte gënjeshtra e gjashtë e saj.
Punoja dhe në të njëjtën kohë regjistrova magjistraturën, vërtet korra suksese dhe në të njëjtën kohë, m’u rrit paga e punës. Firma në të cilën punoja ishte gjermane, kështu që, më transferuan në degën kryesore të saj në Gjermani, u ndjeva shumë i lumtur. Fillova të ëndërroj për fillim të mbarë dhe jetë të lumtur, pasi udhëtova dhe u vendova, i telefonova nënës time që të vinte të jetonte me mua, por ajo nuk donte të më ngushtojë, dhe më tha:
“O biri im! Unë nuk jam e mësuar të jetoj jetë me standard të lartë.” Kjo ishte gënjeshtra e shtatë e saj.
U plak nëna ime dhe atë e goditi sëmundja e kancerit në sy, dikush duhej të ishte afër saj që ta mjekojë, por ne na ndanin shtete larg. Lashë çdo gjë dhe shkova ta vizitoj, ishte e shtrirë në shtrat, pas kryerjes së operacionit.
Kur më pa, u mundua të buzëqeshë, por zemra ime digjej, pasi ajo ishte e dobësuar.Nuk ishte nëna ime që e njihja më parë, filluan të më rridhnin lotët ndërsa ajo mundohej të më qetësonte. Më tha: “Mos qaj o biri im, unë nuk po ndiej dhimbje.” Kjo ishte gënjeshtra e tetë e saj dhe e fundit…
Pasi ma tha këtë, ia mbylla sytë, që më kurrë nuk i hapi.
Për çdo kënd që ka një nënë gjallë: Ruaje këtë dhunti të madhe, para së të pikëllohesh për humbjen e saj…
Për çdo kënd që ka humbur nënën e tij: Kujtoje çdo herë, se sa shumë është lodhur ajo për ty. Mos e harro kurrë në lutjet e tua!
Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka takuar sot këngëtaren kosovare Rita Orën, shkruan KultPlus.
Ai përgjatë këtij takimi këngëtares së famshme shqiptare i ka dorëzuar edhe një dhuratë.
Për këtë takim ka njoftuar vetë Haradinaj, i cili ka thënë:
Përmbyllje e mirë e një dite pune konstruktive në Londër.
Takim miqësor me kosovaren më të famshme, Rita Ora, që ngjyrave të flamurit tonë i ka dhënë shkëlqimin më të mirë.
Rita përmes muzikës ka bërë më shumë se gjithë ne, e ka ndërkombëtarizuar Kosovën.
Ambasadores së nderit, të shpallur sot e tri vite më parë, i dhurova Hyjneshën në Fron të gravuar në filigran për ta nderuar dhe për t’i përçuar mesazhin e gjithë shqiptarëve: Faleminderit që të kemi.
Faleminderit që, përkundër që preke majat e suksesit në botë, nuk i harrove rrënjët tua!
Our golden Rita Ora. Thank You!
RH./KultPlus.com
Arben Llapashtica përfaqëson një natyrë modeste që për punën e tij pëlqen më së shumti të flas përmes fotografive. Përherë në krahë mban një çantë, ndërsa qëndrimi i tij në ulëse është mjaft i shkurtër.
Ata që i përcjellin koncertet e muzikës klasike dhe jo vetëm, pothuajse në shumicën prej tyre e kanë takuar Arben Llapashticën, pasi që ai lëvizë pothuajse në secilin kënd të sallës, e është vigjilent në gjithçka që ndodhë brenda saj. Ata që nuk arrijnë të jenë prezent në koncertet e emrave të mëdhenj të muzikës klasike në Kosovë, momentet dhe emocionet e tyre i kanë përjetuar përmes fotografive të shkrepura nga ai.
Një pjesë e njerëzve mund të mos e njohin për nga dukja e tij fizike, por fotografitë e tij arrijnë t’i identifikojnë shumë lehtë. Në fotografitë e tij nuk ka paragjykime, aty përfshihet gëzimi e brenga, aktivitete e njerëz të moshave e komuniteteve të ndryshme. Në fotografitë e tij gjen objekte e klerikë të feve të ndryshme, madje edhe brenda një fotografie të vetme.
Pasioni i tij për fotografinë është i natyrshëm, veçmas në momentet kur shkëputet nga të pranishmit derisa gjen një shprehje fytyre apo qëndrim që mund ta përfaqësojë momentin e duhur. Ato momente, ai nuk i kap vetëm brenda një salle koncertale apo eventi të mbyllur, ai shkon përtej kësaj, duke eksploruar në lartësitë e natyrës dhe në zonat më të thella të saj. Ekspeditat e tij në maje të larta, nuk janë të pakta. Në fotografitë e tij gjen perëndimin e lindjen e diellit, gjen fshatrat më të thella të Kosovës, e qytetet e njohura të botës, gjen zanatlinjtë e vjetër, që sipas tij po pakësohen, gjen fytyra të njoma derisa shijojnë ritmin e lojës. Krahas fytyrave të njohura, në fotografitë e tij ka edhe fytyra tërësisht të panjohura, por që flasin për një realitet të përditshëm.
Përveç ndërtesave të famshme të kryeqytetit, në fotografitë e tij gjen lokalitete e monumente më të vjetra e më të paeksploruara, që i përkasin trashëgimisë kulturore. I gjithë ky aktivitet i fotografit Llapashtica ka bërë që fotografitë e tij të jenë takimi i parë virtual i të huajve me Kosovën. Krahas të gjithave, në fotografitë e tij, një vend të veçantë ka edhe bota shtazore. Të gjithë ata që kanë fotografi të shkrepura nga Arben Llapashtica, ato i ruajnë në sirtarin e fotografive më të mira që kanë.
Arben Llapashtica tashmë më shumë se një dekadë merret në mënyrë aktive me fotografinë, gjë që e ka bërë të pranishëm edhe në shumë projekte që lidhen me fotografinë, ndërsa që në garën e parë për fotografi ai arrin të shpërblehet, që ishte dëshmi që rrugëtimi i tij ndodhej pranë suksesit. Në krijimtarinë e tij artistike tashmë numëron një numër të madh shpërblimesh. Publikimi i fotografive në rrjetet sociale e kanë bërë artin e talentin e tij edhe më të dukshëm, ku sot numëron mbi 8 mijë persona që e ndjekin dhe i pëlqejnë vazhdimisht fotografitë e tij. Çdo përgëzim për punën që ai bën, ka qenë një hap inkurajimi për punën e tij prej fotografi.
“Me fotografi fillova të merrem aktivisht në vitin 2006. Në kuadër të një shkolle për gazetari (KIJAC), kishim një lëndë për foto dhe ishim aktiv për realizimin e storjeve te shkruara. Pastaj fillova t’i postoj fotografitë në rrjete sociale, dhe motive shtesë me jepnin njerëzit duke i pëlqyer ato. Kam marr pjese për here te parë me një garë për fotografi, foto maratonë ku i kishim 24 ore për realizimin e disa temave, jam shpërblyer me një çmim për këtë maratonë, ishte një motiv shtesë për te vazhduar me fotografi”, shprehet Llapashtica.
????????????????????????????????????
Nga çmimet e para të tij, Llapashtica veçon çmimin nga Ministria e Integrimeve, e cila atëherë ishte vetëm si zyre, apo Departament, Llapashtica përmes një fotografie të veçantë kishte shprehur atë që e përshkruan si vlerë evropiane.
“Zyra kishte një garë për fotografi se si përshkruhen vlerat evropiane në Kosovë, unë e pata dërguar një lopë me një numër në vesh, e cila përshkruante regjistrimin apo martikulimin e kafshëve. Kjo për mua ishte një vlerë evropiane, sepse akoma nuk kishte filluar regjistrimi i njerëzve që nga viti 1981, kurse i kafshëve po”, tregon Llapashtica për KultPlus.
Fotografitë e Llpashticës, takimi i parë virtual i të huajve me Kosovën
Aktivitetet e tij të shumta me fotografinë janë kryesisht sociale, të paaranzhuar, spontane dhe bazohen kryesisht në mbrojtje te ambientit dhe trashëgimisë kulturore. Shumë nga fotografitë e realizuara, ai thotë se i ka dhuruar edhe nëpër ambasada te Kosovës në botë, krejt me qellim të promovimit më të madh të Kosovës. Në këtë mes, ai veçon ekspozitën në Nju Jork për 10 vjetorin e pavarësisë, ku ka ekspozuar së bashku me fotografin e njohur Shkelzen Rexha. Fotografitë e tij të shkrepura nga një kënd i veçantë, që shpesh arrin të jetë gjithëpërfshirës, kapë horizontin e Prishtinës në vendet më të spikatura. Nuk mungojnë as fotografitë e vendeve të tjera të Kosovës, e të lokaliteteve e monumenteve arkeologjike. Duke qenë se fotografitë e Llapashticës janë dominante në Ëikipedia, ato kanë bërë që të jenë takimi i parë vizual i të huajve që duan të dijnë më shumë për Kosovën e lokalitetet që vlen të vizitohen. Garimi i tij në konkurse të tilla për pasurimin e Ëikipedias me informata për Kosovën, e kanë nxjerrë atë fitues të shumëfishtë.
“Meqë informatat për Kosovën kanë qenë shumë të varfra, disa organizata kane hapur konkurse garuese për fotografi e artikuj, në mënyrë që ta pasurojnë enciklopedinë, andaj jam shpërblyer shumëfish në këto gara me vendet e para për foto. Gjithashtu ndihem mire për kontributin që kam dhënë për ËIKI Loves Monument ku jam shpërblyer 6 herë radhazi. Ky aktivitet garues ka filluar më 2012 si një provë e vogël në Holandë, e cila mblodhi 12.500 fotografi. Më 2015 me 6.618 fotografë ngarkuan mbi 231.000 fotografi të licencuara lirshëm të ndërtesave historike, monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore në 33 vende, duke përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh tutje Llapashtica.
Kujtimet e mira që e lidhin me vendlindjen e tij Novoberdën, e lidhja e tij e fortë me djalin e tij, Noarin ka bërë që Novoberda si vend, e djali i tij Noari të jenë më së shumti në fokus të fotografive të tij.
“Unë vij nga Novobërda, edhe pse nga vitet e 1994 nuk kam jetuar atje, por kam kujtime te mira nga atje. Mendoj se fotot më dominuese i kam të djalit tim Noarit dhe tani të Novobërdës”, tregon Llapashtica.
Rreth 300 koncerte klasike nën objektivin e Arben Lapashticës
Llapashtica mund të konsiderohet edhe një urë pasqyrimi i koncerteve klasikë në Kosovë. Prania e tij aktive në koncertet e ndryshme të muzikës klasike që organizohen në Kosovë, kanë bërë që ai me aparatin e tij të ngrij momentet kulminante të rreth 300 koncerteve të tilla. Shumë dirigjentë, performues e instrumentistë nga Kosova e më gjerë, i ruajnë këto momente me vulën e fotografit Arben Llapashtica. Këtë punë ai e kishte rrumbullakuar në një ekspozitë të quajtur “Simfonia e ndritur” të kuruar nga Afrim Spahiu, e cila më pas kishte rrugëtuar edhe në Novi Sad.
“Një aktivitet tjetër qe e kam shume për zemër janë koncertet e muzikës klasike qe i realizoj nga viti 2009. Si fotograf zyrtar i Filharmonisë se Kosovës kam qenë pjesëmarrës i rreth 300 koncerteve, festivale si DAM, Chopin, Re Musica të muzikës klasike, të cilat janë mbajtur kryesisht në Kosovë”, tregoi tutje fotografi Llapashtica.
Shpesh mund ta gjesh vetën brenda hapësirës ku veprojnë zanatlinjtë e vjetër të Kosovës, përkushtimin e tyre në punë, tashmë veçse e ka përjetësuar në pamje, fotografi Llapashtica. Ai thotë se i ndjek me shumë dëshirë aktivitetet e tyre, ndërsa thotë se është përpjekur që punën e tyre ta dokuemntoj në një ekspozitë, para se ata të zhduken.
“Fotot përmbajnë artizanate që kryesisht janë në zhdukje si saraq, nallban, këpucëtar. Në vende tjera këto zanate edhe pse janë në zhdukje shkaku i industrializimit dhe globalizimit shteti apo komuna i mbështesin edhe për atraksion turistik”, tregon Llapashtica në një intervistë për KultPlus.
Duke qenë se Llapashtica është zhvilluar në telvizion, edhe pse vazhdon të punoj për disa institucione të rëndësishme si fotograf, si thotë se televizioni dhe kamera mbetet puna e tij primare, pasi që çdo ditë e kalon pranë kamerës. Llapashtica në intervistën e dhënë për KultPlus tregon se karrierën profesionale me kamerën e ka filluar janarin e vitit 2001, si kameraman në KTV- Kohavision , aty ku vazhdon të punoj edhe sot, ndërsa gjatë karrierës së tij ka realizuar shumë storje që nga paslufta e deri më sot, duke dokumentuar proceset më të rëndësishme në të cilat ka kaluar Kosova gjatë këtyre viteve. Krahas dinamikës së punës, Llapashtica tregon se me shumë dëshirë i përvishet punës për realizimin e ndonjë dokumentari.
“Gjatë punës time kam marr pjesë në shumicën e proceseve madhore që ka kaluar Kosova deri me tani, siç është periudha transitore e pasluftës, trazirat, proceset negociatore në Austri, Pavarësia e Kosovës, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në lobimin për njohjen e Kosovës në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Kur gjej kohë, me shumë dëshirë realizoj edhe ndonjë dokumentar si autor”, tregon fotografi e kameramani Arben Llapashtica.
Duke qenë se Llapashtica është fotograf e kamerman i pasluftës dhe ka dokumentuar mjaft shumë në realitetin e pasluftës së Kosovës, ai edhe pse i përket gjeneratës së re të fotografëve, qëndron në atë se zhvillimi i teknologjisë ka ndikuar mjaft shumë në degradimin e fotografisë. Krejt në fund, ai tha se ka edhe një porosi për fotografët e rinj.
“Meqë është shekulli i fotografisë prapë se prapë është njëfarë lloj zhvillimi, me kujtohet pas luftës i kam njohur 7 apo 8 fotografë, tani çdo të dytin e sheh me një kamerë në qafë dhe kjo te bënë të ndihesh mirë. Andaj, uroj që të kapen sa më shumë momente dhe pse jo të shpërndahen, personalisht nuk i mbaj të gjitha fotografitë për vete, shumicën i ndaj edhe me te tjerët përmes rrjeteve sociale”, u shpreh për fund fotografi Arben Llapashtica./ KultPlus.com
“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”
“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”
“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”
“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”
“Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.”
“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”
“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”
“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”
“Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.”
“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”
“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”
“Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”
“Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.”
“Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.”
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.”
“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.”
“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri”
Flaka Goranci mbrëmë ka fascinuar publikun e Hamburgut, atje ku ka interpretuar me orkestrën simfonike të Hamburgut, nën direktivën e dirigjentit Ulrich Windfuhr, shkruan KultPlus.
Përmes zërit të saj ajo ka interpretuar ariet dhe duetet e dy roleve kryesore për Mezzo-soprano, atë të Charlotte nga opera „Werther“ e kompozitorit Jules Massenet dhe atë të Carmen nga opera „Carmen“ e kompozitorit po ashtu francez George Bizet. Përkrah mezo-sopranos kosovare, ka interpretuar edhe tenori Hany Abdelzaher.
Në një mjedis të errët pranë instrumentistëve të veshur me kostume, Flaka Goranci bie fort në sy me fustanin e saj ngjyrë të kuqe, e lëvizjet plot elegancë e në harmoni më lëshimin e zërit në zbërthim të dy kryeveprave franceze. Goranci tregoi për KultPlus se kjo është hera e parë që këndon së bashku me Orkestrën Simfonike të Hamburgut, ndërsa që tani ndihet shumë e lumtur që do të kthehet për të performuar përsëri me të njëjtën orkestër në janar të vitit 2019.
“Të interpretosh me një orkestër të një niveli siç është kjo orkestër është natyrisht një kënaqësi e rrallë sepse je e shoqëruar nga muzikantë me eksperiencë të madhe dhe me një profesionalizëm të rrallë.
Koncerti i mbrëmshëm ishte një ndjesi e bukur, duke interpretuat ariet dhe duetet e mrekullueshme të dy roleve kryesore për Mezzo-soprano siç është roli i Carmen dhe ai i Charlotte, të dyja në gjuhen franceze”, tregoi ajo për KultPlus.
Orkestra simfonike e Hamburg-ut është një orkestër prestigjioze që luan me emrat më në zë të skenës klasike dhe asaj operistike.
Pas kësaj, mezzo-sopranoja kosovare do të vazhdoj drejt Zvicrës për të realizuar rolin e Carmen me premierë në datën 27 korrik e deri më 11 gusht për të përmbyllur shfaqjen e nëntë me radhë dhe të fundit për këtë festival. /KultPlus.com
Katër vite pas djegies dhe shkatërrimit të plotë të banesës karakteristike të shkrimtares dhe disidentes Musine Kokalari, pas një zjarri të papritur që shkatërroi gjithçka, banesa trekatëshe në lagjen “Palorto” në qytetin e Gjirokastrës është lënë krejtësisht në harresë.
Të vetmit që po kujdesen për rrënojat e mbetura të banesës 120-vjeçare, të shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, janë trashëgimtarët e shkrimtares.
Arieta Kokalari, pasardhëse e kësaj familjeje dhe ideatore e muzeut “Kokalari”, pohon se pavarësisht premtimeve të dhëna për restaurimin e banesës, nuk ka pasur asnjë interesim nga institucionet përgjegjëse.
Keqardhja e saj është dëmtimi i qëllimshëm që po i bëhet banesës. Sot shtëpia i ka të dyja hyrjet të izoluara e të bllokuara nga gurët e hedhur nga brenda banesës prej fqinjëve. Kjo e bën të pamundur hyrjen në të. Zjarri i papritur i katër viteve më parë zhduku sende të rralla të hershme të banesës si dhe shkatërroi tavanet origjinale të ndërtuara në fillim të shekullit të kaluar. Ajo çka ka mbetur janë vetëm muret anësorë e qendrorë të banesës dhe premtimet e pambajtura për restaurimin dhe ringritjen e muzeut të disidentes Musine Kokalari.
Në shkurt të 2017-ës, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në 100-vjetorin e lindjes se Musines Kokalarit, deklaroi se është bërë projekti për restaurimin e banesës nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, por ndonëse ka kaluar një vit e gjysmë asgjë nuk është bërë. (BalkanWeb) / KultPlis.com