Kalaja e Karosit në Qeparo, destinacion historik dhe turistik për t’u vizituar

Bregdeti shqiptar i Jonit që përbënte në antikitet trevën e Kaonëve, karakterizohet nga një dendësi vendbanimesh të fortifikuara që datohen që prej periudhës së parë të hekurit.

Në pjesën veriore të këtij bregdeti, që njihet me emrin bregu i Himarës, ndodhet kalaja e Karosit (Kasteli), e cila shtrihet mbi fshatin Qeparo në vendin e quajtur “Gradishta”. Ajo është ngritur mbi një kodër të lartë shkëmbore 450 m mbi nivelin e detit.

Sistemi fortifikues i Karosit përbëhet nga tri radhë muresh dhe nga një mur parapritës. Ai është fortifikimi më i madh prehistorik i Bregdetit dhe muret e tij fortifikojnë një sipërfaqe rreth 3 ha. Planimetria e Karosit është e ngjashme me fortifikimet e Katafiqit dhe Hadërajt në luginën e Shushicës, Lleshanit në Shqipërinë e Mesme dhe Trajanit në Shqipërinë Juglindore.

Gërmimet e vetme në këtë fortifikim janë kryer nga arkeologu Jano Koçi në vitet 1970 dhe 1990.

Teknika e ndërtimit të mureve dhe materiali arkeologjik i dalë nga sondazhet dallohen nga dy faza ndërtimi, ku faza më e hershme është ajo e bronzit të vonë, me dy harqet e parë të fortifikimit, ndërsa harku i tretë i murit i përket periudhës së hekurit të hershëm. Muret janë ndërtuar me rrasa guri të papunuar, të vendosur në mënyrë të rregullt mbi njëri-tjetrin.

Gjithashtu sondazhet e kryera dhe materiali arkeologjik i përftuar prej tyre dëshmon se kodra ku ndodhet fortifikimi është përdorur edhe në shek. IV-III para Krishtit e deri në shek. VI pas Krishtit.

Disa varre të thjeshtë me rrasa guri që u gërmuan pranë vendbanimit i përkasin periudhës mesjetare. Toponimet Kasteli e Gradishta reflektojnë periudhat e ndryshme të ripërdorimit.

Funksioni: Vendbanim prehistorik, monument kulture.
Itinerari: Ndodhet në veri të fshatit Qeparo dhe drejt tij mund të shkohet vetëm me rrugë këmbësore, nëpërmjet shtigjeve apo monopateve që nisin nga fshati. /KultPlus.com

Vdes historiani Mehmet Gjoshaj

Ka vdekur sot historiani Mehmet Gjoshaj. Me këtë rast, Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” ka dërguar një telegram ngushëllimi.

KultPlus po ju sjellë telegramin e plotë:

E nderuara Familje Gjoshaj;

Të nderuar intelektuale dhe intelektual shqiptarë kudo që jeni;

Sot morëm një lajm të papritur i cili na shtangi dhe shokoj të gjithë ne intelektualëve që e njohëm dhe punuam kohë të gjatë me historianin,atdhetarin dhe studiuesin Mehmet Gjoshaj.Mehmet Gjoshaj që nga themelimi i Shoqatës “Trojet e Arbrit “e deri me sot nuk është ndalur asnjëherë duke na përkrahur qoftë në aspektin e përgatitjes së studimeve shumë të vlefshme qoftë në aspektin organizativ por edhe në aspektin këshilldhënës. Mehmet Gjoshaj i takon plejadës së atyre historianeve i cili u angazhue që me forcën e argumentit shkencorë ta shkruaj historinë. Ishte një intelektualë shumë i thjeshtë i cili edhe pse kishte botuar dhjetra punime shkencore dhe disa libra mjaftë me vlerë për historinë tonë shqiptare ai asnjëherë nuk krenohej me punën e tij por punonte pa ndërprerë. Edhe në Javën e “Trojeve të Arbrit” që mbajtëm para disa ditësh historiani Mehmet Gjoshaj shkëlqeu me punimet e tij të pergaditura me një kompetencë të lartë shkencore.

E nderuara Familje Gjoshaj,

Ne emër të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”ju shprehim ngushllime nga thellsia e shpirtit për humbjen e babait,bashkëshortit, vëllait tuaj Mehmet Gjoshaj. Ju humbët antarin tuaj të familjes ndërsa Shoqata “Trojet e Arbrit” humbi njërin ndër përkrahësit më të mëdhenj tash e katërmbëdhjetë vjet me radhë. I jemi falendërues për jetë të jetës për punën shkencore dhe atdhetare që bëri historiani Mehmet Gjoshaj. Ai me forcën e argumentit shkencor zbardhi shumë ngjarje historike e sidomos ishte një studiues i pashoq i ngjarjeve dhe temave të rralla historike i cili i studionte dhe i bente një analizë të thellë historike. Historianin dhe atdhetarin Mehmet Gjoshajn do ta kujtojmë për jetë të jeteve për punën e tij me përkushtim të pashoq që bëri gjatë tërë jetës së tij.Shpirti i tij pushoftë në paqë! I qoftë i lehtë dhe i Shqiperisë Etnike.

Ne emër të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit “ju ngushllojmë
Mr.sc.Nue Oroshi Kryetar
Dr.Sc.Besim Morina Nënkryetar

Kostumi tradicional i Shqipërisë së Mesme në Muzeun etnografik rus (FOTO)

Kostumi tradicional i Shqipërisë së Mesme është dhuruar nga populli shqiptar në vitin 1947, Joseph Stalinit dhe gjendet në fondet e muzeut etnografik në fondin e Evropës Juglindore në këtë muze.

Këto veshje dhe rreth 40 artefakte të tjera të dhuruar nga populli i Shqipërisë për Stalinin./KultPlus.com

Portret i veçantë i Gjegj Kastriotit-Skënderbeu (FOTO)

Në fillimin e veprës me titull “L’Albania. Notizie geografiche, etnografiche et storiche” të autorit Arturo Galanti – botuar në Romë në vitin 1901 nga shtëpia botuese “Dante Alighieri” – gjejmë një portret të veçantë të heroit tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :

https://www.darsiani.com/la-gazette/nje-tjeter-portret-i-vecante-i-gjergj-kastriotit-skenderbeut/

Bosnja ia ndalon hyrjen shkrimtarit rus Zakhar Prilepin

Autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë i kanë ndaluar hyrjen në këtë shtet shkrimtarit rus, Zakhar Prilepin, duke shkaktuar zemërim te liderët e serbëve të Bosnjës dhe Ambasada ruse në Sarajevë, raporton REL.

Në një deklaratë të lëshuar më 23 gusht, ambasada ka shprehur “shqetësim dhe zhgënjim” pasi Prilepin është kthyer nga kufiri në mes të Serbisë dhe Bosnjës, duke kërkuar sqarim nga ministria e Jashtme e Bosnjës.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik ka thënë se ndalimi i Prilepinit është i “turpshëm dhe i drejtuar kundër miqve të Republikës Serbe të Bosnjës”, që banohet me shumicë serbe.

Prilepin kishte planifikuar të merrte pjesë në një ngjarje të letërsisë më 24 gusht në Banja Llukë.

Ai i ka thënë agjencisë ruse të lajmeve, Sputnik se kur ka tentuar të hyjë në kufi, atij i është prezantuar një dokument në të cilin thuhej se atij i është ndaluar hyrja në Bosnjë sepse “përbën kërcënim për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare” në këtë shtet.

Prilepin është i lidhur me separatistët e mbështetur nga Rusia që luftojnë kundër forcave qeveritare në lindje të Ukrainës.

Shkrimtari rus ka thënë se ai mendon që ndalesa mund të jetë lidhur me përfshirjen e tij në konfliktin e vazhdueshëm në rajonet ukrainase, Donetsk dhe Luhansk.

Luftimet në këtë pjesë të Ukrainës kanë lënë të vdekur më shumë se 10,300 persona prej kur ka nisur konflikti më 2014./KultPlus.com

Rita Ora sjellë albumin e ri, të dytin sivjet

Rita Ora do të publikojë albumin e saj të dytë këtë vit. Këngëtarja me origjinë shqiptare i ka dhënë fund pritjes së gjatë prej 6 vitesh.

27-vjeçarja nxori albumin e saj të parë ‘Ora’ në vitin 2012. Por mosmarrëveshjet e Rita Orës me kompaninë Roc Nation, bënë që ajo të mos ishte shumë e pranishme në tregun muzikor.

LONDON, ENGLAND – FEBRUARY 21: *** EDITORIAL USE ONLY IN RELATION TO THE BRIT AWARDS 2018 *** Rita Ora attends The BRIT Awards 2018 held at The O2 Arena on February 21, 2018 in London, England. (Photo by Mike Marsland/Mike Marsland/WireImage)

“Patjetër që do të dalë këtë vit”, tha Rita për The Sun, transmeton atsh. Albumi do të lansohet në vjeshtë.

“Nëntori është muaji kur do ta publikoj pasi është muaji i ditëlindjes sime”, është shprehur këngëtarja.

Këngët e saj të fundit “Your Song”, “Anywhere”, “Lonely Together”, “For You” dhe “Girls” kanë arritur sukses të madh në tregun muzikor./KultPlus.com

‘Unë jam e mirë, por jo një engjëll’

Ajo nuk ishte thjesht një ikonë elegance, stili dhe joshëse. Marilyn Monroe ishte më shumë se sa provokuese në foto. Revista Harpers Bazaar ka përmbledhur nga intervista e aktores disa nga thëniet e saj më të bukura.

1- Një karrierë është e mrekullueshme, por ajo nuk mund t’ju ngrohë në një natë të ftohtë.

2- Të jesh simbol i bukurisë shndërrohesh në një gjë. Unë urrej të jem një gjë.

3- Aktorja nuk është një makinë, por ata të trajtojnë si një makinë. Një makinë parash.

4- Para martesës, një vajzë bën dashuri me një burrë për t’u martuar me të. Pas martesës, ajo e mban burrin për të bërë dashuri me të.

5- Të jesh simbol bukurie është një barrë e rëndë mbi shpinë, sidomos kur je e lodhur, e lënduar dhe e hutuar.

6- Qentë nuk të kafshojnë. Vetëm njerëzit.

7- Ëndrra për të qenë një aktore është më emocionuese se të jesh aktore.

8- Së pari, unë jam duke u përpjekur të provoj për veten time se unë jam një person. Pastaj ndoshta unë do ta bind veten se jam një aktore.

9- Hollivudi është një vend ku ata do të paguajnë ty një mijë dollarë për një puthje dhe pesëdhjetë cent për shpirtin tënd.

10- Burrat janë kryesisht të mirë si dashnorë kur janë duke tradhtuar gratë e tyre.

11- Nëse unë jam një yll, atëherë njerëzit më bënë yll.

12- Unë nuk e di kush shpiku takën e lartë, por të gjitha gratë i kanë atij shumë
borxhe.

13- Nuk jetohet në botën e një burri përderisa je një grua.

14- Gratë që synojnë të barazohen me burrat tregojnë mungesë të theksuar ambicie.

15- Unë jam tërësisht femër dhe kjo më kënaq.

16.- Unë jam e mirë, por jo një engjëll. Unë bëj mëkat, por unë nuk jam djall. Unë jam vetëm një vajzë e vogël në një botë të madhe duke u përpjekur për të gjetur dikë për ta dashuruar. /KultPlus.com

1940’s — American actress, singer, model and sex symbol Marilyn Monroe. — Image by © Sunset Boulevard/Corbis

Ansambli “Lidhja e Prizrenit”, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit në Shkup

Ansambli “Lidhja e Prizrenit” do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit i cili mbahet në Shkup, përcjellë KultPlus.

“Lidhja e Prizrenit” do të përfaqësojë qytetin e Prizrenit dhe Republikën e Kosovës në këtë festival ndërkombëtar i cili do të zhvillohet nga data 27 deri më 31 gusht.

Në këtë festival marrinë pjesë shumë shtete nga e mbarë bota si: Argjentina, Meksika, Qiproja Veriore, Bullgaria , Ukraina, Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia si nikoqire. Ky festival organizohet nga SHKA “Karshiaka” Shkup, dhe është mbështetur nga Ministria e kulturës së Maqedonisë dhe disa komuna të Shkupit.

Festivali promovon edicionin e 12-të me radhë duke i’u dhënë mundësi që grupet pjesëmarrëse gjatë ditëve të festivalit të promovojnë folklorin autentik të vendit të tyre prej nga ata vijnë.

Përgjatë këtyre ditëve të festivalit, do të ketë shumë aktivitete kulturore dhe artistike në disa sheshe të qytetit të Shkupit si: Sheshi Filipi i dytë, në sheshin Isa Boletini – komuna Sarajit si dhe në sheshin ‘Skënderbeu’.

Ansambli “Lidhja e Prizrenit” do të paraqitet me vallet më të bukura koreografike dhe autoktone nga repertori i tyre të cilat do të interpretohen nga orkestra burimore
Të gjithë anëtarët e AKV “ Lidhja e Prizrenit “ janë duke u përgatitur në mënyrën më të mire të mundshme të cilët me shumë krenari do të prezantohen nën petkun e kostumit kombëtarë shqiptarë dhe flamurit të Republikës së Kosovës.

Në hapjen e këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar, përveç Ministrit të kulturës së Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, do të nderojë këtë festival edhe Ministri i Kulturës rinisë dhe sporteve të Republikës së Kosovë, Kujtim Gashi, si dhe shumë personalitete nga jeta publike shoqërore nga Maqedonia, Kosova dhe më gjerë.

Gjatë këtyre ditëve të festivalit, drejtueseve të të gjitha grupeve pjesëmarrëse, do të i’u bëhet pritje edhe nga Ministri i kulturës së Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, Kryetari i Komunës Çair Saraj dhe Studeniqam, me ç’rast do të bëhet edhe shkëmbimi i dhuratave.

AKV “Lidhja e Prizrenit”, gjatë muajve në vazhdim do të jetë ambasadore e kulturës edhe nëpër të tjera evente të organizuar brenda dhe jashtë Kosovës në petkun e kostumit kombëtar. /KultPlus.com

Hapet ekspozita artistike “Imagjinatë pafund”

Sot në Mitrovicë, Galerinë e artit “Kosovo Art Exchange” u hap ekspozita artistike “Imagjinatë pafund”.

Kjo ekspozitë është organizuar nga organizata 7Arte dhe KAE në kuadër të Green Fest 8 dhe ka pasur për qëllim promovimin e artistëve të rinj duke u dhënë mundësinë që të përdorim mbeturina e mjete të papërdorshme për të dhënë mesazhe ndërgjegjësuese mbi gjendjen mjedisore në nivel vendi.

Në mesin e artistëve spikati artisti i ri Rilind Sadiku i cili tërhoqi paralele në mes të mbeturinave që hidhen vend e pa vend dhe farës që mbillet për të vjelë frute, e në këtë rast ajo “farë” nxitë mundësinë që në një ardhme të afërt të mbledhë e krijoj një ”pemë” me mbeturina.

Në anën tjetër, duke parë se qytetarët mendojnë se ia vlen të hidhet mbeturina, ngase shpresojnë se ndokush do ta mbledhë atë, e në fund të fundit shihet se ajo do të ndodhte nëse vet mbeturina e mbledhë vetveten, përndryshe ajo mbetet aty. Në ekspozitë poashtu kanë marrë pjesë edhe artistë të rinj që me punën e tyre kreative kanë ndarë mesazhe të ndryshme mbi kauzat mjedisore.

Ekspozita “Imagjinatë pafund” do të jetë e hapur deri në fund të muajit Gusht dhe se është organizuar në baza vullnetare nga organizatorët. /KultPlus.com

‘Mendoj që është koha të vdesim për gratë tona’

“Përderisa ne të gjithë kemi ardhur nga një grua, emrin tonë e kemi marrur nga një grua, dhe lodrat tona nga një grua, e pyes veten se pse ne marrim nga një grua, pse ne e dhunojmë një grua – a i urrejmë ne gratë tona?

Mendoj që është koha të vdesim për gratë tona, të jemi të vërtetë ndaj grave tona, të tentojmë ti shërojmë gratë tona, sepse nëse nuk e bëjmë do të kemi pastaj një racë fëmijësh që do ti urrejnë zonjat, të cilat i bëjnë fëmijët.

Dhe përderisa burri nuk mund të bëjë fëmijë, ai nuk e ka asnjë të drejtë ti tregojë gruas se ku dhe kur duhet ta bëjë atë.”

– Tupac Shakur

O sa mirë me qenë shqiptar! O-JE – O-JE!

Ilir Demalia

O sa mirë me qenë shqiptar! O-JE – O-JE!

Sot çfarë nuk po dëgjojmë: familje fisnikësh, pa ditur kuptimin e fjalës fisnik. Aristokratësh, pa ditur kuptimin e fjalës aristokrat. Intelektualësh, për këtë më mirë mos e ngasim fare se të dalin zorrët e barkut. Për të vazhduar, me artistë të mëdhenj, shkrimtarë me famë botërore, grupime me gjak blu, te kuq, pink… familje të mëdha, me qylaf me brekushe, me takia turke shtet formuese…. e mund të vazhdosh pa fund

Po mirë, pyes veten, masa normaliteti nuk kemi ne?

Po një pyetje a nuk ja bëjmë vetes: kur jemi kaq të mëdhenj dhe kaq aristokratë, fisnikë, intelektualë, artistë, me gjak blu e gjak…. si spjegohet që nuk ndërtuam dot shtet funksional gjatë historisë sonë shtetërore?

Si nuk kemi funksionuar si demokraci përpos se, autoritarizëm, totalitarizëm, diktaturë, anarki, apo rrumpallë?

Si ka mundësi që nuk kemi ndëtuar shtet të së drejtës por vetëm shtet “Lala Kros, Lala Qeros, vetë shkruan e vetë vulos!”?

Si ka mundësi që jemi vendi me ekonominë më të varfër në atë që quhet Europë?

Si ka mundësi që kemi denatyralizuar natyrën dhe trashëgiminë historike duke e fshirë, retushuar e zhgarravitur sipas Lalës Kros të radhës?

Si ka mundësi, që bregdetin e kemi kthyer në shkarkim të kanaleve të ujrave të zeza dhe plehrat janë si kodra në mes plazheve?

Si kamundësi që pushtetarët tanë ngrejnë vetëm rrotat e tyre?

Si ka mundësi që ne që kemi gjithë këta fisnikë, intelektualë, aristokratë, artistë me përmasa jo vetëm ballkanike por dhe botërore, që “çudisim” botën, kur në fakt, jemi çudia vetë dhe, lejojmë këte gjëndje dhe fryhemi si gjeli majë plehut se jemi më të mirët, duke valvitur falmurin e duke thirrë: O sa mirë me qenë shqiptar?

A do të ishte më mirë të ulim flamurët e të heshtim për një kohë thirrjet, O sa mirë me qenë shqiptar?!

A nuk do të ishte më mirë të ulemi me bythë në tokë e të ndërtojmë shtetin, të vendosim drejtësinë, të pastrojmë plehun si politik dhe plehun në rrugë e.t.c, e pastaj, ngremë flamurët e brohorasim gjithë një zë: O sa mirë me qenë shqiptarë, O-je- O-je!

Se ndryshe siç shkruante Konica, ” Disa na tallin, disa qeshen me ne, e disa na përbuzin… po ulni kryet o shqiptarë e shtrojuni punëve e bëni shtetin se u bëmë gazi botës”.

U hap mbrëmë edicioni i radhës i festivalit ‘Hyjnesha në Fron’

Me fjalën hyrëse – Makfire Miftari, drejtoreshë ekzekutive e festivalit të filmit ‘Hyjnesha në Fron’ dhe Besim Ajeti, drejtor dhe themelues, e shpallën të hapur edicionin e sivjetmë, të XI-të, të festivalit të filmit ‘Hyjnesha në Fron’.

Ky edicion po mbahet prej 23 deri më 27 gusht 2018, dhe ka një program mjaft të pasur me kategori të ndryshme filmash të cilët do të shfaqen në tri kinema – në vagon treni statik, në stacion të trenit dhe kino Armata – duke u munduar të ngrisë vetëdijen mbi ruajtjen e një pjese të bukur të kryeqytetit. Në kuadër të programit janë poashtu edhe punëtori të ndryshme profesionale. Mbrëmja e parë u pasua me premierën rajonale të filmit me ko-produksion lituanez-letonez-kroat ‘Breathing Into Marble’.

Fituesit në kategoritë e ndryshme do të shpallen nga juria në përbërje të artistëve: Edwin Mingard (regjisor, Mbretëri e Bashkuar), Mark Norfolk (regjisor, Mbretëri e Bashkuar), Agim Sopi (regjisor, Kosovë), Kimete Berisha (publiciste, Kosovë), Naser Shatrolli (dramaturg, Kosovë) dhe Yll Berisha (regjisor, Kosovë).

Dita e sotme ka në program shfaqjen e filmave të shkurtë, të gjatë, dokumentar, si dhe ata për fëmijë në kuadër të segmentit HYJNESHA Kids. Filmat shfaqen në tri kinematë e lartëcekura.

Programi

24 Gusht 2018

16:00

Category: Shorts

Icons – Director: Ronnie Cramer 5.10min, United States, 2018
Just Words – Director: Ilia Antonenko 23.57min. Russian Federation, 2015
Fahroozan – Director: Mirabbas Khosravinezhad 12 min. Iran, 2017
Cold Feet – Director: Keishi Suenaga 27min. Japan, 2017
Maniera Greca – Director: Kirineos Papadimatos 13.15min. Greece, 2017

18:00

Category: Documentary Film

Plague – Director: Koldo Almandoz 9.58min. Spain
Los Mambsies – Director: Russell McMahon, Kamrin Nielsen 12.09min. USA

20:00

Category: Feature Film

Haldaa – Director: Tauquir Ahmed 95 min. Bangladesh, 2017 (EU premiere, premierë evropiane).

HYJNESHA KIDS

Cinema: Train Station Prishtina

14:00

My short words – Director: Bekir Bulbul 70 min. Turkey, 2017 (Film artistik per femije / Kid’s Movie)
Whats inside “Hyjnesha ne fron” – Director: Mikio Saito 2’32”, Japan
(Children’s animated short film – film i shkurtër i animuar pë fëmijë)

Sërish anashkalohet shqipja në ‘Mbrëmjet strugane të poezisë’

Edhe këtë vit vazhdoi anashkalimi i gjuhës shqipe nga organizatorët e “Mbrëmjeve strugane të poezisë”, që mbahet tradicionalisht ne Strugë, në qytetin me shumicë shqiptare, thuhet në reagimin Lëvizjes Besa në Maqedoni.

Duke dëgjuar arsyetimin e ministrit të Kulturës nga radhët e LSDM Asaf Ademi, i cili tha se ka qenë vonë për të ndërhyrë në agjendën e organizimit, mund të konstatojmë se drejtori i “Mbrëmjeve strugane të poezisë” është më i fuqishëm se ministri i Kulturës.

Të lejosh anashkalimin e gjuhës shqipe që nga hapja e programit deri te përkthimi i broshurave dhe materialeve të tjera dëshmon në paaftësinë e ministrit të kulturës, gjegjësisht dëshmon se roli i tij në Qeveri është vetëm sa për të mbushur numrin dhe asgjë më tepër.

Lëvizja BESA u bën apel gjithë institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura dhe të korrigjojnë këtë padrejtësi ndaj shqiptarëve. Po ashtu kërkojmë nga Ministri aktual i Kulturës, si shqiptari i parë pas 12 vjetëve që menaxhon Ministrinë e Kulturës, të punojë në mbrojtjen dhe afirmimin e vlerave kombëtare shqiptare dhe jo të vazhdojë politikën e nënshtrimit ndaj padronëve të tij në dëm të identitetit, traditës, vlerave kombëtarë dhe gjuhës shqipe, thuhet në fund të reagimit të Lëvizjes Besa.

Të dielën, akademi dhe ekspozitë në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës

Me rastin 90-vjetorit të nisjes së Shën Nënë Terezës (1910-1997) në Indi dhe 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Ipeshkvia e Kosovës organizon Akademi kulturore – shpirtërore dhe Ekspozitë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente“ (e përgatitur nga studiuesi Dr. Gjon Berisha).

Akademia do të mbahet të dielën, më 26 gusht 2018, ora 19:00 në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Ky event kulturor-shpirtëror organizohet në ditën e lindjes së saj, me të cilën fillojnë ditët tradicionale të Nënë Terezës, që do të zgjasin deri më 5 shtator, në ditën e festës së saj.

PROGRAMI

Këngë: Gjon Gjevalekaj, “Nënës së Mirë” – këndon Adelina Paloja

Poezi:

Nënë Tereza, “Urata për ata që s’dinë të luten” – interpreton Lumnie Sopi
Nënë Tereza, “Lamtumirë” – interpreton Lumnie Sopi
Imzot Dodë Gjergji, Fjalë përshëndetëse

Këngë: Lorenc Antoni/Genc Tokiçi, “Lamtumirë/Valsi hyjnor” – këndon Adelina Paloja

Poezi:

Nënë Tereza, “Urata për shërbim” – interpreton Bislim Muçaj
Nënë Tereza, “S’ka rëndësi” – interpreton Bislim Muçaj
Don Lush Gjergjit, Thirrja e Gonxhe Bojaxhiut dhe nisja e saj për misione në Kalkuta të Indisë

Këngë: Pjetër Gaci, “Për ty atdhe” – këndon Adelina Paloja

Poezi: Ismail Kadare, “Portreti i Skënderbeut” – interpreton Bislim Muçaj

Ekspozitë

Dr. Gjon Berisha, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeut sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente“ (përgatitur nga Gjon Berisha).

Pas vizitës së ekspozitës, pjesëmarrësit do të jenë të ftuar në një koktej rasti në oborrin e Katedrales.

Tomislav Lulzim Perushiq: Në Serbi flitet vetëm për ndarjen e Kosovës

Derisa në Kosovë po debatohet për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshje përfundimtare, juridikisht të obligueshme, sipas studiuesit Tomislav Lulzim Perushiq, në shtetin serb debati po bëhet për diçka tjetër, ndarjen e Kosovës.

Sipas Perushiqit, atje nuk mendojnë se duhet të bëhet korrigjimi i kufijve, porse ndarja e saj.

“Në Serbi nuk flitet për shkëmbimin e territoreve, flitet veç për ndarjen e Kosovës më së shumti, do të thotë marrjen e veriut të Kosovës. Mendoj që shkëmbimi i territoreve është diçka shumë e komplikuar dhe shumë e rrezikshme sepse bëhet një precedent për ndarjen e shteteve, jo veç në rajon por edhe më gjerë. Qeveria e Serbisë, mendoj që ka për qëllim jo tamam me e marrë pjesën e Kosovës sepse bëhet fjalë për një pjesë të vogël, por e kanë për qëllim Bosnjën, ndarjen e Bosnjes dhe të ashtuquajturës ‘Republika Srbska’ që u krijua në 92-ën”, tha ai.

Perushiq, i cili po ndjek ligjëratat e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në Prishtinë, shpreh frikën e tij se me lojërat politike që po bëhen, rrezikon një ‘spastrim i mundshëm etnik’.

“Kosova është Kosovë dhe duhet me e pranu kështu. Duhet me u marrë më shumë me çka ka ndodhë gjatë luftërave, me viktimat e luftës, me të pagjeturit. Krejt këto janë lojëra politike që i bëjnë dëmë jo veç popullit shqiptar por edhe popullit serb, se veriu i Kosovës nuk është i banuar vetëm me serbë, ka edhe shqiptarë aty… Po ashtu, në luginën e Preshevës nuk ka vetëm shqiptarë, ka edhe serbë që jetojnë aty. Kjo do të thosha që edhe një pastrim etnik do të ndodhë nëse shkëmbejnë territoret. Mendoj se shqiptarët e veriut do të largohen me u shpërngul në jugw, serbët e luginës po dojnë me qëndru në Serbi. Mendoj se është shumë e rrezikshme”, thotë ai për KosovaPress.

Shprehja e bindjeve të tij politike, sipas studiuesit të gjuhës shqipe nuk është aq e lehtë në Serbi, pasi që folësi mund të përballet me një mori paragjykimesh.

“Unë nuk foli shumë për politikë me shoqërinë time. Unë e di se me kë mundëm me fol dhe me kë jo, sepse ka shumë njerëz kokëfortë dhe nuk ndryshojnë mendimin… Unë veç iu tregoj se shqiptarët janë njerëz sikurse krejt të tjerët dhe që janë shumë mikpritës. Bile nga përvoja ime, mendoj se shqiptarët kanë më pak paragjykime ndaj njerëzve sesa njerëzit në Serbi”, tregoi ai.

Sipas tij, njohja e ndërsjellët e gjuhëve do të bënte që shqiptarët dhe serbët të komunikonin më shumë mes vete, gjë që gradualisht do të normalizonte raportet mes tyre.

Tomislav Pereshiq është nga Subotica dhe ka raporte shumë të mira me shqiptarët sa që atë e thërrasin me emrin shqip, Lulzim. Ai thotë se një ditë do të shpërngulet në Prishtinë pasi dëshiron të studioj këtu. / KultPlus.com

Nënat që varrosën fëmijët e tyre, Presidenti Meta në Kampin e Tepelenës

Kampi i Tepelenës ruan qindra histori të dhimbshme, por ajo e Drande Jakjas, e cila jetoi edhe gati 70 vjet të tjera pas vdekjes së të birit është nga ato ku zemra kur i dëgjon nxjerr klithma lebetitëse.

Historia e Drandes do të ruhet në shekuj, pasi është një histori makabre, dhimbjeje dhe nderi. Ajo u dekorua dje pas vdekjes nga Presidenti Ilir Meta, pasi ruajti 7 javë pranë vetes trupin e pajetë të të birit në kampin e Tepelenës.

Kreu i Shtetit në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare u ndal në Tepelnë, ku u organizua Dita Muze/Memorial. Në prani të të mbijetuarve apo të të afërmve të viktimave të përndjekjes komuniste, Meta nderoi me Titull për Merita të Veçanta Civile, disa nga simbolet e mbijetesës dhe të dhimbjes. Mes tyre janë tri nëna, që jeta u rezervoi fatin e tmerrshëm, të varrosin e zhvarrosnin me duart e tyre fëmijët e mitur, që vdekja ua mori në kampet e shfarosjes.

Në ceremoninë e zhvilluar dje në mbrëmje në Tepelenë, Presidenti i Republikës dekoroi dy gra malësore, dy gra të forta, që nuk u ndalën për 55 vjet, deri sa rigjetën eshtrat e bijave të tyre të vdekura në Turan të Tepeleës.

Ato janë Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola që humbën fëmijët 3-vjeçarë në internim. Fëmijëve iu sigurua një vend prehjeje i identifikueshëm dhe pas gjysmë shekulli, nënat e tyre rifituan të drejtën për ta kujtuar fëmijën njerëzisht. Historia e Drande Jakjas, e dekoruar pas vdekjes, ka rrëqethur këdo që e ka dëgjuar. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

‘Ju rrugaça sallahana, vagabonda shakllabana’

(At GJERGJ FISHTA, Gomari i Babatasit, Metamorfoza)

Ju rrugaça sallahana
vagabonda shakllabana
rriçna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m’do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t’tanë gordec e berbalec
pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
me ‘i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,

“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t’Atdheut
kane ra n’luftë si shqipe t’leta,
kanë shkri gja e shpija t’veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n’vend qi ju me u vu n’konop,
a se brinjt m’jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue
për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo ‘i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,
për me u pri udhës s’qytetnisë
e me i sjellë t’marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo ‘i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m’palc,
pleh i ndytë me u bartun n’shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.

Vera Ora vazhdon angazhimin në kampanjën ‘Bëhu zëri im’

‘Bëhu zëri im’ – është kampanja përmes së cilës synohet përkrahja për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Vera Ora, nëna e këngëtares së njohur Rita Ora, po e vazhdon kësisoj angazhimin e dy grave të fuqishme të familjes për këtë kauzë të veçantë.

Ora kësisoj ka takuar njerëz të fushës duke e vazhduar kësisoj kontributin e Ritës në këtë kampanjë që ndihmon largimin e stigmës.

“Jam e lumtur që po ndaj njohurinë time rreth shëndetit mendor dhe përvojën e kësaj fushe me gratë në Angli” ka shkruar Vera Ora në rrjetin social Facebook.

Ajo është takuar me Sebahate Pacollin, Erëmirë Berishën, Feride Rushitin dhe Chablise Stoner në Prishtinë.

Rita dhe Vera njihen për angazhimin e tyre në adresimin e çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës që Serbia bëri në Kosovë. / KultPlus.com

Hashim Thaçi shpenzon mbi 1 mijë euro në çanta

Në gusht të vitit 2011, Zyra e Kryeministrit, Hashim Thaçi, kishte blerë nga “City Computer” pajisje teknologjike mbi 8 mijë euro, mes tjerash edhe 8 çanta të markës ‘Samsonite’ të cilat kanë vlerën mbi 1 mijë euro.

Më saktë, në specifikimin teknik të mallrave, thuhet se Zyra e Thaçit kishte blerë 3 çanta biznesi për dokumente dhe llaptop ‘Samsonite’, secila nga 169 euro, në total 507 euro. 2 çanta krahu për dokumente, secila nga 120 euro që në total bëjnë 240 euro. Si dhe nga një çantë: një çante bagazhi për rrugë 260 euro; një çantë krahu për dokumente dhe llaptop 179 euro; si dhe një tjetër cant bagazhi për rrugë 200 euro, të gjitha të markës ‘Samsonite’, por me specifika të ndryshme, shkruan Kallxo.com.

Këto çanta shkruhet se janë ‘shumë kualitative dhe elegante, si Samsonite ose ekuivalent’.

Të gjitha 8 çantat i kanë kushtuar arkës së shtetit 1 mijë e 386 euro.

Por, veç tyre janë blerë edhe 14 copë telefon ‘Nokia E72’, secili nga 269 euro, që në total i bie 3 mijë e 766 euro.

Është blerë po ashtu një llaptop 999 euro, si dhe tre mbështjellës për llaptop në vlerë 30 euro.

Në total kjo faturë i ka kushtuar kuletës së shtetit 8 mijë e 157 euro.

Kallamoqi s’ka sabër

Anton Çetta ishte njëri ndër intelektualët dhe folkloristët më të shquar në Kosovë. Kontributin më të madh e dha si profesor i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe si punëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Nga viti 1945 ai u morr intenzivisht me mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore shqiptare, që u botua në disa vëllime e që paraqet një thesar të trashëgimisë sonë shpirtërore.

KALLAMOQI S’KA SABËR
(Ibërticë,Gollak)

Ni hoxhë,me nifarë tubimi,kish pasë thanë se veç me sabër u bahet ballë të tana punëve.Njani po i thotë:
-Veç ni punë,hoxhë efeni nuk ka sabër.
-Cilla?
-Kallamoqi,kur t’bahet m’u prashitë,s’ka sabër.

Mos u mëso me mua

Mos u mëso me mua.

Mos u mjafto.

Mos më merr për të mireqënë.

Ti e di, unë e dua jetën si e marrë. Mendoj shpesh sa shumë na jep, e sa pak i kthejmë. Ja dua ritmin e çmendur kryeqyteteve të zhurmshme, kaosit njerëzor. Prandaj e dua pasionin human, atë që i bën njerëzit të vrapojë, të realizojë ëndrra, të bëjë të pamundurën të mundur.

Jam tani këtu, mund të mos jem pas pak. Ose, ka akoma më shumë mundësi që ti të ikësh. Kështu që mos u mëso me mua.

Unë jam kaos që ka marrë formë humane për pak kohë. Flas me zë të lartë. Më pëlqen të ulem në rrugë e të qesh derisa të më dhembin brinjët. Më pëlqen të eci në shi. Po po, fiks si një fëmijë. I pabindur madje.

Mbetem në thelb një vajzë e vogël që trembet, se lëndohet kollaj, dhe e mban mend gjatë. Të kujtohet kur të thashë, do e shohim bashkë atë film dhe ti e pe vetëm? U mërzita. Se unë doja ta shihnim bashkë, por nuk ta thashë, se në të njëjtën kohë nuk më pëlqen të jem kaq lehtësisht e prekshme, kështu që shpesh dhimbjen e mbaj për vete. Në mënyrë që askush mos të jetë në gjendje ta përdorë.

Dua shumë herë të të kem pranë, e të të kem mbështetje, por nuk do të ta kërkoj. Kam frikë të mësohem me shpatullën tënde se ti një ditë do ikësh, se kështu ndodh gjithmonë.

Jam e lodhshme unë. Duhet të më ‘bezdisësh’ derisa të bindem që vërtet ke dëshirë të më dëgjosh e të kuptosh ça po ndodh me mua. Sepse e kam aq të vështirë të flas, sa kur nis ta bëj, do të thotë që kam vendosur të të jap versionin më bruto dhe të çiltër të vetes. Atë version që jo rrallëherë ja fsheh dhe vetë vetes.

Nxehem menjëherë. Fjalët më ngecin. Thyhem shpejt. Oh, ti nuk e ke idenë, sa pak duhet që të thyhem copash, se aq e brishtë jam, se aq shumë jepem kur zemra më udhëheq sipas rrahjeve. Nuk harroj pothuajse asgjë. Fal me shumë vështirësi. Sidomos kur merrem për të mireqënë. Jam telash i madh, po të mësohesh me mua, siç e shikon.

Nuk besoj. Pothuajse tek askush dhe askund. Besoj në yje ama, univers e qiell. Betohem e lutem në meteorë. Në fund të çdo dite ngre kokën në qiell dhe gjej domosdo një buzëqeshje për mua, edhe nëse sytë i kam me lot.

Kështu që shpesh do kërkoj ta mbyll ditën me një gjë hedhur krahëve, një gotë verë, dhe sytë në qiell. Nuk i dihet kurrë se kur mund të ndodh magjia. Me dorën tjetër ama, do dua të shtrëngoj dorën tënde.

Sigurisht, duke qënë kaq e vështirë vet, edhe kur dashuroj ndodh shumë rrallë dhe vështirë. Ama, për dashurinë rrezikoj gjithçka. Luaj me jetën si në poker për dashurinë, për ata njerëz që arrijnë të më ndezin dritën në shpirt. Për njerëzit që dua kam dalë edhe mbi frikërat e mia. Kam anashkaluar dobësitë e mia, kam injoruar ditët e mbrapshta. Do jem me ty sa herë të kesh nevojë, edhe në heshtje nëse do duhet. Thjesht do të të mbështes kokën në kurriz sa për të të treguar që jam aty, se për njerëzit që dua unë jam gjithmonë.

Ndodh të rrëzohem dhe mblidhem kruspull. Nëse ndodh që të më shohësh ashtu, do të thotë që ke ardhur shumë afër. Do të thotë që ndërkohë që ty të këshilloj të mos mësohesh me mua, unë tashmë jam mësuar me ty. Do të thotë që ti ke dashur aq shumë që unë të mësohem me ty.

Kështu që, më mëso atëherë të ndërtoj pritshmëri. Më ndihmo ta ndërtoj nga fillimi besimin. Nuk jemi akoma mbi tokë, duhet të kthehemi tek themelet, ato janë shembur komplet.

Kërkon shumë mund e nerva të më durosh, e mbi të gjitha të më kuptosh, andaj mos u mëso me mua!

Ama, nëse do e bësh, nëse vërtet do të jesh aty, mirë se vjen në anën time të botës.

Është ferri vetë. Ti do ta dashurosh!!

© AZ

Intervista e vitit 1994: Si e mendonte Rugova këmbimin e territoreve me Serbinë

Intervista e vitit 1994: Si e mendonte Rugova këmbimin e territoreve me Serbinë
Pas reagimeve rreth një postimi në Facebook të presidentit Hashim Thaçi, i cili i referohej një interviste të presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994, rreth këmbimit të territorit me Serbinë, ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, e ka publikuar të plotë përgjigjen e Rugovës.

Ka qenë një citim i presidentit Thaçi për deklaratën e Rugovës në vitin 1994 që ka bërë të ketë reagime të shumta, bile edhe nga bashkëpunëtorët e Rugovës, të cilët thanë të mos e kenë dëgjuar ndonjëherë Rugovën të fliste për këmbim territori me Serbinë.

E ai që e postoi fillimisht vetëm titullin e intervistës së Rugovës për Zërin në vitin 1994 “Ndarje jo, Këmbim po”, tash e ka postuar të plotë përgjigjen e ish presidentit të Kosovës. Bëhet fjalë për Petrit Selimin, ish bashkëpunëtorin e afërt të Thaçit.

“Edhe ne mund të bëjmë kësi lloj ‘pazari’. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën. Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstituive e Federatës jugosllave. Megjithatë, po e përsëris, për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që Leposaviqi dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbinë jugore, të banuara me shumicën shqiptare”, kishte deklaruar Rugova./KultPlus.com

Sam Smith ndanë me ndjekësit e tij në Instagram këngën e Era Istrefit

Kënga “Bonbon” e këngëtares Era Istrefi është pa diskutim një prej këngëve më të suksesshme shqiptare.

Plot 600 milionë është shifra e klikimeve që kjo këngë numëron në kanalin YouTube.

Kënga “Bonbon” është dëgjuar dhe ka rënë edhe në veshin e shumë personazheve të famshëm ndërkombëtarisht.

Së fundmi, ka qenë këngëtari i famshëm Sam Smith, ai i cili mesa duket ka ngelur i impresionuar nga kjo këngë.

Duket se kjo këngë është ndër më të preferuarat të Samit kohëve të fundit.

Ai ka ndarë me ndjekësit e tij në InstaStory një fotografi, përmes së cilës ka treguar se po dëgjonte këngën “Bonbon” të Istrefit. / KultPlus.com

Alexis Stone, artisti që arrin të transformohet në çdo personazh të famshëm

Alexis Stone është bërë së fundmi një prej meshkujve më të ndjekur në rrjetin social Instagram.

Ai ka një aftësi të rrallë, pasi arrin që fytyrën e tij ta transformojë në fytyrën e çdo të personazhi të famshëm.

Alexis ka aftësinë të transformohet në çdo personazh VIP, qoftë femër apo mashkull.

Këtë gjë ai e arrin në sajë të makijazhit të përsosur që arrin ta realizojë në fytyrën e tij.

Artisti Stone i ndan fotografitë me fansat në llogarinë e tij personale në Instagram, me ç’rast ka arritur të bëhet shumë i përfolur dhe i ndjekur.

Ndërkohë, ndjekësit e tij vënë në pikëpyetje faktin se si ia arrin që aq me përpikmëri të shndërrojë fytyrën e tij në atë të një të famshmi.

Në vazhdim ju sjellim disa prej fotografive të tij, dhe personazhet që ai ka tentuar t’i imitojë komplet në dukje. /KultPlus.com