Prizreni mirëpret ekspozitën “Unë jam Shqiptar”

Më 17 shtator, duke filluar nga ora 18:00 do të hapet ekspozita fotografike “Unë jam shqiptar”, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet në Muzeun Arkeologjik të Regjionit të Prizrenit- Sahat Kulla. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren do të hapë ekspozitën fotografike kushtuar migracionit me titull “Unë jam Shqiptar”.

Kjo ekspozitë vjen e realizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë./ KultPlus.com

Në Istog ndahet çmimi letrar “Dr. Ibrahim Rugova”

Nën patronatin e kryetarit të komunës, Haki Rugova në bashkëpunim më klubin letrar “Podguri” në Istog për të katërtin vit me radhë është bërë ndarja e çmimit tashmë tradicional letrat “Dr.Ibrahim Rugova”, çmim ky i cili nderon punën dhe veprimtarinë e shquar të ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova.

Pjesë e kësaj ngjarje ishte kryetari i komunës Haki Rugova me bashkëpunëtor, përfaqësues të klubit letrar ”Podguri” krijues dhe shkrimtarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare.

Duke i përshëndetur të pranishmit kryetari Haki Rugova falënderoi të gjithë pjesëmarrësit të cilët morën pjesë në konkursin letrar Ibrahim Rugova. Ky është një manifestim që çdo vit është duke dëshmuar kualitet. Ju falendëroj secilin që keni ardhur nga larg, ne si komunë po bëjmë çdo gjë të mundshme për të mbështetur këtë aktivitet në bazë të gjitha mundësive që kemi duke bërë që ky aktivitet të jetë tashmë tradicional, çdoherë po e shoh një pjesëmarrje masive tuajën dhe për këtë falendërim të veçantë kemi për klubin letrat “Podguri” u shpreh kryetari Rugova.

Ndërsa kryetari i klubit letrar “Podguri”, Sadik Bicaj duke i përshëndetur të pranishmit që kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare për pjesëmarrje në mainifestim, shprehu një falënderim të veçantë për kryetarin Rugova për mbështetjen e tij të fuqishme morale dhe materiale. Po ashtu ai njoftoj se poezitë dhe krijimet që janë lexuar për katër vite me radhë do të botohen në mënyrë që të shënohet vitin e ardhëm pesëvjetori i mainifestimit me rezutat të veçantë.

Në fund të manifestimit letrar u bë edhe ndarja e çmimit mbarëkombëtar “Ibrahim Rugova” të cilin çmim e fitoi Kaltrinë Uka, çmimin e dytë e fitoi Daniela Dante dhe çmimin e tretë Labinot Berisha./ KultPlus.com

Petrit Çarkaxhiu: Dhimbjen për Suad Jaminin e kaloj me muzikë

Vokalisti i rok grupit të njohur Jericho, Petrit Çarkaxhiu pas një koncerti të zhvilluar në Tiranë u shpreh se pas ndarjes nga jeta e batistit të grupit, Suad Jamini, mënyra më e mirë për të kaluar dhimbjen ishte të vazhdonte të merrej me muzikë.

Çarkaxhiu tregoi se nuk e mendon shkëputjen nga “Jericho” edhe pse nuk i thotë “Jo” projekteve veçmas. Jericho i njohur për tekstet kuptimplotë, të bazuar kryesisht në dhimbjen që solli lufta në Kosovë vazhdon të jetë një nga rok grupet më të pëlqyera në trojet shqiptare.

Në “Pop Culture” në TCH ai u pyet se a ka çfarë të shkruajë në kaq kohë pas luftës.
“Mallkimi i këtij populli është se gjithçka ecën shumë ngadalë. Të njëjtat probleme që kishim përpara 20 viteve, i kemi edhe sot. Fatkeqësisht, “Jericho” kanë gjithmonë se për çfarë të shkruajnë”, u shpreh ai.

Me humor u shpreh gjithashtu se femrat si në Kosovë edhe në Shqipëri janë njëlloj të bukura, me përjashtimin se këto të fundit janë më femërore. Aktualisht, grupi “Jericho” ka punuar disa këngë, të cilat priten të dalin shumë shpejt./ KultPlus.com

Harrison Ford: Mos ua jepni pushtetin njerëzve që nuk besojnë në shkencë

Të famshmit shpeshherë përdorin platformat të ndryshme për të përhapur ndërgjegjësimin për çështje të rëndësishme. Diçka të tilla ka bërë pikërisht së fundi aktori Harrison Ford, i cili ka folur për rëndësinë që ka mjedisi por jo vetëm, përcjellë KultPlus.

Duke folur në Samitin Global të Veprimit Klimatik në San Francisko këtë javë, aktori 76-vjeçar dhe aktivisti i palodhur klimatik nxori një paralajmërim të matur: “Nëse nuk e ndryshojmë rrugën që ne jemi sot, e ardhmja e njerëzimit është në skaj”.

Për gati 27 vjet, Ford ka punuar për grupin e mjedisit Conservation International, i cili mbështet shkencëtarët nga e gjithë bota të cilët po punojnë për të identifikuar dhe kapërcyer kërcënimet ndaj biodiversitetit.

Por, siç Ford bën të qartë në fjalimin e tij të fundit dhe të pasionuar, asnjë nga këto punë nuk ka rëndësi nëse e mohojmë realitetin e ndryshimeve klimatike dhe kolektivisht harrojmë natyrën projektet që realizojnë korporatat dhe shteti.
“Ne mund të vendosim panele diellore në çdo shtëpi, ne mund ta kthejmë çdo makinë në një automjet elektrik, por për aq kohë sa Sumatra digjet, ne do të kemi dështuar,” është shprehur ai, shkruan sciencealert.com

Ai tutje ka kërkuar nga të pranishmit që të votojnë për njerëz të cilët besojnë në shkencë dhe veprojnë në bazë të saj dhe jo të interesave të tyre.

“Stop për hir të Zotit denigrimin e shkencës! Ndaloni së dhëni pushtetin njerëzve që nuk besojnë në shkencë, ose më keq se kjo, pretendojnë se nuk besojnë në shkencë për interesin e tyre vetjak”, është shprehur ai./ KultPlus.com

Alban Skenderaj publikon këngën “Lea”

Këngëtari shqiptar, Alban Skenderaj ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “Lea”, shkruan KultPlus.

Kënga është krijuar nga Alban Skenderaj e Lorenc Aliaj. Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar vet këngëtari, kurse miksimin dhe masterzimin e ka bërë Lorenc Aliaj.

Në videoklipin e këngës shihet edhe këngëtari alban Skenderaj dhe bashkëshortja e tij, Miriam Cani./ KultPlus.com

Bukuroshja e lagjes

Poezi nga Xhevdet Bajraj.

Ndoshta i ka pasur të gjitha
burrë e dashnorë
ndoshta
ndoshta të gjithë i ka pasur
e veç dashuria i ka munguar në këtë jetë

Sot e varrosën me një ombrellë në dorë
prifti i kishte thënë dikujt në besim
se në pjesën e qiellit
ku shkojnë ata që u ka munguar dashuria
gjithmonë bie shi./ KultPlus.com

Ka shtatë lloje dashurish, por pak njerëz e provojnë të fundit

Çfarë është dashuria? Shkenctarët dhe psikologët janë përpjekur gjithmonë ti japin një përgjigje kësaj pyetjeje. Në 1980 psikologu amerikan Robert Stenberg zhvilloi një teori rreth dashurisë që përfshinte 3 çështje (intimitetin, pasionin dhe angazhimin). Sipas tij këto ishin pikat kryesore në të cilën mbështetej kjo ndjenjë kaq e përfolur në këngë, filma, poezi etj. Më pas këtyre 3 çështjeve ju shtuan dhe 4 të tjera.

1- Dashuria pasionante.
Kjo është dashuria në të cilën dy persona me zor e njohin njëri-tjetrin por tërheqja midis tyre është shumë e fortë dhe e dukshme. Nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta por megjithatë vazhdojnë qëndrojnë me njëri-tjetrin. Sipas psikologut kjo lloj dashurie ka pak mundësi që të kthehet në dicka serioze me kalimin e kohës.

2-Pëlqimi.
Në këtë lloj dashurie njerëzit janë të lidhur nga interesa të përbashkëta dhe mund të jenë gjithmonë vetvetja. Sipas Stenberg kjo është më tepër një lidhje që kthehet në shoqëri.

3-Dashuria boshe.
Njerëzit që përjetojnë këtë lloj dashurie zakonisht e trajtojnë atë thjesht si një angazhim dhe nuk e vazhdojnë sepse kanë dëshirë apo ndjenjë. Me kalimin e kohës kjo gjë mund të ndryshojë dhe të shfaqen ndjenjat.

4-Dashuria e zakonshme.
Është lloji më i përhapur në një lidhje. Ndodh kur dy persona kanë shumë tërheqje midis njëri-tjetrit dhe e çojnë angazhimin e tyre në martesë dhe krijojnë një familje.

5-Dashuria romantike.
Kjo dashuri përfshin pasion dhe intimitet. Dy personat që janë në këtë lidhje ndihen shumë mirë në shoqërinë e njëri-tjetrit por nuk janë gati të marrin hapa të tjerë.

6-Dashuria që të shoqëron gjithë jetën.
Kjo dashuri përfshin dhe angazhimin dhe intimitetin por ka mungesë pasioni. Psikologët thonë që me kalimin e viteve kjo dashuri mund të kthehet në perfeksion.

7-Dashuri e përkryer.
Kjo ka 3 llojet e cilësive kryesore që përmendëm më lart, pasionin, intimitetin dhe angazhimin. Jo gjithmonë këto tre karakteristika janë të barabarta por e rëndësishme është që janë të treja të përfshira. / Përshtati në shqip JOQ.al / KultPlus.com

‘Dhe dashuria është toka, buka dhe vera, është qielli’

Mësime sendesh
Enrike Badosa

Buka është e drejta e përditshme
e atij që punon dhe thotë të vërtetën.

Vera është detyra e njerëzve të kujdesshëm
që ditën vënë në jetë ëndrrat e natës.

Qielli është letra ku shkruajmë
me dorën tonë fjalën “liri”.

Deti është etja e freskët që na flladit
buzët e lodhura nga heshtja e gjatë.

Toka është rasti për të jetuar përballë
atyre që paqen nuk duan ta pranojnë.

Dhe dashuria është toka, buka dhe vera,
është qielli, deti dhe mirësia.

Përktheu Aurel Plasari

Shaqe Çoba, e para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike

E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX.

Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë.

U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj.

View this post on Instagram

E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX. Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë. U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj. Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin "Gruaja Shqiptare", me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. "Gruaja shqiptare" mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën. Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist.

A post shared by Albanian Women (@albanian.women) on

Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. “Gruaja shqiptare” mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën.

Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist. / Albanian Women – Instagram / KultPlus.com

“Ta pastrojmë Kosovën” vazhdon edhe në Liqenin e Badovcit

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” ka vazhduar edhe në liqenin e Badovcit. Qytetarët kanë shkuar edhe në këtë pjesë për t’i larguar mbeturinat e hedhura.

Kësaj nisme i është bashkuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj i cili përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, është një nisje premtuese për një ndryshimin rrënjësor, sa i përket ambientit të Kosovës.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që po marrin pjesë në këtë aksion, si nga radhët e institucioneve të ndryshme, po ashtu edhe organizatat joqeveritare. / KultPlus.com

Indiferenti

Hose Ierro

Tani do të jemi të lumtur
kur asgjë ç’të presim s’ka.

Le të bien gjethet e thara
le të çelin lulet e bardha,
pa çka!

Le të ndrijë dielli në qiell
Le të bjerë shiu mbi xham
A s’janë të gjitha gënjeshtra
të vërteta të gjitha a s’janë?
Le të mbretërojë mbi botë
pranvera që vdekje s’ka
le të marrë të tatëpjetën jeta
pa çka!

Le të ketë melodi endacake
pa çka!

Ç’na hyjnë në punë meloditë
kur asgjë ç’të kendojmë s’ka.

perktheu Aurel Plasari

‘Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri…’

John Lennon

“Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri…”

“Na kanë bërë të besojmë se dashuria, ajo e vërteta gjendet vetëm një herë në jetë dhe në përgjithësi para moshës 30 vjeç, nuk na kanë thënë që dashuria nuk ka kohë e nuk mbërrin në një moment preciz.

Na kanë bërë të besojmë se secili prej nesh është gjysma e një portokalli e se jeta ka kuptim vetëm kur arrijmë të gjejmë gjysmën tjetër. Nuk na kanë thënë se kemi lindur Të Plotë e që asnjë në jetën tonë nuk meriton të mbajë mbi supe përgjegjësinë për të kompletuar atë që na mungon: rritemi me veten. Nëse jemi në shoqëri të mirë është thjesht më e këndshme.

Na kanë bërë të besojmë në një formulë të quajtur “dy në një”, dy njerëz që mendojnë njësoj, që veprojnë njësoj e që vetëm kjo mund të funksiononte. Nuk na kanë thënë se vetëm duke qenë individ me personalitetin tënd, të lejon të kesh një marrëdhënie të shëndetshme.

Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri e se dëshirat jashtë saj duhen shtypur. Që ekziston një formulë e vetme për lumturinë, e njëjta për të gjithë ata që dalin jashtë kësaj janë të dënuar të margjinalizohen.
Nuk na kanë thënë se këto formula nuk funksionojnë dhe e tjetërsojnë njeriun. Nuk na kanë thënë se askush nuk do na i tregonte të gjitha këto. Secili nga ne do ti zbulojë vetë. Dhe kështu kur të duash vetveten, do jesh po aq i lumtur e do mund të duash dikë tjetër”.

Afro 10 mijë persona nisin aksionin ‘Ta pastrojmë Gjilanin’

Sipas planifikimeve të cilat janë bërë nga Task Forca “Ta pastrojmë Gjilanin”, me pjesëmarrje të të gjitha institucioneve komunale, Gjykatës, Prokurorisë, Policisë së Kosovës, FSK-së, shkollave fillore e të mesme, bashkësive fetare, ndërmarrjeve publike, shëndetësisë primare e regjionale, organizatave rinore, veteranëve, operatorëve privat dhe qytetarëve të shumtë, sot në mëngjes ka nisur aktiviteti për pastrimin e gjithë territorit të Gjilanit.

Sipas njoftimit për media të Komunës së Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri para turmës së mbledhur në sheshin qendror “Agim Ramadani” ka thënë se në javën e parë do të bëhet vetëm pastrim dhe grumbullim të mbeturinave.

“Javën e ardhshme do të punojmë për mbjelljen e drunjve dekorativë dhe gjelbërim të hapësirave nëpër pjesë të ndryshme të qytetit. Së bashku do të punojmë vazhdimisht edhe për ruajtjen e ambientit në të ardhmen. Sot ky aksion do të nis edhe në lagje dhe fshatrat e Komunës sonë, përmes këshillave të fshatrave, bashkësive fetare dhe banorëve nëpër lokalitetet atje”, ka thënë kryetari Haziri.

Për ndryshe, besohet se në qytetin e Gjilanit sot janë duke pastruar afro 10 mijë persona, që nga shkollat me afro 6 mijë nxënës e mësimdhënës, rreth 500 mjekë, rreth 300 shërbyes civilë, rreth 500 punëtorë të ndërmarrjeve komunale, afro 500 persona nga organizimi i bashkësive fetare, pastaj vullnetarë të shumtë, OJQ, etj. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita personale e Petrit Halilajt në Los Angeles

Ekspozita e tij e parë personale në Los Angeles do të hapet sonte.

Deri me 20 janar të vitit tjetër, Hammer Projects prezantojnë artistin kosovar Petrit Halilaj, një emër i njohur në artin bashkëkohor momental.

Qilimat e famshëm të cilët ai i prezantoi në Bienalen e Venecias vitin e kaluar, do të zënë hapësirën e Hammer Museum në Los Angeles. Për këtë ekspozitë, siç shkruan koncepti, Petriti ndërton botëra të çuditshme nga krijesat fantastike dhe reliktet e rimëkëmbura, nisur gjithmonë duke përthekuar përvojën e tij personale.

Shkopinjtë, balta dhe pëlhura janë elemente të cilat Petriti i sjellë në këtë ekspozitë. Ekspozita është një vazhdimësi e obsesionimit që Halilaj ka me kafshët: u shndërrua në zog, në qen, ndërsa tani prapë merret me kafshët, gjegjësisht me molën apo tenjën, që i përngjanë fluturës, shkruan KultPlus.

Për Petritin, ky inspirim përfaqëson zbulim, transformim dhe fshehje, duke dashur ti lartësojë insektet shpesh të këqija në një pozitë më të mirë në botën e mbretërisë së kafshëve.

Halilaj është fitues i Mirënjohjes Speciale në Bienalen e Venecias ndërsa ka fituar edhe Mario Merz Prize. Ai ka lindur më 1986 në Kostërrc, ndërsa jeton midis Prishtinës dhe Berlinit. / KultPlus.com

Tash po nisemi

Jusuf Gërvalla

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.

Fotografi nga Manastiri i Deçanit në fillim të shekullit XX

Manastiri i Deçanit edhe sot është mollë sherri në mes të Serbisë e Kosovës.

Një objekt i bukur i trashëgimisë kulturore por edhe vend kulti, Manastiri i Deçanit është pikë reference edhe për turistët e ndryshëm që vijnë në Kosovë.

Manastiri është ndërtuar afër lumit Bistrica, nën shpatet e mprehta të Bjekshëve të Nemuna, ndërsa e ka themeluar Shën Stafeni Uroshi III i Deçanit, djali i mbretit Millutin dhe babai i mbretit Dushan.

Manastiri është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO. Po i sjellim këtu disa fotografi të Manastirit të Deçanit në fillim të shekullit XX, postuar nga Kosovas Archäologie. / KultPlus.com

‘Biblioteka Kombëtare e Kosovës është mrekulli e arkitekturës moderne!’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, punë e arkitektit kroat Andrija Mutnjakovic, disa herë është përfshirë në dy lista: në listën e objekteve mrekulli në aspektin arkitekturor dhe shpesh në listën e objekteve më të shëmtuara.

Me gjithë faktin se mendimet nuk pajtohen dhe janë relative, nuk ka dyshim që objekti është i veçantë në formën dhe ndërtimin e tij dhe i jep Prishtinës një pamje tjetër.

Gazeta kroate Jutarnji List së fundmi e ka quajtur këtë ndërtesë si një mrekulli të arkitekturës moderne.

“Ndërtesa, që nga hapja e saj në vitin 1982, nuk është renovuar asnjëherë, pos aty-këtu ndryshimeve të vogla. Madje ndërtesa është me fakt që i ka shpëtuar edhe luftës në Kosovë. Së fundmi, Ministria e Kulturës në Kosovë ka ndarë disa para për të ndërhyrë në funksionimin më të mirë të ndërtesës, në këtë proces ku do të marrë pjesë edhe vetë Mutnjakovic” shkruan mes tjerash Jutarnji list.

Në këtë shkrim përmendet edhe Java e Arkitekturës në Kosovë dhe takimi i Bekim Ramkut dhe Nol Binakajt me Mutnjakovic.

Në shkrim përmendet se MoMA – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka disa ide se di të integrojë trashëgiminë e Mutnjakovic brenda ndërtesës, për të lënë më shumë gjurmë të këtij arkitekti brenda kësaj ndërtese unike.

Para pak ditësh KultPlus tregoi se si ky objekt prapë është përfshirë në një listë të bibliotekave më të mahnitshme në Evropë. / KultPlus.com

Sonte fillon Salloni i Tetorit, pjesëmarrëse edhe Yoko Ono

Artistja 85 vjeçare japoneze Yoko Ono është një prej pjesëmarrëseve në Sallonin e Tetorit këtë vit në Beograd.

Ajo që njihet edhe si Bienalja e Beogradit, Oktobarski Sallon është një prej ngjarjeve më kryesore të artit në Ballkan, ku marrin pjesë vit për vit rreth 50 artistë nga mbarë bota, për të ekspozuar por edhe për të fituar çmimin e përvitshëm.

Yoko Ono është vetëm njëra prej pjesëmarrëseve. Artistja e njohur, dikur gruaja e John Lennon, është e famshme për paraqitjet e saj artistike dhe performancat në gjuhën angleze dhe japoneze, shkruan KultPlus.

Një punë që vlen të përmendet është ajo e vitit 1964, e titulluar “Cut Piece”.

https://www.youtube.com/watch?v=lYJ3dPwa2tI

Në këtë edicion të Sallonit të Tetorit, që do të nisë sonte në mbrëmje, do të marrin pjesë edhe artistë të tjerë, mes tyre Jasmina Cibic, Maja Dordevic, Ian Cheng, Takashi Murakami, Cindy Sherman e artistë të tjerë.
“Kakofonia e mrekullueshme” është tema e këtij edicioni, i cili do të jetë i hapur deri me 28 tetor. / KultPlus.com

Fjalët që Maya Angelou ia kushtoi Michael Jacksonit

Ne e kishim atë

Kushtuar Michael Jacksonit

Të dashur njerëz, tashti ne e dimë që nuk dimë asgjë
Tashti që ylli ynë i ndritshëm dhe rrezatues mund të shkasë tutje nga maja e gishtave tanë si një hukamë e flladit të verës
Pa dhënë shenjë, dashuria jonë e shtrenjtë mund t’i shpëtojë përqafimit tonë të marrosur
Të këndojë këngë tona në mesin e yjeve dhe të kërcejë vallet tona në të gjithë sipërfaqen e hënës
Në çast ne mësojmë se Michael është zhdukur e nuk dimë asgjë
Nuk ka orë që mund të tregojë kohën tonë dhe nuk ka oqeane që mund të shtyjnë dallgët tona
Me mungesën e papritur të thesarit tonë
Edhe pse ne jemi shumë, secili prej nesh është tek në dhimbjen e tij
Ngjethshëm tek
Vetëm kur të rrëfejmë trullosjen tonë mund të kujtojmë se ai ishte një dhuratë për ne dhe ne e kishim atë
Ai na erdhi nga Krijuesi, duke bartur kreativitet me bollëk
Megjithë dhimbjen e madhe të jetës ai u mbështoll në dashurinë amtare dhe dashurinë familjare dhe mbijetoi dhe bëri më shumë se kaq
Ai lulëzoi me pasion dhe dhembshuri, humor dhe stil
Ne e kishim atë
E dinim ne që ai ishte apo nuk e dinim, prapë ai ishte i yni dhe ne ishim të tijët
Ne e kishim atë
I bukur, duke argëtuar sytë tanë
Ai uli kapelën mbi ballin e tij dhe mori një qëndrim në majë të gishtërinjve të këmbëve të tij për të gjithë ne dhe ne qeshëm dhe përplasëm këmbët tona për të
Ne ishim të magjepsur me pasionin e tij, sepse ai nuk na mori asgjë
Ai na dha gjithçka që kishte për të dhënë
Sot në Tokio, nën Kullën Eifel, në Sheshin Ylli i Zi të Ganës, në Johanesburg, në Pitsburg, në Birmingham, Alabama dhe Birmingham Angli, ne kemi mall për Michael Jacksonin
Por ne e dimë se e kishim atë
Dhe ne jemi bota.

Përkthyer nga Skënder Buçpapaj./ KultPlus.com

Ariana Grande thyen heshtjen, përlot me dedikimin për Mac Miller

Ditë më parë, reperi Mac Miller ndërroi jetë. Shkaktar i vdekjes së Miller thuhet të jetë mbidoza e drogës.

Mac Miller njihet edhe si ish i dashuri i këngëtares së njohur Ariana Grande, e cila është akuzuar si shkaktare e vdekjes së tij.

Përveç një fotografie të ish të dashurit, që Ariana e publikoi në rrjete sociale, deri tani nuk kishte reaguar.
https://www.instagram.com/p/Bneu_dCHVdn/?taken-by=arianagrande
Por, në një status që postoi minuta më parë, ajo ka shkruar fjalë prekëse dedikuar ishit të saj.

“Të adhurova që nga dita që të takova kur isha nëntëmbëdhjetë vjeç dhe gjithmonë do të të adhuroj. Unë nuk mund të besoj se nuk je më këtu. Me të vërtetë nuk mund ta bind kokën rreth saj. Kemi folur për këtë. Kaq shumë herë. Unë jam aq e mërzitur, aq e trishtuar, nuk di ç’të bëj. Ju ishit miku im i dashur, për kaq gjatë, mbi çdo gjë tjetër. Më vjen shumë keq që nuk mund ta rregulloja ose të largoja dhimbjen. Unë me të vërtetë doja. Shpirti më i këndshëm dhe më i ëmbël me demonët që ai kurrë nuk e meritonte. Unë shpresoj se ju jeni mirë tani. Pusho.”, ka shkruar Ariana. /Lajmi.net/KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/Bnt_GTOF9kb/?taken-by=arianagrande

Albulena Bilalli pjesë e Konferencës shkencore të grafikës në Kroaci, synon ta sjellë në Prishtinë

Nga 12 – 15 shtator në Senj të Kroacisë është duke u mbajtur Konferenca e 22-të Ndërkombëtare në Grafikë, Dizajn dhe Komunikime grafike “Blazh Baromiq”, e pjesë e saj është edhe Albulena Bilalli.

Bilalli, që është kandidatja e vetme shqiptare e doktoraturës në Fakultetin e Grafikës në Universitetin e Zagrebit, ishte ftuar që të merrte pjesë si bashkautore e një hulumtimi shkencor.

Ajo thotë se ka prezantuar hulumtimin e saj bërë për ndikimin e presionit në cilësinë e ngjyrës në shtypin digjital.

Në prezantimin e saj ajo gjithashtu ka kërkuar që kjo konferencë të bartet edhe në Prishtinë, dhe të ketë një bashkëpunim edhe me Universitetin e Prishtinës.

Për Koha.net ajo ka deklaruar se do të përpiqet që një konferencë e tillë të organizohet edhe në Prishtinë.

“Jam e nderuar që jam në mesin tuaj, shpresoj se kjo konferencë të ndodhë edhe në Prishtinë. Ju ftoj të bëjmë një bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës”, është shprehur artistja nga Prishtina.

Në këtë konferencë organizohen seminare, prezantime, tryeza të rrumbullakëta dhe punëtori në lidhje me grafikën e dizajnin.

“Zhvillimi i teknologjisë grafike, sfidat e reja që dizajni grafik po ballafaqohet çdo ditë dhe ndikimi i të gjitha formave të komunikimit të realizuara përmes grafikës dhe mediave që ndërlidhen çojnë në nevojën e përhershme të shkëmbimit të njohurive shkencore dhe profesionale dhe të përvojës në fushën e grafikës, dizajnit dhe komunikimeve grafike”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj konference./KultPlus.com

Ju mohohet e drejta për të mësuar gjuhën amtare, nxënësit shqiptarë në Maqedoni nuk e dinë as alfabetin e gjuhës shqipe

12 nxënës shqiptarë të fshatit Bajnicë në Qashkë të Velesit në Maqedoni asnjëherë nuk e kanë pasur fatin ti mësojnë 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo për shkak se e drejta e tyre për tu arsimuar në gjuhën amtare është mohuar.

Ata janë të detyruar të udhëtojnë deri në shkollën qendrore në Qashkë dhe mësimin ta mësojnë në gjuhën maqedonase.

Ata mësojnë gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase para gjithçkaje.

Numri i fëmijëve shqiptarë në këtë shkollë është rreth 30-të.

Të pyetur nga gazetarja nëse dinë shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe, nxënësit plotë ngurrim dhe duke mos dashur të thonë jo, ato thonë po, por në fakt njëra nga nxënëset pohon që dinë vetën dy shkronja në gjuhën shqipe, A dhe B.

Përderisa të tjerët pohojnë që nuk dinë asnjë shkronjë, ama ata flasin mirë shqip dhe pohojnë që kanë dëshirë të mësojnë shqip.

Banorët shqiptarë atje, janë të shqetësuar për këtë problem dhe shpresojnë që fëmijët e tyre të fillojnë të mësojnë shqip në shkollë.

“Ne kemi mbaruar por shpresojmë të bëhet diçka për fëmijët tanë”.

Fshati Bajnicë ndonëse konsiderohet shembull për bashkëjetesë ndëretnike, banorët shqiptarë aty nuk janë të gatshëm që fëmijët e tyre të martohen me maqedonas. /KultPlus.com

Rama: “Lasgushi” u ul në Rinas, “Noli” fluturon në Nju Jork

Gjatë fjalës së tij në ceremoni e inaugurimit të kompanisë së parë ajrore shqiptare kryeministri Edi Rama tha se me ‘Air Albania’ është përmbushur një ëndërr që dukej e pamundur. Rama tha se me kompaninë kombëtare tw fluturimit nis një rrugë ndërlidhëse me Evropën, por edhe më tej.

“Përmbushim një ëndërr që dukej e pamundur, por që u realizua. Kompaninë ajrore të flamurit kuqezi ‘Air Albania’. Është një ëndërr që sot merr krahë për të filluar një ëndërr prej shumë kohësh. ‘Air Albania’ është një vepër kombëtare. E vërteta është se shteti shqiptar nuk mund të ndjehet plotësisht i rezultuar nëse neglizhon pozicionin e vet në hartën dhe kullat e vendeve ku udhëtojnë shqiptarët. Me kompaninë kombëtarë te fluturimit ne kemi nisur rrugën ndërlidhëse me Evropën, por edhe më tej. Sot falë ‘Air Albania’ ne mund të fluturojmë. Nuk e di si do përkthehet kjo për miqtë tanë, por duhet të fluturojmë me këmbë në tokë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se Air Albania nuk është vetëm një kompani shqiptare por ku shteti shqiptar është drejtpërdrejt aksioner për të garantuar interesat e qytetarëve shqiptarë. “Dëshmitarët mund të tregojnë shumë se nga u nisën kur aplikuan hajt ta provojmë njëherë. Shumica prej tyre nuk e ka imagjinuar se sa shpejt do vinte kjo ditë dhe do visheshin me ngjyrat e flamurit kuq e zi. Ndërkohë për të aplikuar të tërë modelin është dashur punë, është dashur mund dhe orë të tëra dhe sot nuk kemi thjesht një kompani që ka një emër që na përfaqëson të gjithë por një kompani ku shteti shqiptar është drejtpërdrejt aksioner si një garant dhe njëkohësisht si një prani për të përfaqësuar interesat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi që kanë pasaportën e këtij vendi por edhe e gjithë shqiptarëve që do ta përdorin Air Albania.

Mjafton t’ju them se rritja e numrit të fluturimeve të shqiptarëve është mbresëlënëse përtej problemeve që kemi me zhvillimin e domosdoshëm ekonomik, shifrat flasin për një numër udhëtimesh dhe udhëtarësh shqiptarë me një rritje eksponenciale por nga ana tjetër tregojnë se 99% e këtyre fluturimeve mbulojnë vetëm distanca të shkurtra që nuk i kalojnë 120 minuta. Ambicia jonë është që me Air Albania të shkojmë përtej kësaj. Ne sot jemi i vetmi vend në Europë që kemi vetëm një aeroport. Pistat e atëhershme ishin vetëm disa rrugë të paasfaltuara por shqiptarët fluturonin me avionë për në Peshkopi, për në Gjirokastër për në Korçë. Nuk po them që ky është synimi i së ardhmes por duam që të mos kemi një aeroport por të kemi të paktën edhe tre aeroporte, atë të Vlorës, Kukësit dhe Sarandës”, tha Rama.

Kryeministri përmendi edhe ankesat e qytetarëve për çmimet e biletave por tha se kjo është kostoja e trashëgimisë dhe se Air Albania është një instrument që kjo situatë të ndryshojë ashtu si edhe ndërtimi i aeroporteve të tjera në vend. Kryeministri shpjegoi edhe emrat e vendosur avionëve të rinj. “Për ne që jemi të këtij vendi dhe që jemi të mësuar me atë çka na kujton menjëherë ai që Klemend Aderi e pagëzoi në 1875 si aparati fluturës që imiton zogun, shqiponja është gjëja e parë që mendojmë kur mendojmë për fluturimin. Ndërkohë që me këtë rast mësuam që aparatet fluturuese që imitojnë zogjtë duhet të kenë edhe emra. Dhe zgjodhëm që shqiponjave tona tu vëmë emrat e poetëve tanë. I pari është Lasgushi dhe tjetri që do vijë menjëherë pas fluturimeve test që do bëhen gjatë një muaji Stamboll-Tiranë do jetë Migjeni. Ambicia jonë është që në muajt në vijim të çojmë direkt nga Tiranë në Nju Jork Imzot Nolin. Po e mbyll me Lasgushin që kemi mbrapa duke nxjerrë 4 vargje nga ‘Vallja e Yjeve’. Falënderoj djemtë dhe vajzat e ‘Air Albania’. Veshjet e tyre nuk kanë të sharë, ose kush i shan është i sharë”- tha Rama./KultPlus.com

Artistët që nuk e përballuan dot karrierën

Këto janë artistët të cilët nuk e shmangën dot fundit e tyre të dhimbshëm edhe pse bota mendonte se kishin jetën perfekte.

Mac Miller

Jo vetëm këngëtar por dhe producent, ai kishte lënë shenjën e tij në muzikë që në moshën 19 vjeçare dhe mendohej se do bëhej një nga më të mëdhenjtë e skenës së hip hopit. Por vitet e fundit fatkeqësisht ai kishte rënë pre e varësisë nga droga. E sipas miqve të tij pas dhënies fund të lidhjes dy vjeçare me yllin e popit Ariana Grande ai kishte shtuar konsumimin e lëndëve të ndaluara. Kështu duke mos pasur pranë atë që e konsideronte si dashuria e jetës së tij, fundi i erdhi pikërisht nga abuzimi, më saktë nga overdoza.


Chester Bennigton

Vokalisti i grupit të famshëm Linkin Park pas një pauze të gjatë me grupin e tij sapo kishte nisur turin për promovimin e albumit të ri. Ndërkohë që kishte dhënë disa performanca askush nuk e dinte që gjatë gjithë kohës ai ishte duke luftuar me depresionin. E kështu një mëngjes ai u gjet i vdekur në dhomën e një hoteli dhe pas hetimeve rezultoi se kishte kryer vetëvrasje.

Prince
Një nga performuesit dhe muzikantët ikonë të Amerikës, yll i popit e jo vetëm, u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare pas një overdoze me ilaçe, të tipit fentanil. Ai kishte qenë i sëmurë prej kohësh duke pasur disa shqetësime të vogla por gjithsesi mjekimet i kishte nevojshme. Pikërisht nga mbizdozimi me këto mjekime ai gjeti vdekjen.

Mandatory Credit: Photo by Anonymous/AP/REX/Shutterstock (6571574a)
Singer Prince is shown in concert in 1985
Prince, USA

Amy Winehouse
Një nga artistet më kontroverse por në të njëjtën kohë më të talentuara të brezit të saj gjatë gjithë jetës luftoi me varësinë ndaj narkotikëve por dhe me ndarjet nga të dashurit. Ndërkohë që krijonte dhe bënte këngët që ne i duam aq shumë, ajo përballej çdo ditë me refuzimin nga njerëzit e afërt, me paparazët që donin të dinin gjithçka ndodhte rreth saj dhe me publikun që e kritikonte për stilin e jetesës. Në moshë shumë të re ajo vendosi se nuk ja vlente më të luftonte për jetën dhe karrierën dhe ju dorëzuar abuzimit me alkoolin dhe drogën.


Robin Williams

Aktori i komedisë i cili bëri disa gjenerata të qeshin me humorin e tij vetë nuk ishte një njeri i lumtur. Ai ishte personifikimi i figurës së clown-it, pra i performuesit që argëtonte turmat dhe në mbrëmje ishte i vetëm e i trishtuar në shtëpi. Luftoi me depresionin që në fillimet e karrierës por edhe me ankthin. E teksa vitet kalonin, asgjë nuk mundi ta bënte të lumtur dhe sëmundja mendore u zhvillua akoma më shumë e në fund, humbi nga vetëvrasja, më saktë intoksifikimi./KultPlus.com