Turistë nga Danimarka vizitojnë malin e Tomorrit

Një grup prej 9 turistësh kaluan paraditen e sotme në malin e Tomorrit, duke ecur në zonat përreth Çezmes së Tarikos, shkruan Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat.

Ata u drejtuan për tek Ujëvara e Sotirës dhe me pas do të shkojnë drejt Gramshit. Tashmë ky korridor është një nga më të preferuarit e turistëve që me mjetet e tyre përshkojnë rrugën, ndoshta jo cilësisht nga ana teknike e mirë, por mjaft piktoreske nga Dardha drejt Ujëvarës së Sotirës e më pas në Gramsh, shkruan ata./ KultPlus.com

Unë si ju

Poezi nga Alda Merini
Përktheu: Faslli Haliti

unë si ju jam habitur ndërsa vidhja jetën,
flakur jashtë nga dëshira ime e dashurisë.
mua si ju s’më kanë dëgjuar dhe kam parë shufrat e qetësisë
të më rriteshin përreth dhe të më shkulnin flokët.
unë si ju kam qarë kam qeshur dhe kam shpresuar.
unë si ju kam ndierë të më zhvishnin rrobat nga trupi
dhe kur më kanë dhënë në dorë turpin tim
kam ngrënë turp çdo ditë.
unë si ju kam ndihmuar armikun
kam pasur besim në rrobat e mia të varfra
dhe kam pyetur ç’është zoti
pastaj nga ideja e ekzistencës së tij kam marrë forcë
që të ndiej martirin të më fluturojë rrotull si pëllumb i gjallë.
unë si ju kam konsumuar vetë dashurinë larg
edhe nga Krishti i ringjallur.
por unë si ju
u ktheva në shkencën e dhimbjes së njeriut
që është shkenca ime. /KultPlus.com

Gabim tjetër në Fjalorin Enciklopedik, gabohet viti i lindjes së Ibrahim Rugovës

Një tjetër gabim ka dalë të jetë trashanik brenda Fjalorit Enciklopedik të botuar para pak javësh në Kosovë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës duket se ka gabuar edhe me vitin e lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova.

Në Fjalor shkruan se Rugova ka lindur në vitin 1941, ndërsa Ibrahim Rugova ka lindur në fakt në vitin 1944, me 2 dhjetor, dhe ka vdekur në vitin 2006.

Qytetari Pal Shtufi në rrjetin social Facebook e ka shpërndarë lajmin e gabimit, një tjetër gabim në vazhdën e gabimeve që po dalin nga ky Fjalor, shkruan KultPlus.

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mehmet Kraja, në anën tjetër, është kritikuar se ka përfshirë familjarët e tij në Enciklopedi dhe se ka qenë ai përgjegjësi kryesor për lëshimet e tilla brenda Fjalorit. Kraja disa herë ka reaguar. / KultPlus.com

“Nëse më paguan sa do ti, unë punoj si dua unë… Nëse më paguan sa dua unë, unë punoj si do ti”

“Nëse më paguan sa do ti, unë punoj si dua unë… Nëse më paguan sa dua unë, unë punoj si do ti!”. – Donald Trump

“Një person i tretë asnjëherë nuk krijon problem midis dy njerëzve. Është një problem midis të dyve që krijon hapësirë për personin e tretë”. – Anonim

“Mund të jetë e padrejtë, por ndonjëherë ajo çka ndodh brenda pak ditësh, ose edhe në një ditë të vetme, mund të ndryshojë rrjedhën e një jetë të tërë”. – Khaled Hosseini

“Vështirësitë e jetës disa i lodhin,të tjerë i forcojnë.Nuk ka asgjë në botë që të vrasë shpirtin e atij që ëndërron të arrijë diçka në jetë”. – Nelson Mandela

“Kur mendimi i fundit i natës përputhet me të parin e mëngjesit e në mes të pasdites marin nga një kafe sëbashku, do kuptosh që dikush zgjon ëndrrat e tua para teje e luan me to gati gjithë ditën”. – Massimo Bisotti

“Nëse njeriu nuk ndien as kënaqësi as dhimbje,
Nuk ndien as gaz, as hidhërim, as shpresë…
Një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje,
Lëreni të vdesë…”. – Dritëro Agolli

“Kishte një buzëqeshje ngjitëse si të atyre që kanë vuajtur. Ishte mallkueshmërisht e veshur bukur me gabimet e saj”. – Lara Adrian

“Mos imitoni kurrë asgjë dhe askënd. Një luan që imiton një luan, ngjan me një majmun”. – Viktor Hygo

“Askush nuk është bërë i varfër, duke dhënë”. – Ana Frank

Bebe Rexha së shpejti sjellë videoklipin e ri

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është duke paralajmëruar se së shpejti do të sjellë një videoklip të ri.

Fjala është për videoklipin e këngës “Sa My Name”, të cilën e ka bërë në bashkëpunim me DJ-in e famshëm David Guetta dhe këngëtarin e njohur J Balvin, transmeton Koha.net.

29 vjeçarja këtë lajm e ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram, ku ka postuar edhe një fotografi në të cilën duket me flokë të verdha.

“Së shpejti vjen videoklipi i ‘Say My Name’”, ka shkruar shkurt këngëtarja.

View this post on Instagram

Say My Name Video Coming soon!!!

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Hajrulla Çeku, zv/ministër në Shqipëri jep dorëheqje nga posti të kujdeset për fëmijën

Hajrullah Ceku ishte njëri nga zv.ministrat në Qevërinë Rama nga Kosova, ai për nje vit kishte qëndruar në këtë post ku sot dha doreheqje për një arsye që nuk ndodhë zakonisht në shoqerinë tonë shqiptare, ku babai lirohet nga detyra për t’u kujdesur për bebën.

Ja postimi i tij:

Të nderuar miq, Pas një periudhe shumë të gjatë përpjekjesh dhe mundimesh, Eli dhe unë jemi të lumtur që më në fund kemi nisur rrugëtimin tonë për t’u bërë prindër, një nga qëllimet dhe dëshirat tona jetësore. Deri në këtë pikë kemi arritur me shumë sakrificë dhe të dy jemi tërësisht të përkushtuar që ëndrrën tonë për t’u bërë me fëmijë ta jetësojmë me sukses. Ky moment i ri në jetën tonë më ka bërë të rimendojë gjithë situatën dhe angazhimet e mia aktuale, marrë parasysh edhe faktin që gjatë kësaj periudhe Eli dhe unë kemi jetuar të ndarë, me lëvizje të kufizuara mes Prishtinës dhe Tiranës. Ajo që e mendoj me mendje dhe e ndiej me shpirt në këtë moment është kjo: duhet ta bëj pjesën që më takon. Dhe kjo parasëgjithash nënkupton prezencën fizike pranë saj. Për hir të së vërtetës, dhe sepse biologjia na e përcakton kështu, pjesa dërmuese e sakrificës së bërë deri tash mban firmën e Elit. Prandaj edhe besoj që nga tani e tutje më takon të mbart më tepër mbi supe. Jo se ndonjëherë do të arrij në nivelin e njëjtë me të, por të paktën dua të sigurohem që e jap të gjithën që mund ta jap. Për këtë shkak, duke u mbështetur në mirëkuptimin dhe përkrahjen e tij, nga Kryeministri Rama kam kërkuar të më lirojë nga detyra e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit në qeverinë e Shqiperisë. Këta 13 muaj në Shqipëri kanë qenë përvoja më fantastike e angazhimit tim profesional dhe publik. Si pjesë e një ekipi të përkushtuar, jam i lumtur që m’u ofrua mundësia për të kontribuar në atë që u cilësua një nga sezonet më të mira turistike. Mundësia për t’i shërbyer Shqipërisë ka qenë motivi im kryesor për të pranuar detyrën, ndërsa ofrimi i këtij shërbimi nën drejtimin e Kryeministrit Rama e bën këtë shërbim përvojë të papërsëritshme jetësore. Thellësisht mirënjohës dhe më shumë se asnjëherë më parë i përkushtuar për të vazhduar shërbimin ndaj Shqipërisë në forma të tjera, me fokus në thellimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ju dëgjofsha të mirën gjithmonë. Hajra / KultPlus.com

Agron Mulliqi dëshmoi identitetin e tij krijues në rreth 50 piktura (FOTO)

Gili Hoxhaj

Fakti që Agron Mulliqi shpenzon goxha kohë në galerinë e tij dhe aty shpalosë produktin final të inspirimit artistik u dëshmua sonte edhe në punimet që kishin mbushur gjithë hapësirën e Hanit të 2 Robertëve.
Ndriçimi mbi 45 pikturat e tij, e nxjerrtë në pah teknikën e veçantë që e bën lehtë të dallueshme punën e Mulliqit. Aty janë të paraqitura disa cikle të cilat nuk i largohen shumë bazës dhe asaj se çfarë e karakterizon krijimtarinë e Mulliqit.

Punimet me pak dallim nga njëra tjetra, kanë detaje të cilat të bëjnë të zhytesh në çdo vijë që ndodhet brenda kornizës. Portrete të grave stoike në qëndrim dominojnë një pjesë të punimeve të tij. Krahas tyre disa portrete paraqiten në lëvizje duke krijuar një teatër portretesh dhe duke e futur publikun në një mozaik ngjyrash. Të palodhshëm e të veçantë e cilësojnë piktorin miqtë e ata që sonte shijuan ekspozitën e tij, punën e tij tejet origjinale e unike.

Kuratori i ekspozitës, Carl Hammerdorfer, fillimisht tregoi për njoftimin e tij me punën e Agron Mulliqit tek i cili kishte gjetur atë që po kërkonte nga një artist kosovar. Mulliqin e kishte takuar para dhjetë vitesh gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ku kishte ardhur për t’i intervistuar studentët e KAEF-it ndërkohë që kishte shprehur interesimin se po kërkonte punime me më shumë ngjyrë dhe më abstrakte. Që kur këtë e kishte gjetur në punimet e piktorit Mulliqi, ai i kishte blerë disa piktura të cilat edhe sot qëndrojnë në muret e shtëpisë së tij në Amerikë.

Ai tha se Mulliqin e sheh si një përfaqësues të denjë të kulturës ballkanase dhe evropiane, ndërsa e thekson praninë që kanë gratë në punimet e tij, e që paraqiten dukshëm edhe në ekspozitë.
“Është nder që t’i them disa fjalë për shokun tim Agron Mulliqin të cilin e kam takuar dhjetë vite më parë. Tash shumë shpesh kaloj kohë me Agronin në atelienë e tij sepse është një koleksion i mrekullueshëm i eksperiencave të tij. Sonte këtu janë tri cikle dhe Agroni fillon ta pikturojë një cikël dhe pastaj ndalon së pikturuari atë cikël dhe fillon me diçka krejt ndryshe, në kërkim të inspirimit dhe kjo gjë ndonjëherë i merr më shumë se dy muaj. E shoh Agronin si një përfaqësues të denjë të kulturës ballkanase dhe evropiane. Figurat, format e ndryshme, format e portreteve gërshetohen mes vete në formën më të mirë. Më pëlqen përfaqësimi që kanë gratë në punimet e Agronit”, u shpreh Hammerdorfer në fjalën e tij.

Mulliqi tha se me kënaqësi i ishte përgjigjur kërkesës së “Hanit të 2 Robertëve” që të hapet lokacioni i ri me punimet e tij.

Ai tha se këto punime përfaqësojnë punën e tij në pesë vitet e fundit dhe vjen me ekspozitë pas gati një viti qëkur punimet e tij ishin prezantuar në Muzeun e Kosovës. Ai tregoi për KultPlus se në punimet e tij ka paraqitur një teatër të portreteve në skenë.

Artisti Burim Myftiu tha se Mulliqin e cilëson si një krijues të palodhshëm, shumë origjinal e unik. Ai tha për KultPlus se nuk ka parë që dikush të jetë kaq unik dhe folklorik e vendas në të njëjtën kohë ndërsa shtoi se arti i tij është një gjuhë universale mirëpo me fjalë shqipe.

“Agroni është një prej krijuesve shumë origjinal dhe unik me mënyrën se si shprehet në veprat e tij. Unë e njoh Agronin shumë mirë sepse e kam mik që prej 20 vitesh, punimet e tij dekorojnë shtëpinë time, kam mjaft punime të tij në koleksionin tim. Agroni është një krijues i palodhshëm, kur them i palodhshëm e them se është aq produktiv sa që unë nuk di se cili piktor është më aktiv se Agroni. Ai është një krijues që në surealizmin e tij ka një identitet dhe karakter, mund ta shikosh një vepër dhe mund ta dallosh që është e Agronit”, u shpreh Myftiu për KultPlus.

Piktorja Bardha Buza tha se Agron Mulliqi është një nga piktorët më të veçantë në mesin e artistëve të tjerë e këtë veçanti e shpreh si në ngjyra, ashtu dhe në teknika të tjera.
“Agroni është i veçantë me punën dhe teknikën e tij sepse përfshin edhe etnologjinë dhe ke simbole shqiptare e autoktone prandaj në stil është shumë i veçantë në mesin e artistëve të tjerë. E ka veçantinë e tij si në punimet me ngjyrë dhe në të tjerat. Agroni është një artist shumë i mirë që punon pa pushuar”, u shpreh Buza për KultPlus.

Piktori Agron Mulliqi numëron një numër të madh paraqitjesh të ekspozitave personale e kolektive. Punimet e tij janë paraqitur në Kosovë dhe jashtë saj.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një muaj në “Hanin e 2 Robertëve”./ KultPlus.com

“Ndershmëria është një dhuratë e shtrenjtë, mos e prit atë prej njerëzve të lirë”

Historia inspiruese e Warren Buffet dhe disa shprehje nga ai.

Secili që investon në tregun e stoqeve e din se sa i madh është Warren Buffet. Ai më së shumti njihet për strategjinë e tij afatgjatë të investimeve e cila u ka ndihmuar madje edhe njerëzve të zakonshëm për tu bërë milionerë.

Po e pyesni veten se si Warren Buffet është bërë miliarder? E gjitha filloi kur ai ishte 11 vjeçar. Që në moshën e re ai ishte pronar i një ferme.

Mirëpo ai ishte i stërngarkuar me punë. Ai shiste pije te ftohta, revista javore, pulla dhe çamçakëza derë më derë. Ai madje kishte punuar edhe ne dyqanin ushqimorë të dajës së tij.

Suksesi i tij i parë në biznes ishte atëherë kur ai bashkë me një mik, e vendosën një makinë pinballi në një dyqan berberi. Pas këtij investimi të parë, ata shpejt vendosën makina të njejta në shumë dyqane të tjera berberi.
Pas diplomimit në Kolegj, Buffet e ofroi veten të punoj për “Graham” pa pagesë, por kjo kërkesë i’u refuzua.
Më vonë ai e bleu një pompë benzine por ky investim nuk i rezultoi me ndonjë përfitim të madh.

Sidoqoftë, në vitin 1962 ai u bë milioner përmes partneriteteve që kishte krijuar. Madje edhe pas shumë kundërshtimeve dhe humbjeve që kishte pësuar, ai vazhdoi të kërkojë, të ndërtojë, të dështojë përsëri e përsëri deri sa e arriti zotësinë.

Tregimi mbi vështirësitë e tij është inspirues sepse e thekson që për të qenë i suksesshëm, ju duhet të keni parime të shëndosha.

Sot, ai është njëri ndër njerëzit më të pasur në botë, por prap stili i tij i jetës nuk ka ndryshuar. Pavarësisht pasurisë dhe suksesit, jeta e tij është po aq e lirë dhe e thjeshtë ashtu siç ishte edhe më parë.
Historia e tij nuk është vetëm një mishërim suksesi, por edhe një histori përuljeje dhe pune të madhe.

Në vazhdim i keni disa nga shprehjet më motivuese, të thëna nga Warren Buffet:

“Rreziku vjen nga të mos e diturit se çfarë po bëni.”

“Aseti më i madh i njeriu është vetja e tij, prandaj ruajeni dhe përmirësojeni veten.”

“Nevojiten njëzet vite për ta ndërtuar reputacionin e mirë dhe pesë minuta për ta shkatërruar atë. Nëse e mendoni këtë, ju do të filloni t’i bëni gjërat më ndryshe.”

“Ndershmëria është një dhuratë e shtrenjtë. Mos e prit atë prej njerëzve të lirë.”

“Dikush pushon sot nën hije sepse dikur dikush e ka mbjellë një pemë.”

“Siç duket ekziston një karakteristik e çoroditur njerëzore e cila pëlqen t’i komplikojë gjërat e thjeshta.”

“Mundësitë vijnë rrallë. Kur ka të reshura me ar, nxirre jashtë kovën, jo këllëfin.”

“Në botën e biznesit, njerëzit më të suksesshëm janë ata që e bëjnë punën që e duan.”

“Duhet të keni kontroll mbi kohën tuaj dhe këtë nuk do të mund të bëni vetëm nëse nuk dëshironi ju vetë. Ju nuk mund t’i lejoni të tjerët të u’a caktojnë agjendën e jetës suaj.”

“Më trego se cilët janë heronjtë tuaj dhe unë do të të tregoj se kush do të bëheni.”

“Investimi më i rëndësishëm që mund ta bëni është ai në veten tuaj.”

“Atë që të mençurit e bëjnë ne fillim, budallenjtë e bëjnë në fund.”

“Unë besoj që fëmijëve të mi të ju jap mjaftueshëm se të mund të bëjnë çdo gjë, por jo aq shumë sa të mos kenë nevojë të bëjnë asgjë.

“Është shumë më mirë të rrish me njerëz më të mirë se ti. Zgjedhi ata bashkëpunëtorë shprehitë e të cilëve janë më të mira se tuat, dhe pastaj edhe ju do të lëvizni në atë drejtim.” /KultPlus.com

Atifete Jahjaga, pjesëmarrëse në BarCamp #50 Golden Edition në Prishtinë

Atifete Jahjaga do të jetë njëra nga folëset e Barcamp Prishtina, me datë 7 nëntor në kryeqytet.

Atifete Jahjaga shërbeu si Presidente e parë grua në Republikën e Kosovës dhe e katërta në përgjithësi.

Jahjaga është kandidatja e parë jo-partiake e Kosovës, gruaja e parë në krye të një shteti në Ballkanin modern dhe gruaja më e re lidere në botë, e caktuar në zyrën më të lartë. Jahjaga merr pjesë vazhdimisht në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe iniciativa më qëllim për fuqizimin e gruas dhe mbështetjës së të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës. Ajo vazhdon të jetë e vendosur në luftën e saj kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe është një promovuese e fortë e paqës dhe stabilitetit në Balkan dhe më gjerë.

Gjatë periudhës së saj si Presidente, Jahjaga punoi zellshëm për të sjellur gratë në ballë të politikës, ekonomisë, dhe jetës sociale në Kosovë, si mjet për të siguruar një demokraci afatgjate. Në këtë kontekst, në vitin 2012, ajo drejtoi Samitin ndërkombetar të Grave “Partneriteti për Ndryshim – Fuqizimi i Gruas”(“Partnership for Change—Empowering Women”), e cila ishte ndjekur nga më shumë se 200 liderë nga Kosova, Europa e gjerë, Amerika Veriore, Afrika dhe Lindja e Mesme. Samiti ofroi një vend për gratë nga regjioni për të kryqëzuar barrierat etnike dhe për t’u bashkuar në lansimin dhe promovimin e platformës për fuqizimin e tyre si gra ne Ballkan. Diskutimet drejtuan në krijimin e “Pristina Principles”, e cila pohon të drejtat e grave në pjesëmarrjen politike, resurse ekonomike, qasje në siguri dhe drejtësi, si dhe thirrje për veprim për t’i bërë këto principe realitet.

Jahjaga është anëtare e Keshillit të Grave Lidere në Botë(Council of Women World Leaders) që nga viti 2012 dhe është pranuese nderimeve të numërta dhe çmimeve duke përfshire Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Durham(2013), the Çmimin e Udhëheqësisë në Sherbime Publike nga iniciativa Clinton Global(2014), dhe diplomen e nderit të Doktoraturës në Juridik nga Universiteti i Lejster(Leicester, 2015).

Në Mars të vitit 2018, Presidente Jahjaga themeloi Fondacionin Jahjaga – një iniciativë që ka për fokus fuqizimin e të rinjëve dhe grave drejt arritjes së ndryshimit shoqëror në Kosovë.

Për të dëgjuar rrugëtimin e saj inspirues, ejani me 7 Nëntor në BarCamp #50 Golden Edition.

Konferenca jo-formale BarCamp, e mundëson prezantimin e ideve, inovacioneve dhe diskutimet e hapura rreth çështjeve me tema të ndryshme duke sjellë tema te reja për çdo edicion. Ky edicion jubilar i BarCamp Prishtina do të mbahet më 7 nëntor duke filluar nga ora 17:30 në Teatrin ODA në Prishtinë, ndërsa regjistrimet fillojnë nga ora 17:00.

Arkitekti Përparim Rama, pjesë e Forumit Ndërkombëtar për Arkitekturë dhe Inxhinieri

Arkitekti Përparim Rama do të jetë pjesë e Forumit Ndërkombëtar për Arkitekturë dhe Inxhinieri.

Rama do të jetë një prej folësve në Share Athens 2018, në Muzeun Benaki në Athinë të Greqisë.

Ngjarja e cila mbahet me 27 nëntor do të mbledhë folës nga nëntë shtete për të tregu përvojat e tyre arkitekturore dhe projektet e tyre më të sukesshme.

Rama është një arkitekt fitues i disa çmimeve ndërkombëtare ndërsa është prezantuar nga London Building Design Magazine, BBC, CNN, RAI e në media tjera. Projektet e tij sot janë të ekspozuara në rreth 20 shtete në botë.
Të tjerët folës vijnë nga Holanda, Franca, Italia, Anglia e shtete tjera.

Rama, themelues i 4M Group, në vitin 2012-të ishte konsulent në Lojërat Olimpike në Londër, ndërsa në Bienalen e Venedikut morri pjesë po atë vit. Ai ka punuar me kreativitetin e tij edhe në Hamam Jazz Bar në Prishtinë. / KultPlus.com

Historia e Çamërisë përmes letërsisë

Nga Ben Andoni

Kur vite më parë u botua në Tiranë “Bretkosa” e Mo Yan, shumica besonin se kjo ishte një tepri, thjesht për të prezantuar më shumë një autor nobelist në tregun e vendit. Por, e vërteta rezultoi të ishte krejt ndryshe. Përmes një komune të harruar, autori, përcillte një nga problemet më të mëdha të Kinës, që i qëndron mbi shpatulla prej dekadash të tëra. E më shumë akoma, njerëzit patën fatin të shijonin me vetëm një botim historinë e Kinës përmes letërsisë. Kjo është mrekullia e profesionalitetit…, por edhe e vetë historisë.

Në një areal krejt tjetër, një autor shqiptar, me asfare përvojën, renomenë, mbështetjen dhe njohjet e autorit kinez arrin të bëjë diçka të tillë për një komunitet, i cili sot ende nuk gjen dot fillin e çmpleksur keqazi të historisë së vet fatkeqe. Tom Kuka, autor i romanit të dytë personal, “Gurët e vetmisë” bën një “provokim” të mrekullueshëm duke na treguar se çamët, mu ata, që njerëzit i identifikojnë sot si një komunitet i shpërngulur dhe pa histori mirëfilli, myslimanë të devotshëm, në rrënjët e tyre ishin dhe mbeten një nga komunitetet më interesante të etnisë shqiptare.

Autori përdor në narracionin kryesor vetën e tretë dhe kjo është e kuptueshme sepse i duhet të menaxhojë një galeri të tërë personazhesh, të tre moshave, kryesisht çamë por edhe të huaj me të cilët tregon historinë e panjohur të Çamërisë dhe shtjellat e saj, në lëmë antropologjikë dhe socialë.

Banorët e kësaj treve, që janë aty mes shekujsh, ndoshta nga ai brumi i vërtetë i Epirit, për të cilin zihen historianët e dy vendeve, tregojnë se në shumë raste i kalojnë zakonet greke dhe shqiptare. Janë konservatorë të mirë por aspak të tepruar, ashtu si e gëzojnë jetën me të gjithë mushkëritë. Diku u vigjilon një alert pabesie, por këtë e hedhin poshtë sepse me grekët janë bashkë.

Autori ynë ka zgjedhur formën e një kompozicioni të ndërlikuar dhe kjo e tregon jo thjesht të kulturuar sa i përket njohjes së strukturës letrare, por edhe shumë kërkues ndaj vetes. Në fakt, kjo lloj strukture, që po ta kuptosh e bën pak të lehtë dhe me frymë shtjellën e romanit, na njeh me sfidën e autorit. Autorit i duhen shumë personazhe për ta parë realitetin çam në gjenezë, apo të themi në atë që njerëzit sot e harrojnë prej pogromit ndaj tyre dhe që e lidhin vetëm me kalvarin e tyre.

Stili është i ngjeshur dhe autorit i pëlqen shumë të befasojë, duke shkrirë të gjithë kategoritë estetike. Të bukurën e të shëmtuarën… Për ta ndihur rrëfimin e tij, ai përdor natyrshëm gjuhën e vjetër çame. Por, këtu sfida e tij mbetet pak sepse leksiku deridiku i kësaj treve nuk i shkon me sintaksën e vërtetë të toskëve çamë. Gjithsesi, kjo tejkalohet lehtë, sepse përdorimi i këtij leksiku thjesht është ndihmë për lexuesin dhe duket se nuk është aq detyrë e fiksuar e autorit.

E mrekullueshme është dinamika e personazheve të tij, që nga fillimi dhe deri në fund dhe mënyra sesi interferojnë te njëri-tjetri, duke e bërë të gjithë këtë ndodhi të shkuar të duket se është mu aty fare natyrshëm dhe mund ta prekë gjithkush. Sipas një zakoni, që tashmë po i kthehet në detyrë, në rolin e atyre piktorëve të dikurshëm, që diku fusnin dhe veten e tyre, autori e përfshin sërish Tom Kukën, si personazh real. Madje, prej këtij personazh, lexuesi fillon e bën lidhje instiktive me romanin e parë, ku sërish Toma shfaqet natyrshëm.

Aman, në këtë oaz qetësie, humori dhe mbijetese të bukur, si në librat e vjetër fantazma e një banori përcillet te njerëzit e tij. Diçka po vjen, por askush nuk e parashikon dot katastrofën e madhe dhe të frikshme, pasi askush nuk e beson që natyra njerëzore të ketë kapriço të tilla. Nga ajo që dëgjojnë, por që nuk e besojnë, këtij idili të bukur të natyrës njerëzore, po i vjen një fund… Veçse banorët aq të dhënë pas marrjes së lëngut të jetës nuk duan ta besojnë sepse jeta e përditshme është më e bukur se çdo fantazi.

“Fëmijët pasi mbushnin barkun me mishra dhe mëlçi, rendnin gjithandej në lëndinën e larë nga drita e hënës. Servet Kamati, Agathia, Abedini, Hëna, nanë Zisja, Dajkoja, Resoja, Nekia, çiliminjtë, por edhe Muharrem Mërria me të bijtë bënë këmbë në këtë festë, ku askush nuk pyeste më për mish e raki. Taqo Mullisi solli tavat e mëdha me klumështuar që të ëmbëltonin gojën gostarët, teksa vesa e natës lagu gjethet e ullinjve.

Dikur, kur agu po zinte natën, dhëndri kërceu mbi automobil dhe nisi t’i binte kazasë me fëmijët përsipër që qenë ngjitur cit më cit. Pastaj i mori me rradhë burrat dhe i çonte lart e poshtë. Patën guximin dhe hipën bashkë me të bijtë dhe dy gra, Shanishaja e Grikohorëve dhe Havaja e Hadove. Muharrem Mërria nuk dëgjoi që nuk dëgjoi të ngjitej”.
Në të gjithë librin, përshkrimet lirike por edhe të situatave e bëjnë autorin jo thjesht ta administrojë lëndën, por edhe të tregojë se tashmë mund të konsiderohet si një zejtar i mirë i letërsisë. Dhe, këtë e shikon jo thjesht nga gjuha por mbi të gjitha sensi i masës.

Pikërisht kjo e fundit e bën që të mbledhë të gjithë atë tis, që kanë përcjellë personazhet dhe në pak faqe të fundit të na sjellë masakrën, që është sinteza më e dhimbshme e historisë së Çamërisë. Kjo e fundit tashmë nuk ka shifra, por ka emra, orendi dhe kob.

E gjithë ajo prehje e bukur merr fund sepse tashmë për çamët fillon tmerri i jetës së gjallë, ku ata enden si të vdekur. Pleqtë bëjnë paktin e madh të vdesin si nënë Zisja. Të rinjtë vazhdojnë më tej…por me kokën pas, duke mundur të shpëtojnë kë të mundin E gjithsesi… shpresa vazhdon edhe pas thirrjes kobzezë: I paskan prerë e përvëluar Takenjtë, Muharremenjtë, idrizlerët, Tahirenjtë, Dinejtë, Shabanejtë. A e ndien Avdul? Ky është edhe fundi, ai që e trand lexuesin e thjeshtë dhe e heq nga ai lexim i këndshëm për ta lënë të mendojë… për historinë. /KultPlus.com

Prezantohen të rejat e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar

Sot në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, u prezantua përmes një konference për shtyp nisja e edicionit të 57-të të Festivalit të Këngës në RTSH! Stafi realizues i këtij edicioni përbëhet nga: Drejtor i Festivalit, Martin Leka, Drejtor Artistik Inva Mula, Producent Muzikor Sokol Marsi, Skenarist Pandi Laço dhe Regjisor Bledar Laço.

Në fjalën e tij përshëndetëse Leka pohoi se lajmi sot është: “Prezenca e Inva Mulës si drejtore e këtij Festivali, që do të sjellë një eksperiencë ndryshe dhe inovatore në këtë edicion, ndërsa dyshja Laço rikonfirmon bashkëpunimet e suksesshme që kemi pasur deri më tani”.

Ishte drejtorja artistike Inva Mula, e cila prezantoi platformën e këtij edicioni, që pretendon të jetë më i hapur se kurrë, duke afruar sa më shumë rininë. “Objektiv për mendimin tim është që ta rikthejmë freskinë, entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku, i cili ndoshta për arsye të shumta është shkëputur, ne duam që ai ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si dikur ta ndjekë Festivalin dhe ndoshta të mërmërisi këngët më të bukura të tij. Për këtë arsye në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të krijohet një grup me nxënësit më të mirë të 15 shkollave të mesme të Tiranës, të cilët do të ndjekin nga afër dhe do jenë një juri ektra, që do të vlerësojë këngën më të mirë”, tregoji Mula para gazetarëve!

Sigurisht që Festivali nuk do të ndryshojë mënyrën e votimit, juria profesioniste do të jetë ajo që do të votojë Këngën fituese, që do të çojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës.

Këngët do të prezantohen në 2 net, nata e parë në 20 dhjetor, ku 22 këngëtarët do të këndojnë ‘live’ me orkestrën Simofonike të Radio Televizionit Shqiptar, nata e dytë do të jetë Nata e Performancave, apo ndryshe Nata Eurosong, ku të 22 këngët do të vijnë të interpretuara ‘live’ por pa orkestër, ato do të shoqërohen nga elementë spektakli duke dhënë në një mënyrë të njëjtën paraqitje që çdo konkurrent do të kishte në Festivalin Europian. Dhe në natën e tretë këngët do të konkurrojnë për vendin e parë.

Këtë vit këngët do të prezantohen parapakisht në një formë ndryshe, duke nxjerrë pakëz prej melodisë, refrenin apo bulëza kënge, por jo të gjithë materialin konkurrues, pasi ai është në garë dhe ethet e garës duhet t’i testojë ‘live’. Prazantimi i 22 artistëve do të bëhet përmes historive të krijuara posçërisht për secilin prej tyre, të cilat do të shfaqin momente pune apo edhe private dhe do të prezantohen në javën e parë të Dhjetorit, përmes rrjeteve sociale Instagram dhe Facebook, apo edhe përmes hapësirës televizive që do t’i kushtohet çdo mbrëmjeje në TVSH, këtij edicioni.

Rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, projekti 13 milionë euro

”Muzeu Historik Kombëtar do t’i nënshtrohet rikonstruksionit fizik si jashtë ashtu edhe brenda mjediseve të tij. Nuk do të ndryshohet asgjë, do të ruhet po e njëjta volumetri, mozaiku gjithashtu do rikonstruktohet me gjithë elementët e tij pra do ketë një rikonstruksion të thellë jo të sipërfaqshëm pasi ka dëmtime që ka pësuar nga koha”, u shpreh drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani gjatë një interviste televizive.

Ajo shtoi se ky është momenti i duhur për rikonstruksionin e muzeut pasi dhe gjithë sheshi ”Skënderbej” tashmë është i rikonstruktuar dhe gjallon nga lëvizja e njerëzve.

”Një komponent tjetër i rëndësishëm është ekspozita e tij pra linja muzeore që ai ofron. Duhet të kemi një muze të qytetërimit dhe për këtë po punon gjithë grupi i ekspertëve dhe interesante në këtë pikë është mënyra e tregimit të historisë së këtyre pavijoneve. Janë një grup prej 20 ekspertësh që po punojnë për këtë pjesë”, u shpreh Dollani.

Dollani u shpreh se ajo që do vijë ndryshe në këtë pjesë është heqja e ngarkesës ideologjike, pra, do të ketë orientim tek faktet. “Do paraqiten dokumente historike autentike pra do paraqitet historia me fakte jo më me interpretime. Rikonstruksioni i muzeut do e bëjë atë të jetë i kohës dhe do të ketë elementin e edukimit pra do të jetë një muze i të gjithëve dhe i atyre që vijnë e vizitojnë për të njohur Shqipërinë nëpërmjet këtij muzeu”, tha ajo.

”Muzeu do të ketë një prezantim ndryshe me platforma dixhitale, me staf i cili shpjegon paraprakisht se çfarë do vizitosh, për çfarë je i interesuar pra do ketë një shumëllojshmëri të programit të muzeut. Kosto e këtij projekti do të ketë një vlerë paraprake deri në 13 milionë euro. Mënyra e ndërhyrjes është menduar me faza në mënyrë që të mos kemi kurrë një mbyllje të plotë të muzeut, pra që ekspozitat dhe pjesa edukuese të vazhdojë”, përfundoi drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani. /j.p/ KultPlus.com

Fund tetori

Poezi e shkruar nga Maya Angelou.
Përktheu: Orjela Apolloni

Butësisht
gjethet e vjeshtës
përhapin poshtë tingullin
e metaltë të vdekjeve të vogla
dhe qiejt, të velur
nga perëndimet e kuqërremta,
nga agimet e trëndafilta
mbështillen pandërprerë
në një pëlhurë të hirtë dhe kthehen
në të zezë
për rehati.

Vetëm dashnorët
e shohin vjeshtën
si shenjë e fundit e ndarjes
si gjest i ashpër që paralajmëron
ata që nuk do të alarmohen
se ne fillojmë të ndalemi,
në mënyrë që t’ia nisim
sërish.

Cilësi identifikuese e jona është INATI!

Dr. Sami Rexhepi

Gjithçka që bëjmë e bëjmë për INATI,
Mësojmë, punojmë, mburremi, shëtisim, – për INATI.
Vishemi bukur, blejmë auto te shtrenjta, ngremë shtëpi
pesëkatëshe, – për INATI.
Edhe njerëzit më të dashur i humbim për inate të kota!
Edhe momentet më të rëndësishme s’i jetojmë – për INATI!
Madje edhe kur e motivojmë dike i themi: “puno, angazhohu, a s’vjen inati?!”

Kështu pra jemi ne cilësi të përbashkët e kemi INATIN!

Pikat, tendencë e modës edhe këtë vjeshtë

Fantazia që më së miri përzien popin amerikan me elegancën franceze? Padyshim ajo me pika.

Ky motiv, zakonisht një gur themeli i koleksioneve të pranverës, mund të jetë një aleat i shkëlqyer për veshjet e vjeshtës, duke i bërë ato më të ngrohta dhe më të gjalla.

Veshjet me pika mund t’i kombinoni me nuanca neutrale dhe modele me fantazi për t’i dhënë një pamje magjepsëse veshjes tuaj.

Nëse është një fund xhins me pika të vogla të qëndisura ose një fund i shkurtër me prerje të viteve ’50, me pika me ngjyrë të kuqe, rezultati do të jetë pa dyshim elegant.

Victoria Beckham, ikona e modës për vitin 2018

Është zyrtare, Victoria Beckham është femra më fashioniste. Ka shumë femra me stil në botë, por stilistja e famshme provon vit pas viti se është ikonë dhe përcjell shumë elegancë.

Dhe është zbuluar se Victoria do të marrë çmimin Ikona e Modës 2018 në E! People’s Choice Awards.

Të martën E!, njoftoi se 44-vjeçarja do të nderohet me çmimin e madh gjatë shfaqjes live People’s Choice Awards, më 11 nëntor.
https://www.instagram.com/p/BnyEBgBFJcb/?taken-by=victoriabeckham
“Ndihem kaq e nderuar që po marr çmimin e parë të ikonës së modës në E! People’s Choice Awards. Këtë vit festoj 10-vjetorin e markës sime dhe kjo është mënyra më e mirë për të shënuar këtë dekadë,”- tha stilistja.

“Jam kaq mirënjohëse. Unë e dua atë që bëj dhe më pëlqen që më është dhënë mundësia të fuqizoj femrat përmes koleksioneve të mia. 11 nëntori do të jetë një moment shumë i veçantë për mua”,u shpreh Beckham./a.a/KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/Bn6e_4Bg2To/?taken-by=victoriabeckham

Edhe një shkollë shqipe në Bresha

Në Itali gjithnjë e më shumë po hapen shkolla shqipe. Së fundi është hapur edhe një në Bresha, ka njoftuar faqja e Ministrisë së Diasporës së Shqipërisë.

Petrit Aliaj, i cili punon në shkollat shqiptare në diasporë, ishte shumë i lumtur me këtë rast, përcjell albinfo.ch.

“Nuk mund të rri pa shprehur edhe një herë përgëzimet e mija të gjithë anëtarëve të stafit Shoqata Alba Calcinato për këtë lule që mbolli. Lule e cila do të lulëzojë e do të përhapi të tjera lule me shkronjat e gjuhës sonë të dashur. Në arritjen e kësaj dite të shënuar një kontribut të veçantë dhanë miqtë tanë të pa përtuar: Arjeta Kola, Marjana Shabaku e Ndue Shabaku, Alma Shala Marku, Durim Moli e mjaft aktivistë e prindër të nderuar. Shkronja tona do të hapin mijëra dritare në zemrën e mendjen e brezit më të ri i cili po rritet dhe edukohet në emigrim. Dhe një ditë do të vijë, që këta fëmijë do t’u shprehin mëmave të tyre falënderimet për kujdesin, këmbënguljen e sakrificat e bëra për gjuhën që mësuan. Do të kujtojnë me shumë dashuri mësuesit e tyre, ashtu siç i kujtojmë edhe ne sot me dhjetëra e qindra mësues e pedagogë të cilët na hapën rrugën, sytë e mendjen për t’u bërë të devotshëm për familjet tona e shoqërinë. Të devotshëm për të kontribuar në hapjen e sa më shumë shkollave të gjuhës shqipe si çerdhe të diturisë. Ne, sado të mësojmë gjuhë të huaja nuk mund të quhemi të qytetëruar pa ditur gjuhën tonë. Identiteti ynë fillon tek gjuha. Nëse ajo vdes edhe kombi bashkë me të”, shkruan Aliaj.

Me 5 nëntor, Leze Qena tregon rrëfimin e saj në ‘KultWoman me…’

KultPlus po vazhdon me ngjarjet e ndryshme kulturore.

Pas festimit të pesëvjetorit, KultPlus me datë 5 nëntor, duke filluar nga ora 14:00, do të organizojë një bisedë artistike me Leze Qenën – një aktore e njohur shqiptare.

Aktorja Leze Qena do të ndajë me audiencën tregimin e saj në kuadër të “KultWoman me Leze Qenën”.
Leze Qena, aktore e lindur në Prizren, është ndër gratë më të suksesshme shqiptare. Më shumë se pesë dekada e kanë gjetur Lezen të pashterrur në teatrin dhe në skenën kulturore shqiptare.

Leze Qena në këtë ngjarje do të na rrëfejë me anë të fjalëve e fotografive udhëtimin i cili nuk ka qenë i lehtë. Me një burrë në krah, një Xhevat Qena të pashoq, Leze Qena i ka bërë ballë peripecive.

E nisim me Lezën, dhe do ta vazhdojmë edhe me pesë gra të tjera që gjetën hovin për të punuar edhe në kushtet më të vështira.

“KultWoman me…..” organizohet nga KultPlus dhe financohet nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut. / KultPlus.com

Ikona e filmit italian, Remo Girone: Tirana ngjason me qytetet në Itali

Si Tano Cariddi njihet në çdo vend që ka ndjekur serialin “Oktapod”, aktorin Remo Girone, i cili ditët e fundit ndodhet në Shqipëri. Aktori po xhiron për filmin e ri të regjisorit Namik Ajazi dhe është në rolin e ambasadorit italian.

Duke vlerësuar ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti këto kohë, Girone e krahason Tiranën me cilindo qytet italian, ndërsa kujton takimin e veçantë me kryebashkiakun Veliaj, të cilin e cilëson si një njeri të jashtëzakonshëm e me ide tepër të qarta.

“Tani Tirana ngjason me cilindo qytet italian. Kam pasur mundësinë të dal. Kam shkuar në disa restorante të mira. Kam parë pallatet e reja që po ndërtohen, stadiumin. Takova kryetarin e bashkisë, një njeri i jashtëzakonshëm. Biseduam dhe mendoj që është njeri me ide tepër të qarta. Këtu punojnë shumë arkitektë italianë që po ndryshojnë Tiranën, po bëjnë gjëra të reja, pa ndryshuar totalisht të vjetrën e për ta vënë në shërbim të ndërtimit të së ardhmes”, tha Remo Girone. /tvklan.al

Ministri Gashi mbajti ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik

Nën organizimin e Organizatës Studentore Reforma dhe Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mbajti një ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Tema të cilën ministri Gashi e ka trajtuar para studentëve, ishte: Trashëgimia Kulturore e Kosovës dhe UNESCO.

Në kuadër të kësaj, ministri Gashi fillimisht shpalosi aktivitetet që Ministria të cilën ai e drejton, është duke bërë në aspektin e ruajtjes dhe promovimit të monumenteve të cilat pasqyrojnë vlerat e mirëfillta të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Si hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij qëllimi, ministri Gashi e cilësoi përgatitjen e draft Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore në Republikën e Kosovës, i cili pritet që në një të ardhme sa më të afërt të merr edhe miratimin e Kuvendit. Ndërsa gjatë diskutimit të çështjes së aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ministri Gashi tha se “është duke u bërë një punë e madhe në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive tona në mënyrë që në vitin 2019, Kosova të mund të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”.

“Në koordinim edhe me dikasteret tjera që ndërlidhen me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, siç janë: Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme, jemi duke u angazhuar maksimalisht si në aspektin e përmbushjes së obligimeve tona ndërinstitucionale, po ashtu edhe në aspektin e lobimit tek vendet anëtare të UNESCO-s në mënyrë që të arrihet një përkrahje sa më e madhe dhe Kosova të kaloj me sukses procesin e votimit që do të mbahet në vitin 2019 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”, tha ministri Gashi.

Në përfundim të ligjëratës së tij, ministri Gashi ju dha hapësirë edhe studentëve të pranishëm që me komentet apo pyetjet e tyre të jenë pjesë aktive e kësaj ligjërate. Studentët, duke e vlerësuar si të suksesshme punën e ministrit Gashi, përmes pyetjeve të tyre, arritën të ngrinin për diskutim shumë çështje të rëndësishme dhe me interes rreth Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Gjatë kësaj ligjërate, nga studentët, ministrit ju kërkua që të përkrahet ideja që brenda hapësirave të kampusit universitar të bëhet një muze në të cilin do të vendoseshin artefakte dhe monumente të ndryshme që pasqyrojnë Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, gjë të cilën ministri Gashi e mirëpriti dhe u zotua se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tij të jap maksimumin në mbështetje të realizimit të kësaj ideje shumë të qëlluar.

Në mbyllje të kësaj ligjërate, organizatorët e falënderuan ministrin për ligjëratën dhe duke qenë mirënjohës për punën që po bënë, ata inkurajuan ministrin që të vazhdoj edhe më fuqishëm në angazhimet e tij në të mirë të studentëve dhe rinisë në përgjithësi./KultPlus.com

Meghan Markle me fjalim të fuqishëm për feminizmin

Diskutimi feminist i Meghan Markle në Wellington, etapa e fundit e Royal Tour, jo vetëm ka bërë xhiron e botës, por gjithashtu është raportuar edhe si unik dhe është cilësuar si një fjalim feminist i ‘fuqishëm’.

Dukesha e Sussex filloi me një përshëndetje Maori, “tēnā koutou katoa” ose “përshëndetje për të gjithë ju”, e cila mori një lumë duartrokitjesh nga të pranishmit. Ajo vazhdoi të flasë për admirimin e saj për vendin, i cili u bë vendi i parë vetëqeverisës në botë që më 1893, iu dha grave të drejtën për të votuar.

“Urime Zelandës së Re, që i ka dhënë të drejtën e votës femrave 125 vite më parë”, ka nënvizuar dukesha e Sussex.

“Shembulli juaj historik më ka bërë të reflektoj për impaktin dhe kuptimin e tij, sepse votimi i grave lidhet me feminizmin dhe feminizmi tregon të drejta të barabarta”, ka thënë dukesha gjatë diskutimit të saj përpara Kryeministrit Jacinda Ardern dhe Guvernatorit lokal, Dame Patsy Reddy në Government House.

E qartë dhe e drejtpërdrejtë Meghan ka shtuar: “E drejta e votës nuk ka të bëje thjesht me të drejtën e votës, por edhe me themelet e të drejtës së njeriut për të qenë në gjendje të marrë pjesë në zgjedhje për të ardhmen e tij dhe për atë të komunitetit dhe kjo u duhet njohur të gjithëve. Edhe ata pjesëtarë të shoqërisë që janë të margjinalizuar për shkak të racës, etnisë apo çfarë do lloj orientimi tjetër.

Prandaj e përgëzoj Zelandën e Re që i ka mbështetur këto të drejta 125 vite më parë, dhe që ka kuptuar se femrat meritonin të ishin një zë aktiv në shoqëri. Bravo për të gjithë këtë sforcim që ka aktivizuar nivelin global. Ju falënderoj të gjithëve thellësisht me fjalët e Kate Sheppard, një nga figurat më të shquara të lëvizjes së votimit të grave në Zelandën e Re: “Gjithçka që ndan, qoftë për shkak të racës, besimit, apo seksit është çnjerëzore dhe duhet të kapërcehet”.

Kanë qenë të shumtë ata të cilët e kanë lavdëruar fjalimin e dukeshës, madje një person e ka përshkruar atë si “të fuqishëm”.

“E kam dashur këtë fjalim. Ajo çfarë dukesha Meghan ka bërë në pesë muajt e saj të parë si pjesëtare e familjes mbretërore britanike ka qenë e mahnitshme”, shkroi një person.

Një tjetër shtoi: “Unë mendoj se Meghan është një model i shkëlqyer për vajzat e reja. Do të ishte e vështirë të gjeja një model më të mirë për vajzën time 17-vjeçare”./ KultPlus.com

“Bohemian Rhapsody” performohet në 42 stile (VIDEO)

Artisti Anthony Vincent ka performuar këngën ikonike të bendint “Queen”, “Bohemian Rhapsody” në 42 stile.

Videoja e publikuar në kanalin “Ten Seconds Songs” në YouTube ka pranuar mbi një milion klikime në më pak se pesë ditë.

Mes artistëve dhe stileve janë edhe këndimi i kësaj kënge si Frank Sinatra, Johnny Cash, Kendrick Lamar e NWA – pra artistë që u përkasin zhanreve dhe stileve pothuajse diametralisht të ndryshme./ KultPlus.com