Në shesh bëhet thirrje për të ‘blerë shqip’

Sheshet kryesore të Prishtinës janë mbushur me pankarta që bëjnë thirrje për të blerë produktet vendore.

Këtë mëngjes, në sheshet e kryeqytetit janë vendosur disa pankarta që vijnë pas vendosjes së taksës 100 përqind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës, shkruan kallxo.

Nuk dihet se kush i ka vendosur këto pankarta mirëpo janë të ilustruara me shqiponjën e Flamurit të Shqipërisë dhe me ngjyra të kuqe dhe zeza.

Dona Jakupi fiton çmimin “Kosovë Rexha-Bala” në Malmö

Pas çmimit “Hyjnesha në Fron”, që i ndau Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Kosovë, poetja Dona Jakupi fitoi edhe çmimin “Kosovë Rexha-Bala”, në Malmö, shkruan KultPlus.

Ajo këtë çmim e fitoi mbrëmë në kuadër të festivalit të poezisë dhe muzikës në Malmö.

“Sonte po kthehem me krenare se kurre prej festivalit te poezise dhe muzikes ne Malmö. Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit te Kosoves me ndau cmimin ”Hyjnesha në Fron” ndersa cmimin ”Kosove Rexha-Bala” me ndau festivali. A ka me mire se kur te vlersohen fjalet e shpirtit-poezite. FALEMINDERIT!”, ka shkruar Jakupi./ KultPlus.com

Fifi dhe MC Kresha, me dhimbje në ‘Kënga Magjike 2018’ (VIDEO)

Festivalin ‘Kënga Magjike 2018’ po vazhdon prezantimin e këngëtarëve të këtij edicioni.

Çdo të diele, në këtë festival po prezantohen këngëtarët pjesëmarrës, njëjtë edhe artistët e rinj, me anë të emisionit E diela Shqiptare nën moderimin e Ardit Gjebresë.

Dje, u veçua prezantimi i MC Kreshës dhe Fifit, në një bashkëpunim si asnjëherë më parë.

Tekstin e këngës “Psikopatja jote” e kanë shkruar dyshja ndërsa në vetëm pak orë kënga ka shpërthyer në rrjetet sociale. Duke se bashkëpunimi mes dyshes është gjetja e radhës në estradën shqiptare.

Festivali në muajin dhjetor do të mbajë netët gjysmëfinale dhe natën finale.
Fifi është ndër këngëtaret më aktive momentalisht, ndërsa MC Kresha gjithmonë vjen i freskët në zhanrin e tij. / KultPlus.com

Rreth 2 mijë e 800 arka druri për rekordin e ri të një peme të Krishtlindjeve

Një pemë Krishtlindje rreth 18 metra e lartë e kompozuar nga pirgje me arka druri të mbledhura në mënyrë vullnetare në qytetin e Geras, në lindje të Gjermanisë, ka thyer rekord botëror.

Instituti gjerman i rekordeve RID e shpalli kompozimin e arkave si një rekord të ri botëror për nga lartësia, deklaroi Bernd Lehmann i shoqatës ”the we4kids”, një nga shoqatat organizatore të projektit.

Pema e Krishtlindjes ishte e lartë 17,88 metra dhe u ndërtua me 2 790 arka të përdorura pijesh.

Me anë të këtij projekti pjesëmarrësin që morën pjesë në ndërtimin e pemës kërkonin të tërhiqnin vëmendjen ndaj varfërisë së fëmijëve në Gjermani dhe rëndësinë e punës vullnetare.

Rekordi i mëparshëm ishte 12 metra e 1 200 arka./KultPlus.com

Rita Ora mbushi 28 vjet, e uron nëna e saj

Vera Ora, nëna e këngëtares së famshme Rita Ora, i ka uruar ditëlindjen e 28-të përmes një postimi në Facebook.

Gjithashtu, Vera Ora ka publikuar edhe një fotografi në të cilën shihet Rita kur ka qenë e vogël, një vajzë shumë e lezetshme, transmeton Koha.net.

“Rita Pita, urime ditëlindjen zog. Të dua shumë. Kënaqu me albumin Phoenix”, ka shkruar nëna e Ritës./ KultPlus.com

Edon Muhaxheri shpalosi në Zvicër rrëfimin e alfabetit të harruar shqiptar

Edon Muhaxheri tashmë ka kthyer sytë e botës dhe shqiptarëve kah historia dhe një alfabet i lënë në harresë. Projekti I tij I titulluar “Evetari” u fokusua në ringjalljen e alfabetit origjinal të harruar, nga libri i parë Shqipëtar ABC, që i perket vitit 1844.

Ky alfabet bazamentin e ka në abetaren e parë e Naum Veqilharxhit. Punw autentike i siguroi një intervistë me Steven Heller për Magazinën PRINT, e cila u pasua me shfaqjen në GDUSA, AIGA Eye on Design, Design Week, HowThings Work, dhe media tjera lokale, shkruan KultPlus.

Para dita ditësh, ai ka prezantuar ekspozitën e tij në Cyrih të Zvicrës. N ë Galerinë e Artit Peyer, Muhaxheri ka dërguar Bredhin – Naum Bredhin, apo Naum Veqilharxhin, i cili ishte kundër çdo forme të dominimit ndërkombëtar në shqiptarë. Ai kësisoj kishte ardhur me idenë e një alfabeti unik për një gjuhë unike. Ai vizitën atje e ka përmbyllur me një ligjëratë publike ku ka shpalosur rrugëtimin e tij me Evetarin.

“Falënderime të veçanta për Brezi Ynë që ka marrë iniciativë dhe falënderojë për përkrahjen Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike” , ka shkruar ai në postimin e tij.

Edon Muhaxheri kishte rrëfyer se pas hulumtimeve të tij të gjata, pikërisht në momentin kur ai gjendej në prag të dorëzimit, ai arrin të kontaktojë me historianin Niko Kotherja, njëkohësisht dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Arsimit. Mes bisedave zbulon nga Kotherja që ai posedon një kopje personale të Evetarit, të cilën Kotherja e skanon dhe ia dërgon artistit.

“Kur ma ka dërguar Evetarin për herë të parë, më janë mbushur sytë me lot. Ka qenë e vështirë ta besoj që kam në dorën time një dokument kaq të vlefshëm”, kishte rrëfyer Edoni në Prishtinë, ku detajisht kishte prezantuar projektin e tij para publikut./ KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Amadeus” solli koncert dedikuar fëmijëve të komuniteteve pakicë

Shkolla e Muzikës “Amadeus”, në kuadër të projektit “Identifikimi i talentëve nga radhët e komuniteteve pakicë”, organizon koncert dedikuar fëmijëve nga këto komunitete, shkruan KultPlus.

Ky projekt ka filluar rreth dy muaj më parë dhe ka për qëllim identifikimin e talenteve të muzikës nga radhët e fëmijëve nga komunitetet pakicë, thuhet në një njoftim të shkollës së Muzikës “Amadeus”.

Projekti “Identifikimi i talentëve nga radhët e komuniteteve pakicë” është projekt i cili është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, ku fëmijët dhe të rinjët e këtyre komuniteteve do të përfitojnë duke mbajtur mësime të muzikës, teori dhe njohuri të instrumenteve muzikore, si dhe mësime të baletit.

Gjjatë realizimit të projektit, fëmijët dhe prindërit e tyre kane qenë shumë entuziastë. Mësimdhënësit gjithashtu janë shprehur shumë të kënaqur më fëmijët dhe me mënyrën e realizimit të projektit nga ana e shoqatës.

Në kuadër të këtij projektit i cili është duke u realizuar tash e dy muaj, e me rastin e festës së flamurit, sot me datë 24.11.2018 duke filluar nga ora 11:00 Shoqata e Artisteve të vegjël dhe të rinj “Amadeus”, në bashkëpunim me Shkollën e Muzikës Amadeus organizoi koncert dedikuar këtyre fëmijëve”.

“Në këtë mënyrë fëmijët do të shofin prej së afërmi moshatarët e tyre të cilët tashmë ndjekin mësimet për instrumente muzikore. Kjo gjithashtu do të ju ndihmojë fëmijëve të shprehin preferencat e tyre për ndonjë instrument në veçanti. Shoqata e artistëve të vegjël dhe të rinj, planifikon gjithashtu që fëmijët e komunitetit pakicë, ti inkorporojë në të ardhmen si pjesëmarrës/performues në koncertet e radhës”, shkruhet në njoftim. / KultPlus.com

Shqipëria ime e dashur, vend i bekuar nga Zoti e i mallkuar nga njerëzit

Nga Elisa Piperi

Kaos
Po nis me fjalën kaos dhe nëse e lexoni deri në fund këtë shkrim do përballeni sërish me të.
Dhe sikur të doja diçka ndryshe nuk do kisha çfarë! Janë 4 shkronja që flasin për kaq shumë gjëra njëkohësisht.

Shqipëria ime e dashur, vend i bekuar nga Zoti e i mallkuar nga njerëzit.

Shpeshherë e pyes veten se çfarë do të bëj unë në një vend të huaj larg Atdheut tim. Por nuk kam përgjigje, veçse pikëpyetje të shumta, po këtu çfarë e ardhme më pret..

[ ] Në këtë vend që tashmë mban aromë diktature…

-Këtu ku fasadat duan të fshehin gjendjen e mjerueshme.

-Këtu ku një lulishte e re fsheh gjëndjen fëmijëve që lypin në rrugë

-Këtu ku disa ndêrtime luksi të reja, fshehin mijëra shtëpi gati për tu shembur nga varfëria ekstreme,

-Këtu ku një ndërtesë shkollë e re, fsheh një brez që po keqarsimohet

-Këtu ku një spital i ri fsheh qindra e mijëra njerëz që nuk e përballojnë dot mjekimin.

-Këtu ku një i diplomuar i ri është një i papunë i ri…

-Këtu ku një vepër publike e re është një “sukses” i ndërtuar mbi fatkeqësinë e qindra familjeve.

-Këtu ku një shërbim i thjeshtë për qytetarin fsheh korrupsion dhe mungesën e cilësisë

-Këtu ku çmimet kapin majat dhe pagat kapin fundin

-Këtu ku e drejta ka vdekur dhe padrejtësia mban veshur mantelin e pushtetit,

-Këtu ku një sukses i ri është dështimi i radhës

-Kjo nuk është propagandë për tu larguar nga vendi por është një e vërtetë e hidhur që troket në dyert e secilit prej nesh.

-Dikush zgjedh të hap derën dhe ta luftojë.

-Dikush zgjedh të bëjë sikur nuk e dëgjon trokitjen.

-Dikush e hap derën por zgjedh ta injorojë.

Kjo është arsyeja e vërtetë pse ky vend është sot në këtë gjendje.

-Sepse për të keqen e madhe të përbashkët që çdokush e sheh, jo çdokush zgjedh të bëjë diçka për ta ndryshuar e për ta ndalur.

-Për të ndryshuar mendësinë

-Për të ndalur shfrytëzimin

-Për të ndryshuar frymën negative

-Për të ndalur mjerimin

-Për të ndryshuar të tashmen në të mirë të së ardhmes

Për të ndalur KAOSIN!

Në Bern festohet 28 Nëntori

Shoqata “Bashkimi”, Shkolla “Shqipe Ostermundigen” dhe Shoqata “Atdheu” nga Thuni organizuan një program artistik për ditën e 28 nëntorit Ditës së Flamurit.

Me anë të një njoftimi, vetë Shoqata Kulturore Shqiptare Bashkimi ka dhënë detaje në lidhje me organizimin.

Grupe muzikore, pjesë të tjera të vallëzimit e programe artistike u shfaqën sot në Bern ku u festua Dita e Flamurit, 28 Nëntori.

Parashikuesja e fatit

Poezi e shkruar nga Nizzar Qabbani.
Përktheu: Gili Hoxhaj

U ul me frikën në sytë e saj
Duke pa në filxhanin e përmbysur
i thotë “Mos u trishto, bir
është e shkruar të bini në dashuri”.
Biri im, ai njeri i cili e sakrifikon veten për të dashurën e tij,
është martir…

Për shumë kohë e kam studiuar “parashikimin e fatit”
por kurrë nuk kam lexuar një filxhan si ky i yti,
Për shumë kohë kam studiuar “parashikimin e fatit”
por kurrë nuk kam parë dhimbje të ngjashme me këto tuat,
Ti je i paracaktuar të lundrosh përgjithmonë
pa anije, në detin e dashurisë
Është e shkruar që jeta jote gjithmonë
të jetë një libër lotësh
dhe të burgoset
mes ujit dhe zjarrit.

Por, pavarësisht të gjitha dhimbjeve,
përkundër trishtimit
që është me neve ditën e natën
përkundër erës
motit me shi,
e ciklonit,
Është dashuri, biri im
Kjo do të mbetet përgjithmonë më e mira e gjithë fatit.

Është një grua në jetën tënde, bir
Sytë e saj janë aq të bukur
falë Perëndisë,
goja dhe qeshura e saj
janë plot trëndafila e melodi
…kurse dashuria e saj cigane dhe e çmendur për jetën
shëtit botën.
Gruaja që e do ti,
mund të jetë e gjithë bota
por qielli yt është plot me shi
rruga jote mbyllet e mbyllet, bir.
E dashura jote, biri im, po fle
në një pallat të mbrojtur,
ai që i afrohet murit të kopshtit të saj,
që hyn në dhomën e saj,
që i propozon asaj
ose përpiqet të bashkojë gërshetat e saj,
Do ta bëjë atë të humbasë, biri im … të humbasë

Do ta kërkosh kudo, bir
do t’i pyetni edhe valët e detit për të
do ta kërkoni edhe brigjeve të deteve
do të udhëtoni oqeaneve
dhe lotët tu do të rrjedhin si një lum’.
Krejt në fund të jetës tënde,
do ta kuptosh se që kur e dashura jote
nuk ka tokë, as shtëpi, as adresë
ju keni ndjekur vetëm një gjurmë tymi.
Sa e vështirë është, bir
të duash një grua
që s’ka as tokë, as shtëpi.

Dhurata Lazo Bejleri dhe Kristina Petrollari Laço u prezantuan me koncert të veçantë në Milano

Dhurata Lazo Bejleri është një ndër artistet më të njohura shqiptare, që aktivitetin e saj e zhvillon prej vitesh jashtë vendit. Pas aktiviteteve të shumta, ajo së fundmi është prezantuar edhe në Milano të Italisë, shkruan KultPlus.

Piansitja Lazo-Bejleri përmes një postimi në Facebook ka shpërndarë momentet e këtij koncerti të cilin e ka cilësuar si shumë të veçantë e ka thënë se është ndjerë si në shtëpi ndërsa ka falënderuar konsullatën shqiptare për prezencën dhe gjithë publikun.

“Koncert i veçantë për mua , falënderoj partneren time Kristina Petrollari Laço, Ina Piano për lojën e saj dinjitoze e me kualitet, sigurisht Piano Fazioli shoëroom per organizimin me nivel te larte , krenare edhe për veprën e Vasil Sofokli Tole që u prit bukur”, shkruan ndër të tjera pianistja./ KultPlus.com

Nën hijen e Majlinda Kelmendit

Sot në Prizren janë përuruar shtatorët e liderëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Avdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, shkruan KultPlus.

Në përurimin e këtyre shtatorëve kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, dhe kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka. Në mesin e këtyre liderëve, Majlinda Kelmendi ka qenë e vetmja grua që ka tërhequr mbulesën e kuqe në zbulim të shtatores, ndërsa në fotografitë e shpërndara shihen të gjithë politikanët shqiptarë të rreshtuar prapa saj.

Majlinda Kelmendi prin në listën e njerëzve që e kanë ngritur më së larti flamurin e Kosovës e ka ndikuar në forcimin e identitetit të një shteti të sapoformuar. Në vitin 2014, Majlinda u shpall xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë nga presidenti i FNXH, Marius Vize.

Në shkurt të 2016-ës, ajo fitoi medaljen e artë në Grand Slam Paris, duke e bërë këtë titullin e tretë radhazi pasi kishte fituar në 2014-ën dhe 2015-ën.Dy muaj më vonë, ajo fitoi një medalje të artë në Kampjonatin Europian të Judo në Kazan, Rusi. Në Lojërat Olimpike 2016 ajo u bë atletja e parë Kosovare që fitoj një medalje të artë, ose edhe thjeshtë një medalje, për Kosovën në Lojërat Olimpike. / KultPlus.com

Këta janë autorët e shtatoreve të liderëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot në Prizren janë përuruar shtatorët e liderëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Avdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, shkruan KultPlus.

Në përurimin e këtyre shtatorëve kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, Ministri i Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashi etj.

Autorë të shtatoreve të këtyre liderëve që kanë lenë gjurmë në histori, janë skulptori Agron Belakçori dhe Gëzim Muriqi. Muriqi sot ka shpërndarë disa fotografi ku tregon procesin e punës nga boceti e deri të finalja.
“Të nderuar që tashmë jemi pjesë e këtij vendi të shenjtë”, ka shkruar Muriqi në një postim në Facebook.

Përurimi i këtyre shtatorëve është bërë në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit./ KultPlus.com

Kordelja e bardhë vendoset në Qeveri për të nderuar gratë viktima të dhunës

Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore, e shënon hapjen fushatës së 16 Ditëve të Akti​vizmit me ndriçimi e Ndërtesës së Qeverisë – Zyrës së Kryeministrit.

Në qendër është edhe simboli i kordeles së bardhë dhe ngjyrë portokalli, në përkujtim dhe nderim të viktimave të dhunës, ku për here të parë do të shfaqen emrat e të gjitha grave që kanë humbur jetën në dy dekadat e fundit.

“Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit është fushatë botërore që organizohet çdo vit. Fushata fillon me 25 Nëntor, e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë.

Sipas njoftimit, çdo vit përmes fushatës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

“Simboli i fushatës është kordelja e bardhë, ndërsa ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia qe simbolizon një të ardhme të ndritshme dhe një botë të lirë pa dhunë ndaj grave”, thuhet në njoftim.

Ndërtesa është ndriçuar prej orës 17:00 dhe do të rri e ndezur deri në orën 24:00.

Dhuna nuk është vetëm fizike, dhuna është: Ti nuk ki me dal, ama telefonin, fshije atë buzëkuq

Ky tekst është marrë nga një fushatë në Itali, ndërsa të përkthyer e sjell Alketa Spahiu.

– Ti nuk ki me dal; ama telefonin; fshije atë buzëkuq; veshu më mirë; krehu më mirë; bëj grim me shumë; bëj grim më pak; nuk ki me shku te nana jote; shoqet e tua janë të pamoralshme; mshele gojën; nuk vlen asgjë; ti nuk ki më punu, mendo për fëmijët; jo palestër; nuk ja del me bo kurrë send të hajrit;
– te kontrollon shpenzimet; nuk të është afër në momentet kur ke nevojë ndërsa pretendon që ti të jesh gjithmonë afër tij kur ai ka nevojë.

Dhuna është ai:

– që të tradhton; që të poshtëron; qe të shan kishe tu bo hajgare; qe nuk kujdeset për familjen; që nuk të bon kurrë asnjë kompliment; me të cilin raportet seksuale janë obligim; që të refuzon; që të vnon në siklet; që vetëm ta lëshon një shikim e ti ki frikë me fol.

Sot është 59-vjetori i lindjes së Ragip Sylaj

Sot është 59-vjetori i lindjes së poetit e shkrimtarit tashmë të ndjerë, Ragip Sylaj. Sylaj ka ndërruar jetë në fund të muajit korrik të këtij viti, ndërsa pas vetës la mjaft krijime letrare të cilat e mbajnë gjallë figurën e tij.

Sylaj u lind në Sllapuzhan të Suharekës, ku i ka mbaruar mësimet e fillores dhe të gjimnazit. Ka kryer studimet master për teknologji në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.

Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë.

Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Ndërkaq, poezi dhe tregime të tij janë përfshirë në antologji të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja.

Sylaj ishte fitues i edicionit të parë të natës letrare të ‘Kultstrofës’. Shkrimtari i njohur kosovar Ragip Sylaj, ka fituar po ashtu çmimin për librin më të mirë për poezi “Kam drojë për ty”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës.

KultPlus e kujton sot me poezinë e tij “Letër engjëllit tim mbrojtës”.

I.
Si t’ia nis letrës që nuk shkruhet me ngjyrë, gjak as penë
Si t’ia nis të panisshmës të lajmërohem nga gryka e ferrit
Ndoshta ai është vetëm brenda meje
Vetëm përbrenda meje vlon, djeg prush

Jam në kurth me veten me dashurinë me urrejtjen
Për faj të pafaj për faj të pafuqisë sime
Apo të ndonjë shkaku të pathënshëm kozmik
E s’kam kujt t’i ankohem pos teje

Vetja nuk më kupton nuk e di sa më do
Shpeshherë më braktis si jetimin si mëkatarin e madh
Të tjerët nuk më duan nuk e di a më urrejnë
Por një gjë e di se këtu ku jam, jam i tepërt

Prandaj marr vetëm dhurata dhembjesh
Që i bart si relikte të shenjta
I ruaj brenda vetes përderisa të më bluajnë të tërin
Deri atëherë mund t’i shkruaj memoaret e hidhura
Dhe përsiatjet e pakuptimta: përse erdha në jetë
Përse i rashë këndejpari dhe çka lashë e ç’bëra
Për të mos i ardhur Tokës rënd
Kësaj nëne të mirë që na krijon me gëzim
Që na rrit me hare e na merr në gjirin e amshimit të vet

Vetja nuk më zë Engjëlli im Mbrojtës
Pikëllimi ma ka ngjyrosur fytyrën përbrenda
Dhe ma ka nxirë kaltërinë përjashta
Dielli i hutuar është fshehur pas një reje të zezë
Dikur agonte i bukur e magjepsës në imagjinatën time
Yjet në qiellin virtual
Që s’e kanë ndriçuar kurrë errësirën brenda meje
Mund të shfaqen pas mijëra vitesh drite hyjnore
Hëna si e përdalë shpërfaq gëzimin e vet naiv
As ftohtësia nuk ngroh as ngrohtësia nuk freskon
Në këtë pafundësi apokaliptike

Eja e më nxirr së këndejmi Engjëlli im Mbrojtës
Nxirre këtë fëmijë të plakur e të pamësuar me jetën
Me jetën që nuk çel lule të bardha në këtë kohë traumatike

II.

Kurrë s’më ka përqafuar dashuria aq sa më ka kafshuar urrejtja
Kurrë nuk m’është qasur mirësia aq sa m’ka ledhatuar përbuzja
Kurrë nuk m’u shfaq përdëllesa aq sa m’mbuloi vala e talljes
Kurrë nuk më buzëqeshi dielli i gëzimit aq sa ylli i zhgënjimit
Kurrë nuk m’trokiti n’derë shpresa aq sa m’vërshoi brenga
Kurrë nuk m’ka përdëllyer gëzimi përveçse kur nuk kam qenë aty

Ndoshta kam jetuar më tepër se që është dashur
Ndoshta u harxhuan jeta galdimi, hareja, shpresa
Ndoshta ato janë me mua por unë jam në gjumë
Ndoshta ato janë afruar e unë s’i vërej symbyllur
Ndoshta i ka ndalur dikush në t’bujshëm
Rrugës kah vinin për tek unë
Ndoshta kanë ardhur të tërmekura e nuk më kanë parë
Ose m’kanë parë të mërrolur e janë tutur prej meje
Ndoshta është faji im se s’kam ditur t’i tërheq
T’i josh s’kam ditur të flirtoj me to
Ndoshta në një tjetër rrenë kanë banuar ato
Ndoshta në një rrenë tjetër të bukur kam mundur të banoj unë
Unë i kam kërkuar edhe kur nuk është ditur për to
Ato më kanë kërkuar edhe kur nuk është ditur për mua
Por çudia si çdo çudi tjetër është si nuk u takuam kurrë
Apo kur u takuam nuk u njohëm
Apo ishim krijesa me maska dhe pa fytyrat tona t’vërteta
Se këndej t’frikësuar ikëm nga njëri-tjetri
Në dy anë të planetit në dy skaje të mendimit
Në dy pole të ëndrrës në dy vorbulla imagjinare
Përderisa n’pafundësi t’na bëjë bashkë pafundësia
Atëherë do të dalim të rikrijuar si pas Luftës së Trojës
Atëherë do të shpërfaqemi si pas themelimit të Romës
Atëherë do të rilindemi si pas luftës së Kosovës
Në një çast orgazme kur s’do të ketë kohë e hapësirë
Vetëm lumturia do të trillohet n’qeliza
Nga e cila do të çelin pafundësisht lulet e jetës
Edhe përtej vdekjes

III.
Kanë me ardhur pranverat e kanë m’i gjetë veç vargjet
Kanë me ardhë verat e kanë m’e gjetë veç blerimin e kallur
Kanë me ardhur vjeshtat e kanë me gjetë zbrazëti këngësh
Kanë me ardhë dimrat e kanë m’e gjetë kapituj t’ftohtë jete
Ka me ardhë Stina e Pestë me virgjëri të humbur
Vajtimi i zanave ka me i shurdhu’ Lugjet e Verdha

S’kanë me ardhë pranverat për harrimin e çartur habie
S’kanë me ardhë verat për kallirin e shurdhër të mendimit
S’kanë me ardhur vjeshtat për frytet e papjekura t’pendimit
S’kanë me ardhur dimrat për shpresat e mërdhira
Por ka me na bartur fjala prej libri në libër
Ka me na bartur poleni prej lulesh në lule
Ka me na bartur era si ajrin e dobishëm për bimë
Ka me na bartur përroi si etjen e djegur për zogj
Ka me na bartur gjethi si kujtimin e zverdhur ndër mote

Dikush ka me u ba këngë e dikush pemë e pjekur
Dikush ka me u ba elegji e dikush dru i djegur
Dikush ka me u ba kujtim e dikush përmendore fjale
Dikush ka me u ba trishtim e dikush muranë kujtese
Dikush ka me u ba pëshpëritje e dikush lapidar pendese

IV.
Ndaj po të nis letër ankimi letër njohtimi
Siç niset kërkesa për punë a lutja për shpëtim
Siç niset lutja për pendesë a kërkesa për ankesë
Të më fashitet tronditja e gjakut e turbullimi i shpirtit
Të mos e vjell veten as helmin të mos e mbaj brenda
Të mos mërdhij në fushë as t’mos digjem përbrenda
Paqen ta gjej atje tek e ka humbur i trazuari
Harmoninë ta gjej tek e ka humbur i shthururi
Guximin ta gjej atje tek e ka humbur qyqari
Mençurinë ta gjej atje tek e ka humbur i marri
Forcën e qëndresës ta gjej atje tek e ka humbur i vdekuri
Vetveten ta gjej atje tek e ka humbur i humburi

Ndaj letër po të nis Engjëlli im Mbrojtës
Një letër që s’shkruhet si shkruhet letra
Një letër siç nuk lexohet letra në turmë
Një letër me nga pak vrer me nga pak helm e nga pak mllef
Një letër e mbarsur shqetësim që i ka humbur poetit
Një letër e dehur zbrazëtie mendimesh t’paardhura
Një letër e zverdhur dhembjesh dhe kohësh të harruara
Një letër e zhubrosur moskujdesjeje dhe e vruguar

A është letër që e shkruan i vdekuri apo i palinduri
A thua e shkruan pendestari apo i pabinduri
A thua e shkruan këngëtari apo shtegtari
Gojëkyçur nga heshtja mashtruar nga tregtari
M’ndjej sa herë që kjo letër nuk është letër
M’ndjej sa herë që kjo këngë sa duhet nuk është vepër
Më ndjej sa herë që kjo letër nuk e bind Providencën
Dhe sa herë i shqetëson gjakrat e nuk e zgjidh çështjen

Po atje lart është paqja dhe ju s’e keni vetëm për vete
Atje lart është dashuria që mjafton edhe për të tjerët
Atje lart është mirësia që varfërohet po u konservua
Atje lart rri bujaria që pakësohet po s’u dhurua
Atje lart rri gëzimi që gëzohet kur dikë gëzon
Atje lart rri ndriçimi që nuk përhapet po s’rrezaton
Atje lart rri mençuria që marrëzia s’e pranon
Atje lart ngjizet jeta shenjtëri që grafullon
E të ligat na i prapëson

V.
Vallë është letër e shkruar nga varri apo në varr dërgohet
Vallë është letër e shkruar nga ferri apo nga ferri prapësohet
Vallë është letër e shkruar nga shkretëtira apo n’shkretëtirë lexohet
Vallë është letër e shkruar në kënetë apo në kënetë arrin
Vallë është letër e shkruar në zgafellë apo zgafella e zhbin
Vallë është letër e shkruar pa kuptim e moskuptimi e përpin
Apo është letër e stisur vetëm për art e për lexim

Zjarrin e prushtë ia ndien ai nga i cili buroi
Zjarrin e akullt ia ndien ai tek i cili përfundoi
Ankthin e gulçimin ia ndien ai që e krijoi
I ankthshëm e i akullt ndihet edhe ai që e shijoi
I brengosur u ndi ai që i skaliti këto radhë
Pa brenga nuk mbeti as ai që e përjetoi si përrallë
I nemitur mbeti në fund ai që këndoi nga zori
I pa nemitur nuk mbeti as ai që e interpretoi si aktori

Kjo letër u nis nga një i vdekur
Apo te i vdekuri ka ardhur
Kjo letër u nis nga shpella
Apo në shpellë ka mbërri
Kjo letër është shkruar nga një yll rojtës
Për të përfunduar te Engjëlli im Mbrojtës
Është nisur nga krijesa e kallur prej etjes
Nga një njeri që s’ka mundur ta luajë rolin e vetvetes
Nga një njeri që ka frymuar brenda fjalës
Brenda dhembjes kopsht parajse
Por dije imzot që s’po më lënë bremjet…
Sa herë po m’lëshojnë andrrat po m’kaplojnë dhembjet*

VI.
Engjëlli im Mbrojtës më trego
Si ta vizatoj melankolinë
Si ta pikturojë mërzinë
Si ta fotografoj pikëllimin
Si ta kompozoj dëshpërimin
Si ta skanoj mllefin
Si ta bëj shfaqje zhgënjimin
Si ta filmoj pakënaqësinë
Si ta bëj këngë padurimin
Si ta fsheh pafuqinë
Si ta bëj operë varfërinë
Si ta xhiroj tingullin jo ndrojtës
Më trego Engjëlli im Mbrojtës

Thuamë Engjëlli im Mbrojtës
A shlyhet vizatimi i melankolisë
A griset pastaj piktura e mërzisë
Si mund ta djeg imazhin e pikëllimit
Më tej si ta dekompozoj dëshpërimin
Pamjen e shëmtuar të mllefit si ta hijeshoj
Shfaqjen e zhgënjimit si t’ia maskoj publikut
Këngën e padurimit si ta qetësoj
Pafuqinë si ta shpërfaq n’epos heroik
Xhirimin e tingullit t’shpresës si ta bluaj
Engjëlli im Mbrojtës më thuaj

Më mëso Engjëlli im Mbrojtës më trego
Si ta zhvendos imazhin e melankolisë
Si ta çrrënjos barin e mërzisë
Si ta shartoj pemën e pikëllimit
Si ta rrënoj murin e dëshpërimit
Si ta qetësoj lumin e mllefit
Si ta thaj kënetën e zhgënjimit
Si t’i pres ferrat e mosdurimit
Si ta forcoj qenien e pafuqisë
Si ta ndërtoj shtëpinë e shpresës
Por jo dosido
Më trego Engjëlli im Mbrojtës më mëso

VII.
Kur të arrij letra te ti ndoshta mund të vdesë vdekja
Dhembja mund të shafitet në parahistori
Djalli mund të dalë nga trupi të shkojë me ujërat e zeza
Hidhërimi mund avullohet si ujtë e valuar

Sëmundja mund të shërohet para se të lëshojë rrënjë
Makthi mund të çlirohet si në një ëndërr të bardhë
Kujtimet e zeza do të fundosen në pellgun e harrimit
Kaosi do të organizohet në fund të rrënimit
Verbimit do t’i vijë drita e paparë më parë
Engjëjt e zinj do të vajtojnë pse s’u ftuan në garë
Muret do të rrënohen për ta çmbyllur vetminë
Burgjet do të shemben për ta zhburgosur dashurinë
Kur të arrijë letra te ti mund të jetë harruar vdekja
Në luadhe të ëndrrës mund të ketë lulëzuar jeta
Vetëm atëherë do ta dimë saktë ku do të jetë pikëpjekja

Andaj të lutem ma prapëso pikëllimin
Të lutem shumë ma zhbëjë si t’mundesh dëshpërimin
Porosit marangoz që t’ia hap derën gëzimit
Deri atëherë do të kem mësuar t’i gjej ilaç shqetësimit
Ma mëso rregullin e harmonisë aty ku s’e gjej dot
Ma mëso qeshjen të lutem aty ku veç mund të derdh lot
Ma mëso magjinë e dashurisë aty ku vërshon urrejtja
Më mëso të flas bukur aty ku s’durohet heshtja
Më mëso ta urtoj marrëzinë ta mençuroj çmendurinë
Të bëj ilaç nga helmi që askush dot s’e përpin
Më mëso të bëj ar nga hekuri o alkimist i mirë
Më mundëso ta shndërroj përherë ujin në verë
T’i strehoj të pastrehët të uriturit t’i ushqej
Apatridët t’i bëj me atdhe të robëruarve lirinë t’ua kthej!

(Mars- prill, 2016)

Aurela Gaçe do të ndezë “Natën e Bardhë” në Tiranë

E kthyer tashmë në një traditë, edhe në këtë fund nëntori “Nata e Bardhë” do të vijë me plot surpriza dhe më e zjarrtë sesa kurrë më parë.

Bashkia Tiranë ka menduar që për Festën e Çlirimit të vendit, më 29 nëntor, edhe këtë vit të organizojë një sërë aktivitetesh festive që revokojnë historinë e luftës kundër nazifashistëve, e gjithçka do të kurorëzohet me një mbrëmje fantastike në sheshin “Skënderbej”, me rastin e “Natës së Bardhë”.

E gjitha është konceptuar si një festë 24 -orëshe, ku të gjitha moshat do të kenë mundësi të gjejnë veten e tyre, për t’u mbyllur me spektaklin në sheshin “Skënderbej”, ku ngjyrave të Fshatit të Festave do t’u shtohen edhe ritmet e muzikës.

Suksesin e premton këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë dhe asaj popullore shqiptare, Aurela Gaçe.

“A jeni gati për një festë të magjishme për Natën e Bardhë? Aurela Gaçe na pret të gjithëve te sheshi ‘Skënderbej’. Tag miqtë dhe mos mungo!”, shkruan kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa njofton lajmin përmes rrjeteve sociale.

Krahas divës së muzikës shqiptare, në skenë do të ngjitet edhe Melissa Magnaneli, këngëtarja e talentuar dhe me zë të shkëlqyer që përfaqësoi Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar “Sanremo Junior 2012”. Në skenë do të ngjiten edhe këngëtarët Krenar Seiti, Xheisara etj. Një vit më parë, Bashkia e Tiranës solli në Tiranë, me rastin e Natës së Bardhë, këngëtaren e njohur britanike Emeli Sande.

Edhe të rinjtë e Kamenicës “veshin” drunjtë me pallto në aksionin për t’i ndihmuar të varfrit

Pallto të varura nëpër drunj të qytetit, janë pamje që ditë më parë qarkulluan nëpër mediat online që tregojnë solidaritetin e njerëzve nëpër shtete të ndryshme.

Nuk vonoi shumë dhe këtë hap e ndoqën edhe të rinjtë e Kosovës. Në Kamenicë, vullnetarë nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, kanë shpërndarë pallto në këtë mënyrë, raporton KTV.

Njëra nga anëtaret e këtij Këshilli, tha se ky aksion është bërë me mjete vetanake.

Ky grup i vullnetarëve kanë treguar për aktivitete të shumta humanitare që bëjnë në komunën e Kamenicës.

Një iniciativë e tillë ditë më parë, është zhvilluar në Komunën e Ferizajt, ku qytetarët kanë vendosur rroba dimri falas nëpër pjesë të ndryshme.

E, në Turqi dhe Bullgari, njerëzit kanë ndërmarrë një veprim të tillë human, duke vendosur xhaketa dhe xhupa nëpër pemë për të pastrehët dhe ata me kushte të rënda ekonomike.

Ti nuk lexon

Shkruan: Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të vdesësh. Sepse ti nuk lexon.

Vendi yt ka vuajtur diktaturën më kriminale të historisë së botës. Prej një çerek shekulli vendi yt është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.

Ti pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte fundi i botës.

Ti del ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të bukura, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet; “Janë bërë me pare droge”. Ore, të thotë ndonjëri, eja në vete, kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota. E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.

Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.

Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk të ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.

Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të pështira soc-filmash të neveritshëm. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.

Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se këta me mangall, prush, krruajtje, nevrikosje, përplasje, sepse ti nuk lexon.

Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.
Ti nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh lakuriq tek Sheshi Skënderbej. Edhe këtë ti e bën sepse nuk lexon.

Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i autorëve të këqinj, grafomanëve budallenj delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.

Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.

Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.

Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, flladet e paragrafeve, stuhitë e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve.

Hulumtimet shkencore tregojnë se ‘selfie’-t shkaktojnë narcizëm

Hulumtimet shkencore të Universitetit Swansea tregojnë se ‘selfie’ shkakton narcizëm. Rezultatet e një studimi të gjerë të universitetit prestigjioz britanik tregojnë se publikimi i shpeshtë i ‘selfie’-ve në rrjetet sociale mund të shkaktojë sjellje narcizoide.

Hulumtimi tregon se personat të cilët disa herë kanë publikuar foto dhe video në internet, është vërejtur rritje e vetive narcizoide me 25 për qind.

Studiuesit e Fakultetit të Psikologjisë gjatë katër muajve kanë ndjekur aktivitetet e 74 personave në rrjetet e njohura sociale, përcjell albinfo.ch.

Çrregullimi narcizoid tek personat karakterizohet me një ndjenjë të rritur të vetëpëlqimi. Vlera personale theksohet në mënyrë joreale me një egocentrizëm të theksuar.

Shpesh herë fantazojnë për suksese të pafundme, aftësi të mëdha, superioritet, bukuri, inteligjencë, forcë të madhe dhe dashuri ideale. Qëllimi dhe funksioni i fantazive të tilla është për të plotësuar dhe ndryshuar realitetin si dhe ambiciet të cilat nuk mund të arrihen.

Studimi ka përfshirë personat e grupmoshës nga 18 deri 34 vjeç ndërsa janë pyetur rreth perceptimit të tyre për personalitetin e tyre.

106 vjet më parë Elbasani ngriti flamurin e Pavarësisë

106 vjet më parë ishin patriotët e Elbasanit ata që shpallën Pavarësinë e qytetit të tyre për t’i hapur rrugë më pas Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, deputetë, pushtetarë të tjerë vendorë, veteranë dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ngriti simbolikisht Flamurin e Pavarësisë, pranë memorialit të Partiotit Aqif Pasha, ndërsa mbajti fjalën e rastit duke nderuar kontributin e atyre që dhanë jetën për Pavarësinë e vendit.

“Po me të njëjtat sakrifica dhe përkushtim duhet të punojmë fort për ta zhvilluar edhe më tej qytetin tonë, vendin tonë”, theksoi Sejdini.

Vlerat e këtij organizimi i shtoi ekspozita me fotografi të Elbasanit të 100 viteve më parë, marrë nga arkivat e Vjenës, një kontribut ky i qytetarëve të Elbasanit që edhe një herë tregojnë vlerat e tyre të jashtëzakonshme në kulturë dhe qytetari, shkruan ata.

62 fotografi që sjellin Elbasanin e viteve 1916-1918 ku shohim një zhvillim dhe qytetërim të hershëm të një qyteti që ndoshta ka ende për t’u zbuluar./ KultPlus.com

“Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne”

Poezia “Gjykimi” nga Esad Mekuli.

Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët
e fëmijëve tanë
dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë
për ne-
(Breznitë veprat i gjykojn .. -ka thanë nji njeri i
madh!)-
dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet
tona, shtërzimet’
për gabimet-t’vogla e t’mëdha-për të
mbërrimet tona…
Pse-kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja
-pos vorreve dhe padijes;
kush ka faj që aq kohë-errësija dhe vetmija-
si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?!
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve
tanë-breznitë,
dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës
së Re-dhe plot diell e dashni;
do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me
binduni fëmive të vetë
si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia,qytete t’reja,
fabrika dhe katunde…
si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime-
tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë…
(Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çd! o gja, si me
qenë mjeshtra çollakë,
me pak dije po me shumë e shum vullnet…)

“Nuk ka madhështi aty ku s’ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë”

“Asgjë nuk është më e nevojshme për një mashkull të ri, se sa shoqërimi me një grua inteligjente.”

“Nuk ka madhështi aty ku s’ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.”

“Ju mund ta dashuroni një person me dashuri njerëzore, por një armik mund të dashurohet vetëm me dashuri hyjnore.”

“E gabuara nuk ndalon së qenuri e gabuar, vetëm sepse shumica janë pjesë e saj.”

“Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.”

– Leo Tolstoy

Përurohen shtatoret e tre liderëve historikë

Sot në Prizren janë përuruar shtatorët e liderëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Avdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi.

Në përurimin e këtyre shtatorëve kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, etj.

Përurimi i këtyre shtatorëve është bërë në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, transmeton “Epoka e re’.