Madhështia e Himarës nën petkun e dëborës, me syrin e fotografit italian

Dëbora në malet e Himarës ka tërhequr vëmendjen e fotografit italian Luigi Marzo, duke na dhuruar fotografi të mrekullueshme të vendit tonë.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “jemi mësuar me pamjet e spektaklit që ofron Himara në bregun përballë, Salento – Italia. Sidomos javët e fundit kur temperaturat kanë rënë dhe madhështia e maleve tona është aq e pranishme tek italianët përballë, që mahniten me këtë hijeshi krenare dhe të veçantë të Himarës sonë”.

“Por mendoj se kaq bukur me dëborë s’mund të jetë dukur Himara jonë në Otranto apo në Lecce… Luigi Marzo vazhdon të na përkëdhelë jo vetëm ne, por të gjithë publikun e gjerë italian me këto pamje fantastike të Himarës ndryshe, Himarës me dëborë”, thekson Goro.

Kryebashkiaku i Himarës thotë se “pika më e afërt dhe padyshim më e veçantë për të krijuar një imazh të bukur për Shqipërinë. Himara jonë, e së Nesërmes kaq pranë Europës. Një dallgë larg…!”.

Edhe më parë fotografi italian Luigi Marzo ka realizuar fotografi mahintëse të Himarës, ndër të cilat përmendim ato të perëndimit të diellit.

Me një bregdet të mrekullueshëm dhe male të larta, Himara vijon të tërheqë vëmendjen e turistëve të shumtë, ku gjatë vitit 2018 shënoi një rritje prej 20% të tyre.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./ A.T.SH/ KultPlus.com

Besëtytnitë shqiptare për miqtë dhe miqësitë

Në librin “Doke e Zakone shqiptare”, mbledhur nga Atë Donat Kurti dhe botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendosen besëtytnitë që lidhen me çdo krahinë e zakon. Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt shkruhet:

“Besëtytni në lidhni me mik.

– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).

– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).

– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).

– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).

– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).

– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).

– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).

– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër)”. /Konica/KultPlus.com

Unë me 35 këshilltarët e mi

Arbër Selmani

Marr shkas sepse lexoj. Dhe anash leximit për pesë palë qejfe, lexoj për Haradinajn dhe shokët e tij. Ja çfarë thotë një lajm që e lexoj 2 minuta pasi kam pirë ilaçin kundër streptokokut:

‘Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë’

I mendoj dy gjëra. Këshillimin si veprim, dhe faktin se bakteria e streptokokut qenka më e poshtër e problematike se e paskam menduar unë kohë më parë. Por, të ndalemi tek e para.
E mendoj Haradinajn dhe them me vete, lum si ky që po këshillohet nga të katër anët e botës. E këshillon ky, e këshillon ajo, këshillohet sigurisht prej familjes së tij, këshillohet prej kolegëve të afërm që nuk janë këshilltarë por prapë kanë talentin e thuktë të këshillimit, këshillohet prej miqve, këshillohet prej unit brenda tij, prej Haradinajt brenda tij që padyshim është edhe ai këshilltar.

***

Ta mendosh më pas Kosovën si vatrën e këshillimit. Këshillat e babës, që shkuan kurrkund, më shpejt se rrotat e veturave në rrugën B. Ta mendosh se këshillohemi nga familjarët, kolegët, këshillohemi në rrugë, nga taksisti, këshillohemi për lidhjet e dashurisë nga shoqet që kanë frikë të shkruhen me burrat që ju pëlqejnë. Këshillohemi me mjekun për antibiotikun, anipse antibiotiku ishte ai që më çoi në spital para pak muajve. Këshillohemi. Këshillohemi. Sa e thellë këshilla e gjithsecilit.

Ta mendosh më pas Kosovën si djepin e këshillimit. Nisemi prej piramidës – ata lartë këshillohen çdo ditë, madje në obligimet e punës sigurisht ju shkruan – TA KËSHILLONI SHEFIN TUAJ – ose – ÇDO DITË, KËSHILLIMI I NJERIUT TË CILIT I DETYROHENI KËTË RROGË. Nëse jo kështu, atëherë në njërën prej pikave të kontratës figuron – GJATË DITËS, TROKITNI NË DERËN E LARTMADHËRISË DHE KËSHILLOJENI MBI ÇKADO QË E MUNDON ATË. Pra në këtë Kosovë të shkretë ka burra dhe gra të cilët pa pasur diplomë psikologu a sociologu a filozofi a filozofe a matematikani a psikiatri a neuropsikiatri, vazhdojnë këshillimin. Kokat e mëdha këshillohen si të vishen, si të printojnë faqen në të dyja anët, si të respektojnë folësin përballë, normalisht nuk janë këshillat të njëjtat si për udhëtimin në Bruksel apo atë në Nju Jork – gjithçka ndryshon. Mbledhja e së premtes mëngjesore është e tëra e përkushtuar për KËSHILLIMIN. Ku janë këshilltarët? Le të dalin para dhe të na flasin për më të rejat në fushën e këshillimit…..

Vazhdoj dhe prapë i kthehem të njëjtit lajm, të njëjtave rreshta:

Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë

U ndala dhe thash, ta kthej pak pasqyrën kah vetja. Unë dhe 35 këshilltarët e mi. Jam i sigurtë që më i madhi, trupmadhi im, do të më këshillonte kur ta marr Ksanaksin dhe kur ta marr Leksiliumin, sepse nuk e do rendi që këto dyja të goditen njëkohësisht në edukatën mjekësore. Ai do të duhej të lexonte mbi depresionin, simptomat, miligramët, paraditet, masditet, kohët e pas-ushqimeve, barkun e thatë, gjumin e keq, gjumin e mirë, ecjen e mëngjesit, ecjen e mëngjesit që nuk ndodhi kurrë. Këshilltari i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë do ta këshillonin të parin. Pra do ta ushqenin atë, që ai të ishte i fortë, do t`ja lanin këmbët dhe do t`ja puthnin sytë. Këto këshillime nuk dua ti shoh, kuptohet, çka ndodhë mes këtyre gjashtë këshilltarëve nuk më intereson sepse kam plot broçkulla personale. 14 këshilltarët tjerë do ti detyroj të lexojnë libra, që çdo vikend të mund të më vijnë me ndonjë pasazh libri të cilat do t’i shfrytëzoja për ti dhënë një frymë të fundit vdekjes time intelektuale. Mbesin 15 këshilltarë. Disa prej tyre kanë studiuar jashtë vendit, disa prej tyre më organizojnë mbijetesën në rrjete sociale, njëri është mekanik, dhe ajo çka mbetet në fund është shoferi, që do të më këshillojë derisa unë jam në ulësen e pasme të veturës që e paguaj vet, unë edhe komshia im. E këshillat janë nga më të ndryshmet: 

Mukoza është e tmerrshme për shendetin e njeriut –  Kadareja i ka disa libra por unë e gjeta “Prillin e thyer” dhe qenka kërrsh, jashtë e brenda – Letrës së bardhë në psikologji shpesh i thonë tabullarasë, si mendja e njeriut kur është e pashkruar – Anton Çetta është kartë e mirë nëse dëshiron ta përdorësh brenda ndonjë shkrimi tënd – Mukoza, qysh më tha një shok, mundet me të shkaktu probleme me zemrën –  Neve që kemi studiu në Amerikë na kanë shumë inati këtu, veç si këshilltarë po nab ëhet një vend.

Kaq shumë këshilla, kaq pak kohë për të jetuar. Unë me 35 këshilltarët e mi.

***

Hec e mos u çmend me kaq shumë këshilla. Çka bën një person që nuk ka lidhje mbi diplomacinë, edhe me 5 milion këshilltarë? Nuk po e mendoj Haradinajn, kuptohet, veç edhe shokët e tij? Çka bëjnë një grup i burrave dhe grave që duhet ta kalojnë jetën e tyre të mjerë duke këshilluar të tjerët, kur as këshillat nuk ndihmojnë në këtë kuti ku vjen erë e keqe e ku pretendojmë se po jetojmë?

Ose, çka janë këta këshilltarë? Çka është këshillimi për njerëzit që pak dëgjojnë e më shumë flasin? Çfarë mendime i rrahin tërë kjo klasë politike kur bëhen bashkë në odat e tyre, për të zgjidhur çështjet madhore? Hyn në fjalor dhe e kontrollon kuptimin e fjalës: Këshillim? Kush kë e këshillon: aktivi pasivin apo pasivi aktivin? Studiuesi amaterin apo amateri studiuesin? Ku u shkolluat ju, që të vije kjo ditë për ju e këshillat tuaja? E ardhmja ime, se po bëhem qesharak, varet diku prej këshillave tuaja? Na tregoni dy këshilla që na shpëtuan, na jepni tri këshilla që na dhanë jetë, ose rrëfeni dhjetë këshilla që na nxjerrin prej tunelit pa dritë.

***

E lexoj lajmin në portale, versionin e gjatë të tij, dhe nuk më tundon asgjë më shumë se fjala këshilltarë*

Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë

Kthehem te piramida dhe e kuptoj se, në këtë Kosovë, kur nuk ke çka bën, mendja jote automatikisht ka pjellur një këshillë që fluturon në ajër derisa e gjen viktimën e vet. Para disa vitesh, pata dalë në takim me një psikologe, sepse kisha nevojë për seks. Disa javë më vonë, edhe me një psikolog, por edhe me këtë nuk shkoi mirë për asnjë qëllim. Të dytë kishin nevojë për këshillim, siç kisha unë. Asnjëri edhe sot nuk i kemi 35 këshilltarë që paguhen prej parasë së skamjes. Kjo shoqëri nuk e ka dashur kurrë veten, askush se ka mësuar ta dojë veten, askush se ka mësuar asnjëri ta dojë vetveten, dhe prapë vazhdojmë të këshillohemi kokë-më-kokë, duke menduar se politikisht këshillimi është gjë e drejtë.

Dekretohen të gjithë ministrat, por jo edhe Gent Cakaj nga Kosova

Presidenti Ilir Meta sapo ka firmosur dekretet për 4 ministrat e rinj të propozuar nga Rama.

Ai ka dekretuar Elva Margaritin, Ministre E Kulturës, Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit Dhe Rinisë, Anila Denaj, Ministre E Financave Dhe Ekonomisë dhe Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës Dhe Energjisë, shkruan Sot.al

Por ende nuk ka një dekret për shkarkimin e ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati, ndaj dhe dekreti për emërimin e ministrit të ri Gent Cakaj duket se do të qëndrojë më gjatë në presidencë si rasti i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. / KultPlus.com

Bora, brymishta, krahneza, skllotina… fjalët e ndryshme për borën

borë/a

boricë/a — borë e hollë që shoqërohet me erë shumë të ftohtë.

borimë/a — borë e imët e përzier me shi.

bornajë/a — borë e madhe që ka mbuluar një vend

bufnjak/u — borë e imët dhe e butë si miell; borë jo e ngjeshur, e shkrifët.

brazimë/a — dëborë e hollë dhe e ngrirë.

brymishtë/a — dëborë e imët dhe fare e pakët, aq sa mezi zbardh tokën.

cakërri/a — shi i ftohtë, i përzier me borë.

cirkatë/a — Dëborë me shi bashkë, dëborë e qullët.

dejë/a — vend ku dëbora ka shkrirë fare ose është ulur.

dëborë/a

fërfëllizë/a — borë shumë e imët që bie e shoqëruar me erë të ftohtë, stuhi me borë të imët.

fërkem/i — gjurmë që lënë zakonisht kafshët e egra në dëborë, në baltë etj.

fijat (pavet.) — bie pak borë e hollë, fijon.

fjollë/a

frijë/a — borë e grumbulluar nga të fryrit e erës në pullaze a rrugë.

frulli/a — fërfëllizë.

frullon (pavet.) — fryn erë e fortë me borë, fryn fërfëllizë.

fryjë/a — borë e grumbulluar nga era nëpër gropa, nëpër hendeqe etj.

goren/i — erë e veriut, veriu; dëborë e madhe me erë të fortë.

guzhmë/a — secili nga dy rrathët e thurur prej thuprash, që vihen në këmbë për të mos u fundosur ose për të mos rrëshqitur në dëborë.

hordop/i — gropë e madhe që mbushet me dëborë (zakonisht në majat a në pjesët e larta të maleve).

imton (pavet.) — bie shi i hollë ose dëborë e imët.

kit/i — borë që rri në në degë të pemëve dimrit.

klitë/a — borë e ngrirë në degët e pemëve.

krahnezë/a — dëborë e ngrirë që ngjit mbi degët e drurëve; shtresë bryme e ngrirë mbi tokë, mbi bar ose mbi gjethet e degët e bimëve.

lëmesë/a — vend i lagët, me baltë ose me borë, ku të rrëshqasin këmbët

llapërçinë/a — borë e përzier me shi.

llapërkajë/a — llapërçinë.

llohë/a — borë e përzier me shi ose me breshër të imët, që bie zakonisht në mot me erë; borë e lagësht

llurbëtirë/a — borë e squllët.

miellazë — borë e imët si miell; pluhur bore që ngrihet kur fryn era.

mizon (pavet) — bie borë e imët.

përborm-ë/e (i/e) — i mbuluar me borë, i bërë me borë.

pjalm/i — Borë shumë e hollë; borë e imët që e ngre era përpjetë.

pupëlon (pavet.) — fijon borë.

ravë/a — rrugë e ngushtë, e çelur në mal; rrugë dhish, shteg; rrugë e çelur nëpër dëborë.

rre/ja — shteg i ngushtë; rrugë e ngushtë e hapur në dëborë.

rogavet (pavet.) — shkrihet bora roga-roga.

skllop/i — baltë e përzier me borë të shkrirë.

skllotë/a — shi e borë që bien bashkë.

skllotinë/a — skllotë.

shkupë/a — erë e fortë që shkrin dëborën

shqotë/a — skllotë.

shtrezë/a — borë e ngrirë në degët e drurëve

suferinë/a — erë e vrullshme dhe e ftohte, shpesh me borë a me shi të hollë.

tamblaborë/a — qumësht i përzier me borë.

thekon (pavet.) — bie me thekë (për borën).

vrotom/i — gropë e madhe në malet e larta e mbushur gjithnjë me borë, ku pinë ujë bagëtitë, gjatë verës

vrujishtë/a — vrotom.

(NGA PLATOR GASHI)

Krahët e nënës janë më ngushëllues se të çdokujt tjetër

Disa fraza të bukura për nënën.

Jeta filloi me zgjimin dhe dashurinë për fytyrën e nënës sime. (George Eliot)

Gjëja e bukur e një nëne është dhembshuria e saj, sa jep ajo, qoftë për fëmijët e saj, për nipat e mbesat apo për botën. Ajo ka një shkëndijë. (Kate Hudson)

Dashuria e nënës është lumturi, është paqe. Nuk ka nevojë të merret, nuk ka nevojë të meritohet. Ajo është aty si një bekim. Dhe kur nuk është, duket sikur e gjithë bukuria të ketë dalë nga jeta. (Erich Fromm)

Nëna është ajo histeria që shpërthen zemrën e lumturisë. (Oscar Wilde)

Një nënë është shoqja më e vërtetë që kemi, kur gjykimet e rënda dhe të papritura bien mbi ne; kur fatkeqësia zë vendin e begatisë; kur miqtë na braktisin; kur problemet shtohen rreth nesh, ajo ende do të kapet tek ne dhe do të përpiqet me urdhëresat e saj të sjellshme dhe këshillat për të shpërndarë retë e errësirës dhe për të kthyer paqen në zemrat tona. (Washington Irving)

Krahët e nënës janë më ngushëlluese se të çdokujt tjetër. (Princesha Diana)

Sepse unë e di se në majat e qiejve / engjëj, duke i pëshpëritur njëri-tjetrit / thonë se nuk mund të gjejnë, mes fjalëve të tyre të djegura të dashurisë / asgjë që të shprehë përkushtim, sa ai i Nënës. (Edgar Allan Poe)

Asnjë gjë nuk është e sigurt në këtë botë kënetë që ne jetojmë. Por ama, dashuria e një nëne është. (James Joyce)

Nëna: çdo dashuri fillon dhe përfundon aty. (Robert Browning)

Po të isha varur në kodrën më të lartë / nëna ime, nënë, o nëna ime / Unë e di që dashuria jote do të më ndiqte përsëri / nëna ime, nënë, o nëna ime! (Rudyard Kipling)./bota.al/ KultPlus.com

Njeriu në pasqyrë

Michael Jackson. Përkthyer nga Xhensila Alla.

Unë do bëj një ndryshim,
Për herë të parë në jetën time
Do jetë me të vërtetë diçka fantastike
Do bëj një ndryshim
Do bëj gjënë e duhur
Ndërkohë që rregulloj jakën
Në pallton time të prefuar të dimrit
Era me godet fuqishëm
Shikoj fëmijët në rrugë,
Nuk kan mjaftueshem për të ngrënë
E kush jam unë që të mbyll sytë?
Të shtirem sikur nuk i shikoj nevojat e tyre
Një shpërfillje e verës, një shishe e thyer
Dhe shpirti i një njeriu
Ndjekin njëra – tjetrën me erën, e di?
Sepse nuk kan ku të shkojnë
Prandaj dua të dish
Po filloj me njeriun në pasqyrë
Po i kërkoj atij të ndryshojë sjelljet./ KultPlus.com

Dua Lipa në studio me Calvin Harrisin e Tove Lo

Duket se Dua Lipa do të sjellë edhe një bashkëpunim me DJ e mirënjohur Calvin Harris, pas suksesit të jashtëzakonshëm me “One Kiss”.

Ata të dy janë parë së fundmi në një studio edhe me këngëtaren Tove Lo, transmeton Koha.net.

Një video e tyre është shpërndarë në Twitter dhe fansat po shpresojnë se do të sjellin një bashkëpunim, shkruan Billboard./ KultPlus.com

https://twitter.com/PopCraveNet/status/1082997417547567106

‘Rrjetet sociale janë të dëmshme, aty je personi i cili nuk je në realitet’

Si sot, para 2 vitesh, ndërroi jetë një prej filozofëve e intelektualëve më të njohur, Zygmunt Bauman.

Bauman, një sociolog dhe studiues i realitetit, e mbi të gjitha edhe i Holokaustit, në një intervistë të tij të vitit 2016-të pati thënë se rrjetet sociale janë një kurth për njerëzit.

“Pyetja mbi identitetin e njeriut është transformuar ndër vite, nuk është identiteti më diçka e dhënë, por diçka që ti e krijon. Megjithatë, rrjetet sociale e krijojnë një zëvendësim. Ju jeni ndryshe në rrjete sociale, dhe jeni ndryshe në jetën e përditshme. Në fakt, ti e ke jetën dhe komunitetin tënd, por rrjetet sociale nuk i ke ti, ato të kanë ty në dorë, secila prej tyre” pati thënë mes tjerash Bauman, një filozof polak i njohur pë rata që lexojnë sociologji e filozofi.

“Mund të shtosh shoqërinë, dhe mund të fshish këdo që dëshiron, pra ke kontroll mbi njerëzit me të cilët kontakton. Njerëzit ndihen më mirë për shkak se po mendojnë se po zvogëlohet vetmia – më i madhi kërcënim i kohëve moderne të individualizimit. Nuk është debat i rëndësishëm ai që bëhet me njerëzit që mendojnë sikur ti. Rrjetet sociale nuk mësojnë dialogim sepse shumë lehtë largohesh prej mospajtimeve. Shumë njerëz përdorin rrjetet sociale për të gjetur zonën e rahatisë, aty ku i vetmi zë dëgjohet është zëri i tyre dhe e vetmja fytyrë që shohin në fakt është fytyra juaj. Rrjetet sociale janë të përdorshme, kanë përdorim, por janë vetëm një kurth i kohës” pati thënë Bauman. / KultPlus.com

Historia e Brunos, qenushit që deshën ta mbysnin në lagjen Ulpiana

Bruno ishte gati të mos ia dilte, por dikush kaloi afër dhe e shpëtoi.

Derisa fëmijët në lagjen Ulpiana në kryeqytet donin ta mbysnin Brunon, qenush i zi e mjaft simpatik dhe energjik, Blerti – sot pronari i tij, e shpëtoi atë dhe sot shëtitë rrugëve të Prishtinës me të.

Në këtë kohë kur po shohim se si njerëz të pashpirt i fusin në përleshje mes vete qenushët e tyre, Blerti vjen si shembull i shpëtimit të një kafshe – një qenie tjetër në këtë botë.

Në faqen United for Animals është treguar rasti i Brunos, i cili sot e ka edhe faqen e tij në Instragram. Nuk keni parë një qenush më të bukur dhe energjik sesa Bruno.

“Adoptimi i Brunos ka qene njo prej vendimeve ma te mira qe i kom mar deri tash! Edhe pse Bruno ka qene i keqtrajtum prej fmive, sot ai i jep secilit fmi dashuri me krejte qenien e tij. Po shpresoj qe edhe njerez tjere si une kane me i jep vetes rast me perjetu dashurine e pakrahasueshme te nji qenit endacak” ka shkruar Blerti në postimin në Facebook, duke treguar rrugëtimin që i ndodhë çdo ditë me Brunon, rrugëtim ky i nevojshëm edhe për jetën e Blertit.

Brunon po provonin ta mbysnin duke e future në qese, duke e fundosur në ujë që t`ia merrnin jetën në një mënyrë mizore, fëmijët e paedukatë të Prishtinës. / KultPlus.com

Në Holandë ndërtohet rruga e parë me material plastik të riciklueshëm

Rruga e parë e ndërtuar me material të riciklueshëm është pagëzuar me emrin “Plastic Road”. Ajo mendohet të jetë një nga “barkat e shpëtimit” për tokën dhe oqeanet e pushtuar nga 8.3 miliardë ton mbeturina.

Në qytetin Zvole, në Holandë, ka nisur të ndërtohet rruga e re e dedikuar për biciklistët. E veçanta e panelit të parë të instaluar në këtë pistë, ështe se ai në 70 % të tij ka si material plastikë të riciklueshme, ekuivalenten e 218 mijë gotave plastike kurse e gjithë gjatësia e rrugës është ekuivalente e 500 mijë shisheve plastike.

Rruga e parë e ndërtuar me material të riciklueshëm është pagëzuar me emrin “Plastic Road”. Ajo mendohet të jetë një nga “barkat e shpëtimit” për tokën dhe oqeanet e pushtuar nga 8.3 miliard ton mbeturina.

Pjesa e parë e rrugës së “ciklit të qëndrueshëm” e përurua në Zvole, u instalua në një kohë të shkurtër, fal dhe strukturës së saj modulare. Modulet që krijojnë rrugën mund të akomodojnë brenda vetes jo vetëm tuba e kablo, por dhe sensore që kontrollojnë gjendjen dhe temperaturën e sipërfaqes së rrugës.

Rruga me plastikë të riciklueshme mendohet se do ta ketë jetëgjatësinë 3 herë më të madhe se rruga me material tradicional. Një tjetër anë pozitive e rrugës është pesha e materialit të saj, 4 herë më i lehtë se materiali i zakonshëm që mbulon pistat e biciklistëve.

Qilim i ri i kuq, rezultat i mijëra shisheve plastike të ricikluara, është i padepërtueshëm nga uji dhe eliminon problemin e gropave që shfaqen në asfalt me kalimin e kohës.

Kompania ndërtuese e rrugës plastike ka njoftuar se në muajin shkurt do të instalojë në Overijssel një tjetër qilim të kuq, teknikisht me përmirësime krahasuar me rrugën e Zvole/Shqiptarja/ KultPlus.com

Kinemaja ABC fillon vitin me premierën e filmit “Juliet, Naked”

Premiera e parë për vitin 2019 që do të shfaqet në kinemanë ABC është premiera e filmit “Juliet, Naked”, shkruan KultPlus. 

Filmi do të shfaqet nga dita e enjte më 10 janar, në ora 20:00 dhe 22:00, duke vazhduar çdo ditë në të njëjtat terminë.

Annie (Rose Byrne) është e mbërthyer në një marrëdhënie afatgjatë me Duncan (Chris O’dowd) – një tifoz i ngulët i rokerit të panjohur Tucker Crowe (Ethan Hawke). Kur demoja akustike e hitit të Tucker thyen rekordin 25 vjet më parë, lirimi i tij çon në një takim që ndryshon jetën e vetë rokerit. Bazuar në romanin e Nick Hornby, “Juliet, Naked” është një tregim komik për shanset e dyta të jetës.

Në kinemanë ABC do të shfaqet edhe filmi për fëmijë “Ralph breaks the internet” 3D, në ora 16:00 ndërsa gjatë vikendit në ora 14:00 dhe 16:00. 

Gjashtë vjet pas ngjarjeve të “Wreck-it Ralph”, Ralph dhe Vanellope, tani miq, zbulojnë një wi-fi router në arkadat e tyre, duke i çuar në një aventurë të re. Djaloshi i keq i video lojërave Ralph dhe shoqja e tij e keqe Vanellope Von Schweetz duhet të rrezikojnë të gjitha duke udhëtuar në World Wide Web në kërkim të një pjesë zëvendësuese për të shpëtuar videon e Wanellope, “Sugar Rush”.

Po ashtu do të jetë edhe filmi “Bumblebee”, në ora 18:00. Film ky aksion, aventurë dhe fantastiko-shkencor. 

Gjatë arratisjes në vitin 1987, Bumblebee gjen një strehë në një qytet të vogël të plazhit të Kalifornisë. Charlie (Hailee Steinfeld), në majën e kthesës së moshës 18 vjeçare, përpiqet për të gjetur vendin e saj në botë, zbulon Bumblebee, të dëmtuar dhe të thyer nga beteja. Kur Charlie e ringjall atë, ajo shpejt mëson se kjo nuk është një makinë e zakonshme, e verdhë./ KultPlus.com

Në Kolumbi një qytet quhet Albania, por a ka lidhje me shqiptarët?

Një vend në Kolumbi mban emrin e shtetit shqiptar. Por këtë me siguri e dinë shumë pak shqiptarë.

Qyteti me emrin Albania është qendër komune në Departamentin Kolumbian të La Guajira, në Detin e Karaibeve, transmeton Shqip.

Emri i provincës ka qenë Calabacito dhe u ndryshua në Albania në vitin 1937 nga një komisar i La Guajira.

Komisari i vendosi provincës emrin Albania për shkak se gruaja e tij quhej Alba.

Megjithatë ekziston dhe një version tjetër, sipas të cilit thuhet se komisari i vendosi emrin duke iu referuar vendit tonë.

Popullsia e Albanian është një popullsi relativisht e re e përbërë nga 51% e meshkujve dhe 49% e femrave. 29% e tyre e konsiderojnë veten autoktonë ndërsa 10% mestizo, raizal ose afro-kolumbianë./ KultPlus.com

Ata që dashurojnë akoma

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.


Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Studenti Benart Shala, pjesë e garës për arkitekturë

Studenti i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Benart Shala, me projektin e tij, “Achtecture through butterfly effect”, është bërë pjesë e më shumë se 100 arkitektëve të rinj nga e mbarë bota, të cilët po marrin pjesë në garën e organizuar nga Future Achitecture Platform.

Ideja e projektit të Benartit është mënyra e përfshirjes së efekteve të ndryshme, për t’i dhënë përjetim ndryshe arkitekturës në të ardhmen. Ndërkaq, autori i idesë më të votuar do të marrë pjesë në konferencën e Lubjanës dhe do të shpalosë idenë e vet për arkitekturën e së ardhmes, si dhe do të bëhen pjesë e programit të ekspozitave, konferencave, ligjëratave dhe punëtorive të Future Achitecture

Future Architecture Platform prezanton dhe feston inovacionin, eksperimentimin dhe idetë e një brezi që do të dizajnojë arkitekturën dhe do të ndërtojë qytetet e Evropës në vitet në vijim.

Kjo platformë promovon inovacionin, arkitekturën, kulturën, njohurinë dhe kapitalin social evropian, përmes një platforme të përbashkët të përbashkët.

Ju mund të votoni për projektin e Benartit duke klikuar në opsionin “I like this”, që gjendet në linkun: http://futurearchitectureplatform.org/projects/dbb60b52-6955-4364-9223-4ac7e83127d6/?fbclid=IwAR2aDdJW2bOtXecoT-nO-uomyQrNCiswk0PGzp0_hjkHskuAA5sIR_4eSW8

Më duaj kështu kaq thjesht

Poezi nga Silvana Dhori Xhelaj.


Unë kisha braktisur gjithçka,
tani kam imazhin me buzëqeshjen e brishtë..

Ishte njeri aq serioz sa dukej i rendomte.
Mendoja se nuk do të nxirrja asnjē fjalë
prej tij…
Por jo..
-Për entuziazmin ose pasionin ç’farë
mund të thoni??

-Ajo që bënte diferencën midis ne të
dyve se unë vërtetë kisha
vetëm pasion..
Ndërsa ajo…dashuri…

-Si e kujtoni tani atë psh: këtë moment??

Heshtje..vendos gishtin tregues mbi
mjekër dhe vazhdon..

-Ajo buzëqeshte, buzëqeshte
vazhdimisht, unë. Unë vetëm heshtja..

-Po si mund të qëndronit bashkë dy
njerëz “të kundërt,, ??

-Hëm,buzëqeshja ishte shkaku i
pasionit tim për të…

-Që do të thotē?

-E doja për atë, për pafajësinë e saj
fëmijërore… Ajo buzëqeshte dhe shpirti
im çelej…

-Po Atëherë përse u ndatë???

-Heshtja ,heshtja ime i vrau të gjitha…
Sa pikëllim sa lëndim më solli..

-Përse e latë të iki??

-Prap heshtja ajo ka faj,,ajo hynte në
shpirtin tim, në zemrën time..Por i kisha
braktisur të gjitha…Ajo më bënte të doja
të flisja por egoizmi nuk më linte…
Nuk i thash sa doja ti thoshja..
Nuk i thash kur ndihej e lumtur
dhe pëshpëriste:
-Më duaj kështu si jam kaq thjesht me
këtë bluzë pambuku veshur…

Heshtje..

-Duke mos dashur ti shkëpus
vëmendjen nuk fola,,prisja…

-Nuk i thash se edhe unë e doja kaq
thjesht, ashtu si ishte, për atê që ishte…
Se doja shumë më shumë me mënyrën time,
me pasionin tim të çmendur..
Por vetëm heshtja si tani…

Heshtje…

-Ju nuk bët asgjë për ta mbajtur???

-Unë? Një egoist nuk bën asgjë .Braktis
të gjitha, madje dhe buzëqeshjen e saj…

-E lënduat atë?? Apo vehten tuaj ???

-Kjo botë ka mijëra shkaqe të lëndosh
dhe të të lëndojnë…Unë hyra në shpirtin
e saj atëherë kur kisha humbur timin..

-Nuk ju kuptova??

-Ajo që na bashkoi,buzëqeshja,,ajo na ndau..

-Si???

-Po sepse në heshtjen time u fsheh
buzëqeshja e saj…

-Unë kisha braktisur gjithçka, tani kam
imazhin me buzëqeshjen e brishtë..

-Jeni penduar që e latë të shkoj??

-Unë? Nuk besova atë nuk e lash veten
time të thoshte ato që ndjente. Isha veç
një heshtje.. Heshtja është baraz me
errësirën në shpirt.. Ç’farë mund të shikoj
syri në errësirë,,kështu ajo iku. Iku se nuk e lash
të shihte brenda meje…

-Vazhdoj t’ju them jeni penduar??

-Pak rëndësi ka kjo ato që humba vlenin
shumë…
Jam penduar që nuk buzëqeshja me të,
bashkë .Por e humba,tani kam pranuar
faktin se jam unë shkaku i këtyre pasojave…
Por e desha e dua..

-T’ju them edhe diçka tjetër??

-Jo ..

-Shkurt, kaq shkurt sa nuk më doli asnjē
fjalē tjetêr…

U ngrit si me përtesë ,vështroi përreth
dhe duke u larguar foli…

-Mos harro të buzëqeshêsh,është një çelës që hap
gjithçka…Ajo është diferenca…

Mbylli portën pas vetes dhe humbi
në mbrëmjen e lagët…



“Përpiqu të mos bëhesh njeri i suksesit, por të bëhesh njeri i vlerave”

14 thëniet më inspiruese të të gjitha kohërave nga Albertin Einstein.

 Albert Einstein është fizikani më me ndikim i shekullit 20-të, dhe mund të jetë një nga shkencëtarët më të famshëm që ka jetuar ndonjëherë.

Kishte qenë vetëm 26-vjeçar në vitin 1905 kur kishte publikuar katër letra shkencore, duke e elektrizuar fushën e fizikës dhe duke i fituar vetës njohje botërore, transmeton Telegrafi.

Mes atyre letrave ka qenë edhe teoria e tij e njohur e relativitetit, po ashtu edhe ekuacioni i famshëm, E = mc².

Që nga periudha e Isaac Newton-it, asnjë njeri tjetër nuk e kishte ndryshuar në mënyrë drastike kuptimin tonë sa i përket mënyrës se si funksionon universi.

Emri i Einstein-it është shndërruar në sinonim të gjenialitetit dhe kreativitetit. I emëruar edhe si “Personi i Shekullit” nga revista ‘TIME’ në vitin 1999, Einstein është ikonë e rrallë, mençuria e të cilit është shtrirë shumë përtej botës së shkencës për të zbuluar një mashkull me ndjenja thuajse fëmijërore të brengave dhe me dashuri të thellë për njerëzimin.

Më poshtë i keni disa prej thënieve më inspiruese të këtij gjeniu, të cilat patjetër se do të ndikojnë mirë te ju.

– “Të pakët janë ata që i shohin sytë e tyre dhe i ndjejnë zemrat e tyre”

– “Imagjinata është më e rëndësishme sesa njohuritë. Njohuritë janë të kufizuara. Imagjinata e rrethon botën”

– “Përpiqu të mos bëhesh njeri i suksesit, por të bëhesh njeri i vlerave”

– “Çdo njeri është gjeni. Por, nëse e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në pemë, ai do ta jetojë tërë jetën duke besuar se është budalla”

– “Shikoni thellë në natyrë, dhe pastaj do të kuptoni çdo gjë më mirë”

– “Të gjitha religjionet, artet dhe shkencat janë degë të së njëjtës pemë”

– “Në mesin e vështirësive gjendet mundësia”

– “Një njeri që nuk ka gabuar kurrë, asnjëherë nuk ka provuar diçka të re”

– “Gjëja më e rëndësishme është të mos ndaleni së pyeturi. Kureshtja e ka arsyen e vet se përse ekziston”

– “Jeta është sikur biçikletë. Për ta mbajtur balancimin, ju duhet të lëvizni tërë kohën”

– “Në momentin që ndaleni së mësuari, ju filloni të vdisni”

– “Njerëzit e dobët hakmerren. Njerëzit e fortë falin. Njerëzit inteligjentë injorojnë”

– “Anija është gjithmonë e sigurt në breg, por nuk është ndërtuar për atë qëllim”

– “I flas çdo njeriu në të njëjtën mënyrë, qoftë nëse e mbledh bërllokun, qoftë nëse është dekan i fakultetit”. /KultPlus.com

Rita Ora paralajmëron bashkëpunim me gjigantin e këpucëve “Giuseppe Zanotti”

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka treguar shpesh herë se përveç muzikës, është shumë e dhënë edhe pas modës.

Ajo është sipërmarrëse, pasi tash e sa vite ka të nxjerrë në treg linjën e saj të veshjeve “Roara Republic”, gjersa ka edhe një marrëveshje bashkëpunimi me “Rimmel”.



RTani së fundmi, ajo duket se është rrugës drejt lidhjes së një kontrate tjetër, kësaj here me firmën e famshme italiane të këpucëve, “Giuseppe Zanotti”.

Lajmin për këtë gjë e ka bërë të ditur vet Rita, teksa ka publikuar një fotografi me CEO-n e kësaj të fundit, në rrjetin social Instagram.

“Së shpejti, GZ x Rita Ora – një bashkëpunim ekskluziv mes Giuseppe Zanotti dhe Rita Orës”, ka shkruar këngëtarja shqiptare në mbishkrimin e fotografisë.

E njëjta, ka mbajtur së fundmi një koncert në kuadër të platformës “Spotify”, ku ka argëtuar mijëra fansa në Las Vegas.

Vitin e kaluar, ajo shënoi një prej sukseseve më të mëdha në karrierën e saj, duke publikuar albumin e saj të dytë “Phoenix”, të cilin do ta promovojë me një tur koncertesh këtë vit. /Telegrafi/ KultPlus.com

“Në Shqipëri isha ngelës, sot punoj si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman”

Henri Haxhiraj, 26 vjeçari nga Fieri në një intervistë për DW, tregon se në Shqipëri ka qenë ngelës, ndërsa sot punon si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman.

Haxhiraj mbështet protestën e studentëve në Shqipëri dhe thekson se 8 kërkesat janë të domosdoshme për një arsim cilësor.

DW shqip: Studentët shqiptarë ende vazhdojnë të bojkotojnë mësimin dhe i rifilluan protestat, siç kishin paralajmëruar. Sa të realizueshme duken kërkesat e tyre?

Henri Haxhiraj: 8 kërkesat e studenteve më duken të domosdoshme për një arsim cilësor. Duke qenë se në punën e përditshme ne Parlamentin Gjerman kam të bëj me ligje, është një gjë të formulosh 8 kërkesa, por është një tjetër gjë të formulosh një projektligj bazuar në këto 8 kërkesa. Ndaj mendoj se studentët duhet të konsultohen edhe me ekspertë për anën teknike, në mënyrë që të shmangin çfarëdolloj pasoje negative të mëvonshme. Neni 81, pika 1 e Kushtetutës e lejon edhe propozimin e një ligji nga 20 mije zgjedhës. Ndoshta do të ishte një alternativë.

Cilat janë pikat më të vështira për t’u realizuar?

Pika që kërkon 5% te buxhetit. Unë e shikoj te nevojshme për arsimin, por edhe këtu mendoj se duhet bërë një analizë më e thelluar për te parë se çfarë pasojash do te kishte kjo rritje për zërat e tjerë të parashikuara në buxhet. Ndoshta një mundësi do të ishte implementimi i saj në disa hapa. Për ta mbyllur, mendoj se kërkesat janë të realizueshme, por duhet pasur kujdes ne formulimin dhe implementimin e tyre, nëse këto pika përfshihen në një projektligj.

Ndërkohë, qeveria ka reaguar ndaj protestave dhe ka premtuar se do t’i plotësojë disa nga kërkesat e studentëve. Si i shihni ju ato?

Pakti për Universitetin, ku premtohej se do të plotësoheshin pak a shumë 5 nga 8 kërkesat e studentëve, nxjerr në pah atë që thashë më sipër për rëndësinë e anës teknike. Për shembull, një nga kërkesat e studentëve është pajisja e gjithë studentëve me kartë studentore brenda vitit akademik 2018-19. Ne piken 6 të draftit përmendet kjo pikë dhe ofrohet si shembull marrëveshja me Qendrën e Shërbimeve Arsimore Franceze për ta bërë kartën tonë pjesë të European Student Card dhe afati i zbatimit është shtator 2019. Gjithashtu përmendet miratimi me VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave, shën. i red.) për shërbimet që do të përfitohen me çmim të reduktuar për studentët. Por a është kjo ajo që kishin në mendje studentët kur formuluan kërkesën? Cilat do të jenë këto shërbime të reduktuara dhe sa do të jetë reduktimi? Çfarë ndodh nëse këto reduktime nuk zbatohen? Çfarë ndodh nëse studentët nuk janë pajisur me karta studentore deri në shtator të 2019-ës? Mendoj se pjesëmarrja e Kryeministrit në disa biseda me studentët, ku sipas studentëve ata nuk kane qene ne dijeni, më duket jo e mirëmenduar. Nuk mendoj se duke imponuar dialog do të ketë dialog.

Ju keni studiuar vetë në Shqipëri, si e keni përjetuar atë periudhë?

Nuk e kam për turp të them që kam qenë ngelës gjatë studimeve bachelor në Fakultetin e Ekonomisë. Padyshim qe përgjegjësia kryesore ka qenë e imja, por shume gjëra në atë Fakultet, në gjykimin tim, nuk funksionojnë siç duhet. Nga shpërndarja e informacionit, tek marrëdhënia me profesorët, tek vlerësimi, tek mësimdhënia etj. Ne studionim me një kurrikul që analizonte biznesin e para 30 viteve dhe ato njohuri nuk ishin fare të nevojshme në tregun aktual. Megjithatë, aty kam njohur edhe profesorë te shkëlqyer, të cilët përpos kushteve te këqija, pagesës së ulët dhe burokracisë së panevojshme, kane zhvilluar një mësimdhënie shembullore.

Tani sapo mbarove studimet master në Gjermani, dhe me nota të mira. Cila ishte përvoja e këtushme?

Si student në Gjermani kam pasur përvojën me të bukur. Studimin tim e kam financuar vetë, duke punuar si shitës, çdo javë nga 20 orë (10 të shtunave e 10 të dielave) në një dyqan suvenirësh. Ka qene goxha e vështire të gjeja kohën për gjëra të tjera dhe më është dashur të sakrifikoj shume aktivitete sociale, megjithatë nuk ndiej pendesë. Jam i lumtur që ia kam dalë me forcat e mia. Studimi akademik në Gjermani mua nuk më ka formuar vetëm në anën akademike, por më ka mësuar edhe t’i analizoj problemet e ndryshme në mënyrë të strukturuar. Më ka mësuar që pavarësisht se situata duket e vështire, edhe situata e jetës së përditshme, nëse i strukturon dhe i analizon siç duhet problemet, mund ta gjesh një zgjidhje.

Çfarë lehtësimesh kanë studentët në Gjermani?

Karta studentore jo vetëm në Gjermani, por edhe ne Europë, është mjeti i identifikimit i çdo studenti. Ne kartën studentore është e inkorporuar edhe bileta e transportit publik ne Gjermani. Përpos kësaj, me atë ke uljet në dyqane te caktuara, ne kinema, restorante etj. Mendoj se përveç kartës studentore është i nevojshëm edhe një e-mail zyrtar nga universiteti për çdo student. Kështu mund te shkarkohen softuerë si Microsoft Office apo Citavi (për te automatizuar citimet në shkrime shkencore) me çmimet e reduktuara apo edhe falas. Në Berlin, nëse ke një abone vjetore për transportin publik, paguan diku tek 65 euro ne muaj. Si student, unë paguaja rreth 17 euro në muaj.

Çfarë të motivoi të dilje me rezultate më të mira në Gjermani?

Motivimi kryesor për të përfunduar studimet ka qenë sakrifica e prindërve për të më përkrahur përgjatë rrugëtimit tim. Në të njëjtën kohë kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe ambicia personale, shqetësimi i kthimit në Shqipëri nëse nuk përfundoj me sukses etj. Ambienti universitar ka qenë një motivim më tepër, pasi aty bëhesha kureshtar për gjëra të ndryshme dhe lexoja me dëshirë të madhe mbi to. Meritokracia në universitet ka qenë gjithashtu një faktor që ka ndikuar pozitivisht në arritjet në universitet. Gjatë studimit në Gjermani mësova edhe diçka: Kur lufton për atë qe do, mund ta arrish. Jam orientuar tek dy thënie të biznesmenit të njohur amerikan  William Clement Stone (1902-2002, shen. i red.): “Shënjo hënën, po nuk kape atë, ndoshta kap ndonjë yll”. Dhe “Nuk ka work smart pa work hard”, pra që do të thotë pak a shumë se punët e mira kërkojnë mund.

*Henri Haxhiraj,  26 vjeçar, i lindur në Fier, kreu studimet bachelor në Fakultetin Ekonomik të Tiranës në vitet 2010-2014. Në vitet 2016-2018 kreu studimet master në degën Sustainable & Environmental Management pranë Universitetit të Ebersëalde-s në Gjermani. Në vitin 2017 kreu një praktikë në Bundestag ku pati rastin të bënte edhe fotografinë e mësipërme me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Prej prillit 2018 punon si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman./ DW

Emërvendet (toponimet) tregues të denjë të autoktonisë shqiptare në Sanxhak

Valentin Vasileviç Sjedov: “Shqiptarët e sotëm janë mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe në hapësirat e tjera… në shekullin VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”…

Në mënyrë që të ruhet trashëgimia e toponomastikës, të paktën pjesërisht, duhet shënuar dhe me kujdes të hulumtohet kjo çështje nga perspektiva të ndryshme shkencore. Me hulumtimin e toponimeve merren shkenca të ndryshme, sidomos linguistika, por edhe gjeografia, hartografia, historia, arkeologjia etj. Metodologjia e hulumtimeve shkencore të toponimeve më së miri e elaboron toponomastika, dega e linguistikës, në kuadër të onomastikës, disiplinë shkencore e cila merret me emrat. Studiuesit e toponomastikës japin njohuri themelore për zhvillimin e toponimeve, format e tyre gjuhësore, ndryshimet, dhe në përgjithësi të funksionit në gjuhë. Këto punime janë të pashmangshme, pa marrë parasysh se nga cili këndvështrim shqyrtohet kjo problematikë. Megjithatë, kur shqyrtohen emrat gjeografik në kontekstin hapësinor, sidomos kur përcaktojnë lidhjet e tyre me funksionet hapësinore, rëndësi të veçantë kanë hulumtimet gjeografike.

Gjeografët, bashkë me gjuhëtarët, janë të pashmangshëm gjatë standardizimit të emrave gjeografik në botimet e ndryshme dhe publikimet gjeografike-hartografike (p.sh. Atllaset) si dhe në të gjitha tekstet tjera që përdoren emrat gjeografik. Kjo është një mënyrë e mundshme e afirmimit të gjeografëve dhe gjeografisë në shoqërinë tonë. Gjeografët duhet të ri pozicionohen në trajtimin e këtyre çështjeve në të cilat gjithnjë e më shumë, për fat të keq, shpesh ndërhyjnë hulumtuesit e disiplinave tjera. Kjo nuk do të thotë që gjeografët duhet të kenë ekskluzivitet por është i nevojshëm bashkëpunimi me disiplina të tjera shkencore në punën e përhershme ndërdisiplinore në standardizimin e emrave gjeografik të trojeve shqiptare.

Sanxhaku paraqet një krahinë të caktuar shoqërore-ekonomike dhe territoriale-administrative. Në aspektin ushtarak emri “sanxhak” do të thotë flamur, që nënkupton përfshirjen e ushtrisë nën një flamur të caktuar. Emri sanxhak është me prejardhje turke (sancak) dhe fillimisht ka përfaqësuar flamurin, e që më vonë ka marrë kuptimin e krahinës të cilën sulltanët ua kanë dhënë nën administrim ushtarëve të vet, të cilët mandej e kanë ndarë administrimin në krahina më të vogla, duke marrë kuptimin e Sanxhakut të sotëm. Territori i Ilirisë gjatë administrimit nga Perandoria Osmane, ka qenë e ndarë në disa vilajete. Sanxhaku i Jeni Pazarit i ka takuar vilajetit të Kosovës.

Kur është populluar Sanxhaku për herë të parë dhe nga kush, nuk dihet. Por, saktësisht dihet se ka qenë i populluar në kohën e neolitit. Për këtë ekzistojnë dëshmi të shumta të cilat ruhen në muzetë e ndryshme. Fragmentet e kulturës ilire-romake dëshmojnë se në epokën ilire dhe romake kjo krahinë ka qenë e populluar nga ilirët, gjegjësisht nga fisi Dardan.

Se Sanxhaku gjatë gjithë historisë ka qenë i banuar nga Ilirët, pastaj nga shqiptarët, dëshmojnë të gjeturat në fshatin Pruzhanj ( Prush,-i, -it.) në Rrafshnaltën e Peshterit, ku arkeologët kanë zbuluar prushin (hirin) e trupave të të vdekurve të djegur. Këto të gjetura datojnë mijëra vjet para Krishtit që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të kësaj popullate

Sa i përket ekzistencës së Stari Rasit serb, për të cilën shkenca serbe pretendon se ishte selia dhe djepi i shtetit serb, në fakt ky vend është Arsa, kryeqyteti i vjetër i ilir dhe nuk ka lidhje me atë që pretendojnë serbët.

Para ardhjes së sllavëve këto vise kanë qenë të populluara nga ilirët. Për këtë fakt flasin hulumtimet e shumta arkeologjike: Në Pazarin e Ri, në vendin e tanishëm të kombinatit të Tekstilit “Rashka”, mandej të mbeturat nga ari dhe qelibari të gjetura para shumë viteve te Kisha e Petrovës. Kjo e fundit na jep njohuri për mundësinë e ekzistimit të një lidhjeje të fiseve ilire, selia e së cilës ka qenë në vendin e kishës së përmendur.

Mbështetur mbi faktorin kohë, historia e Ballkanit dhe e popujve autokton të tij: dardanëve, grekëve, ilirëve, trakasve dhe të etnive të tjera me të vogla të kohës së para invadimit të sllavëve në këtë hapësirë, nuk mund të jenë objekt trajtimi i sllavistikës. Kohë më parë, albanologu i njohur Idriz Ajeti në një simpozium të mbajtur në Beograd, ka deklaruar se kjo gjë nuk është punë e sllavistikës (dijës filologjike mbi sllavët e mbi degëzimet e gjuhëve sllave) që të nxjerr përfundime së në cilat territore jetuan dhe u individualizuan gjuhët indoevropiane të atyre popujve para se ne këtë hapësirë të vinin sllavët.

Për gjendjen e gjetur nga sllavet dhe pasojat që i solli ardhja e tyre në gadishullin e Ballkanit shkroi edhe dijetari i merituar serb I. Popov.

Sllavët, sipas këtij studiuesi, kanë ardhur në Ballkan padyshim në shek. VI-të dhe që nga ajo kohë janë bërë popullatë e përhershme e Ballkanit.

Përhapja me forcë e serbëve, përkatësisht pushtimi i hapësirës etnolinguistike shqiptare të Dardanisë antike në shek. XII nga serbet, mbështetet edhe nga historianët serbë të gjuhësisë. Kështu, dialektologu serb A. Beli konstatonte se zhvillimi i dialekteve të gjuhës serbe është i pandashëm nga procesi i kolonizimit serb të Shqipërisë së Epërme. Menjëherë pas pushtimit të Sanxhakut dhe Kosovës, gjegjësisht Shqipërisë së Epërme që u bë në vitin 1912, ai shkruante se “Drejtimin e kolonizimit serb mund ta karakterizojmë përgjithësisht sipas qendrave dhe selive të sundimtarëve serbë si para ashtu edhe pas Betejës së Kosovës. Këto qendra e seli, u shtrinë në shek. XIII në Ras i (Arsa parasllave, serbisht: Raška- afër Novi Pazarit). Prej këndej depërtoi pastaj në shek. XIV, gjatë kohës së sundimit të Dushanit, në drejtim të Prizrenit e të Shkupit. Në mbështetje të gjithë kësaj mund të thuhet se gjuha e shtetit të vjetër serb e kishte për qendër Rashkën” . Kur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Serbe në vitin 1986 u mbajt një cikël ligjëratave shkencore në të cilat u kontestua origjina ilire e shqiptarëve, arkeologu i shquar serb Milutin Garashanin në ligjëratën “Krijimi dhe origjina e ilirëve”, në mënyrë të prerë theksoi se për origjinën paleoballkanike të “shqiptarëve nuk mund të dyshohet”.

Valentin Vasileviç Sjedov, arkeolog rus, i pyetur nga gazetari i gazetës “Blic” të Beogradit më 2. 11. 2000, se “Kush janë shqiptarët, nga erdhën dhe që kur janë këtu”, iu përgjigj: “Shqiptarët e sotëm janë mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe në hapësirat e tjera… në shekullin e VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”…

Mbi bazën e gjendjes së hidronimisë së sistemit të lumit Kollubara ( kuptimi i kryehershëm ilir i emrit të lumit Kolubara, sipas I. Duridanov, është “lumë i zi, i erret”) dhe lumenjve tjerë në jug të Savës dhe Danubit, dijetari bullgar Ivan Duridanov nxjerr tri përfundime në lidhje me popullatën ilire të kësaj hapësire.

Pazai i Ri, Jenji Pazar, Novi Pazar, Tregu i Ri, Pazar, Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište, është vendbanimi më i rëndësishëm i Sanxhakut. Rrënjët i ka në Arsa, qytetin Ilir. Rrëzë këtij qyteti është zhvilluar tregtia dhe ky lokalitet ka marrë emrin në shumë gjuhë si; Bazar (persishtja I. A.), Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište. Themelet e qytetit të sotshëm i ka vu Isa Beg Isaku. Pasi pushtoi këto treva e themeloi qytetin dhe e quajti Yeni Pazar. Shqiptarët e quajtën Pazari i Ri dhe Tregu i Ri kurse serbët Novi Pazar. Ky qytet që nga themelimi u shqua për tregti dhe vazhdoi të jetë deri më sot qytet i tregtisë. Përveç këtyre të dhënave, autori i mirënjohur Mushoviq në monografinë Novi Pazar i Okolina, shkruan: “Lumi Ibër– serbisht: Ibar nga i Bard, në gjuhën shqipe: i bardhë, Lumi i Bardhë; Lumi Lim– nga gjuha shqipe: Lum-i; Lumi dhe liqeni Vapa– nga gjuha shqipe: Vapë, vapa-ë; në serbisht: morina; Peshter-Pesh- peshë; ter- terr (terrësi), ter – thatësi, etj.

e shqiptarëve në Sanxhak tashmë nuk diskutohet, sepse janë gjetur shumë dëshmi se nga këtu ata u zgjeruan edhe në Dalmaci, Hercegovinë dhe në Bosnjë gjë që dëshmojnë edhe shumë emra të vendbanimeve të atjeshme Bare( nga “Bari”), Burmazi ( njeri i madh), Buna (bujanë/vërshim ujërash), Bukamire (bukë e mirë), Butmir (tokë e mirë), Curi (shkëmb), Dretel ( “dredhel” bimë këmbanare), Kukusi, Muraj, Vuçaj, Gurjevaçë, Otimir, Skoçaj, Vajmezi, Kokona, korça( toponim me të njëjtin emërtim në Shqipëri, Ibali, Ligati, Gjeç, Tuçep,Tulë, Zavallë Gurjevaç etj…..Për prezencën e shqiptarëve në këto treva dëshmojnë edhe, mbiemrat e ruajtur si sot: Barzeta, Burmaz, Dodosh, Dukaxhiç, Gurakuq, Ibal, Kalimanoviq, Keça, Keçanoviq, Kokeza, Lekiq, Mushkinja, Perëndia, Preka etj. Në Hercegovinë Jugore, në Lubomir, një vëllazëri shumë e njohur u quajt Zotoviq nga fjala shqipe “zot” –zotni).

Në lidhje me toponimet në Peshter dhe për ta ilustruar më mirë, po i referohemi monografisë Koniçanët të autorit Sh. Numanoviq.

Sipas autorit Numanoviq, themeluese e vendbanimit Koniçë konsiderohet të jetë Kona, një e ve e cila me djemtë e saj është vendosur në këtë vendbanim. Pas saj, mandej thuhet se këtu u vendosën Koliqët e ardhur nga veriu i Shqipërisë. Shumë shpejt atyre iu bashkuan Nikiqët (Nikqët) kushërinjtë e tyre nga Shala, të cilët pa hamendje i mirëpriti trimi i familjes, Avdi Kola. Shumë shpejt Nikiqët ( Nikajt) u zgjeruan dhe populluan fshatrat Plenibabë, Zhirqe, Rugja dhe Smaluçe.

Banorët e sotshëm të Koniçës nuk flasin gjuhën shqipe, mirëpo toponimet flasin se paraardhësit e tyre kanë shfrytëzuar gjuhën nga kanë ardhur. Është e ditur që Shaljanët kanë përdorur toponim në gjuhën e tyre, por pasardhësit e tyre, duke harruar gjuhën e tyre, i kanë deformuar aq sa sot vështirë mund të identifikohen, shkruan Numanoviq. Tutje autori në fjalë shkruan: “Për këtë më së miri flasin këto toponime:

Ostrijelo- Ostri vrh

Darda ( dardha) – krusska

Kronpele( kroni i peles) – Kobilin izvor.

Hasinikinkron (Kroni i Hasa Nikës) –Hasan Ikin izvor.

Livadhajdukin(t) (Livadhi i hajdukit)- hajduška livada,

Gura( gurra I. A.)- Kamenjča (izvor iz kamenja)

Gurišta (Gurishtë)- Kamenjar (kamenica)

Ljug (Lug-u)–Dolina ( do).

Kruja( krye)- Glava.

Krštujit (krshi i ujit)- Vodeni krš.

Livadmas ( Livadhi i madh) – velika livada

Lazdemin ( Lazi i Demes) –Demin laz

Vrhalili (vorii i Halilit)- halilov grob.

Špata ( shpata) – Sablja ( kosa).

Rapš ( Rrafshi) – Ravan

Gurbut ( Guri i but) – Meki kamen.

Lazbrahimit (Lazi i Brahimit) – Ibrahimov Laz.

Kodrkolips (Kodra e kolibës) –Kolibin laz.

Kršpolin – (Krshi i pulës) Kokosji krš.

Lazmilunit (Lazi i Mullinit) Vodeni Laz.

Lazbukur ( Laz i i bukur) – Ljepi Laz.

Ljukmandupit( Lugu i maxhupit) – Ciganski do.

Kodrbunarit ( kodra e bunarit) – Bunarsko brdo

Aštujć ( Asht i Ujqve) – Vučja kost

Dušk ( Dushku) – Hrast

Kron ( kroni)- Izvor.“

(Autor i këtij shkrimi është Ismet Azizi). /KultPlus.com

Perandorët romakë me prejardhje ilire

Shqiptarët padyshim se i takojnë trungut të popujve më të lashtë si për nga historia ashtu edhe për nga gjuha. Mirëpo shqiptarët janë një ndër popujt të cilët më së paku e kanë të dokumentuar historinë e vet kombëtare.

Periudha e hekurit por edhe ajo antike janë periudha shumë të lavdishme të ilirëve si paraardhësit tanë. A ishin të civilizuar? Me çfarë teknike dhe si i ndërtuan vendbanimet e veta? Nëse dimë se muret ciklopike janë karakteristikë e ndërtimeve ilire atëherë shtrohet pyetja si u skalitën ata gurë gjigand? Kush ishin ata që i skalitën me aqë precizitet dhe në fund me çfarë makinerie apo teknike i ngriten blloqet shumëtonëshe deri në ato lartësi të mëdha?

Dimë për kulturën helene dhe romake dhe padyshim se këto kultura kanë mbërrit edhe në Ilirik. Ato këtu gjetën kulturën ilire e cila ka dhënë kontributin e vet në kulturën e gjithëmbarshme botërore. Helenët, trojet e ilirëve i quanin barbare, derisa Roma nuk mundi t’i pushtojë me lehtësi por iu deshtë të bëjë luftëra të cilat zgjatën pothuaj 300 vite ku më të njohurat janë Lufta e Parë, Dytë dhe e Tretë Iliro-Romake kur përfundimisht bie Mbretëria e Ardianëve dhe i gjallë bie rob Mbretit Gent. Pasojnë disa kryengritje të cilat zgjasin deri në vitin 6-7 të erës së re e që pas shuarjes së kryengritjeve, Roma me qëllim që më lehtë ta kontrollojë këtë territor formon dy provinca të reja: Dalmacinë dhe Mezinë.

Nuk duhet harruar se fillimisht Roma kishte rregullim: Mbretëror (735-509 p.e. re), Republikan (500 p.e.re – 27 p.e.re) por me ardhjen e Cezarit (50 pe.re) e përfundimisht nga Augusti (27 p.e. re) fillon era e rregullimit të ri shtetëror pra Perandorisë Romake që udhëhiqet nga perandori i cili sipas një rregulli vinte nga radhët e ushtrisë. Ky rregullim zgjati deri në vitin 350 të erës sonë kur edhe Perandoria ndahet në atë Lindore dhe Perëndimore. Në këtë periudhë falë shkathtësisë së tyre luftarake, guximit dhe ambicies për pushtet u bë e mundur që për perandorë romakë të bëhen edhe shumë ushtarakë të lindur në Iliri dhe që shumë lehtë vërtetohet identiteti i tyre ilir madje ata edhe inkurajonin dhe ndihmonin ilirët tjerë që të ngriten dhe avancohen në ushtri. Andaj për një periudhë të gjatë kohore ia arritën që shumë ilirë të mbajnë poste dhe funksione shumë të larta perandorake.

Në periudhën Perandorake (27 p.e.re – 395) në fron janë ulur plot 27 ilirë prej të cilëve më të njohurit janë: Diokleciani dhe Konstantini i Madh, e që Aurel Viktori (320-390) për ta do të shkruante: “Atëdheu i të gjithë këtyre ka qenë Iliriku, edhepse pak të qytetëruar kanë qenë shumë të dobishëm për shtetin” (N.Ceka, Ilirët). Pra, këta perandorë janë puro iliro/shqiptar, sllavët në Ilirik filluan dyndjen në shek.VI-VII dmth dy shekuj pas Perandorit të fundit ilir. Këtu po sjellim listën e Perandorëve Romak që kanë lindur në Ilirik apo kanë prejardhje ilire:

1. Trajanus Decius (249 – 251), Gaius Messius Quintus Taianus Decius, ka lind në Budallija (Sirmium) sot fshati Martiniqi (Mitrovica e Sremit, Serbi)

2. Hostilianus (251), Gaius Valens Hostilianus Messius Quintus, djali i Deciusit, ka lind në Sirmium.

3. Claudius II Gotikus (268 – 270), Marcus Aurelius Claudius Gothicus, është nga rrethi i Sirmiumit ose nga Dardania. Për perandor zgjedhet pasi i mund Gotët në vitin 268 afër Naissusit.

4. Quintilus (270), Marcus Aurelius Claudius Quintillus, ka lind në Sirmium, është vëllai i Claudit II, vetëm 77 ditë ka qëndruar në fron.

5. Aurelianus (270 – 275), Lucius Domitius Aurelianus, ka lind në Sirmium sot Mitrovica e Sremit, njihet me atë se Perandorisë Romake ia ribashkon Mbretërinë e Galëve.

6. Probus (276 – 282), Marcus Aurelius Probus, ka lind në Sirmium, është i pari që lejoi që hardhit Italiane të mbillen në vende tjera të Perandorisë si në Ilirik, Galici, Britani dhe Spanjë.

7. Diocletian (284 – 305), Gaius Aurelius Valerius Diocletianus, ka lind në Dioclea sot Dukla afër Podgoricës. Një ndër perandorët më të rëndësishëm të Romës. Pas një kaosi të madh shumëvjeçar ai ia arriti që Perandorinë ta vëj në rregull. Duke qenë i vetëdijshëm se Perandoria ishte shumë e madhe dhe që ishte shumë e vështirë të udhëhiqej nga një njeri i vetëm është i pari që vendos të ndajë pushtetin krijon Diarkin (dy AUGUSTË që sundojnë njëri në Lindje e tjetri në Perëndim) dhe kjo ishte fillimi i ndarjes së Perandorisë në atë Lindore dhe Perëndimore.

8. Maximianus Herculius (285 – 305), Marcus Aurelius Valerius Maximianus Herculius, ka lind në Sirmium. Ilir, mik dhe bashkësundues me Dioklecianin. Së bashku me Dioklecianin jep dorëheqje nga froni por që pas një viti (306) kthehet prapë në fron dhe e ndihmon në ngritje Konstantinin e Madh. Nga froni e rrëzojnë më 308.

9. Galerius (305 – 311), Gaius Galerius Valerius Maximianus, ka lindur në Felix Romuliana sot Gamzigrad afër Zajeçarit. Sundoi nga Sirmiumi, ka qenë i pamëshirshëm ndaj të krishterëve madje të gjitha barbarizmat që i vishen Dioklecianit janë rezultat i përndjekjeve të tija. Për grua kishte vajzën e Dioklecianit.

10. Constantius I Chlorus (305 – 306), Flavius Valerius Constantius, ka lind në Ilirik në vitin 250. Është babai i Konstantinit të Madh.

11. Flavius Severus II (306 – 307), Flavius Valerius Severus II, ka lindur në Naissus, ka ndarë fronin me Konstantin Klorin.

12. Licinius (308 – 324), Gaius Valerius Licianus Licinius, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbretëroi në lindje, së bashku me Konstantinin e Madh sollën Ediktin e Milanit. Zhvillon dy luftëra kundër Konstantinit të Madh të cilat i humbet të dyja dhe në fund ekzekutohet.

13. Maximinus Daia (311 – 313), Gaius Galerius Valerius Maximinus, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbahet mend si persekutues i madh dhe se nuk ka pranuar sistemin tetrark të mbretërimit.

14. Constantinus I i Madh (312 – 337), Flavius Valerius Constantinus, ka lindur në Naissus (Nishi i sotëm). Më 313 nënshkruan Ediktin e Milanit me të cilin lejohet toleranca fetare dhe praktikimi i lirë i fesë së krishterë. Është themelues i Konstantinopolit dhe me ardhjen e tij vie deri te një paqe sociale pas një periudhe të gjatë të persekutimeve fetare.

15. Constantinus II (337 – 340), Flavius Iulius Constantinus, ka lind në Sirmium dhe është djali i dytë i Konstantinit të Madh. Babai i vet e bën Cezar të pjesës lindore të Perandorisë kurse dy vëllezërit tjerë pjesën tjetër.

16. Vetranio (350), i ilindur në Mezi, për Cezar e emëroi Konstanti II me kërkesën e vajzës së Konstantinit të Madh. Mirëpo nuk ndenji shumë në fron vetëm dhjetë muaj kur edhe datyrohet të largohet.

17. Iovianus (363 – 364), Flavius Iovianus Augustus, ka lindur në Singidunum (Beogradi i sotëm) dhe në fron qëndroi vetëm tetë muaj.

18. Valentinianus I (364 – 375), Flavius Valentinianus, ka lind në Cibala (sot Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valensin. Ka mbretëru perëndimin.

19. Valensi (364 – 378), Flavius Valens, ka lind në Cibala (Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valentinianin I. Ka mbretëru lindjen.

20. Gratianus (375 – 383), Flavius Gratianus Augustus, ka lind në Sirmium. Është djali i Valentinianit I.

21. Valentinianus II (383 – 392), Flavius Valentinianus II, ka lind në Trir është djali i Valentinianit I i cili ka qenë nga Cibala (Kroaci).

22. Constantinus III (421), Flavius Constantius Augustus, ka lind në Naissus, është babai i Valentinijanit III

23. Valentinianus III (425 – 455), Flavius Placidius Valentinianus, djali i Constantinus III, njihet si perandori i fundit perëndimor me origjinë ilire.

24. Marcianus (450 – 457), Flavius Marcianus, ka lind në Iliri, ka mbretëru në lindje.

25. Anastasius I (491 – 518), Anastasius, ka lind në Dyrrachium, Durrës, Shqipëri.

26. Iustin I (518 – 527), Flavius Iustinius, ka lindur në Bederiana të Dardanisë (Leban, Serbi).

27. Iustinianus I (527 – 565), Flavius Petrus Sabbatius Iustinianus, ka lind në Tauresium të Dardanisë. Justiniani I është imperatori i fundit latin.

(Gazeta Shqiptare, Gazmend Çitaku, publicist dhe përkthyes). /KultPlus.com

Arsyet përse vizitat në muze të bëjnë të ndihesh mirë

Një nga justifikimet më të shumta që përdoret për të mos vizituar institucionet e trashëgimisë kulturore ështe shpeshherë tarifa e hyrjes në këto institucione. Megjithatë, një studim i kryer nga Harris Interactive gjen se njerëzit janë më të lumtur kur shpenzojnë para për përvoja në vend të blerjeve materiale.Sipas Leaf Van Boven, Asistent Profesor i Psikologjisë në Universitetin e Kolorados, përvojat duket të krijojnë më shumë lumturi sesa objektet material, sepse ato sigurojnë ri-interpretime pozitive personale me kalimin e kohës. Domethënë, ndërsa rikujtojmë vizitën tonë në muze, ne kemi një tendencë për të pastruar psikologjikisht çdo kujtim negativ.Përvojat, të tilla si vizitimi i një muzeu, gjithashtu mund të bëhen pjesë kuptimplote e identitetit shoqëror dhe të kontribuojnë në marrëdhëniet e suksesshme shoqërore në një mënyrë që sendet materiale nuk munden. Pra, vizita në muze do t’ju bëjë më të lumtur në afat të gjatë.

Këshillë: Vizitoni faqet online të muzeve dhe ndiqni njoftimet mbi ditët se kur muzeu mund të vizitohet falas. Zakonisht muzeu mund të vizitohet falas gjatë të dielës së fundit të muajit, 18 Prilli – Dita Ndërkombëtare e Monumenteve, 18 Maji- Dita Ndërkombëtare e Muzeve, 29 Shtatori – Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, Ditët e Festave Kombëtare etj.Vizita në muze ju bën të ndiheni mirë për disa arsye si:

1.Muzetë të bëjnë më të zgjuar

Roli kryesor i muzeve është padyshim edukimi i komunitetit. Muzetë mund të bëhen frymëzues për studime në disa dhjetëra fusha akademike dhe mund të ndihmojnë gjatë studimeve. Në disa raste dhe vetë shkollat mbështeten te muzetë për hartimin e kurrikulave të tyre. Galeritë e artit gjithashtu po marrin dita-ditës formën e “sallave të studimit”. Është e pamundur të vizitosh një muze e të mos dalësh me një informacion të shtuar në fund të vizitës.

2. Muzetë janë hapësira të dijes

Muzetë sot na paraqiten si hapësira informale edukimi, të cilat ndihmojnë procesin e marrjes së dijes dhe edukimin e brezave, një proces i gjatë ku individët fitojnë qëndrime, vlera, shkathtësi dhe njohuri nga përvoja e përditshme. Edhe jashtë muzeve, të mësuarit informal luan një rol kryesor në procesin e formimit të qëndrimeve e besimeve te individët e shoqërisë. Një vizitë e vetme në një muze mund t’i prezantojë vizitorët me informata më të hollësishme mbi një temë të caktuar. Mjedisi i muzeve ju lejon të krijoni përvojat tuaja unike dhe të përzgjidhni informacionin që ju intereson.

3. Muzetë janë qendra komunitare

Muzetë janë shumë më shumë sesa thjesht ruajtës të objekteve të trashëgimisë kulturore. Muzetë janë qendra të mirëfillta komunitare ku të jepet mundësia të takosh “fqinjët” e tu, të diskutosh mendime e ideologji dhe të bëhesh pjesë aktive e komunitetit ku jeton. Ka gjithmonë një aktivitet në muzetë e qytetit tënd, hap faqen e muzeut në Facebook dhe bëhu pjesë e komunitetit!

4. Muzetë frymëzojnë

Muzetë frymëzojnë përmes eksperiencave që ata i dhurojnë vizitorëve, shpesh here dhe ndjekësve të tyre në rrjete sociale. Këto eksperianca e kujtime të krijuara në muze nuk fshihen asnjëherë. A keni dhe ju një muze që ju ka lënë mbresa e që ende e kujtoni në të? Nëse jo, jeni gjithmonë në kohë të vizitoni muzetë që ndodhen afër jush.

5. Muzetë sjellin ndryshim në komunitet

Studimet kanë gjetur se përfshirja e komunitetit në muze ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e këtij komuniteti. Duke qenë se muzetë po konsiderohen gjithnjë e më shumë si qendra komunitare që ofrojnë qasje në ide dhe përjetime të reja, sot ato janë kthyer njëkohësisht dhe në “pika të nxehta” të ndryshimit dhe angazhimit qytetar. Edukimi i brezave përmes muzeve ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e komuniteteve dhe në krijimin e një shoqërie më të angazhuar e më të vetëdijshme për detyrat e saj qytetare.

6. Muzetë janë vendet ideale për kalimin e kohës së lirë

Muzetë janë padyshim vendi ideal për të kaluar disa moment të bukura me miq e familjarë. Lidhjet personale mes individëve të shoqërisë mund të përforcohen përmes vizitave në muze dhe diskutimit mbi artin, kulturën dhe trashëgiminë. Prindërit apo miqtë tuaj mund të kthehen në udhërrëfyes turistikë dhe koha fluturon duke vizituar pavionet e muzeve që mbartin mijëra vite histori.

7. Muzetë mund të jenë dhe partner i mundshëm në biznes

Për të mbajtur hapur një muze duhen patjetër shumë mjete dhe produkte. Muzetë mund të jenë mundësia perfekte për zgjerimin e biznesit tuaj apo ofrimin e shërbimeve. Produkti apo shërbimi juaj do të reklamohet indirekt te qindra vizitorë dhe ky partneritet me muzeun mund të ishte perfekt për një imazh pozitiv të kompanisë suaj. Nëse e shihni të arsyeshme, muzeun mund ta ktheni dhe në një biznes tuajin. Janë të shumta muzetë privatë e në disa vende të botës ato konkurojnë dhe muzetë me famë ndërkombëtare.

8. Muzetë kanë nevojë për mbështetjen tuaj

Janë të shumtë muzetë me qëllime jo-fitimprurëse që mision kryesor kanë edukimin dhe frymëzimin e vizitorëve dhe për të përmbushur këtë mision ato kanë gjithmonë nevojë për mbështetjen tuaj. Për fat të keq shumë qytetarë ende nuk e dinë që muzetë publikë nuk kanë qëllime fitimprurëse. Bëni një dhurim ose antarësohuni në muze. Në shumë mënyra, mbështetja e një muzeu nëpërmjet vizitës ose – edhe më mirë – përmes anëtarësimit ose mbështetjes filantropike – është një mënyrë për të forcuar komunitetet dhe për t’u ndihmuar muzeun të krijojë programe të efektshme që përmbushin misionin e tij.

9. Ka gjithmonë një muze pranë teje

Sipas Aleancës Amerikane të Muzeve, në Shtetet e Bashkuara muzetë presin përvit rreth 865 milionë vizitorë ose mesatarisht 2.5 milionë vizitorë në ditë. Muze ka në çdo shtet e në rastin e vendit tonë në çdo qark e thuajse çdo bashki.Së shpejti Rijetëzimi i Muzeve Lokalë do të publikojë dhe një listë të plotë me muzetë e vendit tonë. 

Forma se si duhet të shprehemi kur i referohemi individëve me Sindromën Down

Mënyra e duhur e shprehjes kur bëhet fjalë për shoqatën Down Syndrome Kosova dhe personat me sindromën Down, jo gjithmonë është e saktë si nga mediat ashtu edhe nga njerëzit tjerë përreth, shkruan KultPlus.

Por, për të përmirësuar këtë mënyrë të shprehjes, Shoqata Down Syndrome Kosova ka krijuar një listë me shprehjet e gabuara dhe të duhurat në këtë aspekt.

Ne po ju sjellim më poshtë këtë listë, në mënyrë që të arrijmë të përmirësojmë mënyrën e shprehjes që sigurisht bëhet pa qëllim por në mungesë të gjetjes së shprehjes adekuate. /KultPlus.com