Në Panairin e Librit në Paris sot u diskutua për letërsinë shqipe

Në Panairin e Librit në Paris sot u hap skena e Evropës me debatin publik njëorësh kushtuar letërsisë shqiptare të prodhuar në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ky debat publik u drejtua në gjuhën frënge nga intelektualët Klara Buda dhe Nezir Kraki dhe zgjoi shumë interesim tek të pranishmit dhe pati vlerësim të lartë nga organizatorët.

Katër autorët e pranishëm, Ilire Zajmi, Adem Gashi, Marigona Kelmendi dhe Haxhi Kraki folën për qasjen e letërsisë në këto 20 vjet. Këtë vit Evropa ishte e ftuara e nderit dhe jo të gjitha vendet kishin fatin ta hapin këtë aktivitet dhe të kishin një panel me autorët e pranishëm në panair. Tema e panelit ishte letërsia shqipe e Kosovës 20 vjet pas Rambujesë, ndërhyrjes së NATO-s dhe 11 vjet Kosovë të pavarur si dhe letërsisë botërore të përkthyer në shqip dhe veçanërisht letërsia frënge.

Aktiviteti u ndoq nga media franceze që e lajmëroi direkt nga panairi i librit (Livre Paris). Stenda e Kosovës L117 ndodhet në kuadër të stendës mysafire tenderit, Evropës./ KultPlus.com

Del në shitje koleksioni i George Michael

Nga shitja e koleksionit të artit të këngëtarit të njohur britanik të muzikës pop, George Michael, i cili u nda nga jeta në vitin 2016, janë grumbulluar 9,26 milionë stërlina (10,86 milion euro), deklaroi shtëpia e ankandeve ”Christie’s”, që organizoi shitjen në Londër.

I njohur për hitet dhe zërin e veçantë, Michael shquhej edhe për pasionin si koleksionues.Ai kishte mes koleksionit të tij shumë vepra, ku midis tyre dallohej ajo më e njohura, e Damien Hirst si edhe “Enfant terrible” nga Tracey Emin.Në total, 75 vepra janë propozuar gjatë shitjes, ndërsa 130 të tjera, po nga ky koleksion, janë shitur online nga data 8 deri më 15 mars.”Të ardhurat nga shitja do të përdoren për të vazhduar veprën filantropike të George Michael” njoftoi ”Christie’s”./ esko/ KultPlus.com

Letërsia shqipe e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi

Agim Vinca

Kohë më parë, një mikja ime nga Tirana, përkthyese, botuese, studiuese (përkthyesja e Emrit të trëndafilit në gjuhën shqipe), më shkroi një imejll, në të cilin, ndër të tjera, më thoshte: “Dua ta di, i dashur Agim, nëse është ende në Prishtinë ajo shtatorja aq e shëmtuar e Klintonit”.

Kosova ka shumë probleme: ekonomike, sociale, politike e të tjera, por ja që mikja nga Tirana, në letrën e saj, shpreh shqetësimin që ka të bëjë me një vepër artistike: shtatoren e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, të vënë në sheshin me të njëjtin emër, në sheshin “Bill Klinton” në Prishtinë, në vitin 2009. (Të themi, a propos, se shtatorja në fjalë, e ngritur për nder të presidentit amerikan dhe ndihmën e dhënë popullit të Kosovës në luftën e tij për liri, gjendet në lagjen Dardania, që është emri antik i Kosovës, krahinë e Ilirisë në të cilën ka jetuar fisi i dardanëve, që përmenden dendur te Iliada e Homerit).

Për hir të së vërtetës duhet thënë se shqetësimi i zonjës nga Tirana, grua me kulturë e shije të kultivuar, është i drejtë: shtatorja për të cilën ajo m’u drejtua mua, mikut dhe kolegut të saj, është një vepër e dobët, e parealizuar artistikisht, me një fjalë e shëmtuar dhe si e tillë nuk i bën nder jo vetëm njeriut që i kushtohet, por as qytetit dhe vendit që e ka ngritur atë.

Përse e nisa fjalën time me këtë ndodhi dhe ç’dua të them me të?

Identiteti i një shteti, i një vendi, i një qyteti, sikurse edhe i një njeriu, më në fund, nuk përfaqësohet nga pamja që ka, as nga veshja që mban a ushqimi që ha, nga orenditë e shtëpisë dhe as nga makina që nget, sado që të gjitha këto janë pjesë e jetës, por nga kultura që posedon. Sepse, kultura, gjuha, tradita, historia, letërsia dhe artet e tjera, përbëjnë veçantinë e një populli, të një vendi, shteti a qyteti.

Kosova është shtet i ri, më i riu në Evropë, në mos edhe në botë. Sapo ka hyrë në vitin e vet të njëmbëdhjetë të ekzistencës. Dhjetë vjet nuk janë pak për një individ, por janë shumë pak për historinë. Dhe historia e Kosovës, kultura e saj, gjuha që flet populli i saj, gjuha shqipe, janë të lashta, ndër më të lashtat në Ballkan dhe në Evropë, çka do të thotë se ky popull nuk është pa rrënjë; se historia e tij nuk fillon as në vitin 1945, siç tentohej të paraqitej në sistemin komunist jugosllav, e as në vitin 1999, kur pas çlirimit të saj nga sundimi serb, në Kosovë erdhi administrata e Kombeve të Bashkuara e njohur me akronimin UNMIK. Kam qenë në strukturat drejtuese të arsimit të Kosovës në atë kohë (në vitet 1999-2000) dhe mund të them se kam një përvojë personale jo të mirë. Kuadro të UNMIK-ut, të niveleve të ndryshme, silleshin ndonjëherë sikur kishin ardhur në shkretëtirë, duke harruar se ne kishim një përvojë edhe në sistemin arsimor, nga shkolla fillore deri në universitet; edhe në organizimin e jetës kulturore dhe të manifestimeve të ndryshme; edhe në botimin e librit dhe përhapjen e tij, se kishim personalitetetë shquara në fushën e dijes, të artit dhe të shkencës, por na kishte munguar liria në periudhën që lamë pas (para dhe pas Luftës së Dytë Botërore), kurse në dekadën e fundit të shekullit XX, në kohën e regjimit të diktatorit serb Millosheviq, mbi ne shqiptarët e Kosovës qe ushtruar një apartheid i vërtetë, që ndryshe nga ai i Afrikës së Jugut, do të mund të quhej apartheid i bardhë.

Kjo periudhë në Kosovë u quajt kohë e mbijetesës. Edhe në kushtet e dhunës dhe të terrorit të përditshëm ne mbijetuam: ruajtëm shkollat dhe fakultetet, qoftë edhe nëpër shtëpi private, jetën kulturore, veprimtarinë botuese dhe format e tjera të jetës shpirtërore të një kombi.

Tani jemi vend i lirë, demokratik, me shumë probleme të natyrave të ndryshme, me një jetë krijuese relativisht të gjallë, në krye të së cilës mund të thuhet lirisht se qëndron fjala e shkruar, letërsia, fushë kjo në të cilën ne kemi edhe rezultatet më të mira. Në poezi, në prozë, në studimin e letërsisë, deri diku, edhe në fushën e dramaturgjisë dhe të teatrit.

Çka e karakterizon aktualisht letërsinë që krijohet në Kosovë?

Letërsia shqipe që krijohet në Kosovë nuk ka asnjë kufizim tematik në krahasim me pjesën tjetër të letërsisë shqipe, veçanërisht atë që krijohet në Shqipëri, por edhe me letërsitë e tjera ballkanike dhe, pse jo, edhe evropiane. Nuk ka kufizime as në planin e poetikës dhe të teknikës së shkrimit. Në Kosovë krijohet letërsi moderne, postmoderne, ekzistencialiste, surrealiste, neorealiste, me një fjalë një krijimtari e lirë, që përmban në vete secilin nga këto elemente. Botohet shumë, por lexohet pak. Tirazhet janë të vogla. Mjetet e sofistikuara teknike, që janë shumë të pranishme në jetën e njerëzve, sa e kanë lehtësuar komunikimin, po aq edhe e kanë larguar njeriun, të rinjtë sidomos, nga vlerat e përhershme shpirtërore, nga ato që mund të quhen vlera tejkohore.

Letërsia, Pavarësia, Shteti janë tri fjalët kyçe të kësaj tribune publike, që mbahet këtu në Paris, në këtë manifestim të madh me emrin “Salloni i Librit”. Më pëlqeu fjalia me të cilën hapet programi i Sallonit: ”Në Paris pranvera nuk vjen me dallëndyshet, por me librat”. Dallëndyshet dhe lejlekët, imazhe të gjalla të fëmijërisë së brezit tim, janë rralluar shumë, aq sa janë bërë pothuajse të padukshëm, kurse librat janë këtu, në ne dhe mes nesh, qoftë në formën klasike si libër fizik, i pazëvendësueshëm për mua, qoftë edhe në formë virtuale, elektronike, që është bërë natyrë e dytë e qenies sonë.

Letërsia nuk mund ta ndryshojë botën. Kjo dihet. Mund të jetohet edhe pa poezi, por nuk është mirë. Jeta jonë do të ishte tejet e varfër pa art, muzikë, poezi, pikturë, sepse, siç thoshte Gëtja i madh: “çdo ditë duhet të lexosh një poezi të mirë, të dëgjosh një këngë dhe të shikosh një pikturë të bukur”. Letërsia, pra nuk mund ta ndryshojë botën, as ta krijojë shtetin, por ata që janë të detyruar ta bëjnë këtë duhet t’i kenë parasysh vizionet e poetëve. Sepse poetët janë “ligjvënësit e papranuar të botës” (poets are the unacknoëledged legislators of the world), thoshte poeti i madh romantik anglez Persi Bish Sheli (Percy Bysshe Shelley, 1792-1822). Eseja e tij e famshme Mbrojtja e poezisë (Defence of Poetry) mbyllet pikërisht me këtë fjali.

Arti si çdo gjë tjetër evoluon, por thelbi i tij, që ka të bëjë me shpirtin njerëzor, me dhembjen, dashurinë, pikëllimin, vetminë, frikën nga vdekja, por edhe dashurinë për jetën, mbetet i njëjtë. Letërsia më e mirë që krijohet sot në Kosovë i artikulon shqetësimet e njeriut kosovar, shqiptar,por edhe të njeriut në përgjithësi, pavarësisht se ku jeton dhe nga vjen, pra ka një tharm universal. Sepse, siç thoshte i madhi Viktor Ygo (Victor Hugo), regjimet ndryshojnë, ideologjitë, shtetet, kufijtë, por zemra njerëzore mbetet po ajo: e pandryshuar.

Unë jam, zonja dhe zotërinj, edhe vetë poet e jo vetëm profesor dhe studiues i letërsisë. Prandaj preferoj ta mbylli këtë fjalë timen me një poezi të shkruar vite më parë, në të cilën artikuloj trazimet shpirtërore të njeriut në Kosovën e pasluftës, paradokset që e përshkojnë shpirtin e tij, zhgënjimin përballë lirisë, që në realitet nuk del aq e bukur sa në kohën kur e kemi ëndërruar dhe kemi luftuar për të.

Poezia titullohet Nostalgji për kohërat e rrezikshme dhe unë do ta lexoj në origjinal shqip, kurse moderatorja në përkthim frëngjisht të Aleksandër Zotos.

Fjalë e përgatitur për “Sallonin e Librit” në Paris (Salon du livre Paris, 2019), ku autori nuk mundi të shkonte për arsye objektive.

NOSTALGJI PËR KOHËRAT E RREZIKSHME

Çdo ditë në mëngjes posa hapi sytë
Te dera e shtëpisë sime në katin e dytë
dhe poshtë në parking te makina
Gjej reklama shumëngjyrëshe me siglën “Top oferta”.
Ne kujdesemi për ju! – thonë plot finesë firma turlifare.
Më ofrojnë artikuj ushqimorë: mish, supë, kos, banane
Veshmbathje për dimër e për verë, enë kuzhine mobilie
Atlete për burra, këmisha nate për gra,
bluza, dekolte dhe mbathje të holla fare
(tanga më duket se u thonë)
Çdo ditë në mëngjes te dera e shtëpisë
Pije alkoolike afrodiziakë kontraceptivë
Kompjuterë laptopë celularë
Lojëra shpërblyese…
Të gjitha me çmime speciale
Në Kosovën tonë të lirë
Ku jetojnë europianë të rinj të papunë,
Pleq pa pension
Amvisa pa shportë
Tregtarë, hajdutë, lypës, lavire…
Dhe njerëz misteriozë që enden me xhipa të zinj
Si të ardhur nga ndonjë planet tjetër…
Gjithçka 1 euro!
Të gjitha me zbritje.
Në Kosovën tonë të lirë e demokratike!
Eci rrugës fillikat
Mjekërbardhë si Babadimri
Dhe befas më merr malli për kohërat e rrezikshme
Kur në mëngjes te dera e shtëpisë
Gjeja fletushkën ilegale “Çlirimi”!

Prishtinë, 11. 6. 2011

LA NOSTALGIE DES TEMPS DANGEREUX

Chaque jour, au réveil,
je trouve sous ma porte,
au second étage de l’immeuble où j’habite,
puis tout en bas, sur le pare-brise de ma voiture,
des publicités multicolores portant le sigle « Top-Service »,
Des agences de toutes sortes et fort habiles s’y disent
dévouées pleinement à mon service, proposant de me fournir
de multiples denrées – viandes, soupes, yaourt, bananes –
des vêtements de saison, des ustensiles de cuisine, du petit mobilier,
des chaussures de sport pour hommes, des chemises de nuit,
des tabliers, des corsages, de menues culottes
(des « strings », comme on dit, je crois), pour les dames.
Chaque matin, je trouve devant ma porte,
des boissons alcolisées, des aphrodisiaques, des contraceptifs,
des ordinateurs et téléphones portatifs,
des jeux à loterie,
tout cela à des prix exceptionnels.
En notre Kosova indépendante
que peuplent de jeunes chômeurs,
des retraités sans retraite,
des ménagères sans panier à provision,
des trafiquants, des voleurs, des mendiants, des putains…
Et aussi de mystérieux personnages qui circulent en 4×4 noirs,
comme débarqués d’une autre planète…
Tout à un euro !
Tous les produits à prix cassé !
Et cela en notre Kosova libre et démocratique !
Flanant seul, de par les rues,
sous ma barbe de père Janvier, je me sens pris,
soudain, d’un accès de nostalgie pour les temps dangereux,
quand je trouvais sous ma porte, au petit matin,
la feuille clandestine, Çlirimi

Prishtina, le 11 – 06 – 2011

Arian Leka vlerësohet me çmimin ndërkombëtar “Skeptri letrar”

Presidenca e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe juria e ngritur prej saj shpalli fituesit për çmimit ndërkombëtar prestigjioz “Skeptri letrar”.

Ky institucion vlerëson me këtë çmim një autor nga poezia europiane dhe një poet maqedonas. Me “Skeptrin letrar” për autorin nga poezia europiane u vlerësua poeti shqiptar, Arian Leka. Poeti maqedonas që meritoi “Skeptrin letrar” është Radovan P. Cvetkovski. “Skeptri letrar” është çmimi më i rëndësishëm i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe u ofrohet atyre autorëve, që në veprën e tyre kanë prurje të vlerave të larta estetike. Çmimi u dorëzohet fituesve gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, që mbahet në Shkup në qershor të vitit 2019. Përveç trofeut letrare të skeptrit, poetit Arian Leka ky çmim i sjell edhe botimin e një libri me poezi të zgjedhura përkthyer në gjuhën maqedonase, në gjuhën angleze, përballë tekstit në gjuhën shqipe.

Nuk është hera e parë që shkrimtari Arian Leka botohet në gjuhën maqedonase, siç edhe krijimtaria e tij letrare nuk është e panjohur për lexuesit maqedonas dhe shqiptarë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2016 romani i tij me titull “Gjarpri i shtëpisë” u publikua nga shtëpia botuese e suksesshme “Goten” me përkthimin e Mirjana Ilieva-Jasharit dhe e shoqëruar me një pasthënie nga shkrimtari i shquar Luan Starova, i cili shkruan: “Arian Leka, me veprën e tij poligrafe letrare si poet, tregimtar dhe romancier, eseist, përbën gjeneratën më të re të shkrimtarëve shqiptarë e cila çlirohet në mënyrë radikale nga socrealizmi, duke iu afruar poetikës së romanit modern evropian”.

Më herët poezitë e këtij autori, të përkthyera në gjuhën maqedonase nga Resul Shabani janë paraqitur në Festivalin Ndërkombëtar të Strugës dhe janë botuar në revistën letrare “Sintesi”.

Ese të tij mbi multikulturalizmin dhe muret e dukshëm dhe të padukshëm mes kulturave në Ballkan dhe në Europë, janë mirëpritur nga kritika dhe lexuesit pasi janë botuar në revistën “Stozher”, nën përkthimin e Daim Miftarit.

Vlerësim për krijimtarinë në prozë të Arian Lekës ka shprehur edhe kritikja e njohur letrare Elizabeta Sheleva, e cila ka përqasur modalitetet e babait në letërsinë maqedonase me shembuj të krahasueshëm nga rajoni i Ballkanit. Po ashtu, është mirëpritur edhe tregimi “Pema”, i përkthyer në gjuhën maqedonase nga Fatbardha Shehu, për të cilin shkrimtari dhe kritiku letrar Srdjan Srdi? ka shkruar se kjo prozë e ciklit të tregimeve të Arian Lekës mbi fatin e emigrantëve shqiptarë pas vitit 1991 dhe të atyre që masivisht braktisin një nga vendet më të varfra të Europës në fund të shekullit të shkuar, në kërkim të strehës përtej Atlantikut, por edhe në Italinë fqinje, ndërtohet me tekste pakrahasimisht më të dhimbshëm, të tillë që shkaktojnë hidhësi dhe ngarkesë leximi, për shkak të identifikimit të drejtpërdrejtë dhe të papenguar me viktimat historike të padyshimta, nga të cilat nuk ka pak anekënd Ballkanit. Nga perspektiva e një fëmije tregimi “Pema” shpreh jo vetëm tmerrin që përndjek emigrantët, por i kontribuon drejtpërdrejtshmërisë, si edhe zmadhimit të mundimeve para tablove të natyrës njerëzore, të pandreqshme dhe të këqija.

Por veçmas të tjerave, vlerat e poezisë së Arian Lekës janë shprehur përmes krijimtarisë kushtuar detit dhe marrëdhënieve të shqiptarëve me detin dhe të njeriut, si qenie universale, me të. Duke u shprehur për krijimtarinë e tij Luan Starova shkruan: “Rrënjët e Arian Lekës në jetë dhe në krijimtari janë atje, në Durrës, përgjithmonë mes bregut dhe detit, por më shumë në det se sa në breg (…)

Arian Leka është autor i disa librave me poezi, prozë, ese dhe studime letrare. Krijimtaria e tij letrare është nderuar me 4 çmime kombëtare nga Ministria e Kulturës si librat dhe dorëshkrimet letrare më të mirë të vitit (Strabizëm 2004; Shpina e burrit, 2006, Ndreqje gabimesh 2010; Dora e majtë, 2016). Tregimi i Arian Lekës “Vëllezër në brisk” u bënë pjesë e antologjisë së mirënjohur “The Best European Fiction 2011” (USA). Në vitin 2014, eseja e tij “Këmisha” u bë pjesë e antologjisë europiane “Das Hemd” (Graz, Austri). Në vitin 2017 tregimi “Qeli prej letre” u përfshi në antologjinë “Glückliche Wirkungen” (Berlin, Gjermani) dhe në vitin 2018, tregimi “Paranoja” u botua në antologjinë “Europiani i mirë (Mynih, Gjermani).

Poezitë e Arian Lekës janë botuar si libra më vete në gjuhën frënge (L’il qui chasse) përkthyer nga Edmond Tupja, në gjuhën gjermane (Ein Buch Ein Meer), përkthyer nga Lindita Arapi dhe Loreta Schillock, në gjuhën rumune (Biblioteca plutitoare), përkthyer nga Ardian-Christian Kyçyku. Këto poezi janë botuar në antologji të shumta në gjuhët angleze, italiane, sllovene, gjermane, serbe, kineze, kroate, finlandeze si dhe në mjaft revista letrare, mes të cilave edhe “Poem” me editore poeten e shquar britanike Fiona Sampson /Gazeta Shqiptare. / KultPlus.com

Agon Bexheti dekorohet me çmimin për punimin më të mirë akademik në Japoni

Këtë vit çmimi për punim më të mirë nga The Mark Weiser nga konferenca #PerCom2019, shkon për punimin akademik “Rruajta dhe shpërndarja e sigurt e të dhënave të sinjaleve të memories në sistemet e augmentimit të memories: Qasja praktike”.

Ky çmim mjaft prestigjioz këtë vit i ndahet të riut shqiptar nga Tetova, Agon Bexheti, doktorant i shkencave kompjuterike, në USI Universitetin e Luganos.

Këtë vit konferenca ndërkombëtare për informatikë të përhapur dhe komunikim u mbajt në Kyoto të Japonisë.

Agon Bexheti, ka kohë të gjatë që në jetën akademike ka sjell risi në hulumtim, veçanërisht në sferën e IT-së dhe sigurisë në ruajtjen e të dhënave. Redaksia e portalit tonë i dëshiron suksese të mëtejme Agonit, me shpresë që eksperiencat dhe njohuritë e tij do të kontribuojnë në komunitetin tonë. /bonzo.info/ KultPlus.com

Ministri Gashi takoi alpinisten Ibrahimi, ia dha flamurin e Kosovës që ta vendosë në Himalaje

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim alpinisten Uta Ibrahimi. Fillimisht ministri e përgëzoi alpinisten Ibrahimi për sukseset e treguara deri më tani dhe gjatë këtij takimi ia dhuroi asaj flamurin e Republikës së Kosovës për ta vendosur në majat e Everestit gjatë këtij sezoni.

Në kuadër të mbështetjeve të shumta të cilat MKRS-ja ofron për sportistët tanë, Ministri Gashi i ofroi mbështetje financiare në vlerë prej 8 mijë euro alpinistes Uta Ibrahimi për ekspeditën e radhës të cilën do ta filloj në fund të muajit prill 2019.

Bëhet fjalë për ekspeditën në Himalaje në Nepal, në ngjitjen e radhës në majën Lhotse Jug 8516m (Lhotse South) e cila do të përcillet nga ekipi i National Geographic, ku do të bëhet edhe dokumentar për këtë ngjitje. Uta është pjesë e ekipit të ngjitëseve nga e gjithë bota, Koreja, Kina, Spanja, Kolumbia, Nepali dhe Kosova.

Me ketë rast ministri Gashi tha se ne po mbështesim në vazhdimësi sportistët të cilët kanë nevojë që të përkrahen për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Duke pasur parasysh imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, iniciativa e projekte të këtilla janë të mirëseardhura, u shpreh ministri Gashi.

Ndërsa Alpinistja Uta Ibrahimi u shpreh e kënaqur me mbështetjen financiare dhe falënderoi ministrin Kujtim Gashi për mbështetjen e vazhdueshme që po iu jep sportistëve. / KultPlus.com

Rita Ora sjell këngën e re, bashkëpunim me dy këngëtare të njohura (VIDEO)

Rita Ora këtë vit është shumë aktive në muzikë, pas një pauze që kishe. Ajo po punon pandalur në muzikë dhe po sjellë projekte shumë të suksesshme, shkruan KultPlus.

Ajo sapo ka lansuar edhe videoklipin e radhës.

Kënga titullohet R.I.P dhe është bashkëpunim në mes të Sofia Reyes, Rita Orës dhe Anitta.

Me një videoklip tejet të bukur, tri këngëtaret kanë bashkuar forcat për këtë projekt i cili pritet të pëlqehet shumë nga fansat e tyre. / KultPlus.com

“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në Panairin e Librit në Paris

Në Panairin Ndërkombëtar të librit në Paris, që u hap pardje, ka gjetur vend edhe romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” (QUI REISTE A LA PESTE RESISTE AU DIABLE), i botuar nga botuesi i njohur parisien “L’Harmattan” në përkthimin e Odette Marquet.

Romani i Buxhovit në frëngjisht ka pasur dy promovime të suksesshme në Paris si dhe tri ribotime brenda një kohe të shkurtër në Francë.


Në Panairin e Librit, autori Buxhovi, është prezantuar në stendën e botuesit parisien “L’Harmattan”, bashkë me autorët tjerë shqiptarë të përkthyer nga ky botues me renome botërore.

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botua në vitin 1982, krahas dhjetëra ribotimeve, është përkthyer edhe në sllovenisht (1990), serbisht (1986) dhe është në përkthim e sipër edhe në italisht dhe anglisht. / KultPlus.com

Një tregim Prishtine’ erdhi mbrëmë premierë në Cineplexx

Filmi ‘Një tregim Prishtine’ me regji nga Burbuqe Berisha, skenar nga Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe producent Agron Vula, mbrëmë është dhënë premierë në Cineplexx, shkruan KultPlus.

Në premierë përveç ekipit të filmit, ishin të pranishëm edhe shumë artistë të cilët kanë pasur komente të mira për filmin.

‘Një tregim Prishtine’ është dramë familjare që flet për një familje të shtresës së mesme, e cila përballet me sëmundjen e vajzës së tyre; leukeminë akute dhe mënyrën se si ata i sigurojnë mjetet për shërimin e vajzës. Krejt ky rrëfim përfundon me shërimin e vajzës por me shumë peripeci gjatë asaj kohe. Skenari ndjekë dy linja dramatike që janë drama familjare dhe drama korruptive.

Në këtë film luajnë: Donat Qosja, Teuta Krasniqi, Artiola Hamdiju, Bislim Muçaj, Myrvete Kurtishi, Aurita Agushi, Ylber Bardhi, Armend Baloku, Lis Tafa, Luran Ahmeti dhe Edi Kastrati.

Film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2015 në kuadër të kategorisë së filmit të gjatë debutant./ KultPlus.com

Faik Konica: Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh

Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare. Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).

35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).

37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).

38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).

39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).

40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).

41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).

42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).

43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).

44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).

45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).

46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).

47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).

48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).

49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).

50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com

Ermonela Jaho vlerësohet me ‘Çmimi i madh Albanian Excellence’

Një nga çmimet e “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, do të mbajë emrin Ermonela Jaho.

Juria e çmimit mbarëkombëtar të Albanian Excellence “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, e përbërë nga përfaqësues të njohur të medias mbarëshqiptarë, në mbledhjen e parë të nisjes së procedurave të këtij çmimi, në Tiranë, në unanimitet të plotë kanë aprovuar akordimin ,“Çmimi i Madh Albanian Excellence”, për sopranon e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jahon, si simbol të suksesit dhe famës së shqiptarizmës në një dimension botëror . Gjithashtu, juria e çmimit mbarëkombëtar të Albanian Excellence “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, votoi në unanimitet të plotë që një nga çmimet e “Zonjave që bëjnë Shqiptarinë”, të mbajë emrin Ermonela Jaho.

Kjo është hera e parë që shpallet “Çmimi i madh Albanian Excellence “, një qendër e cila nisi udhën e saj në vitin 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë, me synim evidentimin e suksesit shqiptar në botë dhe që deri më tani numëron të paktën 600 të intervistuar të suksesshëm.

Po ashtu, kjo është hera e parë që të gjitha çmimet që do të prezantohen nga fusha të ndryshme profesionale për zonjat që do të nderohen me “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, do të mbajnë emra zonjash të suksesit mbarëkohor shqiptar. Është një nder që caktimi i emrave të çmimeve do të nisë më emrin e sopranos Emonela Jaho.

Ermonela Jaho , ka qenë pjesë e Albanian Excellence në botimin “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, një megaprojekt i organizuar në vitin 2016 në Manhattan në Nju Jork, ndërkohë që tanimë Ermonela Jaho, me këtë çmim shpallet kumbare e këtij çmimi që përfaqëson vlerën mbarëshqiptare dhe që do të shpallet në mënyrë ceremoniale gjatë një mbrëmje të madhe gala, në Tiranë në dhjetor të këtij viti.

Çmimi “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë “, është një çmim mbarëkombëtar, organizuar për herë të parë, pas titullit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, organizuar vitin e kaluar, me zonja të nivelit të lartë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë.

Këtë vit, ky çmim ideuar nga Albanian Excellence, i kushtohet zonjave të shqiptarisë, për të nderuar e për të pranuar se, Zonjat e Shqiptarisë, janë një zë i fuqishëm në përvijimin dhe në ndërtimin e së ardhmes, një faktor shumë i rëndësishëm dhe shpresëdhënës për një të ardhme më të sigurtë.
Çmimi “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë “, është një vlerësim për gratë shqiptare kudo janë të cilat nderohen për vokacionin e tyre, iniciativën e tyre, rritjen profesionale, punën e madhe në të mirë të profesionit, shoqërisë dhe të familjes që prezantojnë. Ky çmim është për zonjat që arrijnë të pamundurën dhe që tregojnë se me punën e tyre, ëndrrat bëhen realitet .

Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jajo, në një mesazh drejtuar themelueses së Albanian Excellence, Flora Nikolla, shkruan :

“ E nderuar zonja Nikolla, ju falënderoj nga zemra për këtë nderim që më është bërë nga “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” dhe Albanian Excellence!

Unë gjithnjë në çdo hap dhe frymë në rrugën time si artiste, kam komunikuar atë çka kam nga vendi im, në të gjithë botën, pa pasur asnjë lloj pritshmërie nga askush. Dashuria ime për vendin është e pakondicionuar në kuptimin e vërtetë të saj!

Unë jam jashtë mase e ngarkuar dhe nuk mendoj që mund të jem në dhjetor në Shqipëri. Unë mbaroj në Londër nga fundi i dhjetorit dhe kthehem në NY. Nëse duhet ta tërheqë dikush çmimin mund të vijë një pjesëtar i familjes sime. Kërkoj ndjesë për mosprezencën time por impenjimet e punës ma bëjnë tejet të vështire faktorin kohë.

Ju faleminderit për respektin dhe konsideratën dhe ju uroj suksese në punën tuaj për të promovuar dhe njohur bashkatdhetarët që me shumë punë dhe sakrifica kanë krijuar dhe krijojnë energjinë pozitive të vendit tonë nëpër botë.

Me respekt, Ermonela. / KultPlus.com

Bebe Rexha fiton një tjetër çmim të rëndësishëm

Mbrëmjen e djeshme Bebe Rexha arriti të rrëmbente një çmim mjaft të rëndësishëm në eventin e “iHeartRadio Music Awards”.

Mes emrave të tjerë të njohur, Bebe Rexha u shpall fituese në kategorinë “Kënga më mirë e muzikës country” me “Meant to be” në bashkëpunim me Florida Georgia Line. Pasi mori trofeun, Bebe u shfaq shumë e lumtur për këtë arritje të radhës në karrierën e saj.

Përveç kësaj ajo pati mundësinë të takonte një nga grupet më të njohur dhe të dëgjuar të viteve ’90, Backstreet Boys. Këngëtarja publikoi në ‘Instagram” një video, në të cilën shihet tejet e entuziazmuar që pati fatin të njihej nga afër me djemtë e grupit. “Sinqerisht njerëzit më të mirë që kam takuar. Sikur Bebe e re ta dinte që do i ndodhte kjo gjë një ditë. Meqë ra fjala dështova keq”, ka shkruar këngëtarja në postimin e saj.

Backstreet Boys janë ndër grupet më të njohura që vazhdojnë ende dhe sot, pas më shumë se 20 vitesh, të korrin sukses njësoj si ditën e parë. Ndërkohë kujtojmë se një vit më parë Bebe Rexha fitoi një tjetër çmim në “iHeartRadio Music Awards” me po të njëjtën këngë. / KultPlus.com

Në kujtim të Faik Konicës



Ndue Ukaj

Në një ditë si kjo, në vitin 1875, lindi shkrimtari, diplomati dhe publicisti, Faik Konica. Ai ishte i kulturuar, erudit dhe i rreptë si pakkush. Ai lindi një ditë pas ditës së verës, së cilës ia kushtoi një tekst të shkurtë, por shumë domethënës. 

Në fakt, Konica tërë jetën e tij punoi dhe luftoi për të parë dhe përjetuar ‘verën kombëtare’, për t’i ndierë rrezet e diellit dhe lulëzimin e kombit shqiptar, pasi dimrit të gjatë dhe të acartë. Ai punoi që populli i tij të ngrohej në rrezet e lirisë dhe të përparimit, por vdiq i pezmatuar. Sepse, rrezet e lirisë, drejtësisë dhe përparimit, për çka fliste dhe luftonte ai, nuk e ngrohnin sa suhej popullin e tij. E ai, gjatë gjithë jetës, përmes punës diturore dhe intelektuale, u përpoq t’i kuptonte dhe t’i shpjegonte arsyet e kësaj mjegulle që pengonte përparimit kombëtar.

Në historinë e kulturës e kulturës shqiptare, Faik Konica është nga ato personalitete që ka treguar dashuri përvëluese për kombin dhe përparimin e tij, që ka vuajtë pafund për shkak të prapambeturisë së kombit të tij dhe ka guxuar të stigmatizojë pa kompromis plagët që dhembnin fort. I ditur dhe i formuar me koncepte perëndimore, ai vuante pse e shihte popullin e lashtë të prapambetur, të çorientuar dhe të mbytur në mosmarrëveshje të brendshme. Prandaj, te “Shqipëria si mu duk”, më 1929, i pezmatuar ai shkruante: “Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë”. Ky gjykim i Konicës, i ashpër, por real, edhe pas kaq dekadash, shporon si heshtë në zemrën e gjitha atyre që e duan kombin shqiptar të emancipuar dhe të përparuar, si gjithë popujt tjerë të Europës.

Vepra e tij e pasur në fushën e letërsisë, publicistikës dhe gazetarisë mbetet një testament i përhershëm për shqiptarët e çdo kohe, sidomos për ata që nuk i duan zinxhirët e robërisë. Është një vepër e begatshme, diturore dhe domethënëse, për ata që aspirojnë të jetojnë me dinjitet në mesin e popujve të emancipuar. Sidomos për ata që nuk e duan poshtërimin dhe nënshtrimin. Është një vepër që shqiptarin e ndihmon ta mposhtë plogështinë, të heqë pluhurin e robërisë dhe të ecë me dinjitet ka përparimi dhe liria e njëmend.

“Të lirë nga krahët, por truri i tyre është i lidhur me zinxhirë” – shkruante ai dhe kërkonte që shqiptarët e çorientuar dhe me pranga zinxhirësh në tru, të çliroheshin nga ky sindrom poshtërues. Por, që të ndodhte kjo, shqiptarët duhej të kulturoheshin dhe të emancipoheshin. Dhe në këtë betejë, fjala dhe mendimi i kulturuar dhe dituror, kishte kuptim. Për këtë arsye, ai shkroi thirrjen e tij, “Lutja e shkrimtarit” që tingëllon aktuale edhe sot:

”Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi për të thënë gjë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mbrehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm në paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu Qoftë”. Kjo lutje, që ka bazë te teksti biblik, si ligjërim dhe semantikë, përkatësisht te lutja që Jezusi ua mësoi dishepujve të tij, është dëshmi e kulturalitetit të veprës së tij dhe përkatësisë së saj oksidentale.

Konica, ndër tjera, na dha leksione të nevojshme për të kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar historiografinë shqiptare, sidomos atë që merret për raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Duke e analizuar këto raporte, shprehimisht shkruante: “Para se gjithash, prapambeturia kulturore është pasojë e pushtimi turk. Ky pushtim zgjati afër pesëqind vjet.”

Konica ka shkruar një sërë tekstesh të dobishme, që mund të lexohen edhe në kontekstin e sotëm shqiptar, sepse janë analiza që tingëllojnë sikur të ishin shkruar sot, në Tiranë dhe në Prishtinë. Kjo tregon ç’mendje e madhe ishte ai, por njëkohësisht sa të paaftë dhe të pazotë që jemi ne për të kaluar nga ky stadi primitiv drejt një shoqërie të përparuar dhe të organizuar mirë.
Konica, ashtu sikurse edhe sivëllezërit e tij shkrimtarë, ishte i ditur dhe i rreptë, i pa kompromis me veset dhe të këqijat shqiptare, të cilat i stigmatizonte si pakkush, por edhe krenar për vlerat kombëtare, të cilat i lartësonte me guxim si pakkush. 
Ai besonte se beteja për të emancipuar një popull, nuk mund të bëhej duke i ikur të vërtetës, por duke e trajtuar atë dhe duke shkulur me rrënjë të keqen. Po ashtu, ai besonte se beteja për të emancipuar dhe kulturuar një popull, nuk mund të bëhej me rrahagjoksë, por nga njerëz të dijes, të hollë nga mendja dhe të iluminuar, që problemet e shoqërisë dhe të raporteve ndërkombëtare, nuk i qëmtojnë nga kafetë dhe çajtoret plot tym duhani, por nga dija, librat dhe kultura.

Konica na ka vizatuar me vija të trasha dhe të dukshme, të vërteta të dhimbshme, që nganjëherë tentojmë t’i fshehim, edhe pse e dimë se, dielli nuk mbulohet me shoshë.

Vepra e tij, ndonëse e rikthyer në jetën tonë kulturore e publike, nuk duhet cituar për të sharë njëri-tjetrin, por për të mësuar nga ajo dhe pësimet për të cilat na flet. 
Shqiptarët e sotëm, të çorientuar dhe të paemancipuar sa duhet, sidomos në fushën e politikës, me mosmarrëveshje të brendshme të mëdha, duhet rishtas të bëhen nxënës të veprës së tij, sepse në këtë mënyrë, më lehtë mund të hyhet në portat e lirisë dhe të përparimit dhe të përjetohet dita e verës kombëtare, në të cilën mund të ngrohemi nga rrezet e lirisë, përparimit dhe mirëqenies. / KultPlus.com

Bebe Rexha takohet me djemtë e Backstreet Boys, emocionet nuk e lejojnë ta këndojë hitin e grupit

Bebe Rexha po vazhdon të shijoj sukseset e këngës së fundit, “Last Hurrah”.

Këngëtarja e famshme shqiptare gjatë koncerteve dhe angazhimeve në projekte muzikore, po ka mundësi që të takohet me yje botërore të muzikës.

Ajo së fundi ka bërë të ditur se është takuar me grupin e famshëm amerikan, “Backstreet Boys”.

Madje, Bebe së bashku me djemtë e grupit kanë kënduar këngën ikonike të viteve të 90-ta, “I want it that Way”.

Gjersa vokalistët këndojnë pjesët e tyre, bukuroshja stepet dhe nuk e flet asnjë fjalë, e cila gjë krijon një moment tejet qesharak dhe simpatike.

Ndryshe, Rexha është duke punuar në këngë të reja që do t’i sjell gjatë këtij viti kalendarik. /Telegrafi/ KultPlus.com

Banesa Llavda në Berat do “udhëtojë” në gjithë Ballkanin

Banesa Llavda sot Muzeu Etnografik, Berat do të “udhëtojë” në gjithë Ballkanin. Kjo falë studentit shqiptar Marildo Bacelli i cili fitoi çmimin e parë në Stamboll në konkursin me temë “Banesat e Ballkanit në maket”.

Banesa Llavda sot Muzeu Etnografik,Berat, është një banesë interesante në Ballkan, më se 400 vjeçare që ruan autenticitetin e saj. Tashmë ky maket do të ekspozohet për disa javë në të gjitha qytetet kryesore të Ballkanit.

Konkursin me temë “Banesat e Ballkanit në maket” u organizua nga Shoqata Bal-Turk, Universiteti i Kocaelit, Universiteti Teknik i Bursës dhe Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme Ankara, në Stamboll me pjesëmarrjen e studentëve nga të gjitha universitetet e Arkitekturës së Turqisë e Azerbajxhanit. /a.a/j.p/ KultPlus.com

Sot është datëlindja e Faik Konicës

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington. Konica ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës.

Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta.

Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar.

Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”.

Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe.

Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. / KultPlus.com

NEX24news: Shqipëria thesari i pazbuluar i kirurgjisë estetike

Shqipëria, vendi i vogël përgjatë bregdetit adriatik dhe atij jonian, nuk ka rënë ende në sy për sa i përket turizmit shëndetësor, shkruan faqja e njohur gjermane NEX24.news.Jo shumë të huaj njohin bukurinë e peizazhit dhe mikpritjen e njerëzve atje.E megjithatë, Shqipëria mund të ofrojë më shumë.

Turizmi shëndetësor, një lloj i ri i turizmit, po bëhet gjithnjë e më popullor në vitet e fundit. Nëse disa pacientë e shfrytëzojnë atë për parandalimin e sëmundjeve, për të tjerët bëhet domosdoshmëri për trajtime mjekësore.

Në Gjermani, shoqëria është duke pësuar ndryshime dhe për këtë arsye shëndetit i jepet një rëndësi e madhe. Nga njëra anë, kjo përforcohet nga zhvillimi demografik, nga ana tjetër nga ndryshimi i strukturave të financimit.

Një trajtim dentar mund të çojë në një barrë shumë të madhe financiare, ndërkohë që kirurgjitë estetike janë të papërballueshme për shumë njerëz. Për këtë arsye, parandalimi shëndetësor dhe trajtimet mjekësore rrisin kërkesën për shërbimet e turizmit shëndetësor. Gjithnjë e më shumë vende po i përmbushin këto kërkesa.

Një treg i ri, që cili po rritet me shpejtësi.

Vetëm disa vjet më parë, Franca, Italia, Spanja dhe Anglia ishin destinacionet kryesore për trajtim mjekësor jashtë vendit, ndërsa tani janë shtuar me kalimin e kohës dhe Hungaria, Republika Çeke, Polonia dhe Rumania. Për disa vite, Turqia ka qenë gjithashtu një destinacion shumë i njohur për udhëtimet shëndetësore.

Në panairin më të madh ndërkombëtar të botës për turizmin, ITB, që u hap në Berlin, ky lloj i ri i turizmit për shumë ekspozues zinte një pjesë të konsiderueshme në prezantimin e vendeve të tyre.

“Shqipëria është ende pak e njohur në këtë sektor, por ne kemi mjekët dhe spitalet më të mira”, u shpreh Anduela Çela, nga klinika “Travel and Smile” ose “Viaggiare e Sorridere” në një bisedë me NEX24, në ambientet e këtij panairi.

Ajo thekson se kursehen mbi 60 për qind të vlerës për sa i përket trajtimeve dentare si dhe për procedurat estetike të cilësisë së lartë krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Sipas Dritan Gremit, themeluesit të kompanisë, në këtë mënyrë, ata do t’u ofrojnë pacientëve të tyre edhe shërbime individuale turistike për ta bërë qëndrimin e tyre në Shqipëri sa më të këndshëm.

“Misioni ynë nuk përbëhet vetëm nga përsosmëria mjekësore, por ne gjithashtu garantojmë mirëqënie dhe mikpritje”, shpjegon themeluesi Gremi, duke shtuar se “shpenzimet e trajtimit përfshijnë transfertën vajtje-ardhje nga aeroporti si dhe akomodimin në hotel ose apartament. Shoqërimi nga një përkthyes si dhe vizita nëpër vende të bukura të një kombi të ri dhe dinamik, në kryeqytetin e të cilit duken simbolet e rilindjes së tij, të cilat janë gjithashtu pjesë e shërbimit falas”, thotë Gremi.

‘’Travel and Smile’’ është ende një klinikë e re. Në vitin 2009, Dritan Gremi realizoi ëndrrën e tij. Ishte e rëndësishme për të që të kombinonte bukurinë e vendit të tij me artin mjekësor të shërimit. Ai ndërtoi një klinikë dentare dhe një qendër kompetente bashkëpunimi për klinikat, të cilat janë të specializuara në trajtimet minimale invazive të kirurgjisë estetike. Ndërhyrjet kryhen nga mjekë specialistë të njohur ndërkombëtarisht.

Sipas deklaratës së Anduela Çelës, klinikat janë duke zhvilluar punën në nivelin më të lartë.

Ata ofrojnë trajtime dentare të cilësisë së lartë duke përdorur teknika pa dhimbje dhe mini-invazive, si dhe produktet dentare të certifikuara nga BE. Implantet dentare nga Tirana tashmë i kanë dhënë një buzëqeshje të re shumë pacientëve.

Që nga themelimi i tij janë trajtuar me sukses 12 000 pacientë. Një pjesë e konsiderueshme e klientëve vijnë nga Italia, por gjithnjë e më shumë pacientë gjermanë kanë vlerësuar përparësitë e një trajtimi profesional në klinikën e tij./  a.jor. / KultPlus.com

Letra e Albert Kamysë për mësuesin, pasi fitoi çmimin Nobel në Letërsi

Pasi fitoi Çmimin Nobel, filozofi Albert Kamy mendoi që të falënderojë të parën nënën e tij, dhe të dytin një mësues të shkollës fillore, percjell KultPlus.

Më poshtë letra:

19 nëntor 1957

I Nderuar Monsieur Germain,

Lashë turbullirën që më ka rrethuar këto ditë të bjerë pak, përpara se të të flas nga thellësia e zemrës sime. Sapo më është dhënë një nderim shumë i madh, një që as i isha vënë pas, as e kisha kërkuar.

Por kur dëgjova lajmin, mendimi im i parë, pas nënës time, ishte për ty. Pa ty, pa dorën e dashur që ti shtrive drejt vogëlushit të vogël e të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tënd, asgjë prej këtyre nuk do të kish ndodhur.

Nuk është se e mendoj kushedi çfarë këtë lloj nderi. Por të paktën ai më jep mundësinë të të them, atë që ti ke qenë dhe je ende për mua, si dhe të të siguroj se përpjekjet e tua, puna jote, dhe zemra bujare që ti vendos në to, jetojnë ende tek njëri prej vogëlushëve të shkollës ku jepje mësim që, pavarësisht viteve që kanë kaluar, nuk ka pushuar kurrë së qeni nxënësi yt mirënjohës. Të përqafoj me gjithë zemër.

Albert”.
Marrë nga Bota.al

Shkolla Kombëtare e Baletit, garanci e së ardhmes për Baletin Kombëtar të Kosovës

Shkruan: Sinan Kajtazi

Shkolla Kombëtare e Baletit,

Viti 2018, për Baletin Kombëtar të Kosovës, do të kujtohet si vit i suksesshëm meqë ky Institucion Kulturor ka realizuar afër njëzet shfaqje në qendra të ndryshme të Evropës si: Berlin, Hamburg, Paris, Helsinki, Ruse, Sveti Vlas etj., paraqitje këto që përveç tjerash, u pasqyruan edhe ne mediat evropiane si: Die Welt në Gjermani dhe Le Monde në Francë. Ky vit mund të quhet i jashtëzakonshëm për një Institucion kulturorë që edhe pse në kushte të vështira të punës, gjithmonë ka dhënë më të mirën nga vetja, në emër të pasionit dhe përgjegjësisë ndaj publikut.

Të shfaqesh në një qytet si Parisi, kryeqendra e kulturës botërore, për cilëndo trupë baleti në botë, përveç privilegjit, ngërthen në vete edhe peshën e përgjegjësisë së jashtëzakonshme, pasi që ke të bësh me një audience me shije të filtruar, por edhe para një kritike me “kritere pariziene”.

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, që kanë shkelë skena evropiane, janë shkolluar në Kosovë. Pra, kudo që kemi shkuar dhe performuar, publiku ka pasur rastin të shoh para vetes, balerinë të cilët janë ngritur profesionalisht në një vend të pasluftës, mes shumë problemesh e sfidash, por mbi të gjitha me dëshirën dhe pasionin në rend të parë.

Shkolla e baletit nga e cila kanë dalë këto gjenerata, ka funksionuar për mrekulli për aq kohë sa ka qenë në harmoni të plotë me Baletin Kombëtar të Kosovës, duke nxjerrë kështu kuadro të cilat sot përbëjnë trupën e BKK. Për fat të keq, që nga koha kur ky bashkëpunim në mes të BKK dhe degës së baletit në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” është ndërprerë, nuk kemi as edhe një balerin/ë të vetëm të dalë nga kjo degë.

Gjatë qëndrimit tonë njëjavor në Paris, organizim ky i realizuar mrekullisht nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë dhe falë iniciativës së Ambasadorit z. Qëndrim R. Gashi dhe znj. Ulpiana Lama, Ambasada jonë kishte organizuar një vizitë të balerinëve të BKK në shkollën e baletit në Paris.

Kjo shkollë e themeluar në vitin 1713, sot është një ndër shkollat më prestigjioze në botë dhe pritja e jashtëzakonshme nga drejtoresha e kësaj shkolle znj. Elisabeth PLATEL, ish – Prima Balerinë (Danseuse Etoile) në Operën e Parisit dhe stafi i pedagogëve, i shtoi qershinë mbi tortë kësaj vizite.

Shkolla e baletit e Teatrit të Operës së Parisit, që nga themelimi i saj, prej më shumë se 300 vitesh, ka qenë si arterie kryesore e trupës së baletit në Operën e Parisit, trupë kjo e cila është një nga më të njohurat në botë për nivelin e saj. 
Kjo shkollë është themeluar me qëllimin e vetëm që të furnizoj me kuadro Trupën Kombëtare të Baletit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Parisit. Sot kjo shkollë, përveç që është burim kryesor balerinësh për trupën e baletit të Operës dhe Baletit të Parisit, njëkohësisht është edhe pikë reference për shumë të rinj nga e gjithë bota, të cilët dëshirojnë të merren me artin e baletit.

Në këtë shkollë baleti, në të gjitha nivelet e shkollimit, historikisht kanë dhënë mësim ish-solistë të baletit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Paris. Pra, balerinë të cilët janë të dëshmuar në skenë. 
Kjo shkollë funksionon në harmoni të plotë me Ministrinë e Arsimit të Francës, dhe një grupi profesionistësh baleti, të organizuar brenda shkollës së baletit.

Shkolla e Baletit ë Paris, sot është pikë reference për shumë shkolla baleti në botë, duke marrë për bazë suksesin që ka treguar kjo shkollë në 300 vite histori.

Vizita në këtë tempull baleti, na shtyrë të lëvizim edhe më tepër në këtë drejtim, duke ripërsëritur në vazhdimësi kërkesat tona për ndërtimin e Shkollës Kombëtare të Baletit, shkollë kjo që duhet të marrë për bazë kurrikulën por edhe mënyrën e funksionimit nga shkolla e baletit në Paris.

Shkolla Kombëtare e Baletit, përveç që do ishte garanci e së ardhmes për Baletin Kombëtar të Kosovës, në të njejtën kohë, do të ishte edhe një mundësi e merituar për të rinjtë që dëshirojnë të merren me artin e baletit, ku për fat të mirë, kemi shumë të tillë.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, z. Ahmet Brahimaj (inicues i themelimit të shkollës së baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, në vitin 2000) prej vitesh ka kërkuar nga ish-ministra të arsimit themelimin e Shkollës Kombëtare të Baletit.

Është për t’u vlerësuar që kërkesa e z. Ahmet Brahimaj për Shkollën Kombëtare të Baletit është marr parasysh nga Ministri i Kulturës z. Kujtim Gashi, i cili vitin e kaluar i drejtoi letër Ministrit të Arsimit z. Shyqiri Bytyqi, që të marr hapa në këtë drejtim. 
Poashtu, Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë mbështetje në këtë drejtim edhe nga Kryetari i Kuvendit dhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës është një storje suksesi, qoftë në Kosovë, qoftë në vende të ndryshme të botës. 
I rithemeluar pas lufte në kushte të jashtëzakonshme, ka arritur që të sjell në Prishtinë koreografë nga shumë vende të botës si: Shqipëria, Maqedonia Veriore, SHBA, Gjermania, Franca, Austria, Italia, Turqia, Kina, Bullgaria, Kuba, Rusia etj.
Falë rezultateve të treguara, BKK ka qenë target i shumë mediave të huaja, ku spikatë edhe dokumentari për Baletin Kombëtar të Kosovës, i realizuar nga kanali i famshëm evropian “ARTE” në fillim të këtij viti.

Pra, pa frikë e modesti e them se, Baleti Kombëtar i Kosovës është një aset kulturor i vendit tonë dhe e kemi për obligim ta garantojmë të ardhmen e tij. Duke pas parasysh që baleti është profesion jetëshkurtër, mënyra më e mirë e ruajtjes dhe e vazhdimit të funksionimit të këtij Institucioni, do të bëhej përmes edukimit të gjeneratave të reja të balerinëve, e këto gjenerata të reja vijnë vetëm pas ndërtimit të Shkollës Kombëtare të Baletit, e cila duhet të jetë në harmoni të plotë me Ministrinë e Arsimit dhe Baletin Kombëtar të Kosovës.

“Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët…”

“Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla!”

“Ligjet janë rrjeta ku mizat e mëdha kalojnë lehtësisht, ndërsa mizat e vogla ngelin të mbërthyera!”

“Prapa çdo pasurie të madhe, fshihet një krim i madh!”

“Zemra e një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e të cilës do të gjesh faljen!”

“Një grua e njeh fytyrën e njeriut që dashuron, ashtu si marinari njeh detin e hapur!”

“Një bashkëshort i mirë nuk shkon kurrë të bjerë për të fjetur i pari natën dhe nuk zgjohet kurrë i fundit në mëngjes!”

“Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të bukur!”

“Kur gratë na dashurojnë, ato na falin për gjithçka, edhe për krimet tona; kur nuk na dashurojnë, nuk na njohin meritën për asgjë, as edhe për virtytet tona!”

“Dashuria është poezia e shqisave!”

“Kur zhytemi në thellësitë e kënaqësisë, ne nxjerrim lart më shumë llum, sesa perla!”

“Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit!”

“Kur ligji bëhet despotik, morali dobësohet, dhe anasjelltas!”

“Pasioni është humaniteti universal. Pa të, feja, historia, romanca, arti do të ishin të kotë!”

“Një burrë është një krijesë e gjorë, krahasuar me një grua!”

“Vetmia është e mirë, por gjithsesi të duhet dikush, që të të thotë se vetmia është e mirë!”

“Mençuria është kuptimi i atyre gjërave hyjnore, tek të cilat shpirti ngjitet përmes dashurisë!”

“Në atë kohë, vetëvrasja ishte në modë në Paris: e çfarë çelësi më të përshtatshëm mund të kishte, për të zbërthyer misterin për një shoqëri skeptike?!”

“Armiqtë tanë më të mëdhenj janë të afërmit tanë. Mbretërit nuk kanë vëllezër, nuk kanë bij, nuk kanë nëna!”

“Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron!”

“Lumturia është poezia e gruas!”

“Të pakuptuarit përfshihen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët!”

“Fama tepër e dëshiruar është pothuaj gjithmonë një prostitutë e pashpallur!”

“Kritika është një furçë që nuk mund të përdoret mbi stofra të buta, ku mund të rrënojë gjithçka!”

“Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët ia kërkojnë qiellit bekimin e tij!”

“Besojini gjithçka që dëgjojini të flitet për të tjerët, asgjë nuk është aq e shëmtuar sa të jetë e pamundur.”

-Honore De Balzac

‘Delegacioni’ shpërblehet me çmimin e jurisë në Festivalin Frankofon të Filmit në Romë

“Delegacioni“ me skenar të Artan Minarolli e regji të Bujar Alimani ka marrur çmimin e jurisë në Festivalin Frankofon të Filmit në Romë, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur regjisori i filmit Bujar Alimani, i cili përmes një postimi ka njoftuar se çmimin e merr ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Bitri.

“Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion evropian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë – një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet. Tani ai është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leo’s. Detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar.“

Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë (Art Film shpk), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films). Në film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi./KultPlus.com

‘Tumankuqe moj belhollë’, thotë kënga, por a e dini se për cilat tumankuqe bëhet fjalë (VIDEO)

Në Shqipëri është vështirë të gjesh të tillë njerëz si Linda Spahiu, të cilët kanë kaq informacion për veshjet tradicionale shqiptare.

Koleksioni i saj i madh, i bukur do të kërkonte ndoshta edhe më shumë se një jetë për ta pasqyruar atë në sytë tanë.Vendi ku ajo ruan koleksionin e saj gjigand është një prej më të çmuarve e më me vlerë në vendin tonë, e aty Linda nis të flasë natyrshëm duke përshkruar madhështinë e këtij kostumi çam.

“Tumankuqe moj belhollë, ma bën me sy, ma bëj me dorë”, me siguri të gjithë i kemi dëgjuar vargjet e kësaj kënge nëpër gëzime familjare, por a e dini në të vërtetë se për cilat tumankuqe bëhet fjalë?

Hap pas hapi Linda na tregon këtë magji të etnografisë shqiptare

Linda ndërhyn në veshje duke i restauruar ato, por duke ruajtur gjithmonë pjesë të identitetit të tyre. Këtij jeleku unik , i ka ndërruar astarin, por ka qenë edhe përpara një dileme në se duhej të vazhdonte me ndërhyrje të tjera.

Linda na tregon se ndonjëherë i duket vetja si me një gjykim jo të kthjellët, pasi në fantazinë e saj i duket sikur njeh gra të caktuara. Kjo gjë vjen nga prekja e shumë historive nëpërmjet veshjeve, por edhe nga profesioni i saj i vërtetë si mjeke. Ka raste shprehet Linda se gjen edhe letra nëpër veshje që tregojnë shumë për personin që e ka pasur.

Fatkeqësi e quan Linda faktin që objekti i vjen nga tregtari te tregtari duke kaluar dorë më dorë , jo pak herë ka pasur raste kur poseduesit e kostumeve popullore duan të ruajnë anonimatin.

Më tej Linda na shpjegon larminë e copave dhe materialeve për të cilat është konsultuar edhe me miken e saj etnografen, Afërdita Ozuni.

Në mënyrë të përmbledhur Linda na e tregon të kompletuar këtë kostum madhështor të zonës së Çamërisë.

Në përfundim ajo që vjen si një mesazh sa goditës, aq edhe kërkues për shoqërinë shqiptare është mosnjohja dhe nevoja për ta kthyer këtë gjë në nevojë të menjëhershme të rritjes së kulturës për thesarin e artë të etnografisë shqiptare.

/shqiptarja.com

‘Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole’

Hakërrim

Poezi e shkruar nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!/KultPlus.com 

Sokol Beqiri do të prezantohet me ekspozitë personale në Shqipëri

“As Mik as Armik”, titullohet ekspozita e artistit Sokol Beqiri i cili kësaj radhe do ta shfaqë punën e tij në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, shkruan KultPlus.

GKA përmes një postimi ka ftuar të gjithë që të jenë pjesë e kësaj ekspozite që do të mbahet më 22 mars, prej orës 19:00. Kjo është njëherit edhe ekspozita e parë e artistit Sokol Beqiri në Shqipëri.

Kjo ekspozitë realizohet në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë dhe në përkujtim të 20 vjetorit të intervenimit humanitar të NATO-s për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Ekspozita “As Mik as Armik” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 2 qershor 2019./ KultPlus.com