Poeti i paqes, nobelisti Ernesto Kaha sot ishte për vizitë në Gjakovë

Nobelisti për paqe, izraelito-argjentinasi, Ernesto Kahan, poet dhe humanist, në një vizitë që po i bën Kosovës, ku edhe do të shpallet doktor Honoris Kausa në Universitetit AAB, sot vizitoi Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë. Me këtë rast, iu promovua libri me poezi, “Pakti im testament”, i botuar nga IWA “Bogdani”, si dhe bëri një bashkëbisedim me qytetarët e Gjakovës, duke evokuar paralelet e luftës nga koha e hebrenjve dhe rasti më i fundit i luftës në Kosovë.

Klubi letrar, e kishte për nder ta priste këtë poet e humanist, pasi që në vitin 1985, ishte laureat i çmimit për paqe, duke luftuar kundër armëve nukleare. Erneste Kahan, është mjek në pension, por, ka një renome të bujshme të aktivitetit të tij, si mjek, profesor i mjekësisë në disa universitete të botës, prej nga edhe e merr çmimin Nobel. Biografia e tij, jep përmasën e një njeriu, emrin e të cilit e ruan kujtesa e botës, poliglot me shumë gjuhë të njohura, por, ai kudo esencën e tij e shpjegon në dashurinë ndaj njeriut, pa diferenca që sot po rriten deri në kërcënim serioz të njeriut, thuhet në biografinë e tij.

Në emër të Klubit letrar “Gj.N.Kazazi”, foli kryetari, Muharrem Kurtaj e Agim Byci, duke e konsideruar se ky është nderi më i madh që po bëhet klubit letrar, por edhe popullit tonë në tërësi. Ndërsa me një fjalë përshëndetëse dhe me mirënjohje e shpërbleu kryetari i Asamblesë në Komunën e Gjakovës, Anton Shala. Ndër të tjera, prof. Jeton Kelmendi, shoqërues dhe botues i librit me poezi, dha një pasqyrë biografike të tij, ndërsa e njohu humanistin me gjenetikën dhe historikun e këtij populli, me shumë ngjashmëri me fatin e hebrenjve, duke shpjeguar se ju hebreut keni dhënë mësim se si duhet ndjekur fatin e vet secili popull, deri në fitore.

Redaktori i librit “Pakti im testament”, krijuesi Engjëll I. Berisha, në recensionin që i bëri kësaj vepre theksoi  Libri kapë shumë tema, Tel Avivi, Aushvicin, dhomat e gazit, Holokaustin, Sirinë, vende e ngjarje, si dhe popuj, pa i ndarë në kontinente as prejardhje, por, gjithnjë konfrontohet me simbiozën e besimit e të ndërgjegjes. Gjendja psikologjike e përmasës,  ia kaplon individualitetin e tij, lufta që ndodhë në Lindje dhe kudo tjetër, krijimtaria e tij në një përmasë bëhet herë rënkim e herë mallkim, me vetveten e tij në mbijetesë të pambrojturve të nënave e fëmijëve të pafajshëm.

Nga ky mendim i Berishës, del dhe një prezantim se: “Këto poezi që ia ekspozojmë lexuesit në gjuhën shqipe, kanë një tipologji referente të rrëfimit sa historik, po aq edhe të vetë autorit, aq sa është koncepti i identitetit të tij, është një skicë e dobësisë njerëzore. Dhimbja që bën dergjë, në këtë përmbledhje, është e formës së palimpsestit. 

Ndërsa në përfundim, nga mendimi kritik i krijuesit Berisha del mesazhi nga vepra e poetit e humanistit Kahan “Predikuesit e rrejshëm”.

Paralajmërimi që nga Zanafilla e Re, se do të dalin predikues të rremë, shikuar poezinë, e krahasuar me biografinë e tij, në mes shkencës e  poezisë, është krijuar mendimi refleksiv, gati si puna e laborantit antropologjik, për ta rigjetur vetveten, e në këtë rast, autori integron gjithë realitetin që e rrethon atë, popullin e tij, paragjykimet e thella që shpesh e përcaktojnë edhe fatin e njerëzimit, me moton se shkenca e vetëdija pa dashurinë njeri,  janë të pamjaftueshme. 

Ndonëse, në përgjithësi poezitë janë të një sensi delikat aty këtu shihet trishtim i zymtë, poeti gjithnjë e ruan sensin krijues brenda forcës shpirtërore të tij, gjithnjë me një dritë për fatin e popullit të vet. Kjo është fuqia humane e tij prej profesionit që ushtroi dhe shkrimit me të cilin, sikur thotë biografia, ka mbajtur hallkën e lidhur ndërmjet izraelit, vendit të tij, migrimit dhe karakterin si faktor me rëndësi edhe për revolucionet që bëhen ndonjëherë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Ernesto Kahan, do të ligjërojë sot në Universitetin Publik në Prishtinë, ndërsa nesër është i ftuar i Kolegjit AAB në Prishtinë.

Biografia

Prof. Ernesto Kahan. Izraelit – argjentinas. U lind në vitin 1940, dhe u arsimua në Argjentinë (Universiteti i Buenos Aires) dhe në SHBA (Universiteti i Uashingtonit). Doktor i mjekësisë, pedagog i universitetit dhe poet. Nënkryetar i Akademisë Botërore të Arteve dhe Kulturës. Profesor në universitete në Argjentinë, Izrael, Peru, Rep. Domenikane, Meksikë, SHBA dhe Spanjë.

• 1985 – Kandidatë për të marrë Çmimin Nobel për Paqe iu drejtua mjekëve Ndërkombëtare për Parandalimin e përçarjeve në çështjet Bërthamore IPPNË në Oslo / Norvegji

Autor i 7 librave dhe më shumë se 200 artikujve në revistat ndërkombëtare. Libri i tij “GENOCIDE” i shkruar me Taki Yuriko (në tri gjuhë), krijoi çmimin “Çelësi i artë i letërsisë dhe Culturës Hanchon” dhe u vlerësua në shumë festivale. Hartuesi i antologjisë “Los Escritores del Alba”, editorial Certeza, Spanjë. Themelues i Shoqatës së Mjekëve për Paqe në Izrael, Uruguaj, Kili dhe Bolivi; Nënkryetari i Mjekëve Ndërkombëtar për Parandalimin e Luftës Bërthamore – IPPNË, (1985 Lauerat i çmimit Nobel për Paqe), President i Grupit Letrar “BRASEGO”. Nënkryetar i Forumit Ndërkombëtar për Letërsinë dhe Kulturën e Paqes (IFLAC). Redaktor i Letërsisë për Paqe në “Palabras Diversas”.Nënkryetar i Kongresit Botëror XXV të poetëve, Los Anxhelos 2005, nënkryetar i Kongresit Botëror XXVI të poetëve Mongolia 2006. Nënkryetar i Kongresit Botëror të Poetëve XXVI,  Meksikë 2008. / KultPlus.com

Franck, në vitin 1534: Shqiptarët kanë sy të shndritshëm me ngjyra, mund të shohin më mirë natën sesa ditën

Në një dorëshkrim të vitit 1534 që i përket autorit Sebastian Franck (humanist, teolog, gjeograf dhe publikues gjerman që jetoi mes viteve 1499-1543) jepet edhe një përshkrim për shqiptarët. Dorëshkrimi që është zbuluar nga Robert Elsie, ka shumë informata që nuk bazohen në fakte. Përmbajtja është si më poshtë: 

“Shqipëria, një provincë e fuqishme e Evropës.

Njerëzit në Shqipëri lindin me flokë të bardha, sepse është një rajon i ftohtë që përballet me Azinë. Ky vend ka qenë të mëdhenj endacakë, që mund të sulmojnë dhe masakrojnë dema të egër dhe elefantë.

Këta njerëz kanë sy të shndritshëm me ngjyra, që mund të shohin më mirë natën sesa ditën.

Solinus ishte i mahnitur nga kjo.

Shqipëria ka qenë pak a shumë një pjesë e Maqedonisë dhe i përkiste asaj.

Pjesë e saj janë qytete të famshme si Durrësi dhe Apollonia.

Gjuha e njerëzve nuk kuptohet as nga grekët dhe as nga sllavët.

Në lindje kanë detin dhe në perëndim është Iberia.

Është një rajon malor dhe banorët fillimisht ishin barinj.

Janë njerëz kaq të thjeshtë sa nuk e dinë se çfarë është paraja.

Ata nuk dinë të numërojnë mbi njëqind.

Ata mbeten të zënë mes tyre.

Nuk e njohin peshën dhe masat, madje as nuk dinë të jenë fermerë.

Janë të pajisur vetëm për luftë dhe adhurojnë diellin dhe hënën.

Ky vend ka gjarpërinj të mëdhenj, akrepa dhe merimanga vdekjeprurëse.

Strabo thotë se ata kanë 26 gjuhë.

Fillimisht u pushtuan nga persët, më pas nga maqedonasit, më pas nga romakët dhe tani janë të pushtuar nga turqit”./KultPlus.com

Provokon “The Times”: Qyteti i lashtë shqiptar Butrinti është grek

Faqja britanike “The Times”, ka botuar një shkrim, me titull “Gërmimet zbulojnë të shkuarën greke të qytetit antik shqiptar”, duke pretenduar se Butrinti është qytet grek.

Shkrimi i plotë

Për dekada të tëra, qyteti i lashtë i Butrintit në bregun jugor të Shqipërisë ka qënë i dukshëm por i pavizitueshëm nga banorët. Madje, vetë shqiptarët duhet të merrnin një vizë të brendshme për të arritur atje, në gadishullin buzë liqenit, fare pranë kurit grek. Tashmë, arkeologët janë zhytur në thellësitë e tij nënujore dhe kanë zbuluar prova që kur “Bouthroton” u themelua më shumë se 2 700 vjet më parë, si një koloni greke e Korintasve.
“Butrinti i ka Virgjilit një borxh të paçmuar. Në poemën e tij ai e dërgoi heroin nga Troja, Enean, të pushonte në Butrint gjatë rrugës për të gjetur Romën.

“Me një goditje, Butrinti ishte në hartën e botës”, tha Richard Hodges.
Virgjili pohoi se Butrinti ishte themeluar nga Helenus, djali i mbretit Priam të Trojës dhe kur romakët e pushtuan në vitin 228 p.k. ishte një qytet i begatë me mure të larta, kishte një teatër dhe një vend të shenjtë në nderim të zotit Asklepios. Pas rrëzimit të Romës, Butrinti pësoi mjaft disfata dhe ra në duart e bullgarëve bizantinë, normanëve, venecianëve dhe francezëve, përpara se të bëhej pjesë e Perandorisë Osmane në vitin 1799. Megjithatë, Butrinti nuk u harrua kurrë.

Lidhjet e këtij qyteti me Virgjilin, stimuluan gërmimet e para serioze arkeologjike nga Luigi Maria Ugolini, i cili punonte për qeverinë fashiste të Musolinit në vitin 1928. Por pas 1944, gërmuesit e huaj u ndaluan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Një vizitë e Nikita Hrushovit në vitin 1945 solli interes të ri nga jashtë. Pas rënies së komunizmit në vitin 1991, Butrinti u bë fokusi i kërkimeve ndërkombëtare, të udhëhequra nga ekipi i Profesor Hodges.

Rrënojat helene, romake dhe mesjetare janë studiuar me një kujdes të veçantë dhe tani, pjesët të cilat shumica e gërmuesve nuk mund t’i arrijnë, poshtë forumit romak kanë dhënë prova lidhur me themelet greke të qytetit, gjatë shekullit të shtatë dhe të tetë p.k. Gërmimet e bëra nga një anëtar i ekipit të Hodges, David Hernandez nga Universiteti i Notre Dame, kanë treguar se shtresat poshtë forumit Romak shkojnë deri në 7 metra.

Punonjësit lokalë, të cilët profesor Hodges dhe Hernandez kanë trajnuar kanë qenë të aftë të identikojnë shtresa të ndryshme dhe t’i gërmojnë ato siç duhet. Disa prej tyre janë tani “ arkeologë shumë të aftë në fushën e tyre, të gatshëm për të përmbushur çdo detyrë që u jepet”, thotë David Hernandez në Journal Field of Archaeology

Nga viti 2011 e tutje, pjesë druri dhe sende të tjera organike janë gjetur si: okë, lëkurë dhe janë zbuluar fara bimësh që datojnë që në shekullin e 7 p.k.
Si rrallë ndonjëherë, në pjesën më të lartë dhe më të thatë të qytetit janë zbuluar sende nga jeta e përditshme, dëshmi nga ndërtesa masonerie, trotuare me mozaikë dhe vende të shenjta prej guri.

Mes gjetjeve ishin dhe plugje druri me moshë 2300 vjeçare. Butrinti u kuzua nga fusha pjellore e Vrinës, ku fermat u pasuan nga një varg vilash të fortikuara. Ekonomia vendase kombinonte agrikulturën me peshkimin në Liqenin e Butrintit dhe ngushticat e Korfuzit.

Profesor Hodges thekson se ndërkohë që Butrinti i perkiste Mesdheut dhe ishte qëllimisht një vend detar, gjithashtu ishte i lidhur me komunitetet bregdetare të Adriatikut e zonat e thella në lindje.
“Vendndodhja e Butrintit e mbrojti atë nga të këqijat e zhvillimit të turizmit pas luftës”, shton Profesor Hodges.

“Tani, arkeologët shqiptarë duhet të ngrenë kokën dhe të rishkruajnë historinë e Mesdheut. Nëse e bëjnë, gurët e brishtë dhe të përjetshëm të Butrintit do të vazhdojnë të rezistojnë”, thotë ai./tema/KultPlus.com

Ka vizituar Mitrovicën: Lexoni disa fakte të rralla për Angelina Jolie

Angelina Jolie është shumë më shumë se një fytyrë e bukur. Ajo është një aktore çmim-fituese, një nënë, një humanitare, që ka viztuar fëmijët kosovarë pas luftës dhe kjo është vetëm njëra anë e saj, ndërsa tjetra është arti, po kaq e madhe.

Në vitin 2002 Angelina Jolie ka viztiuar Kosovën, si përfaqësuese e UNCHR-it, për t’i ndihmuar fëmijët e prekur nga lufta. Aktorja amerikane ishte në qytetin e Mitrovicës.

1. Jolie shumë herët ka filluar të merret me aktrim, derisa profesori i artit e rrëzoi nga një provim, dhe ajo vazhdoi ëndrrën e saj, të bëhej sipërmarrëse, apo drejtoresh funeralesh. Më vonë ka filluar studimin e balsamimit, por aktrimin e ka vazhduar gjithmonë.

2. Nëna e saj ia ngjyrosi asaj flokët me ngjyrë të kaftë të errët në moshën 4 vjeçare.

3. Ka mbi 14 tatuatzhe në trupin e saj. Një tatuazh në mes të shpatullave që thotë “Dini të drejtat tuaja”, një citat nga grupi i saj i preferuar The Clash. Tjerat tatuazhe janë datëlindjet e fëmijëve dhe ish burrit të saj Brad Pitt.

4. Angelina Jolie ka dy hobi shumë interesante. Koleksionon thika dhe librat e botimit të parë.

5. Jolie nuk ka një përgjegjës që të kujdeset për aktivitete e saj. Ajo merret vetë me të gjitha aktivitetet në lidhje me publikun.

6. Është një nga aktorët më të paguar të Hollivudit. Ajo u rendit në krye të aktorëve më të paguar të Hollivudit gjatë viteve 2009 dhe 2011./KultPlus.com

“Guxo të dashurosh”, mesazhi i festivalit ReMusica i cili fillon nesër

Nesër fillon edicioni i 18-të i festivalit ‘ReMusica’ në Amfiteatrin e Bibliotekës së re Universitare me performancën e ansamblit Trio Guitar Elogio.

Në ketë edicion do të ketë një mori koncertesh me solist shumë të suksesshëm nga vendi dhe bota. Në mesin e të cilëve do të jetë virtuozi dhe tubisti Toma Leleu, i cili njihet për shkathtësitë e tij të jashtëzakonshme në instrumentin e tubës, i cili ka fituar çmimin kryesor të Francës në “Victoire de la musique” në vitin 2012.

Drejtoresha e këtij festivali Donika Rudi, prononcon se ky vit përveç koncertesh  përmban edhe aktivitete të shumta edukuese në fushën e muzikës.

“Përpos koncerteve do ta përcjellim festivalin me aktivitete tjera të cilat janë segmente që iu kanë shtuar ReMusices vitin e kaluar. Janë këto ReMusica edukative e cila i dedikohet rinisë,  fëmijëve apo familjarëve kushdo që ka dëshirë ta njoh një instrument, kompozitor apo artist prej së afërmi. Ketë vit në fokus e kemi pianon dhe instrumentin e kontrabasit”, u shpreh Rudi.

ReMusica sjellë në Kosovë performues të njohur nga vende të ndryshme të botës siç është Klemant Parmetie nga Belgjika, Duoja nga Austria, Redi Llupa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cili do të paraqesë një cikël të sonatave të kompozitorit amerikan George Walker.

Ndërsa nga solistët vendor, përveç bashkëpunimit me korin dhe orkestrën e Filharmonisë së Kosovës do të performojnë Vikena Kamenica dhe Merita Rexha Tershana të cilat do të vijnë me një projekt me veprën e Franc Shubert “Winter Riser” dhe do të paraqesin një frymë dimërore.

Ndërsa producenti i këtij festivali, Viktor Berishaj tha se mesazhi të cilin e përçojnë në këtë edicion është  “Dare to Love” (Guxo të dashurosh) dhe ky mesazh reflekton në programin e festivalit që duhet të kemi guxim të ngrisim zërin kundrejt pabarazive.

“Në një kohë që janë duke ndodhur shumë ndryshime të mëdha globale po harrojmë atë çka është brumi themelor apo atë çka na bën ne të veçantë si qenie, e ajo është dashuria. Në ketë moment kemi lëvizje të mëdha, emigrim të madh, kemi pabarazi gjinore dhe në shumë sfera, konflikte etnike etj. Ndërsa po harrojmë atë çka na përbën ne apo çka na jep frymë si qenie njerëzore. Dhe kemi menduar që këtë vit të përçojmë këtë mesazh, që të guxojmë të bëjmë ndryshime dhe të guxojmë të ngrisim zërin kundrejt këtyre pabarazive”, u shpreh Berishaj.

Në koncertin e hapjes do të performoj Petrit Çeku i cili bashkë me ansamblin e tij do të sjellin disa vepra më ndryshe dhe origjinale.

“TRIO ELOGIO është i vetmi ansambël që unë jam anëtar i rregullt dhe i vetmi bend që unë e kam. Ne sot i bëjmë 10 vjet të aktivitetit tonë koncertal, së bashku me Pedro Rodrigues dhe Tomislav Vukshiq. Kemi program shumë interesant për TRION si diçka më e mira në repertorin tonë. Kemi një vepër të Moxartit që na reprezanton në shumë mënyra si kitarist edhe si muzikant dhe dy vepra origjinale një nga Marko Ruzhgjak si dhe nga Rafet Rudi i cili shkroi tri vepra pikërisht për ne”, tha Çeku.

Ndërsa kitaristi nga Portugalia Pedro Rodrigues, shprehet i entuziazmuar që do të performoj për të tretën herë në Kosovë

“Jam vërtetë i gëzuar që do të performoj në Kosovë për herë të tretë me TRIO dhe ky vit është shumë i veçantë për ne sepse ne festojmë 10 vjetorin e ansamblit tonë. Kemi disa koncerte në Evropë dhe është kënaqësi që koncerti i parë të jetë në Kosovë në këtë festival të shkëlqyeshëm. Nuk  e di origjinalin e këtyre këngëve folklorike shqiptare, por kam njohuri për disa këngë folklorike dhe me pop muzikë dhe kjo është ekzotike për mua”, prononcoi Rodrigues. /KultPlus.com

Trafikimi i trashëgimisë kulturore jo më vetëm si dëm kolateral

Konferenca rajonale për Luftën kundër trafikimit të trashëgimisë kulturore është mbajtur këtë muaj në Künstlerhaus në Munih. Mbi 70 pjesëmarrës kanë udhëtuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera të Evropës për të marrë pjesë në këtë konferencë.

Duke pasur para sysh relevancën dhe rëndësinë e temës, në konferencë morën pjesë shtatë zyrtarë nga Kosova – nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Zyra e Prokurorit Themelor në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Dogana dhe Policia e Kosovës.

Objektivat e konferencës

Qëllimet kryesore të konferencës ishin vetëdijesimi i publikut dhe subjekteve ligjore në lidhje me trafikimin me trashëgimi kulturore dhe ngritja e të kuptuarit të mënyrës së veprimit të grupeve të krimit të organizuar të përfshira në aktivitete kriminele. Folës ekspertë nga organizata, siç është Europol, Spanish Guardia Civil, universiteti Oxford, UNESCO, UNODC, dhe Organizata Botërore e Doganave kanë ndarë njohuritë e tyre se si kriminelët falsifikojnë dhe kontrabandojnë dokumentet për prejardhjen dhe mbi ndikimin kulturor, historik dhe social që kanë këto veprime.

Trendet e ndryshueshme paraqesin sfidë globale

Ekspertët janë pajtuar për rëndësinë e alokimit të resurseve, ndërmarrjen e hetimeve, vetëdijesimin politik dhe përmirësimin e grumbullimit dhe këmbimit të informatave për të luftuar tregtinë e paligjshme me objekte kulturore. Për të realizuar këtë, autoritetet duhet të jenë në hap me trendet e trafikimit – që kanë kaluar nga tregu fizik në atë elektronik, duke ndryshuar këmbimin e vëllimit të vogël të artikujve me vlerë të madhe tek vëllimi i madh me artikuj me vlerë të vogël. Globalizimi i tregtisë ofron mënyra të reja të dërgimit dhe një mori të kontakteve. Trafikimi i materialit nuk dokumentohet mirë dhe mund të bëhet me një rrezik të vogël. Shkatërrimi sistematik i trashëgimisë kulturore nuk shikohet më si dëm kolateral, por cak i qëllimshëm për përfitim monetar.

Fatkeqësisht hetimet shpesh mbesin në nivel lokal me burime të kufizuara. Kjo paraqet sfidë specifike për autoritetet dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe harmonizimit ndërkombëtar. Lidhjet në BE janë tejet të rëndësishme për të identifikuar rrjetet kriminele dhe caqet me vlerë të madhe.

Instrumentet ligjore dhe strategjitë për parandalim

Nga shënimet, trajnimet dhe vetëdijesimi i ngritur do të përfitojnë zyrtarët doganorë dhe policia kufitare si linja e parë e mbrojtjes kundër trafikimit me trashëgimi kulturore. Këta zyrtarë nganjëherë punojnë në kushte të rrezikshme, me informata të kufizuara dhe pritje joreale e të qenët ekspert në një fushë të gjerë siç janë kafshët e egra, mjekësia dhe historia. Vëmendje kërkojnë edhe procedurat policore për rastet e vjedhjes së trashëgimisë kulturore dhe trafikim pasi që ligjet aktuale mund të jenë relevante vetëm për periudha të caktuara kohore, kanë përjashtime për objekte të caktuara dhe funksionojnë sipas ideologjisë themelore – “gjithçka është e ligjshme, përderisa nuk është e kundërligjshme” – dhe duke vështirësuar kështu hetimet si dhe dëshmimin e krimit.

Vendosja e trafikimit me artikuj kulturor në agjendë

Fondacioni Kulturor i Shteteve Federale të Gjermanisë është duke ndërmarr hapa për të luftuar raportimin e dobët dhe dënimet joadekuate nga institucionet. Fondacioni mbështet programin hulumtues që zbulon dhe dokumenton rrugët e trafikimit, ruajtjen digjitale dhe qasjen mobile tek databaza e trashëgimisë kulturore si dhe udhëzues i praktikave më të mira për autoritetet qeveritare dhe grupet e interesit. Kjo dhe mënyra tjera të motivimit ndihmojnë për të lëvizur para, duke bashkuar policinë dhe ekspertët për të krijuar lidhje ndërkombëtare dhe standarde dhe për të vendosur trafikimin me trashëgimi kulturore si prioritet politik.

Konferenca u organizua nga projekti i IPA/2017 Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor, i bashkëfinancuar nga Bashkësia Evropiane (DG NEAR) dhe Ministria e Gjermanisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ). / KultPlus.com

“Kthimi” i Kastriot Abdylit në konkurrencë zyrtare në International Film Festival Innsbruck të Austrisë

Filmi “Kthimi” (The return) i Kastriot Abdylit do të prezantohet edhe në edicionin e 28th International Film Festival Innsbruck, i cili mbahet nga data 28 maj deri më 2 qershor.

Filmi do të shfaqet me datë 29 maj në ora 17:50 në qytetin e Innsbruck të Austrisë. Ku njëherit paraqet mundësi të mirë për komunitetin shqiptarë në këto dy qytete dhe rrethin për ta parë një film shqiptar. Në filmin “Kthimi” trajtohet migrimin si fenomen te shqiptarët, si dhe kontradiktave që sjell integrimi dhe globalizimi në traditat e familjeve shqiptare, ku vë në pah peshën e Besës dhe nderin e femrës shqiptare.

Në këtë film luajnë aktorët: Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Delphin Depardieu, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini, Xhevat Qoraj, Ismail Kasumi, Shkëlqim Islami, Labinot Lajqi, Valon Bujupi, Virus Shala, Venera Lumani, Zijadin Murtezi, Teuta Ajdini, Hamdi Rashiti, Mubajadin Qamili, Nikola Kumev, Avdullah Gjikoka, Ellhame Bilall.

Regjisori dhe skenaristi i filmit ”Kthimi” është Kastriot Abdylit, ko-skenarist – Isa Qosja, drejtor fotografie – Vlatko Samoilovski, montazha – Kastriot Saqipi dhe Bllagoje Nedelkovski, kostumograf – Izet Curri, skenograf – Zeni Ballazhi.

Filmi Kthimi është bashkë prodhim i Agjencionit të Filmit të Maqedonisë dhe Qendrës Kinomatografike të Kosovës dhe është realizuar nga “Dardania Film” – Shkup dhe “Shkupi Film” Prishtinë. / KultPlus.com

RIBA shpallë ndërtesat më të mira të Londrës

47 ndërtesa në Londër janë shpërblyer me çmimin “Regional Awards”, nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA).

Çdo vit, çmimet rajonale,“Regional Awards” vendosin një sandard të ri për arkitekturën, në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Të gjitha ndërtesat fituese janë tani në garën për çmimet kombëtare RIBA, të cilat do të bëhen të ditura me 27 qershor 2019.

Më poshtë mund t’i shihni disa nga këto projekte mahnitëse./Ndërtimi.info/ KultPlus.com

Botohet në gjuhën gjermane katalogu “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”

Nis bashkëpunimi kulturor midis Ambasadës së Gjermanisë në Shqipëri dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, priti në një vizitë zyrtare Sekretarin e Parë dhe Atasheun Kulturor të Ambasadës së Gjermanisë në Shqipëri, Enrico Günther.

Qëllimi i kësaj vizite ishte fillimi i bashkëpunimeve kulturore midis Ambasadës së Gjermanisë dhe Muzeut Historik Kombëtar dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme, si ekspozita në kuadër të Tetorit Gjerman dhe mundësimin e botimit në gjuhën gjermane të katalogut “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.

Drejtori Koçi shprehu gatishmërinë e tij në thellimin urave të bashkëpunimit kulturor dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta. /a.a/ /a.g/ KultPlus.com

Gara ndërkombëtare “Pianisti i ri” vjen me edicionin e radhës

Gara ndërkombëtare pianistike “Pianisti i Ri 2019” vjen me edicionin e 12-të më radhë, shkruan KultPlus.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, “Pianisti i ri ” është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Kjo garë do të mbahet në mes datave 21-25 qershor në Amfiteatrin e Bibliotekës Qëndrore

Gara finale do të mbahet më datë 25 qershor në ora 19:00.

Çmimi i parë do të shpërblehet me 1000 euro, çmimi i dytë më 500 euro dhe çmimi i tretë me 300 euro.

Gjithashtu gjatë kësaj gare do të ndahen edhe çmimet tjera si: Çmimi i Filharmonisë – Koncert me Filharmoninë e Kosovës, çmimi “Fahri Beqiri”, Istanbul Ulucan dhe Dam Festival Recital. / KultPlus.com

Dua Lipa shkëlqen në Kanë (FOTO)

Në edicionin e 72-të të Festivalit të Filmit në Kanë nuk ka munguar as këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.

23-vjeçarja bëri një arritje të bujshme të mërkurën, gjersa mori pjesë në një darkë private të organizuar nga Alejandro Agag për të festuar premierën e “And We Go Green”.

Artistja shqiptare është paraqitur në një fustan të zi transparent, derisa e kishte kombinuar me aksesorë mjaft të veçantë.

Kujtojmë që Lipa tash e sa kohë ka ndalur koncertet pasi që është duke punuar në projektet e reja muzikore të albumit të ri.

Një këngë e re nga Dua pritet të publikohet shumë shpejt para fansave të shumtë që ajo numëron. /Telegrafi/ KultPlus.com

Teuta Skenderi për gruan kosovare që iu vra bashkëshorti dhe vëllai në luftë: Nerimane, ti do të jesh Trimja ime përgjithmonë

Shkruan Teuta Skenderi

Gruaja që buzëqesh në këtë fotografi me djalin e saj në ditën e tij të diplomimit është Nerimane Gërguri. Nëse do të mund t’a zgjidhja një emër tjetër për të, ky emër do të ishte Trime. Në këtë ditë, 20 vite më parë, ajo humbi vëllain e saj të vetëm Dritonin, dhe bashkëshortin e saj Mensurin. Ata u morën në orët e hershme të mëngjesit me 22 Maj nga forcat paramilitare serbe nga shtëpia e prindërve të Nerimanes në Vushtrri ku ata ishin strehuar. Ajo ishte 31 vjeçare. Në duart e saj po mbante tre fëmijë; Nderimin, i cili kishte festuar ditëlindjen e gjashtë dy ditë më parë; Urimin, 4 vjeçar dhe Emirën, e cila ishte vetëm 8 muajshe. Gjithë çfarë ajo ka sot është kujtimi për babanë e saj nga një fotografi.

74 burra u morën atë mëngjes. Ata u torturuan, u vranë dhe trupat e tyre u dërguan në Batajnicë. Në po atë vend, vëllai i vetëm i Nerimanes përfundoi shërbimin ushtarak në Ushtrinë Kombëtare Jugosllave. Kush do të kishte menduar që një ditë, trupi i tij i torturuar dhe i pajetë do të përfundonte aty. Për gjashtë vite e gjysmë ata nuk kishin asnjë informatë për vendndodhjen e tyre. Nerimanja po rriste fëmijët e saj me devotshmëri e dashuri të madhe, përderisa dhimbja në zemrën e saj po shërohej ngadalë nga dashuria e fëmijëve, në të cilët ajo shihte shumë nga dy burrat që ajo i deshi aq shumë dhe të cilët i humbi brenda një dite.

Sot ne duhet t’a njohim guximin e kësaj gruaje të jashtëzakonshme. Ajo është një shembull dhe frymëzim jo vetëm për ne shqiptarët e Kosovës, por për gjithë botën! Në zemrat e fëmijëve të saj të bukur e mendjendritur rrahin zemrat e babait dhe dajës së tyre. Nuk ka regjim fashist aq të fortë që do të mund t’a ndalte atë rrahje të zemrës. Do të vazhdojë të rrahë përgjithmonë, në fëmijët e fëmijëve të tyre, sepse një grua e bukur, e fuqishme dhe e guximshme nuk u dorëzua asnjëherë. Sepse, ajo buzëqeshi nëpër lotë e dhimbje dhe vazhdoi t’u këndonte ninulla fëmijëve të saj, të cilët kishin nevojë më shumë se kurrë për të. Dhe ajo ishte aty. Në çdo ditë të jetës së tyre. Ata sot janë krenaria e shtetit tonë të ri.

Nerimane, ti do të jesh Trimja ime përgjithmonë. Të dua. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës me performancë të jashtëzakonshme në koncertin e paqes në Paris

Filharmonia e Kosovës mbrëmë ka mbajtur një koncert të jashtëzakonshëm në Paris të Francës, shkruan KultPlus.

Ky koncert i cili është përgatitur për nderë të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës u luajt nga solistët, kori, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe me dirigjent Baki Jasharin.

Koncertin për Paqe u mbajt në Muzeun e Armatës, në Kishën Shën Lui në Paris.

Me këtë rast u interpretua vepra ‘Njeri me armë’ kompozuar nga kompozitori britanik Karl Jenkins, ku kjo vepër është bërë nga ai në vitin  1999 dhe i  kushtohet viktimave të fundit në Kosovë.

Ambasada e Francës në Kosovë ishte iniciatore e këtij evenimenti të madh ku u prezantuan 110 performues në skenë.

Ndërsa ambasador i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ndoqi nga afër koncertin, është shprehur që ky koncert ka zgjuar emocione tek të gjithë të pranishmit.

“Një performancë e jashtëzakonshme, nën dirigjimin e Baki Jasharit, që zgjoi emocione tek të gjithë të pranishmit me rastin e shënimit të 20 vjetorit të mbarimit të luftës në Kosovë. Një ngjarje për t’i bërë homazh të gjitha viktimave të luftës dhe për ta falënderuar Francën dhe të gjithë ata që na përkrahën në ato momente dramatike para 20 vitesh”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Ai gjithashtu ka falënderuar për përkrahje të gjitha institucioneve dhe partnerët e kësaj ngjarje. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/nkraki/videos/10219703920848175/

L’agenzia di viaggi: Shqipëria, fytyra tjetër e Mesdheut

Ju që hyni në Shqipëri, lini çdo vend tjetër. Kalimi i Adriatikut është mënyra më e mirë për të rishkruar perceptimin italian të kësaj toke dhe të këtij populli, shkruan “lagenziadiviaggi.it”, rrjeti i parë multimedial i informacionit turistik në Itali.

”Jo një komb i vjetër, konservator dhe i varfër, por i ri (më shumë se ai italian), i projektuar drejt së ardhmes dhe me një ekonomi në zhvillim (OKB vlerëson rritjen e PBB-së në rreth 4%).

Plazhe të ngjashme me ato tonat dhe një det që i ngjan atij grek. Një kuzhinë që ka sintetizuar në mënyrën e vet dhe origjinale ndikimet greke, otomane dhe madje italiane dhe një mikpritje që është tipike për një destinacion të ri turistik, pak naive, por që dëshiron të përmirësohet. Shqipëria mund të nënkuptojë në radhë të parë detin. Në jug, nën Ngushticën e Otrantos, janë brigjet që dalin nga Joni: toka shkëmbore dhe ujëra të qarta. Si një lloj Greqie apo Pulia e Ballkanit.

Në Sarandë, një nga vendpushimet kryesore turistike, janë hotelet e mëdha të ndërtuara nga viti 2000 e këtej me pamje nga deti. Resorte të tilla si «Bouganville Bay», që përfshin një SPA, dy pishina të brendshme të mbushura me ujë nga deti Jon dhe një sërë dhomash me pamje nga gjiri, si dhe një pamje të detit të rezervuar për klientët, me shezlongë të vendosur deri në metrin e fundit të platformës.

Një port i vogël shqiptar, por që ka tashmë një shëtitore të rindërtuar në dekadën e fundit.

Fshati i afërt i Ksamilit ofron një peizazh më të gjelbër, me plazhet e tij të krijuara duke hequr gurët dhe duke i zëvendësuar ato me rërë. Në kohën e komunizmit e quajtën “qytet pa varreza” sepse shteti kishte nxitur familjet e reja që të jetonin në këtë zonë, e cila në atë kohë ishte e mbushur vetëm nga disa kazerma dhe që për shumë vite nuk pati asnjë funeral.

Një det disi i ndryshëm është ai i Durrësit (më tej në veri përgjatë bregdetit). Shumë më tepër i ngjashëm me rivierën romanjole apo të Markexhanës, plazhet këtu janë të gjatë dhe plot me rërë natyrore. Hotelet janë ndërtuar direkt pranë plazhit dhe shumë hotele si “Blu Fafa” ofrojnë një pishinë me pamje nga deti dhe një linjë të gjatë çadrash për ata që nuk duan të heqin dorë nga rëra nën këmbët e tyre. Sigurisht që nuk duhet të habitemi nëse ecja pengohet nga disa mbetje të komunizmit, si kullat e vjetra të përforcuara të betonit, të ndërtuara dikur për të parë pushtuesin kapitalist që mund të vinte nga deti.

Por, Shqipëria nuk është vetëm det. Në jug të vendit, UNESCO ka njohur dy vende si Trashëgimi Botërore: Butrintin dhe Gjirokastrën. E para është një nga vendbanimet më të vjetra në zonë, sot një park natyror që mbulon një sipërfaqe prej 94 kilometrash katrore. Këtu u vendosën grekët dhe romakët, dhe sipas Virgjilit, këtu ka qënë dhe Enea dhe shekuj më vonë arritën venecianët.

Gjirokastra është një nga qytetet më të vjetra, një shembull i rrallë i vendbanimeve osmane, shqiptarët e quajnë atë “qytet argjendi”, sepse pas shiut duket se shkëlqenin gurët e bardhë dhe gri të ndërtesave dhe çative. Mos lini pa provuar një nga oshafët më të mirë në vend, një ëmbëlsirë me qumësht të kondensuar të deles, kanellë dhe fiq të thatë.

Por, nëse doni të mësoni për historinë e Shqipërisë, nuk mund të mos shkoni në Krujë, qytetin e Skënderbeut, në veri të vendit. Për heroin shqiptar, i cili mundi osmanët dhjetëra herë, ka një muze-kështjellë, i rindërtuar mbi rrënojat e lashta dhe i ngjitur nëpër shkëmbinj. Kjo është një nga zonat e vendit më të përkushtuara drejt turizmit, restorante si  ‘’Panorama’’  ofrojnë dreka me pamje nga kalaja dhe rrugët e qytetit janë ende të shtruara me gurë qindravjeçarë, tanimë të zbutur nga kalimet e shpeshta aty dhe nga moti.

Vetëm për sa i përket historisë, Shqipëria ende duket të jetë “e pandreqshme”. Gjatë periudhës së komunizmit të gjitha gjurmët e kulturave të kaluara janë fshirë për një të ardhme të përjetshme tipike të diktaturave. Kishat dhe xhamitë e mbyllura ose të shkatërruara, feja e vetme e mundshme apo narrativa ishte vetëm ajo e shtetit. Një represion  dekadash që shpërtheu në zemërim kur komunizmi u zhduk, deri në atë pikë sa u lëvizën të vdekurit dhe trupi i udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, nga varrezat e dëshmorëve u zhvendos në një varrezë më modeste.

Sidomos në Tiranë, shumë ndërtesa janë rilyer për të hequr zymtësinë e komunizmit. Ndërtesat e mesit të viteve 1900 janë zëvendësuar me ndërtesa të reja. Dhe disa struktura ikonike të regjimit kanë mbetur në këmbë pas muajsh debati mbi mundësinë për t’i shembur ato. Kjo ka ndodhur me Muzeun Historik Kombëtar, një ndërtesë që nga viti 1981, dhe me fasadën e mozaikut që portretizon historinë e vendit që nga themelimi i tij.

Shqipëria duket se dëshiron të tregojë veten si një fletë bosh gati për t’u rishkruar. Po ndërtohet kudo dhe po rindërtohen rrugët. Pas ’91, ata që kishin pak para i përdorën ato për të rindërtuar, duke filluar që nga shtëpia. Duke përshkuar vendin mund të vihet re se fshatrat janë të mbushura me shtëpi dykatëshe, aq të reja sa kanë ende erë të suvasë së freskët. Në shumë nga to janë vendosur disa armatura prej hekuri, gati për një kat të ri, sapo të sigurohen para të tjera. Shqipëria është e vendosur të projektojë veten në të ardhmen duke lënë pas të kaluarën. Dhe shqiptarët janë të vendosur të gjejnë tek turizmi një pjesë të pasurisë për këtë hap përpara.

Thirrja e ministrit Klosi për italianët

“Të nderuar italianë, pse nuk vini me pushime në Shqipëri?”

Kjo është pyetja që ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi, u kërkon turistëve italianë gjatë një takimi me Sara Calabrese, CEO i operatorit turistik “Dirotta da Noi”, shoqëruar nga 20 agjentë udhëtimi.

“Dy vendet tona kanë shumë gjëra të përbashkëta si dhe marrëdhënie të mira që kanë zgjatur për shekuj me radhë”, thotë ministri.

“Vitin e kaluar shumë kompani italiane turizmi kanë krijuar marrëdhënie me Shqipërinë: sot kemi fluturime të drejtpërdrejta, që ndalen në Sarandë apo Durrës si dhe shumë paketa turistike. Ne ofrojmë jo vetëm detin, por edhe natyrën, kulturën dhe sportet e aventurës. Kështu që ne presim që italianët të jenë mes vizitorëve tanë të parë”, thekson ai.

Në Shqipëri, në kohën e komunizmit, këngët e Sanremos ishin si mallra kontrabandë që këndoheshin dhe dëgjoheshin fshehurazi regjimit dhe sot në Shqipëri, shumë flasin italisht dhe pothuajse të gjithë e kuptojnë atë.

“Vitin e fundit, ne mirëpritëm gjashtë milionë turistë, vitin e kaluar pesë milionë dhe në katër muajt e parë të vitit 2019 tashmë kemi regjistruar + 10%. Prandaj do të donim që numri i vizitorëve italianë të rritet dhe ne tashmë po punojmë për këtë gjë’’, thekson Klosi. / KultPlus.com

“DardaMedia” me video promovon Kosovën si vend atraktiv për turistët

Teqeja e Bektashinjve në Gjakovë është pika e radhës që “DradaMedia” ua prezanton turistëve për ta vizituar. “Bektashizmi ka lindur në Turqi…duhet me qenë përafërsisht viti 1300, ndërsa në Gjakovë, bektashizmi vjen në vitin 1719, dhe prej atëherë e deri më sot kjo teqe është në shërbim të besimtarëve”, është introja që bën narratori në videon treminutëshe e lansuar të mërkurën.

Është njëra prej videove në kuadër të projektit “Visit Kosova Experience Dardania”. Teqja është në mesin e 30 objekteve që propozohen për t’u vizituar. Lansimi i videove ka nisur më 9 maj e do të vazhdojë 30 ditë. Një historik i shkurtër, xhirime e foto atraktive janë ato që e shoqërojnë secilën. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Hamami i Pejës, Çarshia e Jupave e Hani i Haraçisë në Gjakovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Xhamia e Madhe në Prishtinë, Kalaja e Prizrenit janë disa prej monumenteve, videot për të cilat tashmë janë lansuar.

 Ora 17:07 është koha e lansimit pa ndonjë domethënie për këtë përzgjedhje.

“DardaMedia” ia ka mësyrë që kësisoj edhe në opinionin ndërkombëtar të shfaqë një anë tjetër të Kosovës – atë të një vendi ku ka çfarë të vizitohet. Ka në target edhe opinionin evropian dhe për këtë ka një arsye.

Rexhep Myftari, autor i projektit dhe udhëheqës i “DardaMedias” ka folur për synimet me këtë projekt dhe rrugëtimin deri te rezultati final.

“Visit Kosova Experience Dardania” ishte lansuar më herët si DVD, por tash Myftari ka vendosur që krejt videot t’i postojë në rrjete sociale.Koha.net/KultPlus.com

Dy shqiptaret e ftuara në premierën e “Once Upon a Time in Hollywood”

Në Festivalin e Filmit në Kanë u shfaq premiera e filmit “Once Upon a Time in Hollywood” me regji të Quentin Tarantinos ku ishin të ftuar emra të njohur në të gjithë botën.

Në tapetin e kuq morën pjesë edhe dy shqiptaret, blogerja Armina Mevlani dhe modelja e famshme Heidi Lushtaku, të cilat dukeshin më bukur se kurrë.

Dy bukuroshet shqiptare qëndruan gjatë gjithë mbrëmjes së bashku dhe nuk harruan që të përshëndesnin ndjekësit e tyre në gjuhën shqipe dhe angleze.

Armina u shfaq në tapetin e kuq me një fustan të gjatë portokalli që i jepte shumë hijeshi, ndërsa Heidi Lushtaku u shfaq me një fustan ngjyrë rozë me të cilin dukej elegante.

“Once Upon a Time in Hollywood” është filmi që ka bërë më shumë bujë gjatë kësaj kohe pasi protagonistët janë dy yje hollivudianë, Brad Pitt dhe Leonardi DiCaprio.

Jem Shqyptar

Poezi nga Ndre Mjeda

Zogu i verës tuej këndue
N’për livadhe fushë e arë
Gjithnji vjen tuj me diftue
se ne jemi t’fjeshtë Shqyptar

Gjithkto male e kodrina
E fushore mlue me baar
T’tana bashk kto bukurina
Fort m’krenojnë se jam Shqyptar

Kuer liqeni lumi e prroni
Kuer perpiqen ujnat marë
Nee na thonë se do t’a doni
Shoqi shojnë, pse jem Shqypar

Sot e mrapa due me dasht
me shok t’mi me kenë bujar
N’kjoftë gjikue prej perendies
per me kenë ndo’i herë udhtaar
Me sy çilë të gjthë SHOQNIES
Kam me than se jam SHQYPTAAR/KultPlus.com

Jeta Krasniqi: Çështja e viktimave të dhunës seksuale u hesht nga institucionet

Jeta Krasniqi nga Komisioni për statusin e viktimave të dhunës seksuale nga lufta në Kosovë, ka thënë se çështja e kësaj kategorie është heshtur nga institucionet e Kosovës.

Krasniqi në Zonën B të Klan Kosovës, theksoi që OJQ-të dhe gratë aktiviste ishin ato të cilat iu ofruan mbështetje grave të dhunuara nga forcat serbe në Kosovë.

”Është një çështje shumë e ndjeshme sepse është çështje shumë humane. Kam dëgjuar qindra histori dhe kam takuar mbi dhjetëra gra që kanë qenë të dhunuara”.

”Është shumë e vështirë t’i dëgjosh por duhet ta vendosim vetën në atë pozitë”.

”Në Kosovë dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike si mjet lufte. Nuk ka pasur diferencim, ka qenë mjet lufte, për të lënë prapa stigmën dhe gjithë këtë plagë”.

”Sa kohë ka luftëra ka edhe dhunime seksuale dhe tani së fundi në gjithë botën ka filluar të targetohet kjo si krim lufte apo krim kundër njerëzimit”.

”Ajo çfarë kemi parë është se pas luftës kjo çështje është heshtur nga institucionet e Kosovës”.

”OJQ-të ishin ato gratë aktiviste që ofruan mbështetje për këtë kategori duke ofruar ndihma mjekësore dhe ndihma psiko-sociale”.

”Në 2013 ndodhi një kthesë në Kosovë, por ne pamë që nuk ishim të gatshëm ta diskutonim këtë çështje”.

”Është komplet politike rreth nesh dhe diskutimi nuk është i përqendruar që në mënyrë mos t’i cenojmë më tutje ato apo t’i traumatizojmë ato”.KlanKosova/KultPlus.com

“The Great Train Robery” – filmi i parë i shfaqur në Shqipëri më 1908 (VIDEO)

Sipas raportimeve në librin e Gerard Girard mbi fillesat e fotografisë në Shqipëri, filmi i një vendi është shfaqur në vitin 1908 në qytetin e Korçës, vetëm 5 vjet pas premierës në SHBA, raporton “Albanian Miscellanea”.

“Në Shqipëri, shfaqja e filmit të parë ka ndodhur në Korçë, më 1908. Sipas një raportimi, ishte filmi amerikan ‘The Great Train Robery’, i shfaqur me ndihmën e një projektori, i sjellë nga Selaniku”, shkruan Girard në librin e tij, njofton Klan Kosova./KultPlus.com

Julian Deda letër Edi Ramës: Ju ftoj të ulni hundën

Zoti Kryeminister,

Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që morali njeh, për trajtimin e shqiptareve jo si armiq : Njerëzillekut!

Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qyshse braktisët punën në Korrik 2013, dhe vendosët ta nxirrnit këtë vend plotësisht jashtë shinave të shtruara nga paraardhesit tuaj. S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as taksat e rritura, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, as ndrydhjen mediatike, as rrezikun e lirisë së fjalës, as burgun për 7 mijë lek drita, as shpopullimin e vendit, as varfëriminë e tejskajshme dhe sidomos as kriminalizimin që i bëtë politikës duke futur lloj lloj delinkuenti në parlament, për të cilën nuk keni reflektuar asnjëherë, për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër nga populli yt dhe nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël rilindasish gjenden jashtë politikës për shkak te problemeve që kishin me ligjin. S’kam si të mirëkuptoj kurrësesi, as arrogancen e papreçedentë dhe lëre pastaj, shantazhin mbi bizneset e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju do t’i fusni nëpër burgje ata nëse nuk Ju binden Ju.

Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u dorëhequr dhe për ta çliruar këtë vend dhe këtë popull përfundimisht nga tensioni dhe stresi politik i krijuar ne këto vite.

Jeta politike nuk mbaron sot dhe që të jemi të qartë mes nesh, rrugën e protestave Ju mund ta vështirësoni, por s’ka asnjë shans që ta ndaloni të zhvillohet. Sa me shumë gaz të hidhni ju, aq më shumë rritet dhe dëshira për t’ju zbritur me këmbë në tokë.

Unë Ju ftoj te ulni hundën, sepse Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, nuk Ju meritojnë as Ju. Në këtë situatë askush nuk del i fituar, përveç Jush.

Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin të marr mbrapsht përgjigje pozitive, Ju lutem zoti Kryeministër të pranoni shprehjen e dëshirës sime të sinqertë për shëndet të patrazuar, për Ju personalisht dhe familjen Tuaj.

Julian Deda

22 Maj, 2019, në Darkë/KultPlus.com

Mjeku që trajtoi viktimat e dhunuara nga serbët: 14 vjeçarja ishte dhunuar në prani të babait dhe më pas e kishin vrarë

Mjeku shqiptar që trajtoi viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, Shukri Gërxhaliu, ka thënë se ka dëgjuar mbi 30 rrëfime të shqiptareve të cilat ishin përdhunuar nga policia e ushtria serbe.

Në Zonën B të Klan Kosovës, ai tha se shpesh herë ka kërkuar nga to që përjetimet e tyre t’i shkruajnë në letër për shkak të rasteve të rënda të cilat kishin përjetuar.

”Nga to kanë ardhur në mënyrë sekrete, askush se ka ditur. Ardhja e tyre shkaktonte një qetësi të përkohshme. Me sa kam kuptuar në listën e shkrimeve autentike ka qindra raste”.

”Biseda që e bënim me viktimat ishte aq prekëse emocionale sa që më duhej t’ua ndërpres rrëfimin, t’ju jepja ujë për tu qetësuar”.

”U jepja letër dhe iu thosha që këtë tregim shkruaje në mbrëmje dhe ma sillni më vonë. Janë rrëfime autentike”.

”Disa prej tyre ua kam dhënë dikujt hulumtuesve të huaj dhe nuk më kanë kthyer fare e s’kanë bërë asgjë. Gratë janë dhunuar në disa vende në Kosovë”.

”Ka tregime plot, emocione e ngjarje shumë të rënda”.

”Por ajo çka më ka brengosur më së shumti ka qenë rasti i një vajze 14 vjeçare që se kam takuar kurrë –  atë s’kam pas rast ta shoh kurrë sepse e kanë dhunuar në prani të babës së saj e më pas e kanë vrarë”.

”E babai i saj i torturuar ka pasur kryqin në ballë deri sa ka vdekur, e shpesh më thoshte se ”çfarë më duhet jeta kështu?”.

”Emocion tjetër ka qenë kur ka ardhur tjetra që ka qenë shtatzënë, ka abortuar djem binjak. Është prekëse kur gruaja është dhunuar e s’ka mundur të abortojë por e trajton fëmijën sikur të tjerët fëmijë”.

”Disa prej tyre janë kthyer një pjesë e madhe është se ka që kujdesen por është e dhimbshme që ka ende burra të cilët i kanë braktisur gratë e këtyre kategorive”./KultPlus.com

12 Rregulla për t’u bërë fitues në jetë sipas psikiatrit të njohur botëror

Mikhail Litvak është një nga psikiatrit dhe psikoterapeutët kryesorë në botë. Ai  ka ndarë me ne udhëzuesin e shkurtër se si të kapërcejmë çdo pengesë në jetë.

Kur i vendosim këto udhëzime në zemër dhe i zbatojmë ato çdo ditë, me siguri do të bëhemi fitues në jetë.

12 rregulla për t’u bërë fitues në jetë sipas Mikhail Litvak, të cilat sot Unik i ndanë me ju;

  1. Rrini larg njerëzve që nuk kanë asgjë të mirë për të thënë për veten e tyre. Ata janë të prirur të fillojnë të flasin keq për të tjerët.
  2. Nëse doni të gërmoni në diçka, gërmoni në shkencë dhe burime të tjera të dijes. Mos gërmoni në jetën e dikujt tjetër.
  3. Kur ndjeheni në depresion, e konsideroni atë si koha më e mirë për introspekti dhe rivlerësim të jetës suaj. Kjo mund të jetë qëllimi i vërtetë i depresionit që vjen në jetën tuaj.
  4. Përpiquni të ndiheni mirë për veten me veten. Pasi të bëni, ju nuk keni nevojë për miratimin e të tjerëve për t’ju bërë të ndiheni kështu.
  5. Bëni diçka kur doni të bëni atë. Nuk ka kohë më të mirë për të bërë diçka sesa në momentin që dëshironi ta bëni atë.
  6. Ka dy lloje njerëzish;të pjekur dhe të papjekur. Përpiquni të jeni i pari.
  7. Bëni atë që dëshironi të bëni pa i dëmtuar të tjerët dhe besoni se jeni person i mire. Ajo se si të tjerët iu perceptojnë juve është problemi i tyre.
  8. Puno në rrugën tënde për tu bërë I suksesshëm pa nevojë për t’ia dëshmuar të tjerëve këtë. Vetëm kështu do ti ndalni paragjykimet dhe komentet negative ndaj jush.
  9. Nëse do të filloni një biznes ose një marrëdhënie romantike, sigurohuni që arsyeja kryesore është për rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm personal. Mos lejoni që vetja të shkatërrojë marrëdhëniet tuaja.
  10. Ndiqe lumturinë dhe do të fillosh ta gjesh veten kudo. Lumturia është një shenjë se ju jeni në rrugën e drejtë të qëllimit të shpirtit tuaj. Zhvillimi personal është rruga më e shkurtër për lumturinë.
  11. Lëri fantazitë tuaja të jenë në harmoni me aftësitë tuaja. Kur imagjinoni të bëheni këngëtarë opere, por nuk e keni zërin për këtë punë, ju thjesht po ëndërroni. Ose punoni në aftësitë tuaja për të përmbushur fantazitë tuaja ose për të ndryshuar fantazitë tuaja për të përmbushur aftësitë tuaja. Kur i përshtatni fantazitë tuaja me pikat e forta dhe aftësitë tuaja, ju do të përmbushni ëndrrat tuaja me lehtësi.
  12. Nëse do të zgjidhni midis një libri të mirë dhe bisedës me një person të zbrazët, zgjidhni të parën. Duke lexuar një libër të mirë, me siguri do të fitoni diçka. Komunikimi me një person bosh po humbet vetëm kohën tuaj të çmuar./KultPlus.com

T’zhdukun n’kujtesë

Poezi nga Sarandë B. Rugova

Sot për ju protestojmë

dhe për ju jehojnë shumë zana

pikërisht sot l’shojmë

piskamën ma t’drojtune

për nji za t’lodhun

për i drejtësi çi shuhet dal’ngadalë

për t’cilën ju luftuat

për t’cilën sot heshtja bahet kangë

vitet numërohen

e munduna po zbehet

por zani i shpresës ka fuqi

‘se eshnat n’Kosovë do të prehen’

Kjo tokë e bardhë e shtrenjtë

natën k’non bashkë me zanin e qyqes

mallkim keka ky

apo vaj shpresë dhe mall

Sot vendosim pëllëmba gjurmësh

se ju mbetët n’harresë

edhe pse në rrahje të shumë zemrave

ju ende po prehi

aty – diku

e nesërmja ka me u ba mirë

ndoshta mirë

për ne për ju dhe për disa

nji ditë kemi me iu gjetë

e s’bashku kemi me i fol

shumë të vërteta

se si ju andrruat

por nuk u flijuat

për nji kësisoji atdhe/KultPlus.com