Arnold Schwarzenegger nuk planifikon të ngre kallëzim penal kundër personit që e ka sulmuar atë nga prapa në një aktivitet sportiv në Afrikën e Jugut.
Një mashkull i paidentifikuar u regjistrua nga kamerat duke u hedhur në yllin e Terminatorit në Arnold Classic Africa në Johannesburg të premten (17 maj), ndërkohë që aktori po nënshkruante autografe dhe po pozonte për fotografi me fansat.
Fuqia e goditjes fluturuese e shtyu 71-vjeçarin përpara në turmë, por ai më pas u largua nga incidenti, duke shkruar në Twitter të shtunën për t’i siguruar fansat se ai është mirë, shkruan KOHA Ditore.
“Ju faleminderit për shqetësimet tuaja, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar,” shkroi ai. “Mendova se u shtyva nga turma, gjë që ndodh shpesh. E kuptova se u godita vetëm kur e pashë videon si të tërë. Jam i kënaqur që idioti në fjalë nuk e ndërpreu Snapchat-videon time”.
Schwarzenegger ka njoftuar se nuk do të ngre akuza kundër fansit të çmendur, i cili u zaptua nga zyrtarët e sigurisë pas sulmit dhe u dorëzua në polici.
“Shumë prej jush keni kërkuar, por nuk do të ngre akuza”, tweetoi ai të dielën. “Shpresoj se kjo ishte një thirrje zgjimi, dhe se ai e kthen jetën e tij në rrugën e duhur. Por unë po vazhdoj dhe do të përqendrohem më shumë në mijëra atletë të mëdhenj që i takova në @ArnoldSports Africa”./koha.net/KultPlus.com
Ekspozita “Mapping of the Obscurity” është lëvizja e radhës nga arkitekti Benart Shala.
Pas suksesit të madh me projektin “Architecture through the butterfly effect”, Shala është duke punuar në përgatitjen e ekspozitës “Mapping of the Obscurity” e cila do të mbahet në Lapidariumin e Kosovoës në fund të muajit qershor, nga 24 deri më 17 qershor.
Ekspozita do të paraqesë një instalim në lidhje mes animacioneve të pamjes / foto-kornizë të arkitekturës duke involvuar artin e profesorit Ferid Morina. Ky projekt mbështetet nga Ambasada e Kosovës në Lisbonë, Portugali dhe Festivali i Arkitekturës në Kosovë.
Aktualisht, stafi përgatitor i ekspozitës janë në kërkim të studentëve vullnetarë që do të përfshihen në prodhimin e këtij instalimi.
“Vetëm 10 studentë me fat do të kenë mundësinë të përfshihen në prodhimin e këtij instalimi. Gjuha angleze (e detyrueshme) që nga ekspozita është e lidhur me ekspozimin ndërkombëtar. (Çdo vullnetar duhet të ketë laptop të vet për projektin). Të gjithë vullnetarët do të kenë njohjen e punës së tyre që do të bëjnë, dhe gjithashtu do të fitojnë një Certifikatë për kontributin/punën. Gjithashtu vullnetarët do të përfitojnë nga ligjëruesit për animacionet kornizë në Adobe Photoshop”, thuhet në faqen zyrtare të aplikimit linkun e së cilës, me më shumë detaje, e gjeni më poshtë:
Bendi islandez “Hatari” do të mund të përballet me një gjobë pas ngritjes së shalleve dhe flamujve të Palestinës, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të mbrëmjes finale të “Eurosongut” nga Tel-Avivi, thanë organizatorët.
“Hatari”, punk treshja e cila është karakteristike për estetikën e vet sado-mazohiste, ishte kritike ndaj Izraelit edhe para finales së madhe të shtunën. Anëtarët e bendit fillimisht e sfiduan kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në një “dyluftim miqësor të mundjes tradicionale islandeze.”
Në finalen e “Eurosongut”, anëtarët e bendit i ngritën shallet dhe flamujt e Palestinës derisa udhëheqësit tregonin se sa pikë kishte marrë Islanda nga publiku. Në një deklaratë të lëshuar pas finales, organizatorët e Eurosongut njoftuan se për pasojat e mundshme për bendin Hatari do të diskutojë komiteti i kësaj gare, shkruan KOHA Ditore.
“Në transmetimin e drejtpërdrejtë të finales së ‘Eurosongut’, Hatari, përfaqësuesit islandezë, i ngritën shkurtimisht parullat e vogla palestineze kur po qëndronin në Green Room. Eurosongu është një ngjarje jo-politike dhe ky akt është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rregullat e garimit. Flamujt janë larguar me shpejtësi, ndërsa pasojat e këtij veprimi do t’i diskutojë Grupi Referent i Eurosongut”, thuhet në deklaratë.
T’ju rikujtojmë se në muajt para mbajtjes së “Eurosongut” aktivistë të caktuar propalestinezë bënë thirrje për bojkot të “Eurosongut”, për shkak të, siç thonë ata, uzurpimit të vazhdueshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.
Gjithashtu, gjatë performancës së Madonnës së popullarizuar mund të shiheshin flamujt e Palestinës dhe Izraelit, për çfarë organizatorët thanë se nuk ishin miratuar më parë, raporton Daily Mail./KultPlus.com
Me programin e sivjemë, Edicioni i 18-të i festivalit ReMusica, do të ketë një shtrirje të gjërë, në prezentimin e ansambleve të ndryshme kamertale dhe solistëve eminentë, duke synuar që programi i prezantuar, të bëhet urë lidhëse në mes tendencave novatore që shfaqen në skenën koncertore europiane dhe publikut tonë prishtinas, një publikë me përvojë jo të gjatë, ndonëse gjithmonë kureshtare dhe dashamirëse.
Edicionin e 18 të ReMusicas këtë vit do ta hapë trioja zagrebase Guitar Trio Elogio, formacion kitarash, shumë i respektuar në skenën koncertore kroate. Trion e përbëjnë instrumentistë, Tomisllav Vukshiq, Pedro Ribeiro Rodrigues, të udhëhequr nga kitaristi kosovar me famë botërore Petrit Çeku.
Mysafir tjetër me renome i këtij edicioni,do të jetë edhe virtuozi, në instrumentin e tubës, Thomas Leleu, pamëdyshje, sot paraqet atraksion të vërtet në skenën franceze dh europiane, në përgjithësi, në një anë për virtuozitetin e tij të jashtëzakonshëm, si edhe për faktin se ai luan në një instrument që, deri vonë, nuk është konsideruar instrument solistik. Ndër tjera, Lelu,është fitues i çmimit prestigjioz Victoire de la Musique (French Grammy Awards). Në vazhdim të festivalit, Duoja atraktive nga Austria,Vira Zhuk dhe Mariam Vardzelashvili do të sjellin kartolinën nga Austria dhe do te jenë pjesë e koncertit të titulluar « Nga Austria me Dashuri «. Koncertet me ansamble dhe autorë më eminent shqiptarë nga Tirana e Prishtina, si gjithmonë, do të zënë vend të rëndësishëm në programacionin e sivjemë. Po përmendim ansamblin 3x Quartett | OPERA KUARTET, i përbërë nga 6 instrumentistë të Orkestrës së Teatrit Operas dhe Baletit Tiranës dhe pedagogë të Universitetit të Arteve nëTiranë. Merita Rexha Tershana & Vikena Kamenica, solistet nga Shqipëria do të sjellin projektin e vecantë, veprën kulte të lidit gjerman në formën integrale të saj, « Udhëtimi dimëror » të Franz Schubert. Thellësinë poetike të kësaj kryevepre të muzikës romantike do të na bëj edhe më të afërt, poezia që do të shoqëroj muzikën e Shubertit.
Koncertet tematike të festivalit, ReMusica Junior dhe Nata Multimedia/Akusmatike edhe këtë vit synojnë promovimin e muzikës akusmatike dhe botës tingullore të saj. Koncerti i muzikës akusmatike në oktofoni dhe Video Performancë, e sjellë kompozitori, sound – designer dhe videografi, Clement Parmentier, nga Belgjika përmes 8 altoparlantëve dhe spacializimin e veprave të cilat ekspolorojnë strukturat dhe shtresat tingullore.
Krahas koncerteve të mbremjës, si gjithmonë ReMusica do të sjellë segmente tjera dhe programe shtesë, si ‘ReMusica Edukative’, ku publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jetë afër me muzikën, interpretin, instrumentin dhe kompozitorin. Publiku, i përbërë prej të të gjitha moshave, do ta ketë mundësinë të shijojë koncertet e shkurtëra dedikuar instrumenteve të veçanta.
Në pasurimin programor të festivalit, si edhe në vitet e mëparshme, kontribut të çmueshëm do të japin dy koncertet e ansambleve tona me renome :Kori i Filharmonisë (30 maj) dhe Orkestra Simfonike e Filharmonisë me koncertin e saj përmbyllës të festivalit (2 qershor).
Përpos agjendës së mbushur koncertale, gjatë ReMusicas nuk do të mungojnë masterklaset, ligjëratat si dhe tribuna muzikologjike. Duke vazhduar traditën e shenimit të përvjetorëve, Remusica sivjet shenon 110 vjetorin e lindjes së pionerit të muzikës kosovare – Lorenc Antoni. Njëkohësisht do të shenohet 70 vjetori i lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi./KultPlus.com
Remzije Sherifi, një refugjate nga Kosova e cila tashmë jeton në Glasgow, është shpërblyer për kontributin e saj në bashkimin e komunitetit në Maryhill, përcjellë KultPlus.
Kur ishte 17 vjeçare, Remzije Sherifi ishte një
nga gazetaret e para në Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe më vonë ajo u evakuua
në Glasgow nga një kamp refugjatësh pasi që ishte diagnostikuar me kancer.
Vite me vonë ajo themeloi “Maryhill Integration Network” që ka për qëllim që të bashkojë azilkërkuesit, refugjatët dhe gjithë njerëzit të cilët jetojnë në Glasgow, përmes programeve dhe aktivitete të ndryshme edukuese dhe kulturore.
Ajo mori çmimin “Spotlight Award” dje në ceremoninë “Scottish Women in Business” që u mbajt në Glasgow Grand Central Hotel. Remzija ishte zgjedhur pas votave të publikut, shkruan eveningtimes.co.uk/ KultPlus.com
“Unë kam udhëtuar shumë dhe kam parë e përjetuar mjaft, por këtë nuk e kisha pritur! Kosova është befasia më madhe e viteve të fundit”, ka shkruar Marco Wipfli, menaxher dhe pronar i Meersicht Travel & Lifestyle.
Kompania turistike Meersicht ka vendosur të hapë më tej ofertën e vet turistike: Pas zgjerimit të suksesshëm në destinacionin turistik të Shqipërisë, specialisti i Evropës Jugore Marco Wipfli i ka futur rishtas në program edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan abouttravel.ch.
Lidhjet e përditshme ajrore nga Cyrihu në Shkup dhe në Prishtinë si dhe lidhja e re e kompanisë Edelweis nga Cyrihu në Ohër, e kanë nxitur ekspertin e turizmit që t`i vizitojë dy vendet dhe të krijojë programe të ndryshme për turistët zviceranë atje, transmeton albinfo.ch.
Në ofertat e reja hyjnë para së gjithash udhëtimet me makina të marra me qira (Rent a Car) në kombinim me Shqipërinë si dhe vizitat kulturore në qytetet si Shkupi, Ohri dhe Prishtina.
“Unë jam një njohës i turizmit që kam udhëtuar shumë dhe kam parë e përjetuar mjaft, por këtë nuk e kisha pritur! Kosova është befasia më madhe e viteve të fundit”, ka shkruar Marco Wipfli, menaxher dhe pronar i Meersicht Travel & Lifestyle, përcjell albinfo.ch.
“Sikurse ndoshta edhe për shumë zviceranë tjerë edhe për mua destinacioni turistik me emrin Kosova, nuk kishte imazhin më të mirë, dhe pikërisht nga kjo, befasia pozitive në terren ishte edhe më e madhe. Peisazhe fantastike, një infrastrukturë e mirë, ushqim shumë i mirë dhe hotele me cilësi të pabesueshme. Unë jam i ngazëllyer”./albinfo.ch/ KultPlus.com
Sot, më dt. 20 maj 2019, në orët e para të mëngjesit u shua, pas një lëngimi të gjatë e të pashërueshëm Hans-Joachim Lanksch, i mirënjohur në diskursin kulturor-intelektual shqiptar si Përkthyesi i Lirikës Shqipe.
Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludwig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.
Penda e tij bëri të kumtojnë dhe „rikrijojnë“ gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj. Vëmendje të veçantë u përkushtoi Përkthyesi Ynë për thuajse gjysmë shekulli prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.
Puna e tij është laureuar me çmimet „Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); „Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe „Azem Shkreli“ (2018).„Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare./peizazh/KultPlus.com
Shqiptarëve të suksesshëm nëpër botë, kohëve të fundit i ja në shtuar edhe dy emra të rinj. Amanda Ava Koci është vajza me prejardhje nga Saranda, e cila me nofkën Ava Max ka arritur që të depërtojë në tregun ndërkombëtar të muzikës. “SWeet but Psycho” mban titullin kënga të cilën ajo e ka publikuar në tetor të vitit të kaluar, dhe ka arritur majat e klasifikimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Shqiptarja ka arritur të nënshkruajë kontratë me shtëpinë e
madhe diskografike, “Atlantic Records”, e cila ka nën menaxhim disa projekte
muzikore të Rita Orës dhe Bebe Rexhës.
Një tjetër këngëtare shqiptare e cila tashmë po dëshmon që rruga e suksesit për të do të jetë e siguruar, është këngëtarja shqiptare nga Zvicra Ilira Gashi e cila ka nënshkruar kontratë me “Four Music”, që është degë e “Sony”.
Ajo është me prejardhje nga Prishtina, derisa e lindur në
Bernë. Babai i saj është nga Kosova, kurse nëna nga Shqipëria, derisa Ilira ka
ndërtuar karrierën në Zvicër. Gashi është një këngëtare shumë e talentuar, dhe
po shkon hapave të Rita Orës, Dua Lipës e Bebe Rexhës.
Ajo ishte edhe kandidate më 2011 për të përfaqësuar Zvicrën në “Eurosong”. Ndërkohë, në maj 2010, Ilira Gashi merr pjesë në “Top Fest 7” me këngën “Shoku im më i ngushtë”. Në nëntor 2010 merr pjesë në Kënga Magjike 2010 me këngën “Tek”. Në qershor 2011, Ilira Gashi merr pjesë në “Top Fest 8” me këngën “Ëndërr”. Por, megjithatë këto paraqitje nuk e bënë shumë të njohur për publikun shqiptar, ajo ka arritur të marr vëmendjen e merituar pasi filloi karrierën në Zvicer.
https://www.instagram.com/p/BxmS342IRBp/
Së fundmi ajo ka performuar para një publiku gjigand në
Spanjë, performanca e të cilës u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku.
Por, ajo nuk ishte e vetmja shqiptare që performoi në këtë skenë. Ishte Ava Max
e cila gjithashtu pati një performancë të mrekullueshme.
Ndërsa prapa skenës, të dy këngëtaret shqiptare janë takuar bashkë ku edhe kanë realizuar disa fotografi e në mesin e tyre shihen edhe disa foto ku ato bëjnë simbolin e shqiponjës me duar, duke shfaqur dashurinë për vendin e tyre. / KultPlus.com
Në pallatin Schloss Potzneusiedl në Vjenë është mbajtur ekspozita personale e piktores kosovare Laureta Vinca Mulliqi. Përmes 20 portreteve, Vinca Mulliqi paraqiti gruan, dhimbjen dhe shpresën, si dhe kujtimet e emocionet e saja, përcjellë KultPlus.
Kuratori i ekspozitës dhe organizatori Johann Gunther , vlerësoi lartë jetën dhe veprën e Vinca Mulliqit. Poashtu, artisti dhe Prof. Ing. Peter Kotauczek krahasoi atë me piktorin e njohur Modigliani: “Një kontakt me Modiglianin. Ashtu u ndjeva kur pashë pikturat e Laureta Vinca Mulliqit. Kjo ishte ndjenja ime spontane, Modigliani pra. Fryma e tij ishte shtrirë në veprat e ekspozuara të artistes”, u shpreh ai në një fjalim të veçantë. Punën e piktores kosovare e lavdëroi edhe konsull nderi Ing. Gerhard Egerman i cili përveç fjalimit, kontribuoi duke shtruar drekë për këtë aktivitet për të gjithë të pranishmit.
Në ekspozitë të pranishëm ishin dhjetëra persona, në mesin e të cilëve kishin ardhur bashkatdhetarët si edhe mysafirë që kishin udhëtuar nga vendet e tjera si Gjermania e Zvicra siç ishte edhe E.Balogh: “Kam bërë 400 km që të vij të shoh këtë ekspozitë. Ka shumë kosovarë aty ku jetoj unë në Gjermani, prandaj kisha shumë interesim të shoh për së afërmi edhe veprat e një piktoreje nga Kosova. Jam e fascinuar. Dua që të gjitha t’i kem pjesë të koleksionit tim”, e cila e entuziazmuar zgjodhi një pikturë për koleksionin e saj.
Këtë ngjarje e përcollën gazetat dhe televizionet vjenezë, ku edhe së shpejti po përgatitet të dalë dokumentari në televizionin publik të Vjenës.
Sponsor të organizimit të kësaj ekspozitë ishin: Bit media –member of eee group, Ambasada e Kosovës në Vjenë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. / KultPlus.com
Bërtimat e përfaqësuesve të Shqipërisë në Eurovision kanë marrë vëmendjen e ndjekësve të huaj të festivalit.
Në një video janë përmbledhur të gjitha pjesët ku në këngët që Shqipëria dërgon për t’i përfaqësuar, artistët e kanë pjesën ku ‘bërtasin’ për të treguar vokalin e tyre.
Kjo video 4-minutëshe përmbledh për mrekulli këto momente kur zërat e artistëve shqiptarë kumbojnë në skenat e ndryshme të Eurovision ndër vite, shkruan Gazeta Express.
Këtë vit Shqipëria është përfaqësuar nga Jonida Maliqi, e cila gjithashtu, ka pasur shumë pjesë kur gjatë këngës është dashur të bërtasë. /KultPlus.com
Fjalimi i Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT, Feride Rushiti në Marshin protestues në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.
Të nderuar
të pranishëm, përfaqësues aktivistë të të drejtave të njeriut, të nderuar të
mbijetuar – viktima të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, të nderuar
qytetarë të Republikës së Kosovës:
Jemi
mbledhur këtu për të shprehur zemërimin, indinjatën e thellë dhe për të kërkuar
përgjegjësi rreth skandalit me foto të shpalosur në Kuvendin e Kosovës dhe për
të përcjellur mesazhin e grave burrave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës
dhe familjarëve të tyre. Të mbijetuarit duan dinjitet dhe drejtësi.
Jemi
mbledhur këtu për të sjelluar reagimet e të mbijetuarve nga dhuna seksuale pas
skandalit me foto ne Kuvend, e cila ringjalli traumën e tyre dhe rikthej
emocionin e luftës tek personat e mbijetuar të dhunës seksuale dhe mbarë shoqërisë
duke e thelluar heshtjen dhe stigmatizimin e tyre, dhe i mbetet Kuvendit të
Kosovës që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar. Prandaj, të mbijetuarit
kërkojnë që:
– Pamjet e
tilla nuk e kanë vendin në parlament, por në gjykatë!
– Ne po
vuajmë në Heshtje, e ju po godisni në dhimbjen tonë!
– Duam
drejtësi, por nuk duam vuajtjet e tona t’i shohin edhe fëmijët tanë!
– Dhembja
jonë, turpi i juaj!
Jemi këtu
për të treguar që nuk jeni të vetmuar dhe të braktisur në rrugëtimin e gjatë e
të mundimshëm të realizimit të plotë të drejtave tuaja. Ashtu siç bëmë për 20
vjet me radhë, do të jemi zëri juaj kudo dhe kurdo që të jetë nevoja dhe
kërkojmë nga institucionet që të mbijetuarit e dhunës seksuale të vazhdojë t’i përkrahin
për një jetë të dinjitetshme.
Nuk do të
lejojmë që publikimi i asaj fotografie në Kuvendin e Kosovës ta përmbys një
proces të tërë të ndërtuar me shumë mund dhe sakrifice. Aq më pak në kohën kur përkrahja
dhe forma reparacioneve nga institucionet e vendit po shërben si shembull i
mire ne rajon dhe në botës. Ishin pikërisht viktimat që përmes zërit të
Vasfijes nxorën në shesh të vërtetën për krimet që kishin përjetuar.
Të nderuar
të pranishëm, të gjithë jemi prekur dhe jemi ndjerë të trishtuar gjatë këtyre ditëve
të fundit, por sigurisht që më së shumti janë lënduar vetë viktimat, familjaret
e tyre dhe gjithë shoqëria . Prandaj, qytetarë të nderuar le t’i përkthejmë
këto mesazhe në udhërrëfyesin e punës sonë. Sot më shumë se kurrë të
mbijetuarit kanë nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen tonë, pa paragjykime!
Kërkojmë drejtësi, dinjitet, profesionalizëm dhe sinqeritet./KultPlus.com
Bisedë me antropologen sllovene Prof.ass.Natasha Gregoriç Bon, e nderuar me çmimin ‘Excellent in Science’ nga Agjensioni për Hulumtim
Shkencor i Sllovenisë
….. Nëse i mënjanojmë kufijtë nacional dhe
etnik, konfliktet e paragjykimet dhe përqëndrohemi në dimensionet e veçanta
sociale dhe historike……..atëherë mund të vërejmë se vendbanimet, mjediset
dhe njerëzit në secilën pjesë të Europës juglindore janë më të lidhur dhe të
bashkuar sesa në mospërputhje dhe të shkëputur
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: A mund të na thoni mënyrat nëpërmjet të cilave antropologët i pasqyrojnë rezultatet e punës së tyre në funksion të njohjes më të mirë të traditave kulturore sociale dhe gjuhësore të popujve?
Natasha Gregoriç
Bon: Metoda
themelore dhe më e rëndësishme e disiplinës antropologjike është puna afatgjate
(më shumë se një vit) në terren në një fushë të caktuar. Rrjedhimisht,
antropologu duhet të jetojë me komunitetin të cilin ajo/ai e studion për së paku
12 muaj. Përgjatë kësaj periudhe ajo/ai duhet të përfshihet në zakonet e njerëzve
lokal, gjuhën e tyre dhe përditshmërinë. Antropologët, për dallim nga sociologët,
janë të interesuar për fenomenet shoqërore dhe kulturore të cilat reflektohen në
përditshmërinë e njerëzve të cilët janë subjekt i studimit të tyre. Qasja apo metodologjia
themelore antropologjike mbështetet në vëzhgimin e pjesëmarrësit në studim,
bisedat e përditshme (formale dhe joformale), mbledhjen e historive gojore,
tregimeve jetësore, përcjelljen e mediave, diskursit politik, mediave sociale,
njohuri mbi kulturën dhe historinë e vendit, zonën, rajonin, shtetin i cili studiohet,
hulumtimi i burimeve arkivore etj. Të gjitha këto mund të ndryshojnë varësisht nga
tema e cila hulumtohet. Puna në terren është thelbësore dhe burimi kryesor për të
nxjerrë material etnografik i cili përbën materialin kryesor hulumtues për analizat
dhe sintezat teorike vijuese.
Rrjedhimisht, hulumtimi im në Shqipëri filloi në vitin 2004 në fshatrat bilinguale (të folmet lokale shqiptare dhe greke) të Himarës, në jug të Shqipërisë. Kam jetuar për 12 muaj në njërin prej këtyre fshatrave, Dhërmi/Drimades, dhe përgjatë kësaj kohe i kam mësuar dy dialekte lokale, shqipen dhe greqishten, dhe ia kam dalur që të përfshihem në përditshmërinë e komunitetit lokal. Si një antropologe hapësinore më interesonte të shohë sesi njerëzit e përceptojnë, jetojnë dhe materializojnë vendbanimin dhe mjedisin e tyre, çfarë kuptimi u japin atyre dhe çfarë nënkupton kjo nga perspektiva e të kuptuarit social të vendbanimit dhe mjedisit të tyre në përgjithësi. Analiza e këtij studimi është pjesë e studimeve të mia PHD me temë “Hapësira mospërputhjesh”. Në vitin 2008 u botua si monografi në gjuhën sllovene ndërsa më 2015 u publikua në gjuhën shqipe me titull: “Hapësira mospërputhjesh: etnografi hapësire dhe vendi në fshatin Dhërmi/Drimades, Shqipëria e Jugut”. Deri tani rezultatet e hulumtimit janë pranuar shumë mirë nga komuniteti lokal si dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi. Në veçanti vendasit e Dhërmiut/Drimades kanë qenë të lumtur të shohin se tema ime e doktoraturës është e qasshme online. Në origjinal ajo është shkruar në gjuhën angleze dhe është e qasshme për migrantët e Dhërmiut/Drimades dhe banorët e rajonit të Himarës të cilët jetojnë jashtë vendit. P.sh. kam pranuar komente pozitive prej shumë emigrantëve të rinj që jetojnë në Greqi apo SHBA. Shumë prej tyre ishin të lumtur me përshkrimin e traditës dhe dokeve të tyre si dhe dialektit lokal grek në detaje. Në vitin 2017 jam ftuar nga diaspora himariote që jeton në Maryland, SHBA ku kam prezantuar librin tim i cili është përkthyer në gjuhën shqipe dhe hulumtimin tim në atë rajon.
Mimoza H.P.: Si e shpjegoni konceptin e letërsisë nga pikëpamja antropologjike?
Natasha G. B.: Në fakt, antropologjia edhe ndryshon në shumë fusha nga letërsia meqë është një diciplinë e cila e ka metodologjinë, sfondin teorik dhe veglat analitike të saja. Sikur është përmendur më lartë, antropologjia mbështetet në etnografi dhe vëzhgimin e pjesëmarrësit dhe – sipas temës së hulumtuar – ajo mishërohet me përditshmërinë e jetës së njerëzve. Edhepse kjo nuk ndodh gjithmonë domosdoshmërisht meqë temat antropologjike mund të ndryshojnë – viteve të fundit kemi shtim të vëllimit të hulumtimeve mbi multispeciet, kulturën materiale etj. Antropologu duhet të ketë qasje gjithpërfshirëse dhe holistike meqë studion dimensionin njerëzor dhe jonjerëzor. Rrjedhimisht, analiza antropologjike mund të përfshijë ndër tjerash edhe letërsinë e një rajoni të caktuar të cilin jemi duke e studiuar. Përmes letërsisë antropologu mund të mësojë shumë mbi kulturën, traditën dhe gjuhën e vendit të caktuar dhe që ndërlidhet me ndonjë periudhë të caktuar. Gjuha është pjesë shumë e rëndësishme e studimit meqë mund të zbulojë mendësinë kulturore të komunitetit/grupit të caktuar të cilin jemi duke e studiuar, kuptimin dhe rolin e saj në të kaluarën, tashmen dhe të ardhmen.
Mimoza H.P.: Brenda materies së studimeve tuaja gjenden shoqëritë dhe kulturat njerëzore. Bazuar në rezultatet e dala nga gjurmimet antropologjike a mund ti listoni elementet e veçanta dhe të përbashkëta të kulturave ballkanike?
Natasha G. B.: Meqë në shumë prej publikimeve të mia shkruaj për mobilitetin dhe migrimin, Europa juglindore apo i ashtuquajturi Ballkani, është rajoni në të cilin njerëzit kanë migruar përgjatë historisë. Unë mendoj se bashkë me farefisin, shtëpinë, familjen, migrimet ende mbesin institucione të rëndësishme në këtë rajon dhe të cilat duhet të rishikohen atëherë kur flitet për nacionalizmin, autoktonizmin, traditën, kulturat e ndryshme etj., në këtë pjesë të Evropës. Në periudhën parahistorike njerëzit dhe vendet janë drejtuar përmes të ashtuquajturave ligje zakonore që dallonin varësisht nga grupet apo klanet e caktuara farefisnore (kryesisht por në veçanti jo grupet trashëgimtare të drejtpërdrejta) dhe sipas përkatësisë religjioze – krishterë, pagan, musliman. Këto dallime erdhën në shprehje në periudhën e perandorisë otomane, e cila po shtrihej shpejtë përgjatë Europës juglindore. Përkatësia fetare u shndërrua në një prej proceseve kryesore të definimit të identitetit e që më vonë në shekullin e 19-të iu bashkëngjit edhe nacionalizmi. Për shkak të migrimeve, ka ekzistuar, dhe ende gjerësisht ekziston huazimi kulturor i zakoneve të ndryshme (ushqimi, këngët, veshjet, traditat etj.), dhe ky shkëmbim në literaturën antropologjike quhet difuzionizëm. Për këtë arsye ende është shumë e vështirë të përcaktohet se kujt i përket një veshje e caktuar tradicionale (p.sh.fustanela), ushqimi (p.sh.pitja, byreku), këngët tradicionale (polifonia) etj. Të kuptuarit e familjes apo farefisit (në terme të ngushta apo të zgjeruara) është dicka që bashkë me migrimet është tipike për këtë rajon. Saktësisht për shkak të ndjesive të fuqishme që t’i përkasin ‘dikuj diku në veçanti” (citim i Sarah Green, 2016), ende ekzistojnë shumë konteste dhe mospërputhje për disa cështje në Europën juglindore.
Mimoza H.P.: Nga vepra juaj, në gjuhën shqipe kemi librin “Hapësira mospërputhjesh”, përmbajtja e të cilit është e bazuar në gjurmimet e bëra në fshatin jugor të Shqipërisë, Dhërmiut. Çfarë konsiderohet e papërputhshme në këtë zonë shqiptare?
Natasha G. B.: Sikurse e kam përmendur në librin tim, Dhërmiu/Drimades bashkë me emrin që ka, në shumë mënyra – kulturore, shoqërore, historike – konsiderohet me dykuptimësi. Sidoqoftë, nëse e shikojmë nga pozicioni pozitivist, nacionalizmi etj., atëherë problematika e dykuptimësisë (të cilën nuk e definoj si negative por si pozitive dhe esenciale) gjithëherë do të jetë prezente si një prej çështjeve thelbësore që në shumë mënyra do të gjenerojë mospërputhje dhe konteste. Argumenti kryesor i librit tim është që ne duhet t’i shmangemi kësaj perspektive pozitiviste apo nacionaliste dhe të përpiqemi që t’i kuptojmë këto zona në kontekstet e tyre shoqërore, kulturore, historike dhe politike. Në ndërlidhje me këtë, kjo zonë bashkë me rajonet tjera të Europës juglindore, gjithmonë ka qenë e prekur nga rrymat migruese. Rrjedhimisht, nëse i mënjanojmë kufijtë nacional dhe etnik, konfliktet, paragjykimet dhe përqëndrohemi në dimensionet e veçanta sociale dhe historike të zonës të cilën e studiojmë, atëherë mund të vërejmë se vendbanimet, mjediset dhe njerëzit në secilën pjesë të Europës juglindore janë më të lidhur dhe të bashkuar sesa në mospërputhje dhe të shkëputur.
Mimoza H.P.:Përveç në gjuhën shqipe, libri është përkthyer dhe promovuar edhe në gjuhën angleze, gjë që e bën të qasshëm edhe për lexuesin ndërkombëtar. A mund të na tregoni si u prit libri fillimisht në Shqipëri dhe më gjerë?
Natasha G. B.: Libri është pranuar shumë mirë dhe deri më tani kam pranuar vetëm komente pozitive.
Mimoza H.P.: Nga përvoja juaj e punës, si e kujtoni Shqipërinë sot?
Natasha G. B.: Ende vazhdoj të bëjë hulumtime në Shqipëri dhe për shkak të rrjetit të gjerë social dhe lidhjes personale e konsideroj atë si ‘shtëpinë time’ të dytëJ.
Mimoza H.P.: Si qëndrojnë bashkëpunimet për studime antropologjike por edhe ndërdisiplinare ndërmjet Sllovenisë, Shqipërisë dhe Kosovës, sa realizohen projekte të përbashkëta?
Natasha G. B.: Si nga aspekti profesional po ashtu edhe ai personal, unë bashkëpunoj me etnolog, historian, biolog, gjeograf nga Shqipëria. Në shtator 2018 kolegët e mi nga CNRS France, të cilët po ashtu kryejnë hulumtime mbi Shqipërinë, në bashkëpunim me institucionin ku jam e angazhuar (ZRC SAZU) kemi organizuar një konferencë mbi studimet shqipëtare. Me këtë rast ne kemi arritur ta krijojmë një rrjet të studiuesve të shkencave sociale dhe humane të cilët kryejnë hulumtime në Shqipëri.
Mimoza H.P.: Si u njohët me gjuhën shqipe dhe si vendosët ta mësoni?
Natasha G. B.: Meqë gjuha është parahyrje për t’i kuptuar doket dhe kulturën e tjetrit, është e nevojshme për një antropolog që para punës në terren ta mësoj gjuhën. Më 2004 para se të shkoj në Shqipëri unë pata filluar t’a mësoj dialektin e gjuhës shqipe dhe greke të cilat fliten në Dhërmi/Drimades. Meqë njerëzit lokal flasin me dialektin të cilin e kisha mësuar më parë, unë fillova edhe të përmirësohem gjatë kohës atje. Mëpastaj angazhova disa mësues lokal të cilët më mësuan shqip dhe greqisht. Rrjedhimisht, e folmja ime e shqipes dhe greqishtes shpesh tingëllon si shumë lokale dhe e veçantë dhe ende vazhdoj të bëjë shumë gabime gramatikore.
Mimoza H.P.:A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht dhe a do të përfshihen Kosova dhe Shqipëria në projektet tuaja të ardhshme?
Natasha G. B.: Unë do të vazhdoj të mirrem me hulumtime mbi Shqipërinë. Momentalisht jam e interesuar për dimensionin e përkohshëm (kalimtar), në veçanti për të ardhmen – se si njerëz të caktuar të cilët i quaj si individë me përgjegjësi shoqërore e planifikojnë dhe e parashikojnë të ardhmen më të mirë për një pjesë të ngushtë apo të gjerë të shoqërisë në Shqipëri. Temë tjetër me interes për hulumtim është edhe dimensioni shoqëror i ujit dhe mjediseve ujore në Shqipëri.
Prof.ass. Natasha Gregoriç Bon është një antropologe sociale me shumë vite përvojë hulumtimi në Shqipëri. Fushat e interesit të hulumtimeve përfshijnë: antropologjinë hapësinore, lëvizjet dhe mobiliteti, dinamikat e kufijve, evropianizimi, antropologjia e së ardhmes, antropologjia e ujit, etj. Ajo është autore e monografisë „“Hapësira mospërputhjesh: etnografi hapësire dhe vendi në fshatin Dhërmi/Drimades, Shqipëria e Jugut” e cila është përkthyer në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese ‘Morava’, Tiranë, Shqipëri më 2015. Ajo është bashkëautore e monografisë ‘ Lëvizja dhe krijimi i hapësirave’ (shtëpia botuese ZRC) dhe bashkë-redaktore e vëllimit “Vendet në lëvizje” (Berghahn Books). Për këtë të fundit, ajo dhe kolegu i saj/bashkë-redaktor Jaka Repiç janë shpërblyer me çmimin ‘Excellent in Science’ nga Agjensioni për hulumtim shkencor i Sllovenisë. Që nga viti 2008 ajo është recensuese redaktoriale e librit në revistën shkencore ‘Anthropologican Notebooks’, dhe që nga 2013-a ajo është bashkë-redaktore e serive “Space, Place, Time” pranë shtëpisë botuese ZRC. Ka qenë në shkëmbim edukativ pranë departamentit në Universitetin Canbera (Australi), studiuese/hulumtuese vizituese në SSEES, UCL (MB) dhe qendrën për studime të Europës Juglindore dhe Europiane (CSEES), Universitetin e Gracit (Austri) dhe ligjëruese vizituese në Aleksanteri Institute, Universiteti i Helsinkit (Finlandë), Universitetin Nagoya (Japoni). /KultPlus.com
Ky marsh protestues është reagim ndaj publikimit të fotografisë së rrejshme të deputetes së PDK’së Flora Brovina si dëshmi që u paraqit në Kuvend për dhunimet që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.
Me slloganin kryesor “Më trajto
dinjitetshëm” ky marsh protestues ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në
Prishtinë, dhe po vazhdon deri tek sheshi “Ibrahim Rugova” pranë Kuvendit të
Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në këtë protestë po marrin pjesë ish Presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruiari O’Connell dhe kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari./KultPlus.com
Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me
rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”
Ajo e ka përjetuar dy herë dhunën seksuale brenda disa
javësh. Ende lufton me pranimin nga familjarët. Djali i vogël, ish-ushtar i
UÇK-së e ka vëzhguar nga larg se si gratë janë futur në shtëpinë ku është bërë
dhunimi. E ka parë edhe nënën e tij. Nuk e mbështet. Përkundrazi e gjykon ende
për këtë tragjedi. E torturon me pyetjen pse hyre në atë shpi?!
Rrëfimi në veten e parë: Ata lahpera s’mujshe me i dallu
E.T
Prej nanës jem kanë, vetë e treta jom kanë. Unë jom kanë
e madhja edhe dy vllazën. Vllaznit kanë vdekë, unë kom mbet. Jam rritë si vajzë
e vetme deri n’gjashtë vjeç. Në moshën gjashtë vjeçare baba u nda me nanën…
edhe u martu.
U ndanë për shkak t’fëmive. S’ju rritshin fëmija nanës.
Për tjetër sen jo. E u martu baba e e murrë nji gru. Ajo tani e gjet djalin për
ni mujë. Apet mas nji viti, apet tjetër. Kemi jetu bashkë me njerkën, por unë e
kisha, qysh me thanë, nji ndjenjë që s’e kisha nanë. Kurrë s’e kom pa ma nanën.
Ajo u martu edhe ma s’e kom pa. S’kena pasë kontakt dej sa jom martu une, hiç.
E kam kry klasën e parë veç. Nja gjashtë muaj. Ma
ndërprejti baba me ia kqyrë fëminë me ia rritë. Kush m’u kujdesë për fëmi
t’saj? Për çdo vjet e gjajke ka nji djalë. E tash u dashke mandej m’u kujdesë
për fëmitë e saj.
Me dalë pak me shoqe n’oborr, njerka i thojke babës,
“Çika jote s’ëm ka ngu” pritsha që n’mramje m’rrehke baba, “Pse mi ke lanë
fëmitë vetun?”. U rrita kishe pak, 12 vjeçare m’fejoi. Vetë baba, vet m’ka feju
qaty. Se une s’kom ditë kurrgjo, sikur tash që vetë vajza del e sheh, e flet
e… Jo, jo, n’atë kohë unë s’e kom pa hiç. Baba bashkë ish kanë ushtar me ta.
Gjeneratë e babës tem. Qashtu, burri jem gjeneratë me babën tem. Njëzet vjet
martesë i kish pasë me gru t’parë. Grun gjallë e ka pasë po s’ju rritshin
fëmija as asajna, e për shkak t’fmijëve tani ka thanë hajde nji çikë t’re… Unë
fëmi. Po ai ish i knaqun me fëmi. Tha ai “Prej fëmije del diçka se prej plake
s’del kurrgjo”. As s’e kom ditë çka o fejesa e çka o martesa. Dej ma erdh koha,
kishe erdh ai mu me m’lypë me thanë “Dojna me nda vade, dojna me e marrë robin
se osh’ ka hjek robi këtu te ti. Ti shumë fëmi, kjo s’po bohet rahat…”. Burri
edhe ortakja. Edhe janë ardhë, e kanë nda vaden. Dy javë m’kanë… qashtu m’kan
lanë qysh thonë “Nër unazë” edhe teshat m’i prunë. Dy sanaka, qashtu do far
sanakash t’drunit. Kur u bonë dy javë me ardhë tani me m’marrë. Aty tani t’u
knu çikat. Kur erdhën ato që i thojshin “jangjia” ato, tu i shajtë…”Bismilah
e kamën n’qilim kur u çojshe gjytyrym”, e diqysh do fjalë ju lshojshin këtu.
Për shembull, këto kushërinat e mia, me def e qysh o kanë adeti at’here me i
shajtë ato… Unë s’disha kurrgjo. M’i gjetën do kanë. M’i bojshin do shoqe do
adete qashtu. Po s’nisha kënaqësi kurgjo… Kur erdha kha, me defa e dajre na
dulën përpara. Tu knu… Kish pasë krushqi, kish pasë. Po at’herë Ramazan ish
ajo kohë. Do me Ramazan ishin, do qashtu. Me hoxhë ktyneherë. Tani ish aty
zakoni me t’kapë kunati qashtu e me t’shti n’sobë. Kap, qeshtu m’kapi edhe
m’shtini n’sobë… N’grykë, se fëmi i vogël. M’kapi. Unë isha e re. Gati 40
vjeçar u kanë ai, a ma shumë a. Unë 12 vjeçare e ai 40, burri, a 42. Njizet
vite martesë me gru t’parë. E tani ai kur erdh n’sobë qashtu, po unë isha shumë
e re. Ja nisi, po ma hjek duvakin e dorëzat. E qashtu tu u mërzitë e tu kajtë.
Ai m’thojke, “Çka po kanë se ki me bo sefa, e ki mu knaqë”, po ashtu diqysh,
“Kom me t’çu te nana. Ki me e pa nanën. Mos u mërzit ti hiç. Ka me ardhë nana
te ti”. E qeshtu kësi far fjalësh. Tani mandej, “Hajde po bina!”, “Hajde
dathëm…”. Shtrat i drunit. Qashtu si i ktynehershit. “Hajde dathmi çorapat.
Lami kamtë!” uh, ma boni burri. Diqysh une s’isha msu kurrë. Menxi ia lava
kamtë aty me njifar legeni, njifar tazi qashtu. E tash, “Hajde bonëm gati!
Deshëm me ra”. Une s’mujsha, m’vike keq mu deshë. “Hajde hajde se tash ti je e
jemja, une jam i yti. Ma s’kem na ndamë na dy kurgjo” (psherëtinë). M’kujtohet
ajo natë si sot. U desha, rashë. Ia nisi me m’dashtë, me m’përkdhelë, e qashtu
diqysh. Po unë shumë, shumë diqysh dojsha m`u tranu. Veç kajsha unë me za, jo
kështu. Kajsha me za sa t’mujsha. E aty m’tha, “Mos kaj!” “Qysh mos me kajtë?
Ku jom ardhë unë këtu?” “Ani ki me bo sefa, ki m’u knaqë”. Thashë, “Jo s’kom
m`u knaqë kurrë!” Tani kur ja ka nisë marrëdhania qashtu diqysh, me fëmi me
pasë marrëdhanie që ja nisi. Ma prishi virgjinitetin. M’erdhën masanej
menstrunacionet. Unë tani kur e pashë gjakun unë edhe ma zi u tranova. “Ah mirë
se shumë mirë. Shumë mirë”. Thashë, “Po çfarë miri kqyre m’prishe krejt. Nji
fëmi me e prishë ti”. Ai “Jo, jo, jo, shumë mirë osht kjo punë”. Edhe ma tani
qashtu. Tri vjet ma s’kom pa kurgjo hiç menstracione. Kur i kom bo 15 vjet,
masi që i bona , m’erdhën. E thojshin, “Met nusja me bark, met, met, met, met!”
Thojsha, “Çka? Barkun e kam. Qysh bark?” Unë isha fëmi për veti, nuk e dijsha
çka o barki. “Qysh more, unë barkun e kam!” E qashtu diqysh. Njifar, s’di qysh
me t’thanë. Jo burri shumë m’ka dashtë, ortakja, s’ja hupi. Ata për mu janë
kanë shumë t’mirë. Mandej mbeta shtatzanë. Isha e lumtun, por u tutsha, thojsha
mos pe abortoj apo diçka. Shumë diqysh, kisha strese kisha. Tash dy djem i kam.
Burri m’ka thanë, “Ja, po m’vjen shumë keq prej teje.
N’vend me t’marrë për djalë t’kom marr për veti. Sikur me evlad tem po m’duket
po çka me bo”. Thash, “Jo masi m’ka dhanë baba, çka me bo! O duftë qashtu m’u
pajtu me ty”. Me ortakën shumë mirë kom kalu. Ajo ka gatu për mu, e ka hjekë
plehin për mu, ajo o kujdesë për mu sikur me e pasë unë nanë ata e jo ortake.
Shumë, shumë, shumë u kujdesë ajo për mu. Edhe kom pasë raporte t’mira me ta
shumë.
Tai vdiç burri. Edhe që o kanë i vjetër shumë jom kanë e
knaqme. Ku i kom thanë… m’ka çu n’Brezovicë. Kena nejt, jena knaqë. Ortakja
fëminë m’i ka kqyr n’shpi, unë me burrë kom shku atje. Jom kënaq. Kom shku
n’Matarushka banjë, ky me shokë t’vet, ata me gra, ky me gru, shkojshim u
knaqshim. Edhe dy vite ngjitë kemi shku n’Matarushka banjë. Masanej që m’u ka
nda nana, m’ka ardhë nana, ma s’pari.
Ka ndëgju nana që jam martu. Se tezën e kom pasë
t’martume për mixhë tem, tezën teme. E tani i shkojshin lajmet nanës, si për
t’mirë si për t’keq. I ka tregu ajo masanej, mas pesë–gjashtë mujve m’ka ardhë
nana. Që i kom bo pesë-gjashtë muaj martesë m’ka ardhë nana.
Kurrë se kam taku. Ajo ka shku te ata t’burrit, unë isha
te t’mitë, ajo s’ëm ka gjetë e u kthy. Madnej burri me qoj te nana aty ku ish
martu. E ja nisa me shku te nana. U knaqsha, kah nji javë shkojsha me nejt. Ajo
nuk kish pas fëmi atje. I kish pas thanë atij burrit e kom lanë një çikë e s’du
me ba ma fëmi. Fëmitë e atij burrit e kanë dashtë nanën. Edhe mu më pritshin si
motër.
Fëmijtë e mi m’kanë dashtë, m’kanë përkrah fëmija. Shumë m’kanë
dashtë. Po ma shumë ma kanë dashtë ortaken. Shumë. Se ajo tash i kish t’vet
jashtë, kish pare e fëmija si klyshi e qashtu diqysh u… mas sajna. Ja dhajke,
at’herë me dinar, ja dhajke pesë dinarë e dhetë dinarë a 20 dinarë a…
Djali e ka gjetë vetë nusen, i madhi. E ka gjetë vet.
Qeshtu o kanë n’shkollë e nji shok i ka thanë, “Qeshtu e kam nji kojshike,
hajde kqyre”. E morëm. Kishim lek e kishim pasuni. E rregullumë nusen, me
dalë… Dasëm e madhe.
E kom marr nanën teme me jetu me mu se s’ka pasë djalë,
burri i ka vdekë. E kështu që s’kish ku me nejt. Shpijën n’Vushtrri ja prishën
shkijet, e djali i tezës e merr e e çon te dajtë nanën teme. Po m’thot djali i
madh “Shko nanë se gjyshja te dajtë e tu!”. Shkumë e murrëm e e prunëm n’shpi.
Tash une me nanën jetojmë me nji shpi qaty. Nuset jetojnë me nji shpi vetun,
une jetoj me nanën teme n’tjetrën shpi. Para luftës mu m`kujtohet se erdhën
shkijet me e hallakatë burrin, me ja marrë armët. Na bastisën. Dy i kishmi me
leje. Edhe i lypshin do armë. Burri s’ja dha. Me leje janë, pse me jau dhanë!
Nuk ja dha.
Burri vdiç para lufte. Prej tenisoni, n’demonstrata e
patën rrehë shkijet. Qat’here, tani u smu e villke gjak prej tyne. E masanej
vdiç.
Djali i vogël shkoi ushtar. Ushtar i UÇK-së. Ushtar u
kanë. Kur ka fillu lufta, tri ditë me nji ven s’na kanë lanë. Hajde qeknej,
hajde qanej, hajde qeknej…
Jam kanë me nuse, me gra t’kojshive, me t’kunetve. Na
ishim aty plot. Edhe, na ishim n’traktor me t’kunetve… tani na marrin
traktorin n’kamë na, hajt ec. Edhe nusja e kish nji kufer, thash hajt t’ja marr
qat kufer. O sa t’na qitshin deri qaty, ja shtishin flakën. I kallshin. Na
grahi qashtu, ushtarë knej, ushtarë knej. Tenkat përmas na vishin. Na n’mes.
Na çunë me nji shkollë. Kur na çunë aty nji natë, pleq e
plaka e fëmi i kapshin i gjujshin n’oborr, neve na shtishin mrena, thika qekaq.
Pleq e plaka jashtë. Edhe fëmitë. Çka ka mujt me ndodh? Ka mujt me ndodh qajo
që osht ma e keqja. Dhunë seksuale. Qashtu ka qenë, qajo ma e keqja që o kanë.
N’10 ora kanë ardhë. Na vetë ishim mrena. Nuk kishim… a
kah ora 10 janë hi. As s’kish drita, as kurrgjo. Terr, burg, s’shifshim
kurrgjo. Edhe qashtu. Kah nji orë a dy ka zgjatë, janë dalë. Masi na ndajtën, e
dishim se diçka ka me na ndodh. Na ndajtën, pleq, plaka e fëmijë i lanë jashtë.
Kush ish ma e re… i shtyshin nuset e reja, e qashtu çika t’reja krejt.
Si n’mes. Si n’mes isha. Përafërsisht nja ka qenë për mu.
A nji orë, nji orë e gjysë, ma shumë s’ka zgjatë.
Ata menojshin që shkollën ka me bombardu NATO. Hishin
shpejt. U ngutshin. Thojshin, “Shpejt e shpejt me e kry këtë punë e me dalë se
do me bombardu.” E krynë punë, tani deri nesër n’mengjes. Ma përplasën valla
kryet. Hala m’dhem qysh na përplasën për banjë, qysh na krisi kryet. Na qaty i
shihshim krejt. Bërtit, tranohu. Tash për shembull ata krejt njejtë ata
laperash s’mujshe me i dallu. Njëjtë. Ju erdh lajmi qashtu, NATO-ja po don me e
bombardu shkollën. Edhe ata kryen punë me ikë ma shpejt e me dalë. Për neve
s’ishin ngushtë, na lanë qaty. Edhe deri t’nestrit kena nejt qaty. Kah nantë a
dhetë ora na kanë lshu prej atyhit.
Tanë natën tu e kajtë njana tjetrën, “Qysh na ndodhi!”,
“Çka u bo me neve!”, e qeshtu qiso fjalësh. Kish fjalë boll aty. Ajo ortakja o
kanë jashtë te dera. Tha, “Krejt ju kom ni çka keni bo, çfarë piskame keni bo”.
Edhe ajo e ka ditë krejt çka u bo me neve. Tha, “Krejt ju kena ni, krejt, çfarë
piskamash keni bo ju. Kha, unë kajsha, kha mozomakeq .” E qeshtu.
E nisha vetën mozomakeq. Tani t’nestrit na lshunë… Tani
as kamtë s’ja kena pa. Na lshunë kolonë. Nja dy net kena shku kena nejt
n’njifar veni, njifar katuni. “Hajde shkojna te shpija!” Kur shkumë atje te
shpia, po gjujnë me pluma ata, se na shifshin. Ata n’kodër na shifshin. E tani
hymë n’shpi t’kunatit atje. Kur jena hi n’shpi t’kunatit aty u tubumë. S’kish
gja knej, shkretina. Krejt shpiat e kallta të krejtve. Veç mozomakeq. Mas nji
kohe po vijnë po thojnë, “A o kush mrena? Le t’del se ma këtu se lajna kurrkan.
Krejt t’kallun janë” Edhe une me fol s’kom guxu kurrë. S’kom fol me ta hiç,
hiç, hiç. Hiç s’kom fol se thojsha se si t’hish n’fjalë me ta del fjalë. E me
fol s’folsha. Shkova. Ata u tubunë aty edhe nji kolonë shumë e vogël u tubumë.
Bukët i kisha n’furrë hanez, shkova i hjeka bukët. Aty i shtina bukët me nji
thes edhe i qita n’shpinë. E do gra po m’thojnë, “Qyqja, çka po t’vynë ato
bukë. Gjuj se kanë me na vra.” Thash, “Të m’vrafshin, me bukë le të m’vrajnë”.
Edhe po nisëm qashtu. Po thojnë, “Hajde, jeni tubu krejt?” edhe po nisëm. Kish
burra, kish miq, kish t’katunit.
Me nji vend po i nalin burrat. Po i nalin e ja u qitën
duart qeshtu përmas. Edhe i vrajtën mashkujt. Qashtu, kah shkojshin kallshin
shpija me armë. Si i gjujshin, i kallshin shpijat. Kta knej, kta anej… Na u
çuditshim, me armë që kallet shipja. Unë s`di çka ishin ato. Armë me zjerrm. Si
gjujshin, u kallshin shpijat. Çeremidet na rrokshin mi krye. Qashtu. Edhe hajde
tash me ec. Burrat i vrajtën. Ja fillunë fëmija që i shifshin baballarët tu
kajtë. Fëmija kajshin, thojsha, “Jo, jo, si kanë vra” e na ishim ma përmas, e
dikush ma përpara veç dikush se shihke. Ata që i vrajtën burrat ma nuk i pamë,
veç na çunë dej me nji fshat. Ma nuk i pamë. Ikën, u kthynë, u zhdukën ata. Veç
na çunë aty. Kur t’na çunë aty te ai fshat, tash dulën policët me uniforma,
“Hajde se këtu doktorri ka me ju kontrollu”. Po çfarë, s’kish kontrollë e
s’kish kurrgjo. Veç me na shti n’shpi me na lanë qaty.
Neve na lanë n’oborr deri n’mbramje aty. Nuk na lshojshin
me ec kurrkah kolonën. Deri n’mramje ishim qaty. N’mramje na kanë shti, “Ti
kha! Ti, kha! Ti, kha!”. I shtishin nuset e reja, çikat e reja mrena. Edhe
qashtu…
Ish aty, kish dhoma, tri katër dhoma ishin. Shpi
dykatëshe. Edhe qashtu na shtishin krejtve. “Ti! Ti! Ti!” krejt me gisht. Maskë
n’ftyrë, policë. E sa ish me maskë se njifsha. Ama kur hini aty tjetërkush, ai
polici me na njoft neve na ka njoftë shumë mirë. U kanë i katunit tonë. I
komunës tonë ish ai edhe na ka njoftë neve. Edhe na shtini qaty. Kur na shtini
qaty ja boni tjetrit, “Kape!”, ai kap e ja hjek.”Ha, a po tutësh prej grave
a?”, tha, “Po çka kanë me bo?”. Tha “A po tutesh prej tyne a?” M’fal
n’shprehje, tha, “Këto gra shqiptare ishin t’mira me ta hangër.” Edhe ma
thashë, “Ti koke a? A ti je qaj që je ardhë nëpër katune e na ki marrë armët?
Ti koke që erdhët këtu e na prutë a?” Tha, “Veç për inati t’burrit tand kom
ardhë qetu.” Edhe e di që qaj i pari o kanë. E mi shkynë teshat, përgjatë
m’prejtën. Tu bërtitë e tu piskatë une isha. Bërtit, piskat… edhe tani
tjerët. Erdhën tjerët, paramilitarë e qesi. Me flokët e gata, t’palajt, veshën
e zi, se n’shpirt ish me rrajë. Shpirti me rraj ish… Çka kena hjek na, kuku.
Tri ditë me nji vend s’na lajshin, na qanej, na qanej, na qanej. Veç ajo që ke
dhunë seksuale ish kanë ma vdekje. Ma mirë se t’ish bo masakër, a t’na kishin
pre krytë, a nji kamë, a nji dorë a, t’ishim met kretj invalida se çekjo që na
ka ndodh neve. Shumë, shumë keq. Shumë. Njeri me burrë t’vet edhe diqysh…
Diku ma qashtu bërtit, piskat, bërtit, piskat edhe do
shprica t’bardhë, kështu që, shprica a qysh i thojnë. Edhe ata ishin kanë me
qasi na dhanë me na qetësu. Diçka bardhë kish pasë n’ta. Na jepshin qashtu me i
pi edhe ma deri n’sabah na s’kena ditë kurrgjo. Ma hiç. N’sabah kur jom çu,
gjaku, gjaku m’shkojke vi. Krejt me e pa barkin k’sajde, a ma kishin shpërthy
me thikë a, krejt, krejt, krejt rend. Çka m’kanë bo s`di.
E zhveshme krejt, po. Ama gjaku qashtu s’mu nalke hiç,
qashtu me gjak. Ish nji shoqe, mi dha do kule. E qashtu tu ecë e tu ecë, kur u
nalshim t’nesrit, qi t’shkunë, kur u nalshin përpara me e kqyr kolonën. Dikush
famljën e vet e dikush… Dy herë m’ka ndodh, po, dy herë ka ndodh. Tash s`di
ma’, veq shpirti jem. Veç shpirti me rraj s’po dilke kollaj.
Kur u kry lufta krejt e kuptumë se erdhën këta t’NATO-s.
Erdhën e na menojshim që shkie. Erdhën edhe ata me tenka,
erdhën me kamiona me flamura. Edhe tani ma u shlirumë. Ju kish ardhë lajmi
burrav, “U shliru! U shliru! U shliru”. Kta shkijet ikshin sa mujshin. Tu knu,
tu ikë. Shkojshin qenat. Çojshin gishta, shajshin, bërtitshin. Qashtu. Qashtu
kjo jetë.
Ish gëzim, gëzim e idhnim për mu ish boll. Për shembull,
djali i vogël na kish pa që na kanë shti n’atë shpi e po thotë, “Pse pranojshe
me hi qaty? Pse hishit?”. Djali ushtar. Ushtarë me ushtarë na kanë pa. Na kanë
përcjell nëpër male. Edhe, “Për çka ti ki pranu me hi n’atë shpi?” “O djalë,
unë menjen e kisha që ko me u vra ose mu bo masakër krejt. Ose me ma hjek kamë
a dorë a me m’lanë t’paaftë. Po ata s’ëm lanë t’paaftë por kishin qef me i kry
dëshirat e veta, me na i bo qëto t’pahijeshme. Po na dhununë. Na keqtrajtunë.”
Une shumë, shumë jom kanë me ta keq. Me qetë ushtarin.
Shumë jom kanë keq. S’ëm ka përkrah hiç. Ama ky i madhi, masi e kish gruan edhe
vet, ai ndryshe. Nusja qashtu u kanë. Ai s’kish ma çka me bo, çka me thanë.
Edhe qeshtu.
U kanë me ushtarë. Gja s’ka guxu me bo. Janë met qaty
n’mal tu kqyr. Se thojshin, “Na mujshim me i vra!” “Po, po, mujshit me i vra!
Po s’keni mujt valla se këta armatim t’madh e ju me çka? Me nji armë n’dorë.”
Veç çka janë shku e jon strehu nëpër male, kanë kqyr. Qeshtu.
Masi hyni NATO tani vazhdumë rrugën me shku n’shpi, qaty
n’oborr me nejt. S’kishim çka me bo. Fshi varaki, na kish hi varaki përmi. Qaty
rrishëm, skame, ishim diqysh…
Nji organizatë erdh e na pruni nji shator. I vogël ish
boll po qaty. Fëmija bile thojshin le t’hynë mu strehu. Çka me bo. Se keq boll,
kena hjek boll.
N`spital isha me nji shoqe gjakovare. Ajo e kish pasë
çikën deputete. Edhe po m’thot ajo, pe viziton nanën e vet edhe thotë, “Qe bre
loke, qekjo shoqe ish e Drenicës ”. Po i thotë çikës t’vet. Edhe po thotë,
“Qysh keni kalu?” e po më vet krejt ajo.
Mu po m’shkojnë lot për ftyre. Tha, “Le allahile, veç me
kajt mos kaj!” Tha, “Po i di krejt. A je lajmëru ku a najsen?” Thashë, “Për
çka?” Qeshtu – qeshtu tha,”Qe e ki punën tha, kallxom ti mu shlirë e kom me shku.”
Thashë, “Vallahi po t’kallxoj si motrës teme, qeshtu na ka ndodh. Po m`u
lajmëru kurrku s’kom guxu, m`u lajmru. Ajo ma dha adresën për te organizata.
Mos t’ish kanë qekjo organizatë, m’duket s’isha sot. Une kom tentu m`u vjerrë.
Kom tentu 100 forma me e mytë vetën. M’ka gjetë kunati tu u vjerrë. Po s’kom
dashtë me jetu. Nji shoqe e jemja o mytë n’bunar. Qashtu me nji vend jena kanë.
Ajo o mytë n’bunar. Qaq keq e shihshim vetën që ma u munojshim me e zhdukë
vetën. Ma thojshim mos t’jetojna ma as nji minut. Po m’nxuni kunati. M’nxuni,
me litar në dorë isha, me nji karrikë t’keqe. Thashë te qes me nji lis edhe e
shtyj karrikën me kamë edhe kurtalisna. Po isha kanë me ymër edhe pshtova prap.
Se unë isha ma e kënaqt’ e mytne sesa qeshtu që jom met gjallë e për gazep
tash.
Mas lufte ma shumë t’këqija se t’mira. Se qeshtu, djali i
vogël s’ëm përkrahke. Edhe sot kam problem me ta. O martu, ka famlije edhe
qashtu.
Ky djali tjetër e din edhe ai, e kupton edhe ai. Kurrkush
me dëshirë s’ka pas qef. E vetmja unë s’isha, po aty ishim… kish gra, kish
shumë edhe vajza. Po aty. Ti prejshin gishtat. Nji vazje ja prejtën gishtat, 14
vjeçare ose 15, si kish ma shumë, ja prejtën gishtat. Ajo tu munu me e mbrojt
vetën ja ka kap thikën, e ata tu e ngreh thikën, se nashta s’ja kishin pre, po
tu ja ngreh thikën. Ajo çikë pa gishta, katër gishta. E ma se kom pa. Nuk e di
a o shku a çka u bo me ta. Ma s’kom ditë kurrgjo.
Me ortakën kom pas mundësi me fol se ajo e ka ditë. E ka
ditë ajo se na kanë shti mrena, na kanë mshel derën edhe na t`u bërtitë e t`u
piskatë. Edhe nji motër e burrit edhe ajo m’ka ni. Tha “Bërtima që ju ka shku
ju…”, bile qetash nji ditë, “Britma që ju ka shku juve.” Thashë, “Po na
prejshin me thikë dojshin me na bo masakër.” Po tybe e dike ajo shumë mirë. E
ka ditë shumë mirë po s’kish… Erdh nejti e tha, “qeshtu ma boni” . A thashë,
“Jo kurrgjo veç”… S’kom pasë nevojë une me tregu për kurrkan. Gjithkush i ka
ditë ato punët e veta, senet e veta. Gjithkush ka pasë atë stresin e vet, ato
ndjenjat e veta. Kështu që… Krejt mu duke po vijnë mbrapa. Krejt dilishin
para ftyre. Krejt mu paraftyrojshin. Krejt sikur n’kino qysh shkon m’dilishin
si fotografi. Krejt. Unë gjumë n’sy s’shtisha. E n’organizatë që shkojsha,
m’dhajshin hapa, m’dhajshin qetësim.
Me nanën si me nanë. Tanë natën rrisha çutë, lypke, “Çka
ki që s’po flen? Çka ki loke kështu?” Tash çka me bo. U dufke nanës me i kallxu
çka ka ndodh. Kur i kom kallxu ajo osht ra për toke, nana. I tregova. I ka ra
t’fikët. “A loke, qysh s’ëm ki kallxu deri sot?” Thash, “A po t’kallxoj mirë
a?” Ajo tani m’ka dalë mu. Tanë natën m’shifke që s’po flej kurrë. E dhezsha
dritën, qaty rrisha. Nji tranzistor qaty t’vogël e ngojsha, se ma ka pasë dhanë
NATO-ja atë tranzistor. Po ma ka pa dhanë me e ngu. O kan shumë i mirë, veç e
sillshe edhe kangë çfarë t’dushë.
Kisha thanë me na përkrah dikush. Jena met qysh jena met.
Me pas përkrahje prej dikuj, prej shoqnive ose prej t’mdhejve. Me na përkrah.
Na jena met. I kishim lyp t’drejtat tona që na takojnë. Na tjetër sen s’kishim lyp.
T’drejtat tona. Çka na ka ndodh, çka o kanë.
Fuqizuar
nga: Integra dhe forumZFD
Në
bashkëpunim me: KRCT
Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women. /KultPlus.com
Erdh Hana mramë te unë me nji pytje shumë simpatike. M’tha: Dielli u kanë dashnori jem besnik për miliona vjet. Sa herë ia dho trupin, drita t’mrekullushme rrjedhin prej zemrës ‘tij… O Hafiz, a asht e saktë që na krejt kena me u ba Dritë?
I thashë: E dashtun Hanë, tash që dashnia jote o’ ka pjekët, na duhet me u ulë bashkë qishtu pak ma shpesh që me mujt me t’kshillu qysh me u ba qajo çka je. / KultPlus.com
Këngëtarja e mirënjohur, Rona Nishliu sonte me një koncert në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut do të promovojë albumin e ri “Mindil”.
Në albumin “Mindil”, Rona ka bërë një përzgjedhje të këngëve të cilat i përkasin trashëgimisë së pasur muzikore të popullit tonë. Rona Nishliu e cila është shtatzënë, albumin ia ka dedikuar fëmijës së saj të parë.
“Ky album shkon për ty, që jam duke të mbajtur tash e disa muaj brenda meje, duke pritur ende për takimin e parë. Ti dhe të gjithë fëmijët duhet të zbuloni se çka e inspiron muzikën kombëtare dhe regjionale. Pas dëgjimit të këngëve të mija, hulumtimit për performancat dhe këngët origjinale të pazëvendësueshmeve, Nexhmije Pagarusha, Rexho Mulliqi, Rifat Kukaj, Tish Daija, Rashid Krasniqi, Muharrem Qena, Jusuf Gërvalla, MAK Roc Band, Esma Redzepova, Zajzi Trio etc. Jam falënderuese për të gjithë autorët dhe performuesit dhe trashëgimin e tyre të pavdekshme dhe inspirimin që ende bartin”, shkruhet në kopertinën e albumit të ri të Ronës të cilin e ka promovuar më 24 prill me një koncert në Kino ARMATA.
Ndryshe, Rona para disa ditëve ka publikuar videoklipin e këngës “Me lule t’bukra”, pjesë e albumit “Mindil”.
Sonte, koncerti do të mbahet me fillim nga ora 21:00. / KultPlus.com
Promovimi i turizmit dhe diversitetit kulturor në rajonin e Mitrovicës është projekt që ka për qëllim kryesor të zhvilloj dhe promovoj turizmit kulturor në rajonin e Mitrovicës, i cili do të përmirësoj imazhin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe të rris nivelin e promovimit të trashigimisë kulturore, promovimin e potencialeve për turizëm kulturor si dhe promovimin e diversitetit kulturor në rajonin e Mitrovicës.
Gjatë këtij projekti Mitrovica Guide do ta realizoj një video promocionale për trashëgimin kulturore të qytetit të Mitrovicës, nje hartë orientuese turistike, si dhe një katalog me fotografi për Mitrovicën me rrethinë, të cilat do të promovohen ne platformën mitrovicaguide.com si dhe në mediat sociale. Poashtu gjatë ketij projekti rajoni i Mitrovices për herë të parë do të ketë edhe disa të rinjë të aftësuar si ciceronë, të cilët do të kualifikohen në bazë të trajnimeve profesionale nga kjo lëmi. Të gjitha keto aktivitete janë në kuadër të projektit ‘’Promovimi i turizmit dhe diversitetit kulturor në rajonin e Mitrovicës’’ i cili është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Mitrovica Guide gjithashtu ka filluar edhe projektin që ka për qëllim kryesor hapjen e Ndermarrjes Sociale ‘’Mitrovica Guide’’ e cila do të përqendrohet në fuqizimin e grupeve të margjinalizuara ku do të ndikojë në promovimin e e produkteve në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe organizimin e eventeve të ndryshme që për bazë kanë turizmin. Ndërmarrja sociale është përkrahur në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe Fuqizimi i Qendrave Rinore në Kosovë” i financuar nga United Nation Democracy Fund-UNDEF dhe zbatuar nga Organizata Rinore ”Akti”. Përmes kësaj ndërmarrje sociale synojmë hapjen e një pike informuese për turizëm e cila pritet të gjejë përkrahje edhe nga Komuna e Mitrovicës.
Mitrovica Guide do të vazhdoj edhe me aktivitete tjera të cilat do ti bëjmë publike së shpejti e që për qëllim kryesor do të kenë mbrojtjen dhe promovimin e turizmit kulturor në rajonin e Mitrovicës. / KultPlus.com
Në Muzeun Ikonografik Onufri, Berat është hapur për vizitorët ekspozita e veçanta “Thesare të Fjetura”.
“Thesare të fjetura” po ngjall interes tek vizitorët pasi paraqet 13 ikona të pa ekspozuara, të gjitha të dorës së parë, që u atribuohen mjeshtrave ikonografë të shkollës së Beratit.
Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim i Qendrës Muzeore dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat duke vlerësuar punën e kujdesshme të restauratorëve për mirëmbajtjen dhe kujdesin e këtyre ikonave të ekspozuara.
Specialistët restauratorë të dy institucioneve ditë pas dite u kujdesën ti pastrojnë, restaurojnë dhe në këtë ekspozitë në mjedisin e Muzeut Onufri ia kthyen publikut me tërë shkëlqimin e tyre siç mjeshtërit i krijuan në një paraqitje mbresëlënëse.
Restauratorët Erion Lezi, Altin Tabaku e Miltiadh Bibo janë ata që e bënë të mundur, me përkushtim e përgjegjësi profesionale duke ju bashkëngjitur traditës më të mirë të restaurimit.
Ky muzeu ka standarde shumë më të larta konservimi e ekspozimi të koleksioneve ku punohet me një mendësi të re shërbehet me profesionalizëm tregohet më shumë përgjegjësi për të ndryshuar mënyrat e deritanishme si një përpjekje e përhershme e të gjithëve veçanërisht specialistëve për ta përmirësuar e transformuar vazhdimisht në një muze bashkëkohor, një muze të shek XXI. /a.a/ KultPlus.com
Zgjidhen pesë finalistët që do garojnë për çmimin
e madh Kadare. Anëtarët e jurisë vijnë në një reflektim mbi institucionin e
gjykimit.
Për çmimin letrar “Kadare” tashmë janë përzgjedhur pesë finalistët. Juria e përbërë nga shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja, përkthyesja dhe profesoresha Diana Kastrati, studiuesja Genciana Egro, shkrimtari, dramaturgu e gazetari shqiptar Bashkim Hoxha, dhe drejtoresha e “UET PRESS”, njëherësh edhe koordinatore e këtij çmimi, Alda Bardhyli, kanë përzgjedhur finalistët.
Ndërkaq fituesi i çmimit
të madh shpallet në Ditët Letrare të Razmës, që do të mbahen të premten e parë
të qershorit në fshatin që ndodhet rreth 41 kilometra në veri të Shkodrës dhe
cilësohet si porta hyrëse e Alpeve shqiptare.
Ky është edicioni i pestë
i çmimit letrar “Kadare”. Themeluesit e çmimit konsiderojnë se në katër vjet ky
konkurs ka arritur të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi
gjykimin e letërsisë, dhe të kthejë debatin e munguar mbi letërsinë shqipe.
Fakti që konkursi është për vepra në dorëshkrim ka nxitur dhe nxit shkrimin e
prozës shqipe, gjë që vihet re dhe në numrin e madh të dorëshkrimeve
pjesëmarrëse në këtë edicion.
Fituesit e deritanishëm
kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi.
Prof. Diana Kastrati vjen me “Mbi sublimitetin e të gjykuarit të veprës letrare”
“Te libri Kuptimi i estetikës (1973) Jan Mukařovský (profesor, semiolog, kritik letrar e teorik i artit çekosllovak 1891 – 1975) shkruante: “Arti përligjet pikërisht prej faktit se nuk synon tek asnjë qëllim i vetëm”. Në fakt, qëllimi i vetëm i secilës dije është të zhvilluarit e kuptimit të humanitetit te njeriu. E, një estetikë që nuk do të merrte në konsideratë një gjë të tillë, do të kishte një vlerë tejet të kufizuar”, – shkruan ajo për Gazetën Liberale
Mehmet Kraja “Dorëshkrimet, dhunë diktatoriale dhe frustrime seksuale”
“Çmimi “Kadare” për dorëshkrime veprash në prozë, i ideuar dhe i themeluar nga “Instituti Europian Pashko” pranë Universitetit Europian të Tiranës tashmë ka bërë emër si çmimi më prestigjioz i letërsisë në mbarë hapësirën shqiptare. Që çmimi ta arrijë këtë prestigj, ka pasur ndikim ndarja e tij e rregullt për pesë vjet radhazi, numri relativisht i madh i dorëshkrimeve dhe i autorëve që kanë konkurruar, si dhe vlera monetare e çmimit, që është më e madhja e një çmimi letrar në mbarë hapësirën ballkanike”, – shkruan Mehmet Kraja.
“Përgjegjësia e çmimit me emrin Kadare”, nga Bashkim Hoxha
“Është një përgjegjësi e madhe juria e çmimit “Kadare”.
Në fillim është rëndesa e emrit që mban ky çmim. Emri Kadare është e natyrshme që duhet të bashkëshoqërojë një vepër me vlera të spikatura, atë, siç quhet, “letërsia e madhe”.”
Pse çmimet letrare janë të rëndësishme?
Alda Bardhyli
“Seepersad Naipaul, shkrimtari fitues i çmimit “Nobel” (1971), i njohur në shqip përmes romanit “Qyteti bri lumit”, do të shprehej 10 vite më parë, në një tetor të zakonshëm para shpalljes së çmimit “Nobel”, se çmime të tilla nuk janë vetëm një trofe i madh në jetën e një shkrimtari, por jetë për letërsinë”, – shkruan Alda Bardhyli.
Këto dhe shumë të tjera i gjeni sot në suplementin “Leteratura” të “Gazetës Liberale” në print. /Gazeta Liberale / KultPlus.com
Princi William së fundmi ka folur për humbjen tragjike të nënës së tij Princeshës Diana, i cili thotë se ia ka ndërruar tërësisht jetën. Ai ka thënë se humbja e nënës së tij në moshë të re ishte një dhimbje mjaft e madhe për të.
Në një vrojtim për BBC-në është realizuar një temë e veçantë për familjen mbretërore, “Trajtimi i Shëndetit Mendor”, i cili synon të ndihmojë të tjerët të flasin për emocionet e tyre, sidomos meshkujt, William, ka folur për përvojën e tij me pikëllimin.
“Mendoj se kur dikush ka vdekur në moshë të re, ndjeni dhimbje të madhe më shumë se çdo herë tjetër. Në jetën tuaj do të jetë shumë më e vështirë, që të hasni në një dhimbje tjetër më të madhe se ajo”, ka thënë William.
Princesha Diana me Prince William dhe Prince Harry (Foto: Tim Graham/Getty Images/Guliver)
Megjithatë, William vëren se edhe pse humbja e një të dashuri mund të jetë shumë sfiduese për të kapërcyer, ai gjeti forcë në ndarjen e historisë së tij me ata që përjetuan të njëjtën gjë.
Kujtojmë që princesha Diana vdiq në vitin 1997 si rezultat i lëndimeve të pësuara në një aksident trafiku në Paris. /KultPlus.com
Pas rreth dy viteve punë, kapitull pas kapitulli, më në fund, të gjitha ato shkronja të gjuhës shqipe, që përbëjnë diku rreth 50 mijë fjalë, janë nisur drejt shtypshkronjës për të sjellur para lexuesve romanin e radhës të autorit Driton Smakaj, me titull “Mistere të koduara”.
Ky është romani i katërt në zhanrin e
mistereve dhe që sjell një ngjarje të komplikuar mes kurtheve të shërbimeve të
inteligjencës.
Botues i romanit është Shtëpia Botuese “Faik
Konica” në Prishtinë, nën përkujdesjen e shkrimtarit të njohur Nazmi Rrahmani.
Ju kujtoj që romani i tij i famshëm “Malësorja” është shkruar në
vitin 1965, që do të thotë, 14 vite para lindjes së autori Driton Smakaj.
Redaktor është një tjetër shkrimtar i
njohur në trevat shqiptare dhe jashtëzakonisht aktiv në kontribut të letrave
shqipe edhe në arenën ndërkombëtare, Ibrahim Kadriu, ku edhe ofron një
pasthënie interesante për romanin në fjalë.
Ky roman do dali nga shtypi për
lexuesit, me ndihmën financiare nga Mërgim Lala, një afarist i suksesshëm
shqiptar, që jeton dhe vepron në qytetin Houston të Teksasit në SHBA.
Kopërtinën e ka dizajnuar poeti dhe
shkrimtari i palodhshëm që jeton në Vjenë, Besim Xhelili. Me imagjinatën e tij,
misteret e koduara i ka përplasur në një zonë mes kubeve, që ikin diku në një
hapësirë pambarim.
Ky roman pritet të ketë promovimin në Prishtinë dhe për këtë KultPlus do të ju njoftojë me kohë. / KultPlus.com
Në dhjetor të këtij viti mbushen 220 vjet nga lindja e Naum Veqilharxhit, një emër i madh i atdhetarisë dhe i kulturës shqiptare, ideues dhe nismëtar me merita të shquara i zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe i përtëritjes së traditës së shkrimit të gjuhës shqipe, tashmë si armë e një programi me synime të larta.
Në kohën kur zhvilloi veprimtarinë e vet N. Veqilharxhi, popujt e Ballkanit kishin filluar të ngriheshin për të formuar shtetet e tyre kombëtare. Greqia sapo kishte dalë si shtet i pavarur në arenën evropiane. Kjo lëvizje politike qe shoqëruar me lëvizje kulturore, ku vendin e parë e zinte kërkesa për të alfabetizuar popullin, për të mësuar shkrim e lexim në gjuhën e vendit.
Prandaj dolën edhe abetaret e para të gjuhëve të Ballkanit. Por gjendja ekonomike dhe kulturore-arsimore e Shqipërisë nën pushtetin osman ishte e mjerueshme. Pashallëqet shqiptare (i Shkodrës dhe i Janinës) që funksionuan si shtete autonome, ishin mbytur me dhunë nga Porta e Lartë. Tradita e shkrimit, e cila kishte marrë një hov të ri në shek. XVII me Budin, Bardhin e Bogdanin, siç ka vënë re E. Çabej, për disa rrethana të brendshme e të jashtme vërtet se nuk u ndërpre krejt në kohën pas shekullit të këtyre autorëve, po megjithatë kishte rënë fashë në shumë pikëpamje.
Gjuha shqipe shkruhej pak, dhe kur shkruhej, përdoreshin kryesisht tri alfabete sipas përkatësisë fetare (latin, grek dhe arab). Dukej atëherë gati si e pamundshme që gjuha shqipe të kishte një alfabet të vetëm, i cili do t’i bashkonte shqiptarët dhe do të ishte hapi i parë për të arritur te një gjuhë letrare kombëtare e përbashkët.
Dihet tashmë se Naum Veqilharxhi botoi dy abetare, më 1844 dhe 1845. E para ishte shumë e thjeshtë, vetëm 8 faqe. Por shqiptarët e pritën ashtu siç pret shiun e verës toka e zhuritur dhe e tharë nga thatësira e gjatë. Naumi u trimërua nga kjo dhe botoi një të dytë me 50 faqe, ku pati hapësirën e nevojshme për të hedhur e për të shtjelluar edhe disa ide të tij në frymën iluministe të lirisë dhe të barazisë e miqësisë ndërmjet popujve.
Ideja themelore frymëzuese e Naumit për ato abetare është ngritja e vetëdijes kombëtare për mësimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, veçanërisht nga brezi i ri, krijimi i bindjes se gjuha shqipe është e aftë të bëhet gjuhë e shkollës dhe e kulturës ashtu si gjuhët e tjera. Këtë Naumi e ka shprehur qartë. Ai e vlerësonte gjuhën amtare si mjetin kryesor dhe të pazëvendësueshëm për shkollimin dhe kulturimin e popullit. Kushti i parë për këtë ishte që shqiptarët të kishin shkronjat e veta, d.m.th. të caktohej një alfabet i përbashkët dhe i pranueshëm për të gjithë. Kjo ishte pjesa më e vështirë e punës. Shkronjat duhet të nxëmë, se gjuhën e marrim bashkë me qumështin e gjirit të nënave: “djali sa do i vogël të jetë, gjithë mundimnë e të rëndit do e ketë sa të nxërë shënimet e të foltmit, do me thënë: ëvet, pastaj gjuhën s’duhet ta mpsonjë se e ka të lertë nga mëm’eti, e çdo kartë që të marë ndë dorë, e këndon edhe e kupëton edhe kur të arinjë mbë mpsomjet e lartëra përsëri mbë gjuhë të ti çpejt mer përpara.” (f. 85). Naumi i këshillon shqiptarët e kamur që të mos i lodhin fëmijët duke i shkolluar drejt e në gjuhë të huaja e në shkolla të huaja, se fëmija “po të njohë gjuhën e ti mirë, çpejt e lehët, mpson çdo të huaj” (po aty).
Por, në ç’gjendje ishte gjuha shqipe në kohën e Naumit dhe cilat ishin detyrat më të ngutshme e parësore për atë që me termat e sotshëm do ta quajmë politikë gjuhësore. Diesit e letërorët tanë të shekullit XVI, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, ankohen me të madhe se gjuha jonë po prishej e po bastardohej me të shpejtë duke humbur fjalët e veta e duke u mbushur me fjalë të huaja prej gjuhëve fqinje. Në kohën e Naumit natyrisht gjendja kishte shkuar edhe më keq. Nga njëra anë turqishtja si gjuha e administratës osmane dhe e jetës së përditshme ekonomike të shumë shqiptarëve, nga ana tjetër greqishtja (për Shqipërinë e Jugut) si gjuhë e shkollave të shumta për ortodoksët, gjuhë e kishës dhe institucioneve arsimore e kulturore shumë aktive ndaj shqiptarëve, e kishin rrudhur shqipen në disa funksione të pakta e të thjeshta të komunikimit të rëndomtë në jetën e përditshme.
Hapi i dytë i rëndësishëm ishte pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja që dëmtojnë frymën kombëtare dhe ulin vlerat estetike të saj. Gjatë punës për abetaren e dytë ai vëren se gjuha shqipe për shkak të rrethanave historike e kulturore (nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës) dhe më fort për shkak se nuk ka qenë një gjuhë që të mësohej në shkollë (edhe më fort që s’ka pasur dritat e të mpsuarit), ka marrë shumë fjalë e kuvise (shprehje) të huaja. (fq. 89). Le të shënojmë me këtë rast se ai futi në përdorim i pari termin fjalë e huaj. N. Veqilharxhi u ballafaqua kështu me një problem themelor: ç’duhej të bënte me këto fjalë e shprehje të huaja? Ja përgjigjja e tij: e para e punës ishte që si të mund të nxjerr fjalët e shprehjet e huaja dhe në vend të tyre të formoj të tjera nga brumi i gjuhës sonë; dhe me gjithë që hëpërhë munt të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmbëlsonjë (po aty). Kështu fillon ajo që është cilësuar si lufta e rilindësve për pastërtinë e gjuhës shqipe, kështu fillon edhe neologjia e pasur dhe ende e pastudiuar mirë e Rilindjes Kombëtare. Ky qëndrim ndaj fjalëve të huaja përbën një nga pikat themelore në programin gjuhësor të Rilindjes dhe N. Veqilharxhi është autori i parë i atij programi.
Hapi i tretë ishte pasurimi i fjalorit të gjuhës shqipe me fjalë të përshtatshme: a) të mbledhura nga goja e popullit pa dallim në vise të ndryshme nga veriu në jug; b) të krijuara nga letrarët dhe njerëzit e diturive me brumin e gjuhës shqipe, në ngjashmëri me fjalët e gjuhës popullore.
Naumi është një nismëtar i madh në drejtimet e sipërpërmendura. Ai vetë dha shembullin më të ndritur në këtë fushë aq të vështirë dhe u bë udhërrëfyes për brezin e atyre që themeluan Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip (Stamboll, 1879). Është kuptimplotë veprimi i autorëve të “Allfabetares së gjuhësë shqip” Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Koto Hoxhi (1879), cilët vunë në ballinën e librit të tyre vargjet e Naumit: Kurrëkush me mënt të vet/ mos mburretë se ndiç gjet./ Pa dashun’ i madhi Zot,/ fletë pema s’lëshon dot. (me ndonjë ndryshim në vargjet 3 e 4). Kjo tregon se ata e njihnin dhe e çmonin veprën dhe idetë gjuhësore të Naumit. Këto ide Naumi i konkretizoi me shembuj të mjaftueshëm në ato pak faqe të “Ëvetarit” të tij të vitit 1845.
Nuk është rasti t’i marrim e t’i shqyrtojmë një për një fjalët e huaja që ai këshilloi të nxirreshin nga përdorimi, fjalët që krijoi ai vetë për të pasuruar gjuhën shqipe, fjalët e vjetra të “parpleqve” (stërgjyshërve) që ai deshi t’i ringjallte. Por do të ndalem te një shembull. Në një vend të Ëvetarit ai gjen rastin t’u këshillojë lexuesve të tij toskë që në vend të fjalëve të huaja pishmanepsem (nga turqishtja) ose metanoi (nga greqishtja) të përdorin fjalën pënohem (pendohem), të cilën e cilëson si fjalë gegërisht (2). Kjo dëshmon se ai kishte një ide shumë të drejtë për fjalorin e gjuhës letrare shqipe: ta vlerësojmë fjalën jo sipas prejardhjes dialektore, por sipas vlerës së saj për gjuhën letrare; shqiptarët e jugut më mirë le të marrin e të mësojnë fjalët e gegërishtes (sado të panjohura për ta), sesa të përdorin fjalë të turqishtes a të greqishtes – po kështu edhe anasjelltas.
Parimet dhe idetë gjuhësore që parashtroi Naumi në Ëvetarët e tij mund të duken sot thjesht si fryt i një mendjeje të shëndoshë, por kemi arsye të besojmë se ato janë edhe fryt i studimeve dhe i përpjekjeve të Naumit për të zgjeruar njohuritë dhe kulturën e tij filologjike. Gjatë atyre njëzet e ca vjetëve që punoi për të bërë shkronjat e abetareve të tij, Naumi u interesua të mësonte nga përvoja e atyre që ishin përballuar më parë me ato probleme dhe krahas kësaj të njihte sa më gjerë gjuhën shqipe ashtu si flitet në krahina të ndryshme të vendit nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Për të gjuha shqipe ishte një dhe e pandarë, ishte një pasuri e madhe kulturore e përbashkët. Ashtu siç thotë edhe mentori i urtë i gjuhësisë shqiptare, akad. Idriz Ajeti, të cilit sivjet i festuam 100-vjetorin, portat e fjalorit të gjuhës letrare shqipe janë të hapura në të dy krahët për fjalët e ligjërimeve popullore nga të gjitha trevat ku flitet gjuha shqipe, natyrisht kur ato nuk janë fjalë të huaja dhe kur sjellin një vlerë të caktuar emërtuese ose stilistike në sistemin leksikor të shqipes letrare.
Idetë gjuhësore të Naumit gjetën zbatim të gjerë te rilindësit dhe ndër ta më i merituari në këtë fushë është pa dyshim Naim Frashëri. Përmendja e emrit të tij më sjell ndër mend artikullin e Norbert Joklit “Naim Frashëri dhe pasurimi i gjuhës shqipe” (3). Punën e Naim Frashërit për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës shqipe Norbert Jokli e krahason me punën që kanë kryer lëvrues të tjerë të gjuhëve të ndryshme, kur popujt përkatës në rrethana të caktuara historike “janë zgjuar përsëri për të gëzuar një jetë të re mendore”, si p.sh. hungarezët, çekët, serbët.
Te puna që kanë bërë për gjuhët e veta filologu hungarez F. Kazinczy e ndjekësit e tij, filologu çek Josef Jungmann dhe filologu serb Vuk Stefan Karaxhiç, i cili ka ndjekur po atë teori, Norbert Jokli shikon shembullin që dha dijetari i gjithanshëm gjerman G. Ë. Leibniz (1646-1716) për gjermanishten dhe shtron hamendjen se “Është e mundshme që Naim Frashëri ta ketë njohur shkrimin e Leibniz-it “Unvorgreifliche Gedanken betreffend die Ausübung und Verbesserung der deutschen Sprache” (4), shkruar rreth vitit 1697, sepse e përmend emrin e Lajbnicit në “Istori e Shqipërisë” (f. 36), në atë vend ku bën fjalë për formimin e fjalëve shqipe (5) …
Në qoftë se e krahasojmë metodën e Naim Frashërit për pasurimin e gjuhës shqipe me parimet e Leibniz-it, kjo hipotezë i afrohet së vërtetës.” Jokli sqaron se Leibniz-i në librin e vet ka parashtruar këto mjete për pasurimin e fjalorit të gjuhës gjermane: a) kërkimi dhe përhapja e fjalëve të qena, të mira, por pak të përdorura e pak të pëlqyeshme; b) ringjallja e fjalëve të vjetra, por të mbetura në harresë (përkujdesja e gojës së popullit); c) mënjanimi i fjalëve të huaja, kur nuk duhen; c) formimi i fjalëve të reja sipas rregullave të analogjisë, më një anë kompozita e më anë tjetër të prejardhura.
Këtë hamendësim të Norbert Joklit se Naim Frashëri mund t’i ketë njohur parimet që pati formuluar Leibniz-i për gjuhën gjermane, kemi të drejtë ta shtrojmë edhe për Naumin, aq më tepër po të kemi parasysh se ai e njihte gjermanishten, sepse kishte studiuar për drejtësi në Vjenë (6) dhe ishte njeri me kulturë të gjerë dhe me interesa në fushën e lëvrimit të gjuhëve. Naumi kishte vërejtur nga afër se si filologët e vendeve të Ballkanit punonin për përparimin e gjuhëve të veta, duke hedhur themelet e formave letrare kombëtare të këtyre gjuhëve. Vështruar në këtë kontekst mund të themi se Naum Veqilharxhi ishte njeriu i duhur, në kohën e duhur për zgjimin kulturor të shqiptarëve nëpërmjet mësimit dhe lëvrimit të gjuhës së vet amtare. /KultPlus.com
Në pjesën perëndimore të qytetit Çenstohova (Czestochowa) që ndodhet në jug të Polonisë, është një kodër 293 metra e lartë mbi niveline detit, që quhet Jasna Gura (Jasna Góra).
Në këtë kodër , që polakët e konsiderojnë si Sankturium (vend i shenjtë), mbi themelet e një kishe të vjetër që quhej “Virgjëresha e Bamirësisë Shumë e Shenjta Shën Mëri”, nga Urdhëri katolik i Paulinëve që erdhën në Poloni nga Hungaria, në vitin 1382 u ndërtua një Manastir, bashkë me komplekset e tij. Në këtë Manastir ndodhen shumë vepra arti të bukura kishtare, por më e rëndësishme është Ikona e Shën Mërisë që mban Jezu Krishtin në krahun e majtë. Për shkak të ngjyrës bronz të errët të fytyrës së Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit, si rrjedhojë e përdorimit të vernikëve gjatë restaurimeve të shpeshte që i janë bërë Ikonës ndër vite, ajo ndryshe quhet “Madonna e Zezë”.
Ikona ka përmasat 122×82 cm. dhe është shkruar mbi një dërrasë prej trungu bliri. Ajo paraqet Shën Mërinë të veshur me një fustan ngjyrë blu të errët, të mbuluar me një pelerinë, veshur me një astar të kuq, duke mbajtur në krahun e majtë Jezu Krishtin fëmijë. Pamjen e fytyrës ajo e drejton drejt qendrës, ndërsa gjishtërinjtë e dorës së djathtë i drejton tek Jezu Krishti, si për të treguar se Ai është burim shpëtimi. Nga ana e tij Jezu Krishti dorën e djathtë e drejton drejt qiellit si shënjë e bekimit nga Perëndia, ndërsa në dorën e majtë mban librin e Biblës.
Në historinë e krishtërimit thuhet se, ikonat e para me fytyrën e Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit, janë shkruar (për ikonat thuhet se shkruhen dhe jo pikturohen) nga Shën Lluka Evangjelisti, që ka jetuar në shekullin I të erës sonë. Ai shkroi shtatëdhjetë ikona, dy prej të cilave thuhet se njera ndodhet në Bolonjë të Italisë ndërsa ikona e dytë ndodhej në Jeruzalem. Ushtarët e Kruqëzatave, në shekullin I, atë e gjetën të fshehur në një guvë dhe pastaj e vendosën në një kishëzë të Jeruzalemit.. Në vitin 326 atë e gjeti Shën Elena, nëna e Perandorit Konstadini i Madh (274-337) një prej perandorëve më të shquar të Perandorisë Romake, themeluesi i Konstandinopojës në vitin 330, të cilit ia dhuroi atë atij .Konstadini i Madh dëshironte që këtë Ikonë ta vendoste në ndonjë kishë të sapondërtuar në Konstandinopojë, por për shkak të luftrave që zhvilloheshin në atë kohë, kjo nuk u bë e mundur dhe Ikona u vendos në muret e qytetit, prej së cilës thuhet se armiqtë tmerroheshin dhe nuk mundën ta pushtonin atë. Kjo mund të konsiderohet “mrekullia” e parë e kësaj Ikone.
Më pas, Konstandini i Madh dëshoronte që Ikonën t’ia dhuronte një princi rus, por kjo nuk u realizua prej tij. Kronikat ruse thonë se Ikona, nga Konsandinopoja, filllimisht në vitin 1270, ka mbërritur në qytetin polak Lvov (sot ndodhet në territorin e Ukrainës) dhe pastaj në kështjellën e princit polak Vlladisllav Opolczyk, që ndodhej në qytetin Bellza, që edhe ai bënte pjesë në Mbretërinë Polake. Gjatë transportit të saj për në kryeqytetin e mbretërve polakë të Krakovit, kuajt e karrocës ndaluan në qytetin e Çenstohovës dhe nuk donin të lëviznin nga vendi. Legjenda thotë se kjo ishte shenjë e Shën Mërisë që ikona e saj donte të kishte shtëpinë e qëndrimit të përhershëm në Çenstohovë. Për këtë arësye, princi Opolczyk, më 11.VIII.1384, Ikonën ia dhuroi Urdhërit të Paulinëve që kishin ndërtuar kishën e tyre në kodrën në Jasna Gura, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite.
Gjatë periudhave që pasuan, Ikona ka pasur historinë e saj. Ajo shpesh u grabit dhe u dëmtua, saqë në faqen e fytyrës së Shën Mërisë edhe sot e kësaj dite kanë mbetur shenjat e dy viaskave të shkaktuara nga goditjet me shpatë që i janë bërë asaj prej keqbërësve, kështu që ajo u nënshtruar restaurimeve të vazhdueshme. Restaurimi i parë është bërë pas dëmtimit të saj prej sektit të krishterëve të Husëve në vitin 1430, ku u tentua të zëvendësohej ngjyra e zakonshme e fytyrës së Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit që përdorej në ikonat ortodokse bizantine, me ngjyrën e errët të vernikut. Kështu që ngjyrat e të dy fytyrave të tyre në Ikonë u zbehën në ngjyrën bronz të errët. Restaurimi i fundit është bërë në vitin 1948 ku u përdorën edhe rrezet rentgen. Analizat treguan se ngjyra e fytyrave të tyre fillimisht ishte e çelur dhe jo e ngjyrës bronz të errët të tanishme.
Rreth kësaj Ikone kanë ndodhur shumë ngjarje, por më e rëndësishmja, që i ka dhënë famë të madhe jo vetëm brenda Polonisë, por edhe jashtë saj, është ajo që ka ndodhur në vitin 1655, kur Suedia kish përgatitur një plan për të pushtuar Poloninë. Më 21 korrik të atij viti, ushtritë suedeze kaluan kufirin polak, duke shtënë shumë shpejt në dorë Varshavën, Poznanin dhe Krakovin. Në këto rrethana fisnikëria polake nuk donte të luftonte dhe kështu, pothuajse i gjithë vendi, ra në duart e suedezëve. Më 18 nëntor 1655, ushtria suedeze që numuronte tre mijë ushtarë, u ndodh para mureve të Jasna Guras dhe kërkoi që fortesa të dorëzohej. Por administratori i fortesës vendosi të mbrojë vendin e Shenjtë dhe të mos e dorëzonte atë, duke patur në dispozicion vetëm 170 ushtarë, 20 oficerë dhe 70 murgjër. Në krahasim me ushtrinë suedeze, forca mbrojtëse e fortesës së Jasna Gurës ishte rreth pesëmbëdhjetë herë më e vogël. Sulmin ndaj manastirit ata e konsideronin si fyerje të ndjenjave të tyre fetare, sepse kështu përdhunosej vendi i Shenjtë që Shën Mëria kish zgjedhur për të qëndruar. Prandaj, çdo ditë ata faleshin para Ikonës dhe i luteshin Shën Mërisë për t’i mbrojtur nga suedezët. Dhe kështu ndodhi. Luftimet zgjatën dyzet ditë dhe, për mrekulli, përfunduan me fitoren e kalorësve të Manastirit. Kjo fitore pati një rëndësi të jashtëzakonshme , jo vetëm fetare, por edhe politike, që konsiderohej se ishte arritur nëpërmjet ndërhyrjes dhe përkujdesit të Shën Mërisë për të mbrojtur vendin e vet të shenjtë. Që nga ky çast i gjithë vendi u ngrit në luftë dhe fitorja anoi nga ana e polakëve, të cilën edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë si një “Mrekulli” të dhuruar nga Shën Mëria. Për këtë arësye mbreti i Polonisë në atë kohë, Jan Kazhimiezhi I, në qershor të vitit 1656 pushtetin e vet mbretëror e dorëzoi tek Shën Mëria, duke e konsideruar Atë si Patronen dhe Mbretëreshën e Polonisë, vlerësim fetar që ka mbetur deri në ditët tona.
Duke parë rëndësinë e kësaj Ikone dhe pas vendosjes së paqes në Poloni me mbarimin e luftërave me Suedinë, në vitin 1711 filloi një fushatë për kurorëzimin me kurorën Papnore të Ikonës. Për këtë u shfrytëzua vizita e Nuncit Apostolik të Vatikanit të asaj kohe dhe, me miratimin e tij, ata iu drejtuan zyrtarisht Vatikanit për këtë çështje. Në vitin 1716 Papa i Vatikanit nënshkroi Aktin Kanonik të kurorëzimit të Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit me kurorën Papnore. Mbi bazën e këtij Akti, mbi kokën e Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit u vu kurora Papnore, ku ceremonia e këtij kurorëzimi u zhvillua më 8 shtator 1717, me pjesëmarrjen e rreth 200 mijë besimtarëve polakë. Aktin e kurorëzimit të kësaj Ikone e nënshkroi Papa me origjinë shqiptare Klementi XI (1649-1721), duke u bërë kështu një pikë e rëndësishme takimi në historinë e marrëdhënieve midis dy popujve tanë, shqiptar dhe polak.
Një Mrekulli tjetër që polakët ia atribuojnë kësaj Ikone, është edhe fitoria e Ushtrisë Polake, nën komandën e Mareshallit Jozef Pillsudski ndaj ushtrisë bolshevike ruse në vitin 1920. Atë vit, kjo ushtri e krijuar mbas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, synonte të eksportonte revolucionin proletar në Gjermani, ku vepronte një lëvizje e fuqishme komuniste. Me këtë synim, ajo depërtoi deri në dyert e Varshavës, buzë lumit Vistula. Ajo ishte në numur shumë më të madh nga ushtria polake, e cila sapo ishte formuar mbas rifitimit të pavarësisë së Polonisë më 1 nëntor të vitit 1918. Ndodhur në këtë situatë të pafavorshme ushtarake, polakët i faleshin vazhdimisht Ikonës së Shën Mërisë në Manastirin e Çenstohovës dhe i luteshin asaj që ushtria polake të përzinte ushtritë bolshevike nga Polonia. Edhe në këtë rast ndodhi mrekullia. Ushtria polake zmbrapsi repartet bolshevike, çliroi Poloninë nga invazioni bolshevik dhe avancoi deri në dyert e Kievit. Me këtë fitore, ushtria polake shmangu avancimin e ushtrisë bolshevike drejt Europës Perëndimore, fatet e së cilës nuk dihet sesi do të ishin po të ndodhte okupimi i saj nga kjo ushtri. Edhe këtë mrekulli që ndodhi, polakët ia atribuojnë edhe faljeve para Ikonës së Shën Mërisë në manastirin e Jasna Gurës të Çenstohovës dhe e quajnë Mrekullia mbi lumin e Vistullës.
Ndonëse kjo Ikonë me origjinë ortodokse bizantine është transformuar në Ikonë katolike, nderohet dhe vlerësohet shumë edhe nga të krishterër ortodoksë, veçanërisht nga ata të Ukrainës, Biellorusisë dhe Rusisë. Në atë kohë, asaj i ishin bërë kopje, të cilat qarkullonin në vende të ndryshme të Europës. Siç shkruan prifti jezuit polak Marçin Çeërminjski në veprën e tij të rëndërsishme “SHQIPËRIA – përshkrime historike, etnografike,kulturore dhe fetare”, botuar në vitin 1893 në Krakov, përkthyer në shqip dhe botuar në Tiranë vitin 2014, një kopje e e kësaj Ikone është sjellë edhe në Shqipëri në shekullin XIX nga një prift polak nga Galicia, e cila në atë periudhë ishte pushtuar nga Austria. Ajo ka qenë vendosur në altarin e kishës së Kallmetit prej peshkopit polak, Atë Françishek Mallçinjski, i cili në atë kohë shërbente në Lesh.
Ikona dhe Manastiri në Jasna Gura sot janë vende të shenjta jo vetëm për polakët, por edhe nga pelegrinë të shumtë dhe vizitorë që vijnë nga e gjithë bota. Ata bëjnë lutje të zakonshme, por edhe lutje për t’u shëruar nga sëmundje të ndryshme dhe për të pasur fat në jetë. Me këtë rast ata japin edhe dhurata të ndryshme si gurrë të çmuar, prodhime prej ari dhe argjendi, të cilat i vendosin në vende të caktuara të Manastirit. Numri i vizitorëve të përvitshëm arrin në mbi 4 deri 6 milionë vetë, prej të cilëve rreth 300 mijë pelegrinë polakë vijnë në këmbë çdo vit nga e gjithë Polonia, një traditë e hershme kjo që nga shekulli XVIII. Sot ky pelegrinazh është nga më të mëdhenjtë në të gjithë botën. Shën Mëria e Çenstohovës festohet më 26 gusht të çdo viti.
Për lidhjen e ngushtë të kësaj Ikone me Papën me origjinë shqiptare, Klementin XI dhe për numurin e madh të pelegrinëve dhe vizitorëve që e vizitojnë atë nga e gjithë bota, do të ishte mirë që atyre t’u bëhej i njohur fakti se pikërisht ky Papë ka miratuar kurorëzimin e saj me kurorën Papnore të Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit. Kjo do bënte shumë përshtypje pozitive tek të gjithë vizitorët, veçanërisht tek populli polak që është shumë besimtar katolik. Mendoj se Kisha Katolike në Shqipëri do të ishte mirë të kontaktonte me organet përkatëse të Kishës Katolike Polake dhe të mundësonte ekspozimin e portetit në pikturë të Papa Klementit XI, si dhuratë e saj për këtë Manastir/ Leonard Zissi, Gazeta Shqiptare. / KultPlus.com