1920-ta iu dha disa të drejta grave gjatë, siç është liria e votimit dhe e tokës, por shumë ligje dhe rregulla që duken të zakonshme në ditët e sotme nuk i janë ofruar kësaj gjinie. Për shembull, gratë nuk mund të punonin gjatë shtatzënisë deri në vitet 1970, ose të shërbenin si juriste deri në vitet 1960.
Këto janë disa gjërat që nuk i lejoheshin grave të asaj kohe.
Ata nuk mund të mbanin pasaportë ose udhëtonin vetëm
Ndërsa gratë e pamartuara mund të aplikojnë për një pasaportë, duke përdorur emrin e tyre, gratë e martuara mund të merrnin vetëm një vizë të përbashkët me burrat e tyre. Për shembull, pasaporta do të deklaronte vetëm “z. John Doe dhe gruaja e tij, “duke e mbajtur gruan anonime. Kjo i pengoi gratë të udhëtojnë jashtë vendit.
Nuk mund të mbanin taka shumë të larta
Në vitet 1920, gratë morën më shumë liri në veshjen e tyre. Megjithatë, në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara, gratë ende ndesheshin me kufizime të veshjeve. Për shembull, ligjvënësit e Utah-s gjobitën gratë që mbanin streçe “më të larta se tre centimetra mbi kyçin e këmbës”.
Gratë nuk mund të mbanin taka më të larta se dy centimetra në qytete si Carmel, California. Në zonat me të ardhura të ulëta, nëse një grua kishte vetëm një ose dy veshje formale, pritej t’i vishte në kishë dhe jo jashtë saj. Vetëm artistët mbanin veshjet e shkurtra që njerëzit i shohin në fotografi sot.
Gratë nuk mund të bëheshin avokate
Pasi gratë fituan të drejtën e tyre për të votuar në gusht të vitit 1920, ata më në fund mund të hyjnë në shkollën e drejtësisë dhe teorikisht të punonin si avokate. Pavarësisht kësaj, shumica e firmave ligjore refuzuan të punësonin gra, megjithëse ata lejoheshin ligjërisht ta bënin këtë. Në shumicën e rasteve, gratë mund të praktikonin ligjin vetëm nëse i bashkoheshin firmës së atit ose të bashkëshortit, pavarësisht studimeve për t’u bërë avokate.
Gratë shtatzëna nuk lejohej që të punoheshin
Gratë që ishin shtatzënë, u hoqën nga puna, sepse shumë punëdhënës besonin se shtatzënia do të ulte performancën e tyre. Si rezultat, shumë gra luftuan për të fshehur shtatzëninë e tyre. Modelet e lirshme të viteve 1920 u bënë më të njohura për aftësinë e tyre për të fshehur trupin.
Divorci të mbështetej në faj
Divorci “Pa faj”, nuk lejohej që të kërkohej nga femrat. Në vitin 1969 divorci kërkohej nga fermat vetëm kur faji të legalizohej. Ligjet lejonin divorcin për shkak të “tradhtisë bashkëshortore, impotencës, braktisjes, trajtimit mizor, dehjes dhe kryerjes së krimeve”./ Top Channel/ KultPlus.com
Kam nevojë të kthehem Aty ku më ka ngecur hapi të vazhdoj Ta nxjerr hënën prej eklipsit Në prehërin e nënës pak të pushoj Dashurisë që ende më prêt T’I them: të dua Në mos më shumë, në mos më fort
Kam nevojë të kthehem Në pikturën e papërfunduar, në vargun tim Fjalët e përshpirtshme t’i ngurtësoj Në blertësinë e hojeve magjinë ta hedh Rrugëve të fëmijërisë hijën ta zë Veç unë e di sa mall kam Në mos më shumë, në mos më fort
Kam nevojë të kthehem Me shtratin e lumit tim hapin ta mas Me ngjyrën e tij të flas, me atë puhi që s’rreshtë E t’i them se s’kam ndryshuar Nën këtë qiell, tokë e ujë si dikur Të dua shumë, në mos më fort
Kam nevojë edhe njëherë të kthehem Te kërkoj e te gjej më të mirën Edhe aty ku nuk ekziston Amësisë së kësaj jete Thellë shtresave të nëndheut tënd E t’i them atdheut si asnjëherë më parë Mos ik nga vetja, fatin tënd mos e dëbo Se unë vazhdoj të të dua edhe kështu si je Në mos më shumë, në mos më fort
Kam nevojë të kthehem Edhe për një premtim të dhënë Moj Nënë ….
( Zhegër, 2 Maj 2019 ) Poezia fituese e Manifestimit poetik “Muza e Agimit” 2019./ KultPlus.com
Kur mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu u kurorëzua mbret
më 1 shtator të vitit 1928 në Tiranë, ai ndërmori një varg reformash në
Mbretërinë shqiptare, me qëllim që Shqipëria orientale në sy të Evropës të
kishte pamje oksidentale.
Në bashkëpunim me Bashkësinë Islame, vendosi që falja e namazit të ndryshonte nga vendet e Lindjes së Afërme dhe vendet aziatike. Duke u mbështetur edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, mbasi simbas Kanunit përulja konsiderohet shkelje e dinjitetit, Mbreti Zog propozoi që gjatë faljes së namazit, besimtarët islam të mos binin në gjunjë, por lutjet t’i bënin në këmbë.
Gjatë dhjetë viteve Mbretëri, shumica e besimtarëve islamë iu bindën pa kurrfarë presioni Mbretit Zog e Klerit mysliman dhe kështu faljen e namazit e kryenin në këmbë./ KultPlus.com
Lenny Kravitz është duke qëndruar në Shkup, në Maqedoni. Ai me ndjekësit e tij ka ndarë një video ku shihet në Çarshinë e Vjetër ndërsa këtë ditë e ka konsideruara të mrekullueshme.
Kravitz është në Shkup për të promovuar albumin e ri “Raise Vibration”./ KultPlus.com
Ora e Madhe Letrare “Muza e Agimit”, ka qenë aktiviteti i radhës që është organizuar sot, në kuadër të Manifestimit “Ditët e Agimit” që po mbahen në Komunën e Gjilanit, në të cilin aktivitet me poezitë e tyre janë paraqitur rreth 20 poet të ndryshëm për të konkurruar për çmimin kryesor.
Pasi u lexuan nga vet krijuesit poezitë e tyre konkurruese, juria e Orës Letrare, në përbërje Anton Nikë Berisha, Xhylishene Berisha e Sherafedin Kadriu, shpalli fituese të çmimit “Muza e Agimit” poeten Sadete Tërnava-Osmani.
Përndryshe, edhe ky edicion nisi e përfundoi me deklamimin e vargjeve të Agim Ramadanit, ndërsa, edhe bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, pasi ka falënderuar të pranishmit për nderimin që po ia bëjnë Agimit me prezencën në këtë ngjarje kushtuar atij, ka lexuar një poezi të saj jashtë konkurrencës.
Në këtë eveniment kulturor, Sabit Rrustemi tha se përmes poezisë po kujtohet heroi i kombit Agim Ramadani, i cili do të jetë përherë frymëzim për brezat që do të vijnë.
Manifestimi “Ditët e Agimit” vazhdon të premten me zbulimin e mozaikut – portretit të Agim Ramadanit, bërë me gëzhoja plumbi, nga i riu Besart Gashi, e që është vendosur në qendër të Gjilanit, (14:00) për të vazhduar me aktivitete tjera deri në tubimin qendror “I këndojmë Agimit” që mbahet në Zhegër (16:00).
Manifestimi Tradicional “Ditët e Agimit”, mbahet për çdo vit, më 1, 2 dhe 3 Maj, në Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit të kombit Agim Ramadani-Katana, në përkujtim të të cilës figurë poliedrike edhe mbahet ky manifestim.
A keni ëndërruar ndonjëherë të jetoni si Borëbardha apo si princ në një kështjellë ? Epo tani mundesh me këto shtëpi fantastike, mistike që duken sikur janë marrë drejt nga një tregim zanash.
Kështjella Storybook, Connecticut, SHBA E ndërtuar në vitin 1917, kjo kështjellë u frymëzua nga një udhëtim në Angli nga pronarët amerikanë. E arreduar me një dekor të brendshëm mbretëror, ju mund të qëndroni këtu për 174 dollarë nata.
Kabina Storybook pranë liqenit të Michiganit, SHBA Me veshjet e saj dekorative prej druri kjo shtëpi duket sikur i përket hobbit. Ka një stil zviceran. Ka një peizazh të mrekullueshëm jashtë dhe është e përsosur për mbrëmjet e ftohta të dimrit.
Kulla Hadlow , Kent, Mbretëria e Bashkuar Kjo kullë e këndshme duket si diçka direkt nga Rapunzeli. Ajo është klasifikuar si kulla më e lartë në botë, në llojin e saj dhe kohet e fundit është kthyer në shtëpi. Ju mund të jetoni aty si një zanë përrallash.
Shtëpia Kërpudhë, Perinton, Nju Jork Shtëpia Kërpudhë, ose Pod House, është një shtëpi unike që u frymëzua nga lulja e Mbretëreshës Anne Lace. Ajo u ndërtua në mes të 1969 dhe 1972 për çift Robert dhe Marguerite Antell dhe u bë një pikë referimi qytet në vitin 1989.
Shtëpia Dome, Tajlandë Ky spektakël quhet Shtëpia Dome dhe u krijua nga Steve Areen në Tajlandë. Duke marrë vetëm gjashtë javë për t’u ndërtuar, Stevit i kushtoi gjithsej 9,000 dollarë.
Sophie Boisvert Levesque ishte ushtare kanadeze që shërbeu në Kosovë gjatë luftës së fundit, megjithatë, për të Kosova u bë shumë më tepër se një zonë lufte, kurse kosovarët ishin shumë më tepër se refugjatë e të përndjekur. Ajo tregon në detaje përjetimet e saj gjatë dhe pas mbarimit të misionit të saj në Kosovë dhe për mënyrën se si fëmijët kosovarë e ndryshuan jetën e saj përgjithmonë./ AlbFem
Më poshtë gjeni rrëfimin e saj të plotë:
“I jam bashkuar Ushtrisë Kanadeze në vitin 1990, kur isha 18 vjeçare, me pritshmërinë që një ditë do të dërgohesha diku në botë për të ndihmuar. Zgjodha të krijoja familje në një moshë të hershme, vajzën e linda kur isha në moshën 20 vjeçare de djalin tim të parë në moshën 23 vjeçare. Prandaj, nuk pata mundësi të shërbeja diku para se të bashkohesha në “408 Tactical Helicopter Squadron in Edmonton”, Alberta, Kanada.
Në fillim të vitit 1999 na thanë të bëheshim gati sepse do të vendoseshim në Kosovë. Kushërira ime erdhi që të kujdesej për fëmijët e mi dhe unë atë kohë fola me Majorin për t’u siguruar se do të vija.
Kjo ishte ëndrra ime dhe me lajmet që na vinin nga Kosova, e dija se ishte koha të ndihmonim.
Supozohej që të niseshim në fund të qershorit të vitit 1999, por për shkak të zgjedhjeve në Greqi (atje do të merrnim kamionin tonë dhe pajisjet tjera), u detyruam të niseshim më herët. Përfundimisht e lamë Greqinë më 8 qershor.
Atë kohë, për mua çdo gjë ishte, aksion, ngazëllim dhe aventurë. Kur vjen nga një vend i qetë dhe nuk ke pasur mundësi ta shohësh asnjëherë luftën në sy, të duket sikur diçka e re.
Kur mbërritëm në Greqi dëshiruan që ne të largoheshim që nga dita e parë. Nuk na deshën atje gjatë zgjedhjeve, prandaj i shkarkuam pajisjet dhe prisnim anijet që të arrinin me kamionët tanë. Posa i morëm të gjitha gjërat, u vendosëm në Maqedoni. Derisa po linim Greqinë, kishte grafitë kudo, në të cilët shkruante: “Kthehuni në shtëpinë tuaj, vrasës”, “U kthefshi në arkivole”.
Qëndruam në Maqedoni për disa javë përpara se të vendoseshim në Kosovë. Nuk më kujtohet data e saktë, por nuk do ta harroj kurrë se çfarë kam parë atë ditë. Të shohësh refugjatët dhe shkatërrimet në lajme është gjë e keqe, por ta shohësh atë me sytë e tu është e tmerrshme. U ndamë në grupe. Të fluturoja mbi tërë ato shkatërrime ishte zemërthyese. Burra, gra e fëmijë që lëviznin nëpër kampet e refugjatëve. Tenda të bardha të vogla, varre masive, shtëpi të djegura…. Për mua si kanadeze, më mbeti e shkruar në zemër përgjithmonë. E kjo ishte vetëm dita e parë.
U vendosëm në Kosovë, afër Gllogocit (tash Drenas), në një kamp 1 kilometër katrorë, që do të bëhej shtëpia jonë për pesë muajt e ardhshëm gjatë shërbimit tonë atje. Posa aterruam, fëmijët u afruan afër telave dhe na kërkuan ushqim. Një prej nesh kishte bonbone dhe çokolata dhe ua dha atyre. Një nga fëmijët më pyeti se pse nuk po buzëqeshja. Përgjigja ime ishte e shkurtë dhe e thjeshtë: “Më jep pak kohë derisa ta përpijë tërë këtë gjendje”. Instinkti i nënës që ndodhej brenda meje u lëndua shumë. Atë botë, e ardhmja ime po ndryshonte.
Gjatë ditëve në vijim, në shtëpinë tonë që e krijuam larg shtëpisë sonë të vërtetë, erdhën dy policë ushtarakë dhe po kërkonin një udhëheqëse grua për t’u marrë me fëmijët refugjatë, dhe më pyetën nëse doja të bëhesha unë lidere e tyre. Meqë i dua fëmijët, i doja edhe në atë kohë, si dhe dëshiroja të bëja diçka të mirë, pranova menjëherë.
Shefi im i ushtrisë më dha leje që të shkoja me ta një herë në javë.
Dita e parë që vizitova fëmijët ishte pak e çuditshme. E çuditshme sepse ata kishin sy të mëdhenj dhe të pikëlluar, e nuk dinin çfarë të prisnin, megjithatë ishin gati. Ne i fotografuam të gjithë fëmijët dhe në to dukeshin sikur të burgosur lufte. Pa buzëqeshje, fytyra të drejta dhe shumë të pasigurtë. Kurse, për mua ishte fillimi i një rrëfimi dashurie të përjetshme.
Ata 21 fëmijë u bënë të mitë. Ishin të çiltër dhe inteligjentë.
Unë nuk ishte trajnere asnjëherë më parë dhe nuk dija edhe aq nga veprimet që duhej të bëja me fëmijë, por bënim aktivitete të ndryshme.
Një ditë u thashë fëmijët të vizatonin se çfarë do të bëheshin kur të rriteshin.
Në Kanada, kjo ishte një pyetje e zakonshme. Kur e pyesje fëmijët kanadezë, ata donin të bëheshin policë, zjarrfikës, mësues. Por, nga fëmijët e mi kosovarë mora një shikim të trishtë. Dy prej tyre më dhanë përgjigje, kurse të tjerët nuk e dinin.
Erdha në përfundimin se, kur nuk e di nëse do të jesh nesër, nëse do të kesh çfarë të hash, kur shtëpia jote nuk ka çati, ajo se çfarë do të bësh pas 20 vitesh është plotësisht e parëndësishme.
Çdo javë më jepnin lule dhe biskota. Sa herë që i mbaja lulet, më vinte një ndjesi çlirimi, sepse edhe një ditë, fëmijët e mi kishin shpëtuar nga minat dhe do të kisha më shumë kohë t’i doja.
Isha e mrekulluar nga fakti se sa pak kishin ata fëmijë dhe sa shumë donin t’i ndanin gjërat me mua. Nuk munda t’i merrja lulet me vete, por asnjëherë nuk i kam hedhur dhe nuk i kam ngrënë çokolatat e dhuratat tjera që mora. Madje, i ruaj ende. Po të mos i ruaja do të më dukej sikur po shkatërroja lidhjen me fëmijët.
Dy nga vajzat e mia një ditë më erdhën me dy kukulla. Donin t’ia jepnin vajzës sime. Përmes përkthyesit u thashë që, me shumë gjasë, vajza ime kishte më shumë kukulla, kështu që do të ishte më mirë t’i mbanin. Nuk do ta harroj asnjëherë përgjigjen e tyre.
Ato po m’i dhunonin ato kukulla për ta falënderuar vajzën time që e kishte ndarë nënën e saj me to për gjashtë muaj.
Ditët e mia u bënë më të lumtura kur ishim në gjendje të shihnim dritat që po ktheheshin në fshatrat përreth. Kur shihnim se jetës së tyre po i kthehej realiteti, ishte një ngushëllim për mua dhe shumë njerëz të tjerë. Fëmijëve më në fund po u kthehej buzëqeshja.
Më kujtohet se nuk ishim të lejuar për të dhënë ilaçe apo ndonjë gjë tjetër për njerëzit rreth nesh, por ne e bëmë.
Një nga fëmijët e mi erdhi njëherë në tendë dhe më kërkoi. Nëna e tij kishte një dhimbje të fortë dhe nuk mund të shkonte tek dentisti. E takova dentistin tonë dhe i tregova të vërtetën se kisha nevojë për ndihmë, porse ilaçi nuk ishte për mua, e ai prapëseprapë më ndihmoi.
Ishte mashtrim, por nuk mund të rrinim pa bërë asgjë.
Pastaj, njëra nga vajzat e mia kishte lytha në duart e saj. Unë e kisha një të tillë, kështu që kisha mundësi të merrja ilaçe. Ia dhashë asaj. Përkthyesi ynë më ndihmoi t’ia shpjegoja asaj se si ta përdorte atë. Ne i thamë asaj që ta përdorte çdo ditë pas dushit. Për ne, një dush në ditë ishte normale. Ajo më shikoi dhe më tha që ajo nuk mund ta bënte dush çdo ditë, kështu që ne i thamë të lante duart me kujdes çdo ditë dhe pastaj ta përdorte ilaçin që i dhamë.
Ishim dy botë plotësisht të ndara, sepse neve kurrë nuk na u desh t’i mbijetonim asnjë lufte.
Po më mungonin shumë fëmijët e mi, por e dija se duke i ndihmuar fëmijët kosovarë, edhe ndarja kishte vlerë.
Takimi i fundit ishte shumë i vështirë. Ne ishim renditur në rresht për të thënë lamtumirën dhe i shtrënguam duart. Unë isha gruaja e vetme dhe ndodhesha në fund të rreshtit. Fëmijët filluan të qajnë para meje dhe unë i mora në krahët e mi. Kjo po e ngadalësonte procesin, por isha aq e lënduar sa nuk kisha zgjidhje tjetër, pos t’u thosha lamtumirë në atë formë.
Ferri filloi kur u ktheva në shtëpi. Unë nuk dija të bëhesha nënë për fëmijët e mi dhe isha e frikësuar për ata që lashë prapa. Për mua lufta nuk mbaroi sepse isha në shtëpi dhe kisha frikë se ata ishin lënduar, ose në rastin më të keq, fëmijët e mi ishin vrarë.
Para se të largohesha, i dhashë adresën time të gjithë fëmijëve që të mund të shkruanin. Isha në një periudhë shumë të errët të jetës sime kur mora një letër nga Labinoti im i vogël.
Unë kurrë nuk iu përgjigja letrës së tij dhe e pendohem për këtë gjë. Të gjitha kontaktet u ndërprenë për 19 vitet e ardhshme. Doja të dija, por isha shumë e frikësuar nga përgjigjja që mund të merrja Kështu m’u shfaq një çrregullim stresi post-traumatik dhe nuk kam qenë kurrë më në gjendje të jem e njëjtë me fëmijët dhe familjen time.
Çdo ditë, çdo javë, pa i treguar familjen time, po mendoja për 21 fëmijët e mi, fëmijët e mi nga Kosova. Më është dashur një kohë e gjatë për të mbledhur guximin për të bërë diçka. Unë isha luftëtare krenare dhe e fortë atje, por u ktheva u bëra një person i pafuqishëm dhe i mërzitur.
Më 8 qershor 2018, i thashë vetes mjaft! Postova në një grup të cilit i isha bashkuar disa javë më parë, “Young People of Kosovo” dhe kërkova ndihmë prej tyre për t’i gjetur fëmijët.
Kam ndjenjën sikur i gjithë vendi më ndihmoi, të gjithë ishin të gatshëm.
Një polic kishte shkuar derë më derë në Drenas për të gjetur informacion. Disa më thirrën, të tjerët më shkruan, por u deshën vetëm 72 orë për t’i gjetur të gjithë gjallë dhe mirë.
Kosova është si shtëpia ime e dytë. Kam kontaktuar me fëmijët e mi përmes internetit, por dua t’i marr në krahë përsëri dhe të mos i lë më kurrë të më ikin.
Ndjehem sikur i kam dhashë ata për adoptim dhe tash i kam gjetur vite më vonë.
Unë e di se ata kishin prindër, familje dhe dashuri, por më kishte lënë një plagë të pashërueshme tek unë fakti nuk e dija se çfarë kishte ndodhur me ta.
Fëmijët e mi biologjikë duhet të më falin. Unë nuk isha një nënë e mirë për ta, për shkak të asaj që po ndodhte në kokën dhe zemrën time. Por, tani unë jam e plotë përsëri. Kam familjen time këtu dhe familjen time atje. Po e lë prapë shtëpinë për t’u kthyer në shtëpinë time të dytë, në Kosovë.
Shumë prej kosovarëve më falënderojnë për kontributin tim dhe më trajtojnë si heroinë, por heronjtë e vërtetë jeni ju. Ju përjetuat dhe i mbijetuat një lufte të tmerrshme. Falënderimi më i mirë për ne është që t’ju shohim juve teksa përparoni në jetë. Jam krenare me të gjithë ju.”/ AlbFem
Shënim*
E intervistuara fëmijët kosovarë i quan të saj, prandaj i referohet me “fëmijët e mi”. Rrëfimi origjinal është realizuar në gjuhën angleze.
Kjo intervistë është e veçantë, pasi me shumë gjasë do të jetë e para dhe e fundit që do të bëhet me një shtetase të huaj./ AlbFem/ KultPlus.com
Kujtesa është e brishtë dhe kohëzgjatja e një jete është shumë e shkurtër, gjithçka ndodh kaq shpejt, saqë nuk arrijmë të shohim marrëdhënien mes ngjarjeve, nuk mundemi të masim pasojat e veprimeve, besojmë në trillimin e kohës, në të tashmen, në të kaluarën, në të ardhmen, por mundet edhe që gjithçka të ndodhë njëkohësisht… për këtë arsye shkruaj, për t’u tallur me kujtesën e keqe…/ KultPlus.com
Një skicë e pabotuar që shfaq Leonardo da Vinçin, e bërë ndoshta nga një prej asistentëve të tij, u bë e njohur sot në Angli, në ditën e 500-vjetorit të vdekjes së gjeniut të Rilindjes.
Kjo vepër që nga vlerësimet daton ndërmjet viteve 1517 dhe 1518 është një nga dy portretet e Leonardo da Vinçit të bëra gjatë jetës së tij dhe që i ka rezistuar viteve.
Një tjetër vepër e famshme është vepra e Francesco Melzi, dishepullit të tij më besnik.
”Të dyja këto vepra do të paraqiten në publik në një ekspozitë të madhe kushtuar Da Vinçit në Pallatin Buckingham, nga 24 maji deri më 13 tetor”, tha në një deklaratë për Trustin e Koleksionit Mbretëror, organi përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë mbretërore.
Gjatë kryerjes së hulumtimeve për t’u përgatitur për këtë ekspozitë, Martin Clayton, përgjegjësi i pikturave dhe vizatimeve në Trustin e Koleksionit Mbretëror, identifikoi portretin që u kishte shpëtuar syve të botës.
”Skica është ndoshta e bërë nga një asistent i paidentifikuar i Leonardos në një fletë studimi, në të cilën janë edhe skica të këmbëve të kalit të bëra nga Da Vinçi”, shpjegon Trusti i Koleksionit Mbretëror.
”Nëse e krahasoni këtë skicë me portretin e Leonardo da Vinçit nga Francesco Melzi, ka indikacione të forta se ajo është gjithashtu një përfaqësim i Da Vinçit”, shpjegon Martin Clayton.
“Hunda elegante dhe e drejtë, vija e mjekrës që shkon diagonalisht nga faqja në vesh, flokë të gjatë kaçurrela”, shton ai.
“Në skicë, ai është rreth 65 vjeç dhe duket pak melankolik, i lodhur nga bota”, shton ai duke theksuar se veprat e tjera të mjeshtrit të bëra në të njëjtën kohë tregojnë se ambiciet e tij artistike ishin të paprekura.
Piktor dhe shkencëtar, i lindur në Vinçi më 15 prill 1452 nga një marrëdhënie e paligjshme midis një noteri të pasur dhe një fshatareje, ai vdiq më 2 maj 1519 në Francë në kështjellën e Clos-Lucé në Amboise./A.T.SH/ KultPlus.com
Unë dëshiroj që çdo ditë të vitit, Çdo ditë të jetës, Pas çdo gjysmë ore, Pas çdo pesëminutëshi, Ti të më thuash: të dua. Duke të dëgjuar tek më thua: të dua, Atë çast besoj se dikush më dashuron. Si do ta dija këtë gjë Një çast më parë Dhe një çast më vonë? Dëshiroj që ti të ma përsërisësh, Deri sa të të shteret zëri, Se ti më do, se ti më do, se ti më do. Po nuk bëre kështu, ndjesitë treten, Sepse teksa thua: të dua, Ti e shpërndan Në hapësirë Dashurinë tënde për mua. Nga ti kërkoj kumtimin e përhershëm. Kërkoj vetëm këtë, Këtë gjithnjë, këtë gjithnjë e më tepër. Dëshiroj të jem i dashuruar përmes fjalës sate, Përveç asaj, unë nuk njoh mënyrë tjetër Për ta kuptuar dashurinë, Për ta kuptuar thellë se dikush më dashuron: Dashuri që gjendet në rrënjët e fjalës Dhe në kumbimin e saj, Dashuri E shndërruar në jone, Ne drithërimë hapësire. Në kohën që nuk më thua: Të dua, Unë e marr vesh në çast Se ti nuk më dashuron më, Se kurrë nuk më ke dashur më parë. Nëse ti nuk më thua me ngut, disa herë Të dua dua dua dua dua, Të vërtetën shkreptimave që e zbulove tani, Unë rrokullisem në kaos, Në këtë grumbull sendesh të padashurisë./KultPlus.com
Nga: Charlie Chaplin (Fragment nga libri autobiografik, “Jeta ime”)
Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që
më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte
afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha
tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa
tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës. Por, mëngjesin e
katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziasëm dhe nuk
pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se
nuk më donte.
– Ju kërkokeni shumë -më tha – në fund të fundit, unë jam
pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk
desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re
mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke
ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e
bluzës marinare.
– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i
thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini,
atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë.
E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju
kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje
për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha
pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di. Doni të martoheni me mua? – I
thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë,
sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë
tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat
fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë
ankth. Ajo mbeti në heshtje.
Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të
përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg
– thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se
do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke
pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo.
– Më vjen shumë keq.
Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja./KultPlus.com
Të martën e ardhshme, këngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha e njohur si Bilbili i Kosovës do të mbushë 86 vjet, shkruan KultPlus.
KultPlus mëson se Ambasada e Shqipërisë në Kosovë do të
organizojë një mbrëmje solemne me rastin e shënimit të datëlindjes së yllit
shqiptar, mbrëmje kjo që do të mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, më
7 maj.
KultPlus mëson se në këtë mbrëmje solemne do të prezantohet
Kori i Shkollës së Muzikës në Prishtinë, sikurse që do të prezantohen edhe
solistet: Eva Rusi, Rona Nishliu, Shkurte Fejza e Selami Kolonja.
Gajtë kësaj mbrëmje do të bëhet edhe promovimi i këngës që kompozitorja Pranvera Badivuku ia ka kushtuar Nexhmije Pagarushës. Kënga vjen e interpretua nga Selami Kolonja për herë të parë në ditëlindjes e85-të të Bilbilit të Kosovës.
Gjithashtu që mësohet se në këtë mbrëmje do të shfaqet edhe një dokumentar kushtuar Nexhmije Pagarushës. /KultPlus.com
Të hënën në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita e dytë personale e piktores Jeta Kalaveshi, e cila titullohet “Velloja e Kujtimit si Dramë”, shkruan KultPlus.
Mesazhi artistik që kryesisht dominon në veprat e Jeta Kalaveshit
e që do të ekspozohen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, është preokupimi i
autores me rrezikun në rritje ndaj uljes së nivelit të leximit të librit tek të
rinjtë në Kosovë, ndër tjera, si pasojë edhe e rritjes së përdorimit tekniko
teknologjik, respektivisht elektronikës. Rezultatet në këto vepra të paraqitura
na tregojnë që sipas autores shumë pasuri shpirtërore duke filluar prej
bibliotekave familjare dhe publike, si duket janë bërë problem për familjet e
reja “bashkëkohore” të cilat marrin rrugën e riciklimit.
Kjo ekspozitë do të hapet më 6 maj duke filluar nga ora 19:00,
kurator i kësaj ekspozite është profesoresha Zake Prelvukaj.
Jeta Kalaveshi ka studiuar për Marketing në Kolegjin AAB, pastaj në Fakultetin e Arteve-drejtimi Pikturë, në Universitetin e Prishtinës. Deri më tani është pjesëmarrëse në dhjetë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë Kosovës si në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Trieste-Itali, Abidjan-Bregu i Fildishtë, etj. / KultPlus.com
Uliks Fehmiu, në një tekst të botuar në ‘Filozofskimagazin.wordpress.com’, rrëfen shkurt dhe bukur historinë e të atit, aktorit të madh, Bekim Fehmiu.
Për të folur për të atin tim, Bekim Fehmiun, më duhet së pari të flas pak për gjyshin tim Ibrahimin. I lindur në vitin 1982, në Gjakovë, në një familje tregtarësh dhe intelektualësh, ka përfunduar shkollën për mësues dhe medresen në Shkup. Biografia e gjyshit tim më shkurt mund të rrëfehet në shembujt e emrave të fëmijëve të tij të cilët i kishte emëruar personalisht, duke u munduar që këta emra të jenë shqiptar (në vend të emrave turqisht dhe arabisht, që ishin të zakonshëm), emra që në mënyrë simbolike flasin për idealet të cilat i kishte ndjekur.
E bija më e vjetër, Besa – fjalë e nderuar, betim dhe një
lloj shenje mbrojtëse te shqiptarët; Shpresa – shpresa për ditë më të mira për
popullin shqiptar; Bashkim – i biri i parë – bashkimi i popullit shqiptar;
Arsim – edukimi i popullit; Fatmir – fati i mirë për popullin; im atë Bekim –
bekim për popullin; Afërdita – mëngjesi është afër popullit shqiptar; Luljeta –
lulja e jetës.
Me libër dhe me pushkë në dorë, ka qenë dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes se shqiptarëve kundër turkut, në vitin 1912. Si njeri ndër mësuesit e parë shqiptar, i dedikohet edukimit të popullit dhe hapjes se shkollave si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Për këtë pushteti serbo – malazez e dënon me vdekje. Në kohën e Mbretërisë se Jugosllavisë, e ndjekin si mbështetës i Bajram Currit dhe i Fan Stilian Nolit. Gjyshin e ndjek edhe kryetari i Shqipërisë Ahmet Zogu, kërkon peng për kokën e tij mija dukat. Në vitin 1929 është arrestuar dhe izoluar në Valevë. Për këtë kohë, familja e tij jeton në Gjakovë, për t’u depërtuar të gjithë së bashku në Sarajevë, në vitin 1931, ku përveç tre fëmijëve të lindur, vijnë në jetë djemtë Arsimi, Fatmiri dhe, në vitin 1936, i ati im Bekimi.
Në vitin 1939, pas okupimit të Shqipërisë nga italianet,
kalojnë në Shkodër ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore, ku
edhe i lind e bija Afërdita. Pas rënies se Mbretërisë se Jugosllavisë në vitin
1941 familja kthehet në Kosovë, në Prizren, ku ai vazhdon punën edukative dhe
patriotike. E arrestojnë edhe gjermanët. As në kohën e re të Jugosllavisë
Socialiste nuk ndalet rrethi i golgotës ndaj familjes Fehmiu. Gjyshin e
arrestojnë dhe pas një procesi të montuar dënohet. Pas lirimit nga burgu vdes
shpejt në vitin 1951.
Gjyshja ime Hedija, e lindur në Gjakovë në vitin 1908, ka ndjekur rrugën e gjyshit dhe të gjitha problemet. I ati im mendon se nuk ka gjetur mjaft fjalë adekuate për të përshkruar e gjithë atë që ka duruar dhe ka bërë nëna e tij. Gjenerata e babait tim Bekimit është gjenerata e parë në historinë e Prizrenit e cila tërë shkollimin e ka kryer në gjuhën shqipe – nga shkolla fillore deri te gjimnazi. Pas gjimnazit babai bëhët anëtar i dramës shqipe në teatrin kombëtar rajonal – teatri i vetëm profesional në Prishtinë (përkatësisht në Kosovë). Akademinë e teatrit në Beograd e regjistron në vitin 1956, në klasën e profesorit dhe drejtorit të njohur Mate Milosheviq. Kalon provimin dhe pranohet me kushtin që të mësojë gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës i ndan bursë, por mallkimi të cilin e kanë shënuar “zotërat” politik në familjen Fehmiu e ka kapluar edhe babanë tim. Pas dy muajve ia ndërpresin bursën. Fal rektorit të Akademisë Dushan Matiq fiton shkollimin deri në fund të studimeve.
Shpejt e mëson gjuhën serbo-kroate, që në vitin 1960 të bëhet anëtari i rregullt i teatrit më të mirë – i teatrit të dramës jugosllave. Edhe në ditët e sotme profesorët në akademinë e teatrit (Fakulteti i arteve dramatike) e përmendin babanë tim si shembull i talentit të jashtëzakonshëm dhe pas gjithash student i çmuar, dhe unë si student i po të njëjtit fakultet i kam dëgjuar këto. Deri në vitin 1967, kur jep dorëheqje në teatrin e dramës jugosllave për shkak të trajtimit të keq, bëhët artist i lirë, ka luajtur më shumë se 40 episode, role dytësore dhe disa kryesore, duke përfshirë edhe rolet në Atelje 212. Dy herë ka qenë asistent i regjisë te profesori Milosheviq në Rikardin III dhe Otkriću Dobrice Ćosića. Xhiron edhe filmat Roj, Put, Tople godine, Protest, Deps, Pavle Pavloviq etj.
Pas suksesit të madhë të filmit ‘Skupljači perja’ (Mbledhësi i puplave) me regji të Aleksander Petroviqit, ku luan rolin kryesor – Beli Bor (filmi është lauruar me dy çmime në festivalin e filmit Cannes në vitin 1967 dhe është nominuar për Oskar në vitin 1968.), fillon karriera e tij ndërkombëtare dhe bëhet ylli i parë botëror nga ky rajon dhe nënshkruan marrëveshjen shumëvjeçare me producentin italian Dino de Laurentis. Bëhët krenaria e ish Jugosllavisë. Kryesisht xhiron në Evropë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Ka luajtur në gjuhën shqipe, serbo-kroatisht, maqedonisht, rome, turqisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe në gjuhën italiane.
Edhe sot shikohen filmat e njohur dhe serialet televizive në
të cilat ka luajtur, siç janë Odiseja e Homerit me Irena Papas, Avanturistët me
Candice Bergen dhe Olivia de Havilland, ku ka luajtur rolin kryesor – pleibojin
Porfirija Rubiros, Dezerter me John Huston, me Richard Crenn, Chuck Connorsom;
Licenca për të vrarë me Avom Gardner, Dirko Bogard, Timothyje Dalton…, Java e
zezë e John Frankenheimera me Martheo Keller, Libera, dashuria ime me Claudio
Cardinale, Salon Kitty me Ingrid Thulin, Helmut Berger…dhe shumë tjerë.
Për të fituar rolin kryesor në produksionin e filmit
multibuxhetor të Paramountoves Avanturistët (The Adventurers, 1969), me regji
të Leëis Gilbert i është dashur të mësoj gjuhën angleze për 10 javë. Rolin e ka
fituar në vitin 1968, kur kam lindur unë. Në nder të babait tim është
organizuar pritje e madhe në hotelin Pierre në New York ku është ai, në
shoqërinë e yjeve tjerë të filmit Avanturistët (Me Olivia de Havilland, Candice
Bergen, Anna Moffo, Ernest Borgine, Ferndando Reyom, Rossano Brazzije, Charles
Aznavouro…), me ftesa të veçanta të zgjedhura është prezantuar si ylli i ri i
filmit. Në këtë rast babai im ka mbajtur të stilizuar kostumin kombëtar shqiptar.
Ka xhiruar më shumë se pesëdhjetë filma në shumicën e tyre ka luajtur rolet kryesore. Në shenj proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe përhapjen e urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im në vitin 1987 demonstrativisht lëshon shfaqjen në Beograd Madam Kollontaj(Agnete Pleijel) ku demonstron rolin e Leninit dhe Stalinit dhe përshëndetët publikisht me aktivitetet artistike në ish Jugosllavi.
Roli i fundit të cilin e ka luajtur për televizionin italian
ka qenë Josipi i shenjt në filmin Djali me emrin Isus (Un bambino di nome Gesù,
1987.) me regji të Franc Rossi, i cili është shfaqur edhe në televizionin
amerikan. Skenaristi dhe producenti Francesco Saardamagli ka thënë : “Bekim
Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet komuniste lindore i cili ka
xhiruar në perëndim, përreth 20 vite, duke gdhendur perden e hekurt, deri te
shfaqja e Gorbaçovit dhe rënia e murit të Berlinit.”
Filmi i fundit të cilin e ka xhiruar është Gjingis
Kan(Gengis Khan, 1992.) me regji të Kena Annakin në të cilin ka luajtur edhe
Charlton Heston.
Pas Aleksandër Moisiut, aktorit nga gjysma e parë e
shekullit XX, babai im aktori i parë internacional shqiptar në gjysmën e dytë
të shek XX.
Shpërbërja e Jugosllavisë, luftë e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi disavjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë kanë bërë më shumë që babai im të tërhiqet. Është tërhequr nga skena, çka për aktorin është agjenti më i fuqishëm dhe më i bukur. Është tërhequr në heshtje – në protestë, Hamleti kishte thënë “…ka mbetur heshtja”./KultPlus.com
Çehres së tij ia ka marrë anën muzgu i Parisit; i shihen vetëm sytë e kaltër. Flet ngadalë, me një frëngjishte të zgjedhur, me theks të fortë të sllavishtes. “Vetëm krijimtaria letrare që vë në pah një fragment të panjohur të ekzistencës njerëzore ka arsye të ekzistojë”, thekson ai në një intervistë të gjatë pasuese me pyetje dhe përgjigje. “Të jesh shkrimtar nuk do të thotë vetëm të predikosh të vërtetën, por do të thotë të zbulosh një të vërtetë”.
Në vitet 1980, Milan Kundera, 56 vjeç, ka bërë vendlindjen e tij, Çekosllovakinë, çfarë Gabriel Garcia Marquez bëri për Amerikën Latine në vitet 1960 dhe Aleksandr Seolzhenitsyn për Rusinë në vitet 1970. Ai ia ka kujtuar Evropën Lindore lexuesit perëndimor dhe këtë e ka bërë me thellësinë e të vërtetave që janë universale për nga thirrja e tyre. Thirrja e tij për të vërtetën dhe për lirinë e brendshme pa të cilën nuk mund të njihet e vërteta, gjakimi i tij se vetëm duke kërkuar të vërtetën ne përgatitemi të mësohemi me vdekjen – këto janë temat që i kanë dhënë atij mirënjohje kritike, përfshirë Çmimin e Jerusalemit për Letërsi dhe Shoqëri të Njeriut në Shoqëri që i është ndarë para dy javësh.
Vepra më e re e Kunderës, “Libri i të qeshurës dhe harresës” (1980) dhe ajo e vitit të kaluar “Lehtësia e padurueshme e qenies”, merren me vdekjen e kulturës në kohën tonë. E shprehur troç nëpërmjet ndjenjës së kërcënimit është rreziku i luftës bërthamore. Kundera merret me këtë rrezik në mënyrë alegorike, me ndjenjën e pashtypur të groteskut.
Si bashkatdhetari i tij, Milosh Forman, regjisori i çmimit kryesor të Akademisë Amerikane të Filmit, i cili i ishte përshtatur ekzilit dhe ia ka dalë të lulëzojë në Perëndim, edhe Kundera, i cili jeton në Francë prej vitit 1972, ka qenë shumë i frytshëm sa për ta mohuar pretendimin e shumëpërfolur se shkrimtarët që largohen nga vendlindja humbin frymëzimin. Vepër pas vepre, lexuesi ndjen pasion, lojën e madhe dhe frymën e erotizmit. Kundera ia ka dalë ta kthejë Çekosllovakinë e rinisë së tij në një tokë erotike, mitike dhe të gjallë.
Natyra e arritjes së tij mund të shpjegojë pjesërisht pse Kundera e mbron fort privatësinë e tij. Asnjë krijues mitesh a mistifikues nuk dëshiron të shpaloset. Në një intervistë dhënë së fundmi, novelisti Philip Roth citonte Kunderën t’i ketë thënë: “Kur isha çunak me shortse të shkurta, ëndërroja një kremë mrekullibërëse që do të më bënte të padukshëm. Pastaj u rrita, nisa të shkruaja dhe doja të bëhesha i suksesshëm. Tani jam i suksesshëm dhe do të doja ta kisha atë kremë që do të më bënte të padukshëm”.
Pritshëm, ndihej mungesa e entuziazmit në zërin e Kunderës kur e telefonova në banesën e tij në Paris nga San Francisko, për t’i kërkuar të më pranonte për një intervistë. Ndihma më erdhi prej një qoshe të papritur – kujtim i gjyshit tim, dramaturgut rus Leonid Andreyev. I paralajmëruar nga miqtë se nënshtrimi sovjetik i vendit të tij ia kishte mbushur mendjen Kunderës t’i shihte me dyshim rusë – të gjithë rusët – ndieja se duhej ta tregoja prejardhjen time ruse.
Kundera ma ktheu se në rini kishte lexuar dhe admiruar krijimtarinë e gjyshit tim. Kështu, u thye akulli, dhe lamë datën e takimit për intervistën. Por në një letër që e mora pak kohë pas asaj bisede telefonike, Kundera shkruante: “Më duhet t’ju paralajmëroj se nuk jam njeri që ju shkoj për qejfi. Nuk jam i zoti kur vjen puna për të folur për veten, jetën time dhe gjendjen e shpirtit tim. Jam diskret pothuajse deri në nivel patologjik, dhe në këtë pikë nuk mund të bëj asgjë. Nëse nuk ju prish punë kështu, do të doja të flisnim për letërsinë”.
Milan Kundera dhe gruaja e tij, Vera, jetojnë në rrugët e qeta anësore të Montparnasset; banesa e tyre e vogël është një banesë pullazi e rimodeluar me pamje kah pullazet e hirta parisiane. Ajo çfarë e shquan dhomën e pritjes janë pikturat moderne surrealiste në mure. Disa sosh janë të artistëve çekosllovakë, të tjerat të vetë Kunderës – koka të stërmëdha shumëngjyrëshe dhe duar me gishta të gjatë, si të vetë Kunderës.
Vera Kundera është një brune e hijshme, flokëshkurtër, hollake me xhinse të kaltra. Na shërben verë dhe mjeshtërisht na qëron kivi. Derisa lëshohemi në muhabet, mahnitem me mirënjohjen e çiftit për anën festive të jetës parisiane – qejfi për të bërë pazar në Bon Marchen në afërsi, frutat ekzotike në dyqanin në qoshe të lagjes, ekspozitat e shumta gjatë gjithë vitit. Por më vonë gjatë intervistës, Vera është e zënë në dhomën tjetër, duke shkruar me makinë shkrimi dhe duke iu përgjigjur thirrjeve telefonike nga vende të largëta. Edhe Kunderën e ka rrëmbyer jeta e famshme dhe i ka rënë gruas hise që të merret me menaxhimin e kërkesave që vijnë prej televizioneve, kinemave dhe regjisorëve evropianë të filmit.
I gjatë dhe hollak, me një duks të kaltër të vjetër, Kundera lëshohet në kolltuk. Dhe ky është vendi ku ky burrë ndihet më së miri – bien dans sa peau – nëse do ta përdornim shprehjen franceze të cilën e ka shpalosur gjerë e gjatë në “Lehtësia e padurueshme e qenies”. E inkurajuar prej pyetjeve të tij, i tregoj pak për fëmijërinë time si emigrante në Paris. Mahnitja ime me Pragën lidhet me ato ditë të dikurshme, kur poetja ruse emigrante, Marina Tsetayeva, na vizitonte mbrëmjeve dhe recitonte vargjet e saj, zërin e saj grykor. Një poemë që kurrë s’e harrova i ishte kushtuar njërës prej shtatoreve mbi urën që këpuste lumin Vltava, një kalorësi që hidhte shikimin mbi Pragën: Kalorësi Pale, është gardian i lumit që spërkat, i viteve që kalojnë, teksa shikon unaza dhe traktate, që përplasen faqeve të gurëve të argjinaturës. Janë thyer sa e sa sosh gjatë katërqind vjetëve të fundit.
Duhet të kenë qenë vitet 1936 ose 1937, por edhe atëherë Praga ishte shumë me Gjermaninë naziste dhe me Rusinë komuniste gjithashtu. Përmasat e tradhtive që do të vinin dhe premtimet e shkelura as mund të merreshin me mend.
Kundera ishte pjesë e Pranverës së Pragës së vitit 1968, premtimit të socializmit me fytyrë njeriu që ishte shtypur brutalisht nga tanket sovjetike. Botimi në Pragë i veprës së tij të parë, “Shakaja”, ishte një prej ngjarjeve të mëdha që do të konsideroheshin të huaja për sistemin.
Shkruar me kujdes dhe kompozuar shtjellueshëm, “Shakaja” ishte padi ndaj absurditetit gri të jetës nën komunizëm, por edhe e jetës kudo kur tradhtia dhe hakmarrja lejohen të të gërryejnë shpirtin. Dorëshkrimi kishte mbërritur deri në shtëpinë botuese të Parisit, “Editions Gallimard” dhe shumë shpejt do ta rrokte edhe vëmendjen ndërkombëtare. Pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, Kundera humbi pozitën e tij si profesor në Institutin për Studime të Avancuara Kinematografike në Pragë dhe veprat e tij u ndaluan. Pak nga pak, jeta po bëhej e padurueshme për të dhe nuk i kishte mbetur tjetër derë, pos të largohej nga vendlindja.
Veprat që do të binin pastaj në duar të lexuesve perëndimorë në vitet pasuese do të shpinin në një udhëtim intelektual dhe emocional. “Jeta është diku tjetër”, botuar më 1974 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte një eksplorim me humor të zi të pasojave të fundit të revolucionit dhe zellit poetik. “Dashuria qesharake” (1974) dhe “Valsi i lamtumirës” (1976) i thurnin lavde dashurisë erotike dhe përzienin hilaritetin me pasionin. Në “Valsi i lamtumirës” ka një moment që të shtangë. Kur njëri prej karaktereve të tij, Jakobi, ndan mendjen të largohet nga atdheu i pushtuar, futet në një territor të ri, të panjohur, në tokën e ekzilit. Kjo afërmendsh se ishte qasje që ishte shtjelluar edhe para se vetë Kundera të largohej nga Çekosllovakia më 1975 dhe isha gjëja e parë për të cilën doja ta pyesja në intervistën tonë.
Olga Carlisle: Janë bërë thuajse dhjetë vjet prej se jetoni në Francë, prej se ishit 46 vjeç. A ndiheni si emigrant, francez, çek ose thjesht si evropian pa kombësi specifike?
Milan Kundera: Kur intelektualët gjermanë u larguan nga vendlindja e tyre për të shkuar në Amerikë në vitet 1930 ishin fort të sigurt se një ditë do të ktheheshin në Gjermani. Qëndrimin jashtë vendit e konsideronin si diçka të përkohshme. Unë, krejt ndryshe, nuk kam kurrfarë shprese se do të kthehem në vendlindje. Nuk kthehem përjetësisht nga Franca, andaj nuk jam emigrant. Franca është tani atdheu im i vetëm i vërtetë. As nuk ndihem i shkulur kah rrënjët. Ka një mijë vjet qysh se Çekosllovakia është pjesë e Perëndimit. Sot është pjesë e perandorisë së lindjes. Më i parrënjë do të ndihesha në Pragë sesa në Paris.
Olga Carlisle:Por ju ende shkruani në çekisht?
Milan Kundera: Esetë i shkruaj në frëngjisht, por novelat në çekisht, sepse përvojat e mia të jetës dhe imagjinata ime jetojnë në Bohemi, në Pragë.
Olga Carlisle:Ishte Milosh Forman, ai i cili para jush e bëri Çekosllovakinë të njohur për një publik më të gjerë në Perëndim, nëpërmjet filmave si “The Fireman’s Ball”.
Milan Kundera: Në të vërtetë, ai është inkarnim i asaj çfarë unë e quaj fryma e Pragës – ai dhe regjisorët e tjerë çekë, Ivan Passer dhe Jan Nemec. Kur Miloshi vjen në Paris, të gjithë tronditen dhe verbohen. Si ka mundësi që një regjisor të jetë indiferent ndaj snobizmit? Në Paris, edhe një shitëse njomake në Galeries Lafayette nuk di si të sillet natyrshëm. Thjeshtësia e Formanit duket si provokim.
Olga Carlisle: Si do ta përshkruanit “frymën e Pragës”?
Milan Kundera: “Kështjella” e Kafkës dhe “Ushtari i mirë Schweik” i Jaroslav Hasekut janë të mbushura me atë frymë. Ndjenjë e jashtëzakonshme e reales. Pikëpamja e njeriut të rëndomtë. Ta shohësh historinë nga poshtë. Thjeshtësi provokuese. Gjeni absurdi. Humor plot me pesimizëm të pafund.
Olga Carlisle:Ta zëmë, një çek kërkon vizë emigrimi. Zyrtari e pyet: “Ku dëshironi të shkoni?” “Nuk ka rëndësi”, ia kthen burri. I ofrohet një glob. “Ju lutem, zgjidhni”.
Milan Kundera: Burri i botës e shikon globin, e sjell ngadalë dhe e pyet: “A nuk keni edhe një tjetër glob?”
Olga Carlisle:Përveç rrënjëve tua në Pragë, cilat kanë qenë pasionet e tjera letrare që ju kanë formësuar?
Milan Kundera: Së pari, novelistët francezë, Rabelais dhe Diderot. Për mua, themeluesi i vërtetë, mbreti i letërsisë franceze, është Rabelais. Dhe “Zhak fatalisti” i Diderotit ngërthenin frymën e Rabelais në shekullin e tetëmbëdhjetë. Mos u ngatërroni nga fakti se Diderot ishte filozof. Kjo novelë nuk mund të tkurret në diskurs filozofik. Është dramë ironie. Novela më e lirë e shkruar ndonjëherë. Liri e kthyer në novelë. Kam bërë së fundi një përshtatje të saj për teatër. U vu në skenë prej Susan Sontag në Cambridge Massachussets, si “Zhaku dhe i zoti i tij”.
Olga Carlisle:Rrënjët tua të tjera?
Milan Kundera: Novela e Evropës Qendrore e shekullit tonë. Kafka, Robert Musil, Herman Broch, Witold Gombrovicz, këta novelistë nuk ndjekin – e bëjnë në mënyrë madhështore – atë që Andre Malraux i quante “iluzione lirike”. Janë mosbesues të iluzioneve që shqetësohen për përparimin, mosbesues ndaj kiçit të shpresës. Ndaj keqardhjen e tyre të madhe për muzgun perëndimor. Nuk është punë e keqardhjes sentimentale. Është ironike. Dhe rrënjët e tjera, të tretat: poezia çeke moderne. Për mua ishte shkollë e madhe e imagjinatës.
Olga Carlisle:A ishte Jaroslav Seifert ndër poetët modernë të cilët ju kanë frymëzuar? A e meritoi ai çmimin Nobel që iu nda më 1984?
Milan Kundera: Pa dyshim se e meritoi. Është thënë se për herë të parë ishte propozuar për çmimin Nobel më 1968, por juria ishte treguar e matur; druante se çmimi që do t’i ndahej atij do të konsiderohej si gjest i keqardhjes për një vend të pushtuar së fundmi.
Çmimi iu nda tepër vonë. Tepër vonë për popullin çek, i cili ishte poshtëruar. Tepër vonë për poezinë çeke, epoka e madhe së cilës kishte përfunduar kaherë. Tepër vonë për Seifertin, i cili ishte 83 vjeç. Thuhet se kur ambasadori suedez i kishte shkuar te shtrati në spital për t’i treguar për nderin, Seiferti e kishte shikuar një copë herë. Në fund i kishte thënë zemërthyeshëm: “Po çfarë do të bëj tani me krejt këto para?”
Olga Carlisle:Çfarë mendoni për letërsinë ruse? A ju prekin ende, apo mos ju kanë bërë mosbesues ndaj letërsisë ruse zhvillimet politike të vitit 1968?
Milan Kundera: Më pëlqen jashtëzakonisht shumë Tolstoy. Ai është larg më modern se Dostoyevsky. Tolstoy ishte i pari, mbase, që i ra në sy roli i irracionales në sjelljen njerëzore. Roli i luajtur prej budallallëkut por, kryesisht, pa dhënë llogari për veprimet njerëzore të udhëhequra prej subkoshiencës që është edhe e pakontrolluar, edhe e pakontrollueshme.
Rilexoni paragrafët që i prijnë vdekjes së Ana Kareninës. Pse e vrau veten pa e pasur ndërmend? Si e mori vendimin? Për të kapur këto arsye, që janë irracionale dhe të pakuptueshme, Tolstoy pasqyron rrjedhën e ndërgjegjes së Anës. Ajo është në pajton: imazhet e rrugës përzihen në kokën e saj me mendime të copëtuara, jologjike. Krijuesi i parë i monologut të brendshëm nuk ishte Joyce, por Tolstoy, në këto pak faqe të “Ana Kareninës”. Kjo rrallëherë pranohet. Sepse Tolstoy është përkthyer keq. Njëherë kam lexuar një përkthim francez të këtij paragrafi. U mahnita. Çfarë në tekst origjinal është jologjike dhe e copëtuar, bëhet logjike dhe racionale në përkthimin francez. Sikur të rishkruhej kapitulli i fundit i “Uliksit”, monologut të gjatë të Molly Bloomit do t’i jepej karakteri logjik, me shenja pikësimi konvencionale.
Andaj, përkthyesit na tradhtojnë. Nuk kanë guxim të përkthejnë të pazakonshmen në tekstet tona – të parëndomtën, origjinalen. Druajnë se kritikët do t’i akuzojnë për përkthim të keq. Për ta mbrojtur veten, i zbusin gjërat për ne. Nuk keni ide sa shumë mund dhe kohë kam humbur duke korrektuar përkthimet e veprave të mia.
Olga Carlisle:Flisni me pasion për babanë tuaj në “Libri i të qeshurës dhe harresës”.
Milan Kundera: Babai im ishte pianist. Kishte pasion për muzikën moderne – për Stravinskyn, Bartokun, Schoenbergun, Janacekun. Luftoi fort për ta njohur Leos Janacekun si artist. Janacek është kompozitor modern mahnitës, i pakrahasueshëm, e pamundshme ta klasifikosh. Opera e tij, “Nga shtëpia e të vdekurit” për kampet e punës së rëndë, bazuar në novelën e Dostoyevskyt, është prej veprave më të mëdha dhe më profetike të shekullit tonë, si “Procesi i Kafkës” ose “Guernika” e Picassos.
Babai im e performonte këtë muzikë të vështirë në salla koncertesh që ishin pothuajse boshe. Si djalosh i vogël, urreja publikun që refuzonte të dëgjonte Stravinskyn dhe duartrokiste Tchaikovskyn ose Mozartin. Më është rikthyer pasioni për artin modern; kjo vjen për shkak të babait. Por refuzoja që ta zgjidhja profesionin e tij prej muzikanti. Më pëlqente muzika, ama jo edhe muzikantët. Më qeshej me mendimin se mund ta kaloja jetën në mesin e muzikantëve.
Kur unë dhe gruaja u larguam nga Çekosllovakia, mund të merrnim një pak libra me vete. Në mesin e tyre ishte edhe “Kentauri” i John Updikes, një vepër që më kishte prekur loçkën e zemrës – një dashuri me vuajtje për babanë e mposhtur e të nëpërkëmbur.
Olga Carlisle:Në “Libri i të qeshurës dhe harresës”, ju lidhni kujtimin e babait tuaj me një tregim për Taminan, që jeton në një ishull ku ka vetëm fëmijë.
Milan Kundera: Ky tregim është një ëndërr, një imazh ëndrre që më nuk më shkoqet nga mendja. Imagjinojeni veten t’i kaloni ditët e mbetura të jetës rrethuar prej fëmijëve, pa pasur madje as edhe një rast të vetëm që të ndërroni ndonjë llaf me një të rritur. Ankth i vërtetë. Prej nga vjen imazhi? Nuk e di. Nuk më pëlqen t’i analizoj ëndrrat. Preferoj t’i kthej në tregime.
Olga Carlisle:Fëmijët zënë vend të çuditshëm në veprat tuaja. Në “Lehtësia e padurueshme e qenies”, fëmijët torturojnë një sorrë, dhe Tereza papritmas i thotë Tomasit: “Të jam mirënjohës që nuk ke dashur fëmijë”. Në anën tjetër, në veprat tuaja shihet një dashamirësi e treguar ndaj kafshëve. Në veprën tuaj të fundit, një derr na del një karakter i pëlqyeshëm. A nuk është paksa kiç kjo pikëpamje për kafshët?
Milan Kundera: Nuk pajtohem. Kiçi është dëshirë për t’i kënaqur njerëzit me çfarëdo çmimi. Të flasësh mirë për kafshët dhe t’i shikosh me skepticzëm fëmijët nuk është se i kënaq kushedi sa njerëzit. Madje edhe mund t’i irritosh. Nuk është puna se kam diçka kundër fëmijëve. Por kiçi i fëmijërisë më acaron. Këtu në Francë, para zgjedhjeve, të gjitha partitë politike kishin posterët gjithandej. Gjithkah të njëjtat slogane për të ardhme më të mirë dhe gjithkah fotografi fëmijësh që qeshen, vrapojnë dhe luajnë.
Mjerisht, e ardhmja jonë njerëzore nuk janë fëmijët, por pleqëria. Humanizmi i vërtetë i shoqërisë vihet në pah nëpërmjet sjelljes së njerëzve ndaj pleqve. Por pleqëria, e ardhmja e vetme me të cilën përballemi gjithsecili prej nesh, asnjëherë nuk do të shpaloset në posterë propagande. As nga e majta, as nga e djathta politike. E shoh se belaja ndërmjet të djathtës dhe të majtës nuk ju mahnit kushedi sa.
Olga Carlisle:Rreziku që na kërcënon është perandoria totalitare. Khomeini, Mao, Stalini, a janë ata majtistë apo djathtistë?
Milan Kundera: Totalitarizmi nuk është as i majtë e as i djathtë dhe brenda perandorisë, zhduken dy drejtimet politike. Unë kurrë nuk kam qenë besimtar, por pasi pashë katolikët çekë teksa po persekutoheshin gjatë terrorit të Stalinit, u solidarizova nga thellësia e zemrës me ta. Çfarë na ndan, besimi në Zot, ishte e dorës së dytë krahasuar me atë që na bashkonte. Në Pragë ata varën socialistët dhe priftërinjtë. Kështu, lindi vëllazëria e të varurve. Kjo është arsyeja pse lufta kryeneçe ndërmjet të majtës dhe të djathtës më duket e dalë mode dhe goxha provinciale. Urrejtja përfshihet në jetën politike, megjithëse politika më mahnit si shou. Një shou tragjik, vdekjeprurës në perandorinë e lindjes; një shou shterpë në aspektin intelektual, por mahnitës në Perëndim.
Olga Carlisle:Thuhet nganjëherë se, paradoksalisht, shtypja i jep më shumë seriozitet dhe gjallëri artit dhe letërsisë.
Milan Kundera: Të mos bëhemi romantikë. Kur represioni zgjat shumë mund ta shkatërrojë krejtësisht një kulturë. Kulturës i duhet jeta publike, këmbimi i lirë i ideve; i duhen botimet, ekspozitat, debatet dhe kufijtë e hapur. Prapëseprapë, për njëfarë kohe, kultura mund të mbijetojë në rrethana jashtëzakonisht të vështira.
Pas pushtimit rus më 1968 ishte ndaluar pothuajse krejt letërsia çeke dhe qarkullonte vetëm në dorëshkrim. Ishte shkatërruar jeta kulturore publike. Megjithatë, letërsia çeke e viteve shtatëdhjetë ishte e mrekullueshme. Proza e Hrabalit, Grusës, Skvoreckyt. Dhe atëherë, në kohën më të rrezikshme të ekzistencës së saj, letërsia çeke rroku vëmendjen dhe fitoi reputacionin ndërkombëtar. Por, sa mund të mbijetojë në nëntokë? Kurrkush s’e di. Evropa kurrë nuk ka përjetuar situata të ngjashme më parë.
Kur vjen puna te fatkeqësia e kombeve nuk duhet ta harrojmë dimensionin e kohës. Në një shtat fashist, diktatorial, gjithkush e di se një ditë do të marrë fund. Gjithkush sheh fundin e tunelit. Në perandorinë e lindjes tuneli është i pafund. Pa fund, së paku, nga pika e vështrimit të jetës njerëzore. Andaj, nuk më pëlqen kur njerëzit e krahasojnë Poloninë, le të themi, me Kilin. Po, tortura, vuajtja, janë të njëjta. Por tunelet janë të gjatësive krejt të ndryshme. Dhe kjo ndryshon gjithçka.
Represioni politik përbën një tjetër rrezik, i cili – posaçërisht për novelën – është edhe më i keq se censura dhe policia. E kam fjalën për moralizmin. Represioni krijon kufij të prerë ndërmjet të mirës dhe të keqes, dhe shkrimtari shumë lehtë i dorëzohet joshjes së predikimit. Prej pikëpamjes njerëzore, kjo mund të jetë çështje e thirrjes së sinqertë, por për letërsinë është vdekjeprurëse.
Herman Broch, novelist austriak, të cilin e dua më fort se të tjerët, ka thënë: “Morali i vetëm për shkrimtarin është dijenia”. Vetëm një vepër letrare që sjell në dritë një fragment të panjohur të ekzistencës njerëzore arsyeton veten. Të qenët shkrimtar nuk do të thotë të predikosh një të vërtetë; nënkupton vënien në pah të një të vërtete.
Olga Carlisle:Por a nuk është e mundshme që shoqëritë që përjetojnë shtypjen ofrojnë më shumë mundësi për shkrimtarin për ta vënë në dritë “fragmentin e panjohur të ekzistencës” se ato që bëjnë jetë paqësore?
Milan Kundera: Mbase. Nëse e keni fjalën për Evropën Qendrore, çfarë laboratori i jashtëzakonshëm historie! Në një periudhë prej gjashtëdhjetë vjetësh ne kemi jetuar kohën e rënies së një perandorie, rilindjen e shteteve të vogla, demokracinë, fashizmin, pushtimin gjerman me masakrat e tij, pushtimin rus me dëbimet e tij, shpresën e socializmit, terrorin stalinist, emigrimin… gjithnjë jam shtangur prej njerëzve përreth meje që ishin mbajtur edhe në këso situate.
Njeriu është bërë enigmatik. Ai mbahet si dilemë. Dhe është përtej mahnitjes se pasioni për të shkruar novelë ka lindur prej tij. Skepticizmi im në lidhje me vlera të caktuara që janë pothuajse krejtësisht të pakundërshtueshme është rrënjosur në përvojën time në Evropën Qendrore.
Ta zëmë, rinisë zakonisht nuk i referohemi si fazë, por si vlerë në vetvete. Kur e thonë këtë fjalë, politikanët gjithnjë kanë çehre teveqelësh. Por unë, kur isha i ri, jetova një periudhë terrori. Dhe ishte rinia që mbështeste terrorin, madje ishte një hise e madhe e rinisë, nëpërmjet mungesës së përvojës, papjekurisë dhe moralit krejt a hiç. Më skeptikja në mesin e krejt novelave të mia është “Jeta është tjetërkund”. Tema të saj janë rinia dhe poezia. Aventura e poezisë gjatë terrorit stalinist. Qeshja e poezisë. Qeshja e përgjakshme e pafajësisë.
Poezia është edhe një prej atyre vlerave të pakundërshtueshme në shoqërinë tonë. U trondita kur, më 1950, poeti i madh komunist francez, Paul Eduard, aprovoi publikisht varjen e mikut të tij, shkrimtarit të Pragës, Zavis Kalandra. Kur Brezhnevi dërgoi tanket për t’i masakruar afganët, është gjë e tmerrshme, por është, nëse mund të themi, normale – pritej. Kur një poet i madh lavdëron një ekzekutim, është një goditje e fuqishme që prish krejt imazhin tonë të botës.
Olga Carlisle:A i bënë autobiografike veprat tuaja përvoja e madhe jetësore?
Milan Kundera: Asnjëra prej novela të mia nuk është autoportretizuese, e as ndonjëri prej karaktereve të mia një person i gjallë. Nuk më pëlqejnë autobiografitë e maskuara. Urrej pamaturinë e shkrimtarëve. Për mua, pamaturia, mungesa e diskretes, është mëkat i madh. Kushdo që vë në pah jetën private të dikujt tjetër meriton të fishkullohet. Po jetojmë në një epokë kur jeta private po shkatërrohet. Policia e shkatërronte jetën private në shtetet komuniste, gazetarët kërcënojnë jetën private në shtetet demokratike dhe, pak nga pak, vetë njerëzit kanë humbur shijen për jetën private dhe sensin për të.
Jeta kur njeriu nuk mund të fshihet prej syve të të tjerëve është ferr i vërtetë. Ata që kanë jetuar në shtete totalitare e dinë më së miri, por ai sistem po sjell, si një xham zmadhues, tendencat e krejt shoqërisë moderne. Shkatërrimi i natyrës, rënia e të menduarit dhe artit, burokratizimi, depersonalizimi, mungesa e respektit para jetës personale. Pa të fshehta, pa sekrete, asgjë nuk është e mundshme, as dashuria, as miqësia.
Është bërë goxha vonë kur mbaron intervista, dhe Kundera më përcjell në këmbë deri në hotel, në një shëtitje tipike në natën parisiane. Një ose dy ditë më vonë, Kunderat më ftojnë në drekë me salcë shëlinjash të zier në stilin çek. Kundera është tekanjoz dhe zemërgjerë. Thotë se po lexon gjithnjë e më pak për shkak se botuesit francezë po botojnë libra të formatit më të vogël. Nuk e merr në konsideratë mundësinë se nuk është fjala për një komplot francez dhe i duhen syze të reja. Ai tregon bishtnimin e shkrimtarit të vërtetë kur pyetet se çfarë fiksioni po shkruan tani. Por flet me qejf për bashkëpunimin e tij të fundit mbi “farsën metafizike” me regjisorin francez të filmit, Alain Resnais. Kundera po shkruan skenarin dhe është në kërkim të një titulli. A të jetë “Tre burra dhe dy të dashura” ose “Dy burra dhe tri të dashura”? Domosdoshmëria për pak sekrete shkon huq sherri i një lëshimi të vogël.
Ky është Milan Kundera, të cilin miqtë e vitit 1968 e kujtojnë si njeri të lumtur, Kundera i shkujdesshëm i “Dashurive qesharake”, të cilën e pëlqen më së shumti prej të gjitha veprave të tij, sepse është e lidhur me periudhën më të hareshme të jetës së tij.
(Marrë, pas përkthimit nga “New York Times”, dhënë në maj të 1985-s, nga numri i pestë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, botuar këtë muaj)
Historia botërore është e tejmbushur me personazhe të bujshme e shpesh frymëzuese, aq sa një ditë njerëzit u zgjuan me një hamendësim brilant në kokë: si do dukeshin dhe ç’ndikim do kishin këta individë (si për dreq, shumë të pashëm) nëse jeta do t’u kishte dhënë mundësinë e të paturit një llogari në Instagram, Facebook apo kudoqoftë.
Kështu interneti e la imagjinatën të lirë dhe nisi të
supozonte:
Fillojmë me këtë bukuroshin këtu. Psikiatri Hermann Rorschach lindi në Zürich (Zyrih) në 1884. Sa followers- a do kishte ai? Sa të duash!
Vazhdojmë me Joseph Stalin- in. Intelektual, profilin plot shprehje e citate por i hidhur në komente dhe bllok ndaj kujtdo që do guxonte ta fyente
Charlie Chaplin, djaloshi i ëmbël, me sy ëndërrimtarë dhe plot video për të qeshur
Winston Churchill, çunaku i rëndë me pamje bad boy
Imagjinoni Nikola Tesla- n në Twitter, burri intelektual me ide inovatore.
Che Guevara, cuni me zemër, shumë aktiv në Facebook
Të gjithë e njohin Joanne Kathleen Rowling. Ajo është autorja e serisë së famshme të librave për fëmijë dhe adoleshentë “Harry Potter”. Refuzimi i pranimit në universitet, vdekja e të afërmve më të dashur të saj, aborti i një shtatzënie të padëshiruar, ndarja nga bashkëshorti dhe shumë ngjarje të tjera, e bënë autoren një person akoma më të fortë. Duke qëndruar plot besim përpara studentëve të Universitetit të Harvardit, ajo mbajti këtë fjalim gjenial:
“Gjëja që kisha më tepër frikë në moshën
tuaj, nuk ishte varfëria, por dështimi. Unë isha dështimi më i madh që njihja,
por nuk kam ardhur për t’ju thënë se dështimi është i këndshëm, sepse ajo
periudhë e jetës sime është e errët”, ka thënë në fjalimin e mbajtur përpara
studentëve Joanne Kathleen Rowling, autoria e serisë së famshme të librave
“Harry Potter”.
“Ju do të dështoni në diçka të caktuar
në jetën tuaj; do të humbni; do të vuani; do të zhgënjeheni shumë në jetën
tuaj. Mirëpo është shumë e thjeshtë të jesh në fund. Nuk ju duhet të përpiqeni
aspak. Por a do të rrish përherë ashtu? Do të jesh përherë ai që të tjerët as i
hedhin sytë?
Sfidojeni veten dhe diljani mbanë në
jetë. Mos hiqni dorë. Një ditë do t’ia dilni mbanë. Por nuk keni se si t’ia
dilni mbanë, nëse hiqni dorë. Përpiquni dhe keni për të mësuar plot gjëra që
nuk i dinit për veten tuaj. Do të mësoni se sa të zhvilluar e keni imagjinatën,
se sa të fortë e keni vullnetin dhe se sa të madhe e keni dëshirën për të
arritur më të mirën.
Këto nuk janë fantazi. Këto janë rruga
që juve do t’ju shtyjë drejt suksesit që dëshironi. Ju jeni më të mëdhenj se
dështimet tuaja dhe më të fortë se vështirësitë tuaja. Nuk keni pse ecni në
jetë si viktima. Ecni si modestë dhe kur të korrni sukses, ecni si fitimtarë.
Por kujdes edhe nga krenaria, sepse kur ajo është e tepruar, ju rrëzon më shumë
se dështimet.
Dua ta mbyll këtë fjalim me fjalët e të madhit Stephen Hawking “Ju jeni të gjithë të ndryshëm. Sado e keqe t’ju duket jeta juaj, ka gjithmonë diçka për të bërë që t’ia dalësh mbanë. Për aq kohë sa ka jetë, ka shpresë”./bota.al / KultPlus.com
Tetëmbëdhjetë vjet më parë, kur Kosova ende po merrte këmbët nga historia e dhimbshme e luftës, pluhuri nga bankat shkollore fshihej ngadalë nga gjeneratat e reja e entuziaste zuri fill bashkëpunimi akademik mes universitetit të Arizonës dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Pokaq vjet kaluan derisa një grup studentësh u bënë tok për të bërë një dokumentuar që pasqyron shkëmbimin mes dy universiteteve nga i cili kanë perfituar njerëz që sot mbajnë poste kyçe në politikë e arsim.
Ndër pjesëmarrësit ka qenë edhe Fatmir Sejdiu ish-presidenti i Kosovës, që shkëmbimin mes UP-së dhe Universitetit të Arizonës e ka cilësuar si periudhë të kapërcyer në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Komunikim jashtëzakonisht i mirë për problemet e ndryshme të zhvillimeve të përgjithshme nga fushave që ishim të interesuar”, ka thënë Sejdiu në dokumentar.
Rektori i UP-së, Marjan Demaj ka thënë se nga vizita kanë nxjerrë konkluzione dhe kanë përpiluar një plan veprimi i cili pothuajse është realizuar plotësisht.
Stephen Batalden, profesor në “EMERITUS” Universitetin e Arizonës ka thënë se bashkëpunimi i parë ka nisur me 2001 dhe përfshinte adiministrimin publik dhe menaxhimin e biznesit. Si bashkëpunim nga i cili kanë përfituar e ka konsideruar edhe Shahin Berisha- profesor në Gateway Community College që ka ndihmuar studentët për të vendosur kontaktet e tyre me ish-pjesëmarrësit.
Hajredin Kuçi që atëherë ka qenë përgjegjës i UP-së për Marrëdhënie me jashtë, ndërsa sot është zëvëndëskryeministër i parë ka thënë se bashkëpunimi ishte shumë korrekt dhe i frytshëm, model i mirë për t’u zbatuar edhe në unviersitete tjera.
Zëvëndëskryeministri Enver Hoxhaj- atëherë udhëhiqte një organizate austriake që merrej me arsimin e lartë dhe ishte profesor në departamentin e shkencave politike në UP. Ka theksuar se bashkëpunimi me Universitetin e Arizonës ka shërbyer si orientim, jo vetëm i universitetit, por edhe vendit dhe shoqërisë.
Hoxhaj ka shpjeguar se nga ASU (Universiteti Shtetëror i Arizonës) kanë marrë mbështetje në kuptimin e ideve hapave, përpjekjeve që duheshin bërë që universiteti të
modernizohet, hapet, reformohet, të bashkëpunojë me botën dhe të konkurojë me të tjerët në botë. Hapi tjetër i mbështetjes ka qenë ai financiar.
Profesoresha e departamentit të gazetarisë, Remzie Shahini-Hoxhaj, ka kujtuar se bashkë me tre kolegë të tjerë të departamentit të gazetarisë kishin udhëtuar në shkollën e gazetarisë “Croncite” në Arizona për të parë si e kishin zhvilluar kurrikulën shkollore duke ia përshtatur nevojave të kohës, tregut dhe teknologjisë.
Në dokumentar ajo ka shpalosur edhe letërkëmbimin e parë mes saj dhe profesorit Batalden për një projekt. Koha e letrave tashmë ka perënduar, por bashkëpunimi ASU-UP, vazhdon akoma.
Myrvete Badivuku-prorektore për buxhet dhe financa ka thënë se kanë kaluar shumë vjet vizitës së saj në Arizona, por sot e asaj dite bën përpjekje të zbatojë kriteret dhe nivelin e diciplinës së tyre. Theranda Beqiri- Profesoreshë në Universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë, ka thënë se përvoja ka qenë e mrekullueshme.
“Kemi parë si mbahen ligjëratat në mënyrë interaktive dhe fillimi i prezantimeve me Power Point që ka qenë e re për botën dhe UP-në atë kohë”, ka shtuar Beqiri.
Studentët që e kanë punuar dokumentarin Vesa Guhelli, Xheneta Uka, Marigona Redenica, Kaltrina Jashari, Kaltrina Bejiqi, Urall Boshnjaku, Alberta Hyseni, Fatlum Berisha, Adnan Berisha dhe Fjolla Hajrizaj janë apsolventë të gazetarisë dhe mësimet që i kanë marrë gjatë punës në dokumentar po u shërbejnë për lëndën “Gazetari televizive”, që e ligjëron profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj dhe asistenti Alban Zeneli.
Studentja Kaltrina Jashari, ka thënë, falë punës në dokumentarin që i kushtohej 18-vjetorit të bashkëpunimit ASU-UP kanë përvetësuar punën praktike të cilën po e kombinojnë me mësimet e teorisë.
“Poashtu kontaktet e krijuara me të intervistuarit, momentet e realizimit të intervistave dhe vizita nëë institucionet ku janë realizuar intervistat do të mbeten një përvojë e paharruar”, ka thënë Jashari. Kontribut në dokumentar kanë dhënë edhe studentët e ASU dhe mund ta shihni këtu.
Ylli i pop muzikës botërore, këngëtarja me rrënjë shqiptare, Rita Ora do të paraqitet në festivalin e parë zviceran i cili i kushtohet ekskluzivisht adhuruesve të këngës shqiptare. “Alba Festival” mbahet në fundjavën e fundit të qershorit në Cyrih. Dhe, siç shkruajnë mediat zvicerane, që tash spekulohet nëse ajo do të këndojë me atë rast ndonjë këngë në gjuhën shqipe ose jo.
“Alba Festival” është i pari i këtij lloji në Zvicër e
më gjerë. Ai ka vënë vetes synimin që të bëhet festivali më i madh shqiptar në
Evropë, transmeton albinfo.ch. Dhe për të merituar një titull të tillë, aty
është ftuar veç tjerash njëri ndër yjet më të mëdhenj të pop muzikës botërore,
Rita Ora. Prandaj, nuk duket e tepruar ajo që shkruan blick se “Rita Ora do të
“kallë” shqiptarët e Zvicrës”.
Më tutje mediet zvicerane duke prezantuar mysafiren e
ardhshme, shkruajnë se Rita Ora është e lindur në Prishtinë ndërsa prindërit e
saj kanë emigruar në Londër, kur ajo ishte vetëm një vjeçe. Por ajo është
gjithmonë e vetëdijshme prej nga vjen, transmeton albinfo.ch. “Prindërit e mi
më kanë mësuar që të jem krenare me rrënjët e mia”, e thekson ajo gjithmonë në
intervistat e saj. Kështu, për angazhimin e saj në favor të vendit të
prejardhjes, Kosova që nga viti 2015 e ka emëruar atë ambasadore nderi”.
Por, a do të këndojë ajo shqip ne këtë festival?`, kësaj
pyetjeje të “20min.ch” ajo i është përgjigjur: “Këtë mund ta zbuloni, nëse do
të vini në spektakël”.
Krahas Rita Orës, në “Alba festival” do të paraqiten edhe yje të muzikës së popullarizuar nga Kosova dhe Shqipëria si: Ledri Vula, Elvana Gjata dhe Dhurata Dora. / KultPlus.com
Ky artikull është shkruar 80 vite më parë, në 1 maj 1937, nga Selaudin Toto, në revistën e njohur “Përpjekja shqiptare” e ideologut të “neoshqiptarizmës”, Branko Merxhani. Për ata që kanë interes, është një rast i mirë të mësojnë se intelektualet e vërtetë shqiptarë, vazhdimisht i ka shqetësuar apathia (plogështia) e shqiptarit, mentaliteti i tij oriental, oportunizmi e servilizmi ndaj më të pushtetshmit, dhe aty shihnin pengesën kryesore për përparim kombëtar. Një aktualitet që na ndjek si fatalitet !
Apathia (Plogështia) e Shqiptarit
Shkaqet
e kësaj apathie të rrezikshme janë sa të ndryshme aq edhe të dukshme. Ne kemi
lindur në kohë t’errëta të historisë tonë kombëtare. Në foshnjërinë tonë s’kemi
patur edukatën që na duhet. Jemi edukuar në shkolla të ndryshme dhe në vënde të
ndryshme. Kemi formuar kultura dhe mentalitete të ndryshme. S’ka ekzistuar
ndonjë ideologji e shëndoshë që të unifikonte tendencat divergjente, të
sintetozonte diçka për një përpjekje të fortë shqiptare. Nga ana tjetër, s’
kemi marrë ndonjë edukatë fetare që të ndiejmë të paktën fuqinë e
t’ashtuquajturave idera të shënjta. U ritëm fatkeq, pa entusiasmë dhe pa ideale
drejtonjëse. Tani s’qëndrojmë as në tokë e as në qiell. Jemi si fletë të çkëputura
që i rrëmbën çdo erë e vjeshtës. Ne, si popull, s’e njohim të jetuarit
intesivisht, as që njohim forcën e ideve shoqërore. Mendoni se ç’jetë sublime
dhe intesive provuan çetat e nacionalistëve shqiptarë kur këndonin në ekstazë,
“ ja vdekje, ja liri”.
A po pregatitet i riu shqiptar me ndjenjat e larta të detyrës dhe të sakrificës
për vëndin e tij? A do të ketë rast ai të provojë furtunën e emocioneve, kur
një popull përpiqet gjallërisht në mbritjen e një ideali? Është koha të
kuptohet se këto janë pyetje troditëse për ekzistencën e kombit tonë.
Pyete çdo djalë shqiptar që të kuptosh se sa i varfër është në idera të
ndritura për vëndin e tij. Sa heterogjene janë këto dhe sa i ftohtë është
besimi i tij për to. Prandaj gjejmë edhe një mijë e një tipa të ndryshëm.
Sidomos në të rinjtë, ku kanalizimi i energjive në çfarëdo mënyre, bëhet një
imperativë kategorike. Njëri ka një sistem mendimi krejt të ndryshmë nga
tjetri. Dëshira e disa t’ashtuquajturve intelektualë është të kem një rrogë ose
bursë të përherëshme dhe të kaloj një jetë qejfi jashtë nëpër qytetet e bukur,
që t’evitoj mizerjen që trupëzohet nga Shqipëria. Për këta, djersa e
katundarit, “mjerimi i vendit”, janë pallavra që s’duhen përmëndur. Natyrisht
rinë në Shqipëri se përjasht ha miza hekur.Të tjerë këndojnë mëfshehurazi “Das
Kapital”, dhe të shkatërojnë me t’ashtuquajturën, dialektikë materialiste, duke
predikuar jetën e bukur dhe plot tensione idealistike në Shqipëri. Këtu kemi të
bëjmë me elemente që duan të ndiejnë forcën e idesë, e çfarëdo forme qoftë kjo.
Shumica, sidomos klasa e nëpunësve, sundohet nga filosofia e oportunismës ose e
pikëpamjeve të lashta aristokratike mbi jetën. Të jesh nikoqir, të vështroç
rogën, miqësitë etj, janë boshtet drejtonjëse të mëndjes se tyre. “ Ha të ham,
pa tym të dalë”, është motua i tyre. Këto fjalë t’urta të shefave të Perandoris
s’osmanllinjve, pse të mos përjetësohen buzë këtij Adriatiku të kaltërt?
Është punë e rrezikshme që t’i vihet kapak kazanit dhe të gjendet një farë,
modus vivendi, për kaosin që lëvron brenda. Popujt janë rebeluar kur s’u është
treguar rruga që kërkonin. Burrat e shtetit, largshikonjës dhe që tupëzojnë
idetë e popujve që udhëheqin, konsiderojnë elementet themeltarë që bëjnë
strukturën dhe fuqinë e një populli; nxjerin në shesh forcat elementare, i
koordinojnë, për të prodhuar fuqira gjiganteske përparimi.
Më në fund është në natyrën e popujve që të besojnë. Në të shkuarën çdo popull
ka besuar ose në divinitet, në fis, në racë, ose në religjion. Gjunjëzoheshin
përpara simboleve të shenjta, janë therorëzuar për to, që të provonin emocionet
përkatëse. Tani është një fakt se fetë u zëvëndësuan me ideologjitë politike.
Nga pikëpamja e psikologjisë shoqërore popujt ndruan drejtim në kanalizimin e
energjive të tyre. Ide, që fuqizojnë popujt, u bënë fetë e reja, përpara të
cilave njerëzimi ka filluar të martirizohet. Dhe ne, që s’kemi edukatë fetare,
duhet të krijojmë altarët tanë tokësorë. Është koha të kuptojmë dhe ne, se janë
idealet që shënjtërojnë jetën. Përpjekja drejt mbritjes së tyre dhe emocionet
tronditëse që lindin, do të na e bëjnë jetën tonë si popull të nderçme dhe të
bukur. Ose të bëjmë një revolucion mendor për të përvetësuar këtë pikëpamje
dinamike mbi jetën, ose jemi të humbur. Se është, më në fund, idea që punon
lëndën. Forca e një ideollogjije shqiptare do të na japë ‘elan vital-in’
(forcën jetësore) të nevojshme, të paktën brezit të ri, që të thyejmë akujt
shqiptarë. Çështja është që të kemi një Shqipëri të bukur dhe të nderçme, sa më
pare, në këtë Evropë të dyshimtë. Një Shqipëri të ngrehur nga përpjekja
intensivë e bijve të saj dhe as gjë tjetër. Natyrisht idetë nuk bien nga qiejt
e Platonit. Idetë e shëndosha lindin dhe riten vetëm nga rrethanat tona
politike, ekonomike e morale. Ne të rinjtë, që vështrojmë përditë këtë
dinamismë të popujve, gjëjmë rast të entusiasmohemi kur na gjën pa pandehur.
Sqarim: Materiali nga faqja në Facebook e Klodi Stralla. / KultPlus.com
Në dhjetë vjetët e fundit kemi vërejtur se gjithçka që dëshironim realizohej në kohën e duhur, e mirë apo e keqe, në një mënyrë apo në një tjetër. Ne vazhduam t’i thoshim vetes se një nga këto ditë do të duhej të organizoheshim dhe të dëshironim vetëm gjëra të mira. Pastaj fëmija ynë arriti. Ne ishim shumë të lumtur, në të njëjtën kohë ndiheshim shumë të përgjegjshëm. Dëshirat tona do të kishin ndikuar edhe tek ai, gjithashtu. Menduam se ishte koha të përfundonim me diskutimet dhe të fillonim t’i shqyrtonim mekanizmat e dëshirave tona: Pastrimin e pranverës së mendjeve tona! Ishte një punë e madhe.
Na ndodhte të gjenim gjëra në dollapët e vjetër të mendjes sonë, gjëra që nuk e dinim se i kishim ende, gjëra që do të kishim shpresuar të mos i gjejmë më. Duke bërë pastrimin, filluam të vërejmë shumë gjëra që nuk shkojnë në shtëpinë tonë: ishte një raft që kurrë nuk duhet të kishte qenë aty ku ishte, një pikturë që filloi të mos na pëlqente më dhe ishin dy dhoma të zymta të cilat u bënë të ndritshme dhe të ajrosura kur rrëzuam muret që i ndanin. Filluam t’i duam bimët. Paramendo, në fillim ishim të bindur se bimët do ta vidhnin ajrin tonë! Filluam ta vlerësojmë ritmin e nxehtë të qytetit që zakonisht na shqetësonte. Bëmë shumë gabime dhe ende bëjmë. Në të kaluarën shpenzuam shumë energji duke u përpjekur të merrnim diçka që menduam se donim, pyesnim pse nuk mund ta merrnim, që më pastaj zbuluam se njëri ose të dy nuk e dëshironin atë gjë më të vërtetë. Një herë morëm një breshër çokollate nga njerëzit nga mbarë bota. “Hej, çfarë është kjo gjë? Ne nuk hamë gjëra të ëmbla! Kush ishte ajo/ai që e dëshironte?” Filluam të qeshim. E zbuluam që kur të dy donim një gjë, realizohej më shpejt. Siç thotë “Bibla”, “aty ku janë dy të bashkuar në emrin tim”. Është e vërtetë. Dy janë shumë. Një farë e pastër e pastrimit.
Kemi filluar gjithnjë e më shumë të dëshirojmë dhe të lutemi. Gjërat që kemi kërkuar t’i pushtojmë në të kaluarën duke bërë shenjën e paqes, tani përpiqemi t’i arrijmë nëpërmjet dëshirës. Nuk e bëjmë sepse është më e thjeshtë. Dëshira është më efektive sesa valëvitjet e flamujve. Funksionon. Është si një magji. Magjia është e thjeshtë. Magjia është e vërtetë. Sekreti është të dimë se është e thjeshtë dhe jo ta vrasim me ritualet e përpunuara në shenjë të pasigurisë. Kur dikush është i zemëruar me ne, ne tërheqim një aureolë rreth kokës së tij në mendjen tonë. Dhe ai ndalet së zemëruari me ne? Epo, askush nuk e di. E dimë, megjithatë, që pasi kemi vizatuar aureolën rreth kokës së tij, papritmas për ne ai fillon të duket si një engjëll. Kjo na ndihmon të ndiejmë afërsi ndaj njerëzve, na bënë të kujtojmë që të gjithë njerëzit e kanë mirësinë e tyre përbrenda dhe se të gjithë njerëzit që vijnë tek ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata dhe mesazhe nga universi. Magjia është logjike. Provojeni ndonjëherë.
Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Duket se sa më shumë që pastrojmë, aq më shpejt funksionon procesi i dëshirave dhe realizimeve. Shtëpia tani është bërë shumë e rehatshme. Sean është shumë i bukur. Bimët rriten. Macet mjaullijnë. Qyteti shkëlqen, pavarësisht nëse ka diell, shi apo borë. Ne jetojmë në një univers të bukur. Jemi mirënjohës çdo ditë për plotësinë e jetës sonë. Kjo nuk është një tallje. Ne e dimë se qyteti, vendi, toka po përballen me kohë shumë të vështira që frymëzojnë terror. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende së bashku dhe midis nesh ka dashuri, gjithashtu në qytetin tonë, në vend, në tokë. Nëse dy njerëz si ne po bëjnë në jetët e tyre atë që po bëjmë ne, çdo mrekulli është e mundur! Vërtet, në këto çaste do të na ishte komode një mrekulli e madhe. Çështja është t’i njohësh kur të vijnë dhe të jeni mirënjohës. Së pari manifestohen në një formë të reduktuar, në jetën e përditshme, pastaj vijnë si lumenj, si oqeane.
Do të bëhet mirë! E ardhmja e tokës është në duart e të gjithë neve. /Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/ KultPlus.com
Orkestra e të Rinjve të Kosovës të mërkurën ka udhëtuar drejt Belgjikës për të përfaqësuar për të dytën herë Kosovën në Festivalin Evropian Muzikor të të Rinjve, në Neerpelt. Para dy vjetësh në mesin e 200 shteteve, falë punës së instrumentistëve të rinj së bashku me dirigjentin dhe drejtorin, Kushtrim Gashi, ky formacion ishte kthyer me çmimin e dytë në kategorinë e orkestrave simfonike.
Ndër sfidat që u janë përsëritur edhe sivjet është përkrahja financiare. Në konkursin e fundit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahje të projekteve kulturore, rezultatet e të cilit u bënë të njohura më 20 mars, këta janë shpallur në mesin e organizatave fituese, por pjesën tjetër të shpenzimeve e kanë vetë për barrë.
Gashi ka thënë se financimin vazhdojnë ta kenë problemin kryesor.
“Deri tani kemi vetëm një konfirmim nga MKRS-ja që na ka përkrahur me një shumë goxha solide dhe jemi në pritje të konfirmimeve të tjera nga ato vende ku e kemi dërguar projektin”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, pagesa e vizave ka qenë dhe është një barrë e shtetit, por është dashur ta paguajnë vetë instrumentistët. I gjithë grupi kishte nisur provat javore në fillim të muajit shkurt. Një ndër arsyet ka qenë mungesa e vendeve ku t’i mbanin ato.
Orkestrat pjesëmarrëse në festivale kanë për obligim që të paraqiten me programe deri në 25-minutëshe.
“Në repertor i kemi veprat: ’Albanian Overture’ nga Hajrullah Syla, ‘Valle hungareze 5 dhe 6’ nga Johannes Brahms dhe ‘Simfonia nr.8’, koha e parë të Franz Schubertit”, ka thënë ai.
“Kosovo Youth Orchestra” kësaj here paraqitet me një grup prej 43 instrumentistësh. Për të plotësuar numrin e violinistëve dhe violonçelistëve kanë marrë instrumentistë nga Shqipëria e Maqedonia. / Koha ditore / KultPlus.com
“Excelsior” ka botuar, të premten e 6 shkurtit 1914, në faqen n°7, intervistën e Ismail Qemalit me gazetarin francez të Excelsior, në Nice të Francës, rreth marrëdhënieve Greqi – Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Cilat do të jenë raportet e Shqipërisë dhe Greqisë? Ismail
Qemali na tregon se ata mund dhe duhet të jenë të shkëlqyeshëm.
Nice, 5 shkurt (Shkresë e veçantë e Excelsiorit). — Sapo mbërriti në Birindisi, Ismail Qemali, i cili kishte dorëzuar vullnetarisht, thotë ai, drejtimin e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, u bë pre e intervistave. Por një çështje kryesore kishte mbetur ende në hije. Cilat do të jenë marrëdhëniet e shtetit të ardhshëm me Greqinë, dhe tensioni i tanishëm a do të ketë pasoja të mëtejshme ?
Kjo është pyetja që i bëra Ismail Qemalit. Bashkëbiseduesi
im ishte shumë afirmativ. Ai beson se këto raporte, jo vetëm mund, por edhe duhet
të jenë të shkëlqyera. E gjitha kjo, thotë ai, është në interes po aq të
Greqisë sa dhe të Shqipërisë.
Ish-kreu i qeverisë shqiptare është kategorik : sipas
mendimit të tij, nuk ka shkaqe serioze pakënaqësie. Sigurisht, ka pasur disa
përplasje interesi, dhe kjo ndodh për shkak se ka gjithmonë, në të gjitha
kufijtë, depërtim të një race në tjetrën. Por, në fund të fundit, ky
depërtim bëhet më pak shqetësues kur të dyja racat kanë afinitete të mëdha
midis tyre.
I kujtoj bashkëbiseduesit tim se gjatë lëvizjeve të ndryshme
që ndodhën në territoret kontestuese, helenizuesit i drejtoheshin konsullatës
franceze, ndërsa shqiptarët përfaqësuesve italianë dhe austro-hungarezë, dhe i
kërkova rezultatin përfundimtar të këtyre manovrave. Por ai është tepër i zgjuar
për t’u përgjigjur në mënyrë kategorike një pyetjeje të tillë:
“Sigurisht, Shqipëria ka qenë mirënjohëse ndaj fuqive që e
kanë mbështetur atë, por nuk ka ndërmend të mbajë anën e dikujt. Ajo
shpreson të marrë mbështetjen e Francës, interesi i të cilës, për më tepër, i
korrespondon interesit të saj, sepse vetëm një situatë e qetë do ta lejojë
vendin tim të zhvillohet. Por nuk mund të ketë pazare jashtë kursimit francez.”
Me këto fjalë u ndava me Ismail Qemalin; ai dëshiroi të më
kujtonte mbresat e mira që i kishte lënë vizita e bashkëpunëtorit tonë Andre
Jager-Schmidt në Vlorë.