Maria Tuçi, 22- vjeçarja që vdiq nga torturat e tmerrshme në burg

Maria Tuçi u lind më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz, Mirditë dhe ishte e bija e Nikollë Mark Tuçit dhe e Dilë Fushës. Ka qenë nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër dhe më pas u bë mësuese në internatin e Oroshit.

Maria dallohej për shpirtin luftarak e human dhe dëshirën për t’u transmetuar dije të tjerëve. Në vitin 1946, sistemi komunist ndërmori një sërë masash persekutuese ndaj atyre që ushtronin besimin fetar. Maria i dënoi këto veprime duke u shprehur kundër poshtërimit që i bëhej kishës katolike nga komunistët. Ajo u arrestua më 10 gusht 1949, në kohën që pritej t’i bashkohej urdhërit të motrave stigmatine si murgeshë. Pas një raprezalje të sistemit komunist të asaj kohe, lindur nga ekzekutimi i Bardhok Bibës sekretar i partisë komuniste në Mirditë, familjet më të dëgjuara të kësaj zone u dënuan, përfshi dhe ajo e Gjonmarkajve, të cilës Maria i përkiste.

Në të njëjtën ditë u arrestua dhe vëllai i saj, Mark Gjonmarkaj, i cili nuk e pa më as të gjallë, as të vdekur Marien. Në qelinë e burgut nuk hynte drita e diellit, ishte ftohtë dhe me shumë lagështirë.

Një e burgosur, Olimbi Baruti, e cila ndau qelinë me Marijen tregoi se në qeli nuk kishin ndërresa, dhe vetëm një herë të afërmit e Maries u lejuan të sjellin rroba për të, e ajo i ndau me shoqen e saj. Një tjetër dëshmitare e asaj kohe, Vita Matlia, e cila ndau dy muaj të dënimit me të, shprehej se e vetmja mënyrë për t’u ngrohur në qeli ishte përqafimi me njëra-tjetrën.

Shefi i sigurimit të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili u magjeps nga bukuria e 22 vjeçares dhe mendoi se mund te abuzonte me të sipas dëshirës, por kur hasi në rezistencën e saj, ai vendosi ta torturonte në mënyrën më çnjerëzore.

E mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Nga spitali i burgut u dërgua në spitalin civil dhe ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e kishte njohur. Asaj Maria i ishte shprehur se shefi i sigurimit e kishte çuar deri në fund fjalën e tij, kur i kishte thënë se “do të të katandis aq sa të mos njihesh”.

Maria Tuçi vdiq në spitalin e Shkodres, më 20 shtator të vitit 1950, në moshën 22 vjeçare, dhe ishte e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare./Albfem

Historisë së saj të dhimbshme, poeti Meti Fidani ia kushtoi edhe një poezi:

PO VDES NANË, SOT PO VDES

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kan futur në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfushë
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nanë, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.

121 gra të suksesshme në një libër dhe në një ekspozitë në Tiranë

Flora Nikolla udhëheqëse e Albanian  Excellence është në rrumbullakim të punëve për tu prezantuar sa më denjësisht nëpërmjet një ekspozite dhe një libri, mbrëmje që do të  mbahet të premtën që vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Është një projekt shumë i madh, pasi që Flora Nikolla për një kohë të gjatë ka punuar që të përfshijë në një libër 121 gra të suksesshme shqiptare nga të gjitha anët e botës, dhe po këto gra do të prezantohen edhe në një ekspozitë.

“Zonjat që kanë ndryshuar botën, nuk kanë patur nevojë të tregojnë asgjë më shumë se sa zgjuarsia e tyre…!!!
Albanian Excellence-Zonjat e suksesit shqiptar në një libër dhe në një ekspozite !!!”, ka njoftuar së fundi Nikolla për këtë mbrëmje që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë.

Ajo këtë përzgjedhje të grave i ka vlerësuar të jenë si gra të shekullit,  pasi që secila ka kontribuar fuqishëm në profesione përkatëse, për të ngritë edhe më rolin e saj në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.

Flora Nikolla ka përfshirë gra shqiptare në këtë libër dhe në këtë ekspozitë  janë gra nga: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Franca, Italia, Kroacia, Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dubai, Venezuela dhe vende të tjera.

Kurse sa i përket profesioneve të këtyre grave të suskseshme, bëhet e ditur se në këtë libër e ekspozitë janë përfshirë gra të profileve: mjeke, pedagoge, gazetare, mësuese, piktore, arkitekte, politikane, ekonomiste, muzikante, këngëtare, gra nga Shoqëria Civile dhe profile të tjera.

Ky promovim libri dhe hapja e ekspozitës që do të mbahet në Presidencës e Shqipërisë në Tiranë, më pas do të lëvizë edhe në vende të tjera, si: Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e më gjerë, duke përfshirë më pas edhe vende të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./KultPlus.com

Mbahet edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve të Grave

Në Kinemanë “Armata” në Prishtinë së fundi është mbajtur edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve të Grave, shkruan KultPlus.

Kori mjaft i njohur i grave “Lira” nga Kosova ishte nikoqire e këtij festivali me drejtoreshë Valire Buza , kurse mysafirë në këtë edicion ishte Kori i Grave nga Maqedonia “Shen Zlata Meglenska” me dirigjente Letka Dimovska Polizova. Në këtë mbrëmje me interpretimet e tyre janë paraqitë edhe solistët mysafirë: Zana Abazi Ramdani dhe Sedat Kuci, kurse këngët e korit nikoqir i ka përpunuar për këtë mbrëmje Tomor Berisha.   

KultPlus ju sjellë disa momente nga kjo mbrëmje, ku ka pasë edhe performancë të përbashkët të të dy koreve.

“Kënga “Rroka Mandolinën” ishte kënga që  është performuar nga të dy koret e këtij edicioni”, ka thënë për KultPlus, Valire Buza. Më poshtë mund të shikoni këtë performancë. Kjo mbremje eshte mbeshtete nga Ministria e Kultures dhe Komuna e Prishtines/KultPlus.com

Shërohu me lexim, “Biblioterapia” procesi që qetëson mendjen

Sigurisht se keni lexuar dhe keni bërë joga e meditim për qejf ose dhe qëllime terapeutike.

Mirëpo ekziston edhe një terapi shumë e lashtë që quhet “Biblioterapi” dhe është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë të gjithë: të lexojmë, transmeton Klan Kosova.

Për të praktikuar këtë nuk kemi nevojë për veshje, përgatitje, organizim e as ndonjë gjë tjetër pasi që librin mund ta lexojmë kurdo e kudoqoftë.

Për herë të parë, “Biblioterapia” si term është përdorur në vitin 1916, në artikullin “Një klinikë letrare” të “Atlantic Monthly”.

Autori fliste aty për një institut “bibliopatik” të ndodhur në bodrumin e një kishe, e të drejtuar nga një person i quajtur Bagster, në të cilin leximi rekomandohej për vlerat shëruese.

“Biblioterapia është një shkencë e re”, thoshte Bagsteri.

“Një libër, – arsyetonte ai, – mund të jetë stimulant ose sedativ, mund edhe të ngacmojë. Mund të jetë shurupi qetësues ose mustarda që djeg. Ai, me pak fjalë zgjon dhe përçon jetë të re në dejet tona”.

Sot “Biblioterapia” ka marrë forma të ndryshme, duke nisur nga kurset e literaturës në burgje, e deri te grupet e leximit për të moshuarit që vuajnë nga demenca.

Mjafton vetëm të uleni e të lexoni, për të mirën e mendjes dhe shëndetit tuaj.

Letërsia shqipe përballë lexuesit grek

Bisedë me përkthyesin e nderuar me Çmimin Kombëtar të tregimit (2010) dhe me Çmimin Kombëtar të përkthimit (2007, 2015), Romeo Çollaku

Letërsia e shkruar brenda shtetit shqiptar ashtu dhe në trojet e Kosovës, është shkruar dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë dhe në një hapësirë gjeografikisht kompakte. Është e pamundur të vëmë re ndonjë dallim shumë rrënjësor mes të dyjave. Kështu duhet ta shohim letërsinë shqipe, si një të vetme, dhe jo për hir të një qëndrimi kombëtarist, por ngaqë një qasje tjetër duket filologjikisht e gabuar…

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

  1. I nderuar Romeo, fillimisht a mund të na thoni se çfarë ju shtyri të merreni me përkthime të teksteve letrare?

Shtysat drejt përkthimit, ashtu si drejt letërsisë në përgjithësi, mund të jenë vetëm pjesërisht të ndriçueshme. Ndoshta temperamenti, ndoshta një ndjeshmëri jo e zakontë gjuhësore, ndoshta biblioteka e babait, ndoshta ndonjë gen, ndoshta një aksident i rëndë në muajt e parë dhe të pavetëdijshëm të jetës, ndoshta natyra përreth, ndoshta një përzierje e rastësishme e të gjitha këtyre. Kam filluar të merrem me përkthime në moshë shumë të hershme, do të kem qenë te 13-14 vjeç. Kisha hedhur, ndërkaq, në letër vargëzimet e mi të parë dhe, në të njëjtën kohë, nëpërmjet leximeve, vura re se disa nga poetët tanë të shquar, si Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare apo Dritëro Agolli, lëvronin edhe përkthimin. Kaq, besoj, se do të më jetë dashur që të më shkrepte ideja se një poet i vërtetë, përveçse të shkruajë vetë, duhet të merret paralelisht edhe me përkthime. Kështu, me atë pak frëngjishte që mësoja në shkollë dhe me ata tmerrësisht pak tekste të huaj që qarkullonin në Shqipërinë e asaj kohe, fillova të përkthej ndonjë poezi të Victor Hugo-it, Gérard de Nerval-it apo Jacques Prevert-it.

  • Përkthimi i teksteve letrare është një nga punët më sfiduese, çfarë teknika përdorni që t‘i ruani vlerat letrare të tekstit?

Përpiqem t’i qëndroj sa më besnik origjinalit, mundësisht në të gjithë aspektet. Pra, jo vetëm në përcjelljen e kuptimit të frazës, por edhe të tonit të zërit që e shpreh këtë frazë. Mendoj se “tradhtia” më e madhe që mund t’i bëhet nga përkthyesi një poezie a proze, është mosrespektimi apo nënvleftësimi i këtij të dytit, tonit të zërit, sepse, ndryshe nga tekstet e natyrave të tjera, për tekstin letrar është tepër e rëndësishme kjo përmasë, që jemi mësuar ta quajmë stil.

  • Mund të përkthesh një tekst në mënyrë të mirëfilltë, por të mos arrish të transmetosh idetë, emocinonet, konceptet që dalin nga gjuha origjinale, si veproni në këto raste kur vëreni se nuk kërkohet përkthim i drejtpërdrejtë (fjalëpërfjalëshëm)  nga gjuha shqipe në atë greke?

Se sa është i mundur një përkthim, kjo varet, përgjithësisht, nga aftësitë e përkthyesit, nga dhuntia dhe përvoja e tij. Megjithatë, ka tekste, sidomos poezi, që refuzojnë t’u dorëzohen gjer dhe zejtarëve më të regjur të fushës. Si të tilla, mund të përmendim nga letërsia botërore poezitë e francezit Jean Racine, anglezit John Keats apo irlandezit Ë. B. Yeats. Kurse nga letërsia jonë, më i paepuri ndaj përkthimit në greqisht, meqë po flasim për këtë gjuhë, por edhe në çdo gjuhë tjetër, mbetet, pa dyshim, Lasgush Poradeci, përkthimin e të cilit pakkujt i lejohet ta guxojë. Personalisht, kam guxuar jo rrallë të merrem me tekste të vështirë, madje mund të them se një tekst i tillë më grish shumë më tepër se tjetri, i thjeshti. Shpresoj se ia kam arritur deri diku të sjell në shqip poetë jashtëzakonisht kokëfortë ndaj përkthimit, si Villon, Mallarmé, Solomos, Elitis apo Mickieëicz. Kurse, nga shqipja në greqisht, nuk e kam arritur të njëjtën gjë dhe, ç’është e vërteta, as e kam synuar. Ngaqë nuk kam patur ndonjëherë të njëjtat “ambicie” në lidhje me greqishten.

  • Sipas mendimit tuaj kush mund të jetë përkthyes i teksteve letrare, dikush që njeh gjuhën në të cilën është shkruar teksti dhe gjuhën e synuar për përkthimin e tij, apo duhet të jetë dikush me njohuri të përgjithshme letrare?

Unë do të thosha me njohuri jo thjesht të përgjithshme, por të thella letrare. Kam bindjen se dikush që nuk e ka letërsinë ndër interesat e tij parësorë në jetë, është në rastin më të mirë e kotë dhe në rastin më të keq e dëmshme t’i futet përkthimit letrar. E dëmshme ndoshta jo për atë vetë, por për të gjithë ne të tjerët. Kurse, për sa i përket njohjes së dy gjuhëve, kushti numër një për çdo përkthyes është të jetë zotërues shumë i mirë, i shkëlqyer, i gjuhës së tij, pra i gjuhës në të cilën përkthen. Duhet të gëzojë një ndjeshmëri tepër të lartë të kësaj gjuhe dhe t’ia njohë mirë mundësitë, pasurinë, jo vetëm leksikore, por, mbi të gjitha, atë plastike.

  • Sa është sfiduese të përkthehen tekstet e shkruara në dialektet e shqipes në gjuhën standarde greke?

Këtë mund të na e thoshte më mirë një përkthyes i huaj i letërsisë shqipe, për shembull z. Hans-Joachim Lanksch. Mua nuk më pengojnë dialektet të shijoj me të njëjtin intensitet një poezi të Lasgush Poradecit dhe një tjetër të Ndre Mjedës, apo “Tregtarin e flamujve” të Koliqit dhe “E madhe është gjëma e mëkatit” të Kutelit. Nëse më duhet të zgjedh për të përkthyer një tekst të letërsisë shqipe në greqisht, nuk nisem nga dialekti në të cilin është shkruar, por vetëm nga ndikimi që ushtron tek unë ky tekst.

  • Sa mendoni se është e njohur dhe e pëlqyer letërsia shqipe në nje vend me traditë të lashtë letrare siç është Greqia?

Besoj se njihet kënaqshëm, por, natyrisht, jo mjaftueshëm. Kontaktet më të hershëm të lexuesit grek me letërsinë shqipe datojnë këtu e gati një shekull më parë. Qysh prej atyre kohëve, domethënë në vitete ’30 të shekullit të kaluar, njëra prej revistave më të rëndësishme letrare greke, dhe më jetëgjata, pasi vazhdon të qarkullojë edhe sot, Nea Hestia, botonte herë pas here në faqet e saj përkthime të letërsisë shqipe, si edhe ese e studime rreth zhvillimeve gjuhësorë, kulturorë e letrarë të Shqipërisë së asaj periudhe. Në numrat e atëhershëm të revistës hasim krijime nga emra të rëndësishëm, të cilët asokohe sapo ishin shfaqur në skenën tonë letrare, poezi të Lasgush Poradecit, tregime të Ernest Koliqit, shkrime rreth Migjenit, etj. Më vonë shënohet një hark i zbrazët në këtë drejtim, kryesisht për shkak se, duke filluar prej pushtimit fashist të Shqipërisë e deri te junta ushtarake greke, pra për më tepër se tri dekada rresht, jo vetëm marrëdhëniet politike, por edhe ato shpirtërore, mes dy vendeve kishin ngrirë krejtësisht. Vetëm në vitet ’80 fillon një periudhë e dytë, pa dyshim më e begatë kjo, e pranisë shqiptare në tregun e librit grek. Doemos, personaliteti më i spikatur i kësaj pranie është Ismail Kadare, pothuajse çdo libër i të cilit përkthehet e lexohet gjerësisht edhe në greqisht. Veç veprës së Kadaresë, ndeshen vazhdimisht nëpër raftet e librarive greke edhe libra të tjerë të përkthyer nga shqipja, kryesisht romane, nga Dritëro Agolli, Mimoza Ahmeti, Ben Blushi, Virion Graçi, Fatos Kongoli, Koço Kosta, Besnik Mustafaj, Rexhep Qosja me “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, e të tjerë. Kurse poezia gjendet e përfaqësuar më së shumti në dy antologji, një përzgjedhje me autorë shqiptarë të post-diktaturës dhe një tjetër me autorë ballkanas, ku përfshihen emrat më të njohurë të traditës sonë, ndër të cilët edhe kosovarët Azem Shkreli e Ali Podrimja. Fatlum është fakti që letërsia shqipe gjen në greqisht një numër të konsiderueshëm përkthyesish, madje disa mjaft cilësorë, si Andrea Zarballa, Niko Anagnosti, Konstantina Evanghelou apo Eleana Ziakou. Kjo e fundit ka dhënë këto kohë në gjuhën e saj amtare proza të Ardian Vehbiut dhe pjesë teatrale të Jeton Nezirajt. Ndjesë për emrat e shkrimtarëve dhe përkthyesve që mund të mos kem përmendur, por kjo është thjesht një bisedë dhe jo një studim i hollësishëm.

  • Bazuar në përvojën tuaj të përkthimit, si i shihni përafrimet dhe dallimet e letërsisë së Kosovës dhe Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe këtë fillim shekulli?

Në këtë pikë, mund të flas më mirë si shkrimtar, jo vetëm ngaqë, në radhë të parë, ndjehem i tillë dhe pastaj përkthyes. Përderisa letërsia, si brenda shtetit shqiptar ashtu edhe në trojet e Kosovës, është shkruar dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë dhe në një hapësirë gjeografikisht kompakte, është e pamundur të vëmë re ndonjë dallim shumë rrënjësor mes të dyjave. Është pothuajse njëlloj si në rastin e letërsisë greke dhe asaj qipriote. Dhe besoj se kështu duhet ta shohim letërsinë shqipe, si një të vetme, dhe jo për hir të një qëndrimi kombëtarist, por ngaqë një qasje tjetër duket filologjikisht e gabuar. Patjetër që ka edhe dallime, por bëhet fjalë për dallime që do të haseshin natyrshëm brendapërbrenda një letërsie të çfarëdolloj gjuhe. Dallime që kanë të bëjnë, për shembull, me vendin që ka arritur të zërë standardi i shqipes në Kosovë, me masën deri në të cilën është përthithur ky atje, apo me ndikimet e huaja që janë ushtruar në njërin territor dhe në tjetrin. Ndoshta edhe me tematikën, por kësi dallimesh i gjejmë edhe në autorë që kanë jetuar përjetësisht në të njëjtin qytet. Po kështu, dihet që, qoftë edhe brendapërbrenda territorit të Shqipërisë, standardi gjuhësor nuk është përqafuar njëlloj si në Shkodër edhe, fjala vjen, në Gjirokastër.

  • Duke pasë parasysh që jeni vlerësuar me çmime kombëtare për letërsi, a mund të na thoni cilat janë gabimet më të shpeshta që vëreni te tekstet letrare të përkthyera?

Ne kemi patur një traditë mjaft të shëndetshme përkthimi, kujdesi i sotshëm që tregohet ndaj vazhdimësisë së së cilës, për fat shumë të keq, lë për të dëshiruar. Vërejmë se një sërë kryeveprash të thesarit letrar botëror po vijnë, së fundi, në shqip të përçudnuara, gjë që më duket një dëm i jashtëzakonshëm dhe i vështirë për t’u riparuar. Duke i lënë mënjanë paragjykimet partiakë, nuk mund ta mohojmë se ish-ministrja e kulturës së Shqipërisë, zonja Kumbaro, ndërmori, gjatë mandateve të saj, një nismë të admirueshme për t’i vënë një pritë kësaj përmbytjeje shkatërrimtare duke kurajuar përkthimet cilësorë. Po këtë bëjnë edhe çmimet letrarë të përkthimit, si shtetërori ashtu edhe ndonjë privat, megjithatë zgjidhja e kësaj çështjeje mbetet gjithnjë në dorën e botuesve.

  • A mund të na flisni për librat e fundit që keni përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën greke dhe çfarë jeni duke lexuar, përkthyer aktualisht?

Unë, më tepër, jam i përqendruar te shqipja, në kuptimin që kjo është gjuha në të cilën shkruaj dhe përkthej më së shumti, ky është trualli ku ndjehem më i sigurt dhe më i fortë. Kam dhënë jo pak libra nga letërsia greke në shqip, kurse, përkthyer prej meje nga shqipja në greqisht, kanë parë dritën e botimit, deri tani, vetëm një libër dhe disa cikle poetikë nëpër revista letrare të Athinës dhe Selanikut. Jam shumë i kënaqur që libri, për të cilin po flas dhe që e përmenda edhe pak më lart, një antologji e poezisë së re shqipe, e botuar para dhjetë vjetësh nga një shtëpi botuese mjaft cilësore e Athinës, u prit shumë mirë prej lexuesit grek. Në gazeta serioze dhe të mirënjohura, si Kathimerini apo Avgi, u shprehën rreth saj me fjalët më të mira emra të rëndësishëm të letërsisë së sotme greke, si Pandelis Bukalas apo Jorgos Blanas. Lexues të kësaj antologjie më dërguan mesazhe përshëndetës, mes të cilëve edhe letra e një tjetër emri me mjaft peshë në mjedisin letrar të Greqisë së sotme, poetes dhe përkthyeses Xheni Mastoraqi, që, deri atëherë, unë vetëm veprën i njihja, kurse ajo nuk më njihte fare. Tani, jam duke u marrë me korrigjimet e fundit në përkthimin e veprës së plotë tregimtare të njërit prej prozatorëve më të mëdhenj europianë të shekullit XX, polakut Bruno Schulz. Kështu që, në këtë çast, e kufizuar koha për lexime shkrimtarësh të tjerë.

Romeo Çollaku (Sarandë, 1973) ka studiuar gjuhë-letërsi shqipe pranë Universitetit Eqrem Çabej të Gjirokastrës. Ka botuar pesë libra me poezi, tre në prozë dhe mbi njëzet të tjerë me përkthime nga letërsitë greke, franceze dhe polake, ku përfshihen autorë si Ricos, Verlaine, Mallarmé, Nerval, Euripidi, Kazanxaqis, Elitis, Claudel, Lautréamont, Herbert, Kavafis, Seferis, Schulz, Villon, etj. Është vlerësuar me Çmimin Kombëtar të tregimit (2010) dhe Çmimin Kombëtar të përkthimit (2007, 2015). Romani i tij “Mjaltë në teh” ishte kandidat për European Prize For Literature. Pjesë nga krijimtaria e Çollakut janë botuar nëpër antologji dhe revista letrare në gjuhët anglisht, bullgarisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, italisht dhe rumanisht./KultPlus.com

Konica përmes shiritit filmik

Agron Alibali

Pamje të rralla filmike të Faik Konicës në një regjistrim të panjohur në Nju Jork,  shkurt 1938.

Rilindasit apo themeluesit e shtetit shqiptar, si imazh figurash historike, na vijnë sot kryesisht përmes riprodhimeve të rralla në pikturë ose fotografi. Imazhe filmike për ta kemi pak ose aspak.

Për fat, sot njihen mjaft foto të Faik Konicës, dhe të reja zbulohen vazhdimisht. Mirëpo fakti që Konica arriti ta jetojë shkapërcimin teknologjik të imazhit të zëshëm dhe lëvizës, me fjalë të tjera, zbulimin e radios dhe kinemasë, sugjeronte që zëri dhe figura e gjallë e autorit dhe diplomatit të shquar do të mund të pluskonin diku, dikur.

Zëri i Konicës

Zëri i Konicës u zbuluar për herë të parë në gusht 2004 në koleksionin e pasistemuar të Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Uashington. Merita u takon dy ekspertëve të bibliotekonomisë, përkatësisht Dr. Etleva Domi të BKSH-së, dhe Z. Grant Harris të Bibliotekës së Kongresit. Bëhej fjalë për intervistën e Konicës të nesërmen e pushtimit fashist të Shqipërisë, dhënë gazetarit Hilmar Robert Baukhage [1889v- 1976], në zyrat e NBC-së [National Broadcasting Corporation], Red Network, në kryeqytetin amerikan.

Duke cituar studiuesin prof. Aurel Plasari, Grant Harris do të më shkruante se kjo besohej të ishte e para dëshmi e njohur e regjistrimit të zërit të Konicës.

E dhënë në rrethana tragjike për kombin shqiptar, intervista e Konicës e 8 prillit 1939 është model i ligjërimit publik nga një diplomat i sprovuar, para opinionit të vendit pritës.

Sipas z. Harris, në 9 dhjetor 2004 dy kopje të regjistrimit të intervistës së plotë të NBC-së me zërin origjinal të Konicës iu dhuruan përkatësisht Ministrit të Kulturës së Shqipërisë dhe Drejtorit të BKSH-së të asaj kohe në një aktivitet të posaçëm të organizuar në Bibliotekën e Kongresit.

Mirëpo, sikurse ka përmendur me mprehtësi prof. Nasho Jorgaqi, Konica do të vijojë të na befasojë me gjetje të ndryshme të pranisë dhe veprës së tij në vendet e ndryshme ku ka jetuar.

Një foto e panjohur

Dhe vërtet, një foto të rrallë të Faik Konicës e hasëm vetëm para disa javësh. Fotoja ishte marrë me rastin e vizitës së tre motrave të Mbretit Zog në Sh.B.A. në shkurt – mars 1938.

Foto 1 – Princeshat Myzejen, Ruhije dhe Maxhide, në hollin e vaporit italian që i barti në portin e Nju Jorkut, 28 shkurt 1938. Në sfond, Faik Konica; burimi ACME, Hoff Jackson [Arkiva personale, A.A.].

Vizitën e tre princeshave shqiptare e kemi mbuluar tjetërkund. Këtu mund të përmbledhim vetëm kaq: vizita e Princeshave Ruhije, Sanije dhe Mexhide u përdor me zgjuarësi nga Mbreti Zog për të forcuar marrëdhëniet dy-shtetërore në një periudhë tejet delikate të gjendjes ndërkombëtare, si dhe për të arritur pajtimin e madh me Nolin.

Mirëpo vizita e grave të hirshme nga Shqipëria u prit me interes të pazakontë edhe nga shtypi amerikan. Kurse shtypi sensacional deklaroi se princeshat shqiptare vinin në Amerikë për të gjetur burrë, çka e kishte irrituar pa masë Konicën.

Në fund gjithçka shkoi më së miri. Princeshat u pritën për çaj në Shtëpinë e Bardhë nga Zonja e Parë, Eleanor Roosevelt. Kurse komuniteti shqiptaro-amerikan i Bostonit, si dhe vetë Fan S. Noli Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dhe dikur kundërshtar i ashpër politik i Zogut, u rezervuan atyre një pritje vërtetë të ngrohtë.

Takimi i parë me shtypin amerikan i princeshave të shoqëruara nga Konica u krye në hollin e klasit të parë të vaporit transoqeanik italian Conte di Savoia, pasi të gjithë udhëtarët e tjerë ishin larguar.

Foto 2:  Holli Gran Colonna, i klasit të parë të vaporit Italian Conte di Savoia, ku u filmuan tri motrat e Zogut bashkë me Konicën.

Sikurse shihet në foton e rrallë historike, të sjellë më sipër, tri motrat e Zogut, princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, paraqiten të ulura në poltronë dhe të veshura plot shije. Në krah të tyre, në qendër të fotos, shpaloset Faik Konicës, në një nga daljet më të gjalla të tij. I veshur si përherë, plot sqimë, Faiku mban një pallto ngjyrë të errët, me shallin e çelët dhe me kapelën e mbajtur me dorën e djathtë. Rreth 70 gazetarë dhe fotoreporterë amerikanë e britanikë bombardojnë vizitoret e shquara nga vendi i vogël dhe ekzotik ballkanas me pyetje dhe me shkrepje fotosh e kërcëllitje flashesh.

Mirëpo pritësi i princeshave, Ministri shqiptar Faik Konica, dhe shoqëruesi i tyre, Asim Jakova, nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Ata lexuan vetëm një deklaratë të shkurtër për shtypin, duke u justifikuar se princeshat ishin të lodhura nga udhëtimi i gjatë. “Myzejeni, Ruhija dhe Maxhidja buzëqeshin para kamerave, por diplomati-përkthyes as që e vuri ujët në zjarr të pyeste nëse ato kanë ardhur këtu për të gjetur burrë”, shkruante më shpoti gazeta New York Herald Tribune.

Konica me zë dhe figurë

Fotoja e panjohur e princeshave me Konicën shërbeu si udhërrëfyes për hulumtim të mëtejshëm. Po të vërejmë me kujdes, ajo na sjell në plan të parë, me shpinë, edhe disa kameramenë. Çka do të thotë se, për ngjarjen, duhet të kenë ekzistuar edhe kronika filmike.

Në fakt, regjistrimin e parë e kemi si pjesë të një kronike të Pathé News, shërbim lajmesh filmike dhe dokumentarësh, i ofruar në Britaninë e Madhe dhe SHBA nga vitet 1910 deri më 1970. Kronika e shkurtër prej 24 sekondash e Pathe Gazette fillon me mbërritjen e princeshave në Nju Jork me transoqeanikun italian Conte di Savoia.

Kronikë filmike 1 – Albanian Princesses Visit New York, British Pathé, 1 mars 1938

Më tej, gazetari amerikan hamendëson nëse qëllimi i vizitës së princeshave është për pushime apo për motive politike? Kronika përfundon me supozimin e një komentatori amerikan, së cilës Konica i trëmbej më shumë se gjithshka: “Flitet se ato janë në kërkim të ethshëm [sharp lookout] për një burrë të pasur amerikan…” Edhe pse Konica këtu nuk na shfaqet, zemërimin e tij mund ta parafytyrojmë lehtazi.

Sikurse u përmend më lart, Konica kreu rolin e përkthyesit dhe kontrolloi me kujdes të gjithë ceremoninë. Ai nuk ngurroi aspak që të ndërhynte kur vërente se gazetarët amerikanë bënin pyetje që, sipas tij, ishin të papërshtatshme.

Disa nga batutat e Konicës ndaj gazetarëve ishin:

“I thought you were going to ask decent questions”, [“Mendova se do të bënit pyetje të përshtatshme…”]…Dhe kur një gazetar këmbënguli, Konica nuk përtoi t’ia përplaste: “Why don’t you grow up”? [“Sa i papjekur që jeni, xhanëm?”].

Ndërsa këto shkëmbime të Konicës me gazetarët amerikanë ende nuk i kemi të përcjella në kronikat filmike të kohës [në foto shfaqen jo pak por pesë kameramenë], gjithsesi kërkimi këmbëngulës rezultoi në gjetjen e imazhit filmik të këtij takimi, ku Konicën më në fund e shohim të gjallë, me zë dhe figurë, bash me temperamentin e tij të shpenguar dhe sfidues.

Videoklipi historik është regjistruar nga British Movietone News, një shërbim dokumentar lajmesh që veproi nga vitet 1929  deri më 1979, dhe mban gabimisht datën 8 mars 1938.

Foto 3 – Paraqitje e titullit dhe numrit rendor të videoklipit të British Movietone.

Merita për gjetjen e rrallë vjen edhe falë bashkëpunimit me studiuesen e re dhe të pasionuar të Konicës, Dr. Loreta Loli, autore e një disertacioni shterues për prozën e Faik Konicës. Me të vërtetë, duke kërkuar një inçizim tjetër zanor të intervistës së Konicës të shtatorit 1930 për rrjetin CBS [Columbia Broadcasting Corporation], që Dr. Loli e përcjell si përshkrim në disertacionin e saj , dhe duke vijuar hulumtimin tonë në linjën e vizitës së motrave të Zogut, mbështetur në foton e mësipërme, befas hasëm në imazhet e gjalla filmike të Faik Konicës, të shkurtit 1938.

Foto 4 – Pamje e videoklipit të British Movietone.[11]

Movietone dhe arkiva përkatëse u blenë më pas nga Associated Press [AP]. Regjistrimi filmik i kësaj të fundit është paksa më i gjatë dhe i ndryshëm nga Movietone, pasi në fillim ka material të tepërt. Rrjedhimisht, imazhet tona nisin pak më vonë, dhe Faik Konicën e shquajmë – të gjallë më në fund – në sekondat 5 – 8.

Përherë perfeksionist, xhentëllmen dhe “kujdestar” i rreptë i princeshave përballë ndërhyrjeve shpotitëse të reporterëve vendas e të huaj, Konica shfaqet aty duke iu vikatur gazetarëve në anglisht: “Wait a minute!”[Prisni një minutë!]. Pastaj Konica tund kokën me mosbesim të dukshëm, por të përmbajtur, dhe qetazi tërhiqet, pasi vëren se kameramenët tashmë kishin filluar regjistrimin. Mund të konkludojmë me saktësi se batutat e përcjella më sipër do të kenë qenë vijuese të këtij shkëmbimi hyrës.

Me sa kemi dijeni, ky është imazhi i vetëm filmik, me zë dhe figurë, i njohur deri tani, i Faik Konicës, autorit dhe diplomatit të shquar shqiptar.

Viedoklipi historik i Faik Konicës dhe princeshave shqiptare, me gjatësi prej 29 sekondash, mund të shikohet i plotë këtu poshtë, i bërë tashmë publik drejtpërdrejt nga arkiva e AP-së dhe British Movietone.

Kronikë filmike 2 – Imazhi, me zë dhe figure, i Faik Konicës me tri princeshat shqiptare, Nju Jork 28 shkurt 1938, [Arkiva AP].

Tragjikisht, vetëm 11 muaj më vonë, me 8 prill 1939, Faik Konica do të mbetej pa atdhe dhe pa punë, dhe do të protestonte fuqishëm kundër pushtimit fashist të vendit të tij në intervistën me z. Baukhage të përcjellë në krye.

Kurse të tri motrat, princesha të pafata, do të nisnin kalvarin e gjatë dhe tronditës të mërgimit të detyruar, ku kujtimet e vizitës në SHBA do të mbeteshin tashmë veç një vegim i largët, i bukur por i hidhur, dhe si mirazh që kurrë nuk kishte qenë i vërtetë.

Publikuar te Peizazhe të Fjalës 

Vasfije Krasniqi-Goodman pjesë e shfaqjes “Bishat në hënë”

Vlora Nikçi flet për shfaqjen “Bishat në hënë”

Me 27 qershor në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të jepet premiera e shfaqjes “Bishat në hënë” një shfaqje kjo e cila trajton njërën prej pjesëve më të ndjeshme të historisë së Kosovës, atë të dhunës seksuale dhe jo vetëm.

Vlora Nikçi tha se “kjo shfaqje, ky tekst të cilin fillimisht ma ka ofruar Armend Baloku bashkëshorti im i cili është edhe aktor në shfaqje dhe më ka thënë vetëm lexoje dhe a është ajo çka ti po dëshiron. E kam lexuar tekstin, jam mahnitë qysh një autor i cili është amerikan Richard Kalinowski ka ditë kaq bukur me shkru për dhimbjen tonë e popullit tonë, por në fakt ai ka shkruar për dhimbjen e popullit të vet sepse ai është armen dhe ka shkruar për gjenocidin e armenëve të shkaktuar nga Turqit në vitin 1920, dhe aq bukur ka shkruar për dhimbjen e tyre sa që i shkon krejt për shtati dhimbjes së popullit tim”.

Ajo ka treguar se idenë e ka mbështetur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, teksa ka thënë se teatri ka nevoj për një shfaqje të tillë. Që gjithçka të duket sa më reale dhe të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme artistike dhe faktike kanë vendosur që kostumet ose veshjet në shfaqje të mos jenë të punuara ashtu siç ndodh në shfaqjet tjera, por të jenë pikërisht veshje të cilat janë dëshmi të luftës së fundit në Kosovë.

“Është interesante, është e ndjeshme, është besa edhe e dhimbshme, e guximshme. Ideja ime ka qenë që të futim copa lufte brenda nesh. Unë e kam një dajë të vrarë në luftë dhe gjyshja ime i ka rrobat e tij të cilat shpesh i shpalos edhe bash në kohën kur ka ra ai gjyshja në atë kohë atë ditë vere i shpalos dhe i vajton ato tesha dhe çmallet me to. Edhe e kam pyet gjyshen, çka nëse këto rroba unë i marrë dhe krijoj diçka me to dhe ajo më ka thënë ‘merri dhe vetëm nëse del rrugës dhe bërtet me të madhe çka i ka ndodh birit tim, kisha pas qef ishte ndie e lumtur se unë dua që bota ta dijë çka i ka ndodh birit tim nuk dua që dhimbja ime me u mbyll në këtë kufer me këto rroba’ edhe ku ajo tha ashtu mu duk sikur krejt njerëzit në Kosovë kanë nevojë dhimbjen e tyre me tregu nëpër botë”, ka thënë Vlora Nikçi.

Ajo ka treguar se në shfaqje e mbanë të veshur një fustan me të cilin një vajzë në Pejë ka përjetuar dhunim nga forcat serbe.

“Kam një kastë të aktorëve shumë të mirë, unë i kam bërë bashkë, e kam marrë atë guximin me i bë bashkë disa aktorë të cilën janë vërtetë fantastik, unë luaj rolin e Setës, Armend Baloku rolin e Aramit burrit të Setës, Florist Bajgora luan rolin e Vinçentit dhe është Armond Morina i cili luan Zotrin, krejt tregimi fillon prej tij. Armondin e kemi edhe regjisor të shfaqjes bashkë me Butrint Pashën. Kemi kostumografe, Valdete Mustafën dhe skenografen Alketa Xhafa”, ka treguar Vlora Nikçi.

“E veçantë e kësaj shfaqje është edhe pjesmarrja e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman. “Vasfije ia kam treguar idenë e shfaqjes dhe vërtetë e ka pa shumë të natyrshme që të jetë pjesë me ne dhe e falënderoj shumë guximin e saj me u fut në mesin artistëve, aktorëve sepse për neve tek e fundit është profesion ajo punë”, u shpreh Nikçi.




Mos e harroni Fatime Sokolin!

Një prej këngëtareve më të mira të muzikës folklorike, Fatime Sokolin nuk duhet ta harrojmë.

E lindur në Margegaj të Shqipërisë, Fatime Sokoli është gruaja që i dha tjetër ngjyrë folklorit shqiptar dhe muzikës burimore shqiptare.

Rreth 30 vite ajo koncertoi brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.

Gjeneratat e reja nuk duhet t’a lejojmë që ta harrojnë emrin dhe punën e Fatime Sokolit.

Fatime Sokoli vdiq më 12 gusht 1987.

https://www.youtube.com/watch?v=ZsNNMs8RV98

Po i sjellim këtu disa prej këngëve më të fuqishme të Fatimes shqiptare, një zë i fuqishëm dhe një grua që i dha plot emocion muzikës shqipe . / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=AnfFxWiYaaQ
https://www.youtube.com/watch?v=YbM0fIKYoFE

Botohet ‘Kanuni i Skanderbegut’

Sapo doli nga nga shtypi “Kanuni i Skanderbegut”. Kanuni ka qenë mbledhë e kodifikue dhe botue nga Imzot Frano Ilia në vitin 1993. Kanuni shoqnohet me nji paraqitje nga Imzot Angelo Massafra Arqipeshkëv metropolitan i Aqipeshkëvisë Shkodër – Pult.

Imzot Angelo Massafra në paraqitjen shkrue për ribotimin e Kanunit shprehet se: 
Tradita e shkrimtarëve katolikë të Veriut e kishte kuptue se për të njohtë identitetin e popullit, ma parë duhet të njohim historinë e tij. Ketë projekt të mirëfilltë kulturor e shpjegon ma së miri Atë Pal Dodaj në ditarin e tij. Shkruen Françeskani i njohun Atë Pal Dodaj:

“Për mue, detyra ma e saktë e atij që merret me literaturën në Shqipni, do t’ishte mos me u shkëputë – sa ma shumë t’i jetë e mujtun – nga shpirti i popullit dhe me iu përmbajtë formave popullore, tue fisnikërue, por pa i shtrembnue. Kjo do të bahet sa herë do të kërkohet nga njena anë të depërtohet e të zbulohen mendime, ndjenja që karakterizojnë popullin tonë; e nga ana tjetër, mos me u largue nga mënyrat e elokuencës popullore. Vetëm kështu, simbas mendimit tem, do të mund të përmbushet dalëngadalë evolucioni ynë letrar në rrugë progresive. Në rast se veprohet ndryshe, procesi ka për t’u krye me hope, me rrezikun që breznitë e ardhshme kanë për t’u shtrëngue me ba hapa mbrapa”. (Atë Pal Dodaj, Discorsi che scorrono, në: Hylli i Dritës, (1993) nr. 4, f. 114).

Dhe çdo veper e klerikeve dhe ne veçanti e Françeskaneve asht kontribut substancial i identitetit te popullit shqiptar.

Digjem nga malli për bukën e nënës sime, për kafenë e nënës sime

Mahmud DERVISH

Digjem nga malli për bukën e nënës sime
Për kafenë e nënës sime
Për përkëdheljen e saj…
Edhe kujtimet e fëmijërisë, rriten
Ditë pas dite
E dua jetën time, sepse
Nëse vdes,
Më vjen turp për lotët e nënës sime!
Më bëj mua, nëse një ditë kthehem,
Shall për qerpikët e tu
E eshtrat e mia, me barë mi mbulo
Që të bekohen nga gjurmët tuaja të pastra
Lidhmë fort…
Me një tufë të flokëve tuaj..
Me një fije që ndjek fundin e rrobës tënde..
E ndoshta do të bëhem i pavdekshëm.
I pavdekshëm bëhem…
Nëse do të prek thellësinë e zemrës tënde!
Më lër, nëse unë do të kthehem
Të bëhem dru për zjarrin tënd…
Të jem litar i rrobave mbi çatinë e shtëpisë
Sepse unë nuk mund të qëndroj në këmbë
Pa bekimin dhe lutjet tuaja,
Unë jam i vjetër
Mi kthe yjet e fëmijërisë
Që t`ju bëj shoqëri, të vegjëlve të dallëndysheve
Në rrugën e kthimit… drejt folesë tënde të pritjes!

/Orientalizmi Shqiptar/

Marrë nga libri me poezi “I dashuruar nga Palestina” – عاشق من فلسطين – (Poezi 1966)

Ylfete Fanaj u zgjodh nënkryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit

“Sapo u zgjodha nënkryetare e Parlamentit Kantonal. Gëzohem shumë!”. Me këto fjalë i është drejtuar sot opinionit politikania me rrënjë shqiptare e Partisë Socialdemokrate, Ylfete Fanaj nga Kantini i Lucernit, në një postim të bërë në facebook.

Albinfo.ch ka njoftuar kohë më parë për zgjedhjen e pritshme të saj në këtë post, pas propozimit nga partia e saj, grupin parlamentar të të cilës e kryeson prej më shumë se një viti në Parlamentin e Kantonit.

Fanaj është zgjedhur në këtë post me 91 vota nga 120 deputetë sa i ka parlamenti i Kantonit. Kryetar është zgjedhur deputeti nga CVP-ja, Josef Wyss, për të cilin kanë votuar 90 deputetë.

Sipas radhës, ajo në vitin 2020 pritet të zgjidhet kryetare e këtij parlamenti, dhe me këtë, të bëhet politikania numër një e Kantonit të Lucernit.

Me zgjedhjen e saj nënkryetare e Parlamentit, Ylefete Fanaj ka realizuar arritjen deri tani më të madhe të ndonjë shqiptari në politikën e Zvicrës, shkruan albinfo.ch. Edhe si kryetare e Grupit Parlamentar dhe si deputete kantonale e zgjedhur disa herë, politikanja e njohur e lindur në rrethinën e Prizrenit ishte prej kohësh një emër me peshë në poilitkën e kantonit të saj dhe më gjerë.

Ylfete Fanaj është kandiduar po ashtu edhe për zgjedhjet paralmentare në nivel nacional, të cilat mbahen në tetpr të këtij viti, shkruan albinfo.ch. Nisur nga emri që gëzon dhe nga postet të cilat i ka ushtruar deri më tash, asaj i parashikohen shanse të mira për u zgjedhur në mesin e ligjvënësve të Zvicrës. / Albinfo.ch


Pushkini dhe letërsia islamo-arabe

Mendimi dhe poezia arabe janë vlerësuar lart nga Pushkini, poeti më i madh rus i shekullit të 19-të, një ndjenjë e cila mbartet qartë në shumë nga veprat e tij. Kjo vëmendje iu përgjigj shumë autorëve arabë, të cilët e vlerësonin jashtëzakonisht shumë veprën e tij, dhe, këtu vlen të përmenden disa aspekte të kësaj lidhjeje të ndërsjellë.

Oborri rus u përpoq më kot të fitonte simpatinë e poetit me anë postesh e parash, ndërsa në të njëjtën kohë urrejtja e carit për Pushkinin rritej gjithnjë e më shumë. As kërcënimet nga ana e autoriteteve nuk ndihmuan për gjunjëzimin e ideve të tij e kështu cari vendosi dërgimin e Pushkinit në Siberi, në mënyrë që ta çonte drejt vdekjes së sigurt.

Por dy profesorë letërsie, Gokovski dhe Karamsin, ia arritën ta ndikonin e bindnin carin dhe pas kësaj dënimi fillestar u zbut disi e Pushkini u internua ne Rusinë jugore. Ai e la kryeqytetin St. Petersburg më 6 maj 1820. Deri në atë kohë Pushkini ishte i ndikuar deri në një farë shkalle nga zhvillimet romantike. Eksperiencat e tij me shtypjen dhe përndjekjen e nxitën atë të ndryshonte disa nga këndvështrimet e tij në çështjet shpirtërore dhe sociale. Si pjesë e këtij procesi ai filloi të studionte shumë nga burimet e vjetra të trashëgimisë së njerëzimit, me shpresë për të gjetur rrugën e shpëtimit nga kriza e tij shpirtërore. Në këto momente kritike të jetës së tij të cilat arritën kulmin në kthesën e tij në realizëm, ai filloi të lexonte një përkthim të Kuranit nga frëngjishtja. Vetëm pak kohë më pas, në vjeshtën e vitit 1824, ai shkroi vjershën epike “Një imitim i Kuranit”.

Prejardhja e krishtere e Pushkinit, feja dhe edukimi i tij tregonin se ai kishte pikëpamje të kundërta me Islamin, por që gjithsesi ishin pak, krahasuar me të përbashkëtat. Përveç kësaj ai e nderonte dhe respektonte Profetin dhe po ashtu kishte një dashuri të madhe për civilizimin islam e botën arabe.

Në fakt “Një imitim i Kuranit” nuk është aspak një përpjekje për të kopjuar Kuranin ose të arrinte diç të ngjashme. Më tepër kjo është një ndërmarrje për t’i bërë të afërt bashkatdhetarëve të tij rusë disa nga mesazhet më të rëndësishme e eminente që përmendeshin në shpalljen e Allahut. E Pushkini ia arriti kësaj me një poezi të thjeshtë, por kuptimplote.

Rusishtja e kohës së tij ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe e shumëtrajtshme, por ai me gjeninë e vet e trajtësoi dhe e bëri më të prekshme për lexuesit e tij. Për këtë arsye Pushkini veç poet, kujtohet sot edhe si themeluesi i rusishtes letrare moderne. Kjo e nxiti poetin të përzgjidhte tema nga përkthimi i Kuranit dhe t’ia recitonte si lirikë publikut të gjerë. E kështu do të ishte më e lehtë të kuptohej e të përfitohej nga Libri i Shenjtë i myslimanëve. Në këtë radhë vjershash, qëllimi i Pushkinit ishte të prezantonte një pamje të saktë të Kuranit, të të dërguarit të Allahut dhe hollësirave të civilizimit arab. Përveç kësaj, ai donte të tregonte se deri në ç’pikë arrinte të prekte e të ndikonte emocionalisht dhe intelektualisht dëgjuesit e lexuesit.

Fillimi i poezisë së mëposhtme me shumë gjasa është ndikuar nga leximi i sures El-Fexhr (Agimi):

Pasha agimin,
Dhe dhjete netët,
Dhe çiftin dhe tekun,
Dhe natën kur shkon

Ndërsa poezia e Pushkinit fillon e tillë:

Betohem në çiftin                   
Edhe në tekun
Betohem në shpatën
Dhe në luftën e drejtë
Betohem në yllin e mëngjesit
Betohem në lutjen e mbrëmjes…

Fjala “profet” shfaqet në ato raste kur flitet për besim dhe besnikëri, të cilat i japin njeriut forcë dhe kurajë. Për shembull:

Qëndro, o ti q, trembesh
Se nga skuta jote vezullon
Llamba e shenjtë deri në agim
Mendime të errëta… ëndrra mashtruese zhduken
Për fisnikërinë e profetit të lutjes së thellë 
Qëndro pra i përulur në falje deri në ag
Dhe këndo Librin e Shenjtë deri në mëngjes.

Profeti Muhamed përmendet në shumë vende me respekt dhe vëmendje:

I Gjithëmëshirshmi i shpalli Muhamedit dritën e Kuranit
Papërballueshëm do të lidhemi pas dritës
Dhe mjegulla kthjellohet nga vështrimet tona.

Pushkini ishte i pasionuar pas historive arabe dhe në një letër të tij drejtuar shokut të ngushtë A. A. Bestushev vëren: “Historitë arabe janë të mrekullueshme”. Në fakt, pasioni i tij i çiltër për kulturën arabe gjen shprehje në poezinë “Një imitim i arabëve”. Aty flet me një dhimbje të madhe dhe atraksion të ëmbël:

O e dashur, o rini e ëmbël
Mos e lër druajtjen të të mposhtë
Se ti je e imja përgjithnjë
Fryn një zjarr i stuhishëm në ne të dy
Teksa jetojmë të njëjtën jetë …..
Si dy bajame në një lëvozhgë 

Alexander Pushkin; painting by Pyotr Konchalovsky, 1932

Në fakt mendimi dhe shpirti i Lindjes jepen po ashtu edhe në poezi të tjera të Pushkinit. Si dëshmi vlen poezia “Profeti” nga e cila është nxjerrë ky ekstrakt:

I torturuar nga etja për dije dhe dritë,
U tërhoqa në shkretëtirën e ngrysur
Kur me gjashtë flatra, papritur,
Në udhëkryq u duk një engjëll.
Me gishta të lehtë,, vështirë për ta besuar,
Preku dy sytë e mi:
Iluminimi takoi sytë e mi,
I tmerruar si një shkabë e njomë

Fundi i poezisë tingëllon i tillë:

Ma ka copëtuar gjoksin me goditje të shkurtra
Falë shpatës së ftohtë
Pastaj zëvendësoi zemrën time që dridhej
Me historitë plot zjarr, të njëjta me flakën).
Një kufomë – vendosa në shkretëtirë
Kur zëri i Zotit më çliroi:
Çohu, Profet, dhe shiko, dhe dëgjo
Le të rritet njohja jote për mua
Kapërce vende dhe dete,
Fjala jote le t’i ndezë zemrat

Hulumtimet rreth poezisë së Pushkinit zbulojnë se shumë prej tyre si p.sh. “Talismani” apo “Vajzës nga Kalmishi” (Kalmishi është një popull në Kaukaz) i thanë po Islamit dhe myslimanëve. Po ashtu ai flet edhe për Palestinën dhe Eufrati përmendet si në “Hafizit” (një fushë në Eufrat) ashtu edhe te “Doni”.

Shumë nga lirikat e tij janë të pasura me ndjenja e përfytyrime qartësisht myslimane.

Për më tepër ai përdorte edhe emra myslimanë si në poezinë e shkurtër të shkruar në 1836:

“Një mbrëmje Leila më refuzoi
pa dyshim
i thashë asaj:
“Ndal! Ku shkon?”
Nën protestë ajo përgjigjet:
Koka jote u bë gri
Me sarkazëm ia ktheva:
“Çdo gjë e ka një fund!
Kjo aromë e fortë
Është vetëm kamfur
Laila qeshi me zërin tim që dridhej
Dhe tha: “Ti vetë e di
Që aroma e ëmbël është për dashnorët e rinj
Dhe kamfuri për vdekje përdoret.

A.A. Slonimsky në librin e tij “Mjeshtëria artistike e Pushkinit” shkroi: Poezia e Pushkinit “Një imitim i Kuranit” në fakt nuk është një imitim i Kuranit edhe pse në pjesën më të madhe përmbajtja e saj është marrë nga Libri i Shenjtë arabisht. Ngjyrosja impresionuese arabe është e domosdoshme për një shprehje komplete krahasuese të shpirtit të forcës dhe energjisë, e shprehur qartë kjo në poezitë e tij “19 Tetori” 1825 dhe “Profeti” me 1826. Këto poezi, veçanërisht “Një imitim i Kuranit” shkaktuan trazira në rrethin letrar të kohës së tij. Autorët si Anenkov tek kjo poezi shihnin kryesisht një shprehje të gjendjes psikologjike të Pushkinit, ndërsa të tjerët si Belinski dhe Dostojevski pranuan se ai është përpjekur të përshkruajë aspekte ngulmuese të Kuranit; pavarësisht nga fakti se kjo ishte apo jo interesi i tij nga pikëpamja fetare kulturore historike apo natyra gjuhësore. Edhe sot ekzistojnë dallime të forta midis shkencëtarëve ruse në gjykimin rreth kësaj poezie.

Nuk ka dyshim se Pushkini kishte lexuar mbi mendimin dhe kulturën e myslimanëve dhe këto lexime e kishin ndikuar shumë.

Në mënyrë të natyrshme atë e ndikuan edhe poezia franceze, dhe, më vonë në veprat e tij shfaqen papritur ndikimet gjermane dhe angleze. Ky rend burimesh letrare e bënë Pushkinin ta çonte poezinë ruse në një rrugë të veçantë, të cilën e pasuan edhe figura të tilla si Turgenjevi, Dostojevski, Çehovi dhe Gorki.

Po ashtu edhe një studim i letërsisë arabe të kohës dëshmon se ajo përfshin gjurmë të qarta të Pushkinit.

Në vitin 1880, arabët u njohën mirë me veprën e Pushkinit të cilat u përgatitën ose nga përkthimet franceze apo angleze, ose nga përkthimet direkte të bëra nga studentët (e krishterë) ne shkollën teologjike ruso-palestineze (e themeluar në vitin 1882).

Më së shumti u përkthyen tekste prozash ruse në arabishte, meqenëse lirika ruse ishte shumë e vështirë për t’u përkthyer. Përkthimi i parë arab i Pushkinit ishte novela e tij “Bija e Kapitenit”. Që prej kësaj novele emri i Pushkinit përmendej rregullisht në publikimet letrare arabe. Në vitin 1945 në Shtëpinë botuese të Kajros “Dar al Maarif” u botua një libër me titull “Pushkini, princi i poezisë ruse” i Naxhati Sidki.

Mikh’ail Na’ima, një figurë e njohur e letërsisë arabe të asaj kohe, i shkroi autorit në një letër, e cila iu bashkangjit librit: “Gëzohem shumë që ke marrë përsipër atë detyrë që duhet ta kisha bërë unë për shkak të lidhjeve të mia të forta me poezinë ruse. Do të dëshiroja të kisha përkthyer disa prej tyre në gjuhën tonë, në mënyrë që folësit e tyre t’i gëzoheshin sadopak”.

Mikh’ail Na’ima ishte nga të parët arabë që studioi në Rusinë cariste dhe e lexoi shumë letërsinë ruse, ashtu siç e përshkruan edhe në librin e tij “Shtatëdhjetë”. Në letrën e tij drejtuar Sidkit ai vëren: “Fakti që e njeh rusishten mirë, ia rrit vlerat punës tënde, meqenëse e ke mundur ta marrësh dijen nga burime origjinale”. Edhe Sidki kishte studiuar në Universitetin e Moskës. Në parathënien e librit të tij Sidki flet për rolin dhe rëndësinë e Pushkinit ne historinë e poezisë ruse: “Pushkini ishte për rusët si al Mutennebi për arabët, si Shekspiri për anglezët, si Dante për italianët, si Goethe për gjermanët. Ai ishte një nga të paktat dhurata të kohës së tij dhe megjithëse vdiq në moshën 37 vjeçare, ai ishte një shkrimtar krijues (prodhimtar), i cili la shumë përmendore në poezi dhe letërsi, aq sa lexuesit e tij mund të kujtojnë se ai kishte jetuar gjatë”.

Naxhati Sidki i referohet efekteve të ndikimeve franceze dhe angleze, megjithëse ai mbetet rus në shpirt dhe karakter.

Ai u formua në atmosferë islame, të cilën e gjeti gjatë vizitave në Krime dhe Kaukaz dhe po ashtu edhe eksperiencat që e frymëzuan në shumë nga poezitë e tij të mëvonshme. Si rezultat i bisedimeve të dështuara ndërmjet radikalëve dhe carëve qeverisës, Pushkinin e kaploi një gjendje shpirtërore pesimiste dhe e ndjeu veten të veçuar nga shoqëria. E në këtë kontekst provoi një ndarje të poezisë dhe jetës, ndërmjet artit dhe shoqërores. Megjithatë ai nuk harroi kurrë se shkruante për njerëzit dhe prandaj vepra e tij duhet të përçonte saktësi, thjeshtësi dhe qartësi.

Sidki e shoqëroi veprën e tij me përkthimin e “Profetit” dhe të “Talismanit”, që mbanin aromën e Lindjes me ngrohtësinë dhe magjinë e saj.

Nga të gjitha punimet arabe mbi Pushkinin, libri i Sidkit është shumë i rëndësishëm, sepse nga njëra anë ishte i pari që trajtoi këtë temë dhe nga ana tjetër autori kishte mundësi të përdorte material origjinal. Në punën e tij ai ishte objektiv e i lirë nga çdo kritikë perëndimore dhe transmetonte pranimin dhe dashurinë për Pushkinin. Profesor Ali Adham në librin e tij “Njerëz nga historia: nga Sokrati deri te Rasputini” përfshin edhe një kapitull në lidhje me poezitë e Pushkinit. Gjatë punës së tij, ndërsa përkthente Pushkinin, vërente njëkohësisht se: “Ai është më i vështiri për t’u përkthyer nga të gjithë poetët rusë”. Prof. Adhami e pëlqente poezinë e tij sepse kishte një stil tepër të thjeshtë e për këtë arsye ndoshta i vështirë për t’u riprodhuar. Çdo përkthyes, pavarësisht nga aftësitë e tij, do të lëkundet e tundohet para se të përpiqet për një ndërmarrje të tillë. Prandaj pak nga poezitë e tij janë përkthyer në arabisht, ndërkohë që më së shumti është botuar vepra e tij në prozë. Adhami duke trajtuar cilësitë tipike të poezisë së Pushkinit dhe karakterin e tij shkruan ndër të tjera: “Lirika e Pushkinit dallohet qartë për thjeshtësinë magjepsëse, elegancën dhe shqetësimin e tij ekstrem për formën poetike. Vetë ai ishte një njeri plote entuziazëm, vuajtje e dinjitet. Në fakt motivet e poezisë së tij, të qarta e të sakta, del në pah shkalla e vuajtjeve dhe e forcës”.

Një libër i botuar kohët e fundit mbi letërsinë ruse është edhe “Hyrje në poezinë ruse të shekullit të 20” e dr. Hajat Sharara dhe dr. Muhamed Junis. Edhe ky libër hedh vështrimin e tij në poezinë e Pushkinit arrin në përcaktimin e atyre rrugëve, të cilave Pushkini dhe njerëzit e kohës së tij, si pjesë e shoqërisë, i shmangeshin.

Në këtë artikull synohet pak a shumë të përdoren veprat e para krijuese të Pushkinit si bazë për hulumtimin e sfondeve jetësore të jetës së tij në kohën kur jetoi. Kritika letrare perëndimore vendos në qendër jetën private të autorit. Aspekti krijues kalon në vend të dytë në punën e tyre dhe ky është një dallim në metodën e këtyre dy mënyrave të të menduarit.

Përktheu: Loela XHAFA

Marrë nga faqja: http://www.dritaislame.al/pushkini-dhe-letersia-myslimano-arabe/

Ana e errët e Perandorisë Osmane

Sulltanët e hershëm osmanë nuk e praktikonin zakonin ku djali i madh trashëgon gjithçka. Si rezultat, vëllezërit e ndryshëm pretendonin fronin. Perandoria u mbush me pretendues, të cilët gjenin strehë në shtete armike dhe i shkaktonin probleme perandorisë për vite me radhë…

Kur Mehmed Pushtuesi rrethoi Kostandinopojën, xhaxhai i tij luftoi kundër tij që nga muret. Mehmedi e zgjidhi problemin me mizorinë e tij të zakonshme. Kur mori fronin, e ekzekutoi pjesën më të madhe të të afërmve meshkuj, duke përfshirë edhe një vëlla foshnjë që e mbyti në djep. Më pas, nxori ligjin famëkeq: “Cilido prej bijve të mi që do të marrë Sulltanatin, për hir të rregullit të botës, do të vrasë vëllezërit e tij. Shumica e Ulemave e lejojnë këtë. Pra, le të veprojë në këtë mënyrë”.

Nga kjo pikë e tutje, çdo sulltani i ri duhej ta merrte fronin duke vrarë të gjithë të afërmit e tij meshkuj.

Kështu, Mehmedi III shkuli mjekrën e tij nga hidhërimi, kur vëllai më i vogël iu lut për mëshirë. Por, ai “nuk iu përgjigj kurrë as edhe me një fjalë”, dhe djali u ekzekutua së bashku me 18 vëllezër të tjerë. Pamja e 19 trupave të tyre që vërtiteshin rrugëve, bëri të qajë gjithë Stambollin.

Por, edhe pas raundit të parë të vrasjeve, të afërmit e sulltanit nuk ishin të sigurt. Sulejmani i Madhërishëm shikonte në heshtje nga prapa një dritareje si djali i tij mbytej me një tel harku, pasi djali ishte bërë shumë popullor mes ushtrisë dhe sulltani nuk ndihej i sigurt.

Edhe për sulltanin, jeta në Topkapi mund të ishte mbytëse deri në ekstrem. Konsiderohej e pahijshme për sulltanin që të fliste shumë, kështu që u fut një formë e gjuhës së shenjave dhe sundimtari e kalonte shumicën e kohës i rrethuar nga një heshtje e plotë.

Mustafai I e pa të pamundur ta duronte këtë dhe u përpoq që ta ndalojë, por veziri i tij refuzoi ta lejojë. Mustafai shumë shpejt u çmend.

Intrigat në pallat ishin të zakonshme, teksa vezirët, oborrtarët, eunukët luftonin për pushtet. Për 130 vjet gratë e haremit fituan një ndikim të madh dhe periudha u bë e njohur si “sulltanati i grave.”

Dragomani (Kryepërkthyesi) ishte gjithmonë i pushtetshëm dhe gjithmonë ishte grek.

Eunukët ndaheshin përgjatë linjave racore, dhe krye-eunuku i zi dhe krye-eunuku i bardhë ishin rivalë. I zënë shpesh në mes të kësaj çmendurie, sulltani ndiqej kudo ku shkonte.

Ahmeti III i shkroi vezirit të tij të madh, duke u ankuar: “Nëse unë shkoj në një nga dhomat, 40 vetë janë vënë rresht; nëse më duhet të vesh pantallonat, nuk ndihem aspak rehat. Shpata-mbajtësi duhet t’i lërë të largohen. Mbani vetëm tre apo katër burra që të jem rehat”.

Politika e vëllavrasjes në Perandorinë Osmane nuk ishte popullore mes publikut apo klerit, dhe ajo u braktis në heshtje kur Ahmedi I vdiq papritmas në vitin 1617. Në vend të kësaj, trashëgimtarët e mundshëm për fronin u mbyllën në Pallatin Topkapi në Stamboll, në apartamente që njiheshin si kafazet. Një princ i Perandorisë Osmane mund të kalonte tërë jetën e tij i burgosur në kafaz, i monitoruar vazhdimisht nga rojet. Burgimi ishte zakonisht luksoz, por i zbatuar në mënyrë rigoroze, dhe shumë princa u çmendën nga mërzia ose u bënë të varur nga alkooli.

Kur një sulltan i ri shkonte në Portën e Lumturisë për të marrë besnikërinë e vezirëve, kjo mund të ishte hera e parë që dilte jashtë, pas disa dekadash, gjë e cila nuk ishte përgatitja ideale për një sundimtar.

Kërcënimi i ekzekutimit ishte konstant. Në vitin 1621, Myftiu i Madh refuzoi të lejojë Osmanin II që të mbyste vëllain e tij. Por, kryegjykatësi i Ballkanit nxitoi për të dhënë një kundëropinion dhe princi u mbyt gjithsesi. Vet Osmani u përmbys më pas nga ushtria, të cilës iu desh që të nxjerrë vëllain e tij të mbijetuar nga kafazi, duke hequr çatinë dhe duke e ngritur me një litar. I gjori kishte ndejtur dy ditë pa ushqim apo ujë dhe ishte shumë vonë për të qenë i vetëdijshëm se ishte bërë sulltan.

Gjykata e parë e Pallatit Topkapi ishte një vend i tmerrshëm. Aty spikasnin dy shtylla ku ekspozoheshin kokat e prera dhe një burim i veçantë vetëm për ekzekutuesit, që të lanin duart.

Gjatë spastrimeve periodike në pallat, gjuhët e njerëzve bëheshin pirg, ndërsa një top i veçantë ushtonte çdo herë që një trup hidhej në det. Osmanët as nuk e morën mundimin që të krijonin një trupë xhelatësh. Në vend të kësaj, kjo detyrë u ra kopshtarëve të pallatit, të cilët e ndanin kohën e tyre mes vrasjeve dhe krijimit të shumë prej luleve të bukura që ne njohim sot.

Shumicës së viktimave të tyre, thjeshtë u pritej koka. Por, ishte e ndaluar që të derdhej gjaku i familjes mbretërore dhe zyrtarëve të nivelit të lartë, kështu që ata mbyteshin derisa jepnin shpirt.

Si rezultat, kryekopshtari ishte gjithmonë një njeri trupmadh, muskuloz, i aftë për të mbytur një vezir për vdekje me të marrë njoftimin.

Në ditët e para të qeverisjes, zyrtarët e sulltanit të ri krenoheshin me bindjen e tyre ndaj tekave të tij dhe ishte e zakonshme që ata të përballeshin qetë-qetë me ekzekutimin.

Veziri i famshëm, Kara Mustafai, ishte shumë i respektuar për shkak se e përshëndeti ekzekutuesin e tij me një “Ashtu qoftë!” të përulur. Më pas, u ul në gjunjë që ai t’i vendoste telin përreth qafës.

Por, në vitet e mëvonshme, standardet ranë. Ali Pashën, i cili luftoi aq shumë kundër njerëzve të Sulltanit, e vranë me plumba nga poshtë dyshemesë së shtëpisë së tij.

Në Perandorinë osmane, kishte një mënyrë për një zyrtar besnik, që t’i shpëtonte zemërimit të sulltanit. Duke filluar në fund të shekullit të XVIII-të, u bë zakon që një vezir i madh i dënuar, mund t’i shpëtonte fatit tragjik, duke mundur një kopshtar në një garë nëpër kopshtet e pallatit.

Zyrtari thirrej në një takim me krye-kopshtarin dhe pas shkëmbimit të përshëndetjeve, vezirit do t’i dorëzohej një gotë sherbet e mbuluar me akull. Në qoftë se ajo ishte e bardhë, sulltani i kishte ofruar atij edhe një shans. Në qoftë se ajo ishte e kuqe, ai do të ekzekutohej. Sapo shihte sherbetin, veziri duhej të niste vrapin me sprint.

Ai vraponte nëpër kopshtet e pallatit, nëpër hijet e selvive dhe rreshtave me tulipanë, i ndjekur nga sytë e fshehur prapa portave dhe dritareve të haremit. Gara përfundonte tek Porta e Tregut të Peshkut në anën tjetër të pallatit. Nëse veziri mbërrinte tek porta përpara kryekopshtarit, ai thjeshtë dërgohej në mërgim dhe nuk vritej.

Por, kryekopshtari ishte më i ri dhe më i fortë, dhe zakonisht ndodhte që ai e priste me litarin e tij të mëndafshtë. Kështu që, shumë pak vezirë ia dolën, duke përfshirë Haxhi Sali Pashën, veziri i fundit që u përball me garën e vdekjes. Ai u përgëzua dhe më pas u bë guvernator province.

Pavarësisht se teorikisht ishin të dytët pas sulltanit, vezirët e mëdhenj zakonisht ekzekutoheshin ose i hidheshin turmës kur diçka shkonte keq. Nga kjo ka ardhur shprehja “kokë turku”.

Sulltan Selimi ndryshoi aq shumë vezirë të mëdhenj, saqë filloi të mbajë një ditar.

Vezirëve u duhej gjithashtu që të qetësonin popullin e Stambollit, të cilët ishin të prirur të marshonin në pallat dhe të kërkonin ekzekutime, sa herë që diçka shkonte keq. Një vizitor britanik i shekullit të XVIII-të vërente se “kur një ministër këtu nuk u pëlqen njerëzve, brenda tre orësh ai hiqet zvarrë dhe i presin krahët, kokën dhe këmbët”.

Njerëzit nuk kishin frikë të sulmonin pallatin nëse kërkesat e tyre nuk plotësoheshin. Në vitin 1730, një ushtar i rreckosur me emrin Patrona Ali udhëhoqi një turmë që hyri në pallat dhe mori kontrollin e perandorisë për disa muaj.

Ai u qëllua për vdekje, pasi u përpoq që të bënte sundimtar të Vllahisë, një kasap të cilit i kishte para borxh.

Haremi Perandorak përbëhej nga deri 2000 gra, shumica prej të cilave të blera apo rrëmbyera si skllave, që shërbenin si gra apo konkubina të Sulltanit. Ata mbaheshin të mbyllura, dhe nëse një burrë u hidhte sytë, kjo ishte vdekja e tij.

Vetë Haremi ruhej dhe drejtohej nga Kryeeunuku i Zi, i cili me kalimin e kohës e shndërroi pozicionin e tij në një prej forcave më të pushtetshme të Perandorisë.

Ka pak informacion për ngjarjet brenda mureve. Thuhet se aty ka patur kaq shumë konkubina, saqë disa prej tyre as nuk arrinin ndonjëherë ta shihnin Sulltanin. Të tjera ia dilnin të fitonin edhe ndikim në drejtimin e punëve të Perandorisë.

Sulejmani i Madhërishëm ra çmendurisht në dashuri me një polake të quajtur Rokselana, u martua me të, dhe e bëri kryekëshilltare. Ndikimi i Rokselanës ishte kaq i madh, saqë një Vezir i Madh dërgoi piratin Barbarosa në një mision të dëshpëruar, për të rrëmbyer bukurinë italiane Giulia Gonzaga, me besimin se vetëm ajo do të mund t’i afrohej sharmit të Rokselanës. Plani u zbulua nga një italian i guximshëm, i cili hyri në shtëpinë e Giulias dhe e mori me kalë, përpara se të vinin piratët.

Pasi e falënderoi që e shpëtoi, Giulia thuhet se kërkoi që ai të vritej, për shkak se e kishte parë me këmishë nate.

Ky veprim e bëri të fitojë admirimin e gjithë Italisë.

Ish-konkubina Kosem arriti edhe më shumë ndikim se sa Rokselana. Me kalimin e kohës ajo udhëhoqi perandorinë në emër të birit apo nipit. Derisa ndeshi në nusen e saj, Turhan, e cila urdhëroi që vjehrra të mbytej me një perde, përpara se t’i merrte vendin.

Një nga karakteristikat më famëkeqe të sundimit të hershëm osman ishte devsirmeja (“thirrja”), një haraç që paguhej me djem të rinj nga shtete të krishterë të Perandorisë. Shumica e djemve regjistroheshin në Korpusin e Jeniçerëve, ushtria e skllevërve-ushtarë që ishin në ballë të pushtimeve osmane.

Haraçi kërkohej jo rregullisht, por në varësi të nevojave që mund të kishte për fuqi punëtore dhe në shënjestër ishin djem të moshës 12-14 vjeç, kryesisht nga Ballkani.

Zyrtarët osmanë mblidhnin të gjithë djemtë në fshat dhe kontrollonin emrat e tyre me regjistrat e pagëzimit nga kishat vendase. Ata pastaj zgjidhnin më të fortët. Djemtë më pas grupoheshin dhe marshonin për në Stamboll, teksa më të dobëtit vdisnin rrugës.

Osmanët prodhonin një përshkrim të detajuar të çdo djali, në mënyrë që ata të gjurmoheshin, nëse arratiseshin.

Në Stamboll djemtë bëheshin synet dhe konvertoheshin me forcë në Islam. Më të pashmit apo inteligjentët dërgoheshin në pallat, ku trajnoheshin për t’u bashkuar me elitën perandorake. Këta djem mund të aspironin për të arritur gradat më të larta dhe shumë u bënë pashallarë ose vezirë.

Pjesa tjetër e djemve u bashkoheshin jeniçerëve. Së pari, ata dërgoheshin për të punuar në një fermë për tetë vjet, ku mësonin turqisht dhe bëheshin më të fortë. Në të njëzetat bëheshin formalisht jeniçerë, ushtarë elitarë të perandorisë dhe i nënshtroheshin disiplinës së hekurt dhe indoktrinimit.

Ka pasur përjashtime për haraçet. Ishte e ndaluar për të marrë fëmijën e vetëm të një familje, apo bijtë e atyre të cilët kishin shërbyer më parë në ushtri. Sistemi i haraçit mori fund në fillim të shekullit të XVIII.

Ledri Vula intervistë për gazetën ’20 minuten’, flet për “Alba Festival” dhe dashurinë për Zvicrën

Këngëtari Ledri Vula është një super yll në Kosovë dhe në fund të muajit qershor do të jetë në “Alba Festival” në Cyrih, e nis artikullin e saj gazeta zvicerane 20 minuten.

Në një intervistë për 20 minuten, ai ka folur për dashurinë e tij për Zvicrën, skandalin e Loredanës dhe festivalin në të cilin pritet të performojë.

Mbi 1.3 milion ndjekës në Instagram dhe mbi 100 milionë shikime në YouTube: Në Kosovë, Ledri Vula (32 vjeç) është një nga yjet e mëdhenj dhe hitet e tij janë të njohura edhe në Zvicër.

“Sot kam ardhur në Cyrih, unë vij shpesh këtu dhe në vendet e tjera përreth , më pëlqen qyteti më pëlqen ushqimi dhe vij sa herë që më vjen mundësia të vij. Unë jam i njohur në vendin tim, por kohëve të fundit muzika nuk njeh kufij dhe ka depërtuar edhe në Evropë, po më vjen mirë që edhe njerëzit e tjerë ma njohin muzikën”, ka thënë Vula.

“Ka shumë shqiptarë që kanë depërtuar në botë, lufta na ka bërë të ikim prej vendit, ka shumë shqiptarë në botë, shqiptarët janë njerëz të shoqërueshëm, kanë dëshirë ta tregojnë kulturën e vet. Ne jemi të uritur të na shohë bota që edhe ne jemi talentë, kemi nevojë të na shohë bota ashtu qysh e meritojmë”, vazhdon më tej reperi.

Ndërkaq, më 29 qershor, Vula do të performojë në “Alba Festival” në Cyrih. “Ndihem si në shtëpi në Zvicër, kur kemi qenë të vegjël nuk e kam menduar se do të vij ndonjëherë në Cyrih, kurse tani të vij dhe të këndoj në një festival kaq të madh është sikur realizimi i një ëndrre”, ka thënë Vula në intervistën e dhënë për 20 minuten/Telegrafi/

Në Vushtrri përurohet shtatorja e Hasan Prishtinës

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë në sheshin e qytetit është inauguruar shtatorja e Hasan Prishtinës.

Po ashtu, komuna i ka vendosur sheshit kryesor emrin e atdhetarit Hasan Prishtina.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, tha se në Ditën e Çlirimit, Vushtrrisë po i kthehet biri i saj në bronz.

“Ky shesh përjetësisht do të mbajë me krenari emrin dhe shtatoren e heroit Hasan Prishtina. Fëmijë, ta dini që puna dhe vepra e heroit e bëri atë të pavdekshëm për popullin shqiptar, prandaj mbajeni në mendje dhe zemrat tuaja atë”.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Sot fillon java e filmit, kushtuar 20 vjetorit të çlirimit

Sot do të fillojë java e filmit, një event që do të bëhet për nderë të çlirimit të vendit nga okopatori serb.

Ky event do të fillojë me filmin “Martesa”

Java e Filmit është aktivitet që organizohet nga Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Kjo javë organizohet në kuadër të 20 aktiviteteve të tjera që organizohen nga Komuna e Prishtinës për shënimin e këtij njëzetvjetori.

Java e Filmit do të ndodhë përgjatë javës së tretë të muajit qershor në Kino Armatë. Filmdashësit do të kenë mundësi të shikojnë filma të ndryshëm të prodhuar në Kosovë. Këta filma në një formë apo tjetrën trajtojnë tematika dhe rrëfejnë storje që lidhen me tranzicionin e shoqërisë kosovare gjatë këtyre viteve. Vitet e 90ta, lufta 98-99’, aspektet sociale e ekonomike, filma të shkurtë, të gjatë dhe dokumentarë na presin në Kino Armata çdo mbrëmje prej 17 deri më 23 qershor.

Prodhimi i filmave që janë në këtë program (përveç filmit “A Normal Life” që është realizuar në 2003) është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Pas shfaqjes së filmave do të keni mundësi të bashkëbisedoni me personat që kanë qenë pjesë e ekipeve realizuese të filmave.

Hyrja është falas.

Filmi “Fusha e mëllenjave” premierë kombëtare në natën e hapjes së PriFest

Filmi debutues i regjisores Arzana Kraja “Fusha e mëllenjave” do të jetë filmi që do të shënojë hapjen zyrtare të edicionit të 11 të PriFest, në natën solemne të datës 16 korrik në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Shtëpia filmike Circle Production ka vendosur që rrugëtimin e filmit, shfaqjen e parë publike, si premierë kombëtare jashtë programit konkurrues, ta fillojë në Kosovë duke e dhënë atë para publikut kosovar në PriFest.

Vjosa Berisha, kryesuese e festivalit shprehet e kënaqur me faktin se PriFest do të sjell përsëri një prodhim kosovar në natën solemne të hapjes

“Nata e hapjes së festivalit është mbrëmje e veçantë e festës dhe shënon një fillim të një jave përplot aktivitete të industrisë së filmit, premiera filmash nga mbarë bota dhe sjell shumë mysafirë të huaj në kryeqytet, andaj ne na gëzon fakti që këtë mbrëmje mund ta bëjmë edhe më të veçantë kur kemi prodhim vendor për të shfaqur. Fusha e mëllenjave do të shfaqet si projeksion special jashtë konkurrencës zyrtare. Ekipi i filmit me aktorë, regjisorë, producentë dhe anëtarë të tjerë të produksionit do të jenë prezent në natën e hapjes për të prezantuar punën e tyre, dhe kjo i jep edhe vet hapjes së festivalit një karakter më festiv. Filmi do të shfaqet në dy salla njëkohësisht, me distancë kohore prej 45 minutash.” ka shpjeguar Berisha.

Arzana Kraja, regjisore e filmit shprehet e lumtur për faktin që filmi do të prezantohet para publikut vendor:

“Çfarë i ndodh një idealisti të zhgënjyer? Çfarë ndodh kur ai tradhtohet nga njerëzit që u besonte? Filmi është rrugëtim i një idealisti, i cili kthehet pas një kohe të gjatë për të zbuluar të vërtetën, por përfundon edhe më i hutuar. Jam e lumtur që filmi së pari do të shfaqet para audiencës vendore në hapjen e PriFest, pasi që rrëfimi ka të bëjë me historinë e tri dekadave të fundit të Kosovës. Besoj që secili prej tyre do të mund të gjejë diçka edhe nga historia e tyre personale.” ka thënë ajo për këtë film./KultPlus/

“Kala Festival”, 5 mijë turistë nën ritmet e muzikës ndërkombëtare në Rivierën Shqiptare

“Kala Festival” në bregdetin e Dhërmiut gjatë këtyre ditëve ka mirëpritur 5 mijë vizitorë të huaj të cilët po argëtohen nën ritmet e muzikës dhe bukurive që ky vend ofron.

Turistët e huaj gjatë fazë së parë të këtij eventin që organizohet nga data 12-19 qershor po shijojnë gjatë natës ritmet e muzikës së 55 DJ-ve më të mirë ndërkombëtarë, dhe po ekspolorojnë shtigjet dhe bukuritë bregdetare të Rivierës Shqiptare.

“Kala Festival, një nga organizimet e jashtëzakonshme të kësaj vere, që e ka shndërruar Rivierën Shqiptare, në bregdetin e muzikës, rinisë e atmosferës së festës. Mbi 5 mijë turistë po shijojnë jo vetëm skenat e muzikës së 55 DJ-ve më të mirë ndërkombëtarë, por edhe bukurinë e Jonit e mikpritjen turistike shqiptare”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Klosi shprehet se, “muzikë, argëtim, drita e ngjyra në skenat gjigande të improvizuara në bregdetin e jugut, në Kala Festival. Promovim i turizmit, zhvillim i biznesit lokal, marketim i Shqipërisë turistike”.

“Kala Festival” në këtë vit do zhvillohet në dy faza, e para në datat 12-19 qershor dhe faza e dytë 20-25 qershor. /a.a/ /a.g/

Mitrovica mes identiteteve

Në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” 7Arte organizoi diskutimin publik “Mitrovica në mes identiteteve të ndryshme” ku folës kryesor qe politologu Nexhmedin Spahiu.

Pas një retrospektive historike mbi rolin e Mitrovicës dhe zhvillimin e identiteteve nëpër dekada, Z.Spahiu konkludoi se është interes i Kosovës, në radhë të parë i Mitrovicës, që të krijojë lidhje dhe ura me Sanxhakun, sepse kjo do na mundësonte një diversitet shumë më të madh kulturor dhe do krijonte efekte shumë më pozitive edhe për botën e jashtme.

Në anën tjetër, Adem Zhitopotoku, drejtor i Teatrit të qytetit “Muharrem Qena” nxorri një paralele nga identiteti i dikurshëm i Mitrovicës, si qytet i zhvillimeve të mëdha kulturore dhe shprehu shqetësimin e komunitetit të kulturës me çrast theksoi se gjendja e tanishme me hapësirat kulturore në këtë qytet nuk qëndron mirë.dhe se pikërisht tash kur pritet të hartohet Plani Zhvillimor Komunal do duhej të shtrohet kërkesa për krijimin e hapësirave më adekuate për sektorin e artit dhe kulturës.

Në anën tjetër Nora Prekazi Hoti, (Antropologe urbane) u ndal tek zhvillimet e fundit në qytetin e Mitrovicës me theks të veçantë tek investimet kapitale që donator kryesor kanë Bashkësinë Evropiane dhe që ky trend zhvillimesh është duke lënë gjurmë në të dy anët e qytetit, gjë që Mitrovicën do e qonte drejt një identiteti të ri, qytet evropian e i hapur ndaj kulturave të ndryshme, e trendeve të globalizmit. Z.Spahiu, shtoi se Mitrovica për shumë dekada ishte gjenerator i proceseve, ndërsa sot mund të shihet si një qytet problematik, e që po të trajtohej si duhet, ky qytet ka potencialin e duhur për të qenë pikë fokale për gjithë botën.

Ky aktivitet është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit ‘Hapësirat Kulturore të Kosovës’ të implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e 7Arte dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Bebe Rexha ndezë atmosferën me muzikë shqipe

Bebe Rexha gjithmonë e ka vënë në pah lidhjen e saj me traditën shqiptare dhe këtë e ka bërë publike përmes rrjeteve sociale dhe intervistave të ndryshme.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare e pëlqen shumë muzikën shqipe, e në veçanti atë popullore.

Ajo nuk heq dorë nga vallëzimi nën ritmet e muzikës shqiptare dhe e shijon këtë gjë sa herë që i jepet mundësia.

29-vjeçarja i ka publikuar disa video në InstaStory ku shfaqet duke vallëzuar me këngë popullore shqipe.

Ndryshe, Bebe Rexha, emri i vërtetë i të cilës është Bleta, ka lindur në Brooklyn të New Yorkut nga prindër shqiptarë me origjinë nga Maqedonia.

https://www.facebook.com/watch/?v=315555682664888

Filloi konferenca e X e Institutit Albanologjik të Prishtinës

Sot në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës filloi jave e Albanologjisë 17 – 19 qershor, ku u bë përurimi i veprave të IAP-së të botuara në vitin 2018, përurim që përkon me jubileun e pesëdhjetë vjetorit të punës së Institutit Albanologjik, dhe njëzetë vjetorin e Çlirimit të vendit tonë, përcjellë KultPlus.

Tashmë vëllimet shkencore të institutit, që për këto 50 vjet pune janë mbi 600 vëllime, në këtë jave të Albanologjisë do të prezantohen punimet shkencore në fushën e Letërsisë, Lingustikës, Folklorit, Etnografisë dhe Historisë.

Seanca plenare, e konference konferencës së dhjetë (2009 – 2019) të javës së albanologjisë, me panel të përbërë nga Drejtori i Institutit Hysen Matoshi, Leontina Gega – Musa dhe Lulëzim LajÇi e bënë hapjen dhe prezantuan titujt e punës shkencore të vitit 2018, ku në fjalën hapëse z.Hysen Matoshi u shpreh që puna e Institutit të Albanologjisë, me adaptimin e praktikave shumë të sukseshshme  të një aktiviteti shumëdisiplinar albanologjik.

Synimi themelor ka qenë një konferencë që do të japë mundësi për prezantimin e rezultateve shkencore punonjësve të Institutit dhe të institucioneve të tjera albanologjike të vendit dhe rajonit, duke parakumtuar në rend të parë hapsiren etnike shqiptare por edhe kontributet e albanologëve dhe studiuesve të spikatur në radhët e kombeve të tjera.”, u shpreh z. Matoshi në fjalën e tij hapëse.

Kumtesat shkencore të këtyre dhjetë vjetëve kanë qenë nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, folklorit, historia, etnologjia, etnomuzikologjia, arkeologjia, marrëdhëniet ndërkulturore historike të shqiptarëve me të tjerët.

Në tetë edicione janë mbajtur sipas parimeve të sesioneve të veÇanta, për letërsinë, gjuhësinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë, ndërsa dy sosh janë konceptuar si aktivitete unike, konferenca jubilare Shekulli i shtetit shqiptar, kushtuar 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe Skënderbeu dhe epoka e tij mbajtur në vitin e kaluar, për 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Rezultate e shkëmbimeve të përvojave studimore, sjellja e risive shkencore dhe zbatimi i metodave moderne të kërkimeve shkencore dhe prezantimi i tyre, në një kontekst debatimi të gjithëanshëm, me synim botimin e kumtesave, e përcjellë punën e Institutit Albanologjik, ku këtë javë të Albanologjisë prezantohen tetë edicionet e javës, me gjashtëmbëdhjetë vëllimet e punimeve shkencore.

Ndër pjesëmarrës të konferencës shkencore, dallohen edhe studiuesit e njohur të kulturës shqiptare, si Rexhep Qosja, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Jorgji Gjinari, Isa BajÇinca, Agim Vinca, Floresha Dado etj.

Në kuadër të konferencës së sivjetme, do të prezantohen 95 kumtesa, të ndara në pesë sesione të konceptuara nga degët e institutit.

Prezantimin e punimeve shkencore të kësaj konference e bëri Lulëzim LajÇi, ku përmenden vëllimet si, Gjurmimet Albanologjike, tri vëllime (studime shkencore, recensione, kronika dhe kontribute të tjera), Revista për kulturën e gjuhës Gjuha Shqipe, në tre numra, veprat e linguistikës, Fjalori i fjalëve dhe shprehjes së Kosovës, i gjuhëtarit Qemajl Murati, botimi i veprës Shefkije Islamaj, shkrime të saj dhe shkrime për krijimtarinë e saj.

Monografia e autorit Sejdi Gashi, me titull Aerali gjuhësor i Istogut me rrethinë, ishte studimi që u prezantua nga Instituti i Albanologjisë, me interes nga fusha e Gjuhësisë dhe etnografisë, u prezantua gjithashtu edhe Kompetenca komunikuese e nxënësve në Kosovë, e autores Vjosa Osmani.

Në këtë seancë plenare u prezantuan gjithashtu>

Vëllimi fjalë dhe njësi frazeologjike nga rajoni i Llapit – Shpresa Ismajli

Tranzicion dhe transformim – Sali BytyÇi

Kalendari kombiar 1897 – 1928 – kumtesat të lexuara nga Hysen Matoshi, Rexhep Qosja, Shefkije Islamaj, Genc Luarasi.

Shqipëria dhe Çështja kombëtare 1929 – 1939

Kosova gjatë viteve 1912 – 1915 – Shpend Avdiu

Arbëreshët e Zarës, historia dhe etnokultura- sesioni shkencor i X i mbajtur në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Studime për folklorin III, ndihmesë për eposin e kreshnikëve- Zymer Neziri

Katalogu Lirinë e gjeta këtu, mbi bibliografinë dhe evidentimin e kronologjisë së veprave mbi Skënderbeun.

Në fjalën e nderit zv.ministri i Arsimit, Shknecës dhe Teknologjisë Heset Sahiti, u shpreh “Institui i Albanologjisë, ai i Historisë dhe Akademia e shkencave, kanë bërë një punë të madhe në procesin shkencor, në vëllimet e botuara të këtyre institucioneve, duke bërë progres në fushën e arsimit dhe shkencës., dhe në emër të institucionit që ai përfaqëson, institucionet e lart përmendura, kanë gjithmonë derën hapur, në projektet e tyre të radhës.

Java e albanologjisë do të vazhdoj deri me 19 qershor, ku në sesionet e ndara do të prezantohet puna e studiuesve dhe e Institutit të Albanologjisë/VisarShabani/KultPlus.

Historia prekëse e dy motrave shqiptare: Me pula dhe vezë drejt Tiranës për…

Këto dy vajza në foto janë motra dhe fotografia është realizuar në vitin 1920. Sipas gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, dy motrat e varfra kishin ecur 40 km nga një fshat malor për të arritur në Tiranë.

Me anë të një statusi në “Facebook” gazetari shkruan:

Dy motrat shqiptare dhe një histori prekëse

Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë. Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë. Një histori që flet shumë për karakterin dhe moralin. (Biblioteka e Kongresit, Uashington) 1920

Zvicerania kërkon nga kosovarët ta ruajnë ambientin

64-vejçarja Ursula Hug tash e shumë vjet po mundohet t’i pastrojë fshatrat e Istogut, pasi është dashuruar në to.


Zvicerania kishte ardhur në Kosovë në kohen e luftës dhe ka mbetur këtu, pasi është martuar me një kosovar.
“20 vjet më parë shkak u i luftës këtu kishte shumë mbeturina, por tash nuk ka arsye të ketë.
Kosovarët shtëpitë e tyre i mbajnë shumë të pastërta. Por ata duhet të mësohen që ta bëjnë atë edhe jashtë tyre. Në vendin tim nëse hedh një mbeturinë, gjobitesh”, ka thënë Hug për Klan Kosova, përcjell albinfo.ch.

Ajo thotë se tash e 8 vjet kujdeset për ambientin në këtë komunë.

Koncert recital me Erëmira Çitakun e Çağatay Akyol

Më 19 qershor do të mbahet koncerti recital, ku në   flaut do të paraqitet Erëmira Çitaku dhe harpë – Çağatay Akyol , të udhëhequr nga Dafina Zeqiri-Nushi në bashkëpunim me Festivalin “Tingujt e Flautit”, shkruan KultPlus.

Projekti ka filluar së realizuari që me hapjen e konkursit ndërkombëtar për pranimin e veprave të reja në faqen e internetit “The Composer’s Site”, konkurs ky që zgjati dy muaj. Nga 80 vepra u përzgjodhën veprat e JinHee Han dhe të Rain Worthington. 

Në koncert do të dëgjoni gjithashtu vepra nga kompozitorë të ndryshëm botërorë si: J. Ibert, W. Lutoslawski, P. Morlacchi, F. Farkas, A. Zabel, A. Piazzolla. Koncerti do të mbahet më 19 qershor, në ora 20:30 NË Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com