10 bursa të plota për maturantë dhe punësim të garantuar në pozita menaxhuese

Bursa 100% dhe punësim të garantuar në “Albina Dyla Company” për 10 maturantë nga Gjakova dhe Prishtina pas marrëveshjes së nënshkruar nga Kolegji Universum me këtë kompani për ndërlidhje të Akademisë me Industri.

“Albina Dyla Company” do të financoj studimet e 10 maturantëve për 3 vite në Kolegjin Universum, të cilët përveç pjesës akademike studentët do të punojnë part-time gjatë studimeve e më pas e vazhdojnë kontratën si të punësuar në këtë kompani. Aplikimet kanë filluar https://bit.ly/2HuFzbg

Studentët do të punësohen në Menaxhim të Shitjes, Menaxhim të Prodhimit, Menaxhim të Rrjeteve Sociale, Menaxhim të Burimeve Njerëzore dhe IT.

Aplikimet bëhen online përmes këtij linku https://bit.ly/2HuFzbg deri me 15 Shtator 2019. Përzgjedhja e studentëve bëhet përmes Testit dhe Intervistës nga Kolegji Universum dhe “Albina Dyla Company“.

Për më shumë informata ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo  telefononi në +383 44 144 062. 

 

O komb shqiptar, zgjohu në Shpirtin tënd!

Nga Kurt Gostentschnigg

Ndërsa në përgjithësi nocioni “komb” kuptohet njësoj nga të gjithë, për nocionin “shpirt” (angl. “soul”) njerëzit nuk janë të një mendjeje. Që të mos keqkuptohemi tepër shumë në vijim, duam së pari të sqarojmë në një ekskurs të shkurtër filozofik kuptimin e nocionit “shpirt”, i cili do të zbatohet këtu, para se të fillojmë me temën e mirëfilltë. Pasi kemi vetëm vend për një artikull dhe jo për një libër ose enciklopedi, lexuesi është i lutur të na falë, në qoftë se nuk hyjmë në hollësirat e panumërta dhe mund te dukemi pllakativ me një temë, e cila pretendon të trajtojë Perëndinë dhe botën. Po qe se lexuesi i interesuar dhe kërkues ndihet i stërmunduar, atëherë mund t’i këshillojmë vetëm që të thellohet intelektualo-spiritualisht në veprën e pasur përkatëse të Shri Aurobindos (angl. Sri Aurobindo) dhe të kthehet mistiko-spiritualisht në qenien e tij më të brendshme, ku Shpirti i tij dhe Hyjnorja presin, derisa zbulohen nga ai.

Në qoftë se një asgjë është origjina dhe qëllimi, atëherë jeta është pa kuptim, një ëndërr, një iluzion. Ose bile edhe më pak se kaq. Në qoftë se një diçka është origjina dhe qëllimi, atëherë jeta ka kuptim, është realitet. Por si dimë se ekzistojmë me të vërtetë? Nga që jemi koshientë për ekzistencën tonë. Koshiencë është të qenë. Dhe si mund ta shprehim këtë koshiencë dhe ta bëjmë efektive? Nëpërmjet forcës së koshiencës. Por pse ekzistojmë? Pse jemi koshientë për të qenët? Pse shprehemi dhe veprojmë? Për të qenë të lumtur apo të palumtur? Sigurisht për të qenë të lumtur. Me këtë kemi caktuar të katër atributet më të para të diçkasë në të vërtetë të pashprehshme dhe të pamendueshme, të cilën duam ta quajmë Hyjnoren ose Veten: Të Qenë, Koshiencë, Forcë e Koshiencës dhe Lumturi.

Sipas eksperiencave spirituale dhe mistike, Hyjnores i atribuohen cilësi të mëtejshme si pafundësi dhe përjetësi. Ajo është Njëri/I Vetmi dhe Të Shumtët, të cilat prehen në të. Njësia e saj dhe Shumësia e saj, të pahapësirë dhe të pakohë, shfaqen në hapësirë dhe kohë nëpërmjet universalitetit, kolektivitetit dhe individualitetit. Pra, ajo është edhe Të Qenët transhendent, mbikozmik, e pahapësirë dhe e pakohë edhe Të Bërët imanent, kozmik, hapësinor dhe kohor. Ajo është personalitet dhe jopersonalitet, të dyja të përjetueshme në mënyrë transhendente dhe imanente si të dyja anët e së njëjtës medalje, si dy vija paralele, që takohen në pafundësi. Ajo është burimi i energjisë dhe energjia, edhe në Të Qenët edhe në Të Bërët.

Shumësia e Të Qenit vendos Shpirtrat si përfaqësuesit e saj në Të Bërët. Prandaj Shpirti në esencën e tij është i pavdekshëm, i përhershëm, pa fillim dhe pa fund, i pakrijuar. Në çdo individ, çdo njeri, çdo kafshë, çdo bimë, çdo kolektiv, çdo komb, tërë njerëzimin prehet një Shpirt. Mentalja, vitalja dhe trupi janë instrumentet e natyrshme të Shpirtit për shpalosjen e tij individuale dhe kolektive nga lindja në lindje, për rritjen e Qenies së tij Shpirtërore, e cila është e mbuluar nga qenia e saj të brendshme dhe të jashtme, deri në momentin kur ajo të dalë në plan të parë dhe të marrë përsipër udhëheqjen e natyrës së saj instrumentale.

Në qoftë se shikojmë krijimin e sotëm dhe historinë e deritanishme të krijimit, atëherë si duket ka pasur një rënie të thellë involucionare të një pjese të Të Shumtëve deri në jokoshiencë, e cila ka krijuar të gjitha botët me qeniet dhe forcat e tyre, kështu që po gjendemi në mes të një procesi të mundimshëm evolucioni në botën materiale gjatë kthimit për në koshiencën absolute. Një nga çështjet më të diskutuara të filozofisë dhe teologjisë është, pse ka ndodhur kjo rënie nga përsosmëria dhe dija në papërsosmëri dhe padije. Për këtë mund të ketë vetëm një përgjigje: liria absolute e Të Shumtëve. Një pjesë nga ata donte të përjetonte harrimin e Perëndisë dhe të Vetes dhe, bashkë me të, të bërët koshient për Perëndinë dhe Veten.

Spiritualiteti, i quajtur jogë në lindje, njeh shumë rrugë drejt ribashkimin me Hyjnoren. Të trija rrugët kryesore janë të menduarit, të ndierët dhe të vepruarit. Rruga e të menduarit është rruga e gjatë dhe e vështirë e njohjes dhe dijes drejt transhendencës jopersonale të Hyjnores, e cila fsheh në vetvete rrezikun e mohimit të jetës. Rruga e të ndierit është rruga e shkurtër dhe e lehtë e përkushtimit dhe dashurisë drejt transhendencës personale të Hyjnores, e cila e pohon jetën. Ajo hyn në rrugën e tretë të të vepruarit, në të cilën gjithë veprimi dhe të gjitha frytet e veprimit i kushtohen Hyjnores.

Në qoftë se Hyjnorja mbikozmike është e pafund, atëherë manifestimi kozmik i koshiencës së saj është i pafund, atëherë sipër mentales së inteligjencës dhe arsyes duhet të ketë shkallë ende më të larta të koshiencës, të cilat manifestohen gjatë evolucionit në materie dhe çojnë hap pas hapi në koshiencën e unitetit. Kështuqë mesa duket ne sot qëndrojmë para një realizimi individual dhe kolektiv të një mentaleje më të lartë, të ndriçuar dhe intuitive. Në qoftë se njeriu, nëpërmjet përkushtimit ndaj Hyjnores dhe mëshirës së Hyjnores, bëhet gjithnjë e më shumë koshient për Shpirtin e tij hyjnor dhe ngjitet shkallëve të koshiencës deri tek shkalla e intuitës, e cila e sheh direkt të vërtetën hyjnore, atëherë përse i duhen ende fetë kolektive si instancë ndërmjetësuese? A nuk është çdo marrëdhënie individuale midis Shpirtit dhe Hyjnores feja e vërtetë?

Tani mund të fillojmë me temën e mirëfilltë. Lidhur me instrumentet e natyrshme të Shpirtit ka një diferencë midis veriut dhe jugut të Evropës. Kalimi është i rrjedhshëm dhe nuk mund të dallohet një kufi strikt. Në veri dominojnë mentalja, intelekti, inteligjenca dhe arsyeja, ndërsa në jug emocioni, ndjenja, forca dhe impulsi. Të dy, veriu dhe jugu, mund të mësojnë dhe të përfitojnë nga njëri-tjetri. Por më në fund të dyja, edhe arsyeja edhe ndjenja, duhet të transhendohen në Qenien Shpirtërore, e cila vendoset jashtë nga Shpirti dhe zhvillohet nga lindja në lindje. Dalja përfundimtare e Qenies Shpirtërore nga sfondi do t’i japë fund shkllavërimit të deritanishëm të egos nga natyra instrumentale dhe do të marrë përsipër sundimin mbi energjinë e vet.

Shqiptarët anojnë nga ndjenjat dhe jetojnë më shumë në zemër. Prandaj ata janë më afër Shpirtit të tyre, i cili ka selinë e tij të fshehtë prapa zemrës, sesa shumica e evropianëve që ka prirje nga mentalja, intelekti dhe arsyeja dhe jeton më shumë në kokë. Por çfarë duan t’i ofrojnë botës shqiptarët? Korupsion, obsesion për pushtet, përçarje, prostitucion, kontrabandë njerëzish, drogash e armësh, shkatërrim ambienti, turbokapitalizëm dhe varësi nga konsumi? Apo vitalitetin e tyre të udhëhequr nga zemra dhe Shpirti për të mirën e kombit të tyre dhe të gjithë njerëzimit? Çdo komb mund të zgjedhë se cilin rol dëshiron të luajë në botë. Ashtu si kombi indian, në rastin e zgjimit të tij më në fund në Veten e tij të vërtetë, mund të marrë përsipër rolin si udhëheqës spiritual në botë, edhe kombi shqiptar, sapo ai nuk identifikohet më me vitalen dhe mentalen e tij instrumentale, por është zgjuar në Shpirtin e tij qenësor, mund të marrë përsipër rolin udhëheqës spiritual në Evropë.

Shumë që po e lexojnë këtë, ndoshta do të pyesin veten se si një komb aq i vogël mund të udhëheqë një kontinent të tërë. Këtu nuk bëhet fjalë për madhësinë sasiore, por për atë cilësore. Kush tjetër do të ishte në gjendje ta bënte këtë? A ka vallë një komb në Evropë, i cili është tashmë zgjuar në Shpirtin e tij? Gjermania apo Franca, të cilat adhurojnë ende perëndinë mentale të arsyes iluministe që tashmë është duke dhënë dorëheqjen, dhe duan të vrasin jetën dhe Shpirtin e kombeve evropiane me topuzin byrokratik të centralizmit dhe me kamën ëmbëlsisht helmuese të kapitalizmit të koncerneve? Italia, Polonia apo Hungaria, të cilat adhurojnë përsëri perëndinë vitale të vullnetit niçean për pushtet dhe duan të rizgjojnë fantazmat nacionaliste luftënxitëse të egos kolektive? Apo islamizmi militant që po penetron gjithnjë e më shumë në Evropë, me idealin e tij, i cili mohon lirinë personale, të ngritjes së një teokracie në kuptimin e konvertimit mesjetar të dhunshëm të të pafeve në gjoja besimin e vetëm të vërtetë? A munden këto tri ideologji të vjetruara të së kaluarës të jenë sot zgjidhja e përkryer për gjetjen e një rrugëdaljeje nga gjendjet e shumta problematike komplekse jetëkërcënuese të njerëzimit dhe për nisjen në një epokë të re të mundësive ende të pamarra

me mend për individin dhe kolektivin në koshiencën rritëse të unitetit në shumëllojshmëri? Unë mendoj se mjafton pak gjykim i shëndoshë për të mundur t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Në qoftë se krahasojmë historinë e indianëve me atë të shqiptarëve, atëherë zbulojmë disa paralele interesante. Edhe India edhe Shqipëria kanë një të kaluar koloniale shekullore. As India as Shqipëria nuk kanë sulmuar kurrë ndonjë vend tjetër. Në të dyja vendet turbokapitalizmi, korrupsioni, largimi i trurit dhe materializmi i importuar nga perëndimi pa bazë spirituale e minojnë jetën kombëtare. Gandizmi i Ibrahim Rugovës në Kosovë çoi në një rrugë pa krye, sepse serbët nuk janë britanikë, të cilët i përmbahen fair play-it. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte rrugëdalja nga ky qorrsokak, rruga e luftës së pashmangshme, siç tregohet në B’hagavad Gitë, librin e shenjtë të hinduve. Megjithatë, aksionet hakmarrëse të luftëtarëve të UÇK-së ndaj serbëve dhe romëve pas luftës do të thonin braktisjen e rrugës së luftës legjitime për liri dhe pavarësi. Hinduizmi është një fe e paorganizuar e shumëllojshmërisë në unitet. Prandaj ai ka mbijetuar 5000 vite. Mistiku indian Shri Ramakrishna i shekullit të nëntëmbëdhjetë provoi të tri fetë botërore – hinduizmin, krishterimin dhe islamin – dhe në të tri rrugët gjeti Perëndinë. Edhe Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës paqësore shekullore të katolikëve, myslimanëve, ortodoksëve dhe bektashinjve.

Ashtu si indianët edhe shqiptarët duhet të gjejnë ende d’harmën e tyre, d.m.th. fatin e tyre të brendshëm. Për këtë kërkohet sidomos avangarda spirituale e të gjitha besimeve dhe individëve të ndriçuar, për të krijuar qendra drite të zhvillimit kolektiv të koshiencës, ashtu siç bektashinjtë rreth vëllezërve Frashëri kanë marrë përsipër dikur rolin pararendës për Rilindjen duke qëndruar në traditën mistike të sufizmit. Kombi i ri shqiptar dallohet nga një vitalitet i madh. Por vetëm atëherë, kur ai nuk e vë më këtë forcë të çmueshme në shërbim të egos kolektive, por e përqendron rreth Qenies Shpirtërore Kolektive, që ende duhet zbuluar, ai mund të luajë rolin e tij të lindur dhe të pangatërrueshëm për bashkimin spiritual të Europës dhe të botës.

Shqipërinë dhe Indinë i lidh edhe fakti i ndarjes së kombit. Për sa i takon motivacionit përkatës, ka një ndryshim thelbësor: ndarja indiane ndodhi nga brenda për shkak të kontradiktës midis hinduve dhe myslimanëve; ndarja shqiptare ndodhi nga jashtë për shkak të baraspeshimit të interesave të fuqive të mëdha. Pakistani dhe Bangladeshi, ish-Pakistani Lindor, janë të lidhur së brendshmi me Shpirtin indian. Prandaj, ribashkimi i tyre me nënën Indi do të ndodhë herët a vonë. Çdo patriot e ndien Shpirtin prapa kombit të tij, vendit të tij. Njeriu mund ta perceptojë këtë Shpirt Kolektiv, por nuk mund ta përkufizojë, sepse ai qëndron përtej Mentales. Në qoftë se Shpirti Kolektiv ekziston në brendësi, atëherë ai kërkon një rrugë për manifestimin e tij në jashtësi. Prandaj zhvillimi i ardhshëm i çështjes shqiptare është ende i hapur: A do të kemi pas dy deri tri brezave një komb të vetëm shqiptar ose një komb shqiptar dhe një komb kosovar? Në rast se një Shpirt Kolektiv qëndron prapa kosovarëve tashmë gati për manifestim, ne do të kemi pas disa dekadave dy kombe shqipfolëse, siç ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore rasti me Gjermaninë dhe Austrinë. Në rast se Kosova mbetet në brendësi e lidhur me Shpirtin shqiptar, do të ndodhë edhe këtu herët a vonë ribashkimi i saj me nënën Shqipëri. E njëjta gjë vlen për vendbanimet e tjera me shumicë shqiptare, të cilat kufizohen me Shqipërinë dhe Kosovën. Në qoftë se ka një Shpirt, individualisht dhe kolektivisht, gjë, nga e cila ne po nisemi këtu, atëherë ai del një ditë në pah dhe i merr frerët në dorë. Pastaj është vetëm një çështje e kohës, dekadave ose shekujve, derisa bashkohet së jashtmi – në çfarëdo mënyre që të jetë –, që është e lidhur së brendshmi përherë.

Para se e reja të dalë përfundimisht në pah, e vjetra ngrihet edhe një herë në madhësinë e plotë, megjithëse ajo e di se i ka ardhur ora. Është vetëm çështje kohe. Sa do të zgjasë dhe në ç’mënyrë do të ndodhë, varet nga vendimet tona individuale dhe kolektive, dhe vërtet në çdo çast, në të cilin ne bashkëkrijojmë të ardhmen tonë nëpërmjet të menduarit, të ndierit dhe të vepruarit tonë. Pyetja e madhe, të cilën duhet t’ia bëjmë vetes dhe së cilës duhet t’i japim

përgjigje individualisht dhe kolektivisht, është nëse duam të vazhdojmë të jetojmë në vdekshmërinë e frikshme dhe të dhimbshme të egos së ndarjes apo duam të fillojmë të jetojmë më në fund në pavdekshmërinë trime dhe të lumtur të Vetes së unitetit. Në cilin rast shanset për mbijetesën dhe mundësitë për shpalosjen e individit dhe kolektivit janë më të mëdha? Përgjigjen e kësaj pyetjeje ne e njohim.

Pse atëherë nuk drejtojmë gjithë të menduarit, të ndierët dhe të vepruarit tonë sipas kësaj, me qëllim që ajo të bëhet një ditë, më mirë herët sesa vonë, realitet? Kjo ka të bëjë me një rezistencë të dyfishtë: me rezistencën e natyrës sonë më të ulët prej mentales, vitales dhe trupit dhe me rezistencën e forcave armiqësore rreth nesh. Individi duhet t’i prijë kolektivit, duke filluar një proces të pastrimit dhe qetësimit të brendshëm, të refuzimit të të gjitha ndikimeve antihyjnore dhe të hapjes ndaj influencës hyjnore, derisa kjo aspiratë spirituale të lërë Qenien e vet Shpirtërore të dalë nga sfondi dhe si rrjedhojë mëshira hyjnore të mund të shkaktojë shndërrimin gradual të natyrës sonë më të ulët njerëzore në natyrën më të lartë hyjnore, gjë që nuk mund të kryhet nga vetë ne.

Çfarë vlen për individin, vlen edhe për kolektivin; çfarë vlen për njeriun tek, vlen edhe për kombin dhe për gjithë njerëzimin. Në qoftë se mjaft individë i hapen këtij transformimi, atëherë, herët a vonë, kolektivi do t’i ndjekë ata. Të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, me zemër dhe Shpirt, elita spirituale, intelektuale dhe shkencore e vendit, rinia, nxënësit dhe studentët, shpresa për të ardhmen tonë, janë të thirrur të marrin pjesë në mënyrë koshiente në këtë proces transformimi për të mirën e individit, të kombit, të njerëzimit dhe të planetit. O komb shqiptar – zgjohu në Shpirtin tënd! / KultPlus.com

Familjarët të zhgënjyer me institucionet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Në Prishtinë është mbajtur një marsh të cilit i janë bashkuar edhe shumë familjarët, e më pas janë bërë edhe homazhe tek obelisku i të zhdukurve.

Familjarët e personave të zhdukur janë shprehur të zhgënjyer me punën që deri tani e kanë bërë institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të ndriçuar fatin e të pagjeturve në Kosovë.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur ka fajësuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare që ende nuk është ndriçuar fati i personave të pagjetur në Kosovës.

Sipas tij, adresa ku ndodhen familjarët tash e sa kohë dihet se është Serbia.

“Kanë një plagë të cilën nuk po mund ta shërojnë jo vetëm vendorët por nuk po na ndihmojnë as ndërkombëtarët , gjithmonë po thonë se është adresa në Serbi, atë po e dinë edhe nxënësit e shkollave fillore por si duhet me e shty pa krah, si duhet me shty procesin pa ndihmë, si duhet me e shty Serbinë me na tregua ku i ka lënë gjithmonë për neve familjarët janë fajtor ata që marrin rroga edhe nuk i kanë kryer punët. A e dini me kënd me ata që na kanë çliruar me ata që po rrinë sot këtu …institucionet vendore dhe ndërkombëtare ata ndërkombëtare po vijnë po jetojnë këtu…Këtu po vijnë po bëjnë sefa edhe po shëtisin prej hoteli në hotel edhe nuk po i kryejnë punët. Kush duhet me qajt aty duhet Qeveria e Kosovës”, tha Çerkini.

Kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajçevci ka kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të bëjnë më shumë presion nga palës serbe me qëllim të ndriçimit të personave të zhdukur.

“Adresa për zbardhjen e fatit të të zhdukurve të Kosovës është Beogradi dhe ndërkombëtarët duhet ta bëjnë një trusni më të madhe mbi qeverinë e Beogradit sepse të gjithë i ka marr çoftë të gjallë dhe çoftë të vdekur për t’i fshehur gjurmët e krimit. Kështu që besoj që një trusni më e madhe ndërkombëtare do ta zgjidhte këtë problem nëse nuk bëhet problem politik,sigurisht është problem politik”, tha Grajçevci.

Nusrete Kumnova kryetare e shoqatës ”Thirrje të nënave”, tha se është mëkat për institucionet vendore që lejuan Serbinë të ndikojë tek ndërkombëtarët për të mos zbardhur fatin e personave të pagjetur në Kosovë.

Me dhimbje të thellë ajo thotë se familjarët e të zhdukurve e kanë edhe më të vështirë kur kujtojnë që edhe pas shumë viteve pavarësi Serbia po i mban pengë fëmijët e tyre.

Kjo nënë ka apeluar tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i vënë kushte Serbisë që t’u kthehen trupat e familjarët të tyre.

“Pesë që janë marr në shtëpinë tonë janë gjetur janë identifikuar, Albionin e mbajnë qëllimisht serbët peng sepse jam nëna më e zëshme e Kosovës për ndriçimin e fatit të pagjetur. Faktikisht jemi të gjithë familjarë të Kosovës që presim rrugëve të Kosovës që 20 vite, por është mëkat që të na sjellin këtë lodhje. Prej shtratin jam zgjuar kur vijnë ditët e shenja e kemi vështirë m me i përjetua dhe menduar që fëmijët në këtë kohë me mbetur peng i Serbisë është mëkat është gjynah ndaj nesh dhe ndaj trupave që janë në Serbi. I bëjë apel qeveritarëve tanë se më shumë po vrapojnë pas zgjedhjeve se cili të bëhet kryeministër e parlamentar sot kokën e kthejnë vetëm nga ne…Iu bëjë thirrje institucioneve vendore por më shumë atyre ndërkombëtare që janë në Kosovë që t’i vënë kusht Serbisë që së paku trupat e më të dashurve tanë të na i kthejnë“, tha Kumnova.

Për 20 vite pareshtur thotë se po kërkojnë trupi i vëllait të saj, Myrvete Hoti-Kasumi e cila është motra e veprimtarit të shquar Ukshin Hotit.

Teksa shprehet e zhgënjyer me punën e institucioneve vendore, ajo ka kërkuar që të kushtëzohet dialogu me Serbinë me ndriçimin e fatit të të zhdukurve në Kosovë.

“Deri më tani jam e zhgënjyer shumë kam hasur gjithmonë në vesh të shurdhër asnjëherë deri tani nuk është sensibilizua opinioni për çështjen e të zhdukurve , thjeshtë nuk e kemi për një mend. Kanë mundur që në fillim të procesit kur kanë filluar kanë mundur ta kushtëzojnë çështjen e të zhdukurve me bisedimet me palën serbe”, tha ajo.

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve në Kosovë është shënuar edhe me një protestë paqësore e organizuar nga shoqata “Ngritja e Zërit”, dhe po ashtu është promovuar një libër me rrëfime të familjarëve të të zhdukurve ”Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Qendra Burimore për Persona të Zhdukur në Kosovë kërkon edhe 1653 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet. / Koha.net / KultPlus.com

Albanian Excellence dhe mesazhi fisnik i Preshevës

Albanian Excellence rrugëton javën e parë të shtatorit në Preshevë, në këtë qytet shqiptar në Serbi, shtrirë jetë e mot, në jug-lindje të Kosovës. Ajo ndalon në këtë pjesë të shqiptarisë këtë fillim vjeshte, jo vetëm suksesin e zonjave shqiptare kudo janë por një mesazh fisnik e njerëzor se: Viti 2020 do të jetë viti i Preshevës nga kjo qendër modeste në dukje por që mban brenda saj fuqi njerëzore dhe intelektuale të mbarë shqiptarisë.

Të gjithë ata shqiptarë kudo jetojnë, do të jenë një mbështetje më shumë për këtë trevë parcialisht shqiptare, shtrirë në pjesën më të lartë të kësaj zone me një sipërfaqe prej 264 kilometra katrorë, me toka pjellore në rrafshet aluviale të pellgut të Moravës në veri dhe pellgut të Vardarit në jug.

 “Ne jemi me Preshevën”, është motoja e këtij rrugëtimi që do të materializohet në një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Preshevës dhe që do të firmoset nga drejtuesit respektivë tw Komunës së Preshevës dhe të Albanian Excellence , si një besë që do ti shoqërojë për gjatë një viti në këtë rrugëtim të gjatë në hapësirë dhe në kohë me shqiptarët kudo janë, dëshirën njerëzore për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës, e përbërë nga 35 vendbanime, dhe ku qyteti dhe komuna janë me popullsi shumicë shqiptare.

Janë 121 mysafire, zonja suksesi nga SHBA, Europa, zonja nga të gjitha trojet amtare, të cilat do të prezantohen në ekspozitë si për të sjellë jehonën e suksesit në këto troje si një ogur i mbarë dhe i mirë për vijimësinë e të qenit së bashku nën okelion e madh: komb i shqiptarisë. E madhja Tinka Kurti, do të jetë kryemysafirja e këtyre zonjave të nderuara e cila do të ngjitet në skenën e teatrit të Preshevës, duke risjellë në mëndje e zemër, vitin e largët 1980, kur në atë skenë së bashku me Teatrin Migjeni, interpretoi me lotë në sy dhe në zemër së bashku me preshevasit që kishin mbushur sallën, “Bacën e Gjetajvë”.

 Si nga herë edhe këtë herë koncepti i Albanian Excellence, ka të bëjë me një agjendë të ngjeshur shoqëruar. Sepse e gjithë agjenda në tërësinë e saj, synon të japë dhe të përmbushe misionin e një qëllimi të mirëpërcaktuar në mbështetje të një shoqërie të mençur në vendime dhe në vazhdimësi ashtu dhe në krijimin e mikroklimave të shëndosha ndaj mediokritetit, vogëlsisë dhe fjalëshumësisë së antivlerës.

Në këtë kuptim aktiviteti që organizohet në Preshevë këtë fillim shtatori, jo vetëm nderon zonjat e suksesit shqiptar, por këtë herë krahas këtij respekti, e kalon rëndesën e saj në të dy gjinitë, më idenë e madhe të bashkërendimit të forcave, ideve, dëshirës për të qenë së bashku. Sepse, “Ne jemi me Preshevën “, në thelb si dhe në dukje, është mesazhi i sigurisë për të qenë së bashku, në mënyrën më njerëzore, më të sinqertë ashtu dhe më fisnike të mundshme, për të dhënë dhe për të marrë vlera e bashkëpunim në një shekull kur qytetërimi dhe etika e të komunikuarit duhet të jenë kryefjala e gjithësisë ku jetojmë dhe ku japim kontributin individual dhe njerëzor.

E gjitha është një mbështetje për këtë luginë vlerash , e cila ndër vite e në episode të ndryshme patriotike kulturore ka dhënë një kontribut të rëndësishëm kombëtarë duke ofruar potencialin e saj në mënyrë të pa-rezervë.

Zonjat që do të jenë të ftuarat e nderit në këtë tubim tre ditor, ku do të tregojnë jo vetëm si dhe sa ju është dashur të arrijnë suksesin në jetë , por do të jenë bashkëshoqëruese të nderuara të jetës së banorëve të kësaj treve, të cilët si në vitin e largët 1980 kur mbërriti këtu, Baca e Gjetajve , edhe këtë herë do ua mbushin zemrën mysafirëve mbërritur nga anekënd planetit , me dashuri mikpritëse shqiptarie./ Flora Nikolla / KultPlus.com

L’Intransigeant 1928: Urimet e Vatikanit për Mbretin Zog

Nga Aurenc Bebja

“L’Intransigeant” ka botuar, të enjten e 13 shtatorit 1928, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me urimet e Vatikanit për mbretin e ri të shqiptarëve, Ahmet Zogun.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, lideri shqiptar ka organizuar asokohe një takim me krerët e lartë të kishës katolike në Tiranë.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë të gazetës franceze, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Sovrani takoi peshkopët

“Tiranë, 12 shtator. – Mbreti Zog I priti dje Kryepeshkopin Della Pietra, delegat apostolik, i cili prezantoi urimet me rastin e aderimit të tij në fron.

U pritën gjithashtu nga mbreti kryepeshkopi i Shkodrës ashtu si dhe peshkopët; Këta personalitete të larta të kishës katolike i paraqitën urimet e tyre mbretit, i cili i falënderoi ata, për shërbimet patriotike dhe kulturore të kryera nga klerikët.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-intransigeant-1928-urimet-e-vatikanit-per-mbretin-zog-i-takimi-ne-tirane-me-personalitetet-e-larta-te-kishes-katolike/.

“Muzat e Alpeve 2019” filluan aktivitetet në Tivar

“Nuk ka popuj të këqij por ka politika të tilla, ndërsa janë shkrimtarët ata që shtrinë ura dhe sheshojnë kufij”, është thënë në edicionin e 7-të e Manifestimit Letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2019”, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” me ç ‘rast u promovuan tre libra në gjuhët e të dy popujve, përcjellë KultPlus.

Manifestimi filloi me promovimin e antologjisë dygjuhëshe “Muzat e Alpeve”- Çmimi “Teuta”, me krijimtari të 5 laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq dhe Moikom Zeqo.

 “Gjeopoetika” e kësaj antologjie thekson atë “pan” të përbashkët që kanë popujt e trojeve të Teutës -tha në fjalën e tij redaktori i kësaj antologjie Agron Tufa i cili shtoi se: Rëndësinë e vërtetë kjo antologji e ka me artin dhe thelbin e kulluar artistik që vetëprezantohet, do theksuar rëndësia e padiskutueshme e një ndërmarrjeje të tillë. Është mënyra më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë e njohjes dhe miqësimit për dy popuj që kanë jetuar së lashti bri për bri. Antologjitë poetike si kjo, do të jenë një urë e çmuar, që do të sjellë komunikimin e vërtetë, zërin e trazuar, të ngrohtë apo të pikëlluar, por gjithsesi njerëzor të poetit, për të cilin jeta dhe vlerat e saj janë njësoj të shenjta e të paprekshme si për popullin i tij, po aq dhe për tjetrin, fqinjin, të ngjashmin përbri”.

“Unë, biri yt besnik dhe poeti/Ja tvoj Vjerni sin i poeta” ishte libri i radhës i cili u promovua nga poetët e të tria shteteve, kushtuar poetit Esad Mekuli, të autorit Zuvdfija Hogjiq Berisha, i cili u përcoll nga dokumentari “Mome narodu/Popullit tim”, nga po i njëjti autor. Përderisa, “Esad Mekuli është një korefej i letërsisë shqipe dhe malazeze,  i njohur si njeriu i cili ma punuar shumë në njohjen e kulturave dhe të letërsisë të dy popujve,  i cili ka përkthyer mbi 100 libra në këto dy gjuhë dhe është themelues i institucioneve kulturore dhe shkencore, dhe një poet social në kujtimin mw të mirë përderisa librat e tij të fundit ishin kryeveprat e titujt “Libri është përgatitur me një kujdes shumë të madh, duke pas parasysh se për akademikun të shkruajnë akademikë të tjerë për të rrit nivelin e librit siç janë autori që përzgjodhi poezinë Zuvdija Hogjiq Berisha, akademiku që e botoi Pavlo Goranovic si dhe ilustrimi me piktura nga piktori akademik Gjergj Noc Martini. Të gjitha këto ia shtojnë vlerën librit dhe e bëjnë të pavdekshëm në historinë e letërsisë së të dy popujve dhe më gjerë”,  do të thoshte redaktori i librit Dimitrov Popoviq.”

 Përderisa, poeti i mirënjohur Visar Zhiti tha për veprën e tij se “Esad Mekuli kishte shumë dhimbje, por dhimbjet e tij i shndërroi në poezi dhe i la pasuri për të gjithë ne”. Përderisa, aktori i mirënjohur Xhevat Limani deklamoi poezinë e revolucionare të Mekulit, “Kushtrimi”. 

Promovimi i poemës dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e sjellur në dhjetëra skena botërore nga autori i saj, shkrimtari dhe aktori Xhevat Limani, u përcoll me vlerësime të larta. Safet Hadrovic – Vrbiçku me këtë rast tha se “Skënderbeu i Xheval Limanit e ka ringjallur kryeheroin e shqiptarëve Skënderbeun me vlerat e saj të padiskutueshme dhe origjinalitetin”. Përderisa,  autori falënderoi “Teutën” si dhe akademikët malazezë Jevrem Brkoviq, Zuvdija Hogjiq-Berisha por edhe Hdroviçin, për kontributin e tyre në prezantimin e Skënderbeut në mënyrën më të dinjitetshme. Përderisa, manifestimi u përmbyll me deklamimin e poemës së Xhervat Limanit e cila solli frymën e Skënderbeut në origjinalitetin e vet duke lënë gjurmët e veta edhe në këtë rezidencë mbretërore-tashmë qendër kulturore, të cilën qyteti i Tivarit kishte zgjedhur të priste karvanin e “Teutës”.

Të nesërmen, ‘Muzat e Alpeve vazhduar aktivitetin në Lezhë, ku krahas aktiviteteve të tjera do organizohet edhe mbrëmja poetike “Teuta për Visar Zhitin”, kushtuar poetit të persekutuar. / KultPlus.com

O’Connell bën homazhe tek obelisku i personave të pagjetur

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve tek obelisku i personave të pagjetur në Kosovë ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell.

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve në Kosovë do të shënohet me një sërë aktivitetesh duke filluar nga ora 09:00 do të mbahet një marsh paqësor.

Pastaj do të bëhet edhe promovimi i librit “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur. / Koha.net/ KultPlus.com

Inva Mula më 5 shtator mban koncert në Palermo kushtuar Nënë Terezës

Sopranoja me famë botërore Inva Mula do të mbajë një koncert për të nderuar kujtimin e Nënë Terezës me rastin e përvjetorit të shenjtërimit të saj.

Koncerti “Nëna Arbëri” do të mbahet më 5 shtator në ora 21:00 në sheshin “Vittorio Emanuele”, në Piana Degli Albanesi.

Së bashku me sopranon Inva Mula do të jenë edhe artistë të njohur shqiptar dhe italianë që do të interpretojnë një repertor të përzgjedhur enkas për këtë rast.

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko shprehet se ky koncert organizohet me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën.

“‘Nëna Arbëri’, një koncert për të nderuar kujtimin e Nënë Terezës me rastin e përvjetorit të shenjtërimit të sqj. Më 5 shtator në ora 21:00 në sheshin “Vittorio Emanuele”, në Piana Degli Albanesi, sopranoja Inva Mula së bashku me artistë të njohur shqiptar dhe italiane do të interpretojnë një repertor të përzgjedhur enkas për këtë rast. Ky është një koncert që organizohet me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën”, thekson Majko./atsh/KultPlus.com

EULEX-i u bën thirrje palëve të shkëmbejnë informatat për të pagjeturit, vetë ofron mbështetje

Sot, ne e përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyrueshme, duke e ngritur vetëdijesimin për plojën e të pagjeturve dhe familjeve të tyre në mbarë botën dhe duke u rizotuar për zbardhjen e fatit të Zhdukurve, thuhet në komunikatën e EULEX-it kushtuar kësaj dite.

Njëzet vjet pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999, emrat e personave të pagjetur vazhdojnë të shtohen në listën zyrtare. Aktualisht janë 1,653 persona të pagjetur. Në mënyrë që të bëhet përparim në zgjidhjen e fatit të pagjeturve është e domosdoshme që palët përkatëse t’i shkëmbejnë mes vete informacione të besueshme dhe përkatëse.

Bashkërendimi midis palëve të interesuara duhet të përmirësohet ndërsa komunikimi me shoqatat e familjeve të forcohet. Vazhdimi i profesionalizimit të zyrtarëve policorë dhe të mjekësisë ligjore duhet të mbetet një prioritet i lartë, së bashku me zbatimin koherent të strategjive efektive dhe gjithëpërfshirëse për kërkim.

“Kjo është një çështje që i prek shumë familje këtu në Kosovë dhe në rajon dhe unë dëshiroj që t’ua ofroj mbështetjen time familjeve që ende presin ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre. Ndërsa natyra e procesit të identifikimit është e ndjeshme, e ndërlikuar dhe kërkon kohë, është me rëndësi që ajo të vazhdojë në mënyrë që të gjinden përgjigjet për fatin e të pagjeturve. EULEX-i ka kapacitete të dedikuara për këtë fushë dhe do ta vazhdojë mbështetjen e tij sipas nevojës dhe kërkesave të partnerëve kosovarë të tij”, tha ushtruesi i detyrës së shefit të Misionit EULEX, Bernd Thran. Në këtë kontekst, përkushtimi i vërtetë i autoriteteve kosovare është tejet i dobishëm për ta çuar më tej punën për personat e pagjetur, duke filluar me miratimin e pritur të akteve nënligjore për riorganizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, një hap ky i rëndësishëm drejt modernizimit të tij.

Që prej fillimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky Mision i ka kryer 639 operacione në terren me qëllim të gjetjes të personave të pagjetur, përfshirë 160 zhvarrime. Mbetjet mortore të 449 individëve janë identifikuar, përfshirë 306 persona të pagjetur.

EULEX-i ofron ndihmë teknike për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës përmes ekipit të tij të ekspertëve mjeko-ligjorë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur tek familjet e tyre. / KultPlus.com

“Përdorini duart për të mbledhur mbeturinat, jo për të bërë shqiponjën”


Dorjan Bulku është turisti më besnik i trojeve shqiptare. Nuk është i huaj, është shqiptar. Do fort Skënderbeun e Nënë Terezën, por mbi të gjitha do Shqipërinë…Shqipërinë që Zoti i dha gjithçka të bukur… veç shqiptarëve.

Dori, siç e thërrasin miqtë është çdo fundjavë në kërkim të mrekullive që fsheh vendi ynë pas zhurmave akustike e politike.

Ai është jo vetëm një promovues i mirë i turizmit vendas, duke organizuar udhëtime të shpeshta mes miqve, por edhe duke kritikuar vazhdimisht një nga plagët më të mëdha të turizmit shqiptar: ndotjen.

Në shume male tonat nuk arrin energjia elektrike apo rruga automobilistike, ama mbeturinat mbërrijnë bashkë me njeriun dhe mbijetojnë për vite me radhë.

Këtë herë Dori ishte në Bizën e Martaneshit. Mrekullia e një liqeni në lartësinë 1200 metra, iu zbeh shpejt nga “gjurmët kafshërore të shqiptarëve”, siç i quan ai.

Si në jo pak vende që ka vizituar Dori, edhe këtu kishte mbërritur njeriu bashkë me “shpikjen” e tij, mbeturinat.

Para se të pastronte mbeturinat së bashku me miqtë e tij, Dori realizoi një video në të cilën deklaron:

“Liqeni 1200 metra, në mes të natyrës. Një spektakël i papam, por gjurmët kafshërore të shqiptarëve nuk mund të mungonin as këtu. Këta janë shqiptarët, kjo është barbaria e tyre. Ato duar që i përdorin për të bërë shqiponjën çdo 5 minuta, më miri t’i përdornin për të mbledhur mbeturinat.” / KultPlus.com

https://www.facebook.com/www.gsh.al/videos/496591461140572/

Ed Sheeran paralajmëron pauzën dhe ende shpreson për kolonën zanore të Bondit

Ed Sheeran nuk i ka humbur shpresat për ta regjistruar kolonën më të fundit zanore të Bondit për filmin “No Time To Die”.

Këngëtari i hitit “Perfect” e ka paralajmëruar një pushim 18-mujor pasi që i ka përfunduar koncertet në turneun e tij rekord-thyes Divide World Tour, por menaxheri i tij, Stuart Camp, insiston që kantautori do të kthehet përsëri në studio nëse drejtuesit e filmit për Bondin dëshirojnë që ai ta regjistrojë kolonën zanore për filmin e tyre të radhës.

Camp tha për “Music Week” se është takuar me producenten e 007, Barbara Broccoli në Dublin në vitin 2017 dhe se ajo ishte “e interesuar” që t’i kërkojë Edit ta regjistronte kolonën zanore për filmin, i cili atëherë titullohej Bond 25, shkruan KOHA Ditore.

“Regjisori Danny Boyle u ndërlidh me filmin pas kësaj, regjisor ky që e bëri regjinë e filmit Yesterday, kështu që u krijua një lidhje e ngushtë,” tha Camp, duke iu referuar rolit të Sheeran në në filmin me tematikë të Beatlesave. “Ata i ndërruan regjisorët, por akoma jemi të hapur për këtë. Por ata nuk po i bëjnë më ato biseda”.

Sheeran dëshiron ta bëjë atë dhe po e pyet menaxherin e tij çdo ditë për ndonjë lajm të ri.

“Unë i them që gjëja e fundit që e bëjnë është muzika…”, shtoi Camp. “Kjo është sigurisht diçka që ai do të dëshironte të bënte. Është në listën e tij të dëshirave që dëshiron t’i realizojë”. / Koha.net/ KultPlus.com

Në Rahovec nga 13-15 shtator mbahet Festivali Ndërkombëtar i Poezisë

Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi ka bërë me dije e nga 13 deri 15 shtator 2019 do të mbahet edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec ku do të shpalosen poezitë nga vende të ndryshme botërore.

Pjesëmarrësit në këtë festival do të jenë autor të shquar të vendeve të ndryshme të botës. Në këtë festival do të jenë të pranishëm Anne Tannam nga Irlanda, Ali al Ameri nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Andreë Singer nga ShBA-ja, Beppe Costa nga Italia, Tendo Taijin nga Japonia, Mercedes Roffe nga Argentina, Miriam Neiger Fleischmann nga Izraeli, Jack Mc Cann- nga Irlanda, Luan Rama nga Shqipëria/Franca, Olimbi Velaj nga Shqipëria, Peter Andrej nga Sllovenia, Vladimir Martinovski nga Maqedonia, Ramiz Huremagic nga Bosnja, Ndrekë Gjini- nga Shqipëria/Irlanda, Kristian Wikborg Wiese nga Norvegjia, Poul Lynggaard Damgaard nga Danimarkë si dhe poetët nga Kosova Faruk Buzhala, Xhevat Latifi, Tahir Hoxha, Jeton Kelmendi, Lulzim Tafa, Donika Dabishevci, Sali Bashota, Sibel Halimi, Murteza Osdautaj Vjollca Kuqi dhe Ismail Gashi.

Është bërë me dije se në këtë festival do të promovohet krijimtaria letrare e poetit për fëmijë, Jonuz Fetahaj.

Pjesëmarrësit në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec do të kenë mundësinë të njoftohen me traditën, artin dhe kulturën e Kosovës.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec tash e pesë vite më radhë tubon zërat më të fuqishëm të skenës botërore të poezisë dhe audiencës i mundëson që të njoftohen me poetë dhe poezi e cila kultivohet në këtë kohë.

Drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë është poeti, Fahredin Shehu. / Koha.net / KultPlus.com

Historia e një mbreti dhe tre dëshirat të tij të fundit

Një mbret i shtrirë në shtartin e vdekjes i tha njerëzve rreth tij: Do t’ju lë tre porosi.

Porosia e parë është që trupin tim, kur ta dërgoni për në varr, ta mbajnë vetëm mjekët e mi!

Porosia e dytë është që rrugën që do të përshkojë trupi im deri në varr ta mbuloni me flori, argjend e gurë të çmuar!

Porosia e tretë është që duart të m’i nxirrni nga arkivoli dhe lërini të hapura!”

Një nga gjeneralët e tij më të afërt i tha: Mbreti ynë, porositë e tua do të zbatohen pa asnjë mangësi, por mund të na thuash se cilat janë urtësitë e këtyre tre porosive?
Ai mori frymë thellë dhe tha: Dua t’i jap botës një mësim që vetëm tani në fund të jetës e kam kuptuar.

Përsa i përket porosisë së parë, dua t’i tregoj njerëzve se kur vdekja vjen asnjë nuk mund ta shtyejë, qoftë edhe doktorët, tek të cilët nxitojmë sa herë jemi sëmurë, por shëndeti dhe jeta janë mirësi që nuk i kanë në dorë njerëzit.

Përsa i përket porosisë së dytë, dua ti tregoj njerëzve se koha që harxhuam për të mbledhur pasuri iku pa vlera dhe se kjo pasuri sado e madhe që të jetë nuk mund ta marrim me vete pas vdekjes tonë.

Ndërsa me porosinë e tretë dua t’i tregoj njerëzve se ne erdhëm në këtë botë me duar bosh dhe po largohemi prej saj me duar bosh.
… dhe gjërat që nuk blihen dot me para

Ka shumë individë të cilët kanë miliarda, megjithatë, jo çdo gjë mund të blihet me para./shkollaejetes/ KultPlus.com

Vos, Cornelis de um 1584 – 1651. “König David übergibt das Szepter seinem Sohn Salomon”. (Könige 1,46–48). Öl auf Leinwand, 174 × 244 cm.

Blerta Hoti dikur emigrante, sot këshilltare në komunën e dytë me të madhe në Suedi

Blerta Hoti, që dikur ishte vetëm një emigrante në Suedi, sot është pjesë e kuadrit të këshilltarëve në njërën nga komunat më të mëdha në Suedi, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka konifrmuar Hoti, përmes një statusi në llogarine e saj personale në Facebook.

”Jam jashtëzakonisht e nderuar që jam emëruar si këshilltare. Ky është një mision i rëndësishëm dhe një mision që detyron: Unë, së bashku me partinë time në Gothenburg, do të përfaqësoj më shumë se 70 000 gothenburger që votuan për demokratët socialë. Poashtu është detyrimi ynë i guximshëm për të luftuar ndarjen duke vendour mirëqenien në radhë të parë.

Për mua, Gotenburgu i fortë është një Gothenburg që qëndron së bashku. Rritja ekonomike duhet të bëhet pjesë shumë e rëndësishme, kushtet duhet të jenë më të mira për zhvillimin e transportit dhe transportit publik.
Një gjë është e qartë: Gothenburgut i duhet përsëri një rregull socialist. Kjo është arsyeja pse unë do të bëj çmos për të siguruar që ne të fitojmë zgjedhjey në vitin 2022.

Udhëheqja e re socialiste e Goteborgut është një ekip i fortë për të cilin mezi pres të jem pjesë e tij. Unë gjithashtu besoj se në Gothenburg ka nevojë për bashkëpunim të mirë mbi partinë dhe bashkimin dhe mezi pres një dialog konstruktiv dhe marrëdhënie të mira me palët e tjera.
Por një gjë duhet të jetë e qartë: ne socialdemokratët e vendosim mirëqenien në radhë të parë” /KultPlus.com

Kur Charlie Chaplin takoi Pablo Piccason

Sot, Pablo Picasso është rrallë herë jo i pranishëm në media. Biletat duhet të rezervohen shumë kohë më parë për të parë “Piccaso Museum” në Paris i cili është restauruar plotësisht dhe është i stolisur me veprat fantastike të piktorit të cilat arrijnë çmime të frikshme në ankande deri në 179 milionë dollarë. Edhe për Charlie Chaplin nuk dëgjohet më pak. Hera e fundit ishte kur bastuni dhe kapelja e tij u shitën për 40 mijë dollarë. Por në qoftë se në vitin 1952 do të kërkonim të kishim në një dhomë dy nga artistët më të mëdhenj të kohës, pa dyshim që ata do ishin Piccaso dhe Chaplin. Filmat e Chaplin ishin të famshëm në të gjithë botën, ndërsa Piccaso ishte ndoshta piktori më i vlerësuar.

Përveç epitetit “maestro” dhe faktit se karrierat e të dyve ishte e shkëlqyer, Piccaso dhe Chaplin nuk kishin shumë të përbashkëta. Madje, ata nuk mund të shkëmbenin dot as një batutë mes tyre, sepse flisnin gjuhë të ndryshme.

Çfarë do t’i bënte ata së bashku? Një takim kur Piccaso shfaqte pikturat e veta në “Rue des Grands Augustins”, Paris, i cili ishte jo vetëm një takim i thjeshtë, por përplajsa e egove të dy më të mëdhenjve të kohës.

Karrierat e tyre kishin ndjekur trajektore të ndryshme. Ndërkohë që Picasso ishte shumë i vetëdijshëm për revolucionin mjeshtëror që solli në pikturë me krijimtarinë e tij që zgjati plot 5 dekada, Chaplin në kontrast me të ishte përballur me një krizë profesionale pasi filmat e tij pa zë nuk po korrnin suksesin e pritur. Megjithatë ai nuk e ndryshoi bindjen e tij profesionale dhe arti i tij u ngjit në një tjetër nivel kur shfaqi për kinematë botërore filmat: “Modern Times” dhe “The Great Dictator” ku ironizonte autoritarizmin.

Picasso, gjithashtu, ishte kundërshtar i autoritarizmit. Kur nazistët pushtuan Paris në vitin 1940, ai qëndroi dhe nuk u largua. Spanja , vendi i tij i lindjes, ia kishte mbyllur dyert pas fitores në Luftën Civile nga Francisco Franco i cili më pas e udhëhoqi Spanjën me diktaturë. Piccaso e shpreh mllefin e tij ndaj autoritarizmit në një nga pikturat e tij më të famshme. Guernica ishte pikturë ekspresioniste dhe jetëzonte masakrën dhe mjerimin pas sulmit fashist në një qytet Republikan.

Një tjetër gjë që Chaplin dhe Picasso kishin të përbashkët shtati i shkurtër, por me një energji shpërthyese. Chaplin u bë i famshëm për kapelen dhe bastunin të cilin e lëvrinte me një elasticitet të madh, veprim i cili nuk harrohet në analet e kinemasë. Ai ishte në fakt dhe një lloj snobi. Vishej çuditshëm për kohën, nuk i pëlqenin femrat që vishnin taka të larta. Takoi shumë persona të fashmëm të cilët i ka listuar në librin e tij autobiografik duke veçuar këtu: Roosevelt, Gandhi, Einstein e të tjerë. Nga ana tjetër dhe Picasso ishte një natyrë kontraverse. Qasja e tij e re ndaj pikturës e bënte atë të përjetonte ndjenjën e superioritetit ndaj të tjerëve. Arti i tij ishte vetëm për elitat dhe ishte fanatik i ideve të veta.

Të dy “maestrot” ishin të famshëm si “Don Zhuanët” e kohës. Në Amerikën puritane, ku zëri kolektiv i grave u bë më i fortë, jeta seksuale e gjallë e Chaplin e çoi atë në divorc me bashkëshorten e tij dhe në një “gjyq publik” që iu bë figurës së tij si pasojë edhe e ligjit të ri “kundër imoralitetit” që u fut asokohe në vend. Opinioni publik francez, gjithnjë më tolerues se kudo tjetër – “burrat, mbeten burra” – në fakt ia bëri më të lehtë jetën Piccasos.

Të dy “maestrot” ishin të famshëm si “Don Zhuanët” e kohës. Në Amerikën puritane, ku zëri kolektiv i grave u bë më i fortë, jeta seksuale e gjallë e Chaplin e çoi atë në divorc me bashkëshorten e tij dhe në një “gjyq publik” që iu bë figurës së tij si pasojë edhe e ligjit të ri “kundër imoralitetit” që u fut asokohe në vend. Opinioni publik francez, gjithnjë më tolerues se kudo tjetër – “burrat, mbeten burra” – në fakt ia bëri më të lehtë jetën Piccasos.

Në një darkë të organizuar nga Sartri në Paris, të dy artistët më në fund u takuan për herë të parë. Do të mbahet mend gjatë në kujtesën e historisë së artit momenti kur ata shtrënguan duart dhe batuta e famshme e Chaplin për piktorin: “Jam një fans i çmendur i yti!”.

Historia dhe biografitë e shkruara për të dy na informojnë se Chaplin u shpërngul për në Zvicër për të gjetur një vendbanim të përshtatshëm për një mërgim të gjatë. Megjithat në libra shkruhet se Chaplin dhe Piccaso ndanë dy javë takimesh dhe diskutimesh në Moskë me rastin e festimeve për datëlindjen e Stalinit. /konica.al/ KultPlus.com

Po pushkatohej nga 11 ushtarë dhe ai nuk e ndalte buzëqeshjen

Georges Blind  ishte një francez që ishte anëtar i rezistencës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe është interesante se kur po pushkatohej, ai nuk e ndalte buzëqeshjen

Blind u arrestua në Belfort nga një patrullë naziste më 14 tetor 1944. Më 24 tetor, me të burgosur të tjerë u dërgua nga Belfort në një kamp në Schirmeck, Alsace.

Dy ditë më vonë, ata u transportuan në kampin e përqendrimit në Dachau, duke arritur atje në fund të tetorit.  Gjermanët përdorën ekzekutime të shumta talljeje për të provuar që të verbërit të hiqnin dorë nga informacioni, por Blind refuzoi të flasë me kapësit e tij, dhe kështu e ekzekutuan.

Blind vdiq në të ashtuquajturin ‘Arbeitslager Blechhammer’ në Blachownia ąląska, Poloni, në tetor 1944. Ai u ekzekutua nga skuadra e pushkatimit. Fotografia ishte një ekzekutim talljeje si një përpjekje për të bërë Georges Blind të flasë.

Nuk dihet data e saktë e vdekjes së tij.

Një ushtar gjerman mori fotografinë në Belfort, Francë. Imazhi u botua në të gjithë botën kryesisht në gazeta dhe revista. /gazetametro.net/ KultPlus.com

Librat që nuk janë botuar kurrë

Bota është mësuar që shkrimtarët e mëdhenj t’i njohë më shumë në bazë të veprave të tyre më të mëdha. Mirëpo këta shkrimtarë shpesh kanë pasur edhe vepra që nuk i kanë botuar kurrë.

Ne vijim mund t’i shihni veprat e disa prej shkrimtrëve më në zë, të cilat nuk janë botuar asnjëherë.

“Margites” – Homeri

Para “Iliadës” dhe “Odisesë” ishte “Margites”. Mbi përmbajtjen e poemës epike, puna e parë e Homerit, dihet shumë pak, përveç ca vargjeve të mbijetuara për arsye të ndërfutjes së tyre në vepra të autorëve të tjerë.

Është fatkeqësi që nuk është ruajtur një kopjes e kësaj vepre. Aristoteli, në “Mbi artin e poezisë”, e ka vlerësuar veprën e Homerit, duke e cilësuar si formën e parë të komedisë.

“Cardenio” – Shekspir

“Cardenio” është quajtur si “kupa e shenjtë” e lexuesve të Shekspirit. Ka të dhëna se trupa teatrale e Shekspirit e luajti pjesën në maj 1613 dhe se është shkruar nga Shekspiri dhe bashkëpunëtori i tij Xhon Fleçer, por dorëshkrimi i veprës nuk është gjetur kurrë.

Bazuar te titulli, studiuesit mendojnë se pjesa ka lidhje ose është frymëzuar nga një skenë në “Don Kishotin” e Servantesit, ku përfshihet një personazh me emrin Cardenio.

“Sanditon” – Xhejn Ostin

Kur vdiq, më 18 korrik 1817, në moshën 42-vjeçare, Xhejn Ostin la në dorëshkrim 11 kapituj të një romani të papërfunduar. Në këtë roman, protagonistja Sharlota viziton qytetin bregdetar Sanditon, ku po ndërtohet një resort. Ostin ka prezantuar vendin dhe personazhet, por fatkeqësisht vepra mbeti e papërfunduar pikërisht kur ngjarjet nisin të marrin formë.

Disa shkrimtarë janë përpjekur ta përfundojnë veprën në stilin e Ostin, pa ia arritur me sukses.

“I varfri dhe zonja” – Tomas Hardi

Romani i parë i Tomas Hardi ishte mbi një marrëdhënie jo të qëndrueshme mes djalit të një fshatari dhe vajzës së një pronari tokash. Vetëm kaq dihet për veprën e parë të tij, aq sa 50 vjet pasi e kishte shkruar, vetë Hardi nuk mbante mend shumë detaje, madje nuk i kujtohej as nëse dy personazhet kryesore përfundonin bashkë. Ajo çfarë dihet është se në fund të viteve 1860, Hardy e cilësonte romanin si pjesën më origjinale që kishte shkruar.

“Lufta e Parë Botërore” – Ernest Heminguej

Në vitin 1922, Hadli Heminguej, gruaja e parë e Ernest Heminguej, futi në një valixhe dorëshkrimet origjinale të disa tregimeve dhe një pjese romani të të shoqit. I hipi trenit dhe u largua nga Parisi, për t’u takuar me të shoqin në Zvicër. Gjatë udhëtimit, valixhen e kishin vjedhur.

Më vonë, Heminguej tregoi mbi rëndësinë e përmbajtjes së valixhes së vjedhur dhe ka pranuar se kjo ngjarje çoi drejt divorcit. Ai nuk u përpoq kurrë të rishkruante krijimet e vjedhura, përfshirë romanin bazuar në eksperiencën e tij gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Shfaqje e dyfishtë” – Silvia Plath

Në vitin 1962, Silvia Plath nisi të punonte mbi një roman të ri që mendonte ta titullonte “Shfaqje e dyfishtë”. Kishte shkruar 130 faqe kur vrau veten më 11 shkurt 1963.

Pas vdekjes së saj, u shoqi, poeti Ted Hughes, mori të drejtat e krijimeve të saj të pabotuara. Në një intervistë të vitit 1995, bashkëshorti i saj pretendoi se dorëshkrimi ishte marrë një nëna e Plath.

Ndërkohë, mendohet se romani bënte fjalë mbi historinë e një gruaje, burrit të saj dhe dashnores së tij. Plath nuk kishte marrëdhënie të mira me të shoqin dhe mendohet se libri ishte një lloj autobiografie. /Botimeshqip.com/ KultPlus.com

Kur realiteti i hidhur në Kosovë jetësohet përmes fotografisë

Shpesh kur fjalët mungojnë, kur gjuha na e pamundëson shprehjen, e kur momentet e përjetuara nuk kemi se si t’i shfaqim përmes fjalëve, fotografia kap momentin si një perëndeshë e vërtetë. Duke treguar fuqinë e saj madhështore, për të shfaqur të pashfaqurën e për të treguar të patreguarën.

Bleonita Duraku, një fotografe e re nga Vushtrria, përmes fotografisë ka tentuar të hedhë dritë mbi realitetin e hidhur në Kosovë, shkruan KultPlus.

Duke qenë e re në moshë dhe duke ndjerë dhimbjen e kushteve të rënda ekonomike e sociale që zënë hapsirë ne vendin tonë, ajo ka arritur që përmes kamerës së saj të kap momente të përditshmërisë kosovare, si fëmijët duke punuar e duke shitur në rrugë, personat në moshë të shtyrë që si pasojë e kushteve të rënda, detyrohen të punojnë etj.

Fotografja për KultPlus ka deklaruar se gjithmonë e kanë tërhequr fotografitë që bartin mesazh të rëndësishëm të shoqëria. ”Mesazhi që kam dashur ta përçojë është gjendja e rëndë ekonomike që mbizotëron në Kosovë dhe puna e rëndë fizike që pleqtë dhe fëmijët detyrohen ta bëjnë për shkaqe mbijetese”, është shprehur fotografja.

”Fotografitë kryesisht janë realizuar në Prishtinë, me fokus më të madh në pazarin e Prishtinës, sepse vetëm aty është më e qartë dhe më e lehtë të pasqyrohet realiteti i hidhur që shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës e jetojnë çdo ditë”, deklaroi Bleonita Duraku.
Fotografja poashtu tregoi se ka qenë shumë e vështirë realizimi i fotografive, pasiqë sipas saj qytetarët refuzonin të fotografoheshin me frikën e ekspozimit në media.

Më poshtë mund të shihni fotografitë e realizuara nga Bleonita Duraku, të cilat fotografja i ka ekspozuar edhe në kalanë e qytetit të Vushtrisë, ekspozitë kjo që duke trajtuar një temë delikate si ajo e mbijetesës, fotografja ka vendosur t’i vë titullin ”Jam edhe këtu”. /KultPlus.com

Bosh

Timo Flloko

Këtë herë nuk mund ta fsheh
Tani ta them, ta dish
Atë që kurrë nuk ta kam thënë
S’bëj dot pa ty!

Ta fala shpirtin tim
Ç’do puthje, përqafim
Si bizhu mbi trupin tënd

I lashë t’i ruash ti…

Dhe shtrati mbeti bosh
Dhe vetja ndjeu bosh
Gjithçka e mbushur, bosh
Fluturova me avionet nëpër botë të të harroj
Tundimi më pushton
Në joshje që s’mbaron
E dhashë veten një si ty ta gjej…

Dhe mbeta bosh.

Luksi i të vdekurve

Tregim nga Behar Jacaj

Çdo pranverë, marr një nga rrezet e pafundme të diellit dhe zbres tek varri im. Aty, mbi fijet e barit të përtrirë, shaloj një milingonë dhe zbres tek shtëpia ime e lashtë, eshtrat e mi të dikurshëm. Kur pata emigruar drejtë amshimit, tek banesa ime kthehesha sa herë më jepej mundësia, e, meqënëse nuk kisha ndonjë gjë me të cilën të vrisja kohën time të përjetshme, kthehesha tek qefini im në çdo shkrepje qepallash. Natyrshëm, kthimet filluan të rrallohen çdo herë e më shumë. Ashtu siç shtëpia e braktisur që fillon e kthehet në strehë për mykun pluhurin dhe minjtë, edhe trupi im filloi të popullohet nga baktere, larva e krimba.

I shikoja sesi ato thërmija të gjalla, grimconin trupin tim, e, përtej keqardhjes, ndjeja një farë hakmarrjeje për atë trup krejtësisht të zakonshëm, që në të gjallë gjithëandej më bënte të ndjehesha hije. Shikoja krimbat sesi përtypnin bebet e pajeta të syve dhe thoja ashtu e meritojnë ata sy mëkatarë që trurit nuk i kursyen pamjen më të kobshme, as më të hijshme, e për pasojë nuk i kursyen as dhimbjen.

Kështu kthimet e mia nga çdo sekond u rralluan në çdo një minutë, pastaj në çdo një orë, e më vonë çdo një ditë. Harresa dhe largimi u bë më të madhe kur avulloi çdo ind i trupit tim të dikurshëm, kështu vendosa të kthehem çdo të dielë. Më vonë një herë në çdo muaj. Paqja e qiejve filloi të më bëjë harraq (ndoshta në thelb paqja është vetem harrim) dhe, duke qënë se nuk kthehesha dot çdo muaj, vendosa të kthehem çdo stinë. Së fundmi kam vendosur të kthehem çdo pranverë.
Sigurisht atje ku jam vendosur nuk ka stinë, por sidoqoftë, ndërrimin e tyre e kuptoj nga loja e reve poshtë meje. Kur retë poshtë meje ngjajnë si dysheme e pisët hamendësoj se atje poshtë është stina e vjeshtës. Nëse dyshemeja ngjan me një humnerë të kaltër di që atje poshtë është vera. Kur retë hapën e mbyllën sa hap e mbyll sytë, e di që atje është pranverë dhe zbres.

Hera e fundit qe një habi e madhe. Jo vetem që nuk gjeta as një milingonë, asnjë fije bari, as kryqin, as varrin, por nuk gjeta asnjë shenjë të varrezës. Mendova mos kam marrë rezen e gabuar, e për pasojë ndodhem në vendin e gabuar. Pash rreth e rrotull dhe ishte i njëjtin vend, e njëjta rrugë, I njëjti mal që rrinte përballë në horizont, dhe po i njëjti lum që vershonte, veç varreza nuk ishte. Dukej sikur nuk kishte qënë kurrë. Shushatja ime qe e madhe. Më i madh ishte kurioziteti. I hipa flladit të erës dhe shkova tek një shtëpi e shkretuar majë kodre. Rrëshqita mes ferrash dhe hyra brenda. U tregova hallin tim dritareve të thyera, drunjëve të kalbura, murëve të rrënuara, por ato kishin dhimbjen e tyre, ndaj s’mu gjegjën. Ndoshta as nuk më degjuan fare.

Një pasqyrë, djallëzorë siç janë pasqyrat, me kushtin që t’i tregoja një pjesë të përtejmes, më tregoi gjithë shumë pak çkish’ ndodhur. Në qelqin e saj, ca të pluhrosur, ca të me fullska lagëstie, pashw një robot gjikand metali që gërmonte mbi varrin tim, mbi eshtrat e mi të dikurshëm. Eshtrat sëbashku me dheun hidheshin mbi një govatë gjikande metali, të cilës i ishin vendosur ca rrota dhe, me ndihmën e saj shkonin dikur tjetër. Pastaj, në themomën gjikande të hapur, mbinte, si një barishte e keqe a, si një trung i bekuar një qiellgërvishtës, varrezë për të gjallët. Nuk është ndonjë hata e madhe, mendova. Tek e mbramja, është luks i madh për të vdekurit t’i shtrijnë kockat për shtat palë qefe në një truall që mungon gjithnjë e më shumë. Të gjallët duhet të mendojnë dhe të punojnë për të gjallët. Do ishte mirë të kishin edhe pak respekt për të vdekurit, por Hyji nuk t’i jep të gjitha. Ndjeva lehtësim. Falendërova pasqyrën, përshendeta muret shurdhe dhe dola. Mora një nga rrezët e diellit në të përenduar dhe ika, i bindur se ky ishte kthimi I fundit. Tashmë nuk kisha pse të kthehesha. Edhe po të doja, nuk kisha ku! /KultPlus.com

Në Peru zbulohet varreza me trupat e 220 fëmijëve, të therorizuar për “qejfin e perëndive”

Një varrezë masive me trupat e 220 fëmijëve është zbuluar në Peru. Të miturit dyshohet se janë sakrifikuar nga të rriturit rreth 5 shekuj më parë, për t’u bërë qejfin perëndive të asaj epoke.

Arkeologët në Peru kanë zbuluar atë që dyshohet të jetë sakrifica më e madhe e të miturve në histori. Trupat e 227 viktimave, fëmijë të moshave nga 5 deri në 14 vjeç, u gjetën në një varr masiv pranë qytetit bregdetar Huançako, në veri të kryeqytetit Lima.

Fëmijiët mendohet të jenë sakrifikuar rreth 500 vjet më parë. Arkeologët deklaruan për agjencinë e lajmeve “AFP” se disa nga trupat e rekuperuar kishin ende flokë dhe lëkurë pasi u zhvarrosën. Skeletet mbajnë shenja që tregojnë se të vegjlit janë vrarë në mot të lagësht dhe se janë varrosur duke qëndruar përballë detit, që do të thotë se janë sakrifikuar për t’iu bërë qejfin perëndive.

Viti i saktë i ekzekutimit të të miturve nuk dihet ende, por arkeologët dyshojnë se ai është kryer gjatë epokës së qytetërimit Çimu. Gërmimet ndërkohë vazhdojnë dhe specialistët deklarojnë se trupa të tjerë mund të gjenden në ditët në vazhdim.

“Është e pabesueshme kjo që u është bërë fëmijëve. Kudo që të gërmosh gjendet një trup tjetër”, deklaroi shefja e misionit të arkeologëve, Feren Kastijo. Zbulimi vjen thuajse një vit pasi skeletet e rreth 200 fëmijëve të tjerë u zbuluan në dy zona të tjera të vendit latin. /koha.net/KultPlus.com

”Si një shi ti ike, në çdo pikë më vrisje”

Argjentina Ramosaj, këngëtarja shqiptare që njihet për zërin e saj të thellë dhe melankolik, njihet kryesisht me baladat e saj prekëse dhe të fuqishme, shkruan KultPlus.


Hitet e saj si: ‘Pse’, ‘Jeta vazhdon’, ‘Shpirt i mbytur etj’ janë disa prej këngëve më të famshme të këngëtares, duke e bërë kështu një artiste shumë të dashur e të veçantë për adhuruesit e muzikës e sidomos të baladave.

Argjentina, ndonëse jo gjithmonë shumë aktive në muzikë, përkujdeset që në çdo këngë e saj të lërë gjurmë dhe të jetë një histori në vete, duke mos dalë në kompromis me antivlerën dhe duke arritur të krijojë gjithmonë diçka të mirë për vesh.

KultPlus ju sjellë këngën ”Si Shiu” të Argjentina Ramosajt, këngë kjo që është publikuar në vitin 2014, e që edhe tash vazhdon të jetë nga këngët më të dëgjuara të saj. /KultPlus.com

Rënia e dëborës

Nga Ismail Kadare

Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend
Se qielli rastësisht s’u mbyll
Se kjo dëborë që shtroi kudo
Në të vërtetë ka rënë për ty.

U projektua çdo kristal
I saj në qiell të madh diku
Dhe nuk pushoi së rëni ajo
Gjersa i gjeti flokët e tu.

Që ti ta shkundje me një gjest
Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim
Një natë të tërë qielli punoi
me ernat në bashkëpunim.

Dhe në mëngjes i zbehtë ai,
I ftohtë hapej madhërisht,
ndërsa shëtisnim ne të dy
Nën altruizmin e tij të hirtë.

Organizata “Ec ma ndryshe” realizon ekspozitë në Vushtrri

Në Vushtrri është mbajtur ekspozita “Jam edhe këtu” nga organizata “Ec Ma Ndryshe”, ku protagonistët e kësaj ekspozite kane qenë fëmijët dhe pleqt që punojnë në punë të ndryshme për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

“Në qytetin e Vushtrrisë, është hapur ekspozita me fotografi me temën “JAM EDHE KËTU”, iniciativë kjo e Bleonita Durakut, nxënëse e Shkollës së Aktivizmit. Të gjitha fotografitë janë realizuar nga vet nxënësja, qëllimi i së cilës ka qenë t’a vë në pah çështjen e gjendjes sociale të kësaj pjese të shoqërisë”.

“Ajo ka zgjedhur që protagonistë të kësaj ekspozite të jenë personat më të ndjeshëm të shoqërisë si fëmijët dhe pleqt, të cilët për shkak të gjendjes ekonomike detyrohen t’i ekspozohen punëve të ndryshme, në shumicën e rasteve edhe duke u cënuar mundësia e shkollimit për këta fëmijë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur, e njëjta është financuar nga KCSF.

“Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin përfaqësues komunal, të shoqërisë civile dhe artdashës të shumtë. Ekspozita do të jetë e hapur deri me datë 31 gusht në Kalanë e qytetit të Vushtrrisë.

Aktiviteti është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë, financuar nga Qeveria e Dukatit të madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).”