Roterdami do të presë Eurovizionin 2020

Rotterdami do të presë Eurovizionin 2020 që do të zhvillohet më 16 maj duke fituar një betejë që e përballi këtë qytet në perëndim të Holandës me vende të tjera të metrolit, sipas televizionit holandez.

Ky qytet prej 600 000 banorësh ka qenë i privilegjuar në Maastricht në finale.

Në konkursin për organizimin e Eurovizionit 2020 morën pjesë gjithashtu Amsterdami, Ultrechti, Den Beschi dhe Arnhem.

Fituesi i fundit i Eurovizionit, Duncan Laurence, ishte me origjinë nga Holanda dhe vendi kishte fituar të drejtën për të organizuar edicionin pasues.

“Mirë se erdhët në Holandë! Mirë se erdhët në Rotterdam”, konfirmoi Duncan Laurence në një video të njoftimit të rezultatit në televizionin holandez duke e përshkruar qytetin si një vend ku të jesh ndryshe nuk përbën asnjë diferencë.

Njëzet e pesë vjeçari, i cili zbuloi biseksualitetin e tij në vitin 2016 dhe përdori mediatizimin për të kërkuar më shumë tolerancë, njohu këtë vit sukses me baladën “Arcade”.

“Katër kritere janë marrë parasysh. Më i rëndësishmi ka qenë vendi i evenimentit. Sepse ne organizojmë një spektakël që shihet nga 200 milionë spektatorë”, theksoi Sietse Bakker, një zyrtar i Eurovisionit, për televizionin NOS në momentin e zbulimit të rezultatit.

Salla sportive Ahoy Arena, që përmban 16 000 vende, do të organizojë evenimentin që do të mbahet në disa etapa, gjysmë finalet më 12 dhe 14 maj dhe nata finale më 16 maj 2020/AFP./ KultPlus.com

Nisin sot aktivitetet për shënimin e 20-vjetorit të Policisë së Kosovës

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të saj, Policia e Kosovës ka paraparë disa aktivitete të ndryshme të cilat do të zhvillohen përgjatë një jave.

Sot prej orës 09:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve Prishtinë bëhet hapja solemne e këtyre aktiviteteve, e cila do të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Rashit Qalaj.

Hapjes së këtyre aktiviteteve do t’i paraprijë edhe një ndeshje sportive e futbollit, ku do të marrin pjesë menaxhmenti i lartë i PK-së.

Agjenda për javën policore:

• Data 31 gusht dhe 1 shtator ora 09:00 – 16:00 lojëra sportive-futboll – vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë.

• Data 02 shtator ora 09:00 -16:00 lojëra sportive -volejboll – vendi Pallati i Sporteve “Bill Clinton” Ferizaj.

• Datën 02 Shtator ekspozita Policore në Muzeun e Kosovës ora 19:00, do të qëndrojë e hapur deri me datën 09 shtator.

• Data 03 shtator garat e vrapimit (kros) –vendi Mitrovicë, stadiumi “Adem Jashari”

• Data 03 Shtator ora 11:00- 13:00 -Aktivitet Policore në Kryeqytet -Sheshi Zahir Pajaziti.

• Data 04 shtator lojërat në pingpong , vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë.

• Data 04 Shtator –ora 08:00 – 16:00 – ‘Porta e Hapur’ (në të gjitha Stacionet Policor)

• Data 05 Shtator ora 10:00 finalja në futboll – vendi Pallati i Rinisë dhe Sporteve Prishtinë

• Data 06 Shtator ora 10:00 – Ceremonia kryesore vendi ‘Wait Garden Event’ –magjistralja Prishtine –Ferizaj ( km i 12-të). / KultPlus.com

Jashar Rexhepagiqi i shkruan Fehmi Aganit

Vetëm të jesh këtu

( Kushtuar Fehmi Aganit )

Një njeri i rrallë,
i zoti, mendar,
Edhe në pësim i madh
Dhe t`isha ai që nuk jam
Këtu të ishe
shumëçka do të kishim.

Kot nuk krrokati korbi
sot me ag.
Çerdhen derdhi.
E nga hardhia ime
pikëlloi loti.

Shpesh vras mendjen,
këtu të ishe,
më i ndritshmi yll
ndoshta do kishim më shumë
dritë e dikushi të ishim.

Lindsay Lohan lanson rikthimin muzikor me këngën “Xanax”

Lindsay Lohan po planifikon një tjetër sulm në top listat e muzikës pop me një singël të ri të titulluar “Xanax”.

Ylli i “The Mean Girls” të mërkurën e publikoi këngën në emisionin e radio personalitetit Kris Fade, në Dubai.

Ai e cilësoi këngën “të pabesueshme” para se të shpjegonte, “Ka të bëjë me anksiozën dhe presionin dhe thjesht kujdesin për veten… Mendoj se e mbart një mesazh vërtet të mahnitshëm”.

Lindsay thuhet se e ka nënshkruar një marrëveshje të re muzikore me ish-bashkëshortin e Mariah Carey, Tommy Mottola.

Burimet thanë për Page Six se ajo ka nënshkruar me Casablanca Records të Mottola, kompani kjo e cila qëndron prapa albumit të saj debutues, “Speak”, të cilin e publikoi në vitin 2004, shkruan KOHA Ditore. Albumi, në të cilin shfaqet hiti Rumors, arriti në top pesëshen e Billboard 200.

Lindsay paralajmëroi një rikthim muzikor në fillim të këtij viti, kur ajo e postoi një fotografi në studion e regjistrimit dhe sugjeroi që ishte duke punuar në muzikë të re. / KultPlus.com

“Opera Night” mbyll ESMA 2019

Sonte mbyllet edicioni i tetë i Akademisë Muzikore Verore Evropiane – ESMA 2019 i cili është mbajtur në në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë prej 22 gushtit.

Ceremonia përmbyllëse e ESMA 2019 do të shoqërohet me një koncert i cili quhet “Opera night” që do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” sonte në ora 19:30.

Ndryshe, fillimi i sezonit të ESMA 2019 ishte në Mitrovicë, ku mësimet për kitarë, ansamblet e kitarës u përfunduan me sukses në mes të korrikut dhe njëkohësisht u mbajtën disa koncerte dhe ngjarje të tjera artistike.

Sipas organizatorëve gjithçka është realizuar siç ishte planifikuar, dhe në çdo qytet ka pasur atmosferë pune shumë pozitive midis pjesëmarrësve dhe profesorëve të ESMA 2019.

Gjatë akademisë janë mbajtur koncerte dhe ngjarje të ndryshme artistike në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë si rezultat i master klasave të pjesëmarrësve. / KultPlus.com

Sytë e tu

Poezi nga Oktavio Paz

Sytë e tu janë atdheu prej vetëtime dhe lotësh,
heshtje që flet,
stuhi pa erë, 
det pa dallgë,
zogj të burgosur, 
bisha të praruara të fjetura,
topaz të pafe si e vërteta,
vjeshtë në një hapësirë
pylli ku drita në të këndon,
sup i një peme dhe të gjitha gjethet e saj zogj janë, 
plazh që mëngjesi takon mbushur me sy,
shportë me fruta zjarri,
gënjështër që ushqen,
pasqyra të kësaj bote, 
dyer të atje përtej,
valëzim i qetë i detit në mesditë,
absolut që përpëlitet,
një vesë shi. /KultPlus.com

Ne jemi çfarë lexojmë, një hipotezë apo një e vërtetë e debatueshme

Albert Vataj

Kur një rrëfim na merr me vete, përvetësojmë identitetin e personazhit dhe e stimulojmë përvojën e tij në jetën reale.

Shumë shpesh na ndodh që gjatë leximit të një libri, të apasionohemi aq shumë pas historisë, sa të fillojmë të identifikohemi me protagonistin e saj duke kërkuar pika të përbashkëta me të ose të kopjojmë sjelljen dhe mendimet e tij. Sipas një studimi të Universitetit shtetëror të Ohajos, ky është një proces shumë normal që studiuesit e kanë quajtur “përvetësimi i përvojës”, ose procesi spontan që çon në përvetësimin e identitetit të një personazhi në një rrëfim të shkruar në një libër dhe më pas stimulimi i përvojës së tij në jetën reale.

Pra, në një farë mënyrë, jeni duke humbur brenda historisë së shkruar (në mënyrë letrare) dhe e gjeni veten si pa kuptuar duke vepruar dhe menduar njësoj si protagonisti i romanit, për të arritur deri atje sa të modifikoni sjelljen tuaj në mënyrë që të jetë e njëjtë me atë të personazhit tuaj.

Hulumtuesit që morën përsipër të vërtetonin këtë teori, e ushtruan eksperimentin e tyre tek më shumë se 500 njerëz. Kështu, sipas rezultateve të studimit në fjalë, nëse p.sh dikush është duke lexuar një histori me fantazi e bazuar në një personazh i cili kalon çdo lloj pengese dhe bën çdo lloj sakrificë për të votuar, ky lexues identifikohet me personazhin dhe kjo e bën atë më të predispozuar që të shkojë të votojë në zgjedhje të vërteta në ditët në vijim. Të gjithë e kemi pasur këtë eksperiencë në një moment të caktuar të jetës sonë, shprehen studiuesit, por vetëm pak nga ne kanë rritur të vlerësojnë impaktin e kësaj lidhjeje mes ‘fiksionit’ ose letërsisë artistike dhe realitetit në jetën e përditshme.

Dhe nuk është vetëm ngjashmëria që në gjejmë me personazhin ajo që na bën ta imitojmë, por një rol të rëndësishëm luan edhe mënyra se si zbulohet gradualisht në kohë një karakteristikë e veçantë e personazhit. Për të kuptuar këtë u realizua një studimi. 70 meshkujve heteroseksualë iu dha për të lexuar një shkrim kushtuar një laureati gay. Pjesa e atyre lexuesve që mësuan për karakteristikat e seksuale të personazhit afër fundit të rrëfimit, treguan më tej një sjellje më mirëdashëse ndaj homoseksualëve sesa ata që e dinin qysh në fillim këtë gjë.

Por në radhë të parë, ka të bëjë shumë edhe ambienti ku jemi duke lexuar. Kështu, është vënë re se kur një person vihet të lexojë një libër në një dhomë të rrethuar me pasqyra nga të gjitha anët, bëhet më i vështirë identifikimi me personazhin kryesor.

Përvoja e ‘përvetësimit’ mund të jetë një mjet shumë i fuqishëm potencial për të ndryshuar sjelljen dhe mendimin e njerëzve në mënyrë shumë pozitive, pohojnë studiuesit, sepse i shtyn ata të afeksionohen me personazhet e një romani, duke u hapur mundësi të reja për të hyrë në lidhje me grupe shoqërore me të cilët në kushte të tjera nuk do të ishin afruar kurrë. /KultPlus.com

Filmi kosovar “Në Mes”, merr pjesë në BFI London Festival

Filmi i autorit Samir Karahoda, nga produksioni SK Picture me producent Eroll Bilibani, gjatë muajit gusht u shfaq në festivalet Sarajevo Film Festival, Makedox, ndërsa premiera kombëtare e filmit gjatë edicionit të fundit të DokuFest e emocionoi publikun në kinemanë e stërmbushur të Lumbardhit.

Filmi i shkurtër dokumentar “Në Mes” i autorit Samir Karahoda është pranuar në kategorinë garuese të festivalit prestigjioz BFI London Film Festival 2019 e cila nga data 2-13 tetor do t`i sjell filmat më të mirë të botës në Londër, thuhet në një njoftim për shtyp të producentit të filmit, Eroll Bilibani.

Filmi “Në Mes” do të garojë në kategorinë e filmave të shkurtër dhe është një nga 12 filmat e përzgjedhur për këtë çmim që i dedikohet filmave që kanë një trajtim të veçantë kinematografik dhe një trajtim të sigurt të temës dhe të përmbajtjes. Filmi do ti prezentohet audiencës Londineze përmes 3 shfaqjeve në sekcionet “Debate” dhe “Prezantime Speciale”.

BFI London Film Festival do të ketë edhe një mbyllje spektakulare me premierën ndërkombëtare të filmit “Irishman”, që është vepra e fundit e ikonës së kinemasë Martin Scorcese, i cili pritet të paraqitet në skenë, së bashku me aktorët Robert De Niro, Al Pacino e Joe Pesci.

Filmi i autorit Samir Karahoda, nga produksioni SK Picture me producent Eroll Bilibani, gjatë muajit gusht u shfaq në festivalet Sarajevo Film Festival, Makedox, ndërsa premiera kombëtare e filmit gjatë edicionit të fundit të DokuFest e emocionoi publikun në kinemanë e stërmbushur të Lumbardhit.

Po në muajin gusht në FEKK Ljubljana Short Film Festival, filmi e fitoi çmimin kryesor “Grand Prix”, që i siguron ekipit Karahoda/Bilibani shërbime të postproduksionit për filmin e tyre të rradhës “Table Stories” që është njëkohësisht projekt i përzgjedhur për mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filmi “Në Mes” është prodhim autentik nga Kosova dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Bankës për Biznes, Komunës së Prizrenit dhe Prishtinës. /albinfo/KultPlus.com

Traileri zyrtar i filmit:

Bebe Rexha: Nuk jam më 20 vjeç

Bebe këtë vit mbushë 30 vjeç dhe pas kritikave që morri nga producenti i saj, i cili tha se Bebe është shumë e vjetër për të qenë sensuale, ajo publikoi këtë këngë të titulluar ”Not 20 anymore”.

Kënga trajton një temë të ndjeshme, atë të tejkalimit të pasigurive që vijnë si pasojë e problemeve që të 20-tat i ngrehin pas vetes, shkruan KultPlus. /KultPlus.com

Chanel No. 5, parfumi i mijëra trëndafilave

Chanel No. 5 u krijua në vitin 1921 për Coco Chanel, nga Ernest Bo. Ky ishte i pari kompozim aromash i përbërë nga një përzierje lulesh dhe kimikatesh. Sipas kompanisë, në botë shitet çdo 55 sekonda një shishe Chanel No. 5.

Për të nxjerrë një kilogram esencë duhen 400 kilogram trëndafila, pra për një kuti të tillë të vogël duhen më shumë se 3 tonë trëndafila.
Trëndafilat nuk janë të zakonshëm. Duhet të jenë trëndafila që çelin vetëm në muajin maj dhe që rriten vetëm në qytetin Grasse në Francë.

Çdo mëngjes, për tri javë, mbledhësit punojnë për të mbushur përparëset me lulet e sapoçelura të 50.000 bimëve trëndafili.

Më pas, trëndafilat transferohen nga përparëset në thasë bezeje me kujdes të jashtëzakonshëm që të mos shtypen.

Në luftë kundër kohës, thasët peshohen para se petalet të shkrijnë nga nxehtësia. Pasi peshohen, lulet hapen në tabaka të mbivendosura, zhyten në tretës, trazohen dhe nxehen në temperaturë të lartë. Tretësi thith gjithë aromat që do të përdoren në parfumin final.

Pas ekstraktimit me tretës, formohet një dyllë i quajtur “beton” i cili magazinohet si të jetë thesar.

Nevojiten 400 kg trëndafila për të nxjerrë 1 kg dyllë. Në fund, betoni transformohet në një lëng, që përdoret në formulimin e ekstraktit të Chanel No. 5./gazetaexpress/KultPlus.com

Fjalori pak i njohur italisht-shqip i vitit 1848

Nga Luljeta Dushi

Në botimin e fjalorit të Atë Francesco Maria da Lecce që daton në vitin 1702, Gëzim Gurga shkruan: “Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shek. XVII, Kongregata [Propaganda Fide] nuk i kushtoi vëmendje çështjes së gjuhës shqipe, e cila, ndryshe nga arabishtja, konsiderohej si gjuhë e lehtë dhe për këtë arsye nuk parashihej asnjë lloj përgatitjeje paraprake gjuhësore për misionarët që dërgoheshin në Shqipëri.”Është kjo arsyeja përse fjalori i da Lecces qe një ndihmesë e madhe për françeskanët e huaj që erdhën dhe shërbyen në Shqipëri, pas hartimit dhe botimit të tij.

Është një histori e trazuar ajo e dëshmive që lidhen me këtë fjalor, duke filluar me atë të Giuseppe Schiro në vitin 1918, pastaj zhdukjen e tij deri në 1988 kur në kremtimin e pesëqind vjetorit të themelimit, Biblioteka e Palermos boton një katalog me të gjitha botimet në gjuhën shqipe. Më pas është Matteo Mandala i cili në vitin 1995 tregon interes për fjalorin dhe boton një studim të gjatë me titull “Huazimet turke në fjalorin e da Lecce-s”  dhe gjithçka finalizohet me botimin kritik të fjalorit nga studiuesi Gëzim Gurga.

Pak vite pas dëshmisë së Schiroit, përkatësisht në 1931, Atanaz Gegaj jep dëshmi për një tjetër fjalor, gjithashtu italisht – shqip, gjithashtu hartuar nga një frat françeskan, më tepër se një shekull pas atij të da Lecces. Bëhet fjalë për fjalorin e Luca da Monte Giove që daton në vitin 1848:

“P. Luca da Monte Giove O. F. M. – Edhe ky kje ma parë në Shqypni e mbrapa mësoi shqipen në Romë. Vjeta në të cilin e nisi mësimin e vet nuk dihet mirë, veç mbas njaj letre, qi ai vetë shkruen, duket se kje rreth 1848.

Posë disa veprave tjera, P. Luca ka lanë edhe një Fjaluer shqyp e italisht, të cilin ia dorzoi Kongregacionit të Propagandës për me e shtypë, shka nuk u ba. Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën e bashkisë në Todi, në Itali, “Cod. 224”, në formatin 8°,f. 328, shkrue në vitin 1848.”

Më vonë për të do të shkruajnë Mario Roques, Atë Vinçenc Malaj dhe prof. dr. Jup Kastrati, por gjithnjë, nga sa duket, pa pasur para dorëshkrimin origjinal pasi thuajse në çdo rast, mbiemri i autorit del ndryshe (Monte Giove, Montegiove, Montegiovo etj.)

Për jetën e autorit nuk dimë shumë. Në shkrimin e përmendur më lart, Atanaz Gegaj na thotë se ai ishte nëntëmbëdhjetë vjet misionar në Shqipëri duke shërbyer si famullitar në Pult të Dukagjinit e më pas, mësues i gjuhës shqipe në Romë. Po aty, lexojmë se Monte Giove vdiq në vitin 1862.

Me dorëshkrimin e fjalorit në fjalë, për herë të parë jam njohur nga prof. dr. David Luka i cili më sugjeroi ta punoja si mikrotezë në përfundimin e studimeve master në “Studime të thelluara në gjuhësi”. Nga ajo kohë, kam synuar ta bëj sa më të njohur ekzistencën e këtij dorëshkrimi, duke botuar në revistën “Studime Filologjike” një shkrim rreth pjesës së tij të parë” dhe në “Hylli i Dritës”, një shkrim për pjesën e dytë. Pavarësisht dëshirës, me sa duket, akoma nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur një dorëshkrim me vlerë të tillë. Dëshira ime dhe e udhëheqësit shkencor prof. dr. David Luka ka qenë që punimi i mikrotezës të vijonte me një tjetër, shumë më të zgjeruar për studimet doktorale në gjuhë shqipe dhe të finalizohej me një botim kritik të veprës, por qysh në vitin 2013, në të gjithë institucionet universitare dhe studimore në Shqipëri, nga sa kam marrë informacion, është bllokuar mundësia e vijimit të këtyre studimeve.

Fjalori Italisht – Shqip i Luca da Monte Giove u hartua që t’i vinte në ndihmë misionarëve të rinj për të mësuar më lehtë gjuhën shqipe pa të cilën, sigurisht nuk do të mund të kryenin detyrat e caktuara ashtu sikurse duhej. Ai ka një renditje të saktë: fillon me fontespicin e punuar me dorë (paraqitur në fotografinënr.1), pasojnë tri faqe ku da Monte Giove i shkruan një letër në italisht arqipeshkvit mons. Labella, personit të caktuar nga Propaganda Fide për të ndjekur punën e hartimit të fjalorit dhe më pas, miratimi i ipeshkvit të Durrësit, shkruar në italisht.

Pjesën kryesore të fjalorit e zë fjalësi i përbërë nga fjalë të rreshtuara sipas rendit alfabetik. Në të majtë, janë fjalët në italisht, ndërsa në të djathtë, përkthimet respektive në shqip. Në fund të fjalorit gjejmë disa faqe të veçanta, shënuar me numra romakë (I – VIII); tre të parat me antroponime në italisht dhe përkthimin e tyre në shqip (kryesisht emra shenjtërish që janë ndryshe në italisht dhe ndryshe në shqip, përshembull Veneranda, në shqip është Prenda), faqja e katërt emra qytetesh dhe kombesh më të përdorura dhe faqet e tjera, fjalë të urta dhe sentenca shqiptare.

Alfabeti që përdor da Monte Giove është i përafërt me atë të da Lecces, pra vazhdues i traditës së alfabeteve të përdorura nga autorët e vjetër të shqipes. Janë gjithsej pesëdhjetë grafema që i përgjigjen pesëdhjetë fonemave me të cilat autori shkruan fjalët e shqipes.

Është me interes dhe shumë domethënës fakti që pavarësisht se ai shërbeu në Pult të Dukagjinit, shqipja e përdorur në fjalor i afrohet shumë të folmes së Shkodrës. Kjo tregon se da Monte Giove i ka njohur mirë autorët e vjetër të shqipes mes të cilëve edhe Pjetër Bogdanin, punimet e të cilit, sipas dëshmive, Propaganda Fide i merrte si shembull të gjuhës shqipe kur përgatiste misionarë françeskanë për në trevat tona.

Nuk dua të ndalem në veçori morfologjike, fonetike dhe leksikore pasi për to mund të lexoni më shumë në shkrimet e botuara në “Studime Filologjike” dhe “Hylli i Dritës”, pasi synimi i këtij shkrimi është vetëm pasqyrimi i shkurtër i fjalorit dhe një dëshmi e ekzsitencës së tij. Sa thashë më lart është një përmbledhje e sintetizuar e asaj pasurie që ky fjalor përfaqëson në vetvete. Shpresoj që ai të shihet me seriozitetin e duhur nga studiuesit dhe botuesit, pasi është një ndër ato vepra që mund të shtojë pasurinë e historisë së gjuhës shqipe./exlibris/ Kultplus.com

Abdul Hamidi I dhe dekreti për asimilimin e gjuhës shqipe

 

Sipas mediave të fqinjëve tanë, perandoria osmane, që mbajti të pushtuar për pesëqind vjet popullin shqiptar, ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e kulturës dhe gjuhës greke: Sulltani Abdul Hamidi I (1725-1789), pasi mori një thes me flori nxori  “Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe. Ligji u lëshua nga sulltani i Perandorisë Osmane, më 31 Maj 1779, Abdul Hamid I (1725-1789).

Në ligj përcaktohej saktë, marrja në mbrojtje nga ana e turqve, e kulturës dhe gjuhës greke dhe përkundër saj, lufta dhe shfarosja e gjuhës shqipe.

Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki”, të vitit 1999. Dekretin e pasqyrojnë mediet greke më 1999-ën, bashkë dhe burimin e marrjes së floririt prej sulltanit Abdul Hamid I.

Abdyl Hamiti II (1842-1918) ishte sulltan i Perandorisë Osmane (1878-1909), i cili vendosi një nga regjimet më të egra dhe për masakrat kundër popujve të shtypur u mbiquajt “sulltani i kuq”. Zbatoi ndaj shqiptarëve politikën e mohimit të të drejtave kombëtare dhe të shkombëtarizimit. Abdyl Hamiti II kundërshtoi të gjitha kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe e shtypi atë me dhunë, ndërsa nga ana tjetër mbante me privilegje krerët feudalë shqiptarë, që u shërbenin interesave të sundimit osman.

Populli shqiptar bëri kryengritje të armatosura të njëpasnjëshme kundër tiranisë së Abdyl Hamitit në fund të shek.XIX deri në fillim të shek.XX. Shqiptarët morën pjesë në shpartallimin e komplotit të organizuar nga sulltani më 13.04.1909 kundër regjimit kushtetues. Më dështimin e komplotit, Abdyl Hamiti ra nga froni./konica.al/ KultPlus.com

Shën Nënë Tereza: Ma dërgo dikë ta dua

Poezi nga Nënë Tereza

O Zot, 
Kur kam uri, më jep dikë që ka nevojë për bukë.
Kur kam etje, më dërgo dikë që ka nevojë për ujë.
Kur kam të ftoftë, më dërgo dikë ta ngroh.
Kur ndjehem e pakënaqur, më dërgo dikë ta ngushëlloj.

Kur kryqi im peshon rëndë, më bëjë ta bashkëndajë kryqin e tjetrit.
Kur jam e varfër, më dërgo te ata që kanë nevojë.
Kur nuk kam kohë, ma jep dikë që ta ndihmoj për një çast.
Kur jam e nënçmuar, bëjë të kam dikë që ta lavdëroj.

Kur jam e ligështuar, më dërgo dikë ta forcoj.
Kur kam nevojë të më kuptojnë, më dërgo dikë që ta dëgjoj e ta kuptoj.
Kur kam nevojë të kujdesen për mua, më dërgo dikë të kujdesem për të.
Kur mendoj vetëm për vetveten, tërhiqe vëmendjen time tek të tjerët./drita.info/KultPlus.com

Erich Maria Remarque: Kam nevojë për një njeri që të çmendet pas meje, të lajthitë bashkë me mua

Fragment nga Harku i Triumfit

Ti… Ti ishte gjithmonë aq i sigurt! Ishe aq i sigurt, sa më vinte të shkalloja! Asgjë s’mund të të shkundte nga ajo siguri!…E urrej atë epërsinë tënde! Sa herë jam pushtuar nga ajo urretje për të!… Unë kam nevojë për entuziazëm! Kam nevojë për një njeri që të çmendet pas meje, të lajthitë bashkë me mua!

Më duhet një njeri që s’bën dot pa mua! Kurse ti mund të jetosh edhe pa mua! Gjithmonë ke mundur! S’ma ke nevojën! Je i ftohtë! Je i zbrazët! Ku di ti ç’është dashuria! Kurrë s’ke qenë për mua ai që duhej të ishe!… Të pata gënjyer atëherë kur të thashë që kjo punë ndodhi kështu sepse mungove dy muaj. Kështu do të ndodhte edhe sikur të kishe mbetur këtu.

Mos m’i zbardh dhëmbët! Unë jam e zonja t’i dallojë ndryshimet, i di të gjitha; e di që ai tjetri nuk është i zgjuar dhe nuk është kështu si ti, por ai bënë çmos për mua, ngordh për mua, për të s’ekziston asgjë përveç meje; ai e ka mendjen vetëm tek unë, nuk do njeri tjetër përveç meje, nuk njeh tjetër përveç pushtetit tim… Ja, për këtë kam nevojë unë! /KultPlus.com

”E kundërta ndodhi, ti ike larg, ato ditë dimri të jetës sime”

Një këngë e veçantë nga Aleksander Gjoka

Ditë Dimri

Në jetën time ka qenë një çast
kur unë për ty pata nevojë
jo për të tua gjeste e fjalë
por ti pranë meje t’më qëndroje

2x
E kundërta ndodhi ti ike larg
ato ditë dimri të jetës sime
gjithmonë gëzimet i ndanim bashkë
përse më ike më braktise /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=jMjQ5xkXsv0

Khaled Hossein: Ka vetëm një mëkat: vjedhja – çdo gjë tjetër është veç variant i vjedhjes

Khaled Hossein është një ndër autorët më të preferuar tashmë dhe shqiptarët e njohin përmes dy librave të përkthyer edhe te ne, siç janë: “Një mijë diej vezullues” dhe “Gjuetari i balonave”.

Romani “Njëmijë diej Vezullues” arriti të shesë një numër tejet të madh kopjesh dhe është një kronikë e pabesueshme e tridhjetë viteve të historisë së Afganistanit dhe gjithashtu, një histori thellësisht reale dhe e vërtetë e familjes, që gjen forcë dhe jetëson me dashurinë, besimin, miqësinë dhe njerëzoren.

Kurse “Gjuetari i balonave”, tregon historinë tronditëse dhe prekëse të transformimit të Amirit nga fëmijëria në moshën madhore gjatë tranzicionit të Afganistanit nga monarki në revolucion.

Në vijim, kemi përzgjedhur disa shprehje të tjera nga ibrat e e Khaled Hossein, që konsiderohen plot mesazhe njerëzore dhe janë shpërndarë me miliona herë në të gjithë botën

1. “Nga të gjitha vështirësitë që një personi i duhet të përballet me to, asnjëra nuk është më dënuese sesa thjesht akti i pritjes” – nga romani “Një mijë diej vezullues”.

2. “Dyshoj se e vërteta është ajo që të gjithë ne e presim.

Përkundër gjithë mosmarrëveshjeve të pakapërcyeshme, ne presim që diçka e jashtëzakonshme të ndodhë me ne”, – nga romani “Dhe malet oshtijnë”.

3. “Ka vetëm një mëkat.

Një të vetëm. Vjedhja!

Çdo mëkat tjetër është vetëm një variant i vjedhjes.

Kur vret një njeri, ia ke vjedhur jetën.

Vjedh të drejtën e gruas për të pasur një burrë, u vjedh fëmijëve babanë.

Kur i thua një gënjeshtër dikujt, ia vjedh të drejtën për ta njohur të vërtetën.

Nëse tradhton, ia vjedh të drejtën për besnikëri”, – nga romani “Gjuetari i balonave”.

4. “Një shoqëri nuk ka asnjë shans për sukses nëse gratë e saj janë të paarsimuara”, – nga romani “Një mijë diej vezullues”.

5. “Ishte vetëm një buzëqeshje, asgjë më shumë. Nuk ndryshoi shumë gjëra.

Nuk ndryshoi ndonjë gjë. Vetëm një buzëqeshje. Diçka e vogël.

Një gjethe në pyll, që dridhet nga rrahja e krahëve të një zogu të trembur.

Por do ta pres. Me krahë të hapur…”, – nga romani “Gjuetari i balonave”.

6. “Fëmijët nuk janë si librat për ngjyrosje. Ti nuk mund t’i mbushësh ata me ngjyrat e tua të preferuara”, – nga romani “Gjuetari i balonave”.

7. “Heshtja është paqe. Qetësi. Heshtje do të thotë të ulësh volumin negativ të jetës” – nga romani “Gjuetari i balonave”.

8. “Mund të jetë e padrejtë, por ndonjëherë ajo çka ndodh brenda pak ditësh, ose edhe në një ditë të vetme, mund të ndryshojë rrjedhën e një jetë të tërë” – nga romani “Një mijë diej vezullues”

9. “Për ty, edhe 1000 herë të tjera” – nga romani “Gjuetari i balonave”.

10. “Jeta është një tren, hip në të” – nga romani “Gjuetari i balonave”

/supershendeti/ KultPlus.com

Khaled Hosseini fuller shot publicity photo (c) 2013 by Elena Seibert

Letra-amanet për bashkëshorten: Të piqemi në jetën e përsosur

Me të mbaruar lufta, komunistët nisën pushkatimet me dhe pa gjyq ndaj kundërshtarëve, në çdo cep të Shqipërisë. Një prej intelektualëve që u pushkatua në Fier, gushtin e parë të pasluftës, ishte dhe Sadush Kuqari (Metaj).

E mbesa, gazetarja Desada Metaj, ka publikuar në faqen e saj në Facebook, letrën-amanet që i gjyshi i shkruajti bashkëshortes, para se të mbyllte sytë.

”E dashur gruaja ime Deko!

Me datë 5 gusht 1945 u dënova me vdekje nga gjyqi i popullit.

Të lë amanet që të mos qash as ti, as çiliminjtë mos i leç të qajnë dhe të hapin sytë e të rrinë mirë. Edhe djemtë tanë të ndjekin shkollën, po pate vakt dhe në rrofsh edhe jashtë shtetit ta nxjerç. Për mua mos u mërzit fare se kjo gjë qe e thënë nga ana e Zotit. Të duroç siç kanë duruar tê gjith gratë e tjera.

Se unë në bazë të zëmrës që e kam të pastër dhe drejtsis time me shpresën e Zotit xhenetin e gjej te hapët, luftrat kështu e kan.

Ta le amanet me të shoqen e Selimit (vëllait) të shkosh më mirë sec ke shkuar dhe Shefqetin (qehajain) të ma mbajç mir, më mirë seç e ke mbajtur dhe në qoftë se dëshiron të vej ne Kalenje. Është i lirë të bëjë si të dojê. Ju ta mbani mirë.

E dashur Deko, ta le amanet Myzaferes (vajzës së madhe) ti japç paj më mir nga shoqet se ka vuajtur shumë me mua dhe mundimi i saj vete kot. Thoi mos u mërzit fare se ke Selimin, Qamilin, Fatbardhin, çunin e Selimit, Myzaferen, Nadiren, Dritën, ke plot. Neve kemi për të larë borxhet tona te Zoti.

Tashti e përfundoj duke të dërguar të falat e fundit dhe të piqemi në jetën e përsosur.

Burri yt

Sadush Kuqari

Fier, 11.8. 1945”

/kujto.al/KultPlus.com

Shkencëtari shqiptar, pjesë e ekipit në Cambridge që afron ekspertiza

Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko ka njoftuar se shkencëtari i ri shqiptar, Eris Duro, i cili aktualisht është pjesë e një ekipi në Cambridge, “njihet si zbulues i dy proteinave në qelizat e njeriut, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në riparimin e molekulave të ADN-së”.

Ai po merret me studime në fushën e kimisë biologjike dhe biologjisë molekulare.

Sipas Majkos, aktualisht Duro është pjesë ekipit që ofron ekspertizë për fusha të ndryshme në “Oakland Innovation” në Cambridge, Mbretëri e Bashkuar.

Më parë, ai ka qenë edhe pjesë e grupit kërkues në Universitetin e Edinburgut dhe qendrën mjekësore “Fred Hutchinson Cancer Center” në SHBA./koha.net/KultPlus.com

“Tirana një qytet në libra”, protagoniste në Festivaletteratura 2019 në Itali

Një qytet në mes Perëndimit dhe Lindjes dhe rrugë kryesore mes ikjeve dhe ardhjeve në zemër të Mesdheut, pas errësirës së fundit të viteve 1900 dhe karvanit të gjatë me mijëra persona që braktisnin bregun lindor të Adriatikut, Tirana sot është në qendër të një rilindjeje të gjallëruar dhe të bollshme kulturore. Njësoj si në letërsinë e saj, relativisht e re bashkë me arkitekturën e saj, ku shfaqen gjurmët e totalitarizmave por edhe prania e godinave osmane, qyteteve dhe pallateve të stilit “Liberty”, reminishenca të të nesërmeve të huaja dhe ndërhyrjeve inovative të transformimeve urbane.

Tirana, një qytet në libra, është e përzgjedhur si protagoniste në Festivaletteratura 2019, që do të zhvillohet në Mantova të Italisë nga data 4-8 shtator. Ndërkaq, një bibliotekë e përkohshme me rreth 200 vepra të autorëve shqiptarë e të huaj, ku zbulohet kryeqyteti shqiptar, është ngritur në Piazza Sordello, nën kurimin e studiuesit, eseistit, përkthyesit e pedagogut, Luca Scarlini.

Biblioteka e përkohshme e kuruar nga Luca Scarlini do të jetë e hapur nga data 4 deri më 8 shtator falë bashkëpunimit mes “Festivaletteratura”, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Rrjetit Mantovan të Bibliotekave, me mbështetje e Ministrisë shqiptare të Kulturës dhe të Bashkisë së Tiranës, synon të jetë një dritare për shkrimtarët dhe ngjarjet e një kryeqyteti që ende se ka lënë pas të kaluarën që shikon drejt të ardhmes.

Një rrugëtim i riprodhuar nga kuratori në një formë hyrjeje dhe i pasuruar me sjelljen e guidave shumë të vlefshme nga biblioteka, që në krahë të veprave më të rëndësishme të autorëve shqiptare do të jetë edhe një rast për të zbuluar histori si ajo e Jeronim De Radës, intelektual dhe poet që themeloi në Kalabri gazetën “L’Albanese d’Italia” duke u bërë një prej protagonistëve të letërsisë shqiptare të shekullit XIX. Të udhëtosh njësoj si antropologia Edit Durham dhe shkrimtari Jozef Roth, që mbetën të magjepsur nga bukuria e një toke shumë pranë e megjithatë të mistershme. Të njohësh gjuhë që edhe sot dëshmojnë një vitalitet të jashtëzakonshëm, si ajo e komunitetit arbëresh të Italisë jugore.

Duke ndjekur një linjë që niset nga mbi 160 titujt e pranishëm në bibliotekë, Luca Scarlini dhe lexuesit e “Compagnia della Lettura” do të zhvillojnë një performancë korale ne hapësirat hapësirat e bukura të “Consorzio di Bonifica”, duke i dhënë zë personazheve të vërtetë dhe imagjinarë që kanë shkelur rrugët e Tiranës.

Në festival do të festohen gjithashtu dëshmitë e shkrimtarëve të rëndësishëm shqiptare si Fatos Kongoli, i intervistuar nga Bruno Gambarotta  dhe Virgjil Muçi, protagonist i një eventi në shoqëri të Massimo Cirri si dhe do të ketë një lexim përrallor në “Casa del Mantegna”.

Një hapësirë e gjerë do t’i jepet edhe arkitekturës në Tiranë në konferencën e Elisabetta Terragni, autore e ndërhyrjeve të rëndësishme për ruajte dhe krijim të hapësirave muzeale mes të cilave “Shtëpia e Gjetheve” si dhe “Shtëpia Muze e Kadares”, pa harruar muzikën dhe meloditë prekëse të diasporës, që do të rigjallërohen në koncertin e këngëtares xhaz, Elina Duni. /atsh/ KultPlus.com

Kuratorja gjermane, cikël bisedash mbi rolin e arkivave në praktikën artistike

Aktivizimi i rolit të arkivave në praktikën artistike është në qendër të të ciklit të bisedave të Art House School, ku Angelika Stepken, drejtoreshë e Villa Romana në Firence, vjen me një trajtesë të sajën.

Që nga vitet ’90 artistët filluan të interesohesh rreth arkivave, si t’i qaseshin atyre, si t’i dekonstruktonin, si t’i ballafaqonin me histori që nuk ishin pjesë e tyre. Arkivat e reja u krijuan në kontekste të reja. Kjo praktikë u përdor edhe nga institucionet, por kjo tendencë artistike u kritikua sepse dukej sikur shikonte vetëm nga e kaluara e jo më përpara, si një lloj humbjeje lirie.

Në kontekstin e sotëm të diskutimeve post- kolonialiste, çështja se cilat “realitete” e jetë u lënë jashtë arkivave hegjemoniale (perëndimore), kërkon një rilexim kritik.

Sipas ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, kjo bisedë kërkon të bëjë një prezantim të shkurtër në nivel teorik dhe të tregojë shembuj të ndryshëm të praktikave artistike mbi arkivën, pjesa më e madhe e të cilave nga projektet e ekspozitave në Villa Romana gjatë viteve të fundit.

Angelika Stepken është drejtoreshë e Villa Romana në Firence. Nga 1998-2006 ka qenë drejtuese e Badischer Kunstverein në Karlsruhe. Si kuratore, ka organizuar një sërë ekspozitash ndërkombëtare që nga fundi i viteve 1980 ndërsa së fundmi ka kuruar “Future Perfect” për IFA (Institute for Foreign Relations), ekspozitë shëtitëse që nga viti 2013.

Stepken ka shkruar shumë artikuj, tekste për artin dhe katalogë dhe ka qenë redaktore e edicionit të 2012-ës për BDI Jahresring, të titulluar “On One Side of the Same Water”, “Artistic practices between Tirana and Tanger”. Është redaktore e monografisë “Ketty La Rocca – You. Works & Writings 1964-1976”, e publikuar në vitin 2018.

Projekti mbështetet nga Goethe-Zentrum në Tiranë./atsh/ KultPlus.com

“Testamenti”, shfaqja që sjell copëza nga e kaluara vjen premierë nesër

Në ndërtesën e Hamamit të vjetër në Prizren kësaj radhe do të mund të shihni një shfaqje mjaft interesante. Organizata Jo-Qeveritare “Dua” prezanton shfaqjen eksperimentale “Testamenti” e cila vjen me regji nga Zana Duraku, shkruan KultPlus.

“Testamenti” është shfaqje eksperimentale bazuar në poezinë “Jam Shqiptar”nga Mitrush Kutelit, në monodramën “Vdekja e një mbretëreshe” nga Rexhep Qosja dhe “Fjalimi i Skënderbeut “nga Stephan Zannowich. Copëza nga e kaluara që shërbejnë për të tashmen dhe të ardhmen.

Përzgjedhja dhe dramatizimi është bërë nga Mirlinda Bekteshi, përderisa luajnë aktorët Rabije Kryeziu dhe Armend Ballazhi.

Në piano: Alzan Gashi, në qifteli, lahut dhe tupan: Xhemail Gllavica. Koreograf: Rabije Kryeziu, skenograf\kostumograf: Skerdi Morina, organizator: Berat Prizreni, mjeshtër i ndriqimit: Mursel Bekteshi, xhirimet: VVJ studio.

Shfaqja vjen premierë më datë 31 gusht, në ora 20:00.

Ky projekt është i mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Gjashtë vjetori i KultPlus, mysafir: Nezir Kraki

Gazeta e parë shqiptare online e cila i kushtohet në tërësi artit dhe kulturës, KultPlus.com, po e feston gjashtëvjetorin.

Me datë 2 shtator, e hënë, duke filluar prej orës 20:00, në KultPlus Caffe Gallery ju presim për festuar këtë përvjetor të rëndësishëm, si një kurorëzim të punës së palodhshme gjatë këtyre gjashtë viteve të KultPlusit tonë.

Gjatë natës do të na bashkangjitet edhe Nezir H. Kraki – profesor në Université Paris-Est Créteil (UPEC).

Me Nezirin do të bisedojmë rreth karrierës së tij akademike në Francë por edhe rreth pasionit të tij, letërsisë dhe poezisë.

Do të kemi pije, muzikë, poezi, dhe gjithçka që i jep jetë KultPlusit dhe lexuesit të saj.

Ju ftojmë, hyrja është e lirë!
KultPlus Caffe Gallery (Rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, Te Fontana në Ulpianë, Prishtinë). / KultPlus.com

Kuka: Tokio sivjet po më çmend, po më duket si ëndërr, tri medalje në Botëror

Trajneri Driton Kuka edhe sot ka festuar, pasi nxënësja e tij ka fituar medaljen e Bronztë.

Loriana Kuka është bërë xhudistja e tretë që fiton Medaljen e Bronztë në Botërorin ‘Tokio 2019’, duke ju bashkuar Majlinda Kelmendit e Distria Krasniqit, transmeton koha.net.

Gjithë këto medalje të fituara nga nxënëset e tij, Kuka i quan një ëndërr, e sidomos medaljen e Lorianës, pasi është axha i saj.

“Tokyo sivjet po më çmend!
Tri medalje në Kampionat Botëror!
Po duket si ëndërr
Çfarë ndjenja po më sjell Lori sivjet
Medalja nga Kampionati Botëror për Kosovën për popullin Shqiptar por …
Familja është ajo e shenjta për mua dhe besoj për çdo Shqiptar
Medalja Botërore edhe në familjen Kuka!
Sa shumë jam krenar sot edhe si trener por edhe si Axha i Lorianes!
Kosova mbi të gjitha 🇽🇰🇦🇱🇽🇰🇦🇱

Top of Form“, ka shkruar Kuka në rrjete sociale. / KultPlus.com

Studiuesit e huaj mahniten nga arkeologjia dhe shpellat shqiptare

Mes vizitorëve në qytetin antik të Apolonisë ka edhe turistë që arkeologjinë e kanë profesion. Danilo Blanda është studiues shpellash që vjen prej vitesh në Shqipëri.

Për ne që vijmë nga Roma, pra të mësuar me botën arkeologjike, ky vend mbetet sërish interesant. Qyteti është i ruajtur shumë mirë dhe në këtë kontekst është i mrekullueshëm. Vijmë prej vitesh në Shqipëri, eksplorojmë shpella e male, por sot jemi turistë arkeologjikë”, thotë arkeologu Danilo Blanda.

“Në Shqipëri nuk ka ende një turizëm masiv siç mund të ketë në Kroaci apo në vendet e tjera fqinje, ndaj vijmë që ta eksplorojmë para se ta zbulojnë të tjerët dhe të ndryshojë”, thotë Pierre-Yves.

Në muajin gusht parku arkeologjik vizitohet më së shumti nga pushues familjarë, ndërsa në korrik dhe në shtator protagonistë janë grupet e turistëve në vizita të organizuara nga agjencitë.

Mes ditëve të nxehta buzë detit dhe rrëmujës në plazhe, vizita në këtë park përveç historisë ofron edhe një ditë çlodhëse për pushuesit/TCH / KultPlus.com