“Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë”

Jean-Paul Sartre (Zhan-Pol Sartri), lindi më 21 qershor të vitit 1905. Ishte filozof francez dhe autor, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit, dhe filozofisë në përgjithësi, përfshi atë marksiste të shekullit XX. Sartri ndikoi edhe në sociologji, kritikë, studime letrare, dhe vazhdon të ndikojë. Ai mbeti i angazhuar deri në fund të jetës së tij (viti 1980).

“Dua të largohem, të shkoj diku ku me të vërtetë është vendi im, ku përshtatem…por vendi im është askund, jam i padëshiruar”.

“Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm”.

“Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm”.

 “Ferri janë njerëzit e tjerë”.

 “Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi”.

 “Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë”.

 “Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht”.

 “Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë”.

 “Njeriu nuk është shumatorja e gjërave që ka, por shumatore e atyre që nuk kanë dhe atyre që mund të kishin”.

 “Ora tre e natës është gjithnjë shumë herët ose shumë vonë për të bërë atë që ti do”.

 “Dikush është çfarë ai do të kërkojë të jetë dhe çfarë do të bëhet”.

 “Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut”.

 “Njeriu është një pasion i kotë”.

 “Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës    për çdo gjë bën”. /KultPlus.com

Kalimi me not i kanalit të Korfuzit, edicioni i dytë i garës ndërkombëtare nis nga Butrinti

Butrinti do të presë për të dytin vit radhazi notarë nga vende të ndryshme të botës për të marrë pjesë të shtunën në garën ndërkombëtare që nis në brigjet e Butrintit për të përfunduar në brigjet e Korfuzit.

Duke folur për ATSH-në, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare shprehet se në këtë garë marrin pjesë 70 notarë anglezë, nga Irlanda, Franca, Greqia dhe Australia.

“Gara starton të shtunën dhe nisja bëhet nga Butrinti dhe shkojnë në Korfuz”, sqaroi Tare.

Po ashtu Tare theksoi se thelbi është promovimi i dy brigjeve turistike, Butrint-Korfuz, si dhe parë në një dimension tjetër atë, të koherencës historike është një kujtesë për të gjithë ata që tentuan të kalonin bregun në një kohë tjetër, atë të komunizmit.

“Duke qenë se kjo ngushticë ka qenë gjithmonë e mbyllur e ruajtur dhe e palejueshme për njerëzit për komunikim dhe ideja ishte që të krijonim një lloj komunikimi, një promovim të kanalit pasi në rrafshin ndërkombëtar ka jehonë, promovon turizmin, trashëgimin, Butrintin. Rikthimi i imazhit të atyre që iknin me notë në kohë të komunizmit, arratiseshin”, shtoi ai.

Kalimi me not i ngushticës nga notarët  ndiqet nga një numër i madh banorësh të ishullit  turistik si dhe nga autoritetet lokale, të cilët  organizojnë edhe një festë në veriun e ishullit të Korfuzit./ atsh / KultPlus.com

Bon Jovi paralajmëron titullin e albumit të ardhshëm

Bon Jovi është duke punuar në një album të ri, dhe edhe pse nuk dihet se kur do të dalë, ka gjasa të mëdha që kjo të ndodhë vitin e ardhshëm për shkak të titullit. Jon Bon Jovi theksoi se albumi do të titullohet Bon Jovi: 2020.

Lajmi vjen nga revista “Variety”, e cila raportoi se ai ua ka thënë këtë fansave gjatë një koncerti në turneun e tij Runaway to Paradise Mediterranean, dhe se titulli dhe përmbajtja e tij, sipas tij, janë frymëzuar nga titujt e tanishëm. “Është një vit zgjedhor, kështu që pse jo?”, tha ai. “Nuk mund ta bëj më keq.”

Ai shtoi se këngët do të bëjnë fjalë për temat si veteranët që vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe vala e kohëve të fundit e të shtënave në masë. Duke thënë se është “shumë i lumtur me albumin”, ai e pranoi se është një “album i ndryshëm” nga ata me të cilët janë mësuar fansat, veçanërisht duke pasur parasysh subjektin e përpjekjeve të tyre të mëparshme.

“This House Is Not for Sale” merrej me çështje personale, ndërsa tani kjo është prapa nesh,” shtoi ai. “Tani e kam një vizion të qartë për të ecur përpara.” /KultPlus.com

Vdekja e gjyshes

Poezi nga Fatos Arapi

Ja, edhe gjyshja në arkëz,
kukull e vogël në kartëz,
Është… dhe prapë s’është e tëra,
sikur nuk është si përhera.
Gjithë karfica, gjilpëra
kapur satenet në kokë,
lidhur këpuckat përposh,
shami e lule në gjoks.

Mbyllur kapakët e syve
ç’ndjej u shua brenda tyre?).
E sheh… dhe të duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.
Gjyshja e vogël, e bukur,
e pastër…
Në arkëz kukull.

Gjithë karfica, gjilpëra,
qepur vite të tëra,
lidhur kujtime e malle,
dhembje, që duken si përrallë.
E sheh… dhe të duket heshtja.

Kur Shkupi frymonte shqip

Nga Sabaudin Zhuta

Marshi patriotik i Orkestrës frymore “Zana e Maleve” e Kishës katolike të shqiptarëve “Zemra e Krishtit” në Shkup, me të cilin u prit çlirimi i Shkupit, më 12 gusht 1912 ku printe edhe Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri e Isë Boletini, në kohën e veprimtarisë së saj është quajtur edhe “Banda muzikore e klubit të katolikëve”.

Në koncertet e kësaj orkestre kanë marrë pjesë shqiptarët katolikë e myslimanë. Orkestra ka qenë pjesëmarrëse në gëzimet familjare të shqiptarëve, duke i gëzuar të gjithë qytetarët e Shkupit pa dallim feje dhe kombësie në të gjitha festat fetare, pashkë, bajram etj.

Menjëherë pas shpalljes së “Hyrjetit” (Kushtetutës), më 1 tetor 1908, patriotët shqiptarë formuan edhe “Klubin shqiptar” të mbështetur fuqimisht nga kisha katolike “Zemra e Krishtit” në Shkup. Që nga viti 1909 kryepeshkop i Shkupit ka qenë Lazër Mjeda (1869-1935). Kjo kishë katolike u kthye në qendër të veprimtarisë për klubin “Shqip”, dhe ku u hapën kurse për mësimin e gjuhës shqipe, u krijuan kori, grupi teatral dhe orkestra frymore. Klubi Shqiptar hapi degët e tij edhe në qytete të tjera, si në Prishtinë, Tetovë, Mitrovicë, Kumanovë, Prizren etj.

Kolë Bojaxhia dhe vajza e tij Gonxhe (Shën Nëna Terezë) kanë qenë pjesëtarë aktiv të aktiviteteve kulturore të organizuara nga kisha katolike e shqiptarëve “Zemra e Krishtit” në qytetin e Shkupit.
“Klubi Shqip” i Shkupit u kthye në një vatër të vëllazërimit dhe të bashkimit, të myslimanëve e të krishterëve shqiptarë…/ KultPlus.com

Rita Ora, imazh i brendit të njohur gjerman (VIDEO)


Ylli botëror, Rita Ora, po vazhdon të lidhë marrëveshje me kompani të modës për reklamimin e produkteve të tyre. Kësaj radhe me brendin e modës Deichman.

Këngëtarja me prejardhje shqiptare që jeton në Britani të Madhe, është bërë imazh i kësaj kompanie, duke reklamuar koleksionin më të ri të “Deichman”, shkruan KultPlus.

Ajo ka publikuar në rrjetin social Instagram një video përmbledhëse nga kampanja e saj më e re, e cila është shoqëruar nga kënga e saj më e fundit “NeW Look”, e që përshtatet edhe me reklamën.

“Jam shumë në dashuri me bashkëpunimin tim të ri me Deichman!!! Faleminderit për të gjithë ekipin që më ndihmuan ta bëj gjithë këtë hedhje së bashku”, ka shkruar Rita Ora në Instagram.


Faqja zyrtare e “Deichmann” në Instagram ka publikuar disa video nga kampanja me Ritën, në një prej të cilave Rita pyet vazhdimisht se “cila është zgjedhja juaj për të veshur sot?”. 

Përndryshe, brendi  “Deichmann SE” (dikur Heinrich Deichmann-Schuhe GmbH & Co. KG) është një zinxhir i madh gjerman i shitjeve me pakicë i themeluar në Essen, North Rhine-westphalia, Gjermani. Në vitin 2017, Handelsblatt e quajti atë shitësin më të madh të këpucëve në Evropë. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B1t_IkLlBpO/

Kino Lumbardhi në Prizren publikon programin e shtatorit



Kino Lumbardhi ka publikuar programin e shtatorit i cili përfshinë një kombinim të pasur të shfaqjes së filmave dhe aktiviteteve tjera artistike dhe kulturore.

“Lumbardhi ka kënaqësinë të prezantojë programin e shtatorit, i cili përfshin një kombinim të pasur të performancave, programit të filmit dhe shfaqjeve të veprave të video-artit në sallën e kinemasë”, thuhet në njoftimin e tyre, përcjellë KultPlus.

Programi fillon me 1 shtator teksa për këtë program është kërkuar një mbështetje financiare nga Ambasada dhe Media vendore.

“Programi fillon të dielën me 1 shtator me performancën e bendit indian “Tapi Project”, pasuar nga programi i filmit “Retrospektiva e Wim Wenders”, lansimi i projektit më të ri muzikor nga AJO dhe seria e shfaqjeve të video-artit të komisionuar Protocinema “Of Our Own Making” e cila do të organizohet në natën e 14 shtatorit në kuadër të Nuit Blanche te Lumbardhi.

“Programi i shtatorit i paraprin rijetësimit të Kino Bahçes dhe ciklit dimëror të programit të rregullt te Lumbardhi i cili fillon me 1 Nëntor 2019”.

Ky program është mundësuar me partneritetin e BpB, Gjirafa, Goethe Institut, Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Fondacioni Wim Wenders, Protocinema, Grupi KOHA dhe Komuna e Prizrenit.

Këtu keni programin e plotë të publikuar nga Lumbardhi:

PROGRAMI:

1 Shtator, e Diel, 21:00
Performancë: Tapi Project

6 Shtator, e Premte, 20:00 – 29 Shtator, e Diel, 20:00 
Programi i filmit: “Retrospektiva e Wim Wenders”

13 Shtator, e Premte, 21:00
AJO, lansim i albumit

14 Shtator, e Shtunë 20:00 – 07:00 
Protocinema prezanton: “Of Our OWn Making”. / KultPlus.com

Shumë organizime në ditën e parafundit të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Bujar Meholli

Edicioni i 38-të i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka qenë mjaft i pasur, me shumë studiues nga mbarë bota që kanë zbarkuar në Prishtinë, me shumë kumtesa të rëndësishme që janë paraqitur para studiuesve dhe studentëve, dhe dashamirësve të kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Dita e parafundit e Seminarit u hap me mbajtjen e sesioneve nga letërsia, gjuhësia dhe kulturologjia. Në seancën e parë të sesionit shkencor të letërsisë u paraqitën Kujtim Shala me “Vetja tjetër”, Lili Sula me “E vërtetdukshmja e ëndrrës kadareane”, Vjollca Osja me “Ëndrra, ëndërrimi, dhe ligjërimi onirik si prosede krijuese”, Anton Berishaj me “Poetika e ëndërrimit dhe e ëndrrës — Martin Camaj dhe Anton Pashku” si dhe Edlira Tonuzi me “Lojë” andrrimesh në katër modele (Mjedja, Koliqi, Camaj, Zorba).

Kurse në seancën e dytë, që do të nis nga ora 16:00 do të paraqiten Eljon Doçe, Afrim Rexhepi, Jolanda Lila, Drita Isufaj, e Viola Isufaj. Në anën tjetër, Rrahman Paçarizi, Julie Kolgjini, Kledi Shegani, e Hysnie Haxhillari, u paraqitën në seancën e parë të sesionit shkencor të gjuhësisë, derisa në seancën e dytë Imri Badallaj shpjegoi strukturën dialektore të shqipes së sotme.

Lindita Sejdiu-Rugova, paraqiti para audiencës “Klauzat e nënrenditura të shqipes”. Edhe nga sesioni shkencor i kulturologjisë pati trajtesa të rëndësishme. U fol për gazetarinë në përgjithësi, me Mark Markun që trajtoi “Gazetarinë shqiptare në epokën e vetëkomunikimit”, pastaj u paraqit Ledia Kazazi, Arben Muka, Haqif Mulliqi e Dren Gërguri në seancën e parë. Seanca e dytë në këtë sesion mbahet me fillim nga ora 16:00 ku do të paraqiten Alfred Halilaj me “Fjala, rrjetet sociale dhe politika”, Eva Londo, Festim Rizanaj, Klodiana Toptani, Andrea Hrstić, e pjesëmarrës të tjerë. Paraqitjet nga ky sesion do të vazhdojnë edhe nesër.

Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është ngjarja më e madhe kulturore në vend. Gjatë këtij edicioni ishin të pranishëm mbi 100 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të cilët mbajtën kurse të gjuhës shqipe. Seminarit i 38-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do t’i përmbyll punimet nesër. /KultPlus.com

Kampi veror ndërkombëtar i shkencës dhe teknologjisë, bashkon nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria



Nxënëse nga Shqipëria kanë marrë pjesë në kampin veror ndërkombëtar të shkencës dhe teknologjisë në Prishtinë me pjesëmarrës nga NASA, Intel dhe Microsoft, ka njoftuar Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, shkruan KultPlus.

 “12 nxënëse nga Tirana, Vlora, Shkodra dhe Kukësi morën pjesë në kampin veror ndërkombëtar të shkencës dhe teknologjisë në Prishtinë, me folës edhe nga #NASA, Intel dhe Microsoft.👌

Jemi mirënjohës sa herë që vajzat tona kanë mundësi të mësojnë më shumë për shkencën dhe teknologjinë. Drejtuesit e Millennium Foundation Kosovo na premtuan se vitin tjetër do të ketë dyfish më shumë vende në kamp për nxënëset shqiptare”, thuhet në postimin e Ministres Shahini në Facebook. / KultPlus.com

Shkencëtarët bëjnë zbulimin historik, kështu dukej paraardhësi jonë para 3.8 milionë viteve

Shkencëtarët kanë gjetur një kafkë të plotë të një njeriu i cili besohet se ka jetuar rreth 3.8 milionë vite më parë.

Zbulimi historik është bërë në Etiopi të mërkurën dhe mund të hedhë akoma më shumë dritë mbi mënyrën se si kanë evoluar njerëzit.

Kafka, e cila ka marrë emrin”MRD”, u zbulua jo shumë larg ku u gjet Lucy, një paraardhëse e lashtë e njerëzve modernë, dhe tregon se këto dy specie mund të kenë ekzistuar bashkë përpara 100,000 viteve.

Paleo-antropologu Yohannes Haile-Selassie u shpreh:

Kjo kafkë është një nga fosilet më të plota të hominidëve më të vjetër se 3 milion vjet. Si duket do të bëhet një ikonë tjetër e evolucionit njerëzor.”

“Toumai” (i species Sahelanthropus tchadensis) është rreth 7 milion vjet i vjetër dhe konsiderohet nga disa paleontologë si përfaqësuesi i parë i prejardhjes njerëzore. Ajo u zbulua në 2001.

Ardi (për Ardipithecus ramidus, një specie tjetër e hominidëve) u gjet në Etiopi në 1994 dhe besohet të jetë rreth 4.5 milion vjeçar.

Dhe Lucy, Australopithecus afarensis, u zbulua në Etiopi në 1974 dhe është  3.2 milion vjet vjeçare.

Australopithecus afarensis është një nga speciet më të gjata të jetës dhe më të studiuara të njeriut.

Kafka e re, MRD, i përket species Australopithecus anamensis, një nga llojet e hershme njerëzore me jetë më të gjatë dhe specia më e studiuar. / Gazetaexpress / KultPlus.com

Dorëzohen në arkiv 350 mijë dokumente të kohës së pushtimit osman të Shqipërisë

Drejtori i Arkivit të Shtetit, Ardit Bido, tha se këto dokumente janë shumë të rëndësishme, pasi hedhin dritë mbi historinë e panjohur të pushtimit osman në Shqipëri.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Arkivave në Stamboll, prej së cilës ka marrë plot 350 mijë dokumente që i përkasin periudhës osmane.

Drejtori i Arkivave, Ardit Bido, tha se këto dokumente janë shumë të rëndësishme, pasi hedhin dritë mbi historinë e panjohur të pushtimit osman në Shqipëri.

Sipas tij, në vazhdim do të vijnë nga Stambolli të tjera dokumente të kësaj periudhe dhe të gjithë historianët e studiuesit do të gjejnë gjithçka në Arkivat shqiptare.

“350 mijë dokumente kanë ardhur nga Stambolli. Dokumentet datojnë nga shekulli XV-XX.

Dokumentet janë me rëndësi historike. Ndërkohë, shumë shpejt do të vijnë të tjera dokumente nga Turqia. Marrëveshja bashkëpunimi me arkivin e Stambollit.

 Gjatë vitit 2016 u morën rreth 5 mijë dokumente. AKSH përmban sot tërësinë e dokumenteve pas pavarësisë, por edhe tërësinë e dokumenteve gjatë periudhës osmane.

Është një mori e jashtëzakonshme dokumentare, që duhet të kalojë në një proces renditjeje. Nga fundit të vitit të ardhshme do jenë gati dokumentet për shfrytëzim.

Kjo bëhet për të pasur një pamje të qartë historike mbi ato gjëra që nuk ishin të qarta. Do kemi gjithë pasurinë kombëtare mbi periudhën osmane.

Asnjë studiues s’do duhet të shkojë në arkiva të tjera, do t’i ketë të gjitha këtu për Shqipërinë në periudhën osmane. Dokumentet që kanë ardhur janë të njëjta me origjinalet.

Asnjë dokument i periudhës osmane nuk është sekret, por janë dokumente që nuk i dinim deri më dje. Ju takon historianëve t’i analizojnë”, deklaroi Bido. / BalkanWeb / KultPlus.com

“Bashtova Festival”, festë muzikore në mes të natyrës spektakolare

“Bashtova Festival” do të dhurojë për tri net muzikë të bukur në magjinë e natyrës në Kalanë e Bashtovës në Shqipëri.

Me ftesën për të mos humbur këtë event, kryeministri Edi Rama theksoi se nga dita e nesërme ky festival do të ofrojë për pushuesit e vizitorët muzikën më të mirë dhe aktivitete të tjera në natyrën spektakolare të zonës.

“Mirëmëngjesi dhe me ftesën për të mos humbur Festivalin e Bashtovës që nga 30 gushti do të ofrojë për pushuesit e vizitorët 3 ditë të mbushura me muzikën më të mirë e plot aktivitete të tjera në natyrën spektakolare të zonës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Më tepër se 15 artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria do të mblidhen nesër në Bashtovë për të performuar në netët e bukura të këtij festivali, transmeton kp.

Ky festival është i ndërtuar me fokus mjedisin dhe trashëgiminë e synon të ofrojë shkëputje për tri ditë nga jeta dinamike urbane.

Në Kalanë e lashtë të Bashtovës do të performojnë artistë të veçantë të muzikës shqiptare, e ndër ta edhe Dren Abazi, grupi “Asgjë Sikur Dielli”, Shpat Deda e Genc Salihu.

“Bashtova Festival 2019” do të mbahet nga 30 gushti deri më 1 shtator. /KultPlus.com

Prizreni si Parisi, me urën e dashurisë

Në qytetin e Prizenit ka vite qe njëra nga urat që ndanë qytetin në dy pjesë në hyrje të sheshit të Prizenit, ka kaluar nga një urë me dismension vetëm historik dhe praktik në një urë romantike, shkruan KultPlus.

Çifte anë e kënd Kosovës, vizitojnë urën e dashurisë në Prizren për t’a vënë nga një çelsë aty si shenjë të dashurisë mes tyre. Kjo urë ngadalë po shëndrrohet në një pikë shumë të frekuentuar nga çdo turistë që shkon në Prizren. /KultPlus.com

Publikohet numri i 27-të i “Newsletter e Diasporës”, synon ruajtjen e vetëdijes kombëtare



Ministri i Shtetit dhe Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, ka njoftuar se është publikuar numri i 27-të i Gazetës së Diasporës, në kuadër të ruajtjes së vetëdijes kombëtare dhe angazhimit për shqiptarët jashtë trojeve shqiptare, shkruan KultPlus.

Ai këtë njoftim e ka bërë përmes Facebook-ut ku edhe ka publikuar faqen e parë të kësaj gazete.

KultPlus ju sjell edhe linkun e gazetws ku mund ta shfletoni online. / KultPlus.com

http://diaspora.gov.al/wp-content/uploads/2019/08/Newsletter-27-Pdf-shqip.pdf?fbclid=IwAR2Oej4zap2FuuntRmfvfUlZAqLDH4NtNIs_O-sS1uTvdTSbY6nR9rmA1B8

Sot organizohet tryezë për të pagjeturit në Gjakovë

Me rastin e shënimit të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, sot në Gjakovë organizohet tryezë me temën “Dy dekada ankth e pritje – zbardhja e fatit të pagjeturve, peng i bisedimeve Kosovë-Serbi” të organizuar nga shoqata “Thirrjet e Nënave”.

Në këtë tryezë pritet të marrin pjesë zyrtarë komunalë si dhe përfaqësues nga institucionet qendrore dhe ndërkombëtare.

Tryeza mbahet me fillim në ora 11:00 në sallën e konferencave te Hotel “Çarshia e Jupave” në Gjakovë. /KultPlus.com



Uta Ibrahimi flet pas lëndimit: Jam e mërzitur dhe trishtuar, mu ka thy zemra e po më dhemb shpirti…



Alpinistja Uta Ibrahimi është lënduar dje në pjesën e këmbës teksa po ngjitej në malin e Rragamit në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Alpinistja ka qenë duke u ngjitur së bashku me alpinistin Aurel Duka në një faqe shkëmbore ku është shkëputur nga mali një gurë, i cili i ka rënë në këmbën alpinistes duke i shkaktuar dëmtime serioze.

Një grup alpinistësh, banorë të zonës dhe një grup nga emergjenca civile janë kujdesur që t’i japin ndihmën e parë alpinistes duke e dërguar drejt lagjes Kukaj në Vlabonë, aty ku ndodhet ambulanca dhe shërbimi mjekësor.

Por, sot në mëngjes, Uta është kujdesur që t’i informojë të gjithë për gjendjes e saj shëndetësore.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Utes:

Të dashtun .. e dij që jeni ba shumë merak edhe jeni mërzit për krejt çka keni lexu këto ditë …
Këto ditë kam kaluar momentet ma të bukura të jetës … të gjitha vrapimet malore, ngjitjet nëpër Kosovë dhe Shqipëri …shpesh m’kanë piku lotët prej gëzimit dhe jam kan shumë falemderuese për jetën tem ..

Por, jo gjitmonë ndodhin gjanat që na dojm.

Është e vërtetë, e kam pas një aksident në Valbonë, datë 27.08 rreth orës 16:00 gjatë zbritjes nga tentimi për ngjitjen në Majën e Rragamit / Faqja Veriore, një rrugë teknike – bashk me Aurelin.
Në zbritje, afër përfundimit të ngjitjes teknike, lëviz një guri rreth 50Kg, fillimisht në këmbën e majtë dhe në trup i cili përfundon në thembër të këmbës së djathtë dhe një përplasje edhe ma tutje te posht.

Fillimisht e kemi lajmëru Nor Hysaj – i cili pastaj ka lajmëru të gjithë njerëzit e tjerë e te cilët kanë ardhë shumë shpejt deri afër vendit të aksidentit.
Në ndërkohë, ne kemi zbrit edhe nja 1 orë me litar deri në pikën kur më skam mund me ec më.
Kanë ardh ekipa e shpëtimit nga Valbona -Sami Hysaj, Arben Selimi, Nor Hysaj, Saimir Kalbaj, Keli Selimaj, Skender Selimaj, Erind Zalli, Ermali dhe të tjerë, të cilët për 6 orë më kanë bart te poshtë, deri te deri te qasja ma e afërt në rrugë, ku edhe kanë arritur ekipa e Shba Sharrit: Reshat Cana, Osman Uka, Fahmi Derda dhe Deni Hameli dhe ekipa e Shba Pashtrikut: Daja Lam dhe Besnik Dujaka.
Aty ka qenë edhe Policia dhe Ekipet e Ndihmës së shpejtë të cilët janë kujdesur për mua.

Gjendja shëndetësore:
Përveq lëndimeve të rënda në nyje dhe ligamenteve të këmbës, gjithashtu janë keq të thyera eshërat e thembrës së këmbës së djathtë – më sakt 4 gishatat në disa copa, copa-copa, dhe gishti i madh ne 8 copë që duhet intervenim mjeksor shumë shpejt … e që ma bënë të pamundur vazhdimin e ekspeditave për këtë vit e gjithashtu, trajnimeve, punës e jetës normale për disa muaj 🙁

Jam e mërzitur dhe trishtuar, mu ka thy zemra e po me dhemb shpirti … 
por jam shumë me fat që kjo ka përfundu me kaq dhe për gatishmërinë e njerzve për me më ndihmu gjatë këtij askidenti.

Faleminderit edhe Ambasadorit zt. Minxhozi, Kryetarit të Federatës Bjeshkatare të Kosovës Arben Lila, që e kanë ndihmuar krejt këtë proces.

Valbona, tash të du edhe ma shumë. Ma ke dëshmu edhe nji herë për dashninë e zemërgjonshinë e njerzve tonë <3

Mezi po pres me hjek gipsin e me vazhdu me ngjitje të tjera! / KultPlus.com

Kompletohet çatia e ndërlikuar e “Google HQ” në Kaliforni

Fotografitë e reja paraqesin dorën e fundit në çatinë e selisë që BIG dhe Heatherwick Studio kanë krijuar për Google në Mountain View në Kaliforni.

Studio fotografike e Silicon Valley “The 111th” bëri disa fotografi të kampusit të ri të Google, aktualisht në ndërtim e sipër në Mountain View, Kaliforni.

Studio ndërkombëtare BIG e Bjarke Ingels dhe Studio Heatherwick, e udhëhequr nga Thomas Heatherwick, u bashkuan për të hartuar kompleksin, i cili shënon zyrën e parë të Google që do ndërtohet nga e para.

Ajo përfshin dy struktura të ndërtuara afër së bashku dhe një vëllim më të madh disa blloqe larg./ Ndertim.info / KultPlus.com


Vajza autike nominohet për çmimin “Nobel” të Paqes

Aktivistja 16-vjeçare e mjedisit, Greta Thunberg, ka mbërritur në New York pas një udhëtimi 15-ditor nëpër Atlantik me anije. Ajo do të marrë pjesë në samitet e klimës së Kombëve të Bashkuara dhe në Kili. 16-vjeçarja suedeze, lundroi nga Plymouth në Mbretërinë e Bashkuar me një jaht me emetime zero të karbonit në mjedis, duke shmangur kështu ndotjen e tij.

Pasi mbërriti në ishullin Coney të mërkurën në mëngjes, ajo ka nisur shëtitjet në qytet. Greta pritej të arrinte më shpejt, por detet e trazuara kanë ngadalësuar lundrimin e saj me anije. Ajo ka dokumentuar çdo moment të këtij udhëtimi prej 4800 km, duke publikuar foto në rrjetet sociale.

Duke u larguar nga Britania e Madhe dy javë më parë, ajo i tha BBC-së se udhëtimi me anije dërgon një mesazh se “kriza e ndryshimit të klimës është reale”. Kur Greta u pyet nëse mund ta bënte presidentin amerikan Donald Trump të dëgjonte, ajo u përgjigj me një ‘jo’ të thjeshtë. “Unë nuk jam aq e veçantë. Nuk mund t`i bind të gjithë”, ështëshprehur ajo. “Unë thjesht do të bëj atë që duhet, për të pasur më shumë ndikim”, ka thënë 16-vjeçarja.

Ajo do të jetë e pranishme në samitin e klimës së Kombeve të Bashkuara më 23 shtator dhe në konferencën për klimin COP25 në Kili gjatë muajit dhjetor. E reja ka zënë titujt e gazetave pas ‘grevave të saj në shkollë’ të cilat kanë frymëzuar një lëvizje proteste për ndryshimin e klimës në të gjithë botë.

Greva e parë e saj për klimën u zhvillua jashtë Parlamentit të Suedisë në gusht të vitit të kaluar. Greta udhëtoi në Malizia II, një jaht garash me shpejtësi të lartë, me turbina nën ujore dhe pa emetime karboni.

Këtë udhëtim ajo e bëri me babanë e saj, kapitenin Boris Herrmann, një anëtar të familjes mbretërore të Monaco Pierre Casiraghi dhe një regjisor dokumentarësh suedez Nathan Grossman. Varka e saj nuk kishte dush apo tualet, sipas Reuters, ndërsa pjesëtarët e bordit janë ushqyer me ushqim të konservuar gjatë udhëtimit. E reja është nominuar për çminin Nobel për Paqe në fillim të këtij viti.

Greta është diagnostikuar me Asperger, një formë e autizmit, të cilën ajo është shprehur se i lejon të shohë gjërat ndryshe. “Nëse do të isha si gjithë të tjerë, nuk do ta kisha filluar këtë protestë”, është shprehur ajo. /KultPlus.com

Letra 125 vjeçare e gjetur nën dysheme, i kthehet familjes së personit që e shkroi

Një letër e shkruar në vitin 1894 e gjetur mes dërrasave të dyshemesë së një shtëpie më në fund do t’i kthehet familjes së personit që e shkroi.

Letra u gjet gjatë punimeve për prishjen e shtëpisë për ndërtimin e Bibliotekës Shtetërore të Hobartit.

Rex Nightingale, 82 vjeç, e gjeti letrën ndërsa po punonte si zdrukthtar për ndërtimin e Bibliotekës Shtetërore në 1960. Letra u shkrua nga Sidney Hulbert më 13 maj 1894.

Në letër ai shkruante për vështirësitë në punë në Sidney duke thënë se do donte të mos kishte shkuar kurrë.

“Punoj 13 orë në ditë dhe çdo të diele për 15 monedha në javë. Do dëshiroja të mos kisha ardhur kurrë në Sidney. Jam i lodhur”, shkroi ai.

Pasi u publikua në faqet e medias së huaj ABC, letra u identifikua nga mbesa e autorit, Robyn Lobb.

“Sapo e pashë, e dija se ishte e shkruar nga ai”, tha Robyn. “Gjyshja ime, e cila vdiq kur ishte 103 vjeç, gjithmonë i niste letrat e saj saktësisht në të njëjtën mënyrë”. /KultPlus.com

Ed Sheeran ndahet nga ‘loop’ pedali, pas përfundimit të turneut

Ed Sheeran ka lënë të kuptohet se dëshiron ta largojë pedalin e tij të famshëm të kitarës “loop” dhe të shkojë në një drejtim tjetër muzikor në natën mbyllëse të turneut të tij botëror.

Kantautori britanik është i famshëm për interpretimin solo në skenë, duke e përdorur një pedale të efekteve për t’i regjistruar linjat e tij të kitarës dhe më pas i lëshon ato në loop (përsëritje) derisa ai e interpreton një melodi të ndryshme krahas saj.

Ed i ka qëndruar besnik teknikës të cilën e ka përsosur në interpretime të vogla për një koncert në Glastonbury dhe turneun e tij të tanishëm ÷ (divide), por, sipas BBC, në natën e mbylljes së turneut të tij në Ipswich, Angli, të hënën ai u tha fansave: “Ky mund të jetë koncerti i fundit me pedale”.

Në vitin 2014, muzikanti zbuloi se dëshironte të performonte me një bend mbështetës pasi e shikoi një koncert të Justin Timberlake.

“Në kokën time gjithmonë e kam parë albumin e tretë ku e kam një bend,” tha ai për gazetën britanike “The Sun”.

Megjithatë, ai vendosi t’i qëndrojë besnik pedaleve me efekte për turneun Divide, një turne ky që ka thyer rekorde të shumta.

28-vjeçari ka interpretuar para 7.5 milionë njerëzve në turne dhe ka inkasuar të ardhura prej më shumë se 817 milionë dollarë – duke e bërë atë turneun më të ndjekur dhe më të paguar të të gjitha kohërave. /KultPlus.com

270 vjet nga dita kur lindi Wolfgang Gëte, shkrimtari i shquar gjerman

Krijimtaria letrare e Gëtes përmban një numër të konsiderueshëm me poezi, drama, tregime e novela. Perveç tyre ai ka publikuar dhe një numër të shumtë dorëshkrimesh autobiografike, estetike, artistiko-letrare, si dhe shkrime me përmbajtje nga fusha e shkencave natyrore.

Një rëndësi të konsiderueshme për letërsinë kanë dhe korespondencat apo shkëmbimet e letrave, gjë të cilën ai e bënte me shumë pasion. Në krijimtaritë fillestare letrare spikasin idetë e tij demokratike të iluminizmit.

KultPlus, sjell disa nga thëniet e tij më të vlefshme:

Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.

Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre.

Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.

Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.

Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.

Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.

Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.

Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.

Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht. /KultPlus.com

Romani i shkrimtarit shqiptar, frymëzim për kompozitoren britanike

Romani “Ditar i shkurtër kufijsh” i shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani, është bërë frymëzim për kompozitoren e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, është shprehur se “kompozitorja e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad, ka kompozuar një pjesë të re (titulluar ‘Tales of the Invisible’), të cilën do ta ekzekutojë me Kuintetin e saj të Klarinetave, bazuar në prologun e romanit ‘Ditar i shkurtër kufijsh” të shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani”.

“Romani është përkthyer në shumë gjuhë dhe është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili”, njoftoi Majko.

Edhe shkrimtari Gazmend Kapllani ka shprehur kënaqësinë për këtë lajm.

“Romani im është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili, por kjo është hera e parë që shërben si pikë referimi dhe frymëzimi për një kompozitor/e të famës botërore. Mirënjohje”, është shprehur Kapllani, i cili ka shpërndarë edhe lajmin e publikuar nga “The Guardian”. /KultPlus.com

Francezët dhe italianët nisin misionet e gërmimit në Apoloni dhe Rubik

Prej disa ditësh misionet arkeologjike nga Franca dhe Italia kanë nisur gërmimet në Apoloni dhe Rubik, për të bërë zbulime të reja që do të hedhin dritë në studimin e qytetit antik.

Që nga viti 1992 ekspeditat më të shumta kanë qenë ato shqiptaro-franceze, të cilat kanë në fokus zonën e Akropolit dhe pjesën e sipërme të agorasë së qytetit të Apolonisë. Lidhur me këto misione, gërmimi ka reaguar edhe Ambasada e Italisë ditën e djeshme.

Sipas ambasadës, grupi i ekspertëve italianë është i përqendruar tek zona e Rubikut për të nxjerrë në pah pasuritë minerare të asaj zone.

“Projekti ‘Të dhëna arkeologjike dhe të teledetektuara për studimin e peizazheve minerare në Shqipëri’, financuar nga Ministria e Jashtme Italiane, do të përqendrohet veçanërisht në zonën e Rubikut me qëllim njohjen e pasurisë minerare shqiptare dhe stimulimin e interesit kundrejt pikave më të rëndësishme. Grupi i punës përbëhet nga arkeologë, topografë dhe gjeologë me përvojë, të koordinuar nga Dr. Pasquale Merola, drejtues i misionit dhe aero-topograf i CNR-së. Udhëtimi i parë i punës drejt Shqipërisë parashikohet në data 1-5 tetor 2019”, thuhet në njoftimin e ambasadës italiane. /KultPlus.com

Dashuria e mohuar e ushtarakut shqiptar dhe bukuroshes bolonjeze

Maria Gorizzia ishte zgjuar herët në mëngjes. Do përgatitej për një ditë shumë të rëndësishme. Në dhomën e saj të vetmuar, kishte diku në qoshe një komodinë ku ruante sendet më të shtrenjta. Prej andej, nxori disa bizhu e nisi t’i vendosë në qafë e duar dhe pasi u stolis, u nis plot me emocione drejt aeroportit të Bolonjës. Atje priste orën kur do të mbërrinte një aeroplan nga Tirana.

Qëndroi gati gjithë ditën, sepse aeroplani ishte nisur me vonesë nga Tirana, për shkak të situatës politike që po kalonte asokohe Shqipëria. Atë ditë, po rrëzohej busti i diktatorit Enver Hoxha. Maria Gorizzia (Gori) priti disa orë në aeroport dhe as që i shkoi mendja të largohej, pasi kishte një bindje se aeroplani nga Tirana do të vinte gjithsesi.

Kishte një jetë që e priste atë çast. Ishte pasdite në Bolonjë, kur Gori arriti të shohë nëpër tabelat e aeroportit se aeroplani nga Tirana, ishte nisur e do të mbërrinte shpejt në destinacion. Ishte vendosur në një qoshe atje ku arrinte të shquante qartë të gjithë pasagjerët që do të zbrisnin nga aeroplani. Erdhi çasti.

Aeroplani kishte mbërritur dhe pasagjerët pas pak minutash, nisën të shfaqen. Para syve i kaluan me radhë të gjithë pasagjerët dhe Gori mbeti e shtangur në këmbë. Aeroporti nisi të boshatisej dhe Gori po ndiente ftohtësinë e stinës e të fatit të keq që iu duk se po e përndiqte. Nisi t’i drejtohej portës së daljes, kur i kapi syri një siluetë në një prej karrigeve në terminal. Ishte një burrë i kthyer me kurriz që po qëndronte i drojtur dhe i vetëm në atë karrige.

Gori iu afrua ngadalë edhe nisi të bëlbëzojë emrin Valentino… silueta nisi të lëvizë e Gori me të “panjohurin” u panë sy më sy. Ishte Valentini, dashuria e jetës së saj… kishte 45 vjet që e priste.

Gori nuk e kishte njohur kur i kaloi para syve e as Valentini nuk e kishte njohur fytyrën e gruas që dikë kërkonte duke pritur me ankth. Gori e Valentini kishin ndryshuar mjaft. Ashtu si të habitur, u panë sy më sy për disa sekonda e mes lotësh u përqafuan…

“Valentini ishte ulur në një qoshe të sallës së pritjes duke parë nga jashtë, me mend se Gori do t’ishte vonue ose mund të kishte ngatërrue orarin. Ajo afrohet dalëngadalë afër përsonit, dhe me një gjysmë zani i foli: ‘Scusi Signore, lei non è per caso Valentino?…’ Valentini ishte kthye: ‘Gori?’… dhe u përqafuen pas 45 vjetëve si pleq. Ky Uliks i shekullit njëzet, ia kishte kalue Uliksit të 3000 vjet ma parë, sepse jo 20 vjet por ma tepër se dyfishin e kohës i ishte dashun të përballonte stuhitë e tallazët e detëve ideologjike të komunzmit, për të arritë të përqafonte të dashunën e tij, që ia kishin grabitë nga krahët në moshën ma të bukur të rinisë. E tashti pas 45 vjetëve arritën të bashkohën, sa thue nuk po njihnin njeni tjetrin….”, rrëfen Lekë Pervizi, takimin në aeroport të të vëllait Valentin me bashkëshorten e tij, Gorizzia (Gori).

I fundit përqafim i tyre kishte ndodhur fiks 45 vjet më parë, në mars të vitit 1946, kur Gori mori rrugën e riatdhesimit në Itali e Valentini një tjetër rrugë, një udhëtim të gjatë nëpër burgjet e kampet e internimit gjatë regjimit komunist. Prej atij përqafimi të fundit, në mars të vitit 1946, Maria Gorizzia do të kthehej në shtëpinë e saj në Bolonjë, për të qëndruar atje e vetme, me shpresë se një ditë do të kthehej bashkëshorti i saj i dashur, Valentin Pervizi.

Ndërkohë, Valentini do të shëtiste thuajse të gjitha kampet e diktaturës, duke nisur me burgun e Shkodrës, kampet e internimit të Beratit, Kuçovës, Porto-Paleroms, Tepelenës, Çorovodës, Fabrikës së Tullave Tiranë, Shtyllas të Fierit, Kuç të Vlorës, Plug e Gradishtë të Lushnjës. 47 vjet i dënuar nga regjimi komunist. E gjithë rinia e tij burgjeve e internimeve, e gjithë jeta e tij trishtim.

Dënohej vetëm për shkak se ishte i biri i gjeneralit të famshëm të asaj kohe, Preng Pervizi, i shpallur nga regjimi komunist si “armik i popullit”.

Valentin Pervizi kishte përfunduar akademinë ushtarake të Modenas në Itali. Ishte një ndër ushtarakët më në zë të kohës dhe i spikatur në luftën kundër gjermanëve. Më 20 shtator të vitit 1943, ishte kapur si rob lufte nga gjermanët me oficerët e tjerë italianë, të cilët ishin dërguar në kampin e Dakaut. Valentini bashkë me dy shokë oficerë italianë, mundën të arratiseshin nga kampi i Fraskatit. U kthye në Bolonjë, atje ku e priste e fejuara e tij Gorizzia. Në vitin 1943, Valentini dhe Gorizzia u kurorëzuan në martesë dhe u duk se gjithçka do të shkonte mirë. Por, në korrik të vitit 1944, Valentini vendos të kthehet në atdhe bashkë me bashkëshorten e tij. Gjen shtëpitë e djegura dhe familjen e strehuar në malin e Skurajt.

Pas pak muajsh, në dhjetor 1944, komunistët e arrestojnë dhe e burgosin vetëm për faktin se ishte i biri i Prenk Pervizit, që kishte qenë gjeneral në qeveritë e mëparshme të Shqipërisë.

Kështu nis kalvari i çiftit simpatik, ushtarakut elegant shqiptar, Valentin e vajzës së bukur bolonjeze, Gorizzia.

Në atë mars të 1946-ës, Valentini ishte në burgun e Shkodrës. Po i afrohej një ditë e trishtë. Drejtori i burgut që kishte qëlluar të kishte një farë humanizmi në raport me xhelatët e diktaturës, e thirri Valentinin në zyrë, atje ku e priste bashkëshortja, Maria Gorizzia. Takimi do të duhej të zhvillohej në prani të drejtorit, por ky i fundit u përpoq të largohej sa mundi për t’i lënë dy të rinjtë në aq intimitet sa mundej. Ishte takimi i tyre i fundit.

“Valentini u mundue me e qetësue bashkëshorten duke i dhan kurajo e zemër. Duke përfitue nga rasti kur drejtori shkoi në fund të dhomës, para se ai të kthehej i tha Gorit se në rastin ma të parë ai do të mundohej të arratisej nga Shqipnia, prandaj kishte një shpresë shpëtimi për ta. Këto fjalë sikur e qetesuen Maria Gorizzian, sa që e mori veten.

Drejtori e lejoi zgjatjen e takimit deri kur vetë ato të dy e vunë në dijeni se kishte ardhë çasti i ndarjes e nuk donin të përfitonin nga mirësjellja e tij. Kështu e shoqja e përshëndeti drejtorin duke i dhanë dorën në shenjë falendërimi. Por, Valentini u çudit kur drejtori, ndërsa ai po ulej te shkallët i kishte shtrëngue dorën fort duke i thanë: ‘Mos u mërzit, sepse nuk i dihet, mund të lirohësh e kështu mund të bashkohësh përsëri me të.’

Valentini e kishte falendërue dhe ai i la përsëri vetëm, ndërsa kalonin sallonin dhe zbrisnin shkallët. Kur arritën në fund të shkallëve u përqafuen para se të ndahëshin, pa mund të thonin nji fjalë aq i kishte pushtu emocioni. Valentini e përmbante veten mos me derdh lot. Matanë hekrave ishin grumbullue shokët e burgut, te cilët donin t’u gjendëshin afër në ato çaste të dhimbshme. Gori, nuk mund ta përmbante veten e kishte shpërthye në vaj të ngashëruem dhe ashtu doli prej burgut”, rrëfen Lekë Pervizi, vëllai i Valentinit.

Pas riatdhesimit të Maria Gorizzas, Valentini dënohet me tre vjet internim në Berat, ku bashkohet me gjyshen e nënën e tij. Më pas, në shkurt 1948, lirohet e bashkohet me të vëllanë e vogël, Lekën, në Tiranë. Në maj 1950, arrestohet me gjithë Lekën e mbyllet ne kalanë e Porto Palermos. Në vitet 1951-1952, Valentini e Leka dënohen në kampin e mbyllur të Tepelenës, me punë të rënda të detyrueshme. Më pas, në vitin 1952-1954, kampi i Ҫorovodës dhe fabrika e tullave Tiranë, me punë të detyrueshme; më 1954, në kampin e Plugut të Lushnjës, punë të detyrueshme në bujqësi; 1954-1955, kampi i Shtyllazit, punë të detyrueshme me të burgosurit, gërryerje me krah të një kanali të madh; 1955-1958, kampi-burg i izolimit në Kuç të Vlorës (Kurveleshit), izolim pa punë. 1958-1991, në kampet e Plugut e të Gradishtës së Lushnjës, në punë të detyrueshme në bujqësi e ndërtim.

Më 1956, Valentin Pervizi ishte një prej punëtorëve të Brigadës së ndërtimit në Çermë. Mëngjesi i tij niste me apelin në kampin e internimit në Gradisht e më pas nisej drejt Çermës ku punonte në brigadën e ndërtimit. Një makinë e merrte bashkë me të tjerë djem e burra të internuar dhe i çonte në Çermë për t’i kthyer pasdite kur paraqiteshin në apelin e radhës. Kjo ishte dita e jeta e 36-vjeçarit, Valentin Pervizi. Puna që ishte detyruar të bënte nuk kishte asnjë lidhje me profesionin e tij.

“Kështu Valentini rrinte me ne gjatë gjithë javës të punës dhe të dielave shkonte ne Gradishtë. Kjo i jepte mundësi me shkue edhe nga qyteti, ku postonte ndonjë letër ose kartolinë. Sikur u lidh një far korrespondence ma e rregullt me Gorin. Nga kjo far lirie, në letrat e Valentinit e të Gorit shprehej dashuria e pashtershme dhe shpresa e një bashkimi të afërt të tyne. Me prishjen e marrëdhanjeve me Bashkimin Sovjetik, sikur u acarue gjendja përsëri e lidhja me Kinën e keqësoi ma shumë. Letërkëmbimi me Gorin u bllokue. Kaloi një kohë shumë e gjatë heshtje. Letrat e kartolinat as shkonin as vinin. Maria Gorizzia e merakosun, i drejtohet prapë Ministrisë së Jashtme. Nga Ambasada në Tiranë vjen një telegram 29 shtator 1967, ku shkruhej: ‘…për sa do të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shum e zorshme që Pervizi, që konsiderohet ‘armik i popullit’, të mund të fitojë lirinë’.

Lajmi i ishte dhanë Gorit me shumë kujdes nga Ministria nëpërmjet Shtëpisë së Oficerëve, ku kishte shërbye Valentini dhe ku ai figuronte akoma efektiv (rob lufte). Sidoqoftë, Gorit, me gjithë kujdesin e treguem nga oficeri përgjegjës, lajmi i kishte shkaktue troditje e kishte kalue ne depresion, ku iu desh te shtrohej disa ditë në spital. Qëlloi që një mik yni i lirë, që i lipsej një dokument për motrën e tij të martueme ne Itali, kur kishte hyrë në Ambasadë, vetë ambasadori italian e kishte pyet nëse e njihte dhe dinte apo kishte informacion për Valentin Pervizin. Ai që na njihte fare mirë i kishte tregue sesi Valentini gjëndej i internuem pa shpresë lirimi në Gradishtë. Ky mik i joni punonte e banonte ne Lushnje dhe me qe ndonjëherë e takoja me tregoi për Ambasadën, ku e kishin pyet për Valentinin. Gjendja shpirtnore e Valentinit ishte randue.

Me fundin e diktaturës, në prag të vitit 1990, letërkëmbimi mes Valentinit dhe Gorit, u ba me i rregullt, dhe e shoqja dërgoi edhe disa pako, si dhe dollarë. Ajo shfaqte dëshirën që të vinte vetë në Shqipni, duke qenë se u hapen dyert e lirisë. Por, Valentini e këshilloi mos me e ba atë hap e ta priste në Bolonjë ku do të vinte vetë. Po të kishte ardhë grueja, ku ta çonte, në kampin e Gradishtës? Mirë do të kishte qenë për të njohun kushtet mizerabel ku kishte jetue e punue Uliksi i saj”, rrëfen lekë Pervizi.

Valentin Pervizi, jetoi në Bolonjë pjesën e mbetur të jetës së tij, bashkë me Maria Gorizzian. Valentini ndërroi jetë në mars të vitit 1999 dhe pak vite më pas, në korrik 2003, ndërroi jetë edhe Maria Gorizzia.