Koncerti i datës 30 korrik i Erza Muqollit në Kosovë ka qenë sukses i jashtëzakonshëm për artisten 13 vjeçare.
Me iniciativë të KultPlusit, Erza Muqolli erdhi në Kosovë për
herë të parë para publikut shqiptar, para rreth 500 të pranishmëve në
Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Koncerti është transmetuar edhe live në faqen e KultPlusit në Facebook, por megjithatë fansat e Erza Muqollit e kanë postuar koncertin edhe në Youtube.
Fansat e Erzës dhe grupit Kids United kanë postuar koncertin duke e shpërndarë atë me mijëra njerëz të tjerë që e përcjellin bukuroshen simpatike e cila po vazhdon me hapa të suksesshëm në tregun muzikor.
Mark Twain, ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai shquhet për novelat e tij, The Adventures of Tom Sawyer (Aventurat e Tom Sojerit, 1876), si dhe për (Adventures of Huckleberry Finn) (Aventurat e Hakëllberri Finit), e cila më vonë njihej si Great American Novel (Novela e famshme Amerikane).
Twain u rrit në Hannibal, Missouri, ku shkroi Huckleberry Finn dhe Tom Sawyer, të cilat i shkroi me makinë shtypi. Ai gjithashtu punoi si daktilograf, duke kontribuar kështu në gazetën e vëllait te vjetër Orionit. Derisa punoi si daktilograf dhe reporter ai shkroi storien humoristike The Celebrated Jumping Frog of Calaveras Country, e cila u bë aq e popullarizuar saqë e tërheqi vëmendjen e publikut mbarkombëtar.
Ai arriti sukses mjaft të madh si një shkrimtar dhe spiker. Mençuria dhe satira e tij ishin të vlerësuara prej shume kritikëve dhe letrarëve, dhe ai ishte shok me presidentë, artistë, industrialistë të ndryshëm.
Disa nga thëniet e tij më të famshme, jua sjell ë KultPlus:
• Për të pasur sukses në jetë nevojiten dy gjëra: injoranca dhe besimi në veten. • Shko në Parajsë për klimën, në Ferr për shoqërinë. • Pleqëria është çështje e mendjes mbi materien. Nëse nuk ja vë mendjen nuk është me rëndësi. • Sekreti i të ecurit përpara është të fillosh. • Nuk mund të varesh nga sytë kur imagjinata është jashtë përqendrimi. • Është më mirë të mbash gojën të mbyllur dhe t’i lësh njerëzit të mendojnë se je budalla dhe pastaj të e hapësh e të largosh të gjithë dyshimin. • Mirësia është gjuha të cilën të shurdhët mund ta dëgjojnë dhe të verbrit mund ta shohin. • Kurdo që gjen veten në anën e shumicës, është koha për reformim. • Shokët e mirë, librat e mirë dhe ndërgjegjja e pastër: kjo është jeta ideale. • Mënyra më e mire të gëzosh veten është të tentosh të gëzosh ndonjë tjetër. • Nëse e thua të vërtetën nuk duhet të mbash asgjë në mend. • Të gjitha përgjithësimet janë gabim, duke përfshirë edhe këtë. • Patriotizmi mbështetë shtetin tuaj gjatë gjithë kohës, dhe qeverinë tuaj kur ajo e meriton. • Guximi është rezistenca ndaj frikës, zotërimi i frikës, jo mungesa e frikës. • Të heqësh dorë nga duhani është puna më e lehtë në botë. E di sepse e kam bërë vetë mijëra herë. • Njeriu i cili nuk lexon libra të mirë nuk ka përparësi mbi njeriun i cili nuk mund t’i lexojë ato. • Më mirë një premtim i thyer se asnjë premtim. • Kur je në dyshim, thuaje të vërtetën. • Kam kaluar shumicën e jetës duke u merakosur mbi gjërat të cilat asnjëherë nuk kanë ndodhur. • Blejë tokë, nuk po e prodhojnë më. • Sa më shumë gjërat janë të ndaluara, aq më të njohura bëhen ato. • Mos e lejo shkollimin të pengojë edukimin tënd. • Sa më shumë e sqaron, aq më shumë nuk e kuptoj. • Nuk është madhësia e qenit në dyluftim, është madhësia e dyluftimit në qen. • Mund të jetoj dy muaj me një kompliment të mirë. • Klima është çfarë presim, moti është çfarë marrim. • Humori është bekimi më i madh i njerëzimit. • Kur gjuan për dashuri, josh me zemër jo me tru. • Shumë gjëra të vogla janë bërë të mëdha përmes llojit të përshtatshëm të marketingut. • Dallimi mes fjalës së duhur dhe fjalës gati të duhur është sikur dallimi mes rrufesë dhe xixëllonjës. • Kujdes nga librat e shëndetit. Mund të vdisni nga një gabim shtypi. • Bëhu i mirë dhe do të jesh i vetmuar. • Nuk ka gjë më të pikëlluar sesa një pesimist i ri, përveç një optimisti të vjetër. • Përparimi është mbrojtësi më i mire i principit. • Gënjeshtra mund të e kalojë gjysmën e rrugës përreth botës derisa e vërteta i mbathë këpucët. • Patrioti: personi i cili mund të bërtasë përreth pa e ditur për çfarë është duke bërtitur. • Bubullima është e mirë, bubullima është mbresëlënëse; por është rrufeja ajo që e bën punën. • Rrudhat duhet të sugjerojnë ku kanë qenë buzëqeshjet. • Faktet janë më kokëforte, por statistikat janë më elastike. • Zakonisht duhen tri javë për të përgatitur një fjalim të improvizuar mirë. • Njeriu asnjëherë nuk është më i besueshëm se sa kur pranon gënjeshtrën e vetë. • Kur miqtë tu fillojnë të bëjnë lajka mbi atë se sa i ri dukeni, është e sigurt se po plakeni. • Ne kemi qeverinë më të mirë të cilën mund ta blejnë paratë. • Civilizimi është shumëzimi i pakufishëm i nevojave të panevojshme. • Edukimi përbëhet kryesisht nga ajo që nuk e kemi mësuar. • Nga të gjitha gjërat që kam humbur, mendja më mungon më së shumti. • Raporti i vdekjes sime ishte ekzagjerim. • Mungesa e parasë është rruga e të gjitha të ligave. • Nevoja është nëna e të rrezikuarit. • “Klasike.” Libër të cilin njerëzit e çmojnë dhe nuk e lexojnë. • Njeriu i cili është optimist para 48-ave din shumë; nëse ai është optimist pas kësaj moshe, ai di shumë pak. /KultPlus.com
Në fotografi është Adolf Eichmann, i konsideruar si “arkitekti i Holokaustit”.
Eichmann shkoi në Argjentinë në vitin 1950 duke u nisur nga Gjenova e Italisë, falë një prej rrjeteve të shumta të organizuara pas fundit të Luftës së Dytë Botërore nga nazistët dhe mbështetësit e SS-ve. Pasaporta ishte lëshuar nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe mbante emrin Ricardo Klement, i njëjti emër që Eichmann përdori deri në momentin që u kap nga agjentët e dërguar nga Tel Avivi, në vitin 1960.
Nje rol kyç në identifikimin e Eichmann pati Lothar Hermann, babai i një të reje që ishte njohur me një nga fëmijët e ish-SS-së në Buenos Aires. Në vitin 1961 në Izrael fillon gjyqi ndaj nazistit Adolf Eichmann për krime në luftë, ku ai dëshmoi pas një mburoje prej antiplumbi. Eichmann u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje. Më 1 qershor 1962 Eichmann u ekzekutua me varje. Trupi i tij u dogj dhe hiri u përhap në det, përtej ujërave territoriale të Izraelit. Ekzekutimi i Adolf Eichmann mbetet i vetmi rast që Izraeli ka miratuar një dënim me vdekje.
Te platforma Netflix kjo histori tregohet tek filmi “Operation Finale”.
Fotografia është e korçarit Gjon Mili, shqiptarit me famë botërore i cili fotografoi plot momente të rëndësishme botërore.
Ndre Mjeda, ishte njëri ndër poetët, veprimtarët dhe atdhetarët më të shquar të kohës. Ai krahas Fishtës, Gurakuqit, Nolit, Mosit, veproi në drejtim të zgjimit dhe kalitjes së ideve përparimtare, pavarësisht petkut të tij fetar. I pajisur me dije filozofike, gjuhësore, fetare, shoqërore, Mjeda me tërë qenien iu kishte përkushtuar arsimimit dhe përparimit të bashkëkombësve, të cilët në kohën e tij, të paarsimuar kombëtarisht, analfabetë e të nëpërkëmbur nga fuqitë e mëdha dhe nga Perandoria Osmane, po përpëliteshin mes Lindjes e Perëndimit. I orientuar drejt vlerave demokratike dhe botës së qytetëruar, Ndre Mejda përfaqësonte intelektualin model të kohës, me një kulturë të shëndoshë kombëtare e shoqërore, me një modesti karakteristike të njerëzve të rangut të tij dhe me një botë të pasur krijuese, të cilën e vuri në shërbim të arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve pa dallin krahine, feje e bajraku. Veprimtaria poetike, gjuhësore, filozofike e fetare e Mjedjes është mjaft e thellë si nga përmbajtja ashtu edhe nga qasja që iu ka bërë problemeve të caktuara. Ai ka shkruar poezi antologjike, të cilat me të drejtë janë prezantuar në abetaret shqipe dhe në librat shkollorë. Janë të mirënjohura poemat e tij si: “Endrra e jetës”, Vaji i Bylbylit, Liria, Lissus, Scodra e të tjera.
Ndre Mjedja u lind në Shkodër nga i ati Jakë Zefi dhe ëma Luçije Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malësia e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi.
Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci.
Në këto vite Ndre Mjedja filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.
Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij, Jeta e Shën Gjon Berhmansit, për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 Përngjasim i Zojës së Bekueme përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).
Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedjes Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjedja interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689).
Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.
Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjedja, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta.
Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjedja dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjedja. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe.
Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël.
Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.
Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjedja shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.
Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjedja bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.
Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjedja është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Ndre Mjedja është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (“Andrra e jetës”). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).
Mjedja mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. /KultPlus.com
Supozimet se Disney sivjet do të dominojë absolutisht në arkat kinematografike janë realizuar. Por askush nuk e priste që studioja të arrijë fitime rekorde për vetëm shtatë muaj.
Rekordin e mëparshëm Disney e realizoi në vitin 2016 kur në kinema arritën hitet pas përfundimit të blerjes: në atë kohë patëm rastin të shikonim filma si Star Wars: The Force Awakens dhe Rogue One (Lucasfilm), Captain America: Civil War (Marvel), Finding Dory (Pixar) dhe Zootopia. Ishte ky viti i parë që Disney i fitoi 3 miliardë dollarë në tregun vendor (SHBA dhe Kanada), ndërsa të ardhurat totale në të gjithë botën arritën në 7.61 miliardë dollarë.
Kjo shifër e madhe tashmë është tejkaluar nga vetë Disney falë Lion Kingut dhe tani fitimet janë 7.67 miliardë dollarë, pra për shtatë muaj. E gjitha filloi në fillim të vitit me hitet Mary Poppins Returns dhe Ralph Breaks the Internet; në mars arriti Captain Marvel i cili i fitoi 1.12 miliardë dollarë në të gjithë botën, ndërsa fitimi më i madh u realizua nga Avengers: Endgame me 2.79 miliardë dollarë dhe u bë filmi me fitimet më të larta në botë. Filmi i animuar Toy Story 4 i fitoi 917 milionë dollarë ndërkohë që ende po shfaqet nëpër kinema. Një pjesë e mirë e të ardhurave erdhën nga versioni filmik i Aladdinit, ndërsa në kinema kohët e fundit arriti edhe Lion Kingu i sipërpërmendur, duke i fituar gati një miliard në të gjithë botën për rreth dhjetë ditësh. Dështimi i vetëm këtë vit ishte Dumbo me një fitim “të vogël” prej 352 milionë dollarësh.
Mos të harrojmë se na presin edhe disa hite të mëdha potenciale gjatë tremujorit të fundit: në tetor mbërrin Maleficent: Mistress of Evil me Angelina Jolie (vazhdim i Maleficent nga viti 2014), në nëntor arrin Frozen 2, origjinali i të cilit në vitin 2013 i fitoi 1.3 miliardë dollarë, ndërsa në dhjetor do të shfaqet Star Wars: The Rise of Skywalker. /KultPlus.com
Kanë përfunduar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë të regjisorit Durim Kryeziu “Familja” trajton një temë me raporte kontradiktore familjare mes tradicionales dhe bashkëkohores.
Lona një vajzë 16-vjecare e rritur në një familje tradicionale, ndjek pasionin e ri të saj për muzikën rok. Kjo ëndërr has në pengesë në momentin e prezentimit të parë të grupit të saj para pubikut. Babai i Lonës, Bardhi, pëlqen muzikën folklorike, ai ka të vështirë ta pranojë pasionin e ri të Lonës, duke menduar kështu se vajza e tij lehtë do të mund të rrëshqasë në veprime delikuente.
Bardhi duke ndjerë dhimbje për tre familjarët e zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, i përjeton edhe më rëndë veprimet e Lonës. Konflikti mes tyre thellohet në momentin që fillojnë gërmimet tek një varrezë masive, pranë së cilës Lona dhe grupi i saj xhirojnë videoklipin.
Regjia: Durim Kryeziu Skenari: Durim Kryeziu, Hazir Sh. Haziri Producent: Bardhyl Bejtullahu Drejtor i fotografise: Isak Duraku Skenograf: Zeni Ballazhi Kostumografe: Natyra Simnica Grimi: Pranvera Metolli, Kompozitor: Leonard Canhasi Line producent : Butrint Lumi Organizator: Arben Bajgora
Në Xhuxhe të Fanit të Mirditës ndërsa po punohej për hapjen e një rruge është gjetur një gur i madh që dyshohet të jetë piktogram ose ideogram.
Sapo kanë parë gurin me mbishkrime punëtorët kanë ndërprere punimet dhe kanë njoftuar autoritet lokale.
Kolin Marku, administratori i Fanit thotë se pritet ardhja e specialistëve të fushës për të përcaktuar datimin dhe vlerën që ka ky gur.
Gjergj Marku, drejtori i Kulturës në Bashkinë Mirditë thotë se zona ku është gjetur guri mbart vlera të jashtëzakonshme historike, ndërsa objekti i gjetur dyshohet të jetë piktogram ose ideogram, raporton TCh.
Në zonën ku është gjetur guri pritet të shkojnë specialistet e Shërbimit Arkeologjik Shqiptar për të përcaktuar vlerat qe ky gur mbart, por edhe cilës kohë i përket. /KultPlus.com
Lajmin e ka konfirmuar artistja shqiptare me famë botërore përmes llogarisë së saj në Instagram, ku ka thënë se është shumë krenare që më fund po e zbulon Libre, aromën e re të nxjerrë nga Yves Saint Laurent Beauty.
Në korrik, këngëtarja
poashtu përmes profilit të saj në Facebook ka bërë të ditur se do ta sjellë
koleksionin Dua Lipa x Pepe Jeans, në bashkëpunim me brendin Pepe Jeans. “Më në
fund mund t’ju them se në bashkëpunim me brendin londinez Pepe Jeans, kam
kijuar koleksionin Dua Lipa X Pepe Jeans për ju!
Jam inspiruar nga vitet 90’-00’ në Londër, dhe gjithmonë imagjinoja të krijojë rroba të më përfaqësojnë mua dhe më së shumti dëgjuesit e mi./KultPlus.com
Simon Krishlej, profesor i filozofisë në Shkollën e Re për Kërkime Sociale në Nju Jork, ka shkruar një libër të quajtur ”Libri i Filozofëve të Vdekur” (2008). Ai rrëfen tregime të ndryshme rreth vdekjes së filozofëve, dhe disa prej tyre janë realisht të çuditshme apo dhe qesharake. “Ambicia e librit, është të tregojë, se shpesh vepra më e madhe e artit të një filozofi, është mënyra e vdekjes së tij”- u shpreh Kritshlej për “The Guardian”.
Krisipi vdiq duke u
gajasur Krisipi (280–207 P.E.S), njihet si një nga stoikët më të mëdhenj. Ai
vdiq gjatë olimpiadës së 143-të, në moshën 73 vjeçare. Rreth vdekjes së tij, ka
2 histori alternative, dhe që të dyja kanë të bëjnë me alkoolin. Krisipi e
pranonte hyjnizimin, si pjesë të zinxhirit shkakësor të fatit. Teoria e parë
është se ai vdiq nga marramendja 5 ditë pas pirjes së një vere shumë të fortë.
Megjithatë, tregimi i dytë është edhe më i çuditshëm , dhe lidhet me emrin e
tij.
Duke parë se një gomar
po hante fiqtë e tij, në vend se të mërzitej për këtë, ai i tha me zë të lartë
një gruaje të moshuar:”Tani jepini gomarit të pijë verë të pastër, për të
shpërlarë fiqtë”. Ai e gjeti batutën e tij kaq për të qeshur, sa që nisi të
qeshë në mënyrë të pakontrollueshme , u rrëzua përtokë dhe pati një bllokim
frymëmarrjeje që i mori jetën. Francezin Zhylien Ofrej de La Mëtrje, e mori më
qafë e ngrëna me tepri Autori i “Njeriu-makinë”, Zhylien Ofrej de La Mëtrie
(1709-1751), ishte i njohur për teoritë e tij materialiste të natyrës
njerëzore, dhe nuk pati ndonjë vlerësim të veçantë nga bashkëkohësit e tij të
Iluminizmit. Vdekja e tij, shihet si e përshtatshme me filozofinë e tij, dhe
përshkruhet si një “vdekje materialiste”. Ai humbi jetën për shkak të
mbi-ngrënies. Dë La Mërtie ndodhej në shtëpinë e ambasadorit francez në Berlin,
zotit Tirkonel, duke konsumuar pate tartufi.
Ai hëngri aq shumë, sa që menjëherë nisi të
ndihet keq. E refuzoi ndihmën e mjekëve, duke i quajtur ata sharlatanë, dhe u
përpoq të shërohej, duke nxjerrë vetë gjak nga trupi. Megjithatë, kjo metodë
nuk funksionoi, dhe ai ndërroi jetë pas disa orësh. Herakliti vdiq i mbuluar
nga jashtëqitjet e lopës Herakliti (535- 475 P.E.S), ishte një filozof grek
para-stoik, i njohur për refuzimin e shoqërisë, që ai nisi ta përçmojë. Ai
vendosi të jetonte i izoluar nëpër male, ku ushqehej vetëm me barishte. Ai u
enjt në pjesë të ndryshme të trupit, për shkak të kequshqyerjes, dhe duhej të
kthehej në qytet për të marrë ndihmë mjekësore. Megjithatë, ai nuk donte të ndiqte
këshillat e mjekëve, por kërkoi të mbulohej me plehun e lopëve për të shëruar
sëmundjen e tij. Ka dy versione të historisë së vdekjes së tij. Sipas së parës,
ai u mbyt në jashtëqitjen dhe urinën e lopës. Në të dytën ai ul para rrezeve të
diellit, feçet iu thanë plotësisht, dhe ai vdiq nga mbinxehtësia.
Diogjeni u vetëvra duke mbajtur frymën Ekzistojnë shumë anekdota të pazakonta të shkruara rreth Diogjenit (vitit 320 P.E.S), të tilla si jetesa në një fuçi, jashtëqitja në teatër, dhe ngrënia e sasive të mëdha të qepëve në një moment të jetës së tij. Megjithatë, elementi më i shquar e njohur për të, është se ai nuk kishte frikë nga autoriteti. Ai ishte i vetmi që u tall me Aleksandrin e Madh, dhe mbeti gjallë më pas. Sipas “The Guardian”, Diogjeni dëshironte të varrosej me fytyrë përmbys, si në fjalët e tij:”Pas pak kohësh, e poshtmja do të ngjitet lart”. Ai jetoi deri në moshën 90 vjeçare, dhe vdekja e tij është e rrethuar ende nga misteri. Megjithatë, ka dy teori më të mundshme. Ai vdiq ose duke konsumuar një oktapod të pa gatuar, ose vendosi të kryente vetëvrasje duke mbajtur frymën. Mishel Fuko Një filozof francez (1926-1984), i njohur për teoritë e tij subversive mbi seksualitetin dhe stilin ekscentrik të jetesës, Mishel Fuko la një trashëgimi të fortë të shkruar mbi seksualitetet e çuditshme. Ai u sëmur në vitin 1984, duke vuajtur nga simptoma të vazhdueshme, të ngjashme me gripin. Ai vazhdoi të punonte mbi librin e tij “Historia e seksualitetit”, gjatë gjithë kohës që vuante nga sëmundja e tij. U zbulua më vonë se ishte prekur nga AIDS, për të cilën me sa duket kishte pasur dijeni që në fillim. Vdekja e tij në vetvete, nuk është aq mbresëlënëse se sa fakti, që kishte filluar të lexonte në mënyrë obsesive Senekën, teksa po i afrohej ora e vdekjes. Ai vdiq më 25 qershor, në të njëjtën datë që vdiq edhe filozofi i njohur romak./VintageNews – Bota.al
Në festën kombëtare të Zvicrës, shumica e qyteteve janë zbukuruar me flamuj zviceranë, mirëpo në disa vitrina të dyqaneve të Otto-s, vërehet prania e filxhaneve që e kanë të shtypur flamurin e Shqipërisë.
Zëdhënësja e kompanisë Otto ka deklaruar se nuk është në dijeni për këtë cështje dhe se një gjë e tillë ka shumë mundësi të jetë një gabim në vendosje dhe jo një strategji e shitjes, pasiqë Lozana, vendi ku gjenden këto dyqane, ka shumë banorë shqiptarë. 1 gushti, festa kombëtare e Zvicrës shënon aleancën e formuar në vitin 1921 prej tre kantoneve të Uri-t, Schwyz-it dhe Unterwalden-it, qendra rreth të cilës është formuar Zvicra./KultPlus.com
“Amara terra mia” e Domenico Modugno, mori të tjera ngjyra kur u këndua nga i talentuari Ermal Meta. Në Sanremon e vitit 2017, shqiptari nuk mundi të dalë fitues me “Vietato Morire”, por arriti të rrëmbejë një çmim shumë të rëndësishëm.
Ermal Meta u vlerësua me çmimin e kritikës që mban emrin e legjendës së muzikës italiane “Mia Martini”.
Por kënga “Amara terra mia” e Domenico Modugnos, e “përndjek” sërish këngëtarin. Familja e legjendarit italian ka vendosur që të vlerësojë këngëtarin shqiptar me çmimin Modugno 2019.
Më 6 gusht në Polignano do të mbahet edicioni i nëntë i Meraviglioso Modugno, një mbrëmje që feston karrierën e këngëtarit në qytetin e tij të lindjes.
Tema kryesore e mbrëmjes së këtij viti do të jetë “një hedhje në det” për të festuar gjashtëdhjetë vitet e “Piove”, një nga këngët më domethënëse të Modugno.
Në mbrëmjen e shumëpritur, Ermal Meta do të marrë çmimin Modugno 2019. Një nder i madh për shqiptarin i cili e ka shprehur gjithnjë admirimin e thellë për Domenico Modugnon.
Ermal Meta ka falenderuar familjen e këngëtarit për këtë nder, ndërsa nuk ka harruar që të shprehë edhe mirënjohjne për njeriun pa të cilin, e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur, pikërisht Domenico Modugnon.
“Faleminderit familjes së Modungnos për këtë çmim, e faleminderit të mahnitshmit Modugno”, shkruan Ermali në Instagram. /KultPlus.com
Instituti Arkeologjik i Kosoves ka përfunduar Ekspozitën Arkeologjike në Kalanë e Prizrenit.
Drejtuesi i projektit të Kalasë së Prizrenit Dr. Shafi Gashi në një promoncim tregon se u bën mbi 10 vjet që janë duke u zhvilluar gërmime arkeologjike dhe konzervuese në kala, dhe përfundimisht po hapet edhe ekspozita në të cilën ekspozohet thesari më i mirë i trashëgimisë kulturor të Republikës së Kosovës.
“Duke filluar nga parahistoria e deri tek luftrat ballkanike, Kalaja e Prizrenit është shndërruar në top atraksionet e turizmit kulturor ku gjatë verës presin mbi 1 mijë vizitorë në ditë dhe është monumenti më i viztuar në vend”, tha Gashi. /KultPlus.com
Është organizuar shtegtimi në Kalanë mesjetare të Artanës, me qëllim që të mësohet historia e kishave dhe kalave të vjetra. Famullitari i Prishtinës, Don Fatmir – Koliqi, tha se organizime të tilla po ndodhin tash e sa herë për qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë.
Koliqi ka thënë se përmes këtyre vizitave mësohet historia e pastër e kishave dhe kalave të vjetra.
“Ne për çdo vit organizojmë e kremtojmë apo e shënojmë ditën e diasporës. Kisha katolike tash e disa vite pjesën e madhe që e ka në diasporë kur vinë tash për pushime të takohen në kishën që është në Kosovë dhe për çdo vit organizojmë në vende të ndryshme. Kemi organizuar në Gjakovë, këtu në Prishtinë dhe këtë vit kemi dashur të bëjmë një shtegtim shpirtëror në kalanë dhe katedralen ‘Shën Nikolla’ në Artanë”, tha Koliqi.
“Kjo me qëllim që qytetarin tonë, besimtarin tonë t’i njoftojmë me të kaluarën tonë të pasur. Atje do të shkojmë edhe diaspora, por edhe besimtarët që i kemi këtu, atje do të rrimë bashkë do të njoftohemi kemi edhe guidë profesionale të cilët janë arkeologë dhe historian dhe ata do të na tregojnë te gjithë atë rëndësi që e ka Kalaja e Novobërdës”.
Mërgimtari nga Kanadaja, Lulzim Rrafshi tha se kjo është një gjë e mirë që po organizohet tash e disa herë.
“Kjo është një gjë e mirë që po organizohet, ne kemi mundësi që të takohemi me njerëz, ne kemi qenë në vende të ndryshme dhe kësaj radhe do të jemi në Novobërdë”, tha Rrashi. /KultPlus.com
Organist i natyrës, qiellit…”. Kështu e quajti aktori dhe poeti francez Antonin Artaud piktorin e tij të dashur Van Gogh. Disa muaj para se ky poet të vdiste, në janar të vitit 1947, një miku i tij i tregoi se në sallat e Orangerie, në kopshtet e Tuileries në zemër të Parisit, ishte hapur një ekspozitë me tablotë e Van Gogh. Madje ai i tregoi se dikush, një kritik, në një artikull me temë “Demonët e Van Gogh”, deklaronte se Van Gogh kishte qenë thjesht një i çmendur. Sigurisht, piktori holandez kishte prerë veshin, kishte vuajtur nga halucinacionet, kishte qenë në spitalet psikiatrike si në jug të Francës ashtu dhe në Paris apo klinikën në Auvers-sur-Oise ku do të mjekohej nga doktor Gauchet, të cilin dhe e pikturoi. Por ky artikull e revoltoi shumë poetin, i cili e njihte mirë jetën e gjeniut dhe klithi në mbrojtje të Van Gogh: “Ja si shoqëria i mbyt nëpër çmendi të gjithë ata që e shqetësojnë apo që refuzojnë të bëhen bashkëfajtorë të pisllëqeve të mëdha!”…
Pak ditë më vonë ai shkoi ta shohë ekspozitën me atë revoltë që i ziente përbrenda, sepse edhe ai sapo kishte dalë nga klinika e psikiatrisë, ku në Rodez si dhe në Paris, kalvari i tij rëndohej gjithnjë e më shumë. Në sallën e Orangerie-s ai qëndroi gjatë duke kundruar tablotë e piktorit peizazhet, portretet, “nature morte”. Miku që e shoqëroi duke dëgjuar komentet e tij rreth pikturave, i tha se nuk do të ishte keq të shkruante një libër për Van Gogh me mbresat e tij, dhe ai e pranoi këtë propozim. Me tu kthyer, ashtu si një asket, ai u mbyll në shtëpinë e tij dhe gjatë një muaji shkroi një nga esetë më tronditëse dhe më të bukura për Van Gogh, duke e titulluar “I vetëvrari i shoqërisë”. Ai e mori në mbrojtje piktorin holandez duke treguar njëkohësisht se ku qëndronte dhe madhështia e forca e talentit të tij. Po, një i vetëvrarë nga shoqëria, e cila nuk e kuptoi artistin e madh. Dhe jo vetëm. Kjo shoqëri ishte një ambient mbytës dhe asfiksues, ku artisti dergjej e vuante dhe ku në momentet e paqta gjatë kohës së përbuzjes ai krijonte artin e madh. Ndoshta Van Gogh nuk do të kishte krijuar vepra të tilla në kushte të tjera, siç jetuan piktorë të tjerë të kohës së tij, impresionistë e post-impresionistë. Van Gogh ndjehej i veçuar, i flakur, mbahej larg banketeve, ngjarjeve festive, çmimeve apo shitjeve, për çka dëshmohet dhe në letrat dërguar vëllait të tij Theo, ku i ankohej vazhdimisht se s’kishte para për të blerë bojëra e telajo, se tablotë e tij nuk shiteshin. Vetëm një tablo, “Vreshtat e kuqe”, pati shansin të shitej nga Theo, i cili përkujdesej për të vëllain që ai të shihte dritën e vlerësimit të artit të tij. Ja pse dhe vuante piktori duke jetuar në atë trallisje të madhe fizike dhe shpirtërore, me ndjesinë e vetëvrasjes, duke tentuar zhdukjen e tij nga kjo botë, siç dhe do ta bënte në Auver-sur-Oise në 1890. Ai nuk donte të ishte një barrë e përjetshme për vëllain e tij. Edhe Artaud përjetonte të njëjtën gjë. Edhe ai një artist i vetmuar. A nuk e vrau shoqëria dhe familja skulptoren të dashurën e Rodin, Camille Claudel? Vetëm kur ajo vdiq, 30 vjet pas shfaqjes së saj të fundit në publik, aristokracia intelektuale tha e habitur: “Çudi, Camille Claudel paska qenë gjallë!?” Edhe miku i tij i dashur Gaugain ishte larguar nga Parisi për të humbur në cep të botës dhe për të sjellë diçka të re.
Që të mos humbte mendjen totalisht, Artaud mbante gjithnjë një pasqyrë që të shihej në të, dhe që të ishte i ndërgjegjshëm se ishte gjallë dhe se jetonte akoma. Të kërkosh një pasqyrë që të mos vdesësh!… Eseja e Artaud është e rrallë. Këto vitet e fundit Muzeu i Orsay-t, hapi një ekspozitë “Van Gogh i vështruar nga Artaud”, çka bëri të flitej për poetin dhe aktorin e viteve ’30-’40. Eseja është revoltuese dhe hera-herës e pakuptueshme për vetë gjendjen e tij (çka na kujton “Ditarin” e balerinit të famshëm Nizhinski) e megjithatë ai arrin ta kapë thelbin e piktorit dhe ta shprehë atë. “Van Gogh është një i çmendur? – pyeste ai. – Ai që ka ditur të shohë një ditë një fytyrë njerëzore, në portretin e Van Gogh vështron vetveten. I pikturuar nga Van Gogh, tejet i vetëdijshëm për këtë, si një kasap kuqalosh, portreti na vëzhgon dhe na ndjek, me një vështrim të rreptë. Unë nuk njoh asnjë psikiatër që të dijë të shohë një fytyrë njerëzore me një forcë kaq dërmuese sa ta shprehë në mënyrë të pakundërshtueshme nën presën e hollë të psikologjisë…”
Jo, Artaud ishte i kthjellët kur shkruante se “Van Gogh nuk vdiq nga deliri mental dhe se ai ishte viktimë e shoqërisë”. A nuk kishte ndodhur kështu dhe me poetin Arthur Rimbaud, të adhuruarin e Artaud dhe të gjithë poetëve të botës. Edhe poetin Rimbaud shoqëria e poetëve parnasianë nuk e përfillën, madje e përbuzën, duke e parë si një rrugaç dhe bohem të prapë. Kur ai solli në Paris vëllimin e tij të parë poetik që parnasianët ta lexonin, djaloshi nga Ardenes, u zhgënjye me ftohtësinë e tyre, sepse të gjithë i kthyen krahët. Vetëm Paul Verlaine e kuptoi atë dhe e deklaroi hapur gjeninë e poetit të ri, shfaqjen e një ” profeti “. Ja pse Rimbaud u largua nga Franca, pasi shoqëria nuk e kuptoi artistin, duke e detyruar atë të ikte sa më larg e të humbiste në shkretëtirat e Amanit dhe të Arabisë, ta braktiste përfundimisht poezinë, gjersa do të vinte me këmbën e gangrenizuar pas shumë vitesh në Francë dhe vitin e fundit, para se të vdiste, do të shkruante vëllimin e famshëm poetik “Një stinë në ferr”. Vetëm atëherë parnasianët thanë: “Pse vallë, ende qenka gjallë Rimbaud?”
Kështu ndodhte dhe me Van Gogh të cilin shoqëria nuk e kuptoi. Vetëm i vëllai i tij, Theo, e ndihmoi dhe u përkujdes për të. Ai e kuptoi gjeninë e të vëllait dhe ishte i bindur se një ditë arti i tij do të njihej si një nga kulmet e veprës pikturale në historinë botërore. Në një leteër dërguar Theos më 22 tetor 1882, të cilën Artaud e citon në esenë e tij, Van Gogh i shkruante: “… Si t’ia dalësh mbanë? Duhet të kalosh midis një muri hekuri të padukshëm që duket se është vendosur midis asaj çka ndjen dhe asaj sa mundesh. Si duhet kapërcyer atëherë ky mur, pasi nuk ia vlen të godasësh fort, por ky mur duhet minuar dhe kaluar sipas meje duke përdorur limën, pra ngadalë dhe me durim…”
Ajo çka e trondiste Artaud në esenë e tij rreth pikturës së Van Gogh ishte ajo dinamikë e vërtetë brenda pikturës, peizazhit, siç e shohim në tërë veprën e tij; ato linja që ai i shihte në një konvulsion e sipër e që padyshim ishte dhe shprehje e konvulsioneve të tij shpirtërore. “Piktura e pastër lineare e piktorit, – shkruan Artaud, – prej kohësh më ka shqetësuar që kur unë pikëtakova Van Gogh, i cili pikturonte jo linja e forma, por elemente të natyrës inerte në një konvulsion e sipër… Askush, asnjëherë nuk ka shkruar, pikturuar, bërë skulpturë, modeluar, ndërtuar, shpikur, veçse për të dalë nga ferri që përjeton. Dhe unë pëlqej më mirë të dal nga ferri dhe natyrat nga ky aksion i qetë konvulsiv sesa kompozimet gëluese të një Breughel (Plaku) apo Jerome Bosch e që përballë tij janë artistë të njohur, aty ku Van Gogh është veçse një i paditur i mjerë, i cili nuk duhet të gabojë…”
Ngjyrat e Van Gogh, poetit i duken të vrazhda, por me një fuqi të jashtëzakonshme, pasi ai nuk pikturon si piktorët e tjerë, ku ngjyra por dhe linjat janë disi akademike, të ftohta dhe pa atë energji të brendshme që do duhej të kishte piktura. “Ajo që më bije në sy më shumë tek Van Gogh, – shton ai, – është se ai është më piktori i piktorëve, duke shkuar më larg se ajo që ne e quajmë pikturë, pa tejkaluar tubin e bojës, pa dalë nga kuadri i motivit dhe i telajos për të mbërritur tek tregimi, drama, aksioni i imagjinuar në bukurinë e qenësishme të subjektit apo objektit gjer në atë shkallë, si në një tregim përrallor i Edgar Poes, Herman Melville, Nathael Hawthorne, të një Gerard de Nerval, Achim Arnim apo të një Hoffman, të cilët nuk na thonë më shumë në planin psikologjik e dramatik se sa tablotë e tij që kushtojnë veç ca para e ku gjithçka në ato tablo të menduara mirë është vendosur heshturazi e në mënyrë patetike. Ngjyra e vrazhdë e tyre është aq e saktë dhe e vendosur me aq dashuri, saqë nuk ka gurë më të çmuar që mund të arrijnë vlerën e atij arti të rrallë. Dhe ballë këtyre peizazheve të forta, plot konvulsion, siç shprehet ai, ballë asaj fushe me grurë dhe qiell të ngarkuar, si tek “Fushë gruri me korbat”, ku korbat hallakaten si në prag të stuhisë, Artaud ngazëllehet dhe klith njëkohësisht, pasi është pikërisht ajo që asnjë piktor tjetër deri në atë kohë, nuk kishte arritur të kapte thelbin e afrimit të stuhisë. “Përballë një shoqërie njerëzore majmunësh të poshtër e qensh të lagur, piktura e Van Gogh ka qenë ajo e një gjendje momentale ku ai nuk kishte frymë, shpirt, ku ai nuk kishte ndërgjegje, veçse disa gjëra elementare të kapura mes tyre apo pastaj të hallakatura. Peizazhe konvulsionesh të forta, trauma të përdhunshme, si në një trup që ethet duan ta shërojnë… Shikojini mirë peizazhet e bukura të Van Gogh, ato paqësore apo të shqetësuara, në konvulsione apo të paqtuara. Eshtë gjendja normale midis dy etheve të nxehta që do të kalojë. Eshtë ethja midis dy nismash të një trupi të paqtë në revoltë. Një ditë, piktura e tij plot ethe dhe gjendjen e një shëndeti të paqtë do të shfaqet për të hedhur në ajër pluhurin e një bote të burgosur që zemra e tij nuk mund ta durojë…” Por le t’i rikthehemi përsëri tablosë së fundit “Fushë gruri me korba” që pikturoi dora e piktorit në vitin 1890, pak para se të vdiste, në kohën që vuajtjet e tij shpirtërore po e vinin poshtë e më poshtë, gjersa në kthim, në perëndim, pikërisht në atë fushë gruri plot korba, ai kishte qëlluar veten… Përballë kësaj tabloje, i mahnitur dhe i pushtuar nga ajo, në kthim, në muret e errëta të shtëpisë, Artaud do të shkruante: “Van Gogh është një organist i një stuhie që ka ndalur dhe që paqtohet në natyrën e kthjellët midis dy tronditjesh si dhe vetë Van Gogh; kjo natyrë tregon më së miri se është gati të ndryshojë. Pasi e ke parë këtë pikturë, mund ti kthesh krahët çdo tabloje. Ajo s’ka më ç’të thotë. Drita e stuhishme e piktorit Van Gogh nis rrëfimet e saj të errëta në çastin kur ne nuk e shohim më. Dhe këtë e bën veç piktori, Van Gogh dhe askush tjetër, filozof, mistik, rit, “psikurgji” apo liturgji, asnjë histori, letërsi a poezi, por… për të kuptuar një stuhi të natyrës, një qiell të stuhishëm, një fushë mes natyrës, nuk mund të mos i rikthehemi piktorit Van Gogh…”
“Fushë gruri me korba”, mbetet padyshim tabloja më emblematike e Van Gogh, çka e kishte vënë në mendime te thella poetin Artaud. Ato penelata të vrazhda, apo siç janë në tablonë tjetër “Pasioni” në formë rrethore, të japin ndjesinë e fortë të afrimit të stuhisë. Ajo fushë gruri, me atë qiell të trazuar që rëndon mbi të, me atë lëvizje korbash që enden të hallakatura në prag të arratisë, na bën madje të imagjinojmë krokëllimat e tyre dhe të themi se askush tjetër në botë nuk do ta krijonte një tablo të tillë.
Kur mbaroi esenë “I vetëvrari i shoqërisë”, Artaud e prezantoi atë në teatrin e njohur parisian pranë kishës “Saint Sulpice”, “Le Vieux Colombier”, në praninë e elitës artistike franceze si Camus, Breton, Picasso, Braque, Michaux, Audiberti e shumë të tjerë. Fjalët e Artaud dhe gjendja e tij e eksituar i la gojëhapur ato shpirtra të ndriçuar, te cilët ishin në një mendje me Artaud. “Jo rrallë shoqëria nuk e kishte mbrojtur artistin dhe aq më shumë pushtetet, aq sa për një çast, ne shqiptarëve na kujton vargun e fuqishëm të Migjenit “Si nuk kam një grusht të godas…” apo shkrimtarë që i futën në spitalet psikiatrike në kohën totalitare. /KultPlus.com
Shpërngulja e qindra e mijëra arbëreshëve drejt Kalabrisë është një kronikë e mirënjohur historike, por një skulptor nga Presheva që jeton në Shën Mitër nuk është një histori që dëgjohet shpesh.
“Unë nuk i kam shkuar lumit poshtë, por jam ngjitur përpjetë rrjedhës”, e ka përshkruar sagën e tij jetësore mjeshtri i skulpturave, Hevziu Nuhiu.
I lindur më 1956 në fshatin Ceravajkë të Preshevës, ai ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Akademinë e Shkupit. I vendosur në Itali qysh në vitin 1983, rrëfimi për Nuhiun përfshin miqësinë e tij të shtrenjtë me mjeshtrin Ibrahim Kodra, i cili do të bëhej pikë referente e krijimtarisë së tij artistike.
“Nuhiu e ka bërë përvojën e tij, e ka arritur një formë dhe paraqet një tipologji që buron nga një liri poetike e veçantë për t’u trajtuar, dhe shqyrtohet si një nxënës primar i Henry Mooreut”, kishte shkruar Kodra për skulptorin preshevar.
Ky rrugëtim jetësor me veçantitë e tij skulpturore është përmbledhur në librin monografik të shkrimtarit kalabrez, Giulio Palange “Hevzi Nuhiu”, i cili u promovua të mërkurën në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në përurimin e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Shoqata e Gazetarëve të Luginës “Etika”, njohës të letërsisë dhe artit kanë vlerësuar profilin artistik të Hevzi Nuhiut. /Koha ditore/ KultPlus.com
Historia gjithmonë e ka anën e saj të bukur e të pastër.
E kur kjo dokumentohet me fotografi e video, atëherë ne kthehemi e jetojmë në realitete të ndryshme.
Me anë të këtyre kartolinave të vitit 1940 mund të kthehemi në nostalgjinë e kohës së shkuar, e cila herë ishte e mirë e herë jo për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë.
Harold Prince, producenti dhe regjisori i disa prej hiteve më të mëdha në Broadway, ndërroi jetë në moshën 91 vjeç në Reykjavik, konfirmoi zëdhënësi i tij.
Prince është autor i disa prej shfaqjeve më të mëdhenj që janë shfaqur ndonjëherë në Broadway, duke përfshirë “West Side Stories”, “Cabaret” dhe “Phantom of Opera”.
Ky prodhues dhe regjisor legjendar ka fituar 21 Tony Awards gjatë karrierës së tij, që është më shumë se çdo artistë tjetër.
Theksojmë se familja ka pohuar se nuk do të ketë ceremoni të zakonshme funerale, por një ndejë ku do të kujtohet vepra e tij.
Ai grumbulloi 21 Tonys, përfshirë tetë për regji, tetë për prodhim, dy si prodhues i muzikës dhe tre çmime speciale.
Në vitin 2006, ai u nderua me një tjetër çmim Tony për arritjet jetësore në teatër. /KultPlus.com
Jeni një grua e mrekullueshme, Giselle. Biseda me ju është gjëja më e këndshme në botë. Jeni e mprehtë dhe rrëfeni bukur, por, megjithatë shkruani keq.
Letrat tuaja janë të rralla, të shkurtra dhe më të shumtën e herëve pa interes. Ju e dini mirë këtë, prandaj dhe shkruani kaq pak.
Do më thoni se nuk është aspak kështu, dhe se thjesht nuk keni kohë. Do më thoni gjithashtu se njerëzit e rëndësishëm për ju, i shihni shpesh dhe flisni gojarisht me ta për çdo gjë që doni t’u tregoni. Nëse janë larg u telefononi. Sa për të tjerët, pse t’u shkruani?
Këto arsyetime janë shumë të dobëta…
Jo, nuk besoj se një telefonatë mund të zëvendësojë, siç thoni ju, një letër. Telefonata shërben për të njoftuar një ngjarje, për të mbyllur një takim, ndoshta për të thënë dhe dy fjalë më shumë – por, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë, mjeti për të thënë të vërtetën në lidhje me një ndjenjë më të thellë, apo për të zgjidhur shkaqet e një keqkuptimi. /KultPlus.com
Woodstock 50, përvjetori i 50-të i festivalit ikonik të vitit 1969, i cili u përball me disa pengesa muajve të fundit, është anuluar zyrtarisht.
Në një komunikatë për media, përfaqësues të Woodstock 50, shkruajnë: “Jemi të pikëlluar që për shkak të një sërë pengesash të paparashikuara, është bërë e pamundur të mbahet festivali që e imagjinuam me një listë të mrekullueshme pjesëmarrësish që i kishim rezervuar dhe angazhimin shoqëror që ne parashikonim”, raporton “Pitchfork”.
Njoftimi vjen pasi artisë si Miley Cyrus, JAY-Z dhe “Raconteurs” u tërhoqën nga performanca e tyre. Ishte planifikuar të mbahej në Merriweather Post Pavilion në Columbia, Maryland, nga 16-18 gusht, gratis për publikun, transmeton Koha.net.
Problemet rreth festivalit u shfaqën menjëherë pas publikimit të listës së pjesëmarrësve. Shitjet e biletave të festivalit u vonuan pasi që u raportua se festivali nuk ka leje.
Lista e artistëve pjesëmarrës përfshinte disa prej artistëve që performuan në festivalin Woodstock më 1969: John Fogerty (nga Creedence Clearwater Revival), Carlos Santana (si Santana), David Crosby (nga Crosby, Stills & Nash), Melanie, John Sebastian, Country Joe McDonald, Canned Heat dhe Hot Tuna.
Në muajin prill, mbështetësi financiar i Woodstock 50, “Dentsu Aegis Network”, u tërhoq nga festivali dhe tha se ai ishte anuluar. Pasi organizatorët e Woodstock njoftuan se festivali do të mbahet, nisi një betejë gjyqësore. Në seancat dëgjimore, ekipi i Dentsu-t thotë se kanë ndaluar së punuari me Woodstock-un sepse nuk kishin leje për tubime masive, plan të finalizuar të trafikut, rregullimet e nevojshme rrugore, një plan për reagim emergjent apo siguri të mjaftueshme.
Organizatorët e Woodstock 50 hodhën poshtë pretendimet e Dentsu-t, dhe gjykata u dha leje që të vazhdonin me festivalin sipas planifikimeve, dhe më pas, një investitor i ri, “Oppenheimer & Co.”, u paraqit për të mbështetur festivalin.
Festivali fillimisht ishte planifikuar të mbahej në shtegun e garave të New Yorkut, “Watkins Glen International”. Por në qershor, Woodstock 50 e humbi atë vend. Edhe producenti i festivalit, kompania “CID Entertainment”, u tërhoq më pas nga Woodstock 50. Kërkesa për leje iu refuzua për herë të dytë, kësaj radhe në një shteg më të vogël garash në Vernon Downs në Vernon, New York.
“Nëse këtë vit nuk funksionoi, nuk do të funksionojë as vitin tjetër”, ka thënë themeluesi i Woodstock-ut, Michael Lang, në një intervistë para se zyrtarët e Vernonit të refuzonin lejen e festivalit. “Provuam gjithçka. Bëmë gjithçka që mundëm”. /KultPlus.com