Adele thuhet se po e përgatit rikthimin e saj muzikor me një këngë të re “më të gjallë” të frymëzuar nga shkurorëzimi i saj.
Përfaqësuesit e këngëtares së hitit “Rolling in the Deep” më 19 prill konfirmuan në një email-njoftim për mediat se ylli është ndarë nga partneri Simon Konecki, dhe se ajo e paraqiti kërkesën për shkurorëzim nga biznesmeni duke i radhitur si arsye “dallimet e pakapërcyeshme”.
Dhe derisa procedurat e shkurorëzimit janë duke vazhduar, këngëtarja (31) me sa duket po i kanalizon të gjitha emocionet e saj në muzikën e re – për çfarë një insajder i industrisë tha për gazetën “The Sun” në Britani se ka qenë një përvojë “katartike (shliruese)” për yllin.
“Kënga është më e gjallë dhe ka të bëjë me marrëdhëniet e Adele me ish-bashkëshortin e saj Simon”, thanë burimet. “Por është optimiste, reflektuese për kohërat e mira dhe për të mësuarit se si të ecësh përpara dhe të krijosh vetë kujtime të reja.
“Ka qenë përvojë katartike për të që t’i fusë ndjenjat në muzikën e saj. Fansat mund të presin të dëgjojnë detaje personale në albumin e saj”.
Burimet shtuan se ylli i hitit “Hello” ua ka dërguar këngën e patitulluar shefave të shtëpisë së saj diskografike, dhe pohuan se Adele po e planifikon publikimin e muzikës së saj të re në nëntor.
Kohët e fundit u raportua se këngëtarja ka kërkuar kujdestari të përbashkët fizike dhe ligjore të djalit të vetëm gjashtëvjeçar të çiftit, Angelo, dhe se është e gatshme t’i zgjidhë aspektet e tjera të ndarjes, përfshirë edhe financat, me ndërmjetësim. /KultPlus.com
Rozafa Çelaj ka një rol shumë të rëndësishëm në filmin “Shpia e Agës” me skenar dhe regji të Lendita Zeqiraj, dhe figura e saj në këtë film nuk ka mbetë pa rënë në sy edhe nga kritikët e filmit ndërkombëtar, shkruan KultPlus.
Prof. Dr. Maja Bogojević, teoriciente dhe
kritike e filmit, si dhe dekan i Fakultetit të arteve vizuale të Univerzitetit
Mediteran dhe themeluese e revistës së pare të filmit në Mal të zi dhe Camera Lucida, anëtare aktive e kritikës ndërkombëtare –
FIPRESCI dhe FEDEORA, së fundi kanë shkruar një kritikë mbi filmin “Shpia e Agës”,
dhe në këtë kritikë, përpos vlerësimit super të lartë për punën e regjisores,
por edhe të aktorëve, ato kanë vënë në pah një krahasim të aktores kosovare me
atë të yllit botëror.
“Më e reja prej tyre, Emira (Juliette Binoche premtuese kosovare) pi marihuanë, të cilën ia jep Aga, një djalë nëntë vjeçar, i luajtur në mënyrë shumë prekëse nga i talentuari Arti Lokaj, i vetmi karakter mashkull, përveç Cera’s së vrazhdë (i luajtur shkëlqyeshëm nga Basri Lushtaku), në këtë portretizim autentik të jetës së grave në margjina”, kanë shkruar ato mes të tjerash në këtë kritikë, që është botuar së fundi edhe në KultPlus./KultPlus.com
Kori “Siparantum” është përzgjedhur për të marrë pjesë garat e koreve evropiane në Belgjikë.
Në Bienalen e 15-të të Garës Ndërkombëtare të Koreve në Flandri, “Siparantum” do të paraqitet në kategorinë e koreve miks, me program nga kompozitorët shqiptarë dhe të huaj, në mesin e të cilëve vepra e flamanit Jan Van Der Roost.
Festivali mbahet nga 4-6 tetor, në Qendrën Kulturore “C-Mine” në Genk. Ndërsa, më 7 tetor, nga ora 20:00, “Siparantum” prezantohet me koncert në Abacinë “Notre Dame de la Cambre”. Në këtë koncert “Siparantum” paraqitet me veprat e kompozitorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë, si: Bennet, Josquin Des Prez, Rheinberger, Whitacre, Kasapolli, Rudi etj. /KultPlus.com
Atë Donat Kurti, një ndër folkloristët më të njohur shqiptarë që aktivitetin e tij e zhvilloi në malet shqiptare, kryesisht në Dukagjin, në veprën “Doke e zakone shqiptare”, botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendos besëtytnitë që lidhen me të.
Në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt, ai shkruan:
Besëtytni në lidhni me mik.
– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).
– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).
– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).
– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (ngopë). (Malsi e Madhe).Lexo po ashtu:
– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).
– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).
– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).
– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).
– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).
– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër).Lexo po ashtu:
Në fund të kapitullit “Fëmijët në familje”, në pikën e tretë, ai shkruan:
– Fëmijës, një ditë mbasi ta ketë falë Zoti, i jepet me pi ujë me pak hi brenda, që mos me e marr më sysh (Mirditë).
– Në rast se një mik harron në at’ shpi ku nji grue asht me barrë, nji fyshek, që, pa dashtë, i ka ra prej rrethit a qemerit, ose harron kutinë e duhanit, ose pipin, thohet se me siguri ka me lind nji djalë (Mirditë).
– Kur shkojnë gratë me vizitu gruen që ka lind e fëmijën, lyejn përpara majen e gishtit me pështymë e, tuj thanë “Marshallah” i prekin buzën fëmijës (Dibër).Lexo po ashtu:
– Për mos me marrë më sysh fëmija, e zhigasin (e ngjyejnë) në fytyrë më dy – tri danga (njolla) të zeza e i varin nji pare ndër flokë (Dibër).
– Kur lahet fëmija për herë të parë, thehet në ujë nji kokërr vë (vezë) dhe e përziejn me ujë (Dibër).
Në pikën e katërt Atë Donati shkruan: Fjalë t’urta!
– Ku asht fmija, gëzohet shpija.
– Kur len (lind) vajza, kjajnë hatllat e shpisë (Malsi e Madhe).
– Kollomoqi i vonë i lopve, djali i vonë i shokve (Dukagjin).
– Djali i plakut, vaji i sokakut (Has).
– Djali pa nanë si nata pa hanë.
– Gjysë asht pak, nji asht tepër (për vajzat, Shkodër) /KultPlus.com
Në këtë artikull merret për analizë dukuria e mosreferimit të përkthyesit/përkthyesve të mëparshëm, nga përkthyesi i “ri” i së njëjtës vepër, në botimet në gjuhën shqipe. Shembujt e sjellë referojnë përvoja të huaja dhe shqiptare. Një kontribut i dytë është synimi për ta nxitur krijimin e normave të reja, që bien në domenin e etikës dhe kulturës të botimit, që e çojnë përkthyesin në një gjendje të re, atë të kuazi-autorit për veprën e përkthyer. Për këtë, ndër të tjera, propozohet që emri i përkthyesit të bëhet pjesë e kopertinës (një përvojë që zbatohet në shumë vende të tjera dhe herë pas here edhe në vendin tonë), të nxitet të shkruajë një parathënie, pjesë e së cilës të jetë edhe strategjia e ndjekur në përkthim, si dhe të referohen përkthyesit e mëparshëm në gjuhën shqipe të së njëjtës vepër të përkthyer, aty ku ekzistojnë.
1. Konsiderata të përgjithshme
Një nga teoricienët më të mirë të teorisë së përkthimit është Andre Lefevere (1945-1996). Lefevere i klasifikon përkthyesit në konservatorë dhe shpirtërorë. Përkthyesi konservator punon në nivelin e fjalës dhe të fjalisë, ndërsa përkthyesi “shpirtëror” punon në nivelin e kulturës si e tërë dhe e vendos tekstin në funksion të kësaj kulture.[1] Me këtë klasifikim të përkthyesve, si edhe të strategjisë që përdoret për të përkthyer, është e thjeshtë ta kuptojmë edhe klasifikimin që i njëjti autor ua bënë teksteve të përkthyera: të ngjeshur dhe të zgjeruar. Për Lefevere përbën shqetësim dilema që kanë përkthyesit për zgjedhjen e strategjisë së përkthimit, të cilëve u duhet, në njërën anë, ta përballojnë trysninë e studiuesve skrupulozë të gjuhës për një përkthim sa më besnik, që do të thotë konservator, ndërkohë që duhet ta kënaqin edhe ambicien e tyre për ta sjellë librin e përkthyer në një variant sa më të kënaqshëm për lexuesin e veprës në gjuhën “e re”. Lefevere citon A. S. Way, që përdor termat traduttore dhe tradittore. Traduttore është përkthyesi konservator, ndërsa tradittore është përkthyesi shpirtëror:
Traduttore, që me vullnet të plotë nuk dëshiron të jetë traditore, mund të mos heqë pjesë nga teksti ose të ndryshojë, dhe të themi se po përkthen me sa është e mundur, në mënyrë të atillë që studiuesi (i pakorruptueshëm) ka kënaqësinë skrupuloze e të mos gjeturit të asnjë fjale që i është bërë bisht, ndërsa lexuesi që nuk di greqisht mund të kalojë, pa më të voglin dyshim, nga një pjesë në një tjetër aspak tërheqëse – ndërkohë që edhe përpjekjet më të mëdha nuk e bëjnë autorin që ka përkthyer të vlefshëm për t’u lexuar (me zë të lartë) as edhe në një shkollë vajzash (Ibid, f. 34).
Dallimin ndërmjet përkthyesit konservator dhe shpirtëror, ose traduttores dhe tradittores, përkthyesi shqiptar prof. Edmond Tupja e shpreh në mënyrë elegante, duke përdorur termat përkthyes dhe përthyes. Por, pavarësisht prej strategjisë së zgjedhur të përkthimit, për Lefevere përkthimi është rishkrimi i veprës në gjuhën e përkthyer, ndërsa vetë përkthyesi, bashkautori në gjuhën e re, atë të përkthyer.
Në synimin për ta rivlerësuar rolin e përkthyesit, një nga nismat më të fundit vjen nga Britania. Juria e “Man Booker Prize” ka vendosur që çmimi për autorin më të mirë të huaj të botuar në anglisht të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet autorit dhe përkthyesit.
Edhe Umberto Eco është shumë mirënjohës për punën e përkthyesit të tij, kur shprehet për The Telegraph: “Emri i trëndafilit” nga Bill Weaver (përkthyesi i veprës nga anglishtja në italisht) është më i mirë sesa “Emri i trëndafilit” nga Umberto Eco. Sa iu takon botimeve shkencore, ku ekziston mendimi i përgjithshëm që shkalla e “konservatorizmit” të përkthyesit duhet të jetë sa më e lartë, në të gjitha stilet kryesore të referimit të një vepre të përkthyer, kërkohet që, krahas emrit të autorit, të referohet edhe emri i përkthyesit. Për shembull, stili Çikago mund të ilustrohet në këtë mënyrë:
Në rastin e bibliografisë:
Lahiri, Jhumpa. In Other Words. Translated by Ann Goldstein. New York, Alfred A. Knopf, 2016.[2]
Sharma, Ruchir. Ngritja dhe rënia e kombeve. Përkthyer nga Valbona Nathanaili. Prishtinë, Pema, 2017.
Në rastin e shënimeve, që zakonisht vendosen në fund të librit:
Jhumpa Lahiri, In Other Words, trans. Ann Goldstein (New York, Alfred A. Knopf, 2016), 146.
Ruchir Sharma. Ngritja dhe rënia e kombeve. Përkth. nga Valbona Nathanaili (Prishtinë, Pema, 2017), 146.
Në botimet shqip, pas viteve 1990, roli i përkthyesit ka prirjen të minimalizohet. Në kontratat që shtëpitë botuese lidhin me përkthyesin, përveç detajeve teknike që kanë lidhje me mënyrën e pagesës, detyrimit të përkthyesit për ta mbajtur veprën e fshehtë dhe të drejtës së botuesit për t’u identifikuar si “pronar i përkthimit”, mungojnë elementet që promovojnë përkthyesin si bashkautor të veprës.[3] Duket se me dorëzimin e veprës lidhjet e mëtejshme ndërmjet krijuesit dhe produktit reduktohen në zero.
Ende, përsëri për botimet shqip, ekziston dukuria e mosreferimit të përkthyesit të parë nga përkthyesit e mëvonshëm. Pra, është krijuar modeli, arketipi, mostra, por është lënë mënjanë. Këtë fat e kanë kryesisht ata përkthyes që kanë përkthyer vepra që nuk janë të mbrojtura nga e drejta e autorit. Dukuria është më e mprehtë në rastet kur veprat nuk paraqesin vëllim të madh pune.
II. Referimi dhe mosreferimi i emrit të përkthyesit të parë
Rasti “Jusuf Vrioni”
Në vitin 1963 Jusuf Vrioni fillon punë si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, Tiranë. Sapo ka lënë pas shpine 15 vjet burg dhe internime. Fillon të përkthejë, për herë të parë, vepra të Ismail Kadaresë, nga shqipja në frëngjisht. Vepra e zgjedhur për përkthim është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Romani botohet në frëngjisht me tituli “General de l’armee morte”. Fillimisht në Shqipëri në vitin 1968 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” dhe, në vitin 1970, në Francë, por në të dyja botimet frëngjisht mungon emri i përkthyesit. Si ish i dënuar për agjitacion dhe propagandë, emri i tij nuk është i denjë për t’u identifikuar. Por vepra ka sukses.
Shtëpia Botuese “8 Nëntori” vendos të botojë një vepër të dytë të Ismail Kadaresë. Përkthyesi është përsëri Jusuf Vrioni. Vepra e Kadaresë botohet në frëngjisht në vitin 1978, përsëri në Francë. Këtë radhë është edhe emri i përkthyesit, Jusuf Vrioni.
Përshtypja e përgjithshme është që veprat e Kadaresë janë po aq të mira edhe në frëngjisht falë përkthimit të Vrionit. Përkthimet në anglisht të shumë prej veprave të Kadaresë janë bërë nga përkthyesi David Bellos, mbi bazën e frëngjishtes së Vrionit. Në të gjitha rastet, përkthyesi i referohet Jusuf Vrionit. Më poshtë janë sjellë dy tituj, Piramida dhe Kështjella.
Botimi frëngjisht: 1972, Les tambours de la pluie. Ismail Kadare. Paris, Hachette, 342 f.
Botimi anglisht: 2008, The siege. Ismail Kadare. Përktheu në anglisht: David Bellos (This translation made from the French translation by Jusuf Vrioni of the Albanian original). New York, Canongate, f. 328.
Rasti “Charles Kenneth Scott Moncrieff”
Botimi i parë, në anglisht, i veprës së Marcel Proust (1871-1922) “A la recherche du temps perdu” u bë nga Dover Thrift Editions, në vitin 1922, dhe doli në qarkullim, njëkohësisht, edhe në ShBA dhe Angli. Përkthyes ishte Charles Kenneth Scott Moncrieff, bashkëkohës i Marcel Proustit.
Për botimin anglisht, Moncrieff zgjodhi si titull “Remembrance of Things Past (Kujtim i gjërave të së shkuarës), sipas titullit të një prej soneteve të Shekspirit. Në fakt, vetë Prousti ishte kundër këtij ndryshimi, pasi nuk ishin të pranishme fjalët “kohë” dhe “kërkim” që janë në titullin frëngjisht.
Historia interesante që shoqëron përkthimin anglisht nga Moncrieff gjendet në parathënien e botimit të vitit 2006, të Wordsworth Editions, shkruar nga Ingrid Wassennar (f. 16-17).
Përkthimi është gjithmonë një art i trazuar dhe ta përkthesh Proustin është si të ecësh në një fushë të minuar. Para së gjithash, zgjatja në kohë e novelës, për afër 14 vjet. Tjetër: gjatësia e fjalive. Së treti, shkalla e lartë e kulturës së referuar. E katërta, fakti që novela nuk u përfundua kurrë. Të gjitha këto shpjegojnë përse Charles Kenneth Scott Moncrieff (18891930) nuk ishte thjesht përkthyesi i parë i Proustit në anglisht, por mbeti i tillë deri në vitet ‘80. Ende Moncrieff pati disa përparësi sa i takon të tjerëve, ndoshta sepse jetoi dhe punoi në kohën që Prousti shkruante veprën e tij “Swann’s Way” (vëllimi i parë) është publikuar rreth vitit 1922. Moncrieff ishte i magjepsur mbas vizionit, stilit dhe përfshirjes që kishte vepra; e njëjta punë, e njëjta përpjekje për ta formatuar anglishten me frëngjishten e Proustit, për ta dhënë edhe për lexuesin anglishtfolës të njëjtën elegancë e përdorim individual të gjuhës, ndonëse është “akuzuar” vazhdimisht se është “tepër korrekt”.
Me këtë titull dhe me të njëjtin përkthim, novela njohu botime dhe ribotime të shumta deri në vitin 1981.
Në botimin anglisht të vitit 1981, për herë të parë mbas 59 vjetësh, emrit të Moncrieff si përkthyes i shtohet edhe Terenc Kilmartin. Arsyeja: botimi frëngjisht i vitit 1954 nga Plëiade kishte ndryshime të shumta. Shtëpia botuese franceze kishte skanuar çdo shënim, dorëshkrim a shenjë që gjendej në kopjen origjinale dhe të gjitha ishin pasqyruar në botimin e ri. Kilmartin, përkthyesi “i ri” i veprës, përpos pasqyrimit të ndryshimeve në tekstin e Plëiade, ndryshoi edhe titullin: “Në kërkim të kohës së humbur”. Tashmë, përkthyes janë dy, përkthyesi i parë i veprës, si dhe përkthyesi i dytë: Charles Kenneth Scott Moncrieff & Terenc Kilmartin.
Një rishikim tjetër i tekstit në gjuhën origjinale, në vitet 1987-1989, nga i njëjti botues, Plejad, çoi në nevojën për rishikimin e përkthimit të Moncrieff Camp; Kilmartin. Shtëpia botuese zgjedh përkthyesin D. J. Enright. Tashmë janë tre përkthyes: Charles Kenneth Scott Moncrieff & Terenc Kilmartin & D. J. Enright.
Në fakt, anglishtja ka ndryshuar më shumë se frëngjishtja: gjuha frënge është mbrojtur fuqishëm nga ndryshimet, ndërkohë që anglishtja i është nënshtruar përzierjes me neologjizma të ndryshëm. Por, me gjithë ndryshimet e herëpashershme që ka pësuar anglishtja, ose që në përkthimin anglisht mund të gjesh “shtesa” që nuk gjenden në origjinal, deri në ditët e sotme të gjithë i referohen përkthimit të Moncrieffit.
Mbas vitit 1987, duke qenë se vepra binte në “hapësirë publike”, të gjitha shtëpitë botuese që morën iniciativën për ta botuar veprën, krahas përkthyesve ose redaktorëve të tyre, ruajtën ose citojnë gjithmonë përkthimin e Moncrieffit. “Random House” i referohet përkthimit në këtë formë: Përkthyer nga Moncrieff & Kilmartin. Rishikuar nga D. J. Enright. Për më tepër, edhe të gjitha botimet rreth veprës së Proust u referohen përkthimit të Moncrieffit. Botimi i Cambridge “The Cambridge Introduction to Marcel Proust”, autor Adam Watt, Cambridge University Press, 2011, f. ix, shkruan: “Të gjitha citimet u referohen botimit të Vintage Classics në gjashtë volume përkthyer nga C. K. Scott Moncrieff (me përjashtim të “Time Regained”, përkthyer nga Andreas Mayor dhe Terence Kilmartin), rishikuar nga Terence Kilmartin dhe D. J. Enright (Vintage, 2000-2)”.
Edhe “Penguin Books” që më 2003 porositi një përkthim të ri dhe mori nga një përkthyes të ndryshëm për secilin prej shtatë volumeve, përsëri i referohet Moncrieffit.
Rasti “Petro Zheji” dhe përkthimi i Henrik Ibsenit
Me një parantezë të shkurtër, Henrik Ibsen (1828-1906) ka vdekur më 23 maj 1906 dhe vepra e tij është në “hapësirën publike” pothuaj në të gjithë botën, pasi kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga viti që autori ka ndërruar jetë. Në vendin tonë ka hyrë në hapësirën publike në dhjetor të vitit 1976 (ose janar 1977).
Deri në vitet 2000, të gjitha përkthimet dhe ripërkthimet e dramës së njohur mbajnë firmën e përkthyesit Gjergj Zheji.
Botimi i parë i takon vitit 1965. Drama e Ibsenit u botua në shqip me titullin “Shtëpia e kukullës” (së bashku me “Rosa e egër”), nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
Në botimin e dytë të vitit 1976, afër dhjetë vjet më vonë, me të njëjtën dhe të vetmen shtëpi botuese që operonte në atë kohë, Gjergj Zheji duhet t’i jetë rikthyer edhe një herë punës me veprën, sepse ka ndërruar titullin. Në këtë botim të ri, vepra vjen nën titullin “Shtëpi kukulle” (në botim gjendet përsëri edhe drama tjetër “Rosa e egër”, por titulli i saj është i njëjtë).
Ekziston edhe një botim i tretë po nga i njëjti përkthyes, i vitit 2006, por nga Shtëpia Botuese “Argeta-LMG”. Titulli është ai i botimit të dytë: “Shtëpi kukulle”.
Duke kërkuar në libraritë e Tiranës për botime të tjera, gjeta edhe një botim tjetër, të së njëjtës vepër nga Shtëpia Botuese “Kuçuku”, viti 2013. Përkthyesi, Artan Duka, kishte zgjedhur titullin “Një shtëpi kukulle”.
Nëse e krahasojmë këtë shembull me shembullin e përkthimit të veprës së Proustit në anglisht, asnjëri nga krijuesit tanë nuk ka pasur fatin të bashkëpunojë me autorin dhe kjo, ndoshta, mund të jetë arsyeja se pse, që në titull, të dy përkthyesit kanë pasur variacione të dukshme. Jo pa qëllim zgjodha këtë vepër, pasi jo vetëm i njëjti përkthyes e ka ndryshuar konceptimin e titullit, por edhe një i dytë ka zgjedhur një variant të ri, pra tre përkthime të ndryshme për një titull: “Shtëpia e kukullës”, Zheji, 1965; “Shtëpi kukulle”, Zheji, 1976; “Shtëpi kukulle”, Zheji, 2006 dhe “Një shtëpi kukulle”, Duka, 2013.
Zheji e ka rilexuar veprën pas dhjetë vjetësh dhe ka konkluduar me një titull të ri. Shtëpia botuese që ka botuar përkthimin e së njëjtës vepër nga një përkthyes i ri, Duka, nuk e referon përkthimin e Zhejit. Përkthyesi i mëvonshëm, afër 48 vjet pas botimit të parë të përkthimit të parë të së njëjtës vepër, ka zgjedhur një titull të ri: kohë të ndryshme japin perceptime të ndryshme – kështu ndodh me leximin e çdo vepre. Por është e arsyeshme që kur kemi sisteme të mëparshme, t’u referohemi, thjesht sepse është më e thjeshtë të ndërtosh koordinatat e, bashkë me to, edhe të gjithë lëvizjen përpara.
Rasti i Zemrës së Edmondo De Amicis
Zemra e Edmondo de Amicis është përkthyer nga tetë përkthyes të ndryshëm, në një interval kohor prej 93 vjetësh. Janë tetë përkthyes, nga të cilët një është në Kosovë. Përkthyesin e Kosovës i jam referuar veçan për shkak të situatës që ka qenë përpara viteve 1990 dhe për këtë arsye nuk është bërë pjesë e analizës. Për Zemrën e Edmondo de Amicis, në Shqipëri, afërsisht çdo trembëdhjetë vjet kemi një përkthyes të ri. Por, po ta ndajmë me periudha, situata paraqitet shumë më ndryshe. Përgjatë periudhës 1923-1999, ose për 74 vjet janë vetëm dy përkthyes të ndryshëm, ndërsa gjatë periudhës 1997-2016, ose për 19 vjet, kemi pesë përkthyes të ndryshëm.
1923 (1932), Zemra. Autor Edmondo De Amicis. Karl Gurakuqi (përkth. nga ital.) Tiranë, Ministria e Arsimit, 1923. Të dhëna fizike III + 254 f.; 19 cm. Shënime: Shtypshkronja “Mbrothësia” e Kristo Luarasit; ka parathënie nga Terenc Toçi, f. I-III. Botimi i dytë, 1932. Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj”. Të dhëna fizike IV + 315 f. ; 20 cm. Shënime: ka parathënie nga Mati Logoreci f. I-IV.
1957, Zemra. Autor Edmondo De Amicis. Halit Selfo (përkth.) Tiranë, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, 1957. Të dhëna fizike 252 f.; me ilustrime.
1997, Zemra. Autor Edmondo De Amicis. Vali Xhixha (përkth.). Tiranë, Mësonjëtorja e parë, 1997. Të dhëna fizike 266 f.; 20 cm.
2004, Zemër. Autor Edmondo De Amicis. Agim Doksani (përkth.) Xhevahir Lleshi (red.). Tiranë, Uegen, 2004. Të dhëna fizike 243 f.; me ilustrime; 20 cm.
2005, Zemra. Autor Edmondo De Amicis. Klara Kodra (përkth.) Flora Koka (red.). Tiranë, Extra, 2005. Të dhëna fizike 306 f.; 21cm.
2011, Zemra: ditari i një nxënësi italian Autor Edmondo De Amicis. Jonis Buzi (përkth. nga angl.) Fatos Hoxha (red.). Tiranë, Alba Prim, 2011. Të dhëna fizike 299 f.; 20 cm.
2016, Zemër. Autor Edmondo De Amicis. Rigel Rizaj (përkth. nga origj.) Dorina Basha (red.). Tiranë & Tetovë & Prishtinë, Albas, 2016. Të dhëna fizike 304 f.; 20 cm.
Në Kosovë:
1961 (1973), Zemra. Autor Edmondo De Amicis. Anton Çetta (përkth. prej. italisht.) Prishtinë, Rilindja, 1961. Të dhëna fizike 255 f.; me ilustrime; 20 cm. Botim i dytë: 1973. Prishtinë, Rilindja, 279 f.
Rasti i “Të mjerëve” të Viktor Hygos
Ky roman njeh vetëm dy përkthime në gjuhën shqipe: përpara vitit 1944 nga Kristo A. Dako dhe pas vitit 1944, ku në të gjitha botimet dhe ribotimet është vetëm emri i përkthyesit Misto Treska. Vepra ka, në total, me afërsi, 1 700 faqe të shtypura në format B5 në variantin e Treskës, ndërsa Dako jo vetëm nuk duhet ta ketë mbaruar përkthimin, por edhe ka punuar me ndonjë variant të shkurtuar, të paktën nga të dhënat që ka Biblioteka Kombëtare. (Shihni, ju lutem, numrin e faqeve).
1935, Të mjerët. Roman historik. Autor Victor Hugo. Kristo A. Dako (përkth.) Tiranë, Kristo Luarasi, 1935. Të dhëna fizike V. 1, 109 f.: me il.
1938, Të mjerët. Autor Victor Hugo. Kristo A. Dako (përkth.) Tiranë: Kristo Luarasi, 1938. Të dhëna fizike V. 1, Pj. 2, 184 f.: me il.
1982, Të mjerët. Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth.) Dorina Paço (red.) Tiranë, Naim Frashëri, 1982. Të dhëna fizike V. 3, 640 f.
1983, Të mjerët. Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth.). Dorina Paço (red.). Tiranë, Naim Frashëri, 1983. Të dhëna fizike V. 1, 579 f.
1983, Të mjerët. Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth.) Dorina Paço (red.). Tiranë, Naim Frashëri, 1983. Të dhëna fizike V. 2, 684 f.
2012, Të mjerët. Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth. nga origj.) Kujtim Gjonaj (red.). Tiranë, Bota Shqiptare, 2012. Të dhëna fizike V. 1, 526 f.; 20 cm.
2012, Të mjerët. Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth. nga origj.) Kujtim Gjonaj (red.) Tiranë, Bota Shqiptare, 2012. Të dhëna fizike V. 2., 605 f. ; 20 cm.
2012, Të mjerët. Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth. nga origj.) Kujtim Gjonaj (red.). Tiranë, Bota Shqiptare, 2012. Të dhëna fizike V. 3, 572 f ; 21 cm.
Konkluzione
Në përkthimet shqip të sjella si shembuj, në të gjitha rastet nuk i referohet përkthyesit të mëparshëm sa herë ka qenë i ndryshëm. Ka vepra që janë përkthyer disa herë, nga përkthyes dhe shtëpi të ndryshme botimi, por ato asnjëherë nuk i referohen përkthyesit të mëparshëm. Me argumentin se përkthyesi është bashkautori i veprës në gjuhën e përkthyer, secili nga përkthyesit sjell përvojën dhe strategjinë e tij në përkthimin e ri që i bën të njëjtës vepër. Norma e shkruar, në trajtën e ligjit, nuk e ndalon përkthimin e ri në asnjë nga rastet. Normë e pashkruar, që duket se në rastin tonë mungon, është konsultimi me një përkthim të mëparshëm. Dhe referimi.
Propozime
1. Ndryshe nga Lefevere që për përkthyesin përdor termin “bashkautor”, mendoj se mund ta përdorim termin “kuazi-autor”. Fjala “bashkautor” do të thotë se autori dhe përkthyesi kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin por, përgjithësisht, nuk është e vërtetë. Ndërsa fjala kuazi, që do të thotë pothuaj (të ngjashëm në një farë mase, por ndryshojmë nga…) është huazuar nga fizika dhe përdoret për ta referuar sasinë e energjisë që emetohet nga një thërrmijë e ngacmuar falë ndërveprimit me mjedisin përreth. Energjia e emetuar, pasi është shkëputur nga trupi që e ka lëshuar, vazhdon të përhapet në mjedis por, ndonëse është valë, ka karakteristikat e një thërrmije. Për këtë arsye quhet kuazi-thërrmijë. Në mënyrë të ngjashme, përkthyesi është ai që e merr veprën e autorit dhe e çon në një gjendje të re, nga një gjuhë në një tjetër, nga një kulturë në një tjetër, falë një sërë ndërveprimesh që karakterizojnë këtë ndryshim. Vepra e përkthyer është kuazi-vepër dhe vetë përkthyesi është kuazi-autor.
2. E drejta për t’u cituar emrat e përkthyesve të mëparshëm, si kur është një, edhe kur janë më shumë. Për veprat që kërkojnë marrjen e të drejtës së autorit – dhe zakonisht është vetëm një shtëpi botuese që e ka këtë të drejtë – problemi është më i thjeshtë. Vështirësia qëndron në veprat që bien në hapësirën publike. Këtu kërkohet vullnet i mirë.
3. E drejta për t’u paraqitur emri i përkthyesit në kopertinën e librit, me një madhësi fonti modeste e në një vend të përshtatshëm.
4. E drejta e përkthyesit për të shkruar një parathënie ose pasthënie për botimin shqip. Parathënies së botimit në gjuhën origjinale – nëse ka – mund t’i shtohet edhe një parathënie e vet përkthyesit, ku pjesë e saj të jetë strategjia e përkthimit, përshtatja që u ka bërë në gjuhën shqipe termave të ndryshëm – si një kontribut ndaj lexuesit shqiptar – zgjedhjen që ka bërë sa i takon gjuhës që ka përdorur (gjuhën zyrtare apo dialekt), pse është bërë kjo zgjedhje etj. /Revista “Akademia” /KultPlus.com
Pas leximit me shumë kujdes dhe dëshirë të librit “Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë”, të autorit francez Louis Dupre (1789 – 1837) dhe të përkthyer nga origjinali (në frëngjisht) prej diplomatit dhe studiuesit Luan Rama, nxitesh të argumentosh rreth qëllimit, misionit dhe vlerës së udhëtimeve të perëndimorëve në toka orientale, gjatë shekujve të kaluar. Pata fatin e mirë që të kontaktohesha nga akademikja Floresha Dado, e cila më propozoi të angazhohesha në promovimin e këtij libri në prani të shqipëruesit dhe të akademikëve me emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në referimin tim i dhashë prioritet temës: “Louis Dupre dhe dëshmia e tij piktorike në trojet e Orientit Jugperëndimor të Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1819-1825”. Dëshminë piktorike të Dupre nuk mund ta veçojmë kurrsesi prej dëshmive të tij të shkruara.
Në ditët që jetojmë, autorët e “Librave të udhëtimit” të shekujve XVII, XVIII dhe XIX janë të shumtë. Prof. Aurel Plasari mendon se “mbi dëshmitë e tyre, shkenca e historisë së shkruar mund të bazohet mirë e bukur”. Në këtë format krijimtarie dhe përmes përkthimit, emri i diplomatit Luan Rama është bërë mjaft i njohur në botimet dhe te lexuesi shqiptar. Por, nuk mund të themi të njëjtën gjë për mendimet dhe krijimtarinë në pikturë ngaLouis Dupre, edhe pse tek-tuk ndonjë punim i tij ka zënë vend në faqet e katalogëve të paktë të botuar në Shqipëri. Piktori Louis Dupre udhëtoi drejt Greqisë antike kur ishte rreth të 30-ve dhe rruga i ra edhe nga viset e Shqipërisë së Jugut.
Struktura e librit “Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë” është konceptuar prej shqipëruesit Luan Rama në tri pjesë. Ai e nis librin me studimin e tij linear me titull “Louis Dupre dhe bota shqiptare”, që cek hap pas hapi kujtimet, derisa përmbledh tërësinë e përmbajtjes së tyre. Studimi ndiqet nga teksti i përkthyer në shqip “Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë” dhe pjesa e tretë i përket botimit të tekstit në frëngjisht sipas origjinalit të autorit Louis Dupre. Në studimin e tij, Luan Rama analizon pikat qendrore të itinerarit udhëtues drejt orientit modern të Louis Dupre dhe tre miqve të tij. Ai sjell fakte biografike të artistit Dupre, që vijnë si impenjim profesional i shqipëruesit, si dhe nevojshmëri njohëse dhe orientuese për lexuesin e ri të shek. XXI. Atij i jepet mundësia të argumentojë ndaj përjetimeve dhe opinioneve të individëve perëndimore, si dhe të përfitojë nga kërshëritë e ndijimeve të tyre gjatë udhëtime drejt siteve antike arkeologjike, në shekujt e lartpërmendur.
Luan Rama hulumton dhe ndalet si një vëzhgues i mprehtë mbi shënimet e piktorit francez Louis Dupre. Ai evidenton thelbin e tyre. Madje, kërkon të informojë me fakte të tjera historike, duke i pasuruar shënimet e piktorit në arsyen e modelimit të faktit, që lexuesi të kuptojë qartë kohën, motivin dhe qëllimin e udhëtimeve të perëndimorëve drejt orientit modern. Orienti modern, asokohe, nënkuptonte kombe e territore të Evropës Jugperëndimore, të përfshira nën administratën turke. Në tokat e tij gjendej kultura antike si ajo e Greqisë së Lashtë, e cila ishte bërë frymëzim dhe nxitje e realitetit të kohës. Artistë, shkrimtarë, filozofë dhe estetë të shekujve 18 dhe 19, kërkonin të preknin dhe studionin në origjinal artefaktet antike.
Hap pas hapi, shqipëruesi i jep njehsim përjetimeve të francezit Louis Dupre në takimet me Ali Pashë Tepelenën, me psikën, fizikun dhe mënyrën e të sjellurit e të jetuarit të shqiptarëve të Epirit e të malësorëve luftëtarë arvanitas e suljotë; me kohën, natyrën, me banesat, me zakonet, me armët, me rrënojat antike, me veshjet e me elemente të tjerë, që lidhen edhe me kombësitë greke, arumune, sllave e turke.
Louis Dupre i përket shkollës evropiane të artit të fundshekullit XVIII dhe gjysmës së dytë të atij XIX. Ai ishte nxënës i neoklasikut të famshëm francez, Jacques Louis David (1748- 1825). Dupre mbeti një neoklasik, që nuk e tejkaloi mësuesin e tij dhe iu përshtat mënyrës nostalgjike të jetesës së udhëtimeve të 1800-shit evropian, duke përjetuar modën e ngazëllimit gjatë prekjes dhe zbulimit të rrënojave antike në trojet e Italisë jugore, Greqisë veriore dhe Turqisë së sotme. Louis Dupre përshkoi Korfuzin, tokën e japigëve apo të shqiptarëve të Jugut në Epir, Prevezën, Artën e Çamërinë, Thesali apo Greqinë Qendrore, Athinën dhe ishujt Saronicë në afërsi të saj. Në kujtimet e shumëllojshëm të Dupre le të mbetemi te përjetimet që lidhen me banorët shqiptarë jugorë arvanitas e suljotë, që jetuan përtej kufijve të sotëm të Shqipërisë, duke analizuar dhe dhënë rëndësi imazheve të artit të tij, të cilët, në ditët e sotme, janë një pasuri kuptimplote dhe e çmuar për dijen, trashëgiminë dhe kulturën albanologjike.
Dupre, si çdo artist francez modern i kohës së vet, e ëndërronte të njihte Orientin modern, ku gjendej antikiteti. Për iluministët dhe neoklasikët ishte kthyer në shpresë se do të ndryshonte misionin e “vjetruar” të artit të shek. XVII. Shqipëruesi Luan Rama, në studimin e tij prej 30 faqesh, shkruan se “tashmë ngjarjet e Greqisë ishin bërë temë e ditës në Paris dhe në kryeqytetet e tjera kryesore të Evropës”. Me këtë nxitje, Dupre u nis nga Napoli drejt jugut me 22 shkurt 1819 “për të njohur antikitetin grek, i cili me artin e tij të fuqishëm e grishte prej kohësh…”. Udhëtimi në tokat e antike zgjati deri në prill 1822. Ai plotësoi dëshirat e tij, pa që bota ideale e Greqisë antike t’i zbulohej para syve. Historiani grek i artit, Lili Vingapulu, shkroi se “Në krijimtarinë e Dupre shtrirja e subjekteve të trajtuara u bë më e gjerë dhe arti i tij u animua nga një ‘vrull’ i freskët”.
Dupre i realizoi punimet në teknikën e litografisë, që filloi të lulëzojë në fillim të viteve 1820. Ajo ishte një teknikë thjeshtësisht e përdorshme. Udhëtuesit neoklasikë e iluministë, për t’u shkëputur nga vaniteti i stilit rokoko dhe për të ringritur artin në standarde të reja iu drejtuan litografisë, për të pasqyruar rrënojat e Pompeit, Romës dhe Greqisë së lashtë.
Dupre realizoi litografi bardhezi dhe me ngjyra, vizatime dhe kroki me laps, si dhe piktura, që i kreu me frymëzim dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën njerëzore dhe gjeografike, të vendeve që shkeli. Pasuria krijuese, që kreu në udhëtim, u botua në libra të formatit të madh në vitin 1823 dhe 1825 në 10 kopje. U përzgjodhën për botim 40 punime në litografi, të cilat u ekspozuan në Paris. Dupre, përmes kësaj trashëgimie historiko – grafike, u bë një dëshmues i rëndësishëm jo vetëm i përqafimit të stilit antik në interes të modelimit të stilit neoklasik, por edhe i ndjesive të veta në dashuri me kulturën e të jetuarit dhe tipologjinë e njeriut hijerëndë dhe krenar të fiseve shqiptare të Sulit, që i pa dhe i njohu në Korfuz në “Regjimentin e shqiptarëve” siç na vë në dijeni Luan Rama në studimin e tij.
Në njohje me kujtimet e Dupre shihet se interesi ynë është të vështrojmë më në thellësi opinionet artistike të tij mbi psikofizikun e shqiptarit që jetoi në mesin e kulturave orientale të osmanizmit; të malësorit dhe luftëtarit të krishterë nga Suli që mbijetoi përmes luftërave, por edhe të sovranit “Ali Pashë Tepelena”, që Dupre e quan “Pashai i Epirit”
Në mënyrë të qenësishme, çdo studiues, në praktikat e veta, evidenton ato elemente përbërëse të një subjekti që theksohen si më të rëndësishmet. Duke u nisur nga ky parim dhe duke e sistemuar dijen e këtij libri dhe imazhet që lidhen ngushtësisht me të, veti kjo e transmetuar mjaft qartë si nga Dupre, ashtu dhe nga studimi i Luan Ramës, mendoj se imazhet kryesore u përkasin tri subjekteve, të cilat gjerësisht kanë ngazëllyer udhëtarin perëndimor, por edhe e kanë ndalur në pasqyrimin e tyre, për t’u bërë një dëshmues prioritar. Në këtë studim përcaktohen si prioritete tri subjekte kryesore që dëshmohen në libër përmes artit të litografisë, vizatimit dhe të pikturës:
1. Figura, portreti, personaliteti, gjesti dhe kostumografia suljote.
Suljotët, që takoi Dupre, kishin zbritur nga lartësitë e Abruzzes dhe nga brigjet e Jonit. Ai shkruan se “Në Korfuz…takova disa grekë, tiparet dhe veshja e veçantë e të cilëve nuk ngjante aspak me ato të atyre që kisha parë deri atë kohë: ishin suljotë… U preka nga pamja e këtyre njerëzve fisnikë e mërgimtarë të mjerë… Ata jetonin me kujtimin e shkëmbinjve të tyre të pushtuar dhe të familjeve të shfarosura nga barbari osman…”
Kur Dupre skicoi Foto Piko-n, përballë tij kishte një dëshmitar okular dhe ai i tregoi ngjarje të luftës së Sulit kundër Ali Pashë Tepelenës. Dupre ishte me shumë fat, pasi pikturoi psikologjinë e një burrë suljot real, të cilin e përshkruan sypatrembur, krenar, malësor, i pafat, me fizionomi të trishtë, në mjerim, por i papërkulshëm dhe i cilësuar nga bashkëtrimat e tij si “Shpata e Epirit dhe tmerri i Aliut”. Foto Piko la një shënim me dorën e vet. Pasi pa vizatimin e mbaruar, shënoi me laps në greqisht emrin e tij dhe vendlindjen Suli, për të dëshmuar kënaqësinë dhe habinë e tij. Kostumi që mban veshur Foto, është i një malësori të Epirit. Ai paraqitet me dy guna dimërore. E para në trup është e bardhë dhe ka formën e brucës me fije të leshta dhe e dyta mbi të është guna prej shajaku të rrahur në vegjë, e zezë dhe dekoruar me gajtanë të zi të thurur e zbukuruar me motive gjeometrike e vija horizontale të bardha. Vijat krijojnë zigzage dhe trekëndësha. Ajo duket si një gunë prijësi, e mrekullueshme për sa i përket punimit artizanal të kostumografisë së trevës së Sulit. Sipas zakonit dhe sjelljeve të një burri të asaj kohe, Foto është pikturuar me pipën e gjatë apo cigarishten e gjatë në dorën e djathtë dhe armët e sermës në brez. Flokët e gjatë u japin burrave shqiptarë të shek. 18 dhe 19 një hijeshi të veçantë dhe dallueshmëri tipike. Vendosja mbi to e tanuzit të kuq me bishta mëndafshi apo pambuku në ngjyrë blu nxirrte në pah ballin dhe tiparet e fytyrës, duke i dhënë fuqi krenarisë dhe vrullit mashkullor.
Vasil Gudha, ishte një nga figurat shqiptare më fisnike që Dupre pikturoi aso kohe. Ai lindi në Grameno. Ishte njeri i shkolluar dhe në 1821, kur Ali Pashë Tepelena u armiqësua me të gjitha krahinat e Epirit, iu bashkua me familjen e tij të madhit Marko Boçari, në Sul. Portreti i tij i pikturuar nga Dupre në 1828, në Paris, ku Vasil Gudha shkoi të kurojë plagët e rënda të verbimit dhe pas vrasjes së Marko Bocarit. Piktura e tij është vepra më cilësore kushtuar një burri të njohur të Jugut shqiptar. Dupre shkruan se “Sapo e pashë, mendova menjëherë se do të ishte mirë ta gjenin atë figurë fisnike e mashkullore në koleksionin e veprave të mia…”. Piktura ka një shënim të bërë nga dora e Vasil Gudhës. “Vasil Gudha, luftëtar nga Epiri, zëvendësgjeneral dhe sekretar i Marko Boçarit”. Piktura e Vasil Gudhës shpreh anën tjetër të medaljes së pikturës së Dupre. Nëse në dukje ka pikturuar i tërhequr nga kostumografia dhe burri luftëtar, te Vasil Gudha është tërhequr prej burrit inteligjent, patriot dhe sqimatar, që ka një gjest perëndimor në qëndrim, në shikim, në lakueshmërinë e kokës dhe në vështrimin komunikues të syve. Imazhit në tërësi dhe gjestit nuk i mungon asnjë detaj apo element i lidhur me kostumografinë e një fisniku të pasur, të mençur, e të lëçitur, si edhe në sjelljen e një burri të kohës së vet, që nuk harron ta ketë cigarishten e gjatë, të cilën e mban krejt i sigurt.
2. Figura, portreti, personaliteti, gjesti dhe kostumografia e Ali Pashë Tepelenës, gardës së afërt dhe pazhëve të tij.
Dupre, me ndihmën e Komisionerit të Madh të Ishujve Jonianë, Thomas Maitland, e pa për herë të parë Pashain e Epirit, në Butrint, ku anglezi dhe veziri bënin pazaret e shitjes së Pargës. Dupre shkruan: “…Përjetoja një emocion të madh kur u shfaqa para atij personazhi të famshëm, që ushtronte në mënyrë të tmerrshme një pushtet… që në çdo çast të mbretërimit të tij ishte i shënuar nga një akt mizorie apo nga një mendim kriminal… Por, ai na ftoi hirësisht të zinim vend në divanin e tij… Fizionomia e tij e ëmbël dhe e qeshur…mbulonin mizorinë e tij natyrore…”. Dupre e përshkruan Ali Pashën me ato cilësi mizore që kishte dëgjuar për të, si dhe me ato cilësi jetësore që pa prej sjelljeve të drejtpërdrejta në oborrin e vet. Dupre sjell një kujtesë realiste si në tekste, ashtu dhe në pikturën e vetme, kushtuar Pashait.
Ali Pasha ose “satrapi plak” siç e quan Dupre në fq. 58 të librit, nuk pranoi që t’i pikturohej portreti, edhe “pse propozimin e priti me një të qeshur të veçantë”. “Barka e Ali Pashë Tepelenës në Liqenin e Butrintit” është një pikturë historike dhe u skicua në një ditë gjuetie në liqenin e Butrintit. Dupre e vizatoi me dëshirë të madhe, në fshehtësi dhe me shpejtësi. Ai skicoi tiparet e tij dhe sipas dëshmive të kohës, mendohet se ishin shumë afër ngjashmërisë së Ali Pashës. Ndërsa më pas realizoi pikturën ku shihen varkëtarët dhe garda e tij ushtarake. Pashai ruan tiparet e tij, të cilat sot i njohim mirë, mjekra e bardhë, mosha 80-vjeçare, pipa apo cigarishtja e gjatë, gjesti i tij gjysmë i shtrirë dhe i mbështetur në jastëkë, furi i errët apo qyrku i kuq me gëzof kunadheje e pa mëngë. Në tërësi një stil veshje e përbërë, por me dominin oriental. Festja e stilit tunizian, e zbukuruar me një gurë të çmuar në mes dhe brezi disangjyrësh, ku pozicionohen pisqollat dhe në fund poturet e mëndafshta në ngjyrë të kuqe.
Në pikturën “Ismaili dhe Mehmeti” paraqiten nipat e Ali Pashait. “Ismaili ishte kureshtar dhe kryeneç dhe Mehmeti i butë dhe i bindur. Piktura u krye në disa seanca dhe të dy djemtë ishin entuziastë gjatë pozimit”. Çdo detaj tregon shumë mbi nivelin, cilësinë dhe kahun osman të jetesës në pashallëqet shqiptare. Është një nga pikturat e kategorisë portret më të mira të Dupre. Kujtesa e shkruar rreth çasteve të realizimit të kësaj pikture është mjaft me interes si për përshkrimin tipologjik të nipave, ashtu edhe për fakte sociale të jetuara asaj periudhe.
Libri merr një rëndësi specifike, kur studiuesi përballet me çdo pikturë që lidhet me trojet tona, pasi ato informojnë për situata të karakterit shkencor albanologjik, si dhe të zhvillimit të subjekteve sociale në territoret e Perandorisë Osmane në brigjet e Jonit shqiptar e më në jug të tij. Kostumet e pikturuara të personazheve janë një përbërje e elementeve tradicionale të trojeve të banuara nga shqiptarë të Jugut me elemente të veshjeve të importuara nga banorë të ardhur prej vendeve të ndryshëm. Dallohen elemente të kostumeve të banorëve të krishterë e myslimanë shqiptarë, grekë, armenë dhe myslimanë turq. Kostume të kombinuara me elemente të ndryshme të marra prej kostumeve të kombësive të ndryshme formonin asaj kohe modën e kohës në Orientin modern, që dallon në themel nga moda e oksidentalizmit evropian. Kjo është edhe një arsye më shumë që ky libër dhe piktura litografike e Dupre merr vlerë për qasjet studimore shqiptare.
3. Antikiteti, figura e konsullit Louis Fauvel dhe gruaja suljote-një shkëmbim i mrekullueshëm i tri kulturave skajmërisht të ndryshme, por tërësisht në bashkëjetesën harmonike të një kohe të vetme orientale.
Louis Francois Fauvel (1753-1838) konsulli francez, piktor, arkeolog, mik i Dupre dhe siç shkruan Luan Rama në fq. 17 të studimit: “…Ishte Fauvel, ai që u kishte shërbyer të gjithë udhëtarëve të ndritur për t’u treguar historitë dhe vendet historike të Greqisë antike…” u pikturua prej Dupre, ku prezantoi në një bllok të vetëm atë ç’ka përjetoi në lidhje me të gjitha njohuritë që grumbulloi në trojet e Greqisë antike. Në sipërfaqen e saj janë të përfshira të gjitha karakteristikat e neoklasicizmit si në përmbajtje, edhe në formë. Në qendër, ulur dhe me vështrim drejt nesh, është konsulli Fauvel, të cilin Dupre e ka përshkruar si njeriun më të afërt të tij dhe me nota pozitive. Kavaleti, telajo, gruaja shqiptare që servir, veprat nudo të antikitetit grek në sfondin e parë dhe peizazhi me akropolin janë një gjetje mjaft organike. Ky lloj kompozimi ka lindur si rezultat i njohjes në themel të jetës së Konsullit mes artit të tij, veprave të antikitetit që koleksiononte, gruas shqiptare që i shërbente dhe shtëpisë së tij në lagjen Plaka. Gjë të cilën e gjejmë edhe të përshkruar nga Dupre me detaje në tekstin e librit e të tij. Çdo element është shprehje e një qëndrimi konsekuent në stilin neoklasik. Dupre riorganizoi përmbajtjen e besueshme në një subjekt humanist, duke pikturuar qartësisht një sipërfaqe të pastër, të lëmuar e të butë. Çdo personazh dhe objekt i ka skajet e linjave të pastra. Thellësia e planeve, perspektiva dhe figurat janë pikturuar me ngjyra të ndritshme. Nuk i mungon asgjë për t’u cilësuar një pikturë e stilit neoklasik.
Louis Dupre, me librin e udhëtimit dhe me pikturat e tij, është piktor francez i rëndësishëm për kulturën shqiptare, sepse jo vetëm fjala dhe mendimi tij japin një kontribut të caktuar në një segment të historisë shqiptare, por edhe pikturat e tij janë një fushë referimi, ku mund të gjesh shumë argumente për të biseduar rreth vlerave të panjohura të personazheve të njohur, si dhe mbi elementet e kostumografisë së një kohe të shkuar. Luan Rama ka ditur të vlerësojë në shumë aspekte rëndësinë e këtij udhëtari piktor dhe përkthimi i tij është një aspekt i barasvlershëm me të gjithë aspektet që përmban studimi i tij në këtë libër, në dukje i vogël, por me shumë vlerë në faqet e tij.
“Asnjëherë nuk është vënë në punë kaq shumë mençuri, për të na bërë kafshë. Të lexosh veprën tuaj, të vjen që të ecësh me katër këmbë. Sidoqoftë, duke qenë se e kam humbur këtë zakon prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh, për fat të keq ndjej se e kam të pamundur ta rimarr atë”.
Ndonjëherë Volteri (François-Marie Arouet – Voltaire) preferonte një shaka në vend të një analize të plotë filozofike. Por, siç shkruante Horaci, asgjë nuk na pengon të qeshim për të thënë të vërtetën. Dhe, sigurisht Volteri kishte arritur të adresonte çështjen qendrore, dje ashtu si sot, duke iu drejtuar personit të duhur. Marrësi ishte filozofi më i iluminuar i momentit, Ruso (Jean-Jacques Rousseau), dhe në diskutim ishte teza e tij se gjendja fillestare, primitive e njeriut është një gjendje e pafajësisë. Është një bindje e përhapur, jo vetëm në filozofi: ajo është gjithashtu baza e krishterimit, për shembull.
Por, krishterimi me sistemin e tij të fuqishëm doktrinor, ishte në gjendje të shpjegonte edhe vazhdimin e historisë: potencialisht të pastër, të bekuar dhe të pafajshëm, si fëmijë të Zotit, njerëzit e gjejnë veten në gjendjen e tanishme të mjerimit, për shkak të fajit të mëkatit origjinal, pas shkeljes që bëri Adami dhe Eva. Nuk sqaron të gjitha problemet, por të paktën ofron, për besimtarët, një shpjegim teologjik të asaj që jemi sot. Po Ruso? Nëse për nga natyra jemi të pafajshëm dhe të pastër, si mund ta justifikojmë korrupsionin tonë aktual? Nga ai tek stoikët, të parët që e mbështetën me ngulm atë ide, tundimi është gjithmonë i njëjtë: t’i imponohet shoqërisë përgjegjësia e korruptimit aktual.
Në vetvete, teza nuk është plotësisht e gabuar; por nga pikëpamja filozofike, pyetja themelore mbetet e hapur: nëse njerëzit për nga natyra (ose me vullnet hyjnor) janë të mirë ose të pafajshëm, si u bë shoqëria e korruptuar?
Një pyetje e vështirë së cilës Ruso nuk deshi t’i përgjigjej, duke shpjeguar se gjendja e natyrës duhej të kuptohej si një rast I kufizuar, “që mbase nuk ekzistonte kurrë, dhe për të cilin, megjithatë, duhet të kemi nocionet e duhura për të gjykuar mirë gjendjen tonë aktuale”. Më të guximshëm, stoikët, ishin përgjigjur në një mënyrë brilante dhe banale në të njëjtën kohë: faji i nënave; janë ato që inauguruan procesin e korruptimit kur i bënë fëmijët të kenë banjo të nxehta, duke nxitur tek ta dëshirën për kënaqësi të panevojshme dhe të panatyrshme të cilat gradualisht do t’i mashtronin ata. A i keni bërë të vegjlit tuaj ta ndjejnë atë emocion të ëmbël? Epo, shoqëria humbet në mënyrë të pakthyeshme. Ka një lloj gjenialiteti në çmendurinë e kësaj përgjigjeje, por edhe shumë banalitet: në fund të fundit, është gjithmonë faji i grave (është një version tjetër i historisë së zakonshme të Evës, në fund të fundit).
Po sikur të kishte të drejtë Volteri dhe të gjithë ata që ashtu si ai, nuk presin parajsë në fillim ose në fund të tregimit, sepse ushqejnë një imazh më pak idilik, më të zhgënjyer për njeriun dhe limitet e tij?
Perspektiva është më pak emocionuese, por ka të paktën një meritë: duke na çliruar nga mirazhi i pafajësisë dhe pastërtisë origjinale, gjithashtu na ndihmon të vëzhgojmë me sy më të kthjelltë gjithçka që kemi ndërtuar me dhimbje, kur kemi qenë në gjendje të jemi të bashkuar. Nuk është një histori triumfale, ajo e njerëzve, por as nuk është një zbritje drejt humnerës: përkundrazi i ngjan një kopshti të kultivuar me durim, gjithmonë në rrezik të bjerë në kaos, por që ndërkohë reziston, dhe i cili për këtë arsye meriton kujdes dhe durim. /KultPlus.com
Zot! Sot Jam, kam, shoh, njoh, rronj, shkonj; kam gas dhe flas e them të kem ditë, dritë, jetë, vetë, ah, dua, që thua, të mos vdes, po të mbes përjetë të ketë shpirti im pa mundim shëndenë të jenë me mua sa dua. sonte jam gjall’, e jam mirë, po kam dhe mall e dëshirë, zot i vërtetë i gjithësisë! të rronj përjetë ndaj njerëzisë! ti ke në dorë, Çdo gjë që të duash; mukë je i gjorë, arrin që të thuash; pa bëhenë gjithë ç’dua, po të më dëgjosh mua, le të bëhetë thua, dhe gjithë janë bërë! atë që thua ti vetë, Zot i math e i vërtetë! ajo bënetë në jetë, edhe mbaronet’ e tërë! ti epi jetë njerëzisë, shto e beko dhe bagëtinë, se ti je Zot’ i gjithësisë, në dorëz’ e ke mirësinë njerëzis’ epi jetë të gjatë, mundimet fare nga jeta ngreji, djepinë shkret’ e lugënë thatë mos e shih kurrë, po mbushur leri. Fal dhe ep gjithë ç’ke nga të mirat, e të pështirat hidhi këtje, a vari më ndonjë grep, a mbuloji më ndonjë mal, e lërë vetëm mirësitë, fal edhe dritë e jet’ e ditë le të prehet gjithë njerëzija e të mos ketë kurrë të këqija; ligësitë, djallëzitë e marrëzitë le të mos rrojnë paskëtaj edhe një ditë veç mirësija në këtë jetë të mbretëronjë, urdhëri yt, puna jote, Zotth’ i math e i vërtetë, e vërteta le të rronjë, gënjeshtra le të pushonjë bëj si të duash, ç’të them unë Zot i vërtetë? Ti e di vetë!
Vasfije Krasniqi Goodman, sot në Stokholm të Suedisë po flet për viktimat e dhunës seksuale. Ajo është ndër gratë që ka treguar dhunimin e saj nga forcat serbe.
Asaj i janë bashkuar edhe Saranda Bogujevci dhe Feride Rushiti.
Krime të luftës dhe qindra mijëra vuajtje dhe histori të pathëna të të mbijetuarëve të dhunës seksuale nga koha e luftës, po shpalosen sot edhe në Stokholm, Suedi
“It Chapter Two” po vazhdon t’i frikësojë adhuruesit e filmave pasi që për të dytën javë radhazi është në krye të biletarive kinematografike.
Vazhdimi i filmit horror, ku luajnë Jessica Chastain, James McAvoy dhe Bill Hader, i ka inkasuar 40.7 milionë dollarë gjatë fundjavës, duke ia sjellë filmit një total 10-ditor mbarëbotëror prej 323.3 milionë dollarësh.
Filmi i ri i Jennifer Lopez Hustlers debuton në numrin dy me 33.2 milionë dollarë, ndërsa Angel Has Fallen vjen në vendin e tretë me 4,4 milionë dollarë. Good Boys dhe Lion King e përmbyllin top pesëshen. /KultPlus.com
Prof. Dr. Zekeria Cana, njëri ndër veteranët e histografisë shqiptare, figurë e dalluar e historisë sonë kombëtare, u lind në Gjakovë, më 15 mars 1934. Shkollën fillore, Gjimnazin e ulët dhe Normalen i kreu në vendlindje. Punoi dy vjet si arsimtar në Irzniq dhe Deçan, duke u marrë njëkohësisht me gazetari-si korrespodent i “Rilindjes” dhe “Radio Prishtinës”.
Më 1954 i filloi studimet (si bursist i “Rilindjes”) në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në degën e historisë. Punoi aktivisht në organizatat studentore. Është njëri ndër themeluesit e Shoqatës Shqiptare “Përpjekja” të studentëve të Beogradit dhe sekretar i parë i saj, që me veprimtarinë e vet të ngjeshur la gjurmë të pashlyeshme. Më 1959 u largua nga PKJ për shkak të mospajtimit me qëndrimin-politikën jugosllave ndaj popullit shqiptar. Nga koha e diplomimit ushtroi detyrën e profesorit të historisë dhe të ekonomisë politike në shkollat e mesme të Prishtinës dhe Gjakovës.
Më 1962 u pushua nga puna dhe kaloi në Arkivin Krahinor Shtetëror të Prishtinës, por e larguan edhe se andejmi dhe qëndroi një vit pa punë. Status i tij u rregullua pas Plenumit IV të LKJ të Brioneve (1966). Me rithemelimin e Institutit Albanologjik (1967) u pranua aty si asistent në Degën e Historisë. Më 1975 kreu studimet pasuniversitare në Beograd dhe mbrojti tezën e magjistraturës me titull: “Lëvizja Kombëtare e Shqiptarëve në Kosovë 1909-1912 dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj lëvizjeje”, kurse më 1984 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës mbrojti disertacionin e doktoratës: “Socialdemokracia Serbe dhe çështja shqiptare 1903-1914”, duke u bërë model se si punohet dhe si mbrohet një disertacion shkencor e cilësor.
Gjatë punës në Institutin Albanologjik kreu edhe detyrën e sekretarit të Bashkësisë Krahinore të Institucioneve shkencore, të sekretarit shkencor të “Gjurmimeve albanologjike” dhe te sekretarit shkencor të Institutit. Veç kësaj u mor edhe më përkthime nga gjuha serbokroate dhe ruse, me publicistikë dhe eseistikë, etj.
Krahas punës kërkimore-shkencore bëri aktivitete të ngjeshura edhe në rrafshin shoqëror, politik dhe humanitar. Është bashkautor dhe shpërndarës kryesor i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë, themelues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që kërkonte guxim e vendosmëri dhe sakrificë personale e familjare dhe nismëtar i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe të Ngatërresave dhe krah i djathtë i Prof.Anton Çetës.
Shkrimet e para shkencore zuri t’i shtjellojë më 1962. Duke pasur për bazë angazhimin shkencor (shif bibliografinë e punimeve studimore në vazhdim), është konstatim i përgjithshëm i historiografisë shqiptare se Dr.Zekeria Cana, për ta shprehur bindshëm Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë viteve të mëdha 1908-1912 dhe më vonë – fushë e interesimit të dijës së tij, bëri një angazhim përgatitor e studiues nga shumë burime e në detaje, që të hyhet thellë në ngjarjet dhe ambientin e kohës të periudhës së caktuar.
Kështu në themel të çështjeve dhe problemeve që trajtohen, studimet e Dr.Canës, kanë mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike. Ato sjellin një kontribut të rëndësishëm për kryengritjet e mëdha shqiptare 1908-1912, duke trajtuar edhe probleme të mprehta politike, sociale, ekonomike, arsimore etj., gjatë periudhës në shqyrtim.
Nga sfondi historik, që jepet në pjesën më të madhe të botimeve të veçanta dhe të studimeve shkencore historike, del qartë se autori jo vetë që i ka ndjekur hap pas hapi këto kryengritje me karakter gjithëkombëtar, por edhe i ka parë të ndërlidhura ngushtë me gjendjen e Shqipërisë Etnike, me detyrat e Lëvizjes Kombëtare e Demokratike Shqiptare, kriter që i ka dhënë një vlerë të madhe trajtimit të ngjarjeve dhe fakteve kryesore të dy periudhave historike: para dhe pas shpalljes së Pavarësisë.
Mbi bazën e analizave shkencore, dhe duke pasur qëndrim kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit, Dr.Zekeria Cana bën shpjegimin historik të dokumenteve, punë që dëshmohet me anë te dokumenteve, duke demaskuar dhe duke hedhur poshtë si pseudoshkencë pikëpamjet dhe qëndrimet e histografisë ekspansioniste serbosllave lidhur me Shqipërinë Etnike të këtyre viteve dhe me shqiptarët, veçmas thekson vlerësimin e drejtë te rolit të masave dhe personaliteteve me peshë historike në këto luftëra për çlirimin kombëtar shqiptar.
Këto studime, që pasqyrojnë objektivitetin historik të ngjarjeve me rëndësi të madhe për historinë e popullit shqiptar, të shkruara me stil të rrjedhshëm, me gjuhë të pastër, me fjali të sakta, të qarta e të kuptueshme, kultivues e aktivizues i një leksiku të rrallë, sjellim një kontribut të rëndësishëm me njohjen e periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe japin mundësinë për studimet e thelluara nga kjo fushë. Njëherit këto studime qartësojnë shumë koncepte dhe pikëpamje rreth mjaft çështjeve të diskutueshme historiografike të viteve 1908-1912.
Dr.Zekeria Cana është paraqitur edhe me referate dhe kumtesa në simpoziume dhe kongrese shkencore të mbajtura në Kosovë, ish-Jugosllavi dhe jashtë saj, në disa vende të Evropës. Me kumtesat e paraqitura në tubimet shkencore Dr.Zekeria Cana kudo u mirëprit me respekt nga opinioni shkencor.
* Materiali i mësipërm është shkëputur nga punimi i doktoraturës së akademikut Zekeria Cana, “Socialdemokracia Serbe dhe Çështja Shqiptare 1903-1914”, botim i vitit 1986.
Korrespondenti i “Rusko Slovo” nga Petërburgu, i cili në shumicën e rasteve është i informuar mirë, më 7 të këtij muaji, i dha gazetës së tij këtë informatë telefonike interesante:
Nga burimet diplomatike merret vesh se kongresi shqiptar që u mbajt në Stamboll tash shpejt, ka rëndësi shumë simptomatike. Siç doli, ky kongres ka karakter shumë konspirativ. Ndryshe nga kongresi austrofil i Triestes, kongresi Shqiptar i Stambollit ishte në kuptimin e plotë shqiptar. Në atë Kongres morën pjesë shqiptarët e vërtetë nga Shqipëria duke filluar nga çifligarët dhe përfunduar me klerikët dhe mësuesit.
Kongresi konstatoi se Shqipëria autonome e propozuar nga shtetet e mëdha do të jetë formalisht nën suzerenitetin e sulltanit, por në fakt do të jetë arenë e smirës së fortë mes Austrisë dhe Italisë, të cilat popullit shqiptar ia nxijnë jetën me mjerim.
Kongresi pastaj vendosi: meqë Shqipërisë nuk mund t’i garantohet pavarësia e plotë dhe e mirëfilltë, ajo duhet të hyjë në unionin real me Serbinë. Rezoluta e këtillë u miratua në Kongres. Këto vendime do të përpunohen, motivohen dhe shtrohen në një memorandum të posaçëm, i cili do t’u dërgohet mandej Fuqive të Mëdha. Pjesëmarrësit e shquar të Kongresit ndërmorën hapat praktikë për realizimin e unionit serbo-shqiptar në frymën e rezolutës.
Kështu, për shembull, kryetari dhe iniciatori i Kongresit shqiptar, Aris Sikmeti(Arif Hiqmeti), i cili drejtoi të gjitha punimet, shkoi nga Stambolli në Beograd që të zhvillonte negociata me përfaqësuesit shtetërorë për realizimin e unionit serbo-shqiptar. Me një telegram tjetër nga Stambolli lajmërohet: krerët shqiptarë, ish-valiu Fejzi, avokati Çako dhe ish- shefi Halil Beu, u larguan dhe shkuan në Shqipëri. A thua dëbimi i tyre mos po lidhet me vendimin e Kongresit? Vallë shkuarja e tyre në Shqipëri nuk do të thotë se pjesëmarrësit e shquar të Kongresit, siç shkruan Rusko Slovo, bënë hapat praktikë për realizimin e unionit serbo-shqiptar? Kush mund ta dijë!
Por ideja e unionit serbo-shqiptar dhe e unionit të përgjithshëm ballkanik është krejtësisht e shëndoshë. Edhe kjo ide s’është e re te shqiptarët. Ata udhëhiqeshin nga kjo në kohën e kryengritjes së Karagjorgjit, së cilës i dhanë përkrahje, këshu që edhe Karagjorgji u drejtua kah ata që ta përhapte kryengritjen. Më 1829 Mustafa Pasha tok me gjithë shqiptarët ia mësyu Stambollit, duke dasur të sthinte në dorë edhe Plovdivin dhe kur arriti afër Kumanovës – e grishi princ Milloshin për bashkëpunim. Princ Milloshi, i cili deri atëherë me atë zhvillonte vite me radhë bisedat e marrëveshjes, e braktisi në momentin vendimtar dhe ai e pati. Më 1843 dhe 1847 shqiptarët bënë përsëri kryengritje dhe u përpoqën të bashkoheshin me Serbinë, por ajo në vend që të merrte parasysh këtë bashkësi, më 1848 i dërgoi trupat e saj për shtypjen e revoluconit hungarez. Shqiptarët u përpoqën të bashkëpunonin edhe me princ Mihailin, por ai i braktisi për 5 qytete. Edhe pas kësaj ata donin të hynin në bashkësi me Serbinë, kështu që më 1878 i ndihmuan repartet e vogla të ushtrisë serbe të depërtonin në Kosovë, kurse Serbia pas kësaj i dëboi në mënyrë armiqësore. Edhe tani, në pragun e kësaj lufte, shqiptarët kërkuan bashkësinë me Serbinë, kurse politikanët e kufizuar serbë nuk i përfillën fare.
Përkundër të gjitha këtyre, s’është e pamundur që shqiptarët prapëseprapë të kërkojnë bashkësinë me Serbinë. Këtë mundësi e kemi theksuar para 15 ditësh. Vetëdija e shëndoshë e shqiptarëve di të nxjerrë përfundim të drejtë: se Austria dhe Italia përkujdesen rreth “autonomisë” kinse të Shqipërisë, jo për të mirën e shqiptarëve, veçse nga shkaku i planeve të tyre të mëtejshme koloniale dhe imperialiste. Që të mos jenë arenë e lojës së pashpirt të bishave kapitaliste, shqiptatrët arrijnë në përfundim krejtësisht të drejtë: se shpëtimi i tyre qëndron në unionin me Serbinë, sikundër që edhe për të gjithë ballkanasit i vetmi shpëtim qëndron në unionin e përgjithshëm ballkanik, në Federatën Ballkanike, në bashkimin e të gjitha forcave ekonomike, politike dhe kulturore.
Ne ia kemi drojën politikës prej kabineti të qeverisë sonë, politikë kjo e kufizuar dhe e egër, që nuk është në shërbim të popullit serb dhe të popujve ballkanikë, veçse të Rusisë dhe të disa Fuqive të Mëdha, politikë kjo që do ta rrënojë disponimin e shqiptarëve për union. Dhe ky disponim ekziston sot e gjithë ditën, anise Serbia u përpoq ta shkatërronte. Lypset pritur që ky disponim, të cilin sundimtarët tanë dhe qeveritë tona e tradhëtuan rrafsh njëqind vjet, të përqafohet nga masat popullore, kështu që ato ta detyrojnë qeverinë që të krijohet kjo bashkësi me shqiptarët, të cilët kërkojnë bashkësinë. Kjo bashkësi jo vetëm që do të ishte vetvetiu e mirë, një gjë e mirë edhe për sërbë, edhe për shqiptarët, por në anën tjetër do të lehtësojë ngritjen e bashkësisë së përgjithshme ballkanike, ku popujt ballkanikë do të orientoheshin lehtë pas unionit të Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
*
Shkrimi në fjalë është pjesë e kapitullit “Shtojca materialesh” dhe është publikuar në mars të vitit 1913 në gazetën “Radničke Novine”(Nr. 37, 13, III. 1913), organ i Partisë Socialdemokrate serbe dhe Unionit të Punëtorëve. Më vonë ky organ kaloi në varësi të Partisë Komuniste Jugosllave.
Shkrimi hedh dritë jo vetëm mbi një fakt si ky i kërkesës për një bashkim serbo-shqiptar, por edhe mbi mendimin e kohës në qarqet e majta për dobinë e tij, duke i njohur shqiptarëve avantazhin e të qenit në krye të kësaj ideje. Sigurisht që kjo është sipërfaqësore – mjafton të kujtohet se për historinë e Shqipërisë Arif Hiqmeti nuk thotë gjë, përveç faktit se ai është vrarë në vitin 1916 dhe dyshohej si agjent i osmanëve.
Filmi satirik “Jojo Rabbit”, dedikuar Luftës së Dytë Botërore ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Kjo arritje e klasifikon këtë vepër në listën e prodhimeve kinematografike që mund të fitojë çmimin Oscar.
Filmi satirik “Jojo Rabbit”, me regji të Taika Waititit, është vlerësuar si prodhimi më i mirë i vitit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.
Ngjarjet vendosen në vitin 1940 në Gjermani, përgjatë Luftës së Dytë Botërore.
Personazhi kryesor është një djalë i vogël, i cili zbulon se nëna e tij është duke fshehur në shtëpinë e tyre një vajzë hebreje.
Në rolet kryesore të tij janë aktorët e njohur Scarlett Johansson dhe Roman Griffin Davis.
Fitorja në Toronto konsiderohet mjaft e rëndësishme, pasi kjo arritje e klasifikon filmin “Jojo Rabbit” në listën e filmave që mund të fitojë çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë për vitin 2020.
Prodhimi satirik do të prezantohet edhe në Festivalin e Filmit në Londër në muajin tetor, ndërsa në kinematë britanike do të nisë të shfaqet në janar të vitit të ardhshëm. /KultPlus.com
Shfaqja “Koprraci” e Teatrit “Adriana” të Ferizajt, me regji të Elmaze Nurës, e hapi edicionin e 26-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor dhe Eksperimental, që ka nisur më 11 shtator dhe mbyllet më 19 shtator 2019, në kryeqytetin e Egjipti, Kajro.
Shfaqja ferizajase ka pasur dy prezantime në këtë festival, më 11 dhe 12 shtator.
Për shfaqjen kosovare u dhanë vlerësime të larta nga kritikët e teatrit, për regjinë, lojën, skenografinë, muzikën etj.
Publiku që kishte mbushur sallën e Teatrit në qendër të Kajros, e ka pritur me duartrokitje lojën e aktorëve kosovarë. Në artikujt e publikuar pas dhënies së shfaqjes, “Koprraci” është cilësuar si një ndër shfaqjen mbresëlënëse të edicionit të sivjetmë.
Drejtuesi i Festivalit, Sameh Mahran, u shpreh me fjalë pozitive për prezantimin e Kosovës. Ai theksoi se kjo shfaqje solli vlera në CIFCET, me të gjitha elementët e saj.
Regjisorja Elmaze Nura falënderoi Teatrin dhe Komunën e Ferizajt për mbështetjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme artistike. “Ishte një prezantim dinjitoz me “Koprracin”, një punë shumë e madhe, që u shpërblye me pritjen që na e bënë në Kajro”, ka thënë Nura.
Bashkë me ekipin e Teatrit ishte edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Ferizajt, Xhemile Murati – Shabani. Ajo u shpreh e impresionuar nga Festivali dhe paraqitja e suksesshme e trupës, duke potencuar se artistët duhet të mbështeten sidomos në ngjarje të këtyre përmasave botërore.
Pjesëmarrja e Teatrit ‘Ardiana” në Festivalin e Kajros është paraqitja e parë e këtij teatri para një audience të tillë ndërkombëtare, ndërsa është mundësuar nga Komuna e Ferizajt.
Në shfaqje luajnë: Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Jajush Ramadani, Blin Sylejmani, Ali Krasniqi, Milot Salihu, Uratë Shabani, Sherif Bega dhe Doruntinë Xhemajli.
Skenografia ishte nga Zeni Ballazhi, kostumet Alma Krasniqi, muzika Gëzim Hasani dhe ndriçimi nga Hajrullah Elezi.
Kjo është hera e dytë për regjisoren Nura që merr pjesë në një festival të këtij niveli të lartë, ku janë prezantuar emrat më të mëdhenj botërorë të teatrit. Ajo është prezantuar në CIFCET në vitin 2003 me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”. / KultPlus.com
Të enjten me 19 Shtator nga ora 12:00 do të mbahet Testi Vlerësues për BURSA të plota për 10 studentë në Prishtinë dhe Gjakovë që ofrohen nga Kolegji Universum në bashkëpunim me Albina Dyla Company.
Testi do të mbahet në Kampusin e Kolegjit Universum në Gjakovë dhe në Prishtinë. Bursat vlejnë për studime në programin Bachelor dhe Master. Aplikimet vazhdojnë https://bit.ly/2HuFzbg
Studentët do
të përfitojnë FINANCIM të plotë të studimeve dhe PUNËSIM në
“Albina Dyla Company” në Menaxhim të Shitjes, Menaxhim të
Prodhimit, Menaxhim të Rrjeteve Sociale, Menaxhim të Burimeve Njerëzore dhe IT.
Projekt ky i Kolegji Universum në bashkëpunim me Albina Dyla Company
për ndërlidhje të Akademisë
dhe Industrisë.
Turneu hologramik i këngëtares së popullarizuar Whitney Houston, e cila ndërroi jetë në moshën 48-vjeçare, fillon vitin e ardhshëm në Britani të Madhe, raporton Metro news.
Trashëgimia e kësaj dive të pamposhtur do të ringjallet nga ‘Base Entertaintment’, të cilët kohët e fundit punuan edhe në produksionin e Amy Winehouse dhe Roy Orbison. Seth Faber, eksperti i marketingut, tha që janë bërë shumë përpjekje në këtë spektakël dhe se do të përpiqet që çdo gjë të jetë sa më autentike.
Në hologramin e vitit 2020, ndër të tjerash fansat do të mund ta dëgjojnë “I Wanna Dance With Sombeody” dhe “Greatest Love Of All”. Ky program do të mbështetet nga bendi origjinal dhe vokalet që kënduan së bashku me Whitney gjatë gjithë kohës, shkruan KOHA Ditore. Për këtë ngjarje u prononcua edhe motra e saj, e cila thotë se kjo ishte në fakt një ide e shkëlqyeshme, sepse njerëzit kanë harruar se sa e shkëlqyeshme është ajo dhe çfarë i ka dhënë botës së këndimit.
Themeluesi i Primary Wave thotë se Whitney ishte dashnorja e Amerikës, duke shtuar: “Ideja është që t’ua kujtojmë njerëzve tani për trashëgiminë e saj që ajo e la pas vetes.” T’ju rikujtojmë, Whitney e humbi jetën në moshën 48 vjeç pasi u mbyt në vaskë në një dhomë hoteli në Los Angeles. / KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës po sjell shfaqjen “Pristine Conditions” me koreografi nga Arthur Kuggeleyn, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje realizohet në kuadër të programit të edicionit të dytë të Javës së Kosovës për Zhvillimit të Qëndrueshëm që po zhvillohet nga 16-22 shtator 2019.
KSDW’19 organizohet nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesen Speciale të BE-së, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH) në emër të Qeverisë Gjermane, Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Premiera e shfaqjes vjen më datë 19 shtator në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com
Një ditë më parë u hap në Doha, kryeqyteti i Katarit, ambasada e Republikës së Kosovës me një ceremoni që reflekton rëndësinë e marrëdhënieve të reja midis dy shteteve mike, pasi që Katari ishte ndër vendet e para arabe që e njohu Republikën e Kosovës. Ky ishte rast që të mblidhet atje edhe komuniteti i vogël shqiptar, nga Kosova e Shqipëria, për herë të parë.
Megjithatë, edhe
kultura po bën të vetën tani në avancimin e këtyre marrëdhënieve midis dy
vendeve. Kështu, me 2 tetor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, Instituti për
Studime Orientale (ISO) i Prishtinës do të organizojë promovimin e botimit
shqip të romanit “Kusari”, i shkrimit të njohur të Katarit, Abdulazis
Al Mahmut, të cilin e përktheu në shqip Ejup Ramadani. Botimi i këtij romani
vjen si rezultat i bashkëpunimit midis Institutit dhe shtëpisë botuese
“Buzuku”. Ky roman, i botuar shqip, do të promovohet më 16 tetor edhe
në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Këtu vlen të përmendet
se romani “Kusar” u bë bestseler. Ai ka përjetuar tashmë botimin e
shtatë, ndërkohë u botua edhe në anglisht.
“Kusari”
ishte romani i parë arab që ka tematikë shqiptare. Ç ‘është e vërteta, romani
motivohet nga ngjarjet e shekullit XIX në vendet e Gjirit ,duke përfshirë edhe
luftën e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Aliut kundër lëvizjes vehabiste në
Arabi.
Autori Abdulaziz Al Mahmud u paraqit së pari në gazetari, derisa u bë kryeredaktor i gazetës më të vjetër arabe në Katar (al-Arab). Si kryeredaktor tregoi interesim për Pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe ia kushtoi kësaj ngjarje historike dy shtojca të gazetës. Madje, ai erdhi në Kosovë në qershor 2008 dhe realizoi një intervistë ekskluzive me presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiu, e cila ishte e para për shtypin arab. Më vonë, A.Al Mahmut iu përkushtua letërsisë duke botuar “Kusarin” më 2011 dhe romanin “Veli i shenjtë” më 2016 etj.,për çka mori më 2019 Çmimin e Shtetit për Letërsi. / KultPlus.com
Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay tha që institucioni i Kombeve të Bashkuara po monitoron nga afër situatën në lidhje me misionin e KB në Kosovë, përfshirë kornizën ligjore të përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit.
“Ekspertët tanë po ndihmojnë për të menaxhuar faqet e trashëgimisë botërore që janë të listuara në listën e rreziqeve,” i tha ajo gazetës serbe “Politika”, përcjell rtk./KultPlus.com
Kush jam unë dhe cili është roli im në botë? Fëmijët lindin pa përgjigje për këto pyetje të ngutshme. Përderisa rriten, ata fillojnë të formulojnë përgjigjet, madje pa shumë mundim. Brenda pak vitesh, ata fillojnë të njohin veten në pasqyrë, i referohen vetvetes me emrin e tyre, e vlerësojnë veten përmes syve të të tjerëve dhe e kuptojnë qëndrimin e tyre në një grup shoqëror.
Me kalimin e kohës, dallimet e shprehura individuale lindin
në vetë-konceptin e fëmijëve. Disa fëmijë e pëlqejnë veten e tyre, ndërsa të
tjerët ndihen negativisht për veten e tyre. Disa fëmijë e shohin veten si
superiorë dhe meritojnë trajtim të veçantë, ndërsa të tjerët e konsiderojnë
veten të jenë në një plan të barabartë me të tjerët. Disa fëmijë besojnë se
mund të rriten dhe të ndërtojnë aftësitë e tyre, ndërsa të tjerët besojnë se
aftësitë e tyre janë të fiksuara dhe të pandryshueshme. Por nga vijnë këto
dallime individuale? Çfarë i bën fëmijët të shohin veten e tyre në mënyrën që e
shohin ata?
Vetëbesimi është aftësia e individit për të njohur vlerën e
vet. Këto ndjenja të vetëvlerësimit zhvillohen shumë herët në fëmijëri, prandaj
prindërit luajnë një rol mjaft të madh në përcaktimin e asaj që fëmija i tyre
mendon për veten e tij. Një vetëvlerësim i fortë do të veprojë si një armë
kundër sfidave në jetë, me të cilat fëmija juaj do të përballet. Pra, prindërit
duhet të shmangin sjellje të caktuara që mund të ndikojnë në fëmijën e tyre në
një mënyrë jo të duhur. Këtë e shpjegon shumë mirë hulumtimi i kryer nga
Michelle Harris nga Universiteti i Kalifornisë dhe ekipi i saj (2015), në të
cilën tregojnë se fëmijët zhvillojnë vetëvlerësim më të lartë kur marrin
ngrohtësi nga prindërit e tyre. Prindërit e ngrohtë tregojnë një interes në
aktivitetet e fëmijëve të tyre dhe ndajnë gëzim me ta, gjë që i bën fëmijët të
ndihen të vëmendshëm dhe të vlerësuar. Hulumtimi tregon se fëmijët mund të
zhvillojnë vetëvlerësim më të ulët dhe nganjëherë edhe narcisizëm kur prindërit
e tyre u japin shumë lëvdata jashtëzakonisht pozitive dhe të fryra, të tilla si
psh: ‘Uau, ju e keni bërë shumë mirë!. Një lavdërim i tillë i fryrë mund t’u
japë fëmijëve një ndjenjë madhështie për momentin, por në të njëjtën kohë t’i
bëjë ata të brengosen për të mos i përmbushur standardet e vendosura për ta.
Përktheu dhe përshtati: Dea Rexhepi Referenca: Harris, M. A., Gruenenfelder-Steiger, A. E., Ferrer, E., Donnellan, M. B., Allemand, M., Fend, H & Trzesniewski, K. H. (2015). Do parents foster self-esteem? Testing the prospective impact of parent closeness on adolescent self-esteem. Child Development, 86, 995–1013./revistapsika/KultPlus.com
Një nga problemet më të mëdha sot është përdorimi i telefonave mobil nga fëmijët, duke luajtur lojëra të ndryshme dhe duke ndjekur video.
Organizata botërore për shëndetësi (OBSH) ka këshilluar
prindërit që të kenë kujdes me edukimin e fëmijëve, duke i kthyer lojërat
tradicionale për fëmijët.
Biznesmeni Bill Gates i ka lejuar fëmijët e tyre të përdorin telefonin vetëm kur kanë mbushur 14 vjet, edhe pse fëmijët e tjerë veç më kishin mobilë. Gjithashtu ai e ka ndaluar përdorimin e tyre natën.
Suzan Vojcicki, drejtorja e YouTube-s i ka caktuar disa
rregulla për pesë fëmijët e saj se si të përdorin teknologjinë. Ajo i ka lejuar
fëmijët e tyre të përdorin telefon vetëm atëherë kur kanë dal vetë më nga
shtëpia, duke përdorur transportin publik, diku në moshën 11 vjeçare.
Gjithashtu, gjatë udhëtimeve atyre ju është ndaluar
përdorimi i telefonit, me qëllim që të shfrytëzojnë sa më shumë kohën me
familjen.
Sipas saj, këto rregulla duhet të vlejnë edhe për të
moshuarit, që mos e përdorin telefonin derisa janë me shoqëri.
Sipas Shoqatës amerikane për pediatri, fëmijët çdo ditë kalojnë mesatarisht shtatë orë në ditë për përdorimin e telefonit./portalb.mk/KultPlus.com
Universiteti i Kozencës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e studiuesve nga më shumë se 15 universitete nga Italia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Greqia, organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare me titullin “Françesk A. Santori: vepra dhe koha e tij”, në nderim të 200-vjetorit të Françesk Anton Santorit.
Sot është dita e tretë dhe e fundit e kësaj konference. Dy
ditët e para të saj u zhvilluan në Cerzeto, ku Santori shërbeu si meshtar; si
dhe në Santa Caterina Albanese, vendi i lindjes së tij.
Konferenca u shoqërua me veprimtari të shumta artistike, me
pjesëmarrjen e grupeve artistike të komunave arbëreshe.
Në seancën e parë akad. Floresha Dado paraqiti kumtesën
“Poezi apo rrëfenjëza të vargëzuara: vëllimi “Satirat” i Santorit. Ndërsa akad.
asoc. Shaban Sinani kumtoi për temën “Due monografie in versione manoscritta su
Francesco Antonio Santori nell archivio dell’Istituto di Studi Linguistici e
Letterari di Tirana”.
Konferenca u përgatit me kujdes e përgjegjësi shkencore nga akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà. /atsh / KultPlus.com
Një nga këngëtaret më të reja shqiptare në tregun ndërkombëtarë, Ava Max, ka treguar se e flet shumë mirë gjuhën shqipe.
Këngëtarja me origjinë shqiptare, emri i të cilës është Amarda Ava Koci, e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka treguar se nuk i harron rrënjët e saj e aq më pak gjuhën mëmë, përcjell Shekulli.
Edhe një herë Ava e ka vërtetuar se është krenare për vendin e saj dhe ka treguar se di edhe shqipen.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit e saj në “Instagram”, dikush e ka pyetur nëse “di të flasë shqip”.
“Po, ajo ishte gjuha ime e parë”, ka kthyer përgjigje këngëtarja e famshme, duke gëzuar kështu fansat e saj shqiptarë. / KultPlus.com
“Jam Shqiptar”, projekti që do t’u mundësojë fëmijëve shqiptarë në Diasporë të njohin Shqipërinë, shkruan KultPlus.com
Tashmë çdo fëmijë shqiptar që jeton në Diasporë do të ketë mundësinë ta njohë më mirë Shqipërinë falë projektit “Jam Shqiptar”. Një nismë kjo e Ministrit të Shtetit për Diasporën që do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrinë e Kulturës bazuar në memorandumin e bashkëpunimit të firmosur mes katër institucioneve.
“Jam shqiptar” do t’u mundësojë fëmijëve shqiptarë një program të plotë aktivitetesh për të vizituar më shumë Shqipërinë, me qëllim jo vetëm njohjen e vendit të tyre, por edhe krijimin e lidhjeve mes njëri-tjetrit nën emëruesin e përbashkët “Jam shqiptar”.
Ky program ka si qëllim organizimin e veprimtarive kulturore, gjuhësore e turistike, njohjen e historisë së Shqipërisë dhe të vendeve të saj turistike për formimin kulturor e gjuhësor të brezave të rinj në Diasporën shqiptare.
Projekti do të ndiqet nga koordinatorja shtetërore zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Lorena Haxhiu si dhe do të mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.
Gjatë 15 javëve të këtij projekti do të zhvillohen aktivitete për kulturën, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë; ushtrime, seminare, lojëra ndërvepruese; ekskursione ilustruese në parqe arkeologjike, muze kombëtare, monumente të kulturës dhe zona turistike; aktivitete që kanë për qëllim vizitat turistike, promovimin e turizmit si dhe të natyrës e mjedisit të Shqipërisë dhe aktivitete të tjera kulturore.