U ktheva në qytetin tim,
kalova nëpër rrugën
që mijëra herë e shkela
e m’u duk se
nuk e kam njohur kurrë.
Shtëpia ime s’qe
më aty në fund të rrugës;
tani krenar rrinte një objekt
me fasadë verdhane,
as dyqani përballë
ku si çilimi blija karamele
nuk ishte më…
Kalimtarë me fytyra të ngrysura vërtiteshin poshtë e lart, askënd nuk njoha askush nuk më njohu. “Nuk po e njoh më as qytetin tim” thosha teksa ecja ashtu kot, me sy kërkoja ndonjë skutë të futesha dhe të qaja me lot…
“Le Temps” ka botuar, të martën e 26 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën e patriotit dhe liderit shqiptar, Dervish Himës, me korrespondentin e gazetës hungareze në Bukuresht, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Pavarësia shqiptare
Korrespondenti ynë nga Budapesti na telegrafon:
“Pester Lloyd” publikon një intervistë të korrespondentit të saj në Bukuresht me Dervish Himën, liderin e njohur shqiptar:
“Shqiptarët, deklaroi Hima, duan të shpallin pavarësinë shqiptare tani dhe ata janë të gatshëm ta mbrojnë këtë pavarësi me çmimin e gjakut të tyre. Ata janë të bindur se afesksioni i Austro-Hungarisë për ta është i sinqertë dhe shpresojnë se të gjitha fuqitë evropiane do të mbështesin monarkinë Austro-Hungareze në interes të Shqipërisë”.
Ai shton:
“Asnjë vendim nuk është marrë ende mbi zgjedhjet e personave, megjithatë është e vendosur paraprakisht që një princ i huaj do të zgjidhet sovran i Shqipërisë”.
Nga ana tjetër, telegrafojnë nga Durrësi në Daily Telegraph:
“Ismail Qemali, si dhe shumë patriotë shqiptarë që erdhën këtu për t’u bashkuar me të, kanë ndërmarrë hapa për të thirrur një asamble kombëtare shqiptare për të diskutuar mbi situatën aktuale. Të gjithë udhëheqësit fisnorë janë paralajmëruar. Mendojmë se takimi do të zhvillohet në Vlorë”.
Ka ndërruar jetë profesori dhe gjuhëtari gjerman Wilfried Fiedler. Ai ka lënë gjurmë të pashlyera në albanologji, me veprën “Albanische Grammatik”.
Kjo vepër e realizuar në bashkëpunim me Oda Buchholz, u bë referencë kryesore për gramatikën e shqipes në hapësirën gjermane. Fiedler ka shkuar edhe shumë artikuj për gjuhën shqipe dhe gjuhët e Ballkanit në veprën “Grmatikë krahasimtare e gjuhëve të Ballkanit”.
Profesori Fiedler mbetet njëri nga emrat më të shquar në albanologji, dhe një kontribues i çmuar i afirmimit të gramatikës shqipe në hapësirën gjermane. /KultPlus.com
Sa herë do të merret në duar libri që do t’i kushtohet 100 vjetorit të themelimit të Akademisë së famshme gjermane “Bauhaus”, në faqet e tij do të jetë gjithmonë edhe njëri nga projektet e një vajze të re nga Kosova, studente e Universitetit të Prishtinës.
Arita Dreshaj, studente e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, u nominua për projektin më të mirë të vitit në nivelin master e në mesin e qindra studentëve të tjerë u radhit e katërta.
Ajo tregon se si një vendim që ajo e mori doli të jetë hapi më i rëndësishëm, që ajo e kishte bërë deri atëherë në jetën e saj.
“Në mars të këtij viti u bëra pjesë e programit Erasmus+, si exchange student në Institutin e Arkitekturës në Dessau. Këtë shkëmbim e ka mundësuar Universiteti i Prishtinës, vendimi për t’u bërë pjesë e këtij programi doli të jetë hapi më i rëndësishëm në karrierën time. Në një shkollë prestigjioze Gjermane, e cila ndërtoi historinë e arkitekturës qysh nga vitet 1919, kisha nderin të nominohem për projektin më të mirë të vitit në nivelin Master, në mesin e qindra studentëve nga 33 vende të ndryshme të botës”, tregon Dreshaj për Ndërtimi.info.
Ajo rrëfen që këtë vit ishte hera e parë që u nominuan edhe studentët me program shkëmbyes si kandidatë për çmimin e vitit në këtë akademi. E kjo ndodhi pas kërkesës së arkitektëve të rëndësishëm nga Gjermania, të cilët e përbënin jurinë, për përzgjedhjen e projektit.
Pas kësaj Dreshaj tregon ndjesinë që kishte derisa e paraqiste projektin e saj para arkitektëve profesionistë dhe botimin e tij në librin e vitit të Universitetit DIA.
“Sa herë që këta arkitektë përballë meje tundnin kokën për argumentet e mia, për secilën duartrokitje të tyre i falënderohem Universitetit të Prishtinës ku edhe kam marrë bazën si studente e arkitekturës. Fakti që projekti im do të publikohet në librin e vitit të Universitetit DIA, e bën të paharrueshëm këtë nominim. Këtë vit libri do t’i kushtohet 100 vjetorit të themelimit të akademisë Bauhaus. Jam e lumtur që në një libër me kaq rëndësi do të shkruhet për një emër nga Kosova”, rrëfen Arita Dreshaj.
Studentja e nominuar shpjegon projektin e saj, cili do të jetë një “Qendër për Mësim” në Berlin e që do t’i përshtatet ritmit të arkitekturës së qytetit dhe linjave topografike të terrenit.
“Projekti është një Learning Center me lokacion në Berlin. Nga një qytet urban kubik, në një parcelë trekëndëshe, zgjodha të përdor kubet si formë në tërësi ndërsa organizimi i funksionit të jetë i shtrirë në 45 shkallë. Kështu, njëkohësisht objekti përfiton në dritë dielli, fasadat përcjellin ritmin e ndërtesave ekzistuese dhe linjave topografike të terrenit”, shpjegon Dreshaj.
Për Aritën ky nuk ishte projekti i parë, për të cilin ka marrë fjalë të mira. Në kohën sa ishte studente e vitit të dytë e Arkitekturës në UP, kishte paraqitur një projekt ideor për të transformuar objektin prapa shtatores së heroit Zahir Pajaziti, për t’i sjellë kryeqytetit frymë të re dhe për t’iu përshtatur gjallërisë së tij. Projekt ky që sipas saj u pëlqye si nga stafi akademik ashtu edhe institucionet publike. /KultPlus.com
“Shanti” do të thotë paqe. Shanti Yoga Fest Kosova është një festival i paqes së brendshme dhe të jashtme. Qëllimi i Festivalit është të krijohet një platformë që të gjithë të praktikojnë dhe përjetojnë stile të ndryshme të yogës, meditimit dhe praktikave të tjera dhe të lidhen me njëri-tjetrin në harmoni.
Skena e yogës në Kosovë është e re dhe
vazhdimisht në rritje. Për tre vjet rresht, njerëzit e jogës nga Kosova dhe
instruktorët ndërkombëtarë të jogës bëhen bashkë në Shanti Yoga Fest.
Me natyrën dhe frymën e tre edicioneve të fundit, Shanti Yoga Fest Edicion 4, do të zhvillohet nga 12-15 Shtator 2019 (nga dita e Enjte deri të Dielën), në Liqenin e Batllavës, me një pamje e bukur rreth 40 minuta larg në veri të Prishtinës.
Edhe ky edicion ka një program të pasur me
aktivitete, që varion nga klasa dhe stile të ndryshme të jogës, meditimit,
seminare dhe punëtori speciale, ligjëratat dhe raundet e diskutimit rreth
yogës, meditimit, shëndetit dhe paqes, deri te muzika e gjallë, aktivitetet
artistike dhe Programit për fëmijë. Informatat më të detajuara rreth Programit
të Festivalit dhe mësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë që do të marrin pjesë në
këtë edicion, mund t’i gjeni në rrjetet sociale të Shanti Yoga Fest (Facebook
dhe Instagram: @shantiyogafestkosovo).
Duke shkëmbyer ekspertizën e tyre, një shumëllojshmëri e instruktorëve, mësuesve dhe udhëzuesve të jogës dhe meditimit, do ta bëjnë këtë festival një përvojë fuqizuese që nuk dëshiron t’a humbisni.
Klasat, punëtoritë dhe ligjëratat e ofruara
përfshijnë praktika për trupin, mendjen dhe shpirtin. Nëse dëshironi të provoni
jogën për herë të parë, ose jeni praktikues për një kohë të gjatë, nëse doni të
fitoni njohuri më të thellë dhe të shikoni së brendshmi ose nëse thjesht doni
të argëtoheni me njerëz të një mendje nga e gjithë bota, Shanti Yoga Fest
Kosova është festivali për ju! Ajo ofron një hapësirë të sigurt për të gjithë
që të bëjnë përvojë dhe të ndajnë jogën dhe praktikat tjera!
Gjatë Festivalit do të ketë ushqim vegjetarian dhe vegan, pije të shëndetshme, fruta dhe snacks.
Për të gjithë ata që duan të kalojnë
vikendin ne festival, do të ketë mundësi akomodimi por që duhet të rezervohet
paraprakisht, pasi kapaciteti është i kufizuar.
Pjesëmarrësit përveq makinave të tyre, e
kanë mundësinë të udhëtojnë me autobus lokal që niset nga Prishtina (stacioni
tek Xhamia e Llapit) për në vendin e ngjarjes (në Orllan – Batllavë). Orari i
nisjeve dhe kthimit është publikuar në rrjetet sociale të Festivalit.
Shanti Yoga Fest Kosova është dhe ka qenë gjithmonë një iniciativë jofitimprurëse e një ekipi të angazhuar profesionistësh, vullnetarë dhe mësues të yogës, të cilët janë të shtyrë nga pasioni i tyre për t’u lidhur, shkëmbyer njohuri dhe promovuar harmoninë!
Si një ngjarje jofitimprurëse Shanti Yoga
Fest Kosova jeton nga bashkëpunimi i ngushtë i komunitetit lokal të jogës,
mësuesve dhe praktikuesve ndërkombëtarë të yogas, institucioneve vendore, organizatave
ndërkombëtare, fermerëve vendorë, prodhuesve dhe kompanive të ndryshme. Dëshira
për të krijuar diçka të re, për të promovuar paqen dhe përhapjen e jogës në
Kosovë është ajo që na ngjit së bashku! Ekipi i organizatës është plotësisht i
përkushtuar për t’ju mundësuar të provoni fuqinë e jogës për të gjetur një
ekuilibër brenda dhe të bëni ndryshime shoqërore në një mënyrë të këndshme!
Bashkia e Tiranës njofton ardhjen në kryeqytet të Luz Casal, legjenda e këngës spanjolle.
“Muzikë ndryshe, atmosferë ndryshe! Luz Casal, legjenda e këngës spanjolle do të ndriçojë mbrëmjen tuaj me zërin e saj mahnitës më 14 shtator te Amfiteatri, ora 20:00. Merr miqtë dhe eja argëtohu nën ritmin e muzikës spanjolle!”, njofton Bashkia e Tiranës.
Bashkia e Tiranës gjithnjë e më shumë është e impenjuar në afrimin e muzikantëve, grupeve muzikore dhe këngëtarëve të njohur nga vendi dhe bota.
Casal është një këngëtare spanjolle e viteve 80′ e rrymës Pop-Rock. Këngët e saj më të njohura janë “Loca”, “Rufino”, “Un nuevo día brillará”…etj. Ajo për shkak të një tumori në gji në vitin 2010 u detyrua të tërhiqej nga një tur, por ajo u rikthye më tej më e fortë se kurrë dhe është një shembull i luftës ndaj tumorit. /KultPlus.com
Arch. Ylber Vokshi -Ylli (tekst i vjetër, i vitit 2009, botuar në Telegrafi dhe në forumet e mediat tjera. E sjellim sot në përvjetorin e vrasjes së arkitektit Rexhep Luci)
Cila është ajo shoqëri që e injoron e nënçmon e degradon e në fund edhe e vret arkitekti? Ai pos argumenteve profesionale të profesionit nuk ka armë tjetër për të iu kundërvënë kërkesave të ndryshme me vend e pa vend, të gjithë faktorëve relevant duke mbrojtur interesat e të gjithë atyre që shprehin dëshirë të jetojnë në një shoqëri apo vendbanim të urbanizuar, të cilës me kreativitetin e vet i jep edhe anën e bukur, artistike të vendbanimit. Vrasja e tij herë do kurdo do të i hakmerret shoqërisë si po e tregon realiteti ynë pas dhjetë viteve në Kosovë.
Në shtator të vitit 2000 në mënyrë qyqare u vra arkitekti Rexhep Luci kryearkitekti i Prishtinës. Vrasja e tij as që i bëri përshtypje të madhe opinionit publik prishtinas dhe kosovarë të atëhershëm, ndoshta edhe nga frika dhe mos kultura e jetës urbane. Pos pasojave të pa riparueshme në fushën e urbanistikës në tërë Kosovën as që mundej të imagjinoheshin pasojat komplekse të kësaj vrasje.
Kryearkitekti i Prishtinës, u mundua te parandaloj shkatërrimin e rifilluar të kryeqytetit, u ekzekutua mizorisht, e si rezultat kemi shkatërrimin e Prishtinës dhe Kosovës në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban në të gjitha vendbanimet tona. Prishtina ishte modeli urban të cilin e kopjuan të gjitha vendbanimet tjera kosovare pasi organet shtetërore, si duket me qellim, nuk kanë vepruar nga viti 2002 kur u krijuan organet e përkohshme qeverisëse në Kosovë të cilën e sundonte UNMIK-u nga viti 1999.
Institucionet përgjegjëse të Kosovës,jo vetëm që nuk e gjetën vrasësin, lejuan njerëzit te cilët i luftonte z. Luci me argumente profesionale, të vazhdojnë me punën e tyre, pa qarë kokën për interesat e përbashkëta si në zonat urbane dhe ato rurale, pothuajse fëmijët e tyre nuk do të jetonin apo do të jenë mysafir në këto hapësira.
Efekti i “frikës” te profesionistët u arrit plotësisht, ashtu si e kishin planifikuar ekzekutuesit e vrasjes. Tërë këtë kohë u ndërtua pa planifikim duke menduar se po fitojnë, nga aspekti profesional në fund të gjithë do të jene humbës të mëdhenjtë material e së bashku me ata edhe e tërë shoqëria kosovare. Atë që kemi fituar ne si shoqëri është degradimi i pafalshëm i hapësirave urbane dhe rurale kurse ne jemi detyruar të jetojmë në këto rrethana jo normale urbane për një shoqëri.
Të gjitha tentimet e viteve të fundit për të fajësuar ndërkombëtarët për këto dukuri që më parë ishin të pa qëndrueshme pasi autorizimet për fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit ishin qartë të definuar si përgjegjësi të pushtetit qendror dhe ati lokal, kurse UNMIK-u aq shumë i përfolur, vetëm kishte rrol mbikëqyrës në veprimet që vetë ne i kemi bërë në ndërtimet me leje e pa leje,në ngritjen e shoqërisë tonë që e kemi ëndërruar pas dëbimit të regjimit profashist gati një shekullor serb pas vitit 1999.
Në një shkrim të shtypit kosovar të këtyre ditëve arkitekti Rexhep Luci përmendet vetëm si numër së bashku me disa aktivist politik të vrarë në Kosovë. As për së afërmi nuk kuptohet ndërlikueshmëria urbane dhe tragjedia e një shoqërie me vrasjen e kryearkitektit të kryeqytetit,cilat janë pasojat e ndërtimeve të pa planifikuara. Kush urdhëroi të veprohet kështu, a thua dikush mendoi se do të ketë përfitime të mëdha materiale me këtë vrasje, si mundet të krahasohen veprimtarët e ndryshëm politik me zhvillimet jetike urban të një vendbanimi e posaçërisht të kryeqytetit, a thua ishin të rëndësishme vetëm interesat individuale të disa grupeve të interesit, a thua do të ishte ma mirë për të gjithë ata të cilët kryen krimin ndaj arkitektit të iu përmbahen disa standardeve dhe rregullave urbane, me siguri do të kishin përfitime shumë ma të mëdha nëse do të planifikonin hapësirë urbane që na rrethon.
Kush përfitoi nga kjo vrasje, me siguri askush, të gjithë ne jemi humbës të mëdhenj. Pasi e vranë atë në mënyrë mizore ia futen “frikën” profesionistëve të tjerë për mos veprim apo veprime të dirigjuara urbane. Një pjesë e arkitektëve mezi pritën të dalin në skenë si “shpëtimtarët” Kosovës duke bashkëpunuar me “kriminelët e paqes” në planifikimin hapësinor dhe urban në dhjetëvjetëshin e fundit. Pasojat sot janë tragjike për të gjithë vendbanimet në Kosovë, këto pasoja të gjithë ne jemi duke i përjetuar sot dhe në të ardhmen.
Të gjitha këto dukuri shihen, preken e aq ma keq përjetohen shumë keq nga banorët tanë dhe do të jenë dëshmi e një kohe pa kohë, do të mbesin me shekuj si relikte të një kulture primitive, të një kohe të vështirë që e ka përjetuar kjo shoqëri.
Me vrasjen mizore të kryearkitektit të kryeqytetit u vra e tërë urbanistika e Kosovës, filloi shkatërrimi i të gjitha qyteteve kryesore të Kosovës, filloi jo ligjshmëria urbane në përmasa të pa para që është duke vepruar që dhjetë vite. Ata të paktët që në mënyrë dinjitoze dhe profesionale reaguan u anatemuan dhe u injoruan tërë kohën qëllimisht duke vazhduar avazin e vjetër me ndërtime të cilëve po ia shohim sherrin të gjithë ne.
Askush nuk e ka imagjinuar një situatë të tillë pas vitit 1999 kur në mënyrë perfide me një imagjinatë shkatërruese dhe destruktive në vazhdimësi me vetëdije po e shkatërrojnë tërë shoqërinë tonë për disa përfitime të mjera personale me pasoja tragjike për gjeneratat e tanishme dhe ato të ardhshme të cilat shumica nga mosdija po i injorojnë. Të gjitha këto krime urbane janë bërë në emër të atdhetarizmit apo “patriotizmit” të rrejshëm pasi pas dhjetë viteve këto pasoja të këtyre veprimeve janë evidente.
Të gjitha tentimet që të punohet ashtu si vepron e tërë shoqëria e civilizuar, deri më tani ishin të kota pasi në pushtetin qendror si dhe në atë lokal ishin instaluar struktura të cilët nuk ngurruan edhe të vrasin,pasojat vetëm kanë filluar të vërehen nga të gjithë banorët e Kosovës.
Është momenti i fundit që aktorët dhe përgjegjësit kryesor të japin llogari para kësaj shoqërie që e anatemuan në dhjetë vjeteshin e fundit duke trumbetuar për një patriotizëm primitiv e të tejkaluar e që në thelb i kishin vetëm përfitimet personale,klanore dhe regjionale duke e flakur rrolin e shtetit dhe interesave të përbashkëta shtetërore në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit. Këto ditë kanë filluar polemikat politike për vrasjet e pa sqaruara në vitet e pas luftës së vitit 1999,pas dekonspirimit të një individi. Ka reagime me prapavija politike të ulëta të cilat dikush po tenton t’i keqpërdor. Vrasjet e pa zbuluara të pasluftës në Kosovë pos prapavijës politike kishin edhe atë abuzuese.
Ajo çka ma së shumti duhej të brengoste këtë shoqëri është se si u veprua pas vrasjes së arkitektit Rexhep Luci, si vepruan të gjitha organet shtetërore,si u zhvillua fusha e urbanistikës,si vepruan profesionistët e frikësuar, arkitektët dhe urbanistët në këto vite, etj.
A ka fuqi shoqëria jonë të fillojë me rehabilitimet urbane të domosdoshme gati në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës si rezultat i abuzimeve të mëdha me hapësirën urbane dhe rurale e cila na rrethon pas vrasjes së qëllimshme, në shtator të vitit 2000 të arkitektit Rexhep Luci në Prishtinë vetëm që deshi të respektohen principet elementare si dhe normat dhe standardet në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban. Kjo jam i bindur se nuk ka ngjarë në asnjë shoqëri të civilizuar që njeh njerëzimi.
Kujtimet e Michael Jackson përfshijnë xhaketën e tij, dorashkat me kristale që përmbajnë ADN-në e tij, këpucët e tij dhe më shumë një kapele që të gjitha së bashku mund të merrnin një vlerë prej 474 mijë $.
Më shumë se 50 copë nga ‘Mbreti i Popit’, këpucë prove nga Wizard of Oz, dhe sende të tjera do të kalojnë nën çekiç me ankandet GWS në Agoura Hills, Kaliforni.
Një pjesë e spikatur, një xhaketë me nuanca të zezë të bëra për Pepsi Commercial 1987 mund të blihet, e nënshkruar ‘Love Michael Jackson’.
Xhaketa që ka dhjetë butona të mëdhenj ari dhe një karficë aktualisht ka një kosto prej 5,000 $.
Kjo ishte ajo që shumë njerëz konsideruan si pikë kthese të karrierës së Michael Jackson pasi ishte xhaketa që ai mbante veshur në momentin e aksidentit.
Ai u plagos shumë keq dhe kërkoi kujdes mjekësor për ato lëndime, kjo është një pjesë nga një pikë referimi në karrierën e tij. /KultPlus.com
Si të fitoni BURSË të plotë për studime në Gjakovë dhe PUNËSIM që nga viti i parë?
Edhe 5 ditë kanë mbetur kohë për të aplikuar për njëren nga 10 BURSA të plota për 10 studentë në Prishtinë dhe Gjakovë që ofrohen nga Kolegji Universum në bashkëpunim me Albina Dyla Company. Bursat vlejnë për studime në programin Bachelor dhe Master. Apliko tani https://bit.ly/2HuFzbg
Studentët përfitojnë FINANCIM të plotë të studimeve dhe PUNËSIM në “Albina Dyla Company” në Menaxhim të Shitjes, Menaxhim të Prodhimit, Menaxhim të Rrjeteve Sociale, Menaxhim të Burimeve Njerëzore dhe IT. Projekt ky i Kolegji Universum në bashkëpunim me Albina Dyla Company për ndërlidhje të Akademisë dhe Industrisë. Aplikuesit do ti nënshtrohen testit vlerësues dhe intervistes. Regjistrohu këtu https://bit.ly/2HuFzbg për pjesëmarrje në test vlerësues. Fito BURSË të plotë studimi dhe PUNËSIM 100% të garantuar‼️ Afati i fundit për aplikim 15 Shtator 2019; Për më shumë informata ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram, apo kontaktoni në [email protected].
Festivali Tradicional i Komedisë “Mitrovica in Fest”, për dy netë radhazi mblodhi dashamirët e artit në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”. Sonte, në natën e tretë “Mitrovica in Fest” do të ndalet tek shfaqja nikoqire.
Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” do të prezantohet me shfaqjen “Komedi e Kuqe” të autores Albana Muja në regji të Kreshnike Osmanit dhe me lojë të Xhejlane Terbunja, Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe Fisnik Istrefi. Muzika e kompozuar nga Arbër Krasniqi, e me kostumografi nga Venera Osmani, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Komedi e Kuqe” synon të provokojë shikuesin sonte me një temë e cila trajton një periudhë jete të një çifti, Agimes dhe Fisnikut të cilët zgjodhën të jetojnë në Gjermani, megjithëse supozohet në një jetë stabile të çiftit, na del të jetë diçka tjetër.
Me anë të komikes, çifti vihet në sprova që shfaqin mungesën e lumturisë së tyre, për vite të tëra të bashkëjetesës.
“Edhe më në dukje, vihet ky fakt, pasi Fisniku kinse për të fituar një shumë të caktuar të hollash, vendos të martohet me një vajzë nga Kosova, duke i mundësuar kështu asaj, lejeqëndrimin në shtetin gjerman. Ardhja e kësaj vajze të quajtur Rilindje, e cila është e detyruar të jetojë me çiftin, na jep mundësinë të shohim situata dramatike por gjithashtu arrin të shfaqë edhe kthesa dramatike”, thuhet në komunikatë.
Organizatorët e festivalit si dhe gjithë ata dashamirë arti që po frymojnë bashkë me festivalin këto ditë presin që sonte nga ora 19:30 të bashkohen në komedinë e radhës, por përse jo të vazhdojnë festën ashtu siç po ndodh këto ditë, si asnjëherë tjetër ne Mitrovicë. /KultPlus.com
Me datë 11 shtator të vitit 2000 u vra arkitekti Rexhep Luci.
Rexhep Luci ishte Drejtor i Departamentit të
Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës dhe
arkitekt i cili u vra menjëherë pas luftës, për kundërshtimin e ndërtimeve
ilegale në Prishtinën e pas-luftës. Ende thuhet se vrasja ishte e llojit mafioz
dhe u planifikua për shumë kohë.
Ai u vra me gjashtë plumba pas shpine derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Në kohën e vrasjes së tij, departamenti i tij ishte në proces të shkatërrimit të një kompleksi hotelierik ilegal.
Luci kishte punuar për 30 vjet në urbanizmin e Prishtinës duke i dhënë qytetit pamjen e tij moderne.
Në përgjigje administrata e UNMIK-ut kishte emëruar
Rregulloren për Ndërtim sipas emrit të tij. Një rrugë në Prishtinë poashtu mban
emrin e tij.
‘Me vrasjen mizore të kryearkitektit të kryeqytetit u vra e tërë urbanistika e Kosovës, filloi shkatërrimi i të gjitha qyteteve kryesore të Kosovës, filloi jo ligjshmëria urbane në përmasa të pa para që është duke vepruar që dhjetë vite. Ata të paktët që në mënyrë dinjitoze dhe profesionale reaguan u anatemuan dhe u injoruan tërë kohën qëllimisht duke vazhduar avazin e vjetër me ndërtime të cilëve po ia shohim sherrin të gjithë ne’ shkruan Ylber Vokshi Ylli në një shkrim autorial të vitit 2009. / KultPlus.com
(Fotografia e ballinës nga ‘Çka e vrau arkitektin?’) / Mathieu Jouffre )
Në shenjë nderimi për jetët e humbura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot është inauguruar Memorialin “Kosova kujton” në oborrin e Qeverisë së Kosovës, shkruan KultPlus.com
Akti terrorist në New York të ShBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë. Në atë sulm, humbën jetën rreth tre mijë persona.
Ministri i Shtetit dhe për Diasporën në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se në Modena të Italisë do të vazhdojë të mësohet gjuha dhe kultura shqipe, shkruan KultPlus.com
“Shoqata “Madre Teresa” në Modena, Itali edhe këtë vit do të ofrojë klasat e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe. Regjistrimi për fëmijët të cilët duan të ndjekin mësimin në këto klasa është hapur nga kjo javë”, ka shkruar Majko në Facebook.
Dashuri kryeneçe, vjollcë me gjëmba rrethuar, shkurre mes pasionesh kreshpëruar, heshtë dhimbjesh, kurorë tërbimi, ç’udhë të solli drejt e në shpirtin tim?
Përse i vure zjarrin e dhimbshëm beftas, gjethnajës së ftohtë të rrugës sime? Kush ta mësoi rrugën për tek unë? Ç’lule, gur a tym të dëfteu se ku unë rri? Edhe nata vetë u rrënqeth, u tremb. Agimi kupat i mbushi me verën e tij, e dielli në qiell më s’fundi zuri vend.
Ndërsa dashuria mizore paprerë më ndiqte, me shpata më shqeu, me gjëmba më çponte, Gjersa m’hapi në zemër udhën që përvëlonte.
Çiklistët në Prizren së shpejt do të kenë shtigjet e tyre për qarkullim, duke mos u rrezikuar nga automjetet. Kjo pasi tashmë Komuna e Prizrenit është në përfundim të procedurave të prokurimit për rregullimin dhe hapjen e stazave të reja për çiklistë.
Komuna e Prizrenit ka zgjedhur kompaninë që do të bëjë rregullimin dhe hapjen e shtigjeve të reja për çiklistë. Nga gjashtë tenderë të pranuar, kontrata për këtë projekt i është dhënë operatorit ekonomik “Hysen Sopa B.I”, në vlerë rreth 6 mijë euro (5.7200 euro), shkruan Ndërtimi.info.
Për këtë projekt Komuna e Prizrenit kishte planifikuar mbi 8 mijë euro (8.200 euro), ndërsa çmimi më i lartë i ofruara nga operatorët ekonomik ishte 7 mijë e 850 euro. / KultPlus.com
Në librin e autorit dhe kryemurgut francez, Pierre Bauron, me titullin « Les Rives Illyriennes – Brigjet Ilire », botuar në Paris në vitin 1888, gjejmë,në faqen e tij të 350, një këngë të rrallë luftarake ilire, KultPlus.com
Kënga vë në dukje trimërinë e paraardhësve tanë, dashurinë për atdheun dhe në një farë mënyre dëshmon se kemi qenë gjithnjë një popull paqësor me fqinjët, se u jemi përgjigjur si kurdoherë sulmeve, por kurrë nuk kemi sulmuar të parët.
Ja kënga në vijim :
Vëllezër, përpara, përpara, luftëtarë, Këmbësoria e djem mbi kuajt tuaj të fortë ! Të mprehim kosat, të mprehim shpatat ! Të shporrim armikun nga këto toka ! Që secili prej nesh t’i këndojë një këngë Atdheut të heronjve !
Me kosë të vrasim këtë grabitës, Mjaft arrogant për të sunduar racën e shtëpitë tona ! Oh ! Le të rrëzohen duke u çarë prej qindra rrufeshë Këta të pabesë që shkelin të drejtat tona ! Që secili…(Refren)
Nëse bisha çel kthetrat e saj, Iliri me grusht e shtrin për tokë ; Nëse gjarpëri krenar e ngren kokën ndaj tij, Iliri, këmbëzbathur, e shkel. Që secili…(Refren)
Kur era e veriut, e tërbuar, Copëton lisin e vjetër, Zemra shtendoset në gjoksin tonë ! Ne jemi Ilirët, vëllezër të dashur ! Që secili…(Refren)
Kur dridhen skajet e botës, Kur shkëndijat e rrufesë vallëzojnë në qiell, Dhe kur toka hap barkun e saj, Iliri i lumtur këndon këngën e luftës. Që secili…(Refren)
Iliri, të huajin e sulmon me thikë, Vetëm kur duhet të mbrojë vëllain e tij ! Kurrë frika nuk ia ul kokën, Dhe sikur bota të copëtohet, ai mbetet gjakftohtë ! Që secili prej nesh t’i këndojë një këngë
Në Gjakovë është hapur ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve dhe e njejta do të qëndrojë e hapur deri në orët e vona. Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian përmes UN Women (#EVAW), dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), shkruan KultPlus.com
“Duke ndodhur tani: Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, në sheshin “Nëna Terezë” në Gjakovë, ku do të qëndrojë e hapur për publikun deri në orën 22:00″, thuhet në postimin e tyre në Facebook.
LP, kohë më parë kishte lansuar këngën “Lost on you”, e cila shumë shpejt u bë ndër hitet më të mëdha të kohës. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot pavarësisht se kanë kaluar disa vite nga publikimi i saj, shkruan KultPlus.com
Gruaja e Ukë Rugovës, djalit të Presidentit Ibrahim Rugova, Blerta Kllokoqi-Rugova, në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, ka ndarë rrëfimin e Presidentit se si e kishte përjetuar ai sulmin mbi Kullat binjake më 11 shtator.
“Unë dua që sot, në 16 vjetorin e sulmit makabër mbi kullat e bukura binjake, të ju sjell rrëfimin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, rreth përjetimit të tij mbi sulmin terrorist në SHBA”, ka shkruar Blerta Kllokoqi-Rugova.
Ky është shkrimi i plotë i saj:
“Më 10 shtator nga Prishtina via Vjenë udhëtoja për një vizitë në Kanada. Gjatë gjithë udhëtimit, sidomos mbi Atlantik, më dukej se kishte më shumë turbulenca se sa herave të tjera. Posa zbritëm në Toronto, duke u përshëndetur me mikpritësit kanadezë dhe duke pritur për t’u nisur për Otava, në bisedë e sipër u thashë se udhëtuam mirë, por më dukej se sot patëm shumë turbulenca mbi Atlantik. Ishte bisedë rasti dhe nuk dëshiroja ta bëja këtë sugjestion.
Të nesërmen më 11 shtator u zgjova herët në mëngjes, ndërsa përgatitesha për ditën e punës, bashkëpunëtorët e mi hynë shpejt në dhomë e më thanë ta ndezë televizorin. E bëra këtë, më dukej se ishte CNN apo Fox News, dhe pashë tmerrin mbi kullat binjake. Nuk u besoja syve. Po pastaj fillova të kthjellëm se ishte bërë një terror dhe horror i madh.
Atë ditë u pajtuam me miqtë kanadezë të mos punojmë në shenjë solidarizimi. I bëra një telegram ngushëllimi Presidentit Bush. Të gjithë ishim të prekur. Të nesërmen u njoftova se i gjithë populli i Kosovës ishte prekur nga këto ngjarje tragjike dhe kishte shprehur solidaritetin dhe miqësinë me SHBA.
Pas disa ditësh qëndrimi u ktheva me avionët e parë për Evropë. Në sytë e udhëtarëve në aeroporte vërehej brengosja po edhe dëshira, aspirimi për të mirën. Posa u ktheva në Prishtinë i bëra një vizitë Zyrës – Ambasadës amerikane dhe u nënshkrova në librin e zisë.”
“Nuk dua të harrosh asnjëherë se sa shumë të dua. Ne prindërit shqiptarë jemi disi të ftohtë si natyrë. Nuk i shprehim hapur ndjenjat që kemi brenda nesh. Mendojmë se fëmijët tanë e kuptojnë vetë dashurinë e fortë që ne kemi për ta, por harrojmë se kur ndodhin keqkuptime dhe nuk i themi gjithë gjërat që mendojmë, dyshimet dhe pasiguritë mund të lindin si tek ne, edhe tek fëmijët tanë.
Unë nuk dua që ti të ndihesh e pasigurtë. Pasigurive që shoqëruan fëmijërinë dhe adoleshencën tënde pa një nënë përkrah, u ka ardhur fundi me kohë. Dua që këto fjalë t’i kujtosh gjithmonë, sepse do të jenë përherë aktuale dhe nuk do të ndryshojnë asnjëherë.
Ti je personi më me vlerë në jetën time. Dua të të dëgjoj të qeshësh dhe të të shoh të buzëqeshësh. Jam krenar për personin që ti je shndërruar dhe pavarësisht se çfarë ndodh në jetën tënde, unë besoj se ti do të bësh zgjedhjet e duhura.
Nga dita kur nëna jote u nda nga jeta, më dukej detyra më e vështirë të të rrisja ty. Ti ishe vetëm dy vjeçe dhe unë duhet të merrja përsipër çdo detyrë të saj dhe ta vija në praktikë me ty. Ti qaje shumë. Ndoshta nuk të pëlqenin gjërat që gatuaja unë dhe nuk doje t’i haje. Qaje kur unë të ushqeja.
Pastaj u rrite dhe fillove të bëheshe dalëngadalë një vajzë e pavarur. Gatuaje vetë. I bëje vetë punët e shtëpisë, ndërkohë që edhe mua më bëje krenar me rezultatet e larta në shkollë. U rrite dhe fillove të më shërbeje mua për të gjitha herët që unë isha kujdesur për ty. Je kujdesur për shtëpinë tonë dhe nuk i lije pas mësimet e tua. U rrite dhe i mendoje mirë gjërat që bëje.
Tashmë je një vajzë plotësisht e pavarur, e diplomuar dhe e punësuar në punën që përherë e ëndërroje ta bëje. Çfarë mund të kërkoj unë më shumë si një prind? Çfarë mund të kërkojë çdo prind më tepër se sa që fëmijët e tij të rriten të edukuar, të kulturuar dhe të përgjegjshëm?
Vlera e një prindi duket në mënyrën se si i rrit fëmijët e vet. Ndoshta me ty unë edhe kam gabuar diku. Ndoshta jam treguar edhe i ashpër ndonjëherë, por dije se kurrë nuk e kam bërë për të keqen tënde. Doja të të shihja kështu siç je tani. Një femër e aftë t’ia dalë mbanë e vetme përpara çdo sfide në jetë.
Mos mendo se duke të quajtur e rritur dhe e pavarur, nuk do të kujdesem për ty. Do ta bëj përherë. Përherë do të kujdesem, sepse ti do të mbetesh gjithmonë e vogla ime. Gjithmonë do të më duket sikur do të kesh nevojë për ndihmën dhe këshillat e mia në jetë. Unë s’do ta lejoj asnjë që të të lëndojë, sepse të kam rritur me plot vuajtje dhe sakrifica, si çdo prind shqiptar me fëmijët e vet. Nuk dua të shoh në krahët e dikujt që do të lëndojë, sepse ti meriton gjërat më të mira në jetë.
Babi të uron mijëra vite të tjera me shëndet, lumturi dhe shumë suksese në jetë! Bija ime e vogël, kurrë mos e harro sa të dua dhe se përherë do të kujdesem për ty. Përherë do më kesh pranë vetes. Uroj që vitet të mos na ndajnë kurrë! Edhe 100!” / KultPlus.com
Ndeshja e djeshme mes Anglisë dhe Kosovës ka marrë vëmendje të madhe nga mediat e huaja. Krahas historikut te Përfaqësueses së Kosovës dhe historisë së vendit, edhe tifozët dhe mbishkrimet e tyre ishin pjesë e interesimit të madh medial. Tifozët nga Kosova, ashtu siç e kërkon nderi dhe kultura shqiptare, u treguan falenderues dhe mirënjohës ndaj rolit të Britanisë së Madhe në bombardimet e NATO-së më 1999 në Kosovë, shkruan KultPlus.com
Prestigjozja “The Telegraph” i ka kushtuar këtë artikull tifozëve kosovar që në një numër shumë të madh udhëtuan në Londër në përkrahje të ekipit të tyre të zemrës, Përfaqësueses së Kosovës.
Ata kishin ardhur nga e gjithë Evropa dhe nga Mbretëria e Bashkuar në Stadiumin “St Mary” për një lojë që do të thotë më shumë sesa thjesht një ndeshje tjetër në kualifikues në Euro 2020 për kombin e ri të Kosovës dhe ekipin e tij të ri të futbollit.
Sipas burimeve zyrtare, 20,000 kosovarë prisnin në Southampton për ndeshjen kundër Anglisë dhe vetëm 10,000 midis tyre me bileta – një mbështetje ndërkombëtare larg si askush tjetër. Ata kishin ardhur me siguri për të mbështetur skuadrën e tyre, aktualisht pas 15-ndeshje të pamposhtur dhe të freskët nga fitorja ndaj Republikës Ceke të Shtunën, por ata gjithashtu kanë një dashuri të madhe për futbollin britanik dhe britanikët në përgjithësi.
Kristian Gashi, 30 vjeç, një përkrahës kosovar që ishte për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar nga shtëpia e tij në Austri po pyeste një ekip të BBC-së nëse mund të shfaqte flamurin e tij në pjesën e prapme të transmetimit të tyre live për lajmet e 6-të. “Faleminnderit juve tani luajmë kundër jush”, shkruhej në pankart . “Përgjithmonë mirënjohës ndaj jush, Anglia jonë e dashur”. Gashi erdhi nga qyteti kosovar i Ferizajt dhe deshi të shpjegojë për rolin e Britanisë në ndërhyrjen e Nato në luftën ballkanike të vitit 1998 deri në 1999.
“E kam provuar luftën dhe kurrë nuk kam menduar se në një hapësirë kaq të shkurtër kohe do të jemi këtu, duke luajtur futboll në një stadium,” tha ai. “Ne po luajmë kundër kombit më tradicional të futbollit. Unë gjithmonë do të jem mirënjohës për Anglinë dhe ato që bënë për vendin tim. Ata ndërhynë në shfarosjen e popullit tonë. Pastaj ata na ndihmuan më vonë që ekipi ynë të njihej në sport ”.
Rimor Arifi, 26 vjeç, nga Prishtina, ka një fotografi në telefonin e tij të një solisti britanik që luante futboll në rrugë me fëmijët kosovarë. Ai kishte ardhur për lojë dhe për të vizituar familjen. “Kjo ishte 20 vjet më parë dhe tani ne po luajmë me Anglinë,” tha ai, “është e mrekullueshme.” Arifi tha se kushëriri i tij kishte shpresuar të takohej me Tony Bler këtë javë. Ish-Kryeministri vlerësohej si një hero në Kosovë nga ana e tij në ndërhyrjen e Natos dhe në Kosovë ka një gjeneratë fëmijësh me emrin e tij. “Unë di rreth 20 fëmijë të quajtur” Tonibler “,” tha Arifi.
Luan Zeka, 55 vjeç dhe djali i tij Jon, 19 vjeç kishin ardhur nga Londra perëndimore për këtë lojë. Jon lindi në Londër një vit pasi familja e tij u shpërngul nga Prishtina dhe megjithëse ata zakonisht do të mbështesin Anglinë, ky ishte një propozim tjetër. “Asnjëherë nuk kemi menduar të shohim këtë ditë,” tha Leka. Djali i tij Jon tha se për kosovarët në Britani të Madhe në veçanti kjo ishte një ditë e rëndësishme. “Unë kam lindur këtu, kam qenë në gjendje të shkoj në shkollë këtu. Ne nuk do të zhgënjehemi nëse nuk fitojmë. Futbolli është thjesht një sport në fund të ditës ”./KultPlus.com
Jam shqiptar e kosovar; zot e krenar, zot e bujar mbi këtë dhé, q’e kam si fe, e përmbi fé: E kam vatan! E kam atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brez, që gjithëmonë. Ti shqa thërret, ti shqa bërtet, gjer lartë në retë se jam barbar. Jo, s’jam si bërtet ti, si buçet ti, ti, Mal i Zi. Po vendin tim e dua, lirinë e dua, e s’dua zot mbi mua. Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri, as shqa të zi. Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri; kur nga një det në tjetrin det isha zot vetë! Unë jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën fushë e malin mal. Unë jam këtu e do të jem – dem baba dem – sa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri. /KultPlus.com
Çarli Çaplin ishte një aktor komik, kompozitor, producent, regjisor dhe shkrimtar britanik, i njohur kryesisht si simbol i humorit dhe një përfaqësues i shkëlqyer i kinemasë pa zë. Mori famë me personazhin e tij Charlot. Ka marrë disa çmime nga 1928 deri në 1972, Oskarin Hornorifik, kandidat për Paqen në çmimet Nobel në 1948.
Ja disa prej thënieve të tij të paharrueshme:
Mëso sikur do të jetosh gjithë jetën dhe jeto sikur do të vdesësh nesër.
Mos harro kurrë të buzëqeshësh, sepse dita që nuk buzëqesh do të jetë një ditë e humbur.
Koha është autori më i mirë; gjithmonë e gjen një fund perfekt.
Jeta është e mrekullueshme, nëse nuk kini frikë.
Në fund të fundit, gjithçka është një shaka.
Nuk ka asgjë të përhershme në këtë botë të ndyrë. Madje as edhe problemet tona.
Kur një njeri plaket, kërkon të jetojë thellësisht. Një ndjenjë e dinjitetit të trishtuar pushton shpirtin e tij dhe kjo është fatale për një komik.
Mos prit që të të vijë radha për të folur; dëgjo me të vërtetë dhe do të jesh ndryshe.
Ka diçka të paevitueshme si vdekja dhe kjo është jeta.
Qesh dhe bota do të qeshë me ty; qaj dhe bota, duke të rrahur shpatullat, do të të lerë të qash.
Numrat të shenjtërojnë; nëse vret pak je një kriminel, nëse vret mijëra je një hero.
Parë së afërmi, jeta është tragjedi, parë së largmi duket komedi.
Kuptimi i vërtetë i gjërave gjendet duke thënë të njëjtat gjëra me fjalë të tjera.
Jam në paqe me Zotin, konflikti im është me njeriun.
Ji vetvetja dhe përpiqu të jesh i lumtur, por mbi të gjitha ji vetvetja. /KultPlus.com