Mbi 200 varre antike janë zbuluar gjatë gërmimeve të arkeologëve në Aklada, të Follorinës. Gërmimet në veri të Greqisë zgjatën për rreth tre muaj, dhe konkretisht u zbuluan 209 varre, 131 prej të cilave datojnë në kohën e Bizantit dhe 75 të tjera janë të periudhës arkaike.
Nga të gjitha varret, 6 ishin më të dallueshme, pasi ishin të veçuara të rrethuara me gurë dhe të shtruara me pllaka guri. Fatkeqësisht, arkeologët zbuluan se në një pjesë të madhe të tyre varret janë plaçkitur. Sidoqoftë, ata arritën të bëjnë zbulime që i përkasin periudhës gjatë gjysmës së 2-të të shekullit të 6-të p.e.s.
Sipas arkeologëve, varret e lashta janë të “llojit Ilir” dhe në to u zbuluan armatura, heshta hekuri dhe helmeta ilire, por edhe zbukurime ari.
Dy shpata hekuri, dy shtiza dhe një helmetë bronzi ilire u gjetën të vendosura rreth një vazoje të dekoruar me një grua që mban një pëllumb dhe dhe një sfinks me lirë që qëndron mbi fron. Në një vazo tjetër dallohej një figurë mitike, ndoshta Herkuli.
Mediat e specializuara në kërkimet arkeologjike shkruajnë se 4 prej helmetave të gjetura janë të stilit Ilir. Ndërkohë, me rëndësi të veçantë cilësohet një maskë varrimi prej ari që mendohet se përdorej në ceremonitë e varrimit të luftëtarëve të mëdhenj. /KultPlus.com
J. Michael Mendel, producent i serialit ikonik të animuar “The Simpsons” dhe fitues i katërfishtë i çmimit Emmy ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare.
Bashkëshortja e tij, Juel Bestrop, tha se Mendel vdiq nga shkaqe natyrale të dielën mbrëma në shtëpinë e tyre.
Zëdhënësi i rrjetit Adult Swim, në të cilin po transmetohet Rick and Morty, i tha lamtumirën Mendelit me fjalë emocionale: “Të gjithë ne në Adult Swim ndihemi të thyer për largimin e hershëm të Mike Mendel. Ai ishte zemra e familjes së produksionit Rick and Morty, talenti dhe zgjuarsia e tij fantastike do të na mungojë shumë. Mike është një producent i shumërespektuar i Emmy me mbi 25 vjet përvojë në industri, ai ka udhëhequr dhe mbështetur gjenerata të artistëve, shkrimtarëve dhe krijuesve dhe largimi i tij me siguri do të ndihet nga i gjithë komuniteti”.
Mendel filloi të merrej me produksion kur ishte student. Ai njihej për punën e tij në serialin “The Simpsons”. Ai i ka fituar tri çmime për animacion të jashtëzakonshëm në episodet “Lisa’s Wedding”, “Homer’s Phobia” dhe “Trash of the Titans”. Pas largimit nga “The Simpsons”, ai e bëri produksionin e shumë serive si “Drawn Together”, “Sit Down”, “Shut Up”. /KultPlus.com
Kryevepra e humbur e italianit Cimabue me vlerë më shumë se 6 milion dollarë, gjenden në kuzhinën e një gruaje franceze
Arti vazhdon të befasojë. Bota po njihet gjithnjë e me më shumë me ato thesare, të cilat janë zhdukur në mënyrë të mistershme, ose kanë mbetur pa dijeninë e zotëruesve të tyre si vepra “të pavlera”. Por fati gjithnjë surprizon, si me këtë punë kaq të vlertë, të cilën zotëruesja e pretenduar, e kishte varur në kuzhinën e saj, pa ditur jo vetëm për vlerën e vërtetë, por as për autorin e vërtetë dhe se si kjo kryevepër ka përfunduar, nderur mbi një gozhdë në ambintet e një shtëpie. Një kryevepër e humbur nga piktori fiorentine i shekullit të 13-të, Cimabue , është gjetur në një kuzhinë afër Parisit, lajmi ky është. Siç dihet, Cimabue (1240 – 1302), autor i të cilit është kjo pikturë, i njohur edhe si Cenni di Pepo, ishte një piktor italian mozaikësh. Megjithëse ishte i ndikuar shumë nga modelet bizantine, Cimabue përgjithësisht vlerësohet si një nga piktorët e parë të mëdhenj italianë, që shkëputet nga stili italo-bizantin. Ndërsa arti mesjetar atëherë trajtonte skena dhe forma që shfaqeshin relativisht të sheshta dhe shumë të stilizuara, figurat e Cimabue përshkruheshin me përmasa më të përparuara jetësore dhe dritëhije, ndryshe nga artistët e tjerë të kohës së tij. Sipas piktorit dhe historianit italian Giorgio Vasari, Cimabue ishte mësuesi i Giotto, artisti i parë i madh i Proto-Rilindjes Italiane. Sidoqoftë, shumë studiues sot kanë tendencë të rrëzojnë pretendimin e Vasarit, duke cituar burime të mëparshme që sugjerojnë mendime të tjera. Piktura e gjetur, e titulluar “Christ Mocked”, pritet të kapë si vlerë fillestare deri në 6 milion Euro, ose 6.59 milion dollarë, në një ankand muajin e ardhshëm. Kjo vlerë është saktësuar pasi është vërtetuar nëpërmjet analizave, ekzaminimeve dhe testeve origjinaliteti i veprës. Një grua e moshuar franceze nga qyteti i Compiegne kishte mbajtur veprën e rrallë të artit varur në kuzhinën e saj, duke e hamendësuar atë thjeshtë si një ikonë fetare greke-, tha Montcouquil. Pronarja nuk e dinte se nga erdhi piktura e dimensioneve 25.8 x 20.3 centimetër, shtoi ai. “Nuk u desh shumë kohë për të parë se ishte një vepër arti nga piktori italian Cimabue. Ai është një baba i pikturës, kështu që ne e njohim punën e tij shumë mirë,” i tha Montcouquil për CNN. “Ka vetëm njëmbëdhjetë piktura të tij në botë – ato janë të rralla”. Montcouquil tha gjithashtu se puna është pjesë e një angazhimi krijues të bërë në vitin 1280, kohë kur artisti pikturoi tetë skena të përqendruara të pasionit dhe kryqëzimit të Krishtit. Stili i pikturës, sfondi i artë dhe gjurmët e kornizës së vjetër ndihmuan ekspertët që të identifikojnë pikturën si pjesë të triptikut, sipas një njoftimi për shtyp nga ankandi Acteon. Shtresa piktoreske mbetet në “gjendje të shkëlqyeshme” përkundër grumbullimit të pluhurit, nënvizon burimi. /AlbertVataj /KultPlus.com
Gjuha angleze vazhdon të jetë gjuha e huaj më e popullarizuar e cila mësohet në vendet e Bashkimit Europian, thonë të dhënat e Eurostatit.
Sipas atyre të dhënave, në vitin 2017 rreth 89 për qind e nxënësve kanë mësuar gjuhën angleze në klasat e ulëta të shkollave të mesme, përcjell Koha.net.
Pas gjuhës angleze, vjen gjuha frënge me 33,4 për qind, pastaj ajo gjermane me 23,3 për qind dhe gjuha spanjolle me 16,9 për qind.
Megjithatë, në disa vende anëtare të BE-së, pos gjuhës angleze mësohen po ashtu edhe gjuhë të tjera të huaja.
Për shembull, më shumë se 50 për qind e nxënësve mësojnë gjuhën frënge në klasat e ulëta të shkollave të mesme në Irlandë, Itali, Holandë, portugali, Rumani dhe në Qipro, transmeton Koha.net.
Gjuhën gjermane e mësojnë më shumë se gjysma e nxënësve në Danimarkë dhe Poloni, ndërsa spanjisht mësojnë pak më shumë se gjysma e nxënësve të kësaj moshe në Francë.
Në vendet anëtare të BE-së gati të gjithë nxënësit e klasave të ulëta të shkollave të mesme mësojnë dy e më shumë gjuhë të huaja. /KultPlus.com
Lindsay Lohan e ka publikuar zyrtarisht rikthimin e saj muzikor. Ylli i “Mean Girls” e paralajmëroi singlin e saj “Xanax” muajin e kaluar ndërsa e lansoi këngën e plotë të martën, përmes Instagramit.
Në këngë gjithashtu interpreton Alma, e cila i bashkë-kompozoi singlet e Miley Cyrus “Mother’s Daughter” dhe “Slide Away”.
Gjithashtu u publikua videoja shoqëruese muzikore dhe ajo e përmban “një përmbledhje të skicave të jetës”.
“Familja, dashuria, procesi i ecjes përpara dhe braktisjes së të kaluarës”, shtoi Lindsay në titull. “Të jetosh dhe të jesh i lumtur, pa frikë. Vetëm të jesh mirënjohës dhe t’i hapësh sytë ndaj mundësive në vend që ta mpijmë mendjen”.
“Xanax” është kënga e parë e Lohan që nga “Bossy” e vitit 2008. /KultPlus.com
Franc Kafka ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.
• Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.
• Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.
• Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.
• Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.
• Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.
• Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.
• Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.
• Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.
• Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.
• Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.
• Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.
• Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.
• Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.
• Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.
• E ligë është çdo gjë dëfryese.
• Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.
• Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.
• Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.
• Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.
• Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?
• Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.
• Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.
• Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.
• Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?
• Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.
• Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.
• Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.
• Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.
• Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.
• Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.
• Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.
• “Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.
• Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.
• Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.
• Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.
• Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.
• Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.
• Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.
• Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.
• Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.
• Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.
• Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.
• Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.
• Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.
• Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.
• Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.
• Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.
• Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.
• Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji.
Para një shekulli shqiptarët ortodoks të rrethit të Strugës ende flisnin dhe fymonin në gjuhën shqipe. Pas okupimit serb të tokave shqiptare të vitit 1913, filloi beteja e sllavizimit të kishave dhe manastireve ortodoks dhe mbajtja e meshës dhe liturgjisë në serbisht.
Për pasojë fillon edhe asimilimi i ortodoksëve shqiptarë në rrethin e Strugës dhe jo vetëm. Shqiptarët otodoks të Strugës tashmë të asimiluar kanë kërkuar që më 1941, në Tiranë të njihet nga qeveria fashiste e kohës, gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në Strugë. 78 vjet para subjekteve politike shqiptare Paria e komunës së Strugës, së bashku me shqiptarin ortodoks Mitre Radozhda, kanë shkuar në atë ”kohë të Shqipërisë” më 1941, të kërkojnë nga qeveria e Tiranës të vendos gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.
Sot, pas 78 vitesh subjektet politike shqiptare krenohen me një ligj të gjuhëve që ata e quajnë ligji për gjuhën shqipe, që nuk është tjetër veç se përdorimi i gjuhës së 20% krahas sllavishtes. Krahasimi me kohën kur ortodoksët shqiptarë që kërkonin shqipen si gjuhë zyrtare me qëndrimet e kësaj klase politike kusarësh sot, është një tregues shumë i qartë i tradhtisë ndaj kauzës kombëtare.
Gatishmëria dhe kërkesat politike të kohës nga një pjesë e shqiptarëve ortodoks të Strugës, dëshmojnë sot për origjinën shqiptare të ortodoksëve të asimiluar nga shqiptarë në sllavo-maqedonas. Një dëshmi tjetër e gjallë në këto anë janë edhe fisi shqiptar ortodoks Tanasi( Tanaskoski) nga fshati Kalisht, ku pas luftës së ll bot. me presionin dhe propagandën e politikës sllave përmes sundimit të kishës serbe mbi klerin ortodoks në kishën e Kalishtit, ata u asimiluan dhe sot ndihen si sllavë.
Duhet përmendur këtu edhe një fakt sipas dëshmitarëve të kohës se gjyshi i nipërve Tanasi, xha Naumi (Naum Kalishti) nuk ka ditur mirë të flas sllavishten por fliste mirë shqipen e dialektit tosk! Pasardhësit e Naum Kalishtit fatkeqsisht sot ndihen si sllavë dhe jo shqiptarë. Një personazh tjetër i luftës për liri dhe identitet kombëtar shqiptar në rrethin tonë ishte edhe komandanti forcave kryengritëse shqiptare Milan Mato, një shqiptar ortodoks i cili në kordinim me udhëheqësit e shtetit të sapo formuar dhe të cunguar shqiptar, udhëhoqi kryengritjen e 1913, kundër pushtuesve serb deri në luftën e Petrinjës. Pas shuarjes së kryengritjes fillon asimilimi me pushtimin dhe sundimin serb mbi trojet shqiptare deri në vendosjen pushtetit të demonkracisë sllavo-maqedone me ”amin” të vasalëve shqiptarë të subjekteve politike.
Raste të asimilimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve ortodoks ka gjithandej në regjionin e Ohër-Strugës. Kjo është një nga historitë e dhimbshme shqiptare ku identiteti fetar ortodoks shqiptar u shkri në atë sllav. Dhjetra raste të tjera si këto ka gjurmuar gazetari shqiptar Marin Mema, në kërkim të rrënjëve të humbura të shqiptarëve ortodoks. Raste këto që janë gjurmë të historisë sonë të dhimbshme të asimilimit të orkestruara dhe të ndërmarrë nga qeveritë e krajlëve të Serbisë dhe të partizanëve të ”druzhe”Titos, për afro një shekull të sundimit të tyre mbi trojet tona. /KultPlus.com
Këngëtarja Rita Ora po vazhdon suksesshëm kampanjën e saj të bashkëpunimit me markën e njohur të rrobave, “Escada”.
Përveç muzikës, ajo ka treguar gjithmonë interes edhe për fushën e biznesit, në të cilën investon thuajse paralelisht me muzikën.
Rita ka realizuar një tjetër reklamë për linjën e re të veshjeve “Escada”, të cilën e ka ndarë me fansat në Instagram, ndërsa është shfaqur mjaft atraktive në të kuqe.
Ndërkohë, në përshkrimin e videos, ajo thotë se ka një befasi për fansat që do të vijë të dielën më 29 shtator, e që mesa duket ka të bëjë me lansimin e koleksionit të saj më të ri në partneritet me markën në fjalë.
“Nuk mund të besoj se dita është kaq afër!! Unë jam duke e mbajtur këtë një sekret me “Escada”, për atë që duket si përgjithmonë por është pothuajse koha për koleksionin tim #ESCADA x RITAORA. Mbani një sy mbyllur për historitë e mia nga Parisi të dielën! Së shpejti”, ka shkruar këngëtarja shqiptare në mbishkrimin e videos, në Instagram.
Rita përndryshe së fundmi e tregoi edhe njëherë solidaritetin e saj me shqiptarët, duke bërë thirrje që në kuadër të UNICEF, të ndihmojnë në dhurimin e fondeve për të ndihmuar fëmijët e prekur nga katastrofat natyrore.
Këngëtarja e lindur në Prishtinë është ambasadore e UNICEF, ndërsa po këtë vit ajo është bërë edhe imazhi i markave të njohura botërore, ndër to edhe “Escada”./KultPlus.com
Festivali “Hyjnesha në Fron” do të zhvillohet nga data 27 shtator deri më 1 tetor 2019, në Pallatin e Rinisë, ish-Amfiteatri i ASK-së.
Gjithsej në konkurrencë janë: nëntë filma të metrazhit te gjatë, dy filma në programin special të festivalit, 22 filma të shkurtë dhe pesë filma dokumentarë.
Ceremonia e hapjes së festivalit do të mbahet nga ora 19:30 në ish-amfiteatrin e ASK-së. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë aktivitete të ndryshme, siç është shfaqja e filmave në tren nga Prishtina në Pejë, e cila është pjese e festivalit qysh nga edicioni i parë.
Do të ketë “masterclass” me tema të ndryshme mbi orientimin në karrierë, në kuadër të artit në përgjithësi!
Gjithashtu “Hyjnesha në Fron” do të përgatitë një libër mikpitës gjatë ditëve të festivalit, e cila do të ju krijojë mundësi aktorëve profesionalë dhe atyre jo-profesionalë, të fotografohen në këndin e “casting”-ut dhe të dhënat e tyre personale të regjistrohen menjëherë në këtë libër.
Çmimet te cilat do të ndahen në këtë festival, janë sipas këtyre kategorive përkatëse:
Çmimi i rolit kryesor i Aktorit më të mirë dhe Aktores më të mirë
Çmimi- Skenari më i mirë
Çmimi – Regjia më e mirë
Çmimi – Filmi më i mirë
Çmimi special i festivalit të filmit “Hyjnesha ne Fron”
Çmimi- Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë
Çmimi Special i festivalit për film me metrazh të shkurtë
Çmimi për Dokumentarin më të mirë
Çmimi Special i festivalit për film Dokumentarë. /KultPlus.com
Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave para disa vitesh i është dhuruar arkivi personal i poetit Lasgush Poradeci (Llazar Gusho) nga të bijat e tij, Marie dhe Kostandina Gusho.
Ky fondi personal i Lasgush Poradecit i dhuruar nga familja, mbas një viti proces restaurimi dhe përpunimi tashmë është i qasshëm për të gjithë studiuesit.
Arkivi personal i Lasgushit, përfshin mijëra fletë dorëshkrime, shtypshkrime, gazeta, revista, fotografi dhe kartolina, ftesa e telegrame, partitura, harta, kartëmonedha, certifikata, diploma, madje edhe dekorata e pulla poste.
Të gjitha këto ofrojnë një material të pasur të dorës së parë, për studiuesit e jetës dhe veprës së Lasgush Poradecit. Përmes dorëshkrimeve mund të kuptohet diçka më shumë rreth procesit krijues të poetit, studiuesit e letërsisë së krahasuar mund të kenë mundësi krahasimi variantesh.
Gjithashtu kuriozët mund të zbulojnë se çfarë gazetash, revistash shfletonte ai, me kë mbante korrespondencë, etj. /KultPlus.com
Mua tani më vjen për të qarë.
Më duket sikur shkarkesa yjesh më janë grumbulluar te sytë.
Dot nuk duroj,
ndërsa çengelat e nervave nderas tërhiqen
kundrejt njëri-tjetrit.
Kangur me foshnjën në xhep
duket figura ime së largu
këtu në bregdet.
Më vjen për të qarë.
Jam bërë barrë.
Me siguri molusqet e buta tani
lëvizin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilet e kuq
kushedi ç‘udhëtim te mahnitshëm
kanë marrë
Është çudi kur je femër…
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit…
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë e mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë detit ku i vjen për te qarë, për te qare,
ngaqë se si është, është me barrë.
Ne ato orë të ditës kur molusqet e buta
hapin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilet e kuq
kushedi ç‘udhëtim të mahnitshëm kanë marrë…
Placido Domingo tërhiqet nga Metropolitan Opera e New York-ut, ku do të vinte në skenë ‘Marbethin’ e Xhusepe Verdit. Lajmin e bën me dije Ap, që nënvizon që tenori tërhiqet nga të gjitha performancat e ardhshme të Met Opera.
Vendimi lidhet me akuzat për të për ngacmim seksual nga disa femra. Të hënën Domingo mori pjesë në provat e përgjithshme të ‘Makbeth’, por disa orë më pas nga fillimi këngëtari u tërhoq. Një vendim i marrë në dakordësi të plotë, që është komunikuar të martën nga Metropolitan Opera, pas presioneve të shumta për të bërë që artisti të mos shfaqej në publik.
‘Kam debutuar në Metropolitan Opera që nga mosha 27 vjeçare dhe kam vazhduar të këndoj në këtë teatër të mrekullueshëm për 51 vitet. Teksa diskutohet kaq fort për akuzat e fundit në lidhje me mua dhe jam i shqetësuar për klimën e keqe në të cilën njerëzit dënohen pa një proces, pas një reflektimi të kujdesshëm, besoj që prezenca në këtë produksion të ‘Makbethit’, mund të heqë vëmendjen e kolegëve të mi në skenë dhe mbrapa skenës’, ka bërë me dije Domingo në një komunikatë.
‘Kam kërkuar të tërhiqem dhe falënderoj Met, që ka pranuar kërkesën time. Jam i lumtur që në moshën 78 vjeçare, kam pasur mundësi të interpretoj këtë rol fantastik në provat gjeneralë të ‘Makbeth’, që e konsideroj performancën time të fundit në skenën e Met’. /KultPlus.com
Piktori tetovar Agron Saliu, për artdashësit në atelienë e RMV-së në “Cite Internationale des Arts” ka hapur ekspozitën e tij të radhës të titulluar “ Portrete”, shkruan KultPlus.com
Saliu tha se një pjesë e madhe e portreteve në vizatim është realizuar përgjatë qëndrimit në Paris.
“I pasionuar nga vetë kryeqendra e artit botëror disa prej portreteve i realizova gjatë qëndrimit në Paris. Ato janë një vazhdimësi e portreteve që trajtoj ndër vite, dhe pikërisht vendosa në vizatim për dallim nga hera e parë që jam ekspozuar me piktura”, deklaroi Saliu para hapjes së ekspozitës.
Ekspozita e Saliu në Paris është mbështetur nga Ministria e Kulturës e RMV-së.
Piktori, Agron Saliu, i përket brezit të piktorëve bashkëkohorë nga Maqedonia. Ai është një artist akademik nga qyteti i Tetovës, vendlindja e dy universiteteve: Universitetit Shtetëror i Tetovës si dhe Universiteti i EJL. Ai u diplomua në drejtimin për pikturë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në klasën e profesorit Ilirjan Beqiri.
Agron Saliu, shpejt e formoi zhanrin e tij artistik si piktor i portretit në botën akademike dhe gjithashtu në komunitetin e artistëve në të gjithë botën. Ai ka prezentuar ekspozita të shumta solo në Paris, Vjenë, Sarajevë, Zagreb, Podgoricë, Shkup, Tetovë etj.
Projekti më i ri në fushën e kulturës dhe turizmit po vjen me një varg aktivitetesh, shkruan KultPlus.
SOFAT është një festival kushtuar pasurisë kulturore të jetës rurale, një dimension njerëzor kompleks të cilin tashmë po e rizbulojmë e rivlerësojmë vazhdimisht nëpërmjet peizazheve, arkitekturës, veshjeve, muzikës e ushqimit. Festivali ka për qëllim që përveçse të sjellë në vëmendje vlerat e larmishme të zonës së Asim Zenelit, Libohovës e në përgjithësi qarkut të Gjirokastrës, të na lidhë me atë pjesë më të gjerë të identitetit tonë gjeografik që është Mesdheu. Në këto data e vende do të keni mundësi që të vilni rrush e fruta të ndryshme, të zieni raki, të shkoni nëpër baxho e ferma kuajsh, të gatuani me njerëzit e zonës dhe mbi të gjitha të kërceni e dëfreni me ta. Një numër i privilegjuar vizitorësh do të kenë mundësi të flenë dhe ushqehen në shtëpitë e vetë banorëve të zonës e të ndajnë me ta përvoja e histori të ndryshme.
Të gjitha këto ndjesi do të kemi mundësi t’i provoni më datë 27 e 28 Shtator në Asim Zenel (Gjirokastër) dhe në 4 e 5 Tetor në Libohovë.
Hyrja në koncert do të jetë e lirë për të gjithë pjesëmarrësit.
Organizuar nga Turtle Fest dhe Visit-Gjirokastra, me mbështetjen e RISIAlbania një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, Institutit Italian të Kulturës, Bashkisë Gjirokastër dhe Libohovë. / KultPlus.com
Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme.
KultPlus ka shkëputë këtë deklaratë që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.
Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria dhe fiziku më shumë se intelekti. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen. /KultPlus.com
Gjuha shqipe prezantohet në “Ditën Evropiane të Gjuhëve” në Institutin Gothe, Rotterdam, Holandë. Në festën tradicionale të diversitetit gjuhësor në Evropë që organizohet çdo 26 shtator, do të ketë aktivitete kulturore për të promovuar vlerat dhe kulturën tonë gjuhësore, shkruan KultPlus.com
Prej 18 vitesh, “Dita Evropiane e gjuhëve” bashkon njerëz me prejardhje dhe kultura të ndryshme me qëllim promovimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor të Evropës, rritjen e ndërgjegjësimit për gjuhët si dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërkulturor me njëri-tjetrin.
A dëshironi të ndjekni studimet master me orar fleksibil apo online, ku ligjërojnë profesorë vendor e ndërkombëtar dhe pastaj të vazhdoni studimet jashtë vendit me BURSË të plotë, Kolegji Universum është vendi se ku ju duhet të drejtoheni https://bit.ly/2HuMame
Programi Master në
Kolegjin Universum është i vetmi program i cili është ranguar si i 16’ti në
Evropën Lindore dhe në Top 200 programet më të mira të kësaj fushe në botë nga
agjencia prestigjioze franceze Eduniversal.
Këtë
vit Këshilli shtetëror i cilësisë i Agjencionit të Akreditimit të
Kosovës ka akredituar edhe programin Master në Diplomaci.
Fillo
studimet Master në Kolegjin Universum.
Eksploro Evropën gjatë studimeve, përfito BURSË të plotë për
studime në njërin nga 22 shtete të BE-së. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame
E ka titulluar “Fillimi”, por kënga që do të jetë edhe kënga e parë në albumin solo të Erza Muqollit, e që është në gjuhën frënge, do të tingllojë edhe në gjuhën shqipe, pasi që, Erza Muqolli në këtë album ka përzgjdhë vargjet e poetit të madh shqiptar Naim Frashëri “Ti Shqipëri më jep nder”, shkruan KultPlus.
Mehmet Muqolli, menaxher i Erza Muqollit
ka bërë të ditur për KultPlus se kjo këngë është edhe kënga që hap albumin e
Erza Muqollit.
“Albumi i saj i parë do të nisë shqip, me vargjet e Naim Frashërit. Dhe kënga ëshët xhiruar në Kosovë, pasi që kemi dashur që përpos këngës në gjuhën shqipe, të sjellim edhe imazhe të Kosovës”, ka thënë Muqolli.
E vecanta e kësaj pjese të gjuhës shqipe
është se ky album është punuar nga një ndër kompozitorët më të famshëm francez,
dhe ky album është mjaftë premtues për këngëtaren shqiptare, sikurse që ka
treguar sukses të madh edhe përgjatë viteve të fundit.
Erza Muqolli në të njëjtën kohë ka lansuar edhe një këngë tjetër nga albumi i saj i parë, dhe ajo tutullohet “Devent”, kurse albumi do të lansohet më 25 tetor.
Erza Muqolli së fundi ka mbajtur koncert
edhe në Kosovë, e cila ishte e ftuar nga gazeta e parë për art dhe kulturë KultPlus, e cila është prezantuar para audiencës
kosovare në kuadër të projektit “Ta zbardhi ftyrën”, poashtu projekt i
KultPlus.
KultPlus ju sjell të dy projektet e fundit të Erza Muqollit, “Fillimi”, që është i shoqëruar edhe me videoklip, kurse “Devent”, tash për tash është lansuar veteëm si audio./KultPlus.com
Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” realizoi projektin e emërtuar “Fole”. Në lokalin “Kafja e Egzonit”, pas hapjes së mbrëmjes nga udhëheqësi i këtij asociacioni, Avni Shkodra, projekti u nis me prezantimin për ikjen e lejlekëve nga biologu i ri shqiptar, Liridon Hoxha, i cili jeton aktualisht në Konstancë të Gjermanisë.
Hoxha prezantoi shtegtimin e lejlekëve, unazimin e tyre, vendosjen e GPS-ave dhe projektet e shumta me studiuesit gjermanë edhe në Kosovë, ndërsa Avni Rudaku, sociolog, prezantoi disa copëza rrëfimesh nga libër-dorëshkrimi me hulumtimin e tij – vëzhgim me pjesëmarrje, “Hajmet i hanë refugjatët”, duke prezantuar gjetjet e tij për mënyrën e jetesës në hajmet e Gjermanisë, bashkëjetesën e azilkërkuesve kosovarë bashkë me refugjatët e Lindjes së Mesme, por hera-herës edhe keqkuptimet kulturore që lindnin qoftë ndërmjet vetë refugjatëve, qoftë ndërmjet refugjatëve dhe vendasve.
Në konceptin ideor të
projektit “Fole”, “Varg e Vi”, ndër të tjerash, shënon:
Në projektin “Fole” të organizuar nga Varg e Vi, ofrohen dy prezantime, dy qasje, dy rrugë, dy universe, dy rende, dy familje, dy klasa, dy lloje, dy shtegtime, dy qenie, dy organizma, dy gjallesa, dy rrëfime, dy përvoja, dy mbresa që në dukje janë të ndryshme, kundërthënëse e komike, e që në thelb, shndërrohen në tragjedi. Biologu nga Gjermania, vjen nga një mjedis ku njeriu tejkalon plotësimin e nevojave biologjike dhe bashkëjeton me kafshët e brengoset për biodiversitetin, ndërsa sociologu rritet në një shoqëri ku shtegtojnë njerëzit, dhe ku paradite një fëmijë kafshohet prej një qeni endacak e vdes tragjikisht, dhe pasdite shoqëria polarizohet: shumica e pështyjnë sistemin e disa me mllef edhe kundër kafshëve e fajësimit të tyre, dhe një pakicë që proteston për Të Drejtat e Kafshëve, sepse vjen nga universi i biologut, ose synon me të drejtë ta instalon universin e tij, këtu dhe tash. Edhe në Kosovë jetohet në dy universe paralele: dëshira si atje, pamundësia këtu! Epilogu nuk përfundon me triumfin e njërit apo tjetrit narracion e narrator, as me zoocentrizmin (kafshët në qendër!), e as me antropocentrizmin (njerëzit në qendër!), por me biocentrizmin (jeta është në qendër!). “Fole” nuk i dhurohet as bimëve, as kafshëve dhe as njerëzve, por gjallesave në përgjithësi dhe jetës në tërësi.
“Varg e Vi” në muajin tetor, do të vazhdon me projektin tjetër të radhës, ndërsa projekti i tyre “Fole” mori përkrahjen nga Komuna e Gjilanit. / KultPlus.com
At Zef Pllumi lindi më 7
prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe vdiq më 25 shtator 2007.
Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet
fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.
Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe.
Në vitin 1990 u kthye në
Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe
edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një
ndërprerjeje del serish në vitin 2003.
Ai shkruan dhe boton
trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”,
“Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, ndërkohë, me gjithë moshën e
thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punoi
vazhdimisht edhe për libra të tjerë.
Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe ka shkruar artikuj në mjaft organe të shtypit shqiptar. Shkrimtari i njohur At Zef Pllumbi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarëve me çmimin “Penda e Artë”. / KultPlus.com
Dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është shpalosur në mënyrë të përkryer kultura çame përmes promovimit të librit “Këngë Popullore të Çamërisë”. Autori u përkujtua në post-mortum, por vepra e tij u vlerësua si e gjallë, si e vlefshme, në mesin tonë, jo vetëm për shqiptarët në Çamëri por për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve, shkruan KultPlus.
Këngët janë aty, për ta kujtuar të kaluarën, për ta shprehur të tashmen, apo për ta projektuar të ardhmen. Ata janë aty, për ta shpalosur gjithë korpusin popullor të shqiptarëve të Çamërisë, nga një autor që ka bredhur rrugëve për të lënë pas vetes një testament kulturor, për të lënë pas vetes një kujtim për të, për shqiptarët e Çamërisë.
“Është një kënaqësi e veçantë që sot jemi në mesin e vëllezërve tanë kosovar”, kështu e filloi fjalën e tij, studiuesi dhe kritiku, Hajredin Ismaili.
Duke folur për autorin ai ka treguar për jetën e tij të vuajtur dhe njëkohësisht ka shprehu vlerësimin e tij për veprën e autorit Fatos Mero Rrapaj. “Çdo shqiptar e ka për detyrë të kontribuojë për çështje e atdheut të vet. Pra nuk kemi bërë asgjë në krahasim me atë çfarë ka bërë autori i librit. Ne jemi lodhur pak, ai është lodhur me vite të tëra. Ai ka qenë një njeri i pasionuar, ka punuar me vite të tëra nuk ka lënë familje çame në fshat dhe qytet pa hyrë dhe pa trokitur. Atë e ka motivuar një interes kombëtar, dhe dua ta dini se ai ishte një punëtor si një roje nate që merrte një rrogë me katër dollar në muaj, dhe ai vdiq i papërfillur. Dhe, ne shqiptarët, kemi një zakon që i kujtojmë njerëzit pas vdekjes. Njeriu duhet të kujtohet për veprat e tij kur është gjallë që të paktën t’i kënaqet atij shpirti. Shoqëria çame ka pasur në konsideratë vlerat e tij”.
Tutje, ai ka thënë se vepra e Rrapajt është e pashmangshme për çdo studim tjetër. “Vepra që kemi sot në dorë, asnjë historian dhe studiues nuk mund t shkruaj pa e pasur parasysh këtë libër. Aty i ke të gjitha, doket, zakonet, ke këngët e trimërisë, ke këngë për heronjtë, për trimat, por ke edhe shumë këngë që janë të përbashkëta me Kosovën”.
Ndërsa drejtori i fondacionit “Hasan Tasini”, Alked Veliu, fillimisht ka shprehur një varg falënderimesh për të gjithë ata që ndihmuan botimin e kësaj vepre. “Për botimin e këtij libri unë kam për të shprehur disa mirënjohje të veçanta, për të gjithë ata që mundësuan ribotimin e kësaj vepre. Po filloj me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që është botues i këtij libri. Në mënyrë të veçantë do të doja të falënderoj dy profesor që janë marrë me ribotimin e këtij libri, profesor Hajredin Isufi që e kemi këtu si dhe profesor Shaban Sinanin, i cili për arsye shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm”.
Ai ka thënë se ndihet mirë që aktiviteti i parë i këtij fondacioni po fillon në Kosovë teksa ka uruar për fat në të ardhmen. “Unë ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe shpresoj që ky aktivitet i parë i fondacionit “Hasan Tasini” në Prishtinë të jetë vërtetë një fat dhe uroj e shpresoj që këtij fondacioni të ju bashkohen çdo ditë e më shumë shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo është dhe arsyeja pse është krijuar ky fondacion”.
Në një fjalë rasti Avni Dehari ka shprehur vlerësimin dhe falënderimin për të gjithë kontribuuesit në këtë ngjarje teksa ka uruar për suksese të mëtejme të fondacionit. “Ndihem tepër i nderuar që sot marrë pjesë në një aktivitet me peshë të madhe kombëtare. Përgëzoj për këtë aktivitet organizatorët dhe një falënderim të veçantë shpreh për autorin e këngëve çame që ka punuar me kaq përkushtim. Fondacionit “Hasan Tasini” i dëshiroj suksese në veprimtarinë e tyre”.
“Këngë popullore nga Çamëria” e autorit Fatos Mero Rrapaj, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është libri i cili nëpërmjet vargjeve të njeh me historinë e kësaj treve që nga Piro i Epirit deri në luftën anti-fashiste. Libri është një shprehje identitare e plotë e Çamërisë e cila vjen nga goja e popullit e papërpunuar. Ky aktivitet u mbyll me këngë Çame kënduar nga zërat brilantë të Çamërise, Enkeleda Arifi dhe Hysni Alushi si edhe vallja e Osman Takës nga valltarët e talentuar, vëllezërit Çam të Vlorës. / KultPlus.com
Kështu iu përgjigj ftesës sonë për të ardhur për një
bisedë me lexuesin shqiptar, autori francez Michel Houellebecq, tashmë me
shtatë romane në gjuhën shqipe. Nga sot edhe “Serotonina”, e
përkthyer mjeshtërisht nga përkthyesja e talentuar Edit Dibra. Romani ka pak
kohë qe është botuar në Francë dhe cilësohet një nga veprat më të mrekullueshme
të autorit. Nëse lexuesi gjen nëpër të ndonjë “gabim”, ndonjë
“përsëritje”, ndonjë stop word, ta dijë që është e origjinali, të
cilin e kemi mbetur besnikë për të respektuar stilin e tij, të patëdytë.
Më jep lumturi ndjesia që e kam botuar pa asnjë lodhje e brerje
këtë autor, që nuk është autor i milionave, por që ndrit mendjet e milionave.
Michel Houellebecq nuk është shkrimtar, është vetëdije e
frikshme.
Michel Houellebecq nuk është rrëfimtar, por udhërrëfyes real.
Michel Houellebecq nuk është peizazhist, por “pajisja” më e
sofistikuar e vëzhgimit të thelbit tonë, dhe të botës ku rrojmë.
Michel Houelleecq është profeti ynë letrar.
Një muaj pas botimit të “Platformës”, ndodhi 11
shtatori i rënies së Kullave Binjake
Në të njëjtën ditë që botoi “Nënshtrimi”, ndërsa ende ishte në studio
për intervistën e parë të librit, ndodhi masakra në redaksinë e Charlie Hebdo.
Pak javë pas botimit të “Serotonina” plasi lëvizja e “Jelekverdhëve”,
siç e përshkruan ai revoltën njerëzore.
Dy fjalë për “Serotonina”
Një nëpunës francez, i cili ia ka kushtuar karrierën e tij
bujqësisë, agrokimisë dhe bioteknologjisë, tashmë është pjesë e ekipit që
kujdeset të promovojë djathërat franceze në tregun europian dhe t’i mbrojë ata
nga kërcënimi i globalizimit. Ai sapo është ndarë nga e dashura, Juzuja, një
rioshe japoneze njëzet vjet më e re, dhe po jeton me kujtimet e flirteve dhe
dashurive të shkuara, mes të cilave, ndjenja e fuqishme për Kamilën, do ta
shtyjë sërish nëpër aventura të reja. I gjendur në këtë zgrip, ai lë
apartamentin e tij dhe nis e endet nëpër hotele luksoze, i qetë se Kaptoriksi,
antidepresivi që merr me rekomandimin e një mjeku të çuditshëm, do t’ia shtojë
prodhimin e Serotoninës në trup, kësisoj do ta mbajë njeri normal dhe
funksional, edhe pse me riskun për t’u privuar nga libidoja dhe kënaqësitë e
saj. “Serotonina”, me magjinë e saj të papërsëritshme, mes ironisë thukëse dhe
trishtimit të fshehur pas saj, është një vaj për jetën e vërtetë që po venitet
relievit mahnitës të Francës. Houellebecq është zëri i qartë francez, që bën
shpjegimin tronditës për Europën sot, por edhe të botës ku po jetojmë.
“Mes diktatorëve të heshtjes së kohëve tona, vetëm ca prej tyre ia kanë dalë të bëjnë zhurmë aq zëlartë, sa të Michel Houellebecq.” John Banville / KultPlus.com
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Kinemateka Shqiptare dhe Ambasada Austriake, kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në shfaqjen e katër dokumentarëve të mirënjohur nga kineastja Austriake – fituese e Berlinales, Ruth Beckermann, e cila do të jetë personalisht në Tiranë, nga e hëna, 30 shtator deri të mërkurën, 2 tetor, 2019, për të prezantuar secilin prej filmave të saj.
Të hënën, më 30 shtator në ora 21:00, do të shfaqet në
Kinema Millenium, WALDHEIM WALTZ, që dokumenton historinë e vërtetë të
zgjedhjeve të vitit 1986, kur nazisti Kurt Waldheim, ish-sekretari i OKB-së, u
përpoq të mbulojë krimet e tij të luftës. Të Martën, 1 Tetor, Ruth
Beckermann do të prezantojë dokumentarin fitues të Vjenales, EAST OF WAR,
në orën 21:00. Ky film i fuqishëm u xhirua në muzeun ku ekspozoheshin
krimet e luftës gjermane dhe Ruth intervistoi veteranët mbi ngjarjet që
mbajnë mend, dhe ato që i mohojnë.
Të Mërkurën, 1 Tetor, Ruth Beckermann do të prezantojë dy
filma në Kinema Agimi. Në orën 19:00, Ruth do të ndajë me ne esenë
emocionuese të 2013, THOSE WHO GO THOSE WHO STAY. Dhe në orën 21:00,
do të shfaqim rrugëtimin brilant të vitit 1983 në të kaluarën hebreje të
kryeqytetit austriak, KTHIM NE VJENE. Mes dy filmave, drejtorja e
AQSHF-së, Iris Elezi, do të zhvillojë një masterklasë me kineasten Ruth
Beckermann.
Të gjitha shfaqjet janë falas dhe u mundësuan nga mbështetja e Raiffeisen Bank dhe Ministria e Kulturës. Filmat janë të titruar në shqip dhe anglisht. / KultPlus.com