“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” që është dhënë premierë në mbrëmjen e së hënës në Teatrin Kombëtar të Kosovës është përcjellë me një incident, pikërisht para fillimit të shfaqjes, shkruan KultPlus.
Sokol
Plakolli ka prerë pjesën e panos së kësaj shfaqje, ku ka marë shqiponjën, por i
njëjti në këtë pano ka lënë yllin, sipas tij, yllin komunist. Ai në një reagim në facebook ka shkruar se
nuk e ka vjedhur shqiponjën, por sipas tij, ai e ka çliruar.
Stafi i
TKK-së ka tentuar të pengojë veprimin e Plakollit, por i njëjti ka arritë të
interevenojë në pllakatin e kësaj shfaqje me tekst të Veton Surroit dhe regji të
András Urbán.
Plakolli më pas ka postuar fotografi me shqiponjën
që kishte nxjerrë nga pllakati, sikurse që ka postuar video
Jeton Neziraj për këtë veprim të Sokol Plakollit
ka shkruar “Shqiponjë-vjedhësi
na e nisi mbarë shfaqjen ”Shfaqja e fundit…’ e Veton Surroit 🙂”, kurse Sokol Plakolli ka vazhduar me reagime të
tjera duke shpërndarë fotografinë e Nezirajt pranë pllakatit, dhe duke e
quajtur tashmë këtë pllakat si një pllakat fantastik.
Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Adrian Morina, Armend Baloku, Edona Reshitaj, Shkelzen Veseli, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi./KultPlus.com
Robert Evans, producenti me famë botërore, i njohur për filmat “Godfather” dhe “Chinatown”, ka vdekur sot në moshën 89-vjeçare.
Vdekja e tij u konfirmua nga publicisti Monique Moss, i cili tha se familja Evans ende nuk kishte lëshuar një deklaratë.
Evans u bë i famshëm si personi që shpëtoi “Paramount Studios” nga katastrofa, nëpërmjet shfaqjes së shumë filmave të suksesshëm, si edhe për mënyrën e tij të jashtëzakonshme të jetesës, karakterizuar nga teprimet, kokaina dhe jo më pak se shtatë martesa.
Ali McGraw, e cila u martua me Evansin në 1969 para se ta linte atë për aktorin Steve McQueen, tha se ai do të “mbahet mend si një gjigant”.
Në mesin e grave tjera me të cilat ishte i martuar Evans ishte edhe ylli i “Dinastisë”, Catherine Oxenberg, me të cilën ishte i martuar për dhjetë vjet./koha.net/ KultPlus.com
Ditë më parë, Marlene Schachinger, një autore austriake, ka fituar çmimin letrar gjerman “Seume Preis”, që lidhet me shkrimtarin dhe udhëpërshkruesin gjerman nga shekulli 19, Johann-Gottfried-Seume.
Deri në fund të nëntorit ajo vazhdon të punojë si sekretare në zyrën e Komunës Wels, Austri. Por kohëve të fundit, autorja Marlen Schachinger është bërë më shumë e njohur me librin e saj “Kosovarische Korrekturen” (në përkthim të lirë: Korrigjimet kosovare) që është një udhëpërshkrim letrar i autores.
Në përshkrimin që juria i ka bërë veprës së shpërblyer, veç tjerash thuhet: Shkrimtarja austriake Marlen Schachinger ka kaluar gjatë vitit 2018 disa javë si “shkrimtare në rezidencë” në Kosovë, transmeton KultPlus.
Tridhjetë vjetë pas rënies së “perdes së hekurt” dhe rreth dhjetë vjet pas themelimit të shtetit të Kosovës, ajo kërkonte përgjigje në vendin e ngjarjes për pyetjet e saj, larg nga debatet gjeopolitike mbi “një shtet të dështuar”. Si e shohin kosovarët jetën e tyre dhe vendin e tyre? Çfarë ka mbetur nga euforia fillestare e themelimit të shtetit? Dhe, ajo pyet edhe veten: çfarë percepton dikush që e sheh për herë të parë këtë vend? Imazhi që ajo e prezanton është i larmishëm.
Përfundimi që nxjerr ajo: “Realiteti mund të përmblidhet më së miri në përpjekjen për të montuar një numër të madh imazhesh ngjitur njëri me tjetrin. Nëse do t`i kesh tremijë të tilla, do ta shohësh mbase një pjesëz nga e vërteta”.
Çmimi “Seume Preis” jepet nga fondacioni i bankës Sparkasse Muldental në shumën prej 3000 eurosh, në një aktivitet publik që mbahet më 7 dhjetor në sallën e gjimnazit St Augustin Grimma. Schachinger është autorja e dhjetë që merr këtë çmim, i cili ndahet njëherë në dy vjet për gjithë hapësirën gjermanishtfolëse.
E lindur në vitin 1970 në Braunau a.I., Marlen Schachinger është shkrimtare e lirë dhe përkthyese me profesion. Ajo ka mbaruar veç tjerash magjistraturën dhe doktoraturën në lëmin e letërisë krahasimtare etj./albinfo/ KultPlus.com
Si sot, 38 vjet më parë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar. Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit.
Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.
Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.
Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX./syri.net/ KultPlus.com
Kultura italiane vjen në Kosovë për së paku tri ditë përmes aktiviteteve të ndryshme artistike me organizimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Ambasadës Italiane në Kosovë, Institutit Italian për Kulturë si dhe Fakultetit të Arteve të Kosovës, shkruan KultPlus.com
Për tri ditë do të shfaqen dhe analizohen filma dhe video të artistëve italianë nga vitet ’60 e deri më sot të përmbledhura nga Bruno Di Marino, profesor dhe njohës i fushës nga Italia. Çfarë ka qenë dhe çfarë është ende sot eksperimentimi me imazhet lëvizëse të realizuara nga artistët në vendin tonë nga vitet ‘60 deri në ditët e sotme? Do të jenë dy nga çështjet kryesore që do të trajtohen në këtë aktivitet.
Arta Agani, Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në fjalën hyrëse ka folur për synimin e bashkëpunimit me Institutin Italian për Kulturë.
“Këtë herë e kemi bërë hapin e parë me Institutin Italian për Kulturë. Misioni ynë i bashkëpunimit me këtë institut është që të sjellim ekspertët në Kosovë që të përfaqësojnë kulturën e këtij vendi, që është shumë e lashtë”.
Tutje, Agani ka thënë se programi që do të shfaqet është me rëndësi për Kosovën.
“Secila nga periudhat që do të shfaqen në këto tri ditë, ka pasur rëndësinë e vet sidomos për ne që nuk kemi histori më të vjetër se njëzetë vite të videoartit”.
Bruno Di Marino, profesor në Fakultetin e Arteve në Itali, është shprehur i kënaqur që është në Kosovë teksa shkurt ka treguar edhe për atë se çfarë do të prezentohet ditëve në vijim.
“Falemnderit shumë, jam shumë krenar që jam këtu në Prishtinë. Programi “Ekrane Përballë” është krijuar në 2017 në Romë, dhe unë kam pregatitur një përmbledhje të video-arteve më të mira të realizuara në disa dekada”.
Alessandra Bertini Malgarini, Drejtoresha e Institutit Italian për Kulturë, ka thënë ky Institut ka ardhur në Kosovë për të sjellur pak kulturë italiane.
“Ne jemi këtu që të ju sjellim juve pak kulturë italiane, që të ju sjellim video-arte italiane si një pjesë e rëndësishme e artit bashkohor”.
“Ju falënderoj shumë që jeni këtu, unë shpresoj se jo ta pëlqeni aktivitetin tonë dhe do të kaloni mirë sepse është pjesë e rëndësishme e artit bashkohorë”.
Suksese të reja po pasojnë për filmin ‘Shpia e Agës’ me regji nga Lendita Zeqiraj.
Filmi u shpërblye sot me dy çmime në Boğaziçi Film Festivali
në Turqi, me çmimin e jurisë dhe çmimin për aktoren më të mirë.
Katër aktoret e filmit: Melihate Qena, Shengyl Ismaili, Rozafa Çelaj dhe Adriana Matoshi janë përmendur në statujat e përgatitura nga festivali, për aktoret më të mira të festivalit, shkruan KultPlus.
‘Shpia e Agës’ zgjatë 107 minuta. Një djalë i ri që jeton në një shtëpi të grave duhet të nxitojë për të shpëtuar një grua që po e mëson atë serbisht, në mënyrë që të mund të vazhdojë kërkimin e tij për babanë e tij të zhdukur.
Arti Lokaj është aktori tjetër që ka rol kryesor në film.
Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit ëOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com
Vetëm vërejtje me shkrim i është shqiptuar mësimdhënësit Selver Shantir një javë pasi publikoi një foto me nxënësit e tij, duke mbajtur flamurin turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.
Drejtoresha e arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi thotë se vendimi u mor pas rekomandimeve të Inspektoratit të Arsimit bazuar në udhëzimin administrativ për ndërprerjen dhe ndalimin e punës, raporton KTV.
Derisa drejtori i shkollës “Motrat Qirazi” përmendi mundësinë që mësimdhënësi të dënohet edhe me gjobë, shton se Shantir vazhdon të jetë në monitorim.
Fotografia e mësuesit turk , me nxënësit e tij duke mbajtur flamurin turk në shkollën multi-etnike në Prizren, “Motrat Qiraizi” nxiti reagime të shumta javën e kaluar.
Ai më pas, kërkoi falje duke thënë se foto nuk ishte me asnjë paramendim politik, fetar apo racor.
Fotoja, sipas tij, ishte bërë me kërkesën e vetë nxënësve për të festuar sukseset kualif e kombëtares së Turqisë në futboll.
Babai i Astritit, Avni Dehari, adresuar të pranishmëve sot ka thënë se që nga 5 nëntori i 2016-ës, deri pak ditë më parë, organet shtetërore, përfaqësuesit e drejtësisë dhe pushtetarët e papërgjegjshëm e kriminel, kanë bërë përpjekjeje që t’ua mbushin mendjen se Astriti është vetëvrarë.
“Me ardhjen e raportit të ekspertëve të Zvicrës, konstatimi se Astriti është vrarë ka marrë fund. Tash janë të shtrënguar ta pranojnë se deri dje e kanë pasur plotë gojën për vetëvrasje. Në këtë raport, faza e parë e betejës, përgjegjësitë për vrasjen e Astritit, kanë ngadhënjyer dhe tash është faza e dytë e betejës për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të tërthortë kanë marrë pjesë në vrasjen e birit tonë”, ka thënë Dehari.
Aktivitetit simbolik i cili po mbahet për Astrit Deharin, i është bashkuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Jeta Berisha nga grupi “Unë jam Astriti”, ka thënë se “mbrëmja e sotme le të jetë aktiviteti ynë i parë për t’ua bërë me dije institucioneve revoltën dhe zemërimin tonë për mos zbardhjen e rastit të Astrit Deharit për tri vjet rishtas.
“Publikimi i gjetjeve të raportit të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës i ka dhënë të drejtën kërkesës së familjes Dehari për hetim të ri për rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së dhunshme të Astritit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, raporti rrëzon hipotezën e ngritur për vetëvrasje nga prokurori i rastit dhe bënë thirrje për hetim të ri, duke përfshirë hetimin e personave të tjerë për vrasjen e tij, shkruan Koha.
Ajo tutje ka njoftuar se më 5 nëntor në orën 12:00 nga sheshi “Skënderbeu” do të mblidhen për të marshuar për të kërkuar Astrit Deharin.
“Caktimi i grupit të ri hetimor kredibil si dhe bartja e rastit nga prokuroria themelore e Prizrenit, në Prokurorin Speciale të Kosovës -Shkarkimi dhe hetimi i të gjithë personave përgjegjës, në zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Drejtësisë Ligjore si dhe fillimi i menjëhershëm i një hetimi të ri, kredibil, transparent, të pavarur dhe profesional mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astritit. Si dhe hetimin e rrethanave të vdekjes së dëshmitarit kryesor të rastit, Naser Makolli”, ka thënë ajo.
“Astrit Dehari është kthese për drejtësinë në Kosovë”, ka shtuar më tej ajo.
Një fjali emocionuese e ka shkruar i ati i Astri Deharit, Avniu, në emër të tij, të bashkëshortes së tij, Xhemiles dhe të të vejës së Astritit, Artës.
“Astrit, shëmbëlltyra jote për drejtësi gjithmonë do të jetë e gjallë dhe ngadhënjimtare”, ka shkruar ai, në muralin që është bërë në kujtim të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.
Nji histori e rrefyeme prej te madhit At Zef Pllumi.
“Kur çuen elefantin në Shkodër”
Paska ardhë nji vezir i ri në Kala të Shkodrës edhe me vedi paska pru nji fil (elefant). Tue kjenë se fili atje në kala nuk ka pasë shka me hangër, e ka lanë poshtë në livadhe të Shkodrës, pak jashtë qytetit.
Mirë po fili tash e pare hinte në qytet, se secila shtëpi kishte bahçe të mira, edhe ai po i hante shumë pemët.
Prandej, kur nuk e xeshin dyertë e mdha, ai u vente shpatullat, hapte muret e hynte në bahçe, thente jo vetëm degë, por edhe pemë. Gra e fëmijë hikshin prej tij, se ishte aq i madh dhe aq i fuqishëm, sa të shtinte frigën. Këtë punë e bante çdo ditë: sot këtu, nesër atje, hinte në çdo shtëpi e në çdo bahçe e s’kishte shka i ban kush. Gjueje gur sa të duesh, ai s’ndiente; kush s’mund t’i delte para. Të gjithëve u hini hataja.
Prandej në nji ditë xhuma (e prende), gjatë Ramazanit, populli u mblodh i tanë te Xhamija e Tophanës. Si me ia ba e tek me ia ba punës t’atij filit të vezirit. Folën e folën, dikush thumbit, dikush patkoit, me shkue atje nalt në kala e me i thanë vezirit këto fjalë:
“Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun sot te Xhamija e Tophanës, të gjithë bashkë e shqyrtuem çashtjen e filit që ke pru. Ai fil po then dyert e shtëpijave tona, po u shtjen frigen grave dhe fëmijëve, të cilët struken prej tij; hyn ndër bahçet tona, han, then e shkatrron. Të gjithë popullit i ka hy tmerri prej ati fili. Prandej të bajmë këtë kërkesë: largoje sa ma parë prej Shkodret këtë fil që shkatërron gjithshka, se nuk e durojmë ma”.
Populli i Shkodërs caktoi aty për aty dhetë vetat që të shkojshin te veziri në kala, të gjithë burra të mirë, njani mai mendshëm se tjetri gjithsejcili ma trim se shoqi. Populli u shpërnda; ata të dhetë u nisën përpjetë rrugës së kalasë. Atje nalt i priste veziri. Ata e dijshin që veziri, po i çove peshqesh, të priste mirë, por po i fole keq, nuk delshe ma i gjallë prej kalajet: shtatë shaljanët dikur kishin mbetë të gjithë dekun aty n’odë të vezirit. Kjo dihej.
Porsa filluen rrugën përpjetë, qe se njani prej të dhetëve po flet: “Ndigjoni, o burra, mue mbramë me diq nana. Gjenazen e kam aty në shtëpi e kush kujdeset për vorrin e saj? Ju lyp leje.” “Shko, nana asht nanë: e gjallë e e dekun.”
Porsa kaluen dhetë hapa, foli nji tjetër: “Burra, si dhetë, si tetë, nuk ka rëndësi. Kam niji hall të madh, se më ka ardhë miku në shtëpi e nuk kam si e la vetëm: a më lejoni?” “Shko!”
Mbas pak hapash që po ngjiteshin, po thotë një i tretë: “Më lejoni, o burra, se kam nji hall të madh: më ka mbetë dugaja e mbyllunnë Pazar sa me dorëzue çilsin: barabar si shtatë si gjashtë. A më lejoni?” Kështu me radhë, njanimbas tjetrit, praqitën arsyet e veta e u larguen. Kur mbërrijnë te dera e kalasë, kishin mbetë vetëm dy vetë.
Kqyrën njani-tjetrin: Cili po i bjen derës? “Ndigjo, tha njani prej tyne, dhetë kjemë që u nisëm e tash kemi mbetë vetëm na të dy? A e di si asht puna? Njato fjalë janë për me ia thanë vezirit: barabar si nji si dy, bile ç’ duhet i dyti? Njani ka për t’folë. A e qesim short kush me hi, o un o ti?” “Jo, u përgjegj tjetri, pse me qitë short? Sa me thanë njato fjalë, flas un.” “U, sa mirë, se edhe un kam pasë aq shumë punë sot.”; doli tjetri e u largue.
Ai që mbeti i ra derës. Roja ia hapi e ai foli se e kish dërgue mileti i Shkodrës i mbledhun te Xhamija e Tophanës për me folë me vezirin. Pasha e kishte zakon me i pritë mirë e me u qitë kafe atyne që vijshin me peshqesh në dorë. Ata që bijshin ankimet e popullit, jo vetëm që i priste me tureçka, por nganjëherë nuk e nxierrshin as kryet prej andej.
Shkodrani filloi me folë: “Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, më ka dërgue për me t’u falë nderës.” “Hë, ju bini dy kafe”, urdhnoi veziri. Shkodrani vazhdoi: “Më ka dërgue me t’u falë nderës për gëzimin e madh që i ke dhanë tue prue njatë fil. Aman, o Perëndi, sa gja të bukur që ke krijue! Fili! Fili i Pashës! Knaqen gratë e femija kur e shofin me sy. Frigë?… Frigohen nganjiherë, se asht gja e madhe, por mandej gëzohen sa s’ka kur shofin se nuk ka pemë në bahçe që e ndal. As nuk u dhimbsen degët e pemët e thyeme, as muret e dyerët e rrënueme, se e dijnë që asht Fili i Pashës.
Por i gjithë mileti ka nji marak të madh: Aman, o vezir i madhnueshëm, donë me dijtë se si e ka gruen e vet ky fili, se çajre pa grue as ky s’do të ketë! E i ka kapë nji marak i madh me e pa fileshën: si do të jetë ajo!” Ndërkaq erdh kafja e turkut, e gota e ujit në tabake e veziri foli: “Ndigjo, o burrë i mirë, thueji miletit të shkodrës se do të baj çmos me ua plotësue dishirin. Hiç mos u disproni, se sa ma parë që të mundem kam me u prue edhe fileshën!”
Mbas nja dy muejsh nëpër rrugët e Shkodrës po shifen tue ecë fili e filesha: shka lente pa rrënue njani, e plotësonte tjetri. Popullit i hini tmerri. U mblodh përsëri te Xhamija e Tophanës. Ku janë ata që dërguem me folë me vezirin?” “Un, u çue e tha njani, un kjeshë ai që fola me Pashën. Ju caktuet dhetë vetë, por te veziri shkova vetëm un. A mendoni ju se Pasha don ma shumë bahçet tuaja se filin e vet? Ju e kuptoni që për mue vlen ma shumë kryt tem se bahçet tueja.” “Po a ia ke thanë Pashës fjalët tona?” “Të gjitha ia thashë fjalet e miletit: se si fili hap dyer rrënon mure, then pemët me gjithë degë… Po ju kalanë njaty e keni, aty asht edhe vezir Pasha e, në kjoftëse bahçet tueja u dhimbsen ma tepër se kryet, aty në kala shkoni e folni me Vezir Pashën.”
Ditën e djeshme, më 27 Tetor 2019, është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare, aktorja e njohur Shpresa Bërdëllima.
Bërdëllima Lindi në Tiranë, më 11 Prill 1959. U angazhua në teatrin e estradës së Tiranës dhe në kinematografi, duke filluar me rolin e zonjushës Gajtani te “Vajzat me kordele të kuqe” ne vitin 1978 nga Gezim Erebara ku ka interpretuar me sukses disa role si tek filmi “Pertej mureve te gurta” (1979), “Era e ngrohte e thellesive” (1982), “Te shoh ne sy” (1985), “Kur ndahesh nga shoket” (1986), “Kur hapen dyert e jetes” (1986), “Nje vit i gjate” (1987), “Hetimi Vazhdon” (1987), “Shpresa” (1988), “Flutura ne gabinen time” (1988) dhe “Mirela” (1990).
Shpresa Bërdëllima ishte padyshim, një nga emrat e aktoreve tona më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë.
Ndonëse me një karrierë të shkurtër, me anë të roleve të saj, ka “rezervuar” një vend të rëndësishëm në kujtesën e ndjekësve të saj. Me një portret dhe paraqitje plot finesë, siç thuhej, për t’u pasur zili edhe nga aktorët e kinemasë botërore, Bërdëllima do të mbetet një “Brigitte Bardot”, e përjetshme e ekranit shqiptar.
Krahasimi i është bërë nga vetë aktori i madh francez Michel Piçoli, teksa xhironte “Përtej mureve të gurta”, ku edhe luante rolin e Asimesë.
Duke pasur një karrierë të suksesshme ndër vite, aktorja e nderuar është vlerësuar si nga kritika ashtu edhe nga publiku i gjerë shqiptar, e të cilit, ajo ka ditur t’ia fitojë zemrën, jo vetëm nga aftësia aktoriale, por edhe nga natyra e saj spontane dhe me një elegancë të pashoqe.
Si shumë artsistë të tjerë, në vitin 1991, ajo zgjodhi emigrimin dhe u largua drejt Belgjikës, ku edhe ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë, për të mos u kthyer më në skenën dhe ekranin shqiptar, pavarësisht pranisë së saj të herëpashershme në Tiranë.
Roli i saj i fundit ka qenë në teatër: “Kush e vrau Kastijin”, me regji të Gëzim Kames.
Në një intervistë për Panoramën aktorja, teksa fliste për përzgjedhjen e roleve thoshte dikur: “Kam qenë gjimnaziste te ‘Petro Nini’, kur erdhi Ilia Terpini për të kërkuar personazhe për filmin ‘Guna përmbi tela’. Isha vetëm 16 vjeçe, kur u përzgjodha për këtë rol, megjithëse edhe më parë, qysh fëmijë, recitimi kishte qenë një nga gjërat e mia më të pëlqyera. Isha marrë vazhdimisht me aktivitete artistike në shkollë edhe për shkak të zërit, që siç më thoshin e kisha shumë të mirë.
Pas filmit të parë, Gëzim Erebara më propozoi të bëja rolin e spiunes, në filmin ‘Vajza me kordele të kuqe’. Ka qenë aq mirë i realizuar ky rol, sa edhe në rrugë, pas transmetimit të filmit, fëmijët më qëllonin me gurë, sepse kujtonin se isha vërtet spiune”, – kështu do të kujtonte aktorja, vite më parë, në një intervistë për gazetën “Panorama”./konica.la/ KultPlus.com
Sapo doli nga limuzina e zezë, Ministrja lavire me suitën e saj hyri në portën e madhe të Pallatit. Një ditë më parë, Kryeministri gjoksaman i Perandorisë së hirit e zgjodhi ministre në Pallatin e Fshehtë. Takat e këpucëve të saj dhe suitës së shushatur, krijuan njëfarë trokëllime tunduese në korridorin e errët si në skenat trishtuese në filmat e Hiçkokut.
Ministrja lavire, edhe Kabinetin e kishte disejnuar ndryshe. Këshilltarët politikë dhe bodigardët nuk ishin meshkuj, por femra. Për habinë e të gjithëve, ajo nuk e kishte zgjedhur asistenten femër, por asistentin mashkull. Gjatë e kishte bluar në kokë planin makabër; me një gur t’i vriste dy zogj. Ditët e para në vend se të ishin të gjalla, ishin monotone. Nga dita kur ministrja lavire mori detyrën, filloi të binte shi i përcjellë me bubullima. Krijohej ndjesia sikur dielli mbi qiellin e Perandorisë nuk do të kthehej kurrë. Të gjithë zyrtarët e Pallatit të Fshehtë, qëndronin si eremit mbi tavolinat e tyre përplot letra të zhubrosura. Nuk kryenin as punët e zakonshme dhe pritnin urdhëra nga ministrja lavire, që nuk erdhën kurrë. Për aq sa vonoheshin urdhërat e saj, po aq ndjeheshin të gjindosur zyrtarët e Pallatit.
Kaluan muaj e vite, por urdhërat nuk vinin që nuk vinin… Vetëm Gazetari veteran nuk priste asgjë të jashtëzakonshme. I stepur prej vitesh në një çoshe të pistë në katin e dytë të Pallatit të Fshehtë, ai kishte të drejtë të mos honepsej për asgjë. Disa vjet më parë, paraardhësi i ministres lavire e kishte degraduar nga pozita për fajin e vetëm siç kishte thënë ai: – Ky kodosh është i papërmirësueshëm dhe mbi supe i rëndojnë dy mëkate të mëdha; di shumë e nuk vjedh asgjë!
Sapo mbaroi java e parë e monotonshme dhe gjithë trishtim, e dyta nisi ndryshe. Në korridorin e errët dhe të gjatë të Pallatit të Fshehtë vërshuan takat e lavireve të Perandorisë. Mbushnin ca letra formale, përmes të cilave thoshin se lidhnin marrëdhënie pune dhe ditëve në vazhdim, kontigjentet e lavireve mbushën kthinat e Pallatit të Fshehtë. Cute Lojcakja, bjondina e gjindosur, të cilën Gazetari veteran herë e quante gjysmëvejushë, herë specialiste të intrigave, që javën e parë humbi durimin. Cutja kishte të drejtë. Me vite të tëra i kishte thyer në kurriz të gjithë ministrat, të cilët në sy të njerëzve ishin shitur plot namuz. Kësaj radhe Cutes së shkretë i hasi sharra në gozhgë. Nuk i shkrepi fati të kishte ministër, por ministre dhe zanatin e vjetër e njihte më mirë se Cutja.
Megjithëse kishte vite që nuk fliste me Gazetarin veteran dhe mbasi kishte llafosur disa ditë me laviret e Pallatit të Fshehtë dhe kur ato nuk ia kishin mbushur dot mendjen, më në fund mori guximin, u ngrit në këmbë dhe me hapa të shpërqëndruar u nis drejtë tavolinës së Gazetarit veteran. Me zërin që i doli nga honi i fytit të tharë e pyeti: – Aman më thuaj ç’po ndodh në Pallatin e mallkuar?! Gazetari veteran e vështroi me përbuzje dhe nuk nxori asnjë fjalë. Ato çaste iu kujtuan fjalët e nënës. Shumë vjet më parë, kur kishte nisur punën në Barakën e sajimit të ëndrrave, ajo i kishte thënë: – Bëj kujdes nga paratë dhe laviret biri im. Jemi të okupuar nga sllavët e mund të vritesh, por çdo lajm tjetër pos për paratë e laviret, mirë se ardhtë nga Zoti! Cute Lojcakja më në fund humbi durimin. Derisa u kthye tek tavolina, nxori disa sharje nga buzët e saj të vyshkura, të cilat Gazetari veteran ansjëherë nuk i mori vesh.
Kalonin muaj e vite dhe në Pallatin e Fshehtë, veç plaçkës e kurvërive nuk ndodhte asgjë. Ministrja lavire nisi të gjindosej, pasi Kryeministri gjoksaman nuk e thirri as edhe një herë të vetme në Pallatin e Perandorisë. Një mëngjes, derisa rrufiste kafenë dhe thithte me nervozë cigaren midis thonjëve të gjatë, thirri asistentin dashnor dhe e pyeti: – Është në pallat Shefi i Thesarit?! – Gjithnjë si mumie qëndron aty!, – u përgjigj me përulje asistenti dashnor. – Shko merr 20 mijë napoleona dhe siguro vizat për në Ishullin e Parajsës. Ti nisu me avionin e mëngjesit, unë vij mbasdite, pastaj kryqëzohemi në aeroportin e Ishullit! – Pse jo bashkë?!, e pyeti me përulje asistenti dashnor duke ia rregulluar minifundin mbi kofshën e këmbës së djathtë. – Sepse na survejon Shërbimi i Fshehtë!, – tha e bindur ministrja lavire. – Shërbimi është yni dhe përmes tij e zaptuam gjithë Perandorinë, – tha me gjysmëzëri asistenti dashnor. – Jo! Janë të paparashikueshëm dhe të etur për shantazh. Për aq sa jemi afër, po aq duhet të qëndrojmë larg tyre. Për një çast njëra nga këshilltaret e ministres lavire, pa lejen e zakonshme hyri brenda e tha: – Kryeministri gjoksaman dha dorëheqje! – Pa paralajmërim?!, – pyeti gjithë shqetësim ministrja lavire. – Thanë t’i ketë ardhur thirrja përtej oqeanit për larje të mëkateve, – tha me gjysmëzëri këshilltarja lavire, derisa ato çaste hyri një bodigarde dhe me sa zë kishte klithi: – Shpërtheu flaka në Pallatin e Perandorisë! Njerëzit e mllefosur janë nisur drejt Pallatit të Fshehtë! – Dokumentet e ndjeshme ndizni menjëherë dhe gjinduni si të mundeni!, – klithi ministrja lavire.
Në korridorin e gjatë dhe të errët të Pallatit të Fshehtë, dëgjoheshin zërat e çjerrë dhe takat e këpucëve të lavireve, të cilat kishin marrë ikën. Vetëm Gazetari veteran mbet i fundit në Pallat dhe nuk lëvizte vendi. Më në fund, si të ishte zgjuar nga një ëndërr e ligë, mori disa nga librat e tij në sirtarin e tavolinës dhe me qetësi funebre nisi t’i fuste në çantë. Me ecje të shkujdesur zbriti shkallëve. Mbi mermerin e korridorit të gjatë dhe të errët të Pallatit të Fshehtë, pa shumë taka këpucësh të lavireve, të cilat ishin këputur derisa kishin marrë ikën.
Doli në oborrin e Pallatit. Kryeqyteti i Perandorisë ishte në errësirë. Turma e njerëzve gjithë mllef po vinte drejtë Pallatit dhe njëri nga ata klithi me sa zë kishte: Ra Perandoria! Një tjetër pa mbaruar i pari fjalën shtoi: Ju kam thënë, Perandoria jonë ishte si kulla prej letre! Turma e njerëzve gjithë mllef vazhdonte të klithte dhe një kontigjent tjetër gjuante gurë dhe shkatërronte gjithçka që kishte përpara.
Gazetari veteran ndezi një cigare, mori frymë thellë dhe u nis me hapa të qetë në bulevardin e kryeqytetit duke çarë errësirën që nuk i shihej fundi. Gjithkund errësirë. Këmbët e tij shkilnin mbi gurë e gjësende të hedhura nga njerëzit e mllefosur. Nga bulevardi kaloi në rrugën drejtë banesës së tij, por prapë errësirë. Drita e munguar prej kohësh, nuk dukej që nuk dukej… /KultPlus.com
Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda ka marrë pjesë në aktivitetin “Ditët e Kulturës Shqiptare” i organizuar nga Bashkësia Shqiptare dhe Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Karlovacit.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Riza Poda përshëndeti takimin, ndërsa vendosi theksin te forcimi i bashkëpunimit kulturor mes popujve.
“Nisma dhe organizime të tilla kulturore ndikojnë pozitivisht në mënyrë të dukshme jo vetëm në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit kulturor me popullin kroat, por në mënyrë të veçantë edhe në transmetimin e frymës së kulturës e traditave shqiptare sidomos tek brezi i ri”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com
Një sallë e vogël, por mbase e mjaftueshme për këtë zhanër të kulturës në mërgatë, në natën finale ishte përmbushur deri në karrigen e fundit.
Moderatorja e mbrëmjes së tretë, Yllka Zuzaku, ndjehej më e privilegjuar, sepse në mbrëmjen e saj kishte më shumë shikues në krahasim me dy mbrëmjet e para. Me gjasë edhe filmat ishin mjaft atraktivë, por edhe prania e shefit të misionit të Konsullatës së Kosovës, Sami Kastrati, me përgjegjësen për kulturë pranë konsullatës, Shukrije Ramadanin, bashkë me Shyhrete Kastratin e Besnik Deskun në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës që e bënë këtë mbrëmje të jetë edhe më e realizuar.
Organizatorët nga studio „Aktrimi“, për hir të pranisë së madhe të shikuesve, shtuan repertorin e mbrëmjes, nga katër, në pesë filma të shkurtër. Publiku, vërtet ishte sikur i përzgjedhur për mbrëmje të këtilla; qetësia maksimale, por dhe interesimi para e pas shfaqjes e dokumentoi këtë.
Natyrisht, pesë filma brenda një orë e disa minuta, pa asnjë pushim ndërmjet tyre, ishin më shumë se një ngarkesë për përpunimin e temave të këtyre filmave, përmbajtja e të cilëve, kryesisht, lidhej me situatën e rëndë para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, por edhe nga e kaluara e hidhur e shqiptarëve përgjithësisht.
Pos filmit “Darka” të Suela Bakos, që ishte më i relaksuar, të katër filmat tjerë: “Klithma”- Korab Lecaj, “A long way home”- Iber Deari, “Me fal”- Besim Ugzmajli, “The Baby”- Ben Apolloni, ishin me tematikë sfiduese nga periudha e hidhur e luftës së fundit. Dosido, që të katër filmat, të realizuar mirë, për ç’gjë dhe u komplimentuan regjisorët, artistët e producentët, duhet të ishin pjesë e një analize të historisë së dhembshme të përjetuar nga populli shqiptar në trojet e veta.
Meqë salla e improvizuar e filmit ishte e vogël, pjesa debatuese, bashkë me aperon e mbrëmjes, vazhdoi në sallën e restorantit „Lindenhof“ me pronar Drilon Pulën.
Nëse do të futeshin këta filma në garë të publikut, kisha përshtypjen se filmi „Klithma“ zgjoi „mornicat“ më së shumti, ku trajtohej tema e bërjes ose jo publike të grave të përdhunuara në luftën e fundit. Shtjellimi i filmit nxirrte në sipërfaqe realitetin e hidhur me të cilin, edhe sot e kësaj dite, përballet populli shqiptar, përkatësisht burrat e Kosovës. Autori i filmit, sikur kishte lënë hapur mundësinë e vendimit të burrave që të vendosnin t’i ndihmonin gratë e përdhunuara për ta bërë publike këtë realitet të shekullit të 21-të, si armë kundër heqjes së maskës prej „fqinji të mirë“ të okupatorit serb në Kosovë. Megjithatë poshtërimi ishte i papërballueshëm për kryepersonazhin e filmit (Dinin) që ta përdorte këtë realitet si armë bumerangu kundër dhunuesve.
Kujtoj që këto mbrëmje, që pretendohej të ishin pjesë e „Ditëve të Kulturës Shqiptare në Diasporë“, duhet ta kishin shikueshmërinë edhe të komunitetit zviceran, jo vetëm për shkak të bashkëpunimit të ndërsjellë kulturor, por edhe për shkak të prezantimit të realitetit kosovar edhe përmes artit të shtatë.
Natyrisht, pjesa debatuese nuk kaloi pa komplimentet për organizatorët e këtij „filmfesti“, por edhe kritikat dhe dëshirat për prani më të shpeshtë të krijimtarisë artistike e kulturore nga vendi i origjinës.
Aktori dhe moderatori Ramadan Morina për pak çaste la mikrofonin e hapur për diskutuesit respektivë ndër të cilët folën Ridvan Murati, Nevzad Musliu, Isuf Sherifi, Ida Jashari, Xhevdet Kallaba etj.
Pjesa tjetër e aperos u përcoll me këngë të përcjella me kitarë nga Bexhet Sallahu dhe Skender Kelmendi. / KultPlus.com
Me ftesë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Katar,dhe në bashkëpunim me Forumin e Marrëdhënieve Arabe e Ndërkmbëtare në Doha, promovohet sot në orën 18 botimi shqip i romanit “Kusari” i autorit nga Katari, Abdulaziz Mahmud.
Romani u botua para një muaji nga shtëpia botuese Buzuku në bashkëpunim me Institutin për Studime orientale (ISO) në Prishtinë .
Në promovim do të maarin pjesë ambasadori i Republikës së Kosovës në Doh,a Amir Ahmeti, drejtori i Institutit për Studimet Orientale në Prishtinë, Muhamed Mufaku,shkrimtari Ibrahim Kadriu ,përkthyesi i romanit Ejup Ramadani dhe autori Abdulaziz Al Mahmud.
Vlen të përmendet se romani “Kusari” trajton me një narrativë magjepse ndryshimet e mëdha politike dhe shoqërore në vendet e Gjirit gjatë shek. XIX, duke përfshirë edhe paraqitjen e lëvizjes vehabiste në atë rajon dhe paraqitjen e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Ali Pashës në beteja të përgjakshme kundër forcave të kësaj lëvizje. Romani në fjalë gëzoi sukses me shumë botime në arabisht dhe me përkthimin në anglisht.
Me rastin e qendrimit të intektualëve kosovarë në Doha, Ministria për Kulturë në Katar mori incjativën për një takim me shkrimtarët e Katarit nesër, të martën, në orën 11 dhe një drekë në shenjë ndermi për ardhjen e tyre në Katar dhe për kontaktin e parë kulturor të këtij niveli minis dy vendeve. / KultPlus.com
Na ndodh çdo ditë që të nervozohemi dhe të humbin qetësinë por harrojmë se në fakt qetësia duhet ruajtur për të mirën e shëndetit tonë fizik e mendor. Në fund të fundit të ruash qetësinë është edhe art.
Ja pesë strategji të mençura që duhet ti keni parasysh herën tjetër kur të nervozoheni:
Njihni kë kini përballë, por mbi të gjitha njihni veten
Njohja e të tjerëve nënkupton mençuri, por njohja e vetes është një iluminim i vërtetë. Por pse duhet të njohësh veten për të debatuar në mënyrë efektive?
Për të mos humbur qetësinë, ne duhet të punojmë për forcën tonë të brendshme, sigurinë tonë dhe vetëvlerësimin tonë.
Nëse dikush ju thotë se jeni i paaftë ose keni një ego të pamatë, deklarata të tilla nuk duhet t’ju dëmtojnë në asnjë mënyrë, sepse e njihni mirë veten tuaj.
Ajo që nuk është e vërtetë, pra, nuk mund dhe nuk duhet t’ju lëndojë.
Për të triumfuar në një diskutim, është më mirë të njihni dobësitë e personit tjetër. Duke ditur, për shembull, se ata që janë para nesh kanë vetëbesim të ulët ose që transformojnë pasigurinë në agresion, ne do të jemi më të relaksuar, më të sigurt në veten tonë.
Njohja dhe aftësia për t’u lidhur me veten dhe me ata që kemi para nesh, na jep më shumë kontroll mbi situatën.
Në çdo debat, fikni emocionet negative
Për të mos humbur qetësinë gjatë një debati, duhet të mësoni të kontrolloni emocionet tuaja negative. Zemërimi, krenaria, inati, tradhëtia, nervozizmi … janë të gjitha emocione që na vënë në mbrojtje dhe që na shtyjnë për të sulmuar personin tjetër.
Një debat është arsyeja kryesore përse shpesh humbni kontrollin, ndaloni argumentimin në mënyrë logjike dhe bini në qortime dhe dialogje sterile, që nuk çojnë askund.
Për të marrë frenat e situatës, bëni kështu:
Shikoni situatën nga jashtë, të qetë.
Asgjë nuk mund të të dëmtojë prej aty, jeni mirë me veten, jeni të përqafuar nga vetë-vlerësimi juaj.
Tani shqyrtoni se cilat argumente mund të përdorni për të sqaruar situatën.
Mos u përgjigjni menjëherë, merrni pak kohë
Në diskutimet sterile, bashkëbiseduesit nuk dëgjohen mes tyre, pyetjet mbivendosen me përgjigjet dhe, pas ca kohe, përdoren komentet helmuese, kritikat jo konstruktive dhe frazat për të cilat, më vonë mund të pendohemi.
Cili është qëllimi? Natyrisht për hiçgjë.
Për t’i dhënë formë një diskutimi të frytshëm në të cilin gjithmonë mund të ruajmë qetësinë, është e këshillueshme që të marrim kohë për t’u përgjigjur. Nuk ka nxitim.
Dëgjoni me kujdes atë që thotë tjetri. Analizojeni.
Rregulloni ndikimin që mund të ketë tek ju dhe pastaj mendoni për një përgjigje.
Megjithatë, mbani mend: kjo përgjigje nuk duhet ta rrisë tensionin.
Nëse shihni se diskutimi nuk po shkon askund dhe shërben vetëm për të qortuar dhe për t’u pushtuar nga emocionet negative, ndaleni.
Mos harroni se ka diskutime që nuk meritojnë as të adresohen.
Merrni frymë thellë
Kur jemi në gatishmëri, kur jemi në një debat, truri e interpreton pothuajse si një kërcënim.
Është atëherë që ndodhin disa reaksione: dridhje, frymëmarrje e vështirë, gojë e thatë, dhimbje stomaku, e kështu me radhë.
Për të mos e humbur qetësinë gjatë një debati, nuk ka asgjë më të mirë se rregullimi i frymëmarrjes.
Për ta bërë këtë, do t’ju duhet të merrni frymë thellë dhe të nxirrni frymë me lehtësi. Një trup më i qetë arsyeton më mirë.
Stërvituni me qetësinë e brendshme: Përgatituni për sfidat e përditshme të jetës
Jeta jonë e përditshme kërkon shumë: të dish se si të debatosh në mënyrë efektive, të përballesh me zhgënjim, kritika dhe fatkeqësi të çdo lloji.
Të qënit të përgatitur “brenda” do të na ndihmojë për të adresuar më mirë sfidat e jashtme. Për ta bërë këtë, ndihmon shumë nëse vëmë në praktikë aktivitetet e mëposhtme:
Praktikimi i “mindfulness”.
Praktikimi i disa sporteve.
Lehtësimi i emocioneve tona përmes veprimtarisë artistike: shkrim, pikturë etj.
Kultivimi i unit të brendshëm: përmirësimi i vetë-besimit, vetë-vlerësimit.
Praktikimi i dialogut aktiv dhe të sigurt, rritja e fjalorit, krijimi i strategjive për t’u përdorur në çdo dialog dhe që lejojnë të jeni më të sigurt në vetvete, më të relaksuar.
Vërini këto këshilla të thjeshta në praktikë. Të jeni të sigurt, se herën tjetër që do të debatoni me dikë, ju do të përballeni me situatën, në mënyrë efektive dhe me kompetencë. / supershendeti / KultPlus.com
Procese të shumta të zgjidhjeve të martesave kryesisht, nxjerrin në pah ditë pas dite problemin e referimit të minimumit jetik, i cili nuk përkon me përmbushjen e nevojave bazike të fëmijëve. Në vitin 2017, sipas të dhënave më të fundit të raportimit nga INSTAT, norma e divorcit pësoi sërish një rritje, duke arritur 19.9 divorce në 100 martesa.
Ekspertët e fushës ligjore sakaq, kanë raportuar një rritje të gjyqeve edhe këtë vit, që lidhen me problemin e pensionin ushqimor, që në rast divorcesh po në rritje, babai ka detyrimin ligjor të paguajë fëmijës/fëmijëve. “Masa e pensionit ushqimor, (7000 lekë në muaj), rezulton diskriminuese në çdo rast e nuk përfaqëson kurrsesi interesin më të lartë të fëmijëve. Mungesa e references së një akti të tillë, ka prekur drejtpërsëdrejti mijëra fëmijê përgjatë kêtyre viteve e vijon të prekë sërish të tjerë ditë pas dite, duke cënuar kësisoj një standard të pranueshëm. Nevojitet një trajtim specifik i këtij problemi, detyrim parësor i insitucioneve të linjës, një studim i mirëfilltë me specialistë të fushës, drejt krijimit të një standarti i cili presupozon plotësimin e nevojave fizike, psikologjike dhe sociale të çdo fëmije, në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin e duhur të sejcilit, referuar standarteve ndërkombëtare caktuar për këtë qëllim.”-pohon av. Denisa Daka, duke shtuar se në dyert e Gjykatës, në mes ccështjeve familjare, ka një rritje padish për pensionin ushqimor.“VKM e munguar lidhur me minimumin jetik për fëmijë, penalizon ditë pas dite shum? familje. Ende nuk ka një studim të mirëfilltë lidhur me minimumin jetik për fëmijë, nismë e cila nuk u morr në asnjë rast nga insitucionet përgjegjëse këtu e për pasojë nuk ekziston një VKM orientuese e detyruese për këtë qëllim.”-shton avokatja, duke cilësuar si tejet të rëndësishme edhe domosdoshmërinë që në buxhetin e shtetit të aprovohet një zë i posaccëm për këtë shkak.
Sipas Gjykatës së Tiranës, paditë për pension ushqimor gjatë këtij viti, nga janari deri në 20 tetor, janë janë në total 22, ndër të cilat vetëm 12 çështje janë përfunduar dhe 8 të ankimuara. Sipas specialistëve, kjo ndodh në rastet kur bashkëshorti pjesë e procesit të divorcit, mohon dhënien e pagesës mujore së detyruar për fëmijën ose caktohet nga vetë gjykata pagesa minimale e parashikuar.
Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës kanë deklaruar më parë për “Monitor” se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi./Monitor / KultPlus.com
Dua Lipa e ka ndarë lajmin e mirë me ndjekësit e saj.
Këngëtarja shqiptare Dua Lipa i ka dhënë dy lajme të gëzueshme për fansat e saj, shkruan KultPlus.com
Ajo ka treguar se kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë deri në publikimin e projektit të saj më të ri muzikor, këngës “Don’t start now”.
Dua ndër të tjera ka treguar se është e entuziazmuar se do të performojë në MTV EMA që do të mbahet më 3 nëntor.
” 4 ditë deri te “Don’t start now” dhe jam shumë e entuziazmuar të njoftoj se do të performoj në MTV EMA që do të mbahet më 3 nëntor. Shihemi në Seville engjëjt e mi, do të jetë një argëtim”, ka shkruar këngëtarja shqiptare pranë postimit.
Letër e Lasgush Poradecit për Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin (Graz, 22 shkurt 1930)
“Sot më zotëron shpirtin letra jote e dytë. Në atë letër ti më lajmëron, i dashur Dhimitraq, se ke në mënt të vish kësaj vere në Poradec: Pra zemra ime u shërua. Pas dhjetë vjetësh humbje, do kem gazin e bukur të të shoh prapë, të shihemi prapë…
I shtrentë Dhimitraq, mirë, shumë mirë do bësh, do këputnja një copë qiell, do sbrisnja disa yj të ndritur e të lehtë mi baltën që na rëndon kaq brutalërisht në shpirt, sikur ta vinje në vepërim atë mëndje, atë qëllim aq të shenjtëruar…
Eja, pra, dhe mos u vono aspak! Llazari të pret me krahët hapur. Kur të piqemi, kur të të puth në ballë, jo vetëm njerëzia do çuditen, jo vetëm gurët do dridhen, po dhe Zoti vetë më të madh të Tija, do t’a bëjë buzën në gas… Do t’a bëjë buzën në gas, sepse me pjekjen t’onë do ndjejë dhe Ay, një Tepër-Lumtëri, me gjith që vetëm për një moment, se Drita që Ay pati ndezur për ndritjen, shpëtimin, lumtërimin e së KEQES njerëzí nuk e ka shterur mburimin fare…
Eja pra i dhemshur shok sa më shpejt Atje ku e ka urdhëruar Zoti që të piqemi bashkë. Eja t’a vrasim DJALLIN e Shqipërisë, e shqipëtarëve. Do më gjesh atje, që në ditën e parë, buzë liqerit t’onë të adhuruar. Do më gjesh, ashtu siç e di, ashtu sikundër të isha vetja jote vetë: shpirt i vetëm i etuar për Dritë dhe përparim, dyke patur rreth e përqark skëterrën, prapanikërinë, trurin e çuknavitur të një vëndi, të një populli të mjerë po të dashur, i cili po bën MËKATËN, sepse NUK DI Ç’BËN… Eja t’i themi atë që kemi për t’i thënë…”
(Lasgush Poradeci, Vepra IV. Korrespondencë Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli. Përgatitur për shtyp nga vajzat e Poetit, Kostandina Gusho dhe Maria Gusho. Shtëpia Botuese albPAPER, Tiranë, 2010, f. 27-28/ Letër e përzgjedhur nga Prof. K. Jorgo) Filozofia.Al / KultPlus.com
Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, e kemi parë shpesh gjatë pjesës së parë të mandatit duke shpërndarë medalje presidenciale për një numër të madh personalitetesh nga të gjitha fushat.
Duket se
kështu do të jetë edhe në pjesën e mbetur të mandatit, shkruan Buletini
Ekonomik.
Pritet që
edhe një numër i madh i medaljeve të shpërndahen nga presidenti deri në fund të
mandatit.
Zyra e
Presidentit tashmë ka porositur plot 1 mijë medalje të reja presidenciale, në
tenderin që ka kushtuar 170 mijë euro.
“Gan
Dizajn”, është kompania që do ta bëjë furnizimin me medalje për Zyrën e
Presidentit.
Kontrata
është për një periudhë 3 vjeçare, deri kur edhe do t’i përfundojë mandati
presidentit aktual.
“Sasia e
planifikuar për tri (3) vite është një mijë (1.000) copë medalje, vlera totale
në mjete monetare është 170,000. 00 euro”, thuhet në tender.
Ndryshe,
Presidenti Thaçi, që nga betimi tre vjet më parë, ka ndarë gati 700 dekorata.
Sipas listës
së publikuar në ueb-faqen presidenciale, e përditësuar në fund të vitit 2018,
Thaçi ka ndarë hiç më pak se 657 dekorata, ku përfshihen medalje, tituj, urdhra
e mirënjohje.
Ndarja e dekoratave, nga Thaçi ka vazhduar edhe në muajt e vitit 2019, ku nuk përjashtohen edhe këngëtarë, gazetarë, emisione televizive e kreatorë të modës. / KultPlus.com
Në Kosovë do të bëhet prezantimi i Zonës Arkeologjike Gobeklitepe të Shanllëurfas e cila është njëra ndër trashëgimit më të rëndësishme të njerëzimit. Kjo zonë është dymbëdhjetë mijë vjeçare e vjetër që njihet ndryshe edhe si pika zero e historisë.
Ekspozita do të hapet në organizimin e Ambasadës së Republikës
së Turqisë për nderë të 29 tetorit Ditës së Republikës, me temën “Njeriu dhe
Jeta”. Kjo ekspozitë do të mundësohet nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Prishtinë dhe Institutit
Junus Emre.
Në ekspozitë do të paraqiten fotografi dhe informata me zbulimet dhe shpjegimet historike të Gobeklitepesë, e cila po organizohet me rastin e shënimit të vitit 2019 si “Viti i Gobeklitepesë” i iniciuar nga UNESCO për promovimin, zbulimin dhe shpjegimin e rëndësisë së saj historik dhe pasqyrimin e saj në ditët e sotme. / KultPlus.com
Isha e re, e njomë, ende fëmijë Më zuni lufta, kaosi, frika. Hije ndjellakeqe më ndoqi urrejtja e tjetrit Për atë e cila në sytë e tyne isha.
Nuk qaja që ato mund të ishin ditët e mia të fundit. As pse ndoshta kurrë ma, Nanës S’do t’ia ndjeja përqafimin. Brenda meje qante secila frymë Nga frika për mundësinë e të jetuemit me llahtarin e kujtimit.
Ndodhi ajo që nuk e kisha mendu asnjëherë. (Babai im as një thikë të hairit në shpi nuk e kishte siguru.) Nanës kur më përcolli te dera e shpisë, peng ia lashë zemrën, Atdheun, timen paprekshmëni.
Mbaj mend mirë fytyrat e llahtarshme Egërsinë mbi njomësinë time. Kam qenë e bukur, e di! (Plus shqiptare Kosove në një moment aq fatligë.)
M’u desh të jetoja gati njëzet vjet Me ankthin e asaj dite që ma dërmoi Qenien. Shpesh doja të mos isha ma, të tretesha si harrimi.
Ika larg, Të mos ecja përditë nëpër të kaluemen e mijëra vetëve të mia…
Largësia nuk ma veniti dhimtën. As dashninë për Shtëpinë, As guximin.
U ktheva kah Dielli Të shpaloja, Të Vërtetën./KultPlus.com
Quhen “Shtëpi Gozhdë”, ngaqë rrinë në mes të projekteve qeveritare si një gozhdë e ngulur nga pronarët kokëfortë.
Këta janë pronarë shtëpish në Kinë që kanë refuzuar të bien në ujdi me ndërtuesit kur planet urbanistike kanë parashikuar që në tokën e tyre të bëhen qendra tregtare, rrugë apo gjëra të tjera.
Rastet e kokëfortësisë së banorëve kanë arritur në nivele ekstreme, edhe në mes të autostradave, siç shihet edhe nga fotot më poshtë. / KultPlus.com
E merrnin dheun si një zemër arkaike e e shkërmonin I lanin sytë i fërkonin faqet plot robëri me të E e citonin Formulën e Pagëzimit pas çdo vaji Mbillnin ofshamat e nga to lisa zjarri gjigand bëheshin Dheu ishte e vetmja gjë që e besonin Mbi të binin të gjitha llojet e lotëve Me dhe gatuanin bukën e madhe E piqnin në zjarrin që ju dilte nga koka Si bekim universi e hanin me sy Natën i shikonin qyqet si iknin nga vaji i fëmijëve në Bllacë mallkimet i patën tharë edhe drurët Bllaca qe shpallur Kopshti më i madh në botë i vuajtjes Në pranverën e vitit 1999.