Sot prezantohet libri që i mëson të verbrit për trashëgiminë kulturore të Prizrenit

Sot prezantohet libri “Qyteti në miniaturë” i punuar nga Fitore dhe Nëntore Rexhepi.

Libri u dedikohet personave të verbër dhe atyre me dëmtime në shikim, të cilët deri më tani kanë krijuar një imazh për objektet e trashëgimisë vetëm përmes ngjarjeve dhe përshkrimit nga të tjerët.

Për të plotësuar fotografinë në mendjen e tyre dhe për të krijuar një lidhje më të afërt emocionale me monumentet e trashëgimisë kulturore, autoret kanë paraqitur në mënyrë kreative 15 monumente të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit të printuara në 3D, duke i bashkangjitur dhe një historik të shkurtër në alfabet brail.

Ky libër do të jetë i shoqëruar me një hartë orientuese të shtypur në reliev për këto 15 monumente.

Përurimi i librit do të bëhet duke filluar nga ora 14:00 në shkollën speciale për të verbër në Pejë. /KultPlus.com

AC/DC së shpejti me album të ri dhe turne muzikor

Grupi “AC/DC” pritet ta shënojë rikthimin e tyre me koncerte live kah fundi i këtij viti, me Brian Johnsonin në rolin e vokalistit të rok bendit legjendar.

Sipas prezantuesit australian të radios, Eddie McGuire, Johnson do t’i ribashkohet grupit pasi humbja e dëgjimit në vesh, e kishte detyruar të largohet nga bendi në vitin 2016.

McGuire, po ashtu deklaroi se albumi i shumëpritur në bashkëpunim me Brian Johnsonin, do të publikohet pas disa muajve.

Duke folur për emisionin “Triple M Melbourne”, McGuire tha: “Unë besoj që do të ketë album të ri nga “AC/DC”, i cili pritet të publikohet gjatë muajit shkurt ose mars të këtij viti, por gjithashtu mendoj që bendi legjendarë do të mbajë turne nëpër Australi, kah fundi i vitit. Pas një pune të madhe dhe hulumtimeve të shumta teknike, ata kanë arritur ta sigurojnë një aparat dëgjimi për vokalistin, Brian Johnson, i cili edhe këtë herë do të performojë me bendin”.

Përveç rikthimit të Johnsonit, bendi besohet se do të ribashkohet edhe me bateristin, Phil Rudd, i cili u largua nga grupi në vitin 2015, pasi ishte dënuar për posedim të drogës dhe kërcënimin me vrasje të një ish-punëtori.

Ribashkimi i plotë i bendit legjendar “AC/DC”, për herë të parë ishte paralajmëruar në vitin 2018. Ndësa, vitin e kaluar, Rudd dhe Johnson, ishin parë së bashku në Vancouver, ku bendi “AC/DC” i ka incizuar të gjitha albumet e tyre muzikore, përgjatë dy dekadave të fundit./koha.net/ KultPlus.com

Andrra ime

Nga At Zef Pllumi

S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:
sa pamje shpartalle, skelete pa brumë.
Flluska sapuni me shkumbë.
Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite,
që t’hedhin n’mendime vite me vite.
Nji send un e dij:
se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!

Mbarë token e due, si fushen, si malet
livadh të qëndisun me lulet e lajlet,
ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë
nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;
ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje
që njerzt t’ambelsohen goje për goje.

Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull,
ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:
ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë
pa ju versulë flakurim ndoj skifter.
Due njerzit, due popujt bashkuemun unji
Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!

Ket andërr ka pa shumëkush para meje
n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje.
Dhe prap un e dij:
Se u vunë vulën e zezë: utopi!… Arsyeja dhe zemra njerzore,
që n’kohnat e lashta antike,
andrruene për nji:
“Republikë platonike”.
-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore
mbiemnin ja vunë edhe ksaj:
utopike!

E s’voni n’epokat e reja, pa pra
n’shkreti shungulloi persritun nji za:
“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!
Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”
Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar,
Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.

E dij se n’tokë ka dimna e prandverë,
e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;
e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele,
ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele,
por kët s’e kuptoj:
pse n’tokë sundon dhuna,
forca shtasore
jo mendja, jo puna;
se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend
a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!

S’pat bota njerz t’mendshëm?
pat, po si s’pat!…
Por o kjenë të plakun
o t’vorfen pa fat.

Prandaj un e due at andrrën e mirë:
që njerzit dikur, me hir o pa hir,
do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës,
instinktet shtasore t’mënisë e furtunës,
dhe n’vendin e tyne do t’vehet
Mirsia,
Mendja njerzore,
Zemra e Dashunija! / KultPlus.com

‘Ne njihemi për besë ndaj të huajit dhe për tradhëti ndaj vetes’

Nga Nezir Kraki

Besa dhe tradhëtia, dy shtyllat tona

Çuditërisht, ne që njihemi për besë njihemi edhe për tradhëti. Ose thënë ndryshe, njihemi për besë ndaj të huajit dhe për tradhëti ndaj vetës.

Historikisht i kemi tradhëtuar synimet tona si popull, jo populli por ata që gjendeshin në krye të tij. Në mesin tonë edhe pushtuesit më t’egër gjenin argatët më të zellshëm derisa përballë i kishin trimat më të mëdhenj nga i njejti popull. Çfarë çudie!
Kur na robëronin, kjo nuk ndodhte sepse armiqtë ishin të fortë por sepse ne ishim të ndarë. Të ndarë në qëllim, të ndarë në mes atyre të besës e t’atdhedashurisë dhe atyre të argatllëkut dhe tradhëtisë.

E kemi gënjyer veten dhe glorifikuar të paqenen. Sot e paqena na rri mbi krye dhe tradhëtia ndaj qytetarit e kombit është kthyer në « mënyrë mendimi » që na ofrohet herë si qasje moderne, herë si imponim i llavave me agratë të dreqit.

Ja shikoni ku jemi sot si popull. Mediat thonë se Rusia e përdorë Lulzim Bashen për ta çorientuar qëllimin evropian të Shqipërisë, derisa Edi Rama e ka institucionalizuar tashmë tradhëtinë si politikëbërje. Prehet n’besë ëndrra e shqiptarëve për shtet normal dhe me dinjitet. Prehet n’besë Kosova, prehen n’besë martirët dhe përgjakja e saj. Prehet n’besë pëpjekja jonë për liri dhe njerëzi.

Athua prapë armiku gjeti argatë në mesin tonë?!

Sigurisht që po. Sepse veç në mesin tonë një luftëtar, me besë e me qëllim, papritmas rreshtohet kundër qëllimit që kishte dhe bëhet argat i qëllimeve të armikut. Veç në mesin tonë, Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë që dikur çlironte shëndrrohet në Shtab të përgjitjshëm që tradhëton idealin e çlirimit. S’ka vend në botë ku studiot televisive vlojnë nga injoranca e argatëve të qëllimshëm apo të pacipë më shumë se ne trevat tona. Vlojnë ata që asnjë fjalë apo veprim nuk e kanë n’lidhje me qëllimin tonë si popull. Veç ne kemi talent që të përpiqemi 100 vjet për liri e shtet dhe në fund ta rikthejmë në pazar shetin e fituar bashkë me lirinë. Dhe, për t’i qëndruar besnik historisë sonë të tradhëtisë, sapo ia falem qiellin Serbisë. Qielli i shqiponjave matanë alpeve ka kohë që i është dhënë Turqisë.
Asgjë absurde!
Veç argatë të pushtuesve.

A ka si ne? JO!
Dhe mos ma përmendni më besën ndaj të huajit kur kemi 2000 vjet që e tradhëtojmë veten tonë.

***

P.S: e çmoj besën ndaj të huajit si sjellje humane dhe krenohem me faqet e bardha të historisë sonë moderne të shkruara falë pikërisht besës.
Këtu e kam fjalën për besën ndaj veten sonë, ndaj qëllimit dhe ndaj popullit tonë, si populli më i tradhëtuar i këtij kontinenti. / KultPlus.com

Ekspertët italianë në krah të kolegëve shqiptar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të dëmtuar nga tërmeti

Pesë ekspertë italianë përgjatë një jave do t’’u qëndrojnë në krah kolegëve shqiptarë në menaxhimin e emergjencës së trashëgimisë kulturore të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit, transmeton KultPlus.

Ambasada e Italisë në Shqipëri bën të ditur se sot nisi misioni Unite4Heritage nga Ministria Italiane e Trashëgimisë, Veprimtarive Kulturore dhe Turizmit.

“Pesë ekspertë italianë në mision për menaxhimin e emergjencës së trashëgimisë kulturore të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019”, thekson ambasada e Italisë.

Ambasada shton se, “përgjatë një jave, ekspertët tanë do t’u qëndrojnë në krah kolegëve shqiptarë për një hulumtim në detaje të dëmtimeve dhe për të vlerësuar bashkëpunime të ardhshme për restaurimin e trashëgimisë së dëmtuar”. /atsh/ KultPlus.com

Regjisori shqiptar fitues i çmimit më të rëndësishëm në Australi

Lorin Terezi, regjisori shqiptar, në festivalin ”Flickerfest Awards” që mbahet në Australi, ka arritur të shpallet fitues në mesin e shumë regjisorëve me famë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Filmi i regjisorit i titulluar ”The News”, ka arritur të shpallet fitues i çmimit kryesor për filmin më të mirë të huaj, të metrazhit të shkurtër.

‘The News’ u vlerësua maksimalisht nga kritikët e e festivalit “Flickerfest Award”.

Filmi trajton vdekjen e një gruaje, e cila gjendet e pajetë pranë një burimi dhe e gjithë pesha e fajit i bie nuses së saj, duke bërë kështu që të shpaloset mënyra se si lajmi transmetohet në media dhe se si po përfitohet nga vdekja e gruas.

Bashkangjitur keni linkun e trailerit të filmit. / KultPlus.com

Sihana Shalaj, nga Prishtina drejt skenave të mëdha të modës nëpër Evropë

Sihana Shalaj është një vajzë nga Prishtina e cila veç sa ka nisur karrierën e saj të suksesshme.

Ajo po merr pjesë në sfilata të ndryshme të modës në Evropë, ndërsa së fundmi ishte pjesë e ngjarjes së madhe të Fall-Winter 2020 nga Matthewn Williams.

Shalaj ka defiluar dhe është fotografuar krahas fotomodelës së njohur Bella Hadid, shkruan KultPlus.

Sihana është pjesë e IMG Models Worldwide, agjenci e modës e cila përkujdeset që vajzat të sfilojnë në metropolet e modës, nga Nju Jorku në Paris, nga Londra në Milano, nga Sidnei në Los Angeles. Sihana, sa ishte në Kosovë – ishte një prej muzave të kreatores Venera Mustafa, ndërsa tash ajo jeton më shumë jashtë Kosovës shkaku edhe i angazhimeve me fotografi dhe me sfilata mode.

Sihana para pak muajsh ka defiluar edhe për PRADA. / KultPlus.com

‘Mos u mbaj se je, mos u mbaj se ke, kur të vesh matanë, veç dy metra dhe’

Fjalët e urta janë ato fjalë që më së miri e tregojnë mendësinë e secilit popull, shkruan KultPlus.

Në vijim mund të lexoni disa fjalë të urta popullore shqipe.

-Ai që di më së shumti, flet më së paku!

-Burri është koka, kurse gruaja është qafa!

-Fjalët janë gra, veprat burra!

-Gruaja e fut shejtanin në shishe!

-Gjuha vete ku dhemb dhëmbi!

-Kush s’ka koke, ka këmbë!

-Budallait hapi rrugë!

-Gjithë gishtat dhembin njësoj!

-Kali i botës të lë në udhë!

-Atje ku ka, derdhet!

-Bie një gur, e lëviz një mur!

-Bora është e bardhë, por e ndyjnë qentë!

-Burrë e grua si mish e thua!

-Çfarë bën i ati, e heq i biri!

-Dhe sikur deti kos të bëhet, për të varfrin nuk gjendet lugë!

-Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

-Mos u mbaj se je, mos u mbaj se ke; kur te vesh matanë, veç dy metra dhe!

-Gabimet që harrohen, përsëriten!

-Një krimb thanë një lis!

-Të flasësh pa menduar, është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë!

-Më mirë një luan në krye të gomarëve, sesa një gomar në krye te luanëve!

-Gratë i përkushtohen Zotit kur nuk i hyjnë më në punë djallit!

-Dashuria që ushqehet me dhurata ka gjithmonë uri!

-Kush lyp shumë, e humb dhe atë që ka!

-Me thuaj c´shokë ke, të të them se cili je! / KultPlus.com

Shefqet Ndroqi, fëmiu që dinte pesë gjuhë pa asnjë ditë në shkollë

Mundet me u dukë se ky djalosh i fotografuem në vitin 1920 (në foton e parë) asht fotografu për shkak të pamjes dhe veshjes së tij të mrekullueshme shqiptare. Por nuk asht ashtu. Ky asht një djalë që i ka dijtë pesë gjuhë të ndryshme dhe nuk ka qenë në shkollë as edhe një ditë të vetme. Krejt këto gjuhë i ka mësu prej babës së tij, kryetar i bashkisë së Tiranës. Kryqi i Kuq Amerikan e ka punësu si përkthyes dhe lajmës. Emni i tij nuk përmendet në fotografinë e publikueme (teksti anglisht ma poshtë), por me sa arrijta me gjetë, ky djalosh quhet Shefqet Ndroqi, djali i Ismail Ndoqit, i cili ma vonë studioi mjekësinë në Sorbonë (Francë) dhe u ba pneumolog dhe themelues i pneumologjisë shqiptare. Nipi i tij, Zamir Ndroqi, sot asht po ashtu mjek ne Spitalin Amerikan.

“A youthful linguistic protege. This Albanian boy, a type of the better class speaks five different languages. He is employed by the American Red Cross relief workers as an interpreter and messenger. The boy never went to school, but was taught by his father, the prefet of Tirana, who was graduated from the American College at Constantinople.”

(American National Red Cross photograph collection)

Agim Morina / Facebook

Shefqet Ndroqi në moshë madhore
Shefqet Ndroqi në moshë madhore
Ismail NDROQI, i ati i Shefqetit, përkrahes i Ismail Qemalit dhe kundërshtar i Esad Pashe Toptanit. Kryetar i bashkisë së Tiranës nga viti 1917 deri në vitin 1922.

‘Dil moj nënë lajmëro dasmorët, se do shkoj unë partizane’

Për Vaçe Zelën padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare, një këngëtare që me zërin e saj të fuqishëm, la gjurmë në mëdha në historinë e muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Sonte, KultPlus ju sjell këngën ”Nënë moj do pres gërshetin”, kënduar kaq fuqishëm nga këngëtarja jonë e madhe.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

https://www.youtube.com/watch?v=q5NW6G82AgU&feature=emb_title

Nënë, moj do pres gërshetin,
E do dal malit përpjetë,
Shok’ e shoqe po më presin,
N’ato bjeshkë ku puthin retë

Dil, moj nënë, lajmëro dasmoret,
Se do shkoj un’ partizane,
Mos me bëj nuse zakoni,
Do marr pushkë, në mal do dal.

Refreni:
Në m’u kalbtë rripi I pushkës
Nënë, moj në shi e n’ere
Do ta lidh në ballët e luftës
Me gërshetin tim të prerë, o mori nënë!

Në të martë malli për mua,
Dil dëgjo krisma nga mali,
Mbi lirin asgjë nuk dua
Se jam nuse partizani.

Mos I pyet zogjtë nëpër pyje
Ku kam qenë e ku s’kam qenë
Gjurme me gjurme do le ca yje,
Të më gjesh kudo, moj nënë.

Refreni:
Në m’u kalbtë rripi I pushkës
Nënë, moj në shi e n’ere
Do ta lidh në ballet e luftës
Me gërshetin tim të prerë, o mori nënë! / KultPlus.com

Grua

Poezi nga Fakete Rexha.

Ti je ajër. Ujë. Zjarr. Lindje. Zgjim. Rritje.
Prania yte plotësim dëshirash përditë
më të bukura. Nga dashunia ditën të lumtur
e shkreh. O, dashuni e të gjitha dashunive!
Shtylla e majtë e portës kryesore. Streha
që t’strehon n’rrugë qorre kur t’zë nata.
Shi kur bie, e dielli mos me t’djegë.
Bërrulash, gjunjësh përgjkesh tu u katrrithë
nëpër therra. As sosesh. Feniks digjesh
prapë rilindesh. E fal, veç dashuni fal.
Prej ballit deri n’thembra edhe kur pikëllimi
shputat t’i zvogëlon. Syve që strehë u bën
vesa n’çepallë. Diellin ua qëndisë mes
vetullash. Grua!
Oh, Grua! Ti, që na do ende pa u lindur.
Ti, që na kërkon saherë humbim rrugën
e kthimit në shtëpi. Ti je vendlindja.
Origjina. Përkatësia. Shtëpia e vogël.  Fare e vogël,
pa mure, pa dritare. Gropë ku groptë mbillet
dashunia.
Pasha dritat e krejt Botës.
Pasha Qiell, Hanë e Diell.
N’mua mbillet fara e Tokës.

Linda Treska shpallet “Woman of the Year” nga ‘Motrat Qiriazi’ në New York

Linda Treska, një grua tejet e suksesshme në industrinë e kozmetikës dhe jo vetëm, së fundi është shpallur fituese e çmimit ”Woman of the Year”, çmim ky i cili ipet nga organizata ”Motrat Qiriazi”, një organizatë kjo që vepron në New York , shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur organizata ”Motrat Qirizai” përmes një postimi në llogarinë e tyre zryrtare në Facebook.

Në postimin e tyre organizata është shprehur se të zgjedhësh një grua për t’i dhuruar këtë çmim, është një gjë mjaft e vështirë, pasiqë kjo organizatë numëron shumë gra të suksesshmë në fusha të ndryshme.

”Përzgjedhja e një gruaje nga komuniteti ynë për t’i dhuruar çmimin e ”Gruasë së Vitit” nuk është detyrë e lehtë, pasi shumë prej jush janë gra të arrrira, si nëna apo profesioniste në fushat përkatëse të studimit dhe karrierës, si dhe sakrifikuese të familjeve tuaja.
Në zgjedhjen tonë, ne duam të sjellim një grua që jo vetëm ka përparuar në mjedisin e saj profesional, por që ka pasur një ndikim mjaft pozitiv në shoqërinë tonë, që është një motivuese dhe frymëzim për zonjat, vajzat dhe miqtë tanë të rinj në komunitetit.
Me krenari dhe gëzim të jashtëzakonshëm shpallim Linda Treskën fituese të çmimit ”AAWO Motrat Qiriazi 2020 Woman of the Year”.
Linda është një grua që pa mëdyshje ka guxuar të jetë e suksesshme në industrinë ndërkombëtare të bukurisë, themeluese e kompanisë së saj ”Pinch of Colour”, e cila i transferon njohuritë e saj në mësimin e studentëve të saj, një grua dhe nënë e dy fëmijëve, e cila është gjithmonë në proces zbulimi dhe më e rëndësishmja duke i dhënë përsëri komunitetit tonë botëror përmes qendrës së saj humanitare ‘Angel Angel’.”, thuhet në shkrimin e postuar në faqen zyrtare të organizatës.

Linda Treska është themeluese dhe drejtoreshë e përgjithshme e ”Pinch of Colour”, një markë globale e bukurisë kushtuar produkteve ushqyese të lëkurës. Ajo është gjithashtu bashkëthemeluese e qendrës humanitare ”Blue Angel”, një organizatë jofitimprurëse që përqendrohet në zgjidhjet e ujit në vendet me zhvillim të ulët.

Me pothuajse 22 vjet përvojë në industrinë e bukurisë dhe modës, Linda Treska është një nënë e dy fëmijëve, inovatorja e produkteve globale, eksperte i bukurisë, sipërmarrëse e biznesit, profesoreshë, filantrop dhe udhëtae e botës.

Përvoja profesionale bëri që Linda të krijojë një kompani globale të kozmetikës që e vendos misionin e saj në pararojë të biznesit të saj. Suksesi i madh i biznesit të saj në industrinë e kozmetikës bëri që Treska të vazhdojë tutje me misionin humanitar, që përfshin vendet me zhvillim të ulët, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. ”Pinch of Colour”, përpiqet të edukojë konsumatorët për ruajtjen e ujit dhe burimeve natyrore, udhëheqjen me mendje dhe nocionin se biznesi duhet të respektojë një qëllim që shtrihet përtej fitimit.

Treska ndër të tjerat është edhe make-up artiste kryesore në YSL Béauty, duke e shtritë kështu kreativitetin dhe punën e saj edhe në shumë brende tjera të njohura të kozmetikës si ‘Vincent Longo Cosmetics’, ‘Estee Lauder Companies’, ‘Laura Mercier’, ‘Laura Geller Beauty’.

”Blue Angel Charity” është një organizatë jofitimprurëse e bashkëthemeluar nga Linda Treska dhe bashkëshorti i saj Gentian Sholla, më 25 janar 2016, pak ditë pasi kishtë ndërruar jetë babai i Treskës, duke bërë kështu që të emëroj edhe organizaten sipas emrit të babit të saj ”Engjëll”.

Në lajmin e publikuar poashtu bëhet e ditur se ceremonia e nderimit të Linda Treskës, do të mbahet më 7 Mars të këtij viti, në Darkën e Gala Awards në New York. / KultPlus.com

288 vjet nga themelimi i ”Shën Adrianit”, kolegji arbëresh ku studiuan personalitete të shquara shqiptare

Me 20 janar 1732 u hap kolegji arbëresh i Shën Adrianit, që i dha personalitete të mëdha Kishës e kulturës shqiptare.

Pra, më 20 janar 1732 Kisha Arbëreshe hapii në Kalabri kolegjin e Shën Adrianit, njoftoi Radio Vatikani, institucion i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit dhe kultivimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe etnike të Arbëreshëve.

Në këtë kolegj studiuan dhe u formuan personalitete të ndryshme kishtare e kulturore shqiptare si Jeronim De Rada, Markianò, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi e shumë të tjerë. Po mbi rëndësinë, rolin e kontributin e kësaj vatre shpirtërore, kulturore dhe atdhetare që e ruajti ndër shekuj shpirtin arbëresh. / KultPlus.com

Adele i rikthehet muzikës pas një pauze pesë vjeçare

Këngëtarja britaneze me famë botërore, Adele, prej pesë vitesh nuk ka qenë aktive në skenën muzikore, shkruan KultPlus.

Adele njihet për muzikën dhe tekstet e e veçanta të saj, të cilat preknin në zemrën e adhuruesve të shumtë të këngëtares.

Menaxherët e saj, për Daily Mail kanë bërë të ditur se këtë vit, Adele do të rikthehet me një album të ri muzikor.

Edhe një vit më parë u përfol se këngëtarja do të publikojë një album të ri, mirëpo vetëm tash së fundi është konfirmuar një gjë e tillë.

Adele njihet për hitet e saj si ”Someone like you”, ”Rolling in the deep”, ”Sky fall”, ”When we were young” etj. / KultPlus.com

Vaçe Zela kthehet në vendlindje, vendoset shtatorja e këngëtares në qendër të Lushnjës

Këngëtarja e njohur Vaçe Zela, muzika e së cilës do të jetojë përgjithmonë me ne, këtë vit është rikthyer në vendlindjen e saj, në Lushnjë, shkruan KultPlus.

Mediat në Shqipëri kanë bërë të ditur që në qendër të qytetit të Lushnjës, është vendosur shtatorja e këngëtares së madhe shqiptare.

Qytetarët e adhuruesit e këngëtares kanë qenë të pranishëm në vendosjen e shtatores, një shtatore kjo që shfaq një nga momentet më të bukura të këngëtares, momenti kur ajo me kitarë këndonte ”Moj e bukura Arbëri”.

Shtatorja është punuar nga skulptori Arben Bajo, ndërsa ky event u përcjell me këngë nga këngëtarë të njohur shqiptarë, si Irma dhe Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Orgesa Zaimi e të tjerë.

Vendosja e shtatores së këngëtares nuk është bërë rastësisht këtë muaj dhe këtë vit, pasiqë përkon me organizimet e rastit të 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës. / KultPlus.com

Monica Bellucci refuzon ftesën e Sanremos

Në edicionin e tij të 70-të, festivali italian i këngës ua ka lënë të gjithë pushtetin grave.

Janë plot 10 femrat që do të shoqërojnë në skenë Amadeus, prezantues i njohur në ekranin e vendit fqinj. Një ndër këto emra ishte dhe aktorja e njohur Monica Belluci por kjo e fundit  i ka thënë jo këtij festivali për arsye madhore.   Aktorja emri i së cilës ishte konfirmuar gjatë konferencës për shtyp përkrah Amadeus, largimin e saj e ka bërë të ditur përmes zëdhënësit të saj.

’ Amadeus dhe unë u takuam muaj më parë dhe kishim bërë një projekt së bashku. Fatkeqësisht për arsye madhore ne nuk kemi pasur sukses. I uroj atij dhe ekipit të tij një festival të këndshëm dhe shpresoj për një shans tjetër në të ardhmen ” është shprehur zyra për shtyp e aktores.

“Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë”

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq në vitin 1900 në Paris. Ai rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë.

I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.

Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij- që sot KultPlus ka përzgjedhur disa për lexuesit.

Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë

Një poet mund të mbijetojë çdo gjë, por jo një gabim shtypi.

Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.

Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.

Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.

Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.

Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.

S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.

Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë

Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

Ai që s’di të mësojë, jep mend

Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.

Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.

Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.

Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.

Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.

Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.

E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.

Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.

Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.

Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.

Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.

Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë

Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.

Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.

Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.

Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë.

Si mund të pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë i cili insiston në trajtimin e saj sikur ajo të ishte një qenie tejet normale njerëzore.

Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata. /KultPlus.com

Dua Lipa me dy nominime për çmimet “NME”

Është bërë e ditur lista e plotë e të nominuarve të sivjetmë për çmimet “NME”, dhe e nominuar në dy kategori të rëndësishme të mbrëmjes është edhe këngëtarja kosovaro-britanike, Dua Lipa.

Ylli i muzikës pop, ka arritur të fitojë nominim në kategoritë, “Kënga më e mirë në botë” dhe “Kënga më e mirë britanike”, për hitin e saj të fundit “Don’t Start Now”, raporton Koha.net.

Lajmin për këtë sukses, Lipa e ka ndarë edhe me 38 milionë ndjekësit e saj në Instagram.

Në mesin e yjeve të tjerë të nominuar për këto shpërblime janë: Slowthai, The 1975, Yungblud, Billie Eilish, AJ Tracey, FKA twigs, Lizzo, Cardi B, Charli XCX, Foals, Stormzy dhe Lana Del Rey.

Çmimet “NME” i nderojnë më të mirët në muzikë, film, televizion dhe kulturë, ndërsa ceremonia e ndarjes së shpërblimeve do të mbahet më 12 shkurt të këtij viti, në arenën “O2 Academy Brixton” në Londër. / KultPlus.com

Në kopshtin e Edinit dhe S’Edinit, atje ku nis historia e njerëzimit

Shënime mbi romanin “Hijet e Muzgut”

Nga Jeta Dedja

Kur mora në dorë romanin “Hijet e Muzgut”, me autor mikun tonë Arben Kallamata, mezi prita të ktheheshim në shtëpi të nisja leximin. Por nuk kisha llogaritur që edhe bashkëshorti po thurte të njëjtin plan në mendje. Megjithatë kur pashë që libri kishte 412 faqe, u tërhoqa nga gara e leximit, për vitin 2019 …

Vendosa ta nisja Vitin e Ri si një grua e vërtetë. Duke pirë e lexuar, dhe sigurisht në dietë.

Duhet ta pranoj që në 3 faqet e para nuk po e merrja vesh a ishte një parapërgatitje që autori po i bënte lexuesit për çka do vinte më pas, apo ashtu me teori etologjike, abstragime e analiza gjuhësore do të ishte krejt libri? Falë Zotit ose Kallamatës faqet pasuese, ishin çliruese, jo të nervozizmit, por të një kënaqësie të madhe.

Libri të imponon një lexim frenetik sapo ti hyn në kopshtet e Edinit dhe S’Edinit, atje ku nis historia e njerëzimit. Atje ku Eva dhe Adami u tunduan të kafshonin mollën e ndaluar, pa ditur që aty ishte konservuar mëkati, prej të cilit vështirë se do hiqnin dorë ndonjëherë. Atje ku Qygja dhe Palloshi, dy krijesa të pafajshme, tamam rob Zoti, nuk ranë pre e reklamës së produktit, por u kuriozuan pas tregëtarit, duke kryer mëkatin e tyre të parë, vrasjen. Kështu, ata humbën rastin të zbulonin seksin. Kjo gjendje vazhdoi derisa një ditë, pasardhësit e Evës dhe Adamit, që për vite me radhë nuk kishin bërë gjë tjetër veçse ishin shtuar në brigjet e Afrikës e kudo përreth, arritën në Xhyrë, në kërthizën e Botës, t’i tregonin Qygjes dhe Palloshit se çfarë funksioni kishin ca pjesë të trupit.

Mos kujtoni se gjeneza ndodh kaq thatë sa ç’po e them unë. Ju do mbani barkun me dorë kur të lexoni dialogjet dhe pazaret me humor mes Perëndisë dhe krijesave të tij të para, nominuar kaq bukur dhe me origjinalitet nga autori.

Dikush që ka ndjenja të thella fetare ose përkushtim të verbër ndaj doktrinave mund edhe të preket siç në fakt ka ndodhur në raste të tjera kur satiristët janë marrë artistikisht me religjionin. Por ashtu si një fëmijë që lodron me një makinë duke e montuar e çmontuar, hedhur e përplasur, garuar e parkuar, me fantazinë e aftësitë e një mekaniku, shoferi, strategu, shkencëtari dhe lojtari, kështu edhe një krijues duhet të ketë lirinë për të luajtur me historinë, me legjendat, faktet dhe mitet, me tabutë e totemet, për të realizuar potencialin e tij krijues, jo vetëm për veten por edhe shoqërinë.

Tek “Hijet e muzgut” ngjarjet zhvillohen në dy kohë, në vitet e para, kur filloi jeta në tokë dhe në vitet anno domini, ose koha e re do të thoshte Kallamata në krye të kapitujve të tij. Kështu, lexuesi ndërmerr një udhëtim fantastik me ndalesa paralele në kohën e Konstandinit të Madh dhe në kohën e Qygjes dhe Palloshit e më tej të Lenkës së Virgjër të Tepelenës, Pirros së madh të të Pirit, e të Teutës, duke u argëtuar me parodizimin e gojëdhënave, miteve, historive e qytetërimeve. Mos prisni të arrini vetëm një pikë kulmore siç ndodh në romanet klasike, sepse kjo prozë moderne ka disa të tilla. Ato do t’i hasni përgjatë jetës në aksion së Qygjes dhe Palloshit dhe krijimit të pasardhësve të tyre, trimërive e tradhëtive të Gegës e Toskës, rolit të Zanës së malit, Lekos së Madh, Lame Lëçitësit, karaktereve biblikë e objekteve të shenjta, figurave të perandorisë romake dhe të ilirëve. Rrugës do të kuptoni edhe se si mbeti e pastër gjuha dhe raca e qygjarëve.

E qeshura dhe serioziteti do të na shoqërojë me të njëjtin intensitet deri në fund, ndërsa shquajmë një leksik të pastër, të pasuruar me neologjizma si dhe me fjalë të harruara nga ligjërimi i përditshëm, (për shembull, rokanis, xhings, urxhillëk, bilur, “ia hëngri xhigerin”) të qëndisura thjesht, në fjali aspak kilometrike.

Kush e njeh publicistikën e Benit, nuk çuditet nga mjeshtëria e tij për të luajtur me fjalën dhe kuptimet e saj. Surpriza është goditja me sukses që në herën e parë të një romani satirik, i cili të përpin ëmbël dhe ngutshëm. Por autori ka menduar të përfshijë disa sheshpushime gjatë udhëtimit. Kështu, në hyrje të kapitujve ai na tërheq vëmendjen me krijime dhe pjesë të përshtatura nga folklori. Pas kësaj ndalese, si për të marrë pak frymë, Kallamata ia dorëzon lexuesin Helenës, e cila vazhdon udhëtimin me karrocën perandorake në kërkim të Kryqit të Shenjtë.

Helena -75 vjeçare, autoritare, e pushtetshme, me një gjuhë të pandryshueshme, pa emocione, e akullt, e sigurtë, rrëfen symbyllur nën hijet e muzgut. Autori ka menduar që këtë personazh ta vendosë përballë alter-egos së saj, Afërditës, ose Venusit. Përmes tregimeve të historisë së shkuar Helena zhvillon luftën e brendshme të mbarsur prej fëmijërisë, genit apo fatit. Ajo na prezantohet si trashëgimtarja e qygjarëve, e caktuara për të realizuar një qëllim sublim të popullit të saj. Jeta e kësaj gruaje vërtitet rreth motos “Siç na dogjën do t’i djegim”. E shpëtuar dikur prej zjarrit që i shoi familjen, Helena 4-vjeçare vendoset në një familje romake për të humbur gjurmët e ekzistencës. Për disa vite ata e mbajnë të paprekur për shkak të kërcënimeve dhe pagesës që marrin, por kur fati i Gentit merr kthesë tragjike, Helena abuzohet fizikisht e seksualisht në bujtinën e fëlliqur. Urrejtja e neveria e saj arrijnë pikën kur ajo e ndihmuar prej një fisniku, të cilin më vonë e zbulon kush është, i vë zjarrin bujtinës dhe shkon e jeton në malësinë e Martaneshit derisa vjen momenti i duhur, të cilin unë nuk po e zbuloj për çfarë bëhet fjalë, në mënyrë që ju të lexoni vetë librin.  

Autori ka zgjedhur këtë pasardhëse të Qygjes t’i tregojë lexuesit se linja femërore do të jetë e preferuara e tij. Gratë do të simbolizojnë vazhdimësinë dhe origjinën, inteligjencën dhe pushtetin, intrigën dhe hakmarrjen, energjinë dhe lëvizjen. Ndërsa meshkujt i sjell si figura plotësuese që kanë për të kryer ndonjë funksion, duke dhënë mundësi të spekulohet se janë më pak të ditur dhe më shumë fajtorë kur vjen puna në çështje që janë ende aktuale edhe sot. Duke shigjetuar që në fillim të romanit stereotipet me bazë gjinore autori na njeh me anën progresiste të tij. Ai u atribuon grave tipare dominante dhe gjithashtu rezervon një vend për homoseksualët si minoritet që në fillesat e njerëzimit. Por ama, stigmatizimi me finesë i mënyrave të të menduarit dhe të të funksionuarit të karaktereve, si në aspektin biologjik, personal, ashtu edhe atë social e politik nuk bën dallim në kohë, gjini, përkatësi apo shtresë të personazheve. Ndërsa dallim konstatojmë sa i përket stilizimit të karaktereve të bërë me aq mjeshtëri, saqë jo vetëm që imagjinata e lexuesit do t’i përkthejë si në imazhe filmi, por edhe si figura reale historike.

Qygjpalloshët flasin me një gjuhë të thjeshtë, konkrete siç është edhe të menduarit e tyre, problemet apo situatat i zgjidhin përmes dhunës, ose çlirimit të gazit intestinal (faqja 81 dhe 121), sjelljet i kanë të orientuara nga nevojat bazike, gjë që tregon se ata, njerëzit e parë, udhëhiqen nga instinkti. Ndërsa qytetarët e epokës perandorake na paraqiten pak më të sofistikuar. Ata kanë mendim, reflektim, emocion që do të thotë se njerëzimi po ngjit shkallët e intelektit. Autori nxjerr në pah disa vlera si premtimi, besa, sakrifica, dashuria jo thjesht për t’i glorifikuar ato dhe për të prekur ndjenjat e lexuesit, por për t’i përdorur në funksion të motiveve themelore të jetës së personazheve.

Disa herë Kallamata përdor të kundërtën e asaj që presim nga një karakter, duke thyer e provokuar skemat e ngurta të rrënjosura e trashëguara përmes sistemit universal të qëllimshëm të edukimit. Ai vendos në rrafshin e rëndomtë tokësor, heronjtë e mitet, motivet e luftës, fitoret apo humbjet, simbolet fetare dhe klerikët, duke i ravijëzuar aspak ngjashmërisht me klishetë që makineria propagandistike globalisht ka ushqyer historikisht masën.

Për shkak të disa ngjashmërive me ngjarje e personazhe historike apo mitologjike, mund të na duket sikur Kallamata po na rrëfen të pathënat, sipas stilit « qesh e ngjesh », sikur po zbulon pjesët e errëta të të vërtetave të fshehura ndër shekuj. Ose ndoshta jo, është thjesht një këndvështrim që i shtohet shumë të tjerëve. Si rrjedhojë, natyrshëm shijojmë jo vetëm anën humoriale, por edhe procesojmë një të menduar reflektiv mbi mjaft tema të librit: A është shqipja origjina e gjuhëve? Po Zoti, a është ai që thuhet se është? Nga e kemi prejardhjen? A ishin pellazgo-ilirët në themel të çdo qeverisjeje dhe komploti? A kishte një Kryq të Shenjtë? Si u instalua krishtërimi? A fshihen shumë vese e krime nën veladonin e besimit? Si luhet me injorancën dhe a është ajo burim i shumëçkaje? A është gjithçka ashtu si duket apo asgjë nuk duket ashtu siç është?

Unë ju ftoj të lexoni “Hijet e Muzgut”, një roman mrekullisht provokues, i shkruar me stil unik dhe inteligjencë, i cili i ka dhuruar letërsisë shqipe personazhe dhe fragmente humoristike që shumë shpejt kanë për t’u përfshirë në ligjërimet publike. Për ta mbyllur, unë e shijova pa fund… / KultPlus.com

Norbert Jokli, figurë e shquar e albanologjisë

Një ndër studiuesit më të shquar të albanologjisë, Norbert Jokl lindi më 25 shkurt 1877 në Bizenc (sot Bzenec) në Çekinë e sotme.

Në moshën tridhjetëvjeçare (1907) iu përvesh edhe studimit të shqipës. Mësoi shqipen duke ndjekur kursin që asokohe udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas forcoi njohuritë si autodidakt më ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë. Jokli mësoi shqipen aq mirë sa më vonë arriti të depërtojë në misterin mijvjeçarë të saj.

Mbas një pune të zellshme dhe të pandërprerë i shkoi për dore të botojë veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimsinë e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes. Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit.

Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.

Në pranverë të vitit 1914 bëri një studim në fushën e dialektologjisë, me një grup puntorësh shqiptarë nga Vrapçishti i Gostivarit në Hungari. Gjatë qëndrimit disajavor me ta, mblodhi një numër të madh tregimesh, 16 anekdota, 11 përralla etj. Gjithashtu, në arkivin fonografik të Vjenës më 14.04.1914 bëri disa inçizime me njërin nga pjesëtarët e këtij grupi, i cili qëndroi rreth një muaj në Vjenë. Këto inçizime të transkribuara dhe të përkthyera nga vetë Jokli gjenden po në këte arkiv: dy pllaka me numër 2351 dhe 2352.

Bashkëpunëtor i Vjetarit indoeuropian (Indogermanisches Jahrbuch) Jokli bëhet më 1916, ku bëri një punë të madhe bibliografike, meqë mbajti rregullisht këtë rubrikë, ku referon mbi botimet më të reja të albanistikës; në seksionionin e VII, që nga vëllimi IV, 1917 e deri te vëllimi XXIV, 1940.

Kulmin e veprimtarisë së tij shkencore Jokl e arriti me botimin e kryeveprës “Kërkime gjuhësore – kulturohistorike nga fusha e shqipes” (Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereich des Albanischen).

Jokl mundohet të japë një pasqyrë objektive të gjuhës shqipe, ndër të tjera sjellë këtu dëshmi të ndryshme që shqipja është veçmas e pasur me terma e shprehje në: onomastikë, sferë të blegtorisë, e të produkteve qumshtore, ndërsa një pjesë të terminologjisë së bletarisë e shpjegon me prejardhje latine, duke u nisur nga ajo se kjo në viset shqiptare u përhap më së shumti nga romakët.

Kjo vepër përveç që ka vlera gjuhësore ka edhe rëndësi etnografike. Matrialin etnografik Jokl e ka nxjerrë sidomos nga veprat e Ferenc Báró Nopcsas, shumherë edhe në bisedime private më këtë njohës të shquar të kësaj discipline shkencore.

Më 1923 Jokl merr titullin e Profesorit inordinar në Universitetin e Vjenës. Mbajti leksione të sllavistikës dhe të gjuhëve baltike, kurse mbi gjuhën shqipe mbajti disa leksione shkencore.

Jokl qe edhe mësues i strumbullarit të albanologjisë E. Çabejt. Midis tyre u zhvillua një miqësi e ngushtë dhe një bashkëpunim i frytshëm, që ndihmoi aq shumë Çabejn e ri për t’u thelluar në studimin shkencor të gjuhës shqipe.

Kishte gjithashtu lidhje të pandërprerë edhe me intelektualë shqiptarë të kohës së tij, si për shembull me Gj. Fishtën, F. Konicën, A. Xhuvanin, E. Koliqin e shumë të tjerë, të cilët të gjithë pasuruan njohuritë e tij rreth visarit leksikor të shqipes dhe dialekteve të saj. Pati korrespondencë edhe më shumë gjuhëtarë të njohur nga vise të ndryshme të botës, si me H. Pedersen (albanolog danez i cili mjerisht u largua që herët nga studimet shqiptare), K. Sandfeld, C. Tagliavini etj.

Më 1937 vizitoi për herë të parë e të fundit Shqipërinë. Ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Jokl u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”. Një vit më pas përjashtohet nga puna dhe i ndalohet e drejta e publikimit. Por jeta pa punë shkencore për të ishte krejtësisht e pamundur, kështu që ndonëse në gjendje të vështirë, vazhdonte të shkruaj. Në vjeshtë 1941 i shkruan Prof. Tagliavinit “Muajt e fundit kam punuar diçka dhe kam mbaruar dy punime”. Këto punime i merr Prof. C. Tagliavini gjatë një vizite të tij në Vjenë që i bënë për herë të fundit Prof. Joklit dhe i boton në revisten zvicerane “Vox romanica” në Zürich.

Pasojnë ditët e vështira të luftës, ndjekja e çifutëve nga ana e nacistëve shtohej nga dita në ditë e mjerisht këto lista e përfshinë edhe Joklin. Përpjekjet për ta shpëtuar Joklin qënë të shumta e të mëdha si nga ana e miqve dhe kolgëve të shumtë të tij, ashtu edhe nga ana e intelektualëve shqiptarë, me të cilët pati kontakte më herët.

Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi drejtuar konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Jokl planifikonte të shkonte në Shqipëri e të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale, të cilën pas vdekjes dëshironte t’ia dhuronte ministrisë së arsimit të Shqipërisë. Thuhet që kjo bibliotekë ishte shumë e pasuar dhe krahasohej më atë të M. Frashërit dhe të Françeskanëve në Shkodër. Për shpëtimin e Joklit u intervenua deri në instancat më të larta të Reich-ut gjerman. Por mjerisht të gjitha këto orvatje dështuan.

Më 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë VII, Neustiftgasse 65, u arrestua nga dy nënpunës të Gestapos edhe u dërgua në Sammellager Vjenë II, Castellezgasse 2. Mbi fatin e mëtutjeshëm të tij janë disa supozime: sipas listave të përpiluara nga nazistët është dashur të dërgohet në kampin e përqendrimit në Poloni (transportimi i çifutëve austriakë në Minsk). Ndërsa sipas një verzioni tjetër që duket si më i vërtetë, thuhet se në momentin e fundit u nda nga ky grup dhe u transportua në Rossauer-Kaserne në Vjenë, ku edhe vdes nga torturat.

Më kërkesë të Prof. Dr. G. Soltas senati i Akademisë më 29 prill 1982 vendosi që të shënojë emrin N. Jokl në pllakën përkujtimore të Universitit të Vjenës. Emri “Nobert Jokl” qëndron bashkë me shkrimtarët dhe shkencëtarët më të mëdhenj austriakë si: Fr. Grillparzer, A, Stifter, V. Jagic, N. S. Trubetzkoy. /KultPlus.com

Kolegji Universum nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin më prestigjioz në Francë

Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staf për shkëmbim semestral, këtë po e dëshmon fakti se deri tani këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë i janë aprovuar 79 marrëveshje me universitetet më të mira në Evropë. Së fundmi, gamës së bashkëpunimeve i është shtuar edhe projekti tjetër për BURSA ndërkombëtare në Francë.

Studentët e Kolegjit Universum do kenë mundësinë të studiojnë për një semestër në “The Institut d’Etudes Politiques de Rennes” apo i njohur ndryshe si “Sciences Po Rennes” një nga 10 institutet e shkencave politike në Francë dhe konsiderohet si një nga shkollat më madhështore në botë.

Për më tepër, këtë vit është rritur edhe vlera e bursës për studentët e Kolegjit Universum. Secili studentë përfiton shkollim falas, 950 euro kompensim mujor dhe 360 euro kompensim për shpenzime të transportit. Vlera totale e bursës për secilin student është 6,060 euro/semester, e financuar direkt nga Komisioni Evropian.

Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 134 studentë të Kolegjit Universum dhe 92 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi.

Për informata shtesë kontakto Zyrën e Projekteve Ndërkombëtare të Kolegjit Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

“Kush gjen një mik, gjen një thesar, por kush gjen një thesar, s’do t’ia dijë për mikun”

Ivan Della Mea ishte një romancier, gazetar, këngëtar dhe aktivist politik italian, përcjellë KultPlus.

Lindur në Lucca, familja e tij u transferua në Milano kur ishte fëmijë. Ai punoi në një fabrikë, por përfundimisht filloi të punojë në një gazetë të vogël, Stasera.

Në 1956 ai u bashkua me Partinë Komuniste Italiane (PCI). Ai e filloi karrierën e tij si këngëtar dhe kantautor në dialektin Milanese në të njëjtin vit.

Si shkrimtar ai filloi të botojë disa vepra në vitet 1980/1990, përfshirë tre romane.

KultPlus ju sjell disa thënie nga Ivan Della Mea:

“Kush gjen një mik, gjen një thesar: Por, kush gjen një thesar, s’do t’ia dijë për mikun.”

“Rritet çmimi i benzinës, i naftës dhe i cigareve: të marrësh kancerin po bëhet çështje.”

“Kam filluar të dyshoj tek komunizmi që kur kam vënë re se japonezët nuk e fotografonin.” / KultPlus.com

Hapet shkolla shqipe në Emmen të Kantonit të Lucernit

Aktiviteti për hapjen e pikave shkollore në qytetin Emmen të kantonit të Lucernit po vazhdon.

Mësuesi Vaxhid Sejdiu para prindërve pjesëmarrës bëri një prezantim të detajuar të Shkollës Shqipe

Pas disa javëve punë dhe angazhim rreth hapjes së pikave shkollore në Emmen të Kantonit të Lucernit, më 15. Janar 2020, u organizua një mbrëmje prindërore me prindërit shqiptarë të këtij qyteti. Temë e kësaj mbrëmje informative ishte padyshim hapja e shkollës shqipe dhe njëherit ruajtja e gjuhës amtare.

Me të drejtë moto e kësaj mbrëmje informative ishte fjala popullore “Gjuha ruhet aty ku shkruhet”.

Mësuesja Liljana Doda – Gojani duke e bërë prezantimin e planit mësimor. Dhe me të drejtë u konstatua në këtë mbrëmje se është më se nevojshme hapja e jo vetëm një pike shkollore por e disa pikave shkollore në gjuhën shqipe sepse numri i fëmijëve shqiptarë është i madh dhe nevoja për ta mësuar gjuhën amtare është më se e domosdoshme. Ky aktivitet i cili filloi muaj më parë u iniciua nga veprimtari dhe një ndër mësuesit më të dalluar të gjuhës Shqipe në Zvicër Vaxhid Sejdiut, në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Bern, veprimtarët e kantonit të Lucernit, mësuesen Liljana Gojani dhe erdhi natyrshëm duke u bashkuar me vullnetin e prindërve arsimdashës, si dhe bashkërisht duke e konkretizuar këtë projekt kaq te rëndësishëm për fëmijët shqiptarë, më 15 Janar 2020.

Mbledhjen e hapi mësuesja zvicerane znj. Luzia Bozhdaraj – Sidler, e cila i përshëndet prindërit shqiptarë në emër të shkollës zvicerane duke ju dëshiruar mirëseardhje dhe njëherit duke iu bërë apel prindërve shqiptarë, që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në gjuhën amtare. Pastaj mësuesi Vaxhid Sejdiu bëri një prezantim të Shkollës Shqipe në Zvicër, organizimin si dhe shtrirjen e saj gjithkund ku ka fëmijë shqiptarë.

Mësuesja e Shkollës shqipe në Emmen Liljana Doda – Gojani, i njoftoi prindërit për organizimin e shkollës shqipe, ndarjen në grupe dhe planin mësimor. Ajo me të drejtë tha: “se me prindër si ju mund të arrijmë edhe me shumë në të ardhmen. Bashkëpunimi, përkushtimi dhe mbështetja që kemi pasur nga autoritetet e drejtorive të shkollave përreth ka qenë befasues dhe mjaft motivues për ne . Dhe neve nuk ka mbetet gjë tjetër përveç se nxënësve të shkollës shqipe t`iu urojmë shumë suksese”. Pas një bashkëbisedimi me prindërit rreth organizimit të shkollës shqipe në Emmen të Lucernit u shtrua një apero për pjesëmarrësit. njekomb. /KultPlus.com

1 nga 6 monedhat e vetme me fytyrën e Edward VIII shitet 1.3 milionë dollarë

Një monedhë e rrallë e mbretërimit të Edward VIII e vitit 1937 është blerë nga një koleksionist privat për 1 milion paund (1,31 milion dollarë), duke e bërë atë monedhën më të shtrenjtë britanike ndonjëherë. Monedha ishte një nga gjashtë të tilla, të përgatitur nga Royal Mint kur Edward u bë mbret në 1936 dhe do të prodhohej në masë për qarkullim të përgjithshëm nga 1 janari 1937.

Por, ai abdikoi në dhjetor 1936 – duke lënë punën e tij si mbret -, që do të thotë se prodhimi u anulua dhe monedhat me fytyrën e tij nuk hynë kurrë në qarkullim. Edward VIII këmbënguli që portreti të tregojë anën e tij të majtë, të cilën ai e preferoi, duke thyer traditën e secilit monark të ri që përballet me drejtimin e kundërt me paraardhësit e tyre. Monedha nuk është më në qarkullim por prapë pranohet si tender ligjor në Britani.

E prodhuar nga ari 22 karatësh, është pak më i vogël dhe më i lehtë se një monedhë paund moderne, duke matur 22 milimetra në diametër dhe peshon 7.98 gram. Nga gjashtë të prodhuar fillimisht, katër janë në muze dhe institucione dhe dy janë në pronësi private. Ekzistenca e tyre nuk ishte e njohur gjerësisht deri në vitin 1970, pasi ato u mbyllën dhe nuk u trajtuan si pjesë e koleksionit të muzeut Royal Mint, për shkak të ndjeshmërisë së abdikimit të Edward. Royal Mint nxori këtë monedhë të veçantë nga një koleksionist në Shtetet e Bashkuara për ta kthyer atë në Britani për blerësin e ri. / KultPlus.com