Pishina e Gërmisë sot në ora 10:00 do t’i hapë dyert për qytetarët.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media.
“Duke u bazuar në masat e fundit të Qeverisë së Kosovës rreth situatës së fundit me pandeminë COVID-19, nga sot pishina e Gërmisë hap dyert nga ora 10:00 për të gjithë qytetarët. Deri sa gjatë ditës së djeshme kishte konfuzitet, qeveria e Kosovës doli me rekomandime të qarta. Menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike ‘Sport Marketing’ ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se NPL “Sport Marketing” do të vazhdojë të mbajë të mobilizuar stafin menaxhues dhe infrastrukturën mbështetëse për të qenë gjatë gjithë sezonit veror të përgatitur.
Në pishinë janë angazhuar stafi profesional, duke filluar nga sigurimi fizik, shpëtimtarët, autoambulanca me mjekun dhe teknikun, si dhe mirëmbajtësit. / KultPlus.com
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ftoi qytetarët të shtojnë Dibrën në listën e destinacioneve ku ata do të udhëtojnë këtë verë, pasi kjo zonë përbën një nga rajonet më të bukura të turizmit malor.
Në kushtet e kufizimit të lëvizjeve si masë mbrojtëse ndaj COVID-19, qytetarët mund t’u drejtohen zonave të vendit që duhen zbuluar si destinacione turistike.
Klosi u sugjeron pushuesve ta zgjerojnë listën e vendeve që duhen vizituar edhe me Dibrën, pasi ofron një vend me natyrë të jashtëzakonshme, ajër të pastër, një vend piktoresk dhe kuzhinë tradicionale.
“Diçka që duhet ta shtoni medoemos në listën e planeve tuaja: Të zgjoheni në ajër të pastër duke shijuar pamjen e vargmalit më të lartë në vendin tonë, të zbuloni peizazhet piktoreske e më tej të ktheheni të shijoni një pjatë të shijshme me Jufka, të gatuar nga banorët e zonës, teksa ju flasin për zakonet e traditat e tyre. Ku? Në Dibër, një thesar natyror që ka kaq shumë për t’ju dhënë”, shprehet Klosi.
Dibra ka malin e Korabit, luginën e Drinit dhe Lurën me liqenet e saj me bukuri të jashtëzakonshme, vargmale dhe pllaja pa fund një vend që duhet të vizitohet pasi u ofron shumë pushuesve. /atsh/ KultPlus.com
Agjencia e Shteteve të Bashkura për Median Globale (USAGM) ka emëruar gazetarin me përvojë të Zërit të Amerikës Elez Biberaj në postin e drejtorit në detyrë të Zërit të Amerikës.
Emërimi i zotit Biberaj u njoftua përmes një emaili drejtuar stafit të martën nga shefi i ri ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale Michael Pack. Po ashtu u njoftua edhe emërimi i drejtuesve në detyrë për rrjetet e tjera informative që mbikqyren nga USAGM dhe financohen nga qeveria amerikane.
Zoti Elez Biberaj ka drejtuar Divizionin e Euro-Azisë që nga viti 2006. Në këtë detyrë ai ka mbikqyrur trasmetimet e Zërit të Amerikës për Rusinë, Ukrainën, Armeninë dhe Ballkanin. Më parë ai ishte shef i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës.
Zoti Biberaj mban një doktoraturë për shkenca politike nga Universiteti Columbia dhe është autor i katër librave, përfshi “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e vështirë drejt demokracisë”.
Emërimi vjen ndërsa vëmendja e publikut është përqendruar tek pavarësia editoriale e Zërit të Amerikës. Pararendëset e zotit Biberaj në krye të Zërit të Amerikës, Amanda Bennet dhe zëvendësja e saj Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen disa ditë para se zoti Pack të pushonte nga puna drejtuesit e tjerë të lartë të rrjeteve të financuara nga qeveria amerikane në fillim të muajit.
Emërimet e drejtuesve të rinj, të njoftuara për stafin mëngjesin e së martës, përfshijnë edhe Jeffrey Scott Shapiro në postin e zëvendës drejtorit të Zyrës për Transmetimet në Kubë. Zoti Shapiro është një avokat, analist ligjor dhe gazetar i cili punoi për faqen e lajmeve në internet “Breitbart”, para se të bëhej këshilltar në këtë rrjet në vitin 2017.
Parameswaran Ponnudurai, zëvendës president për programet në Radion Azia e Lirë që nga viti 2014, u emëruar president në detyrë në këtë rrjet.
Kelly Sullivan, një drejtuese e lartë në rrjetin për Trasmetimet për Lindjen e Mesme, u emërua presidente në detyrë. Daisy Sindelar, një nga menaxheret me përvojë në Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, u emërua presidente në detyrë për rrjetin RFE/RL.
Michael Pack u konfirmua nga Senati me 4 qershor, afro dy vjet pasi ishte emëruar në këtë post nga Presidenti Donald Trump. Ai tha se emërimet e njoftuara të martën, “do të sherbejnë në role kritike për të mundësuar që rrjetet tona të kenë rezultate më të larta dhe për t’i shërbyer me më efikasitet audiencës tonë”.
Së bashku, të pesë rrjetet e lajmeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkura për Median Globale, përfshirë Zërin e Amerikës, kanë një audiencë javore globale prej më shumë se 350 milionë dëgjuesish, shikuesish, dhe ndjekësish në internet në 61 gjuhë.
Shekulli njëzet, si asnjë shekull më parë, karakterizohet me një heterogjenitet stilesh, me një kundërvënje të theksuar mendimesh, qëndrimesh në fushën e teorisë dhe estetikës muzikore. Pozicionet e këtyre drejtimeve stilistike janë jashtëzakonisht kundërthënëse dhe pozicione të atilla saqë është të thuash e pamundur të përfshihen të gjitha me një emërtim të vetëm domethënës dhe përmbledhës stilistik, sado fleksibël që të jetë ai. Çdo rrymë stilistike, qoftë edhe ndonjë me parime të qarta dhe të qëndrueshme estetike kontestohet vrazhdë prej ithtarëve të rrymës tjetër stilistike.
“Mosdurimet” që zgjasin tërë shekullin kanë qenë (dhe pjesërisht ende janë) aq të mëdha saqë muzika e caktuar është shpallur “ilegale” dhe “joekzistuese” nga ithtarët dhe mbrojtësit e pozicionit tjetër muzikor. Me një paradoks të till janë goditur sidomos kompozitorët e orientimit avangard. Arsyet për sqarimin e një fenomeni, por edhe të një paradoksi të till, zakonisht kërkohen ekskluzivisht në rrafshin muzikor-estetik. Pa mëdyshje është kjo një rrugë e mirë që të sqarohen cështjet, por kursesi nuk mund të thuhet se është rrugë e vetme. Përkundrazi, nëse dëshirohet të ndriqohet më mirë dhe në mënyrë më komplete, ajo duhet të vështrohet, pos tjerash, edhe në planin sociologjik, historik, psikologjik etj./Muzika tradicionaliste dhe muzika avangardo-moderniste/Ndonëse këto telashe të mëdha me të cilat është e përfshirë muzika bashkëkohore, tërë ky konglomerat drejtimesh dhe rrymash që lajmërohen në të e vështirësojnë emërtimin e saktë të saj, megjithatë në këtë mori tendencash, drejtimesh mund të evidentohen dy rrugë kryesore në të cilat lëvizë muzika e shekullit tonë, të cilën ne në mënyrë të përgjithsuar e quajmë muzikë moderne. Këto janë a) rruga tradicionaliste dhe b) rruga avangardo-modernistenë art.-Si tradicionaliste mund t’i vecojmë drejtimet që i ruajnë parimet themelore të epokave të mëparshme stilistike, si vlera të përhershme dhe të pandryshuara. Këtë rrugë e karakterizon mbështetja në muzikën tematike, mbështetja pra në temë, si bosht i shprehjes së mendimit muzikor dhe ndërtimit dramaturgjik-formal të veprës muzikore.
Në kuadër të kornizave të verifikuara dhe të sigurta, kompozitorët e këtij krahu tentojnë të sjellin frymën e re të kohës. Këto drejtime që në të vërtet paraqesin një lloj restaurimi të së kaluarës, marrin parashtesën “neo” – neoklasicizmi, neoromantizmi, neobaroku etj. Shpeshherë këto drejtime kanë konotacione të shkollave nacionale (të ngjashme me shkollat nacionale të shekullit XIX).-Në drejtimin avangardo-modernist përfshihen ato tendenca të cilat shkëputen në mënyrë radikale nga parimet themelore të epokave të mëparshme. Këto rryma kryesisht kultivojnë atematizmin, që do të thot se ato e mohojnë temën, si bosht gjenerues të veprës artistike. Aktin krijues e kuptojnë si formë të hulumtimeve dhe kërkimeve të pandërprera. Kredoja e tyre krijuese është zbulimi i formave (metodave) të reja teknologjike-krijuese, duke qenë të bindur dhe duke konstatuar se mundësitë shprehëse të muzikës tonale (sistemi dur – mol), janë tharë. Duhet thënë se tërë këtë rrugë e përgatisin dhe e kushtëzojnë disa procese të cilat zënë fill në fundin e shekullit të mëparshëm, si përfshirja gjithnjë më e madhe e kromatikës, mjegullimi i funksioneve harmonike-tonale, krijimi i strukturave politonale, krijimi i melodive me modulime të shpeshta, harmonia e kuartave etj.
Shikuar nga aspekti i koncepcioneve dhe metodave që e karkterizojnë artin muzikor dhe në bazë të parimeve kompozicionale-teknologjike, këtë rrugë të muzikës në këtë shekull mund ta ndajmë në: muzikë atonale, muzikë dodekafonike, muzikë seriale, muzikë punktualistike, muzikë teknike (muzikë konkrete, muzikë elektronike, muzika manjetike) muzikë aleatorike, muzika e timbrit(ngjyrave tingullore), muzikë e pastër eksperimentale. Duhet pasur parasysh se në praktikë, në raste të shpeshta, mbrenda krijimtarisë së një kompozitori, ose mbrenda një vepre të vetme (zakonisht të atyre më komplekse) do t’i gjejmë të përziera disa metoda. / KultPlus.com
Roman impresionues, roman që të shtynë të mendosh për shkathëtsinë dhe njohurit që autori i posedonte në moshë aq të re. Ky roman që ishte burgosur me vitet të tëra nga regjimi komunist e pushtues serb ishte shkruar diku rreth viteve 1960 por nuk e pa dritën për botim deri në vitin 2020-të. Autori nuk arrit ta priste për t’a parë publikimin e këtij libri përkundër kësaj sigurisht që do të ndihej i qetë sepse krijimtaria e tij me një pendë të mprehtë i mbijetoj të gjitha peripetitë dhe do mirëpritet nga lexuesit.
Natyrisht që lexuesi e mirëpret sepse ky roman është aq i kapshëm dhe aq inspirues sa që vërtetë secili që do të lexoj do të ndihet i fasionuar nga përmbajtja, cilësia dhe stili që është shkruar.
Gjuhën të cilën e përdor Demaçi është një gjuhë të të folurit të shqipes së moqme popullore. Karakteristikë e veçantë në përdorimin e shqipes popullore janë paraqitur shprehje që janë të përshkrim i përditshmërisë së jetës së shqiptarëve. Kjo përditshmmëri e tyre ka pasur edhe influencime nga gjuhët e pushtuesve nga turq e serbë që në të folur ndonjë fjalë e tyre është familjarizuar në përdorim të përditshmërisë së shqiptarëve. Mirëpo gjatë leximit të romanit gjejmë edhe fjalë të gjuhëve të tjera, si gjuhës greke, latine, gjermanishte e angleze të cilat janë përdorur në mënyrë shumë të përzgjedhur, për t’i dhënë një sharm të veçantë kuptimit të fjalisë në roman.
Përmbajtja e romanit prek shumë tema të cilat marrin trajtën për nevojën e transformimeve që duhet të bëhen në shoqëri përmes shkrimeve letrare. Nevoja për transformime është gjerë dhe propozohet që të bëhet ndryshim edhe në mënyrën e të menduarit të krijimtarisë letrare. Demaçi kacafytet me emra të letrarëve të mëdhenjë si Maksim Gorkin duke mos hezituar t’a kritikon në përmbajtjen e shkrimeve të tij të ndikuar nga realizim socialist, Demaçi duke dhënë kritikë këtij modeli ai ka parashtruar modelin më të përshtatshëm që sipas itj është dialektika materialiste. Me këtë model letrar të propozuar nga autori mund të shpjegohet në mënyrë të duhur e kaluemeja, e sotmja dhe e ardhmja sepse me këtë botëkuptim asgjë nuk është e përkryeme, absolute apo e shenjtë.
Në mënyrë bindëse autori parashtron nevojën e transformimit të mënyrës së krijimtarisë artisitike që si kurriz boshtor t’a ketë realizmin dialektik apo realizimin logjik. Sipas Demaçit vlerat e dialektikës dhe katër ligjet e saja janë te nevojshme dhe burim për zhvillim të mendimit artistik.
Përveç kësaj specifike të domosdoshme për letrarët e ardhshëm në roman është luftuar edhe sistemi skllavo-pronar dhe patriarkalizimit. Që në fillim të romanit e dallojmë frymën feminist të Demaçit i cili duke përshkruar një fëmijë të një gruaje të ve. Fëmija e gruas së ve i mveshet atributi I dinjitetit dhe fuqisë që ishin cilësi shumë të të dalluar se sa i një fëmiju trashigimtar të një babai me mustaqe, apo siç e quan autori mustakut.
Luftën kundër skllavo-pronarizmit e godet fortë përmes paraqitjes së një shfaqje nga përgatitja e maturantëve. Çepimi I patriarkalizmit e arrin përmes krahasimit me botën europiane duke nënvizuar se a nuk është turp në shekullin e njëzet, në shekullin atomik, në shekullin e satelitve artificial me u shitë femra me vlerë sipas kilogramëve, sa ma shumë të peshonte aq ma shtrenjtë shitej ose sa më e dobët të ishte aq me lire shitej. Kjo ishte turp më i madh në këtë shekull.
Përplasja e mentalitetit në rolin e femrës vazhdon edhe gjatë diskutimeve dualiste mes të femrave të vjetra dhe të reja duke dhënë porosin se femna duhe me shkue pas fërkemve t’mashkullit. Fatkeqësia e tërë kësaj ishte se nuk ishin marrë masa dhe guxim për të ndryshuar gjendjen përpos në mënyrë individual bëheshin përpjekje te ndonjë femre për me dal jashtë këtij qarku patriarkal. Në këtë mënyrë me mprehtësi tërhiqet tema për emancipimin e femrës duke i dhënë mbështetje dhe duke e kritikuar çdo shkelje të të drejtave si të drejtën e lirive njerëzore e atyre kombëtare.
Inspirimi për të mos pushuar e për të punuar me përkushtim e gjejmë te përshkrimi i ambicjeve. Njeriu I vërtetë e i logjikshëm nuk duhet të kënaqet me suksesin e së kaluarës dhe me këtë lexuesi insprohet që mos t’I shuaj ambicjet për suksese tjera. Shumë thjesht e merrë shembull konkret nga përdishmëria ambicjen individuale të Qamilit të vogël I cili përmes librit Bylbili I Çabratit hymnizohet kontributi individual dhe kritikohet klasa intelektuale. Individualisht Qamili I vogël me katër vjet shkollë ka kontribuar shumë ma shumë për kulturë se sa njerëzit e kulturës, gjegjësisht njerëzit e shkolluem e intelektualë. Bile zëri kritik i autorit shpon edhe disa shkrimtarë e poetë që po lindin si këpurdhat pas shiut dhe pa kurrfarë lidhje apo kuptimi botojnë poezi e romane. Pra, për të kontribuar në kulturë autori kërkon kritike për ngritjen e cilësisë në përmbajtje e jo vetëm paraqitje pa vlera.
Në fund fare mund të them se, autori në libër si metaforë ka përdorur drithin për të klasifikuar çështjet shoqërore si çështje të dorës së pare, çështje të dorës së dytë apo çështje e dorës së tretë. Thelbi I kësaj metafore është përshkallëzue duke i shtruar pyetjet se a me blue, si me blue dhe kush me blue?
Këto pyetje janë shtruar për të nxitë mendimin kritik dhe për me mbështet transformime shoqërore që për me kalue nëpër etapa sipas rrethanave dhe kohës. Mu për këtë mesazh ky libër e ruan aktualitetin sepse në secilin kohë dhe në çdo epokë nevojitet mendimi kritik për të ngritë cilësinë dhe për të bërë transformime shoqërore në përshtatje të zhvillimeve kohore.
Shpresoj që këtë mesazh ta kap çdo lexues dhe të përpiqet të kontribon nga vetja për të thelluar mendimin kritik, për të mbështet emancipimin dhe për të kontribuar për transformime të shoqërisë krahas shoqërive të vendeve të zhvilluara, ashtu sikurse e dëshironte autori i librit “Drithë e Miell Bashkë”Adem Demaçi. / KultPlus.com
Procesi i restaurimit të kishës së Shën Mërisë Hyjëlindëse në Manastirin e Zvërnecit, monument kulture i kategorisë së parë, pritet të përfundojë së shpejti, ndërsa pritet të fillojnë dhe ndërhyrjet restauruese në fjetoren e ndodhur brenda këtij manastiri.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, Orgest Feimi, tha sot për ATSH-në se “projekti është hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me DRKK Vlorë, investimi po kryhet nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë”.
Këto ndërhyrje restauruese, nën mbikëqyrjen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, po kthejnë në identitet një nga monumentet më atraktivë dhe të rëndësishëm, të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë.
“Projekti konsiston në ndërhyrje restauruese për riparimin e plotë të çatisë, problematikë e madhe dhe konstruktive paraqiteshin në katër prej kolonave që përbëjnë harkadat e kishës në pjesën e Ikonostasit”, – theksoi Feimi.
Ai bëri të ditur se është bërë restaurimi ose konsolidimi i dyshemesë së kishës në ato pjesë ku ka pasur probleme, fugatimi i të gjithë pjesës perimetrale të kishës duke përfshirë kupolën, muret dhe të gjitha muret e brendshme.
“Po ashtu është bërë sistemimi i rrjetit nëntokësor të ujërave të kishës. Më pas do të vendosen dyert, dritaret, lyerja e pjesëve të brendshme të kishës dhe restaurimi i plotë i këmbanores”, – tha Feimi.
Sipas tij, shumë shpejt pasi të miratohet edhe projekti do të nisë restaurimi i fjetores, që është pjesë integrale e manastirit të Zvërnecit.
Kisha e Shën Mërisë Hyjëlindëse në Manastirin e Zvërnecit daton në shek. XIII-XIV, duke u bazuar në trajtimin e fasadave në arkada, si dhe ngjashmërisë me kishën e Shën Kollit në Kurjan të Fierit. Në një mbishkrimin në gur te porta kryesore e hajatit jepet edhe viti 1884. Ky vit ka të bëjë me ndërtimin e hajatit, eksonarteksit dhe kambanores. / Atsh / KultPlus.com
Vaçe Zela, padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare, shkruan KultPlus.com
Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.
Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.
KultPlus këtu ju sjell tekstin dhe videon e këngës “Valsi i lumturisë”, një nga hitet më të njohura të artistes shqiptare.
lalalala… lalalala…
Sa knaqsi kur degjoj valsin tone ne kete pranvere ai perseri po na fton te vallzojme si ate here.
Bashk me pranveren dhe ti lulezon lule plot ere qe ne shpirt me gjalleron…
(refreni) Vals o vals ti jeho mbi te bukurin atdhe Fushat tona i pershkon ku shperthen jete e re.
lalalala… lalalala…
Ne nje vals na bashkoi dhe na fali lumturin tingujt sot e ndegjoj dhe kujtoj prape rinine.
Bashk me pranveren dhe ti lulezon lule plot ere qe ne shpirt me gjallerroooooooooon
(refreni) Vals o vals ti jeho mbi te bukurin atdhe Fushat tona i pershkon ku shperthen jete e re. lalalala… lalalala…
Më pëlqen kur hesht se duket sikur s’je, e më dëgjon së largu, por s’të prek zëri im. Është sikur sytë të t’jenë mërguar diku, e një puthje të të ketë zënë fytin.
Meqë të gjitha, me shpirtin tim janë plot, atëherë ti del mbi gjërat plot me shpirtin tim. Me vete shpirtin më ngjan atëherë, o flutur ëndrre, më ngjan me fjalën trishtim.
Më pëlqen kur hesht dhe je si e largët. Më dukesh se ankohesh o flutur që klloçit. E më dëgjon nga larg e zëri s’të arrin: me heshtjen tënde, lër të heshtë dhe zëri im!
Lërmë që të të flas dhe unë me heshtjen tënde, të kthjellët si një llampë e t’thjeshtë si unazë. Se ti je si nata e heshtur, e yjëzuar. Heshtja jote është prej ylli, e largët dhe e qartë.
Me pëlqen kur hesht se duket sikur s’je. E largët dhe e dhembur, si t’kishe vdekur vetë. Mjafton pastaj një fjalë, një buzëqeshje. E ngazëllehem krejt, që kjo s’është e vërtetë./KultPlus.com
Ky bashkëshort do të vë në siklet çdo burrë me historinë e tij për punët e shtëpisë!
Një mik imi erdhi tek unë për kafe, u ulëm dhe filluam të bisedojmë, për jetën …
“Më fal vetëm një sekondë sa t’i laj pjatat në lavaman,” i thashë.
Ai më shikoi sikur i thashë se po shkoj të ndërtoj një anije kozmike. Duke më admiruar, por pak i hutuar ai më tha: “Shumë mirë që po ndihmon gruan tuaj, por kur unë bëj këtë, gruaja ime nuk është se e vlerëson fort këtë. E fshiva dyshemenë një javë, asnjë faleminderit nuk dëgjova nga ajo.”
Pasi u ktheva, u ula dhe nisa t’i shpjegoj se në fakt unë nuk po e ndihmoja gruan.
Gruaja ime nuk ka nevojë për ndihmë, ajo ka nevojë për një partner.
Unë jam partner në shtëpi dhe për shkak të këtij partneriteti, detyrat janë të ndara, por sigurisht nuk ka të bëjë me ndihmën time në shtëpi.
Unë nuk e ndihmoj gruan time për të pastruar shtëpinë, sepse unë jetoj këtu andaj më takon edhe mua ta pastroj.
Unë nuk e ndihmoj gruan time të gatuaj, por pse unë ha këtu, edhe unë duhet të gatuaj.
Unë nuk e ndihmoj gruan time që të lajë enët pas ngrënies, sepse kam përdorur edhe vetë ato.
Unë nuk e ndihmoj gruan time rreth fëmijëve, sepse fundja ata janë edhe fëmijët e mi dhe roli im është të jem baba dhe prind.
Unë nuk e ndihmoj gruan time që të lajë, hekurosë dhe thajë rrobat, sepse janë edhe rrobat emia, dhe fëmijët të mi.
Unë nuk jam një ndihmesë në shtëpi, unë jam pjesë e shtëpisë.
Sa i përket vlerësimit, e pyeta se kur ishte hera e fundit, pasi ajo kishte mbaruar pastrimin e shtëpisë, pasi kishte larë rrobat, pasi kishte ndërruar shtrojat në shtrat, pasi kishte larë fëmijët, pasi kishte gatuar, pasi kishte organizuar çdo gjë rreth shtëpisë, … që ky i kishte thënë ’të faleminderit’? Por jo çfarëdo falendërimi, por një falendërim të tipit: “Wow. E dashur! Ti vërtetë je një grua fantastike!”
Të hyrat nga turizmi në botë pritet të pësojnë rënie prej 3.3 bilionë dollarë për shkak të masave të izolimit nga koronavirusi, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që humbin më së shumti, sipas një publikimi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të mërkurën.
Raporti “Covid-19 dhe turizmi” i lansuar në konferencën për Tregti dhe Zhvillim të OKB-së bazohet në tre skenarë për industrinë, me masat e izolimit që zgjasin katër muaj, tetë dhe 12.
Në këto skenarë, të hyrat do të binin për 1.17 bilionë dollarë, 2.22 bilionë ose 3.3 në rastin e fundit, ose mes 1.5 dhe 4.2 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Botëror.
Raporti nuk ka treguar se cili skenar është më me gjasë të ndodhë, me një zyrtar të OKB-së që ka thënë se skenari i mesëm “mund të jetë më reali”.
SHBA-ja pritet të pësojë në vlerë prej 187 miliardë dollarësh me opsionin që izolimi të zgjatë vetëm katër muaj, e ndjekur nga Kina me 105 miliardë dollarë. Tajlanda e Franca vijnë më pas.
Raporti ka mbuluar 65 shtete dhe rajone. Ai kërkon nga qeveritë të sigurohen që punonjësit të mos preken nga koronavirusi. / KultPlus.com
“Kujtimet ma të hershme me babin janë të moshës fëmijërore, kur m’qojke në ëmbëltoren “Elida”. Përjetim në vete, se atëherë nuk ka pas mundësi njeriu me dalë çdo ditë në kafe e në restorant. Rrugës gjithmonë mi recitonte poezitë e Nolit, më mbante sipër në qafë edhe më sfidonte me i përsëritë vargjet. Unë hala, edhe sot i di përmendësh poezitë e Nolit. Prej asaj kohe, jam rritë në këtë frymë. Edhe mami e ka dashtë shumë poezinë dhe debatet mbi poezinë kanë qenë pothuajse gjithmonë prezente në shtëpinë tonë. Babi, zakonisht ka qenë duke shkru ose lexu, ndryshe nuk është pa nëpër shtëpi. Më vonë, ne si fëmijë u rritëm, nisëm me punu e ai nisi me u relaksu pak, nuk ka qenë fans i futbollit, por këqyrke futboll veç kur luante Shqipnia, ose kur insistonim me këqyrë ndonjë film bashkë”.
Vlora Konushevci, e lindur në vitin kur kthesat do të bëheshin beteja, e betejat do të nisnin për të përfunduar më vonë në luftë, viti 1981, fillon dhe e kujton babain e saj, shkrimtarin Abdullah Konushevci. Si 21 vjeçar, poeti kishte takuar gruan Hanëmshahen në një prej situatave tipike të asaj kohe, teksa të dytë prisnin në radhë për bursat studentore. Ky takim ishte prelud i një dashurie të mëvonshme.
Poetët jo vetëm shkruajnë për dashurinë, por edhe dashurojnë. Abdullahu nisi jetën bashkëshortore fillimisht në lagjen e Kacallarëve, njëra nga më tipiket të Prishtinës së vjetër, aty ky gërshetohen mrekullisht elemente të orientit e oksidentit dhe ku shpërfaqet më mirë se kudo fryma e Prishtinës! Ky rrugëtim më pas vazhdoi në Kodrën e Diellit, aty ku poeti u përpoq t`i bashkojë pikat e rrugëtimit të tij jetësor, si në titullin e libri të tij “Pikat A-D”.
Më 1981, Abdullahu ishte studenti më i dalluar në Jugosllavi. Këtë moment të veçantë, Vlora e kujton me pasion teksa mban në dorë diplomën, me të cilën poeti shpallej student shembullor.
Asgjë nuk përfundoi këtu. Abdullah Konushevci la për një kohë Prishtinën, duke ia mësyer Zagrebit, ku ndoqi studimet pasuniversitare në letërsi krahasimtare.
“Më dhimbset shumë kjo periudhë jetësore, sepse kur asht kthy babi ka pas mundësi me punu në Fakultet, si asistent, apo dhe në “Rilindje”. Aty ia premtuan një banesë, së cilës iu bë kurban. Jetoi në bashkësi familjare, ndaj ndoshta sakrifikoi karrierën akademike, duke e njohur shpirtin krijues dhe gjurmues të tij. Ai ishte ngulmuesi, studiuesi e poeti, i cili nuk reshti gjithë jetën. Babi është thjesht ëndrra jetësore e papërfunduar. Ai është edhe pse nuk është. Një sërë dorëshkrimesh e korrespondencash janë testament i tij i parealizuar. Sido që të jetë, babi mbetet për mua kryengritësi, vetvetja”, vazhdon Vlora.
*
Abdullah Konushevci lindi në vitin 1958 në Prishtinë. Një shkrimtar i shquar dhe i kujdesshëm në detaje, ai do të shkruante tërë jetën e tij, deri në frymën e fundit. Konushevci botoi me qindra artikuj dhe recensione për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe përgatiti për shtyp një numër të madh veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Falë tij, në shqip na ka ardhur Hemingway, Tagore e Hupperts, por edhe Shufflay, Teofrasti e Slaviçek.
KTHIMI I DRITËSORËVE
Dritësorët do të kthehen Me leshra të kërleshur Me thonj të paprerë Me trup-duar-fytyrëdheu
Do të përplasen brenda Do të na zënë për fyti Do të na shkulin për flokësh Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite Se nuk bëjnë hije mbi dhé Ata e kanë pushtuar Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit Dritësorët do të kthehen Të na mësojnë zejën e vdekjes Të na japin pak zemër të tokës Pak kupë të qiellit
Të dehemi dhe ne Me hirin e zjarrit Të mos jemi vetëm hije mbi dhé
*
Konushevci mbetet një nga poetët më elitarë të poezisë bashkëkohore shqipe. Që prej viteve 70’të ai u dallua si penë e mprehtë dhe sy i pangopur. La pas vetes, mes tjerash, edhe veprat poetike ‘Pasqyrë dhe diell’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1979), ‘Rënia e mollës’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1981), ‘Qerrja e diellit’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1983), ‘Loja e strucit’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1987), ‘Të qenët të mosqenë’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1990), ‘Pikat AD’ (poezi, “Papyrus”, Prishtinë,2002), ‘Dashni dhe vdekje’ (poezi. “Nositi”, Prishtinë, 2011), kurse ndër shkrimet studimore e kritiko letrare: ‘Demaçi, vepra letrare’ (monografi, “Nositi”, Prishtinë, 2008), ‘Për poezinë’ (kritikë letrare, “Nositi”, Prishtinë, 2008), Romani ‘Gjarpinjtë e gjakut’ i Adem Demaçit (artikuj të zgjedhur letrarë nga Abdullah Konushevci, kritikë letrare), NOSITI, Prishtinë 2011). Konushevci do të kishte kancer në fazën e fundit të jetës së tij, dhe për këtë fazë më vonë na tregon Vlora.
*
“Ka qenë kohë e demonstratave edhe e orës policore, kur kam lindë unë. Ishte 12 prilli i vitit 1981. Ardhjen në këtë botë e kisha në një gjendje jonormale. Është dashtë që mamin me e dërgu në spital me ndihmë të shpejtë shkaku i orës policore. Pas mesnatës së 12 prillit shkela në këtë botë. Babi ka pasë qef me ma lanë emrin Aulona. Por propozimi i axhës tim që unë të quhesha Vlora u votua. Të nesërmen babi sapo kishte hy në ambientet e Qendrës Spitalore kishte pa disa shokë të tij, të rrahur në demonstratat e 81-shit. Ai s`u mor me mua, duke vrapuar pas shokëve të tij. Atë kohë është marrë me protesta”, tregon Vlora, nëpërmjet së cilës do të përpiqemi ta zbërthejmë opusin krijues të poezisë së babit të saj.
“Leximi e ka përbë një pjesë të madhe të rinisë time. Kemi pas në banesë libra plot edhe në gjuhë tjera si anglisht dhe serbokroatisht të cilat kanë qenë kryesisht përkthime të kryeveprave, kemi pas edhe shumë libra të fushës së psikologjisë, ato kanë qenë pjesë e dhomës time, si Frojdi e Jungu. Unë i kam lexu në versionin serbokroatisht. Banesa jonë e vjetër, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, ka qenë pothuajse krejt bibliotekë: në sallon ka pas bibliotekë, sikurse edhe në dhomat e gjumit. Përjashtim bën korridori. Gjithkah, të rrethuem me libra”, rrëfen Vlora.
“Pas meje kanë lindë edhe Driloni, Dritoni e Blenda. Motra e vogël është cilësu prej babit ‘kryevepër’. -Ty t’kemi ba kadal dale, nuk jemi ngutë si me këta tjerët”, citon Vlora poetin Abdullah Konushevcin, i cili shquhej për goditjet e tij sarkastike.
“Blenda tash bahet 25 vjeçe, me mu ka dallim 14 vjet. Ajo ka qenë 17 vjeçe kur ka vdekë babi. Ajo e ka njoftë një version tjetër të babit, të njeriut më të përmbajtur e më të pjekun. Unë saherë me humor i kam nguc mamin e babin se Blendën po e rrisnin me standarde të tjera. Ajo ka shku në deti veç me babin. Mandej, të dytë e kanë vizitu panairin e librave, kanë marrë pjesë në tubime letrare etj. Për mua ka qenë “Elida”, teksa për Blendën “Edi 2”. Kur e pati përfundu Blenda leximin e romanit të parë në anglisht të Hemingway: “To have and have not”, babi u pat tregu të gjithëve. Kur na shihte tu lexu, kënaqej. Ka pasë shumë qef me ecë, autobusat nuk i ka dashtë e me vozit nuk ka ditë. Ai e ka dashtë shumë peshkun, prandaj është i vetmi që ka ditë me e përgatitë”.
“Nana ka qenë shumë ma e kujdesshme edhe ka dashtë krejt me i ditë, ku je, me kë. Babi ka qenë shumë liberal, kur u rrita më pati thanë -Nuk domethënë me njeriun e parë që të takohesh me e kalu krejt jetën edhe kurrë mos mbaj gajle çka thonë hallku”, rrëfen Vlora.
SKICË PËR NJË ELEGJI
Ja Kjo shtëpi Ka një të vrarë Dhe kjo këtu Dhe kjo pranë saj Dhe kjo tjetra Dhe kjo dhe kjo dhe kjo Ja Dhe ajo shtëpi Ka një të vrarë Dhe ajo atje Dhe ajo pranë saj Dhe ajo tjetra Dhe ajo dhe ajo dhe ajo
(Kjo poezi recitohej nëpër manifestime proteste e kulturore gjatë viteve ’90, kur vriteshin shqiptarët nga milicia serbiane nëpër protesta.)
*
“Kam qenë në klasë të dytë, diku në vitet 89-90, kur babin e kanë marrë policia edhe e patën rrahë shkaku i një shkrimi kritik për Titon dhe regjimin e kohës, të publikuar në njërën nga gazetat e asaj kohe. Unë isha e vogël, mami m’pat qu te gjyshja që mos me e pa babin të mavijosun. Dikush ka qenë tu e lexu gazetën, te gjyshja, edhe unë e kam pa titullin ku përmendej babi edhe e dita që diçka nuk asht në rregull. Mësuesja ime, Shukrije Merovci, m’pyti në klasë – ‘Vlora, qysh asht babi?’, unë po i them mirë, pse?. Ajo tha: “Jo, veç po pyes”, kur e pa që unë nuk e dija çfarë ka ndodhë”, tregon Vlora.
Ajo thotë se babai i saj ishte një rebel i të gjitha sistemeve, përfshirë edhe sistemim e pasluftës në Kosovë.
“Ka qenë i drejtë, atdhetar i madh. Me ish sistemin nuk ka pasë dëshirë me bashkëpunu, ishte në hasmëri të përhershme. Kojshinë e parë në Kodrën e Diellit e kemi pasë serb. Zhika e ka pas si ritual vendosjen e posterit të kriminelit Sllobodan Millosheviq mbi derën e banesës së vet. Babi nuk e duronte këtë pamje, ndaj saherë ia griste posterin. Gjatë luftës, djali i Zhikës vinte në banesën e tij, i uniformuar dhe i armatosur. Prej dritares tonë shiheshin fqinjtë duke u armatos. Ishte ndjenjë e tmerrshme. E pata detyru babin me dalë prej asaj banese, gjatë asaj periudhe të luftës kur unë isha 17 vjeçe. E paramendoja Zhikën duke na vra të gjithëve. Nuk kemi pasë marrëdhënie me ata kojshi. Patëm shku në Tophane, te gjyshja, te dajtë, aty ishin krejt shqiptarë, derisa na dëbuan forcat paramilitare se militare jugosllave e serbe”, tregon tutje Vlora.
E, shkrimtarin mund ta harrojë vendi i vet, por jo edhe pena dhe lavdia e shkrimit.
“Më duket se të gjithë krijuesit e kanë një dozë të paranojës, nëse dikush nuk të përkrahë, menjëherë të duket që po ta bajnë për inati. Babi ka qenë poet i kalibrit të madh, dhe i vetëdijshëm për këtë gjë. Si fëmijë, i ka ndiku një histori e dhimbshme familjare, por megjithatë ka ditë me dashtë shumë, ai ose e ka dashtë dikë, ose nuk e ka dashtë, nuk ka pas shumë mes. I ka largu njerëzit që ndoshta i kishin kry punë në jetë, por kurrë interesin se ka pas prioritet”, tregon tutje Vlora.
*
Sikur çdo intelektual i kohës, në përballje me disa regjime dhe duke u përshtatur në disponime të ndryshme, Konushevci kohën do ta kalonte edhe mes figurave tjera të kohës. Me Ali Podrimën, do të shoqëroheshin shumë, njëjtë edhe me Milazim Krasniqin, Rexhep Shalën, Bajram Kosumin, Islam Veliun, Arif Demollin, Qerim Ujkanin, Ibrahim Kadriun, Teki Dervishin, e të tjerë. Me Adem Demaçin ka pasë një miqësi të madhe, ndërsa ka punuar në disa prej librave të Demaçit.
“Kur doli Adem Demaçi prej burgut, baba na jepte librat e tij me i shitë, na thoshte merrni me vete në çantat e shkollës. I futnim librat, shkonim nëpër mëhalla, e nëse në ndonjëra nga shtëpitë qëllonte e ndonjë serbi, i kërkonim falje, kurse shqiptarëve u kërkonim me i ble librat e Adem Demaçit. Babi thoshte: “edhe nëse nuk kanë pare, jepjani, veç le të lexohet Adem Demaçi”. E ka dashtë Demaçin, por baba nuk i ka dashtë mitet. Tanë jetën ka luftu me i zhveshë ato!” vazhdon Vlora.
*
“Ka qenë gëzim i madh kur asht ba gjysh, me lindjen e djalit tem Malit. Kanë festu pothuajse gjithë natën. Kur u rrit pak Mali, derisa babi punonte në kompjuter, Mali avitej, ia prekte tastierën e ai me humor i thoshte: “Mal, s’je hiq fëmijë serioz”! Pas Malit ka lindë nipi im Narti, djali i vëllait që ndodhet në Suedi. Babi ka pas shumë mall edhe pse na vizitonte shpesh. Poezi ju ka kushtu të dy nipërve. Nipin e tretë, Aronin, babi nuk e priti! Iku pa e përjetu dashninë e tij dhe pa ia kushtu ndonjë varg.
KUSH I PARI BÂNI… Nartit, në njëvjetorin e lindjes
Një ditë do të shkojnë të gjithë Të gjithë një ditë nuk do të jenë Dhe gjak i gjakut tënd Dhe mish i mishit tënd
Buzë Baltikut Do të bëjë banja dielli Prapë do të ndeshesh fytafyt
Me Vetminë tënde të Madhe Me mallin ta marrësh Nartin Në kraharor një herë Një ditë do të shkojnë të gjithë Të gjithë një ditë nuk do të jenë.
*
Jemi në fund të tregimit të Vlorës për babain e saj, derisa kemi shijuar e reflektuar edhe në disa poezi të Abdullah Konushevcit. Abdullahu ka qenë i mirë në matematikë, gjithmonë, prandaj edhe e kanë këshilluar që të shkollohej për drejtim shkencor. Jeta do ta përplaste në tjera gajle e angazhime. Një libër mahnitës ia ka kushtuar Gjergj Fishtës, me ndihmën e Patër Ambrozit nga Kisha Françeskane në Gjakovë.
“Babi ka lëngu nga kanceri. Është tallë me sëmundjen, nuk ishte frikacak, mbase duke e konsideru vdekjen si një akt të natyrshëm. Përkundrazi ka qëndru si mohikan deri në fund, pa e ditë kurrë se ditëlindja e tij do të shndërrohej në mort. Atë ditë mami na la! E babi në atë kohë veç trajtohej prej kancerit pa dhanë shenja dorëzimi. Dhimbjen përpiqej me e kthy në humor, siç ka ditë shpesh. Prandaj, e shndërroi në batutë ditën e vdekjes së mamit, duke na thanë neve se ka me vdekë për ditëlindje të mamit- 8 dhjetor. Por, ja që nuk ia mbërrini…Gjendja iu rëndu së tepërmi, pavarësisht se shkonte fyt a fyt me sëmundjen. “Mos u tutni nuk e la pa jetu deri më 8 dhjetor”, na thoshte me shaka, duke iu referu ditëlindjes së mamit. Mbeti veç dëshirë e projektuar në çaste të zorshme, sepse babi ndërroi jetë më 1 dhjetor. Terapia pothuajse tre vjeçare nuk bëri punë. Iku si për çudi pikërisht në ditën botërore të duhanit, si një duhanxhi pasionant, të cilit shpesh nga shtëllungat e tymit kam përshtypje se i dilnin vargjet! Megjithatë, frymën e fundit e dha në shtëpi, aty ku krijoi sa ishte gjallë. Edhe në çastet e fundit jetësore, shpirti rebel nuk iu nda. I dërmuar nga sëmundja, mbase filloi ta thërrasë vdekjen. Humbi durimin edhe nga pajisjet e oksigjenimit që e mbanin në jetë, apo infuzionet. I refuzonte ato, sikur të dëshironte sa më shpejtë të ikte nga kjo botë. Ndoshta edhe ka pas të drejtë, sepse pati një fund rrëqethës”, rrëfen emocionuar Vlora.
“Kur ka qenë ma ligsht, vetes i referohej si Dullec, e kur ish ma mirë si Dullë… e patëm shndërru në batutë këtë shprehje, ndaj e pyetnim qysh po ndihesh sot, si Dullë apo si Dullec?!”, rrëfen Vlora.
“Babi si i ri kish ditë mos me dalë me ditë të tana prej dhomës, kur ka qenë tu lexu dicka që i ka pëlqy. Gjyshja na pat tregu qysh ka shku me ja shkri një plumb se ka kujtu që s’asht mirë. Ai ka lexu shumë, një kohë edhe ka pi shumë, derisa shëndeti nuk e detyroi me e braktisë pijen”, thotë Vlora.
Me vdekjen e shkrimtarit, 55 vjeçar, familja ka pranuar shumë telegrame ngushëllimi nga autoritete të ndryshme nga fusha e politikës dhe e kulturës brenda e jashtë vendit.
Shkrimtari ka pas shije të hollë të humorit, teksa nga situatat ditore shpesh ka prodhuar perla. Siç krijoi poezi me stil unik në letërsinë bashkëkohore të Kosovës. Stil, të cilin pjesërisht e ka trashëguar edhe e bija Vlora.
“Si e re, ia dërgoja me email babit poezitë me i lexu. Ai e ka dashtë shumë kryelanën me misër e me presh. E korruptoja me kryelanë që me m’dhanë kritikë të mirëfilltë për poezitë, në mënyrë që mos me qenë subjektiv. Mandej hapej, më jepte kritika dhe më tregonte për figurat stilistike, të cilat nuk ish dashtë me i përdorë sepse janë harxhu, cilat janë gjetje të mira etj. Unë po vazhdoj me shkru, e kam gati librin e parë me poezi. Poashtu merrem me përkthime vazhdimisht. Kur lexoj poezi që më shijojnë shumë, them se kjo apo ajo duhet me u lexu në shqip”, tregon Vlora krejt në fund të këtij rrëfimi, të cilin nuk guxojmë ta përfundojmë pa një poezi të Abdullah Konushevcit kushtuar njëri nga figurat ikonike të UCK-së, Ilir Konushevcit, të rënë dëshmor më 9 maj 1998.
(Ilir Konushevcit)
Ty që ishe liria
Ti s’doje t’ia dije Për rrezikun e të qenit i-lirë Kur plehu donte të na zinte Derën e shtëpisë
Ty që ishe liria Ty aq të bënte Për Llap e Shalë Për Drenicë e Dukagjin Kur me një frymë e lidhje Durrësin me Prishtinë
Kur shtatin e murose në Tiranë Kur shpirtin e le në Dardani Ty, oh ty nuk të mbulon As krejt një Iliri!
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)
Vlerësimi i personave me kontribute të shquara në fusha të ndryshme, mos lenia e tyre në harresë, respekti ndaj tyre, vendosja në piedestal apo stimulimi në mëndyra të ndryshme për cfarë ato dhanë e bënë për vendin, është detyrë e shtetit por edhe e cdo njërit nga ne. “Shfrytëzimi” i PERLAVE, njerzve të shquar, të cilët pamvarsisht nga mosha apo gjendja ekonomike, vazhdojnë të jenë aktiv dhe të japin pa u kursyer eksperiencën e tyre të vyer për brezin e ri, duke e shkruar nder libra atë cka dijnë e cka jeta i ka mësuar, duhet të terheqë vemendjen e institucioneve dhe organeve të ndryshëm.
Një nga këto perla të cmuara ishte dhe Profesori i kantos dhe muzikologu Ferid Bala.
Prof. Feridin e njoha personalisht nga afër në auditorin e universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodres, me rastin e prezantimit të librit të tij – Kënga dhe Këngëtarët Shkodranë -. Atë ditë salla universitare ishte e mbushur plot me qytetarë, këngëtare dhe muzikantë të njohur, disa nga të cilët ishin nxënësit e tij apo zbulimet e tij. U fol shumë për Ferid Balen, aktivitetin e tij, librat e tij, ndihmesën e dhënë në formimin e talenteve të reja, por shkaku që më ngacmoi për të shkruar këto rreshta është vendosmëria e tij (edhe pse në pension) për të punuar dhe për të ndihmuar sa mundet në fushën dhe specialitetin e tij.
Shpesh herë, statusi i pensionistit, e pengonte Feridin për të bërë realitet daljen në dritë të librave që shkruante dhe që i mbesnin gjatë në dorëshkrim. Këmbëngulja dhe përpjekja e panderprerë për të kontaktuar persona që i “japnin një dorë” për të cuar në fund projektet e botimit të dorëshkrimeve, kontaktet, takimet në kafe apo telefonatat për këtë punë ishin të shumta. Një ditë pata fatin edhe unë të jem “i ftuar” i Feridit, por që e shfrytëzova edhe për të nxjerrë në dritë këtë shkrim.
Kush ishte Prof. Ferid Bala?
Feridi lindi në një familje qytetare shkodrane me 12 prill 1934. Nëna e tij Naxhija ishte e bija e Ahmet Boricit, bir nga familja e përmendur e Daut Boricit. Ajo pat 6 femijë, tri vajza dhe tre djem. Babai i saj Ahmeti ishte drejtor i doganave shqiptare në Tiranë deri sa në mospajtim me politikën e Zogut, u dorëhoq nga detyra.
Babai i Feridit, Nuhi njihej si pronar i madh tokash në Shkodër. Fisi i tij, si origjinë, vinte nga Pecajt në malësinë e Dukagjinit. Nga familja dhe fisi i Feridit ka pasur shumë arsimtarë të njohur për ndihmesën e tyre në arsim si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ndër vellezërit e Feridit, Vehbiu, ishte profesor i gjuhës shqipe dhe njihet si themeluesi i degës për gjuhë e letërsi në universitetin e Shkodres (atë kohë instituti i lartë padagogjik). Ai ishte mesues i popullit, deputet si dhe i lauruar me cmimin republikës së klasit të parë. Ndërsa Nazmiu është i njohur si administrator dhe krijuesi i idesë së parqeve të mallrave në zonën e veriut.
Shkollën fillore Feridi e bëri në Shkodër në mësonjëtoren 24 Maji ku mësues muzike pat kompozitorin Prenk Jakova. Që në atë kohë Prenka e klasifikoi Feridin, së bashku me Enver Dibren, si një nga zërat më të mirë të shkollës dhe e aktivizoj nëpërmjet Shtëpisë së Pionierit, në melodramen Dasma Shkodrane. Aty djaloshi shkodran bie në kontakt me këngëtarët e njohur File Gjeloshi, Bik Ndoja, Leo Prela (Bariton). Për shkak të zërit të bukur e të vecantë ai zgjidhet së bashku me Klotilde Shantojen, Florinda e Ndrek Gjergjin, nga specialistët rus të muzikës për tu dërguar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Bukuresht. Ky aktivitet, ku morën pjesë 100 koriste nga Shqipëria, të gjithë të veshur me kostumet e bukura shqiptare, pat si drejtues artistik muzikantin e njohur Gaqo Avrazi dhe u vlerësua me cmimin e 3-të. Duke parë dëshirën dhe talentin e Feridit, piktori Foto Stamo nguli këmbë që ai të futet në Liceun Artistik të Tiranës ku në vitin 1953 filloj të studiojë për kanto nën kujdesin e vazhdueshëm të këngëtares Marie Kraja. Në fillim punon me tenorin Maliq Herri e më vonë me sopranon Jorgjie Truja. Një ndër mësueset që pat ndikim të madh tek Feridi ishte pedagogia bullgare Vasilika Bakerxhieva e cila atë kohë ishte edhe mësuesja e këngëtares Vace Zela. Me mbarimin e liceut në 1957-tën, së bashku me Cesk Zadejen e Gaqo Cakon janë ndër të parët që themelojnë dhe punësohen në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë, ku Feridi ndejti vetëm tre muaj pasi u thirr në shërbimin ushtarak.
Ministria e mbrojtjes e përzgjedh atë, jashtë dëshirës së tij, për ta dërguar me studime si ingjinier në sherbim të flotës ushtarake shqiptare, në Bashkimin Sovjetik (Leningrad, sot Petërsburg). Nga këmbëngulja e tij për të qëndruar në Shqipëri, ai lejohet të jetë pjesë e Ansamblit të Ushtrisë. Pas periudhës ushtarake, emrohet si shef muzike në Klubin e Rinisë – Herojt e Vigut – ku ishte bashkëpunetor me kompozitorin Zef Leka, i cili e mbështeti shumë në punën e tij. Në janarin e vitit 1962 fillon studimet e larta në konservatorin e sapo krijuar të Tiranës në degën e kantos. Ishte bashkëstudent me këngëtarët e njohur Gaqo Cako, Luisa Cako, Irena Gjergo, Kirstaq Paspali. Me mbarimin e studimeve univetsitare u emrua si këngëtar në TOB ku pat disa koncerte vokale si dhe disa role në opera të ndryshme(1). Nën veshtrimin e ndikimin e luftës së klasave u transferua në Shkoder në Klubin e Rinisë si shefi i muzikës ku qëndroj deri në 1970-tën.
Në vitin 1971, fillon punën në degën e sapo krijuar të kantos në shkollën e muzikës Prenk Jakova në Shkoder, ku nxori maturantët e parë apo zbuloj talente si: Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Enriketa Kuqani, Valentina Hasani, Sabahet Vishnja, Myfarete Laze, Frano Lufi. Në shkollë merret me krijimin e programeve mësimore si dhe jep eksperiencën e tij metodike në hapjen e shumë shkollave analoge në të gjithë vendin. Si pedagog dhe specialist i muzikës, Feridi merret me punime shkencore, shkruan artikuj të ndryshëm problemor të mësimdhënies në kanto në shtypin shqiptar apo merr pjesë në emisione televizive. Në këtë vit dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të III-të. Që nga viti 1886-të, Feridi mban titullin – Mësues i Dalluar -. Cmimin Naim Frashëri të Klasit të II për arritje të larta në procesin mësimor, e merr në vitin 1990 dhe në 2011-tën nderohet nga Bashkia e Shkodres me titullin “Prenk Jakova”.
Ferid Bala ka një veprimtari të gjërë didaktike dhe është autor i disa librave për shkollat e mesme të muzikës, si “Ushtrime Vokale”, “Përmbledhje me Arie e Romanca”, etj. Së bashku me shokë të tjerë muzikantë themelon në Shkoder shoqaten Artistike “Dashamirët e Këngës Shkodrane” duke organizuar aktivitete të ndryshme koncertore dhe shkencore. Si cdo shqiptar, mbas daljes në pension në vitet 1990-të, provon emigracionin në SHBA dhe në Kanada nga ku kthehet rreth vitit 2000. Po këtë vit boton librin kritik “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarve popullore shkodranë”, në vitin 2009 boton librin “Fjalor muzikor i komentuar”, në vitin 2011 (me rastin e 50 vjetorit të shkollës së muzikës Prenk Jakova), boton librin “50 vjet Art e Kulturë” dhe librin “Këshilla për këngëtarët”. Në vitin 2012 nxjerr në treg një libër “Përmbledhje pjesësh popullore” që është bashkëpunim i autorit me shumë kompozitor dhe krijues shqiptarë. Së fundit në vitin 2014 nxjerr monografinë “Kënga dhe Këngëtarët shkodranë, pjesa e parë” e në 2015 pjesën e dytë të këtij libri.
Si këngëtar lirik dhe si solist i Ansamblit Amator të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Feridi, u shqua për interpretimet e tija me nivel të lartë në aktivitete e konkurse të ndryshme kombëtare, ku u vlerësua me cmime, diploma dhe medalje të ndryshme.
Gjatë takimit për punë me Prof. Balen, më bëri përshtypje të madhe energjia e tij pozitive dhe dëshira për të nxjerr në dritë me çdo kusht krijimin e tij të ri, librin mbi historikun e muzikës klasike shqiptare.
Prof. Ferid Bala me ndihmesen dhe profesionalizmin e tij në fushën e muzikës është dhe do të mbetet një nga PERLAT e çmuara në gjerdanin e intelektualve e atdhetarve shqiptarë. Vdekja e këtij intelektuali të pashoq e qytetari të mirë, do të vorfnojë Shkodren.
Pushoftë në paqë miku im i mirë.
Shenime:
Role te realizuara ne opera:
Gjini, te opera Mrika e Prenk Jakovës
Plaku, te opera e Rahmaninovit
Mbreti, te Macoku me Cizme e Korsakov
Sparofucili, te opera Rigoleto e Verdit
Selimi, te opera Dritë kudo Dritë e Mark Kaftallit
Gjergjin, te opera Celula e Kuqe e Gjon Kapedanit
Fotot dhe shenime rreth tyre:
Foto 1: Ferid Bala
Foto 2: Ferid Bala me studentat e diplomuar ne vitin 1985
Foto 3: Ferid Bala me Marie Krajen, Visar Balen dhe Rita Ndocin
Foto 4: Ferid Bala ne koncert
Foto 5: Ferid Bala me koleget, Marie Kraja, Odise Paskali, Vehbi Bala
Foto 6: Urdheri Naim Frasheri i Kl. II
Foto 7: Prenk Jakova dhe kori i shtepise se kultures ne koncert ne vitin 1950
Foto 8: (nga e majta ne te djathte) Kolec Hila, Ferid Bala, Tonin Ljarja , Henrik Daragjati, Petri Karamitri, Fred Serreqi ne vitin 1953
Foto 9: Titulli Prenk Jakova i akorduar nga bashkia Shkoder
“Të tridhjetat janë të bukura, dhe tridhjetë e një, tridhjetë e dy, tridhjetë e tre, tridhjetë e katër, tridhjetë e pesë vjeç. Ato vite janë të mrekullueshëm sepse jemi të lirë, rebelë, mashtrues, sepse ankthi i pritjes ka mbaruar, melankolia e rënies nuk ka filluar, sepse më në fund, në moshën tridhjetë vjeçare, ne po shkëlqejmë!
Nëse jemi fetarë, ne jemi fetarë të bindur. Nëse jemi ateistë, ne jemi ateistë të bindur. Nëse jemi të dyshimtë, jemi të dyshimtë pa turp. Dhe ne nuk i frikësohemi talljeve të djemve, sepse edhe ne jemi të reja, nuk i frikësohemi qortimeve të të rriturve, sepse edhe ne jemi të rritur. Ne nuk i frikësohemi mëkatit sepse e kemi kuptuar se mëkati është një pikëpamje, nuk kemi frikë nga mosbindja sepse kemi zbuluar se mosbindja është fisnike.
Ne nuk kemi frikë nga ndëshkimi, sepse kemi arritur në përfundimin se nuk ka asgjë të keqe të duash kur e gjen dikë dhe ta braktisim nëse humbim: llogaritë nuk bëhen më me mësuesin e shkollës dhe ne nuk duhet t’i bëjmë ato me priftin e shenjtë. Ne i bëjmë ato me veten dhe mjafton. Në të tridhjetat ne jemi një fushë me grurë të pjekur, jo më të papjekur.
I gjithë gëzimi ynë është i gjallë, gjithë dhimbja jonë është e gjallë, ne qeshim dhe qajmë, pasi kurrë nuk do të kemi sukses. Ne kemi arritur në majë të malit dhe atje në krye çdo gjë është e qartë: rruga në të cilën do të zbresim.
Nuk do të ndodhë që të ulemi për t’u kthyer prapa në kohë dhe të meditojmë fatet tona…”
Suksesi i shqiptarëve në vende të ndryshme të botës vazhdon të na bëjë krenarë, duke përfshirë fusha të ndryshme të veprimtarive, shkruan KultPlus.
Së fundi mësuam se edhe një shqiptare e suksesshme është në Suedi, e cila mban postin e kryetares së Komunës në Värmdos të Suedisë, e bëhet fjalë për Dëshira Flankör.
Ambasadorja e Kosovës në Suedi Shkëndije Geci Sherifi është takuar së fundi me Dëshira Flankör, e cila e ka vlerësuar këtë takim mjaftë me vlerë.
Përpos sportit dhe muzikës, tashmë shqiptarët po dëshmohen edhe në pozita udhëheqëse nëpër shtete të ndryshme./KultPlus.com
Më shumë se 400 marka të njohura, përfshirë ikonat globale si, Coca-Cola, Adidas dhe Starbucks, pritet të largojnë reklamat e tyre nga gjiganti Facebook, prej 1 korrikut.
Ky hap besohet se është marrë pas raportimeve se negociatat kanë dështuar që të parandalojnë bojkotin njëmujor, si përgjigjje ndaj gjuhës së urrejtjes që ekziston në këtë platoformë.
Aktivistët për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar ndihmë korporatave që t’i bëjnë presioni Facebook-ut për të ndalur gjuhën e urrejtjes pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd teksa ka qenë në mbajtje policore, transmeton rel.
Organizata si Anti-Defamation League, National Association for the Advancement of Colored People (NAACP), dhe Color of Change, kanë nisur fushatën “Ndalni Urrejtjen për Përfitim”, pas vdekjes së Floydit.
Ky grup ka prezantuar 10 kërkesa për rrjetin social, duke përfshirë mundësinë që ata që janë përballur me ngacmim online, të kenë mundësi të flasin me një punëtor të Facebook-ut.
Sipas agjencisë së lajmeve, Reuters, të paktën dy takime në mes të zyrtarëve të lartë të Facebook-ut dhe reklamuesve janë mbajtur më 30 qershor, në prag të bojkotit njëmujor.
Reuters ka cituar disa burime të kenë thënë se gjiganti Facebook, nuk ka ofruar metoda sesi do ta luftojë gjuhën e urrejtjes, çka ka zemëruar reklamuesit.
Bojkoti i paralajmëruar nuk pritet të ketë ndikim të madh te Facebooku, i cili vitin e kaluar ka thënë se 100 reklamuesit më të mëdhenj kanë kontribuuar në 20 për qind të buxhetit total prej 70 miliardë dollarëve brenda një viti.
Më 1 korrik, ishte planifikuar që pishina e Gërmisë t’i hapë dyert për vizitorët. Mirëpo kjo nuk u bë e mundur, për shkak që Ministria e Shëndetësisë, ka kërkuar mirëkuptim për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, i cili e menaxhon këtë pishinë, Liridon Llapashtica, thotë për KosovaPress se i kanë bërë të gjitha përgatitjet që të fillojnë sot, mirëpo këto të fundit u anuluan pasi që Ministria e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptim karshi pandemisë.
“Jemi përgatitur, karshi rekomandimeve dhe respektimit të masave 100%, mbajtja e maskave, distanca mandej pastrimi i duarve këto të cila po kërkohen nën stop. Pse nuk u hap, thjesht unë e mirëkuptova në këtë rast që ke një deklaratë diku pas orës 3-4 pasdite prej Ministrisë së Shëndetësisë, që kërkojë prapë mirëkuptim po e quaj kështu, që të kemi mirëkuptim karshi pandemisë. Në shenj mirëkuptimi ne sot edhe pse kemi qenë gati dhe kanë ardhur mbi 40 veta staf, punonjës në pishinë që të startojnë sot. Jemi futur edhe në obligime, kjo më shumë se sa nuk po hapët pishina, muaj me thënë se është një thyerje për të gjithë ata që u dashtë me i informua punonjësit, që ne nuk mund të startojmë, për të mirëkuptuar prapë Qeverinë”, thotë ai.
Llapashtica, bëri të ditur se do t’i respektojnë rekomandimet e Qeverisë, derisa kërkoi nga këta të fundit që më së largu deri në vikend të hapet pishina e Gërmisë.
“Disa institucione tjera, në kuptimin sa i përket pishinave private, e kemi parë që nuk e kanë respektuar vendimin e qeverisë që u tha nga 1 korriku. Prej momentit që është nxehur moti një pjesë e madhe e pishinave janë t’u operua, mandej dy liqenet akumuluese të ujit Batllava dhe Badoci që gjatë vikendit kanë qenë të frekuentuara nga qytetarët. Nuk e di pse gjithmonë te pishina e Gërmisë publike, hasim në kuptimin që mos u hapni, mirëkuptoni. Jemi të disiplinuar do t’i respektojmë të gjitha rekomandimet, mirëpo edhe ne po kërkojmë nga Qeveria që të na lejohet më së largu që deri në vikend të operojmë, sepse jemi futur në obligime”, vlerëson ai.
Ai i bëri ftesë Ministrisë së Shëndetësisë për të bërë të ditur detajet se kur do të startojë pishina e Gërmisë. Derisa thotë se klori i cili përdorët për pastrim i ujit, është vrasës për çdo virus dhe bakter.
“I bëjë ftesë ose kërkesë edhe Ministrisë që të na presin në takim dhe të diskutojmë në detaje se kur mundemi me startua karshi rekomandimeve…Klori është një element kimik i cili në ujë përdorët për pastrim, mirëpo është vrasës për çdo virus por edhe bakterie, kjo do të thotë që në ujë nuk ka rrezik të përhapjes, është vrastarë. Jashtë ujit kemi marrë masa të mbahet distanca, qadrat i kemi vendosur në distancë 2 metra”, deklaroi ai.
Ministria e Shëndetësisë, kishte vendosur që më 1 Korrik të fillojë operimi i pishinave.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi këtë javë se pandemia nuk është as afër përfundimit, por në Çeki është mbajtur një festë për t’i dhënë koronavirusit një “lamtumirë simbolike”.
Mijëra të ftuar u ulën në një tryezë të gjatë 500 metra në Urën Charles në Pragë, derisa ushqimet dhe pijet e ndryshme dhe të shumta i kishin sjellë nga shtëpitë.
Në këtë festë nuk pati as distancim social, diçka që njerëzit në vendet që janë në bllokim e kanë të vështirë për ta kuptuar, transmeton Klan Kosova.
Në Çekinë që ka 10 milionë banorë janë regjistruar më pak se 12,000 raste me Covid-19, derisa kanë vdekur 350 njerëz.
Organizuesi i kësaj ngjarje dhe pronari i një kafiterie në qytet Ondrej Kobza ka thënë se kjo festë u bë e mundur të mbahej për shkak të mungesës së turistëve në qytetin e tyre të njohur si pikë turistike.
“Ne duam ta festojmë fundin e krizës së koronavirusit duke i lënë njerëzit që të takohen dhe të tregojnë se nuk kanë frikë të takohen, që ata nuk kanë frikë të marrin një pjesë të sanduiqit të fqinjve të tyre”, ka thënë ai për AFP.
Vendet për të marrë pjesë në këtë festë, që duhej të rezervoheshin paraprakisht, ishin krejt të zëna.
Çekia reagoi shumë shpejt për ta vendosur vendin në bllokim duke arritur kështu që të shmangë më të keqen e pandemisë.
Javën e kaluar, qeveria lejoi tubimet publike me pjesëmarrjen deri në 1000 persona. Pishinat, muzetë, kopshtet zoologjike dhe kështjellat janë hapur pa kufizimin e numrit të vizitorëve.
Restorantet, baret dhe pubet janë lejuar të punojnë tash e një muaj.
Më 1 korrik të vitit 1804, u lind George Sand, erdhi në jetë një grua, zëfilli një epokë, u mbujt në të asokohshmen tokësore një personazh i pazakontë, gjegji në galaksi një konstelacion yjësie,… që do të ndeshej me kohën për ta ndryshuar atë në themel. Më shumë sesa si e tillë, ajo triumfoi si një shkrimtare, dramaturge, kritike letrare dhe aktiviste e zjarmtë e çështjeve sociale dhe politike, në vlimin e së cilës gjendej Franca e asokohëshme.
George Sand (Zhorzh Sand) mbetet një grua që plazmoi në memorien e epokës së saj një prej vullnesave më të njimendta dhe kurajot më të qenësishme. Edhe atëherë roli i gruas penetronte përmes rrapëllimash të zëshme të zinte vendin e saj të merituar. Ajo u desh të ndeshej me aktin e heroit në zemër e të kacafytej me cingërimën e një moralo konservator që nderej si një re dhe gërmushte rrebeshe dhe stuhi në qiellin e sertë. Në atë nevojë fluturimi, krahët e saj të brishtë kërkonin t’i jepnin përmasat e hyjshme lirisë. Megjithëse ajo gjendej në shoqërinë më të zëshme të kohës, ishte pjesë e vërshimit dhe mendimit të saj, u desh të përleshej dhe të fitonte, të kaplonte triumfin e gruas, zellin dhe forcën e saj përtëritëse.
George Sand është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare. Më pas, Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Ndërsa roli i saj bëhet gjithnjë e më dominues, tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuara me tema nga fshati, si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849),“Fransua Shampi” (1850) etj. Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini tëtjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik, “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane, ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”,(1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII.
George Sand, kjo grua në zenit
Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, GustavFlober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë. Kujtojmë sakaq lidhjet e ngushta nëpërmjet letërkëmbimit me shkrimtarin Viktor Hygo.
Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndërtë cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804. Tre vitet e para të jetës i kalon në një shtëpi të vogël. Familja shpërngulet në Madrid dhe pas ca kohe kthehet përsërinë Nohant te gjyshja e Amantinës. Më 16 shtator 1808, i ati vdes pas një rënie nga kali. Amantina rritet në Nohant, në fillim me të ëmën dhe pastaj me gjyshen. Më vonë gjyshja kujdeset për të dhe merret me arsimimin e saj, ku i gjen edhe një mësues privat, i cili kishte mësuar edhe të atin e saj. Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820. Pas vdekjes së gjyshes, e ëma e thërret në Paris, por marrëdhëniet e tyre acarohen dhe në fillim të vitit 1822, e ëma ia beson të bijën një familjeje me pesë vajza. Aty ajo njeh Fransua Dydëvo, me tëcilin martohet në shtator të atij viti dhe shkojnë për të jetuar në Nohant. Më 30 qershor 1823, sjell në jetë djalin e saj Moris. Gjatë një udhëtimi në Pirenej, njihet me Oreljë dë Sez me të cilin ka një marrëdhënie platonike. Nga viti 1826 deri në 1831, qëndron kryesisht në Nohant.
George Sand, rrëfenjë dhe kumt
“Rrëfimi i një fëmijë të këtij shekulli”. Pas vdekjes së Mysesë, Sand boton “Ajo dhe Ai”, ku tregon historinë e tyre. Në vitin 1835, Sand njihet me një avokat të famshëm i cili e mbron në divorcin me të shoqin. Ky avokat e frymëzon për personazhin e Simonit në romanin me të njëjtin titull. Ndahet prej tij në 1837 dhe po atë vit, mësuesi i djalit të saj bëhet një nga të dashurit e saj të shumtë. Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë- bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rëniene mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së Korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe.
George Sand, ishte gruaja e kapërcyellit të epokave. Përpjekjet e saj mbetet emblematike. Një grua që jetoi çdo moment si një grua bashkëshorte, grua nënë, grua kohë. / KultPlus.com
Falë punës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përgjatë gjithë muajve të izolimit si pasojë e COVID-19 është arritur realizimi i një faqeje të re online dhe dixhitalizimi i mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “dikur Borges thoshte se “Parajsën e kam menduar gjithmonë si një bibliotekë”. Në kushtet e pandemisë Covid 19, po “hapim” dyert e kësaj parajse në një tjetër formë, asaj dixhitale. Një pasuri e tërë, e cila tashmë është e aksesueshme nga kushdo, kudo dhe kurdo”.
“Ky revolucion dixhital finalizohet pikërisht në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, kësaj “parajse”, për të cilën ne premtojmë se do punojmë edhe kundër ritmit të kohës, për t’i kthyer dinjitetin që meriton: një godinë me të gjitha standardet e kërkuara në hapësira dhe teknologji”, – tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “ndërkohë po ecim me ritme të shpejta për t’ia kthyer “Aneksin” e Bibliotekës Kombëtare, publikut, përmes sallave të dedikuara, ku për herë të parë do të dalin në dritë koleksione të rralla, në gjuhë të ndryshme”.
Sipas saj, puna vazhdon përtej vështirësive dhe me mirëkuptimin e lexuesit, që tashmë duhet të përballet edhe me disa mungesa.
“Falë dixhitalizimit do arrijmë të mbushim disa hendeqe, që na krijon pamundësia e prekjes fizike me librin”, – shtoi ministrja Margariti.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.
Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.
Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.
Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e politikave të Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.
BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar./atsh/ KultPlus.com
Ka vdekur sot, në moshën 86 vjeçare Ferid Bala, muzikolog, profesor i kantos, një qytetar ekzemplar i Shkodrës. Lajmi i trishtë është dhënë nga të afërm të tij, duke e bashkëndarë me miqtë e të njohurit e familjes së madhe Bala.
Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka publikuar një status në faqen e saj zyrtare në Facebook të shoqëruar me një foto, ku shkruan:
“Ndarja nga jeta e Profesor Ferid Balës një lajm i trishtueshëm, jo vetëm për familjen, ish- nxënësit e bashkëpunëtorët, por për të gjithë Shkodrën.Personalitet i muzikës, pedagog i qindra talenteve, botues librash, familjar e qytetar i nderuar i Shkodrës, Profesor Feridi ka lënë pas një trashëgimi për të cilën ndjehemi të gjithë krenarë.Lamtumirë Profesor, pushofsh në paqe!”
Shkollën fillore Feridi e bëri në Shkodër në mësonjëtoren 24 Maji ku mësues muzike pat kompozitorin Prenk Jakova. Që në atë kohë Prenka e klasifikoi Feridin, së bashku me Enver Dibren, si një nga zërat më të mirë të shkollës dhe e aktivizoj nëpërmjet Shtëpisë së Pionierit, në melodramen Dasma Shkodrane. Aty djaloshi shkodran bie në kontakt me këngëtarët e njohur File Gjeloshi, Bik Ndoja, Leo Prela (Bariton). Për shkak të zërit të bukur e të vecantë ai zgjidhet së bashku me Klotilde Shantojen, Florinda e Ndrek Gjergjin, nga specialistët rus të muzikës për tu dërguar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Bukuresht. Ky aktivitet, ku morën pjesë 100 koriste nga Shqipëria, të gjithë të veshur me kostumet e bukura shqiptare, pat si drejtues artistik muzikantin e njohur Gaqo Avrazi dhe u vlerësua me cmimin e 3-të.
Në vitin 1971, fillon punën në degën e sapo krijuar të kantos në shkollën e muzikës Prenk Jakova në Shkoder, ku nxori maturantët e parë apo zbuloj talente si: Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Enriketa Kuqani, Valentina Hasani, Sabahet Vishnja, Myfarete Laze, Frano Lufi. Në shkollë merret me krijimin e programeve mësimore si dhe jep eksperiencën e tij metodike në hapjen e shumë shkollave analoge në të gjithë vendin. Si pedagog dhe specialist i muzikës, Feridi merret me punime shkencore, shkruan artikuj të ndryshëm problemor të mësimdhënies në kanto në shtypin shqiptar apo merr pjesë në emisione televizive. Në këtë vit dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të III-të. Që nga viti 1886-të, Feridi mban titullin – Mësues i Dalluar -. Cmimin Naim Frashëri të Klasit të II për arritje të larta në procesin mësimor, e merr në vitin 1990 dhe në 2011-tën nderohet nga Bashkia e Shkodres me titullin “Prenk Jakova.
Ferid Bala ka një veprimtari të gjërë didaktike dhe është autor i disa librave për shkollat e mesme të muzikës, si “Ushtrime Vokale”, “Përmbledhje me Arie e Romanca”, etj. Së bashku me shokë të tjerë muzikantë themelon në Shkoder shoqaten Artistike “Dashamirët e Këngës Shkodrane” duke organizuar aktivitete të ndryshme koncertore dhe shkencore. Si cdo shqiptar, mbas daljes në pension në vitet 1990-të, provon emigracionin në SHBA dhe në Kanada nga ku kthehet rreth vitit 2000. Po këtë vit boton librin kritik “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarve popullore shkodranë”, në vitin 2009 boton librin “Fjalor muzikor i komentuar”, në vitin 2011 (me rastin e 50 vjetorit të shkollës së muzikës Prenk Jakova), boton librin “50 vjet Art e Kulturë” dhe librin “Këshilla për këngëtarët”. Në vitin 2012 nxjerr në treg një libër “Përmbledhje pjesësh popullore” që është bashkëpunim i autorit me shumë kompozitor dhe krijues shqiptarë. Së fundit në vitin 2014 nxjerr monografinë “Kënga dhe Këngëtarët shkodranë, pjesa e parë” e në 2015 pjesën e dytë të këtij libri.
Si këngëtar lirik dhe si solist i Ansamblit Amator të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Feridi, u shqua për interpretimet e tija me nivel të lartë në aktivitete e konkurse të ndryshme kombëtare, ku u vlerësua me cmime, diploma dhe medalje të ndryshme. /Ora News/ KultPlus.com
Arbërit e jugut dhe mesit të Gadishullit Ilirik filluan zhvendosjen në Gadishullin Apenin dhe Siçili më së shumti në shekujt XV-XVI me qëllim që të shmangnin shfarosjen prej hordhive osmane-tartare (mongole)-arabe. Dallohen largimet e mëdha pas rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Koronës në More në vitet 1533-1534. Si e fundit zbritje e madhe arbëreshe qe ajo e vitit 1744 në Villa Badessa afër Peskarës. Fisnikët e tyre arbërore bënë marrëveshje të dokumentuara me principatat vendore në Gadishullin Apenin. Për shembull, një marrëveshje e atillë për qytezën e Frasnitës, ku lindi Antonio Bellushi, daton në vitin 1490. Në Italinë jugore janë 136’000 arbëreshë në 55 fshatra që akoma flasin Shqip, ndërkohë që 182’000 të tjerë në fshatra të tjerë nuk e flasin Shqipen. Shkaku kryesor për këtë gjendje mbetet mungesa e shkollave Shqipe. Arbëreshët, veç atyreve të ardhur, janë kudo në Itali Ata kanë lënë gjurmë kudo në historinë e Gadishullit Apenin në çdo fushë të jetës, kulturës, fesë, të shtetit e ushtrisë, në të shkuarën e në të sotmen.
Rasti i arbëreshve në Itali të Jugut, përfshirë edhe Siçilinë, që nga ana fetare janë të krishterë ortodoksë tregon se të parët e tyre që erdhën aty prej jugut të Gadishullit Ilirik 300-600 vite më parë flitnin e luteshin Shqip bashkë me priftërinjtë edhe në kishat e tyre. Domethënë priftërinjtë e tyre edhe kanë lexuar e vazhdojnë ta lexojnë biblën e shkrojtur në Shqip edhe kanë shkrojtur Shqip. Nga shekulli XVII e deri në vitin 1867 ata shtyheshin me dhunë që ta kthenin ritin fetar nga lindor ortodoks në atë katolik i cili kryhej në italisht. Ata që ndryshuan ritin u tretën në italianë. Ata që u mbajtën fort pavarësisht dhunës ruajtën vetëdijen dhe gjuhën Shqipe. Sepse, ata nëpërmjet kishës së tyre lindore ortodokse kanë ruajtur gjuhën Shqipe dhe vetëdijen arbëreshë ngase shkolla Shqipe nuk kanë patur e nuk kanë edhe tani. Eparkia e Ungrës (Dioqeza e Lungros) në Kalabri për arberëshët e ritit bizantin u themelua vetëm në vitin 1919. Dhe viti 1937 pati themelimin e Eparkisë së Horës së Arbëreshve (Piana degli Albanesi, ita.) në Siçili dhe shpalljen si nën-peshkopatë të Abacisë së Shën Mërisë në Grottaferrata afër Romës. Në këto Eparki të krishtera ortodokse me peshkop arbëresh dhe pjesë e Papatit katolik të Romës flitet e përdoret gjuha e njësuar Shqipe.
Gjuha Shqipe filloi të shkruhej për herë të parë tek arberëshët në vitin 1736 kur u themelua Kolegji i Shën Adriani në San Benedetto Ullano në Kalabri dhe Seminari Arbëresh i Palermos në Siçili. Kolegji Shën Adriani botoi tekste, programe e plane shkollore për mësimdhënien e mësimmarrjen e gjuhës Shqipe. Në vitet 1898-1919 mbi 100 shqiptarë nga Gadishulli Ilirik morën mësimet në Kolegjin e Shën Adrianit dhe më pas lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombtare e shtetrore shqiptare. I ndrituri Jeronim De Rada qe nxënës dhe më pas dha mësim në atë kolegj. Kurse Luigj Gurakuqi, Zef Serembe, Bernard Bilota, Zef Jubani, Thimi Mitko, Aleksandër Xhuvani e Kostaq Cipo qenë nxënësit dhe bashkëpunëtorët e tij. Gazeta “Flamuri i Arbrit” që botonte Jeronim De Rada ishte gazeta e parë periodike shqiptare që bashkoi shkollarët shqiptarë të kohës dhe shpërndahej kudo ku kishte shqiptarë në botë.
Antonio Bellushi lindi në Frasnita (Frashëri) të Kalabrisë më 15 Shtator 1934. Shumë prej arbëreshve të Frasnitës dhe qytezave përqark Ejanina, Civita, etj. janë vendosur aty rreth vitit 1490. Qyteza e Frasnitës ka nxjerrë shkollarë, shkrimtarë e priftërinj që bënë emër. Një nga ata është edhe i diplomuari i Kolegjit të Shën Adrainit në shekullin XIX i madhi arbëresh Vincenzo Dorsa. Antonio Bellushi u diplomua për Filozofi e Teologji në Universitetin Gregorian të Romës në vitin 1962. Në ata vite u miqësua me profesor Ernest Koliqin dhe shkrojti në revistën e tij “Shejzat”. Në vitet 1962-1965 ai qe prift në qytezën arbëreshe të Shën Sofisë së Epirit, ku të parët arbëreshë patën ardhur nga Epiri në vitin 1472. Në vitet 1965-1973 ai qe prift në qytezën e Shën Konstadinit, ku arbëreshët ishin me origjinë nga Morea. Aty ai botoi revistën “Vatra Jonë” në Shqip, italisht e anglisht, e cila pasqyronte historitë, zakonet, këngët, veshjet e tyre arbëreshe me origjinë nga Morea. Në vitet 1973-1979, Antonio Bellushi qe famullitar në qytezën Falconara Albanese. Atje krijoi me të rinjtë një ekip i cili jepte koncerte në fshatrat arbëreshe përreth. Në vitet 1979-2000 ai qe famullitar për 5000 banorët arbëreshë të qytetit të Kozencës. Atje, ai themeloi në vitin 1980 revistën gjashtëmujore “Lidhja” e cila vazhdoi deri në vitin 2009. Revista “Lidhja” u kthye në një perlë që madhësohej me kohën nëpërmjet shkrimeve të shkollarëve arbëreshë për gjuhën Shqipe, kulturën, trashëgiminë dhe historinë e arbëreshve kudo të ishin.
Qëkur nisi të ushtronte detyrën e priftit, Antonio Bellushi filloi të studionte e regjistronte jetën e trashëgiminë arbëreshe, këngët, vallet, veshjet, shprehjet, fjalët e urta, gojëdhënat, përrallat, martesat, ritet fetare, fisnikërinë, etj. Ai thesar i grumbulluar më pas filloi të botohej i plotë dhe rregullisht në revistën e tij “Lidhja”, e cila u shkonte arbëreshve kudo të ndodheshin në botë. Gjurma e tij e ngjitjes lart e më lart është formuar nga 60 vjet punë kombtare arbërore me një sasi e cilësi të pakryer nga njeri tjetër dhe e bërë drejtpërsëdrejti në terren. Biblioteka e tij tani është një thesar i mbajtur pastër e i rradhitur dhe është e hapur për sa më shumë studentë e profesorë shqiptarë nga kudo ku janë. Biblioteka e tij përmban mbi 10’000 botime që kanë të bëjnë me kulturën, artin, gjuhën e historinë arbërore-shqiptare dhe grumbulluar aty nga të katër anët ku ka arbëreshë-arbanas-arvanitas-shqiptarë. Atë, për shembull, e kanë vizituar shkollarë shqiptarë nga Tirana e Prishtina që nga viti 1977 dhe tani dhjetra studentë shqiptarë në vit nga Universiteti i Tetovës. Arbëreshët kanë biblioteka e muzeume, grupe muzikore e valltare, organizojnë festivale, kanë libra, revista, vjershëtarë, shkollarë dhe faqe interneti në Shqip. Në shtëpinë e arbëreshit mendohet, flitet, shkruhet e këndohet vetëm Shqip. Arbëreshi këndon këngë popullore me çdo mik që u hyn në shtëpi. Malli për dheun e Atit dhe të Amës nuk shteron. Ai e ka Besën të skalitur në mendje e sjellje. Antonio Bellushi krenohet se gjatë tërë jetës së tij ka ndjekur këshillën e babait Xhovani Bellushi që të ishte një arbëresh i mirë. Ai kujton të ëmën Teresa Policastro Bellushi që, sipas fjalës së saj, kur vdiq u varros me kostumin arbëresh të martesës.
Në gjurmën që Antonio Bellushi ka skalitur duke u ngjitur lart janë edhe 40 vite punë kombtare, që nga viti 1965, me arbërorët-arbanitët-arvanitët e Greqisë. Ai shkonte në katundet arvanitase në tan Greqinë dhe merrte pamje, regjistronte të folmet, vjershat, këngët, fjalët e urta, mallkimet, përrallat, zakonet, gojëdhënat, bisedat, në gëzime e zi. Pastaj ato ai i botonte në revistën “Lidhja” dhe ua dërgonte me mijra kopje në duart e tyre. Arvanitasit i shkruanin letra atij në Shqip. Ai i pyeste ata imtësisht, si bie fjala: Si e bëni bukën dhe djathin? Si i thoni kësaj, asaj, atij? Si i punoni vreshtat dhe arën? Si quhen fshatrat, malet e kodrat përqark? Si përshëndeteni? Si uroni, këndoni e për çfarë?/Konica.al Përgjigjet që mori nga 900 fshatrat e shpërndarë në tan Greqinë ishin të njëjta, gjë që domethënë vërtetonte se kultura arbërore-arbanite-arvanite-shqiptare është e njëjtë kudo në Greqi. Dhe se ajo, bashkë me emrat e fshatrave, ishte njëlloj me kulturën shqiptare në trojet e tjera arbërore të Gadishullit Ilirik dhe arbëreshve në Italinë jugore e Siçili. Besa, miku, mikpritja, mirësia “bukë, kripë e zemër” janë të njëjta kudo ku ka arbër. Këtë nuk e mbulon as ndryshimi i 2/3 të emrave të fshatrave arbërorë në Greqi në emra jo-arbërorë dhe as dhuna policore e psikologjike e shtetit dhe kishës greke kundër vetëdijes e kujtesës kombtare arbërore-arvanitase.
Antonio Bellushi dhe Aristidh Kola e shkollarë të tjerë arvanitas u bënë si vëllezër me bashkëpunimin midis tyre. Arvanitasit dhe arbëreshët e jugut të Italisë kanë të njëjtën mënyrë të folmes së Shqipes. Një nga botimet e Antonio Bellushit është edhe libri “Arbërorët-arvanitë, një popull i padukshëm” posaçërisht për ta. Arvanitasit nuk mund të jenë pakicë në Greqi sepse ata janë vendas dhe pasardhës të arbërve të lashtë, edhe të Athinës apo Spartës së hershme. Shpjegimi i hyjnive në përrallat “greke” bëhet vetëm nëpërmjet gjuhës Shqipe ndërkohë që faltoret më të vjetra të Zë-usit gjendeshin në rajonin E Pirit. Një shembull domethënës është qyteza emërmadhe e Maratonës në lindje të Athinës. Afër saj është një varrezë përmendore me emrat e 192 arbërve të lashtë të rënë në betejën kundër persëve në vitin 490 p.e.s. Një nga ata emra ka mbiemrin Bellushi. Antonio Bellushi krijoi bashkëpunim me arbëreshët kudo ku ndodhen në botë, qoftë në Argjentinë, Ukrainë, Bullgari, Kroaci, ShBA, Brazil, Uruguaj, Australi, Rumani, Zvicër, Gjermani apo Turqi. Ai qe i pranishëm në shtëpitë e tubimet shqiptare në Uindsor e Toronto të Kanadasë, në Detroit, Çikago, Boston, Filadelfia e Nju Jork të ShBA. Ai qe pjesë e lëvizjes së madhe kombtare botërore për largimin e pushtuesve serbë nga Dardania (Kosova, serb.) në fund të shekullit XX. Ai bashkëpunoi shumë me Jozef e Shirley Cloyes Dioguardin, Lidhjen Qytetare Shqiptare-Amerikane, dhe veprimtarët e ndryshëm kombtarë në ShBA, Europë, Australi, si dhe me udhëheqësit nga Prishtina.
Në Dardani ai qe për herë të parë në vitin 1970 kur mori pjesë në seminarin për gjuhën, letërsinë e kulturës shqiptare organizuar në Prishtinë. Në vitin 2003, ai bashkë me Robert Elsin vizituan varrezat e dëshmorëve në Prekaz të Drenicës. Vizita e tij më e fundit në Dardani ishte në Shtator 2018. Vizita e tij e parë në Tiranë qe në Shtator 1972 i ftuar nga Akademia e Shkencave për të marrë pjesë në Kuvendin Kulturor Ilir. Vizitën e dytë e kreu në Nëndor 1992 dhe në vitet 1993-2018 ka shkuar pothuaj çdo vit në Shqipëri. Tanimë edhe si qytetar shqiptar, ai mori pjesë në votimet e vitit 2015. Ndriçimi e përparimi i shqiptarëve të kudondodhur u erdhi e u vjen nga rrënjët arbëreshe, si para 200 vjetësh ashtu edhe tani. Arbëreshët kanë nevojë për shkolla në gjuhën Shqipe ku mësimi në Shqip të jetë i detyrueshëm me ligj për të gjitha vitet e lëndët mësimore. Është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që në marrëveshje me Italinë, e cila e njeh me Kushtetutë bashkësinë kombtare arbëreshe, të organizohen për hapjen e mbajtjen shkollave Shqipe dhe dërgimin aty të mësuesve shqiptarë. Në paralel, është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që të kërkojë ndihmën që do i jepet për këtë gjë edhe nga Vatikani, sepse kishat ortodokse arbëreshe ku flitet e meshohet në Shqip janë pjesë e tij. Përkujdesje për rrënjët arbëreshe domethënë pyll me lisa arbërorë të shëndetshëm kudo, sepse shpirti i Arbrit rron përjetë. Zëri i arbrit dëgjohet pa ndalim sepse kumbimi i tij nuk shuhet. Një rrënjë domethënë një gjak e cili domethënë një komb, një gjuhë, një besë./ Nga Saimir Lolja / KultPlus.com
“Tito dhe shokët”, kështu titullohet botimi më i fundit Shtëpisë Botuese “BOTART”, i autorit Jozhe (Jože) Pirjevec, i cili ndërton portretin e një prej udhëheqësve më të fuqishëm komunistë të shek. XX, Josip Broz Tito.
Ky botim sjell këndvështrime të reja për jetën e Titos, si dhe për rolin e tij vendimtar për formimin dhe zhvillimin e një Jugosllavie tjetër. Autori është mbështetur mbi dokumente të cilat ruhen në arkiva personale dhe shtetërore në Lubjanë dhe në kryeqytete të tjera të Republikave të Ish-Jugosllavisë.
Por kërkimi ka vijuar përtej edhe në arkiva të ndryshme në Washington, New York, Moskë, Berlin, Kajro, New Delhi… Autori gjatë kërkimeve arriti të kishte qasje edhe te materialet e arkivave të shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja, si STAS-i dhe KGB-ja, ku mësoi fakte të reja për vendimet e Titos dhe reagimet e shokëve të tij më të afërt në momentet historike kyçe. Për herë të parë libri sjell detaje të panjohura nga përplasjet e forta të udhëheqësit jugosllav me Stalinin, “flirtet” me Çurçillin dhe Presidentin Amerikan, Nikson, si dhe ndihmat ushtarake dhe ekonomike që përfitoi nga SHBA-ja dhe Anglia.Tito-276×350
Roli i Titos në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe në organizimin e rezistencës antifashiste. Përse kishte frikë prej shqiptarëve? Raportet e vështira me Enver Hoxhën dhe infiltrimi i agjentëve nga Shqipëria në Kosovë…
Në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë, në të gjithë Jugosllavinë çështja kombëtare filloi të dalë në plan të parë. Për të treguar se sa keq ishte situata flet fakti se në janarin e vitit 1967, pas shumë vitesh, u mblodh Asambleja e Kombeve brenda Asamblesë Federale, ku ata filluan të diskutojnë amendamentin kushtetues, që në të ardhmen duhet t’i jepte më shumë pushtet.
Me sa duket, Tito dëshironte të krijonte një forum, në të cilin do të zgjidheshin konfliktet ndëretnike, në atë mënyrë që do të mund të mbahej nën kontroll.
Nga libri
Konflikti me bullgarët për Maqedoninë
Qysh në vjeshtën e vitit 1966, FSKP-ja (Fronti Socialist i Klasës Punëtore) dëgjoi përsëri kërkesat e sllovenëve dhe të maqedonasve për më shumë të drejta të gjuhëve të tyre në organet shtetërore. Në fund të ’66-ës dhe në fillim të vitit ’67 pati një mosmarrëveshje të hapur me bullgarët mbi Maqedoninë, e cila fillimisht u zhvillua midis historianëve të të dy kombeve, ku maqedonasit akuzuan fqinjët se po ndjekin një politikë nacionaliste përçarëse ndaj pakicës së tyre në Pirin, dhe nga qeveria në Sofje kërkuan që t’u njihet autonomia kombëtare.
Sidoqoftë, bullgarët nuk donin të dëgjonin asgjë rreth kësaj, ata madje e mohuan ekzistencën e një grupi të veçantë etnik maqedonas dhe thanë se ai ishte vetëm një degë e kombit të tyre. Gjatë dy viteve në vijim polemika u intensifikua dhe arriti tone jashtëzakonisht të mprehta që, me gjithë përpjekjet e herëpashershme për t’u pajtuar, nuk ndaluan deri në vdekjen e Titos.
Për të forcuar identitetin e tyre kombëtar, që nga lufta maqedonasit ishin përpjekur të kishin pas vetes kishën autoqefale, e cila tradicionalisht në botën ortodokse ishte atributi më i rëndësishëm i shtetësisë. Për sa kohë që ishte në pushtet Rankoviqi – pasi ai konsiderohej si mbrojtës i flaktë i kishës ortodokse serbe, e cila përfshinte edhe dioqezën maqedonase – nuk ishte e mundur të plotësoheshin këto dëshira. Vetëm një vit pas rënies së tij, më 18 qershor 1967, maqedonasve iu dha leja nga autoritetet komuniste të shkëputeshin dhe të zgjidhnin patriarkun e tyre.
Megjithatë, kisha ortodokse serbe i rezistoi me forcë, me pretendimin se kjo ishte një goditje shtesë për “idenë jugosllave”, por kësaj radhe ajo dështoi. Sidoqoftë, ajo kurrë nuk e pranoi autoqefalinë e kishës maqedonase dhe as patriarkun ekumenik në Stamboll. Tito e shikonte gjithë shqetësim forcimin e këtij nacionalizmi të flaktë.
Në plenumin e KQ-së të LKJ-së, në shkurt të 1967-ës, ai e bëri të qartë se “ne nuk do të lejojmë përhapjen e parullave përçarëse, të intolerancës kombëtare dhe të shovinizmit, gjë që ndonjëherë ndodh në shkollat tona, si dhe në raste të tjera në jetën publike”.
Përplasjet mes serbëve dhe kroatëve
Megjithatë, për shkak të gjuhës pas një muaji shpërtheu një konflikt midis serbëve dhe kroatëve, i cili bartte një forcë edhe më të madhe përçarëse sesa mosmarrëveshja e kishës serbo-maqedonase. Shkaqet e kësaj grindjeje mund t’i kërkojmë që në vitin 1954, kur përfaqësuesit e dy institucioneve kryesore kulturore, Matica srpska dhe Matica hrvatska, u takuan në Novi Sad, me urdhër të udhëheqjes së partisë, dhe arritën një marrëveshje për të konfirmuar ekzistencën e gjuhës serbo-kroate ose kroato-serbe, si një gjuhë që ka dy variante dialektore, si dhe dy mënyra të shkruari: cirilike (sllavishtja e vjetër) dhe latine.
Sidoqoftë, në vitet në vijim doli që “cirilizmi” serb po zgjerohej gjithnjë e më shumë në hapësirën e gjuhëve të përbashkëta (Serbi, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi), në dëm të “latinizmit” kroat. Fakti që shkrimi latin filloi të zëvendësonte alfabetin cirilik nuk ishte ngushëllim i madh për kroatët.
Ata filluan të thoshin se ishin viktima të tendencave hegjemoniste serbe, të cilat kishin për qëllim shkrirjen e kulturës dhe të gjuhës kroate brenda komunitetit sllav të jugut, të mbizotëruar nga serbët. Me iniciativën e anëtarëve të shquar të Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Arteve në Zagreb u botua Deklarata për emrin dhe pozicionin e gjuhës letrare kroate, natyrisht jo pa bekimin e Bakariqit që përveç përfaqësuesve të tetëmbëdhjetë institucioneve kulturore dhe shkencore, u nënshkrua edhe nga Mirosllav Kërlezha.
Edhe pse pas rënies së Gjillasit ishte si një nga intelektualët kryesorë në rrethin e Titos, në njëfarë mënyre siç ishte Maksim Gorki për Leninin, dhe meqenëse gëzonte një reputacion të lartë, ai padyshim që nuk u konsultua me të në lidhje me Deklaratën. Në deklaratën e përmendur intelektualët më të shquar kroatë propozuan një ndryshim në nenin kushtetues, i cili konfirmoi bashkimin e gjuhëve serbo-kroate dhe kroate-serbe, dhe ndarjen e tyre. Pas kësaj pati një skandal të vërtetë, të cilin Jugosllavia e paraluftës nuk e kishte njohur.
Serbët u përgjigjën gjithë indinjatë, madje duke kërkuar arrestimin e nënshkruesve të deklaratës. (Kjo gjë u parandalua nga Bakariqi, por edhe ai u tërhoq, duke i lënë ata vetëm.) Si përgjigje të kërkesave kroate, shkrimtari i Beogradit, Antonija Isakoviq, së bashku me intelektualët e tjerë botoi një Propozim për reflektim, në të cilin zhvilloi idetë e mëdha serbe ku, mes të tjerash, propozoi që në Kroaci të hapen shkollat për pakicat serbe, ku do të duhej të përdorej alfabeti cirilik.
Natyrisht që akuzuan Kërlezhën, si një “bastion i kroatit madhështor”. Meqenëse ishte e nevojshme që të qetësoheshin “shpirtrat e trazuara”, në marrëveshje me Titon vendosi të largohet nga KQ-ja e LKJ-së, gjë që edhe ndodhi. Në të njëjtën ditë, i telefonoi Tito dhe e ftoi në një darkë në Brione. Shkrimtari, motoja e të cilit ishte “Koka duhet të ruhet”, natyrisht që e pranoi ftesën.
Kryengritja e shqiptarëve
Pas rënies së Rankoviqit serbët nuk patën probleme vetëm me kroatët, por më shumë edhe për shkak të myslimanëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kosovë. Për një kohë të gjatë pas luftës, boshnjakët me origjinë sllave nuk kishin pasur mundësinë që të formoheshin si një bashkësi etnike e pavarur, pasi nga autoritetet atyre u ishte njohur vetëm një identitet fetar.
Vetëm në janarin e vitit 1968 ata u shpallën si një nga popujt përbërës të federatës, ku në Beograd thuhej se me këtë Tito dëshironte të fitonte simpatinë e botës arabe. Serbët e alarmuar ishin të bindur se kjo ishte një lëvizje në prapavijë, për të ulur fuqinë e ortodoksisë në Ballkan, dhe se Tito, së bashku me Kardelin, zbatojnë në mënyrë sistematike idenë e Kominternit për shkatërrimin e Jugosllavisë.
Ky mendim u përforcua edhe më tej nga fakti se pas rënies së Rankoviqit UDBA-ja nuk ushtronte më presion ndaj pakicës shqiptare në Kosovë, por që nuk i kënaqi shqiptarët atje, pasi ata dëshironin të ishin sa më të pavarur nga Beogradi.
Në Prishtinë dhe qytete të tjera të provincës, më 27 nëntor 1968, në prag të Ditës së Flamurit të Skënderbeut, festës kombëtare të Shqipërisë dhe pak para festës kombëtare jugosllave, shpërthyen demonstratat studentore që u shndërruan në një kryengritje të vërtetë popullore, të cilat muajin tjetër u përhapën deri në Maqedoni, në Tetovën fqinje. Protestuesit bërtisnin dhe në duar mbanin pankartat “Duam kushtetutën”, “Rroftë Enver Hoxha!”, “Kërkojmë bashkimin me Shqipërinë”. Kryengritja, e cila mendohej se ishte e organizuar nga Tirana, u shtyp me gjak, e ndjekur nga reforma administrative në favor të “shqiptarëve”, të cilat, të paktën përkohësisht i qetësuan, por nuk i kënaqën. Pjesa tjetër ishin të bindur që ata varen politikisht dhe ekonomikisht nga Beogradi.
Serbët e dinin mirë këtë: “Ne u dhamë atyre kuadro kombëtare, universitetin, flamurin shqiptar, gjuhën – çfarë tjetër duan ata?”, pyesnin vite më vonë. “Shqiptarëve do t’u themi se ne do ta mbrojmë Kosovën me tanke”. Sigurisht që në Serbi dukej hapur thellimi i nacionalizmit, i cili, ndër të tjera, u shfaq edhe gjatë festimeve të Krishtlindjes Ortodokse në vitin 1968, e cila nuk ishte festuar kështu që nga viti 1941.
“Me besimin ortodoks ne konfirmojmë se jemi serbë”, shkroi Dobrica Qosiq, duke theksuar se për shkak të zhgënjimit nga Jugosllavia, ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët po shkojnë pas idesë së një “Serbie të madhe”. Duhet të shpëtojmë nga politikat shoviniste kroate dhe hegjemonia ekonomike sllovene, të cilat po e çojnë Serbinë drejt në varësie koloniale!
Dr. Jozhe (Jože) Pirjevec, i lindur në 1940-ën, e filloi karrierën e tij akademike në vitin 1971 në Universitetin e Pizës, duke vazhduar më vonë në Trieste dhe në Padova. Në vitin 1996 ai u bë shef i Katedrës për Historinë e Kombeve Sllave në Fakultetin e Filologjisë në Trieste. Po në të njëjtin vit u emërua këshilltar shkencor në Qendrën e Kërkimeve Shkencore në Koper të Sllovenisë.
Në vitin 1988 për librin “Tito, Stalini dhe Perëndimi” fitoi çmimin e Fondacionit Kidriç, ndërsa në vitin 2002 për monografinë “Lufta Jugosllave 1991-1999” mori çmimin “Premio Acqui”. Në vitin 2007 mori titullin Ambasador i Shkencave dhe dy vjet më vonë u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë/Panorama / KultPlus.com
Pritjes për zgjidhjen e statusit të Teatrit të Qytetit të Gjilanit, me problemet që kishin në aspektin financiar dhe ligjor për aktorët dhe trupën e këtij institucioni i erdhi fundi, sepse sot janë nënshkruar kontratat e aktorëve dhe stafit teknik dhe kështu është bërë pavarësimi i institucionit më të madh të kulturës, përcjellë KultPlus.
Në fjalën e tij kryetari Lutfi Haziri, ka uruar për këtë hap të rëndësishëm dhe ka shpalosur kujtime e tij që nga paslufta në angazhimin për zgjidhjen e problemit që sot e tutje i mbetet të kaluarës.
“Kujtoj momentin e vështirë sa isha si 29 vjeçar në udhëheqje të Gjilanit, kur pas ballafaqimit të protestës së parë për lirimin e të burgosurve politik, menjëherë filloi greva e aktorëve për zgjidhjen e problemit të tyre të pagave dhe të statusit të Teatrit të Gjilanit si institucion dhe e drejtë e tyre, por e zhagitur në vazhdimësi. Tash jemi 20 vjet më vonë kur ky problem po zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Komuna e Gjilanit gjithmonë do të jetë në mbështetje të aktiviteteve dhe zhvillimin e kulturës”, ka deklaruar kryetari Haziri.
Ai ka potencuar se burokracia në nivelin qendror për zgjidhjen e këtij problemi kë bërë që për dy dekada kjo barrë e ballafaqimit ti lihet Komunës, e cila ishte edhe ashtu me limite e kufizime të mëdha buxhetore.
“Sfida ka qenë e përbashkët për dy dekada, e posaçërisht pas vitit 2007, mirëpo me angazhim maksimal, me rrugë ligjore dhe zyrtare ky problem tashmë është zgjidhur bashkërisht. Tani i mbetet menaxhmentit të Teatrit dhe aktorëve që ta zhvillojnë kulturën dhe ta dëshmojnë angazhimin e përbashkët në rrugën përpara”, tha kryetari Haziri.
Lutfi Haziri, mes tjerash ka thënë se po punon që objekti i Teatrit të jetë vetëm për këtë institucion, ku tashmë është larguar nga aty biblioteka e qytetit “Fan S. Noli”, biblioteka e fëmijëve dhe do ta largojmë edhe administratën, sepse kjo hapësirë i duhet aktiviteteve të Teatrit dhe aktorëve për punën e tyre.
Ndërsa nga ana e tij Erson Zymberi, drejtor i Teatrit, ka falënderuar kryetarin Haziri për angazhimin e tij në zgjidhjen e statusit dhe njëkohësisht për mbështetjen e madhe që ka dhënë në mbajtjen gjallë të kulturës, përmes mbështetjes së vazhdueshme financiare në të gjitha aspektet.
Ai më tej ka konfirmuar se Gjilani tashmë do të ketë kalendarin e qartë të punës që do të bëhet me një ekip elite të aktorëve dhe stafit në përgjithësi, për ta mbajtur publikun aktiv sikur dikur me shfaqje e projekte të cilat do ta dëshmojnë për gjallërinë kulturore të kryeqendrës së kulturës kombëtare.
Ndërsa, Naser Zymberi, kryetar i sindikatës dhe Sabedin Shahiqi, kryetar i bordit, kanë falënderuar kryetarin për punën që ka bërë që sot Teatri i Qytetit të jetë një institucion i pavarur, me aktorë e staf të kompletuar, duke konfirmuar se Gjilani tashmë ka një fuqi zyrtare të zhvillimit të projekteve kulturore. / KultPlus.com
Yjet e hollywoodit, Zendaya dhe Awkwafina, janë në mesin e 819 yjeve të ftuara për t’u bërë pjesë e Akademisë së Arteve dhe Shkencave.
Dy aktoret, së bashku me kolegët e tyre Ana DeArmas, Ryan Murphy, Cynthia Erivo, Matthew Cherry, Constance Wu, John David Washington, Florence Pugh dhe Olivia Wilde, janë ftuar për t’iu bashkuar organizatës e cila njihet për organizimin e ceremonisë prestigjioze “Oscar”, si pjesë e fushatës së vazhdueshme për diversitet në mesin e anëtarëve të akademisë.
Sipas “The Hollywood Reporter”, në mesin e personaliteteve të ftuar për t’u bërë anëtarë të akademisë, 36 për qind prej tyre janë nga komuniteti afrikano-amerikan, 45 për qind janë gra dhe 49 për qind jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Koha.
“Akademia e Arteve dhe Shkencave është e lumtur t’i mirëpres këta persona të jashtëzakonshëm në grupin tonë. Ne gjithmonë i kemi vlerësuar talentet e jashtëzakonshme që e reflektojnë diversitetin e komunitetit global të filmit, dhe tani më shumë se kurrë,” citohet të ketë thënë presidenti i akademisë, David Rubin, përmes një komunikate për media.
Në mesin e të famshmëve të tjerë të cilët pritet të bëhen pjesë e Akademisë këtë javë janë: Yalitza Aparicio, Zazie Beetz, Bobby Cannavale, Kaitlyn Dever, Beanie Feldstein, Tim McGraw, Natasha Lyonne, Eva Longoria, Niecy Nash dhe Thomasin McKenzie.
Edicioni i vitit 2021 i ceremonisë “Oscars” do të jetë i pari, me 10 filma të garantuar në garë për çmimin kryesorë të mbrëmjes, “Filmi më i mirë”.
Anëtarët e akademisë do të kenë mundësi t’i shikojnë filmat e lansuar gjatë vitit përmes uebfaqes së veçantë të akademisë, në mënyrë që të sigurohen që të gjithë filmat konkurrent të vlerësohen sipas meritave nga anëtarët votues. / KultPlus.com