Deri në vitin 1926, Shqipëria nuk kishte monedhë kombëtare e si rrjedhojë përdorte ligjërisht monedha të huaja, që krijonin jo pak probleme në shkëmbimet ekonomike të vendit apo te llogaritë publike, për shkak edhe të mungesës së kursit të këmbimit.
Krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë parashikoi edhe printimin dhe futjen në treg të monedhës shqiptare, Frangut Ar me nënfishat e tij Lekë dhe Qindarka. 1 Frang Ar ishte i barabartë me 5 Lekë.
Në procesin e printimit të kartëmonedhave e monedhave shqiptare do të angazhoheshin disa prej kompanive të kohës, të njohura për këtë shërbim.
Për kartëmonedhat me prerje 5, prerje 20 dhe prerje 100 franga do të përzgjidhej kompania “Bradbury Wilkinson & Co. Ltd.” në Londër ndërsa për kartëmonedhën 1 frangë (5 lekë) do të përzgjidhej “Richter & Co” në Napoli.
Pati edhe një problem me 5 lekëshin e parë. Studiuesi Haxhi Shkoza shkruan se kartëmonedhat 1 frangëshe (5 lekë) të printuara nga “Richter &Co” u hoqën nga qarkullimi shpejt. Shkak u bë fakti se kartëmonedha kishte si element identifikues shqiponjën romake me 1 kokë dhe jo atë shqiptare me dy koka.
Sa i përket kartëmonedhave të tjera, nga kompania me qendër në Londër, fillimisht do të printohej një sasi prej 5 mijë frangash ari, të ndara në prerje 20 frangëshe të cilat do të futeshin në qarkullim në tregun shqiptar në vitin 1926.
Prerja 20 franga do të ishte prerja më e përdorur në Shqipëri deri në vitet ’30 e duke zënë 62 % të nivelit të qarkullimit të parave. Më pas raporti do të ndryshonte, ku prerja 100 franga do të zinte më shumë “vend” në qarkullimin e parasë në vend.
Sa i përket monedhave metalike shqiptare, ato u bazuan në modelet e Giuseppe Romagnoli i cili drejtonte në atë kohë shkollën e medaljes dhe ofiçinën shtetërore italiane të letrave me vlerë. Monedhat shqiptare do të gdhendeshin nga “Motti.inc” në Romë/Dita / KultPlus.com
Qendra Burimore për Persona të Zhdukur e ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me një aktivitet pranë pllakës së të Pagjeturve në Prishtinë.
Familjarët e personave të zhdukur kanë kërkuar prej ekzekutivit kosovar dhe atij serb që janë në negociata për personat e pagjetur, të sjellin rezultate konkrete për këtë çështje, e jo vetëm fjalën.
Bajram Qerkini prej palës kosovare ka adresuar kritika drejt Qeverisë së Kosovës duke thënë se nuk i kanë njoftuar as edhe për një çështje, që kur kanë nisur të dialogojnë në Bruksel sa i përket çështjes së të pagjeturve.
Pas aktivitetit, kryesuesit e ekipit për personat e pagjetur në Qeverinë e Kosovës, i kanë pritur në takim familjarët e personave të zhdukur, prej palës kosovare dhe asaj serbe./ KultPlus.com
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Waterbury, Connecticut ka njoftuar se edhe këtë vit do të realizoje festivalin e kulturës shqiptare. Ky aktivitet i cili këtë vit feston 15 vjetorin e tij do të mbahet në datat 25 dhe 26 shtator.
Gjatë këtyre viteve kanë qene pjesë e këtij manifestimi kulturor shqiptar më shumë se 5 mijë pjesëmarrës.
Festivali ka qene një model për bashkimin e komunitetit dhe kremtimin e vlerave, kulturës traditave dhe rrënjëve shqiptare nëpërmjet muzikës dhe gatimeve tradicionale.
Organizatoret në një njoftim publik kanë sqaruar se Festivali këtë vit do të organizohet konform masave të për ndalimin e COVID-19, duke i ftuar pjesëmarrësit të respektojnë çdo udhëzim. / KultPlus.com
Pedagogia e parë shqiptare në Universitetin e Italisë, Valentina Ndou, është zgjedhur anëtare në Forumin Botëror të Turizmit. Ajo është një kërkuese shkencore dhe pedagoge në Departamentin e Inxhinierisë Menaxheriale pranë Universitetit të Salentos.
Hulumtimi i saj specializohet në analizimin e tendencave të menaxhimit të inovacionit dhe efektivitetin e sistemeve të informacionit me theks të veçantë në zgjidhje dhe qasje të reja për turizëm të zgjuar, eBiznes, edukimin e sipërmarrjes dhe menaxhimin e njohurive. Pas mbarimit të studimeve të doktoratës në ‘eBusiness’ me një tezë mbi ‘Krijimin e vlerës nga Rrjetet e Turizmit’ ajo u emërua studiuese dhe pedagoge në Universitetin e Salento. Që nga viti 2005 ajo ka dhënë mësim në disa kurse master dhe doktoraturë në Scuola Superiore ISUFI. Ajo shërben si anëtare e fakultetit dhe mentore në laboratorin e kontaminimit Unisalento, me qëllim krijimin e mendjeve të ndërmarrësisë dhe kompetencave tek studentët. Gjithashtu ajo ka botuar një numër të madh të artikujve dhe kapitujve të librave të shqyrtuar nga shokët, të cilët janë shfaqur në revista ndërkombëtare.
Valentina Ndou është e përfshirë në mënyrë aktive në kërkime, arsim dhe menaxhim të projekteve, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, në bashkëpunim me kompani udhëheqëse në mbarë botën, universitete dhe qendra kërkimore. Ajo është menaxhere e projektit Interreg Itali-Shqipëri-Mali i Zi, NEST – Rrjetëzim për turizëm inteligjent. / KultPlus.com
Me datë 22 gusht, Dua Lipa festoi ditëlindjen dhe mbushi 25 vjet.
Urimet që pranoi ishin të panumërta nga fansat, ndjekësit, kolegët e saj të industrisë e të famshëm të tjerë.
Edhe blogerja e famshme italiane Chiara Ferragni, i dedikoi një postim në llogarinë e saj në Instagram. Dyshja gëzojnë një miqësi shumë të afërt, sa që Ferragni i kujdes të nderonte edhe rrënjët e saj shqiptare.
Në gjuhën shqipe ajo ndër të tjerash i shkruan, “U bëfsh 100 vjeçe zemër”.
Ndjekësit shqiptarë të blogeres italiane duartrokitën për urimin që i bëri ajo, por kishin edhe një pyetje – kush e ndihmoi atë të shkruante shqip?
Blogerja e ka zbuluar vetë se kush fshihet pas “shqipes së saj të rrjedhshme”… Është mikesha e saj shqiptare, e quajtur Linda, ajo që e ndihmoi të shkruante urimet. /Prive.al / KultPlus.com
Dashuria për muzikën për të filloj shumë herët, që në këngët e para që këndoi përballë publikut shfaqi talentin por dhe zërin melankolik dhe të fuqishëm që kishte. Për mbi dhjetë vite ku skena i ishte bërë shtëpi e dytë, ai arriti t’i jepte jetë muzikës. Ishin këngët e tija ato nëpërmjet të cilave dëgjuesit arritën të kuptonin pse dashuronin, si të largoheshin pa thënë lamtumirë, por mbi të gjitha ishin po këngët e tija ato që të mësonin ta doje e të jetoje në një vend ku mund të kishe çdo gjë e në të njëjtën kohë asgjë, shkruan KultPlus.
Fotografi nga Gjilani, Arbër Elezi dikur mësimdhënës e këngëtar në një intervistë për KultPlus ka rrëfyer rrugëtimin e tij profesional, dashurinë e pashuar për muzikën por mbi të gjitha edhe arsyen se pse ai dhe muzika tashmë janë shndërruar në dy botë pothuajse të kundërta.
Ndonëse rrugëtimi i tij me muzikën nuk ishte i gjatë, Elezi përgjatë kësaj kohe morri pjesë në shumë festivale e dha shumë këngë që edhe sot kanë mbetur të paharrueshme. “Pse ty të Doja”, ishte kënga me të cilën ai morri pjesë në edicionin e pestë të Top Fest-it, e po në të njëjtin vit me po të njëjtën këngë ai u bë pjesë e “Zhurma Show 2008”.
Por, karriera muzikore e Arbër Elezit nuk përfundoj këtu, një vit më pas ai merr pjesë në edicionin e gjashtë të Top Fest-it me këngën “Oj Kosovë”, e në vitin e njëjtë ai lansoi edhe albumin e tij të parë dhe të vetmin të titulluar “Pse?”.
Elezi tregon se arsyeja se pse ai vendosi të tërhiqej nga muzika ishin obligimet që tashmë ai kishte ndaj familjes, kurse pagesa që merrte nga performancat që bënte sipas tij ishte qesharake.
“Tërheqja nga muzika ishte e lidhur me shumë arsye, ishin obligimet ndaj familjes , por gjithashtu edhe pagesa që merrnim nga performancat live ishte qesharake. Përmbi 10 vite kam bërë muzikë live, kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse u largova nga Kosova për një kohë, e kështu dalë nga dalë, humbi pasioni dhe profesioni që e doja kaq shumë”, ka thënë ai
Për Arbërin tashmë nuk mjaftonte vetëm dashuria dhe pasioni për muzikën sepse pamjaftueshmëria që i ofronte ajo tashmë ishte më e fortë se çdo gjë tjetër. Prandaj në rrugëtimin e jetës së tij, për katër vite ndoqi karrierën e mësimdhënësit.
Elezi nuk lë pa përmendur edhe kujtimet e bukura e të paharrueshme që kishte kaluar përgjatë këtij profesioni afatshkurtër, por sipas tij arsimi dhe mësimdhënia ishin shndërruar në një pengesë për profesionin e tij të ri, atë të fotografit.
“Arsimimi ishte pengesa më e madhe në profesionin e fotografisë, pasi që mësimdhënia të merr shumë kohë dhe energji. Nuk kisha kohë të mjaftueshme që të merresha me fotografi, sepse fotografia kërkon përkushtim maksimal kur ti synon që të arrish në karrierë”, ka vazhduar rrëfimin ish-këngëtari.
Fotografia mbase mund të konsiderohet si një nga profesionet e tij të reja, por Elezi tregon se janë pikërisht fotografitë dhe foto aparatet ato që e kanë ndjekur që nga fëmijëria. Madje ai ka përmendur faktin se që nga koha kur filloi të merrej me fotografi, jeta e tij kishte marrë kahje tjetër.
“Fillimisht punën si fotograf e kisha më shumë si hobi ngase kryeja shërbime pa pagesë, mirëpo më vonë vendosa që të investoj më shumë në këtë profesion. Dhe që nga ajo kohë, që nga ai moment, jeta ime ka marrë një kahje tjetër, në aspektin pozitiv”, ka pohuar fotografi.
Arbër Elezi nuk lë pa përmendur faktin që atij i mungon muzika, por që rikthimin në muzikë nuk e ka menduar. Për të tashmë fotografia është ajo që ka zënë një vend më të madh në shpirtin e tij, ani pse muzika është diçka që nuk mund të zhduket.
“Padyshim që fotografia më fle më shumë në shpirt, por është edhe pasioni i madh për muzikën dhe vetë muzika që shoqërojnë punën time si fotograf, kështu që në një mënyrë është edhe muzika ajo që fle në shpirt, pasi që nuk zhduket lehtë, nuk mund të zhduket asnjëherë”, ka thënë ai.
Fotografi e realizuar nga A. Elezi
Në vendin tonë fotografët janë të shumtë, por ata profesional e të shkolluar janë të paktë. Në mesin e kësaj konkurrence, Arbër Elezi e ka zënë vendin e merituar me kohë. Fotografi nga Gjilani ka pohuar se e veçanta e punës së tij është stili, serioziteti dhe përkushtimi që posedon ai ndaj saj. Ai ka shtuar se i pëlqen edhe puna me portrete artistike, të cilat ai i bënë së bashku me gruan e tij, e të cilën ai e konsideron një make-up artiste të mrekullueshme.
Arber Elezi ka përfunduar Fakultetin për Fotografi të Dasmave dhe Portreteve në Universitetin e New York-ut në Amerikë. Për punën e tij si fotograf ka marrë shpërblime të shumta. Ai ka zënë vendin e parë në Samitin Ndërkombëtar për Fotograf dhe Kameraman që u mbajt për herë të parë në Ballkan, organizuar nga “Magic Lens Group”.
Krejt për fund Elezi ka edhe një mesazh për gjithë të rinjtë që duan të merren me fotografinë: Ta duan fotografinë, të investojnë shumë kohë në të, dhe ta praktikojnë jashtëzakonisht shumë! / KultPlus.com
Në Bjellorusi është arrestuar autorja e romanit “Zëra nga Çernobili”, e cila është fituese e çmimit “Nobel” për Letërsi.
Lidhur me këtë ka reaguar shkrimtari Milazim Krasniqi, ai ka thënë se ky akt është barbarë dhe si i tillë duhet të dënohet nga të gjithë shkrimtarët e botës.
“Qeveria kriminale e Llukashenkos ka arrestuar shkrimtaren Svetllana Aleksijeviq, fituesen e Çmimit Nobel për Letërsi. Mjafton të thuhet autoren e romanit “Zëra nga Çernobili”, sepse ai roman është më kumbues se sa vetë Çmimi Nobel. Ky është një veprim kriminal, idiotik, i ndyrë i Llukashenkos. Shkrimtarja Svetllana Aleksijeviq e ka bërë botën të qajë me lot për tragjedinë e Çernobilit dhe e ka ngrit Bjellorusinë në piedestalin ku askush nuk e ka ngritur kurrë më parë. Vepra e saj nuk mund të sfidohet nga një idiot, që defilon me pushkë në dotë para kamerave, për ta frikësuar popullin e vet”, ka shkruar Krasniqi i cili tutje si shkrimtar dhe anëtar i PEN-it i fton të gjithë shkrimtarët e botës që të reagojnë ndaj këtij akti barbar të Llukashenkos duke u shprehur i bindur se letërsia e Svetllana Aleksijeviqit do të fitojë mbi krimin e atij monstrumi. / KultPlus.com
Dafina Mustafa nga Lipjani është infermiere që po kontribuon në repartin e kujdesit intensiv duke u përballur kështu çdo ditë me pacientët që po luftojnë me pandeminë Covid-19.
Dafina Mustafa tashmë është pjesë e rubrikës ‘Falem’nerës’ së KultPlus-it për promovimin publik të punëtorëve shëndetësor në Kosovë në shenjë vlerësimi dhe solidariteti për punën e tyre tash e sa muaj.
KultPlus, edhe më tutje fton të gjithë punëtorët shëndetësor pa dallime dhe nga të gjitha vendbanimet të na i dërgojnë të dhënat e mëposhtme dhe ne do i publikojmë ato në faqen tonë në Facebook.
1.Emri dhe mbiemri: 2.Qyteti: 3.Një fotografi me uniformë mjekësore dhe të jetë fotografi profili 4.Një mesazh për qytetarët (E preferuar por jo e domosdoshme)
Ylli i hitit “Midnight Sky”, Miley Cyrus javën e kaluar e bëri të ditur lajmin se gjyshja e saj, Loretta “Mammie” Finley, ka vdekur dhe tani përmes rrjeteve sociale ajo zbuloi se po i lanson dy bluza në kujtim të gjyshes së saj të ndjerë, me qëllim që të mbledhë të holla për bamirësi.
Një pjesë e të ardhura të fituara nga shitja e këtyre produkteve do të dhurohen për organizatën “Komuniteti në Shkolla” në Tennessee, kjo pasi gjyshja e këngëtares ishte mësuese me profesion e cila kishte diplomuar në kolegj në moshën 70-vjeçare.
Përmes një postimi në Twitter, Miley tha: “Për nderë të funeralit të gjyshes sime ‘Mammie’, bluzat e prodhuara në numër të limituar #Mammie4Evr tashmë kanë dalë në shitje në uebfaqen http://shop.Mileycyrus.com… Një pjesë e fitimeve do të dhurohen për organizatën @CISTennessee e cila i ndihmon fëmijët që të qëndrojnë në shkolla! Gjyshja imë ishte mësuese e cila diplomoi në kolegj në moshën 70-vjeçre! Ajo ishte heroi im”.
Organizata “Komuniteti në Shkolla” në Tennessee i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta falënderuar këngëtaren 26-vjeçare për këtë ofertë zemërgjerë. / KultPlus.com
In honor of my Mammies funeral #Mammie4Evr limited tees are up on https://t.co/G9DhARaS7U…. portion of profits will be donated to @CISTennessee to support children staying in school! My grandma was a preschool teacher and graduated college at 70 years old! My hero! pic.twitter.com/f1wGbT6NuZ
A ju ka ndodhur të jeni të lodhur pas pushimeve verore? Mendohet që pas pushimeve të rikthehemi në punë me energji dhe shumë vullnet , por në të vërtetë ndodh që shumë njerëz të kthehen të lodhur, me shprehjen e zakonshme “Dua një palë pushime të tjera.”
Ajo çfarë duhet të bëjmë që t’i rikthemi rutinës tonë të përditshme, është përshtatja e dy javëve të para pas pushimeve në jetën e përditshme. Teksa zgjoheni në mëngjes me plane të qarta se pjesën më të madhe të ditës do ta kalojë në punë, planifikoni edhe ndonjë aktivitet tjetër me mitë tuaj në qytet pas pune në mënyrë që përshtatja të nis gradualisht.
Pse kemi depresion pas pushimeve?
Në përgjithësi, pushimet janë të mira për shëndetin tuaj mendor.
“Duke i dhënë vetes mundësinë për të eksploruar botën përreth nesh mund të ndryshojë shumë ndjenjat tona dhe më e rëndësishmja, të na ndihmojë të jemi më me energji për shtatorin. Ata nuk duhet të kushtojnë shumë para ose të zgjasin shumë, por mendja dhe trupi ynë duhet të ngadalësohen dhe të kthehen në brendësi.”- është shprehur Melody Ott.
Një studim i realizuar për një kohë relativisht të gjatë zbuloi se politikat në vendin e punës që lejojnë 10 ditë pushim të paguar janë të lidhura me një rënie prej 29 % të rrezikut të depresionit tek gratë. Studime të shumta kanë zbuluar se pushimet zvogëlojnë stresin dhe forcojnë imunitetin tuaj.
Shumë studiues thonë: Lumturia që ndjejmë gjatë pushimeve zakonisht nuk zgjat. Kur pushimet mbarojnë, njerëzit kthehen në nivele fillestare të lumturisë brenda disa ditësh.
Megjithatë të gjithë e dimë se pushimet kanë lodhjen e tyre, aktivitete, plazh, shëtitjet në det, ecje në mal, gatime, takime me miqtë dhe shokët, festa. Por kur kthehemi, nuk duhet të synojmë, t’i kthehemi rutinës për një ditë. Duhen të paktën 2 javë, për të kapur ritmin e jetës sonë të përditshme./atsh/ KultPlus.com
Në 1987 Koreja e Veriut prezantoi projektin më të madh arkitekturor në kryeqytetin Penian, në formën e qiellgërvishtësit në formë piramide 300 metra të lartë, që do të kishte të paktën 3000 dhoma dhe pesë restorante rrotulluese me pamje panoramike.
Hoteli Riugiong – i emëruar sipas nofkës të Penianit “Kryeqyteti i Shelgjeve” – ishte planifikuar të hapej dy vjet më vonë, por kjo nuk ndodhi kurrë.
Struktura arriti lartësinë e planifikuar, por mbeti i zbrazët e pa dritare edhe për 16 vjet, si një monstër kërcënues që shikonte qytetin, transmeton TCH.
Së fundmi hoteli është veshur me metal dhe xhama, si dhe me drita LED për t’u kthyer në një spektakël shumëngjyrësh natën.
Gjithsesi ai mbetet i mbyllur prandaj Riugiong Hotel njihet në Perëndim si ndërtesa më e madhe e pabanuar e botës.
Ndërtesa ishte një produkt i rivalitetit të Luftës së Ftohtë mes Koresë e Jugut të mbështetur nga SHBA, dhe veriut të mbështetur nga sovjetikët.
Vitin para nisjes së ndërtimit, Koreja e Jugut sapo kishte përfunduar Westin Stamford, që ishte atëherë hoteli më i lartë i botës në Singapor, ndërsa kryeqyteti i saj Seul priste Lojrat Olimpike verore të 1988.
Prandaj dhe reagimi politik i Penianit ishte organizimi i versionit socialist i Lojërave Olimpike në formën e Festivalit Botëror të Studentëve dhe Rinisë në 1989, dhe planifikimi i hotelit që do të thyente rekordin e lartësisë së Jugut.
Por Koreja e Veriut ishte në krizë ekonomike dhe megjithëse struktura e jashtme ishte kompletuar ndërtimi u ndërpre në 1992 madje me një vinç të braktisur në majë të ndërtesës.
Projekti u kompletua në 2018 me ndihmën e inxhinierëve egjiptianë që instaluan xhamat dhe panelet e metalta, duke i dhënë formën aktuale. Në 2012 grupi gjerman i hoteleve njoftoi se do të menaxhonte strukturën por u tërhoq disa muaj më vonë duke thënë se “nuk është e mundur hyrja në treg”.
Fotot nga brendësia e tij në vitin 2012 tregonin se nuk ishte bërë thuajse asgjë, por hoteli pësoi një ringjallje në 2018, kur dritat LED u instaluan në fasadën e tij dhe ndërtesa u kthye në shfaqjen më të madhe të dritave në Penian, si dhe një makineri propagande. / KultPlus.com
Deshmia e At Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit
Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e 110 vjet.
“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.
– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?
– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?
– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?
– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.
– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…
– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…
Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…
Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.
Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …
Nga Philadelphia ku lindi eksperimenti amerikan, një ish-president – në kohën e pikut të shikueshmërisë – iu adresua kombit që dikur e drejtoi, duke paralajmëruar se pasardhësi i tij veç i ka hyrë shtegut të shkatërrimit të vetë demokracisë.
Ishte vazhdimësi e një dueli të kamotshëm mes Barack Obamas dhe Donald Trumpit, që në mënyrë të përkryer ka shfaqur kontrastet në temperamentin personal dhe politik të dy prej banorëve më të përfolur të kësaj epoke të Shtëpisë së Bardhë.
Rivaliteti i tyre arriti në një pikë të paprecedent të historisë moderne të presidencës.
Obama serioz dhe intelektual, mbajti një prej ligjëratave më komplekse të Kushtetutës gjatë Konventës virtuale të Partisë Demokratike.
Bëri një përmbledhje historike, duke ngërthyer themeluesit dhe lëvizjen për të drejtat civile, pasurinë e emigrantëve amerikanë, dhe të rinjve u bëri thirrje që të nguten për të shpëtuar liritë e tyre, ashtu siç bënë paraardhësit e tyre çdo herë kur premtimi i shtetit ishte në rrezik.
Ndërkohë Trumpi nga Shtëpia e Bardhë postonte në kohë reale mesazhe plot zemërim rreth temave të përmendura në Konventë.
Nxiti akuza dhe gënjeshtra që veçse shërbenin si prova bashkëkohore të paralajmërimeve që po bënte paraardhësi i tij në televizion.
Në vitin 2004, Obama bëri emër me shpresën rioshe, të bollshme dhe ndoshta edhe naive kur mbajti fjalimin në Konventën e Partisë Demokratike.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Obama thinjosh bëri thirrje se Amerika duhet të presë nga “presidenti që të jetë gardian i kësaj demokracie”.
“Pavarësisht egos, ambicies ose besimeve politike, duhet të presim nga presidenti që t’i ruajë dhe mbrojë liritë dhe idealet për të cilat shumë amerikanë kanë marshuar dhe janë burgosur ose kanë vdekur”.
Obama tani është veç një qytetar i thjeshtë, nuk ka fuqi formale dhe mandat për t’iu drejtuar amerikanëve në mënyrën si e bëri të mërkurën mbrëma në Konventën virtuale që si formë izolimi ishte përçues i natyrës së zymtë të mesazhit të tij.
Ama ai ka autoritetin e statusit të tij historik dhe peshën morale të dy mandateve në Shtëpinë e Bardhë dhe popullaritetit të qëndrueshëm te gjysma e vendit që është revoltuar nga abuzimi i Trumpit me pushtetin, politikën raciste dhe me kultivimin e vazhdueshëm të egos së tij.
Shkeljes së rregullave për presidentët e pensionuar u paraprinë sulmet e pareshtura që Trumpi ia bëri Obamas në katër vjetët e parë. Një gjë e tillë nuk ndodhi nga asnjë pasardhës presidencial. Megjithatë, Trumpi sa herë donte e akuzonte Obaman për tradhti.
Vetë ish-presidenti e shfaqi veten si mbrojtës të demokracisë, të 243 vjetëve me norma kushtetuese dhe autoritetit të huazuar nga masa, jo të dhënë nga një lider më i fuqishëm nga lart.
“Mos i lejoni t’ua marrin fuqinë tuaj. Mos i lejoni t’ua marrin demokracinë”.
Kjo ishte një lutje e Obamas sesa përgënjeshtrim i politikave të shkatërruara nga paraardhësi i tij.
Demokratët tash e katër vjet kanë pritur që Obama të ngrejë zërin në atë formë. Por nëse do t’i komentonte çdo ditë acarimet e Trumpit, fjalimi i së mërkurës mbrëma i ish-të zotit të Shtëpisë së Bardhë do të kishte mungesë ndikimi dhe kapitali politik, të cilin me vite të tëra e ka krijuar mes votuesve.
Ai e qortoi Trumpin siç i ka hije një anëtari të klubit të presidentëve – vëllazëri që e përqesh presidenti aktual.
“Kurrë nuk kam pritur që pasardhësi im do të përqafonte vizionin apo do të vazhdonte politikat e mia. Shpresoja që për hatër të shtetit tonë, Donald Trumpi do të tregonte interes që punën ta merrte me seriozitet, se do ta ndiente peshën e zyrës dhe se do të zbulonte nderin për demokracinë që ishte nën kujdesin e tij”.
Ishte pasqyrim i Presidencës së Trumpit për të cilën çdo kush e di. Ishte provë e një presidenti që shpërblen veten me çmimet kryesore edhe në një pandemi që ka lënë të vdekur më shumë se 170 mijë amerikanë. Këtë pandemi ai e ka injoruar, keqmenaxhuar dhe keqprezantuar.
Trumpi ka injoruar ose sulmuar çdo institucion që ka tentuar ta bëjë përgjegjës, që prej Kongresit, gjykatave, Departamentit të Drejtësisë, ushtarakëve dhe mediave. Ai shpërndan në Twitter propagandë të Inteligjencës ruse.
Në shumë mënyra, krejt presidenca e Trumpit përshkruhet si tentim për të shfarosur Obaman nga faqet e historisë. Çdo herë e sulmoi pa mëshirë në një komplot racist mbi të cilin ndërtoi lëvizjen politike ndaj Obamas.
Për shembull të mërkurën, ai tentoi edhe një herë të shkatërronte Marrëveshjen bërthamore me Iranin, e cila është arritja më e madhe e Obamas në politikën e jashtme.
Loja me fjalë e së mërkurës mbrëma është përshkrues se si këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse do të vazhdojë tendosja politike në Amerikën e mbushur me demagogji populiste të ofruar nga Trumpi apo nëse do të bëhet kryqëzata shumëkulturore e demokratëve të Obamës për një komb gjithnjë e më të larmishëm.
Ama Obama nuk e pranon humbjen për demokracinë, andaj tha se koha dhe paraardhësit e amerikanëve modernë kishin të njëjtat dyshime.
“Kjo administratë ka treguar se për fitore është në gjendje ta bëjë copash demokracinë tonë”.
Me këtë deklaratë, Obama bëri thirrje për përkrahje me vota ndaj demokratëve Joe Biden e Kamala Harris.
Albertina Marniku është një nga punonjëset shëndetësore që po kontribuojnë në luftën kundër Kosovës kundër pandemisë Covid19.
Albertina Marniku tashmë është pjesë e rubrikës ‘Falem’nerës’ së KultPlus-it për promovimin publik të punëtorëve shëndetësor në Kosovë në shenjë vlerësimi dhe solidariteti për punën e tyre tash e sa muaj.
KultPlus, edhe më tutje fton të gjithë punëtorët shëndetësor pa dallime dhe nga të gjitha vendbanimet të na i dërgojnë të dhënat e mëposhtme dhe ne do i publikojmë ato në faqen tonë në Facebook.
1.Emri dhe mbiemri: 2.Qyteti: 3.Një fotografi me uniformë mjekësore dhe të jetë fotografi profili 4.Një mesazh për qytetarët (E preferuar por jo e domsodoshme)
Teksa udhëtimet turistike në vende të ndryshme të botës janë tepër të vështira për shkak të masave të rrepta kundër përhapjes së koronavirusit, portali i njohur BestLife ka publikuar 13 destinacione mahnitëse që mund të vizitohen nga turistët amerikanë gjatë këtij sezoni.
Surpriza është Shqipëria në vendin e parë. Rekomandimi kryesor i këtij portali janë plazhet shqiptare, malet, sitet e shumta arkeologjike dhe klima e jashtëzakonshme mesdhetare. Një tjetër avantazh, për turistët amerikanë është se nuk u kërkohet një test negativ për COVID-19ën në aeroport, siç ndodh në shumicën dërrmuese të vendeve të botës. Ndërsa maska është e detyrueshme në ambientet publike në gjithë vendin, nënvizon BestLife.
E dyta pas Shqipërisë renditet Bjellorusia, ndërsa nga vendet e rajonit, në listë bën pjesë Maqedonia e Veriut ku po ashtu nuk janë të nevojshme të faktohen rezultatet negative të testit të COVID-19ës, siç ndodh në Serbi e Mal të Zi, që përfshihen po ashtu në listë./Tv Klan
Muzika popullore e Tiranës është një fenomen konsolidohet në gjysmën e parë të shek. XX-të. Krijimi i saj u kushtëzua nga tre elemente thelbësore: nga hyrja e instrumenteve të temperuara evropiane, së dyti nga fqinjësia artistike me tre kultura të mëdha muzikore qytetare si ato të Elbasanit, Beratit dhe Shkodrës dhe së treti nga njohja dhe shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.
Kjo muzikë shfaq të njëjtat tipare strukturore dhe organizimi ashtu si pjesa më e madhe e muzikës dhe e këngëve qytetare të qyteteve të Shqipërisë qëndrore dhe veriore. Etnomuzikologjia jonë e ka klasifikuar gjithë zonën muzikore mbi lumin Shkumbin, kryesisht si zonë të njëzërëshit muzikor, e të formave të tij që shprehen si monodi, monodi me shoqërim apo edhe në homofoni. Muzika e re që pritej të krijohej në Tiranë nuk do të bënte ndryshim në këtë çështje, pra që do të ishte dhe strukturohej në tërësi si muzikë një zërëshe, ashtu siç është edhe sot. Përtej kësaj ajo i respektoi tiparet muzikore të zonës përreth edhe pse tash e tutje do të përcilleshin përmes veglave evropiane të temperuara.
Në fund të fundit, një qytet i ri si Tirana që po shndërrohej në një metropol, kishte nevojën për muzikën e re qytetare, për të provuar traditën shumëvjeçare dhe identitetin e saj të veçantën brenda identitetit kombëtar të muzikës popullore mbarëshqiptare. Ashtu siç natyrshëm, ajo kishte nevojë në përditshmërinë e vet për institucione shtetërore e kulturore, projekte moderne e tregti të zhvilluar, rrugë, parqe e sheshe publike, modë e shkollim me standarde etj. Si thoshte Lasgushi: … ç’domethënë zakon, traditë, tradicion? Zakon, traditë, tradicion domethënë Komb, domethënë Nacion, domethënë njeri i vetëdijshëm, njeri që e di veten e vet, që e njeh vetëveten. Kur ke tradicion, je Nacion, je Komb, jo popull, jo popullsi, jo popullatë. Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë), një grup njerëzor (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi – po nuk është komb, nuk është Nacion. Më tej theksonte nevojën që tradita, ky potencial kolosal i brumosjes së Nacionit, ka një kusht: të jetë e Shkrojtur. Se fjala e shkrojtur e shumëfishon, e qindfishon vepërimin e saj, e mijëfishon e milionfishon. Ajo, e Shkrojtur, bëhet verb, bëhet e pushtetëshme, bëhet e shenjtë, divine, divinisohet.
Pikërisht këto ishin vitet e “shkrimit” të traditës tiranase në muzikën qytetare. Sepse përmes “shkrimit” në nota e fjalë dhe dokumentimit të saj do të provohej se kur je grup me traditë je njëherazi edhe Nacion me traditë.Se grupi ka fuqi shpirtërore dhe spirituale dhe materiale dhe nuk është amorf. Se ai ka ekspresion, ka zhvillim, përparim, perfeksionim gjatë jetës së tij. Se ai e mbush, e përmbush, e realizon veten e tij, vetveten, për të shkuar drejt perfeksionit, drejt përsosjes. Domethënë ai e jeton Fatin e tij, Misionin e tij për të cilin është lindur në këtë botë. Se ai ka zhvillim, nuk mbetet në vënd, në vënd nëmëro! Se ai është njeri. Ai është, ai ekziston! Tradita është prova e pakontestueshme e Tij!
Pavarësisht faktit se veglat e temperuara erdhën në Shqipëri në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, tradita e muzikës qytetare dhe e formacioneve muzikore të tyre ishte shumë e hershme, kjo jo vetëm e krahasuar me Tiranën, por edhe me qytete të tjera më të vjetra jashtë Shqipërisë. Qytete si Shkodra, Elbasani apo Berati kishin qindra vite që ekzistonin si të tillë. Në këtë kontekst është e pamundur që të mendosh jetën urbane qytetare pa vende të dedikuara argëtimi, të cilat lidhen ngushtësisht me artin dhe interpretimin e muzikës popullore. Qytetet që përmendëm më sipër, kishin me dhjetëra vende argëtimi ku muzika zinte vendin kryesor, e ndër to edhe Tirana nuk mund të bënte përjashtim.
Jules Alexandre Theodore Degrand (1844-1911), ish konsull i Francës në Shkodër, në veprën “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” e botuar në vitin 1901, shkruan se:… një luadh i gjerë pranë shtëpisë së mikpritësit tim, rrethuar me qiparisa të admirueshëm, është lënë testament nga i ati, pasardhës i bejlerëve të shquar të Tiranës, për kremtimin e ahengjeve që shoqëronin këto festa, (ndër to edhe Bajrami dhe Kurban Bajrami-shënimi ynë), ku një pjesë e madhe e popullsisë mblidhej aty.
Ishte standardi i familjeve të mëdha të Tiranës, të cilët të lidhur fort me qytetin e tyre mbështetën dhe inkurajuan zhvillimin e muzikës popullore qytetare si pjesë të angazhimit të tyre për një qytet të kulturuar.
Tiranasit e kishin dhe e kanë të fortë kultin e shtëpisë, sepse ai përmbante në thelb kultin e familjes. Shtëpia tiranase ndërtohej me qerpiç dhe me breza druri. Dy qenë pjesët e shtëpisë që adhuroheshin në mënyrë të përditshme nga pjesëtarët e saj: carani i vatrës dhe pragu i hyrjes. Zjarrin që ndizej në caranin e vatrës, simbolizonte përfaqësuesin e perëndisë diell brenda në shtëpi…..Veç kësaj ai mblidhte rreth vatrës tre, nganjëherë katër brezat e familjes patriarkale. Rreth vatrës brezat e rinj mësonin doket, këngët përrallat, historinë, por edhe mitet, ritet, kultet dhe të gjithë elementet e tjerë të identitetit qytetar.
Hyrja e veglave muzikore evropiane si violina, klarineta, fizarmonika etj., në muzikën popullore, krijoi atë fenomen që etnomuzikologjia e konsideron si “hibridizim muzikor”, pra kur vegla të tilla kombinojnë veçoritë e tyre muzikore me tiparet muzikore të një kulture vendase me qëllim krijimin e një lloji të ri. Kështu ndodhi në muzikën me saze të qyteteve të Shqipërisë së Jugut në fund të shek. XIX, kështu po ndodhte edhe me muzikën e re qytetare të Tiranës. Një shenjë tjetër e “hibridizimit” ishte implementimi tek veglat e reja i mënyrave tradicionale të interpretimit në to. Prof. R. Sokoli ka konstatuar se ahengxhinjtë e qyteteve të Shqipërisë Veriore shartuan në teknikën e përdorimit të violinës disa veçori të teknikës së kemanxhes duke e mbajtur veglën vertikalisht të mbështetur në gju, ashtu siç mbahet lahuta e lahuria etj.
Ndryshe nga sa më sipër, ai konstaton se violinistët popullore të Shqipërisë së Mesme e mbanin veglën horizontalisht mbështetur në sup. Kjo gjë provohet të ketë ndodhur në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX. Tjetër aspekt i “hibridizimit” ishte mënyra e akordimit të violinës, sidomos kur interpretonin “Vallen e Pipzave”. Teli i parë dhe i dytë akordohej në unison, ndërsa dy telat e tjerë akordoheshin në kuintë. (la-la-re-sol)
Nga ana tjetër, ajo që mund të dukej si disfavor për Tiranën, pra që fillimi i shek. XX-të e gjeti në fazat fillestare të urbanizimit e të jetës qytetare, e kësisoj pa formacione e muzikë të konsoliduar qytetare, u pa se ishte vërtet një përparësi, kjo në pikëpamje të procesit të krijimit të muzikës popullore qytetare të pas vitit 1920.
Kjo përparësi lidhej me faktin se muzika e qytetit të ri të Tiranës do të krijohej edhe në kushtet e lirisë, në kuadër të një shteti shqiptar që po konsolidohej, me rrënjë dhe e mirë fokusuar në muzikën qindravjeçare të një terreni të virgjër si ishte muzika e fshatrave të Malësisë së Tiranës. E theksoj këtë fakt pasi muzika tradicionale e fshatrave të Tiranës (në këngë, melodi instrumentale e valle), ruan elemente melodike primitive të origjinës së lashtë arbërore, kjo e mbështetur mbi mode modale diatonike, pa ndikime të thekshme kromatike, të cilat si dihen, lidhen më së pari me shtresimet e mbishtresimet e gati 500 vjetëve pushtimi otoman në muzikën tonë qytetare.
Ernest Koliqi në qëndrimin e tij specifikon disa nga qytetet ku ky ndikim ka qenë më i madh. Sipas tij: … ndikimi turk në qytete u ba gjithnjë e ma i madh, veçanërisht në Elbasan, Berat e Shkodër. Kangët që këndoheshin me nji orkestër të vogël me pesë vegla muzikore (nji saze, nji mandolinë të vogël, nji violinë, klarinetë, nji tambureto dhe nji këngëtar), buçisnin festive martesore. Këto janë kopjue vullnetarisht mbi bazën e modeleve të lindjes (qaside, gazel) dhe të mbushuna me shprehi e vallzime turke, persiane dhe arabe.
Etnomuzikologjia jonë e ka trajtuar këtë fenomen që ka ndodhur në muzikën qytetare, kryesisht të Shqipërisë Qendrore dhe asaj Veriore. P.sh, në analizën që i kemi bërë repertorit të “Ahengut Shkodran”, kemi konstatuar në të katër shtresa muzikore: shtresa e vjetër origjinale e parapushtimit turk e muzikës modalo-diatonike të Shkodrës dhe rrethinave; shtresën e muzikës modalo-kromatike të cilën e përhapi dyndja e osmanëve edhe ndër ne, ashtu si në folklorin e viseve të tjera të Ballkanit; shtresën e muzikës mbarëballkanike; dhe shtresën që përfshin periudhën e quajtur “shkodranizimi i ahengut”, ose çlirimin e ahengut nga orientalizmat.
Tirana nuk përfshihej në listën e ndikimeve të drejtpërdrejta, për shkakun e thjeshtë se pushtimi turk në thelb ishte pushtim qytetesh e kështjellash të tyre, e së këndejmi u zgjerua pak nga pak duke u shtrirë edhe mbi katunde. Kjo sepse influenca turke ka qenë influence qytetare, thoshte Çabej. Aty ata vendosnin administratën dhe fuqinë ushtarake, së bashku me formacionet muzikore.
Shkrimtari Ismail Kadare i kushton një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij analizimit të këngëve popullore në kuadër të identitetit evropian të shqiptarëve, e posaçërisht të atyre gjasme popullore, duke ju referuar këngëve të zvargëta e molisëse të ashikëve dhe dylberëve si dhe këngët vulgare dhe amanetë. Sipas tij e ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë…. Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh se ç’thonë. Ai e konsideron ato si nënkulturë të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor, si mbetje e rreckave të robërisë otomane. Për këtë, ashtu si fare rastësisht, në një reportazh të shkruar në qiell në vitin 1967, përgjatë një udhëtimi në kabinën e një avioni reaktiv të ushtrisë shqiptare, duke parë nga sipër rrugët e atdheut, thotë se ja që këtej mund të marrësh me mend udhët nga vinin karvanët e armiqve të nisur nga thellësitë e Anadollit, që zvarriteshin vargan nëpër tokë “me muzikë e me dajre”!
Ai e ka shumë të qartë statusin e këtyre krijimeve, kur i lidh ato me përdorimin e qëllimshëm të tyre prej administratës osmane për t’ia kundërvënë trashëgimisë kulturore dhe letërsisë shqipe, e cila pavarësisht pushtimit të gjatë, mbeti evropiane dhe homogjene përballë ndikimeve të kulturës pushtuese. Sipas tij:… në shekullin XVIII u përpoqën të krijonin një diversion në letërsinë shqipe me anën e nxitjes së rrymës letrare të bejtexhinjve, e cila, duke mos pasur as peshën e as seriozitetin për t’i qëndruar përballë letërsisë shqipe, u harrua si një kujtim grotesk. Duke qenë prodhim i trysnisë së pushtuesit, megjithëse ata shkruanin shqip dhe kjo mund të konsiderohet një lloj jete e shkruar e shqipes në ato kushte, bejtexhinjtë e mbytën shqipen që përdornin në krijimtarinë e tyre me orientalizma.
Për fat, Tirana nuk ishte ende qyteti që mund të pushtohej e ndikohej muzikalisht. Ajo çka do të krijohej më pas si muzikë qytetare e Tiranës u pa se ishte një proces autentik dhe i vërtetë, i pëlqyer nga vetë tiranasit por dhe nga të tjerët. / KultPlus.com
E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha që nji njeri mundet me bâ: s’kam qenë i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë, m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.
Prindët m’lindën që ta lu’j nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në kët’ botë, për tokë, ajër, zjarm e ujë. I mashtrova. S’qeshë i lumtun. Qe e kotë
dëshira e tyne e rinisë. Trunin tim ia fala me vullnet e kâmbëngulje simetrive t’artit gjithë lajlelule.
Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim. Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’ hija e të qenit nji mjeran. / KultPlus.com
Për të disatin vit, sipas një anketimi të Komisionit Europian, gratë shqiptare renditen të parat si nikoqire, amvise dhe menaxhere të mira, të punëve të shtëpisë.
“Kam punuar mësuese Gjuhë-Letërsie, në shkolla 8-vjeccare dhe të mesme. Kam patur edhe poste drejtuese. Me daljen në pension, zhvillova pasionin tim. Shkruaj libra për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur, si dhe libra gatimi. “
“Kuzhina është hapësira ime më e dashur. Pas mëngjesit lahen enët, sistemohet kuzhina. Aty po bëj pak salcë kosi. Bukën e bëj vetë, me miell integral”.
“Kjo është tortë me çokollatë. Këtu kam pak byrek të bërë vetë me barishte, nga kopshti im”.
“Duket sikur nuk dal nga kuzhina, por nuk është kështu”.
“Punoj në kopsht, shëtis nga liqeni, merrem me nipërit e mbesat”.
Sot të rinjtë janë më të stresuar, jo se ne nuk ishim. Unë nuk paragjykoj njeri, nëse shkoj për vizitë diku, dhe shtëpia nuk është në rregull. Kushedi si e ka hallin, them.
Ka familje, që i bien shkurt, hanë në lokal, apo i ushqejnë jo shëndetshëm fëmijët, por familja ime nuk është rasti.
Familja është e shenjtë dhe ashtu duhet ta trajtosh, sikur punon për një gjë të lartë, të shenjtë/TCH. / KultPlus.com
Koha po na kthen në mure të ftohtë, në gurë, trishtuar nga shiu i tremb edhe dielli. Të shkojmë, ku? Të flasim, me kë? Të harrohemi, si? Çdo ditë na është kthyer në stinë, s’ia masim dot pulsin, as nervozën, as humorin. Plaga mentale si gojë e hapur ka mbetur shqyer as flet, as zë kore vetëm frymon mes pezullisë amorfe, ajrísë së saj fatale. / KultPlus.com
Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas kthehet sot në një vend pelegrinazhi nga e gjithë Shqipëria, duke përçuar shpresën hyjnore, dashurinë dhe paqen njerëzore.
Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi ndau sot pamje nga ky manastir, i cili është një monument i trashëgimisë kulturore.
“Thesare trashëgimie, që përveçse janë pasuri shpirtërore për besimtarët ortodoksë, dhe jo vetëm, janë dëshmi historike dhe kulturore”, tha Subashi.
Ai ftoi qytetarët ta vizitojnë këtë manastir kaq të bukur të Fierit, në zemër të fushave magjepsëse të Myzeqesë.
Trashëgimia kulturore dhe objektet e kultit janë tashmë në fokus të institucioneve përkatëse për t’u restauruar dhe mirëmbajtur pasi kanë një vlerë historike dhe kulturore dhe janë shndërruar në destinacione të preferuara nga turistë vendas dhe të huaj. atsh / KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik) kryen gërmimin arkeologjik të shpëtimit dhe dokumentimin e dy varreve antike në nekropolin e parkut arkeologjik të Amantias.
Këto ndërhyrje janë vijim i punës dhe masave të mara nga DRTK dhe IKTK për luftimin e fenomenit të gërmimeve klandestine, si dhe shpëtimin e dokumentimin e monumenteve të prekura prej tij.
DRTK Vlorë bën të ditur se gjatë kësaj ndërhyrje u dokumentua një varr cist, si dhe u zbulua një varr monumental që i përket shek. III p.Kr.
“Varri me arkitekturë monumentale është një atraksion i ri për t’u vizituar në itinerarin e vizitave të parkut arkeologjik të Amantias”, – thekson DRTK Vlorë.
Tashmë DRTK Vlorë po punon për konservimin e monumentit dhe krijimin e infrastrukturës, që do të mundësojë prezantimin e tij për publikun e gjerë.
Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure.
Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para.
Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.
Ndër mundësitë interesante dhe atraktive, që parku arkeologjik i Amantias ofron janë edhe monumentet e saj unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor. / atsh / KultPlus.com
Edith Piaf, emri i vërtetë i së cilës ishte Édith Giovanna Gassion, pati një jetë shumë të vështirë, një vajzë e vogël me një talent të trashëguar nga e ëma, që u bë ikona e muzikës franceze, shkruan KultPlus.
Piaf gjithë jetën e saj ia dedikoi artit e muzikës. Muzika e saj kishte pothuajse gjithmonë elemente autobiografike, trajtonin temën e dashurisë, pikëllimit, nostalgjisë e humbjes. Ajo gjithmonë do të mbahet mend për zërin e saj të veçantë e të fuqishëm, një zë që tingëllonte ndryshe, të bënte të dashurosh e të vuash ndryshe, një ”ndryshe” që vetëm Edith Piaf e servonte para publikut, një ”ndryshe” që muzikës franceze e jo vetëm, i la gjurmë të pashyelshme.
Në një intervistë të saj, në vitet e fundit të jetës, Piaf përgjigjet për frikën ndaj vdekjes.
A keni frikë nga vdekja, zonja Piaf? -e kishte pyetur gazetarja
Më pak se nga vetmia, u përgjigjë ajo.
Vlen të ceket se Edith, mbiemrin Piaf e mori si mbiemër skene. Piaf ka kuptimin e kanarinës. ”PIAF” përshkruante pikërisht atë që ishte ajo.
Këngët e saj më të njohura janë: “La Vie en rose” (1946), “Non, je ne regrette rien” (1960), “L’hymne à l’amour” (1949), “Milord” (1959), “La Foule” (1957), “L’Accordéoniste” (1940) dhe “Padam, padam …” (1951).
Edith Piaf Vdiq më 10 tetor të vitit 1963, në moshën 48 vjeçare. / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një shkrimi në Facebook ka treguar çka është biseduar në takimin ne sotëm me homologët e tij dhe kryeministrin Hoti
Ahmeti ka shkruar se në takimin me Hotin dhe kabinetin e tij, u diskutua për vendimin për fillimin e mësimit në vend.
“Në takim u diskutua rreth vendimit për shkollat ku qeveria ka vendosur që të jenë tri (3) skenare për fillimin e mësimit, ndërsa komunat të vendosin se cilin skenar të zgjedhin sipas gjendjës në komunat e tyre”, ka shkruar Ahmeti.
Kreu i Prishtinës thotë se nuk ka mjaftueshëm informata për hapjen e shkollave.
“Edhe më tutje vazhdojmë të ballafaqohemi me probleme nga më të ndryshmet dhe si Kryetar i Komunës së Prishtinës kam ngritur çështjen që ne nuk e kemi as sasinë me të vogël të informatave për shkollat në menyrë që të kemi një vendim se a duhet të hapen apo jo shkollat në vendin tonë”, ka shkruar Ahmeti.
“Prishtina ndoshta është e vetmja komunë që bënë teste serologjike dhe atë që e kemi pa nëpër çerdhet tona është që tash ne e kemi mbrri një kulm të infektimit dhe me shpresë që numrat e përgjithshëm të stabilizohen duhet që bashkarisht ti marrim vendimet e përbashkëta me shumë kujdes dhe të shohim mënyrën se si ecim përbara bashkarisht”, ka shkruar i pari i kryeqytetit. / KultPlus.com