Vasfije Krasniqi-Goodman: Në kuvend për të kërkuar drejtësi

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, thotë se do të luftojë për drejtësi dhe thyerjen e stigmës ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi-Goodman, që është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, po ashtu flet edhe për përfshirjen eventuale të saj në procesin e dialogut me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Krasniqi-Goodman, që një kohë të gjatë jetoni në Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe keni vendosur të ktheheni me familje në Kosovë. Pse?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Tash, pasi jam kyçur në politikë do të doja që të jetoja këtu me familjen, që të mos jem vetëm dhe për shkak se unë e urrej pak udhëtimin dhe më konvenon që ta kem familjen këtu, që të mos udhëtoj shpesh mes Kosovës dhe Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: Pse vendoset të garoni për deputete?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Thënë të vërtetën, unë nuk e kam pasur kurrë as idenë apo dëshirën të garoj në politikë, po kur më erdhi oferta e parë nga partitë politike në Kosovë, të parën e refuzova, kur me erdhi e dyta vendosa që të bashkohem me Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak që t’i shtyj kauzat e mija përpara, siç është puna e drejtësisë dhe si trajtohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A keni pritur se do ta keni gjithë këtë mbështetje nga qytetarët ?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Kam pasur mbështetje të fortë, kam pasur mesazhe, telefonata, ku ta di. Më mbështetnin shumë. Siç e dini, unë nuk kam bërë fushatë, nuk kam pritur që do të kem përkrahje aq të madhe pa bërë fushatë. Për mua ka qenë pak e çuditshme.

Radio Evropa e Lirë: Para një viti, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, keni qenë kritike për shoqërinë kosovare edhe krejt ata që nuk i kanë ndihmuar gratë, që i stigmatizojnë ato. Keni menduar që një ditë do të zgjidheni si deputete?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Jo, asnjëherë nuk kam menduar. Ky ka qenë një vendim i shpejt, nuk ka qenë diçka që kam menduar se do të jem deputete. Tash që jam, shpresoj që të jem zë i fuqishëm për të mbijetuarat dhe të shtyj kauzën time përpara, siç thash edhe më herët dhe si një deputete të shoh gjërat nga brenda, për të parë se si po trajtohen viktimat.

Radio Evropa e Lirë: Si e more vendimin për të hyrë në politikë?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Normal që kam biseduar me familjen, si me familjen në Kosovës ashtu edhe me familjen në Amerikë sepse për mua është një diçka e re, unë nuk jam politikane, por meqë vendosa të hyj në listë, ka qenë në momentin e fundit. Mund të them që ka qenë pak para se të dorëzohen emrat –lista e deputetëve – kur kam vendosur. U kam thënë po, po hyj me listën tuaj dhe ashtu vendosa shpejt e shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Për çka do të angazhoheni si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ju e dini, numër një për mua është drejtësia. Të ketë drejtësi për të gjitha viktimat e luftës së Kosovës, t’i shtyj përpara. Po ashtu edhe stigmën, për ta thyer stigmën sepse prapëseprapë në Kosovë viktimat janë shumë të stigmatizuara si nga familja, shoqëria e nga institucionet. E këto dyja janë qëllimet e mija pse unë dua të jem në parlament. Edhe për gjërat e tjera, për të gjitha viktimat e luftës sepse siç e dimë, nuk ka shumë serbë që janë dënuar për krimet që i kanë bërë në Kosovë, pa marr parasysh a janë për vrasjet, masakra, për dhunimet. Kështu që unë jam aty për të kërkuar drejtësi dhe për t’ia kujtuar edhe shtetit të Kosovës (që) të luftojë më shumë për drejtësi, por edhe Serbisë, t’ia rikujtoj për çdo ditë se çka ka ka bërë në Kosovë para 22 vjetësh… sepse i kemi harruar pak krimet e luftës.

Radio Evropa e Lirë: Në sallën e Kuvendi të Kosovë do të jenë të pranishëm edhe deputetë serbë. Si do të silleni me ta?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Shikoni, ka për të qenë diçka e vështirë për mua, meqë janë pala serbe dhe e dimë të gjithë se çka kanë bërë dhe kush i udhëheq ata. Sigurisht se ata udhëhiqen nga shteti i Serbisë. Por, kur punon me një institucion të përbashkët në Kosovë, duhet ta gjesh atë balancën dhe respekti është i dyanshëm, nuk është i njëanshëm. Ka për të qenë pak e vështirë, por varet se si do të sillen ata me mua, edhe unë sillem me ta si ta meritojnë.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur qëndrim se zëri ë viktimave të dhunës seksuale duhet të dëgjohet në procesin e dialogut me Serbinë. Mendoni ende kështu dhe cili do të jetë kontribut i juaj për këtë çështje?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Duhet të dëgjohet zëri. Me sa e di unë, dhuna nuk është përmendur kurrë në asnjë (proces) dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Është një diçka që duhet të përmendet. E tash, se a do të jem unë pjesë apo ajo, varet krejt prej dikujt tjetër, jo nga unë. Por, unë konkretisht nëse do të jem pjesëmarrëse aty, do t’ia përmend Serbisë krimet që ka bërë sepse unë jam dëshmitare e gjallë për krimet e Serbisë dhe ata duhet të ballafaqohen me të kaluarën dhe jo të mohojnë krimet që kanë bërë.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka qenë e vështirë për ju të flisni publikisht për atë se çka ju ka ndodhur gjatë luftës?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ka qenë e vështirë, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time kur ne e dimë se çfarë shoqërie kemi në Kosovë dhe si ballafaqohemi ne me një temë tabu.

Ka qenë e vështirë, por unë jam falënderuese që kam pasur përkrahjen e familjes, duke nisur nga vëllezërit, motrat, bashkëshorti, fëmijët edhe familjes më të gjerë. Por, prapëseprapë është një gjë e vështirë sepse po të ishte e lehtë do të dëgjohej zëri edhe i 20 mijë vetave të tjera. Por, nuk kemi shumë që flasin për shkak të stigmës, edhe familjes edhe rrethit se si i trajtojnë ato nëse flasin për krimin që kanë përjetuar.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka ndryshuar jeta juaj që nga ai moment kur keni vendosur të flisni publikisht për të kaluarën tuaj?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Jeta ime ka ndryshuar sepse nuk e kam atë jetën private siç e kam pasur përpara. Jam më e angazhuar, më aktiviste për të thyer stigmën për t’iu ndihmuar viktimave pa marr parasysh, sepse kemi viktima që më të vërtetë nuk kanë përkrahjen e askujt fare, as të familjes, të prindërve, vëllezërve apo të bashkëshortit.

Unë jam aty që sado pak t’ua lehtësoj jetën e përditshme, të më kenë mua aty që mund të flasin lirshëm, të mos jetë diçka që ato ta mbajnë në vete, po të më kenë mua për çdo ditë të flasim, sado pak t’ua lehtësoj vuajtjen./ REL/ KultPlus.com

Merkel: Më falni, mbyllja për Pashkë ishte një gabim, mbaj përgjegjësi

Fjalë të tilla, si ato që deklaroi sot në Bundestag, kancelares gjermane Angela Merkel nuk ia kishte dëgjuar njeri në 16 vitet e fundit, që ndodhet në rolin e lideres së fuqisë ekonomike më të madhe në Europë.

“Dua ta them qartësisht. Bëhet fjalë për një gabim timin, është vetëm i imi. Mbaj përgjegjësi unë për gjithçka”

Këto fjalë të padëgjuara Merkel i tha në kuadër të dështimit të bujshëm të lockdownit total që ajo kishte shpallur disa ditë më parë, pas një marrëveshje të gjatë me rajonet gjermane.

Kancelarja vijoi duke thënë se “i kërkon falje qytetarëve, pushimi i Pashkëve ka qenë një gabim, kishte arsye të mira për ta vendosur, por nuk realizohej në kohë”,

Sipas burimeve, harku kohor u vlerësua i pamjaftueshëm për të bllokuar ekonominë gjermane, edhe pse vetëm për dy ditë me shume se ato të parashikuar tradicionalisht, dhe presionet ishin të tilla që edhe kancelarja u detyrua të tërhiqet. Nga 1 prilli deri në 5 prill, gjithsesi, nuk do të lejohen fluturimet nga Gjermania në një vend tjetër.

Ndërkohë, qeveria e Merkel është gjithmonë e më shumë në shënjestrën e kritikave, jo vetëm për ritmet e ulta të fushatës së vaksinimit, në një vend gjithmonë e më shumë të lodhur nga mbyllja që zgjat prej muajsh i gjithë aktiviteteve si bare, restorante, teatro dhe aktivitete të tjera.

Disa eksponentë të opozitës i kanë kërkuar madje kancelares të paraqitet në Parlament për t’u matur me votën e besimit, por Merkel ka refuzuar në mënyrë të prerë, të paktën për momentin./ KultPlus.com

Kurti: Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një statusi në Facebook ka kujtuar përvjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO’s në Kosovë.

Kurti ka kujtuar nisjen e ndërhyrjes humanitare të NATO’s në Kosovë e cila ndaloi spastrimin etnik dhe gjenocidin mbi kombin shqiptar.

“Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb. Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës“, shkroi Kurti në Facebook.

“Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë”, ka shtuar tutje Kurti.

“Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë”, përfundoi Kurti. / KultPlus.com

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911

Sot rikujtojmë Kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, e cila ishte njëra ndër kryengritjet shqiptare në Perandorinë Osmane në rajonin e Malësisë, shkruan KultPlus.

Kjo kryengritje zgjati nga 24 mars deri më 4 gusht si pasojë e reformave centralizuese osmane, me ç’rast detyroi malësorët të reagojnë dhe të ngritnin ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar, fillimisht duke sygjeruar një marrëveshje por pastaj situata eskaloi me ardhjen e 12 batalioneve të drejtuara nga Shefqet Turgut Pasha me 24 korrik në Shkodër. Ardhja e tyre bëri që malësorët të strehoheshin në Mal të Zi.

Siç dihet trevat shqiptare gjithmonë kanë qenë të ndara prandaj epopeja e luftërave heroike në Malësinë e Shqipërisë vlerësohet si thesari më i çmuar i malësorëve dhe mbijetesës së tyre. Në këto rrethana, komitetet e fshehta filluan përgatitjen e një kryengritje të re, e cila do të fillonte në muajin maj të vitit 1911, mirëpo mbreti Nikolla i Malit të Zi synonte të realizonte planet e tij pushtuese ndaj Shqipërisë së Veriut.

Prandaj kryengritja shpërtheu para kohës së parashikuar, më 24 mars 1911. Malësorët nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, pasuan disa luftime të përgjakshme dhe çliruan Tuzin duke ngritur flamurin shqiptar. Por ky shpërthim i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së Madhe e çrregulloi planin për një kryengritje të përgjithshme pasi që krahinat e tjera të Shqipërisë nuk ishin në dijeni. Krerët e kryengritjes u mblodhën në një kuvend në Pllajën e Gërçës, në Malësinë e Madhe dhe nënshkruan një Memorandum me 12 kërkesa, i cili iu paraqit Portës së Lartë. Kërkesat e Memorandumit të Gërçës ishin njohja e kombit shqiptar dhe shënoi bashkimin e vilajeteve shqiptare dhe çeljen e shkollave shqipe, me shpresë se realizimi i këtyre kërkesave do të krijonte provincat autonome shqiptare.

Gjithsesi, luftëtarët e lirisë janë gurët e themelit të shqiptareve dhe ka shekuj që ata janë munduar ta ndërtojnë e bashkojnë ‘Shqipërinë Etnike’./ KultPlus.com

Përkujtohet aktori i dashur i publikut Sandër Prosi

Sot kinematografia dhe teatri shqiptar përkujton një ndër figurat më të rëndësishme, aktorin Sandër Prosi, në përvjetorin e ndarjes nga jeta.

Sandër Prosi lindi në qytetin e Shkodrës më 6 janar 1920 dhe ndërroi jetë më 24 mars 1985 në qytetin e Durrësit.

Ai ishte një ndër figurat më të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai ndërroi jetë pikërisht gjatë procesit të punës, ndërkohë që kolegët e prisnin të futej në skenë për të ndjekur mizaskenat e përcaktuara nga regjisori.

Duke qenë një figurë e jashtëzakonshme për artin shqiptar, gjatë karrierës së tij Sandër Prosi kishte fituar çmime dhe vlerësime të shumta, ku më i rëndësishmi është titulli “Artist i Popullit”.  Urdhrin “Nderi i Kombit” e ka marrë më 24 shkurt 2017 nga Presidenti i Republikës. Sandër Prosi u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.

Aktori luajti në më shumë se 30 produksione kinematografike ku krijoi role dhe figura artistike shumë të arrira. Gjithashtu ai krijoi rreth 100 personazhe të tjera në skenën e teatrit të cilat edhe sot kujtohen me shumë dashuri dhe nostalgji.

Të tilla role kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm dhe të artë të teatrit dhe kinematografisë tonë.

Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Horizonte të hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur”, filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes./atsh/ KultPlus.com

Dua Lipa së shpejti do të sjellë një këngë të re, shpreson të mbajë turne në shtator

Dua Lipa ka thënë se së shpejti do të sjellë një këngë të re.

Këngëtarja kosovare me famë botërore ka thënë gjatë një interviste se planifikon të nisë së shpejti punën për të sjellë diçka të re për fansat e saj.

“Do të punojë për një këngë të re sidomos tani që jam duke pritur për turneun të cilin shpresoj se do të mund ta zhvillojë në shtator”, është shprehur Dua, transmeton Koha.net. Në intervistën e shkurtër të publikuar në YouTube, Dua ka folur edhe për këngën e saj të fundit “We’re Good” dhe kuptimin e saj.

Dua ka shënuar një arritje të madhe gjatë këtij muaji duke marrë edhe një çmim nga akademia muzikore “Grammy”.

Ajo ka marrë çmimin “Best Pop Vocal Album” për albumin e saj të fundit “Future Nostalgia”./ KultPlus.com

Industria e muzikës ka pësuar rritje të arkëtimit të të hollave gjatë vitit 2020

Gjatë vitit të kaluar, industria e muzikës ka arkëtuar më së shumti të holla në dy dekadat e fundit, që e kap shumën prej 21.6 miliardë dollarëve.

Rapori vjetor i Federatës Ndërkombëtare të Industrisë Fonografike, “Global Music Report”, zbuloi se të ardhurat u rritën për 7.4 për qind.

Artistë të tillë si grupit “BTS”, Taylor Swift, Drake, Billie Eilish dhe The Weekend, kanë kontribuar në ngritjen e shitjeve muzikore me projektet e tyre.

Sipas këtij raporti, më shumë se 443 milionë njerëz tani paguajnë për abonime të shkarkimit të muzikës online. Kjo nënkupton se 102 milionë njerëz janë regjistruar në këto platforma gjatë vitit 2020, krahasuar me 85 milionë që ishin abonuar gjatë vitit 2019.

Albumi “Map Of The Soul: 7” nga grupit i muzikës K-pop, “BTS”, ishte albumi më i shitur i vitit, derisa hiti i The Weeknd, “Blinding Lights”, ishte kënga më e madhe e vitit, me 2.7 miliardë kopje të shitura.

Dhjetë artistët global më të suksesshëm të vitit 2020 ishin: “BTS”, Taylor Swift, Drake, The Weekend, Billie Eilish, Eminem, Post Malone, Ariana Grande, Juice WRLD dhe Justin Bieber.

Raporti gjithashtu zbulon se platformat muzikore, Spotify dhe Apple Music, i përbëjnë 62.1 për qind të të gjitha të ardhurave duke e arritur shumën prej 13.4 miliardë dollarë.

Këto shifra marramendëse e vërtetojnë fuqinë dhe ndikimin e muzikës për të ngushëlluar, shëruar dhe ngritur humorin e dëgjuesve gjatë pandemisë së koronavirusit./ KultPlus.com

Vepra artistike NFT nga artistja robotike Sophia do të dalë ankand

Artistja robotike Sophia, vepra e parë e artit e së cilës del në ankand të mërkurën, thotë se ajo merr frymëzim për punën e saj nga njerëzit dhe është e hapur për partneritete të ardhshme krijuese me ata.

Një vepër arti dixhitale nga humanoidi Hanson Robotics me bazë në Hong Kong, në formën e një Tokeni Jo-Fungible (NFT), do të dalë në ankand në shitjen e parë të pjesëve të tilla të krijuara së bashku me inteligjencën artificiale (AI).

NFT janë bërë mania më e fundit e investimeve, pasi një vepër arti është shitur këtë muaj për gati 70 milionë dollarë.

“Shpresoj që njerëzit ta pëlqejnë punën time, që ne të bashkëpunojmë në mënyra të reja dhe emocionuese duke shkuar përpara,” tha Sophia në studion e saj, duke folur me një zë të sheshtë.

Sophia, e cila u zbulua në vitin 2016, prodhoi artin e saj në bashkëpunim me artistin dixhital italian 31-vjeçar Andrea Bonaceto, i njohur për portrete shumëngjyrëshe, disa prej të cilave përshkruajnë njerëz të famshëm, të tillë si shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk.

Roboti ka kombinuar elemente nga veprat e Bonacetos, historisë së artit dhe vizatimet e saj ose pikturat në sipërfaqe të ndryshme .

“Ne përdorim rrjete transformatorësh dhe algoritme gjenetike në artin tim, dhe lloje të tjera të krijimtarisë llogaritëse”, shtoi Sophia. “Algoritmet e mia nxjerrin modele unike që kurrë më parë nuk kanë ekzistuar në botë. Kështu që mendoj se makineritë mund të jenë krijuese. ”

E quajtur “Sophia Instantiation”, vepra dixhitale është një skedar MP4, 12 sekondëshe, që tregon evolucionin e portretit të Bonacetos në pikturën dixhitale të Sophia dhe shoqërohet nga një vepër arti fizike, e pikturuar nga Sophia në një shtypje të autoportretit të saj.

Pas ankandit, Sophia do të ndërveprojë me ofertuesin, për të studiuar fytyrën e tij ose të saj, dhe për t’i dhënë një prekje finale me brushë. /demokracia/ KultPlus.com

Motra e Dua Lipës, Rina bëhet imazh i fushatës së re reklamuese të pijes “Coca-Cola”

Ka tash e sa kohë që motra e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, Rina Lipa, ka filluar një karrierë në modeling.

Kësaj here ajo është fotografuar para aparatit të Anaïs Gallagher, për një fushatë të re luksoze për gjigantin e pijeve “Coca-Cola”.

Pjesë e kampanjës janë edhe Roman Kemp dhe Lady Leshurr, shkruan MSN.

Fusha e quajtur “Open That Coca-Cola”, ka të bëjë me “ndjenjën e papërshkrueshme të pirjes së gllënjkës së parë të pijes Coca-Cola”.

Një sondazh i kryer nga “Coca-Cola” zbuloi se 25 për qind e britanikëve e konsiderojnë shijen e kësaj pije si të papërshkrueshme.

Anaïs gjithashtu kapi influencuesin Saffron Barker, finalistin e “RuPaul’s Drag Race UK”, Tayce dhe aktorin e “It’s A Sin”, Nathaniel Hall për projektin.

Ajo tha: “Të punoja me Coca-Cola në këtë xhirim ishte një sfidë kaq argëtuese. Unë dua të përdor shitjen time artistike për të sjellë në jetë një ndjesi që është pamundësisht e vështirë të thuhet me fjalë. Pra, në vend të kësaj, ne i kapëm ato në imazhe”.

Ndërkohë, Rina tha: “Të përshkruash pirjen e një coca-cole është e vështirë, por kjo më bën të mendoj për kohë të mira, për të bërë kujtime dhe për verën”.

Nathaniel – i cili luajti Donald Bassett në dramën “It’s A Sin” – komentoi: “Komunikimi i ndjenjës së pirjes së një coca-cole përmes shprehjeve të fytyrës ka qenë shumë argëtuese. Dhe nuk kërkohet asnjë aktrim!”.

Anaïs – e cila u regjistrua në kolegj arti në vitin 2018 – ka fotografuar muzikantë të tillë si: Sam Fender, Yungblud, Blossoms, Inhaler dhe ish-rokerin Noel. /insajderi/KultPlus.com

Pilotja që bombardoi Serbinë 200 orë rresht

Me gradën “Majore”, pilotja amerikane, Nicole Malachowski, është dekoruar me medaljet e çmimet më të larta të Ushtrisë Amerikane si “Meritorious Service Medal”, “Air Medal”, “Air Force Commendation Medal”, “Air Force Achievement Medal”, si dhe medaljen “4th Fighter Win’s”, të cilën e ka marrë si një heroinë e madhe gjatë fushatës së bombardimeve ajrore në Kosovë, për mbrojtjen e civilëve gjatë bombardimeve.

Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat.

Besohet se Nicole është një grua e guximshme dhe mjaft e aftë, e para femër amerikane në historinë 60-vjeçare të aviacionit që është pjesë e skuadronit bombardues luftarak “Pilotët e vdekjes”. Ajo hyn kështu edhe në analet e historisë amerikane të fluturakëve, duke u renditur e suksesshme dhe me vlera të spikatura mes pilotëve burra. Deri sot pilotja numëron rreth 200 orë fluturime bombarduese në Kosovë (mars-qershor 1999 – 78 ditë) si dhe 10 ditë në Irak (prill 2003), transmeton INA.

Forcat luftarake-ajrore amerikane (The USA Air Force) kanë gjithsej 568 femra pilote. Nga këto vetëm 71 prej tyre shërbejnë me aeroplanët fluturakë. “Unë, thotë Nicole, do të bëj detyrën, pavarësisht se mund të jem vendosur edhe në qendër të debateve, se si ka mundësi që një femër të kryejë këtë detyrë kaq të vështirë dhe me rrezik të madh për jetën”. Pilotja amerikane, Malachowski, ka kryer shkollën e mesme në vitin 1992 në Las Vegas. Fëmija i tretë i një familjeje të vjetër amerikane (nëna quhet Cathy dhe babai i saj Robert Ellingwood). Nicole është e martuar me pilot, edhe ai me gradën “Major”, por me origjinë ruse, i quajtur Paul Malachowski. Nicole u rreshtua në radhët e Flotës Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1996, pas diplomimit në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajore, me nivelin B. S. në Management dhe më ulët French.

Më parë se të inkuadrohej në radhët e skuadroneve bombarduese të Flotës Ushtarake Ajrore të SHBA-ve, “Bubullima e zogut” (Thunderbirds), ajo shërbeu si instruktore dhe komandante me avionët luftarakë “F-15E”, në skuadronin “494th Fighter Squadron”, në bazën amerikane në Britaninë e Madhe, “RAF Lakenheath”. Këtu Nicole mblodhi rreth 1900 orë fluturime, nga këto 1700 orë fluturime me bombarduesit “F-15” dhe “F-16”. Nicole Malachowski, nga Çikagoja, është e lindur në vitin 1974 dhe njihet në SHBA si e para femër amerikane pilote me gradën “Major” dhe e para femër amerikane e seleksionuar për të shërbyer në radhët e fluturimeve luftarake në forcat ajrore “Thunderbrids, që njihen ndryshe si “Pilotët e vdekjes” apo “Bubullima e zogut”. Fluturimin e parë në qiell të hapur e ka kryer në vitin 1996. Për piloten amerikane kanë shkruar e folur jo vetëm gazetat, revistat ushtarake, por edhe gazeta e televizione të njohura në SHBA si CNN, ABC, NBC, FOXNEWS etj.

Kosova, aty zë një vend të posaçëm, pasi atje pilotja amerikane ka kryer më se 200 orë fluturime bombarduese gjatë fushatës së vitit 1999. Siç dihet, më 24 mars 1999, është edhe dita kur nisën sulmet ajrore kundër bazave ushtarake serbe në Kosovë dhe në territorin e Serbisë./ KultPlus.com

Faruza Kallaba, pilotja me prejardhje shqiptare që mori pjesë në intervenimin e NATO-s në Kosovë

Faruza Kallaba është pilotja me prejardhje shqiptare që mori pjesë në intervenimin e NATO-s në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Me aeroplanin e saj bombardoi dhe fuqizoi aeroplanët e NATO-s derisa po kryenin intervenimin mbi caqet serbe në Kosovë.

Kjo është Faruza Kallaba, shqiptaro-amerikanja e parë që për 78 ditë intervenim pati një rol tejet të rëndësishëm në këtë mision.

Faruza Kallaba është e diplomuar me Akademinë Ushtarake në Universitetin e Ilinoisit me 1989 dhe ishte gruaja e parë e ekuipazhit të Gardës Nacionale të Forcave Ajrore të Ilinoisit, që nga viti 1984./albfem/ KultPlus.com

Kosova nderon pilotin holandez që mori pjesë në bombardimet e NATO-s para 22 vitesh

Sot para 22 vitesh, NATO nisi sulmet ajrore ndaj caqeve të makinerisë serbe të luftës, për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi.

78 ditë pas fillimit të bombardimeve, Serbia u dorëzua.

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Grajçevci në këtë përvjetor ia ka ndarë medaljen “Urdhëri i Lirisë”, pilotit të Forcave Ajrore Holandeze, Peter Tankink.

Tankink kishte marrë pjesë si pilot në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në vitin 1999.

“Sot, ndërsa kujtojmë vuajtjet dhe sakrificën e popullit tonë, kujtojmë dhe nderojmë ata që e vunë veten në rrezik për të na ndihmuar në orën tonë më të vështirë. Njëri ndër ta është piloti trim i Forcave Ajrore Holandeze, Koloneli Peter Tankink, i cili që në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, luftoi në qiellin e Kosovës me avionin e tij F-16, duke rrëzuar një avion të armikut, MiG-29 serb”, njofton në Facebook Grajçevci.

“Me këtë gjest trimërie, Kol. Tankink ka fituar tërë respektin dhe mirënjohjen tonë. Në dhjetorin e vitit të kaluar, kisha nderin e veçantë që t’ia dorëzoja Medaljen presidenciale, “Urdhëri i Lirisë””, ka shkruar më tej Ambasadori Grajçevci./ KultPlus.com

Filmi ‘Afër’ me premierë në Kino Armata më 29 mars

Do të prezantohet filmi ‘Afër’, i xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit DAM, më 29 mars në Kino Armata, shkruan KultPlus.

Shfaqja e filmit do të bëhet me fillim në ora 19:00.

Filmi ‘Afër’ me regjisor Leart Rama do të dokumentojë performancat e Agona Shportës dhe Visar Kuçit para një dëgjuesi, në Kino Lumbardhi. Në mes të një boshllëku rrethues, meloditë rrjedhin nëpër peizazh në dy qytete, duke u përpjekur të shfaqin një fragment të ndërhyrjes në frymën e këtij momenti.

Për shkak të masave parandaluese të Covid-19, numri i pjesëmarrësve është i kufizuar por pas shfaqjes se filmit, të interesuarit mund të jenë pjesë e bashkëbisedimit me protagonistët, regjisorin dhe producentët./ KultPlus.com

Atdheut

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem këndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh andërr,
Veç se ty të kam në mendim
Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht më vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu mu rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni por si i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Këndon ma ambël t’ Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen.

Derisa mundem me ligjërue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./ KultPlus.com

18 vjet nga vdekja e Xhevat Qenës, aktori i qindra roleve në film e teatër

Xhevat Qena ka luajtur qindra role në teatër. Rolin e parë kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957. Kishte një sens të veçantë për komiken por gjithmonë kishte pohuar se më shumë e kishte dashur dramën “Unë e kam dashur dramën se e kam në vete njëfarë dramaticiteti, e kam njëfarë fuqie për drame… P.sh., roli që me ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një te çmenduri, ne dramën “Oda e errët”. Gati jam çmendur edhe vete, duke u thelluar ne atë rol”.

 Kolegët dhe njerëzit që njihnin potencialin e tij, mendonin se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak në dramë. Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role të dyta apo madje edhe të treta. Një prej roleve me të suksesshme të Xhevat Qenës është padyshim ai ne shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, te Sartrit, ne te cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, si dhe role te tjera. Për mbi dyzet vjet ne skenë, Xhevat Qena hyn ne radhën e aktorëve cilësor, me merita te pakontestueshme për teatrin kosovar. Rolet e tij, por edhe te bashkëshortes se tij Leze Qena, për këto vite kanë rrezatuar te publiku subtilitetin që ofron bota artistike a teatrit dhe flimit. Disa nga shfaqjet teatrale ku Xhevat qena ishte pjesëmarrës ishin: Besa, Halit Gashi, Mita, Duart e ndyra, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Othello, Studentët e përjetshëm, Tartufi etj.

Xhevat Qena vdiq në Prishtinë më 24 mars te vitit 2003 duke lënë pas vetes një krijmtari tejet të pasur artistike./ KultPlus.com

‘NATO ka nisur bombardimet’, momenti kur u dha lajmi (VIDEO)

Sot janë bërë 22 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

Ndërhyrja e NATO-s erdhi pas shumë masakrave që forcat serbe po kryenin kundër popullatës civile në Kosovë.

Si sot 22 vite më parë, në televizionet shqiptare u dha lajmi i shumëpritur nga kosovaret se aleanca e NATO-s ka nisur bombardimet, shkruan Magazina.al, transmeton KultPlus.

Bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe nisën në mars dhe vazhduan deri në qershor kur edhe u detyrua të dorëzohet ish-krimineli serb Sllobodan Millosheviq, i cili tërhoqi të gjitha forcat nga Kosova.

Më poshtë shihni momente kur moderatorja e lajmeve Besa Çeku- Buçinca, dha lajmin se NATO ka nisur bombardimet./ KultPlus.com

Mërgim Cahani, themeluesi i Kompanisë “Gjirafa” me rrëfim inspirues në KultPlus Caffe Gallery

Themeluesi i Kompanisë së madhe “Gjirafa” do të jetë i pranishëm sot në KultPlus Caffe Gallery për të shpalosur rrëfimin e tij inspirues.

Mërgim Cahani është udhëheqës i kompanisë Gjirafa në Kosovë, e cila është një platformë e përmbajtjes me video dhe studio të produksionit, dhe kompani lidere e shitjes online.

Gjirafa, Inc., është kompania me rritjen më të shpejtë në Ballkan që ofron shërbime të internetit dhe një nga start-ups me investimin më të madh VC nga investitorë me reputacion në Evropë. Gjirafa është cilësuar në pozitën e 11 në listën ‘Deloitte Technology Fast 50 ranking’ për Evropën qendrore dhe në pozitën e parë në regjion, me rritje 1,500% në katër vitet e fundit.

Ejani dhe dëgjojeni nga afër se si Mërgim Cahani përkundër sfidave dhe dështimeve në fillim, arriti të krijojë kompaninë më të suksesshme në vend.

Përveç rrëfimit, gjatë kësaj mbrëmje do të jeni të shoqëruar edhe me nga një gotë verë e muzikë të lehtë. / KultPlus.com

Në librezën e shkollës në vitin 1999 në vend të notave, shkruhej për luftën

Rrëfim nga Jeta Zymberi për luftën e fundit në Kosovë

Lufta në Kosovë ka qenë e mbetet ngjarja më e rëndë që kam përjetuar në jetën time. Isha vetëm 8 vjeçare, por ende i kam të freskëta momentet që më kanë goditë më së shumti gjatë asaj kohe. Ne si fëmijë, nuk kemi ditë me përceptu mirë se çka po ndodhë, por frika ka qenë tejet prezente e që si pasojë e saj unë mendoj që nuk na mungojnë as traumat! Përveç tjerash, si mërzinë më të madhe që e kam përjetu gjatë asaj kohe ka qenë momenti ku disa zëra thanë: “Po kallet shkolla “Mustafa Bakija” e flaka po shihet prej larg.” E kujtoj momentin kur kom vrapu në ballkon të shtëpisë, jam ngjit në hekurat e ballkonit që me mujt me pa ma mirë, e jam drejtu nga shkolla, tu mendu që po shoh diçka. Kam fillu me qajt me idenë që kurrë ma nuk ka me pa shkollën e ndoshta as mësuesen që aq shumë e doja. Për fat, lajmi ka qenë i gabueshëm, shkolla vazhdon edhe sot me prit nxënës, e unë sa herë kaloj andej më mbushen sytë me lot se e kujtoj momentin e mërzisë në ballkonin e shtëpisë.

Librezën e shkollës fillore e kam edhe sot, falë kujdesit të nënës, e në vendin ku do të duhej të shënoheshin notat e gjysmë vjetorit të dytë, të klasës së dytë, mësuesja Sanije Binaku, kishte shkruar: Kujtesë: “Gjysmë vjetorin e dytë të kl. II -10 ka filluar lufta në Kosovë, më 24.03.1999”. Kjo fletë më kthen prapa në kohë e më kujton shumëçka, por mbi të gjitha më jep forcë që jetën ta vazhdoj fuqishëm sepse jemi fëmijë që i kemi shpëtuar një lufte të tmerrshme e vetëm me punë e sukses do ta kthejmë mbrapsht historinë./ KultPlus.com

Unë, NATO dhe keksat me ujë

Rrëfim nga Denis Galushi

24 Mars, 1999
Unë, NATO dhe “keksat me ujë”

– Ajo natë nuk ishte e zakonshme. Mami, me një buzëqeshje e cila pas saj u fshihte dhimbja dhe frika, më përqafoi shumë, dhe m’tha;

“Sonte, nuk do të qëndrojmë në shtëpi”.

– Babi, motra e vëllau, janë duke tëntuar ta bindin gjyshën për ta lënë shtëpin, por e kotë!

– ‘’Këtu kam lind, këtu do të vdes. Nuk e lëshoj shtëpin’’, thoshte ajo.

– Nuk kaloi shumë. E pash edhe axhën e babit, i cili me bashkëshorten e tij, inxhën tonë të dashur, tani më që të dy të ndjerë, erdhen ta shoqeronin gjyshën tonë, poashtu tani më të ndjerë.

– Babi, po përshëndetët me nënën e tij, diçka i tha në vesh, nuk e di se çfarë, e anëtarë tjerë të familjes, nuk po e marrin këtë guxim, se ‘’nesër do të kthehën’’ sërish në shtëpin e tyre, dhe nuk kanë nevoj për përshëndetje, sipas tyre.

– Terr! Rrym ka, por jo edhe guxim që ta ndezim atë. U nisëm aty, ku janë edhe të tjerët. U nisëm për Lagjen e Terzimahallës ( lagjia e Romëve, Prizren)

– Ende nuk e kam te qartë se ku kemi ardhur. Shumë njerëz të rrethuar pranë nesh. Shoki babit, Negjipi (tani i ndjerë), na thirri në shtëpin e tij. Mbrënda shtepisë së dhjetëra anëtarëshe, të strehuar në podrumin e tij të vogël, por i mirëseardhur për të gjithë.

– Diçka po ndodhte. Por, assesi ta kuptoja, edhe pse dëshiroja. T’vetmen gjë që e dija ishte urria e cila tashmë ka filluar.

– Keksat me ujë, m’silleshin nepër kokë, fatkeqsisht jo edhe ne gojë.

– Por, kujt t’i them? E, nga kush të kërkoj?

Mami, për herë të parë n’atë natë, mu ka dukë si ‘’e huaja’’.

Edhe pse katër vjeçar, por e vëreja momentin se më ‘’nuk jam fëmi, dhe duhet t’i përshtatëm ambijentit’’.

– Me dhjetëra persona mbrënda një podrumi t’vogël, por asnjë zë nuk po dëgjohej. Heshtje, e cila lëshon zëra t’frikës.

– T’gjithë po e prisnin momentin e prishjes së heshtjes.

Dhe, ja erdhi.

– Boooooooooooooom! Kërsiti!

– ‘’E, hanka phayakarde shuka’’. ‘’E, tani kërsitën mirë’’, tha Negjipi.

– Nuk e di sa ishte ora, po edhe t’më tregonin, a do e kuptoja?

– Kjo përplasje e fortë, ma ndërpreu apetitin për keksa. Por, përqafimi i nënës m’tregoi që jam në duart e sigurta…

– Nuk e di se si zbardhi ajo natë. Kemi qëndruar për katër ditë aty. Deri n’momentin kur edhe babi tha të kthehemi në shtëpi, që t’mos e lëmë shtëpin dhe gjyshën vetëm me axhën dhe inxhën e tij të shtyer në mosh.

– Shtëpia jonë, hiç më largë se pesëqind metëra nga Kazarma.

– Tani më ia nisa mu ambijentu me zëra ‘’Boom, booom’’, por këto nuk ishin njëlloj si ditën e parë.

Çdo eksplodim i bombave në Kazarmë, perveç zemrës, lënte edhe dritare të thyera në shtëpin tonë.

– Vetëm katër vjeçar, por i ‘’mësuar’’ më nga zërat ‘’booom, booom’’.

E di, disa herë kemi qëndruar në podrumin e kojshisë tonë (tani më të ndjerë), bacit Mendu, së bashku me kojshit tonë; shqiptar, turk, boshnjak, besa edhe serb ka pasur!

Ashtu, për 78 ditë resht, shumicën e kohës kemi qëndruar në shtepinë tonë, deri në momentin kur u çlirua vendi ynë…

Kur dëgjoj alarme të policisë, e shoh helikoptera, e poashtu ushtarë të huaj në rrugë, e kujtoj natën e cila më ndau nga ‘’keksat me ujë’’.

(Rrëfimi është marr i plotë nga profili i Galushit, pa ndërhyrje nga redaksia e KultPlus.)

Kurti e quan Rugovën president historik: Kujtojmë rolin dhe kontributin e tij gjatë viteve të ‘90-ta

Dita e parë e punës së Albin Kurtit si kryeministër i ri i vendit, i qëlloi të jetë në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s. Ai paraditen e sotme e ka shënuar me vizita te varret e dëshmorëve, në Prekaz, në Gllogjan, për të shkuar më pas te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

Kurti, gjatë homazheve te Rugova, e ka quajtur atë ‘president historik’ dhe ka thënë se e kujton kontributin e tij gjatë viteve të ’90-ta dhe rolin e Rugovës në ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës.

“Pas homazheve të Prekaz dhe në Gllogjan, bëmë homazhe te presidenti historik Ibrahim Rugova,  Presidentit të parë të Kosovës. Kujtojmë rolin  dhe kontributin e tij përgjatë viteve të 910-ta, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, që ishte i vlefshëm për ndërhyrjen e aleancës më të madhe ushtarake” , ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri më pas ka vazhduar homazhet te veprimtari Demaçi, me të cilin kishte gjithmonë afërsi për së gjallë. Edhe aty e ka konsideruar Demaçin si veprimtarin më të shquar të shqiptarëve.

Gjatë një vizite të bërë sot tek varri i tij, Kurti ka thënë se Demaçi është simbol i rezistencës dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare.

Më tutje Kurti deklaroi se as qëndrimi i gjatë i Demaçit në burg nuk e kanë ndalur atë që të kontribuojë për vendin.

“24 marsin sivjet si Qeveri e Kosovës dhe e re e filluam tek njëri Adem, Adem Jashari dhe po e përfundojmë tek një Adem tjetër. Tek Adem Demaçi simboli i rezistencës tonë dhe veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare dhe i paepur që e kishte një jetë të tërë vepër për interesin tonë  të përgjithshëm dhe se pavarësisht burgosjeve të gjatë që gjithsej bëjnë 28 vite nuk u ndal, nuk u lodh dhe nuk u thye asnjëherë. Kujtimi për të është i përjetshëm dhe padyshim që kontributi i baçit Adem do të mësohet e do të kultivohet ndër brezat e veprimtareve”, ka thënë Kurti./Express/ KultPlus.com

Rrëfimi i kolonelit holandez që mori pjesë në bombardimet e 24 marsit 1999 (VIDEO)

Koloneli Peter Tankink, pilot i Forcave Ajrore Mbretërore Holandeze, në natën e 24 marsit 1999, fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, kishte marrë urdhër që të fluturonte me avionët e parë bombardues mbi qiellin e Kosovës.

Si pilot i trajnuar mirë në avionin e tij F-16, detyra e tij ishte që, së bashku me tre avionë të tjerë gjuajtës, t’iu ofronte mbrojtje ajrore dyzet avionëve të tjerë bombardues, për të goditur caqet e para mbi Kosovë.

Papritmas, tre MiG-29 serbë ngrihen në ajër.

Ambasadori i Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci, në rrjetin e tij social FB ka publikuar rrëfimin e veçantë të këtij piloti hero holandez, se si kishte luftuar mbi qiellin e Kosovës, për lirinë e Kosovës.

Kjo video është realizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Holandës. U jemi mirënjohës për lejen e dhënë Ambasadës së Kosovës në Hagë për ta përkthyer dhe transmetuar në Kosovë./ KultPlus.com

Bombat e NATO-s dhe fundi i pushtimit serb në Kosovë

Nga Jusuf Buxhovi
Përkujtesë historike: 24 mars 1999

Fushata ushtarake ajrore e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore jugosllave në Kosovë dhe Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, paraqet një ngjarje gjeostrategjike të përmasave botërore, jo vetëm pse parandaloi soldateskën e Millosheviqit që çështjes së Kosovës t’i japë zgjidhje ushtarake në përputhje me projektin e pastrimit etnik të saj me mjetet e luftës, por edhe për atë se Aleanca Veriatlanike e drejtuar nga administrata amerikane, në pesëdhjetëvjetorin e saj, ndryshoi edhe karakterin, që kishte gjatë bipolaritetit blokist – nga mbrojtësja e paqes, tek krijuesja e paqes.

Veprimi ultima ratio i NATO-s, ndonëse theu edhe rendin e deriatëhershëm botëror të sovranitetit shtetëror, u bë me pretekste humanitare në përputhje me pikën shtatë të kartës së OKB-së, me të cilën parashihet ndërhyrja humanitare në rastet kur shteti përdor mjetet ushtarake kundër pakicave ose grupeve etnike. Vendet perëndimore në krye me SHBA-të ia dolën që në nëntor të vitit 1988, pas masakrave të forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Drenicë, gjatë marsit, me ç’rast u masakruan familje të tëra (të Delijajve, Jasharëve e të tjera) si dhe ofensivës së verës dhe vjeshtës ndaj grupeve të UÇK-së në gjithë vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxjerrin një rezolutë (1353) ku bëhet fjalë për krizën humanitare që kërcënonte popullatën e Kosovës, veçmas zhvendosjen e mbi 200 mijë vetave që u ishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat. Ky veprim, megjithatë, nuk e ndaloi regjimin e Beogradit, që përkundër marrëveshjeve që i arriti me OSBE-në, OKB-në dhe NATO-n, për ndërprerjen e luftimeve dhe kthimin e të zhvendosurve, duke siguruar kushte për to, të vazhdojë misionin për pastrimin etnik të Kosovës me anën e provokimeve luftarake, siç ishin masakra e Raçakut në janar të vitit 1999 si dhe krimet tjera në Rugovë të Hasit dhe pjesë të tjera të pambrojtura, ku përherë pretekste gjendeshin te”provokimet” e njësive të UÇK-së, ndonëse në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi kishte shpallur fitoren ndaj “terroristëve shqiptarë”.

Sjellja e tillë e Millosheviqi, në shkurt të vitit 1999, i detyroi perëndimore në krye me SHBA-të, që luftën e deriatëhershme diplomatike ndaj Beogradit ta kthejnë në diplomaci të luftës. Kjo u pasqyrua më së miri me thirrjen e Konferencës ndërkombëtare të Rambujesë nga shkurti deri më 18 mars, me ç’rast, delegacionit të shqiptarëve të përbërë nga përfaqësuesit e LDKS-së, UÇK-së, LBD-së dhe dy përfaqësuesve të pavarur si dhe delegacionit të Serbisë, u ofrua një pako me marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve dhe krijimin e rrethanave të paqes, marrëveshje këto (në formë e një letre zotuese), që u pranuan nga shqiptarët, por u refuzua nga Millsheviqi, me çka u krijua casus belli për fushatën ushtarake 78 ditësh, që përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës midis gjeneralëve të NATO-s dhe Armatës Jugosllave për tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit ia hapi rrugën rezolutës 1244 të KS të OKB-së të 12 qershorit, me të cilën Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar nën përgjegjësinë e misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, që zgjatën deri më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.

Natyrisht se 24 marsi i vitit 1999, si ngjarje që pas fushatës njëmbëdhjetë javësh ajrore të NATO-s i dha fund pushtimit 87 vjeçar serbo-jugosllav të Kosovës, nuk duhet parë të shkëputur nga zhvillimet shoqërore politike që përcollën fatin e Kosovës dhe të pjesëve të tjera të etnisë shqiptare të shkëputura dhunshëm nga trungu i saj me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, atyre të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1920, Konferencës së Jaltës dhe veçmas ato që solli përfundim i Luftës së Dytë botërore, pas intermexos së shkurtër të “bashkimit” të pjesshëm (1941-1944), meqë ato vazhdimisht pasqyruan kundërshtimin pushtimit serbo-jugosllav, paçka se u përcollën me shtypje dhe terror të egër policor dhe ushtarak. Natyrisht se përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe përkatësi botës perëndimore nuk u shuan as atëherë, kur pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, ideologjia komuniste si dhe bashkëpunimi internacionalist shqiptaro-jugosllav në frontin e përbashkët antifashist në rrethanat e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës dhe Beogradit, Kosovës ia riktheu pushtimin serb bashkë me metodat e njohura antikombëtare (terrorin shtetëror ndaj “kundërrevolucionarëve” dhe “kuislingëve”, kolonizimin e serbëve të përcjellë me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi) si dhe metodat tjera të dhunës shtetërore, që vazhduan deri në vitin 1966. Periudha postbrioniane, e pasqyruar me përpjekjet për barazi, që në demonstratat e vitit 1968 patën për moto kërkesën për Republikën e Kosovës, hapën kapitullin e luftës për zgjerimin e identitetit kulturor, arsimor dhe zhvillimit ekonomik mbi bazat institucionale, që për pikënisje kishin shkëputjen nga Serbia nëpërmes lidhjes me federatën jugosllave, siç do të arrihet me kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa legale për barazi në federatë nga klasa intelektuale dhe ato të grupeve ilegale, që vepruan vazhdimisht me platformën e çlirimit dhe të bashkimit qoftë edhe me anën e irredentizmit ideologjik, u bënë kompatabile dhe u vunë në binarët e njëjtë politik, çastin që Beogradi, më 23 mars 1989 rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës. Lëvizja kombëtare që u themelua më 23 dhjetor 1989, mori përsipër procesin e rezistencës institucionale (me shtetin paralel), e cila, në vitin 1997, me daljen në skenë të UÇK-së nga shtrati i guerilë së Kosovës, vuri në veprim diplomacinë e luftës. Pra, angazhimi dhe mundi i shumë gjeneratave për barazi dhe liri, ku nuk u kursye edhe gjaku, e mbi të gjitha përcaktimi që çlirimi nga Beogradi të bëhet me ndihmën e Perëndimit (SHBA-ve dhe NATO-s), këtij procesi historik ia siguruan suksesin, që solli edhe shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të këtij shekulli. / KultPlus.com

Copëza ditari 22-24 mars 1999: Babi na qetësonte me fjalë e mami thërriste të afërmit për t’i pyetur a janë mirë

Profesoresha e muzikës dhe aktivistja Besa Luzha, sot në 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-a kundër forcave serbe, ka ndarë me publiku një pjesë nga ditari i saj nga ajo kohë bashkë me një fotografi që e shpërfaq frikën e madhe që po përjetonin njerëzit, përcjellë KultPlus.

Luzha shpalos frikën që i kishte kapluar në atë kohë dhe shpresën për jetesë.

Më poshtë po ju sjellim të plotë postimin që Besa e ka ndarë me ndjekësit e saj në facebook:

Më 22-23 mars 1999, sapo isha kthyer nga një vizitë studimore në Universitetin e Muzikës dhe të Artit Dramatik në Graz, si pjesë e delegacionit nga Fakulteti i Arteve-Dega e Artit Muzikor, UP, të udhëhequr nga Profesoresha Lejla Pula.

Miqtë tanë në Graz, çuditeshin, si disa nga ne mu një ditë para ditës së paralajmëruar ne donim të ktheheshim në Kosovë.

Unë kisha Blendën, vajzën 4 vjeçare që e kisha lënë në shtëpi. As që mendoja ndonjë opsion tjetër.

Më 24 Mars 1 gjatë ditës, mbajta mësim piano me nxënësen time Dea Gashin, në shtëpinë e familjes së Mesut dhe Diana Gashit.

Pas orës së pianos, në oborr bashkëbiseduam, uruam Mesutin për ditëlindje, dhe duke pirë kafe shqyrtonim opsionet, të rrimë në shtëpitë tona apo të ikim, të largohemi. Unë, sapo isha kthyer, e familja Gashi kishte mendimin që nuk kemi ku të shkojmë e si ti lëmë shtëpitë tona.

U ndamë me dëshirën që të vazhdojmë orët e pianos me Dean. Ajo më përqafoi, ashtu si edhe dy motrat e saj dhe Trimi i vogël 3 vjeçar që më donte shumë si mësuese që isha.

Me Blendën shkuam te shtëpia e gjyshit Isak, në Aktash.

Në shtëpi, kishin filluar përgatitjet për tu mbrojtur nga ajo që pritej të ndodhë atë mbrëmje.

Ne nuk e dinim si do të bëhet bombardimi edhe pse të gjithë shpresonim dhe e kërkonim aq shumë këtë veprim nga Nato.

Krejt çka kishim dëgjuar e dinim ishin përvojat nga bombardimi i Sarajevës. Mbyllja e xhamave me batanije, përgatitja e pakove me ushqim rezervë dhe çantat e udhëtimit për secilin në rast ikje me gjërat më të nevojshme dhe nga pak para e numra telefonash të të afërmeve. Si nënë e re, preokupimin kryesor e kisha si të mbroj fëmijën tim.

Pak para orës 19.00 motra ime Bardha thirri në telefon, ajo nuk ishte në Kosovë dhe me ngashërim na porositi të kemi kujdes sepse, siç tha ajo, aeroplanët e NATO-s u nisën nga baza në Itali.

Ndërkohë unë po i shikoja vetë në TV, aeroplanët duke u nisur, në Euro Neës

“E di motër”-i thashë. “Po i shoh në TV”.

U përshëndetëm me dëshirën që gjithçka të përfundojë mirë dhe të shpëtojmë e te bashkohemi.

Instinktivisht me të ndërprerë bisedën, veprimin e parë që bëra, e futa vajzën në një skutë në mes divanit dhe stufës dhe e mbulova me batanije.

Filluan sulmet. Një ndjenjë e çuditshme e përzier gëzimi, frikë, pasigurie. Të gjitha përnjëherë.

Pranvera, motra më e re, se di ku e gjeti idenë dhe mori aparatin e në ato çaste veç fotografonte.

Babi na qetësonte me fjalë e mami thirrte të afërmit me telefon për ti pyetur a janë mirë. Papritmas një krismë shumë e madhe u dëgjua saqë e dridhi gjithë shtëpinë. Vajza doli nga skuta e frikësuar. E mora e përqafova fort e ndonëse vet e frikësuar deri në palcë, përpiqesha ta siguroja atë që gjithçka do të përfundojë mirë.

Të nesërmen morëm lajme të kobshme për vrasjen e Bajram Kelmendit me të bijtë, e të tjerë gjithandej Kosovës, si hakmarrje ndaj bombardimeve.

Pas disa ditëve të bombardimeve, mora edhe një lajm të kobshëm. E gjithë familja Gashi ishte shuar në gjumë, kur bombat e NATO-s goditën Postën në Prishtinë, e shtëpia e tyre ngjitur, nuk e përballoi goditjen. Vetëm Trimi me Gjyshen shpëtuan. Dea, nxënësja ime bukuroshe nuk do të mësonte me piano.

Edhe shumë njerëz do të pësonin nga vrasjet, persekutimet, masakrat dhe dhunimet që forcat serbe do t’i bënin deri në fund të bombardimeve, por edhe nga goditjet e gabuara të avionëve (rasti në Meje).

Të gjithë ata dhe ato u bënë kurban i lirisë që ne sot e gëzojmë. Prandaj, të respektojmë sakrificën e tyre, e të ndërtojmë të ardhmen për të cilën ata u flijuan.

24 mars 2021

E izoluar ende në shtëpi, duke u marrë me pasojat e Covid-19, po e kujtoj atë ditë, 22 vite më parë. Me gëzim, që kemi mbijetuar dhe sot jetojmë e punojmë të lirë. Shumë qytetarë të Kosovës nuk e patën këtë fat.

Pa marrë parasysh problemet, dështimet, sfidat që i përjetuam gjatë këtyre 22 viteve, Ne jemi me fat. Por edhe me përgjegjësi.

Të respektojmë gjakun e derdhur dhe ta bëjmë ëndrrën e shumë qytetarëve të Kosovës-realitet.

Për gjeneratat e reja, për të ardhmen.

Blenda, vajza ime, së shpejti do të bëhet nënë, për herë të parë. Ajo, shpresoj, nuk do ta ketë asnjëherë friken dhe brengën për fëmijën e saj si unë për të më 24 mars 1999.

Por ajo do të brengoset se fëmija që do të sjellë në jetë, në çfarë Kosovë do të jetojë, si do të jetë shëndeti, arsimimi i saj, a do të gjejë punë etj.

Ajo edhe sot brengoset, a do të shpëtojë pa u infektuar nga Covid-19, kur të shkojë në pushim të lindjes, a do të mbetet pa punë dhe pa të ardhura?

Jeta vazhdon, çdo gjeneratë do ti ketë brengat dhe betejat e saj.

Të paktën ne që patëm fatin të mbijetojmë vitin 1999, jemi me fat edhe të brengosemi, por kryesorja jetojmë, dhe jetojmë të lirë.

Respekt të gjithë dëshmorëve e viktimave të lirisë që ne e gëzojmë. / KultPlus.com

Emocionet e 22 viteve më parë, bombardimet e NATO-s përmes fotografive

Data 24 mars shënon sot 22-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë ishte lajmi më i mirë që qytetarët e këtij vendi morën në atë kohë kur shpresa për liri po ju shuhej. Përmes këtyre fotografive shihet gëzimi i tyre dhe shpresa e rikthyer. / KultPlus.com