‘Besa besë, moj besën ta kam dhanë, per folenë që kem jetën dojmë me dhanë’ (VIDEO)

Minatori është grup artistësh i njohur. I takojnë gjeneratës kur muzika është dëgjuar e ndjerë. Andaj zbrazësia që ata kanë lënë në skenën shqiptare çdo ditë e më shumë po len gjurmët e saj.

Sonte, KultPlus ju sjell njërën nga këngët më të njohura të këtij grupi, një këngë kjo që e di secili dhe akoma vazhdon të jetë ndër këngët e preferuara shqipe. Bëhet fjalë për këngën ‘Të dua sa Kosovën’.

Më poshtë gjeni videon e plotë të kësaj kënge. / KultPlus.com

‘Kur t’zgedhen duhet me i uru, e kur t’jau shohim punën mujmë edhe me u gëzu’

Aktori i njohur shqiptar, Shkumbin Istrefi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka uruar qeverinë e re por edhe humori nuk ka munguar, shkruan KultPlus.

”- Mixhe, perhajr, u bo Qeveria e re!
Mixha (indiferent): Hajr pac. Edhe ty t’kofte perhajr.

A nuk u gezove hiq Mixhe a?

Mixha: Paj, me mixhen, i kom bo do vjete…Kur t’zgedhen duhet me i uru, e kur t’jau shohim punen, mujme edhe m’u gezu!…Hajr ishalla, nashta penzijat na i rrisin’‘, ka shkruar Istrefi. / KultPlus.com

Osmani: Sot është ditë e bardhë për Kosovën

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka uruar Albin Kurtin për marrjen e pozitës së kryeministrit.

Ajo ka thënë se votimi i tij sot në Kuvend është reflektimi më i saktë e më i sinqertë i vullnetit të qytetarëve, ashtu siç është shprehur më 14 shkurt.

Osmani ka thënë se sfidat janë të shumta, qoftë ato të trashëguara e qoftë ato të reja, por në rrugëtimin që filloi sot, ka uruar që vendimet e politikat e tij të jenë shëmbëlltyra më e mirë e nevojave, kërkesave e ëndrrave të qytetarëve të Kosovës.

“Sot është jo vetëm Ditë e Bardhë, por një kapitull i ri në historinë e Republikës, ndaj pres që së bashku të punojmë drejt përmbushjes së pritshmërive të qytetarëve tanë, ashtu siç i kanë shprehur ata zëshëm në kutitë e votimit. Qoftë fillim i mbarë e një rrugëtim nga i cili do të dalim të gjithë faqebardhë! Na priftë e mbara në rrugëtimin tonë të drejtë, me të cilin Kosova jo vetëm do ta përjetojë ndryshimin, por edhe do ta ndjejë çdo ditë, në çdo hap dhe për çdo gjë! Për krejt dhe pa përjashtim, për të gjithë dhe pa dallim, për Kosovën shtëpi tonë të përbashkët”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com

118 vite nga botimi i gazetës së mërgimtarëve shqiptarë në Bullgari

Mërgimtarët shqiptarë në Bullgari, në muajin mars të 1903, botuan në Sofje numrin e parë të gazetës “Vetëtima”.

Ajo dilte një herë në dy javë në gjuhën shqipe dhe pjesërisht frëngjisht. Kjo ishte gazeta e dytë shqiptare, pas “Dritës”, që botohej në Sofje.

Deri në vitin 1908, kur në Kongresin e Manastirit kur do të vendosej për alfabetin e ri shqip me shkronja latine, ndërkaq në Sofje do të vazhdonte të përdorej alfabeti i rilindasit të madh Sami Frashërit, ose ndryshe, Alfabeti i Stambollit.

Botimi “Shqypeja e Shqypënis” do të vinte me nëntitullin “Organ politiko-shkencor”, si gazetë do të botohej në periudhën gjer në vitin 1911 nga patrioti i madh shqiptar nga Reka e Epërme, Josif Bageri.

Të tjera botime dygjuhëshe shqiptare në Sofje do të jenë edhe “Vetëtima”, gazetat “Liria”, “Shqipëria e Lirë”, dhe “Gazeta Satirike Shqiptaro-Greke”. / KultPlus.com

Viti 1985, kur Donika Gërvalla interpretonte me flautë në Radio Symphony Orchestra Tirana (VIDEO)

Donika Gërvalla, sot u zgjedh Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, e njohur tashmë për publikun edhe si një flautiste e shkëlqyer, KultPlus ju sjell një video të vitit 1986, ku Gërvalla performonte me flautë.

Më poshtë gjeni videon e plotë. / KultPlus.com

A guxoj ta prek me gisht Sarandën

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Saranda Bogujevcit

Isha në Rockuzinë bar

me një mik të mirë

(ende dua të besoj

që e kam mik të mirë)

i cili po përpiqej ta shkruante

historinë e re të Kosovës

Dëgjohej muzikë me të cilën isha rritur

birra ishte e ftohtë ashtu si e do Zoti

rrugët e qytetit ishin përplot me njerëz

dielli i muzgut në Prishtinë

me forcat e fundit që i kishin mbetur

vazhdonte të buzëqeshë

Kur më pyeti miku

a po e njeh këtë vajzën e ulur pranë teje

mbeta i habitur

Është Saranda Bogujevci

e mbijetuara e masakrës së Besianës

Oh Zot

e mbaja mend vajzën

që i humbi katërmbëdhjetë anëtarë të familjes

vajzën e vogël

trupin e së cilës e kishin përshkuar

plot gjashtëmbëdhjetë plumba

por që kishin refuzuar

t’ia shuajnë jetën

Mbeta i ngrirë

duke e shikuar

gojëhapur

dhe e dëgjova veten

duke e pyetur mikun

A guxoj ta prek me gisht Sarandën

ajo buzëqeshi

ende pa ma kthyer përgjigjen

miku i habitur

e zgjata dorën dhe e preka në krahë

tmerrin

luftën

fluturimin e plumbave

granatave

lëvizjet e thikave

mbi civilë

I preka edhe sorrat e majmura

gjatë luftës

dhe si me pahir

edhe këto të majmura pasluftës./ KultPlus.com

Nicholas Abbott uron Albin Kurtin për fitoren: Unë pres që të punoj me qeverinë tuaj

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë e re të vendit, e cila do të udhëhiqet nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

E pas kësaj fitoreje ka reaguar edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott i cili ka thënë se pret të bashkëpunoj me qeverinë e re.

“Urime Albin Kurti për zgjedhjen tuaj si Kryeministër. Unë pres që të punoj me ju dhe qeverinë tuaj për shumë nga prioritetet që do ti ndajmë bashkë”, ka shkruar ambasadori./ KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura, 
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, 
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, 
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, 
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta, 
e të shpërthejë do si vullkan, 
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë, 
Unë, biri yt. / KultPlus.com

Kurti: Nga sot jam kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës

Kryeministri i zgjedhur i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se nga dita e sotme është kryeministër i tërë qytetarëve të vendit, duke falënderuar të gjithë votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka deklaruar se secila votë që i është dhënë Lëvizjes Vetëvendosje është për ta kthyer vendin për së mbari.

“Kjo është përgjegjësi e madhe andaj pritet që të jeni të përgatitur mirë. Mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës, sepse ashtu siç u kanë dhënë votën qytetarët, ashtu edhe ua marrin. Ne do të udhëheqim me parime dhe besim. Duhet të punoni për aq sa keni mandat që të dëshmoni se jeni meritor në pozitat që jeni vendosur”, ka deklaruar Kurti duke iu drejtuar ministrave të zgjedhur.

Kurti në seancën e parë si kryeministër ka shtuar se për të arritur ndryshim duhet “bashkëpunim dhe mentalitet i ri i punës”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendi nuk bëhet nëse vetëm rrinë. Sipas tij, mospajtimet e partive duhet të jenë për gabime e jo për inate.

Ai ka thënë se Qeveria e tij do të bashkëpunojë me opozitën e shoqërinë civile.

“Ndaj Serbisë duhet të jemi të bashkuar. Do të kërkojmë diskutim parlamentar deri në shterim. Duhet të arrijmë konsensus edhe për arsim. Për të ardhmen e fëmijëve duhet të gjejmë bashkërendim. Këtë duhet ta gjejmë edhe në sektorin e sigurisë. Bashkërendim do të kërkojmë edhe për fondin e sigurimeve shëndetësore. Poashtu do të kërkojmë për çështjet dhe politikat energjetike. Vendimi që merr qeveria jonë ndikon edhe në gjeneratat e ardhshme dhe në fëmijët që nuk kanë lindur”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se partitë politike nuk janë qellim në vetvete por për shërbim të qytetarëve.

“Ftoj secilin nga ju, brenda dhe jashtë vendit ta bëjmë shtetin që kemi ëndërruar. Kontributin në bërjen e shtetit e kemi obligim të gjithë, sfidat janë të mëdha por edhe aspiratat e mëdha”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Pas fitores së Kurtit reagon boksieri Krasniqi: Sportistëve kosovarë tu ofrohen kushte më të mira që vlerat t’i prezantojnë nën flamurin e Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 67  vota pro,  30  kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë e re të vendit, e cila do të udhëhiqet nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

E pas kësaj fitoreje ka reaguar edhe boksieri Luan Krasniqi i cili në profilin e tij në Facebook ka shkruar se beson se sportistëve kosovarë do tu ofrohen kushte më të mira, dhe do të mund t’i prezantojnë talentet e tyre nën flamurin e Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

I nedruar zoti Kryeminister Albin Kurti,

me lejoni qe me rastin e zgjedhjes suaj si Kryeminister i Kosoves t’ju shpreh pergezimet e mia me te sinqerta Ju dhe Partise se ciles Ju i takoni.

Besimi qe u ka dhene Kosova dhe Diaspora e mbare botes per te udhehequr nje post kaq te rendishem ne nje moment kaq jetik per Kosoven deshmon per aftesite dhe kualitetet e Juaja.

Shpresoj se angazhimi i Juaj ne drejtim te permiresimit te jetes se qytetarve te Kosoves do te jete permanent.

Si sportist, kam besimin qe angazhimi i Juaj do te jete qe sportisteve kosovar tu ofrohen kushte me te mira, dhe perfundimisht talentet kosovar te kene mundsi qe vlerat e tyre t’i prezentojne nen flamurin e Kosoves.

Sinqerisht

Luan Krasniqi./ KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë maskë floriri 3,000-vjeçare në Kinë

Mbetjet e një maske prej flori janë gjetur në një depo të madhe midis objekteve 3,000-vjeçare në një vend arkeologjik në provincën Sichuan të Kinës.

Me peshë rreth 280 gram dhe e vlerësuar të jetë bërë në 84% nga ari, maska ​​ceremoniale është një nga mbi 500 sendet e zbuluara nga gjashtë “gropa flijimi” të sapozbuluara, sipas Administratës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të vendit.

Disa ekspertë thonë se artikujt mund të hedhin dritë më shumë mbi shtetin antik Shu, një mbretëri që sundoi në pellgun perëndimor të Sichuan derisa u pushtua në 316 para Krishtit.

Përveç maskës së artë, arkeologët zbuluan objekte të bëra me bronz dhe ar si dhe nga fildishi e kockaë.

Të gjashtë gropa, nga të cilat më e madhja ka një gjurmë prej 19 metrash katrorë,  kishin dhe një kuti prej druri ende të pahapur dhe një enë bronzi me model në formë bufi.

Më shumë se 50,000 objekte të lashta janë gjetur në Sanxingdui që nga vitet 1920, kur një fermer lokal aksidentalisht hasi në një numër relikesh në vend. Një përparim i madh ndodhi në vitin 1986, me zbulimin e dy gropave ceremonialë që përmbanin mbi 1.000 sende, duke përfshirë maska ​​bronzi të përpunuara dhe të ruajtura mirë./ KultPlus.com

Sulltan Novruzi, simbolika e festës bektashiane

Besimtarët bektashinj festojnë më 22 mars festën e Sulltan Novruzit, që përkon me ekuinoksin pranveror e që simbolizon ripërtëritjen nga dimri.

Këtë vit ashtu si dhe një vit më parë Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në Tiranë nuk do të ketë festime dhe kryegjyshi nuk do të mbajë fjalim para besimtarëve atje.

PAK HISTORI

Ka emërtime të ndryshme sipas krahinave dhe konfesioneve fetare: si “Vangjelizmoi”, 25 mars (tek popullsia orthodokse), Novruzi, 22 mars (tek muslimanët dhe bektashinjt), Dita e Zojës, 25 mars (tek katolikët). Festimet zgjasin tri ditë. Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. 22 Marsi bie në afërsi të kthesës pranverore të diellit, kur dita dhe nata bëhen njëlloj (ekuinoksi pranveror), pra simbolizon ardhjen e pranverës. Bektashinjtë njohin vetëm dy stinë (sipas traditës) pranverën dhe dimrin.

TRADITA

Kjo ditë festohet kudo ku jetojnë e predikojnë besimtarë bektashianë. Që herët në mëngjes gratë e nuset e shtëpisë hapin dyert e dritaret. Shkojnë e mbushin shtamat me ujë dhe derdhin ujë me bollëk në pragjet e shtëpisë, për të pastruar të ligat nga shtëpitë e tyre e për tí gjetur mbarë e pastër kjo festë. Festa e Sulltan Novruzit simbolizon “shpëtimin e të varfërve dhe njërëzisë, nga dimri i acartë dhe skamja”. Ardhja e pranverës i jep jetë, ushqim, ngrohtësi, bereqet, dashuri e gëzim të varfërit, të vobektit, të verbrit, të mjerit e kujtdo që lëngon nga shëndeti i keq. Kjo ditë sjell shpresë për më shumë mbarësi. Lindja e profetit Imam Ali kurrsesi nuk lejon që njeriu të kursej ndihmën, “sadakanë për shpirt”.

GATIMET

Gatimet dhe ushqimet karakteristike për këtë ditë janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët simbolizojnë 12 imamët, 12 muajt e vitit dhe jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë për vitin e ardhshëm. Brenda byrekut futet një monedhë. Ai që gjen monedhën thuhet se është me fat. Ai do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Këtë ditë bëhet kurbani i cili ndahet në 3, 7 ose 12 nishane (numra profetikë) dhe me gjakun e kurbanit ngjyhet balli dhe pëllëmba e djathtë për tu mbrojtur nga e liga e dashakeqët. Gjithashtu gatuhet edhe përsheshi me pulë ose mish qëngji, qingji i pjekur. Sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumshti, që është simbol i qumshtit të nënës, orizi që sibolizon drithrat, bollëkun. Këtë ditë merret edhe pak sherbet i kënduar në teqe dhe u jepet nga një lugë pjestarëve të familjes, miq e të ftuar në shtëpi atë ditë. Kjo me besimin se çdo kujt i dëshirohet mbarësi. Në disa raste për këtë festë gatuhet edhe kabuni (oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).

Qysh herët në mëngjes nuseve të reja e fëmijëve u jepet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re, shëndet e sa më shumë qumësht gjiri për nuset që do të lindin fëmijë. Quhet e Zotit kur në këtë ditë zonja e shtëpisë shpërndan qumësht, i cili kuptohet si bardhësi e bollëk edhe për të varfërit e të vobektit. ose në fshatë bëhen edhe kuleç me petë dhe fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk.

Sulltan Nevruzi bënë thirrje për t’u ngritur mbi cmirën, vesin e ligësinë, përciell mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës sonë kombëtare, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare. Nuk ka rëndësi se çfarë kurbani bëhet, sepse varet nga mundësitë që kanë njerëzit, e rëndësishme është që të bëhet kurban, byreku, ëmbëlsira dhe të ndahet me këdo që është në nevojë e kërkon ndihmë. / KultPlus.com

‘Ah moj demokraci’, nën interpretimin plot ndjenja të Mirush Kabashit (VIDEO)

Mirush Kabashi është një aktor shqiptar i cili numëron rreth 100 role në teatër dhe filma. Mirush Kabashi tek publiku mbahet mend veçmas për interpretimet artistike të poezive të ndryshme.

Me interpretimet e tij disa poezive shqipe, ai ka dëshmuar potencialin e rrallë të një interpretuesi. Shumë poezi janë gjetur, rilexuar pikërisht si pasojë e interpretimit të aktorit Mirush Kabashi. Tonaliteti e përjetimi i tij në secilën strofë arrin të krijoi një komunikim tejet të afërt me publikun.

Sot KultPlus ju sjellë interpretimin e aktorit Kabashi derisa reciton poezinë“Ah moj demokraci”. Kjo poezi është shkruar nga autori Pano Taçi.

https://www.youtube.com/watch?v=ux0EZVg493Y&ab_channel=RezEarTTaullaj

E ç`t`iu them për demokracinë?
E gjeta apo më gjeti,
me gurin e Sizifit mbi shpinë?
Tek bëj të çaj dallgët e jetës me vështirësi,
se që kohë na u ngritën këmbët dhe na u bënë kokë,
mi krodhën e bukës na ranë dhëmbët,
m`be më sot, m`be me xhepat trokë,
shpresat duke i bërë abort.

Se larg e më larg e merr arratinë,
me rrasën e qivurit qepur mbi shpinë një pjesë e trurit,
e pjesa tjetër që mbeti,ëhë,bën gjumin letargjik,
ofin pas e vjetër,
prandaj edhe unë nuk e di,
nëse t`kam pritur apo më ke pritur moj demokraci?!

E në derë të shoshoqit kush i ka trokitur i pari nga ne të dy?
Po më duket si unë dhe si ti,
jemi t`papërgatitur që të bëjmë dashuri.

Dhe sa jam përpjekur, o ZOT sa kam ëndërruar,
se më vjen pa ofiqe dhe pa lëngata.

Jam shkapitur me mund gjatë,
tempullin tënd për ta arritur,
me një pëllumb në duar,
a thua unë jam shumë i shpejtuar,
apo mos ti vallë je e vonuar?

Se shpresova që qielli do m`hapej i kaltër,
e shohë plotë me re gri,
shpresova se s`do përulem më i përlotur m`i vatër,
jam po përsëri me krye në hi,
e kur shikoj që për varr mu bë deti,
e ëndrrat mu rrudhën,
ah, moj demokraci…

M`duket se përtej njëri-tjetrit të dy kemi humbur udhën,
se ndërruan kohët,
por nuk ndrruan politikanët,
që të zbardhën në gropën e gëlqeres kollutumba ranë,
sorrat, minjtë e ujqërit e na u bënë pëllumba,
e votën për ta me gaz e jep mileti,
ndërsa ne t`përndjekurit, të torturuarit me proka,
tani u lëpijm vrerin të zgjedhurve tanë,
që tjerrin nëpër seanca kuvendi profka,
e ne pranojmë t`iu rritet rroga,
pa çka se ata besimin na e pshurrën.

Hallall ia bëjmë veturën,
hallall dhe cereberin,
nga pas si rojë,
hallall dhe milionerin,
hallall dhe kredinë për banesën luksoze,
dhe për sekretaren lozonjare që po nuk e puthe bëhet nervoze.

Hallall dhe pashaportën diplomatike,
për vete dhe për gruan Azike,
dhe muajin e marmalatës,
pushimeve jashtë shtetit,
n`kampet ekzotike t`Afrikës, Amerikës, Europës e përtej urës Gallatës.

Hallall edhe seancat e grushtit,
kur shanë e rrihet politikani me fjalë rrugësh,
e ku për një plesht digjet jorgani.

Hallall deputeti,
dy herë hallall mileti,
që i pëlqen ta shalojnë mbi kurriz si gomarë, hallall që ha bar,
po se me një durim pa emër,
dhe shpresën që vdes e fundit në zemër,
deri kur,
deri kur o tru i bekuar?

O ti mendjenur,
ti e unë në gjumë deri kur?

Po për dhimbjet tona mban kush zi,
apo gjaku është bërë ujë e ngrirë?

Të flas ty moj demokraci,
se në t`pëlqen të të përdhunojnë,
atëherë qenke veç një lavire,
dita që pritkemi qenka larg,
me plagë dje, me plagë sot e nesër po përsëri me plagë?

O vendi im,
o Shqipëria ime.

Po ç`mu bëre kështu sa zemra në gji po më plas?

E kërkoj njeriun edhe njerëzit me shpirt t`iu flas,
e flas me një dru,
flas me dru,
flas me dru… / KultPlus.com

Vdes poeti dhe eseisti i njohur polak, Adam Zagajewski

Adam Zagajewski, poeti dhe eseisti i njohur polak, vdiq në moshën 75 vjeç.

Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht, ndër të tjera, për poezinë e tij ”Mundohuni të falënderoni botën e gjymtuar”, botuar pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 kundër Qendrës Botërore të Tregtisë.

”Vdekja e tij është një humbje e madhe për letërsinë polake”, shkroi presidenti Andrzej Duda në Twitter, përcjell KultPlus.

Zagajewski u lind në 1945 në Ukrainë, një nga qendrat e jetës intelektuale dhe shkencore polake të para luftës.

Ai studioi filozofi dhe psikologji në Krakov, duke parë dëshminë e shtypjes politike dhe retorikës antisemitike të qeverisë komuniste që arriti kulmin në ngjarjet e marsit të vitit 1968.

Gjithmonë një mbrojtës i lirisë, ai ishte nënshkrues i një letre që protestonte kundër përfshirjes së një reference për rolin udhëheqës të Bashkimit Sovjetik në kushtetutën polake.

Pasi komunistët futën ligjin ushtarak në Poloni, Zagajewski emigroi në Paris.

Ai u kthye në Poloninë demokratike dy dekada më vonë, duke mos iu shmangur të qenit kritik i procesit të transformimit të vendit.

Zagajewski shpesh konsiderohej si një kandidat kryesor për çmimin Nobel në letërsi, një nder që nuk iu dha kurrë.

Çmimet e shumta që ai mori përfshijnë çmimin ndërkombëtar për letërsinë ”Neustadt”, Çmimin Europian të Poezisë dhe çmimin “Heinrich Mann” / KultPlus.com

Qeveria Kurti 2: Emrat e gjithë kabinetit

Përbërja e plotë e kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet është kjo:

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi.

Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministre e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia.

Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë do të jetë Arbërie Nagavci.

Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë Hajrullah Çeku.

Ministër i Minsitrisë së Administrimit Lokal do të jetë Elbert Krasniqi.

Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të jetë Liburn Aliu.

Ministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë, Faton Peci.

Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë Armend Mehaj.

Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është Goran Rakiq

Ministër për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal është Fikrim Damka.

Nga 15 ministra, 8 janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 15 ministra, 1/3, pra 5 janë gra. Në kabinetin qeverisës të Kurtit më 18 anëtarë janë 6 gra e nga tre zëvendësministra janë dy gra./ KultPlus.com

Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë Emilija Rexhepi do të jetë zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut.

Rexhepi më parë ka qenë ministre në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal./ KultPlus.com

Rozeta Hajdari, ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë, Rozeta Hajdari është e renditur si ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në shkurt të vitit 2020, ajo u emërua ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Rozeta drejtoi veprimtarinë e pesë portfoliove nga pesë ministri, të shkrira në një ministri. / KultPlus.com

Albulena Haxhiu, ministre e Ministrisë së Drejtësisë

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë, Albulena Haxhiu është renditur si ministre e Miistrisë së Drejtësisë.

Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, znj. Haxhiu është zgjedhur deputete e legjislaturës së VII-të. Me formimin e Qeverisë Kurti në shkurt të vitit 2020, Albulena Haxhiu është emëruar si Ministre në Ministrinë e Drejtësisë të cilën e ka udhëhequr deri në qershor të po atij viti. / KultPlus.com

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë Arbërie Nagavci do të jetë Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në legjislaturën e kaluar Nagavci  ka qenë anëtare e Komisionit për Arsim si dhe anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Nagavci u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës dhe me 26 dhjetor të po atij viti propozohet dhe votohet për Nënkryetare të Parë të Kuvendit të Kosovës. Ajo udhëhoqi delegacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe delegacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s./ KultPlus.com

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë, Donika Gërvalla është e renditur si Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Pas një faze të angazhimit pa funksione partiake, në vitin 2015 u zgjodh kryetare e LDK-së në Gjermani. Pas dështimit të përpjekjeve për reforma të brendshme, në vitin 2018 jep dorëheqje dhe largohet përfundimisht nga LDK-ja. Donika është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listën e VetëVendosjes. / KultPlus.com

Hajrulla Çeku, ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë, Hajrulla Çeku është renditur si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit , shkruan KultPlus.

Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri më sot e kishte udhëhequr ministrja Vlora Dumoshi.

Harjulla Çeku në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ishte deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse më herët ishte udhëheqës i OJQ-së “Ec ma ndryshe”./ KultPlus.com

Dhurohen 190 laptopë për gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian

Është përmbyllur projekti “Rikthimi në Normalen e Re”, projekt i implementuar nga IPKO Foundation, i mbështetur nga UN Women Kosova dhe Ambasada Britanike në Kosovë.

Përgjatë këtij projekti, në komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjakovës, Pejës dhe Mitrovicës janë distribuar 190 laptopë tek vajzat e reja të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Në ceremoninë përmbyllëse të këtij projekti nga një fjalë rasti mbajtën Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim nga UN në Kosovë, Jacob Webber, Zevendes Drejtori i Misionit, Ambasada Britaneze në Kosovë dhe Abetare Gojani, drejtoreshë e Programeve në IPKO Foundation.

Pas fjalimeve, u bë prezentimi i të gjeturave, prezentimi i platformës digjitale dhe raporti i hartës dixhitale me të dhënat e nxjerra nga projekti.

Për vajzat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, janë ofruar edhe trajnime për njohuri bazike në IT si dhe në përdorimin e laptopeve. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe disa mësimdhënës të këtyre komunave janë trajnuar se si ti dallojnë vajzat që kanë potencial për të braktisur shkollën.

Raporti i hartës dixhitale do të shërbejë si model për kuptimin e faktorëve që ndikojnë në shkallën e braktisjes së shkollës te vajzat e reja nga komuniteti Roma, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.

Përshkrimi i Raportit të Hartës dhe dizajni i Platformës

Me mbështetjen e UN Women, ekipi i Projektit të Fondacionit IPKO ka identifikuar Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinën dhe Fushë-Kosovën si komuna me shkallën më të ulët të frekuentimit të shkollës nga gratë e reja dhe vajza, dhe me nivele të larta të cenueshmërisë nga braktisja e shkollës për shkak të ndikimit të pandemisë COVID -19.

Platforma e Hartësimit Dixhital do të mbushet me të dhëna të verifikuara nga Kosova.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MAS), Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), dhe nga burime të tjera të verifikuara, ndërsa të dhënat specifike të përfituesve do të mblidhen nga ky projekt, përmes mjeteve të aprovuara paraprakisht dhe treguesve të matshëm.

Platforma dixhitale e Hartësimit do të bëhet një mjet i dobishëm për hartëzimin dhe kuptimin e faktorëve që ndikojnë në shkallën e braktisjes së shkollës nga vajza të reja dhe gratë nga komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë, dhe për informimin përkatëse në ndërhyrjet programatike. / KultPlus.com

‘Politikanët janë gjithandej të njejtë, ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë’

Njerëzit e mëdhenj, përgjatë historisë përveç që kanë krijuar vepra të mëdha, gjithashtu kanë lënë fjalë të cilat edhe sot i përdorim.

Janë shprehje të thëna nga njerëz që e kanë provuar shijen e pushtetit, siç është rasti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhejms Buhanan, teksa i dorëzonte detyrën pasardhësit Abraham Linkoln: “Nëse ju zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi jini po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jini njeriu më i lumtur në botë”. Por ka dhe xhevahire të tjera mendimi, ku duket se gjithë përvoja e një njeriu që ëndërron të merret me politikë përmblidhet në pak fjalë. “Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrë shteti mendon për brezin e ardhshëm”.

KultPlus, ju sjell disa nga thëniet më të famshme për politikën

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger. / KultPlus.com