118 vite nga botimi i gazetës së mërgimtarëve shqiptarë në Bullgari

Mërgimtarët shqiptarë në Bullgari, në muajin mars të 1903, botuan në Sofje numrin e parë të gazetës “Vetëtima”.

Ajo dilte një herë në dy javë në gjuhën shqipe dhe pjesërisht frëngjisht. Kjo ishte gazeta e dytë shqiptare, pas “Dritës”, që botohej në Sofje.

Deri në vitin 1908, kur në Kongresin e Manastirit kur do të vendosej për alfabetin e ri shqip me shkronja latine, ndërkaq në Sofje do të vazhdonte të përdorej alfabeti i rilindasit të madh Sami Frashërit, ose ndryshe, Alfabeti i Stambollit.

Botimi “Shqypeja e Shqypënis” do të vinte me nëntitullin “Organ politiko-shkencor”, si gazetë do të botohej në periudhën gjer në vitin 1911 nga patrioti i madh shqiptar nga Reka e Epërme, Josif Bageri.

Të tjera botime dygjuhëshe shqiptare në Sofje do të jenë edhe “Vetëtima”, gazetat “Liria”, “Shqipëria e Lirë”, dhe “Gazeta Satirike Shqiptaro-Greke”. / KultPlus.com

Sot është datëlindja e Lasgush Poradecit

Poeti, shkrimtari e përkthyesi Llazar Gusho, i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në datën 27 dhjetor 1899 dhe ndërroi jetë më 12 nëntor 1987 në Tiranë.

Vargjet e tij do të pasojnë kohët me krenari të përjetshme për pogradecarët dhe mbarë shqiptarët. Ai ishte shkrimtar, poet dhe përkthyes, i cili nuk bëri kurrë kompromise me artin e tij, duke i kushtuar kjo një gjendje jo të mirë ekonomike dhe indiferentizëm nga shtypi zyrtar i kohës.

Por, pas vdekjes së poetit dhe ndërrimit të sistemit, vargu Lasgushian është dhe vijon të jetë ushqim për brezat.

Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Autor i më se 100 poezish, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie.

Pëlqyes i fjalëve arkaike, shprehive popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”.

Ai përktheu edhe disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj./ KultPlus.com