Mos ëndërro asnjë fushë pjellore të blertë bjeshkët e larta krenare dimër e verë mos dëshiro livadhe të buta e të gjera mos u lektis për gjallëri maji, as në pranvera.
Mos u mahnit me ylberë e qiej të botës rrugë të pa fund mes detit, qiellit e tokës Mos sodit vashat duke i buzëqeshur verës zogjtë e vegjël duke u rritur n’gji të qerdhës.
Mos vrapo pas lumenjve, se kurrë nuk ndalen as nëpër rrezet e diellit që çajnë shtrëngatën, ktheju fushës, malit, zogjtë ku shqip cicërojnë ku abetaren lumenjtë shqip ua mësojnë.
Asgjë nën këtë qiell asgjë mbi këtë tokë mos lakmo, nëse nuk e ka emrin Kosovë! / KultPlus.com
Me rastin e 14 vjetorit të Ditës së Pavarësisë, sot në Bulevardin “Nënë Tereza” dhe Sheshin “Zahir Pajaziti”, kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me ato të Policisë së Kosovës, parakaluan para qytetarëve.
Ceremonia e parakalimit, u realizua me urdhrin e Komandantit Suprem të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentes së Republikës Vjosa Osmani, dhe të drejtuar nga Zv. Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi.
Siç njofton komunikata dërguar mediave, aktivitetet festive sot kanë filluar që nga mëngjesi me ngritjen ceremoniale të Flamurit Shtetëror pranë institucioneve qendrore të vendit, duke vazhduar me homazhe dhe nderime në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe Komplesin e Varrezave në Velani të Prishtinës, ku u nderuan Komandanti legjendar Adem jashari dhe Familja Jashari, Presidenti Historik, Ibrahim Rugova dhe Simboli i Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçi. / KultPlus.com
Në vazhdën e aktiviteteve të planifikuara për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot në Bibliotekën Kombëtare u promovua libri “78 ditë bombardime të NATO-s”, i autorit Shyqri Nimani.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm kryetari i Kuvendit, Glauk Konjofuca, kryeministri Albin Kurti, anëtarë të tjerë të Qeverisë, profesorë e përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh se ky libër na i rikujton sfidat dhe sakrificat se si kemi arritur deri këtu ku jemi sot. Sipas tij, veprat si kjo janë të domosdoshme.
Edhe nga folës të tjerë libri u konsiderua si vepër e rëndësishme e tregimit të historisë së Kosovës dhe luftës e sakrificës së bërë deri të arritja e pavarësisë. /indeksonline.net/ KultPlus.com
Sot shënohen plot 16 vite nga vdekja e poetit tëpapërsëritshëm, Frederik Rreshpja, shkruan KultPlus.
Kushdo që ka lexuar lirikat e tij të trishtuara dhe është magjepsur prej fjalës poetike plot finesë e ndjeshmëri, nuk mund të mos ketë ndërmendur një çast rrugën e vështirë, plot peripeci dhe andrralla të jetës së tij. Në shoqërinë njerëzore, vuajtja, persekutimi, mjerimi skajshëm, goditje tw befta dhe mbrapshtia e fatit, janë po aq të vjetra sa dhe bota.
Por jeta e tallazuar dhe fati aq i trazuar i Reshpjes, marrin një domethënie të veçantë kur vihet në relacion me kohët kur krijoi, me artin e tij dhe poezinë margaritar që la pas, si trashëgimi të vyer në fondin e poezisë shqipe. Frederik Reshpja njoftoi ardhjen e tij premtuese në tempullin e letrave shqipe me vëllimin e parë poetik Rapsodi shqiptare në vitin 1968, ndërsa në vitin 1973 botoi librin e dytë me poezi ‘Në këtë qytet’. Më tej jeta e Reshpjes merr rrokullimën, burgoset nga regjimi komunist dhe librat e botuar i hiqen nga qarkullimi si “të papërshtatshëm” dhe “të dëmshëm për edukimin komunist të masave”. Pas një heshtje të gjatë, i harruar dhe mënjanuar , me fillimet e demokracisë, Reshpja plot vrull dhe shpresa përqafon jetën e re, përfshihet në debatet politike të kohës, fillon aktivitetin si gazetar, redaktor dhe rivendos lidhjet e këputura me poezinë e viteve të rinisë.
Në vitin 1994 boton vëllimin me titullin metaforik: Erdhi koha të vdes përsëri. Më pas boton vëllimin me titullin epitaf të jetës së tij – Në vetmi. Sakaq, krahas punës si gazetar dhe redaktor, e provon veten në një sipërmarrje, duke themeluar shtëpinë botuese dhe shtypshkronjën “Europa”. Por shumë shpejt, nga shkëlqimi përkohshëm,do të binte në mjerimin më të skajshëm. Një jetë endacaku rrugëve të Tiranës, me trupin e drobitur nga sëmundjet, i vetmuar, i shpërfillur, deri ditët e fundit të jetës së tij. Ç’ishte kjo jetë me kaq peripeci, nga vinte e ku e kishte burimin ai fat aq dorështrënguar, me një nga lirikët më brilant të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të? Ka një përgjigje dhe gjithçka duket se lidhet me artin e tij, me poezinë e tij të pazakontë dhe kohën kur krijoi. Fati ishte brendashkruar në artin e tij. Arti për Frederik Reshpjen nuk ishte thjesht vetëdija por edhe vetëqenia e tij. Reshpja ishte ”i mallkuar” me art dhe prej artit të tij. Në poezinë e tij Testament, Reshpja përcjell vetëdijen për artin si fat dhe mallkim: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!
Në parathënien e librit me proza poetike të Sharl Bodler “Brengat e Parisit”, Ismail Kadare përsiat rreth poetëve simbolistë francezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të ashtuquajturit “artistë të mallkuar” , të mallkuar nga institucionet dhe opinioni kohës, jo vetëm për shkak të skandaleve dhe veseve por , sidomos e mbi të gjitha, për shkak të artit të tyre novator, i cili shënoi fillimet e modernitetit në poezinë europiane.Edhe Reshpja, antikonformist nga natyra, shpërfillës i konvencioneve dhe shtrëngesave ideologjike, ashtu si sivëllezërit e tij, poetët simbolistë, u perceptua prej institucioneve dhe të tjerëve si njeriu “skandaloz”. Përballë shpirtit skllav të shumëkujt dhe hipokrizisë si stil mbijetese, Reshpja me shpirtin bohem, shpalli kredon e tij: “Unë kam lindur skandaloz dhe i lire”! Shkrimtarët e mallkuar gradualisht u pranuan nga shoqëria dhe zunë vendin e merituar në tempujt dhe panteonet letrare kur , mallkimi i vjetër – thotë Kadare – befas u përtërit në trajtën më të zezë që mund të mendohej, në gjysmën e botës, në atë që quhej “perandoria komuniste”. Burgu, pushkatimi, internimi, persekucioni, ndalimi botimeve, lincimi, “qarkullimi në bazë për riedukim” dhe praktika të tjera të kontrollit dhe represionit, ranë si mallkim mbi poetët dhe krijuesit në Shqipërinë totalitare. Reshpja ishte një nga viktimat e këtij represioni. Në shkrimin ‘Një prill për Fredin’ (një homazh plot venerim për Reshpjen), ku sheston raportet e shtetit totalitar komunist me shkrimtarët, Kadare nënvizon se Reshpja u shfaq në letrat shqipe në një kohë të papërshtatshme: në kohën e parë, në diktaturë, u përball me egërsinë e shtetit, ndërsa në kohën e dytë, në demokraci, u përball me mospërfilljen. Të dyja kohët, përtej dallimit thelbësor të sistemeve politikë, kohët shoqërore pra, kishin të përbashkët mosdashurinë, klimën e ftohtë, mospërfilljen dhe egërsinë , të mjaftueshme për të thyer shpirtra të brishtë si Reshpja.
Në vitet e rinisë poezia e tij mbart një frymë optimizmi dhe patetizmi, si shprehje e iluzioneve të moshës dhe, njëherazi, si pasojë e kërkesave të ideologjisë së kohës, ku shkrimtarët dhe artistët ishin thirrur si pjesë e mekanizmave të inxhinierisë sociale për projektimin e utopisë komuniste. Me kalimin e viteve, si reflektim i peripecive të jetës dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme, poetika reshpiane dominohet nga nota trishtimi dhe melankonie. Ai që dikur në rini kishte ëndërruar të ishte si “një ylbermbi akuafortën e kohës vizatuar egër” me dhimbje konstaton: Qielli i djalërisë në sqep të një zogu U zhduk pas portës se ylbereve. Zhduket pas portës se ngjyrave djalëria Dhe mua trishtimi me mbulon Përmes poezive përjetohet ndjesia e një stine të përhershme shirash dhe duket sikur poeti futet në muzgun e perëndimit të shpresave. Poeti ndjehet i hedhur në një botë të huaj, motivet bëhen më të ftohta e boreale, peizazhet poetike më të trishta, me një hënë pikëllimi përmbi, si në gjithë ligjërimin e poezisë lirike popullore: Hëna e pikëlluar nëpër re Shkel mbi degët e shirave. Fshehur pas drurëve diku përgjon Vrasësi i vjetër, trishtimi. Eh, mundet që thika e trishtimit Diku përdhe ka për të më lënë, Fshehur nën një perëndim të thyer Fshehur nën shira hëne… Rënia e poetit është si në balada, vetmia e tij është kozmike: Dola nga guernika e kësaj nate I vrarë egërsisht, Kali i zi i pikëllimit ç’më rrezoi Dhe rashë si në balada; I vrarë nga një pranverë e kotë Braktisur nga bota e tërë. Cila “pranverë e kotë” e vrau poetin? “Pranvera mashtruese” e Tiranës e të ashtuquajturit liberalizëm në fillim të viteve 70-të apo ajo e iluzioneve të fillim viteve 90-të?Ndoshta të dyja…Përtej fatit personal, lexohet aludimi për zhgënjimin universal që sjell besimi në iluzionet utopike. Si në momentet e shkëlqimit, ashtu dhe në mjerim, Reshpja e shpërfilli jetën në skajshmëri.
Kjo neglizhencë apo mospërfillje ndaj jetës, përsëri vinte si “mallkim” prej artit. Reshpja ishte i ndërtuar prej materies së artit. Poezia ishte barra dhe kryqi prej të cilit nuk shpëtonte dot. I përhumbur nën peshën e kësaj barre, nën peshën e metafizikës së shpirtit, vetes tjetër fizike, njeriut empirik, i merreshin këmbët dhe “pesha e artit”bëhej pengesë në jetën plot kushtëzime, kurthe, detyrime, banalitete. Albatrosi i Bodlerit, si simbol për natyrën e dyfishtë të poetit: I bukur dhe madhështor në qiejt eternalë të poezisë / i ngathët , i zgërlaqur dhe krahëvarur në tokën e banalitetit dhe njëmendësisë , i shkon për shtat poetëve të klasit si Reshpja. Reshpja sfidoi kohën njerkë,fatin e mbrapshtë dhe ecjen e tij përmes botës së moskuptimit, e distiloi në përftesa poetike me imazhe impresioniste mbresëlënëse. Jetën prozaike të vetmisë dhe ekzistimit temporal, e konvertoi në poezi me frymë eternale. Kohës së jashtme,si jetë e pafat, i kundërvuri kohën e brendshme , metafizikën e shpirtit të mishëruar në artin delikat të poezisë. Përballë një bote të ashpër dhe të pashpresë, të egër dhe mospërfillëse, poeti projekton botën imagjinare ku kompeson humbjet dhe sublimon estetikisht dhimbjen. Poezia e Reshpjes është e shënjuar thellësisht prej fatit që përjetoi si individ. Por do të ishin njëlloj të mangëta në njëanshmërinë e tyre, si qasja e “zhytjes në tekst” sipas konceptit barthesian të “vdekjes së autorit”,ashtu dhe qasja sociologjizuese dhe biografike në analizën e poetikës reshpjiane. Reshpja iu largua tematikave himizuese të kombit, glorifikimit të historisë dhe patetizmit deklamativ, si shenja dominante në historinë e poezisë shqipe. Stili i tij poetik është qartësisht i dallueshëm në polifoninë e zërave poetikë të fillimeve të tranzicionit postkomunist. Poezitë e Reshpjes kanë një frymë thellësisht humane,lirizmi i tij mbart nota epike,motivet e dashurisë mbështillen me tisin e trishtimit, pikëllimi ka frymën e baladave ballkanike.
Poezitë e Reshpjes përgjithësisht janë të lakonike dhe falë përkujdesit për fjalën, hera herës ato përjetohen si forma të kulluara të bukurisë së gjuhës poetike. Duke rimarë teknikën e poezisë popullore, në poezitë si variacione rreth një motivi, përsëritja e figurave artistike përcjell rrekjen e palodhur të Mjeshtrit për të latuar formën me perfekte. Poezia e tij, sikurse ka vënë në dukje kritika, dallohet për muzikalitetin e brendshëm dhe simbolizmin tingullor. Por mbi të gjitha, poetika reshpiane dallohet për kombinimin e formës tingullimore me tablotë imazhiniste , për akuarelin e peizazheve të shpirtëzuara dhe pikturuara plot delikatesë dhe ekspresivitet: Një ujëvarë e vogël vetmon lart në mal dhe luan me ylberët. Mjegulla e hollë, ndanë dritares sime, qan me lot shiu. Përkundër qasjeve të reja avanguardiste në ligjërimin poetik të pasviteve 90- të, Reshpja shpërfaq në poezinë e tij, vizionin e një shpirti pagan parasokratik dhe perceptimin e një fëmije naiv të magjepsur prej natyrës. Falë kësaj optike antropomorfizuese, natyra shpirtëzohet dhe përmes saj projektohen estetikisht brengat, ndjesitë, gjendjet dhe drithërimat më të holla të unit poetik. Reshpja nuk ishte as misionar, sikurse thuhet në ndonjë shkrim analitik dhe as i inspiruar prej kauzave të mëdha. Poezia e tij reflekton shtjellat shpirtërore tepër personale. E megjithatë, pikërisht përmes përjetimeve tepër personale, rroken topikët e vetmisë, trishtimit dhe humbjes së dashurisë, si shqetësime universale ekzistenciale të njeriut postmodern Në këtë universpoetik të sunduar nga Perëndia e Humbjes, mes larmishmërisë së motiveve, spikatin dy figura–objekt adhurimi: ajo reale e Nënës, simbol i dhimbjes dhe dashurisë së pakushtëzuar, e vetmja Perëndi tek e cila beson dhe tjetra, Lora, me shumë gjasa funksionale, ikonë e dashurisë së pamundur, fantazma e së cilës shpërfaqet xixëlluese përmes mjegullës trishtuese që mbështjell poezitë më intime të autorit. Cikli poezive kushtuar imazheve të Lorës përshkohet nga një pikëllim i paskajshëm, ku adhurimi, lutja, obsesioni dhembërthimi pas kujtimit të saj, merr pëmasa orfeike. Lora, si simbol i dashurisë, është Euridikia e humbur, epiqendra e kozmosit dhe premisë e parandalimit të kaosit shpirtëror dhe natyror: Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit. Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave. Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty?Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët? Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! Me alkiminë e fjalës dhe brymë ëndrrash,mbi rendin material të kësaj bote të trishtë dhe rraskapitëse,Reshpja projektoi botën paralele imagjinative, universin e tij metafizik. Në këtë univers, kali i zi i pikëllimit, si shënja e kohës kur jetoi, transfigurohet në Pegason e frymës poetike që flatron për kah pakohësia. E gjithë poetika e Reshpjes është një arkitekturë kristalore, e ndërtuar me brishtësi dhe e mbushur me një frymë të epërme,delikate dhe qiellore, përballë banalitetit dhe vrazhdësisë tokësore. Kryemjeshtër i metaforave befasuese, këndonjës i vetmisë dhe pikëllimit universal, Reshpja ishte i ngjizur prej A(r) tit. o më kot nënës së tij i drejtohet :Ave ,Shën Mëria ime, nëna ime! * * * Në mbyllje të këtij shkrimi – rekuiem për një nga poetet lirikë më brilantë të poezisë shqipe, nuk mund të mos shprehim një lloj habie (jofilozofike) për heshtjen e kritikës dhe studimeve serioze rreth krijimtarisë së tij cilësore. Mospërfillja që përjetoi sa qe gjallë, mesa duket, parandjeu se do ta ndiqte edhe post mortum, prandaj në poezinë Për veten time shkruan: Mbi një piedestal heshtjeje, dergjet profili im që në lindjen e gurit. Por përtej kësaj mosvëmëndjeje, për Reshpjen nuk do të ketë njëLetelumharrese, por një prani të papengueshme në Letrat e poezisë shqip. Arti ishte “mallkimi” i tij i parathënë. Nëse koha e jetuar rrëzoi njeriun, arti ka forcën e ngritjes së poetit në piedestalin e pakohësisë.
Artisti Bib Frrokaj së fundmi ka krijuar një instalacion monumental në të njëjtin vend ku u krijua kampi në fund të muajit maj 1999 me shqiptarë të vendosur në Fishtë dhe në Krajën. Ky instalacion i shoqëruar me foto dhe dokumente të asaj kohe në përmbajtje ka një pemë mani të mbjellur brenda veprës, pemë kjo që është sjellë nga shqiptarët e Kosovës, përcjell KultPlus.
Kur atëherë ishin strehuar 2 mijë kosovarë, tani është krijuar edhe instalacioni i veçantë dhe mjaft simbolik për të dëshmuar se edhe pse viti 1999 ishte një vit i trishtë, historia e Kosovës përherë do të kujtohet.
“Streha” titullohet instalacioni me një strukturë të brishtë e stoike njëherësh, minimaliste por e mjaftueshme në “funksionin” e saj parimor mbrojtës, ku vëllimi i saj arkitekturor na ofron në kuptimin e plotë të fjalës një hapësirë ndërvepruese mes veprës dhe vizitorit. Kur themi shtëpi, ajo nënkupton strehë, strehim: të qenurit i strehuar, të qenurit i mbrojtur. Na kujton një nga virtytet më të mëdha të popullit tonë shqiptar: mikpritjen, të cilën e ka dëshmuar në jo pak raste kyçe të historisë.
Me të drejtë A. Degrand Jules do thoshte: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Si rrjedhojë, ky instalacion ngrihet pikërisht mbi këto shtylla virtyti në shenjë mirënjohjeje e falënderimi të një gjesti bujar, si ai që iu bë shqiptarëve të Kosovës nga Shoqatat e Fondacionet e ndryshme humanitare të huaja në Fishtë dhe në gjithë Shqipërinë, po ashtu dhe nga gjithë ato shqiptarë që hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre. Streha tenton të mbetet një përkujtimore e atij kampi të përkohshëm që u ngrit në pranverën e vitit 1999 pikërisht këtu dhe ka për qëllim të krijojë një semiotikë lidhëse mes kujtesës së tanishme dhe fakteve të pamohueshme të së kaluarës.
Streha në vendlindjen e figurave të mëdha historike si At Gjergj Fishta, synon të bëhet pikërisht strehë e këtyre vlerave, përtej përkatësive fetare, ngjyrimeve politike e kombësie. Ajo është një kulm-strehë për familjen e madhe të ndarë padrejtësisht.
Më poshtë KultPlus ju sjell informacione lidhur me këtë instalacion si dhe kampeve të krijuara në Fishtë dhe Krajën:
Historiku
Në harkun kohor 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë ndodhi eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës ku rreth 1 milionë prej tyre u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni. Të dëbuarit ishin kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar. Eksodi i shqiptarëve të Kosovës i gjeti shqiptarët e Shqipërisë në vetvete të sapodalë nga 40 e ca vjet diktaturë e egër dhe nga konflikti civil i 1997-s që i kishte dërrmuar ekonomikisht dhe politikisht.
Nuk ishin në gjendje t’i strehonin shqiptarët e Kosovës aq sa ishte e nevojshme, por me ndihmën e organizatave të ndryshme humanitare u bë e mundur strehimi i tyre. Pati gjithashtu shumë raste të shqiptarëve të thjeshtë që hapën dyert e shtëpive të tyre. Me 27 Mars 1999 Kukësi ishte i pari qytet që hapi dyert duke pritur fluksin e madh të eksodit të shqiptarëve të dëbuar.
Më pas u strehuan në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Në fund të muajit Maj të po atij viti një pjesë të konsiderueshme (rreth 2300 persona) u strehuan në kampet e ngritura në Fishtë dhe Krajën të mbështetura nga INTERSOS, Komuna e Milanos – Mbrojtja Civile – Misioni Arcobaleno, banorët e Avezzano-s, etj.
Kampet në Fishtë dhe Krajën
Në fund të muajit Maj 1999 dy kampe me shqiptarë u vendosën në Fishtë dhe tjetri në Krajën. Më shumë se gjysma prej tyre ishin fëmijë, madje gjashtë fëmijë patën lindur gjatë qëndrimit në kamp. Kampi në Fishtë ishte më i madhi me 1330 banorë. Mbështetej dhe menaxhohej nga INTERSOS dhe Misioni Arcobaleno. Brenda kampit kishte hapësira të ndryshme funksionale si kuzhinë, magazinë, shkollë e improvizuar, dushe, hapësira për argëtim, etj.
Ndërsa Kampi i Krajnit që ndodhej më në veri, ngrihej në Fangun e Krajnit pranë Kishës Katolike dhe ishShkollës së Mesme Profesionale dhe kishte 970 banorë. Ky kamp ishte nën kujdesin e Don Antonio Sciarra. Financohej nga Komuna e Milanos – Mbrojtja Civile, populli i Avezzano-s (qyteti i lindjes së Don Antonios) dhe zona të tjera të Italisë. Don Antonio ka ndjekur dhe menaxhuar me kujdes duke dokumentuar zhvillimin e ngjarjeve në kamp përmes fotografive.
Fotot nga arkiva e Don Antonio-s janë të ekspozuara tek instalacioni “Streha” ashtu siç kanë qenë të ruajtura në albumin e tij përsonal të marrë në “Shtëpinë Rozalba” (asokohe Qendra Rinore Gjadër).
Historia e Lavdies
Tregonte Don Antonio Sciarra “Lavdien për herë të parë e takova në kufirin Shqipëri – Kosovë. Më afrohet këmbëzbathur me një përkthyes që më thotë se Lavdia do një palë këpucë. E shoh me çudi sepse ajo i kishte një palë këpucë në dorë, ndaj e pyes: ç’të duhen këpucët përderisa i ke? Këto këpucë janë i vetmi kujtim i familjes sime pasi janë të lara me gjakun e nënës time e unë do i ruaj kështu siç janë.
Pasi u kanë djegur shtëpinë e fshatin ku banonte familja e Lavdijes, kanë ekzekutuar babain e saj bashkë me meshkujt e tjerë të fshatit. Nëna e Lavdijes ndërsa përpiqej të shpëtonte bashkëshortin, plagoset. Udhëtojnë drejt Shqipërisë, por nëna nga plagët e marra vdes në krahët e së bijës. E detyruar të vazhdojë udhëtimin, Lavdija merr me vete këpucët e së ëmës të mbushura me gjakun e saj, i vetmi kujtim nga nëna.
Don Antonio e sjell Lavdijen e disa familjarë të tjerë të saj të jetojnë në Zadrimë, në fshatin Gjadër. Don Antonio së bashku me Ambasadorët e Paqes, bënë një sërë udhëtimesh në Shqipëri e Itali për të treguar historitë e tyre. / KultPlus.com
Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu” ka publikuar së fundmi një telegrafm ngushëllimi për vdekjen e aktores, Qefsere Kurtishi Berkani, e cila është aty qysh prej ditëve të para të ekzistencës së këtij teatri, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi në “Facebook”, teatri në krye me drejtorin Edi Kastrati shprehu ngushëllime për familjarët dhe kolegët.
Njoftimi i plotë (pa ndërhyrje):
“Të nderuar familjar të së ndjerës, artistë dhe kolegë të Qeqes;Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Teatrit të shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen dhe kolegët, për humbjen e koleges; Aktores së Teatrit qysh prej diteve të para të egzistences tonë.Qeqa ishte nje shoqe, kolege, dhe gjithashtu një ikonë e teatrit tonë qysh prej ditëve të para dhe gjithashtu ishte njëra ndër aktoret tona e cila nuk ka kursyer asnjëherë ndihmen e saj për avansimin e teatrit tonë. Ajo ishte motiv per kolegët dhe brezat e rinjë duke mos u ndalur asnjeherë së kontribuari per avansim të gjeneratave te reja drejtë suksesit dhe arritjeve per teater.Ndajmë dhimbjen me ju familja Kurtishi-BerkaniU prehtë në paqe!Me respektEdi KastratiTeatri i qytetit “Hadi Shehu””. /KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi kompozitorin, regjisorin dhe moderatorin e shquar Osman Mula me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Titulli i lartë iu akordua Mulës me motivacionin “Me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për artin shqiptar nëpërmjet veprimtarisë së tij shumëplanëshe, si regjisor, kompozitor, instrumentist dhe moderator përgjatë 45 viteve të karrierës së tij. Në vlerësim të përkushtimit të madh ndaj përhapjes së kulturës kombëtare, si dhe edukimit të brezave të rinj me një art thellësisht kombëtar.”
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast Meta theksoi se në fjalën e tij se “titulli regjisor shpreh vetëm një pjesë e dimensionit të punës dhe veprimtarisë shumëplanëshe të tij, sepse Osman Mula, është vërtet një nga regjisorët më të njohur të Radio-Televizionit Shqiptar dhe të vendit, por ai është edhe kompozitor i vlerësuar me shumë çmime, është instrumentist, saksofonist i talentuar, por është edhe moderator dhe drejtues i suksesshëm shumë emisioneve të muzikës”.
“Në karrierën e tij 45-vjeçare, me një krijimtari të gjerë artistike, Mula ka pasqyruar dhe ka qenë protagonist në shumë aktivitete kulturore dhe artistike të vendit. Firmën e Osman Mulës e mbajnë 20 festivale të këngës në Radio Televizion. Ashtu siç janë realizuar me mjeshtëri dhe mbajnë firmën e tij, edhe mjaft koncerte të vitit të ri, ndërtuar me aktorë brilantë të humorit shqiptar e këngëtarë të shquar të vendit, që na shoqëronin në familjet tona natën e ndërrimit të viteve. Por, Osman Mula ka qenë po aq i suksesshëm edhe me spektakle të mrekullueshme, ndërtuar me krijimtarinë më të mirë të kompozitorëve tanë, me të cilët krenohemi të gjithë, si Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Avni Mula, Agim Krajka, Agim Prodani, e shumë të tjerë”, nënvizoi Meta.
Regjisori Mula, vijoi Meta, ka realizuar mjaft bashkëpunime me ‘Teatrin e Operas dhe Baletit’, si dhe me ‘Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore’, dhe njëkohësisht, ka bashkëpunuar me të gjitha estradat e vendit, duke mbajtur të mbërthyer përpara ekranit të vogël, me mijëra teleshikues, në varietenë e së shtunës.
“Për shumë dekadash, Osman Mula ka qenë regjisor i jetës koncertale simfonike të orkestrës së RTSH-së, dhe njëkohësisht regjisor i festivaleve ‘Kur vjen pranvera’, ‘Festivali i interpretuesve’ apo ai i këngës popullore. Realizimi i disa prej portreteve më të mëdha artistike shqiptare si: Prenk Jakova, Vaçe Zela, Skënder Sallaku, Fadil Kraja, Tano Banushi, etj, i dedikohet punës dhe përkushtimit të Osman Mulës. Osman Mula është njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente të reja, e që ka sjellë spektaklin në nivele të larta, duke respektuar traditën dhe artin kombëtar e duke e harmonizuar atë me modernen apo dekadenten. Pa dyshim Osman Mula është një nga regjisorët më të njohur edhe në fushën e sportit. Ai ka ndërthurur me mjeshtëri spektaklin artistik me spektaklin në fushën e blertë”, nënvizoi Meta.
Meta bëri të ditur se Mula ka qenë po i suksesshëm, në promovimin e turizmit shqiptar, nëpërmjet koncerteve të regjistruara në natyrë dhe në vende të rëndësishme historike e kulturore./atsh/ KultPlus.com
Kosova shënoi 14 vjet të shtetësisë me aktivitete të ndryshme. Qytetarë të shumtë përcollën Paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, nga sheshi “Nëna Terezë”, në Prishtinë.
Më poshtë ju sjellim fotografi nga festa në Prishtinë realizuar nga Radio Evropa e Lirë.
Filmi ‘Zgjoi’ me regji dhe skenar nga Blerta Basholli është padyshim bëri që emri i Kosovës të përmendet edhe më shumë gjatë këtij viti në gjithë botën, përcjell KultPlus.com
Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe, e interpretuar nga aktorja Yllka Gashi, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient patriarkal e që nuk e mbështet iniciativën e saj, përcjell KultPlus.
Fitues i trefishtë në festivalin e filmit ‘Sundance’ e shumë festivale te tjera ndërkombëtare, ‘Zgjoi’ është filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që hyri në listën e ngushtë të nominimeve për Oscars.
Blerta Basholli në një rrëfim për KultPlus ka thënë se fillimisht për Fahrije Hotin kishte dëgjuar rastësisht historinë e saj në televizor, sa ishte në Amerikë. Ajo shprehet se kur e ka dëgjuar rrëfimin e Fahrijes, menjëherë ka marrë vendimin që sapo të kthehet në Kosovë, të shkojë e ta takojë për të marrë të drejtën ta bëjë film tregimin e saj.
Edhe pse nuk u nominua për ceremoninë Oscars, ‘Zgjoi’ mbetet filmi që bëri historinë në kinematografinë e Kosovës./ KultPlus.com
116 vite më parë, etnologu i shquar bullgar Perikli Çilev (1864-1925), i lindur në qytetin me tradita të vjetra kulturore dhe tregtare, të Krushevës, të banuar kryesisht nga vllehët e ardhur nga Voskopoja, pas shkatërrimit të këtij qyteti në fundin e shekullit XVIII, nga bullgarët dhe gjithashtu nga një komunitet i fortë shqiptarësh ortodoksë, do t’i shkelte viset shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, duke na lënë këto kujtime tejet interesante, që mund t’i lexoni në vijim, nga rrugëtimet e tij.
Për t’iu kthyer Perikli Çilevit të përmendur më sipër, mësuesit në gjuhën shqipe (dhe gjuhët klasike të lashtësisë, greqisht e latinisht), të dy djemve të Car Ferdinandit të Bullgarisë, ky personazh karizmatik me origjinë nga Krusheva, do të ishte ndërkaq edhe autor i disa botimeve të rëndësishme që u kushtohen shqiptarëve.
Në këtë këndvështrim, vlen sigurisht të përmendet libri e tij me titull “Shqipëria dhe shqiptarët”, që ishte botuar pikërisht me autorizim të Shoqërisë Shqiptare “Dëshira” të Sofjes në vitin 1922.
Tani sidoqoftë do të përqendrohemi në botimin tjetër të tij, të titulluar “Rrugëtim nëpër ngulimet shqiptare në zonat e Prishtinës, Prizrenit, Dibrës dhe Ohrit” (Обиколка изъ албански селища въ Прищинско, Призренско, Дебърско и Охридско, në origjinal në bullgarisht), të botuar në Sofje në vitin 1926.
Flitet në këtë rast për rrugëtime të kryera nga ky etnolog dhe dijetar, mes 12 korrikut gjer më 11 gusht të vitit 1916 në këto ngulime shqiptare.
Më konkretisht sakaq, Prishtinën e asaj periudhe, Çilev e përshkruan si të banuar në shumicë absolute nga shqiptarët, kryesisht myslimanë, si dhe nga pak turq, duke qenë turqit përgjithësisht me rrënjë nga Azia e Vogël (pra jo vendas), ndërsa shkollat në qytet janë turke.
Ndërsa në Janjevë, ka katolikë shqiptarë, rreth 40 shtëpi muhamedanësh shqiptarë, por sakaq katolikët shqiptarë janë së paku 400 shtëpi në qytet. Ndonëse katolikët në këtë qytet sipas Çilev janë shqiptarë, në kishë meshat bëhen në gjuhën kroate, e njëlloj fëmijët e tyre mësojnë kroatisht edhe në shkollë.
Kjo gjë në vëzhgimet e Çilev dhe bisedat e tij me banorët vendas të Janjevës, bën që edhe në shtëpitë e shqiptarëve, tanimë të ketë filluar të flitet në serbisht (nuk është e habitshme, që sot në Janjevë, ka vërtet një minoritet kroat).
Prifti vendas Luka Filiç që takon Çilev gjatë qëndrimit në Janjevë, i tregon atij për praninë e kriptokatolikëve shqiptarë në rajonin e Laramanëve (pranë Gjilanit), ndërsa të tilla familje gjenden edhe në fshatin e afërm Androvec. Prifti katolik tregon sesi shkon në fshehtësi, i veshur me rroba civile të vizitojë kriptokatolikët shqiptarë, ndërsa është hoxha që i kryen në publik faljet gjatë varrimeve.
Gjithashtu është pikërisht prifti që i marton njerëzit në fshehtësi, si dhe bën pagëzimet, kurse hoxha kryen funksionet myslimane publikisht.
Kriptokatolikë sipas të dhënave që na ofron Çilev ka edhe në fshtrat Dunava dhe Letnicë.
Në Prishtinë sakaq, Çilev vëren përdorimin e shpeshtë të frazës “E kemi nga Lekë Dukagjini” dhe “Kanuni i Lekës”, si shprehje të vijimësisë së dokeve të lashta shqiptare.
Në Ferizaj sipas Çilev ka 135 shqiptarë katolikë, ndërsa shumica e banorëve janë shqiptarë myslimanë. Në fshatin Lashkobar (5 km nga Ferizaj), thuhet të ketë patur gjer 10 vite para rrugëtimit të Çilevit (pra deri në vitin 1906), akoma 50 familje kriptokatolikësh shqiptarë.
Një bashkëbisedues nga Ferizaj në fakt i tregon Çilevit se ka punuar në një shtëpi kriptokatolikësh në Lashkobar, të cilët kremtonin festën e Shën Dhimitrit. Bashkëbiseduesi i Çilev pohon se për këtë kremte të krishterë u pati blerë kriptokatolikëve verë, qirinj, etj, por gjithçka e pati bërë në fshehtësi, pa rënë në sy të turkut. Edhe në tjerë fshatra të zonës, sipas Çilev, thuhet të ketë patur shumë kriptokatolikë gjer 20 vite para rrugëtimit të tij, veçanërisht në fshatrat Slivovo dhe Papas, tashmë të kthyer në myslimanë.
Ndërkaq në Prizren, përveç shumicës së banorëve që janë shqiptarë myslimanë dhe rreth 150 shtëpive me shqiptarë katolikë, Çilev has edhe plot 120 familje arumune, të ardhur para 100 vitesh nga Voskopoja, pra vlleho-shqiptarë.
Veshjet e tyre sipas Çilev janë tërësisht shqiptare dhe para pushtimit serb ata thuhet të kenë patur shkollën dhe dy kisha të tyret në qytet. Edhe në fshatrat e afërta me Prizrenin, në Mamushë (sot 100% turke), Ortugrushë dhe Zeçishë, sipas vëzhgimeve të Çilev, thuhet të ketë patur shumë familje vllehësh shqiptarofonë, të cilët në këtë periudhë gjenden në asimilim e sipër nga serbët; ndërsa vetëm në fshatin Zeçishë mbijetojnë gjatë rrugëtimit të Çilev, akoma 4 familje të paserbizuara vllehe.
Fshatrat shqiptare të malit të Sharrit, Çilev vëren se kanë të gjithë emra shqiptarë.
Në rrethinat e Gostivarit, ndodhet fshati Duh, që sipas Çilevit banohet nga shqiptarët ortodoksë (gegë), i ndarë në katër lagje, 1-2 kilometra larg njëra me tjetrën. Veçanërisht gratë e fshatit nuk flasin fare bullgarisht, ndërsa meshkujt, veç shqipes amtare, dinë edhe gjuhën bullgare.
Ky është fshati i parë ortodoks shqiptar në këto vise, ndërsa pas tij vijnë 20 fshatra me popullatë të pastër shqiptare ortodokse të Rekës së Epërme.
Pikërisht nga fshati Duh nis edhe vija e drejtë gjer në Elbasan që ndan shqiptarët ortodoksë nga katolikët shqiptarë, e poshtë kësaj vije ndodheshin edhe fshatrat zonës së Shpatit, të banuar me kripto-ortodoksë, para se të dilnin hapur në fenë e tyre.
Në fshatin Trebisht, përveç të folurës që afrohet me toskërishten, Çilev vëren petkat e zeza të meshkujve të fshatit, të cilët i tregojnë se sipas legjendës deri në kohën e Skënderbeut, banorët vishnin veç të bardha, por pas vdekjes së kryetrimit e tutje, kishin veshur vetëm petka të zeza.
Kurse në Ohër, Çilev vë në dukje se qoftë shqiptarët myslimanë janë në turqizim e sipër, njëlloj si shqiptarët ortodoksë që po bullgarizohen gradualisht./ KutlPlus.com
Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura, t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet, t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara; ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta e të shpërthej do si vullkan:- më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë. Unë biri yt./ KultPlus.com
Miradie Ramadani, nga Krusha e Madhe e Komunës së Rahovecit, kërkon të dijë të vërtetën për burrin e saj, pasi ajo dhe shtatë fëmijët e saj nuk e besojnë që kockat që u gjetën 13 vjet pas masakrës që ndodhi në këtë fshat, i përkasin Osman Ramadanit. Ata kërkojnë që të mësojnë të vërtetën për burrin dhe babanë që nuk e panë më që nga marsi i vitit 1999, përcjell KultPlus.
Ramadani tregon vuajtjet që përjetoi që pas largimit nga shtëpia për ta çuar djalin e saj shtatë muajsh në Gjakovë për kontrollë në spital, e që atëherë s’e pa më kurrë burrin dhe qëndroi larg gjashtë vajzave të saj pa e ditur për dy muaj se çka ka ndodhur me fatin e tyre.
E vërteta e asaj se çfarë i kishte ndodhur kryefamiljarit, po e mban peng këtë familje edhe sot, 23 vjet pas masakrës në Krushë të Madhe.
(Miradie Ramadani, Krushë e Madhe)
“Djali deri në klasën e tretë nuk e ka ditë që s’e ka babën, në klasën e tretë i ka tregu mësuesja. Erdh djali t’u kajtë, ‘pse po më rreni babi është gjallë, babi ish i vdekur‘. Edhe sot e asaj dite, veç zori se nuk i afrohet varrit, ‘s’është këtu baba jem‘ thotë, edhe e vërtetë është që nuk është aty. Veç na kanë mashtru.”- thotë Ramadani, e bindur që një copë prej eshtrave që është gjetur para gjashtë viteve nuk i përket burrit të saj.
E më shumë se dy dekada më vonë, brenga për drejtësi dhe për të ditur të vërtetën për familjarët e tyre po i shqetëson edhe familjet e shumë të zhdukurve dhe të vrarëve tjerë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për të nxjerrë ne pah historinë e secilit që është vrarë dhe zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, në vitin 2017, ish-presidenti, Hashim Thaçi, kishte inicuar idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP).
”Qëllimi është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, duke pranuar dhe njohur krimet, duke shprehur dhe deklaruar brejtje ndaj së keqes.”- kishte thënë Thaçi gjatë prezantimit të kësaj iniciative.
Por, pasi ai dha dorëheqje pas akuzës që iu ngrit nga Gjykata Speciale, puna e këtij komisioni është vënë në pikëpyetje dhe ende nuk ka pasur një nismë për vazhdimin e punës së tij.
Nora Ahmetaj, e cila ishte pjesë e ekipit përgatitor të KVP-së, mandati të cilëve përfundoi në vitin 2020, thotë se nuk janë kontaktuar nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar për vazhdimin e punës së këtij komisioni.
“Akti Normativ për themelimin e këtij komisioni është finalizuar por na kanë mbetur edhe disa dokumente të tjera per t’i përfunduar”- tha Ahmetaj.
Drejtori i Qendrës Burimore për Personat e Pagjetur, Bajram Qerkini, thotë se ky komision ka pasur qëllim pajtimin në mes të të gjitha etnive brenda kufijve të Kosovës, e jo pajtimin e shtetit me shtet.
“Me propozimin e ish-presidentit Thaçi, është vendosë për me themelu tipik një pajtim i cili kishte me qenë pajtim në mes familjarëve brenda Kosovës, në mënyrë që të gjitha minoritetet në Kosovë të ndihen të lirë e të ndihen të bashkuar.”- thotë Qerkini duke shtuar se ky komision duhet të pranohet nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ndërkaq, nënkryetari i kësaj qendre, Negovan Mavriq, thotë se ky komision ekziston, por ai e quan të kotë ekzistimin e tij kur nuk i ka duart të punojë lirshëm.
“Komisioni duhet gjithsesi të ekzistojë sepse ne jetojmë bashkë dhe gjithsesi duhet të bashkëpunojmë.”- deklaron Mavriq.
Mavriq thekson se do të jetë e vështirë për njerëzit që i kanë familjarët e humbur dhe të zhdukur, por që sipas tij duhet të ketë një zgjidhje të kësaj situate sepse edhe serbët edhe shqiptarët duhet të vazhdojnë të jetojnë së bashku.
Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, organizatë kjo që merret me ballafaqimin dhe dokumentimin e kaluarës së dhunshme të Kosovës dhe zbatimit të drejtësisë tranzicionale, thotë se në mënyrë që ky komision të rezultojë i suksesshëm, duhet të përfshijë të gjithë viktimat, pavarësisht etnisë.
“Komisionet e së vërtetës kanë mandat me e nxjerrë të vërtetën dhe ta bëjnë zyrtare atë të vërtetë, por ajo duhet të jetë e pranueshme prej të gjitha palëve e në rastin e Kosovës, duhet të jetë e pranueshme prej popullit shqiptar e edhe prej komuniteteve të tjera, sepse vetëm në atë mënyrë mund të kontribuojnë të ardhmen në pajtim.”-thotë Blakaj.
Ai poashtu thekson se e sheh vështirë të realizueshëm në këtë moment duke marrë parasysh situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Një ndër mbështetësit e iniciativës për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, ishte edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë. Vincent Hug nga kjo ambasadë tha se Zvicra e mbështeti këtë iniciativë pasi e sheh KVP-në si një instrument të dobishëm për të dokumentuar dhe vendosur fakte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut të cilat kanë ndodhur në të kaluarën e afërt dhe kontribuon në parandalimin e përsëritjes së tyre.
“Zvicra i ofroi mbështetje ekipit përgatitor në formën e ekspertizës për ballafaqimin me të kaluarën dhe projektimin e procesit dhe qëndroi e informuar për punën e ekipit përgatitor, përkatësisht procesin e konsultimit me publikun e gjerë dhe hartimin e Aktit Normativ për krijimin e një Komisioni të së Vërtetës dhe Pajtimit.” – u shpreh ai.
Ndërkaq këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, thotë se për momentin kjo iniciativë dhe të gjitha dokumentet përcjellëse janë duke u shqyrtuar brenda Kabinetit të Presidencës, meqë nuk ka pasur përfshirje në periudhat paraprake.
“Pas shqyrtimit nga Kabineti, do të diskutohet me akterë të tjerë, në mënyrë që të vendoset përfundimisht për të gjitha modalitetet që ndërlidhen me këtë Komision.” – tha ai.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës së viteve 1998-99, në Kosovë janë vrarë e zhdukur 13.535 persona, prej tyre 10.812 janë shqiptarë, 2197 janë serbë, 275 i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, 95 boshnjakë dhe 156 të etnive të tjera.
Derisa ende nuk dihet nëse do të funksionalizohet ky komision, familjarët e të zhdukurve presin akoma me shpresë për të mësuar të vërtetën për më të dashurit e tyre./ KultPlus.com
14-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, skitarët Kiana Kryeziu dhe Albin Tahiri i gjeti në Pekin ku po garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Pekini 2022’, përcjell KultPlus.
Me flamur në duar, ata përmes një videoje kanë uruar Kosovën në përvjetorin e Pavarësisë.
Më poshtë gjeni postimin e Komitetit Olimpik të Kosovës./ KultPlus.com
Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.
Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999. Ky proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë: atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes luftës kaçake në vitet 1912-1924); të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) ; të iredentizmit ideologjik nga viti 1945-1968 në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes ,si dhe atë për barazi e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra Lëvizjes Kombëtare në vitet 1989-1999, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, me ç’rast, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ia doli të shkëputet nga Serbia. Ndërsa me në Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, që u jetësua mbas zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, ia krijoi platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.
Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912.
Bota shqiptare ka arsye që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet që 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.
Ky veprim, formulën e bashkimit kombëtar e konverton në atë të unionit të të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim me rastine shënimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti thotë se në këtë ditë nuk kanë se si të mos kujtohen e përkujtohen ata të cilët punuan dhe luftuan për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e vendit.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Urime të gjithë qytetarëve të Republikës Dita e Pavarësisë.
Teksa kremtojmë e festojmë, gëzohemi dhe e urojmë njëri-tjetrin, nuk kemi se si të mos kujtojmë e përkujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e vendit.
Andaj, nga kryeqyteti i Republikës këtu në oborrin e përbashkët të Presidencës, Kuvendit dhe të Qeverisë, ku bëmë nderime dhe ngritëm flamurin shtetëror do të vazhdojmë për kryeqendrën e kryengritjes së popullit tonë në Prekaz, pra te Kompleksi “Adem Jashari” dhe më pastaj te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi.
Të gjithë ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të sotmen dhe të ardhmen tonë, andaj ne u jemi falënderues të gjithëve dhe mirënjohës përjetë./ KultPlus.com.
Presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se në këtë ditë kujtojmë me përulësi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Në katërmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës i kujtojmë me përulësi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
I kujtojmë dhe nderojmë në këtë ditë vizionarët dhe heronjtë. Përkushtimi i tyre për lirinë e vendit është përgjegjësi e jona për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
Faleminderit prijësit të urtë e arkitektit të pavarësisë, presidentit dr.Ibrahim Rugova, faleminderit vajzave e djemve të UÇK-së në krye me legjendarin Adem Jashari me familje dhe faleminderit NATO dhe shteteve mike që e bën të mundshme lirinë dhe shtetin tonë!
Qytetarë të Republikës, urime 14 vjetori i shteti tonë! Na duhet angazhim i përbashkët që ta përmbyllim rrugëtimin tonë për në familjen evropiane.
Shteti i Kosovës është mbi të gjitha, e paçim për jetë!./ KultPlus.com
14-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës do të shënohet me bashkëbisedim me Fahrije Hotin dhe Ferdonije Qerkezin, të cilat u shndërruan në zërin e shumë grave të Kosovës, të cilat përjetuan tmerret e luftës së fundit në Kosovë.
Të dy zonjat u shndërruan edhe inspirim për shkrimtarët e regjisorët, ku jeta e Fahrije Hotit është treguar edhe nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Zeqirit, përderisa jeta e Ferdonije Qerkezit është përcjellë edhe nëpërmjet filmave dokumentar, por edhe të librave, ku Ag Apolloni ka shkruar së fundi librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.
Të gjithë ata që duan të takojnë për së afërmi këto dy zonja, duhet të bëjnë rezervimin në [email protected].
Mbrëmja mbahet më 17 shkurt, prej orës 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.
Mbrëmja do të organizohet konform masave Covid 19./ KultPlus.com
Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.
Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.
KultPlus sonte ua risjell videon dhe tekstin e këngës “Rrisim jetë tonë” nga Vaçe Zela.
Rrjedhin o mëngjeset, rrjedhin si ujëvara, ja kështu mes njerëzve, jeta jonë hedh hapat
Hyj dhe unë mes tyre, shtoj një fjalë, një kënge, është kjo këngë e jetës, për ty Shqipëri, për ty Shqiperi moj nanë
Më merr në krahët e tua, si merr femijën nëna, qe ballin të ma puthi, edhe dielli edhe hëna.
Une marr nga drita jote, ti merr nga zemra ime, dhe dorë për dore rendim, e shtrenjta jeta ime.
Rrjedhin o buzëmbrëmjet, rrjedhin kaltërojnë, në një kënd të globit, rritim jetën tonë
Hyj dhe unë mes tyre, shtoj një fjalë, një këngë, është kjo këngë per jetën, për ty Shqipëri, për ty Shqipëri moj nanë.
Më merr në krahët e tua, si merr femijën nëna, qe ballin të ma puthi, edhe dielli edhe hëna.
Une marr nga drita jote, ti merr nga zemra ime, dhe dorë për dore rendim, e shtrenjta jeta ime/ KultPlus.com
Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren ka shpallur emrat e regjisorëve për sezonin teatror 2022, përcjell KultPlus.
Ana Bateva, Zana Hoxha dhe Dino Mustafiq janë emrat e regjisorëve të përzgjedhur nga Teatri i Prizrenit.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren, ka kënaqësinë të shpall emrat e regjisorëve për sezonin teatror të vitit 2022.
Përzgjedhja e regjisorëve reflekton ambicjen dhe vizionin e Teatrit “Bekim Fehmiu” duke angazhuar regjisorë të njohur me përvojë të madhe ndërkombëtare, si dhe regjisore në moshë më të re, por të dëshmuara në teatrot dhe festivalet në rajon.
Ana Bateva,
Regjisore teatri, lindur në Shkup, Maqedoni e Veriut, edukuar për regji teatri në Akademinë Kombëtare të Teatrit dhe Filmit në Sofie, Bullgari, si dhe titullin Master në Menaxhmentin e Artit në Akademinë Kombëtare të Arteve të Bukura në Plovdiv, Bullgari.
Shfaqjet e saj janë shfaqur dhe shpërblyer në festivale ndërkombëtare dhe nacionale teatrore në gjithë rajonin e Ballkanit dhe Rusi.
Jeton dhe vepron në Sofie të Bullgarisë, themeluese e SPAM Studios.
Zana Hoxha,
E lindur me 1981, është regjisore profesionale e teatrit, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.
Regjisore e më shumë se 20 shfaqjeve teatrore të cilat janë prezantuar në teatrot më të mëdha të Kosovës, në regionin e Ballkanit (Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci).
njëherësh ka prezantuar punën e saj si artiste/aktiviste/trajnere edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Shfaqja e saj “Zgjimi i pranverës” u shpërblye si shfaqja më e mirë e vitit 2020 në Kosovë nga Ministria e Kulturës e Kosovës, si dhe me çmimin Grand Prix në festivalin ndërkombëtar ITF ScupiFestival 2020.
Dino Mustafiq,
Regjisor i mirënjohur, lindur në Sarajevë, ku edhe diplomoi për Regjinë në Akademinë e Arteve, Sarajevë dhe Letërsinë Komparative në Fakultetin Filozofik në Sarajevë.
Gjatë karierës së tij të pasur ka punuar mbi 100 shfaqje të autorëve klasikë dhe bashkëkohorë në teatrot kryesore të rajonit, por edhe në Paris dhe Bratisllavë dhe shumë prej tyre janë shpërblyer në festivalet ndërkombëtare, rajonale dhe nacionale.
Nga 2003 deri 2005 ishte Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar në Sarajevë. Është profesor në Akademinë e Arteve Skenike, Sarajevë. Udhëhoqi festivalin më të vjetër teatror në rajon, MESS, nga 1997 deri 2016./ KultPlus.com
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë publike projektin e kompanisë sllovene që ka fituar konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e sallës së re të sporteve me dorë në Prishtinë, pëcjell Kultlus.
Duke bashkëngjitur fotografitë e projektit, Ahmeti thotë se janë ndarë mjetet dhe është filluar prokurimi për këtë sallë.
KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Ky është projekti i një kompanie sllovene që ka fituar në konkursin ndërkombëtar për sallen e re të sporteve me dorë në Prishtinë te Stacioni i Autobusëve.
Për më shumë, ne kemi ndarë edhe mjetet, dhe kemi filluar edhe prokurimin për këtë sallë super moderne që do të përdorej nga klubet e Prishtinës dhe përfaqësuesja e Kosovës. Sporti zhvillohet nga infrastruktura dhe shpresoj që kryetari Rama mos ta ndërprej këtë projekt të domosdoshëm për Prishtinën.
Kërkoj falje për cilësinë e fotografive të marrë nga libri i projektit kandidues të fituesit./ KultPlus.com
Përdoruesit e Twitter do të mund të votojnë përmes platformës edhe për filmin e tyre të preferuar të vitit 2021, ku filmi me më shumë vota do të shpërblehet gjatë ceremonisë së 27 marsit të çmimeve ”Oscar”.
Iniciativa është rezultat i një bashkëpunimi mes rrjetit social Twitter dhe Akademisë së ”Oscar”-it.
“Ne jemi të ngazëllyer për partneritetin me Twitter për ndihmën që na dha në ndërtimin e një audience digjitale me pamjet e ceremonisë së këtij viti”, shpjegon Meryl Johnson, zëvendësmenaxher dixhital në Akademi.
Filmi më i votuar nga përdoruesit e Twitter nuk do të ketë një kategori zyrtare të ”Oscar”, por do t’i hapë rrugën filmave të refuzuar nga Akademia si për shembull ”Spider-Man: No Way Home”.
Përdoruesit e platformës mund të votojnë deri më 3 mars duke përdorur hashtagun #OscarsFanFavorite.
Mund të votohet edhe për skenën e preferuar të 2021 duke përdorur hashtagun #OscarsCheerMoment, që do të shfaqet gjatë ceremonisë./ KultPlus.com
Mandatory Credit: Photo by Andrew H Walker/Shutterstock (8434891ne)