Letra që shkrimtari kontravers amerikan Henry Miller i shkruan të dashurës Anais:
“…Pa mundur që ju ta vinit re, unë jetoja vazhdimisht me ju. Por kisha frikë ta pohoja – druhesha se mos trembeshit. Sot kisha ndërmend t’ju çoja gjer te dhoma për t’ju treguar akuarelët e mi. Por m’u duk diçka aq e fëlliqur t’ju çoja në atë dhomë mjerane hoteli. Jo, nuk mund ta bëjë këtë gjë. Ju do të më çoni ndokund – në koliben tuaj, siç e quani. Çomëni atje, që të mund t’ju marrë në krahët e mi.
Dhe gënjej, Anais, kur them që nuk dua t’ju adhuroj. A e prisnit që t’jua thosha këtë gjë? Kur pash filmin e Pagnol-it, Mariusin, ëndërroja për ju – ju jeni si ajo anija që niset në det, e vela i keni plotësit të shpaluar, ndërsa drita e diellit ju lazdrohet në trup…
…Anais, nuk di se si ta përshkruaj atë çka përjetoj. Jetoj në pritje të përhershme. Ti vjen dhe koha rrjedh si në ëndërr. Pikërisht kur ikën, bëhem përnjëmend i vetëdijshëm për praninë tënde. Por atëherë është tepër vonë. Ti më topit…” / KultPlus.com
Shumë prej jush do të pajtoheni që gjëja më e mirë e festave të fundvitit janë kokoshkat, një përzgjedhje e mirë filmi, pranë pemës së dekoruar, një ambient i rehatshëm, ndoshta edhe një çokollatë e nxehtë.
“Home Alone” – njëri ndër më të pëlqyerit për festat e fundvitit. Ndoshta, tani për herë të dhjetë po e shikoni këtë film.
Por, ka një listë të gjatë opsionesh brenda asaj të filmave të fundvitit. Këtu, përfshijmë “Bad Santa”, “The Holiday”, “Scrooged”, “Elf”, “Just friends”, “Spirited”, “Gremlins”, “Krampus”, “A Christmas to Remember”, “Falling for Christmas”, “The Family Stone”, “Last Christmas”, “Die Hard”, “The Tower”, “8-Bit Christmas” – janë disa në propozimet nga lista e filmave që ju mund t’i shikoni./21Media/ KultPlus.com
Bija ime, Është natë. Nata e Krishtlindjes. Të gjitha rojet e kështjellës time të vogël i ka zënë gjumi. Flenë vëllai dhe motra jote. Edhe nëna jote tani fle. Vetëm zogjtë, sapo u zgjuan dhe të përgjumur u mblodhën tek kjo dhomë gjysmë e ndriçuar. Sa larg jam nga ti!
Do të më kishte kapluar gjumi, sikur portreti yt, qoftë edhe vetëm për një çast, do të më hiqej nga sytë. Ai është këtu në tryezën time, ngjitur me zemrën time. Ku je ti? Larg, në Parisin e përrallave, në skenat e teatrove të mrekullueshme të Champs Elysees. Unë i njoh mirë ato skena. Në qetësinë e natës dëgjoj hapat e tua dhe shikoj sytë që të shkëlqejnë si yjet në qiellin dimëror. E ndjej, si e luan ti rolin e Bukuroshes Persiane, robinë e Khanit të tartarëve, në këtë spektakël festiv të shkëlqyer.
Vazhdo të jesh e mirë dhe kërce! Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe! Por, kur do të ndjesh se ovacionet dhe mirënjohja e publikut fillojnë të të dehin, apo kur aroma e kurorës me lule të freskëta do të ta mpijnë mendimin, ulu në një qoshe dhe lexo letrën time. Dëgjo zërin e babait tënd. Unë jam babai yt, Geraldina! Unë jam Çarli, Çarli Çaplin! A e di ti sa net kam qëndruar tek shtrati yt, duke të treguar përralla për Bukuroshen e Fjetur dhe për dragonjtë, kur ti ishe fare e vogël ? Dhe kur gjumi m’i rëndonte qepallat e plakura, unë qeshja dhe i thosha: “ Largohu! Gjumi im, këto janë ëndrrat e vajzës time! Unë fle me ëndrrat e saj!” Unë i pashë ëndrrat e tua, Geraldina, pashë të ardhmen tënde, të pashë ty, sot. Unë pashë bijën duke kërcyer në skenë dhe si ajo u ngjit në qiell. Dëgjova publikun të thoshte:”Ej, shikojeni këtë vajzë? Ajo është vajza e gaztorit plak. E mbani mend, e quanin Çaplin?” Po, unë jam Çaplini! Gastori plak! Sot, është radha jote. Kërce! Unë kërceva me pantallona të gjera të shqyera, kurse ti kërcen me fustan të mëndafshtë princeshe. Këto kërcime dhe duartrokitjet e forta, gati të ngjitin në qiell. Fluturo! Fluturo atje! Por, zbrit edhe në tokë! Ti duhet të shohësh jetën e njerëzve, jetën e atyre valltareve të rrugës, që kërcejnë kur dridhen nga të ftohtit dhe uria. Unë isha si ato, Geraldina. Ishin ato netë të magjishme, kur ti flije e nanurisur nga përrallat e mia, e unë rija zgjuar. Shikoja mbi tre fytyrëzat, dëgjoja goditjet e zemrave tuaja dhe pyesja veten :” Çarli, a thua se këto kotele të njohin sadopak?” Ti nuk më njeh, Geraldina.
Shumë përralla të kam treguar në ato netë të largëta, por përrallën time – kurrë. Edhe ajo është interesante. Ajo është përralla e shakaxhiut të uritur, i cili këndoi dhe kërceu në lagjet e varfra të Londrës, dhe më pas mblidhte dashuri. Ja kjo është përralla ime! Unë dija ç’është uria dhe ç’është të mos kesh çati mbi krye. Akoma më shumë, unë provova dhimbjen poshtëruese të kërcimtarit shakaxhi, në gjoksin e të cilit ngrihej stuhia e urrejtjes në një oqean krenarie. Dhe.. këtë krenari, dhimbshëm, e plagosnin monedhat që hidheshin. Megjithatë, unë jetova. Por, le t’i lëmë këto. Më mirë le të flasim për ty. Pas emrit tënd Geraldina, është mbiemri im, Çaplin.
Me këtë mbiemër, për më shumë se dyzet vjet unë hutova mendjet e njerëzve nëpër botë. Qava shumë, edhe pse ata qeshnin. Geraldina, në botën ku ti jeton nuk ka vetëm vallëzim dhe muzikë!. Në mesnatë, kur ti largohesh nga salla madhështore, ndodh t’i harrosh përkrahësit e tu të pasur, por mos harro të pyesësh për gruan e tij, shoferin e taksisë që të çon në shtëpi. Dhe.. në qoftë se ajo është shtatzënë dhe nuk ka para të blejë pelena për fëmijën që do t’u vijë, futi atij ca para në xhep. Herë pas here udhëto me metro ose autobus, ecë me këmbë dhe shiko qytetin Shiko njerëzit! Shiko vejushat dhe jetimët! Dhe.. qoftë edhe njëherë në ditë thuaj vetes: “Unë jam njësoj si ata”. Po, ti je njëra prej tyre, vajza ime!. Ka edhe më. Arti, përpara se t’i japë njeriut krahë që të fluturojë lart, zakonisht, i thyen atij këmbët. Dhe.. po qe se vjen një ditë kur ti do ta ndjesh veten mbi publikun, menjëherë, flake skenën. Me taksinë e parë shko në ndonjë nga zonat e Parisit. Unë i njoh ato shumë mirë! Atje do të shikosh shumë kërcimtare ashtu si ti, madje, më të bukura, më mirënjohëse dhe me krenari të madhe . Atje nuk janë dhe as mendohet të jenë dritat verbuese të prozhektorëve të teatrit tënd. Prozhektor për ato vajza është Hëna. Shiko mirë, vëzhgo! A nuk kërcejnë ato më mirë se ti? Mendo ndershmërisht, vajza ime! Gjithnjë do të ketë nga ato që vallëzojnë më mirë! Dhe mos harro: Në familjen Çarli nuk kishte njerëz pa zemër që të ofendonin taksistin, ose t’u zgërdhiheshin atyre që qëndronin në brigjet e Senës. Unë do të vdes, ti do të jetosh. Unë dua që ti të mos e njohësh, kurrë, varfërinë. Me këtë letër të dërgoj një bllok çeqesh, që të kesh mundësi të shpenzosh aq sa dëshiron. Por, kur të shpenzosh dy franga, mos harro që monedha e tretë nuk është e jotja.
Ajo i takon një njeriu të panjohur, që ka nevojë për të. Një të tillë, ti do ta gjesh kollaj. Mjafton të duash që t’i shikosh këta të varfër të panjohur dhe kudo, do të takosh të tillë. Unë flas me ti për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Unë kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel. Por më duhet të të them, se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh, se pehlivanët në telin e lëkundshëm. Mund të ndodhë, që në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve. Është, pikërisht, ky moment, që të vendos ti mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i paevitueshëm. Në një ditë të bukur mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. Tamam, atë ditë, ti bëhesh një pehlivane pa eksperiencë, dhe…. ata pa eksperiencë bien ngaherë. Mos e shit zemrën tënde për flori dhe gjëra të shtrenjta. Ta dish, brilanti më i madh është dielli. Lumturisht, ai shkëlqen për të gjithë. Dhe.. kur të vijë koha që ti do të dashurosh, duhet ta duash atë njeri me gjithë zemër. Unë i thashë nënës tënde, që ajo të të shkruante lidhur me këtë. Ajo e kupton dashurinë më mirë nga unë, ndaj është më mirë që ajo të flasë me ty për këtë. Puna jote është e vështirë, unë këtë e di. Trupi yt mbulohet vetëm me pak mëndafsh.
Kënaqësia e artit mund të kërkojë që të shfaqesh në skenë edhe lakuriq, por duhet të kthehesh prej andej jo vetëm e veshur, por edhe më e pastër. Unë jam plak dhe fjalët e mia mund të tingëllojnë të çuditshme. Por, sipas meje, trupi yt i zbuluar, duhet t’u përkasë atyre që dashurojnë lakuriqësinë e shpirtit tënd. Mos u frikëso, po qe se kuptimi im për këtë çështje të duket shumë i vjetër dhe u përket kohëve të shkuara. Mos u tremb, këto dhjetë vjeçarë nuk të plakin ti. Por, unë dëshiroj që ti të jesh e fundit, prej atyre që do të bëhen qytetarë të ishullit të karkaculëve. Unë e di, që midis etërve dhe fëmijëve, gjithnjë, zhvillohet një duel. Unë luftoj me veten, me mendimet e mia, vajza ime! Nuk i dua fëmijët e nënshtruar. Ndërkaq, përpara se nga sytë e mi të pikojnë lot mbi këtë letër, unë dëshiroj të besoj, që kjo është nata Krishtlindjeve, nata e mrekullisë. Dua që të ketë ndodhur mrekullia dhe ti, vërtet, t’i kesh kuptuar të gjitha ato që dëshiroja të të thosha. Çarli tani u plak Geraldina. Shpejt ose vonë, në vend të fustanit të bardhë të skenës, do të të duhet të veshësh teshat e zisë, për të ardhur tek varri im. Tani, nuk dua të të shqetësoj më shumë. Vetëm, sa herë do të shihesh në pasqyrë, atje do të shikosh tiparet e mija. Në dejet e tua rrjedh gjaku im. Madje, edhe kur rrjedha e gjakut në arteriet e mia do të ketë ndaluar, unë dua që ti të mos e harrosh babain tënd, Çarli. Unë nuk kam qenë engjëll, por gjithnjë u përpoqa të jem njeri. Përpiqu edhe ti./ KultPlus.com
Galeritë kanë një rol tejet të rëndësishëm në industrinë e artit. Duke qenë një lidhje ndërmjetësuese mes artdashësve, koleksionistëve, talenteve të reja dhe artistëve më të mirë të kohës, galeritë janë hapësira ekspozuese që krijohen për të shitur vepra arti. Ka shumë galeri që punojnë me një portofol të llojllojshëm artistësh. Me një fjalë, përfaqësojnë, mbështesin dhe promovojnë veprat e artit të një artisti/e. Të njëjtën gjë synon ta arrijë edhe Galeria Qahili, e cila më 16 dhjetor të këtij viti ka bërë edhe rihapjen e saj, shkruan KultPlus.
E hapur më 6 maj të vitit 2013, Galeria Qahili është ndërtuar me një vetiniciativë dhe me mbështetjen familjare që është hasur mes njëri-tjetrit. Për këtë rrugëtim mjaft interesant, dëshmitarë janë shumë njerëz që janë pjesë e ekipit, të cilët padyshim që kanë ndihmuar në zhvillimin e galerisë.
Në fakt, Galeria Qahili nuk ka qenë e mbyllur me plot kuptimin e fjalës por gjendej në rinovim. Rinovimi kishte filluar duke pasur në mendje që procesi do të zgjasë vetëm për një muaj, mirëpo kishte kaluar më shumë kohë se që ishte planifikuar në të vërtetë. Në anën tjetër, ka kohë të gjatë që nuk është organizuar asnjë aktivitet në galeri, dhe kësisoj për këtë arsye, për pronarët e saj, kjo situatë u shndërrua në një rikthim që luajti rol të madh në rihapjen e galerisë.
Rihapja e Galerisë Qahili është përcjellë edhe me hapjen e ekspozitës personale të artistit Eshref Qahili, nën emërtimin “Muzeu i Fëmijërisë” si dhe promovimin e monografisë me po këtë emër. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar vepra të Qahilit të cilat nuk janë ekspozuar më parë dhe të gjitha ato padyshim që reflektojnë në zhvillimin e krijimtarisë së tij artistike përgjatë katër dekadave.
“Është një diskutim brenda artit. Është një diskutim me artin dhe kujtimet që ju çojnë përkohësisht në sferën e revistave. Kur e di historinë që qëndron pas veprave, gjithçka rezulton të jetë e pakomplikuar. Nuk ka të bëjë me frikën, por me gjetjen e frymëzimit dhe motivimit që u ndërtuan krahas me shpresën” – pjesë nga monografia, “Muzeu i Fëmijërisë”.
Galeria Qahili ekziston për të krijuar, ruajtur dhe promovuar artin; për të edukuar dhe angazhuar publikun përmes fushave të artit. Misioni i saj mbështetë lirinë artistike dhe ngritjen e marrëdhënies unike midis prodhimit dhe konsumit të artit. Megjithatë, duhet të theksojmë se jo të gjitha galeritë janë të njëjta. Shumica e tyre punojnë sipas një metode dhe organizmi të ngjashëm, por edhe ekzistojnë lloje të ndryshme galerish arti që i kthehen rrugëtimit kundrejt procedurave tjera të veçanta në formën e vetë.
Në një intervistë për KultPlus, artisti Eshref Qahili ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë rihapje të galerisë që përkoi me hapjen e ekspozitës “Muzeu i fëmijërisë”.
“’Muzeu i fëmijërisë’ është një ekspozitë personale e imja. Ishte ideja e Nites (vajza e Eshref Qahilit, njëkohësisht udhëheqësja e galerisë) që galeria të hapet me pikërisht këto punime, punime që nuk janë ekspozuar më herët, e që janë ndër ciklet e fundit që i kam punuar. Punimet trajtojnë një periudhë të jetës sime që nga vitet e 90-ta e deri më tani”, thotë Qahili.
Sipas tij, ai ndjehet çdoherë i entuziazmuar kur e ekspozon punën e tij. Sa herë që ai ekspozon, për të është sikurse ekspozimi për herë të parë në jetë.
“Gjatë tërë këtyre viteve unë kam reflektuar në përvojën time, në gjërat që i kam përjetuar por gjithashtu gjërat që populli ynë i ka përjetuar. Është një proces mjaft interesant, pasi që nëse kthehesh prapa në kohë dhe e shikon punën tënde, atëherë e kupton se si je zhvilluar e krijuar si artist”, shpalos tutje ai.
Promovimi i monografisë me po të njëjtin emër sikurse ekspozita, konsiderohet të jetë diçka jo klasike.
“Promovimi i librit nuk ishte diçka klasike por ishte një qasje tjetër. Megjithatë, ishte e rëndësishme që këto të bëhen në të njëjtën kohë, pasi që ideja e Nites ishte që të tregohet procesi im si artist, si dhe aktivitet e larmishme që priten të organizohen dhe mbahen në galeri”, tregon Qahili.
Për fund, për planet e ardhshme të galerisë, ai ka thënë se tashmë është krijuar një plan i detajuar. Pra, do të ketë ekspozita, diskutime, programe të edukimit e shumë aktivitete të tjera që priten të shpalosen më konkretisht përgjatë një programi të caktuar.
Kujtojmë që ekspozita personale e artistit Eshref Qahili, “Muzeu i Fëmijërisë” do të qëndrojë e hapur deri më 16 janar. Përgjatë kësaj periudhe do të organizohen aktivitete të tjera përcjellëse për të cilat do të njoftoheni përkatësisht. / KultPlus.com
Më 26 dhjetor 1968 në kuvendin federativ të RSFJ u aprovuan amendamentet në kushtetutë, me të cilat u zgjerua autonomia e krahinave të Kosovës dhe Vojvodinës duke u dhënë statusin e ngjajshëm me atë të republikave. Krahinat fituan kushtetutën krahinore. Krahina e Kosovës dhe Metohisë e mori emrin Kosovë.
Përkundër kontributit në luftën kundër fashizmit, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli për shqiptarët rezultatet e pritura dhe realizim të vullnetit të njohur për vetëvendosje dhe për një shtet të përbashkët. Përkundrazi, tokat shqiptare u copëtuan, synimet kolonialiste të Serbisë nuk u ndërprenë, ndërsa dhuna ndaj shqiptarëve vazhdoi.
Padrejtësitë ndaj shqiptarëve bënë që një pjesë e madhe e tokave të tyre të mbeten të aneksuara nga shteti jugosllav, si vazhdimësi e aneksimit të Serbisë hegjemoniste e kolonialiste. Të gjetur në një situatë të tillë dhe përballë masave shtypëse ushtarako – policore të regjimit jugosllav, të cilat vazhdonin të rëndoheshin, populli shqiptar detyrohej të rezistonte në mbrojtje të ekzistencës e të identitetit të tij, por edhe për të përmbushur vullnetin legjitim të tij politik e kombëtar.
Të privuar nga çfarëdo e drejte kombëtare nga politikat shtypëse e kolonizuese të Serbisë në kuadër të Jugosllavisë, pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 1968 shqiptarët nisën demonstratat për të drejtat e tyre politike e kombëtare, ku për herë të parë u kërkua publikisht që Kosova të bëhet Republikë, që popullit shqiptar t’i njihet e drejta për vetëvendosje, përdorim të lirë të flamurit kombëtar, universitet shqip, ndalje të kolonializmit serbë dhe të drejta të barabarta me kombet tjera.
Demonstratat e vitit 1968 bënë një kthesë të madhe të gjendjes së shqiptarëve dhe afirmuan çështjen e Kosovës si çështje të pazgjidhur, shpërfaqen dhunën dhe politiken shtypëse serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve, por edhe afirmuan vendosmërinë e popullit shqiptar në rrugën e pandalshme të avancimit të të drejtave të tyre për Republikë e bashkim kombëtar.
Për rrjedhojë, demonstratat nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, të rinisë, studentëve, punëtorëve e gjithë popullit pa dallim, vulosën të drejtën dhe vullnetin e shqiptarëve për krijimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje. Viti 1968, ishte vit i protestave e demonstratave kudo në Evropë e botë, por për shqiptarët ngërthen një ngjarje të patejkalueshme, themeltare për përpjekjet e rezistencën që do të vinte më pas, luftën çlirimtare e shpalljen e pavarësisë.
Pesëdhjetë vjet nga atëherë, si një ngjaje tanimë monumentale, na kujton se ecja drejt lirisë e pavarësisë ishte ecje nga ngjarja në ngjarje, secila e frymëzuar nga pararendësja e që frymëzonte e mundësonte pasueset. Përpjekjet për ta ndërprerë dialektiken e prosperitetit të shqiptarëve janë tentim për zvetënim. Tabani i rezistencës me demonstratat e 68-së, 81-së, 90-së e 97-së për të kulmuar me luftën çlirimtare ka përcaktuar jo vetëm të tashmen tonë por do të përcaktojë edhe të ardhmen e shqiptarëve. Demonstratat e nëntorit të vitit 1968, ashtu si edhe demonstratat pasuese e lufta e UÇK-së shënojnë hallkat e vazhdimësisë së lëvizjeve për çlirim kombëtar, të filluara që me Lidhjen e Prizrenit.
Në demonstratat e vitit 1968, u manifestua vetëdije e lartë kombëtare e politike dhe u dërgua mesazh i qartë, që shërbeu si frymëzim për shqiptarët edhe më pas, sikurse do të vazhdojë të na orientojë edhe në të ardhmen. Jehona e brohoritjeve të atëhershme “Vetëvendosje”, “Kosova Republikë” etj, kumbon edhe sot, kur pretendimet e Serbisë për Kosovën mbesin po ato. Politikat hegjemoniste të Serbisë, përkundër krimeve e gjenocidit, nuk kanë ndryshuar në raport me trajtimin e shqiptarëve dhe aspiratat për tokat tona as pesëdhjetë vite më pas. Me kanosjen e vazhdueshme nga këto politika, mobilizimi gjithpopullor në mbrojtje të Republikës dhe tokave tona mbetet angazhimi më sublim të cilën brezat e demonstratave të 68-s na e lanë si shëmbëlltyrë dhe rrugë, për ta përdorur atëherë kur politikat udhëheqëse të konjunkturës bëhen hisedarë a symbyllur në një rrezik të tillë. / KultPlus.com
Pedagogia Caroline Wilkinson nga universiteti i Liverpool-it ka ilustruar portretin “më realist” të Babagjyshit të Vitit të Ri.
Ky është portreti që i përafrohet më së miri portretit të vërtetë të Babagjyshit
Bëhet fjalë për Shën Nikollën, një peshkop që ka jetuar në shekullin e katërt dhe që i pëlqente të shpërndante dhurata fshehurazi. Imazhi i tij është krijuar duke përdorur një sistem rindërtimi të fytyrës dhe teknologji 3D nga Face Lab i Universitetit John Moores të Liverpool.
Caroline Wilkinson ka thënë se ajo është bazuar në “të gjithë materialin historik të disponueshëm”.
Shenjtori, i cili vdiq në vitin 343, ishte peshkopi grek i Myra. Qyteti, i njohur tani si Demre, shtrihet në bregdetin jugor të Turqisë. Thuhej se ai kishte lënë dhurata sekrete, të tilla si vendosja e monedhave në këpucë që i kishin lënë jashtë, duke e bërë atë model për Babain e Krishtlindjeve. / KultPlus.com
Poezi nga William Ernest Henley. Përkthyer në burg nga Visar Zhiti.
Jashtë natës që më mbulon mua E zezë si ferri deri në polet, Zotat, cilëndo, t’i falenderoj dua Për shpirtin tim që nuk lodhet. Nën kthetrat-tmerr të rrethanave S’u drodha dhe nuk klitha, oh! Fati me rënie të çomangave M’i përgjaku kryet, s’i ula, jo. Kudo na ndjek ankth’ i hijeve Në baltë lotësh, ashtu të shëmbur. Por mua kërcënim i viteve Gjithnjë më gjen të pa trëmbur. I rëndë qoftë çdo dënim Dhe le t’mos hapet porta dot, Zotërues jam i fatit tim, I shpirtit tim jam unë Zot./ KultPlus.com
Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur, që gjatë karrierës së tij i ka sjell publikut mjaft këngë me tekste të bukura, të shoqëruara me zërin e tij unik, shkruan KultPlus.
Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.
Sonte po e risjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se pas restaurimit, shtëpia e piktorit, Hamdi Bardhi, në Prizren tanimë funksionon, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka ndarë edhe disa fotografi nga pjesa e shtëpisë së restauruar.
Postimi i plotë:
“Shtëpia e piktorit Hamdi Bardhi në Prizren ishte në prag të rrënimit. Pas restaurimit, monumenti pret të ketë funksion. Edhe një punë e mirë, trashëgimia jonë në shërbim të komunitetit, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Është kshnellë. Shpati dhe kodra Mbulu janë dendur nga bora Po, bota është e tanë Krejt e bardhë e bardhë.
Dritoret e fshatit shndrinë Stolat vinë ëmbëlsueshëm Dhe tata shpërthen e trokëllinë Fëmijët kërcejnë gëzueshëm Dashnia brohoret dhe ndriçon Kudo nëpër dhomë përhapen fije Dhe me fëmijët nëna këndon: A t i i q i e ll i t n a l i n d i.
Është kshnellë. Shpati dhe kodra Mbulu janë dendur nga bora Po, bota është e tanë Krejt e bardhë e bardhë.
Në kasolle gruaja ndënjon Në përhumbje çon mundet Foshnjen e vdekur sheh poshtë Oh, dobësi e duarve që puthen Dritëz qiriri ndriçon Gruaja mbështetet përndaj Dhe këndon – zemra i gufon: A t i i q i e ll i t n a l i n d i.
Është kshnellë. Shpati dhe kodra Mbulu janë dendur nga bora Po, bota është e tanë Krejt e bardhë e bardhë.
Shqipëroi: a. s. (varianti I) August ŠENOA (Zagreb 1838. – 1881.), gazetar dhe letrar kroat. Shkrimtari më me ndikim dhe më produktiv i shekullit të XIX, përkatësisht formësuesi i letërsisë moderne kroate. /KultPlus.com
KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të Charlie Chaplin-it.
-Kam falur gabime gati të pafalshme, kam provuar të zëvendësoj persona gati të pazëvendësueshëm dhe kam harruar persona të paharrueshëm. Kam vepruar sipas momentit. Jam zhgënjyer nga njerëz që nuk mendoja kurrë që mund të zhgënjehesha… por edhe unë kam zhgënjyer. Kam mbajtur dikë mes krahëve të mi për ta mbrojtur; jam bërë mik përjetë. Kamqeshur kur nuk ka qenë e nevojshme.
-Kam dashuruar, më kanë dashuruar, por edhe më kanë refuzuar. Më kanë dashuruar dhe unë nuk kam ditur si tua kthej dashurinë. Kam bërtitur dhe jam hedhur përpjetë për kaq shumë gëzime. Kam jetuar për dashurinë dhe kam bërë premtime në emër të saj. Kam qarë duke dëgjuar muzikë e duke parë fotografi të mbushura me kujtime.
-Kam telefonuar thjesht për të dëgjuar një zë. Jam dashuruar vetëm me një buzëqeshje. Kam pasur frikë se mos humbisja një person shumë të veçantë, të cilin gjithsesi e kam humbur, por kam mbijetuar dhe jetoj akoma! E rëndësishme është të luftosh me vendosmëri, ta përqafosh jetën me pasion dhe ta jetosh atë.
-Humbi betejat me klas, por guxo të fitosh, sepse bota u përket atyre që guxojnë të jetojnë! Jeta është shumë e shkurtër për të qenë e parëndësishme. / KultPlus.com
Filma të tillë si Top Gun: Maverick, Jurassic World: Dominion dhe, së fundmi, Avatar: The Way of Water kanë arritur përfitime të mëdha në arkë në vitin 2022.
Ky është një lajm i mirë për adhuruesit e filmit dhe industrinë e kinemasë.
Lajmi i keq është se numri i audiencës së këtij viti ende nuk është afër niveleve para pandemisë.
A mund të jetë viti 2023 kur industria deklaron triumfalisht se gjërat janë kthyer aty ku ishin përpara Covid-it?
Këtu keni një përzgjedhje prej 23 titujsh që do të dalin në 2023 (në rend kronologjik të publikimit) që mund të jenë vendimtare për të diktuar se sa shpejt rimëkëmbet kinemaja.
Till
Empire of Light
Tár
Holy Spider
The Fabelmans
The Whale
Magic Mike’s Last Dance
Luther
Guardians of the Galaxy Vol. 3
Fast X
Killers of the Flower Moon
Spider-Man: Across the Spider-Verse
Indiana Jones and the Dial of Destiny
Mission: Impossible – Dead Reckoning Part One
Barbie
Oppenheimer
Next Goal Wins
Dune: Part Two
Chicken Run: Dawn of the Nugget
The Hunger Games: The Ballad of Songbirds and Snakes
Më 25 dhjetor 1918 nisi punimet Kongresi i Durrësit, i cili zgjodhi qeverinë me kryeministër Turhan Pashë Përmetin, si dhe caktoi delegacionin shqiptar për në Konferencën e Paqes në Paris. Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm ku shprehej ruajtja e pavarësisë, tërësia tokësore e shtetit shqiptar dhe rishikimi i kufijve të vitit 1913.
Kongresi i zhvilloi punimet më 25-27 dhjetor 1918. Morën pjesë mbi 50 delegatë. U zgjodh një qeveri e përkohshme me 14 anëtarë. Kongresi vendosi të formohej edhe një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë.
Delegatët e mbledhur në Kongresin e Durrësit u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës në favor të tij dhe për t’ia paraqitur këto kërkesa Konferencës së Paqes.
Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Por në organizimin e shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane.
Këta i kërkonin më 6 tetor 1918 “Vatrës” të dërgonin në Itali përfaqësuesit e tyre, për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike, me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes. Ndërsa Mehmet Konica arriti në Romë më 19 nëntor, i pritur me ngrohtësi nga italianët.
Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi, që kishte në fillim, për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët që erdhën nga Roma për në Shqipëri ishin të këshilluar të formonin jo një qeveri, por një këshill ose komitet kombëtar.
Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur as brenda vendit as jashtë tij, por duhej të gjente një vegël në duart e politikës italiane. Në fund të nëntorit 1918 u aprovua formimi i këshillit kombëtar i ideuar nga Gaetano Manconi, duke porositur që këshilli të formohej sa më parë në Durrës me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj. Por në të dyja rastet, si një qeveri po edhe një këshill, për t’i formuar këto organe duhej të mblidhej kongresi kombëtar.
Ky kongres u hap në pasditen e 25 dhjetorit 1918 me pjesëmarrjen e 53 delegatëve. Ata vinin nga pjesa më e madhe e vendit, e cila ishte nën pushtimin e Italisë. Por në kongres nuk merrnin pjesë nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos njiheshin delegatët e këtij qyteti.
Në kongres mungonin edhe përfaqësuesit e krahinës që ishin nën pushtimin serb, Peshkopia e Lumës dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, si qyteti i Korçës.
Këta kanë qenë faktorët të cilët bënin të mundur elektrizimin e zhvillimeve në Kongresin e Durrësit. Por në Durrës nuk kishin ardhur vetëm delegatët, por edhe shumë figura të tjera politike.
Ja si e pasqyron gazeta “Agimi”, “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”.
Por përfaqësuesit e Durrësit, pa kaluar ende në diskutimin e rendit të ditës, shprehën shqetësimin edhe për mungesën e pjesëmarrjes së delegatëve e të gjitha krahinave të Shqipërisë.
Delegatët, që në fillim të punës shfaqën besim ndaj fituesve të luftës, duke e shoqëruar me një përshëndetje e në mënyrë të veçantë Ëilsonit, “i cili kishte shpallur parimet e vetëvendosjes së popujve”. Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm.
Aty shprehej ruajtja e pavarësisë, tërësia tokësore e shtetit shqiptar dhe për rishikimin e kufijve të vitit 1913. Për çështjen që lidhej me statusin juridik të këtij shteti dhe animi politik ndaj njërës apo tjetrës fuqi fituese, për të cilin kishte mosmarrëveshje, ata vepruan në mënyrë të heshtur dhe në kompromis me njëri-tjetrin.
Ky program kishte në themel mbrojtjen e të drejtave në Konferencën e Paqes nga qeveria e Durrësit, kërkimin e kufijve etnikë të Shqipërisë, mbajtja e qetësisë brenda vendit.
Programi përbënte një hap përpara në lëvizjen kombëtare shqiptare, por duhet vlerësuar në kushtet kur Shqipëria gjendej e pushtuar nga ushtritë e huaja dhe nën trysninë e copëtimit nga fqinjët e saj.
Në këtë pikëpamje, studiuesit e kësaj periudhe, ndonëse e vlerësojnë pozitivisht Kongresin e Durrësit, nuk kishin bërë ndonjë koment ose vlerësim lidhur me programin e qeverisë. Mendimi i historisë shqiptare pas luftës ka mbajtur një qëndrim kritik kundër mbështetjes që i dha “Vatra” kompromisit me Italinë lidhur me formimin e qeverisë së Durrësit.
Por, duke bërë një studim të kujdesshëm të periudhës në të cilën u arrit kjo marrëveshje, duket se ky qëndrim është i drejtë. Ky konkluzion rrjedh si rezultat i ndryshimit të kushteve të Shqipërisë në përfundim të luftës, parë nëpërmjet disa faktorëve. Si prishja e ekuilibrave politikë në Ballkan, si rezultat i shpërbërje së Perandorisë Austro-Hungareze dhe humbjes së luftës. /DiasporaShqiptare /KultPlus.com
Ishte dhurata prej 10 miliardë dollarësh për botën. Një makinë që do të na tregonte vendin tonë në Univers, përcjell KultPlus.
Teleskopi Hapësinor James Webb u lançua saktësisht një vit më parë, në ditën e Krishtlindjes. U deshën tre dekada për të planifikuar, projektuar dhe ndërtuar.
Shumë pyesnin nëse ky pasardhës i teleskopit të famshëm Hapësinor Hubble mund të përmbushte pritshmëritë.
Agjencitë hapësinore amerikane, evropiane dhe kanadeze organizuan një festë në korrik për të publikuar imazhet e para me ngjyra.
Ndërkaq, më poshtë mund të shihni disa prej fotografive të publikuara nga James Webb së fundmi. /KultPlus.com
Janë bërë 113 vite që nga lindja e gjuhëtarit dhe albanologut, Selman Riza, shkruan KultPlus.
Selman Riza u lind më 25 dhjetor 1909, në Gjakovë, teksa shkollimin e vazhdoi në Shqipëri, në shkollën “Naim Frashëri” të Tiranës dhe Liceun Kombëtar të Korçës.
Në vitin 1932, fitoi një bursë për të ndjekur studimet në Universitetin e Tuluzës në Francë ku brenda tre vjetësh kreu dy fakultete. Gjatë viteve 1932-1935 mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë.
Me 28 nëntor 1939, në demonstratën madhështore të organizuar në Korçë, në Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë, Selman Riza u arrestua e u burgos, prej policisë fashiste sepse ishte kundër pushtimit Italian.
Në korrik të vitit 1942 kthehet në Kosovë ku me anë të veprimtarisë së tij politike synonte që përmes Lëvizjes Antifashiste, të cilën e kryesonte, të bëhej bashkimi i Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare në Maqedoni, me Shqipërinë.
Vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, arrestohet e burgoset në Tiranë. Me kërkesën e Jugosllavisë, tre muaj pas qëndrimit në burgun e Tiranës, Selman Riza transferohet në burgun e Prishtinës, për t’u dënuar e gjykuar si “anti-jugosllav”.
Pasi kthehet për herë të fundit në Shqipëri nën diktaturën komuniste, e largojnë nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, si “mbeturinë borgjeze” dhe e çojnë si ciceron në Muzeun e Beratit e më tej në bibliotekën e qytetit dhe në 1970 e nxjerrin në pension të parakohshëm.
Disa nga veprat e tij janë: “Tri monografina albanologjike” Tiranë,1944, “Fillimet e gjuhësisë shqiptare” Prishtinë,1952, “Gramatika e sërbo-kroatishtes”, Prishtinë,1952, “Pronorët e shqipes”, Tiranë,1958, “Pesë autorët më të vjetër të shqipes”, Tiranë,1960, “Emrat në shqipen”, Tiranë,1964 etj.
I kaloi vitet e fundit në Tiranë, nën mbikqyrjen e Sigurimit ku ndërroi jetë në 16 dhjetor 1988. / KultPlus.com
Festat e fundvitit ndryshe njihen edhe si sezona ku jepen dhurata, dashuri, lumturi e shumë gjëra të tjera. Përtej mbështjelles së dhuratave në letër, në Prishtinë gjatë ditës së sotme ka ndodhur edhe një aktivitet tjetër, i cili tanimë është bërë i përvjetshëm, minimaratona “Vrapo Babadimër”.
Edicioni i shtatë i eventit “Vrapo Babadimër” u mbajt sot në Prishtinë, ku i gjithë kryeqyteti u mbush me babadimra, për të dhuruar për familjët në nevojë duke vrapuar në një shteg dhe duke dhuruar për të tjerët, shkruan KultPlus.
Organizatori i këtij manifestimi, Jusuf Islami, në një intervistë për KultPlus ka thënë se ky edicion ishte shumë i veçantë.
“Vrapo Babadimër edicioni i shtatë ka qenë një ndër edicionet më të bukura që ka qenë ndër vite, ku edhe na ka nderuar me prezencën e tij edhe kryetari i Komunës së Prishtinës. Rreth 1500 babadimra kanë qenë prezentë që e kanë zbukuruar qytetin”, tha ai.
Islami tregon se ata do të ndihmojnë rreth 200 familje në nevojë dhe gjithashtu edhe fëmijët në repartin e onkologjisë.
“Ne do t’i ndihmojë rreth 200 familjeve që janë në nevojë dhe fëmijëeve në repartin e onkologjisë. Ky është një aktivitet që po bëhet më i mirë vit pas viti. Gjithashtu, mund të shtojë se ky event është bërë edhe lajm nëpër media botërore, ka qenë një edicion që nuk do të harrohet lehtë. Me qytetin e dekoruar dhe gjithë babadimrat e pranishëm, shënuam një edicion tjetër të suksesshëm”, përfundon organizatori Islami.
“Vrapo Babadimër” shënoi edicionin e tij të shtatë, duke mbledhur njerëz nga e gjithë Kosova dhe duke i bërë bashkë për një kauzë të madhe, siç është ndihma për të tjerët. /KultPlus.com
Festat e fundvitit i kanë shtuar shkëlqimin kryeqytetit, duke sjellë atmosferë të gëzueshme në rrugë e sheshe.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale, mbrëmjen e sotme në vigjilje të Krishtlindjes, pamje nga Tirana e dekoruar me zbukurimet shumëngjyrëshe.
Dekori festiv i shtrirë në të gjitha rrugët i ka dhënë një pamje mahnitëse Tiranës. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” si çdo vit ofron pamje spektakolare, ku reflektimi i dritave krijon një rrugë të bardhësisë qiellore mes për mes qytetit.
Kthyer tashmë në traditë, nuk mungojnë zbukurimet në sheshin “Skënderbej” ku dritat reflektojnë me mijëra ngjyra atmosferën e festave të fundvitit. /atsh /KultPlus.com
Përveçse me role që e kanë skalitur në kinematografi, siç është ai i endacakut, Charlie Chaplin ka lënë edhe shumë aforizma brilantë, shkruan KultPlus.com
KultPlus jua sjell 11 thëniet me mesazh shumë të qartë :
Jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me Njeriun.
Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë pak.
Një prej ironive të jetës është që të bësh gjënë e gabuar, në momentin e duhur.
Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet.
Një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm.
Karakteri i vërtetë i një burri shfaqet kur ai është i dehur.
Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të!
Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë.
E qeshura është zbutësi i dhimbjes.
Dëshpërimi është një narkotik. Ai e vë mendjen në gjumë dhe e shpie drejt indiferencës.
Jeta do të ishte e mrekullueshme, nëse njerëzit do të mund të të linin rehat./KultPlus.com
Çka është duke ndodhur po pyetemi, në strehët tona të kufizuara në naivitetin ideologjik. Në strehët tona që na mundësojnë gjykimin, e çdo gjëje dhe të çdokujt. Në të vërtetë ne jemi duke linçuar njëri tjetrin. Ne si shoqëri, me pastërtinë tonë, jemi duke vrarë njerëz. Edhe krimineli më i tmerrshëm është rritur, ushqyer dhe forcuar për krimin e kryer nga vetë ne, nga shoqëria jonë.
Lufta përbrenda vendit tonë. Akademia e cila i frynë zjarrit. Taborët politike që me zor kanë marrë përsipër edhe – edukimin e masave – e që është shtypjen e frustrimit dhe të pakënaqësisë në emër të ‘luftës’, dhe pyetemi çka po na ndodhë.
Pastaj ekstremizimi religjioz, në raport të drejtë me mënyrat e reja të jetës, prej LGBT deri tek Big Brother, dhe pyetemi çka po na ndodhë. Hapja e shoqërisë, derisa në njërën anë shpallet pushtimi Otoman si ‘depërtuese’ e jo pushtuese e jona, derisa në anën tjetër lirinë seksuale e përjetojmë si tradhti e dominim të partnerit.
Pastaj shthurja e sistemeve të edukimit, të mbetura në rrugë të verbra të komunizmave dhe të patriotizmave, derisa po i njëjti problem është uzurpuar si armë politike nga partitë politike.
Kjo është luftë për pushtet. Luftë për dominim ideologjik. Luftë për të ‘luftuar’!
Ideologjitë të cilat e udhërrëfejnë shoqërinë tonë janë saktësisht shtypja brenda shoqërisë sonë. Të gjitha fenomenet e lartcekura janë kriza e të qenit të hapur si shoqëri. Dhe pikërisht hapja e shoqërisë sonë është nën furinë e globalizimit. Është paradoksale por jo edhe e pamundshme, tanimë debatet, diskutimet, dhe vetëdijesimet i paraprijnë krimeve. Këto të fundit duke ndodhur nën presionin e ideologjive në veprim.
Vrasjet, dënimet, barrikadat, esktremizmat fetarë, festivali I këngës, Big Brother, etj, secila duke fyer tjetrën masë të shoqërisë. A janë në të vërtetë, këto, probleme tonat? Apo janë kryengritje e vetëdijes sonë, të të qenit të pafuqi për të jetuar sipas zgjedhjeve tona . A nuk e ka dezintegruar kjo deri në asgjë çfarëdo përpjekje për një shoqërore. Apo janë probleme të shoqërive të brishta që tentojnë të dalin nga turma. Apo janë politikë e mbetjeve të forcave të ideologjive në rrënim e formim e sipër.
Prej nga vijnë vrasësit e nënave, vrasëset e fëmijëve të tyre, të gjuajtur në kontejnere mbeturinash?
Duke u ndalur vetëm tek vrasjet, a nuk janë këta vrasës nga shoqëria jonë? A nuk janë rritur, ushqyer dhe forcuar deri në vrasës po të njëjtit nga shoqëria jonë. A nuk vijnë të gjithë vrasësit nga shoqëritë e tyre, qoftë në Serbi e qoftë në ndonjë vend tjetër.
Por ne distancohemi nga ato sikur të ishin akte jashtëtokësore. Apo edhe të panjohura. Apo edhe të trajtuara si akte të paparashikueshme të çrregullimeve mendore. Por nëse kjo e fundit do të ishte shpjegimi më i saktë, në të vërtetë këto akte të çrregullimeve nuk janë të atypëratyshme, janë të ushqyera, krijuara e të lindura në shoqërinë tonë prej se jemi.
Në të vërtetë ne vrasim prej se jemi. Derisa vrasja ishte e kulturëzuar në kodet e Lekë Dukagjinit, dhe deri këtu ku çdonjëri prej nesh ka kaluar në vrasës potencial.
Trajtimit të vrasjeve, dhe aq më shumë vetë mënyra e trajtimit të problemeve tona përmban një hipokrizi, që është shkalla e parë e devijimit etik:
Uzurpimi i edukimit të shoqërisë ndaje shfaqjes së këtyre fenomeneve, por edukimit ndaj tyre vetëm hapur, dhe vetëm publikisht, derisa po e njëjta ideologji është vetë shtypja.
Matja e krimeve më të tmerrshme me naivitetin me të cilin kemi jetuar deri tash. Por ky naivitet ka qenë ideologjik, naivitet i cili ka bërë të pavërejtshme po të njëjtat vrasje të cilat po na “trondisin” sot.
Ideologjitë në dominim kanë krijuar përshtypjen se çdo gjë po diskutohet dhe se është një vetëdijesim. Por ky diskutim shoqëror, dhe ky vetëdijesim është selektiv, është e vërtetë e selektuar.
Pikërisht ata që janë bartësit e shtypjes që po ndodhë, janë të përjashtuar nga diskutimi, nga vetëdijesimi./KultPlus.com
E mban mënd, moj Marë, dashurin’ e parë? Njeri nuk e gjegji, se jeshmë te vegji. Unë pa ty s’rrojë, vij’ e të kërkojë; tl pa mua s’rroje, vij’ e me kërkoje. Në lule me erë putheshim ngahere, dhe si burr’ e grua losnim nënë ftua. Një ditë, të dyza losnim mbylla-syza: U fshyem pa dukur Cinë të besoj taninë, perëndin’ a dashurinë? Perëndi në këte jetë është dashuria vetë. —— Bukuria jote, leshërat e tua posi pëndë korbi, të gjata mbi thua,ballëtë si diell, faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë, mesi yt i hollë,sisëtë si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,buzët si burbuqe, sytë si gështënjë, dora si dëborë, fjala jote mjaltë, kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë; gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua, po zëmëra jote u bë gur për mua! —– Pika-pika bie shiu dhe dëbora flokë-flokë, vetëtin e fryn veriu, breshëri kërcet mi tokë! Le të fryjë er’ e ftohtë, s’ka ç’më bën dimëri mua: Dashuria më mban ngrohtë, se pushtoj atë që dua. Kur fryn era me tallas, kur bie dëbor’ e shi, sa flë njeriu me gas, kur ka mikenë në gji!/KultPlus.com
Seriali “The Crown” është duke u përballur me një mori kritikash mbi skenat që po cilësohen si “të pamëshirshme”, të cilat realizohen në përpjekje të rikrijimit të historive të familjes mbretërore.
Kësisoj, në një nga skenat e xhirimeve, aktorja Elizabeth Debicki, e cila luan në rolin e Princeshës Diana, është detyruar të shtrihej brenda një arkivoli, vetëm që ndjekësit e serialit ta shihnin “princeshën e vdekur në arkivolin e hapur”, shkruan The Sun, transmeton Klankosova.
Disa prej shikuesve të skenave dhe anëtarëve të ekipit duket të jenë tmerruar nga skenari i rëndë i këtij prodhimi kinematografik.
“Ata në fakt e bënë Elizabetën të shtrihej në një arkivol dhe të luante rolin si Princesha Diana e vdekur. Shikuesit do të shohin një prift francez që administron ritet e fundit për Dianën pasi ajo shpallet e vdekur”, tha një prej personave pjesëmarrës në xhirimet e serialit.
Ndërsa, një tjetër shtoi se – “Princat William dhe Harry nuk e panë kurrë nënën e tyre të vdekur në një arkivol dhe ata nuk duhet ta shikojnë këtë. As publiku britanik”./ KultPlus.com
Fëmijët e “gllabëruar” nga lufta, kjo është dhimbja e Papës në këtë prang Krishtlindjesh, raporton Ansa.
“Edhe këtë Krishtlindje, një njerëzim i pangopur nga paratë, fuqia dhe kënaqësia nuk bën vend, siç ishte për Jezusin, për të vegjlit, për kaq shumë fëmijë të palindur, të varfër, të harruar. Unë mendoj mbi të gjitha për fëmijët e gllabëruar nga luftërat, varfëria dhe padrejtësia. Por Jezusi, ai vjen pikërisht atje, një fëmijë në grazhdin e mbeturinave dhe të refuzimit. Në të, fëmija i Betlehemit, ka çdo fëmijë. Dhe ka një ftesë për të parë jetën, politikën dhe historinë me sy i fëmijëve”, tha ai në predikimin e tij në prag të Krishtlindjes.
Papa Françesku mbërriti në bazilikë me një karrocë me rrota dhe gjatë festës shfaqej paksa i lodhur, herë pas here me zë të ngjirur. Shtatë mijë besimtarë në bazilikë dhe tre mijë të tjerë për të ndjekur meshën nga sheshi i Shën Pjetrit në ekranet gjigante.
“Sigurisht, nuk është e lehtë të lëmë ngrohtësinë e ngrohtë të botës për të përqafuar bukurinë e zhveshur të shpellës së Betlehemit, por le të kujtojmë se nuk janë vërtet Krishtlindje, paralajmëron Papa, pa të varfrit. Pa to ne festojmë Krishtlindjen, por jo atë të Jezusit. Vëllezër, motra, në Krishtlindje Zoti është i varfër: bamirësia u rilind! Të mos e lëmë të kalojë kjo Krishtlindje, pa bërë diçka të mirë”, tha Papa./KultPlus.com
“Sapo fillova ta dua veten, e zbulova se ankthi dhe vuajtja emocionale janë vetëm shenja paralajmëruese që më tregonin se unë isha duke jetuar në kundërshtim me të vërtetën time. Sot e di, ky është “AUTENTICITETI”.
Sapo fillova ta dua veten e kuptova se sa ofenduese mund të jetë për një person nëse unë tentoj ta i’a imponoj dëshirat e mia, edhe pse e dija se nuk ishte koha e duhur dhe personi nuk ishte i gatshëm për atë. Sot unë këtë e quaj “RESPEKT”. Sapo fillova ta dua vetën unë nuk pata më dëshirë për një jetë më ndryshe, dhe mund ta shihja se çdo gjë që më rrethonte, me ftonte të rritesha. Sot këtë e quaj “PJEKURI”. Sapo fillova ta dua veten, unë e kuptova se në çfarëdo rrethana, unë jam në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, dhe se çdo gjë ndodh saktësisht në momentin e duhur. Kështu që unë mund të jem i qetë. Sot këtë e quaj “VETË – BESIM”. Sapo fillova ta dua veten, unë ndalova së vjedhuri kohën time, dhe ndalova së krijuari projekte të mëdha për të ardhmen. Sot, unë e bëjë vetëm atë që më sjell kënaqësi dhe lumturi, i bëjë gjërat që i dua dhe që ma ngazëllejnë zemrën, dhe ato i bëjë në mënyrën dhe në ritmin tim. Sot këtë e quaj “THJESHTËSI”.
Sapo fillova ta dua veten, unë ndalova së tentuari për të pasur gjithmonë të drejtë, dhe kurrë s’kam qenë më pak herë gabim prej atij momenti. Sot unë e zbulova se kjo është “MODESTI”. Ne s’kemi më nevojë ti frikësohemi argumenteve, konfrontimeve ose cilitdo problem me veten tonë ose me të tjerët. Madje edhe yjet përplasen dhe nga përplasja e tyre lind një botë e re. Sot e di e “KJO ËSHTË JETA”./ KultPlus.com