Ura e Kurçajt, atraksion turistik kulturor, në simbiozë me natyrën e mrekullueshme

Punimet për restaurimin e urës së Kurçajt në Krujë, e cila ishte dëmtuar nga tërmeti, kanë përfunduar.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të punimeve, u shpreh se, “e ndërtuar në shek. XVIII si pjesë e rrugës së karvanëve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë Ura e Kurçajt është një pikë lidhjeje me historinë”.

“E dëmtuar nga tëmeti i vitit 2019, falë programit EU4CULTURE dhe UNOPS, kjo urë-monument kulture u restaurua dhe është tashmë një atraksion turistik kulturor, në simbiozë me natyrën e mrekullueshme”, theksoi Margariti.

“Bashkë me përfaqësuesin e BE, Alexis Hupin, UNOPS dhe banorëve të zonës përuruam në mënyrë simbolike përfundimin e punimeve”, u shpreh ajo.

Margariti nënvizoi se, “ura u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u restaurua në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës”.

Në mungesë të burimeve të sigurta historike, historianët besojnë se Ura e Kurçajt është ndërtuar në shekullin XVIII, kohë kur u ndërtuan shumë ura të reja në të gjithë Shqipërinë për të lidhur qendrat kryesore tregtare.

Ura e Kurçaj ndodhet në lumin Zezë në fshatin Kurçaj dhe ishte pjesë e një rruge të hershme karvanësh midis Krujës dhe Tiranës. Në vitin 1984 ura u shpall monument kulture kombëtar i kategorisë së parë dhe mbahet si dëshmi historike e arritjeve inxhinierike të kohës. Sot, ura është një vend i trashëgimisë historike dhe kulturore që lidh rrugët vendase. Aktualisht, ura nuk është e përshtatshme për asnjë lloj transporti dhe mund të vizitohet vetëm në këmbë. /atsh/ KultPlus.com

Hovenier kujton ditën kur SHBA-ja njohu pavarësinë e Kosovës: Jemi krenar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier ka rikujtuar sot datën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin marrë vendim për ta njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. 

Hovenier ka thënë se pas 15 vjetësh, SHBA është krenare për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës dhe gjithashtu për nivelin e demokracisë që ka arritur populli i Kosovës. / KultPlus.com

140 vite nga lindja e autorit të njohur grek, Niko Kazantzakis

Niko Kazantzakis është absolutisht një nga autorët dhe filozofët më të rëndësishëm të përkthyer nga greqishtja në shqip.

Niko Kazantzakis ka lindur më 18 shkurt të vitit 1883 në Heraklion të Greqisë nën Perandorinë Osmane dhe e mbylli jetën më 26 tetor të vitit 1957 në Frajburg të Gjermanisë. Është absolutisht një nga autorët dhe filozofët më të rëndësishëm të përkthyer nga greqishtja.

Nuk ishte shumë i njohur deri më 1964, kur Michael Cacoyannis, realizoi filmin, “Zorba, greku”, bazuar në romanin e tij dhe përkthyer dhe në anglisht me të njëjtin titull. Në fakt dhe para kësaj jo se ishte aq i panjohur.

Më 1946, Shoqëria e Shkrimtarëve Grekë, e rekomandoi atë bashkë me Angelos Sikelianos për Çmimin në Letërsi. Më 1957, ai e humbi çmimin para Albert Camy, për vetëm me një votë.

Më vonë shkrimtari francez do të thoshte me modesti dhe shumë respekt se “Kazantzakis e meritonte njëqind herë më shumë” sesa ai vetë. Më 1957, ndërsa vuante nga leuçemia, bëri dhe një udhëtim të fundit në Kinë dhe Japoni.

Por, kur u kthye ishte shumë i sëmurë dhe do të dërgohej menjëherë në Frajburg të Gjermanisë, ku vdiq. / KultPlus.com

Mikelanxhelo Buonaroti – më i shquari arkitekt, piktor, skulptor dhe poet i Rilindjes italiane

Mikelanxhelo Buonaroti (Michelangelo Buonarroti) (Caprese, 6 mars 1475 – Romë, 18 shkurt 1564) ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. Protagonist i Rilindjes italiane, i vlerësuar që në kohën e tij si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Qe në tërësi një artist sa gjenial po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.

Studimi i veprave të tij formoi gjeneratat pasuese, duke i dhënë jetë një shkolle që bëri art “alla sua maniera” (që do të thotë “sipas mënyrës së tij”) dhe që mori emrin manierizëm.

**** Mikelanxheloja i tregoi një piktori një tablo që e kishte bërë duke marrë fragmente nga veprat e të tjerëve dhe i tha:

– Vështroni mirë e me gjykim të ftohtë. Po të marrë secili pjesën e tij, nuk do të mbetet veçse pëlhura.

**** Mikelanxhelo kishte përfunduar Davidin e tij madhështor, të cilin po e çonte në qendër të qytetit dhe po udhëzonte njerëzit për ta vendosur në vendin e caktuar. Aty pranë kaloi Pier Soderini, i cili ishte shumë i dëgjuar i asaj kohe në fushën e artit. Ai u ndal për ta vështruar veprën madhore të Mikelanxhelos. Pasi e pa skulpturën lart në podium, i vajti pranë autorit dhe i tha:

-Hunda e shtatores duket tepër e madhe në raport me komponentët e tjerë anatomik të imazhit të jetësuar të Davidit, nënshtruesit Golias së frikshëm. Atëherë Mikelanxhelo pa e prishur terezinë dhe duke shfaqur një lloj bindjeje për “vërejtjen” e bërë nga kolegu, rrëmbeu fshehurazi një grusht pluhur mermeri te këmbët e statujës dhe menjëherë mori daltën dhe bëri sikur po e gdhendte me kujdes duke derdhur nga pluhuri i marrë. Pastaj i hodhi sytë poshtë nga Soderini dhe i tha:

– Vështrojeni mirë tani, duket më mirë apo jo?

– Po, tha preraz ai. Më pëlqen më shumë kështu, – i tha Soderini – i dhe me të vërtetë jetë, plotësoi ai.

**** Një ditë Mikelanxhoja shkoi te Papa JuIi II. Roja e ndaloi duke i thënë se Papa nuk mund ta priste. Mikelanxhelo u fye rëndë dhe me përbuzje iu përgjigj:

– I thoni Papës se do të vijë një ditë që ai do të kërkojë të më takojë, por nuk do të mundet. Dhe menjëherë u largua nga Roma.

**** Një herë, kur skulptori i dëgjuar bëri statujën e Kupidit, vendosi t’i heqë asaj një krah dhe ta fusë veprën e tij në dhe, në një vend ku bëheshin gërmime arkeologjike. Kur u gjend shtatorja shumë e bukur e Kupidit, të gjithë qenë të bindur se ishte fjala për një vepër të lashtësisë. Atëherë Mikelanxhelo duke qeshur, nxori krahun e këputur dhe zbuloi lojën e tij.

**** Kur Mikelanxheloja pa djalin e bukur të një piktori, i tha:

– Babai yt ka arritur të bëjë më mirë figura të gjalla se sa të pikturuara.

**** Mikelanxhelo e admironte shumë artin e lashtësisë. Në vitet e fundit të jetës, kur u verbua, shkonte te këmbët e skulpturave të lashtësisë, i prekte me duar, i përkëdhelte konturet dhe derdhte lot nga mallëngjimi.

**** Mikelanxhelo kishte bërë një tablo të bukur për Andrea Donin, njeri shumë dorështrënguar. Kur ia dërgoi tablonë e shoqëroi me një letër, me anën e së cilës i kërkonte 70 dukatë për veprën. Doni dërgoi vetëm 40 dukatë. Mikelanxhelo ia ktheu paratë, duke i thënë se tashmë donte 100 dukatë.

Donfi, duke psherëtirë, i nxorri me pikëllim 70 dukatë dhe ia dërgoi. Mirëpo Mikelanxhelo iu përgjigj se tashti kërkonte 140 dukatë dhe asnjë më pak. Andrea Donfi që ishte dashuruar shumë pas tablosë u detyrua nga frika t’i dërgojë të 140 dukatët, sepse kishte frikë se mos artisti e ngrinte përsëri çmimin e veprës së tij.

**** Kur Mikelanxhelo bëri statujën e famshme të Moisiut, pasi e mbaroi e soditi gjatë dhe u kënaq aq shumë me veprën e tij sa thirri:

– Po fol de, pse nuk flet. /Albert Vataj / KultPlus.com

Plaku

Poezi nga Aleksandër Pushkin

Unë nuk jam më ai dashnori i mbushun me pasion
Ai i riu, që e bën botën të mahnitet
Mjerisht, pranvera e vera ime kanë ikur tashma
Dhe s’kanë lanë asnjë gjurmë.

Kupid, ti perëndi i rinisë, dashnisë e vyrtytit!
Unë kam qenë shërbëtori yt i bindun
Oh, nëse kisha mujt me rilind prapë e me të shërby ty
Kisha me të shpërby edhe me ma shumë pasion e zjarr!

Përktheu: Shkëndije Berisha / KultPlus.com

Mbi 45 mijë viktima nga tërmetet shkatërrimtare në Turqi dhe Siri

Është rritur ndjeshëm numri i viktimave të shkaktuara nga dy tërmetet e fuqishme që goditën më 6 shkurt Turqinë dhe Sirinë. 

Sipas raportimeve, deri tani në të dy shtetet janë konfirmuar 45 mijë të vdekur, nga të cilët 5800 në Siri dhe gati 40 mijë vetëm në Turqi.

Ndërkohë, situata vijon të jetë e rëndë, edhe pse kanë kaluar tashmë 13 ditë nga tërmetet e tmerrshme, sërish ka ende shpresë dhe punohet për të nxjerrë të tjerë persona nga rrënojat.

Në anën tjetër, autoritet turke kanë nisur menjëherë nga puna për rindërtimin. Mediat në Turqi raportojnë se të paktën 70 mijë ndërtesa, të cilat janë ende në këmbë, do të prishen gjatë ditëve në vijim pasi janë vlerësuar si të pabanueshme. Nga zonat e goditura nga tërmeti, deri tani janë evakuuar më shumë se 370 mijë persona.

Ndërkohë, vazhdojnë ndihmat nga OKB dhe organizata të tjera për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti, paçka se situata në Siri është më problematikja. Gjithsej 178 kamionë që transportonin ndihma nga Turqia në veriperëndim të Sirisë kanë kaluar kufirin që nga 9 shkurti, tha OKB. / KultPlus.com

Kuvendi solemn në kullat e Zogollëve dhe apeli ndaj Fuqive të Mëdha kundër pushtuesit serb 

Nga Aurenc Bebja

“Il Popolo Romano” ka botuar, të premten e 16 majit 1919, në ballinë, një shkrim rreth kuvendit solemn matjan të mbajtur asokohe në kullat e Zogollëve dhe apelit drejtuar prej tij Fuqive të Mëdha kundër pushtuesit serb, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Nga Shqipëria

“Besa” e popullit të Matit – Simpatitë për Italinë – Një britmë kundër serbëve

Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë

Nga Mati (Shqipëri) – Paria dhe popullsia e Matit, të mbledhur në pallatin (kullat) e Zogollit në një kuvend mbresëlënës, dhanë “besën” e tyre sipas zakonit të vendit, dhe njëzëri janë betuar se do të jenë të bashkuar për të mbështetur të gjitha ato sakrifica që do të kërkojë liria e vendit.“Besa” u shkrua dhe u firmos nga përfaqësuesit e popullit.

Nënprefekti Sadik Gostivari lexoi në mënyrë patriotike nenet që përmban “besa”, më pas foli gjerësisht, duke përshkruar një tablo të jetës politike shqiptare dhe duke ilustruar miqësinë besnike të Italisë për vendin tonë.

Pas tij, fjalën e mori majori kav. Renzetti, i cili dëshiroi të transmetojë përshëndetjen e popullit italian. Në emër të familjes Zogolli dhe të popullatës u përgjigj Haki Stermilli, i cili përfundoi së foluri me duartrokitjet e ngrohta të të pranishmëve dhe thirrjet e përsëritura “Besa!… Besa!…Rroftë Shqipëria!… Rroftë Italia!…”

Zëri entuziast dhe solemn i popullit u bënte jehonë krismave të pushkëve që gjuajtën ushtarët italianë në shenjë gëzimi dhe vëllazërimi.

Përfaqësimi i oficerëve italianë, kapiten Martini, kapiten Ferret, kapiten Cocivera, toger Marsala dhe toger Del Vecchio, të karabinierëve, përshëndetën popullin dhe u pritën me britma që shprehnin miqësi dhe simpati.

Në mbrëmje familja Zogolli, e cila me dashamirësi kishte dhuruar sallat e pallatit të tyre për mitingun patriotik, shtroi një banket për nder të përfaqësimit të ushtrisë italiane dhe të nesërmen ofruan një tjetër, përsëri si dëshmi e asaj miqësie të sinqertë dhe e palëkundur që mbretëron mes shqiptarëve dhe italianëve. Në këtë banket të dytë, nënprefekti dhe një orator tjetër morën fjalën, duke uruar Shqipërinë dhe Italinë.

Popullsinë e Matit, siç e tregon qartë edhe kronika e ngjarjeve, e ka kapluar një dëshirë e një qëllim i vetëm : të jetojë a të vdesë për atdheun shqiptar dhe në mitingun solemn të mbajtur pikërisht tani, deshën të shprehin simpatinë e tyre për Italinë, një mikeshë e sinqertë dhe mbrojtëse e sigurt e Shqipërisë.

*** 

Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë

Në mitingun për të cilin ju raportova lajmin, këtë axhendë votoi njëzëri edhe popullsia e gjithë rrethit të Matit, të cilën ua dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha Aleate :

E gjithë popullsia e rrethit të Matit, e mbledhur në kuvend solemn, sjell në dijeni të qeverive aleate dhe të asociuara dhe të gjithë botës së qytetëruar, veprën e neveritshme, masakrat barbare, rrënimet dhe zjarret që serbët po bëjnë vazhdimisht në tokën shqiptare dhe që vazhdojnë dita-ditës duke marrë përmasa gjithnjë e më alarmante, sepse jeta, pasuria dhe liria e të gjithëve shqiptarëve janë në rrezik.

Serbia, me qëllimin për të nëpërkëmbur “besën” rreth së cilës janë tubuar të gjithë shqiptarët për lirinë e atdheut dhe me synimin për të prishur paqen që mbretëron në Shqipëri, shkeli kufijtë shqiptarë të vendosur nga Konferenca e Londrës dhe shkoi deri në grykat e Matit, duke shkaktuar dëme, rrënoja dhe masakra të tmerrshme, vetëm sepse shqiptarët duan të jetojnë të lirë dhe janë në gjendje të bëjnë që bota të dëgjojë jehonën e patriotizmit të tyre.

Popullsia e Matit, e mbledhur në kuvend solemn, proteston me indinjatë kundër kësaj vepre barbare dhe çnjerëzore të serbëve dhe me besim i drejtohet Fuqive të Mëdha, që duke u interesuar për gjendjen kritike të popullatave shqiptare, duan të urdhërojnë Serbinë të lirojë territoret e Shqipërisë, përndryshe shqiptarët e rrethit të Matit, të grumbulluar rreth “besës” stërgjyshërore, do të detyrohen të rrokin armët kundër serbëve. Këtë e deklarojnë sepse duan që tani të heqin dorë nga çdo përgjegjësi për pasojat e kësaj lufte të re, të cilën populli i Shqipërisë nuk e ka kërkuar.

Axhenda e deritanishme e popullit shqiptar të Matit, e votuar unanimisht, i është dërguar të gjitha qeverive të Fuqive të Mëdha. Nuk do ta komentoj gjatë, sepse është mjaft shpjeguese dhe të gjithë mund ta shohin seriozitetin e situatës, e cila, për më tepër, është e përshkruar mjaft qartë.Pra, çfarë po pritet që t’u imponohet serbëve respekti për jetën, pronën dhe të drejtat e të tjerëve? Situata është mjaft e tensionuar në Shqipëri dhe mund të shpërthejë në çdo moment. Ballkani mund të rrëmbejë sërish armët. Fajin e kanë serbët.

https://www.darsiani.com/la-gazette/il-popolo-romano-1919-besa-stergjysherore-e-popullit-te-matit-kuvendi-solemn-ne-kullat-e-zogolleve-dhe-apeli-ndaj-fuqive-te-medha-kunder-pushtuesit-serb/ / KultPlus.com

Ahmet Zogu – Burimi : Royal Court Of the Albanians – Oborri Mbretëror i Shqiptarëve


Shënimi i 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës përmes fotove

Përmes ngjarjeve të ndryshme, më 17 shkurt Kosova shënoi 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. 

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë mbajtur seanca solemne, teksa pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshet kryesore të Prishtinës. / KultPlus.com

1Në Kosovë, më 17 shkurt u mbajt një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. 
Gjatë kësaj seance, ku morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës "mision i gjithsecilit”. 
2Gjatë kësaj seance, ku morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës “mision i gjithsecilit”. 
Për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ata të Policisë së Kosovës parakaluan në sheshet kryesore të Prishtinës. 
3Për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ata të Policisë së Kosovës parakaluan në sheshet kryesore të Prishtinës. 
Për herë të parë, pjesëtarët e FSK-së dhe PK-së kanë parakaluar në vitin 2019, për të shënuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. 
4Për herë të parë, pjesëtarët e FSK-së dhe PK-së kanë parakaluar në vitin 2019, për të shënuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. 
Pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës duke parakaluar në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë. 
5Pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës duke parakaluar në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë. 
Pjesëtarë të FKS-së gjatë parakalimit në Prishtinë. 
6Pjesëtarë të FKS-së gjatë parakalimit në Prishtinë. 
FSK-ja numëron afër 2.500 trupa të rregullt dhe 800 rezervistë.
7FSK-ja numëron afër 2.500 trupa të rregullt dhe 800 rezervistë.
Qytetarë të shumtë në Prishtinë përcollën nga afër parakalimin e FSK-së dhe PK-së. 
8Qytetarë të shumtë në Prishtinë përcollën nga afër parakalimin e FSK-së dhe PK-së. 
Parakalimin po ashtu e përcollën nga afër edhe krerët shtetërorë të Kosovës, së bashku me të ftuar të tjerë. 
9Parakalimin po ashtu e përcollën nga afër edhe krerët shtetërorë të Kosovës, së bashku me të ftuar të tjerë. 
Disa pjesëtarë të FSK-së gjatë parakalimit në 15-vjetorin e pavarësisë. 
10Disa pjesëtarë të FSK-së gjatë parakalimit në 15-vjetorin e pavarësisë. 
Më 2018, autoritetet në Kosovë miratuan ligje që mundësojnë transformimin e FSK-së në ushtri. 
11Më 2018, autoritetet në Kosovë miratuan ligje që mundësojnë transformimin e FSK-së në ushtri. 
Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri pritet të zgjasë dhjetë vjet. 
12Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri pritet të zgjasë dhjetë vjet. 
Pjesëtarë të FSK-së gjatë parakalimit në Prishtinë. 
13Pjesëtarë të FSK-së gjatë parakalimit në Prishtinë. 
Një pjesëtare e FSK-së, duke parakaluar së bashku me pjesëtarë të tjerë. Në FSK janë rreth 300 gra. 
14Një pjesëtare e FSK-së, duke parakaluar së bashku me pjesëtarë të tjerë. Në FSK janë rreth 300 gra. 
Qytetarët duke ndjekur nga afër parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës më 17 shkurt 2023. 
15Qytetarët duke ndjekur nga afër parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës më 17 shkurt 2023. 
Pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës duke parakaluar në Prishtinë. 
16Pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës duke parakaluar në Prishtinë. 
Në përvjetorin e 15-të të pavarësisë u kujtuan edhe 1.133 fëmijët e vrarë gjatë luftës. 
17Në përvjetorin e 15-të të pavarësisë u kujtuan edhe 1.133 fëmijët e vrarë gjatë luftës. 
Në ngjarjen për kujtimin dhe nderimin e fëmijëve të vrarë në luftë, morën pjesë ehde 1.133 fëmijë nga rajone të ndryshme të Kosovës. 
18Në ngjarjen për kujtimin dhe nderimin e fëmijëve të vrarë në luftë, morën pjesë ehde 1.133 fëmijë nga rajone të ndryshme të Kosovës. 
Qytetarë të shumtë ndezën qirinj për të kujtuar fëmijët e vrarë në luftë. 
19Qytetarë të shumtë ndezën qirinj për të kujtuar fëmijët e vrarë në luftë. 
Sheshet e dekoruara në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
20Sheshet e dekoruara në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Si çdo vit, monumenti i pavarësisë, NEWBORN, ndryshon pamjen. Në 15-vjetorin e pavarësisë, temë është "Jo një Republikë e re e prishur".

21Si çdo vit, monumenti i pavarësisë, NEWBORN, ndryshon pamjen. Në 15-vjetorin e pavarësisë, temë është “Jo një Republikë e re e prishur”.

Kosova

Poezi nga Sabri Hamiti

Tokë e zezë ngjyer me gjak
Ku majat i qeth stuhia
Ka zjarmi në gji shtëpia
Plagë në zemër një bajrak

Rrafsh i Naltë i ndërron stinët
Që peshojnë qafën lakuar
Era egër i tremb bimët
Ujin që humbet ndër duar

Syri shkrep një vetëtimë
Mish të gjallë mbulon guna
Kur në qiell sundon furtuna
Fusha fryn një psherëtimë

Saherë zemra gjak kullon
Saherë syri lot loton
Nëpër shpirt e palcë të Motit
Valon shenjë e Kastriotit / KultPlus.com

Ç’do të thotë patriot

Poezi nga Ali Asllani

Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball’
do buçit si val’ mbi zall,

Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun’ e tij,
copë-cop’ i bënet buza
po aspak s’i falet shpuza.

Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum’ e qoft’ në det
zjarr’ i tija nuk humbet!/ KultPlus.com

Zelensky: Arti të ngrihet kundër së keqes

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje kineastëve dhe artistëve që të deklarojnë qartë mbështetjen e tyre për Ukrainën në komentet në hapjen e festivalit të filmit, Berlinale.

”A mund të qëndrojë arti jashtë politikës”?, pyeti ai gjatë një fjalimi në galanë hapëse duke thënë se kjo pyetje është bërë sërish jashtëzakonisht e rëndësishme.

”Kinemaja dhe filmi mund të kapërcejnë barrierat, reale dhe ideologjike”, tha Zelensky, një ish-aktor, duke iu referuar filmit të Wim Wenders “Wings of Desire”, i cili parashikoi fundin e ndarjes së Gjermanisë.

”Tani, është Rusia ajo që po ndërton një mur të ri në Ukrainë. Ky është një mur midis lirisë dhe skllavërisë”, tha ai.

”Arti nuk mund të qëndrojë indiferent, sepse në heshtje zëri i së keqes bëhet vetëm më i fortë dhe më bindës”, theksoi Zelensky.

Përpara ceremonisë së hapjes, aktorja amerikane Anne Hathaway vlerësoi Zelenskyn si një hero të ditëve moderne dhe falënderoi organizatorët e festivalit që e ftuan të mbante një fjalim./ KultPlus.com

Disa fakte rreth ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Nesër shënohet 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe KultPlus ju sjell disa fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit të vitit 2008.

-Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi

-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

-Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë

-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.

-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. /KultPlus.com

Kumbaro me drejtoreshën e UNESCO-s: Synojmë përfshirjen e Vjosës si pasuri botërore

Qeveria shqiptare ka njoftuar synimin e saj për ta kthyer Vjosën në një rezervat biosfere të mbrojtur nga UNESCO.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës, e cila vizitoi vendin tonë me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Duke i paraprirë një takimi pune me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Azoulay vizitoi qendrën historike të Gjirokastrës, e klasifikuar që nga viti 2005 si trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Vitet e fundit, Organizata ka mbështetur Shqipërinë në rehabilitimin e shtëpive të trashëgimisë së qytetit dhe në inventarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të qytetit, si pjesë e një qasjeje për promovimin e turizmit të qëndrueshëm që mbështet zhvillimin lokal.

Pranë Gjirokastrës ndodhet lumi Vjosa, i quajtur shpesh “lumi i fundit i egër i Evropës”, sepse ujërat e tij rrjedhin thuajse të pakufizuara nga burimi i tij në Greqi e deri në detin Adriatik. Vjosa është habitati i rreth 1100 specieve shtazore dhe bimore, duke përfshirë këtu 13 lloje shtazore dhe 2 lloje bimore që janë të kërcënuara globalisht.

Qeveria shqiptare ka vendosur të përforcojë mbrojtjen e këtij ekosistemi të jashtëzakonshëm me synimin e mbrojtjes së Vjosës duke krijuar një zonë të mbrojtur që i nënshtrohet standardeve më të larta ndërkombëtare përmes shpalljes “Park Kombëtar”.

Aplikimi për të krijuar një rezervë biosfere të UNESCO-s

Me rastin e vizitës së Audrey Azoulay, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se dëshiron të paraqesë në muajt në vijim kandidaturën për rezervë biosfere të UNESCO-s për luginën e Vjosës.

“Rezervat e biosferës janë një model i mrekullueshëm, pasi ato lejojnë mbrojtjen e natyrës duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve. Aplikimi për luginën e Vjosës në këtë program të UNESCO-s do të bazohet në tre prioritete: përmirësimi i cilësisë së ujit, lufta kundër shpyllëzimit dhe rigjallërimi i fshatrave nëpërmjet turizmit rural”, është shprehur Mirela Kumbaro.

“Përshëndes këtë nismë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila hap një faqe të re në historinë e fortë që lidh këtë vend dhe organizatën tonë. UNESCO është në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’i mbështetur në përkufizimin e kësaj zone të mbrojtur dhe përgatitjen e kandidaturës së saj për programin tonë të rezervave të biosferës”, nënvizoi Audrey Azoulay.

Kjo nismë përforcon bashkëpunimin mes UNESCO-s dhe Shqipërisë, e cila tashmë është shumë e pasur sa i përket bashkëpunimit rajonal në fushën e ujërave, me disa projekte që variojnë nga menaxhimi i ujërave nëntokësorë në basenin e zgjeruar të lumit Drin e deri te administrimi i akuiferëve bregdetarë dhe ekosistemeve përkatëse të akuiferit ndërkufitar Buna/Bojana. Një nismë e re rajonale shumë e madhe për qeverisjen për ujërat nëntokësore është nënshkruar në janar 2023: bëhet fjalë për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi të cilët do të sigurojnë, me ndihmën e UNESCO-s, përdorimin dhe mbrojtjen e përbashkët të qëndrueshme dhe të barabartë të sistemit të akuiferit Dinarik karstik dhe burimeve të tij ekologjike./atsh/KultPlus.com

‘Ishim aq mirë kur qemë të vegjël’

Poezi nga Frederik Rreshpja

***
Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet./KultPlus.com

Historia e Pavarësisë së Kosovës, rruga e vështirë deri tek kjo ditë

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.

Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.

Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.

“Ne ishim të vetëdijshëm se do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, pasi që ajo nuk zgjedhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues dhe pa të drejtë, pa bazë kushtetuese, suspendoi Kuvendin dhe e ndali punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Ramajli.

Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.

Rugova udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punuan në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Atë kohë, Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës pasive e me mjete paqësore.

“Ne jemi parti politike dhe njëherë më shumë punojmë me fjalë, sepse ende nuk kemi pushtet. E natyrisht, po të ishim në pushtet, këto çështje do t’i zgjidhnim në mënyrën më pozitive, më të mirë, do të kishim mundësi edhe fizikisht t’i ndalim forcat e tjera, edhe presionin që bëhet këtu në Kosovë”, tha Ibrahim Rugova, në fillimvitet e 90-ta.

Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Që nga themelimi i UÇK-së, kemi pasur si objektivë kryesore çlirimin e vendit dhe në kuadër të kësaj, përpos angazhimeve tona operative, mbi të gjitha ka qenë që ne të shënojmë një triumf politik, diplomatik dhe ushtarak ndaj Serbisë”, thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryeninin mbi popullatën civile shqiptare.

Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë.

Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.

Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit.

Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, bashkohen në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu që thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Hashim Thaçi e vlerëson si kthesë Konferencën e Rambujesë.

“Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, shumë vështirë për ata që morën pjesë në të dhe ata që zhvilluan kontakte me diplomatë gjatë kësaj konference”, rikujton Thaçi.

Nga 24 marsi deri më 10, përkatësisht 12 qershor të vitit 1999, fillon historia e re e Kosovës. NATO vihet në luftë duke bombarduar caqet ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.

Sidoqoftë, më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviqi nënshkruan kapitullimin dhe NATO fund në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet perëndimit e Rusisë, miraton Rezolutën 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Nga kjo periudhë, në Kosovë fillon të ndërtohet gjithçka nga fillimi.

Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë mbahen tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formon qeverinë e parë dhe zgjedh presidentin dhe kryeministrin. Por, ndonëse shumë kush ka pritur që Kosova për 3 vjet të UNMIK-ut do të pavarësohet, kjo nuk ndodhi. Kosovës iu deshën afër nëntë vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare, duke përjashtuar këtu Rusinë, që të kthehet dhe të formojë një shtet të pavarur, por të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.

Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Ishte presidenti Rugova, ai i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera evropiane, duke besuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të gjejnë kurrë marrëveshje mes vete.

Gjithsesi, një dëshirë që sa më shpejt Kosova të jetë një vend i pavarur dhe sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike. Pra, sa më shpejt të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës”, ishte fraza aq shumë e përsëritur nga presidenti Rugova.

Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti Rugova ndërron jetë më 21 janar të vitit 2006.

Pasardhës i tij në këtë post, vjen Fatmir Sejdiu, po nga LDK-ja. Negociatat Prishtinë – Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë, por ato nuk sjellin marrëveshje.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedime, presidenti Martti Ahtisaari, propozon një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, ndërkaq Beogradi e refuzoi këtë plan. Si konsensus ndërkombëtar, procesi negociues fitoi edhe katër muaj kohë për një zgjidhje kompromisi, nën ndërmjetësimin e Treshes, SHBA-të, BE-ja dhe Rusia. Por, as kësaj radhe nuk u arrit marrëveshja.

Kosova kërkon pavarësi, kurse Serbia ofron autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare nuk rezultojnë as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Por, pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë dhe largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian.

I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane.

Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. / KultPlus.com

‘O vendi im, të thërras unë me mall’ (VIDEO)

Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.

Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.

Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..

Sonte, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Mallëngjimi’:

O vendi im!
Të thërras unë me mall,

Këtu jetë më nep vetëm kjo kangë,
se anë e kand, kudo që kërkoj
pa si ty të dashtun nuk gjej


Ku janë ato fusha, ku ato kaçuba
Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka (2x)

I huaj jam!
Dashuni nuk kam
Për mue nuk lind dielli më

O vendi im!
Përbuzje ku s’ka, si të lashë e dola në mërgim

O Sharr o baba im, Gërmi pushimi im, Adriatiku im,
Tash vetëm po ju kujtoj (2x)
./KultPlus.com

Laura Fazliu dhuratë për Pavarësinë e Kosovës, fiton medaljen e bronztë në Izrael

Laura Fazliu e ka fituar medaljen e bronztë, në Grand Slamin e Izraelit.

Fazliu për medaljen e bronztë e mposhti Gili Sharirin, me Ippon, në kategorinë deri në 57 kilogramë, njofton Klankosova.tv.

Xhudistja kosovare pak më herët në repesazh fitoi në mënyrë magjepsëse ndaj kampiones olimpike Clarisse Agbegnenoun. /KultPlus.com

Frederik Rreshpja: Moikom Zeqo, të krijosh midis artit dhe shkencës

Të gjithë artikujt që janë shkruar në periodikët për Moikom Zeqon, i cilësojnë librat e tij si shumë të çuditshëm dhe disa herë të pakuptueshëm.

Këtu kam parasysh sidomos autorë seriozë, si Alfred Uçi, Skënder Drini etj. Në fakt, këtu nuk ka asgjë të pakuptueshme e as të çuditshme po të kujtohemi që librat e Zeqos janë traktate, një gjini kjo, e kohëve klasike e moderne, që është e trajtuar edhe nga Lukiani edhe nga Erazmi i Roterdamit, edhe nga Blez Paskali, Dekarti, Ajnshtajni edhe nga Hajdenbergu. Sidomos iluministët francezë si Didëro, Volter, Monteskje, Furje, Simoni etj., kanë shkruar traktate me një rëndësi të jashtëzakonshme për kulturën mbarëbotërore.

Vetë Zeqo nuk thotë asgjë për këtë.

Ai nuk i emëron librat me asnjë gjini dhe asnjëherë.

Vepra e Zeqos një ndër më prodhimtarët e habitshëm të letërsisë shqipe a ndofta më i veçanti, është shumë e gjerë.

Do të përmend disa libra kryesorë të kohëve të fundit si “Meduza”, “Tempulli i hënës”, Purgatori Shqiptar”, “Onufri”, “Meduza e dashuruar mban syze dielli”, “Mes Laokontit dhe Krishtit, Onufri II”, “Kështu foli Mona Liza”, “Syzet e thyera të Meduzës”, “Syri i tretë – Naim Frashëri dhe bektashizmi”, “Princërit e mistikës”, “Nostrodami në 3 qershor”, “Tercinat e pasvdekjes së Dantes japonez”, “Zodiak”, “Jashtëtokësorët e Shqipërisë”, janë disa nga këto libra në hartimin e të cilëve, Zeqo ka përdorur një ndërthurje të shkathët me elementë të narracionit, monografisë, poezisë, historisë, filozofisë, teologjisë, arkeologjisë etj., etj.

Ai e bën këtë hartimësi mendoj unë, për ta shteruar krejt temën, prandaj këtu kemi një autor, poet, historian, estet, arkeolog etj., etj.

I referohemi librit që mbajmë në dorë “Syzet e thyera të Meduzës”, konstatojmë me lehtësi që më së pari ky është një libër poetik, por i ndërthurur me disa libra, që mund të veçoheshin po merret vesh s’mund të bëhet se që kjo nuk do të ishte një punë e mençur.

Në një shkrim të tij, Alfred Uçi, thotë që ne jemi mësuar të lexojmë libra të një gjinie të saktë, të përcaktuara nga rregulla strikte si zhanër më vete p.sh. roman, poezi, monografi, studim etj., etj.

Sigurisht ky ka qenë një mendim i shpejtuar i z. Uçi, si një ndër njerëzit e zotë të letrave shqipe, sepse ai patjetër që ka lexuar Lukianin, Zhan Pol Sartrin, D’Anuncio, Markezin, Borgesin, Karpentierin, Skorcën, Alenden, Montenjin, Eliotin etj.

Po e them që në fillim, që megjithatë, ka diçka të jashtëzakonshme dhe vërtetë të çuditshme te Moikom Zeqo.

Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me problemet teknike me përkufizimet stilistikore etj., por me kulturën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme, me talentin e madh dhe aftësinë vërtet befasuese për të punuar pa u lodhur. Kjo po. Këtu kemi vërtet një çudi.

Sepse nuk kemi përse habitemi me format moderne e postmoderne, që zgjedh një autor i njohur në kulturën shqiptare.

Vërtet që në një konkurs letrar ose shkencor librat e Moikomit nuk e di se si do të klasifikoheshin, por ndoshta me zemërgjerësi mund të quheshin monografi, ose thjesht vepra poetike.

Rregullave që përcaktojnë gjinitë letrare, Zeqo nuk u jep fort rëndësi, përderisa pikërisht atje ai ç’vendos edhe kohërat, duke vënë p.sh. Narcizin përpara Adamit:

“Në botën me peizazhe llahtarisht të ndryshëm, me po aq qenie të pangjashme dhe hollësira të kundërta e kahe përjashtuese në këtë pështjellim kaosor, të paqëndrueshëm dhe vulgar, kur akoma nuk ishin krijuar hyjnitë prej Hiçit të Madh, ishte një njeri, që s’dihet, pse e quajtën (prej kujt?) Narciz. Mijëvjeçarë më pas do të krijohej një tjetër pasqyrim i rremë, ashtu kot dhe mjerueshëm nga balta (paraskulptura), Adami”.

Raste të tilla ka shumë, në këtë rast po shqyrtojmë faktin që Zeqo duket se i bën kohërat rrëmujë, vetëm për një trill poetik a filozofik.

Por mua më duket se nuk është ashtu, thjesht për faktin se ai e njeh më së miri historinë dhe kjo gjë dihet, pasi është një ndër historianët tanë më të shquar.

Rasti që cituam më lart, po sqaroj se mendimi i shkencëtarëve është se mitologjia greke është më e vjetër se ajo e judejve.

Duke mos i sqaruar këto gjëra, pra del sikur Zeqo na shtron përpara paradokse të pafundme.

Të tërë e dimë faktin, që ka vjersha prozaike e ka prozë poetike. Atëherë, mos vallë Zeqo i kthehet prozës kur lodhej si poet?

Jo. Apo mos vallë për një trill poetik i ikën prozës?

Jo. Në fakt ai lufton me shumë armë për ta marrë kështjellën që kërkon. Ai përdor gjithçka: vizaton më flamastër e me vaj, shkruan tercina dhe haiku, ode, esse, dialog, tregim; polemizon, filozofon, hulumton etj., etj.

Moikom Zeqo njihet si poet, prozator, gazetar, arkeolog, historian, politikan etj.

Dhe mua më duket se e ka parë të arsyeshme të shfaqet pikërisht në një vepër kështu, në shumë plane njëherësh.

Në letërsinë e sotme postmoderniste kjo është diçka e zakontë, por kërkon një personalitet të madh.

Pra kjo është diçka moderne, por si shumëçka në këtë botë, e ka zanafillën në lashtësi.

E thamë dhe më lart që si rregull vepra të tilla janë quajtur traktate, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm se për Moikom Zeqon kjo është pak ta thuash, sepse në të vërtetë me njohjen që unë kam në mbarë letrat e botës, nuk e gjen një guxim kaq të gjerë dhe të suksesshëm.

Vërtet që Lomonosovi shkruante vjersha në marxhinenë e artikujve shkencorë, por nuk i botonte bashkë.

Bonaparti hartonte ligje mbi hartat ushtarake, madje Balzaku i shkruante edhe borxhet nëpër kapitujt e romaneve, Da Vinçi skiconte helikopterë mbi gruntin e telajove.

Migjeni i madh te “Vargjet e lira” ka botuar së bashku poezi dhe tregime.

Hemingueji bën ndryshe: mbledh dy tregime dhe i quan roman. Lukiani shkruan për shkencat e natyrës në vargje.

Gogoli shkruan romanin “Shpirtrat e vdekura” dhe e quan poemë, kurse Pushkini bën poemën “Eugen Onjegin” dhe e quan roman.

Piktorët japonezë i shkruajnë poezitë e tyre mbi akuarele e të tërë këta kanë bërë kryevepra.

Pra veprat e Zeqos janë sa letrare aq edhe shkencore e brenda këtij përcaktimi gjithsesi me prioritet edhe mund të quhen thjesht vepra arti, pasi vërehet lehtë dhe qartë se si artisti Zeqo me veprat e veta është më i dukshëm.

Por është një artist-shkencëtar dhe ne të tillë nuk kemi patur, veç ndoshta Naim Frashërin deri diku. Vepra e Zeqos nuk mund të ngatërrohet me veprën e Akimovit, Hajerdallit, Prustit, Sartrin, sepse kompozimi i veprave të tij të kujton emulsionin në kimi.

Me perceptim, aty dallojmë qartë shtresat poetike, teologjike, historike etj..

Të paraqitesh kështu në shumë plane, si të thuash i veshur edhe në vjeshtë edhe në pranverë, bile në shumë stinë, duhet të pranojmë që është një mrekulli.

Le të flasim për poezinë e Moikom Zeqos.

Që në vitet 70 ai fillon e shkruan ndryshe.

Kjo gjë ka kaluar pa u kuptuar mirë, pa zhurmë, e megjithatë Moikom Zeqo është vlerësuar nga kritika dhe lexuesi si një ndër më të mirët poetë shqiptarë.

Karakteristika e parë e tij është ajo, që Zeqo ka një fantazi të çmendur dhe kjo fantazi e çmendur, e pasur dhe e pashembullt veç ndoshta ndonjë Ginsberg apo Janis Ricos, nganjëherë kthehet në karusel dhe kësisoj lexuesit të pamësuar me përshpejtësi marramendëse poetike i vjen lodhja. Veç kësaj kjo dhe e dëmton poezinë.

Dhe ja përse: në vrap e sipër Zeqo të ngjan me një skulptor, që bën punën e 100 skulptorëve duke vrapuar nga njëri tors në tjetrin, duke hedhur një spatul argjil aty-këtu, duke daltuar diçka, duke bërë rrëmujë dhe duke lënë patjetër diçka përgjysmë në këtë atelie të çuditshme.

Kësisoj shumë përfytyrime, figura, ide dhe imazhe mbeten përgjysmë.

Shembull:

Romeo është Mbreti iZzi

e Xhulieta Mbretëresha e Bardhë

që duke u dashuruar

i humbin kuptimin shahut

që është vetëm ndarje dhe urrejtje,

divorc

dhe jo martesë.

Këto figura duheshin çuar më tej, duhej bërë e plotë ngrehina e përfytyrimit. Këndej ka lindur mendimi i përgjithshëm se nga një poezi e Zeqos mund të nxjerrësh 100 vjersha.

Vërtet kjo tregon një pasuri të jashtëzakonshme, por nga ana tjetër tregon një shkujdesje , pasi lexuesi pyet: përse nuk u bënë këto 100 vjersha?

Dhe është e habitshme, vërtet e habitshme dhe e pashpjegueshme, se si një punëtor i tillë i jashtëzakonshëm përton të ndalet me një poezi, në mënyrë tepër serioze për ta zhdërvjelluar dhe për ta çuar më tutje.

Ku është qimiteri i personazheve

që vdesin nëpër libra? Si s’është çmendur Shekspiri?

Ka lënë të pavarrosur një qytetërim të tërë!

Kush do të paguajë për funeralin tim të kotë?

Merrini, ju lutem, hua De Radës

nga honorarët, që kurrë s’ia paguan!

Degët e pjeshkës së lulëzuar

janë dejet brenda kurmit tim të plakur

Syri magnetik i busullës është i Mendimit Polifem.

Këtu ka një denduri të atillë imazhesh, saqë mua si profesionist më duhet t’ju kthehem edhe një herë derivateve për të kuptuar diçka.

Natyrisht, këtu nuk është koha për të bërë të tilla trajtesa, pasi kjo gjë do një studim më vete.

Sidoqoftë duhet thënë se Zeqo si poet i talentuar duhet të ndalet në shumë poezi, t’i çojë më tutje figurat dhe të bëhet më konstruktiv.

Tani do të sjell si shembull një poezi të mrekullueshme, pa shumë detaje e pa shumë rrëmujë.

Paraqitja grafike e kësaj vjershe për mua është e papranueshme, por ama poezia në vetvete është vërtet një kryevepër.

Pak e shumë vjersha është kjo: Një piktor merr një letër dhe vizaton disa zogj, kaluan disa kohë e zogjtë ikën dhe fluturuan tutje, pasi letra nuk mund të bëhet kafaz i zogjve të lirë.

E gjëra të tilla mund të përmend shumë si: “Rebelimi”, “9 janar 1996”, “Vdekja kristalore”, “Shtëpia”, “Fytyrat e vajzave” etj.

Që në librin “Qyteti Feniks” në vitet 70, Zeqo del me një poezi të re, ku dukshëm ka kapërcime para të cilave Pindari duket një fluturues i thjeshtë. Bie në sy një kuptim metafizik i gjithësisë, që të kujton disa Rembo.

Ka përmasa kozmike në hapësirë dhe në kohë dhe përfytyrime të paperceptuara deri aso kohe në letërsinë shqipe, por që bota i ka njohur te Remboja, Blejku, Valeria, Ginsbergu e pse jo që më përpara te Konfuci dhe te Du Fu.

Kështu aso kohe pata shkruar në shtyp se Zeqo ishte poeti më me fantazi deri në lodhje, dhe këtë ky e ka çuar më përpara, megjithatë kjo mbetet një poezi e re në letrat shqipe, megjithëse e njohur nga bota edhe pse në këtë plan ka diçka krijuese.

Këtu do të ndeshemi me qytetërime, ide, përkufizime, kapërcime, hapësirë, kohë, fantazi e pafund, një vrap i lodhshëm nga një tablo në tjetrën nga një ide te tjetra, nga një cep i kozmosit te tjetri.

Në një vend Moikomi mrekullohet para fjalëve të Homerit: “Anije të shpejta si mendimi”.

Kjo ka bërë që të thuhet se është shumë vështirë të shkruash për Zeqon.

Sigurisht është shumë më e vështirë se sa të shkruash për atë mori librash që dalin përditë.

Nga këto libra Moikom Zeqon e ndan një hon.

Kapërcejeni këtë hon dhe atëherë do të shkruani lehtë dhe me kënaqësi për këtë autor.

Po s’do mend për këtë duhet kulturë, pasi Zeqo njihet si ndër shqiptarët më të kulturuar të të gjithë kohërave.

Në një shkrim për Kadarenë kam thënë që të hysh dhe të kuptosh diçka nga Luvri duhet kulturë.

Gjë për t’u çuditur, siç thuhet në prozën popullore dhe që nuk është kapur nga asnjeri, është fakti që Moikom Zeqo në tërë veprimtarinë e tij është i pari teolog shqiptar që nga Bogdani e këtej, por një teolog i llojit të vet, disi volterian dhe e them këtë sepse në tërë veprat e tij me gjithë dashurinë për mitet e Lindjes etj., del ideja socialiste që kjo botë me tërë këto dhimbje, padrejtësi shoqërore dhe vuajtje nuk ka sesi të jetë vepër e një hyjnie mëshirëmadhe e mëshirbërëse.

Katër fetë që praktikohen në Shqipëri, por edhe fetë e tjera të hyra tani së voni, pa përjashtim e kanë origjinën te Bibla, pra mund të thuash fare mirë, që Zoti i shqiptarëve është një dhe quhet Jahova (JHVH), Sabat ose Allah (formë e islamizuar e Elisë), por që vetëm në një rast është në Bibël edhe si fjalë direkt. Përgjithësisht morali i këtyre feve buron nga Tabelat e Moisiut dhe nuk kanë ndonjë karakter teologjik, magjik apo dhe hyjnor, por është një tërësi rregullash për të ruajtur kolektivitetin, marrëdhëniet shoqërore.

Këtë Zeqo e jep më së miri pa blasfemuar, pa fyer kërkënd, sepse ai është i dashuruar pas mitologjisë kristiane dhe asaj mistike, por më tepër si estet, pasi lehtë kuptohet se Zeqo është një ateist modern i mësuar me konceptin e Zotit si “qenie supreme” (Hegel), si “intelekt i përsosur” (Ajnshtajn).

Është e para herë që në Shqipëri shkruhet për një demiurg mbi kategoritë filozofike, larg konceptit patriarkal të miteve të Lindjes.

Në botë ekzistojnë qindra fe dhe hyjnitë e tyre janë krijuar mbi bazën e kulturave përkatëse, prandaj këto hyjni tingëllojnë disi të vonuara dhe nuk mund të përqasen me kulturën e sotme teknike, Zeqo i dashuron ato më tepër si estet dhe poet, pasi këtë përkufizim që unë bëra më lart, ai e di mirë. Personalisht nuk kam ndonjë mallëngjim të tillë për kurrfarë kulti, por e pranojmë ashtu si Moikomi se fetë janë kulturë, përfshi edhe fetë e vdekura të grekëve e asketëve etj..

Kam përshtypjen se Zeqo e ka mohuar ateizmin komunist, që e paraqet materien të pafundme në kohë dhe hapësirë, ç’ka i bie ndesh ligjeve shkencore (Lavuazje).

Në besimin e tij, Zeqo është më tepër poet dhe hulumtues.

Ka ca tregime jashtëzakonisht të bukura nga bota e fesë, por që nuk mund t’u thuash tregime fetare.

Filozofia moderne nuk e pranon konceptin e Zotit, siç e japin fe të ndryshme dhe u ka bërë kritikë tërë miteve mbi hyjnitë.

Por nga ana tjetër, ajo nuk rresht së kërkuari një koncept të ri të “supermitetit” (Hajdeger), ç’ka siç duket është e parakohshme ose ndoshta fare e pamundur për arsyen njerëzore.

Megjithatë, thotë me të drejtë Zeqo, fetë kanë bukurinë e tyre, moralin e tyre ndaj duhen dashur e respektuar.

Mua më duket se jo vetëm për mitologjinë greke, por për të tëra fetë në tërësi ka ardhur koha që të shikohen thjesht si mitologji ose siç i përcaktojnë francezët – legjenda të bukura.

Në fakt ky është besimi (dini) i një ateisti demokrat.

Është e çuditshme se si në Shqipëri ka intelektualë me famë, që besojnë horoskop, magji, dorën e Zotit apo kultet amatore.

Mirëpo kjo ngjet kudo. Jam skandalizuar kur kam lexuar në shtypin e huaj që Klintoni mbante në Shtëpinë e Bardhë dy horoskopistë dhe konsultohej çdo mëngjes me ta, në mënyrën më serioze.

Është fat që Zeqo në tërë veprimtarinë e tij si burrë me kulturë, nuk merret me këto gjëra si me kiromansi, fallin e letrave e budallallëqe të tjera, pasi është në shkallën më të lartë si filozof dhe poet i teologjisë.

Mua vetë nuk më vjen doresh të shkruaj për Qerbelanë.

Por do të shkruaja me dëshirë për Urën e Qabesë dhe për Taxh Mahallin, pasi jam më popullor se miku im i vjetër, por edhe si teolog Zeqo më pëlqen aq sa Thomas Akuini dhe mistikët e Persisë.

Sidomos është interesant fakti që Zeqo bën krijim duke paraqitur idetë moderne mbi eternitetin, kohën, hapësirën, Big Bengun, demiurgun; dhe këto të tëra janë paraqitur në poezi në një stil tepër modern e të shkëlqyr. Përmasat në veprën e Zeqos janë të mëdha e kjo dihet, por unë u ndala vetëm në disa pika.

Sigurisht nuk mund të rri pa thënë diçka rreth arkeologjisë, pikturës, ashtu siç i koncepton së bashku Zeqo.

Një ndër kulmet e krijimtarisë së tij është studimi serioz mbi Onufrin, një piktor i jashtëzakonshëm, që ka bërë epokë jo vetëm në pikturën shqiptare, por në mbarë atë bizantine.

Me një gjuhë të një stili të përveçëm ai bën një analizë shkencore të veprimtarisë së Onufrit, por si lexues, ndoshta më tepër mua më bën përshtypje figura e këtij prelati të ngjyrave që e pasuron më shumë kulturën tonë.

Ai bën një analizë të shumanshme dhe ka në dispozicion një dokumentacion të habitshëm historik dhe etnik dhe mbi këtë bazë është zbërthyer fryma e krishterë e kësaj pikture, që është një klithëm që jehon dhe do të jehojë gjatë nëpër shekuj, mënyra e konceptimit të botës nga ana e Onufrit për të parën herë thuhet këtu se del nga tradita e ngurtë e pikturës dhe e ikonografisë bizantine.

Po kështu, me interes janë dhe elementët shqiptarë në pikturën e Onufrit, ngjyra e tij, e kuqja e famshme, bota e brendshme që del me dridhjet e vogla të penelit, luhatjet mes teologjisë së ngurtë dhe një farë bektashizmi, pasi në pikturën e Onufrit, pas një analize të hollësishme dalin mjaft elementë thjesht laikë.

I parë në këtë prizëm ashtu si Borgesi, Zeqo lidh epokat duke fshehur perin. E pra fare mirë konstatohet lidhja mes Onufrit dhe bektashianëve. Duket diçka e çuditshme sesi Onufri është i pari bektashian.

Po Zeqo merret me gjëra të çuditshme.

Është një punë e pafundme kjo analizë dhe unë nuk pretendoj të bëj hulumtime të plota për arsye kohe dhe vendi, por u ndala në disa pika kryesore që më tërhoqën vërejtjen.

Jam dakord plotësisht me shkrimet ku thuhet që librat e Zeqos kanë një autonomi të brendshme dhe madje ata mund të lexohen duke hapur çdo faqe, tamam si Bibla.

Por kjo është një Bibël e Re, moderne dhe e besueshme.

Në një vend Unamuno thotë që “Servantes para shekujve ka shkruar për mua”.

Sa do të desha që këta dy burra të mençur që unë i çmoj mbi të gjithë në letrat shqipe të shkruanin për mua, por, unë e di se një Unamuno do të vijë më vonë.

Fenomeni Moikom Zeqo është koncentrimi i një intelektualiteti të lartë, etapë e re e letërsisë dhe e kulturës shqipe.

Nuk është e vështirë ta dimensionosh, më saktë dimensionimi hierarkik i librave të Zeqos është një çështje kohe dhe të kuptuari.

Askush nuk mund të thotë se gjoja nuk paska aftësi për të kuptuar librat e mëdhenj. Një kritik i plogët na pengohet nëpër këmbë. Jemi shpesh aq budallenj sa t’i referohemi gazetave dhe t’i besojmë ato, si shënimeve farmaceutike të ilaçeve të skaduar.

Duke u strukturuar në një libër, shkrimtari s’është asnjëherë i mbyllur, por vetëm i hapur në të gjitha librat.

Është elegante dhe magjike që të thuash se çdo shkrimtar i vërtetë shkruan vetëm një libër gjatë gjithë jetës.

Ky libër mund të ketë disa faqe paradoksesh gjeniale dhe metaforash tekanjoze si te Rembo apo Uitmani.

Të mos harrojmë dhe skicat e jashtëzakonshme me përtëritje fuqish me një emancipim të përhershëm të Migjenit.

Kush tha se Homeri ka shkruar librat e trashë?

Epose të mëdhenj, karakterizohen jo nga fletët e shumta të shkruara. Te Zeqo mund të ishte hapja e një epoke të re.

Të shkruarit tradicional nuk do të thotë që nuk ka modernitet. Moderniteti është më tepër një esencë e konceptimit dhe e formës.

Por në epokën postmoderniste Zeqo me një të menduar të ri krijon një gjuhë të re.

Të habit, por edhe të krijon shpesh vështirësi pafundësia e paradokseve.

Cdo paradoks është fillesa e filozofisë.

Këtë e dinte Herakliti i thinjur, me sa duket Borgesi e përcolli letërsinë e paradokseve si korridat spanjolle, ku toreadorët ndeshen me demat.

Edhe Zeqo parapëlqen spektaklin e ideve, por preferon disa përplasje më të fshehta.

Ndaj i pëlqen mistika e bektashianëve si një formë e re e zarathustrizmit.

Një kapërcim i nivelit poetik që në vitet 70 i Zeqos drejt emancipimit të metaforave dhe të shtjellimit tematik e çoi edhe te një kapërcim i veçantë i prozës në vitet 90. Kështu, poezia dhe proza e Zeqos janë e njëjta gjë. Ne na mahnit uniteti i tyre dhe biem në mendime për gjërat e veçanta apo për motivet me një ambiguitet të shumëfishtë.

Si mik i vjetër i Moikom Zeqos e kam ndjekur krijimtarinë e tij.

Por vetëm në këtë kohë sukseset e tij janë më të lexueshme, ai na afron kode të reja leximi. Nuk është vetëm kultura që krijon simfonizmin letrar Moikomian. Një lëvizje nebuloze, që ka të bëjë me gjenezën e tij është kudo e pranishme në librat e tij, ashtu siç është vetë jeta. Autori gati ironizon formulat absolute, por relativizmin moral e shikon me shpoti, nuk ka droje edhe ta satirizojë. Të habit lirika e brendshme e fjalës, ndonëse shkujdesja poetike flet më tepër për një thyerje të qëllimshme të rregullave, gjë që vjen nga përvoja e gjatë.

Dendësia e ideve është kaq e madhe në një fletë libri, sa të tjerë shkrimtarë me të njëjtën lëndë mund të shkruanin dhjetëra faqe.

Kjo dashuri intelektuale për sintezën është e rrallë dhe deri diku mund të them që ky shkrimtar është i vetmuar.

E pra kështu në këtë mënyrë, ai kërkon të na ç’mitizojë vetminë e tij dhe të botës.

E di që aktet e vlerësimit janë aktet më të vështira.

Balzaku përmendet jo vetëm për veprën e tij madhështore, që me përvujtmëri e mbiquajti “Komedi Njerëzore”.

Ai përmendet se qe i vetmi në Francë që zbuloi talentin e fshehur nga buja e opinionit publik të Stendalit.

Këtë gjë nuk e bëri Sent Bëvi as kritikët dhe estetët e shquar të Francës.

Ndershmëria e Balzakut në këtë rast pati një karakter historik. Nuk dua të heq asnjë paralel.

As nuk dua të them se ky shkrim ka thjesht karakterin e një zbulimi. Zeqo gjithnjë ka qenë një figurë publike tepër e njohur.

Për arsye që nuk mund t’i kuptoj dhe pra as dua t’i shpjegoj gjithmonë, ky njeri dhe krijues nuk është kuptuar siç duhet.

A nuk ndodh kështu edhe me poetin e mrekullueshëm Ndre Mjeda? Si dreqin në të gjitha kohërat, Mjeda qenka “i panjohur”, “i pakuptueshëm”? Shkrimi im është padyshim një ftesë diskutimi.

Kështu duhet të kuptohet. Për të shkruar për librat e veçantë të Zeqos duhet kohë, kujdes, tendosje dhe padyshim shumë dashuri.

Sepse ai e meriton këtë dashuri.

Ai vetë ka dhënë dhe jep dashuri. (Botuar fillimisht te gazeta “Albania”, 9 gusht 2001)./ KultPlus.com



Ashtu si dhe Kadareja i madh, Moikom Zeqo përbën një fenomen në letrat shqipe dhe jo më kot, por i përqas këto dy figura madhore dhe autoritare.

Bonusi i Rijetësimit dhe i Artizanëve, rivitalizim i trashëgimisë kulturore të Krujës

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se, “Kruja është një nga qytetet e para që ka përqafuar nismën e qeverisë, Bonusin e Rijetësimit”.

Ministrja Margariti, së bashku me ministren e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, kryetarin e bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe deputetë të zonës, zhvilluan takimin e radhës me banorë e artizanë, për të ndarë mundësitë që ofron ky vit nga Bonusi i Rijetësimit dhe Bonusi i Artizanëve.

Sipas saj, janë dy bonuse që ruajnë, rijetësojnë dhe përcjellin trashëgiminë kulturore materiale e jomateriale.

Margariti tha se, për mirëmbajtje dhe konservim ofrohet një bonus deri në 1 milion lekë, ndërsa për restaurim dhe rijetësim deri në 6 milionë lekë. Afati i aplikimit, 10 mars 2023.

Ndërsa ministrja Ekonomi theksoi se, kjo është një thirrje e hapur për këdo që do të restaurojë dhe rijetësojë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike dhe lagje brenda kalave.

“Kjo është një mundësi e artë për të zhvilluar më tej potencialin turistik të Krujës, duke krijuar dhe përmirësuar kapacitetet akomoduese dhe jo vetëm”, u shpreh Margariti./atsh/ KultPlus.com

Ndizen 1133 qirinj në kujtim të fëmijëve të zhdukur dhe të vrarë gjatë luftës

Në shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, para Teatrit Kombëtar në kryeqytet, janë ndezur 1133 qirinjë, numër ky që simbolizion numrin e fëmijeve të vrarë gjatë luftës. Shumë fëmijë janë mbledhur para Teatrit Kombëtar për t’i kujtuar fëmijet e vrarë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Kryeministri Kurti u tha fëmijëve të pranishëm se sakrifica e popullit është e madhe dhe se plagët e luftës janë të thella, por se gëzimin dhe lumturinë e fëmijeve s’ka pikëllim që e mund.

“Shpresë jeni ju fëmijët e Kosovës. Ju po e mbani nga nië qiri në duart tuaja në këtë buzëmrëmje. Janë 1133 qirinj, sepse secili prej tyre tregon për një fëmijë që është vrarë gjatë luftës dhe nuk është në mesin tonë. Ne ata do t’i kujtojmë dhe kurrë s’do t’i harrojmë. Sakrifica e popullit tonë është e madhe plagët e luftës janë të tella. Por gëzimin dhe lumturinë tuaj nuk ka pikëllim që e mund”, tha Kurti. / KultPlus.com

Bideni ishte zotuar: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme

Gjatë fushatës në garën për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani i zgjedhur president Joe Biden, kishte thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Në një letër drejtuar shqiptaro-amerikanëve gjatë fushatës, Bideni kishte thënë se mbështet dënimin e krimeve në Kosovë dhe do të kërkojë drejtësi për të zhdukurit.

“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, ishte thënë në deklaratën e Bidenit.

Këto ishin ndër pikat kryesore të deklaratës së tij në tetor:

– Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

– Joe Biden ka përkrahur ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës më 1999

– Biden kritikon politikën e “pabalansuar” të Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë/ KultPlus.com

Hapet shtandi i Kosovës në edicionin e 73-të të Berlinales

Për të njëmbëdhjetin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës prezentohet në Tregun Evropian të Filmit – EFM në edicionin e 73-të të Berlinales.

Ndër të tjera, Qendra Kinematografike e Kosovës do të promovoj filmat e fundit kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, do të këtë takime dhe inicime të marrëveshjeve të ardhshme ndërshtetërore, takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare, producentë e distributorë.

Shtandi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë gjendet në Marriott Hotel në adresën Inge-Beisheim-Platz 1, 10785 – Shtandi nr. 138. / KultPlus.com

Hapet ekspozita e përbashkët e gjashtë fotografëve shqiptarë, sjellin shkrepjet e ‘gjalla’ të botës së egër të Spanjës

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery, gjashtë fotografë shpalosën punën e tyre e cila solli imazhe pothuajse të gjalla të natyrës së egër të Spanjës

Ekspozita e cila përmban 12 fotografi të fotografëve Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe Sevdail Sulejmani, përveç që solli fotografi të shkrepura në Valencia të Spanjës, erdhi edhe si një mesazh që Kosova të vihet në vëmendjen e Spanjës dhe si një lobim përmes artit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Spanja, shkruan KultPlus.

Në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte mbushur plot hapësirën e galerisë, e para fjalën e mori drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm në hapjen e kësaj eksozite, e cila përveç promovimit të botës së egër të Spanjës, ka edhe një mesazh që në thelb ka ndjenjën kombëtare.

“Është një kënaqësi shumë e madhe të hapim këtë ekspozitë të gjashtë fotografëve shqiptarë të cilët e kanë bërë një punë me lokacion në Spanjë dhe pas bisedës me Sevdailin, mesazhin që këta fotografë kanë dashur të japin është promovimi i botës së egër të Spanjës dhe në të njëjtën kohë edhe ta kthejnë vëmendjen e Spanjës tek Kosova”, u shpreh Pajaziti.

Në hapjen e kësaj ekspozite, për KultPlus foli edhe vetë përfaqësuesi Sevdail Sulejmani i cili shpalosi mesazhin dhe detaje të tjera rreth realizimit të këtyre fotografive.

“Fotografitë i kemi realizuar në Valencia, në rrethinën e Valencias, ekspedita ka zgjatur tri ditë, ndërsa mesazhi është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Spanja. Ideja ka lindur përderisa ishim në Spanjë pastaj u munduam ta organizojmë sa më shpejt që të mundohemi ta kemi gati në prag të festës së pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Sulejmani i cili më tutje tha se këto fotografi janë realizuar nga data 25 deri më 28 dhjetor të viti 2022.

I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, i cili është edhe njohës i kulturës spanjolle.

“Sonte është mbrëmja e Sevdail Sulejmanit dhe kolegëve të tij fotografë. Këto janë fotografi pothuajse të gjalla, duken kaq mahnitëse sa që këto shqiponja duken pothuajse sikur janë të gjalla dhe po na shikojnë në sy”, tha Sidheri duke folur për ndjesitë e tij sapo i pa këto imazhe të paraqitura në ekspozitë.

E për fund fjalën e mori gazetarja Vera Pelaj, e cila vlerësoi lart punën e fotografit Sulejmani, jo vetëm në këtë ekspozitë por edhe të punës së tij të mëhershme.

“Kam parë shumë fotografi të Sevdail Sulejmanit e që janë të mahnitshme. Para disa javësh ai më tregoi që do të organizojë një ekspozitë bashkë me fotografë të tjerë, pavarësisht që nuk është një ekspozitë personale më vjen shumë mirë që jam prezentë këtu për të parë këto imazhe e në të cilat është edhe shqiponja, e që njihet si simbol kryesor i shqiptare shtuar këtu edhe mesazhin që kjo ekspozitë përcjell”, tha mes tjerash Pelaj.

Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita e hapur më 16 shkurt do të qëndrojë e hapur për dy javë e të gjithë të interesuarit do të mund ta vizitojnë atë në KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com

‘Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë, me fuqinë e kësaj zemre do të këndoj’ (VIDEO)

“Për ty Atdhe” është një ndër këngët më të bukura që e ka sjell tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj.

Prishtina, Prizreni, Tirana, Kruja e vendet tjera të dy shteteve shqiptare janë nikoqire të kësaj kënge, teksa përgjatë videoklipit shfaqen motive të kulturës shqiptare, si veshja, plisi dhe shumë elemente të tjera të cilat e kurorëzojnë këtë këngë.

Kënga muzikën e së cilës e kreu Pjetër Gaci, orkestrimin Shpëtim Saraçi dhe me video produksion nga Entermedia, në të gjitha pamjet shfaq dashurinë e një çifti të ri që vizitojnë vende shqiptare dhe praktikojnë tradita tona, teksa përmbyllja e këngës bëhet me propozimin e Lahajt ndaj vajzës pranë monumentit të Skënderbeut.

KultPlus ju sjell në mendje sot, në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Për ty Atdhe

Për ty Atdhe,
ma të bukurën kangë,
me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj,
për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.

Për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku,sot i lumtur jetoj.

x2
I bukur je,
ngrihesh madhështor,
si një kështjellë e pamposhtur ti qëndron,
në mes dallgësh
shkëmb graniti vigan,
s’u përkule nga çdo stuhi e tufan./ KultPlus.com