Aleksandër Gjoka është një këngëtar dhe autor këngësh shumë i njohur.
Është këngëtar i mirënjohur shqiptar dhe deri më tani ai ka të incizuara disa këngë por më e njohura ndër to është “Kuturu” një këngë shumë e bukur e cila dëgjohet edhe sot.
Poashtu ai është pjesëmarrës i disa edicioneve të festivalit “Kënga Magjike”.
Ndërkaq, sonte KultPlus ua sjell videon dhe tekstin e këngës ‘A do të vish’ të Luan Zhegut, interpretuar nga Aleksandër Gjoka:
U deshëm shume në të dy, dhe ç’do mëngjes na gjente bashkë. E meriton vallë dashurinë..? Nuk me rri pranë kur unë jam larg…
Por unë do t’ shkoj dhe po t’ mos vish, se koha mua më kerkon, s’mund ta kuptosh ti dashurinë vec në qytetet me neone!
Dikush më tha se ti do t’ vish, s’më zuri gjumi deri vonë’ i the qytetit “Lamtumirë”, më prit më the në telefon:
(refreni dy herë) “Alo, alo, alo…” ty të dëgjoja, dhe zërin tënd të ngrohtë unë prane e doja, s’e fsheha lumturinë dhe në cast të thashë: “Te dua!” dhe kjo ndodh tek cdo njeri.
Në një stinë dashurie diell s’ka gjithnji, ka dhe dimër në mes verës, edhe vjesht’ më shi, por kur jeta thurret bukur diell ka përherë, katër stinët zemrat bëjnë pranverë.
Pak ditë më parë Franca zgjodhi përfaqësuesen e saj në Eurovizion. La Zara do të përfaqësojë Francën në Eurovizionin e 67-të me këngën “Évidemment”.
Kënga “Évidemment” është shkruar nga vetë këngëtarja dhe është punuar nga bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar Benny Adams. Dyshja Banx & Ranx, të cilët janë pas hiteve të artistëve si David Guetta, Dua Lipa dhe Ellie Goulding, janë nënshkruar si bashkëproducente.
E lindur në Quebec, me origjinë marokene, La Zara e përshkruan këngën si një këngë të vërtetë franceze për qasjen universale ndaj dashurisë, rëndësinë e dashurisë për veten dhe kërkimin e lumturisë.
Në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube, ajo mblodhi më shumë se gjysmë milioni shikime në vetëm pak ditë. Shikuesit janë të kënaqur me këngën e saj. Shumë njerëz shkruajnë në komente se ajo meriton vetëm pikët më të larta (12) dhe se është favorite absolute. Disa e quajnë këngën një kryevepër.
Duke parë kanalin zyrtar në YouTube, përfaqësuesja norvegjeze Alessandra është më e shikuara deri më tani me 1.8 milionë shikime.
Në vend të dytë renditen kroateja Let 3 dhe interpretuesja spanjolle Blanka Paloma me po aq shikime, rreth 1.4 milionë. Vendin e tretë e zuri përfaqësuesi belg Gustav, ndërsa të katërtin La Zara, e cila tashmë ka afër 600 mijë shikime në vetëm tre ditë.
Sipas një sondazhi në faqen e Eurovizionit, Ukraina është favorit, e ndjekur nga Suedia. Franca, e cila iu bashkua garës vetëm një ditë më pas, tashmë është ngjitur në vendin e 11-të.
Franca ka fituar pesë herë Eurovizionin deri më tani, herën e fundit në vitin 1977./ KultPlus.com
Taylor Swift është fituesja e çmimit “Artisti Ndërkombëtar i Vitit 2022” nga organizata ndërkombëtare që përfaqëson industrinë e muzikës së regjistruar në botë (IFPI). Kjo është hera e tretë që ajo kryeson ‘IFPI’.
Publikimi i albumit të saj të ri “Midnights” në tetor 2022 i dha asaj këtë vlerësim.
Siç raporton APE-MPE, fituesi i çmimit zgjidhet sipas performancës së tij globale në të gjitha format dixhitale dhe fizike të muzikës, gjatë vitit të kaluar.
“Taylor është një yll me të vërtetë i mrekullueshëm ndërkombëtar që vazhdon të rritet dhe të evoluojë si artiste, duke pasur gjithashtu një marrëdhënie tepër të fortë me fansat e saj në mbarë botën”, tha CEO i IFPI, Frances Moore.
Ky vit shënon vitin e dhjetë që IFPI e jep këtë çmim, ku këngëtarja është artistja e parë dhe e vetme që kryeson tre herë listën pasi fitoi në 2014 dhe 2019./abcnews.al/ KultPlus.com
Sfera misterioze metalike që u konstatua në një plazh në Japoni, duke shkaktuar frikë tek vendasit, mund të jetë thjeshtë një pjesë e pajisjeve të zkonshme detare.
Sfera e cila kishte një diametër prej 1.5 metrash doli në rërën e plazhit Enshu në qytetin bregdetar të Paqësorit të Hamamatsu këtë javë, duke detyruar banorët vendas të evakuohen dhe duke lënë autoritetet pa informacione se çfarë ishte dhe nga kishte ardhur.
Topi ka një ngjashmëri të madhe me një vozë çeliku të bërë nga kompania kineze e ndërtimit të anijeve Nantong Yangfan.
Kompania është e vendosur në provincën bregdetare në Kinën lindore, duke përforcuar idenë se objekti thjesht u shkëput dhe lundroi në lindje të Japonisë.
Këtë të martë autoritetet japoneze vendosën skuadra për asgjësimin e bombave në vijën bregdetare mes frikës fillestare se mund të ishte një minë detare.
Skanimi i objektit zbuloi se guaska e saj metalike e ndryshkur ishte thjesht një objekt i zakonshëm detar dhe brenda saj nuk kishte asgjë.
Këto bova metalike zakonisht përmbajnë më shumë përbërës brenda shtresës së jashtme për të ndihmuar pluskimin në det. / KultPlus.com
Një numër protestuesish kanë pikturuar një flamur gjigant të Ukrainës në rrugën jashtë ambasadës Ruse në Londër.
Të organizuar nga grupi “Led By Donkeys”, demonstruesit derdhën në rrugë ngjyrat simbolike të flamurit të Ukrainës duke përdorur karroca dore.
Shoferët dhe çiklistët u përpoqën që ta shmangnin rrugën e lyer me bojë ndërsa një protestues mbante në dorë një shenjë në të cilën shkruanin “ecni me kujdes.”
Në zonë janë parë policë, ndërsa sipas raportimeve ka pasur edhe të arrestuar./ A2CNN / KultPlus.com
Një krim ndaj historisë dhe arkeologjisë po ndodh në Maqedoninë e Veriut, ku raportohet se autoritetet po ndërhyjnë barbarisht mbi disa rrënoja antike duke i hapur rrugën ndërtimit të pallateve moderne.
Është shkrimtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut Feri Arifi ai që ka ngritur alarmin se Shkupi i vjetër po gjurmohet e shkatërrohet dhe artefaktet po thyhen.
“Shkupi vjetër po shkatrrohet nga sllavet e po gjurmohet dhe artifaktet po thyhen”, shkruan në facebook shkrimtari dhe historiani Feri Arifi.
Sipas tij shqiptarët e kanë problemin mes tyre dhe askush nuk po reagon mbi këtë çështje.
“Shkupi vjetër po shkatrrohet nga sllavet e po gjurmohet dhe artifaktet po thyhen. Shqiptarët po grinden në mes vete, me ke me shku. Asukujt për artifakte si dëshmi që po shkruajn me shkronja Dardania nuk po i han palla, shqip e shkurt. Përmes fotove te marrura nga Nexhat Dardhishta, duket qarte se Historia Dardane po mbetet “rrugeve” ka përfundur Arifi.
Ndërkohë televizioni “TV21” ka tentuar të hyjë në zonë, por nuk është lejuar me pretendimin se është pronë private.
Një prej pllakave antike me mbishkrimin Dardanus
Historiani Muzafer Bislimi, thotë se ka ligj që edhe nëse gjenden artefakte në provat private, duke qenë se ato dëshmojnë historinë e një populli atëherë ndërtimet ndërpriten.
Pikërisht në këtë zonë, është gjetur një pllakë antike, me mbishkrimin “Dardanus” ndër të tjera.
“Si në të gjithë botën ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut ka ligj i cili thotë se pa marrë parasysh investitori nëse është tokë e tij apo jo edhe në pronën private edhe nëse gjenden artifakte që janë të rëndësishme për kulturën dhe historinë e popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë ndërtimi menjëherë pritet dhe lajmërohet Agjensia e Trashëgimisë Kulturore i cili është organ i thirrur”, ka thënë Bislimi.
Drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore Arian Asllanaj, ka qenë i pranishëm gjatë ditës së djeshme dhe ka premtuar se pllakën më mbishkrimin “Dardania” do ta dërgojë në muzeun arkeologjik të Shkupit.
Asllanaj së bashku me me ambasadorin kosovar kanë vizituar këtë vend gjatë ditës së sotme dhe kanë marrë pllakën me mbishkrimin “DARDANUS” dhe e kanë dërguar në nekropolin e qytetit të Shkupit./ KultPlus.com
Garuesit për Çmimin e madh Kadare 2023 kaluan fazën e fundit, ku nga dhjetë u përzgjodhën vetëm pesë finalistë, nga ku do të zgjidhet edhe fituesi më 26 shkurt.
Për fazën e tretë të Çmimit Kadare u përzgjodhën Grigor Banushi me “Gjenerali pa yll”, Leonard Veizi me “Ted B”, Suad Arilla me “Rikthim në vendet e panjohura”, Nurie Emrullai “Duhet të jetë dashuri” dhe Klidi Apostoli me “I abortuari”.
Juria e këtij viti, e përbërë nga poetja Natasha Lako, shkrimtari e gazetari Alfred Peza, gazetari nga Shkupi Nazim Rashidi, pedagogët Ermir Nika dhe Irena Myzeqari, pritet ta shpallin fituesin në ditën e fundit të Shkollës Dimërore të Humaniteteve, që mbahet në Llogora.
Edhe në këtë edicion të tetë të Çmimit Letrar Kadare nuk kanë munguar emrat e autorëve të njohur, por risi për jurinë kanë qenë prurjet e të rinjve, të cilët kanë dominuar edhe në përzgjedhjen e dhjetëshes finaliste, që do të pretendojë për të fituar çmimin e madh prej 10 mijë euro. Këtë vit u paraqitën 27 dorëshkrime në prozë, nga të gjitha trevat shqipfolëse. Vepra e fituesit do të botohet gjithashtu nga shtëpia botuese “UET PRESS” dhe do të ndiqet nga një tur veprimtarish promovuese.
Edicionin e kaluar, fituese u shpall shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”. Të tjerë fitues të shquar të Çmimit Kadare kanë qenë Gani Mehmetaj dhe Musa Ramadani, nga Kosova, Rudolf Marku, Virgjil Muçi, Shkëlqim Çela e Loer Kume. Përgjatë viteve, në këtë konkurs kanë garuar edhe emra të tjerë të njohur si poetja Mimoza Ahmeti, shkrimtarët Zija Çela e Bardhyl Londo, publicisti Mustafa Nano, poeti Primo Shllaku, Ylljet Aliçka, Gazmend Krasniqi e shumë të tjerë. /GazetaTema / KultPlus.com
Kostumografia, Anila Zajmi është edhe një hulumtuese e kërkimit të metodave të vjetra, pasi ka bërë edhe një kërkim artizanal të mënyrës se si krijohet plisi, të cilin e ka kthyer edhe në fashion.
E ftuar në “Pas Mesnate” në ABC News, ajo ka deklaruar se ka marrë përsipër të bëjë një studim për teknikat artizanale të realizimit të veshjeve shqiptare, pas deformimeve të tmerrshme që janë bërë.
“Një nga studimet e mia të fundit kanë qenë teknikat artizanale të realizimit të veshjeve shqiptare. Kjo ka qenë një nevojë të cilën unë e ndjeja duke parë kostumet e realizuara shumë keq në periudhën e fundit, deformime të tmerrshme, që janë më mirë të mos bëhen sesa të bëhen në një formë të tillë, sepse krijohen prototipe në kokën e një njeriu që kostumi është ky”, tha ajo.
Më tej, Anila dha dhe një mesazh për artistët e rinj që duan të ecin në gjurmët e saj, duke u shprehur:
“Është shumë e rëndësishme të kesh respekt për veten tënde, për atë që mund të bësh, jo për atë që nuk mund të bësh. Edhe në qoftë se shikon te vetja, te rrënjët, patjetër që do të shikosh përpara, do të shkëlqesh”./ KultPlus.com
Mustafa Tozan, një elektricist në pension me banim në Izmir, prodhoi një kabinë enkas për tërmete, që duket si një njësi televizive, duke marrë mendimin e ekspertëve pasi gruaja e tij kishte shumë frikë nga tërmeti që ndodhi në Izmir më 30 tetor 2020.
Tozan thotë se shpikja e tij është një kabinë që mund të përballojë deri në 66 tonë përballë një goditjeje me një pikë, sipas provave të kryera me inxhinierë ndërtimi.
“Qëllimi ynë është të ndihmojmë njerëzit, por duke e bërë këtë, ne gjithashtu marrim mbështetjen dhe garantojmë sigurinë e fëmijëve tanë. Dizajni më përket mua, por “nëna” e idesë është gruaja ime. Gruaja ime sapo ndien lëkundjen më të vogël, hyn në kabinë brenda disa sekondash. Aty është rehat. Kjo njësi është prej çeliku. Jashtë i mbuluar me MDF. Pjesa e brendshme është e mbuluar me MDF dhe dysheme për të parandaluar përplasjet. Përveç kësaj, ka një rrip sigurie, bateri të rikarikueshme, ndriçim led, karikues dhe sirenë në njësi. Njësia ka një zonë ndenjëse dhe është në formën e gjashtë sëndukëve. Në këtë sënduk mund të vendosen sende të nevojshme si ushqim, ujë, batanije, bateri rezervë, vegla, ilaçe, fikëse zjarri. Ata që blejnë njësinë mund të vendosin cilindra oksigjeni brenda, por brenda ka tashmë vrima ventilimi. Për të përdorur saktë zonën, unë projektova pjesën e përparme të njësisë së tërmetit si një njësi televizori. Para tij është një televizor, menjëherë pas tij është njësia e tërmeteve. Është një kabinë që mund të përballojë deri në 66 tonë përballë një goditjeje me një pikë, sipas provave që kemi kryer me inxhinierë ndërtimi”, tha elektricisti Mustafa Tozan. /A2CNN / KultPlus.com
Është vënë sot gurthemeli i objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore i cili deri tash ka funksionuar në hapësira jo të mjaftueshme, përcjell KultPlus.
Objekti i ri i FSHMN-së do të ketë ambiente që ofrojnë kushte për studime, punë akademike dhe kërkime shkencore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci e cila është shprehur se përmes
ndërtimit të objekteve moderne arsimore, synojnë përmirësimin e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes si dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore.
“Një Universitet i cili krijon kushte dhe qasje në arsim cilësor, krijon edhe një shkallë të lartë të kohezionit social, ndaj reformat e thella në arsim zënë vend të spikatur në agjendën politike të Qeverisë Kurti.
Ndërtimi i këtij objekti financohet nga BE-ja ndërsa udhëhiqet dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS) dhe ka vlerë 8.9 milionë euro.
Falënderoj BE-në për mbështetjen në këtë projekt të rëndësishëm për studentët, mësimdhënësit, arsimin e lartë dhe shkencën në Kosovë.
Stafit dhe studentëve të këtij Fakulteti, u dëshiroj shumë suksese!”, shkruan Nagavci. / KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 23 shkurtin e vitit 1848, kohë kjo kur doli numri i parë i gazetës “L’albanese d’ Italia” (Shqiptari i Italisë).
Kjo gazetë mbrojti të drejtat e shqiptarëve, duke radhitur fakte e argumente të historisë së Shqipërisë, me qëllim që të njihej edhe opinioni në Itali e më gjerë.
Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës. Shtypi i kohës na tregon, që ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare.
Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra e mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut./ atsh / KultPlus.com
Mozaiku i Tiranës është fotografuar në detaje të mahnitshme, duke përdorur teknologjinë e fundit gigapiksel.
Lajmin e dha sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se, “asnjëherë më parë Mozaiku i Tiranës nuk është parë në kaq shumë detaje”.
Kjo vepër arti historike, simbol i trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës, shpaloset në hollësi dhe me ngjyra të gjalla.
Ky është një proces dokumentimi dhe digjitalizimi, që i shërben ruajtjes së trashëgimisë dhe qendrës së informimit mbi mozaikët, që po ngrihet këtu.
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.
Mendohet se kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton një ngjarje të 99 viteve më parë, kur më 23 shkurt të vitit 1924, Ahmet Zogu u vu në shënjestër të një atentati.
Asokohe kryeministër, Ahmet Zogu u qëllua me pistoletë, teksa ishte duke ngjitur shkallët e godinës së Parlamentit. Atentatori ishte 17-vjeçari, Beqir Valteri.
Incidenti krijoi një situatë tensioni mes legjislatorëve, por zhurmënaja u shua prej vetë kreut të ekzekutivit, i cili kërkoi vijimin normal të seancës parlamentare.
I rënë në duart e xhandarëve, Valteri dorëzohet nën premtimin e Zogut për t’i falur jetën. Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se prapa këtij atentati qëndronte si nxitës Avni Rustemi.
Valteri, i riu nga Mati u fal nga Zogu, i cili akordoi në emër të tij edhe një të drejtë studimi në Evropë. Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj klime tensioni, Zogu u dorëhoq nga posti i kryeministrit./ atsh /KultPlus.com
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu pohon për “Indeksonline”, se vetëm për gjashtë javë nga Kosova janë larguar 43 mjekë, për të vazhduar punën në vendet evropiane.
“Gjatë këtij viti flasim prej një janari tashmë gjashtë javë përafërsisht janë 43 mjek, të cilët janë larguar nga Kosova”, tha ai.
Megjithëse me rritjen e koeficientit, u rriten dhe pagat e mjekëve, Sejdiu thotë ende nuk mund të thuhet se sa do të ndikoj kjo në ndaljen e ikjes së mjekëve. Sipas tij dy arsyet kryesore për të cilat mjekët e rinj janë duke u larguar nga vendi ka të bëjë me çështjen e punësimit, pasi që në Kosovë janë mbi 360 mjek pa punë.
“Dy arsyet kryesore për të cilat mjekët e rinj janë duke u larguar është punësimi. Ne kemi mbi 360 mjekë pa punë dhe shumica e këtyre që po largohen janë prej asaj kategorie, mbi 60 për qind të tyre. Pastaj kushtet e punës dhe kushtet e specializimit, që është ajo pjesa tjetër e mjekëve që po largohen dhe të gjitha këto nuk mund me ndryshu aq shpejtë dhe nuk presim një zvogëlim të papunëve”, tha ai..
Pakënaqësia tek mjekët sipas Sejdiut ka të bëjë me vlerën e koeficientit , për shkak se ka qenë pritja më e madhe si dhe rangimi i cili është kërkuar që të jetë më i lartë.
E çështja me të cilën mjekët nuk pajtohen është rangimi i njëjtë me psikologët klinik. Sejdiu thotë se janë duke shikuar me Zyrën Ligjore mundësinë e dërgimit të ankesës tek Avokati i Popullit, pasi që mjekët sipas tij janë diskriminuar duke u ranguar njëjtë me psikologët klinik.
“Nëse rangohet psikologu klinik i cili ka tri vjet Becheler dhe një vjet master apo gjashtë mujor me një mjek i cili ka gjashtë vjet shkollim dhe i ka të gjitha kompetencat e trajtimit. Kurse psikologu klinik nuk e ka një gjë të tillë. Edhe psikologu klinik në specializim me mjekun në specializim po e njëjta storie dhe psikologu specialist e njëjta storie me mjekun specialist, që nuk janë askund as me kompetenca as me shkollim. Prandaj aty është bërë një diskriminim. Tash ata mund të mbeten aty, por jo me neve. Me siguri ne sipas të gjitha gjasave do ta atakojmë”, tha ai. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Shoqatën e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, të cilës ia ka ndarë një mirënjohje për kontributin vullnetar në operacionin humanitar në Republikën e Turqisë, pas tërmetit që goditi këtë shtet.
Në takim me vullnetarët e kësaj Shoqate, Presidentja Osmani çmoi lart kontributin e tyre, duke potencuar se ata kanë përfaqësuar denjësisht shpirtin solidar e human të të gjithë qytetarëve të Kosovës. / KultPlus.com
Është e frikshme, është poshtëruese për gjithë ne shqiptarët, videoja ku shihet dhuna që policia e Malit të Zi ushtron mbi profesor Petraq Milon.
Ajo video shpalos shumëçka për ata që marrin vesh. Si për shembull atë se Mali i Zi mund ta ketë edhe kryeministrin edhe presidentin shqiptar, por antishqiptaria të mbetet ‘institucionale’ dhe e pa rrezikuar nga askush.
Po, ajo video shpërfaq edhe të vërtetën se sa më i madh është përkushtimi i Kryeministrit të Shqipërisë për projektet serbo-ruse, si ai për ‘Ballkanin e Hapur’, aq më shumë forcohet bindja antishqiptare se ne nuk kemi ku të ankohemi kur na dhunojnë policët antishqiptar, se jemi si popull pa atdhe, se neve nuk ka kush na mbron, se ne kemi burrështetas që i jargaviten Beogradit dhe e përbuzin popullin e vet.
Videoja që duhet to na bëjë të turpërohemi të gjithëve, dëshmon sa të pambrojtur jemi kur i kalojmë kufijtë shqiptaro-shqiptarë, kufij të kontrolluar nga policët joshqiptarë, policë që i irriton ekzistenca jon fizike.
Dhe neve na dhunojnë në kufijtë shqiptaro-shqiptar sepse e kemi tejkaluar kufirin e pandjeshmërisë ndaj fatit tonë kolektiv, fat të cilin e kemi lënë në duart e atyre që janë e mira e fqinjëve tanë dhe fatkeqësia jonë. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një performancë tejet të veçantë, të luajtur nga një artiste japoneze në kuadër të vizitës së tij në Tokio.
Artistja japoneze interpretoi himnin tonë në një mënyrë krejtësisht të veçantë si një mjeshtre e rrallë e harpës.
Ky interpretim erdhi për nder të vizitës së delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama.
“MIRËMËNGJES me himnin tonë të luajtur siç nuk e keni dëgjuar kurrë, nga një mjeshtre e harpës gjatë Albanian Day në Tokio”, shkruan Rama.
Në kuadër të 42-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, Rama ndodhet në Japoni së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.
Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij japonez, Fumio Kishida zhvilluan dje një konferencë të përbashkët për mediet. Rama ftoi kryeministrin japonez që në të ardhmen të vizitojë Shqipërinë ndërsa dha lajmin se së shpejti Japonia do të dërgojë një të dërguar special posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. / ATSH / KultPlus.com
Një numër shkollash në fshatrat e komunës së Prishtinës, në zonën e Gollakut, po përballen me mungesë të nxënësve për shkak të shpërnguljes së madhe të banorëve nga kjo zonë. Shkolla “Dëshmorët 1921”, në fshatin Prapashticë, zhvillon mësimin me vetëm 12 nxënës.
Drejtori i shkollës, Fatmir Zhdrella, për RTV21 ka thënë se në 10 vjetët e fundit ka pasur rënie drastike të numrit të nxënësve. Kjo për shkak, siç thotë, të shpërnguljes së banorëve nga fshati për në kryeqytet, por edhe në Evropë.
Zhdrella ka thënë se për vitin shkollor 2022/23 nuk ka pasur fare klasë të parë, ndërkohë që mësimi zhvillohet me vetëm 1 ose 2 nxënës nëpër klasë. / KultPlus.com
Muzeu Arkeologjik i Apolonisë (MAA) përmes një postimi në rrjetet sociale, të objekteve që ruhen aty, tregon për aftësitë inxhinierike në ndërtimin e rrugëve, në lashtësi.
Si në të gjithë perandorinë, romakët ndërtuan edhe në territorin tonë një rrjet rrugor, si nga veriu në jug, ashtu edhe nga lindja në perëndim.
Në disa raste ato ishin nyje tërësisht të reja dhe disa të tjera ishin lidhje dhe përmirësim i rrjeteve rrugore më të hershme, të cilat ekzistonin që në periudhat e mëparshme.
Për aftësinë inxhinierike të romakëve, në lidhje me ndërtimin e rrugëve ka shumë artikuj të shkruar nga autorë të ndryshëm si edhe prova arkeologjike të cilat ruhen edhe në ditët tona.
Rrugët ndërtoheshin me disa shtresa, për të siguruar qëndrueshmërinë. Që të ishin në gjendje sa më të mire, bëhej mirëmbajtja e tyre, dhe me këtë punë zakonisht ngarkohej Legjioni, i cili ishte vendosur në atë provincë.
Në disa pika kishte stacione, për çlodhje të udhëtarëve si rasti i termeve në Bradashesh (stacion i Via Egnatias) dhe për ndërrimin e kuajve, tempuj, si dhe gurë miliar (që tregonin distancën), një rast i një guri miliar i Via Egnatias është i ekspozuar në Muzeun Arkeologjik Apoloni (MAA).
Një kopje e tij, me të njëjtin përmbajtje ndodhet edhe në qytetin e Ohrit. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një pikënisje të kësaj rruge jo vetëm nga Dyrrahu, por edhe nga Apolonia. / atsh / KultPlus.com
Një nga perlat dhe bukuritë natyrore në zonën e Gramshit është dhe lumi Holta me kanionet e tij të mrekullueshëm. Lumi Holta e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan, deri në fshatin Kobash, me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lart deri në 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.
Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive.
Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.
Holta është një zonë turistike ku nuk ka dyndje vizitorësh edhe për shkak të terrenit të thyer, megjithatë është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë./ atsh / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se sot do të nënshkruhen memorandume bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 31 bibliotekave komunale të Kosovës, përcjell KultPlus.
Ceremonia e nënshkrimit të këtij memorandumi do të bëhet sot, më 23 shkurt, në ora 14:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë. / KultPlus.com
Joana Shopenhauer (Johanna Schopenhauer) vendos të çlirojë të birin nga detyrimi atëror për të vazhduar profesionin familjar prej tregtari. Mjeti ishte një letër profetike, të cilën ajo ia drejtoi Artura Shopenhauerit (Arthur Schopenhauer), më 28 mars të vitit 1807, dy vjet pas vdekjes së babait të tij. Filozofi gjerman Shopenhauer, në moshë të thyer do të shkruante se pasi përfundoi së lexuari këtë letrër, derdhi lot.
“I dashur Artur,
Toni serioz dhe i qetë i letrës tënde, më datë 28 mars, që shkoi nga mendja jote tek e imja, më zgjoi dhe zbuloi se mund të jesh duke marrë një rrugë në drejtim të kundërt me prirjen tënde!
Prandaj, unë nuk duhet të lë gurë pa lëvizur që të të shpëtoj, sado e mundur që të jetë kjo; unë e di çfarë do të thotë të jetosh një jetë të pështirë për shpirtin dhe, nëse është e mundur, dua të ta kursej, bir i dashur, këtë fatkeqësi.
Oh i dashur, i dashur Artur, përse zëri im pati kaq pak peshë, ajo që ti dëshiron tani ishte, në fakt, dëshira ime më e flaktë, se shumë u përpoqa që ta bëja realitet, pavarësisht të gjitha atyre që u thanë kundër meje… nëse ti nuk dëshiron të ndjekësh rregullin e nderuar filistin, unë, Arturi im i dashur, vërtet që nuk dua të vendos ndonjë pengesë në rrugën tënde; vetëm ty të takon që të kërkosh rrugën tënde dhe ta zgjedhësh atë.
Më pas, unë do të të këshilloj dhe të ndihmoj aty ku është e mundur dhe si të mundem. Në fillim, përpiqu që të bësh paqe me veten… mbaj mend, duhet të zgjedhësh studime që të premtojnë një rrogë të mirë, jo vetëm sepse është e vetmja mënyrë me të cilën ti mund të jetosh, pasi ti nuk do jesh ndonjëherë aq i pasur, saqë të mund të jetosh vetëm në saje të trashëgimisë.
Nëse e kë bërë zgjedhjen tënde, më trego cila është, por ti duhet që ta marrësh këtë vendim vetë… nëse ndjen se ke fuqinë dhe zemrën për ta bërë këtë, unë me dëshirë do të të jap një dorë. Por, mos imagjino që jeta e një njeriu tepër të mësuar është shumë e këndshme. Unë e shoh tani përreth meje Artur. Është një jetë e lodhshme, me probleme, një jetë plot punë; bukuria qëndron vetëm në kënaqësinë që ajo sjell si punë; njeri nuk pasurohet me të; si shkrimtar, njeriu merr me vështirësi atë që nevojitet për mbijetesë… që të jesh në gjendje të nxjerrësh jetesën duke qenë shkrimtar, duhet që të jesh në gjendje që të nxjerrësh diçka të shkëlqyer.. tani më tepër se kurrë ka nevojë për mendje të shkëlqyera.
Artur, mendo për këtë gjë me kujdes dhe zgjidh, por më pas qëndro i vendosur; lër që këmbëngulja jote të mos tepet asnjëherë dhe ti me siguri që do ta arrish qëllimin tënd. Zgjidh atë që dëshiron.. por me lot në sy të përgjërohem, që mos ta gënjesh veten. Trajtoje veten me seriozitet dhe ndershmëri. Mbarëvajtja e jetës tënde është në rrezik, sikurse dhe lumturia e ditëve të mia të fundit, sepse kam shpresë, që vetëm ti dhe Adela mund të zëvëndësoni rininë time të humbur. Nuk mund të duroj që ti të mos jesh i lumtur, veçanërisht nëse duhet të fajësoj veten që e lashë këtë fatkeqësi të ndodhte, për shkak të përultësisë time.
Më kupton, Artur i dashur, që ti je i shtrenjtë për mua dhe unë dua të të ndihmoj me çdo gjë. Më shpërble me vetëbesimin tënd dhe që pasi të kesh ndarë mendjen të ndjekësh këshillën time në përmbushjen e zgjedhjes tënde. Dhe mos më lëndo duke u treguar rebel. Ti e di që unë nuk jam kokëfortë. Unë i kuptoj argumentet dhe nuk do të kërkojë ndonjë gjë nga ty, që nuk do jem në gjendje ta mbështes me argumente…
Adieu, i dashur Artur, posta është urgjente dhe gishtat po më dhëmbin. Mendohu për të gjitha gjërat që të dërgoj dhe të shkruaj dhe m’u përgjigj shpejt.
Pasi është shfaqur thuajse në të gjitha vendet e Evropës, ekspozita “European Gulag” është ndalur për herë të parë edhe në Shqipëri, në Shkodër, duke na treguar historinë e harruar të rrjetit të kampeve të stilit sovjetik që u ndërtuan në Europën Lindore e Qëndrore pas Luftës së Dytë Botërore.
Janë rreth 800 kampe ku vuajtën më shumë se 1.5 milionë të burgosur.
Jo vetëm me numrin e të persekutuarve por edhe për trajtimet mizore të të burgosurve dhe torturave, Shqipëria renditet e para në Europë.
Edhe drejtuesit e përzgjedhur për 44 burgjet “Gulage” në vendin tonë janë një histori ndryshe.
Ekspozita u çel në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”./ KultPlus.com