Zef Serembe, poeti lirik dhe luftëtari arbëresh

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi atdhetarin, poetin lirik arbëresh, Zef Serembe. Ai lindi më 6 mars të vitit 1843 në Strigar të Kozencës. Ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, ku pati mësues Jeronim de Radën, me të cilin më vonë u bë mik.

Që herët u lidh me Lëvizjen Garibaldine dhe më vonë me lëvizjen çlirimtare në Shqipëri. Ngjarjet politike shoqërore në Itali, pas bashkimit të saj, e zhgënjyen rëndë dhe bashkë me fatkeqësitë vetjake (vrasja e të ungjit, vdekja e së dashurës), i shkaktuan krizë të thellë shpirtërore. Në këtë gjendje, më 1875 mori udhën për Brazil, në kërkim të varrit të vajzës së dashur, por pa kaluar moti kthehet në vendlindje, ku vazhdon të mos gjejë prehje. I tronditur shpirtërisht, merr rrugën e mërgimit dhe e mbyll jetën, në San Paolo të Brazilit, më 1901.

Shumë dorëshkrime të Serembes kanë humbur (midis tyre një poemë e gjatë dhe ndoshta disa drama). Zef Serembe është poet i frymëzuar spontan. Ai lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë. Në vjershat atdhetare grishi për luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora d’Istrias”). Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar dhe të zhgënjyer nga jeta.

Disa nga titujt e veprave të tij: “Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese”, Kozencë 1883; “Sonetti vari”, Napoli, 1890; “Il reduce soldato”, New York, 1895; “Vjershe – 1926”, botuar në Milano nga nipi i tij Cosmo Serembe.

Falë kërkimeve për tekstet e humbura të poezive të Zef Serembes, vitet e fundit janë bërë disa botime të veprës së tij që plotësojnë njohjen për krijimtarinë e poetit: “Omaggio a Giuseppe Serembe”, Kozencë, 1988; “Alla ricerca del Serembe autentico”, Kozencë, 1991; Poezi, Tiranë, 1999. / atsh / KultPlus.com

Përkujtohet eksodi i marsit 1991

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot një nga ngjarjet që shenjuan Shqipërinë postkomuniste, eksodin drejt Italisë.

Më 6 mars të vitit 1991, më shumë se 3,000 mijë shtetas lanë Shqipërinë dhe hipën në bordin e anijes “Tirana” për t’u nisur drejt fqinjit, përtej Adriatikut.

Me gremisjen e diktaturës, të motivuar nga liria e rifituar, bashkëatdhetarët u drejtuan në kërkim të botës së ëndërruar prej kuadrit të ekranit të televizorit, për të siguruar mirëqënien e munguar. Ikjet gjatë javës së parë të marsit të vitit 1991 qenë të përmasave tejet të mëdha, aq sa kjo ndodhi u konsiderua si analoge me eksodin biblik.

Gjithashtu, braktisja masive e vendit, mobilizoi elitën politike të kohës për të marrë masat e nevojshme për parandalimin e fluksit emigrator.

Në dokumentin që DPA ka publikuar, paraqiten fragmente të procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të zhvilluar nën drejtimin e kreut të këtij organi, Fatos Nano, më datë 06.03.1991 dhe me objekt shqyrtimi “situatën në portin e Durrësit”./ atsh / KultPlus.com

Hapet e ekspozita e piktorit Kamuran Goranci në “Galerie im Alten Pfandhaus” në Köln të Gjermanisë

Hapja e ekspozitës të piktorit Kamuran Goranci në “Galerie im Alten Pfandhaus” në Köln të Gjermanisë është organizuar me ftesë zyrtare nga URAKult e.v. e cila është Shoqatë kulturore e cila që 8 vite me radhë realizon me mjaftë sukses shkëmbime kulturore në mes të Gjermanisë dhe vendeve të Europës Juglindore.

Veprat e ekspozuara të piktorit janë të konceptuara me termin filozofik “Kod”.

Kompozicion VI, akrilik në pëlhurë,  100 x 80 cm, 2022

Para artdashësve gjerman piktori Kamuran Goranci prezantohet me ciklin e veprave kryesisht të realizuar në dekadën e fundit e cila është karakterizuar me shumë ngjarje sa dramatike po aq edhe tronditëse për tërë globin botëror.

Veprat e ekspozuara kryesisht ngërthejnë një gjuhë të një fryme moderniste transavangardiste të lëvizjeve moderniste që kryesisht janë paraqitur pas artit standard europian në atë amerikan e cila do jetë dominante me izmat më bashkëkohore të artit botëror duke filluar me informelin, ekspresionizmin abstrakt të Roshenbergut e deri tek trendet më moderne. Kjo ekspozitë e piktorit Kamuran Goranci është një përpjekje për realizim të imazheve, motiveve më karakteristike të nënqiellit tonë duke e shpërfaq përmes tri elementeve figurative më parësore: përmes ngjyrës-koloritit, sipërfaqës dhe dritës. Në këtë trikonomi mbarshtrohet i tërë opusi krijues, përkatësisht veprat të realizuara dhe të ekspozuara me emërtim “Kod” para dashamirëve të artit në Galerin im Alten Phandaus Kartauserëall Koln.

Pra, koncepti i ekspozitës së piktorit Kamuran Goranci është mbarshtruar me veprat më karakteristike të realizuara në ketë periudhë sikurse edhe gjatë fazave të ndryshme kohore dhe gjithnjë duke i dhënë përparësi frymës së re filozofike, një fryme që për auditorin nuk është e kapshme, por gjithnjë len dilema dhe interpretime si te aspektit përmbajtësor po ashtu edhe të atyre artistik që arrihet përmes elementeve figurative. Në ketë vorbull filozofik autori tërësisht është liruar nga ana përmbajtësore dhe figurative të cikleve më të hershme, më konkrete dhe më të kapshme për syrin e cdo vrojtuesi. Pra, nga trajtimi real i imazheve të mjedisit ku jeton dhe krijon piktori ai tani gradualisht fillon këto pamje ti “tretë” në motive abstrakte, të pa konktretizuara dhe të pakapshme për syrin e kundruesit.

Është një qasje kur autori të bukurën orvatet ta paraqet si një idilë të fshehur në magmen e shpirtit të vet, në imagjinaten e shprehjes së tij artistike pa explorim. Por, gjithnjë, me paramendim që vrojtuesi përmes shikimit të veprave ta gjejë veten, t’i zbuloj fshehtësit artistike të cilat arrihen përmes elementeve të artit dhe cdo njëri mund ta shijoj në mënyrën e vet.

Apo sic thotë edhe kuratori i ekspozitës Zeni Ballazhi në shkrimin e tij të parathënies së katalogut: “…Të gjitha pikturat në këtë rast solemn janë të punuara mbi ndjeshmërinë dhe harmoninë, të cilat tani janë të pranishme dhe të koduara nga aspekti artistik, duke fiksuar përfundimisht realitetin, imazhet dhe emocionet e tij në strukturat e ëndërrave të tij”.

Kompozicion XIV, akrilik në pëlhurë, 40×40, 2022

Kamuran Goranci, në mënyrë kontinuele e vazhdon trajtimin e këtyre motiveve por gjithnjë duke pasur parasysh dhe duke e vërë në spikamë hapësirën kolosale lirisht mund të themi me atë të botës së tij të përmbushura me imazhe dhe emocione në strukturat e ëndërrave të tij. Të gjitha këto artisti i mpleks në vetë strukturën koloristike dhe në elementin e dritës e cila jo vetëm që i definon format e trajtuara figurale por shkrihet në atë tërësi koloristike duke e vë në spikamë akoma e më shumë raportet koloristike e kontrastive të këtyre veprave të ekspozuara gjithnjë në konceptin “Kod”.

Kompozicion III, akrilik në pëlhurë, 100×80, 2022

Kamuran Goranci, i lindur në Prizren. Fakultetin e Arteve e kreu në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Pikturës, në klasën e profesor Muslim Mulliqit. Magjistraturën e kreu në Beograd, në vitin 1981, dhe e fitoi titullin akademik magjistër i pikturës. Ka punuar në cilësin e profesorit në shumë shkolla të mesme si dhe Kolegje private dhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në cilësinë e pedagogut për lëndët profesionale në Departamentin e Artit Figurativ.

Ka qenë themelues dhe Drejtor i Galerisë së Arteve “Vizioni i Ri 2000” në Gjakovë (2000 – 2009), pastaj Udhëheqës i Divizionit të Arteve SMP-re nëMKRS-ë Prishtinë (2002 – 2011, Drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS Prishtinë (2011 – 2015). Ka realizuar edhe projekte kulturore artistike që nga viti 2001 – 2022 si: Kursi i Talentëve të Rinj. Gjakovë (2000), Kampi Veror Multikulturor i të Rinjve – Gjakovë (2001 – 2004), “Kultura dhe arti në procesin Edukativo-Arsimor”, Gjakovë (2004).

Ka qenë edhe producent i tri projekteve filmike: Etjet e Kosovës (2005), Anatema (2006), Tri dritare dhe një varje (2014). Në  vitin 2017, është iniciator, bashkëthemelues dhe kryetar i Asociacinit të Artistëve Vizual të Kosoves.

Kompozicion, IV, akrilik në pëlhurë, 100×80, 2022. / Shkruan: Prof. Dr. Hivzi Muharremi / KultPlus.com

“Kosova – më shumë se një rrëfim”, ekspozita që do të shpërfaqë sfidat e sakrificat për shtetësinë e Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të mirëpres ekspozitën “Kosova – më shumë se një rrëfim”, me rastin e përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë ekspozitë do të ekspozohen libra, artikuj e fotografi nga koleksionet e BKK-së për të shpërfaqë përpjekjen dhe luftën e shqiptarëve për Liri dhe Pavarësi si dhe sfidat e sakrificat për shtetësinë e Kosovës.

Ekspozita hapet në Hollin e Ekspozitave, më 8 mars 2023, në orën 11:00. / KultPlus.com

Presidentja Osmani ndan për Rifat Jasharin “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja Vjosa Osmani i ka ndarë Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”.

Këtë e ka bërë në një vizitë në shtëpinë e Jasharëve në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe te varret e familjes Jashari në Prekaz.

Manifestimi “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” vazhdon në ditën e dytë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti së bashku me ministra e bashkëpunëtorë nga Qeveria e parlamenti nisin homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, Kuvendi mban seancë solemne

Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje historike që nisi dje më 5 mars do të vazhdojnë më sot dhe nesër kur edhe përfundojnë me atë që quhet `Nata e Zjarreve`.

Sot, me 6 mars do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, do të bëhen Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, me 7 mars, duke filluar nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Kosovë, duke vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz që shënon edhe përmbylljen e manifestimit gjithëpopullor, Epopesë së UÇK-së.

Dje u shënuat 25 vjetori i rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij. Në përvjetorin të 25-të të kësaj ngjarjeje historike, u mbajt parada e FSK-së, ku Kuadratet e Ushtrisë së Kosovës u rreshtuan në nderim të ,,Epopesë së UÇK-së”. Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-Së, nderime pranë Obeliskut të Lirisë, si simbol i nderimit të epopesë së UÇK-së, bënë ushtarakët, komandantja supreme, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Ngjarjet e fillim-marsit të vitit 1998 do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën perëndimorë dhe për vetë historinë e Kosovës. Më 5 mars të vitit 1998, forcat paramilitare e ushtarake serbe rrethuan Jasharajt dhe Prekazin duke hasur në rezistencë nga familja Jashari të cilët nuk kursyen asgjë në mbrojtje të vendit.

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars 1998, luftimet po ashpërsoheshin, derisa dita e tretë e sulmit, me 7 mars 1998, konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së.

Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit, 55 persona, shumica anëtarë të familjes Jashari. / KultPlus.com

Grupi “BBK News” tallet rëndë me masakrën e Reçakut

Grupi i njohur sarkastik në Facebook “BBK News” ka bërë një tallje monstruoze dhe krejtësisht të papranueshme që lidh një nga masakrat më të rënda të luftës së Kosovës që tronditi botën, atë të Reçakut me fitoren e thellë të Liverpoolit ndaj Manchester United.

Pasi ekipi i futbollit Liverpool mposhti me rezultat bindës sot ekipin Man. Utd në stadiumin e saj Anfield Road, në grupin “BBK News” u postua një fotografi e montuar e ambasadorit të OSBE-së në stadiumin “Anfield” duke shkruar me tallje “William Walker viziton Anfiel pas masakrës”.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese talljen është fakti se postimi ka marrë qindra pëlqime deri më tani.

Ambasadori i OSBE, William Walker kishte vizituar fshatin e Reçakut menjëherë pas mesakrës ku kishin mbetur të vrarë në mënyrë çnjerëzore 45 njerëz, transmeton Express.

Kujtojmë se edhe më tej për masakrën e Reçakut nuk është vendosur drejtësia në vend./ KultPlus.com

“Këtu ka luftë, njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët, askush s’po bën asgjë”, kështu raportoi BBC për sulmin ndaj familjes Jashari

Më 5, 6 dhe 7 mars shënohet 25-vjetori i sulmit të dytë të forcave të Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz. 

Në sulmin ndaj familjes Jashari ranë 59 anëtarë të kësaj familjeje, duke u bërë shembulli më unik i sakrificës për liri që bota nuk e kishte parë deri atëherë.

Kulla e Jasharajve ishte rrethuar dhe sulmuar me të gjitha armët që kishte ushtria serbe.

Aty ra edhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.

Kjo ngjarje mori jehonë të madhe edhe në mediat e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë edhe BBC-në.

BBC raportonte se komandanti legjendar Adem Jashari u vra më 7 mars 1998, pas një sulmi brutal dhe një masakre nga forcat serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

BBC, më 7 mars 1998, raportoi për vrasjen e Adem Jasharit, duke thënë se brenga ndërkombëtare po shtohet në lidhje me luftimet e ashpra në Kosovë, ku forcat ushtarake dhe policore serbe po luftojnë kundër “separatistëve shqiptarë”.

Autoritetet serbe thonë të kenë goditur zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë vrarë liderin e saj, Adem Jasharin, shkruan BBC në shkrimin e 7 marsit të vitit ‘98.

Por, gazetari i BBC-së, Paul Wood, në një raport ekskluziv nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e pjesëtarëve të dyshuar të UÇK-së, duke u djegur apo duke u rrënuar nga automjetet ushtarake.

Ishte edhe ndëshkim, por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.

Serbët thonë se po e luftojnë terrorizmin, por Paul Wood thotë se nuk ka nevojë për operacione ushtarake të kësaj shkalle.

Shumë familje po ikin nga shtëpitë e tyre, po i kalojnë netët nëpër male, ndërsa partia kryesore politike shqiptare ka akuzuar serbët se kanë ndërmarrë një fushatë të re të spastrimit etnik.

“Duhet të ikim”, thotë një fshatare. “Këtu ka luftë. Njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët. Dhe askush s’po bën asgjë”.

Ndërkaq më vonë, korrespodenti i BBC-së, Allan Little, më 12 mars të vitit 2000, pati shkruar se si marsin e vitit 1998, forcat serbe ishin futur në Prekaz dhe me tanke e automjete tjera të armatosura, rrafshuan shtëpinë e familjes Jashari. Beogradi, siç citon BBC, Adem Jesharin e quante “terrorist famëkeq”.

“Ishte një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”, citon BBC gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq. “Ishte i suksesshëm. Detajet tjera s’më kujtohen”.

Por, BBC thotë se detajet që Pavkoviq kishte vendosur të mos i kujtonte ishin brengosëse.

Pesëdhjetepesë anëtarë të familjes Jashari janë vrarë. Sipas BBC-së, “në Serbinë Millosheviqiane, natyrisht se ky është krejt një aksion normal policor”.

Por, sipas fjalëve të një gazetari të spikatur shqiptar, ishte gjithashtu një “favor i pamëshirshëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Masakra e Prekazit ishte një thirrje e mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që i ishin bashkëngjitur radhëve të një grupi të vogël e nën hije të luftëtarëve të njohur si UÇK.

Por, më qenësore ishte se Prekazi do të ndryshonte edhe opinionin publik ndërkombëtar.

“Sapo t’i marrim fotografitë e Prekazit, do t’i vendosim në internet”, citon BBC, Veton Surroin, një botues gazete.

Ndërkaq, BBC në vitin 2015, kishte realizuar edhe një dokumentar për familjen Jashari.

Filmimi, i cili zgjat katër minuta ka protagoniste Besartën, e cila është e mbijetuara e vetme e familjes së Adem Jasharit, që ishte vetëm 10 vjeçe atë kohë. Ajo flet për ditën e tmerrit, kur humbi familjen, shkruan ndër tjerash BBC. / Express / KultPlus.com

547-vjetori i lindjes së Mikelanxhelos: Festimi i jetës dhe trashëgimisë së një artisti vizionar

Ndërsa festojmë 547-vjetorin e lindjes së Mikelanxhelos, është e vështirë të mos mahnitemi nga përmasat e mëdha të kontributeve të tij në botën e artit. I lindur më 6 mars 1475, në qytetin e vogël toskan të Caprese, Michelangelo Buonarroti ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet.

Ndoshta më i njohur për afresket e tij mahnitëse në Kapelën Sistine, talentet artistike të Mikelanxhelos ishin të dukshme që në moshë të re. Vetëm në moshën 13-vjeçare, ai filloi një praktikë me piktorin Domenico Ghirlandaio, ku ai zhvilloi aftësitë e tij në pikturimin e afreskut, një teknikë që më vonë do të ishte thelbësore në punën e tij në Kapelën Sistine.

Gjatë gjithë karrierës së tij të shkëlqyer, Michelangelo prodhoi disa nga veprat më ikonike të artit në histori. Nga Pieta befasuese në Bazilikën e Shën Pjetrit deri te statuja e Davidit në Firence, skulpturat e tij kapën thelbin e formës njerëzore në një mënyrë që ishte e paprecedentë në atë kohë.

Por ishte puna e tij në Kapelën Sistine që me të vërtetë çimentoi vendin e Mikelanxhelos në histori. I porositur nga Papa Julius II në 1508, Michelangelo kaloi katër vjet rraskapitës duke pikturuar tavanin e kishës, duke krijuar një kryevepër që do të frymëzonte brezat e artistëve që do të vinin.

Pavarësisht talentit të tij të jashtëzakonshëm, Michelangelo ishte një figurë e ndërlikuar. Ai ishte i njohur për temperamentin e tij të ashpër dhe shpesh përplasej me klientët dhe kolegët e tij artistë. Por përkushtimi i tij për zanatin e tij ishte i palëkundur dhe trashëgimia e tij vazhdon deri më sot.

Ndërsa reflektojmë mbi jetën dhe veprën e Mikelanxhelos, është e qartë se ai ishte më shumë sesa thjesht një artist. Ai ishte një vizionar, kontributet e të cilit në botën e artit vazhdojnë të na frymëzojnë dhe magjepsin më shumë se pesë shekuj pas lindjes së tij. / KultPlus.com

96 vjet nga lindja e Gabriel Garcia Marquez

Gabriel Garcia Marquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.

Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.

Megjithë pasionin e madh për librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.

Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.

Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.

Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.

Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes(përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerës, Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tij, Erendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc. /KultPlus.com

Ora e parë e mësimit në shkollat e Kosovës sot i kushtohet “Epopesë së UÇK-së”

Për nder të  25 vjetorit të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, në të gjitha shkollat e Kosovës sot ora e parë ka filluar me historinë e “Epopesë së UÇK-së”.

Qindra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare dje vizituan Prekazin, teksa disa prej tyre theksuan se Prekazi është vend frymëzues dhe se kontributi i familjes Jashari nuk mund të shprehet me fjalë.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje./ Express / KultPlus.com

Dokumentari ‘A House Made of Splinters’ i nominuar për Oscar 

“A House Made of Splinters”, dokumentari i regjisorit danez Simon Lereng Wilmont, me nominimin e tij në çmimet Oscar, hedh më shumë dritë mbi luftën në Ukrainë dhe ndikimi i saj tek fëmijët.

“Një nga gjërat që përpiqem të përshkruaj janë pasojat më të padukshme dhe shumë të vështira të luftës në një shoqëri të vogël, por po aq e rëndësishme. Ideja është të kuptohet aftësia e mahnitshme e fëmijëve për t’u përshtatur, për të mbijetuar dhe për t’u përpjekur që edhe në rrethana tragjike të kenë një qasje pozitive në marrëdhëniet e ngushta personale, apo në miqësitë që ata krijojnë.”

Filmi që u xhirua para fillimit të konfliktit të vitit 2022, tregon jetën e fëmijëve në një institucion në Ukrainën Lindore. Të vegjlit janë larguar përkohësisht nga prindërit e tyre dhe jetojnë së bashku me bashkëmoshatarët dhe punonjësit socialë.

“Nuk ka dyshim se pasqyrimi  i emocioneve si pozitive dhe negative, siç kam hasur në këtë strehë, më prek thellë, por  kuptova më vonë se ishte mirë për mua të ndihesha kështu, megjithëse do të preferoja të qëndroja sa më i qetë. Për fëmijët, kur përjetojnë këtë lloj emocionesh, ata kanë vërtetë nevojë për praninë e një të rrituri që t’i bëjë ata të kuptojnë se e kanë situatën nën kontroll dhe në një lloj mënyre ata ndiejnë një lloj qetësie dhe mbështetje në këto situata.”

Ky dokumentar përqëndrohet tek tre fëmijë që nuk e dinë se cili do të jetë fati i tyre. Përsa kohë kjo mbetet mister, një grup punonjësish socialë të përkushtuar krijojnë çaste gëzimi për të vegjlit.

Përmes lentes së kamerës në këtë strehë, lihet të kuptohet se ky institucion është një vend i mbushur me kujdes, mbështetje por dhe besim që fëmijët kanë nevojë më shumë se kurrë.

Dokumentari është i dyti i regjisorit danez për Ukrainën lindore, pas atij të vitit 2017 “The Distant Barking of Dogs”.

“A House Made of Splinters” është nominuar në kategorinë e filmit dokumentar së bashku me katër dokumentar të tjerë, duke përfshirë “Navalny” të regjisorit Daniel Roher i cili flet për liderin e opozitës ruse Alexei Navalny dhe ngjarjet që lidhen me helmimin e tij.

Filmat fitues të ngjarjes më të rëndësishme kinematografike do të shpallen më 12 Mars në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Los Angeles./KultPlus.com

Derisa

Poezi nga Pier Paolo Pasolini
Shqipëroi: Arjola Zadrima

Derisa
njeriu ta shfrytëzojnë njeriun,
derisa humanizmi të jetë i ndamë
në padronë e shërbëtorë,
nuk ka për të pasë
as normalitet as paqe.
Arsyeja e gjithë të keqes të kohës sonë, asht… këtu!/KultPlus.com

‘Creed III’ kryeson me 58.7 milionë dollarë në shitje biletash për këtë fundjavë

“Creed III” është filmi numër 1 në Amerikën e Veriut, duke fituar 58.7 milionë dollarë në shitje biletash këtë fundjavë.

Në vendin e dytë është “Ant-Man and the Wasp: Quantumania” me 12.5 milionë dollarë, i ndjekur nga “Cocaine Bear” me 11 milionë dollarë, “Demon Slayer” në vendin e katërt me 10.1 milionë dollarë dhe “Jesus Revolution” në të pestin me 8.7 milionë dollarë.

“Avatar: The Way of Water” është renditur në pozitën e gjashtë me 3.6 milionë dollarë, “Operacioni Fortune” në të shtatën me 3.2 milionë dollarë, “Puss in Boots: The Last Wish” në të tetën me 2.7 milionë dollarë, “Magic Mike Last Dance” në vendin e nëntë me 1.2 milionë dollarë dhe “80 for Brady” në vendin e dhjetë me 845 mijë dollarë.

Top 10 e fundjavës së kaluar, me “Ant-Man” në krye, fitoi rreth 88.6 milionë dollarë në shitje biletash.

Interpretuesit më të mirë të kësaj fundjave fituan rreth 112.4 milionë dollarë./ KultPlus.com

Veç muj me t’dashtë ashtu siç je

Poezi nga Jorge Luis Borges

Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës
s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua
veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…

Jo, unë s’mundem me e ndryshue
as t’shkuemen e as t’ardhmen tande
por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji

S’mundem me i shmangë teposhtat e tua,
veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue
Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt
vërtet s’janë të miat
po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra

S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande
po me të mbështetë e ndjej detyrë,
me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!

S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh,
veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
që ti t’naltohesh

S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande,
kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon,
po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë
krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para

S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh,
veç mundem me të dashtë njashtu siç je
dhe me mbetë përjetë Miku yt…

(Perkthyer nga Jozef Radi) / KultPlus.com

Zëri i Maya Rudolph, John Cena, Jackie Chan e Post Malone pjesë e “Ninja Turtles”

Rose Byrne, John Cena, Jackie Chan, Ice Cube, Post Malone, Seth Rogen, Paul Rudd dhe Maya Rudolph janë regjistruar për role zëri në filmin e ardhshëm të animuar “Teenage Mutant Ninja Turtles: Mutant Mayhem”.

Filmi, i cilësuar si një histori origjinale për luftëtarët e krimit të Nju Jorkut, do të shfaqet në kinema më 4 gusht.

Trileri është planifikuar të publikohet të hënën.

Rogen, i cili bashkëthemeloi “Point Grey Pictures”, zbuloi se katër breshkat do të luhen nga Micah Abbey, Shamon Brown Jr., Nicolas Cantu dhe Brady Noon.

“Ne jemi përtej të emocionuar nga ky kast i klasit botëror që kemi mbledhur për t’i sjellë në jetë këta personazhe ikonë, të dashur në një kapitull të ri të universit Teenage Mutant Ninja Turtles”, tha Ramsey Naito, presidenti i Nickelodeon Animation dhe Paramount Animation.

“Kjo me të vërtetë vendos një shirit të ri për këtë ekskluzivitet të njohur globalisht dhe ne mezi presim t’i tregojmë audiencës këtë film”, shtoi ai./ KultPlus.com

Pasolini: Arbëreshët, një mrekulli antropologjike

Regjisori dhe shkrimtari italian Pier Paolo Pasolini, konsiderohet si një nga artistët më origjinal dhe më me ndikim në historinë kinematografisë.

Shumë i njohur për stilin e veçantë të filmbërjes dhe qëndrimet e tij politike, Pasolini mbahet si një gjeni i artit modern.

Studiuesi arbëresh Matteo Mandalà, ka treguar se si kur Paolo Pasolini kishte dëgjuar për arbëreshët e Italisë nga Giuseppe Faraco, ai kishte thënë se arbëreshët janë “një mrekulli antropologjike”.

Mandalà ka folur dhe për historinë e arbëreshëve si dhe për studimet mbi arbëreshët në Itali sot. /KultPlus.com

Osmani: Sot e përgjithmonë, nderojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari

Kosova përkujton sot nisjen e betejës së serbëve ndaj familjes Jashari, betejë e cila i mori jetën familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

Beteja treditore nisi në mëngjesin e 5 marsit 1998, kur serbët mësynë në shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  ka përkujtuar e nderuar sot sakrificën e familjes Jashari.

“Sot e përgjithmonë, nderojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, vajzave e djemve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që sakrifikuan që ëndrra jonë shekullore për liri e për shtet të bëhet realitet.” ka shkruar Osmani në Facebook./ KultPlus.com

Kur emri i shqiptarit John Belushi u shkrua në pllakat e Hollivudit

John Belushi lindi më 24 janar 1949 në Chicago, Illinois, derisa vdiq më 5 mars 1982 në West Hollywood, ishte aktor dhe këngëtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prejardhjen shqiptare.

Në datën e lindjes së tij, kujtojmë momentin kur emri i tij u shënua në pllakat e Hollivudit.

Më 9 shkurt 1960 tetë pllakat e para të yjeve prej bronzi vendosen në Bulevardin e Famës në Hollivud, ku sot ndodhen më shumë se 2,500 yje të ngulitur në trotuare përgjatë Bulevardit prej 3 kilometrash, që vizitohet çdo vit nga mbi 10 milionë njerëz.

Këta Yje janë monumente të përhershme publike për arritjet në industrinë argëtuese, duke mbajtur një përzierje emrash; aktorë, muzikantë, regjisorë producentë, grupe muzikore, teatrale, karaktere imagjinarë, dhe të tjerët.
Aktori John Belushi është i vetmi shqiptar në këtë Bulevard.

Belushi vdiq më 5 mars 1982 në Hollywood, pasi kishte marrë në sasi të mëdha një përzierje drogash kokainë dhe heroinë.

Ai ishte 33 vjeç, i ri, por la gjurmë si komedian; 22 vjet pas vdekjes, Ylli me emrin “John Belushi” u vendos në Bulevardin e Famës. /KultPlus.com

101 vjet nga lindja e Pier Paolo Pasolinit, regjisorit e poetit të njohur italian

Pier Paolo Pasolini (1922 – 1975) ishte një regjisor, poet, shkrimtar dhe intelektual italian, i cili u dallua edhe si aktor, gazetar, romancier, dramaturg dhe figurë politike.

Një personalitet që konsiderohej problematik në Itali për shkak të sinqeritetit të tij, trashëgëmia e Pasolinit mbetet kontroversiale. Ai kritikoi ashpër vlerat sipërfaqësore borgjeze dhe ardhjen në dukje të “totalitarizmit të konsumerizmit” në Itali, duke vënë përballë polemikat socio-politike me problematika seksuale që ishin tabu. Si protagonist i shquar i skenës kulturore romake të periudhës së pasluftës, Pasolini ishte një figurë kryesore në letërsinë dhe artet kinematografike evropiane. Vrasja e tij e pazbardhur në Ostia në nëntor të 1975 gjatë një mosmarrëveshje me një prostitutë të ri, ngjalli reagim të fortë në Itali dhe rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë pjesë e një debati të ashpër.

Varfëria që ai kishte përjetuar në Romë gjatë viteve të 1950 i siguroi material kreativ për dy romanet e tij të parë, Ragazzi di vita (1955; The Ragazzi) dhe Una vita violenta (1959; Një jetë e dhunshme). Këto përshkrime brutalisht realiste të varfërisë dhe mjerimit të jetës së lagjeve të varfëra në Romë ishin të ngjashme në karakter me filmin e tij të parë, Accattone (1961), dhe të tre veprat trajtonin jetën e hajdutëve, prostitutave dhe banorëve të tjerë të botës së krimit romak.

Filmi më i njohur i Pasolinit, Il Vangelo secondo Matteo (1964; Ungjilli sipas Shën Mateut), është një ritregim i ashpër, në stilin dokumentar të jetës dhe martirizimit të Jezu Krishtit.

Alegoria komike Uccellacci e Uccellini (1966; The Hawks and the Sparrows) u pasua nga dy filma që përpiqeshin të rikrijonin mitet e lashta nga një këndvështrim bashkëkohor, Oedipus Rex (1967) dhe Medea (1969). Përdorimi i erotizmit, dhunës dhe shthurjes nga Pasolini si mjete për spekulimet e tij politike dhe fetare në filma të tillë si Teorema (1968; “Teorema”) dhe Porcile (1969; “Pigsty”) e solli atë në konflikt me elementet konservatore të Kishës Katolike Romake. Më pas ai filloi të mirret me erotizëm mesjetar në Il Decamerone (1971) dhe The Canterbury Tales (1972). Përveç filmave të tij, Pasolini botoi vëllime të shumta me poezi dhe disa vepra kritike letrare. / KultPlus.com

Teleskopi kap imazhe mahnitëse ‘të mbetjeve fantazmë’ të një supernove 1800 vjeçare

Për herë të parë janë dokumentuar ” mbetjet fantazmë të një supernove”, kjo supernovë është parë për herë të parë 1800 vjet më parë nga astronomët kinezë. Imazhet u kapën një aparat fotografik krijuar për të fotografuar energjinë e errët në univers.

Supernova, SN 185, fillimisht u regjistrua në 185 pes si një “yll mysafir” sepse ishte një dritë e re e ndritshme që u shfaq në qiellin e natës.

Ndërsa është supernova e parë e regjistruar, tashmë është kthyer në një unazë mbeturinash e quajtur RCW 86.

Imazhi mbresëlënës, i shkrepur në një observator në Kili, tregon grimca të mprehta gazi dhe pluhuri të shpërndara në një pjesë të hapësirës, ​ku mund të spikaten yje që vezullojnë kudo.

Kjo supernova historike ndodhi më shumë se 8000 vite dritë larg në drejtim të Alfa Centauri, midis yjësive të Circinus dhe Centaurus.

Imazhi është marrë nga Kamera e Energjisë së Errët (DECam) e montuar në teleskopin Víctor M. Blanco në Observatorin Ndër-Amerikan Cerro Tololo, pjesë e Fondacionit Kombëtar të Shkencës.

Shkencëtarët thanë se imazhi ndihmon për të hedhur dritë mbi mënyrën se si mbetjet e supernovës evoluan gjatë 1800 viteve të fundit./ KultPlus.com

Shkrimtari katëvjeçar aplikon për Guinness

Në moshën 15-muajshe, Jayce Joyce kishte pasion  leximin dhe shkrimin.

Ai përpiqej të kuptonte figurat te librat dhe t’i vizatonte ato.

Tani, në moshën katër vjeç, ai është i kualifikuar të aplikojë për Guinness si personi më i ri që publikon një libër.

Nëna e tij, Anim Joyce, e përshkroi atë si “një djalë i mrekullueshëm me një talent të paimagjinueshëm”.

Ajo e kuptoi potencialin e Jayce-it për herë të parë kur ai mund të mbante lapsin si një i rritur në moshën 15-muajshe.

Në moshën tre vjeç, ai mund t’i regjistronte mendimet e tij në letër, duke zbuluar forcat e kujtesës së tij të shkëlqyeshme.

Ai ka një talent të madh për kujtesën dhe shkruan dhe ilustron ngjarje ose histori me ndjenjë aventure dhe argëtimi.

“Më pëlqen të shkruaj sepse shkrimi është argëtues. Dua që njerëzit të lexojnë atë që shkruaj dhe të përdorin imagjinatën e tyre dhe të shkruajnë historitë e tyre”, thotë autori i vogël.

Nëna e tij tha se Jayce ka një kujtesë fotografike, që e ndihmoi atë të fillojë të lexojë dhe të shkruajë në një moshë shumë të hershme.

“Në moshën tre vjeç, ai filloi të shkruajë shkrime të udhëtimeve tona në park, në kopsht zoologjik dhe në dyqan. Kur vinim në shtëpi, ai thjesht dëshironte të shkruante gjithçka dhe ta ilustronte atë”, shprehet ajo.

Anim tha se ajo do të lexonte për djalin e saj si çdo nënë tjetër, por talenti i kujtesës së Jayce-it e bëri atë të mësojë të lexojë dhe të shkruajë shpejt.

Librat e parë të Jayce-it – “A Beach With No Sea” dhe “Jayce’s Sweet Tooth” – u botuan në Ditën Botërore të Librit më 2 mars.

Ai është personazhi kryesor në tregimet e tij për të transmetuar mesazhin e tij. Tregimet e tij kanë të bëjnë me moralin, siç janë inkurajimi i fëmijëve për të ngrënë të shëndetshëm ose për të kuptuar se ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duam, por ne ende mund të jemi të lumtur me atë që kemi.

Ai është vetëm katër vjeç e 10 muaj.

Rekordi aktual mbahet nga një autor nga Sri Lanka që publikoi librin e tij të parë, “Ushqimi i padëshirueshëm”, në moshën katër vjeç e 356 ditë.

Megjithatë, ka disa kritere që një rekord të njihet.

Jayce duhet të publikojë me një botues zyrtar dhe të shesë minimumi 1 000 kopje të secilit libër.

Familja tha se i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe tani po pret që libri të shitet në numrin e kërkuar të kopjeve, të cilat janë në dispozicion në Amazon.

Librat e tij me figura janë gjithashtu të botuar nga shtëpia botuese “The Book Chief” në Birmingam.

Anim shpreson që librat e djalit të saj do të shiten para afatit prej katër vjet e 356 ditësh.

“Jam shumë krenare për atë që ai ka arritur në një moshë shumë të re, kur fëmijët nuk po mësojnë të lexojnë, dhe aspak të shkruajnë tregime të tyre. Të kesh libra të publikuar është një ëndërr që bëhet realitet. Vërtet shpresoj se ai do të besojë në veten e tij në mënyrë të njëjtë siç besoj unë në të”, tha ajo./ KultPlus.com

Dua Lipa uron babanë për ditëlindje: Urime ditëlindjen binjaku im

Dua Lipa e cila tashmë po shijon sukseset e saj të panumërta, është bërë ndër figurat më të përfolura në skenën e muzikës ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Dua Lipa sot ka uruar babain e saj, Dukagjin Lipën, për ditëlindjen e tij. Ai feston ditëlindjen e 54-të, ndërsa urimi i veçantë nga artistja nuk do të mungonte assesi.

“Urime ditëlindja binjaku im”, ka shkruar Lipa në “Instagram”. / KultPlus.com

Margariti: Kalaja e Ishmit në proces restaurimi falë projektit EU4Culture

Kalaja e Ishmit është një nga sitet e trashëgimisë kulturore që po restaurohet në kuadër të programit EU4Culture.

E ndërtuar në vitet 1572-1574, rrënojat e saj u shpallën monument i kategorisë I në vitin 1977.

Përballë hyrjes së kalasë ndodhet varri i piktorit të famshëm shqiptar, Ibrahim Kodra.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri të ditur sot se kalaja po i nënshtrohet restaurimit falë projektit EU4Culture, të financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Sipas saj, pjesa më e madhe e punimeve në muret fortifikuese kanë përfunduar dhe restaurimi po vazhdon me konsolidimin e terrenit dhe peizazhit në brendësi të kalasë./atsh/ KultPlus.com

Detaje të rënda nga dita e fundit e jetës së John Belushit

Mesa duket kanë dalë në dritë disa detaje të reja rreth vdekjes së John Belushi dhe orëve të tij të fundit, falë një libri që zbuloi detaje që deri më tani ishin mbajtur të fshehura për publikun. Në “In The Castle on Sunset”, nga Shawn Levy, janë rindërtuar ditët e fundit të aktorit të famshëm. “Më 28 shkurt 1982, John arriti në Chateau Marmont në kushte shumë komplekse, i djersitur dhe i zbehtë.

Ai vend ishte tani si një shtëpi e dytë, pasi aktori kishte qëndruar atje për më shumë se një muaj, duke u endur në disa suita. Në atë kohë ai po planifikonte filmin e tij të ri, me titull “Noble Rot”.

Megjithatë, puna nuk po shkonte mirë, as menaxherja e as “Paramount Pictures” nuk ishin të kënaqur me rezultatin dhe situata po degjeneronte ngadalë, me Belushi që mungonte në takime, ndërsa dhoma e tij ishte bërë si një stallë derrash dhe kishte humbur vazhdimësinë e higjienës personale.

Shumë mendonin se ishte nën efektin e vazhdueshëm të drogës dhe, sipas Shawn Levy, ata kishin të drejtë, pasi i kalonte ditët duke pirë alkool, tymosur marijuanë dhe duke gllabëruar kokainë, deri edhe heroinë.

Shumë personazhe shkuan për ta parë atë ditë, përfshirë Robin Williams dhe Robert De Niro, të cilët me sa duket kishin marrë kokainë me John Belushi pak para vdekjes së tij.

Në “The Castle On Sunset”, De Niro e ka gjetur dhomën e John një katastrofë të vërtetë, sikur dikush të kishte një sulm të zemërimit.

Më vonë, Robin Williams hyri gjithashtu në apartament, ku u ndal për disa “teke kokainë” dhe disa biseda, dhe më pas u largua nga dhoma, duke u ndier i shqetësuar”, thuhet në librin “In The Castle on Sunset”./ KultPlus.com