Shqipëria ndërton muzeun kushtuar qytetarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar planin për të hapur një muze në Tiranë kushtuar historive të qytetarëve të saj që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, shkruan David I. Klein për një nga gazetat më të mëdha izraelite ”Times of Israel”.

”Muzeu do të nderojë gjithashtu historinë dhe kulturën hebraike”, shtoi Rama.

Muzeu ”Besa” do të emërtohet sipas kodit të rreptë të nderit që shqiptarët thonë se i motivoi ata të mbrojnë fqinjët e tyre hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe më vonë Gjermania naziste, popullsia e saj hebreje u rrit gjatë gjithë luftës duke u trefishuar më shumë se sa refugjatët që u dyndën atje nga e gjithë Evropa.

Ambasada e Shqipërisë në Berlin lëshoi letra të rreme identiteti për hebrenjtë dhe shumë vendas i fshehën ata në shtëpitë e tyre. Yad Vashem, autoriteti i kujtimit të Holokaustit në Izrael, ka njohur të paktën 75 individë si të drejtë midis kombeve për shpëtimin e hebrenjve.

“Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët sakrifikuan gjithçka për t’i mbrojtur ata”, tha Elva Margariti, ministrja e Kulturës e Shqipërisë.

“Për shqiptarët kjo është BESA; është një vlerë që ne do t’ua përcjellim fëmijëve tanë, duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme. Muzeu ‘Besa’ do të jetë një urë komunikimi mes brezave; një hapësirë dialogu për ndarjen e vlerave më të mira të popujve tanë”, tha ajo.

Shqipëria ka hapur një konkurs me dy faza për të gjetur një projektues.

Muzeu do të vendoset në ndërtesën historike të Shtëpisë së Toptanëve në qendër të Tiranës, të cilën ministrja e përshkoi si një shembull të “arkitekturës më të mirë shqiptare të shekullit XIX”.

Pavarësisht se konkursi sapo ka filluar, Ministria e Kulturës i tha Agjencisë Telegrafike Hebraike se shpreson ta hapë muzeun deri në fund të vitit.

Biznesmeni dhe filantropisti kazako-izraelit Alexander Machkevitch po financon fazën e konkurrimit.

“Është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në historinë, zhvillimin urban dhe arkitekturën e Tiranës”, tha Rama.

“Dhe besoj se më në fund do të mund të marrim një psherëtimë të lehtësuar nga një barrë e kahershme detyrimi në lidhje me fëmijët tanë dhe vizitorët në vendin tonë, që lidhet ndoshta me faqen më të lavdishme të historisë shqiptare, shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson ai.

‘Dashuria është helmi, Anne’

Poezi nga Erica Jong

E dashur Anne Sexton II

Më e dashura ime Anne
Po jetoj buzë një liqeni
Me një djalë të ri
Që e takova një javë pasi vdiqe ti
Mjekra e tij është e kuqe
Sytë e tij regetijnë si sytë e maceve
Ma ëmbëlson trurin
Ai është si askush
Qëkur e dua unë
Flugeri i tij zhytet
Thellë në zemrën time
Kam disa muaj
Që ta kam borxh një letër
Doja të qortoja
Mënyrën e vdekjes tënde
Mënyrën se si mund të
Kem rishikuar një herë
Poemën tënde
Ti je si askush
Qëkur të dua unë
Dhe ti nuk je më
A mund ta besosh
Që vdekja jote më ka lindur mua?
Jeto ose vdis
Më the ti me këmbëngulje
Ti zgjodhe të dytën
Dhe e para më zgjodhi mua
Të vajtova
Dhe pas një jave
Gjeta atë
A mos është dashuria helmi i veshur me sheqer
Ajo që na zë në fund?
Ne folëm për burrat
Po aq shpesh sa poemat
Ne u përpoqëm të ligjëronim larg
Nevojën për dashuri
Atë të shkuarën në sediljen e pasme
Dhe vdekjen që të përkëdhel
Përse e bërë në pallton e nënës tënde?
(Unë e di
Por e di gjithashtu
Se duhet të pyes)
Nanat tona në kapin në gremc
Më pas na lënë në të ftohtë
Jetime të rritura plotësisht
Të uritura për dashuri
Ti dashuroje një burrë që fliste
“Si kartolinë”
Ai ma bën mirë
Por unë s’mund t’i flas atij”
Ne ndamë atë nevojën e tmerrshme
Për të folur në shtrat
Dashuria nuk ishte dashuri
Nëse ne mund të flisnim vetëm
Me gjuhë
Dhe intensiteti i padashurisë u rrit
Deri kur motorri, motorri që rendte
Nuk mund t’i jepte më fuqi shoferit
Dhe ti, me milje për të bërë
Preferoje më mirë të flije
Ndërmjet pilulave, pilulave të vetëvrasjes
Dhe vodkat tona të qeshura në Algonquin (indigjen kanadez)
Ndërmjet gotave të tua të rrumbullakta si të gjysheve
Dhe sytë e tu blu si akullnajë
Ndërmjet nënës tënde të zymtë, urisë
Dhe nënës tënde guximtare
Ti e dije se ishte vetem një poemë
Që po e shkruanim ne të gjithë
Vdekja jote ishte e imja
Unë e hëngra atë
Dhe u riktheva
Tani ulem buzë një liqeni
Duke të shkruar ty
Unë dua një burrë
Që mi bën gishtërinjtë me dhimbje
Të shkruaj ty
Diku mes reve
I bie tavolinës
Si një spiritualiste
Seksi është pjesë e vdekjes
Kaq gjë e di
Zëri yt ishte tokë
Sytë e ty ishin blu-akullnajë
Busti yt i hollë
Dhe këmbët e gjata amerikane
Varur nëpër
Këtë qiell perëndimor vigan blu
Dua të të them
Prit, mos e bëj ende
Dashuria është helmi, Anne
Por dashuria e ha vdekjen.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti / KultPlus.com

Kush është populli më tërheqës në botë?

Kompania e veshjeve, Pour Moi, ka bërë një studim lidhur me popullin më tërheqës në botë. Sipas studimit, India renditet në vendin e parë, SHBA në të dytin dhe më pas vjen Suedia.

Ky studim ka publikuar 50 shtetet që kanë popujt më tërheqës, përsa i përket pamjes fizike, kryesisht fytyrës, por jo vetëm. Shqiptarët renditen në vendin e 47-të.

Renditja u krijua nga një analizë e mijëra postimeve në Reddit. Sipas artikullit, thuhet se është analizuar çdo postim i Reddit dhe më pas u krijua një rezultat duke marrë parasysh numrin e postimeve, komenteve dhe votave pozitive.

Përsa i përket meshkujve, është Anglia që i ka më tërheqës, India vjen e dyta, e ndjekur nga Italia, SHBA dhe Suedia në vendin e pestë.Tabela për vajzat më tërheqëse kryesohet nga India, Japonia në vendin e dytë, Suedia në të tretin, Polonia në të katërtin dhe Italia në vendin e pestë.

“Ontologjia e Artit të Shtatë” nga Glauk Konjufca, një libër – shkollë mbi filmin

Ballsor Hoxha

Ontologjia – qenia e artit të shtatë dhe themelimi i saj, qoftë deri tek ideologjia e ‘brendashkruar’ apo përbrendësuar e filmit, sigurisht, sot, janë – burimi i së ardhmes sonë – i projektuar në afat kohor, në sociologji tonën, dhe aq më shumë materializim të tij.

Në të vërtetë së pari do të duhej të pyeteshim, a ka art të shtatë, për të gjetur dhe për të interpretuar librin e shkëlqyeshëm të Glauk Konjufcës pikërisht mbi këtë pyetje. Më tutje do të duhej të kuptonim si bëhet dhe pse është arti i shtatë, apo thënë më saktë pse ishte arti i shtatë, aq i diskutueshëm dhe i diskutuar në estetikën mbi artet, gjë që në librin rrënjësisht gjithëpërfshirës të qenies së këtij arti të Konjufcës, kjo pyetje është historikisht dhe në filozofinë e kësaj historie, prapë, rrënjësisht e argumentuar. Pastaj, lindin dhe pa numër pyetje, të cilat do të duhej të flisnin për “Ontologia e Artit të Shtatë”, dhe për të krijuar një prezantim të tij, gjë që e meriton, si studim e enciklopedi shtyllë e këtyre me sa u thanë sidomos në shërbim të filmit shqiptarë, që do të thotë krijuesit dhe vëzhguesit e tij. Por, për këtë do të duhej një njohje e përafërt me enciklopediken e Konjufcës mbi këtë art, dhe këto pyetje, gjë që në të vërtetë e bën tejet të vështirë po këtë. Aq më shumë, libri vetë “Ontologjia e Artit të Shtatë” në atë që është dhe që arrin si përpjekje, ka një integritet dhe autoritet tejet të lartë.

Prandaj, duke iu kthyer hapjes së këtij teksti, mbi këtë art të shtatë – dhe ky emërim i marrë si i mirëqenë -si burim i të ardhmes sonë, krijohet, rikrijohet dhe aq më shumë hapet pikërisht habia, apo enigma e tij, aq më shumë me qenë se përfshinë teknologjinë në vete të pandashme nga ky art, mbi pushtetin, të eskaluar, apo jo, të tij mbi ne.

Kur Maurice Blanchot, në esenë e tij krejtësisht të shkurtë, Dy versionet e imagjinares, flet për imazhin e prodhuar njerëzor, ai thotë se artisti në të vërtetë e vdesë objektin/realitetin, pasi që dhe duke e pas kaluar atë në riprodhim. Kjo më vonë në filozofinë e tij, duke e lindur Post-Strukturalizmin, definon zhbërjen e gjuhës në pafundësinë e kuptimit të të njëjtës, apo qoftë edhe të vetëm një objekti/realiteti. E ngjanë që sipas kësaj, kjo është habia, enigma, e pushtetit që ka në ne filmi për të kaluar në fenomen – burimi – të të ardhmes sonë, një burimi ekzakt të të ardhmes sonë, por të kontrolluar, qoftë si self – fullfulling – prophecy, e paradoksalisht edhe qoftë si pafundësi e objektit (pra të ardhmes)/realitetit në prodhimin njerëzor të tij.

Nëse e shtrijmë, prej me sa u tha, në filozofi të ekzistencës këtë – burim – ndoshta edhe mund të shohim, përafërsisht edhe atë që Konjufca e citon mbi filmin “Birth of a Nation”, përsëritjen e të njëjtit në tërë historinë e filmit (amerikan). Duke qenë se projektojmë në film mekanizmin tonë mbrojtës primar, qoftë në alienët si metaforë për veten, qoftë e vetëdijshme e qoftë e pavetëdijshme, për alienimin e vetë neve, dhe qoftë në filmat historik, etj, e që është krijimi i projektimit tonë mbi ankthin tonë, për ta shpëtuar veten, pavarësisht zgjedhjes dhe zgjidhjes së këtij – burimi -. Gjë që në fund na sjellë tek progresioni dhe antagonizmi i ekzistencës pas riprodhimit të objektit/realitetit (siç u tha më lartë sipas Maurice Blanchot).

Sigurisht Konjufca arrin të ‘veçojë’ në historinë dhe ndërtimin e tij, një qeniesim të një arti, të këtij – burimi – të të ardhmes sonë, dhe e bën këtë me shumë autoritet argumentimi. Libri është një pallat i veçantisë së këtij, është themelim, dhe edhe mendim tejet i sofistikuar dhe i argumentuar.

Por, pavarësisht pafundësisë së kuptimeve të objektit/realitetit deri në zhbërje të tij, “Ontologjia e Artit të Shtatë” krijon në mënyrë klasike të argumentimit, Qendrën e tij, dhe aq më shumë të këtij – burimi -të të ardhmes sonë. Qoftë në ndërtimin e tij, qoftë në idenë e tij. Në shtrirjen e tij sipas ekzistencës në të cilën e projektuam mekanizmin mbrojtës të njeriut në film për veten e tij, ka një konflikt ndërmjet përcaktimit, apo thënë më saktë të përcaktueshmërisë së qoftë të gjitha anëve të argumentimeve, dhe qoftë të idesë brenda këtij libri të Konjufcës. Shembull: nëse zanafilla e këtij arti është e përcaktuar, ajo më nuk është në ‘kongruencë’ me idenë e këtij libri, është në një mënyrë arbitraritet. Dhe më tutje, kur flasim për dy versionet e imagjinares (sipas Blanchot) ky arbitraritet na sjellë para një paradoksi të një riprodhimi të ri të një objekti të njëjtë/të një realiteti të njëjtë.

Më tutje, kjo ngrehinë e një Qendre të re të vjetër, shprehur në filozofinë e Jacques Derrida, i kthehet të përhershmes së auto-afeksionit të njeriut, dhe më tutje rikthimit ankthit të ekzistencës, sajimit të një shenje, të një fizikeje, që bëhet Qendër.    

Kjo, më tutje kthen në qoftë ‘shpikjet’, e qoftë metodat relativisht bashkëkohore, posaçërisht të asaj të – suture (term psikanalitik i teoretizimeve mbi filmin, që literalisht do të thotë dy anët e qepjes së një plage) ku filmi është vetë premtimi i, qoftë, zotit, babait edipian, apo të tjerave, për të arritur një besim të përbashkët me njeriun.

Suture – si teori, thotë se duke e përimtuar filmin deri në momentin e tij më të imë, hasim një Dorë që e krijon atë. Më tutje është vazhdimësi e filozofisë post strukturaliste: mungesë e neutralitetit të Qendrës, dhe më tutje pronësi ideologjike qoftë autoriale dhe qoftë e pavetëdijshme.

Ky shembull teorik, i ftuar këtu, tregon në të vërtetë, që jo vetëm autori është “dora e zotit” brenda dhe përbrenda filmit, por është marrëveshje (jo vetëm sipas Kompleksit të Edipit të psikanalizës) mes kësaj “dore të zotit” me njeriun/lexuesin.

Tërë kjo, me sa u tha në këto paragrafë, që prej shtrirjes së këtij fenomeni sipas filozofisë së ekzistencës e deri tek paragrafi paraprake, mund të kthejnë në po të njëjtën, duke e parë këtë ontologji (jo këtë libër) si të pathemelueshme, apo, këtë art si të pathemelueshëm, apo themelin si inekzistent. Që prej riprodhimit të realitetit të parë të të njëjtit.

Gjë që na sjellë para konfliktit, nëse pathemelueshmëria e botës njerëzore (përkundër tokës) mund të krijohet në një – burim – të të ardhmes. Apo të vetë enigmës: si mund të jetë kjo pathemelueshmëri – burim – i të ardhmes. Por, kjo apori, në të vërtetë është vetë marrëveshja për të bërë të pavërejtshme pikërisht atë që e jetësojmë – në mospërfundimin e kuptimit të realitetit – duke e sajuar një marrëveshje mbi po të njëjtin, përmes arbitrares së marrëveshjes.

Në fund, libri në fjalë, në të vërtetë pikërisht përpjekja e këtij libri – shkollë është ankthi për të kuptuar më seriozisht këtë – burim – të të ardhmes, ankthi për të hetuar, përcjellë, dhe për të gjetur gjuhën e tij, për të hetuar tërë fenomenin e tij, dhe për të bërë të lexueshëm filmin si ky – burim – i të të ardhmes sonë, për ata që e marrin më seriozisht vetë filmin.

Arti i shtatë është tanimë edhe shqiptarë, do të shtonim për fund, flet edhe shqip, në tërë gjithëpërfshirjen e tij të reprezantuar nga autori Glauk Konjufca në librin e tij “Ontologjia e Artit të Shtatë”./ KultPlus.com

Vazhdon lufta për autorësinë e këngës “Mora fjalë”, Qazim Beka e argumenton përmes videos (VIDEO)

Kënga “Mora fjalë” njihet si kënga e Shkurte Fejzës, edhe pse, në cdo përvjetor të Epopesë së UCK-së, rikthehet debati mbi autorësinë e kësaj kënge, shkruan KultPlus.

Qazim Beka edhe këtë vit bën thirrje për audiencën që të kuptojnë njëherë e mirë se kjo këngë është e tij, duke shpërndarë një video të kësaj kënge e cila ishte interpretuar nga ai, më 5 mars të vitit 2001.

KultPlus ju sjell pa asnjë ndërhyrje reagimin dhe videon e shpërndarë nga Qazim Beka.

Edhe pse kjo video ishte ma disa pengesa une dua ta postoj me te vetmin qellim qe te ja u kujtoj audiences se gjer se kjo kenge eshte kenduar dhe eshte promovuar per her te par kuptohet nga une poe ceki kete qe leta kuptojn se kenga mora fjalê eshte e imja dhe jo e shkurtes qysh mendojn disa, pra me 5 mars 2001 ne pervjetorin e lavdishen te epopes dhe sakrifices se jasharajve ne krye me komandantin legjendar Adem Jasharin!../ KultPlus.com

“Mirënjohje per Mësuesin”, Liceu artistik dhe Shkolla e Baletit vijnë me një koncert të përbashkët

“Mirënjohje per Mësuesin” titullohet koncerti që liceu artistik “Jordan Misja” së bashku me “Shkollën Kombëtare Koreografike” do të zhvillojnë në Tiranë, të hënën me datë 6 mars në orën 17.00, në ambientet e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.

Ky koncert do të zhvillohet në kuadër të festës së mësuesit dhe përmban disa pjesë nga kompozitorët themelues së muzikës serioze dhe baletit shqiptar, si Cesk Zadeja, Tish Daija,  dhe Tonin Harapi, si edhe pjesë klasike dhe moderne së muzikës ndërkombëtare.

Për herë të parë do të ekzekutohet himni “Feleminderit Mësues” nga Orkestra Simfonike dhe Kori i Liceut, i krijuar posaçërisht për këtë festë nga kompozitori i mirënjohur Endri Sina, mbi tekst të Mimoza Bicit.

Pjesët e ekzekutuara nga Okestra Simfonike dhe Kori do të shoqërohen me numra koreografikë nga ballerinët e “Shkollës Kombëtare Koreografike” nën drejtimin e dirigjentëve te liceut Mira Sulejmani, Besa Kacinari dhe Andi Kongo.  Ky bashkëpunim sinergjik vjen për herë të parë, mbas shumë dekadash, me inciativën e drejtoreshave të dy shkollave artistike kryesore të vendit Etleva Kolnikaj dhe Blerina Arbana./ KultPlus.com

“The Guardian”: Deti shqiptar, lirë e mirë

Ani pse Shqipëria mund të mos jetë vendi i parë që ju vjen ndërmend për pushime në plazh, por resortet gjysmë ore larg Tiranës ofrojnë plazhe të arta, det të qetë dhe hotele të përballueshme, shkruan gazeta “The Guardian”, përcjell albinfo.ch.

Gazeta prestigjioze britanike e liston Shqipërinë mes vendeve me plazhe të mrekullueshme që mund të shijohen jo me shumë shpenzime.

Shtrirja e gjatë e vijës bregdetare në formë gjysmëhëne ofron diell gjatë gjithë ditës dhe hapja e Shqipërisë pas vitesh kufizimesh ndihmon në mbajtjen e çmimeve konkurruese, veçanërisht pas konvertimit të paundëve në monedhën vendase.

Një opsion i lirë për të arritur atje, vijon “The Guardian”, është të fluturohet për në Korfuz dhe më pas të merret një traget për rreth 20 € në çdo drejtim.

“The Guardian” ndalet në Dhërmi, ku çdo ditë mund të përjetohet një plazh i ndryshëm. Një çadër pikniku për katër persona kushton rreth 20 £ dhe dreka në një restorant të këndshëm fillon nga 8 stërlina për person.

Shqipëria, një nga destinacionet e udhëtimit me rritjen më të shpejtë në Evropë, do të fokusohet në turizmin alternativ dhe jo masiv, në një lëvizje që zyrtarët qeveritarë shpresojnë se do ta ndihmojë në dallimin e saj nga konkurrentët.

“Shteti i vogël ballkanik, dikur i mbyllur hermetikisht nga bota e jashtme, është rritur në popullaritet për shkak të një reputacioni që shihet gjithnjë e më shumë si trend dhe ekzotik. Vitin e kaluar ai tërhoqi 7,5 milionë vizitorë, më shumë se dyfishi i popullsisë së tij, nga një tjetër rekord prej 6,4 milionë në 2019-ën”./ KultPlus.com

‘Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm’

Thënie për vdekjen, trishtimin dhe hidhërimet e dashurisë

• Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes!

• Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë!

• Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur!

• Përse nuk na lejojnë të dashurojmë… X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!

• Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj!

• Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm!

• Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes!

• Uroj që kur të vdes të shkoj në Parajsë, sepse Ferrin e jetova këtu!

• Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre!

• Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës!

• Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde!

• Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…!

• Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…!

• Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret, po kjo jetë po s’pati dhimbje kurrë s’mund të quhet jetë…!

• Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…!

• Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…!

• Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…!

• Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t’u çuar e lufton përsëri…!

• Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…!

• Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…!

• Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…!

• Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…!

• Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…!

• Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…!

• Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…!

• Midis të mirës dhe të keqes ka një porte… dhe unë ta hap!

•- Mos u kënaq me horizontin… kërko pafundësinë!

• Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…!

• Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur…

• Nuk do plakem kurrë, sepse jam një yll që bie…! / KultPlus.com

Edi Rama: Ky është objekti që do të jetë një ndër më të vizituarit në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë ka ndarë më ndjekësit e tij disa fotografi, duke prezantuar një objekt që sipas tij do të jetë një ndër më të vizituarit në Tiranë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e tij.

Ky është Mozaiku i Tiranës që shumë shpejt do të kthehet në një nga destinacionet më të vizituara të kryeqytetit, ku do të zbulohen copëza të historisë, përmes mozaikëve të rrallë të antikitetit./ KultPlus.com

Kryeministri i parë në botë që merr një robot për këshilltar

Kryeministri i Rumanisë ka prezantuar këshilltarin e tij më të ri, një asistent robot i quajtir Ion. Sipas Nicolae Ciuca, ky është rasti i parë në botë kur inteligjenca artificiale merr një post të tillë, edhe pse honorifik.

Roboti është ndërtuar në Rumani dhe detyra kryesore e tij do të jetë skanimi i rrjeteve sociale për të informuar qeverinë “në kohë reale” për “propozimet dhe dëshirat e rumunëve”.

“Përshëndetje, ju më dhatë jetë dhe roli im është t’iu përfaqësoj, si një pasqyrë”, thotë Ion përmes një zëri të qetë. “Çfarë duhet të di për Rumaninë?”.

Sipas dokumenteve që u publikuan në ditën e prezantimit, roboti do të përdorë inteligjencën artificiale për të kapur mendimet e shoqërisë, duke përdorur të dhëna publike, në rrjete sociale. Por njerëzit do të kenë mundësi edhe të komunikojnë direkt me Ionin, përmes një faqeje interneti të ngritur për këtë qëllim.

“Jam i bindur se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të jetë një mundësi, por detyrim, për të marrë vendime bazuar në informacion më të mirë”, tha Ciuca.

Rumania është një prej shteteve më të varfra të Bashkimit Europian, por ka ndërmarrë vitet e fundit nisma për zhvillimin e kompanive të reja, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit./A2CNN

Ka vdekur aktori Tom Sizemore

Ka vdekur në moshën 61-vjeçare aktori Tom Sizemore, i njohur për rolet e tij në filmat si “Saving Private Ryan” dhe “Black Hawk Down”.

Ai ka qenë në koma në një spital në Los Anxhelos pasi u prek nga një sëmundje e trurit më 18 Shkurt. Ditë më vonë mjekët i kishin thënë familjes së aktorit se nuk kishte gjasa që ai të dilte nga koma.

Lindur në Detroit në vitin 1961, Sizemore fitoi famë me rolet e tij në filmat aksion në vitet 1990 dhe 2000.  Roli i parë kryesor i tij ishte  në filmin horror të vitit 1997 “The Relic”, ku luajti  një detektiv policie.

Ai u nominua për një çmim Golden Globe në vitin 2000 si aktori më i mirë  për rolin e tij në filmin “Witness Protection.”

Por pavarësisht se pati një karrierë të suksesshme nuk mund të thuhet e njëjta gjë për jetën private. Për një kohë të gjatë ai krijoi varësi nga përdorimi i substancave narkotike, të cilat  ishin shkak për futjen në burg dhe më pas në qëndrat e rehabilitimit.

Në vitin 2003, ai u dënua për dhunë në familje dhe kërcënime ndaj të dashurës së tij të atëhershme Heidi Fleiss dhe u dënua me gjashtë muaj burg.

Sizemore ishte e martuar me Maeve Quinlan midis 1996 dhe 1999 dhe ka dy fëmijë./ KultPlus.com

“Marshojmë pas teje komandant”, 820 ushtarë të FSK-së formojnë portretin e Komandantit Adem Jashari (VIDEO)

820 ushtarë të FSK-së kanë realizuar portretin e Komandantit Adem Jashari, portret që është realizuar edhe nëpërmjet një videoje, shkruan KultPlus.

Për këtë realizim artistik është bërë e ditur nga ministri Armend Mehaj, ku KultPlus ju sjell të  plotë njoftimin mbi këtë realizim.

Në vigjilie të Epopesë së UÇK-së dhe 5 Marsit- Ditës së Kazermës ” Adem Jashari”, 820 ushtarë të FSK-së, në poligonin e kazermës, realizuan portretin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, ideuar nga artisti ynë, piktori i njohur Besart Gashi dhe realizuar nga nënoficeri ynë, Vesel Raci.

Marshojmë pas teje Komandant,

Të pandalshëm,

Të pathyeshëm,

Triumfues

Përjetësisht,

Dje, sot, nesër,

Në shpirt- fryma juaj,

Në trup- forca juaj,

Në mendje- vizioni juaj.

Përjetësisht,

Adem Jashari,

Emblema dhe Flamuri ynë!

Të lavdishëm gjithmonë Komandanti Adem Jashari, Familja Legjendare Jashari dhe gjithë të rënët për lirinë e kombit dhe atdheut!/ KultPlus.com

Dhjetë artistë në ekspozitën e përbashkët “Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”

Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u çel ekspozita fotografike “Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”. Ekspozita bën bashkë 10 artistët më në zë të artit bashkëkohor midis Shqipërisë dhe Austrisë, ku gjuha pamor me të cilën ata paraqiten tek publiku shqiptar është sa e larmishme për nga teknikat e përdorura aq dhe gjithëpërfshirëse për nga tematikat e trajtuara.

Me këtë rast, kuratori i ekspozitës Oltsen Gripshi, shprehi falenderimin dhe mirënjohjen për Muzeun Historik Kombëtar si dhe për gjithë artistët pjesmarrës, bashkëpunëtorët, mbështetësit e këtij projekti. Ndër të tjera ai theksoi se: Kjo ekspozitë kërkon të përçoj tek publiku mesazhe të shumëfishta: “Asnjëherë më parë marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës nuk është bërë një çështje kaq qëndrore se sa në krijmtarinë e artistëve. Në këtë ekspozitë do të shohim se artistët e mbështesin kërkimin e tyre artistik dhe filozofik-konceptual në zbulimin e marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës. Vetëkuptohet, aty ku hapet një reflektim mbi qenien njerëzore hyn në lojë gjithmonë arti, si një përmasë nëpërmjet së cilës qenia njerëzore shkëputet nga realiteti, duke lundruar brigjeve të imagjinatës. Megjithatë, do të ishte gabim të mendohej se arti vetëm tani ka filluar të merret me botën natyrore, me thelbin e qenësishëm të vetë ekzistencës së tij,duke e vendosur atë si një objekt artistik. Përkundrazi, mund të thuhet se që nga zanafilla e tij ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë mes artit dhe natyrës.”.

Menaxheri i projektit artistik z. Karl Bauer në fjalën e tij përshëndetëse ndër të tjera shtoi: ” Ndjehem shumë krenar që jam sot këtu në hapjen e kësaj ekspozite të artit bashkëkohor që çelet pikërisht në një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, Muzeun Historik Kombëtar, për këtë dëshiroj të falenderoj drejtorin e institucionit z. Dorian Koçi për mikpritjen. Jam shumë i lumtur, që pranova ftesën për të qënë pjesë e këtij projekti që sjell bashkë një grup artistësh shumë të talentuar dhe kaq të ndryshëm, për sa i përket shprehjes artistike në një ekspozitë për artin bashkëkohor në ditët e sotme”, përfundoi ai.

Kjo ekspozitë u realizua falë bashkëpunimit të Ambasadës së Austrisë në Shqipëri, Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar./ KultPlus.com

Mëngjes marsi në Prishtinë

Shkruan: Sali Bashota

Liria bekohet kur e shikojmë njëri-tjetrin në sy
Sigurisht mirësia më nuk përmbyset
Çdo mars nuk e ka të njëjtën magji
Kur zgjohet fjala e dhimbja ngryset

Sikur të heshtim si shpirtra të druajtur
A do të ëndërrojmë pa bërë zë
Sigurisht disa kujtime tashmë janë ruajtur
“Shpejtoni ngadalë”- ka thënë Horaci- asgjë më

Në këtë ditë marsi në Prishtinë
Bora shkund dridhmat në pafundësi
Nëse prapë do ta bartim lirinë mbi shpinë
Si do ta pagëzohet kjo dashuri

Të gjithë s’e kuptojnë ftesën për flijim
Nëse kushtrimi shpërthen ashtu papritur
As shpirtrat s’e kanë më të njëjtin shëmbëllim./ KultPlus.com

Hulumtimet nëpër muzetë e Shqipërisë edhe online, mundësohet nga “e-Albania”

Hulumtimet në muzetë e Shqipërisë nëpërmjet “e-Albania” bëhen më të lehta e praktike. Një muaj është afati që një hulumtues a institucion të marrë përgjigje ndaj kërkesës për të siguruar materialet

Platforma qeveritare “e-Albania” u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve apo bizneseve të interesuara, të cilat tashmë mund të dorëzojnë online kërkesën për hulumtim në muzetë e Shqipërisë. Nëpërmjet njoftimit për shtyp “e-Albania” ka bërë të ditur se dokumentet që ngarkohen nga aplikanti janë lista e objekteve muzeore ose dokumenteve arkivore, kopje e projektit apo dokumentacion që mbështet nismën e projektit, si dhe vërtetim nga institucioni. “Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit në ‘e-Albania’ është një muaj. Platforma ‘e-Albania’ ofron 1227 shërbime elektronike për qytetarët shqiptarë”, thuhet në njoftim.

Portali unik qeveritar shumëfunksional “e-Albania.al” administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë dhe shërben si një platformë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.

Portali qeveritar “e-Albania” është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike./ KultPlus.com

Andrra e jetës

Poezi nga Ndre Mjeda

N’për ograjë po këndojnë bylbylat
si tu u prrallë me shoqi-shojnë,
drandafilleve zymbylat
t’kandshmen erë dhunti ia çojnë.

E nalt n’qiell ma e bukur hana
rreze t’paqta shkon tue shkri;
maje bjeshkve fillon zana
n’valle shoqeve m’u pri.

Lodhë prej vegësh, prej rrangësh shpijet,
si u ba natë, ndej Zoga n’votër;
ndej m’u xe me dru dullijet
që kish ba n’për mal, pa motër!

E kuvendte me nanë-locen
si përgjumshëm, ndonji fjalë,
derisa bri votrës gocën
e muer gjumi dalkadalë.

Fjet bri votrës: e kur shkëndija
shndritte at fëtyr’ të patravajë,
ejëll prej qiellit ulet te shpia
dukej faret fëtyra e sajë.

Herë n’at’ gjumë tue qeshun dukej,
si m’u falë herë dorën çote;
herë përmallshem n’veti strukej
e n’fëtyrë gjaku t’tan’ i vëlote.

(Ngrimun n’ar, mbi ‘i pullali
nën balkue nji beg kish dalë;
holl’ e i gjatë porsi selvi
n’rrugë nën gardh ish dukë nji djalë.)

E nan-bardha tue shikjue:
“Flej me engjuj, thotë, o bi;
pusho shtatin me i ndihmue
Lokes sate nëpër shpi”.

II

Prej nën nji tjegllet kish dalë si ‘j tra,
ku nji mij’ tesha vëloshin pa da;
përmbi shpi ndihej tue rrahun troka
e ushtonte toka

prej kambësh t’bag’tive. Ka dalë Harapi
herët, e shpatit delet ja hapi;
ka dalun Mica me lopë të mëdhaja
nëpër ograja.

Kur u zgjue Zoga vojt te balkoni
e pau se bleta vëlonte te zgjoni;
pau se n’at’ nade poshtë nji lavruer
kish ba nji shpuer.

Tue sjellun krahnin këndote me veti,
e i rridhte krahve si nji valë deti,
ku shndriçëm dielli lëshonte si zhgjeta
rrezet e veta.

Rreze flak’ arit. Por rrotull fëtyra
e fushës kish nd’rrue; kish nd’rruemun zyra
e bimës e e pem’ve; përmbi balkue
deri kish nd’rrue

erë filcigeni; po vite ‘j tjetër
erë: porsi makthit; e rruga e vjetër
nën shpi, mbas gardhit, porsi nji dritë
shkonte tue qitë.

Nuk e kish vrumun kurr nder dit’ t’veta
at rrugë n’balkue. Ktheheshin me çeta
asaj katundsit, tue dalë pa pra
e ajo s’kish pa.

U nis te puna mërziçëm. Nisi
ndër penj sovajkën, e shpata krisi,
cirliknë rrotllat posht’ e përpjetë
nën kambë të shpejtë.

E vojt n’dritare prap. Ndoshta begu
ka mbërri te rruga e pret te shtegu
veshun me t’arta, mbi ‘j pullali
për bukuri.

Nuk ishte begu: nën diell t’valtë
veç dy dallëndysha bajshin do baltë,
balt’ e kashtare për çerdhe t’vet,
se Shën Ejëlli a nget.

Ndoshta po avitet nji djal’ i ri
i holl’ e i gjatë porsi ‘j selvi,
me rrip rreth brezit, me nji gjashtore
e ‘j kacatore.

Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,
nji n’drandofille, nji ndër zymbyla,
përmallshëm thrrasin, e shoqi-shojnë
me kangë gazmojnë.

III

Vijnë dallëndyshat porsi era
përte’ det te çerdhja e vet;
vijnë bylbylat ku pranvera
n’pyje t’veshuna po i thrret.

Se qe pemët kan’ endun lulet,
e u vesh fusha me blerim;
lehtas prroni malit ulet
da prej borës që i nep ushqim.

E, i dish’ruem, bje për fushore
me rritë bimën për gjith’ vend,
ku ‘j erë akullit mizore
kishte hupë lul’zim e shend.

Edhe ti prej asaj që t’rriti
daju, vash’, e mos vajto;
me nji veshë, që kurr s’ta shndriti
paras, shtatin hijesho.

Bashkë me lule len dashtnija,
me kangë t’shpendit që galdon;
e pranverës bukuria
bashkë prej gjumit t’tan’ i zgjon.

Del, o bij’, prej shpisë sate,
del prei t’vorfënit katund;
njajo flakë që n’zemër pate
do t’përvjellin tjetërkund.

T’pret nji zemër flak’ e shkëndija,
pret me tanden m’u ba nji;
sa jetë t’apin Perëndia
mos m’u damun kurr prej ‘si.

T’lypë nji bes’ e ta nep t’ndershme
dora e unazaqë t’ven n’gisht;
e ndërmjet pr’at besë t’gjithhershme
a dorzan’ i lumi Krisht.

Sogjetarë, porsi furia
e nji rrfes’ që qetat shpon,
janë të qiellit nalt ushtria
e n’dorë shpata iu veton.

E din idhun regj Davidi,
e dinë lott që pa pra qet,
kur sheh morten se kositi
an’ e mb’an krajlninë e vet.

IV

E kandshme asht hana
kur del me zana,
e n’tokë me dritë përndaret,
Hyjzit që shndrisin
e që shetisin
n’për qiell, jan’ t’bukur faret.

Kur del agimi
e rruzullimi
me ‘j dritë kuqloshe mbëlohet
e përmbi kashta
shndritë pika-lashta,
zemra për mall gazmohet.

Asht i madh shendi,
kur ndihet shpendi
ndër pyje tue pingrue;
e knaqshme a ‘j lule
kur iu përkule,
o fllad i leht’, me e l’mue.

Por s’i giet qielli,
nuk i giet prilli
as fllad që shetitë lulet
e me erna veshet,
foshnjës që i qeshet
nanës, kur mbi ‘të përkulet./KultPlus.com

Me mesazhe për dashurinë e fuqizimin e gruas, mbahet mbrëmja poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”

Flonja Haxhaj

Artistë të fushave të ndryshme u mblodhën mbrëmë në Prishtinë për të sjellë nëpërmjet poezive, muzikës e vallëzimit emocione të paharrueshme, për të përcjellë një mesazh të vetëm,dashurinë.

Në një ambient me shumëllojshmëri ngjyrash, artistët shqiptarë, romë, serbë dhe francezë, mbrëmë në menzën  ‘Ramiz Sadiku’ mbajtën mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, shkruan KultPlus.

Përveç emocioneve, kjo mbrëmje ishte një solidarizim me tri gra kryefamiljare nga Klina, Skenderaj, dhe Mitrovica, qytete këto të prekura nga vërshimet në muajt e fundit.

Regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha, tha se nëpërmjet këtyre poezive inspiruese dhe frymëzuese shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas.

“Me’Poezi për Fuqi’ sonte ne shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe shpresojmë që nga këto poezi inspiruese të interpretuar nga poetët/poetët, artistet/artistët dhe aktivistet/aktivistët, do të sjellë këtë mbrëmje në një nivel i cili do të na kënaqë shpirtërisht dhe do të na frymëzojë e inspirojë për dashuri dhe shohim të mirën tek njëri-tjetri”, u shpreh Hoxha.  

Mbrëmja nisime poezitë e Sibel Halimit, Arbër Selmanit, Gili Hoxhajt e Shpëtim Selmanit, të cilët ndanë me publikun disa nga poezitë e tyre inspiruesee që u përcollën me duartrokitje të shumta nga publiku.

E pas tyre, nën shoqërimin Ilir Bajrit në piano dhe Arian Randobravës në saksofon, Semira Latifi solli edhe argëtim në publik përmes këngëve shqiptare dhe të huaja e që u shoqëruan nga trupa e kërcimtarëve Noa Dance Theatre, Altina Binaku, Qendrim Makolli, Lavdije Idrizi, Enis Mulaku, Genta Hoxha, dhe Ibrahim Tusha. E krejt kjo koreografi u realizua nga Robert Nuha.

Ndërkaq, më pas në skenën dolën  Anisa Ismaili, Aleksandra Jovičić, Denis Galushi, Donato Giuliani, Fatmir Menekshe, Igballe Qena, Mila Mihajlovic, Meli Qena, Neri Ferizi dhe Shkelzen Veseli, të cilët me poezi në gjuhë të ndryshme sollën mesazhe të fuqishme që në thelb kishin dashurinë dhe fuqinë e gruas.

Po ashtu, poezi të tjera si ato të Harold Norse, Luljeta Leshanaku, Eli Krasniqi, Suela Bako, Mario Benedeti, dhe të Kujtim Paçakut, u interpretuan mbrëmë nga Trupa Artistike Rezidente e Artpolis, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi, dhe Zhaneta Xhemajli.

E për të përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe këtë vit, publiku patimundësi që në pjesën ‘Mikrofoni i Hapur’ të interpretojnë poezi e këngë të përzgjedhura nga vetë ata./ KultPlus.com

“Thuhet se shiu shkakton rrëmujë, në fakt kujdesen njerëzit për këtë”

10 thënie për shiun

“Mos u zemëroni me shiun. Bie në tokë sepse nuk di të shkojë për lart”.

Vladimir Nabokov

“Ditët me shi duhet të kalohen në shtëpi, me një filxhan çaj dhe një libër të mirë”.

Bill Watterson

“Të qullesh deri në kockë kur je vetëm është ftohtësi. Të dalësh në shi me mikun e ngushtë është aventurë”.

Emily Wing

“Thuhet se shiu shkakton rrëmujë… në fakt kujdesen njerëzit për këtë”

Barbara Delinsky

“Natën ëndërroj sikur ne të dy jemi bimë të rritura bashkë, rrënjëngatërruar, dhe sikur ti e njeh tokën dhe shiun sikur gojën time, sepse jemi lindur nga toka dhe shiu”.

Pablo Neruda

“Të vështrosh shiun, do të thotë ti takosh apo të bëhesh pjesë e diçkaje. Të kesh dikë që do të qajë për ty”.

Haruki Murakami

“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm”

Fabrizio de Andrè

“Shiu seç ka një të fshehtë të vagëllimtë, diçka si dremitje magjepsëse dhe të ëmbël, një muzikë përvuajtëse zgjohet me të dhe bën të shpërgjumet vetë shpirti i peizazhit.”

Federico Garcia Lorca

“Shiu bie kur retë nuk mund të mbajn peshën, lotët bien kur zemra nuk mund të mbaj më dhimbjen”

“Njerëzit thonë se e duan shiun, por i hapin çadrat kur bie shi, njerëzit thonë se e duan diellin, por kërkojnë hije kur dielli del, njerëzit thonë se e duan erën, por kur era fyn, dritaret janë të mbyllura, prandaj edhe unë buzëqesh kur dëgjoj njerëzit të thonë se më duan”./ KultPlus.com

91-vjeçar tajlandez shpallet regjisori më i vjetër televiziv në botë

Një 91-vjeçar tajlandez u emërua regjisori më i vjetër televiziv në botë nga Guinness World Records pasi përfundoi projektin e tij më të fundit.

Chalong Pakdeevijit, një regjisor filmi dhe TV i njohur si “Mbreti i Aksionit” në Tajlandë, u bë regjisori më i vjetër televiziv në botë kur mini-seriali i tij me 18 episode, Skyraider, përfundoi transmetimin vitin e kaluar.

Pakdeevijit, i lindur më 18 mars 1931, filloi karrierën e tij filmike si kameraman në vitin 1950 dhe drejtoi filmin e tij të parë, Jao Insee, në 1968.

Regjisori fitoi rëndësi në vitet 1970 me serinë e tij të filmave aksion Thong. Babai i Pakdeevijit ishte një regjisor dhe producent filmi, dhe të gjithë vëllezërit e tij gjithashtu punojnë në industrinë e filmit.

Pakdeevijit aktualisht është duke punuar në mini-serialin e tij të ardhshëm televiziv, të titulluar Kan Song Pandin./abcnews.al/ KultPlus.com

Gjon Keka: Gjergj Kastrioti lexonte jetëshkrimet e Plutarkut dhe komentarët e Cezarit

Nga Gjon Keka

Kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti nuk ishte vetëm një njeri e gjeneral që mbante shpatë në duar,por edhe burrështeti e njeri i librit, ai lexonte sikur mësohet nga një bashkëkohës i tij ,ai lexonte jetëshkrimet e Plutarkut,komentarët e Cezarit etj.

Sikur shihet edhe nga ky imazh( nga :“Maurice Lachatre, Histoire des Papes, Rois, Reines, Empereurs,…187?“), në të cilin Gjergj Kastrioti mbreti ynë është pasqyruar me libër në dorë ,pra një imazh ndryshe nga ajo që kemi parë vazhdimisht në beteja dhe me shpatë në dorë.

Prandaj,Gjergj Kastrioti nuk ishte vetëm njeri i artit të luftës,një strateg i madh, por edhe një burrështeti i madh,dhe njeri që lexonte libra të ndryshëm të preferuar të tij./ KultPlus.com

‘Le Monde’, reportazh për alpet shqiptare

Kolosi mediatik francez “Le Monde” i dedikoi një reportazh alpeve shqiptare të cilat i cilëson si “parajsë e vogël dhe e gjelbër”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale reportazhin e “Le Monde” dedikuar  Thethit e Valbonës.

“Kolosi mediatik francez “Le Monde” i rikthehet Shqipërisë, këtë herë me një reportazh të dedikuar alpeve tona, Thethit e Valbonës, duke e përshkruar një ‘parajsë të vogël e të gjelbër për alpinistët që kërkojnë shtigje që nuk janë as shumë të rrahura’”, shkruan Rama.

”Le Monde”: Malet magnetike të Shqipërisë, parajsë e alpinistëve

Edhe nëse të kujtojnë më shumë Pirenejtë, masivi gëlqeror i Shqipërisë, pjesë e Alpeve Dinarike, janë një parajsë e vogël e gjelbër për alpinistët, të cilët kërkojnë shtigje që nuk janë as shumë të rrahura dhe as shumë të shtrenjta, shkruan Hubert Prolongeau për gazetën më të njohur franceze ”Le Monde”.

Kjo është një nga sekuencat më mahnitëse në filmin e çmimit Nobel për Letërsinë e fundit, Annie Ernaux, ”The Super-8 Years”, ajo e një udhëtimi të organizuar në Shqipëri në vitet 1960, në një kohë kur një diktaturë e kudogjendur zhyti të gjithë vendin në izolim. Ambient i trishtuar dhe pamundësi për të lëvizur vetë.

Shqipëria po fillon një rikthim turistik, pa dyshim duke shpresuar të zëvendësojë Kroacinë pas pak vitesh në parajsën ballkanike.

Pikat e tij të forta për këtë?

Një kryeqytet që është ofruar për të ngjyrosur dhe shumëfishuar veprat e artit të rrugës, qytetet kulturore të Jugut, plazhet e Adriatikut dhe malet që ofrojnë mundësi të mrekullueshme për ecje.

Ata quhen “Alpet Dinarike”.

Alpe?

Termi është i pasaktë, sepse nuk ka asnjë lidhje gjeografike me këtë masiv në thelb gëlqeror, i cili ia detyron emrin e tij malit Dinara. Nëse do të duhej të vazhdonim krahasimin gjashtëkëndor, për më tepër do të na kujtonte ky formacion prej 200 000 kilometrash katrore që mbulon shtatë vende.

Pika më e lartë e të cilit, maja e Jezerces, 2 694 metra, ndodhet në Shqipëri, është një destinacion gjithnjë e më i popullarizuar nga të apasionuarit pas ecjes, të tërhequr nga bukuria e peizazheve dhe modestia e kostove.

Lugina e Valbonës, një park kombëtar prej 8 000 hektarësh, është më i vizituari nga këto rajone në zgjerim.

Alpinistët vijnë nga të gjitha anët, shumë evropianë, por edhe indianë dhe amerikanë.

“Unë jam këtu sepse i dua malet dhe Alpet në shtëpi janë shumë të shtrenjta”, thotë një student francez.

Nga Valbona, një qytet i vogël, arrijmë në fshatin alpin më të mirë të ruajtur në rajon, Thethin.

Ngjitja në qafën e Valbonës (1 759 m) është e gjatë. Është fillimi i vjeshtës. E kuqja e ahut flakëron. Shtegu ngjitet midis pemëve të arrave, gështenjave dhe mollëve të egra.

Boronicat, luleshtrydhet e egra dhe shegët rriten në anë të rrugës.

Jeta e egër është më larg, por a mund të ankohemi?

Në këto pyje ende mund të gjeni ujqër, arinj dhe rrëqebull. Lumi është shtëpia e troftës, një peshk i rrallë.

Nga qafa shihen Bjeshkët e Nemuna.

Emri vjen nga një legjendë e vjetër e shekullit XV.

Një grua kishte ikur nga pushtimi turk me dy fëmijët e saj duke u ngjitur në mal. Por pasardhësit e saj vdesin përfundimisht nga etja dhe nëna mallkon malin, i cili do t’u japë emrin dy majave./ KultPlus.com

‘Sonte hesht qyteti, shiu do të fillojë, kërkoj shikimin tënd në errësirë’ (VIDEO)

B.B. Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha në rajonin ku flitet shqip.

Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.

Sonte po e rikujtojmë njërën nga këngët e famshme të tij, “Ti je një iluzion”. /KultPlus.com

Sonte hesht qyteti
shiu do t’fillojë
kërkoj shikimin tënd n’errësirë
çiftet rrugës kalojnë
më marrin për të marrë
kjo natë më kujton gëzimin dhe dashurinë
çastet me duken shekuj
nata me është e gjatë pa ty
fëmijërinë ma morën ëndërrat
e ëndërrat m’i more ti
larg fryn era, bartin pluhurin
dhe gjurmët e tua
ti shkove por kujtimi yt
jeton thellë diku ne mua

Sonte hesht qyteti
shiu do t’fillojë
kërkoj shikimin tënd n’errësirë
çiftet rrugës kalojnë
më marrin për të marrë
kjo natë më kujton gëzimin dhe dashurinë
çastet me duken shekuj
nata me është e gjatë pa ty
fëmijërinë ma morën ëndërrat
e ëndërrat m’i more ti
larg fryn era, bartin pluhurin
dhe gjurmët e tua
ti shkove por kujtimi yt
jeton thellë diku ne mua

Ti je vetëm një iluzion
dhe asgjë me shumë
ti je një ëndërr qe më mundom
a të kujtohem unë

Ti je vetëm një iluzion
dhe asgjë me shumë
ti je një ëndërr qe me mundon
a të kujtohem unë 3X/ KultPlus.com

Steve Mackey, basisti i grupit britanik-pop ”Pulp”, ka vdekur në moshën 56-vjeçare.

Grupi, i njohur për hitet e tyre duke përfshirë ”Common People” dhe ”Disco 2000”, njoftoi në faqen e tyre në Instagram se muzikanti ndërroi jetë sot.

Krahas një fotoje të Mackey duke u ngjitur në Ande, grupi shkroi: “Miku ynë i dashur dhe basisti Steve Mackey ndërroi jetë këtë mëngjes. Mendimet tona janë me familjen dhe të dashurit e tij.”

“Kjo foto e Steve është nga koha kur ‘Pulp’ po bënte turne në Amerikën e Jugut në vitin 2012. Ne patëm një ditë pushimi dhe Steve sugjeroi të shkonim për të ngjitur shkëmbinj në Ande. Kështu bëmë”, shkruajnë ata.

“Dhe ishte një përvojë krejtësisht magjike. Shumë më magjike sesa të ngulim sytë në murin e dhomës së hotelit gjatë gjithë ditës (që ndoshta është ajo që do të kishim bërë ndryshe)”, theksuan ata. / KultPlus.com

Shira mbasditesh

Poezi nga Enis Batur, sjellë në shqip nga Ben Meçe.

“Kam vënë mënjanë për ty këtë duhan
të verdhë, të fortë, kam qëruar
domaten, për ty
ta kam prerë në feta, të kripur„.
“Për ty kam zvarritur kafshën
brenda meje;
kam marrë trupin tim me kujdes, si në një trapano dore
për ty. Kjo aromë, këta krahë,
kjo dëshirë pa frerë është për ty uri”.
“Toka është e ngopur më ujë këtë vit, unë nuk
jam akoma e ngopur me ty”( vazhdon gruaja me vete).
“Me dëshpërimin krenar
të fytyrës tënde, bashkoju kalit brenda meje
që vrapon me frerë të zgjidhur”./KutlPlus.com