98 vjet pa Luigj Gurakuqin, u vra pabesisht nga djali i tezes së tij, Baljton Stambolla

Më 2 mars 1925, në Bari të Italisë u vra pabesisht nga djali i tezes së tij Baljton Stambolla, veprimtari i çështjes kombëtare, hartuesi dhe nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poeti, arsimtari, gjuhëtari, diplomati, deputeti dhe patrioti i madh shqiptar Luigj Gurakuqi.

Luigj Gurakuqi lindi më 20 shkurt 1879. Dora e tij shkroi edhe alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit.

Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike.

Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit dhe anëtar i Komsisë Letrare në Shkodër. Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh Ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar.

L. Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.

Gurakuqi ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme.

Është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Në këtë kuadër ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit shqiptar.

Si krijues Gurakuqi pati marrëdhënie të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta, L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime nga Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, “S’kndôn bylbyli”. Gjergj Fishta i dedikon atij vepren “Pika e voeset”. / KultPlus.com

Sot, përkujtojmë 579 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës

579 vite më parë, më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt “Besëlidhja e Lezhës”.

Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Vendimet e kuvendit ishin:

  1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
  2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
  3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
    Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve. /KultPlus.com

Rama: Muzeu virtual në vendvarrimin e Skënderbeut, spektakël imazhesh historie

Në vigjilje të ditës së shënuar kombëtare të “Besëlidhjes së Lezhës”, Kryeministri Edi Rama ndau pamje të muzeut virtual në vendvarrimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Rama tha se muzeu virtual në vendvarrimin e Skënderbeut ofron një spektakël imazhesh historie.

Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Mesjetës. Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastrioti, pas kthimit nga Turqia, për herë të parë mblodhi në një kuvend të gjithë princat shqiptarë, me qëllim përballimin e sulmit otoman.

Courteney Cox bëhet me yll në Hollywood Walk of Fame

Aktorja e “Friends”, Courteney Cox, u bë me një yll në Hollywood Walk of Fame dhe koleget e saja të serialit të famshëm, aktoret Jennifer Aniston dhe Lisa Kudro, ishin aty për të festuar momentin historik me të.

“Të jesh mikeshë me Courteney do të thotë të jesh familje me Courteney dhe ajo është përgjegjëse për të gjitha këto që nga fillimi”, tha Aniston gjatë ceremonisë. “Kur e takuam, ajo ishte menjëherë gjithëpërfshirëse, e ngrohtë, e dashur, e interesuar për gjithçka rreth teje dhe isha vërtet nervoz ta takoja sepse isha një fanse e madhe”, shtoi ajo.

Kudro tha se ndikimi i Cox “me të vërtetë na bëri të bëhemi një nga aktorët më të afërt, më të dashur dhe më mbështetës në historinë e televizionit”.

Cox më herët i tha Variety, “”Friends” më mësuan rëndësinë e miqësisë dhe të qëndresës së bashku”.

“Këto miqësi ishin në momentin më të rëndësishëm në jetën time dhe ne kemi kaluar shumë gjëra së bashku”, tha ajo. “Dhe thjesht më mësoi të ishim aty për njëri-tjetrin”, u shpreh aktorja./ KultPlus.com

Eja të vdesim e dashur

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani./ KultPlus.com

The Weeknd thyen rekord në Spotify, kënga e tij u dëgjua mbi 300 milionë herë për një muaj

The Weeknd është bërë artisti i parë në historinë e Spotify që ka arritur 100 milionë dëgjues në muaj, ka konfirmuar shërbimi i transmetimit.

Ylli tashmë ka këngën më të klikuar të të gjitha kohërave, “Blinding Lights”, e cila është dëgjuar 3.4 miliardë herë.

Vlerësimi i tij i fundit vjen disa ditë pasi ai publikoi një remix të ri të “Die For You” me Ariana Grande.

Kënga e 2016-ës ka shijuar një jetë të re pasi u bë virale në TikTok.

The Weeknd, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, është bërë një nga yjet më të mëdhenj të top-listave të dekadës së fundit, me më shumë se 45 këngë platinum dhe albume.

I lindur në Toronto nga emigrantë etiopianë, ai ngarkoi këngët e tij të para në YouTube në vitin 2010, duke shfaqur një pjesë të errët dhe eksplicite të R&B që përfshinte përdorimin e drogës, seksin e rastësishëm dhe tjetërsimin./ KultPlus.com

‘Çdo gjë kalon në jetë, atëherë dhe dielli kur të lin'(VIDEO)

Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.

Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.

A thu asht ma lehtë pa dhimbje
A thu ma bukur pa lot
A thu ti ke me u kthye
Dhe prapë me qenë na të dy
A thu me është fati i tillë
A thu gjithmonë me vuajtje
A thue ti dot më kthehesh
Dhe prapë me qen na të dy

Çdo gjë kalon në jetë
Atëherë dhe dielli kur të lind
Mbas diellit prapë shi do t’ ketë
Kështu asht me të vërtetë

Ndoshta të tillë e kam fatin
Ndoshta gjithmonë me vuajtje
Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh
Edhe kjo ngjan në këtë jetë. /KultPlus.com

Gjermania prezanton politikën e jashtme feministe

Ministret e Jashtme dhe të Zhvillimit të Gjermanisë prezantuan më 1 mars udhëzime të reja për politikën e jashtme feministe që supozohet të sigurojnë që të gjithë njerëzit “të kenë të drejta të barabarta në përfaqësim dhe qasje në burime”.

Politika e Qeverisë përqendrohet në marrjen në konsideratë dhe në mbështetjen e nevojave të grave dhe vajzave në vendimet e çështjeve të jashtme, me synimin që të zhduket diskriminimi dhe të promovohen shoqëri më stabile, thanë ministret gjermane.

“Ne nuk po bëjmë thirrje për revolucion, por ne po bëjmë diçka që është e dukshme”, tha për gazetarët në Berlin ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

“Politika e jashtme feministe është në të gjitha fushat e veprimit të politikës sonë të jashtme, nga ndihma humanitare deri te masat e stabilizimit, misionet e paqes dhe po ashtu në kulturën e jashtme dhe politikën e edukimit”, shtoi Baerbock.

“Ne duam t’i bëjmë shoqëritë më të drejta. Kjo nuk mund të bëhet pa gjysmën e potencialisht, kryesisht gratë, ato duhet të merren parasysh”, tha ministrja gjermane për Zhvillim, Svenja Schulze.

Udhëzimet për politikën e zhvillimit feministe përcaktojnë që në të ardhmen mbi 90 për qind e fondeve për projekte duhet të dërgohen në projektet botërore që avancojnë barazinë gjinore. Më 2021, kjo shifër ishte rreth 64 për qind, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, Dpa.

Baerbock theksoi se udhëzimet e reja të Qeverisë për politikën e jashtme po ashtu përfshijnë arritjen e barazisë gjinore brenda shtetit, veçmas në zyrën e jashtme gjermane, ku aktualisht vetëm 26 për qind e ambasadorëve janë gra.

“Ne e shohim se mund të mësojmë shumë nga shtetet e tjera”, tha kryediplomatja gjermane, duke shtuar se rreth 30 shtete “nga Kili në Spanjë, e në Mongoli” janë zotuar se do të zbatojnë politikë të jashtme feministe.

Schulze tha se shoqëritë që janë më të barabarta përballen me më pak varfëri dhe uri dhe në përgjithësi janë më stabile.

Organizata joqeveritare gjermane, Welthungerhilfe, që mbështet projekte në mbarë Afrikën, Amerikën Latine dhe Azi, mirëpriti nisëm e Ministrisë së Zhvillimit, por ishte kritike pasi tha se nuk ishte e qartë se si udhëzimet feministe do të zbatohen konkretisht dhe si do të financohen. /REL/KultPlus.com

11 vjet pas vdekjes së Whitney Houston, publikohet kënga e regjistruar në 1981

Rreth 11 vjet pas vdekjes së saj, është publikuar kënga e re e ikonës së muzikës, Whitney Houston me titull “He Can Use Me”.

Kjo është një këngë nga Whitney Houston e cila u regjistrua në vitin 1981 nga ajo kur ishte 17 vjeç dhe përfshihet në albumin e saj të dytë të ungjillit “I Go to the Rock: The Gospel Music of Whitney Houston” i cili do të publikohet më 24 mars. Duhet theksuar se në albumin e ri të shumëpritur janë edhe pesë këngë të tjera të saj të papublikuara.

Sipas faqes së internetit të Houston, së bashku me albumin, një dokumentar i ri televiziv do të publikohet në të njëjtën ditë dhe do të shfaqet në disa rrjete televizive. Dokumentari, i cili do të publikohet edhe në DVD, përfshin gjithashtu performanca të paharrueshme live nga NAACP Image Aëards dhe American Music Awards.

“The Voice”, siç quhej ajo, u gjet e vdekur nga arresti kardiak për shkak të një mbidoze kokaine në vaskën e suitës së saj në Beverly Hills Hilton më 11 shkurt 2012./abcnews.al/ KultPlus.com

Luçio Dalla, legjenda e muzikës italiane që për tri dekada dhuroi këngë të panumërta në horizonte të larmishme

Luçio Dalla, një lloj versioni pop i Pier Paolo Pasolinit. I njëjti funksion profetik dhe civil. E njëjta dashuri, për atë që dikur quhej popull (dashuri, domethënë aftësia për ta kuptuar e kënduar). E njëjta aftësi, për t’u hedhur në përleshje. Këngët e Dalës, si një basoreliev i përhershëm që inkuadron dhe parashikon, rigjeneron dhe lidh të gjitha kryqëzimet vendimtare të gjysmës së dytë të shekullit XX, duke e përhapur mbështetjen edhe në zonat në hije, ndjenjën e përbashkët, ndryshimin e trupave, miteve, mentaliteteve.

Periudhat e ndryshme të Dalës, fëmijëria në “Zecchino d’oro” (imazhe të paçmuara), më pas me Roberto Roversin në tekstet (këtu bëhet lidhja me Pasolinin), domethënë i vetëm, por gjithmonë në marrëdhënie të ngushtë me publikun, si një kantier në qiell të hapur, që pasqyron rrugën antropologjike dhe shoqërore të vendit tonë në një përzierje të vazhdueshme të stileve, përfshirë ato muzikore.

Ndërsa luftrat dhe mjerimet, trenat dhe terrorizmi, krenaria e punëtorëve dhe fisnikëria fshatare, garat me makina dhe intervistat me Agnellin, shfaqen pareshtur në ekran. Është kurorëzimi i metodës aq personale dhe produktive, që regjisori i “Martin Eden” dhe “Bukuroshja e humbur”, ka ndjekur që nga punimet e tij të para. Është prova, se në arkivat audiovizive ka thesare të fshehura të inteligjencës, informacione dhe poezi, për ata që janë në gjendje t’i gjejnë, t’i mbledhin dhe t’i bëjnë, pak a shumë, të këndojnë. Së fundmi, është shpagimi i një personazhi të lënë në hije nga vetë suksesi i tij, i varrosur me të gjitha nderimet, për t’u harruar aty për aty edhe pse i famshëm në të gjallë.

Të flasësh për Luçio Dalën, do të thotë të flasësh për një nga gjigantët e muzikës italiane.

Kantautori dhe muzikanti i njohur bolonjez, për gati tri dekada na ka dhënë këngë të panumërta të mbarsura me poezi, me ironi dhe njerëzi. Në kërkim të vazhdueshëm për stimuj dhe horizonte të reja, ai hyri gjithë kureshti dhe eklektizëm në zhanret më të larmishme muzikore, duke bashkëpunuar dhe duke na dhënë duete të mrekullueshme, me jo pak artistë me famë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Krijimtaria e bollshme artistike ka kaluar nëpër faza të shumta: nga beat generation në eksperimentime ritmike dhe muzikore, deri te kantautor, për të arritur deri në kufijtë e muzikës operistike dhe lirike. Dala ishte mbase, eksperimentuesi më i madh i muzikës italiane. Kantautor eklektik, muzikant i kompletuar, kurioz, gjithnjë përpara konkurrencës, gjithmonë duke kërkuar stimuj të rinj, ai lindi një muzikant xhaz dhe vdiq si një yll pop, duke u shtrirë në çdo fushë të artit muzikor dhe më gjerë.

Dala nga të paktit, Dala prekës, Dala vështrimbukur, një vështrim që humbiste çdo ditë diçka. Nëse mbyllte sytë, ai e dinte: ylli i perferisë…

Në komunikimin e tij, me një ambicie tejet personale, me një gjuhë që tashmë në vitet 1970, ai e përcaktonte si “mesdhetare”, Luçio Dala dukej gjithashtu, se trashëgonte një nga parimet e letërsisë mesjetare, sa pak egoist dhe sa i aftë të prekte gjithkënd me mprehtësi: “Në thelb, nuk jam rastësi”, do deklaronte, vetë kantautori: “Unë besoj thellësisht te njeriu, më interesojnë veçanërisht, problemet e njeriut. Probleme të cilat, mund të jenë të miat, si individ, ndaj besoj, se jam si të tjerët”./ Konica.al / KultPlus.com

‘Eterna Bellezza’ riinterpretimi i skulpturës neoklasike

“Eterna Bellezza”, ekspozita fotografike e cila qëndroi hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar gjatë muajit shkurt, tërhoqi një numër të lartë vizitorësh.

Ekspozita u promovua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë dhe e sjellë në Tiranë nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës.

Eterna Bellezza (bukuri e përjetshme) erdhi si një riinterpretim i skulpturës neoklasike.

Ekspozita bëri bashkë Mimmo Jodice dhe Antonio Canova, dy artistë italianë të periudhave të ndryshme: një nga skulptorët më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian dhe një nga interpretuesit më të mëdhenj të fotografisë bashkëkohore. Kjo lidhje u interpretua si ajo që bashkon idealen dhe realen, trupin dhe shpirtin, materien dhe imazhin.

Mimmo Jodice interpreton 17 skulptura të Canova-s me 51 shkrepje, nga të cilat katër ose pesë kushtuar çdo vepre arti. Ai zgjedh prespektiva dhe këndvështrime duke mbajtur një shkallë 1:1 midis detajeve skulpturore në fokus dhe madhësisë së printimit fotografik.

Nisur nga legjenda se Antonio Canova, kur ua prezantonte punët e përfunduara klientëve të tij, e bënte atë në errësirë ​​dhe vetëm me dritën e një qiri, në të njëjtën mënyrë Jodice përpiqet t’ia kthejë shikuesit këtë pamje nga afër, me një vendosje mjeshtërore të burimeve të dritës dhe një hulumtim të kujdesshëm stilistik./atsh/ KultPlus.com

Të jesh me ty

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send,
të shohësh thellë në ata sy,
ku dashuria hepohet si anije
e të mos duash të jesh përherë me ty?
Të ecësh me krahun mbi supet e tua
e të harrosh oshtimën e kaltër,
limonat mbi krye,
peshkarexhat si zjarre të natës?
Të jesh me ty,
tok me ty të qeshësh
e mos kuptosh se si perpiqet deti
të dalë jashtë guaskës së vetvetes?
Të jesh me ty?
Të jesh me ty!/ KultPlus.com

Ms Indefinite vjen me video-performancën ‘Zonja Drejtësi’ si një thirrje për parandalimin e dhunës institucionale

Ms.Indefinite së fundi është paraqitur me video performancën e saj të re ‘Zonja Drejtësi’, përcjell KultPlus.

‘Zonja Drejtësi’ vjen si një thirrje artistike që të ngritet zëri për trajtim me fokus të detajuar ndaj dhunës institucionale, dhunës që shprehet nga institucionet përmes pabarazisë gjinore, ligjeve diskriminuese, rregullave, dhe madje edhe ideologjive fetare.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Ms.Indefinite:

 Dhuna institucionale ndaj grave është më e zakonshme nga sa mund të mendohet, ajo ka ndikuar në kulturën tonë që nga themelimi i këtij vendi. Diskriminimi që ju bëhet grave, ndodhë në çdo fazë të procesit të kërkimeve e përpjekjeve të tyre për realizimin e të drejtave, si në polici, në prokurori, në gjykata, në vende pune, në pjesëmarrje politike dhe jo vetëm.

Gratë dhe vajzat e Kosovës përjetojnë dhunë institucionale nëpërmjet vendimeve e gjyqësorit të cilat po aplikohen në mënyrë të njëjtë dhe janë bërë praktikë nga gjykata e tërë territorit të Kosovës. Viktimat e dhunës jo vetëm që ngurrojnë ta paraqesin rastin e tyre mirëpo ato edhe rrezikohen nga abuzuesit e tyre të cilët jetojnë në liri edhe pse kanë kryer vepër penale. Kryesit e dhunës tolerohen duke mos u bërë asnjë pengesë ose veprim për të parandaluar sjelljet e tyre dhe dëmet që këto sjellje i shkaktojnë viktimës. Mungesa e ndëshkueshmërisë, sanksionimi i vogël i veprave dhe kompenzimi i vonshëm i viktimave janë disa nga arsyet pse gratë dhe vajzat, viktimat e dhunës, nuk ankohen ndaj zyrtarëve ose vet institucioneve, të cilët ia kanë mohuar këto të drejta.

Nëpërmjet video-përformancës “Zonja Drejtësi” artisktikisht ngritet zëri për trajtim me fokus të detajuar ndaj dhunës institucionale, dhunës që shprehet nga institucionet përmes pabarazisë gjinore, ligjeve diskriminuese, rregullave, dhe madje edhe ideologjive fetare. Përmes video-përformancës “Zonja Drejtësi” në mënyrë artistike potencohet që dhuna institucionale duhet të parandalohet përmes krijimit të mekanizmave dhe procedurave të koordinuara dhe të integruara mirë, dhuna institucionale e bënë shtetin bashkëfajtor në kryerjen e dhunës ndaj grave.

Video-përformanca “Zonja Drejtësi” është realizuar në bashkëpunim me organizaten joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT)./ KultPlus.com

Dialogu si fabrikë prodhimi politike e historie

Nga Ballsor Hoxha

Sipas të gjitha palëve të përfshira, direkt, në dialogun Kosovë – Serbi, e tëra është humbur, gjegjësisht, e tëra është fituar. Derisa, për po të njëjtin dialog, përfaqësuesit e BE-së thonë se ka filluar, ka rinisur për dikë tjetër, e do të vazhdojë dialogu për të tjerë.

E çuditshme, e njëjta gjë është shumëfishuar sikur në filmat e vizatuar, në një shpejtësi marramendëse dhe të gjitha këto, e tërë kjo pafundësi shumëfishimi (Lexo: prodhimi) të fjalëve, kanë vlerë ekzakte, apo thënë ndryshe, nuk kanë asnjë vlerë.

Në të vërtetë, sipas palës shqiptare në këtë pjesë të dialogut, qoftë ky fillimi, apo vazhdim, apo rinisje, dialogu duhet të jetë gjithëpërfshirës, derisa për Serbinë – Asociacioni – i komuniteteve serbe brenda Kosovës duhet të jetë pikënisja e këtij dialogu. Por kjo është aq e pafundme në konotacionet e shpikjeve të shprehjeve dhe pafundësisë së shumëfishimit të tyre sa që tanimë nuk është me rëndësi, dhe aq më shumë, qytetarët janë të fundosur në pafundësinë e fjalëve të prodhuara, strategjive, dhe aq më shumë fitoreve/humbjeve të të gjithëve, dhe të askujt.

Në të vërtetë, këto çudi janë vetë politika, e çuditshme në kotësinë e shumëfishimit të shprehjeve të saj, deri në zhvleftësim të tyre, me qëllim të zbutjes së prodhimtarisë fjalamane, për të kthyer njerëzit e përfshirë në këtë drejt dialogut! Por çudia më e madhe në këtë është identifikimi i secilës palë me shprehjen e vetë përbrenda dialogut, së pari si fuqizim i forcës së vetë politike (e që është prodhim i fjalorit të tërë ndërlidhur me shprehjen e vetë), dhe së dyti si luftë politike për pronësim të historisë.

Po që se kërkojmë etimologjikisht (burimin) e fjalës – association – ajo, sipas burimeve gjuhësore është fjalë latine që do të thotë shkurt: “përbashkim, për…”, gjë që si shprehje është huazuar pa një shqipërim të saj shumë vonë në gjuhën tonë. Por, që në të vërtetë krijon një paradoks të kuptimit të kësaj fjale, në krahasim me rëndësinë ligjore, kushtetuese dhe shtetërore e politike që ka marrë në dialogun në fjalë.  

Po të kthehemi në bazën e tërë asaj që ndërlidhet me fjalën – asociacion – në të vërtetë është se ka dy fjalë të vetme të cilat janë zhvleftësuar deri në pafundësi shprehjesh dhe shenjash ligjore: historia, dhe themelimi, kalimi, dhe pronësimi i saj; dhe së dyti dialogu, kthimi kah njerëzorja, fundi i luftës dhe kthimi kah ardhmëria.

Sa i përket historisë dhe, le të themi, themelit të saj në kohën bashkëkohore, jemi në gjendje deziluzionimi nga premtimi, që na kanë dhënë, apo që i kishim dhënë vetes. Pikërisht sepse ai varet edhe nga pala e anës tjetër. Apo, pikërisht se ai arrihet vetëm edhe me palën tjetër.

Ndërsa sa i përket dialogut si kthim kah e ardhmja, duke e lënë historinë bashkëkohore, në të qenit histori, e jo pronë gjyqi apo edhe të drejte, jemi shumë të dërmuar politike dhe prodhimtarie të pafundësisë së historisë dhe të ndërlidhjes së qeniesimit tonë me atë, për të qenë në gjendje të shohim debrinë (shkatërrimin) të cilin e kemi krijuar në këtë fabrikë politike.

Por, në fund të fundit, a nuk është e tëra kjo, në tërësinë e të gjitha shprehjeve të mundshme, ankth, ankth kalimi nëpër një histori të bërë gjigante, duke qenë apo mos qenë ashtu, dhe ankth përballjeje me realen e të mundshmes sonë. Qoftë si ekzistencë e qoftë si zgjim në ekzistencën tonë.

Derisa si ekzistencë e jona, që do të thotë vazhdimësi e asaj për çka dhe si e njohim veten, qytetarët “janë optimist se do të kuptojnë se çka po ndodhë…” (siç u shpreh rastësisht një nga gazetaret ditën e 27 shkurtit); në zgjimin tonë në ekzistencën tonë ne tanimë po kuptojmë, se si prapa në historinë bashkëkohore, dhe po ashtu edhe para në ardhmëri, ankthin që e kemi kaluar po e ripërtypim të izoluar nga vetë ardhmëria./ KultPlus.com

E kishte pagëzuar Juanita, arrestohet 26-vjeçari që mbante mumien antike në çantë

Policia peruane ka zbuluar dhe sekuestruar një mumie para-hispanike “600-800 vjeçare” në çantën termike të një shpërndarësi ushqimesh. 26-vjeçari Julio Cesar Bermejo i cili u vendos në paraburgim deklaroi se e ka mbajtur në shtëpi për më shumë se 30 vjet.

Ai tha se e mbante mumien e lashtë në dhomën e tij dhe e konsideronte atë “një lloj dashurie shpirtërore” dhe e kishte pagëzuar “Juanita”.

Sipas tij, mumia ishte në pronësi të babait të tij, por pa specifikuar se si kishte ardhur ajo te babai i tij. Ai e kishte futur mumien në çantë për t’ua treguar miqve të tij

Ekspertët thanë se trupi i përkiste viteve 600 dhe 800 dhe ishte i një mashkulli të rritur dhe jo i një gruaje, siç kishte supozuar djali që e mbante.

Mashkulli i mumifikuar vlerësohet të ketë qenë më shumë se 45 vjeç në kohën e vdekjes së tij dhe 1.51 m i gjatë.

Mumia ishte e mbështjellë me fasha në pozicionin e fetusit, i cili është tipik për shumë prej varrimeve parahispanike në zonë.

Mumifikimi praktikohej nga një sërë kulturash në atë që tani është Peruja përpara ardhjes së pushtuesve spanjollë. Disa mumie u varrosën ndërsa të tjerat u nxorën jashtë dhe parakaluan gjatë festivaleve kryesore.

Policia ia ka dorëzuar ministrisë së kulturës të Perusë, e cila kujdeset për trashëgiminë e vendit.

Burri që po transportonte dhe dy miqtë e tij, të cilët janë nga 23 deri në 26 vjeç, u arrestuan dhe po hetohen për krime të mundshme kundër trashëgimisë kulturore të Perusë. / KultPlus.com

Drejtori i FBI-së: Covid-19 ka dalë nga laboratori kinez në Wuhan

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, thotë se agjencia që ai drejton beson se Covid-19 “me shumë gjasa” ka dalë nga “një laborator i kontrolluar nga qeveria kineze”.

“Prej disa kohësh tashmë, FBI-ja ka vlerësuar se origjina e pandemisë është me shumë gjasa nga një incident i mundshëm në laborator”, tha ai për Fox News. Kjo është hera e parë që FBI-ja konfirmon publikisht mendimin e klasifikuar të agjencisë mbi prejardhjen e koronavirusit që shkaktoi miliona të vdekur në mbarë botën nga viti 2020.

Këto pretendime janë hedhur poshtë më parë nga Kina, e cila akuzat se virusi ka dalë nga laboratori i virologjisë në Wuhan i ka quajtur gjithmonë shpifje. Deklarata e shefit të FBI-së u bë një ditë pasi ambasadori amerikan në Kinë i bëri thirrje vendit të tregohet më i ndershëm rreth origjinës së Covid-19.

Në intervistën e tij të martën, Wary tha se Kina ishte përpjekur në maksimum për të penguar përpjekjet rreth identifikimit të burimit të pandemisë. “Dhe kjo është fatkeqësi për të gjithë”, tha ai.

Disa studime kanë dalë në përfundimin se virusi ka dalë nga tregu i peshkut në Wuhan të Kinës, i njëjti qytet ku ndodhet edhe laboratori i shumëdiskutuar i virologjisë. Tregu ndodhet vetëm 40 minuta me makinë larg laboratorit, në të cilin zhvillohen kërkime rreth koronaviruseve. / a2cnn / KultPlus.com

Mjeshtëri i penës, Xhevahir Spahiu sot feston 78-vjetorin e lindjes

Poeti Xhevahir Spahiu feston sot 78-vjetorin e lindjes. Ai u lind më 1 mars të vitit 1945, në Malind.

Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Që nga viti 1968 punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Presidenti Bajram Begaj e uroi sot poetin Xhevahir Spahiu si dhe i shprehu atij mirënjohjen për pasurimin që i ka bërë përgjatë dekadave gjuhës dhe letërsisë sonë.

“Poetët e përmasave të Spahiut janë një bekim për një komb, e të gjithë ne jemi me fat që një mjeshtër i penës si Spahiu, vazhdon të na frymëzojë dhe emocionojë me vargjet dhe poezitë e tij”, shkroi Presidenti i Republikës, në një postim në rrjetet sociale.

Gjithashtu dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka uruar poetin me rastin e 78-vjetorit.

“I urojmë jetë të gjatë plot frymëzime të reja”, shkruan QKLL, që me këtë rast ka publikuar edhe një nga poezitë e Xhevahir Spahiut.

3 vjet më parë, me rastin e 75-vjetorit të tij, Spahiu u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”./ KultPlus.com

Ëndrra e muzikës rock po realizohet, një album i përbashkët midis Rolling Stones dhe Beatles

Rolling Stones dhe Beatles janë padyshim dy nga grupet rock më të suksesshme të të gjitha kohërave, dhe janë të shumtë kritikët muzikorë që mendojnë se sukseset e dy grupeve britanike, jo vetëm kanë ndryshuar rrjedhën e muzikës moderne, por ndoshta edhe vetë shoqërinë perëndimore.

Nga vitet ’60, fansat e dy grupeve ikonike janë ndarë në mënyrë të qartë për sa i përket muzikës, dhe takimet zyrtare midis artistëve, kanë qenë të pakta.

Por jashtë logjikës tregtare, marrëdhënia mes tyre ka qenë tejet e mirë, madje vetë suksesi i parë i Rolling Stones filloi në vitin 1964 falë këngës “I wanna be your man”, i grupit nga Liverpuli.

Dekada më vonë, ende Paul McCartney tallet me këtë fakt, duke cilësuar grupin si “band koverash”.

Por në fakt, Beatles dhe Stones së bashku kanë shitur më shumë se 800 milionë disqe. Por “gjyshërit” e Rock-ut kanë ende uri.

E përjavshmja amerikane Variety lëshoi ditët e kaluara një lajm të bujshëm, teksa pohoi se Rolling Stones ka ftuar anëtarët e mbetur të Beatles t’iu bashkohen në një album të vetëm.  

Sipas medias, disa prej këngëve janë gati, të regjistruara me masa sigurie në një studio të Los Angeles, ku Mc Cartney ka bashkëpunuar me basin, duke përfshirë në projektin historik dhe Ringo Starr.  

Albumi i fundit i Paulit magjik ka qenë Mc Cartney III në vitin 2020, ndërkohë që Rolling Stones nuk kanë publikuar asgjë që nga viti 2005, ku realizuan albumin A Bigger Bang, i cili pati reagime të vakëta.  

Fansat presin tashmë rezultatin e albumit historik, dhe ndërkohë për shaka tentojnë të sugjerojnë emrin e grupit në ”Rolling Beatles”.  / KultPlus.com

10 artistë nga Shqipëria dhe Austria me ekspozitë të përbashkët në Tiranë

“Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”, e kuruar nga historiani dhe kritiku i artit Oltsen Gripshi është ekspozita e artit bashkëkohor Shqipëri- Austri që do të hapet më 3 mars, në ora 19:00 në Muzeun Historik në Tiranë, shkruan KultPlus.


Ekspozita bën bashkë 10 artistët më në zë të artit bashkëkohor midis Shqipërisë dhe Austrisë, ku gjuha pamor me të cilën ata paraqiten tek publiku shqiptar është sa e larmishme për nga teknikat e përdorura aq dhe gjithëpërfshirëse për nga tematikat e trajtuara.
Kjo ekspozitë kërkon të përçoj tek publiku mesazhe të shumëfishta, ku asnjëherë më parë marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës nuk është bërë një çështje qendrore (absolute), si në debatet shkencore, ashtu edhe në ato estetiko-artistike në krijmtarinë e artistëve. Gjithnjë e më shpesh, në përputhje me ndjenjën e përkatësisë së epokës aktuale, të së tashmes, bashkëkohores, artistët e mbështesin kërkimin e tyre artistik dhe filozofik-konceptual në zbulimin e marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës. Një ndërthurje nocionesh e botëkuptimesh, njeriut dhe natyrës, që ka magjepsur gjithmonë antropologët, biologët, natyralistët dhe studiuesit e artit të interesuar për të kuptuar këtë lidhje të çuditshme, por thelbësore, e cila shumë shpesh kthehet edhe në konflikt mes tyre!
Vetëkuptohet, aty ku hapet një reflektim mbi qenien njerëzore hyn në lojë gjithmonë arti, si një përmasë nëpërmjet së cilës qenia njerëzore shkëputet nga realiteti, duke lundruar brigjeve të imagjinatës. Kështu individi artist, apo artisti individ përpiqet të trajtojë çështjet kyçe të kohës së tij, me mjetet dhe gjuhën që zotëron. Megjithatë, do të ishte gabim të mendohej se arti vetëm tani ka filluar të merret me botën natyrore, me thelbin e qenësishëm të vetë ekzistencës së tij, duke e vendosur atë si një objekt artistik. Përkundrazi, mund të thuhet se që nga zanafilla e tij ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë mes artit dhe natyrës.

Ekspozita do të qëndroj e hapur në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar nga data 3 deri më 12 mars 2023./ KultPlus.com

Albumi i ri Ed Sheeran flet për tumorin e bashkëshortes gjatë shtatzënisë, ankthin dhe depresionin

Ed Sheeran ka publikuar trailer-in e albumit të ri “Subtract” dhe në foton e kopertinës, është vetë artisti nën ujë, duke nënkuptuar kështu “mendimet më të thella dhe më të errëta”. Ai foli për tumorin e bashkëshortes shtatzënë, vdekjen e mikut të ngushtë dhe gjyqin në të cilin u përfshi.

“Kam punuar me “Subtract” për një dekadë, duke u munduar të krijoj albumin akustik perfekt, duke shkruar dhe regjistruar qindra këngë me vizionin e qartë se si do të ishin. Pastaj, në fillim të 2022-shit, një seri ngjarjesh ndryshuan jetën, shëndetin tim mendor dhe si përfundim, mënyrën se si e shoh muzikën dhe artin”, u shpreh këngëtari.

“Të shkruaj këngë është terapia ime. Më ndihmon të qartësoj ndjenjat. I shkrova pa menduar këngët. E, për vetëm një javë, zëvendësova një dekadë punë me mendimet dhe ndjenjat më të thella. Brenda një muaji, gruaja ime shtatzënë mori vesh se kishte tumor dhe nuk mund të kurohej derisa të lindte”, tha ai, referuar bashkëshortes dhe nënës të fëmijëve të tij, Cherry Seaborn.

Më pas, u shpreh:
“Miku im i ngushtë, Jamal, i cili ishte si vëlla për mua, vdiq papritur dhe e gjeta veten në një gjyq, duke mbrojtur integritetin dhe karrierën time si tekstshkrues. U përfshiva nga një spirale frike, depresioni dhe ankthi”, shtoi artisti 32-vjeçar, duke përmendur kështu çështjen gjyqësore dhe akuzën për plagjiaturë për këngën “Shape of You”.

Sheeran theksoi se ky album simbolizon emocionet e tij dhe periudhën kur ndihej sikur po mbytej. Ai tregoi se ky krijim është një dritare e shpirtit të artistit dhe një pikëpamje e sinqertë dhe e vërtetë e jetës së tij.

Albumi do të publikohet më 05/05/2023 dhe mezi presim ta dëgjojmë. / KultPlus.com

Amire Demolli hapë sonte ekspozitën “Gjurmë” në KultPlus Caffe Gallery


Artistja Amire Demolli do të prezantohet për herë të dytë me ekspozitë personale, kësaj radhe me ekspozitën “Gjurmë” që do të hapet sonte, më 1 mars, në KultPlus Caffe Gallery prej orës 19:00.

Amire Demolli do të prezantohet me 12 punime artistike e që për kurator ka Refki Gollopeni.

Vetë kuratori për punën artistike të Amire Demollit ka thënë se me konceptin artistik “Gjurmë”, në pikturat e saj shpalos emocionet dhe temperamentin krijues përmes laramanisë në stile, në shprehje artistike, në qasjet e saj, si realiste, ashtu dhe abstrakte. “Ajo është në mes të një rrugëtimi eksperimental, drejt krijimit te identitetit te saj artistik”, ka vlerësuar mes të tjerash Gollopeni.

“Bota e re universale në qasjen abstrakte është përherë në lëvizje, në kërkim të lindjes së re në univers, duke e pasuruar kështu pikturën imagjinative, që deri tani ishte e pa njohur për ne, por Amire Demolli e konkretizoi imagjinatën dhe ndjesinë e saj në krijimtari duke lënë kështu gjurmë në art e që do të vazhdojnë të jetojnë”, ka shtuar tutje Gollopeni për ekspozitën e radhës së Demollit, e cila përpos që po shënon ekspozitën e saj të dytë personale, ajo deri tash ka marr pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

Ekspozita “Gjurmë” do të qëndrojë e hapur deri më 7 mars.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, e cila në të njëjtën kohë në po këtë universitet ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Në periudhën prej 5-12 mars do të jetë pjesëmarrëse në World Women’s Arts Forum në Egjipt, ku do ta përfaqësojë Kosovën në mesin e 17 shteteve të ndryshme të botës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës priti në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

Presidentja shprehu mbështetjen ndaj përdoruesve të karrocës dhe tha se institucionet e Kosovës kanë gatishmëri t`i mbështesin ata jo vetëm në ditë të shënuara, por gjatë tërë vitit.

Në shenjë solidarizimi në Ditën Ndërkombëtare të Përdorimit të Karrocave, Presidentja Osmani është ulur në karrocë duke përcjell mesazhin për gjithëpërfshirje të përdoruesve, përmirësim të qasjes si një e drejtë themelore njerëzore si dhe eliminim të pengesave.

“Krijimi i mundësive për lëvizje të lirë për ju është obligim i yni. Gjithnjë është e mundshme të bëjmë më shumë për këta persona. Kemi mbështetur vazhdimisht aktivitetet e organizatës “Handikos”, por edhe të fëmijëve e grave me nevoja të veçanta. Jemi në çdo ditë të vitit me ju dhe për mundësi të barabarta për të gjithë ”, ka theksuar Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Çabej: Serbët, grekët e turqit duhet t’ua dinë për nder ilirëve

Shqiptarët për vite me radhë, duke qenë pjesë e kombeve të pushtuara nga shtete më të mëdha e më të fuqishme, kanë luftuar përkrah tyre luftra që ndoshta ideologjikisht nuk i besonin.

Ama duhet kuptuar se nuk ka qenë vetëm kjo arsyeja përse shqiptarët kanë luftuar përkrah ushtrive të huaja. Arsyeja kryesore është krejt tjetër!

Profesori i shquar Eqrem Çabej, në veprën studimore “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” i kushton rëndësi edhe këtij fenomeni në kapitullin “Fuqi centrifugale në historinë dhe karakterin e popullit shqiptar”.

Sipas tij, kufizimi [gjeografik] që i bëhet truallit shqiptar, e sidomos veriut e lindjes, me vargje malesh te larta, ka pasur si rrjedhojë në historinë shqiptare një farë shkëputjeje e mënjanësie përkundrejt fqinjëve. Por më të forta se këto elemente nguruese e izoluese kanë qenë në historinë dhe në karakter të shqiptarëve fuqitë që kanë vepruar nga brenda jashtë. Thatësia dhe varfëria proverbiale e shumë viseve të Shqipërisë, nuk ka mundur të ushqejë banorët.

Të shtyrë nga kjo varfëri në kufijtë e skajshmërisë dhe nga dituria se pas atyre maleve të lartë dhe përtej detit kishte fusha pjellore, i ka shtyrë banorët të mendonin të largoheshin nga trojet e tyre duke kaluar përtej atyre kufijve natyrorë.

Kështu, sipas Çabejt, shohim se si që në kohët më të lashta, fiset ilire shtriheshin në njërën anë andej detit në Itali, në anën tjetër në Hellas, në Dardani, Maqedoni e Traki gjer në Bosfor: duke kontribuar atje në mbrujtjen e nacionit italik, këtu në formimin e nacionit helenik e trak, më vonë të nacioneve serbe, greke të re e turke.

Ndërkohë, për momentet e mëvonshme kur vjen edhe pushtimi osman, shihet se ai nuk mundi të ndalte shtegtimet, por vetëm i dha të tjera drejtime.

Për këtë çështje, Çabej thotë: Osmanët e sollën në kulm dhe e përfunduan hovin shtegtues të shqiptarëve dhe kontribuan kështu në shpalimin e shpërndarjes së tyre, por jo krejt.

Pra, si qartazi lexohet më lart, profesor Çabej thotë se paraardhësit e shqiptarëve, ilirët kanë kontribut në krijimin e sa e sa nacionaliteteve, jo vetëm në vendet fqinje, por edhe në vendet e tjera të Evropës. /KultPlus.com

Vjen edicioni i 8-të i Tirana Art Festival, Veliaj: Së shpejti nisin audicionet

Bashkia e Tiranës organizon Tirana Art Festival. Një kompeticion që bën bashkë talentet nga të gjithë gjimnazet e kryeqytetit në fushat e kërcimit, stilimit, artit pamor dhe muzikës.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka njoftuar se audicionet për të gjithë pjesëmarrësit do të nisin së shpejti.

“Tirana Art Festival. Kërcim, instrument, stilim, art pamor, këngë! Së shpejti nisin audicionet! Bëhuni gati!”, shkruan Erion Veliaj në rrjetet sociale.

Audicionet do të zhvillohen në fund të marsit në palestrat ose terrenet sportive të shkollave.

Në kërcim mentor do të jetë Ilir Shaqiri dhe Sueda Guri, në këngë Elhaida Dani dhe Kamela Islamaj, në instrument Gjergj Kaçinari, në stilim Klodi Mengri dhe në art pamor Driant Zeneli.

Tirana Art Festival prej edicionit të parë ka arritur të zbulojë talente në muzikë, kërcim dhe instrument që tashmë janë pjesë e jetës kulturore shqiptare. / atsh / KultPlus.com