Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër publikoi shifrat e vizitorëve të muajit maj, në Kalanë e Rozafës. Shifrat tregojnë rritje të numrit të vizitorëve, vendas e të huaj, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Vizitat turistike në Kalanë Rozafa kanë vijuar me ecuri pozitive ashtu siç kanë rezultuar edhe muajt e tjerë të vitit 2023.
“21442 vizitorë mikpritëm gjatë muajit maj ose 5116 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022”, shkruan DRTK Shkodër sot, në faqet sociale.
Pak ditë më parë vetë ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi se gjashtëmujori i parë i këtij viti, ka regjistruar 41457 vizitorë. Ky shtim në numër i turistëve që vizitojnë kalatë e vendit, i dedikohet dhe faktit që në kalatë historike të Shqipërisë janë kryer restaurime, duke i kthyer ato në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj./atsh/KultPlus.com
100 thënie për paratë, dashurinë, perendinë, kohën e gjëra të tjera të vlefshme dhe jo të vlefshme për mirëqenien e një njeriu, shkruan KultPlus.
1. “Paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme në botë. Dashuria është. Për fat të mirë, unë dua paratë”. Jackie Mason
2. “Tek Perëndia besojmë. Të gjithë të tjerët duhet të paguajnë para në dorë”. Thënie amerikane
3. “Paratë janë më mirë se varfëria, por vetëm për arsye financiare”. Woody Allen
4. “Koha është më e vlefshme se paratë. Paratë mund të shumohen, por për kohën themi të kundërtën”. John Updike
5. “Nëse i detyrohesh bankës 100 dollarë, ky është problemi yt. Nëse i detyrohesh bankës 100 milionë dollarë, atëherë është problemi i bankës”. JP Getty
6. “Nuk ka rëndësi a je i bardhë apo me ngjyrë … ngjyra e vetme që ka rëndësi është e gjelbra”. Family Guy
7. “E vetmja mënyrë për të mos menduar për paratë … është të kesh shumë prej tyre”. Edith Wharton
8. “Nëse doni të dini se çfarë mendon Zoti për paratë, mjafton të shihni njerëzit të cilëve ai ua jep”. Thënie e vjetër irlandeze
9. “Jini të pasur për veten tuaj … dhe të varfër për miqtë” Juvenal
10. “Nëse doni ta dini vlerën e parave, provoni të merrni hua disa”. Benjamin Franklin
11. “Me 10 mijë dollarë do të ishim milionerë! Kështu do të blinim gjithë gjërat e nevojshme si … dashuria! Homer Simpson
12. “Mënyra më e lehtë që fëmijët të mësojnë për paratë do të ishte kur ju të mos kishit”. Katharine Whitehorn
13. “Financa është arti i kalimit të parave nga dora në dorë derisa më në fund të zhduket”. Robert W. Sarnoff
14. “Gjithçka që kërkoj është një mundësi për të treguar se paratë nuk më bëjnë të lumtur”. Spike Milligan
15. “E ç’vlerë ka lumturia? Ajo nuk t’i blen dot paratë”. Henry Youngman
16. “Shumë njerëz shpenzojnë paratë që s’i kanë fituar, për të blerë gjëra që s’i duan, për t’i lënë mbresa njerëzve që s’i pëlqejnë”. Will Smith
17. “Sikur vetëm Perëndia të më jepte një shenjë të qartë … si për shembull të më hapte një llogari të madhe në një bankë zvicerane”. Woody Allen
18. “Ai që martohet për dashuri pa para kalon netë të mira dhe ditë të këqija”. Thënie amerikane
19. “Mes punës dhe familjes, vërtet që s’po kaloj shumë kohë me paratë e mia”. Thënie amerikane
20. “Ndryshimi mes një divorci dhe një ndarjeje ligjore është se ndarja ligjore i jep burrit kohë për të fshehur paratë e tij” Johnny Carson
21. “Një bankë është një vend që do të të japë para nëse i vërteton se s’ke nevojë për to”. Bob Hope
22. “Kushdo që thotë se paratë nuk e blejnë lumturinë, thjesht nuk dinë se ku të bëjnë pazar”. Bo Derek
23. “Kur isha i ri mendoja se paratë ishin gjëja më e rëndësishme në jetë; tani që jam i rritur e di se janë vërtet”. Oscar Wilde
24. “Monedha është e pavlefshme në ditët e sotme”. Yogi Berra
25. “Çdo ditë ngrihet dhe shikoj listën e “Forbes” për njerëzit më të pasur në Amerikë. Nëse nuk jam atje, shkoj në punë”. Robert Orben
26. “Gjithmonë merr para hua nga një pesimist … ai nuk pret që ti t’ia kthesh”. Thënie amerikane
27. “Nëse mendon se askujt nuk i intereson nëse je gjallë, provo të mos paguash dy muaj fatura”. Earl Wilson
28. “Mos më thoni se ku i keni prioritetet. Më tregoni për çfarë i shpenzoni paratë dhe unë do t’ju tregoj se çfarë janë”. James W. Frick
29. “Arsimi formal do t’ju nxjerrë bukën e gojës; mësimet nga jeta do t’ju bëjnë të pasur”. Jim Rohn
30. “Paratë janë realitetin, një tipar permanent i jetës së përditshme. Ato i japin jetës një ritëm të veçantë, një “tërheqje” të caktuar, një perceptim të pazakontë të botës dhe vendit tonë në të”.
31. “Paratë i krijojnë problemet atëherë kur nuk i kemi; na i shtojnë ato edhe kur i kemi. Por është vetëm një iluzion se ne jemi në kontroll të parave tona. E vërteta është se ne e dimë dhe e kuptojmë sa kontroll ushtrojnë mbi ne”. 32. “Paratë na bëjnë zotërinj dhe skllevër. Pushteti ynë mbi paratë është i vërtetë, por vetëm kur kuptojmë pushtetin e tyre mbi ne”. Thënie franceze
33. “Shumë prej nesh i konsiderojnë amerikanët si ndjekës të parave. Kjo është një shpifje mizore, edhe pse është përsëritur nga vetë amerikanët”. Albert Einstein
34. “Ai, opinioni i të cilit është se paratë mund të bëjnë gjithçka, mund të bëjë gjithçka për para”. Benjamin Franklin
35. “Nëse do të ishit të pasur, mendoni edhe të kurseni”. Benjamin Franklin
36. “Kush është i pasur? Ai që është i kënaqur. Kush është ai? Askushi. Benjamin Franklin
37. “Pasuria mund të na aftësojë të bëjmë favore; por hirin pasuria s’na e jep”. Charles Caleb Colton
38. “Të ardhurat vjetore njëzet paund; shpenzimet vjetore nëntëmbëdhjetë; rezultati, lumturi. Të ardhurat vjetore njëzet paund; shpenzimet vjetore njëzet e gjashtë paund; rezultati, mjerim”. Charles Dickens
39. “Nëse të gjithë njerëzit e pasur në botë do ta ndanin pasurinë mes tyre, nuk do të kishte mjaftueshëm për të tjerët”. Christina Stead
40. “Paratë e tepërta janë delli i luftës” Cicero
41. “Paratë nuk kanë qenë kurrë motivim i rëndësishëm për mua, përveçse për të shënuar pikë. Nxitja e vërtetë është loja”. Donald Trump
42. “Paratë janë delli i dashurisë, si dhe i luftës”. Doktor Thomas Fuller
43. “Po jetoj kaq larg të ardhurave të mia, sa mund të thuhet se po jetojmë të ndarë”. Anonim
44. “Kurseni nga pak çdo muaj dhe në fund të vitit do të habiteni se sa pak që keni”. Ernest Haskins
45. “Të pasurit janë shkuma e tokës në çdo shtet”. G.K. Chesterton
46. “Mungesa e parave janë rrënja e gjithë të këqijave”. George Bernard Show
47. “Njerëzit duhet të jenë të varfër për ta kuptuar luksin e të dhënit”. George Eliot
48. “Paratë ju çlirojnë nga të bërit e çdo gjëje që s’pëlqeni. Meqë s’më pëlqen asgjë, paratë më hyjnë në punë”. Groucho Marx
49. “Vlera kryesore e parave është në faktin se njerëzit jetojnë në një botë e cila mbivlerësohet”. H.L. Mencken
50. “Bëjeni paratë perëndinë tuaj, dhe do t’ju shkatërrojë si djalli”Henry Fielding
51. “Nëse mund t’i numëroni paratë, nuk keni një miliardë dollarë”. J. Paul Getty
52. “Kam aq para sa të më mbeten deri në fund të jetës, deri në momentin që do të blej diçka”. Jackie Mason
53. “Një rrogë e mirë është receta më e mirë për lumturinë që kam dëgjuar ndonjëherë”. Jane Austen
54. “Një njeri i zgjuar duhet ta ketë paranë në kokë, por jo në zemër”. Jonathan Swift
55. “Mos u gënjeni duke besuar se një njeri i pasur është domosdo i zgjuar. Ka mjaft prova që vërtetojnë të kundërtën”. Julius Rosenwald
56. “Kurrë s’e kam përfunduar gjimnazin, megjithatë jam i pasur dhe i suksesshëm”. Këngëtar anglez
57. “Nëse doni të ndiheni të pasur, mjafton të numëroni gjërat që keni dhe që paratë s’i blejnë”.
58. “Paratë janë si shqisa e gjashtë, s’mund t’i përdorësh pesë të parat pa to”. William Somerset Maugham
59. “Mund të bëheni të përkryer në diçka që doni. Mos i bëni paratë synimi juaj. Por, përkoni gjërat që doni të bëni, dhe atëherë bëjini ato aq mirë, sa të tjerët s’do t’jua ndajnë sytë”. Maya Angelou
60. “Paratë ende s’e kanë bërë një njeri të lumtur. Sa më shumë të ketë, aq më shumë do të dojë. Në vend që të mbushë një vakum, krijon një tjetër”. Benjamin Franklin
61. “Ju kujtoni se paratë janë rrënja e të këqijave. E keni pyetur veten se cila është rrënja e gjithë parave”? Ayn Rand
62. “Intelekti ndërtohet paralelisht me ekonominë e parave”. G. Simmel
63. “Paratë, nëse nuk të sjellin lumturi, të paktën të ndihmojë të jesh i mjerueshëm në luks”. Helen Gurley Brown
64. “Arti nuk është në bërjen e parave, por në ruajtjen e tyre”. Fjalë e urtë
65. “Paratë janë vetëm një mjet. Do të të çojnë ku të duash, por nuk do të të zëvendësojnë ty si shofer”. Ayn Rand
66. “Paratë shpesh kushtojnë shumë”. Ralph Waldo Emerson
67. “Nuk do të jetoni një ditë të lumtur, edhe sikur të keni fituar shumë para, nëse nuk bëni diçka për dikë që s’mund t’jua rikthejë”. Ruth Smeltzer 68. “Dilni në botë dhe punoni sikur paratë mos kenë rëndësi, këndoni sikur askush s’ju dëgjon, dashuroni sikur kurrë mos jeni lënduar dhe kërceni sikur askush s’po ju sheh”
69. “Është mirë të keni para dhe gjërat që i keni blerë me para, por është mirë që ndonjëherë të bëni një kontroll se mos keni humbur ndonjë nga gjërat që s’i keni blerë me para”. George Lorimer
70. “Me para mund të blini një qen të mirë, por vetëm dashuria do ta bëjë të tundë bishtin”. Richard Friedman
71. “Paratë kurrë s’e krijojnë një ide. Është ideja që krijon paratë”. Owen Laughlin
72. “Sa ndryshim bën sa shumë ke? Ajo që s’keni është edhe më e madhe”. Seneca
73. “Paratë janë barometri i virtytit të shoqërisë”. Ayn Rand
74. “Shumë njerëz nuk kujdesen për paratë e tyre, derisa ato përfundojnë, ndërsa të tjerë bëjnë të njëjtën gjë me kohën e tyre”.
Johann Wolfgang von Goethe 75. “Paratë dhe gratë janë më të kërkuarat”. Will Rogers
76. “Paratë do të vinë kur bëni gjënë e duhur”. Mike Phillips
77. “Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen më shumë se paratë”. Thomas Jefferson
78. “Nuk jap rroga të mira, pasi kam shumë para; kam shumë para, pasi jap rroga të mira”. Robert Bosch
79. “Paratë zakonisht tërhiqen, nuk kërkohen”. Jim Rohn
80. “Paratë nuk kërkohen për të blerë një nevojë të shpirtit”. Henry David Thoreau
81. “Nëse paratë s’mund ta blejnë lumturinë, të paktën ju lejojnë të zgjidhni një formë mjerimi”.
82. “Një burrë ka njëqind dollarë dhe ju e lini me dy dollarë. Kjo është zbritja”. Mae West
83. “Paratë nuk rriten në pemë”. Fjalë e urtë
84. “Paratë janë si dashuria; vret me ngadalë atë që e mban dhe gjallëron atë që e jep”. Kahlil Gibran
85. “Nuk kemi borxh një miliardë miliardë dollarë, pasi nuk kemi taksuar mjaftueshëm; kemi borxh një miliardë miliardë dollarë, pasi kemi shpenzuar shumë”. Ronald Reagan
86. “Nuk më interesojnë shumë paratë, se paratë s’ma blejnë dashurinë”. Tekst nga “Beatles”.
87. “Mënyra më e mirë për ta dyfishuar paranë është ta palosësh dhe ta fusësh në xhep”. Frank Hubbard
88. “Ekziston një mënyrë e lehtë për t’u kthyer nga kazinoja me një shumë të vogël: të shkosh atje me një shumë të madhe”. Jack Yelton
89. “Të përzierat e makinës të vijnë kur kalon afati i pagimit të faturave”.
90. “Inflacioni ka shkatërruar gjithçka. Një monedhë përdoret vetëm si kaçavidë”. Jackson Brown
91. “I kundërshtoj milionerët, por do të ishte e rrezikshme sikur të ma jepnin mua atë post”. Mark Twain
92. “S’mund ta përballoj të humbas kohën duke bërë para”. Louis Agassiz
93. “Kur ka para në poezi, por nuk ka as poezi në para”. Robert Graves
94. “Kur has në para e heq qafe shpejt, para se të më futet në zemër”. John Wesley
95. “Një xhepmbushur shpesh rënkon më shumë se një stomakbosh”. Franklin Delano Roosevelt
96. “Pas një vizite në plazh, vështirë të mendosh se jetojmë në një botë materiale”. Pam Shaw
97. “Masa e vërtetë e pasurisë është sa shumë do të vlenit sikur t’i humbisnit paratë”.
98. “Kur pema e fundit të jetë fishkur dhe lumi i fundit të jetë helmuar dhe peshku i fundit të jetë zënë, atëherë do të kuptojmë se s’mund ta hamë paranë”. Fjalë e urtë indiane
99. “Do të më pëlqente të jetoja si një njeri i varfër me shumë para”. Pablo Picasso
100. “Filozofia e parave kontribuon në edukimin e njerëzimit dhe i ndihmon njerëzit të kujtojnë se “matësi i të gjitha gjërave” duhet të jetë gjithmonë njeriu”./KultPlus.com
“Transformers: Rise of the Beasts” është filmi numër 1 në Amerikën e Veriut, duke fituar 60.5 milionë dollarë në shitje biletash për fundjavë.
Në vendin e dytë është renditur “Spider-Man: Across the Spider-Verse”me 55.4 milionë dollarë, ndjekur nga “The Little Mermaid” me 22.8 milionë dollarë, “Guardians of the Galaxy Vol. 3” u rendit në pozitën e katërt me 7 milionë dollarë dhe “The Boogeyman” në të pestën me 6.9 milionë dollarë.
“Fast X” u radhit në pozitën e gjashtë me 5.2 milionë dollarë, “Super Mario Bros” në të shtatën me 2.1 milionë dollarë, “About my father” në pozitën e tetë me 845.000 dollarë, “The Machine” në vendin e nëntë me 575.000 dollarë dhe “Past Lives” në të dhjetin me 521,000 dollarë./KultPlus.com
Inteligjenca artificiale (IA) është përdorur për të nxjerrë zërin e John Lennon nga një demo e vjetër për të krijuar regjistrimin e këngës së fundit të “Beatles”, disa dekada pas shpërbërjes së grupit, tha sot Paul McCartney, sipas BBC.
McCartney, 80 vjeç, tha se teknologjia është përdorur për të ndarë zërat e “Beatles” nga tingujt e sfondit gjatë krijimit të serisë dokumentare të regjisorit Peter Jackson të vitit 2021, “The Beatles: Get Back”.
“Kënga e re do të publikohet më vonë këtë vit”, tha ai.
“Jackson ishte në gjendje të nxirrte zërin e John nga një kasetë dhe një piano”, tha McCartney.
“Ai mund t’i ndante zërat me inteligjencën artificiale”, shtoi ai.
“Pra, kur erdhëm për të bërë atë që do të jetë regjistrimi i këngës së fundit të “Beatles”, ishte një demo e John për të cilën ne kishim punuar”, shtoi ai.
“Ne arritëm të merrnim zërin e John dhe ta regjistronim atë pastër përmes IA-së”, tha McCartney.
McCartney nuk e identifikoi emrin e demo-s, por ka të ngjarë të ishte një këngë dashurie e papërfunduar e vitit 1978 nga Lennon e titulluar “Now and then”.
McCartney e përshkroi teknologjinë e inteligjencës artificiale si një platformë të frikshme, por edhe emocionuese.
E njëjta teknologji i mundësoi McCartney të bënte një duet virtualisht me Lennon, i cili u vra në vitin 1980, në këngën “I’ve Got a Feeling” vitin e kaluar, në Festivalin Glastonbury.
Këngëtari dhe kantautori do të hapë një ekspozitë këtë muaj, në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër, ku do të shfaqen fotografi të papara më parë, të fillimeve të “Beatles” përpara se banda të kthehej në “Beatlemania”, kur grupi fitoi famë botërore./KultPlus.com
LONDON – MAY 19: English singer, songwriter and guitarist John Lennon (1940-1980), English singer, songwriter and bassist Paul McCartney, English musician, singer and drummer Ringo Starr and English musician, singer, songwriter and guitarist George Harrison (1943-2001) of the Beatles attend a press party at the home of manager Brian Epstein supporting the release of Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band, May 19, 1967, in London, United Kingdom. (Photo by Jeff Hochberg/Getty Images)
Universiteti i Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, kthehen edhe një herë në qendër të vëmendjes për sa i përket mendimit kritik dhe studimeve teorike. Sot UART dhe FAS do të kthehen në platformë me Departamentin e Studimit të Artit dhe Qendrën e Dokumentacionit Artistik, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (Akademia e Studimeve Albanologjike) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës duke organizuar një seri debatesh publike në lidhjet me arkivat teatrore në Shqipëri me temë “Rebelimi ndaj arkivit, si shuarje e kujtesës kolektive”.
Institucioni i parë që hap dyert për këtë bashkëpunim është UART/FAS, Tiranë, i cili fton në sallën Blackbox, për të folur e për të diskutuar se çfarë ndodh me identitetin publik të një artisti kur rreth tij nuk ka asgjë në arkiva. Sa zgjat kujtesa? A është arkivi zgjidhja?
Universiteti i Arteve mirëpret në këtë debat artistë, pedagogë, studentë e familjarë të artistëve, të cilët do të diskutojnë rreth kësaj çështjeje në Blackbox.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë fton në hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës ‘Në Pah’ nga Dashnor Ajeti, i përzgjedhur nga thirrja për projekte artistike – DwP Creations, nesër me fillim nga ora 17:00.
Sy të largët që përshkojnë si prej një bote tjetër, një vështrim ky, që akoma nuk ka regjistruar sic bën drita kur impresionon cipën e ndjeshme të filmit fotografik duke dokumentuar historinë, plumbat, pushkatimet, trupat njëri mbi tjetrin djegiet masive dhe flakët e ferrit njerëzor. Ato i përkasin portretit që njëri nga të mbijetuarit e mban në duart e djegura duke na vënë përballë vështrimit të dyfishuar; atij të stampës fotografike që është i pavetëdijshëm për të ardhmen dhe, vështrimit të vetëdijshëm të personifikuar nga vetë i mbijetuari në të tashmen e çastit fotografik. Këto dy vështrime, të vetme kanë fuqinë ta rrëfejnë luftën, pa fjalë të tjera, kjo është edhe fuqia e dyfishtë e mediumit të fotografisë që midis ujërave të turbullta të spekulimeve e zbulon edhe të vërtetën.
E vërteta e secilit portret të fotografuar nuk shfaqet lehtë kudo, ajo qëndron diku nën lëkurë bashkë me ciflat e xhamit që kanë mbetur si shenja të pashlyeshme të së kaluarës. Ajo huton në vështrimin që s’ka më dritë vetë por është bërë një pasqyrë ku reflektohet dielli. Në protezën e personalizuar me një portret të të mbijetuarit kur ishte fëmijë. Në ambientet shtëpiake ku mangësitë dhe vështirësitë ndoshta janë më të përballueshme, për shkak të ngrohtësisë familjare.
Ekspozita “Në pah” nga Dashnor Ajeti është një mënyrë për ti dhënë hapësirë dhe dritë këtyre vështrimeve nga të cilat përbëhet seria e fotografive dedikuar invalidëve civilë të luftës së Kosovës, të cilët prej shumë vitesh janë bërë pothuajse të padukshëm në sytë e ligjit dhe vështrimit të një shoqërie të tërë.
Për këtë arsye të gjithë subjektet e fotografuar vështrojnë në kamerë, që ajo t’ia kthejë imazhin mbrapsht publikut dhe opinionit të gjerë. Të jenë të dukshëm dhe me të drejta si një kategori e ndjeshme dhe e dëmtuar nga lufta. Vështrimi drejtuar kamerës përcjell dinjitetin e rezistencës së tyre.
Kjo seri e fotografive e prezantuar nga Dashnor Ajeti është pjesë e ekspozitave të organizuara nga Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe ka si qëllim ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike.
Mbështetur nga: Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme. / KultPlus.com
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mbështeti të hënën propozimin e paraqitur nga disa drejtues të kompanive të inteligjencës artificiale për krijimin e një agjencie ndërkombëtare për mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale, sipas modelit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).
Teknologjia e inteligjencës artificiale që ka aftësinë të krijojë prozë në dukje autentike, ka tërhequr vëmendjen e publikut që kur programi ChatGPT u bë i disponueshëm gjashtë muaj më parë dhe është shndërruar në aplikacionin me rritjen më të shpejtë të të gjitha kohërave. Inteligjenca artificiale është vendosur në epiqendër të shqetësimeve për shkak të aftësive të saj për të krijuar fotografi false dhe keqinformime të tjera.
“Vetë programuesit që kanë e krijuar inteligjencës artificiale po u bien më fort se kushdo këmbanave të alarmit për formën më të fundit që krijon përmbajtje”, u tha zoti Guterres gazetarëve. “Duhet t’i marrim këto paralajmërime seriozisht”.
Zoti Guterres ka njoftuar se deri në fund të këtij viti do të fillojë puna për ngritjen e një entiteti këshillimor të nivelit të lartë që do të shqyrtojë rregullisht propozimet për qeverisjen e inteligjencës artificiale dhe do të ofrojë rekomandime se si mund t’i përshtatet prioriteteve të të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe të mirës së përgjithshme.
Por, të hënën ai shtoi: “Do të isha në favor të idesë se mund të kishim një agjenci të inteligjencës artificiale… të frymëzuar nga ajo çfarë është sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA)”.
Zoti Guterres tha se një model i tillë mund të “ishte shumë interesant”, por vuri në dukje se atë “mund ta krijojnë vetëm vendet anëtare, dhe jo Sekretariati i Kombeve të Bashkuara”. Me seli në Vjenë, IAEA-ja u krijua në vitin 1957 dhe mbështet përdorimin e sigurtë dhe paqësor të teknologjive bërthamore, ndërkohë që vëzhgon për shkelje të mundshme të Traktatit për Mospërhapjen. Në të marrin pjesë 176 vende anëtare.
Kompania OpenAI, që krijoi programin ChatGPT, tha muajin e kaluar se një entitet si IAEA-ja mund të përcaktonte kufizime për shpërndarjen e një produkti të ri, mund të verifikonte përputhshmërinë me standartet e sigurisë dhe mund të vëzhgonte përdorimin e fuqisë kompjuterike.
Kryeministri britanik Rishi Sunak gjithashtu e ka mbështetur këtë ide dhe ka thënë se dëshiron që Britania të jetë vendi ku do të ketë selinë një agjenci e tillë për sigurinë e inteligjencës artificiale. Këtë vit, Britania pritet të organizojë një takim të nivelit të lartë për koordinimin e veprimit ndërkombëtar ndaj rreziqeve të inteligjencës artificiale.
Zoti Guterres tha se mbështet idenë për një takim të nivelit të lartë në Britani, por tha se duhet të paraprihet nga një “punë serioze”. Ai tha se synon të krijojë në ditët në vazhdim një bord këshillimor, të përbërë nga ekspertë për inteligjencën artificiale dhe shkencëtarët kryesorë nga agjencitë e tjera të OKB-së./VOA / KultPlus.com
Sonte nga ora 19:00 do të jepet koncerti i përbashkët i Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova e Shqipëria.
Për nder të takimit mes dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, sonte në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë mbahet koncert me këngë dhe valle shqipe.
Në këtë koncert do të performojnë: Irma Libohova, Lambert Jorganxhi, Riza Bytyçi, Selami Kolonja, Kori Okarina, Samir Krasniqi dhe grupi i valleve i AKKV Shota.
Shkencëtarët kanë vëzhguar dy milionë galaktika dhe yje për herë të parë si pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një hartë të detajuar 3D të universit.
Studimi, i cili përdori robotikën për të bërë mijëra foto të qiellit të natës, do të avancojë më tej kuptimin tonë për universin dhe galaktikën tonë, Rrugën e Qumështit.
Studiuesit e Universitetit Durham dhe një ekip ndërkombëtar akademikësh kanë vëzhguar objekte ekstragalaktike dhe se si drita e tyre shpërbëhet në ngjyra ose gjatësi vale të ndryshme, duke zbuluar se sa shpejt po zgjerohet universi si dhe fizika e vetive të galaktikave dhe kuazareve.
I përbërë nga 80 terabajt, grupi i të dhënave vjen nga më shumë se 3 500 ekspozime të qiellit të natës të marra gjatë një periudhe gjashtëmujore.
Versioni i fundit është hapi i parë i projektit për të lejuar shkencëtarët të hartojnë më shumë se 40 milionë galaktika, kuazare dhe yje./ atsh / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 13 qershor të vitit 1920 u vra në Paris, Esad Pashë Toptani.
Ish-kryeministri i mërguar Toptani, në vitet 1918-1920 po përpiqej të ndërhynte pranë Konferencës së Paqes për t’u njohur si përfaqësues i Shqipërisë, përkundër vullnetit të forcave politike në Shqipëri.
Siç deklaroi atentatori Avni Rustemi, në gjyqin kundër tij në Paris, vrasjen e kreu për motive kombëtare, pasi e konsideronte Toptanin tradhëtar të Shqipërisë.
Avni Rustemi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Francës dhe u kthye në Shqipëri pas 6 muajsh në paraburgim. Ai vetë vdiq në një atentat në vitin 1924 në Tiranë, pranë vendit ku sot ndodhet sheshi që mban emrin e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) sjell një shkrim të Jacques Bart, i gushtit 1921, ku Esad Pasha përshkruhet si “një i vdekur i harruar”, që nuk gëzonte ende një banesë të fundit./ atsh / KultPlus.com
S’di çfarë të shkruaj sot, një kronikë paqe ose lufte. Tolstoi i bëri punët lëmsh me romanin e gjatë, në të cilin mungojnë formula magjike për të saktësuar kufirin mes luftës dhe paqes.
As sot s’kam ndonjë shpjegim të qartë për lirinë. Isha 20 vjeçar kur kalova atë prag trishtimi. Ishte ditë e ftohtë qershori. Livadhet kishin mbetë pa kositë dhe qershitë e varura në degë.
Dikur lirinë e kuptoja si Borgesi estetikën: të qartë, të bukur, të drejtpërdrejtë, sikurse dashurinë, sikur shijen e një fruti, ujin, malet.
O Zot, çfarë makthi, liria s’është kaq e bukur. Shkrimtarët ia kanë huqë me metaforat për të.
Sa herë kam dashtë të shkruaj diçka të bukur për të, shkronjat janë pezmatuar nga një virus i keq që prej tokës sime kurrë s’u largua.
Përpara kësaj moshe gjithmonë e kam dashtë muajin e ëmbël, kur piqeshin qershitë në kodrën mbi shtëpinë time dhe unë s’çaja kokën për fushëbetejat mes të mundshmes e të pamundshmes. S’e dija ç’ndodh në luftë e as në paqe. Por ngjitesha në kodrën e Stubllavaçës dhe kundroja pafundësitë, vajzat fustanbukura. Atëherë bota më dukej e pafund. Por më vonë e kuptova se ajo ishte e vogël, sa një libër në të cilin ti kalon dhe lë një pjesë të rrëfimit tënd.
Në orën e historisë mësova për Betejën e Kosovës. Mësuesi i sertë thoshte: më 1389 në Kosovë u hap një gropë. Atëherë s’e kuptoja gjuhën e metaforave, ndonëse përpiqesha të shkruaja poezi. S’dija asgjë për trishtimin dhe mendjen e kisha te qershitë. Por kur u bëra pak më i madh mësova diçka për zemrën e historisë, për atë gropën e zezë ku u fundosën shumë dashuri, ku babai im derdhi kovat me djersë dhe pikëllim, ku mijëra refugjatë lanë rrobat e dashurisë dhe veshën ato të mërzisë.
Vitet shkuan njëri pas tjetrit sipas ritmit të paracaktuar nga dikush. Erdhën dhe shkuan shumë qershorë të nxehtë qershi ëmbla e aromë blini.
Vajzat e hareshme me terploten e bukurisë, mblidheshin, provonin fustane përpara pasqyrave, por stina e tyre ishte vonuar.
Kur e kalova pragun e robërisë ishte nata e shenjtit tim. Unë s’di nëse fjeta apo jetova në fushëbetejën ku u ndesh Davidi e Goliati, por mbaj mend se vuaja urie dhe dëgjoja radiostacione që flisnin për vdekje dhe shkatërrim. Me 12 qershor 1999 dikush tha: lufta vërtet mbaroi, por gjyshja ime e sertë më tha: tani lufta e vërtetë filloi. / KultPlus.com
Bota e modës po evoluon vazhdimisht dhe është gjithmonë emocionuese të shohësh dizajnerë të rinj që hyjnë në industri me perspektiva të reja dhe ide novatore. Së fundmi, pata kënaqësinë të shikoj koleksionin debutues të dy motrave të talentuara Natyra&Diellza të cilat kanë sjell freski në botën e modës me fustanet e tyre elegante, vëmendjen ndaj detajeve dhe mjeshtërinë e tyre deri në perfeksion, shkruan KultPlus.
Që në momentin që hodha sytë te krijimet e tyre, u rrëmbeva nga bukuria e modeleve. Çdo pjesë ishte punuar me kujdes dhe saktësi, duke përdorur materialet më të mira për të siguruar një përshtatje të përsosur dhe një ndjenjë luksoze. Vëmendja ndaj detajeve ishte karakteristikë e tyre, në çdo fustan ato vëreheshin në mënyrë unike duke arritur përfundime të shkëlqyera që i dallonin nga çdo gjë tjetër në treg.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje në koleksionin e tyre ishte mënyra se si ato ndërthurën pa problem stilet klasike dhe bashkëkohore për të krijuar diçka vërtet unike. Ata kanë një sy të mprehtë për modën dhe kjo është e dukshme në mënyrën se si kombinojnë pëlhura, tekstura dhe ngjyra të ndryshme për të krijuar pamje që janë sa të sofistikuara aq edhe të përparuara në modë.
Ky pasion i madh për dizajnin dhe të bukurën, motrat i bëri bashkë edhe në biznes. Ato vendosën që bashkërisht, duke realizuar ëndrrën e tyre, njëkohësisht të realizojnë edhe ëndrrën e çdo vajze/gruaje që të duket bukur e të ndihet rehat me kreacionet e tyre, andaj edhe sollën koleksionin debutues.
“Gjithçka nisi me pasionin për artin dhe krijimin e diçkaje të re. Mes bisedave të shumta mes nesh, vumë re që ndanim të njëjtin pasion për modën dhe dëshirën për të bukurën, në veçanti shfaqjen e gruas në mënyrën më elegante. Andaj menduam të mbledhim forcat dhe si motra të bënim realitet ëndrrën tonë e me pas të bëjmë realitet ëndrrën e çdo gruaje që do të duket bukur”, shprehen disenjatoret që përkundër faktit që vetëm sa kanë hyrë në treg, suksesi nuk po ju mungon.
Figura e gruas ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi dhe inspirimi për dizajnerët në fushën e modës, dhe kjo nuk është e habitshme sepse gratë janë shpesh të shquara për elegancën dhe stilin e tyre, duke sjellë një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën e modës. Edhe për Natyrën e Diellzën, muza e tyre është gruaja.
“Frymëzimi dhe kreativiteti jonë si dizajnere bazohet në vet figurën e gruas, forcën, elegancën dhe pasionin që ato përçojnë”, shprehen dizajneret që në këtë koleksion debutues të titulluar “DIVINE”, ashtu sikur vet emri, kanë për qëllim të shfaqin një grua hyjnore që ka guxim dhe vetëbesim në paraqitjen e saj.
Këtij koleksioni, nuk i ka munguar vëmendja e menjëhershme dhe kjo padyshim që është shndërruar në motivim për motrat.
“Për fatin tonë të mirë, ky koleksion ka kaluar çdo pritshmëri tonën si koleksion startues në biznesin tonë, jemi shumë mirënjohëse për të gjitha komentet dhe përkrahjen që kemi marr.”
Por për të arritur suksesin, padyshim që është një proces dhe sfidë e ngjeshur por lidhshmëria që disenjatoret kanë me këtë profesion kalon edhe në nivel personal.
“Ne të dyja kemi një lidhje të ngushtë me këtë profesion, jemi detajiste dhe të përkushtuara në maksimum që çdo produkt që e nxjerrim të jetë i punuar me dashurinë më të madhe, kjo bën që këtë profesion ta dashurojmë çdo ditë e më shumë”, shprehen vajzat.
Vëmendja e tyre ndaj detajeve, mjeshtëria e patëmetë dhe ndjenja unike e stilit i bëjnë ata një forcë për t’u llogaritur në botën e modës. Nuk kam asnjë dyshim se do të shohim shumë më tepër prej tyre në vitet në vijim dhe mezi pres të shoh se çfarë kanë rezervuar për më tutje.
Krejt për fund, ato premtojnë: “Koleksione më shumë, punë të palodhshme dhe detaje unike.” / KultPlus.com
Pas një periudhe të gjatë sfidash organizative, në Teatrin shqiptar të Kumanovës sot kanë filluar provat për shfaqjen e parë të këtij viti, me një tekst të jashtëzakonshëm të autorit shqiptar Jeton Neziraj dhe në regjinë e mjeshtrit Erson Zymberaj, përcjell KultPlus.
Ekipi i shfaqjes i përbërë nga aktorë të talentuar dhe profesionistë teknikë, me angazhim të madh po punon me pasion dhe përkushtim për të sjellë para jush një spektakël të jashtëzakonshëm.
“Ne jemi të bindur se çdo element i shfaqjes, nga interpretimi i magjepsëshëm i aktorëve deri në skenografinë e përsosur dhe kostumet e kujdesshme, do të krijohet me kujdes dhe precizion. Shfaqja jonë do të jetë një eksperiencë e pashmangshme për të gjithë ju që do të jeni të pranishëm në sallën tonë të teatrit”, shprehet Mirsad Abazi. / KultPlus.com
Të hënën mbrëma në restorantin e mirënjohur të Prishtinës, “Simphony”, është mbajtur aktiviteti letrar “Mbrëmja poetike me miqtë e Simfonisë”. Në orën letrare “poetët e Simfonisë”, shoqëruar me verë dhe tinguj të kitarës, poetët krijimet e tyre, shumica e të cilëve lidheshin me përvjetorin e 24-të çlirimit të lexuan Kosovës.
Në këtë mbrëmje nga të pranishmit u deklamuan edhe vargjet të poetëve të ndjerë, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Basri Çapriqi, pastaj edhe të poetit shqiptar frankofon, Skënder Sherifi etj.
Në orën letrare “Poetët e Simfonisë” poezitë e tyre i lexuan: Sali Bashota, Ibrahim Berisha, Lulzim Tafa, Binak Kelmendi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarizi, Bujar Tafa, Xhevahire Izmaku, Arben Veselaj, Isuf Hoxha, Jeton Kelmendi, kurse pas orës letrare me nga një fjalë u paraqiten edhe Ardianë Pajaziti, Avni Spahiu dhe Fadil Bytyqi.
Poeti dhe profesori i letërsisë, Sali Bashota, bashkë me pronarin e “Simphony”-s, Naim Bajraktarin, që janë dhe organizatorët kryesorë të këtij aktiviteti, thanë se “Mbrëmja poetike me miqtë e Simfonisë” në të ardhmen do të shndërrohet në aktivitet të përvitshëm letrar, kur përveç orës letrare, do të ketë edhe aktivitete të tjera letrare.
Ndryshe, restoranti i mirënjohur të kryeqytetit të Kosovës, “Simphony”, është njëri prej vendeve më të frekuentuara nga poetët dhe artisët kosovarë dhe të huaj. / KultPlus.com
Jam i nderuar të jem me ju sot, në fillimin tuaj në një nga universitetet më mirë në botë. Unë kurrë nuk u diplomova nga kolegji. Me thënë të vërtetën, kjo është e para herë që jam në një diplomim kolegji. Sot unë dua të them tri histori nga jeta ime. Kjo është e tëra. Jo ndonjë gjë e madhe. Vetëm tri tregime.
Historia e parë është për lidhjen e pikave
Unë u largova nga Reed College, pas 6 mujorit të parë, por pastaj qëndrova si një frekuentues i herëpashershëm 18 muaj apo më shumë përpara se të largohesha përfundimisht. Pra, pse unë e braktisa kolegjin? Kjo filloi para se të lindja. Nëna ime biologjike ishte një studente e re e diplomuar kolegji, dhe ajo vendosi të më jepte mua për adoptim. Ajo ndjeu shumë fuqishëm që unë duhej të adoptohesha nga prindër të diplomuar në kolegj, kështu që çdo gjë ishte gati për mua që të adoptohem në lindje nga një jurist dhe gruaja e tij. Përveç se kur unë dola në këtë botë, ata vendosën në minutën e fundit se në të vërtetë kishin dashur të kisha qenë vajzë. Kështu prindërit e mi adoptues, të cilët ishin në listën e pritjes, morën një telefonatë në mes të natës duke i pyetur: “Ne kemi një foshnjë që nuk kishim pritur të ishte djalë; A e doni atë?” Ata thanë: “Sigurisht.” Nëna ime biologjike gjeti më vonë se nëna ime adoptuese nuk ishte diplomuar nga kolegji dhe se babai im nuk e kishte mbaruar shkollën e mesme. Ajo refuzoi të nënshkruajë dokumentet përfundimtare të adoptimit. Ajo u zbut vetëm disa muaj më vonë, kur prindërit e mi adoptues premtuan se një ditë unë do të shkoj në kolegj.
Dhe 17 vjet më vonë unë shkova në kolegj. Por me naivitet zgjodha një kolegj që ishte pothuajse aq i shtrenjtë sa Stanfordi, dhe të gjitha kursimet e prindërve punëtorë do të shpenzoheshin për shkollimin tim në kolegj. Pas gjashtë muajsh, unë nuk munda të shoh se ia vlente kjo gjë. Nuk kisha asnjë ide se çfarë doja të bëja me jetën time dhe nuk kisha ide se si kolegji do të më ndihmonte ta kuptoja atë. Dhe po shpenzoja të gjitha paratë që prindërit e mi kishin kursyer gjithë jetën e tyre. Kështu që unë vendosa të braktis kolegjin dhe besova se gjithçka do të shkonte mirë. Ishte shumë e frikshme në atë kohë, por duke shikuar prapa, ai ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë. Minutën që u largova, unë nuk do të vazhdoja më të merrja mësimet që nuk më interesonin, dhe do të filloja të mendoja për ato gjëra që më dukeshin interesante.
Nuk ishte e gjitha romantike. Unë nuk kisha një dhomë fjetjeje, kështu që flija në dysheme në dhomat e miqve, mblidhja shishe boshe kokakole për 5 cent secilën që të blija ushqime, dhe do të ecja 7 kilometra nëpër qytet çdo natë të dielën për të marrë një vakt të mirë në javë në tempullin Hare Krishna. E dashuroja atë. Dhe shumëçka nga ajo ku unë zhytesha duke ndjekur kuriozitetin dhe intuitën time doli të jetë tepër e çmuar më vonë. Më lejoni t’ju jap një shembull:
Reed College në atë kohë jepte ndoshta mësimet më të mira në kaligrafi në gjithë vendin. Përgjatë gjithë qytezës së konviktorëve çdo poster, çdo etiketë në çdo sirtar, ishte bukurshkruar mrekullisht me dorë. Ngaqë e kisha braktisur shkollën dhe nuk kisha për të marrë mësime normale, vendosa të marrë mësime në kaligrafi. Kam mësuar për llojet e shkronjave serif dhe san serif, rreth sasive të ndryshime të hapësirave midis kombinimeve të ndryshme të shkronjave, rreth asaj që e bën tipografinë e mirëfilltë tipografi të rëndësishme. Ishte një mënyrë delikate e bukur, historike, artistike të cilën shkenca nuk mund ta kapte, dhe atë e kam gjetur interesante.
Asnjë nga këto nuk kishte as edhe një shpresë për ndonjë aplikim praktik në jetën time. Por, dhjetë vjet më vonë, kur ishim duke dizajnuar kompjuterin Macintosh, e gjitha u rikthye tek unë. Dhe ne i dizajnuam të gjitha në Mac. Ai ishte kompjuteri i parë me tipografi të bukur. Nëse unë nuk do ta kisha braktisur atë kursin në kolegj, Mac nuk do t’i kishte pasur kurrë ato lloje të shumëfishta shkronjash apo ato seri shkronjash të hapësinuara aq përpjesëtimisht. Dhe gjersa Windows thjesht kopjoi Mac, ka të ngjarë të mos ketë kompjuter personal pa ato. Nëse unë nuk do ta kisha braktisur kolegjin, kurrë nuk do të kisha hyrë në këtë kurs kaligrafie, dhe kompjuterët personalë nuk mund të kishin tipografinë e mrekullueshme që kanë. Sigurisht ishte e pamundur të lidhja pikat kur isha në kolegj. Por kjo ishte shumë, shumë e qartë kur shikoja prapa dhjetë vjet më vonë.
Përsëri, ju nuk mund të lidhni pikat që ju presin; ju mund të lidhni ato vetëm duke shikuar prapa. Kështu që duhet të besoni se pikat do të lidhen në një farë mënyre në të ardhmen tuaj. Ju duhet të besoni në diçka -, në guximin, fatin, jetën karmën, çfarëdo tuajën. Kjo qasje nuk më ka lënë kurrë të bie poshtë, dhe e ka shënuar gjithë ndryshimin në jetën time.
2. Historia ime e dytë ka të bëjë me dashurinë dhe humbjen
Unë kam qenë me fat – e gjeta atë që kam dashur të bëj herët në fillim të jetës. Woz dhe unë filluam Apple në garazhin e prindërve të mi kur isha 20 vjeç. Ne punuam shumë, dhe në 10 vite Apple u rrit nga vetëm ne të dy duke filluar nga një garazh tek një kompani me pasuri 2 miliardë $ e me mbi 4000 të punësuar. Ne sapo kishim hedhur në treg krijimin tonë më të mirë – Macintosh – një vit më parë, dhe unë sapo isha bërë 30 vjeç. Dhe pastaj më pushuan. Si mund të pushohesh nga një kompani që ti vetë e ke filluar? E pra, teksa Apple rritej ne punësuam dikë që unë mendova se ishte shumë i talentuar për të drejtuar kompaninë me mua, dhe në vitet e para gjërat shkuan mirë. Por pastaj vizionet tona për të ardhmen filluan të devijohen dhe përfundimisht patëm një rënie. Kur erdhi deri këtu, bordi ynë i drejtorëve mori anën e tij. Pra, në moshën 30 vjeç unë u pushova nga puna. Dhe shumë publikisht. Ajo e cila kishte qenë në fokus tërë jetën time si i rritur ishte zhdukur, dhe kjo ishte shkatërruese.
Unë me të vërtetë nuk dija se çfarë të bëja për disa muaj. Ndjeva se e kisha lënë gjeneratën e mëparshme të sipërmarrësve prapa – e ndjeva se stafeta do të binte prapë në duart e mia. U takova me David Packard e Bob Noyce dhe u përpoqa t’u kërkoja falje pse po iu qepesha aq keq. Unë isha një dështim shumë publik, dhe madje po mendoja për largimin tim nga Silicon Valley. Por diçka ngadalë filloi të agojë në mua – unë ende dashuroja atë çfarë kisha bërë. Zhvillimi i ngjarjeve në Apple nuk e kish ndryshuar atë gjë aspak. Unë kisha qenë i refuzuar, por unë isha ende në dashuri. Dhe kështu që vendosa të filloj përsëri.
Unë nuk e kuptova këtë atëherë, por doli se pushimi nga Apple ishte gjëja më e mirë që mund të më ketë ndodhur ndonjëherë. Shurdhimi nga të qenët i suksesshëm u zëvendësua me butësinë e të qenit një fillestar përsëri, më pak i sigurt për çdo gjë. Kjo më çliroi mua për të hyrë në një nga periudhat më krijuese të jetës sime.
Gjatë pesë viteve të pastajme, unë fillova një kompani të quajtur NeXT, një kompani tjetër me emrin Pixar, dhe rashë në dashuri me një femër të mahnitshme që do të bëhej gruaja ime. Pixar krijoi filmin e parë artistik të animuar në kompjuter në botë, Toy Story, dhe tani është studioja më e suksesshme e animacionit në botë. Në një kthesë të madhe të ngjarjeve, Apple bleu NeXT, unë u ktheva në Apple, dhe teknologjia që ne zhvilluam në NeXT është në zemër të rilindjes aktuale të Apple. Dhe Laurene e unë kemi një familje të mrekullueshme së bashku.
Unë jam goxha i sigurt se kjo nuk do të kishte ndodhur sikur të mos isha pushuar nga Apple. Ky ishte një ilaç provë i tmerrshëm, por unë mendoj se për pacientin ishte i nevojshëm. Ndonjëherë jeta ju godet në kokë me një tullë. Mos e humbni besimin. Unë jam i bindur se e vetmja gjë që më mbajti mua do ishte se unë e kam dashur atë që kam bërë. Ju duhet të gjeni atë që doni. Dhe kjo është po aq e vërtetë për punën tuaj sikurse është për dashnorët tuaj. Puna juaj ka për të mbushur një pjesë të madhe të jetës tuaj, dhe mënyra e vetme që të jeni me të vërtetë të kënaqur është të bëni atë që ju besoni se është punë e madhe. Dhe mënyra e vetme për të bërë punë të madhe është të duash atë që punë ju keni. Nëse ju nuk e keni gjetur ende, vazhdoni të jeni në kërkim. Mos u dorëzoni. Si me të gjitha çështjet e zemrës, ju do ta kuptoni, kur ju ta gjeni atë. Dhe, si çdo marrëdhënie e madhe, ajo thjesht shkon më mirë e më të mirë teksa vitet rrjedhin. Pra, vazhdoni të kërkoni derisa ju ta gjeni atë. Mos u dorëzoni.
3. Historia ime e tretë është për vdekjen
Kur isha 17 vjeç, kam lexuar një thënie pakashumë të tillë: “Nëse ti e jeton çdo ditë sikur të ishte dita jote e fundit, një ditë patjetër do të arrish synimin tënd.” Kjo më bëri shumë përshtypje, dhe që atëherë, për 33 vitet e fundit, unë kam shikuar në pasqyrë veten çdo mëngjes dhe e kam pyetur: “Nëse sot është dita e fundit e jetës sime, do të doja të bëj atë që unë jam gati të bëj sot? ” Dhe sa herë që përgjigja ka qenë “Jo” për shumë e shumë ditë në vijim, unë e dija se duhej të ndryshoja diçka.
Vetëdija se unë do të vdes shpejt është mjeti më i rëndësishëm që kam hasur ndonjëherë për të më ndihmuar që të bëj zgjedhje të mëdha në jetë. Sepse pothuajse çdo gjë – të gjitha pritjet e jashtme, e gjithë krenaria, e gjithë frika nga turpi apo dështimi – këto gjëra veniten përballë vdekjes, duke lënë vetëm atë që është me të vërtetë e rëndësishme. Vetëdija se ju do të vdisni është mënyra më e mirë që unë di për të shmangur kurthin e të menduarit se ke diçka për të humbur. Ti je tashmë i zhveshur. Nuk ka asnjë arsye për të mos ndjekur zemrën tënde.
Rreth një vit më parë unë u diagnostikova me kancer. Unë kisha një skanim në 7:30 në mëngjes, dhe ky në mënyrë të qartë tregoi një tumor në pankreasin tim. Unë nuk e dija madje se çfarë ishte pankreasi. Mjekët më thanë pothuajse me siguri se ishte një lloj kanceri i pashërueshëm, dhe se unë nuk duhej të prisja të jetoja më shumë se tre deri gjashtë muaj. Mjeku im më këshilloi të shkoj në shtëpi dhe të merrem me punët e mia, një mënyrë, që është kodi i mjekut për t’i përgatitur pacientët të vdesin. Kjo do të thotë të përpiqeni t’ju tregoni fëmijëve tuaj brenda disa muajve gjithçka që kishit menduar t’jua tregonit në 10 vitet e ardhshme. Kjo do të thotë t’i siguroni që gjithçka ka mbaruar, çka do të jetë më lehtësuese për familjen tuaj. Kjo do të thotë të jepni lamtumirët tuaja.
Jetova me këtë diagnozë gjatë gjithë ditës. Më vonë atë mbrëmje kisha një biopsi, ku ata mbërthyen një endoskop poshtë fytit tim, nëpër stomakun tim dhe në zorrët e mia, vunë një gjilpërë në pankreasin tim dhe morën disa qeliza nga tumori. Unë isha me narkozë, por gruaja ime, e cila ishte atje, më tha se kur t’i shikuan qelizat në një mikroskop mjekët filluan të qanin, sepse doli të jetë një formë shumë e rrallë e kancerit të pankreasit që është e shërueshme me kirurgji. Pata operacionin dhe unë jam mirë tani.
Kjo ishte përballja ime më e afërt me vdekjen, dhe unë shpresoj se kjo afërsi të shkojë për disa dekada më shumë. Duke pasë jetuar me këtë, unë tani mund ta them këtë për ju me pak më shumë siguri se kur vdekja ishte një koncept i dobishëm, por thjesht intelektual:
Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit të cilët duan të shkojnë në parajsë, nuk duan të vdesin për të arritur atje. Dhe ende vdekja është destinacioni të cilin ne të gjithë e kemi. Askush nuk i ka ikur kurrë asaj. Dhe kjo është si duhet të jetë, sepse vdekja ka shumë gjasa të jetë shpikja e vetme e mirë e jetës. Ajo është agjente e ndryshimit të jetës. Ajo pastron nga e vjetra që të hapë rrugën për të renë. Tani për tani e reja jeni ju, por një ditë jo shumë larg nga tani, ju do të bëheni gradualisht të vjetër dhe do të keni radhën për t’u pastruar. Na vjen keq të jetë kaq dramatike, por është mjaft e vërtetë.
Koha juaj është e kufizuar, prandaj mos e humbni atë duke jetuar jetën e dikujt tjetër, mos u bllokoni nga dogma – e cila thotë të jetoni me rezultatet e të menduarit të njerëzve të tjerë. Mos lejoni zhurmën e mendimeve të të tjerëve që të mbytë zërin tuaj të brendshëm. Dhe më e rëndësishme, të keni guximin për të ndjekur zemrën tuaj dhe intuitën tuaj. Ata disi tashmë e dinë atë që ju me të vërtetë dëshironi të bëheni. Çdo gjë tjetër është dytësore.
Kur isha i ri, ka pasur një botim të mahnitshëm të quajtur The Whole Earth Catalog (Katalogu i Tërë Dheut), i cili ishte një nga Biblat e brezit tim. Ai ishte krijuar nga një shoku im i quajtur Stewart Brand jo shumë larg nga këtu në Menlo Park, dhe ai e solli atë në jetë me ndjesinë e tij poetike. Kjo ishte në fund të viteve 1960, para se të vinin kompjuterat personalë dhe botueset desktop, kështu që i gjithi u bë me makina shkrimi, gërshërë, dhe kamera Polaroid. Ai ishte si Google me kapak të hollë, 35 vjet përpara se të vinte Google: ai ishte botim idealist, dhe i tejmbushur me mjete të rregullta dhe nocione të mëdha.
Stewart dhe ekipi i tij bënë disa botime të Katalogu i Tërë Dheut, dhe pastaj kur ai kishte kryer detyrën e tij, ata bënë një botim përfundimtar. Ishte mesi i viteve 1970, dhe unë isha në moshën tuaj. Në kopertinën e pasme të botimit të tyre të fundit ishte një fotografi e një rruge të vendit herët në mëngjes, ku ju mund të gjeni veten duke u vërdallosur kuturu në qoftë se keni qenë kaq aventureskë. Nën të ishin fjalët: “Ji i uritur. Ji budallë.” Ai ishte mesazhi lamtumirës i tyre i nënshkruar nga ata vetë. Ji i uritur. Ji budallë. Dhe unë kam dëshiruar gjithmonë atë për veten time. Dhe tani, teksa diplomoni për të filluar një jetë të re, do të dëshiroja atë për ju. / KultPlus.com
Ditën e nesërme me 14 qershor qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës do të mbajnë mbledhjen e rradhës në Gjakovë.
Ky do të jetë takimi i parë dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Edi Rama, pas propozimit të draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ky i fundit.
Sipas agjendës, takimet do të nisin në ora 11:00, kur edhe pritet të mbërrijë delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë në vend. Ndërkohë, hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë – Shqipëri do të bëhet në ora 11:30 në Bibliotekën e qytetit, në Gjakovë.
Në orën 12:40 do të bëhet fotoja e përbashkët e dy qeverive, ndërsa në 12:45 në Teatrin e qytetit “Hadi Shehu” do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve ndërqeveritare.
Marrëveshjet që pritet të firmosen
1-Memorandum mirëkuptimi për parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit
2-Deklaratë e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë
3-Marrëveshje për bashkëpunimin në lehtësimin e procedurave në pikat e inspektimit kufitar për produktet me origjinë jo shtazore
4-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën fitosanitare
5 Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor (ndarja e bursave)
6-MOU “Për realizimin e Olimpiadës së Përbashkët në lëndën e Gjuhës Shqipe, për Klasat e 9-a, në arsimin parauniversitar””
7-Marrëveshje për shkëmbimin e përvojave lidhur me pjesëmarrjen në vlerësimet ndërkombëtare të nxënësve dhe zhvillimin profesional të mësuesve
8-Marrëveshje për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
9-Protokoll shtesë i marrëveshjes së bashkëpunimit lidhur me ofrimin e shërbimeve shëndetësore
10-Memorandum bashkëpunimi në fushën e inspektimeve
11-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e teatrit
12-Memorandum Mirëkuptimi midis MSHMS dhe MINT
13-Marrëveshje Teknike në lidhje me “Bashkëpunimin në Fushën e Mjekësisë Ushtarake”
14-Memorandum Bashkëpunimi në lidhje me “Lehtësimin e Procedurave të tranzitit të kalimit të mallrave ushtarake për qëllime dhe nevoja të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”. / KultPlus.com
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon ashpër incidentin e fundit të sulmit seksual ndaj një të miture nga arsimtari i saj në një shkollë në Deçan.
“Jemi thellësisht të shqetësuara dhe të indinjuara nga një shkelje kaq e rëndë e besimit dhe e sigurisë së vajzave tona të reja. Ky akt i tmerrshëm i sulmit seksual shërben si një kujtesë e fortë se ne duhet t’i japim përparësi mbrojtjes së vajzave dhe të miturve brenda shoqërisë sonë, madje edhe brenda në shkolla. Është koha e fundit që shoqëria dhe institucionet të marrin qëndrim kundër këtyre krimeve dhe të sigurojnë që autorët të marrin dënimin e merituar, pa asnjë kompromis”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se është dëshpëruese të shohësh që këto sulme ndaj vajzave ndodhin pikërisht para syve tanë, ndërkohë që institucionet shpesh nuk arrijnë të japin drejtësinë dhe masat e duhura parandaluese. Ngjarja në institucionin arsimor ku nxënësit duhet të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur nxjerr në pah një situatë alarmante. Nuk mund të mos pyesim veten se sa raste të tjera nuk raportohen.
RrGK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë rast ta trajtojnë si çështje me prioritet të madh, ashtu siç duhet me çdo rast tjetër të ngacmimit dhe sulmit seksual. Shkollat, në veçanti, duhet urgjentisht të krijojnë mekanizma të fuqishëm për të trajtuar rastet e dhunës, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.
Kujtojmë se në raportin “Nga Ligjet në Vepra: në Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, RrGK ka këto rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit:
Të mbahen trajnime për edukatorët dhe psikologët për format e dhunës me bazë gjinore; si të identifikohen shenjat e dhunës me bazë gjinore; dhe si të ndihmon të referohen këtë raste.
Të përfshihet materiali mësimor mbi barazinë midis grave dhe burrave, respektin e ndërsjellë, rolet gjinore jo stereotipike, dhunën me bazë gjinore dhe mënyrën e raportimit të tij në kurrikulat arsimore të përshtatshme për grupmosha të ndryshme, siç parashikohet nga Konventa e Stambollit.
Të ndahet buxhet i mjaftueshëm për rritjen e numrit të psikologëve në shkolla.
Së fundi, është jetike të theksohet se ashtu si në rastet e tjera të dhunës me bazë gjinore, RrGK do të kërkojë drejtësi dhe do të monitorojë nga afër këtë rast dhe masat e marra. Ne kërkojmë largimin nga puna si mësimdhënës dhe të njejtit t’i shqiptohet dënimi sipas Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh dënim i deri në 7 vjet. / KultPlus.com
Artisti kontemporan me famë botërore, Anri Sala, njihet më shumë për suksesin ndërkombëtar, përcjell albinfo.ch.
Anri Sala ka studiuar artet e bukura në Tiranë, për të vazhduar më pas video dhe regji filmi në Paris. Ndër arritjet e tij më të dalluara është ekspozimi në muzeun prestigjioz të Londrës, Tate Museum, ku u paraqit me ekspozitën “Dammi i colori”, një instalacion që rrëfen për transformimin e Tiranës me ngjyra.
Ka vite që ai përfaqësoi Francën në Bienalen e Artit të Venecias dhe u nderua me ekspozita në Torino, Taipei, Mexico City, Paris dhe Bregenz. Në filmat dhe instalacionet e tij, Sala eksploron çështje socio-politike, shpesh në sfondin e përvojës personale. Një nga veprat e tij kryesore video po shfaqet aktualisht në ekspozitën “Out of the Box”, me të cilën “Schaulager” në Bazel po feston 20-vjetorin e saj në prag të Art Basel.
Intervista e plotë e Anri Sala për “Tagesanzeiger”. / KultPlus.com
«Ich interessiere mich für den Raum zwischen den Dingen, das Intervall zwischen den Noten»: Anri Sala in seinem Studio in Berlin, 2017. Foto: Wolfgang Stahr (Laif)
Treat Williams, aktori më i njohur për rolin e tij në ”Everwood”, vdiq në një aksident me motor në moshën 71-vjeçare.
Vdekja e tij u konfirmuanga agjenti i tij, Barry McPherson.
”Williams po ngiste motoçikletën e tij në një autostradë të Vermontit kur një makinë i preu rrugën atij teksa po kthehej në Dorset, Vermont”, theksoi shefi i zjarrfikësve.
Williams u dërgua në spital me një helikopter të dërguar nga Ticonderoga, Nju Jork, por nuk mundi të shpëtohej.
Nga viti 2002 deri në vitin 2006, Williams drejtoi serialin ”Everwood” në rolin e Andy Brown.
Ai fitoi famë në moshën 28-vjeçare në versionin filmik të ”Hair”, duke fituar një nominim për ”Golden Globe” për ”Yllin më të Mirë të Ri”, dhe vazhdoi me ”Prince of the City” dhe ”Smooth Talk”./atsh / KultPlus.com
Një rast i tmerrshëm i sulmit seksual është publikuar dje dhe dyshohet të ketë ndodhur në një shkollë në Deçan, ku mësimdhënësi Valentin Selmanaj është filmuar fshehurazi duke e puthur një nxënëse të klasës së shtatë.
Përveç arrestimit, Selmanaj edhe është suspenduar nga puna pasi ndaj tij kanë nisur hetimet, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.
Kjo ngjarje e tmerrshme që ka ndodhur brenda hapësirave të shkollës, i ka kushtuar me arrestim dhe ndalim mësimdhënësit të dyshuar.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit.
“Prokurori i shteti ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale, i cili ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit. Me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm Seksual”.
Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit do parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.”, tha Nikçi. / KultPlus.com
Arizona State University dhe UNI Universum International College janë dy institucione arsimore të cilat kanë vendosur të bashkëpunojnë për të ndërtuar një partneritet të fortë në fushën e arsimit dhe shkencës. Kjo partneritet shënon një hap të rëndësishëm drejt arsimit global dhe ofron mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të të dy institucioneve.
Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është ndërtimi i marrëdhënieve të thella dhe të qëndrueshme midis dy institucioneve. ASU dhe Uni synojnë të përdorin përvojën dhe ekspertizën e tyre për të ofruar programe inovative dhe të kualifikuar në nivelin e lartë të arsimit. Këto programe do të ndihmojnë studentët të përgatiten për sfidat e tregut global të punës dhe të kenë sukses në karrierën e tyre.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij partneriteti është përkushtimi për inovacionin dhe zhvillimin e teknologjisë. ASU është një pioneer në përdorimin e teknologjisë së avancuar në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. UNI Universum International College, në anën tjetër, është i njohur për programet e tij të avancuara në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë. Bashkimi i përvojave dhe ekspertizës së dy institucioneve do të sjellë zhvillim të ri në fushën e teknologjisë dhe aplikimit të saj në arsim dhe kërkim shkencor.
Për popujt e Evropës dhe jo vetëm të Evropës, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 shënon një ngjarje të rëndësishme, meqë nga rrjedhat dhe vendimet e tij do të ndikohen jo vetëm realitetet shoqërore të kohës, por edhe ato historike në përgjithësi, të cilat do të marrin kahun e krizave që do të vazhdojnë në forma të ndryshme për t´u kthyer deri tek ajo që mund të quhet planimetri e re gjeostrategjije dhe gjeopolitike. “Natyrisht se shkas për një zhvillim të tillë paraqitnin, në njërën anë, dobësimi i vazhdueshëm i Perandorisë Osmane, që nuk kishte si të përfundonte ndryshe veçse me rrënim dhe në tjetrën anë lindja e fuqive të reja, Gjermanisë dhe Italisë, që bënte të ruhej baraspesha e deriatëhershme ndërkombëtare.“
Ky ekuilibër u prish sidomos pas fitores së Rusisë mbi Turqinë në vitin 1877 dhe pas nënshkrimit të ngutshëm të Paqes së Shën Stefanit, në mars 1878, me ç´rast Rusia, nëpërmjet krijimit të shtetit të Bullgarisë po fitonte pjesën më të ndjeshme të Ballkanit dhe po dilte në Mesdhe.
Ishte më se e qartë se Bullgaria e madhe e Shën Stefanit nuk paraqiste tjetër përpos një dorë të djathtë të Rusisë, e cila kështu po realizonte ëndrrën e kamotshme për depërtim të thellë në Ballkan dhe për një hegjemonizëm në këtë pjesë nevralgjike të Evropës, pikërisht aty ku historikisht zhvillohej ndeshja midis Perëndimit dhe Lindjes dhe në njëfarë mënyre edhe mbaheshin çelësat e gjeostrategjisë botërore.
Paqja e Shën Stefanit me ato që solli, dridhi me të drejtë që të gjitha fuqitë Evropiane, të cilat nuk kishin si të mos përqendroheshin kundër realiteteve që solli ajo në planin politik dhe diplomatik. Kështu, Anglia, e cila kishte depërtuar thellë në Lindjen e Mesme dhe që edhe më tutje kërkonte shtigje të reja tutje Indisë, me një paqe të tillë, siç ishte ajo e Shën Stefanit, e detyruar nga Rusët, shihte se po i rrezikoheshin interesat vitale, veçmas ato që i kishte përcaktuar Paqja e Parisit e vitit 1856 dhe status quoja e saj. Ndërsa, Austro-Hungaria dhe Italia, sidomos kjo e para, me krijimin e shtetit të madh bullgar në Ballkan, kishte frikë të madhe se mos Rusia, pas një traktati të tillë, po ua mbyllte dyert të tjerëve në këtë pjesë të Evropës.
Pra, përpos shumicës së popujve të Ballkanit, që ishin të pakënaqur me Traktatin e Shën Stefanit, edhe fuqitë e mëdha, në krye me Anglinë, iu kundërvunë vendimeve të tilla. Bile, dukej se nëse Rusia do të vazhdonte të ngulte këmbë se paqja e Shën Stefanit ishte fjala e fundit e saj, atëherë nuk mbetej tjetër përveçse një luftë e pashmangshme midis Anglisë dhe Rusisë, në të cilën do të përfshiheshin edhe të tjerët. Për këtë arsye, u shtrua nevoja e ngutshme e një takimi ndërkombëtar, ku fuqitë e mëdha do të bisedonin shtruar për të gjitha çështjet, para se këtë ta bënin armët. Në këtë drejtim, Gjermania u tregua më e angazhuara dhe pothuajse mori përsipër që të gjitha ndërmjetësimet, qoftë të uljes së tensionimeve që u shfaqën, qoftë rreth përgatitjes së një kongresi të madh, ku përveç Rusisë dhe Perandorisë Osmane, Anglisë e Austro-Hungarisë, Italisë dhe Francës do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e popujve, të cilët luftonin për pavarësi kombëtare, por që aty nuk do të ishin për të vendosur, por për të parë si do të vendosnin fuqitë e mëdha. Bizmarku, që kishte bërë aq shumë për unitetin dhe prosperitetin e shtetit të ri gjerman, tashmë gjendej para një detyre tejet të rëndë, që në njërën anë sa më shumë që të ishte e mundur t´i pajtonte të gjitha kundërshtitë dhe konfliktet në shpërthim e sipër midis fuqive të mëdha dhe në tjetrën anë, të minonte sa më shumë vendimet e Shën Stefanit, ku Rusia do të mbahej sa më larg Evropës, por që një gjë e tillë të arrihej pa ndonjë shqetësim të madh a luftë midis superfuqive.
Por, si të arrihej diçka që „Mishi të piqej e helli të mos digjej“, kur gjendja pas marrëveshjeve të Shën Stefanit ishte aq e nderë dhe e ashpërsuar njëherësh sa që shpesh dukej se qëllimi i tillë madje ngjante i paarritshëm. Vetë Bizmarku, që mori rolin e ndërmjetësuesit të shkathët dhe për këtë u mbiquajt edhe makler i madh, thotë se „Gjermanët nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë në Ballkan a më larg, në një kohë kur edhe më tutje kishim probleme të brendshme, por gjithsesi ishim të shqetësuar se çfarë po ndodhte përreth nesh dhe mund të kishte ndikim te ne. Rusia ishte e thelluar shumë në Ballkan dhe kjo bëri që Austro-Hungaria disa herë të protestojë dhe filloi të nxiste Anglinë që të lidhnin një aleancë kundër Rusëve. Po ashtu edhe Italia, e cila po përgjonte se ç´ndodhte, po shqetësohej. Franca, megjithaqë parapelqente dobësimin e boshtit Vjenë-Berlin, edhe ajo tregonte interes për ato që ndodhnin dhe nuk pajtohej me gjendjen e re që të jetë me favore të njëanshme për Rusinë. Pra, ishte më se e qartë se fuqitë e mëdha do të rrokeshin keqas me njëra-tjetrën dhe kjo përleshje, dashur padashur do të përfshinte edhe Gjermaninë, e cila nuk ishte e interesuar të futej në ndonjë konflikt. “Prandaj, kush përpos nesh”, thoshte Bizmarku, “duhej ta merrte rolin e një pajtuesi? Ne ishim të vetmit që nuk kishim dorë në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Neve pra na binte barra e përgatitjes së takimit të tillë, ku për herë të parë do të bisedohej që të mos ndodhte një konflikt midis fuqive të mëdha.“
Si e tillë, sipas shumicës së studiuesve të kohës, Gjermania njëmend ishte shteti më i përshtatshëm për ndërmjetësime të tilla, ndërsa Bizmarku politikani më energjik, i cili do të duhej të ndërmjetësonte midis ëve të elektrizuara.
Natyrisht se për të marrë një rol të tillë nuk ishte shumë lehtë, sepse, siç thotë Emil Ludvig, njëri ndër studiuesit më të mirë të Bizmarkut dhe të Kongresit të Berlinit, „Rrethanat atëbotë ishin të tilla që kërkonin një personalitet të fortë, i cili do ta gjunjëzonte në mënyrë diplomatike Rusinë dhe do të bënte që baraspesha e forcave prapë t´u shkonte për shtati atyre që ishin kundër Rusisë, gjë që e gjithë kjo duhej të bëhej me një diplomaci finoke. Këtë mund ta bënte vetëm Bizmarku“.
Kështu, periudha prej marsit të vitit 1878 e deri në qershor të po këtij viti, kur do të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, nuk mund të ishte ndryshe përveçse përplot vlime diplomatike, ku përvijoheshin vijat e qarta të vendimeve që do të pasonin në Kongres. Bizmarku ishte figura kryesore e këtyre bisedimeve. Ky, me anën e kanaleve diplomatike bënte për-pjekje që t´i harmonizonte qëndrimet para se t’i fillonte punimet Kongresi. Nga të dhënat që mund të shihen, del se pas kërcënimeve të para të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Anglisë, që erdhën menjëherë pas nënshkrimit të Paqes së Shën Stefanit (në fund të marsit dhe në fillim të prillit) me ç´rast Rusia haptas hodhi poshtë propozimin e Anglisë për mbajtjen e një kongresi të ri pas Shën Stefanit, forcat e tjera përreth, si Austro-Hungaria dhe Franca filluan të ofronin rezoluta dhe propozime për kapërcimin e krizës që solli Paqja e Shën Stefanit. I njohur është, për shembull, propozimi i Austro-Hungarisë i 26 marsit të vitit 1878, që i ka bazat në Marrëveshjen e Rajhshtatit të vitit 1876 dhe Konventa ruse-austro-hungareze e 15 janarit të vitit 1877. Konventa ruse-austro-hungareze e vitit 1877, përveç të tjerash, parasheh që pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane në Ballkan të krijoheshin shtetet e pavarura: Bullgaria, Rumelia dhe Shqipëria. Sipas burimeve gjermane, çështja e Shqipërisë së pavarur, sipas kësaj marrëveshjeje, është jo gjithaq e sqaruar, sepse zihen në gojë dy terma: vetëqeverisje dhe autonomi, të cilat i përdornin Andrashi dhe Goroshkovi.
Pra, ofroheshin zgjidhje, të cilat, në të vërtetë, kundërshtonin vendimet e marra pak më parë në Shën Stefan, por pa iu mbyllur rruga realiteteve të reja të krijuara pas Luftës ruse-turke, e fituar nga Rusia, e cila, dashur a padashur, nuk mund ta kthente gjendjen ku ishte, pa iu dhënë njëfarë kundërshpërblimi Rusisë, por mendohej që ky shpërblim të ishte sa më i vogël dhe sa më i parëndësishëm në planin strategjik.
Në këtë kohë edhe vetë Rusia, e shtyrë nga gjendja e krijuar ndër-kombëtare, që do të mund të shpinte në një aleancë të re midis Anglisë, Austro-Hungarisë dhe Francës kundër saj, do të lëshojë pe në të mirë të pranimit të bisedimeve të drejtpërdrejta, duke treguar në këtë mënyrë se megjithatë, është e gatshme të heqë dorë nga Shën Stefani në dobi të faktorizimit të mëtejshëm të saj në sferën ndërkombëtare, si fuqi e pashmangshme e kohës. Shuvalovi, kryeministër rus, brenda një kohe të shkurtër vizitoi dy herë Berlinin, ku u takua me Bizmarkun. Më 9 maj të vitit 1878 dhe më 20 maj Bizmarkut iu ofrua besimi i shtetit rus rreth organizimit dhe mbajtjes së një kongresi ndërkombëtar, ku do të shqyrtoheshin çështjet që dolën pas Luftës ruse-turke. Kështu, më 22 maj Shuvalovi do të presë në Petersburg një delegacion anglez dhe kjo jepte të kuptohej qartazi se një kongres i tillë do të organizohej. Më 28 dhe 29 maj edhe Austro-Hungaria do të bëjë të ditur propozimin përfundimtar për zgjidhjen e çështjes lindore.
Punët, pra, po shkonin mbarë. Fuqitë e mëdha nëpërmjet kanaleve të shumta diplomatike dhe takimeve të njëpasnjëshme kishin përballuar atmosferën e kërcënimit me luftë dhe i afronin qëndrimet e tyre para se ato përfundimisht t´i hidhnin në tryezën e bisedimeve të Kongresit të Berlinit, që do të mbahej pas pak. Për vetë kongresin mbetej ratifikimi përfundimtar i marrëveshjeve dhe çështje të tjera që merreshin si anësore, e që nuk do të duhej të luanin ndonjë rol aq të madh, pa marrë parasysh rëndësinë që mund ta kishin më vonë.
Thelbi i marrëveshjeve ishte ky: Rusia duhej të hiqte dorë nga depërtimi i madh në Ballkan përmes Bullgarisë dhe se do të bëheshin përpjekje që Perandorisë Osmane nëpërmes status quo-s prapë t´i zgjatej jeta në pjesën Evropiane, ani pse ishte krijuar bindja se kjo nuk paraqiste tjetër veçse përpjekje për të fituar kohë të domosdoshme nga të gjithë për të vendosur se si do të mbushej hapësira që për pesë shekuj ishte mbikëqyrur dhe sunduar nga Perandoria e Bosforit.
Anglia në këtë drejtim ishte posaçërisht aktive dhe kërkonte që para se të fillonte Kongresi i Berlinit shumë gjëra të bëheshin të qarta, qoftë në raportet e saj me Rusinë, qoftë me Turqinë, si dhe me situatën në Ballkan. Kështu, më 30 maj, pas shumë ndërmjetësimeve të ës gjermane, asaj franceze dhe deri diku italiane, bëhet takimi i njohur midis Shuvalovit dhe lordit Solsberi. Në këtë takim historik Rusët përfundimisht do të dorëzohen dhe do t´i pranojnë qëndrimet dhe propozimet për modifikimin e Paqes së Shën Stefanit. Çdo gjë tjetër pas këtij takimi ishte formalitet, meqë rrugët e marrëveshjes tashmë ishin të hapura. Rreziku i konfrontimit midis Rusisë dhe Anglisë ishte kapërcyer.
Ishte më se e qartë se Evropa, për herë të parë, në një përbërje të tillë do të shqyrtonte çështje aq të rëndësishme, të cilat do t´i ndërrojnë raportet e kohës.
Më 3 qershor, gjashtë përfaqësuesit e fuqive të mëdha: të Anglisë, të Rusisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Italisë dhe të Gjermanisë, morën ftesat për të marrë pjesë në Kongresin e Berlinit, i cili duhej të fillonte punimet më 13 qershor. Po ashtu, në këtë Kongres u thirrën edhe përfaqësues të shumë popujve, të cilët asokohe luftonin për pavarësi në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Ata do të vinin në Kongres si vëzhgues.
Në Kongres nuk u thirrën përfaqësuesit e popullit shqiptar, e kjo as që mund të pritej, meqë ata në kuadrin e Perandorisë Osmane kishin tretmanin e milleti-osman, pra nuk trajtoheshin si kombësi, edhe pse kjo çështje tashmë kishte filluar të animohej nga një grup intelektualësh shqiptarë në Stamboll, por që nga Porta e Lartë ishte refuzuar me anatemën se diç e tillë çonte te rrënim i Perandorisë, ndërkohë që edhe kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila filloi tri ditë para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, shprehnin përcaktimin e fortë për t’i mbrojtur tokat e tyre nga copëtimet, por jo kërkesën për një autonomi shqiptare brenda Perandorisë Osmane siç do të dalë më vonë, kur Lidhja do të konfrontohet me Perandorinë Osmane dhe me fuqitë e mëdha.
Me këtë rast gjithsesi se ka vend për një sqarim, që ka të bëjë me një paqartësi, që shfaqet në “Historinë e Popullit Shqiptar”, vëllimi i dytë, i botuar në Tiranë në vitin 2002, ku thuhet se “në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes të mbajtur më 1 korrik 1878, ishte kthyer nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongres peticionin me kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit!”
Pavarësisht këtyre insinuatave me të cilat edhe sot manipulohet, megjithatë çështja e bashkimit të Shqiptarëve në një vilajet, si dhe ato për autonomi, që do të animohen gjatë kohës kur Lidhja do të ndryshojë kërkesat e veta nga ato të mbrojtjes se territoreve perandorake te autonomia, nuk mbeti si çështje e shurdhër, si thuhet shpesh. Përkundrazi, për vetë faktin se Perandoria Osmane tashmë i kishte ditët e numëruara, ndërkohë që telashet që linte ajo prapa, nuk mund ta përjashtonin edhe çështjen shqiptare, dashur a pa dashur disa nga fuqitë e rëndësishme Evropiane shtetin shqiptar kishin filluar ta projektonin si një faktor që do të përfshihej në sferat e tyre të interesave dhe madje në këtë plan edhe të punonin, siç do të veprojë Anglia, e cila do ta autorizojë Lordin Edmond Fitzmauricie, që në përputhje me artikullin XVIII dhe XXIII të Kongresit të Berlinit, Portës t´i kërkojë që të krijojë një Shqipëri autonome në një vilajet, që do të bashkonte vilajetet e Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit, që do të mbetej nën suzerenitetin e Sulltanit.
Në konferencën e Kostandinopojës më 20 prill 1880, para Komisionit Ndërkombëtar për Reformat e brendshme të cilat Porta do t´i zbatonte, Lordi Fitmauricie, deklaroi se fliste në emër të Lordit Beaconsfield, i cili porosiste se krijimi i një Shqipërie të fortë autonome është në interes të Evropës. Historiani gjerman Hanns Dieter Schanderl, në librin këtë e thekson si qëndrim të rëndësishëm me të cilin do t´i hapet drita e gjelbër shtetit të ardhshëm shqiptar. Schanderl, duke cituar një dokument të Forin Officit të 26 majit 1880, bën të ditur se Lordi Fitmauricie, gjatë takimit me ministrin e jashtëm turk, Sawa Pashën, do t´ia dorëzojë një memorandum me projektin e Shqipërisë si vilajet autonom.
Megjithatë, nga protokollet e mbledhjes së shtatë, të tetë, të dhjetë, të dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë, bie në sy se përfaqësuesit e delegacionit të Portës, Aleksandër Karateodor Pasha dhe Mehmed Ali Pasha, kur konkretisht u bisedua rreth zgjerimit të Malit të Zi dhe të Serbisë me territoret e banuara me Shqiptarë, por edhe kur u bisedua për kërkesat e Greqisë ndaj Epirit dhe të Thesalisë, flisnin në emër të Shqiptarëve dhe madje shfaqen edhe në rolin e mbrojtësit të tyre gjithnjë në përputhje me mandatin që edhe shqetësimet e tyre të trajtohen si të të gjithë shtetasve të tjerë të Perandorisë Osmane, pra si milleti-osaman, të cilët nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e kusuritjeve midis shteteve të ndryshme. Nga ky këndvështrim duhet vënë në pah deponimet e përfaqësuesve të delegacionit të Portës së Lartë, siç ishte i Karateodori Pashës në mbledhjen e dhjetë kur ai do ta paraqesë qëndrimin e Portës rreth mospajtimit që Tivari t´i jepet Malit të Zi dhe për këtë ai përmend disa arsye pse kufijtë e Shqipërisë nuk duhet të ndryshohen. ”Porta nuk ka asnjë kundërshtim për Spican, por insiston se Tivari është shqiptar, se malazeztë aty mund të mbesin vetëm me dhunë, kundër vullnetit të popullatës shqiptare.” Ai përmend sulmet e vazhdueshme të ndërsjella mes Shqiptarëve dhe Malazezve dhe thotë se qeveria e tij ka marrë telegrame brengosëse. Edhe Mehmed Ali Pasha në mbledhjen e dymbëdhjetë, do të kërkojë që viset shqiptare Plava, Gucia dhe Tivari të mos shkëputën nga etnia e tyre dhe këtë e konsideron të padrejtë dhe shton se a nuk do të ishte më mirë të parandalohet që popujt e racave dhe të kulturave të ndryshme të vendosen pa ndonjë domosdoshmëri të madhe nën pushtetin e një race të jashtme? Për këtë arsye, ai kërkon që gjatë zmadhimit të territorit aktual shtetëror të Malit të Zi, këtij vendi t’i jepen vetëm territore, banorët e të cilave janë të së njëjtës racë, e kryesisht edhe të të njëjtit religjion si Malazeztë dhe jo territoret shqiptare. Sipas tij, do të ishte më e drejtë që nga ana e Shqipërisë Malit të Zi t’i jepen Kuçi, Drekaloviqi dhe rrjedha e Moraçës, deri te liqeni i Shkodrës, ndërsa në Turqi të mbeten qarqet shqiptare të Plavës dhe Gucisë, si dhe qyteti i Podgoricës, me një rajon të mjaftueshëm për mbrojtje. Me të njëjtat argumente kërkon që qyteti i Tivarit të mos ndahet nga Shqipëria. Tone të ngjashme kishte edhe paraqitja i Karateodori Pashës në mbledhjen e trembëdhjetë kur do të përkujtojë të pranishmit se Epiri dhe Thesalia nuk janë të banuar vetëm me popullatë greke, siç thoshin përfaqësuesi grek, ata rus dhe francez, por ka edhe të tjerë që kundër-shtojnë kalimin në shtetin grek dhe me këtë rast zë në gojë peticionet 15, 19 dhe 23, të dërguara nga popullata e këtyre viseve që tashmë gjenden në tryezën e bisedimeve, peticione këto që në regjistrin e letrave që i janë drejtuar Kongresit cilësohen si protesta të Shqiptarëve kundër copëtimit të trojeve të tyre.
Por edhe përkundër kësaj, se përmendet etnia shqiptare, por në të Shqiptarët përmenden si milleti-osman, historiani gjerman Petër Bartle konstaton se „Shqiptarët, jo vetëm që nuk u thirrën në Kongresin e Berlinit, ku vendosej edhe për fatet e tyre, por ata nuk patën as ndonjë mbrojtës të tyre, i cili sadopak do të fliste për ta“, që do të thotë se përfaqësuesit e Portës në Kongresin e Berlinit kishin mandatin që të flisnin për mbrojtjen e vilajeteve shqiptare që hapësira e tyre sa më pak t´u jepej të tjerëve, dhe këtë e bënin duke e theksuar edhe fjalën Shqipëri si tërësi etnike, por assesi që asaj nga aty t´i paracaktohej çfarëdo statusi autonom. .
Kongresi i Berlinit i filloi punimet zyrtarisht më 13 qershor 1878 dhe zgjati deri më 13 korrik të po këtij viti. Ai pati 20 seanca dhe gjatë tërë kohës punimet i mbajti në ndërtesën e Raihskancelarit në Vilhelmstrase. Nën udhëheqjen e Bizmarkut, në tryezën e bisedimeve u ulën: delegacioni i Anglisë, i prirë nga lordi Solsberi, delegacioni i Rusisë, i kryesuar nga Shuvalovi dhe Goroshkovi, i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga Sadullah Bej dhe Mehmed Ali Pasha (Maxharr Pasha), i Austro-Hungarisë, i kryesuar nga Andrashi, si dhe delegacioni i Francës dhe ai i Italisë. Në Kongres morën pjesë gjithashtu edhe shumë përfaqësues të shtypit të kohës, vëzhgues dhe politikanë nga Gjermania dhe vendet fqinje. Për opinionin dhe për të pranishmit, me një interes të veçantë ishte pjesë-marrja e personaliteteve të larta, si e Goroshkovit, kryeministër rus, pastaj pjesëmarrja e kryeministrit të Anglisë Baconsfield, prezenca e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Velington. Nga përbërja e delegacioneve dhe e paraqitjes së tyre mund të shihej fare lehtë se këto ë që gjendeshin para një konflikti të armatosur (Anglia dhe Rusia), në Berlin kishin ardhur për të demonstruar edhe forcën politike dhe atë diplomatike. Ishte pra, më se e dukshme që përkundër bisedimeve paraprake, të cilat u zhvilluan gjatë dy muajve të fundit (në prill dhe në maj), megjithatë arena kryesore historike do të jetë në Berlin.
Sipas protokolleve origjinale të Kongresit të Berlinit, që në fillim të seancës së dytë pati njëfarë fërkime midis Anglisë dhe Rusisë. Kryeministri britanik, në gjuhën angleze protestoi kundër pranisë së flotës ruse në afërsi të Kostandinopojës, ndërsa kryeministri rus Goroshkov tha se pikërisht prania angleze në atë pjesë të detit ka bërë që edhe Rusët të mos tërhiqen.
Bizmarku, si udhëheqës i Kongresit, kërkoi që këto akuza të ndërpriten dhe të mos përqendrohet vëmendja tek ekseset që mund ta çrregullonin punën e paraparë. Ai, bile, edhe pse ato ditë u bë një atentat kundër mbretit Vilhelmi i Parë, nuk deshi që tubimi të shpërqendrohej nga ajo ngjarje.
Punimet e Kongresit nuk ishte e mundur të kishin rrjedhë fare të qetë, meqë fjala ishte për çështje të mëdha dhe tejet të rëndësishme, të parat të një natyre të tillë. Shqetësimet dhe kacafytjet qenë më të ndjeshme midis seancës së katërt dhe të gjashtë, sepse zhvillohej një betejë e madhe për largimin e ndikimit, por edhe të pranisë së drejtpërdrejtë të Rusisë nga Ballkani, edhe pse gjatë bisedimeve paraprake dukej se rreth saj ishte arritur një pajtim parimor edhe nga rivalët më të fortë, Anglia dhe Rusia. Kështu, në seancën e pestë dhe të gjashtë u pranua propozimi i Austro-Hungarisë që Rusia brenda gjashtë muajsh të largohej nga Rumelia Lindore, brenda nëntë muajsh të largohej edhe nga Bullgaria, e cila u nda në dy pjesë. Rusia duhej të largohej edhe nga Rumunia brenda dymbëdhjetë muajsh. Në seancën e tetë u bisedua për njërën ndër pikat më të ndjeshme të Kongresit – për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Me propozimin e Anglisë, Kongresi do të duhej t´i hapte rrugë Austro-Hungarisë për në këtë krahinë. Andrashi kishte luajtur një rol të madh në këtë drejtim, me ç’rast në saje të shkathtësisë së tij që para fillimit të Kongresit kjo çështje kishte filluar të zgjidhej në dobi të Vjenës.
Në seancën e tetë u hoq përfundimisht nga rendi i ditës çështja e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa për Serbinë u vendos të bëhej shtet i pavarur. Me këtë rast u tha se ajo duhet të respektonte kombet e tjera brenda kufijve të saj, bashkë me përkatësitë fetare dhe identitetin etnik. Po ashtu, në këtë seancë që u mbajt më 26 qershor, Serbia, me insistimin e përfaqësuesit të Perandorisë Osmane, Mehmed Ali Pasha dhe të Andrashit, mori për obligim se do të ketë qëndrim të drejtë ndaj popullatës joserbe në pjesët jugore që iu dhanë, me çka zotohej se nuk do të ndërmerrte asnjë veprim që popullatën e këtyre vendeve ta detyronte të braktiste trojet e veta. Kryeministri i Serbisë Ristiq, në emër të princit Milan, lexoi një deklaratë, me të cilën ky vend merr përsipër mbrojtjen e të gjitha të drejtave të popullatës joserbe që do të përfshihej në hapësirën e shtetit serb, që nga ushtrimi i lirë i religjionit e deri te mbrojtja e pronës. Sipas pikës 36, Serbia zgjerohej me Kurshumlinë dhe me një pjesë të krahinës së Vranjës, bashkë me qytetin e Vranjës.
Në seancën e trembëdhjetë, që u mbajt më pesë korrik, për herë të parë u bë fjalë për çështjen e autonomisë lokale për popullatën katolike të Mirditës. Ky propozim doli nga përfaqësuesi i Austro-Hungarisë dhe ai i Francës, që u arsyetua si „çështje e imunitetit të privilegjeve që malësorët mirditas kanë gëzuar gjatë gjithë kohës, e cila në të ardhmen duhet të garantohet“.
Rreth këtij propozimi reagoi Memed Ali Pasha, i cili theksoi se nuk mund të flitet për kurrfarë privilegje, sepse kjo do të kishte pasoja zingjirore, por që Porta, në kuadër të reformave zotohet se do të ketë parasysh edhe rastet e veçanta. Pas një shkëmbimi mendimesh me përfaqësuesin e Anglisë dhe atë të Francës, Sadullah Bej, do të propozojë një zgjidhje kompromisi sipas të cilës Porta nuk do të ndryshojë statusin e Mirditës, që do të thotë se atyre edhe më tutje u mbesin ato që u quajtën „privilegje“ me çka si duket u plotësua ai që në parakushte u quajt koncesion evropian ndaj Rusisë dhe Sllavëve të Jugut se në kongres nuk do të bisedohet për kurrfarë autonomie tjetër, pos asaj të Bullgarisë, me arsyetimin se çfarëdo kërkesash të ngjashme, që do të paraqiten, duhet të barten në kuadër të zotimeve të Perandorisë Osmane për reformat e brendshme, që ajo mori në Kongres.
Përkundër trajtimit si objekt kusuritjesh, përmendja e kazave shqiptare, e qyteteve që po ashtu quhen shqiptare (si Ulqini, Tivari, por edhe Prokupja, Kurshumlia) si dhe futja e tyre në protokolle me këtë trajtim dhe emërtim, tregon për pranimin e etnisë shqiptare si faktor të gjallë dhe të pakapërcyeshëm, dhe kjo për historinë ka rëndësi, me çka bie poshtë çfarëdo aludimi rreth përkufizimit të tyre gjoja si „kuptim gjeografik“, me të cilin është spekuluar shumë nga ana e historiografisë serbe. Madje, etnia shqiptare si e lidhur, gjeti vend edhe në të gjitha hartat që Kongresi mori në shqyrtim për t´u pasqyruar si e tillë edhe në atë përfundimtaren, ku mbi shtrirjen e katër vilajeteve u shënua Albanien.
Megjithatë, nga moria e materialeve të ndryshme që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon dhe arkivat e tjerë, si në atë të Berlinit, Ahenit dhe të Koblencit, mund të thuhet se Shqiptarët dhe çështja e tyre, nëse në tryezën e bisedimeve të Kongresit u trajtuan ashtu si u trajtuan, pra si etni me tretmanin e milleti-osman, jashtë Kongresit, ishin të pranishëm në faqet e shtypit gjerman, i cili u kushtoi një vëmendje të duhur, jo vetëm nga pikëpamja informative, por edhe e trajtimit analitik dhe politik të gjithë problematikës së tyre, që u intensifikua para, gjatë dhe mbas mbajtjes së Kongresit për të vazhduar edhe më vonë deri tek shpallja e pavarësisë kombëtare. Ky qëndrim i shtypit gjerman ndaj çështjes shqiptare në një çast aq të rëndësishëm, ishte edhe për t´u pritur nëse kihet parasysh se në fokusin e vrojtimit gjerman Shqiptarët do të futen që moti, qysh në shekullin e dymbëdhjetë e tutje, për të vazhduar edhe më vonë me shtrirjen e tyre në fushën e kulturës dhe të hulumtimeve të shumta që nga historia, etnografia dhe veçmas gjuhësia, ku kjo e fundit, në saje të interesimit të madh të misionarëve gjermanë që kaluan nëpër Ballkan, por edhe të konsujve dhe kronistëve të ndryshëm, që nga mesjeta e hershme e tutje, gjeti një vend të rëndësishëm, me ç´rast disa nga shkencëtarët e rëndësishëm të këtij populli, me studimet e tyre të çmueshme, do t´ia dalin që popullit shqiptar t´ia përcaktojnë vendin e vet në kuadër të qytetërimit antik, si pasardhës të ilirëve, ndërsa gjuhën shqipe ta quajnë bijë e ilirishtes. Mjafton këtu të përmenden disa nga emrat e studiuesve dhe hulumtuesve gjermanë që popullit shqiptar i kanë dhënë shumë, që nga kalorësi Arnold von Harf, Ksylanderi, Hahni, Lamberci e deri te Gustav Majeri, i cili në kohën e mbajtjes së Kongresit të Berlinit nxori „Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe“, që paraqet një monument të madh të gjuhësisë shqiptare. Kështu, një populli thuajse të harruar dhe që politikisht dëshirohej të shihej, por edhe të mbahej sa më larg hapësirës së civilizimit evropian – pa ngurruar që nga disa vende sllave dhe ortodokse, si Serbia, Rusia, po edhe Greqia, të anatemohej edhe si rrënues i saj dhe shpifje të tjera, në mënyrë që t´u pamundësohej themelimi i shtetit në përputhje me shtrirjen etnike, që shfaqej ndër me kompaktet në gjithë hapësirën Evropiane që mbante Perandoria Osmane – iu bë pra nga ky shtyp një nder dhe një shërbim i madh.
Shikuar në tërësi, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ia doli të zhvlerësonte Traktatin e Shën Stefanit që u imponua nga fitorja e tetë me radhë e Rusisë ndaj Turqisë dhe me këtë të pengonte një luftë të mundshme midis Anglisë dhe Rusisë, siç do t´ia zgjasë edhe për pak kohë jetën Perandorisë Osmane në Ballkan, por me këtë nuk do të sigurohet as paqja e as stabiliteti i qëndrueshëm, siç thuhej në disa nga kryeqendrat Evropiane. Përkundrazi, me faktin që në këtë Kongres Austro-Hungaria do të vërë dorë mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, me arsyetimin se do të mund të parandalohej të rrënohej ajo që merrej si baraspeshë midis fuqive të mëdha rivale të kontinentit të vjetër, do t´ua hapë rrugën gjithë atyre zhvillimeve pak a shumë do t´i ndikojnë ngjarjet që do të çojnë te krizat tjera edhe më të thella të cilat do t´u paraprijnë luftërave ballkanike dhe asaj botërores. Kështu, Ballkani dhe hapësira e tij do të kthehet në një poligon të paqëndrueshëm jo vetëm politik, por edhe strategjik në përgjegjësi, ku do të përvijohen interesat e ndryshme të fuqive të mëdha.
(Shkëputje nga libri “Kongresi i Berlinit 1878”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2008.) / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.
Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, znj.Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.
Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës. / KultPlus.com
Përfundoi restaurimi i banesës së vëllazërisë Icka, në zemër të qendrës historike në Pogradec. Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Korçë, Gjergji Koki, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga banesa, restaurimi i të cilës nisi kur Koki ishte drejtor i DRTK Korçë.
“U riktheva si vizitor i përhershëm i Pogradecit për të parë nga afër punën për restaurimin dhe rijetëzimin e kësaj banese emblematike e cila ishte pjesë e skemës mbështetëse të Bonusit të Rijetësimit e bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës”, shkruan Gjergji Koki.
Ai thotë se rezultatet flasin vetë, pasi duket që është punuar me kujdes ndaj detajeve dhe janë bërë punë me imtësi.
Banesa e vëllezërve Icka është shembulli se si trashëgimia kthehet në një motor zhvillimi për ekonomitë e vogla lokale. “Rivlerësimi i kësaj trashëgimie, do të jetë një ogur i mbarë për fillimin e punës për rijetësimim e Qendrës Historike të Pogradecit”, është shprehur Gjergji Koki.
Ndërtesa historike e cila dikur ka shërbyer si punishte e mjeshtërisë së drurit, zanat i përcjellë ndër breza, është shpëtuar nga degradimi. Ndërhyrjet në kuadër të programit të Ministrisë së Kulturës, për “Rijetësimin”, përfshinë konservim, restaurim e rijetësim. Kjo ndërtesë është Monument Kulture Kat. I. / KultPlus.com