Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh gjatë majit të këtij viti.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën të ditur se “në maj të këtij viti muzeu u vizitua nga 10 081 vizitorë, ndërsa janë mbledhur 2.026.470 lekë, duke shënuar një dyfishim të numrit krahasuar me majin e 2022”.
Sipas QKM Berat, në maj të vitit të kaluar muzeu u vizitua nga 4 628 vizitorë dhe u mblodhën 935.150 lekë.
“Gjatë majit muze pati një fluks të lartë vizitorësh nga e gjithë bota, ndërsa në ditët e para turistët që kanë vizituar muzeun janë nga Polonia”, thekson QKM Berat.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./KultPlus.com
Kryeredaktori britanik i revistës “Vogue”, Edward Enninful ka njoftuar se do të largohet nga detyra e tij në krye të revistës së modës, pas gjashtë vitesh.
Enninful, 51 vjeç do të marrë pozicionin e sapoemëruar të këshilltarit editorial në “British Vogue” dhe krijues dhe këshilltar kulturor i revistës “Vogue”.
Roli i ri u krijua nga Enninful, redaktori amerikan i “Vogue”, Dame Anna Wintour dhe Roger Lynch, shefi ekzekutiv i “Conde Nast”.
Enninful i tha stafit se ai kishte qenë në diskutime me Dame Anna dhe Lynch se si ai mund të luante një rol më të gjerë në përmirësimin e “Vogue” në nivel global.
Britaniku Enninful mori detyrën e kryeredaktorit në gusht 2017, si i pari njeri me ngjyrë që mbante postin e lartë në revistën britanike të modës, dhe në dhjetor 2020 u bë drejtor editorial i “Vogue’.
Gjatë gjashtë viteve të tij në krye të revistës së modës, ai ka vazhduar të thyejë kufijtë në industri./KultPlus.com
Ne do të jemi të vetëdijshëm për shenjtërinë tonë Që piqet ndërsa përsosemi Pejzat dhe qendrat lëndore, Degëzat dhe gjethet hyjnore Rrënjët tona, rrënjët e bukura Sepse ato janë poshtë sipërfaqes, Së hijeshisë sonë. Jepna kënaqësinë e keqardhjes; Lotët tanë duken më të mençur Se qeshjet nëpër ajër;
Ne do të jemi të vetëdijshëm për hyjninë tonë Kur koha të vijë, Të paturpëruar, por jo me kënaqësi, Bashkë me dhembshuritë tona besnike.
Ne do të lidhemi tek një etje finale. Duke pritur për një zog që t’na thotë, ‘Kam ardhur t’ju ngre lart, t’ja u pres rrënjët Pastaj do fluturojmë me flatra të shtrira Dhe ta shtjellim ajrin, Duke çarë lart në qiellin blu;
Ne do të jemi të vetëdijshëm Për një vend të ri Që do shfaqet në një re mbi kokat tona; Ne do të jemi të vetëdijshëm për të madhen shenjtëri; Dhe një të prekshme urtësi. /KultPlus.com
Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.
KultPlus sot ju sjell disa nga theniet m ëtë mira të Kafkës:
Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.
Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.
Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.
Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.
Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.
Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.
Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.
Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.
Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.
Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.
Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.
Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.
Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.
Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.
E ligë është çdo gjë dëfryese.
Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.
Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.
Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.
Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.
Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?
Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.
Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.
Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.
Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?
Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.
Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.
Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.
Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.
Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.
Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.
Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.
“Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.
Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.
Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.
Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.
Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.
Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.
Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.
Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.
Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.
Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.
Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.
Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.
Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.
Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.
Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.
Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.
Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji. / KultPlus.com
Poezi nga Nazim Hikmet Ran Shqipëroi: Alban Tartari
Tek ti, unë, dashuroj siluetën e anijes nisur për në pol Tek ti, unë, zbulimet aventuriere prej kumarxhinjsh Tek ti, largësinë. Tek ti, unë, dashuroj të pamundurën.
Të kridhem në sytë e tu, ashtu si në një pyll plot dritë. Mes djersës, urisë e irritimit, me uri gjahtari të ta kafshoj mishin Tek ti unë, dashuroj të pamundurën, Por kurrë pesimizmin./KultPlus.com
Një adoleshent indian ka arritur të mposhtë numrin 1 të botës dhe pesë herë kampionin e botës Magnus Carlsen, në përvjetorin e tij të 17-të të lindjes.
Sensacioni i ri në sportin e shahut, Dommaraju Gukesh i bëri vetes dhuratën më të rëndësishme të ditëlindjes, teksa mposhti Carlsen në ngjarjen blitz përpara turneut Norëay Chess.
Më pas, Gukeshit iu dhurua një tortë nga organizatorët me rastin e ditëlindjes.
Kur u pyet nëse do të përgatitej për ndeshjet e ditës së nesërme duke ngrënë shumë tortë, ai u përgjigj: “Shpresojmë“.
Në turneun, i cili mbahet në Stavanger, Norvegji, 10 lojtarë garojnë në një turne të vetëm të rrumbullakët.
Fituesi do të marrë përafërsisht 68,400 dollarë dhe vendi i dytë do të fitojë 36,500 dollarë.
Përveç Gukesh dhe Carlsen, një mori lojtarësh më të mirë në botë po konkurrojnë, duke përfshirë Alireza Firouzja, Anish Giri, Ëesley So, Hikaru Nakamura dhe Fabiano Caruana.
Pas tre ndeshjeve të turneut zyrtar, Gukesh qëndron i katërti në renditje me një fitore, një humbje dhe një barazim.
Carlsen qëndron në vendin e tetë pa fitore pas dy barazimeve dhe një humbje, ndërsa Caruana qëndron në krye të renditjes.
Javën e kaluar, Carlsen fitoi turneun e tij të parë që kur hoqi dorë nga titulli i kampionatit botëror që kishte mbajtur për një dekadë.
Ndërkohë, Gukesh është ngritur me shpejtësi në radhët e shahut pasi shpërtheu si i riu më i suksesshëm.
Ai arriti të fitojë titullin mjeshtri më i ri i shahut ndonjëherë në moshën 12-vjeçare, vetëm disa javë më i madh se rusi Sergey Karjakin./alsatm/KultPlus.com
Butrinti është një nga vendet më atraktive të Shqipërisë. Ky qytet shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë, rreth 20 km larg qytetit të Sarandës, përcjellë KultPlus.
Në lashtësi njihej me emrin Buthrotum, dhe ishte i banuar nga fisi i kaonëve, një prej fiseve kryesore të Epirit. Disa nga ndërtesat e këtij vendi antik datojnë ndërmjet shekujve të IV para Krishtit dhe shekullit të VI pas Krishtit.
Butrinti është një nga perlat e rivierës shqiptare, ku arkitektura e këtij qyteti antik bën një ndërthurje të hatashme mes historisë dhe të bukurës.
Në vitin 2019 qyteti antik ishte vizituar prej më shumë se 230 mijë turstësh./KultPlus.com
Morina ishte një fis i vogël, i vendosur në Malësinë e Gjakovës përgjatë kufirit të tanishëm Shqipëri-Kosovë. Morina kufizohet me trojet tradicionale të fisit të Gashit në perëndim, të Bytyçit në jugperëndim dhe të Hasit në jug. Vendkalimi kufitar i tanishëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, i njohur si Qafa e Morinës, gjendet në territorin e Morinës, por pjesëtarët e fisit Morina janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të Kosovës, veçanërisht në Gjakovë, në Kamenicë dhe në Gjilan. Si duket, morinasit besojnë se zanafillën e kanë nga Mirdita. Morina ishte një fis ose një bashkësi që kishte lidhje të përbashkët gjaku, histori të përbashkët dhe stërgjyshi të përbashkët.
Milena Jesenska ishte gazetare, shkrimtare dhe përkthyese çeke.
Në vitin 1919 Milena zbuloi një novelë të shkurtër të Franz Kafkës dhe i shkroi atij për t’i kërkuar leje që ta përkthejë nga gjermanishtja në çekisht. Kjo letër pasoi nga një korrespoedencë pasionante mes të dyve. Ata u takuan vetëm dy herë: një herë në Vjenë ku qëndruan së bashku katër ditë dhe një ditë në Gmund.
Por gjithçka shkoi ters kur Kafka i kërkoi asaj ta linte burrin për të. Kjo nuk ndodhi dhe lidhja e tyre mori fund.
Letra më poshtë, tregon për dashurinë e madhe që ndjente Kafka për shkrimtaren çeke:
Për të parën herë, sot, aty ka mbrëmja, e bëra i vetmuar një shëtitje të gjatë. Herave tjera kam qenë ose i shoqëruar nga njerëz tjerë, ose kryesisht në shtëpi duke pushuar. Çfarë fshati! Ah Zot i madh, po të ishte këtu me mua Milena; ti vuajtja ime e lemerishme, mendja e pamenduar. Do të gënjeja po të të thoja se më mungon; sepse ti veçse je këtu me mua dhe madje më shumë se kaq. Kudo që jam unë, je edhe ti po ashtu. Madje edhe më me intensitet. Kjo nuk është mahi! Shpesh fantazoj sikur të mungoj dhe duke hamendësuar: Ku mund të jetë ai? A nuk ka thënë se është në Meran?” Ty, që je përherë këtu, me mua./VirtualSophists/KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani do të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në njoftimin e presidencës thuhet se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në këtë ceremoni të inaugurimit të Presidentit Erdoğan, Presidentja Osmani, e shoqëruar nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, do të jetë përkrah krerëve të tjerë të shteteve nga mbarë bota.
“Presidentja Osmani ditë më parë, ka uruar Presidentin Erdoğan në emër të popullit të Republikës së Kosovës për fitoren dhe ka shfaqur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve.”, thhet në njoftimin e presidencës./ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përkujtoi sot në ditën e lindjes (3 qershor 1949) një personalitet të fortë të kulturës sonë kombëtare, Moikom Zeqon.
Autor i mbi 100 veprave, ku përfshihen përmbledhje me poezi, prozë, studime arkeologjike, libra për historinë e artit, monografi personalitetesh, si dhe disa skenarë për filma kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor, një zë i rëndësishëm në zhvillimin e debatit kulturor në vend, Moikom Zeqo ka vendin e tij në historinë e kulturës shqiptare.
QKLL solli foton e shoqes së tij të jetës prof. Lida Miraj, në ekspozitën me fotografi të shkrimtarëve shqiptarë, e cila vijon të jetë e hapur në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, me autor Roland Tashon./atsh/KultPlus.com
Në qoftë se nuk di të duash, Mëso të duash, Patjetër përpiqu të duash Çdo gjë që të sheh syri, Çdo gjë që percepton, Çdo gjë që mund të imagjinosh Duaje, duaje, Të duash mëso Edhe çdo gjë që dëgjon, Çdo gjë që ndodhet në këtë univers… Asgjë të shëmtuar s’ka në këtë botë, Asgjë, pale sa e rëndomtë të të duket, Një insekt sa i vogël po as ai i shëmtuar nuk është, Një fije bar merre në dorë Sa e brishtë a nuk e sheh? Duaj lulet, gurët, retë, Çdo gjë me formën, ngjyrën, kuptimin e saj, Duaje, duaje, Mëso të duash, Përpiqu të duash, Bota për dashurinë tënde është krijuar, Më parë mëso dashurinë, Shiko një vogëlush, Sa i mrekullueshëm, Mendo dhe ata që e sollën atë në jetë, Sepse kjo botë është krijuar për dashuri, Duaji njerëzit, Ata për të mos qenë vetëm Pranë teje të jenë Për këtë, vërtetë për këtë, Janë krijuar, I gjithë universi Me zinxhirë të dashurisë është lidhur, Prandaj edhe ti, Të japësh dashuri mëso! Sepse dije, në shpirtin tënd, Për të gjitha këto paska vend, Mos harro, Bota vetë trembet nga njerëzit Pa dashuri, Dhe nga frika, Prej tyre largohet, Apo më e keqja, ju bëhet armike, Prej vetes i largon, Duaje edhe vdekjen, Mëso ta duash që të dish se ka një Përjetësi… Dhe nëse të duash mësove, Edhe të tjerëve duhet t’ua mësosh, Që me sekretin e mrekullueshëm të kësaj bote, Njerëzimit t’i shërbesh…/KultPlus.com
Tirana është përzgjedhur, mes shumë aplikantësh nga e gjithë bota, si një ndër 10 qytetet përfituese të grantit të Bloomberg Philanthropies për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI).
Investimet në përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht në rritjen e sigurisë për këmbësorët dhe çiklistët, ka bërë që Tirana të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare.
Bloomberg Philanthropies shpalli fituesit e parë të Iniciativës së Bloomberg për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI), me dhjetë qytete globale, që marrin mbështetje për të ndërtuar infrastrukturën inovative të çiklizmit dhe opsionet e lëvizshmërisë së qëndrueshme për banorët e tyre.
Krahas Tiranës, ku do të mbështetet ndërtimi i një rrjeti çiklizmi për të gjitha moshat, nëpërmjet zbatimit të projektimit të kryqëzimeve të sigurta, përfitues janë edhe Milano në Itali dhe Lisbona në Portugali.
Qëllimi i kësaj nisme është të ndihmojë qytetet të dizajnojnë rrugë që rrisin përdorimin e biçikletave, rigjallëron lagjet dhe promovojnë shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve të tyre.
Përveç financimit, Tirana do të marrë dhe asistencë teknike për projektimin dhe zhvillimin e projekteve. E nisur në vitin 2014, misioni i Iniciativës Globale të Projektimit të Qyteteve është të transformojë rrugët në mbarë botën./atsh/KultPlus.com
Pas tre etapave intensive të interpretimit, pianistja Melisa Ibrahimi ka arritur të kualifikohet në finalen e garës “International Music Competition Dinu Lipatti” 2023, një ndër garat më të rëndësishme në Itali, shkruan KultPlus.
Pianistja Ibrahimi pas kësaj paraqitje të suksesshme, është shpalluar fituese e çmimeve:
•Vendit të I-rë në seksionin e Pianos •Çmimit Absolut, •Finaliste, •Fituese e Vendit te III-të Absolut në Finalen e komplet garës “International Music Competition Dinu Lipatti”.
Përmes një postimi në facebook, Ibrahimi ka falënderuar profesoreshën e saj Alberta Troni, për mbështetjen e vazhdueshme e cila ka mundësuar të fitoj këto çmime.
“Profesoreshes sime Alberta Troni i jam falenderuese perhere per mbeshtetjen e vazhdueshme, mundin dhe punen e madhe! Faleminderit jurise per vleresimin!”, ka thënë Ibrahimi/KultPlus.com
Sa më shpesh që ta lexosh këtë letër, aq më dendur të vërtitet një ndjesi ankthi dhe përshjellimi. Një lojë e trishtë ndjesish dhe shije e athët të godet kaq fort sa të përmend. Të duket sikur gjithçka rreth teje ka lëvizuar në ritmin e vet, dhe vetëm ti ke mbetur i murosur në guskën e ndrydhjeve, frikës, mëdyshjes dhe një lloj stepje që e ka stampur veteveten tënde në murin e rrjepur të kohës.
Fjalë pas fjale dhe rrjeshta pas rrjeshti do të mund të kuptosh dhe të ndjesh aq shumë sa vjen një moment dhe të duket sikur këtë letër e ke shkruar ti, ose e ka shkruar vetë Franc Kafka në vendin tënd. Të duket se kjo është një letër që ti ke dëshiruar aq shumë ta shkaush, por pas hezitimit dhe pamjaftueshmërisë ajo ka ngelur diku në skutat e mendimeve tuaja, që zgjohen ndërsa e përcjell këto radhë, këtë letër, të cilat vetë autori nuk arriti t’ia dërgonte babait. Edhe përgjigjja e babait Hermann, ishte aq e vonuar sa nuk arriti të mbushte atë zbrazëti që kjo marrëdhënie kishte krijuar. Por gjithsesi ky lëtërkëmbim është trajtëzuar duke plotësuar në tërësinë e vet kuadrin e kësaj stuhie epistolare.
Ndoshta jo të gjithë kanë ndërmend të shkruajnë një letër të këtillë për babain e tyre, por gjithsesi marrëdhëniet at-bir në shumësinë e herëve domosdoshmërisht kanë kaluar përmes shtjellas të këtilla përpirëse.
Letra e Kafkës për babain, Hermannn
I dashur baba! Kohet e fundit rasti e solli te me pyesesh se perse kam frike prej teje. Si zakonisht, s’kam ditur te pergjigjem, dhe kjo, pasi nga njera ane, me kall friken, dhe nga ana tjeter, sepse, per ta gjetur arsyen e kesaj ndjesie do te me duhej te hyja ne te thella, shume me teper se do te ma lejonte nje leterkembim i thjeshte. Duhet ta dish se, kur po te shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika qe me ke kallur dhe nga pasojat e saj! Nga ana tjeter, diapazoni i gjere i temes qendron shume me lart se kujtesa dhe inteligjenca ime…
Duke permbledhur gjykimin tend per mua, del qe ti me akuzon per sjellje te keqija apo per veprime te padenja (ndoshta, me perjashtim te planit tim te fundit per t’u martuar), me akuzon per ftohtesi, indiference, mosmirenjohje dhe m’i perplas ne fytyre, sikur vetem une qenkam fajtori, sikur me nje shkop magjik do te mundja te ndreqja gjithcka, ndersa ti nuk paske kurrfare faji, pervecse je sjelle me mua me mire se c’duhej…
Padyshim, nuk them se u bera i tille vetem per shkakun tend, do te ishte teprim i tejskajshem. Ka shume gjasa qe edhe po te isha rritur plotesisht i cliruar nga ndikimi yt, per ty une kurre nuk do te isha ne lartesine e duhur. Jam pothuajse i sigurt se, sidoqofte serish do te isha shendetlig, i lekundur, i trazuar e plot ankthe… Do te isha i lumtur te te kisha shok, shef, xhaxha apo gjysh madje (megjithese dyshoj per kete) edhe vjeherr. Ndersa si baba ke qene teper i ashper me mua…
U rrita femije frikacak, por edhe kokeforte sic jane femijet. Padyshim, mamaja m’i plotesonte tekat, por nuk besoj se kam qene i bezdisur, s’mund ta besoj qe nje fjale e ngrohte, nje veshtrim i perdellyer, duke me marre qetesisht per dore, te mos e platitnin qenien time, dhe te arrije cka deshiroje. Se ti, ne thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjem që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.
Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone.
Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti. Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lanë mbi mua.
Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokëulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.
Kundervenia jote godiste si mendimet ashtu edhe personat. Mjaft qe une te shprehja nje fare interesi per dike, qe nuk ndodhte shpesh, fale karakterit tim, dhe ti shpejtoje t’ia beje gropen me fyerje, shpifje, sharje, pa treguar piken e respektit per ndjenjat e mia dhe pa marre parasysh gjykimin tim.
Pamundesia per te komunikuar qetesisht me ty coi ne nje rrjedhoje logjike:u c’mesova te flas. Ti shume here ma ke ngecur fjalen ne gryke. Kanosja e perhershme:”Nuk dua kundershtime!” dhe dora e ngritur lart, urdheruese nuk me jane shqitur nga mendja edhe sot e kesaj dite… dhe meqe ti ke qene edukatori im i vetem, pasojat jane pasqyruar ne te gjitha fushat e jetes sime. Eshte nje keqkuptim i cuditshem fakti qe, siaps teje, une s’ditkam te jem i bindur. “Kundershtimi i perhershem” kurre nuk ka qene parimi i ekzistences sime, edhe pse ty te eshte ngulitur kjo ide dhe vazhdimisht me qorton. Perkundrazi, nese do te tregohesha me rebel, sigurisht, do te kishe mbetur me i kenaqur prej meje. . .
Franci
Letër babait – Franc Kafka
Kam një kafshë të çuditshme; gjysmë mace, gjysmë qingj. E kam trashëguar nga im atë, po ajo është zhvilluar që kur e mora unë; më parë ishte më shumë qingj se sa mace. Tani është gjysmë ashtu gjysmë kështu. Nga macja ka kokën dhe kthetrat; nga qingji ka trupin dhe formën, nga të dyja ka sytë, që janë të përqendruar dhe të egër, qimen të butë e të shkurtër, lëvizjet që janë edhe kërcime edhe zvarritje. Kur ka diell ajo rri në parvaz të dritares, gërrhet dhe mblidhet kutullaç; në livadh rend si e çmendur sa mezi mund ta zësh. Kur ndodhet para maces ia mbath, kur është përpara një qingji sulmon. Kur ndrit hëna bredh nëpër ullukë se ajo është rruga që i pëlqen më shumë. Nuk di të mjaullijë dhe ndjen neveri për minjtë. Mund të qëndrojë me orë e shtrirë para pularisë, po kurrë s’ka përfituar nga rasti që të mbysë ndonjë shpend.
E ushqej me qumësht e sheqer, se ai i bën mirë. Ajo e thith me hurpa të mëdha, duke e kaluar në mes të dhëmbëve si të një shtaze të egër. Kjo gjë i tërheq shumë fëmijët. Të dielën në mëngjes kam vizita. Unë mbaj në mes të gjunjëve kafshën e vogël, kurse përqark zënë vend fëmijët.
Ata bëjnë pyetjet më të çuditshme, të cilave askush nuk mund t’u përgjigjet. Pse ka vetëm një kafshë të tillë? Pse ajo është pikërisht në dorën time? A ka pasur para saj ndonjë kafshë të këtij lloji? A ndjehet ajo e vetmuar? Si e ka emrin?
Unë nuk e vras mendjen t’i përgjigjem, po vetëm u tregoj atë që kam. Nganjëherë fëmijët sjellin mace, një herë sollën dy qingja. Ndryshe nga ç’prisnin ata, takimet nuk treguan ndonjë shenjë njohjeje. Kafshët vështruan njëra-tjetrën me qetësinë më të madhe; ata e quajtën ezksitencën e tyre si një dhuratë e Krijuesit.
Kur është në prehrin tim kafsha e vogël nuk njeh as frikë, nuk është agresive. E ndjen veten shumë mirë kur ndodhet pranë meje, e ngjeshur tek unë. Është e lidhur me familjen që e ka rritur. S’është ndonjë besnikëri e jashtëzakonshme, po më shumë instikti i një kafshe që, megjithatë ka shumë farefis, nuk ka asnjë shok në tërë botën dhe e quan të shenjtë mbrojtjen që ka gjetur tek ne.
Më zë gazi kur e shikoj që nuhat, më rrëshqet në mes të këmbëve, po nuk mundet ta kryeje atë veprim. Mbase është e pakënaqur që është mace edhe qingj dhe kërkon të jetë edhe qen! Një ditë kur unë s’po iu jepja dot rrugë halleve të mia tregtare dhe pasojave që vijnë prej tyre- dhe pasi desha t’i heq qafe, u mbylla në shtëpi dhe u shtriva në kolltuk, me kafshën e vogël ndër gjunjë; kur ula kokën vura re se lotët rridhin mbi mustaqet e saj të bardha. Ishin lotët e mi apo të sajat? Ajo mace me shpirt qingji kishte dëshira njerëzore? Unë nuk kam trashëguar shumë, por duhet të them se kjo kam diçka vlen.
E them serizosht.
Kafsha ka shqetësimet e të dyve, të maces dhe të qigjit, sado të ndryshëm qofshin, prandaj e ndjente veten ngushtë brenda lëkurës ku ndodhej. Nganjëherë kërcen nga një karrige që më ven këmbët në sup dhe përplas turirin në veshin tim. Duket sikur më thotë diçka dhe vërtetë pastaj largohet dhe, më sheh në fytyrë për të parë përshtypjen që më ka bërë ajo që më tha. Që t’ia bëj qejfin tund kokën dhe bëj sikur e kam kuptuar. Atëherë ajo hidhet në dysheme dhe vallëzon rreth meje.
Mbase thika e kasapit mund të jetë shpëtimi për të, po pasi e kam trashëgim, nuk jam i atij mendimi. Ajo duhet të presë ditën, kur t’i mungojë fryma, megjithëse nganjëherë më vështron me sy aq njerëzor, sikur më fton të kryej një veprim të arsyeshëm. / pergatiti Albert Vataj/KultPlus.com
Muhamed Ali (Cassius Marcellus Clay, Jr), ka lindur më 17 janar 1942 në Loujsvilje në ShBA. Ishte një boksier profesional amerikan, dhe konsiderohet si një ndër boksierët më të mëdhejnë në kategorinë e rëndë.
Gjatë karrierës arriti të bëhet boksieri më i mirë në kategorinë e tij, dhe llogaritur sipas pikëve është boksieri më i mirë i të gjitha kohërave me 1,971 pikë.
Ai vdiç më 3 qershor të vitit 2016, në moshën 74 vjeçare.
Sot në 7 vjetorin e vdekjes së tij, KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij më të famshme:
“Rrini në vëzhgim si një flutur, thumboni si një bletë, duart tuaja s’mund të godasin dot, atë që sytë s’e shohin”- Frazë që Ali e kishte thënë para ndeshjes me Foreman në vitin 1974.
“Në qoftë se mendja ime mund ta krijojë dhe zemra ime mund ta besojë – atëherë unë mund ta arrij”.
“Është e vështirë të përulesh, kur je aq i fuqishëm sa unë”.
“Boksi është thjesht punë. Bari rritet, zogjtë fluturojnë, valët përplasen me rërën. Unë rrah njerëz”.
“Një njeri që e sheh botë njëjtë si po i pati 50 si 20, i ka quar huq 30 vjet të jetës”.
“Jam aq i shpejtë, sa mbrëmë e fika dritën dhe u futa në shtrat para se errësira ta kaplonte dhomën”.
“Boksi është shumë burra të bardhë, që shohin dy të zinj duke e rrahur njëri tjetrin”.
“Cassius Clay është një emër skllavi. Nuk e zgjodha unë, dhe nuk e dua atë emër. Unë jam Muhammad Ali, një emër i lirë, dhe dua që njerëzit ta përdorin këtë emër kur flasin për mua”.
“E urreja çdo minutë gjatë ushtrimeve, por i thashë vetes: ‘Mos u dorëzo. Vuaj tani, dhe jetoje pjesën tjetër të jetës si kampion’”.
“E pamundura është vetëm një fjalë e shpikur nga njerëz të vegjël, të cilëve ju duket më e lehtë të jetojnë në një botë që iu paraqitet se sa ta përdorin fuqinë e tyre për ta ndërruar botën. E pamundura s’është fakt. Është opsion. E pamundura është e përkohshme, është thjesht asgjë”.
“Nëse ndonjëherë sheh ëndërr se më munde, më mirë zgjohu dhe kërko falje”.
“Mënyra ime e shakave, është duke treguar të vërtetën. Kjo është shakaja më qesharake në botë”.
“Ai që nuk e ka guximin të rrezikojë, s’do të arrijë asgjë në jetë”./KultPlus.com
O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë! Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë! Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar! Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar! Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni, O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar, Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar, Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë, Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë, Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë, E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë, Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua, Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua. Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë, Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë, Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija, Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija. Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar, Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar; Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë, Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti, Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë, E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë, Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem, Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them; Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë, Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.
Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur, Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur, Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë, Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë. Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas, Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas. Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë? – Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!
O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija! Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija! Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat, E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat; Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok, Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok, Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur, Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur. Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija, Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija, Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji, Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi; Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele, Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.
Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë! E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë, Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë! Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja, Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja; Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja, Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja, Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë, Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë! Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas, Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas, Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë, Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë, Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë, E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë, Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,
Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar! E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar! Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë? Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë! Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë, Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë, Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë; Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.
Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar, A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?
Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur, Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur; Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi, S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi. Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur, E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur, Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë, Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë. Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë, Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.
Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri, Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari, Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë, Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë; Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan, Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.
Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti, Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti, Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë. O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë, Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë! Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini, Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini; Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji, Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori, E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore, Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore, Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule, U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule, Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar, Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar; Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë, Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?
Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi, Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi, E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja, Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja, Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja, Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja. Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim, O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?
O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë, As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija, Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija, Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë, Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë; Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë, Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.
Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë, E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë; Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë, Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë; Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë, Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë. Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar, Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar; Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male, U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale… Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë. Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit, E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.
Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet, Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet; S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë, Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë, As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë, Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë; Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë, Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë, Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë, Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë; S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë, Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë. Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën, Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën. Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë, Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë. Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë, Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë; Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë, Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë; Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan, Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan, Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon, Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon, Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë, Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!
Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit, Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit; Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë; Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare, Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.
Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë, Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë, Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur. Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë, Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë, Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën, I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën, Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë. Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë, Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.
Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija, Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija. Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë, Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë; Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit, Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit. Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar, Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar. O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë! Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë. Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë, Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë. Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi, Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.
Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë, Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë, A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie? Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime, Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time, Q’është thier, bërë posi një pasqirë, Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë, Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë, Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë? A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje, Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?
Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti, Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji! Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën, E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën, Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën, Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën; Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë, Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.
Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut! Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut! Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë? Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë, Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.
Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë, Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë, Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë, Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.
O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë, Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.
Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit, Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit! Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë, Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë; Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë, Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,
Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë, Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë, I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë, Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.
Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt! Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.
Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë, Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë! O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more! O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore? Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit, Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit? Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron, Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!
Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë, Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë! Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë, Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.
Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë, Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë; Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë, Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë… Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë, Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë; I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë, Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.
Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime, Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime, Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë, Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.
Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija, Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.
Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar, Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.
Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot, Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë, Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.
Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë, Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë, I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë, Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.
Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija, Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija! S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë; Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë! Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi, Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi, Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush, Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush; Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni, Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni, Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë, Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë, Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë, Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.
A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën, Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën, Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë, Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë. Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë, Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?
Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë! Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra, Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara, Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë, U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë, Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë, Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.
Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë, Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë, Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë, Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë, Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë, Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.
Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë, Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë. O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë! N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë. Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë, Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë; Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit, Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit, Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë, Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë, Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë, Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë. Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë, Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë. Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë, Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.
Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet, Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet, Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera, Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera: Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë, I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë; Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr, E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder, Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija, Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia, Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë, I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.
Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.
Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë, Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë; Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.
Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë, Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë, Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë, Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë — Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar, Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar; Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime, E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime. Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare, Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare, Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar, Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar; Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta, Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta. Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë, U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë, Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë, A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.
Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar, Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.
Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë, Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.
Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë, O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë! Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë, Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë! Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan, Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!
Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi, Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi; Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit, Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit, Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë, Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë; As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija, Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija. Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë, Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë! Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë, Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.
Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë, E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë, Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti, E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:
Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë, Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë, Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti, Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji. Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë, I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë, Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije, Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije, Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë, Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë. Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë, Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë, Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut, I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut, Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas; Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.
Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë, Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë. Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç, Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç, Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë, Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë. Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar, Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar; I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë, C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë. Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda, Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!
Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë, Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë, Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!
Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje, Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!
Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha, I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la. Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje, Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje! Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë, Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë; Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë, Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë, Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit, Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit, E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë, Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë; Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë, Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë; Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë, Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë. Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë, Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë, Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë, Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë, Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë, Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë./KultPlus.com
Në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit u bë prezantimi i antologjisë “Vajza e së hënës”. Libri është një përmbledhje poetike në tri gjuhë: shqip, holandisht e anglisht.
Poezitë e përfshira në këtë antologji janë të autorëve shqiptarë dhe atyre holandezë. “Girl of Monday” sjell si risi këtë bashkim artistik mes Shqipërisë e Holandës.
Libri lindi si një ide e poetes shqiptaro-holandeze Albana Shala, e cila gjatë periudhës së pandemisë (2021) bëri bashkë të gjithë këta poetë, duke komunikuar vazhdimit me ta online, derisa “Vajza e së hënës” filloi të merrte formë. Poetja Albana Shala ka përzgjedhur dhe përkthyer poezitë dhe gjithashtu e botoi përmes shtëpisë botuese Carabela Books, e cila është ngritur si nismë e poetes dhe miqve të saj holandezë.
Në promovimin që QKLL i bëri librit, ishin të pranishëm disa prej poetëve holandezë të përfshirë në antologji si edhe ambasadori i Holandës në Tiranë, Reinout Vos.
“Poetët na bëjnë t’i njohim më lehtë kulturat”, u shpreh ambasadori Vos, në takim.
Kjo përmbledhje mbetet një përpjekje për të takuar e bashkuar përfaqësues të dy kulturave e popujve dhe dy letërsive shqip dhe holandisht. Poezia shqipe në këtë botim është krijimtari e mbledhur nga të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë. Aty gjenden poezi të poetëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj./atsh/KultPlus.com
Sot bëhen 7 vite nga koha kur vdiq boksieri më i mirë i të gjitha kohërave, Muhamed Ali, shkruan KultPlus.
Muhamed Ali (Cassius Marcellus Clay, Jr), ka lindur më 17 janar 1942 në Loujsvilje në ShBA. Ishte një boksier profesional amerikan, ai konsiderohet si një ndër boksierët më të mëdhejnë në kategorinë e rëndë.
Një figurë kontroverze gjatë fillimit të karrierës, Ali është sot i njohur jo vetëm për aftësitë e tija në ring por edhe për vlerat që ai mbështeti: lirinë fetare dhe drejtësinë racore. Konsiderohet një ndër figurat më të njohura të sportit në 100 vitet e fundit.
Në moshën 22 vjeçare arriti të bëhej kampion i botës në peshat e rënda, në vitin 1964 duke fituar ndaj Sonny Listonit. Pak pas asaj ndeshjeje ai u konvertua në Islam, për të cilin vendim, ndikim të madh kishte miku i tij i ngushtë Malcolm X.
Ai ishte aktiv prej vitit 1960 deri 1967 dhe prej 1970 deri 1981. Gjatë karrierës arriti të bëhet boksieri më i mirë në kategorinë e tij dhe llogaritur sipas pikëve është boksieri më i mirë i të gjitha kohërave me 1,971 pikë.
Nga 61 ndeshje boksi ai ka arritur 56 fitore (36 me nokaut) dhe 5 humbje. Muhammad Ali ndërroi jetë në një spital të Arizonas në 3 qershor2016.
Nga viti 1967 gjer në vitin 1970 për tri vite me radh iu mor licensa e boksimit për shkak të refuzimit dhe protestës së tij që të shkonte në luftë në Vietnam.
Ai u martua katër herë dhe ka nëntë fëmijë: shtatë vajza dhe dy djem. Për herë të parë, ai u martua më 14 gusht 1964 me Sonji Roi, por u divorcuan më 10 janar 1966. Më 17 gusht 1967, ai u martua me Belinda Boyd. Më vonë, ajo u knovertua në Islam dhe e ndryshoi emrin e saj në “Khalilah Ali”. Ata kishin katër fëmijë: Maryum, binjakët Jamillah and Rasheda dhe Muhammed Ali, Jr..
Më 1977, ai u martua me Veronica Porsche. Ata kishin një vajzë me emrin Lejla Ali. Muhammedi dhe Porsche u divorcuan në vitin 1986.
Më 19 nëntorë 1986, ai u martua me Yolanda “Lonnie” Williams, ku më vonë Lonnie konvertohet në Islam.
Sot bëhen 99 vite nga vdekja e një prej shkrimtarëve më të mirë të historisë së njerëzimit, Franc Kafkës, shkruan KultPlus.
Franz Kafka ka lindur më 3 Korrik të vitit 1883 në Pragë të Austro-Hungarisë, apo siç njihet sot me emrin Republika Çeke.
Ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, dhe një nga modernistët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX. Disa nga shkrimet e tij mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së tij, megjithëse dëshira e tij ishte që ato të asgjësoheshin, e të cilat janë bërë ikona në letërsinë e Perëndimit.
Pjesa e tij më e njohur përfshin një tregim të shkurtër me emërtimin “Die Verëandlung” (Metamorfoza, Shëndërrimi) dhe romani i tij i pambaruar “Der Prozess” (Procesi) dhe “Das Schloß” (Kështjella).
Mbiemri “kafkor” ka hyrë në përdorim të shënojë rrethanat e rëndomta të llojit absurd dhe surreal zakonisht të gjetura në veprat e Kafkës.
Disa nga veprat që mund të shtjellohen dhe të përkthyera në shqip janë: “Procesi”, “Metamorfoza”, “Kështjella” në formën e romanit por dhe nga proza e tij e shkurtër në formën e tregimit. Disa nga tregimet e tij janë “Një Leksion Akademik”, “Populli i Minjve”, “Barbarët”, etj.
Fatkeqësisht veprat e tij janë në shumicën e tyre të humbura dhe për më tepër nga vetë dëshira e autorit për t’i asgjësuar ato. Ajo që mund të analizohet për këtë shkrimtar, është vënia re e një ndryshimi rrënjësor të formës në veprën e tij dhe në përmbajtje.
Ai shpesh përdorë një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj, pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar bujtinën tokësore në formën e saj më reale. Ky konstatim mund të duket kontradiktor në vetvete por nis nga një simbolikë surreale që kërkon vëmendje për problemet e mëdha universale që prezanton Kafka.
Disa nga shkrimet dhe përkthimet e tij:
1909: Një libër lutjesh grash (Ein Damenbrevier) 1909: Një bisedë me të luturin (Gespräch mit dem Beter) 1909: Një bisedë me të dehurin (Gespräch mit dem Betrunkenen) 1909: Aeroplani në Brescia (Die Aeroplane in Brescia) 1911: Rihardi dhe Samueli (Richard und Samuel) 1912: Zhurmë e madhe (Großer Lärm) 1913: Soditje (Betrachtung; me 18 tekste prozë) 1913: Gjykimi (Das Urteil) 1913: Fokisti (Der Heizer) 1915: Metamorfoza (Die Verëandlung) 1915: Para ligjit (Vor dem Gesetz; pjesë i romanit “Procesi”) 1918: Vrasja (Der Mord) 1918: Një doktor vendi (Der Landarzt) 1919: Në koloninë ndëshkuese (In der Strafkolonie) 1921: Kalorësi i kovave (Der Kübelreiter)
Ai vdiq më 3 Qershor 1924 në Vjenë të Austrisë, në moshën 41 vjeçare./KultPlus.com
Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 3 qershori njihet si Dita Botërore e Biçikletës. Kjo ditë tërheq vëmendjen tek përfitimet që vijnë nga përdorimi i biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm financiarisht, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin.
“Biçikleta kontribuon në ajër më të pastër dhe më pak ngarkesë në trafik si dhe e bën arsimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e tjera sociale më të aksesueshme për popullatat më në vështirësi”, thotë OKB.
Biçikleta është një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë, ndërkohë që forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Më 15 mars të vitit 2022, Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën për integrimin e biçikletave të zakonshme në sistemet e transportit publik, për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezoluta theksoi se biçikleta është një instrument i transportit të qëndrueshëm dhe përcjell një mesazh pozitiv për nxitjen e konsumit dhe produkteve që kanë një ndikim pozitiv tek klima.
Autoritetet kujtojnë se aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar si, ecja, çiklizmi ose sporti sjellin përfitime të rëndësishme për shëndetin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e barazisë më të madhe shëndetësore. Prandaj, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm, është gjithashtu i barabartë dhe me kosto të përballueshme./atsh/ KultPlus.com
Revista Forbes publikoi listën e femrave më të pasura në Amerikë, në të cilën Reese Witherspoon zuri vendin e 59-të, mes Dolly Parton dhe Barbara Streisand. Me një vlerë neto në 440 milionë dollarë, 47-vjeçarja Witherspoon ka dëshmuar se është një biznesmene shumë e aftë gjatë viteve të fundit.
Gruaja e suksesshme e biznesit
Në vitin 2016, ajo themeloi kompaninë mediatike Hello Sunshine, e cila ka prodhuar filma dhe shfaqje televizive të vlerësuara me çmime, duke përfshirë Gone Girl, Big Little Lies, Daisy & The Six Little Fires Everywhere.
Në atë kohë, Reese ishte e frustruar me rolet që i vinin, kështu që ajo dhe producenti Bruno Papandrea vendosën të hapnin kompaninë e prodhimit “Pacific Standard”, tashmë një degë e “Hello Sunshine”.
“Mendoj se ishte konkretisht e vetmja studio që kishte një projekt për një femër kryesore mbi moshën 30-vjeçare”, tha aktorja për revistën Variety, duke shtuar, “Mendova, duhet të bëhem serioz”.
Në vitin 2021, aktorja shiti kompaninë “Hello Sunshine” tek një kompani mediatike e mbështetur nga Blackstone për 900 milionë dollarë!
“Unë e themelova këtë kompani për të ndryshuar mënyrën se si gratë portretizohen në media. Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë përparimin e misionit tonë përmes librave, TV, filmave dhe platformave sociale,” tha ajo në një deklaratë për shtyp.
Aktorja ende zotëron rreth 18 përqind të kompanisë, dhe përveç kësaj, ajo filloi një klub letrar, Reese’s Book Club, i cili ka fituar një reputacion për forcimin e karrierës së autoreve femra.
Një nga aktoret më të paguara televizive
Përveç kësaj, Witherspoon është gjithashtu një nga aktoret më të paguara televizive, e cila, sipas Forbes, mori 1.2 milionë dollarë për aktrimin dhe prodhimin e çdo episodi të The Morning Show.
Sipas Celebrity Net Worth, Witherspoon fitoi zakonisht një minimum prej 15 milionë dollarësh për çdo film që ajo realizoi midis 2001 dhe 2012, me një total prej 250 milionë dollarësh fitime nga filmat.
Edhe pse ende nuk dihet data e publikimit, është duke u përgatitur pjesa e tretë e filmit hit “Bionde nga Harvardi”, i cili mund ta shtyjë aktoren në një vend edhe më të mirë në listën e Forbes./abcnews.al/KultPlus.com
Kafe me Nënën – është një vepër poetike e shkruar në formë të poezisë e ndarë në katër kapituj me gjithsej 88 poezi. Këtë vepër letrare Bajraj e ka shkruar gjatë kohës që po qëndronte në vendlindje, pikërisht në Rahovec, bukuria e keti libri qëndron në gjuhën e pasur poetike të autorit.
Si personazh lirik i kësaj vepre ishte figura e Nënës ku motivi tematik në këtë vepër është Nëna e vet shkrimarit e cila tashmë kishte një vit që kishte ndërruar jetë, vdekje kjo e cila ishte një tronditje e madhe për autorin por njëkohësisht një frymëzim i madh për të, i cili me anë të poezive mundohej që të bisedonte me të dhe ta mbante gjallë figurën e saj.
Përveç tematikës së nënës, Bajraj me mjeshtërin e tij në këtë vepër me plot poezi bën ndërlidhjen edhe të poezive të ndryshme me tematika e koncepte të tjera.
Libri që në faqen e parë në formë të veçant na tregon se ajo që ne do të lexojmë në vazhdim është një dedikim për nënën e tij, dhe pastaj do njoftohemi në pergjithsi nga shkrimtari Adil Olluri për magjin e poezisë së autorit ku në formë të shkurtë gjejmë analizën se çfar përmban përbrenda ky liber.
Vepra është e ndar në katër kapituj të cilat jan të titulluara me emrat e katër poezive brenda librit si : Fishkëllimë e vdekjes, Brenda shtëpisë së braktisur, Gjethi që kishte fytyrën e Nënës sime si dhe Pas vrimës së qelësit.
Në këto poezi Bajra na flet për të tashmën dhe të shkuarën e tij ku nëpërmjet figurës së nënës na shpreh dhimbjen, nostalgjinë, aktualitetin shqiptarë, si dhe mallëngjimin për vendlindje pasi që Bajra dhe familja e tij në vitin 1999 ishin larguar nga Kosova ku më pas u shpërngulën në Meksikë, prandaj për këtë arsye veprat e tij jan të përkthyera edhe në gjuhën Spanjolle, por njëhkosisht jan të përkthyera edhe në shumë gjuhë të tjera.
Pordorimi i figurave poetike në këtë vëllim është tejet i pasur, edhe pse poezit nuk jan shumë të lidhura me njëra-tjetrën e as vazhdim i njëra-tjetrës, në to gjejmë gjendjen emocionale të poetit si të trazuar, shpërthyese e ritmike, me një gjuhë të të shprehurit te fjalëve të kalibruara të zgjedhura e të analizuara me kujdes.
Nëna si motiv tematik
Poezit të cilat që nga titulli kuptohen se jan dedikim për nënën janë: Kafe me nënën- (prej nga ku e mer titullin edhe vepra), Nëna dhe Pëllumbat, Medaljoni, Tetëdhjetë e tri vjet zgjati rruga e saj , Mëngjesi në Rahovec, Gjethi që kishte fytyrën e nënës, Nëna ime dhe lulet, Mendoja se po fle, Qe tetë muaj…
Dhembja që autori shpreh në këto poezi është lehtësisht e dallueshmë për ta kuptuar e për ta ndjer edhe ne që në realitet i kemi prindërit të gjallë, e mendoj se pikërisht kjo është arsyeja që autori në fillim na përshëndet neve lexuesëve me anë të një poezie “Për lexuesin” duke na thën:
“Ti i dashur lexues më fal, ai që shkon drejt vdekjes të përshendet”,
e duke na kërkuar falje sepse e dinte se edhe ne do të zhytemi në dhembjen e tij.
Tek poezia e parë e lartëcekur autori na jep një poezi dialogu në mes tij e nënës së tij, duke na e përshkruar në mënyr të detajuar çdo detaj të bisedes në mes tyre në një ditë vjeshte, një përshkrim me përzirje ndjenjash, ditë dhimbje për vdekjen e Irfanit para 20 viteve dhembje që është e freskët po edhe at ditë, një zonjë e moshuar floke zbardhur, me shikim e degjim të dobësuar që po kërkonte përgjigjje për pyetjen që Bajraj përgjigjej me aq mjeshtëri me një alegori simbolike:
Nëna- bir pse disa viteve u mungojnë muajt Bajra- Pije kafen Nënë pije, jan vite të krimbura Me anë të këtyre dy vargjeve kuptojmë se ishte fjala për muajt e viteve ku kishin humbur të dashurit e tyre.
Tek poezia tjetër “Tetëdhjetë e tri vjet zgjati rruga e saj”autori na njofton me moshën e vdekjes së saj, duke përdor figurën e paralelizmit duke na shprehur se përplot 83 vite Bajra ishte rritur me plot dashuri e lumturi përkrah nënës së tij, e duke shprehur së duke u rritur ai nëna e ti po plakej e sa erdhi koha edhe për të blerë arkivolin e saj e me vete i dha gjysmën e shpirtit. Me një simpatizi të madhe na paraqet figuren e saj si një perëndesh që i la pas agonin e saj për të vazhduar për të jetuar.
Një cop të shpirtit ia dhash me vete Dhe e mbulova me dhe
Poezia “Qe tetë muaj”- është një poezi e shkurtër ku autori këtu na njofton për muajt që kishin kaluar pas vdekjes së saj. Një poezi e ndërtur mbi figurat poetike si pytjet retorike e përdorimit të hiperboles:
Qielli qan pa ndërprrë Që tetë muaj nëna ime gjendet atje . . . . . . . . . . .. . . . . . . . A thua nënës po i dhemb ndokund A thua nëna e ka ndonjë brengë
Në fillim të punimit cekem së kjo vepër është e mbushur me motive të ndryshme ideore e tematike e përveç asaj ku figurë kryesore kemi nënën, autori në këtë veper na jep një poezi lirike “Rruga e Diellit” që njëhkosisht është poezia më e gjatë e kësaj vepre që Bajra ia dedikon nipit të tijë me rastin e ditëlindjes duke e mbushur me urata e me plot këshilla për jeten si të jetoj e ku të jetoj, kë të besoj e kë të mos e degjoj të mos vdes për atdhe se edhe atdheu të tradhëton por më së shumti e këshillonte që të jetonte i lumtur të bënte gjithmonë atë që donte por e këshillonte të dallonte se ajo që bënte nuk është e gabuar , por njëhkosisht edhe në këte poezi na shpreh një lloj tjeter dhimbjeje atë që nuk ishte pranë tij në këtë ditë feste e si figurë kryesore të kësaj poezi mundë të themi se është Epifora : ee bëhëm guri qaj si guri përplasem si guri thyhem si guri
Dashuri Virtuale e autorit.
Mallin që autori kishte për atdheun e shpreh edhe në këtë veper me anë të poezisë “Vera e vitit 2020”, poezi kjo që ishte një dedikim për të gjitha vendet që dikur Bajra i kishte vizituar por që nuk po mundej që ti vizitonte në vitin 2020 e që nuk do i viziton asnjëher më , krejt kjo pasi që ai nuk mundë të vinte në Kosov përshkak të sëmundjes së tij që po e trajtonte në Meksik, ku edhe vdiq me mallin për vendlindjen e tij, për dhimbjen për te rregulluar varrin e nënës së tij, e për të pir edhe njëher kafen e parë në shtëpi në Kosovë.
Dashuria e tij për Rahovecin ishte një dashuri virtuale që autori afërsin me të e shprehte vetëm nëpërmjet poezisë, jo vetëm në këtë poezi por edhe në shumë të tjera ku kishte si tem pasqyrimin e bukurive të atdheut, duke shprehur ndjenjat e krenaris dhe të atdhedashurisë, me elemente të fuqishme poetike dhe me detaje të cilat na krijojnë emocion e me to krijohen poezi madhështore me tingëllime të ndjenjave më të bukura të shpirtit shqiptar.
Koncepti poetik i vdekjes
Poezit- Paramilitari, Dëshmia e një ushtari të armikut, Fishkëllima e vdekjes, janë poezi ku autori përmes gjuhës poetike na njofton me mizorin të paramilitarëve e të derrave të njesisë speciale të policis të çetes së pirotit, kur njëri kishte prer koken e një shqiptari, kishte zir trupin e tij për ti mar dhëmbet e arit, për të bër inicialet e birit të tij që ishin të njejta me inicialet e viktimës, se si dhunohej një grua e paramilitari pinte qumshtin e saj para se ta vriste, pra ka bër përshkrimin e gjendjes mizore e vdekjeve makabre, në këto poezi na jepet edhe koncepti poetik i vdekjes duke na krijuar kontrast me vdekjen e natyrshme të nënës së tij dhe vdekjen e ketyre viktimave si vdekje e dhunshme.
Poezia- “Vallëzimi i të marrëve” është një poezi ku Bajraj shpreh revoltën e tij ndaj njerëzve që vallëzojnë pa ndonjë arsye e tek poezit ku Bajraj shfaq revolten e tij hynë edhe poezia tjetër “Shtëpia e zvarranikut”, ku shfaqet paknaqësia e autorit për lirinë që ndonse e kemi fituar e duke shprehur pakënaqesitë e tij rreth realitetit shoqëror të kësaj kohe me anë të simboleve e të alegorisë.
Bajraj nëpërmjet këtyre poezive me anë të eufemizmit e ironisë mundohej të shprehte mllefin e tij dhe nuk rreshti së përpjekuri që ta bëj vendin e tij një vend më të dashur e më komod që gjeneratat e reja të mos ken fatin e tij të largoheshin larg vendëlindjes së tyre, e të mos ndjenjë melankolinë e humbjes së fëmijërisë njejt sikur të fëmijëve që tashmë jan të rritur: Ja ku e kemi lirinë si kafshë e lidhur prapa nevojtores mbi kulmin e së cilës valon flamuri kombëtar dhe e ushqejmë kur të na bie ndërmend për të me përalla me këngë patritotike dhe me poezi.
E krejt në fund ashtu siç e kemi cekur më lart mjeshtëria që Bajra tregon në poezit e ti është ndër më të veçantat se si në një veper të vetme arrin të prek lloje të ndryshme të motiveve ideore e tematike, e më e veçanta është se si secili lexues që lexon veprat e tij zhytet në çdo rresht të tij.
Edhe pse ishte një veper kryesisht dedikuar nënës së tij për mua ishte një veper në te cilën autori ishte munduar të shprehte dhembjen për të gjitha aspektet, për nënën, mërgimin e lirinë. Është një veper të cilen ne mund ta lexojmë shumë herë dhe përsëri do të ndjehëmi sikurse po lexojmë një diçka të re, po ashtu një veper e cila është e vëshitrë për tu analizuar sepse poezit e tij kryesisht janë thëmbuese, me mesazhe përquese, ku po të mos të djeg vëshitr ta kuptosh.
Bajra tashmë u bashkua me nënën e tij, atdheun e tij e neve na la mbrapa me pavdeksinë e tij falë veprave të pasura që la mbrapa që vështirë se do krijohen të tilla përsëri e që Letërsisë Shqipe do i mungojë një shkrimtar i tillë.
Shënim; Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, që ligjërohet nga prof.dr.Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega Letërsisë Shqipe, Fakulteti Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com