Orest Çipa: Realiteti i brishtë i familjeve shqiptare brenda edhe jashtë kufijve

“Sapo u afrua, por ende pa më përshëndetur, Adrian Kota, sikur të nxirrte psherëtimën e fundit, më tha: E humba djalin!”, – këto janë fjalët e para të romanit “Psherëtima e humbjes” të cilat e rrëmbejnë lexuesin në skutat “torturuese” të hapësirës gri të mendimit, në një shteg me dredhina mistike, deri në përhumbje të frymës së vet. Në këtë “botë” tjetër, autori Bujar Skëndo, mjeshtërisht e mban “peng” lexuesin në sirtarët e kuriozitetit njerëzor me një ankth impulsiv, vazhdimisht në rritje. Kjo vepër është pasqyra më e kthjellët e “dramës” që lëngon furishëm në zemrën e familjes së ditëve tona, të këtyre ditëve që ne po frymojmë “shtëllungën” vrastare të modernitetit. Kontrasti, ftohtësia, ndjenjat, mbingarkesa, mosmarrëveshja, dashuria, largësia, kthimshpina, inati, malli, turpi, vetëndergjegjia, ngurtësia, pasioni, konfuziteti, malli dhe shumë element të tjerë, të qëndisura bukurisht me një shqipe të kulluar dhe plotë elegancë i japin librit një vlerë artistike të jashtëzakonshme. Në rrëfenjat e kësaj vepre psiko-sociale e cila shpesh-herë shoqërohet me debatin dhe mëdyshjet e brendshme të personazheve e bëjnë edhe më shumë të kërkueshme shfletosjen nga faqja në faqe të ngjarjeve në dy skaje të ndryshme të botës.

Qysh në kontaktin e parë me librin, titulli “intrigues” shpejgon qartësisht se autori ka aftësinë “hipnotizuese” për ta gllabëruar vëmendjen e lexuesit dhe “dalldisur” atë sipas dëshirës së vet në këtë humner të bukur ngjarjesh. “Psherëtima e humbjes”, në vetëkuptimin e saj është procesi i marrjes së frymës thellë dhe nxjerrja e saj me forcë, zakonisht ky veprim ndodh kur jemi të brengosur a të mërzitur, por kjo “kryefjalë” është më shumë se një titull i thjeshtë libri. Është një akt vet-ngushëllimi, një akt shpërthyes ndaj humbjes të së dhimbsurve të zemrës. Një humbje që deri diku shpreh edhe dështimin e zhbërjes së marrëdhënieve brenda familjes. Romani më i ri i sjellë nga Bujar Skëndo, zhvillohet në dy korsi të ndryshme të cilat kryqëzohen vazhdimisht me njëra-tjetrën pasi në vetvete mbartin të njëjtën problematikë, marrëdhënien prind-fëmijë. Ngjarja e parë zhvillohet midis New York-ut dhe New Jersey-t në SHBA. Familja e ardhur nga Shqipëria prej disa vitesh përjeton një “shokim” emocional pasi djali i vetëm, Mondi së bashku me familjen e tij ndërpret marrëdhëniet me babin dhe nënën në mënyrën më të çuditshme dhe të menjëhershme të mundshme.

Si të gjithë prindërit, Ardiani dhe Vera ligështohen emocionalisht nga kjo heshtje dhe largësi e krijuar në mënyrë misterioze nga djali i tyre i vetëm. Ata do përpiqen të kërkojnë arsyet dhe motivet të kësaj braktisjeje të cilat hera-herës i çojnë në qorrsokakë dëshpërimi. Ndërsa në rastin e dytë ngjarjet zhvillohen midis Tiranës dhe Sarandës. Edhe këtu është po i njëjti motiv, pra motivi përbashkues me familjen e parë, veçse ndryshojnë rrethanat dhe arsyeja. Në rastin e sipërmendur shkaqet e largimit të Modit mbeten më të fshehta deri në pikën ku autori na lejon të mësojmë më shumë, ndoshta edhe për shkak se ftohtësia dhe e panjohura janë më të lidhura ngushtë se tek rasti i dytë. Piro, personazhi kryesor në paralelin e dytë të ngjarjeve, është ndarë nga martesa e parë me mirëkuptim pasi për arsye shëndetësore ai nuk bënte fëmijë. Mirëpo, pas disa vitesh ai vendos të martohet sërish. Kësaj here, gjithçka shkon mirë dhe lumturia në çift i shtyn ata për të birësuar një fëmije me qëllim që jeta bashkëshortore mos të shndërrohej në monotone. Ndërkohë që vitet kalojnë dhe Fredi, djali i birësuar e mëson të vërtetën e adoptimit të tij të mbajtur fshehtësisht nga Piro dhe Anita. Këtu gjithçka ndryshon, krisja në familjen e tyre sapo ka nisur. Në këtë rrëfenjë ngjarjesh, ka ngjyra dhe nuanca më të theksuara të cilat të zhysin në ato thellësitë e përshkrimeve psikologjike. Inati dhe zhgënjimi i djalit ndaj të atit është mjaft interesant së si autori e ka sjellë në jetë. Në vetvete ky libër dëshmon realitetin e brishtë të këtyre viteve të fundit që familjet shqiptare brenda atdheut por edhe jashtë kufijve, përballen të gjunjëzuara çdo ditë e më shumë ndaj shpejtësisë dhe “suferinës tranzite”.

Në paragrafët e zhvillimit të jetës brenda kopertinës së kësaj vepre është hapësira ku gjithkush prej nesh e gjen një copëz nga vetvetja jonë në raport me realitetin e motit ku frymojmë. Në dorën që shtrëngonte çelësat e shtëpisë së vjetër, ndieu dhimbje… Një psherëtimë e zgjatur i doli nga shpirti. E kuptoi se ishte psherëtima e humbjes përfundimtare. Psherëtima e humbjes së pakthyeshme,” – këto janë fjalet përmbyllëse të romanit me autor Bujar Skëndo./Exlibris / KultPlus.com

Intelektualit indiferent

Poezi nga Dritëro Agolli e shkruar në vitin 1993

Në vite të zgjebur, të rrjedhur nga guvat,
Zbret pas historia si rrotë
Dhe ngjiten në kodër hajdutët dhe kurvat
Të shajnë e të nëmin heronjtë.
Dhe ti i zgërlaqur , kur shpohen kambanat,
Në sofër më hesht si bizele,
Paçka se kusarët, paçka se putanat
Heronjtë i mbështjellin me zhele./ KultPlus.com

EU4Culture, festë në Kalanë e Bashtovës

Për dy ditë me radhë Kalaja historike e Bashtovës u gjallërua nga një festival arti, kulture, muzike dhe aventurash në natyrë. Në ditën e parë, u organizua një panair artizanal me prodhime vendase, shfaqje muzikore tradicionale dhe bashkëkohore, si dhe fjalime nga kryetarët e bashkive të Kavajës dhe Rrogozhinës, përfaqësues të Bashkimit Evropian, delegatë të UNOPS-it dhe zyrtarë të Ministrisë së Kulturës.

Në ditën e dytë pjesëmarrësit patën mundësinë të eksplorojnë dy rrugë biçikletash nëpër Kavajë dhe Rrogozhinë. Itinerari mund të ndiqet lehtësisht duke përdorur platformën routes4culture.com dhe vendosjet e tabelave të reja, të vendosura në pikat kyçe.

EU4Culture thotë se ka si qëllim që festivali të bëhet një festë e përvitshme e trashëgimisë së pasur kulturore dhe natyrore të rajonit.

Eventi u organizua si pjesë e projektit Routes4Culture, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, përmes programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në koordinim me Ministrinë e Kulturës. /ATSH /KultPlus.com

Tirana Film Office anëtarësohet në Rrjetin Europian të Komisioneve të Filmit

Tirana Film Office është zyrtarisht anëtare e familjes së madhe të Rrjetit Europian të Komisioneve të Filmit (European Film Commission Network).

Rrjeti ku TFO u anëtarësua, përfaqëson aktualisht 98 komisione nga 31 shtete europiane. Me këtë anëtarësim Tirana Film Office e bën pjesë të networkut europian territorin e Tiranës por njëkohësisht edhe të të gjithë Shqipërisë. Nëpërmjet këtij rrjeti cdo kineast europian do ta ketë më të lehtë të informohet rreth alternativës që Shqipëria ofron me potencialin e saj të lokacioneve në realizimin e projekteve kinematografike ndërkombëtare.

Misioni i këtij rrjeti është: Shkëmbimi i informacionit ndërmjet anëtarëve për përmirësimin e kërkimit të vendxhirimeve (locations) dhe rritjen e mundësive të xhirimit. Prioritet është gjithashtu kryerja e trajnimeve profesionale për anëtarët e European Film Commission Network, ndërmjetësimi i komisioneve të filmit me institucionet publike, organizatat turistike, komunitetin evropian dhe industrinë e filmit. Rrjeti Europian i Komisioneve të Filmit mbështet dhe inkurajon krijimin e komisioneve të reja të filmit.

“Tirana Film Office” është pjesë e Agjencisë së Industrive Kreative në Bashkinë e Tiranës./ atsh / KultPlus.com

Në Tiranë koreografi i famshëm Willi Dorner, nesër audicioni për performancën e tij

Koreografi austriak Willi Dorner vjen për herë të parë në Shqipëri. Dorner, një koreograf i njohur ndërkombëtarisht, vjen në Tiranë në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, për performancën “Bodies in Urban Spaces”. E veçanta e kësaj performance është lidhja që krijon mes arkitekturës dhe koreografisë.

Punëtoria dhe performanca e tij do të realizohet në tetor, në kuadër të Javës Austriake, por nesër do të kryhet përzgjedhja e pjesëmarrësve në “Bodies in Urban Spaces”.

Shoqata DoART ka ftuar të marrin pjesë të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesë e punëtorisë së Dorner-it.

Performanca e krijuar prej Dorner-it, “Bodies in Urban Spaces”, është shfaqur në mbi 110 qytete të botës, si: New York, Londër, Moskë, Vjenë, Sao Paolo, Montreal, Macau, Paris, Sidnej, Kopenhagen, Berlin etj. Tashmë edhe Tirana do të ketë pjesë në këtë hartë.

Performanca mirëpret çdokënd që është elastik, është marrë me kërcim, akrobaci, joga apo sporte të ndryshme.
Audicioni është nesër, 14 shtator, ora 17:00 dhe pjesëmarrësit duhet të paraqiten me veshje të përshtatshme për ushtrime fizike, pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Të përzgjedhurit, do të jenë pjesë e workshopi-it dhe performancës që do të realizohet në kuadër të Javës Kulturore Austriake në datat 23-29 Tetor 2023. / atsh / KultPlus.com

Bebe Rexha merr vëmendje në paraqitjen e saj në MTV VMA 2023 (FOTO)

Pasi tha se mund të mos marrë pjesë në MTV Video Music Awards 2023, ylli i popit, 34 vjeç, Bebe Rexha goditi tapetin e kuq të shfaqjes së çmimeve me një veshje të guximshme.

Për spektaklin, Rexha ka veshur një fustan të zi lëkure të kompletuar me rripa. Tashmë mbresëlënëse nga përpara, fustani në formë, i gjatë deri në dysheme ishte edhe më i mprehtë nga mbrapa.

Kur këngëtarja e “Meant to Be”, prezantuese në ceremoni, u kthye në tapetin rozë, ajo zbuloi dy prerje rrethore në të pasmet e saj.

“Unë dua të vesh fustanin tim dhe me të vërtetë dua të shkoj për të festuar nominimin tim dhe nominimet e miqve të mi, por ndihem sikur ankthi më merr më të mirën”, tha këngëtarja përpara ceremonisë. / KultPlus.com

Rita Ora shfaqet elegante në të zeza në tapetin e kuq të MTV VMA 2023

Këngëtarja 32-vjeçare Rita Ora kaloi në tapetin e kuq e veshur me një fustan të gjatë të zi me shpatulla të zhveshura mbrëmjen e së martës (12 shtator) në Qendrën Prudential në Newark, N.J.

Rita mori pjesë në shfaqjen e çmimeve me bashkëshortin e saj Taika Waititi, megjithëse ai nuk është fotografuar këtu.

Paraqitja e Ritës në VMA vjen një ditë pasi mori pjesë në sfilatën e Michael Kors në Nju Jork së bashku me shumë yje të tjerë!

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u drejtua nga Nicki Minaj, duke shënuar vitin e saj të dytë radhazi në këtë rol. Është hera e parë që ceremonia mbahet të martën.

Duke u transmetuar drejtpërdrejt në më shumë se 150 vende, spektakli global i mbushur me fansa nderon videoklipet më të mira të vitit të kaluar me performanca të paharrueshme, homazhe epike dhe paraqitje mahnitëse nga yjet më të mëdhenj të muzikës./ KultPlus.com

NEWARK, NEW JERSEY – SEPTEMBER 12: Rita Ora attends the 2023 MTV Music Video Awards at the Prudential Center on September 12, 2023 in Newark, New Jersey. (Photo by John Nacion/WireImage)
NEWARK, NEW JERSEY – SEPTEMBER 12: Rita Ora and Justin Timberlake attend the 2023 MTV Video Music Awards at Prudential Center on September 12, 2023 in Newark, New Jersey. (Photo by Kevin Mazur/Getty Images for MTV)

Taylor Swift dominon MTV Awards 2023 me 9 çmime, nuk munguan as emrat shqiptarë

Këngëtarja amerikane Taylor Swift ka kryesuar në nominimet e këtij viti në MTV Video Music Awards 2023.

 33-vjeçarja ka rrëmbyer plot 9 çmime që përfshijnë: “Videon e Vitit”, “Këngën e Vitit”, “Muzikën Pop më të mirë”, “Regjinë më të mirë”, “Kinematografinë më të mirë” dhe “Efektet Vizuale më të Mira”, të gjitha për këngën “Anti-Hero”.

 Artistja fitoi në çdo kategori ku u nominua, duke u bërë këngëtarja e parë që fitoi videon e vitit dy herë radhazi dhe duke zgjeruar rekordin e saj.

 “Më pëlqen të bëj muzikë pop, më pëlqen të bëj video muzikore pop, më pëlqen gjithashtu të bën country. Më pëlqen të bën zhanre të ndryshme dhe e vetmja arsye që më lejohet ta bëj këtë  sepse ju fansat më dhatë mundësinë për ta bërë këtë”, shprehet Taylor Swift.

Po ashtu Beyonce, Doja Cat, Karol G, Niki Minaj dhe Shakira iu bashkuan Swift-it si të përzgjedhurat për artistin e vitit, duke shënuar herën e parë që nga prezantimi i kategorisë në vitin 2017 që të gjithë kandidaturat për artistët e vitit janë vajza.

 Mbrëmjes së muzikës iu bashkuan emrat më në zë si Demi Lovato, Sam Smith,  Nicky Minaj, Miley Cyrus etj. Ajo që ra sërish në sy ishte energjia e këngëtares latine Shakira, e cila performoi një kolazh hitesh të gjithë karrierës së saj.

 Por edhe këtë vit në kompeticionin më të madh të muzikës në Shtetet e Bashkuara nuk munguan as emrat shqiptarë. Rita Ora, e cila shkëlqeu në tapetin e kuq, ishte mes prezantuesve të këtij organizimi. Ndërkohë, Dua Lipa u nominua në dy kategori, së bashku me Bebe Rexhën. / KultPlus.com

“Shtëpia me gjethe” tërheq turistë, vizitorët e huaj njihen me teknikat dhe paisjet e përgjimit në komunizëm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” vijon të jetë në vëmendje të turistëve çdo vit e më shumë. Historia e regjimit diktatorial dhe e diktatorit Enver Hoxha, metodat e përgjimeve, dokumente dhe artefakte të ruajtura prej dekadash mbetet në interesin e të huajve David dhe Kimberley janë një çift anglez, të cilët për shkak të degës në të cilën kanë studiuar, fokusin më të lartë e kanë për pjesën historike të Shqipërisë.

David Segal – turist anglez

“Kam studiuar degën e historisë dhe ishim shumë të interesuar të shihnim këtë vend. Të njihemi me këtë pjesë të së shkuarës si dhe gjithçka ka ndodhur këtu. Ne vijmë nga Londra e njohim Shqipërinë por jo historinë e saj. Tani që jam këtu dhe më i interesuar për të mësuar rreth vendit tuaj pasi di që Shqipëria është një shtet i vogël. Jo shumë i njohur por që njerëzit duhet ta vizitojnë veçanërisht për historinë që mbart”.

Një tjetër vizitore e muzeut ka ardhur nga Korea e Veriut, dhe këtë godinë e sheh si pikë e përbashkët e historisë së vendit të saj me Shqipërinë.

“Jam këtu prej një jave, kam ardhur dje nga Saranda për në Tiranë. Do të qëndroj dhe 4-5 ditë të tjera pasi po më pëlqen shumë ky vend. Jam interesuar shumë për pjesën historike dhe kam kuptuar që ka shumë histori të trishtueshme dhe të pathëna. Vij nga Korea e Veriut dhe ky vend po më kujton shtëpinë time. Ka diçka shumë interesante dhe kuptimplotë që na bashkon dhe ajo është historia e përbashkët e komunizmit dhe periudha e njëjtë që kemi jetuar të izoluar.”

Drejtoresha e Muzeut, Etleva Demollari flet për shifra në rritje krahasuar me një vit më parë.

Ky muze i njohur si “Muzeu i Përgjimeve” është hapur për herë të parë në maj të vitit 2017./ KultPlus.com

Muzeu “Marubi” sjell programin e Ditëve Europianë të Trashëgimisë

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” sjell programin e Ditëve Europianë të Trashëgimisë në mes datave 12-16 shtator. Tematika e Ditëve Europiane të Trashëgimisë 2023 është “Trashëgimia e Gjallë” që i referohet praktikave, dijeve dhe mjeshtërive që janë tejçuar ndër breza e që promovojnë në ditët e sotme, diversitetin kulturor dhe kreativitetin.

Këtë vit, Muzeu Marubi ka ndërtuar një program i cili i kushtohet ekspozitës së përkohshme të vëllezërve Janaki e Milton Manaki, fotografë e kineastë, ndër më të rëndësishmit e Ballkanit të fillim shekullit XX, përmes punëtorive dhe kontributeve të studiuesve të fushave të ndryshme të cilët hedhin dritë mbi historinë e krijimtarinë e Manakëve apo trajtojnë rituale që i gjejmë të pasqyruara në imazhet e tyre.

Duke nisur nga punëtoritë, pjesë e programit të edukimit mbi ekspozitën e duke vijuar me bisedat me Igor Stardelov, studiues e përgjegjës i arkivit të filmit në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut dhe Mikaela Minga muzikologe e cila do të prezantojë me një hulumtim të sajin mbi muzikën arumuno-vllehe, Ditët e Trashëgimisë përmbyllen të shtunën në darkë, me shfaqjen e dokumentarit të regjisores Eliza Zdru, i cili zë fill nga një fotografi e ruajtur në albumin e famijes që e nxit të rrugëtojë nëpër Ballkan, në kërkim të gjurmëve të Janaki dhe Milton Manaki.

Ky program është një nga stacionet e KultArt 2023, i mbështetur nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

“Radio Eska”: Shqipëria destinacioni perfekt për pushime të përballueshme

Shqipëria ndodhet në pjesën juglindore të Evropës. Ajo kufizohet me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë dhe ka dalje ne detet Adriatik dhe Jon.

Shqipëria është një ndër destinacionet më të pëlqyera nga pushuesit dhe eksploruesit që përveç relaksit në resorte, duan të eksplorojnë edhe vende të panjohura dhe misterioze, shkruan në një artikull Joanna Dembek të botuar në radiostacionin polak “Radio Eska”.

Një javë pushime në Shqipëri kushton deri në 320 euro

Shqipëria është destinacioni ideal për të kaluar pushimet, pasi ofron plazhe të bukura me rërë të rrethuara nga kodra mahnitëse, ujëra bruz dhe temperatura ideale.

Plazhet më të njohura në këtë rajon ndodhen në, Ksamil, Gjipe, Dhërmi, Borsh, Drimadhes, Mango, Jalë dhe Sarandë.

Në Shqipëri mund të admironi peizazhet e mrekullueshme të pasura me shkëmbinj, laguna, shpella dhe male.

Në veri, mund të provoni të ecni në Alpet Shqiptare ose të vizitoni liqenin e bukur të Komanit të rrethuar nga kodra të pyllëzuara dhe shpate të pjerrëta.

Vizitorët rekomandohen të bëjnë një udhëtim në Gjirokastër, qyteti i njëmijë shkallëve dhe në Berat, qyteti i njëmijë dritareve.

Të dy qytetet janë përfshirë në listën e UNESCO-s si qytete-muze.

Shqipëria ofron një klimë fantastike mesdhetare. Në verë, temperatura mesatare arrin afërsisht 30-40 gradë Celsius.

Shqipëria është destinacioni perfekt për pushime të përballueshme.

Vizitorët mund të akomodohen me çmime që variojnë nga 15 euro deri në afërsisht 170 euro për natë.

Një nga çmimet më të ulëta të ofruara nga agjencitë e udhëtimit është afërsisht 320 euro për person për shtatë netë.

Gjithashtu, për një darkë të shijshme në restorant do të paguani rreth 6-10 euro. /atsh / KultPlus.com

Kryeministri Albin Kurti premton stadium nacional

Infrastruktura sportive në Kosovë do t’ia shohë hairin organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Kjo pasi objektet sportive që do të ndërtohen për ta pritur këtë garë prestigjioze, më pas do t’iu mbesin në pronësi sportistëve, klubeve dhe Federatave sportive.

E kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka premtuar sot ndërtimin e një stadiumi nacional për organizimin e Lojërave Mesdhetare, të cilat vendi ynë do t’i organizojë pas shtatë vjetësh, shkruan “Gazeta Express”.

Kurti ditë më parë theksoi se Qeveria i ka ndarë 250 milionë euro për organizimin e Lojërave Mesdhetare, ndërsa pjesë e tyre do të jetë edhe ndërtimi i stadiumit nacional, i shumëpërfolur tashmë në vendin tonë.

Për momentin, vendi ynë e ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s dhe ai është “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Ky është një moment historik për ta dëshmuar potencialin tonë që të bëjmë punë të mëdha. Numri total i objekteve sportive në projektiv fillestar është 24. Djjetë objekte sportive do të rinovohen, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Do të jenë katër ndërtime, përfshin stadiumin nacional, kompleksin e pishinave dhe tenisit, poligonin e shenjëtarisë. Pesë investime infrastrukturore të përkohshme dhe pesë projekte të tjera që janë në ndërtim apo përfundim, përfshirë stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe stadiumin në Gjilan”, theksoi sot kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Lokacioni i stadiumit nacional ishte zhvendosur disa herë, herë në Bërnicë e herë në Drenas, ndërsa zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani theksoi se për lokacionin e stadiumit nacional do të dihet pas studimit të fizibilitetit. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Shfaqet i restauruar filmi “Mësonjëtorja”, mbrëmje emocionuese mes artistësh

Në Pallatin e Brigadave u shfaq filmi i restauruar “Mësonjëtorja”, me praninë e një pjese të aktorëve, grupit realizues dhe entuziastëve të kinematografisë shqiptare.

“Një mbrëmje emocionuese mes artistësh, familjarë të atyre që s’janë më dhe i kujtojmë me nderim, dhe që lanë gjurmë në kinemanë shqiptare”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ishte e pranishme në këtë ngjarje.

Në sallën e projektimit ka qenë skenaristja Natasha Lako, disa nga aktorët kryesore si Roza Anagnosti, Ardian Cerga e Petrika Riza, e pranë tyre dhe familja e regjisorit të ndjerë, Muharrem Fejzo. Ministrja Margariti ka kujtuar regjisorin Fejzo, piktorin e filmit Ilia Xhokaxhi, operatorin Ilia Terpini e aktorin Gulielm Radoja, disa prej shtyllave të filmit-ikonë, të cilët nuk janë më në jetë.

“Nuk i kishim mes tonë për të festuar lajmin e mirë, jo vetëm të shpëtimit të një filmi, por edhe të ngritjes së një laboratori pranë AQSHF-së, që digjitalizimi dhe restaurimi të kryhet pranë institucionit tonë”, ka deklaruar ministrja e Kulturës.

“Mësonjëtorja” është pjesë e trashëgimisë sonë filmike, që mban të gjallë veprën dhe kujtimin e artistëve tanë të mëdhenj.

Restaurimi i këtij filmi, muzika e të cilit mban firmën e Limos Dizdarit, u realizua falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Harabel Contemporary Art Platform dhe ABI Bank./ atsh / KultPlus.com

‘Trotuaret nuk janë për vetura’, vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike për qytetarët

Sot në rrugën “Gazmend Zajmi”, po vazhdon implementimi i projektit për lirimin dhe ofrimin e sigurisë në hapësirat publike për qytetarë.

“Trotuaret nuk janë për vetura”, thuhet nga Komuna e Prishtinës e cila po vazhdon punën në këtë drejtim.

Duke ditur se për Sektorin e Mobilitetit prioritet është lëvizja aktive për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe të gjithë këmbësorët e tjerë, atëherë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike është shprehur se nuk do të ndalen deri në lirimin e të gjitha hapësirave publike për qytetarë. / KultPlus.com

Vojvoda e ka një porosi për Rumaninë dhe për FIFA-n

Mërgim Vojvoda ishte protagonist i ndeshjes me Rumaninë mbrëmë duke e bërë shqiponjën dykrenore me duar si përgjigje ndaj tifozëve rumunë, të cilët bënë provokime skandaloze me pankarta dhe me thirrje kundër Kosovës.

E mbrojtësi kosovar e bëri një postim mbrëmë në rrjetet sociale, përmes së cilit e shfaqi krenarinë që është shqiptar ai dhe shokët e skuadrës.

Futbollisti anësor e konsideroi të turpshme mënyrën se si rumunët mendojnë për Kosovën, ndërsa kërkoi nga FIFA që ta bëjë punën e saj dhe të bëjë që në këtë lojë të dominojë respekti.

Ky postim i Vojvodës vjen pas deklaratave të fuqishme që i dha mbrëmë pas lojës.

“Kemi derdhur gjak për këtë shtet, dhe këta (rumunët) na shanë shtetin. Nuk u deshtë të kthehemi në fushë. Racizëm i pastër, na trajtuan si zezakët qe i trajtojnë racistët duke i krahasuar me majmunë. Këtyre u qoftë falë që nuk është gjallë Adem Jashari”.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e futbollistit kosovar të Torinos. /Express/ KultPlus.com

38 vite nga vdekja e Odhise Paskalit, themeluesi i skulpturës shqiptare

Odhise Paskali, cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

U lind në Përmet më 22 dhjetor të vitit 1903, i biri i Paskal Thanasit dhe Kaliopesë së Lami Papadhimitrit. I ati në fillim qe sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblarë, Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipe e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë. në hapësirën e viteve 1903 – 1919, ka jetuar e qëndruar pranë familjes, me prindërit, Paskalin e Kaliopin, si dhe me tri motrat, me Uraninë, me Angjeliqinë dhe me Elpiniqin, në qytetin e Përmetit (1903 – 1910, 1914 – 1919, me disa muaj qëndrimi larg qytetit gjatë vitit 1916), në Koblarë (1911 – 1914) dhe në Frashër (nga maj deri në shtator apo tetor 1916). Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, ku më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.

Më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë.

Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja. Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë. Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.

Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit, etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që ka më shumë se një vit që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Ndoshta ky bust mund të mos jetë evidentuar nga Galeria Kombëtare e Arteve Figurative. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “I urituri”, “KETI”, “Malësori”, “Luftëtari Kombëtar”, në Korçë “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Ushtari i panjohur”, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968; “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë; “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968; “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”, “Isa Boletini”, “Fan Noli”, “Onufri”, “Jeronim De Rada”, në Tiranë, “Pashko Vasa”, “Zef Skiroi”, “Çerçiz Topulli”, “Naim Frashëri”, “Vojo Kushi”, “Migjeni”, “Enver Hoxha”, “Idriz Seferi”, “Ahmet Zogu”. / KultPlus.com

Lidhja e Dytë e Prizrenit shënon 80 vjetorin, një mori aktivitetesh në këtë përvjetor

Lidhja e Dytë e Prizrenit po shënon 80 vjetorin dhe në përkujtim të kësaj ngjarje, Komuna e Prizrenit ka organizuar një mori aktivitetesh që do të nisin më date 16 shtator në ora 10:00 në Shtëpinë e Bardhë në Prizren.

Lidhja e Dytë e Prizrenit – me nismën e Xhafer Devës, Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Qazim Bllacës dhe Pjetër Vuçajt, më 11 shtator në Bujan te Malesise se Gjakoves / Tropoje u organizua një mbledhje për të shqyrtuar situatën e krijuar pas kapitullimit të Italisë dhe nevojën e ngutshme të ngritjes së një ndërlidhjeje e marrëveshjeje midis krahinave të ndryshme të ish Jugosllavisë, ku jetonte popullsia shqiptare dhe myslimane. Këtë qëllim kishte thirrja e një mbledhjeje të përgjithshme me përfaqësues të viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Tuzit, Ulqinit dhe anëve tjera. 

Mbledhje u organizua në shkallë kuvendi ( në frymën e Lidhjes së Parë të Prizrenit) dhe zhvilloi punimet në Prizren më 16 – 20 shtator 1943 në praninë e 42 delegatëve që përfaqësonin Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Plavën, Vuthajn, Rozhajën, Novi Pazarin, Senicën, Prishtinën, Gjilanin, Mitrovicën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Ohrin dhe Ulqinin.

Kuvendi u mbledh në Prizren, nga data 16 deri më 20 shtator 1943. Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekyekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej: Z.Z, Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi. / KultPlus.com

Grafikat e Italo Kalvinos do të ekspozohen në Qendrën Kombëtare të Librit

Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera vizitoi Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Krijimi i programeve të përbashkëta për mbështetjen e librit shqip në gjuhën italiane, aktivitete të ndryshme me në fokus librin, ishin pjesë e diskutimeve.

Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së Italo Kalvinos një autori i shquar i letërsisë italiane. Një ekspozitë me grafika të tij do të hapet gjatë muajit tetor në Qendrën Kombëtare të Librit.

Italo Kalvino lindi nga prindër italianë, në Santiago de Las Vegas në periferi të Havanës, më 15 tetor 1923 dhe vdiq në Siena, më 19 shtator 1985.

Kalvino ishte shkrimtar italian, intelektual me angazhim të madh politik, civil dhe kulturor. Ai ishte një nga tregimtarët më të rëndësishëm italianë të gjysmës së dytë të shekullit XX. / atsh / KultPlus.com

Për të dytin vit radhazi, Musmurati realizon më së shumti premtime në Komunën e Prishtinës

Organizata joqeveritare GAP ka bërë vlerësimin e punës së Komunës së Prishtinës dhe premtimeve të bëra në fushatë. Ashtu si vitin e kaluar, edhe sivjet Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës e ka pasë performancën më të mirë sa i përket përmbushjes së premtimeve.

Drejtoria e Arsimit e udhëhequr nga Besianë Musmurati, ka realizuar apo është në proces të realizimit të 18 nga 23 premtime gjithsej, ndërsa 5 premtime tjera nuk kanë filluar ende. Përkthyer në përqindje, i bie se 80% e premtimeve në fushën e arsimit janë përmbushur ose janë drejt përmbushjes.

Janë edhe tri drejtori të tjera që ia vlen të përmenden, e që janë Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Bujqësisë dhe ajo e Shërbimeve Publike. Që të trija i kanë përbushur ose janë në proces të realizimit të rreth 70% të premtimeve.

Ndërsa në përgjithësi, Kryetari Përparim Rama nga 206 premtime gjithsej, 85 nuk i ka filluar ende. Kjo do të thotë që Komuna e Prishtinës ka filluar realizimin e përgjithshëm të vetëm 40% të premtimeve./ Nacionale / KultPlus.com

Kosova nuk merr pikë ndaj Rumanisë, shuhen shpresat për “EURO 2024”

Ndeshja në “Nations Arena” solli një humbje të dhimbshme për Kosovën, shkruan KultPlus.

Dardanë u mposhten me rezultatin 2-0 kundër Rumanisë, duke ulur shpresat për kualifikim në Euro 2024.

Tabela aktuale vendos Zvicrën në krye me 14 pikë, ndërsa Kosova renditet në vendin e pestë me vetëm 4 pikë, pas rivalëve më të fortë, Izraelinë, Rumaninë dhe Zvicrën.

Megjithatë, ekipi duhet të vazhdojë të punojë me përkushtim për të arritur qëllimin e tyre dhe përfaqësuar vendin në këtë turne të madh futbolli. /KultPlus.com

Duke pare ende për më të miren

Nga Raymond Carver

Tani që do rrish larg pesë ditë,
do tymos gjithë cigaret që m’i do qejfi,
aty ku ma do qejfi. Do gatuaj biskota dhe do i ha
me reçel e proshutë të dhjamosur. Do ngarritem. Do ia bëj
qejfin vetes. Do shëtis në plazh nëse do ma ketë
ënda. Fillikat, nëse do ma ketë ënda, e
duke menduar për kohën kur isha i ri. Pastaj
për njerëzit që më deshën tej mase.
Dhe sa i desha unë më shumë se të tjerët.
Përveç dikujt. Po them se do bëj gjithçka
që ma do qejfi sakaq që je larg!
Ama veç diçka nuk do bëj.
Nuk do fle pa ty në shtratin tonë të përbashkët.
Jo. Nuk më pëlqen ta bëj.
Do fle aty ku dreqin të ma ketë ënda –
atje ku fle më mirë kur ti je larg
dhe ku s’mund të të shtrëngoj siç bëj unë:
mbi divanin e shembur të dhomës sime të punës.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Kosova U21 humb nga Gjermania 3:0

Kombëtarja e Kosovës U21 ka zhvilluar sot ndeshjen e tretë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025.

“Dardanët” nuk arritën t’i bëjnë ballë favoritit të Grupit D, Gjermanisë.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” Kosova bëri paraqitje të mirë, por ishte e pafat.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani me shumë kujdes kishte ndërtuar formacionin me të cilin do ta luftonte Gjermaninë në fushë.

Në portë ai vendosi Leo Besson, mbrojtjen ia besoi Florian Haxhës në krahun e majtë dhe të djathtin Gërxhaliut, derisa në qendër vendosi Valon Zumberin bashkë me Andi Hotin.

Mesfusha i takoi Adem Podrimajt, Milot Avdylit dhe Veton Tushës, derisa në krye të sulmit përzgjedhësi i Kosovës U21, vendosi Ardit Tahirin i cili krah të majtë kishte Besfort Zenelin, ndërsa në të djathtë në pozitën e sulmuesit ishte Arian Llugiqi.

Me këtë përbërje, Kosova përmbylli pjesën e parë 0:0.

Në pjesën e dytë Gjermania me çdo kusht e kërkonte golin derisa në minutin e 74-të, Youssoufa Moukoko e shënoi të parin.

Katër minuta më vonë, “pancerët” thelluan epërsinë dhe i njëjti futbollist shënoi golin e dytë.

Die Mannschaft dominoi në vazhdimësi, derisa një minutë parase ndeshja të përfundoi, Colin Kleine Bekel shënoi për 3:0, çka ishte edhe rezultati përfundimtar. /KultPlus.com

Ndërpritet ndeshja Rumani – Kosovë, tifozët me mesazhe skandaloze ndaj shqiptarëve

Është ndërprerë ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës.

Gjyqtari kryesor ndeshjes ka vendosur për ndërprerjen e ndeshjes, pasi disa tifozë rumun kanë ndezur mjete piroteknike, shkruan Gazeta Express.

Ata gjithashtu kanë shfaqur mesazhe skandaloze kundër shtetit të Kosovës.

Rumunët po dëgjohen që nga fillimi i ndeshjes duke brohoritur “Serbia, Serbia”.

Ekipet janë larguar drejt zhveshtoreve. /Gazeta Express/ /KultPlus.com

Javët Kulturore Ndërkombëtare sjellin në TKOB arkitektin londinez Peter Cook

Një surprizë e bukur e Javës Britanike mblodhi bashkë profesionistë të fushës dhe pasionantë pas arkitekturës.

“Peter Cook, një nga arkitektët më të mëdhenj britanikë dhe një personalitet i shquar i arkitekturës dhe artit bashkëkohor, na bëri pjesë të rrëfimit të tij profesional, në një rrugëtim nga projekti në projekt, në ndërhyrjet e guximshme që kanë shenjuar hapësirat publike jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ishte e pranishme në takimin e zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.

I pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith.

Sir Peter Cook nga CHAP Studios, Londër, është një nga figurat më të rëndësishme të arkitekturës për rreth gjysmë shekulli. Prania e tij në Tiranë solli një leksion frymëzues e të vyer për arkitektë, studentë e profesionistë të fushave të ndryshme.

Ndikimi i tij në arkitekturë, vjen prej morisë së projekteve të suksesshme dhe novatore në të gjithë globin, duke përmendur kësisoj Archigram, një grup eksperiementalist radikal me themelues Sir Peter Cook, që ka fituar çmime të ndryshme dhe ka ndikuar masivisht në arkitekturën botërore. /ATSH /KultPlus.com