Në kalendarin e ditëve ndërkombëtare, shpallur nga Kombet e Bashkuara, dita e sotme është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë. Në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milionë gra, pothuajse një në tre, i janë nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale, të paktën një herë në jetën e tyre.
Kjo plagë është intensifikuar në mjedise të ndryshme, duke përfshirë vendin e punës dhe hapësirat në internet, dhe është përkeqësuar nga efektet post-pandemike, konfliktet dhe ndryshimet klimatike.
OKB jep alarmin për faktin sepse përpjekjet e kombeve për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave mbeten jashtëzakonisht të pakta.
Për shembull, vetëm 5% e ndihmës qeveritare është e përqendruar në trajtimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, dhe më pak se 0.2% drejtohet për parandalimin e saj.
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave do të shënojë nisjen e fushatës UNiTE (25 nëntor – 10 dhjetor) – një nismë prej 16 ditësh aktivizmi që përfundon në ditën që përkujton Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor). Slogani i kësaj fushate është “Nuk ka justifikim” (No Excuse)./KultPlus.com
Kanë mbetur vetëm edhe 2 ditë deri në mbyllje të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, konkurs ky i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus” tash e gjashtë vite.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.
Juria profesionale e këtij edicioni ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.
Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.
Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com
Inspektorati i Prishtinës nën asistimin e zyrtarëve policorë, mbrëmë kanë kontrolluar disa lokale në kryeqytet, për ta parë nga afër respektimin e rregullores që ndalon zhurmën, orarin e punës, si dhe rregullave të tjera me të cilat funksionojnë bizneset.
Inspektorati ka postuar disa fotografi, ku shihet se kanë qenë në disa lokale, megjithatë, ende nuk ka dhënë detaje nëse është gjetur ndonjë shkelje.
Përndryshe, rregullorja e orarit dhe ndalimit të zhurmave në Prishtinë, ka hyrë në fuqi para tre muajve dhe deri tash janë shqiptuar rreth 100 gjoba.
Projekti i mbrojtjes nga ndotja akustike po implementimet përmes instalimit të matësve të zhurmës në bizneset e gastronomisë. Me këtë rregullore përcaktohet orari i punës për subjektet afariste në sektorin e gastronomisë, si dhe parandalimi dhe shmangia e efekteve të dëmshme, përfshirë bezdisjen e qytetarëve si rezultat i ekspozimit të zhurmës të krijuar nga sektori i gastronomisë. Zonat në të cilat mund të ushtrohet veprimtari sipas orarit të përcaktuar në këtë rregullore përfshijnë zonën urbane, industriale dhe zonën rurale./ KultPlus.com
Bora ka mbuluar Kosovën, ashtu siç kishin paralajmëruar meteorologët ditë më parë. Në kryeqytet, reshjet e borës po vazhdojnë që nga mëngjesi.
Sipas “Mendimi për motin”, periudhat me shi e borë pritet të na përcjellin edhe gjatë javëve të ardhshme.
“Pas të reshurave nga mesi i javës vijuese, duke kaluar në ditën e parë të dhjetorit, priten intervale me diell, por se nuk paraqiten kushte për të reshura. Maksimalet sërish pësojnë rënie nga 5C të martën, deri në 0C e 2C, ndërkaq ato minimale deri në -6C. Nga fundjava e ardhshme, sërish mundësi për të reshura shiu, që me rënie të temperaturave, shndërrohen në reshje bore. I ndryshueshëm mbetet moti në javën e parë të dhjetorit, pas datës 4, me mundësi për shi e borë. Maksimalet shkojnë deri në 4C e 5C, derisa ato minimale mbesin nën 0C”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po kujdesen që rrugët e kryeqytetit të jenë të pastra dhe lehtë të qarkullueshme, pas reshjeve të borës.
Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes.
“Bora e parë ka mbuluar Prishtinën tonë me një veshje të bardhë magjike! E ne po kujdesemi që rrugët tona të jenë të pastra e lehtë të qarkullueshme për të gjithë. Të dashur qytetarë, keni kujdes gjatë ngasjes së veturave. Le ta përcjellim borën e parë me dashuri dhe kënaqësi! 🧣🧤”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com
Shërbimi gjeologjik në Brazil ka zbuluar një specie të re të dinozaurëve, një kafshë të shpejtë që kishte jetuar në shkretëtirë gjatë periudhës së hershme të Kretakut. Specia e re ishte një kafshë e vogël mishngrënëse e gjatë 60-90 centimetra.
Gjurmët që janë gjetur në Brazil dallojnë nga gjurmët e gjetura të dinozaurëve në pjesë të tjera të botës, ka thënë paleontologu i Muzeut të Shkencave të Tokës në Brazil, Rafael Costa. Periudha e hershme e Kretakut daton nga 100 deri në 145 milionë vjet më parë. Fosilet e dinozaurëve në Brazil fillimisht u gjetën në vitet ’80 nga prifti dhe paleontologu italian, Leonardi./alsatm/KultPlus.com
Rotarianët gjakovarë patën një takim të ngrohët dhe miqësor me shkrimtarin e publicistin e njohur Agim Gjakova, në qendrën e re tē pensionistëve të Gjakovës, donacion ky i Klubit Rotary të Gjakovës.
Fillimisht, z. Agim Gjakova para se të rrëfente rrugëtimin e tij jetësorë tejet interesant dhe të bashkëbisedonte me të pranishmit, i dhuroj qendrës tërë kommpletin e veprave të tij (24 libra) të botuara deri tani, libra këta të gjinive të ndryshme. Përveç kësaj rotarianët gjakovarë patën rastin të përjetojnë edhe disa recitime emocionuese nga vet z. Gjakova të disa poezive të njohura të tij.
Më pas u zhvillua një bisedë interaktive mjaft interesante rreth situates aktuale në Kosovë, Shqipëri dhe rajon në shumë fusha që preknin fushëveprimtarinë e A. Gjakovës, sidomos për gjendjen kulturore, letrare, mediale dhe politike të mediave në hapësirën mbarëshqiptare dhe me më gjërë
Në fund kryetari i rotarianëve të Gjakovës z. Agron Abrashi i ndau një mirënjohje z. Agim Gjakova për kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë dhe publicistikës.
Z. Gjakova gjatë këtij takimi duke folur për potencialin intelektual në të gjitha fushat e jetës në Kosovën e pasluftës, por edhe në Shqipëri tha se lë shumë për të dëshiruar. “Të gjitha pozitat me rëndësi këtu por edhe andej kufirit, i delegojnë partitë politike për meritokraci të paqenë e jo pse janë të thirrur për ato poste”!
Duke u përgjigjur një pyetjeje nga një i pranishëm për punën që nuk po e bëjnë arsimi, kultura, mediat,etj por edhe për akulturimin në Kosovë, A. Gjakova theksoi se “ Fajtor për gjithë këtë është politika dhe politikanët tanë! Për këtë e kemi si e kemi gjendjen e artit e kulturës, por edhe të letërsisë dhe mediave.Gjithkush është bërë shkrimtarë e gazetarë. Vetëm Kossva është pa gazeta e revista në mbrë Evropën ! Kemi media, sidomos televizive, të hapura nga dhe për interesa të partive politike, Shiqoni si është katandisur arsimi etj etj. Kosova dhe populli i saj nuk e ka merituar këtë”!
Ndërsa pyetjes se a ndihet më mirë në Kosovë (në Gjakovë) apo në Shqipëri, Agim Gjakova tha “Ndihem njësoj, si në Shqipëri edhe në Kosovë! Jetën si shkrimtar mes dy kufijve shqipfolës e kam përballuar jo vetëm në vitet e tranzicionit, por edhe gjatë regjimit komunist ku duhej që të përgjigjesha për subjektet e veprave të tij në një nga plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve. Megjithatë, z. Gjakova tha se në të dy vendet është ndier njësojë. “Më pyesin, si e ndiej vetën në Kosovë, si në Shqipëri? Unë e ndiej veten njësoj, pasi dhe këtu edhe atje kam shoqërinë time. Nuk e ndiej veten ngushtë në asnjë vend. Si shkrimtar gati njëlloj, siç kam qenë këtu gjysmë i injoruar këtu dhe atje, pasi kur punova në shtyp se kam kursyer klasën pseudo-intelektuale të Kosovës. Prej kësaj ka pas përpjekje që të veprën time ta bojkotojnë, por s’kanë mundur”, theksoj ai.
Kurse interesante ishte përgjigjja e tij lidhur me komunikimin e letërsisë shqipe me lexuesin, A. Z. Gjakova u shpreh se interesi që kanë institucionet tona kulturore për ta zhvilluar më tej atë është i vakët. “Më duket sikur është njëlloj, sa i përket mënyrës institucionale, sa i përket letërsisë, si në Shqipëri dhe në Kosovë. Këshilli i Librit nuk është për të vendos sesa lekë duhet dhënë njërit e sa tjetrit, por që ta meritojnë atë vlerësim. Në Shqipëri ende ka mbet e vjetra, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Pra e kam fjalën që është një farë lloj shabllonizmi i institucioneve tona, duke u nis nga universitetet e më tej, që nuk interesohen shumë për gjetjen e talenteve të reja. Pavarësisht sistemit, në kohën e monizmit inkurajoheshin talentet e reja. Ishin brenda kornizave ideologjike, por interesoheshin për të rinjtë”, përfundoi shkrimtari e publicisti Agim Gjakova.
Agim Gjakova, bir i dy mësuesve dhe patriotëve gjakovarë, u lind në Kavajë. Shkollën fillore edhe të mesme i kreu në Gjakovë. Studimet e larta i kreu në Beograd e më pas në Tiranë kreu letërsinë franceze
Ai është shkrimtar i dy anëve të kufirit, i cili pas mbarimit të shkollës Normale në Gjakovë, shkoi student në Beograd në fakultetin filozofik. Ndjenjat e tij atdhetare nuk e lanë të qetë edhe atje ku bashkë me shokët e kolegët e tij të tjerë shqiptar formoi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”.
Meqë në vitet ’50-ta, konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë me deklaratat e tija të hapura kundër keqtrajtimit të shqiptarëve të Kosovës, u dërgua në internim në kampin e Gerovos në Kroaci, kurse në maj të vitit 1960 zyrtarët e UDB-së e dëbuan në kufirin shqiptar si person të padëshirueshëm për ish Jugosllavinë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, në vitin 1966, kreu studimet në Fakultetin Histori-filologji dega letërsi frenge në Tiranë, mirëpo gjatë gjtihë kohës ishte i ndjekur nga sigurimi i shtetit, ngase nuk ishte i listuar si mbështetës i Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). Përkundër gjithë këtyre peripetive Gjakova arrinë të mbijetoj dhe pas përfundimit të në luftës në Kosovë, u shpërngul në Prishtinë ku edhe jeton dhe vepron.
Agim Gjakova është autor i 22 romaneve, i 12 vëllimeve poetike, i 4 dramave, etj. Kurse i gjithë opusi i tij letrar është përmbledhur në 23 libra voluminozë./KultPlus.com
Këngetari Pino Kakoca (1957), është një arbëresh nga katundi Shënd Dimitër Koroni në Kalabri, prej nga ishte edhe shkrimtari e poeti, Jeronim de Rada. Fakti se kjo pjesë e ka ruajtur më shumë fanatizëm traditën shqiptare dëshmohet edhe përmes kësaj këngë arbëreshe e cila është e lashtë po aq sa gjuha shqipe, shkruan KultPlus.
Kjo këngë flet për martesën e Jurendinës, ndërsa fton burra, gra e vasha të stolisura që të jenë pjesë e këtij ahengu për ta përcjellur martesën e saj me dhurata, valle, daulle, çifteli e dolli. KultPlus po ju përcjellë këtë këngë arbëreshe të shoqëruar me pamje të jetës dhe kulturës arbëreshe në Itali, atje ku ata ruajtën traditën për 600 vite me radhë.
“Ngini (ngitni, ngani), oj gjindë të mira Me dhurat’ e me dafina Se martohet Jurendina E ju, gra më të mëdha Vjershëroni ju në dasmë Lumturinë e Jurendinës E ju, vashës të stolisur Dridhni vallet të nisur Me daull e çifteli Ngrëni qelqet për dolli Më fund e helqni këta raki Për harenë e Jurendinës Dehëni burra se na ndodhet Një ditë çë s’mënd harrohet Na martohet Jurendina Qesh, oj më’, pa lot ndër sy Nusja vete në Venetì E Kostandini është besnik”.
Arbëreshët e Italisë Jugore (pjesa më e madhe) janë me prejardhje nga Shqipëria Jugore nga emigrimet e viteve 1400-1500-ës, si dhe nga viset arvanite të Greqisë jugore të po atyre viteve (pjesa më e madhe e tyre nga Labëria/Viset Çame nën Sarandë (Xarra, Butrinti, Markati apo Konispoli). / KultPlus.com
Këngëtarja rumune Andreea Vilcan, së fundmi ka publikuar një video duke interpretuar njërën ndër këngët më të njohura shqiptare, “Mora fjalë”, kushtuar Komandantit Adem Jashari.
Këngëtarja në fjalë, teska ka publikuar interpretimin e saj, ka thënë që zemra e saj për ngjarjet dhe vuajtjet që ka kaluar Kosova.
“Çka ndodhi në Kosovë uroj të mos ndodhë askund në botë. Kjo këngë flet për historinë e legjendarit Adem Jashari që sakrifikoi tërë familjen për liri. Sot ndërsa po këndoj këtë këngë, zemra ime qan për ngjarjet dhe vuajtjet që Kosova ka kaluar. Ju dua Kosova”, ka thënë këngëtarja rumune, duke treguar mesazhin e tekstit të këngës, bashkangjitur me videon e publikuar./ KultPlus.com
Në freskinë e një vjeshte është bukur, të dridhet shpirti si gjethe mbi mollë – dhe të shohësh parmendën e diellit si çan sipërfaqen e lumit, ujin kaltror.
Është bukur të shkulësh nga trupi Gozhdën e nxehtë të një kënge dhe me fustan të bardhë festiv të presësh trokitje në derën tënde.
Unë mësoj me zemër, mësoj, të ruaj në sytë e mi lulen e egër të qershisë Vetëm vetpërmbajtja ndjenjat ngroh Kur një krisje e hollë gjoksin e gris.
Në heshtje kumbon kambanorja e yjeve, Për mëngjesin çdo gjethe është një qiri. S’do lejoj të futet në dhomën time askënd s’kam ndërmend t’i hap derën kujt assesi./ KultPlus.com
Artizanët e Krujës, së bashku me përfaqësues nga bashkia, komunitetin vendas, Ministria e Kulturës, Delegacioni i BE-së dhe UNOPS, morën pjesë në një ceremoni për të festuar arritjet e projektit “Artizanët mes së shkuarës dhe së ardhmes”, zbatuar nga Fondacioni Progress dhe i mbështetur nga programi i granteve EU4Culture.
Gratë artizane u përfshinë në 12 seanca trajnimi, me në qendër përdorimin e mediave sociale dhe krijimin e përmbajtjeve tërheqëse nga ana vizuale që të marketohen, tregtohen, dhe shiten online në mënyrë të suksesshme.
Si pjesë e projektit, një tabelë informative digjitale është instaluar në hyrje të Pazarit të Vjetër të Krujës, duke shërbyer si një burim i vlefshëm për turistët që kërkojnë informacion mbi artizanët dhe sitet e trashëgimisë kulturore lokale. Për më tepër, kjo tabelë do të përdoret nga bashkia për shpalljet me rëndësi për komunitetin./atsh/KultPlus.com
Sopranoja kosovare sonte do të debutojë në rolin e Tatyana në operën “Eugene Oneigin” të Pushkin, dhe kjo shfaqje operistike po prezantohet në kuadër të edicionit të 53 të Operës dhe Baletit “Fobi” në Bullgari, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje operistike që është punuar nga regjisori Slavcho Nikolov e dirigjent Ivaylo Krinchev sipas sopranos Llugiqi ka qenë shumë sfiduese, duke pas parasysh edhe formatin e një kryevepre të tillë.
“Një kryevepër e tillë ka kërkuar shumë kohë dhe përkushtim dhe ka qenë mjaftë sfiduese”, ka thënë Llugiqi e cila ka shtuar se sfidat rreth këtij projekti kanë vazhduar deri në momentet e fundit, kur edhe po bëhen gati për prezantim.
“Sfidë tjetër ishte edhe gjuha, gjuha ruse, por një sfidë e bukur që po kurorëzohet me sukses”, ka thënë Llugiqi e cila është shprehur të jetë e lumtur edhe për kastën e kësaj shfaqje, pasi që sipas saj kasta e kësaj shfaqje është shumë e mrekullueshme. “Besoj që sonte do të festojmë të gjithë për suksesin e kësaj shfaqje”, ka përfunduar Llugiqi./ KultPlus.com
Sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në sallën “Aleks Buda”, u mbajt forumi “Turizmi 2030: Sfida të turizmit për një edukim cilësor dhe digjitalizim” “, organizuar nga Komisioni i Shkencave Ekonomike, Çështjeve Sociale dhe Juridike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në forum morrën pjesë, studiues, anëtarë të komisionit, pedagogë universiteti. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të politikave ndërkombëtare dhe zhvillimeve të industrisë së turizmit në vendin tonë, veçanërisht në vitet e fundit, por dhe në këndvështrimin e zhvillimit në perspektivë të këtij sektori.
Forumin e çeli akad.Anasatas Angjeli, i cili foli rreth reformës së suksesshme që ka zbatuar Akademia e Shkencave të Shqipërisë në zbatimin e shkencave bazike në ato aplikative . Në këtë rast Komisioni i Shkencave Economike, Çështjeve Sociale dhe Juridike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ofron ekspertizën e duhur për një nga sektorët më jetik të ekonomisë së vendit.
Më andej forumin e përshëndeti Zevendëministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, znj Vilma Bello me temë “ Si do të marketohet Shqipëria në 2030: nevojat për edukim”. Zvministrja Bello theksoi mobilizimin e komunitetit akademik/shkencor për hulumtim të çështjeve të turizmit. Kjo ka një rëndësi thelbësore në zhvillimin e turizmit si sektor dhe në pasurimin përmbajtësor të analizave dhe diskutimeve që ka zgjuar ky sektor. Disa ditë më parë, -vazhdoi ajo- shënuam 9 milionë turistë për këtë vit në Shqipëri – një arritje e jashtëzakonshme për të gjithë sektorët kontribues në turizëm; kjo vjen pas publikimit të fundit të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) të barometrit të turizmit botëror, ku Shqipëria renditet në vendin e tretë në botë dhe të parin në Evropë për rritjen e flukseve të vizitorëve të huaj (+56%) për muajt janar-korrik 2023.
Në takim referuan dhe diskutuan Prof.dr. Klodiana. Gorica me temën “ Sfidat e turizmit shqiptar në kontekstin Rajonal: Edukimi, kërkimi shkencor dhe modele të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm” , akad. asocuar, Kozeta Sevrani me temën “ Zhvillimet e teknologjisë digjitale në turizëm”, Elona Shehu, dhe Eni Nasi me temën, “ Pozicioni i turizmit në ekonominë e Shqipërisë nëpërmjet modelit Input-Output”
Një nga ristë e forumit është lidhja e ngushtë e dijeve bazike me ato të aplikuara. Në këtë kontekst në forum referuan Enver Mehmeti nga kompania turistike VAS TOUR me temën “ Turizmi i qëndrueshëm dhe sezonaliteti”, përfaqësues nga Elite Travel Group me temën “Dixhitalizimi në mikpritje dhe turizëm” dhe Menaxheri i Përgjithshëm Mr. Selcuk Kazan nga Hilton Garden Inn me temën “Roli i biznesit në krijimin e mundësive për forcën e punës në Shqipëri për t’u aftësuar për të punuar në industrinë e hoteleri-turizëm”.
Në fund të forumit pati shkëmbime mendimesh, pyetje dhe përfundime që referuan gjëndjen e turizmit në Shqipëri dhe sfidat për të arritur standartet moderne në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit./KultPlus.com
Ajsbergu më i madh në botë ka filluar lëvizjen pas më shumë se 30 vjetësh i ngecur në fundin e oqeanit.
Ajsbergu i quajtuar A23a kishte ngecur në Detin Weddell duke formuar kështu një ishull akulli.
Sipërfaqja në të cilën gjindej ai, arrinte pothuajse 4,000 km katror, që në zbërthim i bie të jetë dy herë më e madhe se Londra.
Ajsbergët e mëdhenj, siç është edhe ai i quajtur A68 frekuentojnë më shumë oqeanet të cilat kanë më shumë lëndë ushqyese materiale.
Mirëpo, ajsbergu A23a është me të vërtetë i mahnitshëm dhe nuk është vetëm gjerësia e tij që bën përshtypje, sepse kjo pllakë akulli është edhe rreth 400 m e trashë.
Megjithatë, A23a ka pasur një vrull këta muajt e fundit, i nxitur nga erërat dhe rrymat, tani ai po kalon majën veriore të Gadishullit Antarktik.
Studiuesit thonë që është gabim të i mendosh asjbergët si objekte rreziku.
Dr Catherine Walker, nga Instituti Oqeanografik Woods Hole, tha se në shumë mënyra këta ajsbergë janë jetëdhënës, dhe janë pika të origjinës për shumë aktivitete biologjike.
Derisa shtoi se kur këta ajsberg shkrihen ata lëshojnë një pluhur mineral që është burim i lëndëve ushqyese për organizmat që formojnë bazën e zingjirëve ushqimorë të oqeanit.
Ndërsa lëvizja e shpejtë e këtij akulli monitorohet nga Mbretëria e Bashkuar./21Media
Me një ceremoni solemne u organizua shënimi i 79-të vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdanit”, datë kjo që tregon përkushtimin e palodhshëm dhe rikonfirmimin e bibliotekave të vendit tonë, të cilat e ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë letrare të Kosovës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xheladin Krasniqi, kryetari i Këshillit Drejtues, Bardh Rugova, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, përfaqësuesi nga Ambasada Amerikane në Kosovë, Enis Rexhepi, Imzot Don Lush Gjergji, profesor, drejtorë, dhe shumë dashamirë të librit.
Sekretari i MKRS-së, Xheladin Krasniqi gjatë fjalës së tij hyrëse tha se MKRS do të vazhdojë mbështetjen e pa rezervë për projektet që tashmë kanë filluar dhe janë duke u zhvilluar në Bibliotekën Kombëtare të cilat kanë një ndikim të veçantë në zhvillimin dhe transformimin bibliotekar.
Gjatë kësaj ceremonie u ndanë mirënjohje për punën dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e saj gjatë këtyre viteve, po ashtu për nder të shënimit të kësaj dite u hap edhe ekspozita “Nga themelet deri te hapja publike e godinës madhështore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, e cila përmban artikuj të gazetës “Rilindja” nga viti 1973-1983.
Kjo ngjarje u përkrah nga Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë./KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e Zyrës së Unionit të Biznesve Shqiptaro-Gjermane.
Në mesin e liderëve të bizneseve shqiptaro-gjermane, Kurti tha se ata kanë hedhur një hap të rëndësishëm në përmbushjen e premtimit për të shërbyer si urë e fuqishme ndërlidhëse mes Kosovës e Gjermanisë.
“Unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë, dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i qeverisë më tej tha se bizneset nga Kosova po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global, që për këtë arritje, sipas tij, rol të pazëvendësueshëm kanë mërgimtarët.
“Rrjedhimisht kjo po dëshmon se si ne po bëhemi vend i orientuar kah eksportet, duke u përfshirë në tregun ndërkombëtar me produkte ushqimore dhe joushqimore”.
“Sipas kryeministrit, me mërgatën ndajmë edhe vlera të përbashkëta, siç është së fundmi edhe sistemi dual që tashmë e kemi me 12 profile, në 21 shkolla, në 14 komuna anembanë Kosovës, me ç’rast përveç forcimit të ekonomisë, mundësive të reja për punësim dhe zhvillimit të aftësive, ndërtojmë themelin për të mësuar gjatë gjithë jetës”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ekonominë e vendit duke i përkrahur bizneset përmes subvencionimit të kredive investive, me Ligjin për Investime të Qëndrueshme në bazë të së cilit edhe po themelohet Agjencia për Investime dhe Eksport, me synim të promovimit të mjedisit e të bërit biznes në Kosovë dhe me Kosovën”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se projektet preliminare të investimeve për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes deri në vitin 2030 do të jenë mbi 10 miliardë euro.
“Mbi 50 projekte infrastrukturore përafërsisht rreth 5 miliardë euro ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliard, dhe projekte kapitale të cilat vetëm në vitet 2023-2024 janë mbi 6 mijë me përafërsisht 1.7 miliardë, dhe e fundit por jo për nga rëndësia siç thuhet mbi 1.2 GË shtesë të kapaciteteve energji të ripërtëritshme”, tha ai./KlanKosova/KultPlus.com
Përmes një konference, Ministria e Punëve të Brendshme ka vënë në funksion Bazën e të Dhënave për Viktimat e Trafikimit, e cila cilësohet si shumë e rëndësishme për evidentimin dhe ruajtjen e të dhënave të raportuara dhe evidentuara të rasteve të trafikimit me njerëz.
Koordinatori Kombëtar kundër Trafikimit me Njerëz, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, theksoi se pas një periudhe intensive, posaçërisht muajin e fundit, sot jemi mbledhur të finalizojmë lansimin e bazës së të dhënave për viktimat e trafikimit.
“Trafikimi me njerëz është shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut që shtyp vlerat themelore të një shoqërie demokratike. Jemi përkushtuar që me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, ta ndërtojmë një shoqëri me vlera dhe të sigurt për të gjithë. Kosova është vendi i parë në rajon me një bazë të të dhënave ndër-institucionale, një mjet thelbësor që do të na e mundësojë mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave kyçe për hartimin e politikave strategjike në parandalim dhe luftim të trafikimit me njerëz dhe ofrim cilësor të shërbimeve për viktimat e prekura”, theksoi Gashani.
Ndërkaq Sekretarja e Përgjithshme e MPB-së, Fahrije Ternava-Sheremeti, theksoi se “zhvillimi i kësaj baze të të dhënave ka një rendësi të veçantë për ne si ministri përgjegjëse, e cila përveç që do të mundësojë menaxhimin e rasteve e profilizimin e viktimave të trafikimit, do të mundësojë që në kohë reale të kemi informatat relevante”. / KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, reagoi për ndarjen nga jeta, të Mjeshtrit të Madh të humorit, Zef Deda.
Presidenti, në një postim në Facebook, tha se lajmi për ndarjen e tij nga jeta prek çdo shqiptar që ka shijuar humorin dhe artin e mjeshtrit të pazëvendësueshëm shkodran.
“Sot u shua ikona e humorit, Mjeshtri i Madh, Zef Deda! Lajmi për ndarjen e tij nga jeta prek çdo shqiptar që ka shijuar humorin dhe artin e mjeshtrit të pazëvendësueshëm shkodran. Lamtumirë njeriut që solli gëzim në shtëpitë e shqiptarëve edhe në momentet e vështira!”, ka shkruar Begaj./ KultPlus.com
Një Boeing 737 MAX do të fluturojë përmes Meksikës dhe përtej kufijve të saj, duke e çuar artin në lartësi të reja.
Kjo është pjesë e ekspozitës së Petrit Halilaj: RUNIK, e cila do të jetë e pranishme në Muzeun Tamayo, shkruan insiderlatam.com, transmeton klankosova.tv.
Aeroméxico, në aleancë me Muzeun Tamayo, shpall një bashkëpunim emocionues që bashkon artin dhe aviacionin për të sjellë ngjyra dhe kreativitet në qiell, në kuadër të ekspozitës Petrit Halilaj: RUNIK.
Si pjesë e këtij kontributi të vlefshëm kulturor, linja ajrore ka përdorur një nga avionët më modernë dhe më efikasë në industri, një Boeing 737 MAX për të çuar artin në lartësi të reja.
Një pulë është paraqitur në trupin e avionit si një metaforë që na fton të reflektojmë për lirinë dhe të ardhmen pa barriera, duke marrë si simbol fluturimin e zogjve; mban edhe legjendën “Nga Runiku me dashni!”.
Imazhi ka qenë i pranishëm në avion që prej 15 nëntorit dhe do të qëndrojë deri në fillim të vitit të ardhshëm;
Fluturimi i tij i parë ishte në linjën Mexico City – Kankun dhe në ditët në vijim do të përshkojë destinacione brenda dhe jashtë vendit.
Ekspozita e përkohshme Petrit Halilaj: RUNIK mund të vizitohet nga data 23 nëntor deri më 7 prill 2024 në ambientet 1 dhe 2 të Muzeut Tamayo të Meksiko City.
Objektivi i këtij bashkimi është ndërtimi i urave përmes artit dhe veçanërisht lidhja me artin bashkëkohor. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Sot në Tiranë, shkrimtarit të madh Ismail Kadare, iu dorëzua mirënjohje dhe çmimi letrar “Beqir Musliu”.
“Në emër të familjes, falënderova identitetin e lavdishëm të kombit shqiptarë, që na nderoi me pranimin e mirënjohjes dhe çmimit letrar. Ky nder i madh dhe i pazëvendësueshëm për familjen tonë është një shenjë krenarie, për pasurinë kulturore dhe kontributin e Beqes”, ka shkruar në Facebook, Ilirik Musliu.
Ndërkohë, në shtator, Kadare mori nënshtetësinë e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani i ka dorëzuar dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës shkrimtarit shqiptar me famë botërore. / KultPlus.com
Mjeshtri i madh, Zef Deda u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Përmes një mesazhi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i jep lamtumirën Dedës, i cili u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.
“LAMTUMIRË i dashur Zef”, shkruan Rama, ndërsa ka postuar dhe një foto të aktorit të ndjerë.
Me një karrierë të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se 40 vjet, Deda bëri emër me performancat e tij të jashtëzakonshme në skenë dhe kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e humorit shqiptar. Ai ndryshe njihej si “Çarli Çaplini” shqiptar. / KultPlus.com
Ndonëse CEO i kompanisë Apple, Tim Cook ende nuk e ka në plan të tërhiqet nga posti i tij, ai tha se ka dikë në mend që do ta zëvendësonte atë një ditë.
“Unë me të vërtetë dua që ai person të jetë brenda kompanisë Apple”, tha Cook në një podcast me Dua Lipën.
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova ia kishte bërë pyetjen mjaft të mprehtë shefit të “Apple” se kush ishte në linjë për ta pasuar atë si CEO (Shef Ekzekutiv të kompanisë).
Megjithatë, Cook mes shumë përgjigjesh tha se nuk mund ta paramendonte jetën e tij pa qenë në Apple dhe nuk duket se ka plane të largohet së shpejti.
Por, kompania sipas tij ka një plan në qoftë se ndodh diçka para se ai të jetë gati për ta dorëzuar pozitën. / KultPlus.com
Grimcat në ajër shkaktuan rreth 250 000 vdekje në të gjithë Bashkimin Evropian gjatë vitit 2021, raportoi sot Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).
“Këto vdekje mund të ishin shmangur nëse përqendrimet e grimcave të imta do të kishin zbatuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)”, tha EEA në Forumin e katërt të Ajrit të Pastër në Roterdam.
“Ndërsa kemi bërë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit për të ulur nivelet e ndotjes së ajrit, të dhënat dhe vlerësimet e fundit tregojnë se ndikimet e ndotjes së ajrit në shëndetin tonë mbeten ende shumë të larta, duke rezultuar në vdekje dhe sëmundje që mund t’i atribuohen ndotjes së ajrit”, tha drejtoresha ekzekutive e EEA-s, Leena Ylä-Mononen.
Sipas vlerësimeve të EEA-s, grimcat janë shkaktare të rasteve të sëmundjeve të zemrës, goditjeve në tru, diabetit, sëmundjeve pulmonare, kancerit të mushkërive dhe astmës.
Përveç grimcave të imta, ndotja është shkaktuar edhe nga dioksidi i azotit (NO2), pjesa më e madhe e të cilave gjenerohet nga transporti dhe ozoni në nivelin e tokës.
Sipas raportit te EEA-s, 52 000 e vdekjeve i atribuohen NO2 dhe 22 000 ozonit. /atsh / KultPlus.com
Në kuadër të festës së 28 Nëntorit po vjen edicioni i parë i Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Boletini n’plis të bardhë”.
Festivali do të dhurojë emocione pasi në skenë do të shfaqen performanca të rralla folklorike nga grupet mbarëkombëtare.
Përveç Ansambleve nga trojet e ndryshme, do të ketë edhe mysafirë të veçantë, artistët e mrekullueshëm si Arif Vladi dhe Hysni Klinaku.
Festivali mbahet në sallën e sporteve OMISPORT, që ndodhet prapa objektit të Komunës në Mitrovicës, nesër e pasnesër, pra me 25 dhe 26 nëntor 2023, duke filluar nga ora 17:00. / KultPlus.com