“Ti mund të thuash se jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi. Shpresoj se një ditë do të na bashkohesh. Dhe bota do të jetojë pastaj si një e vetme.”
“Llogarite kohën tënde përmes miqve që i ke dhe jo përmes viteve. Llogarite jetën përmes qeshjeve dhe jo përmes lotëve.”
“Janë dy forca bazike motivuese: dashuria dhe frika. Kur kemi frikë, ne tërhiqemi nga jeta. Kur jemi të dashuruar, me pasion, ngazëllim dhe miratim hapemi përballë gjithçkaje që na e ofron jeta. Kemi nevojë që fillimisht të mësojm ta duam veten, me të gjithë lavdinë dhe papërsosmërinë tonë. Nëse nuk mund ta duam veten, nuk mund të hapemi plotësisht ndaj aftësisë sonë për t’i dashur të tjerët ose ndaj potencialit tonë për të krijuar. Evolucioni dhe të gjitha shpresat për një botë më të mirë, qëndrojnë mbi guximin dhe vizionin zemër-hapur të njerëzve që e përqafojnë jetën.”
“Kur isha 5 vjeçar, nëna gjithmonë më thoshte se lumturia është çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, ata më pyetën se çfarë dëshiroja të bëhesha kur të rritesha. Unë e shkrova: “I lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën dhe unë ju tregova se ata nuk e kuptonin jetën.”
“Një ëndërr që e ëndërroni i vetëm, është thjeshtë një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërroni bashkë me të tjerët është realitet.”
“Jeta është e lehtë, kur e jeton me sy të mbyllur.”
“Në fund gjithçka do të jetë në rregull. Nëse nuk është në rregull, atëherë nuk është fundi.”
“Kur bëni diçka fisnike dhe të bukur dhe askush nuk e vë re, mos u mërzit. Edhe dielli çdo mëngjes e ofron një spektakël të bukur mirëpo prap pjesa më e madhe e audiencë është në gjumë.”
“Zoti është një koncept përmes së cilit ne e masim dhimbjen tonë.”
“Dashuria është një lule që duhet ta lësh të rritet.”
“Jetojmë në një botë në të cilën për të bërë dashuri duhet të fshihemi, përderisa dhuna manifestohet përgjatë gjithë ditës.”
“Ndershmëria ndoshta nuk do të u’a sjell miqt më të mirë, po gjithmonë do t’i sjell ata të duhurit.”
“Nuk ka rëndësi se kë e dashuron, ku e dashuron, pse e dashuron, kur apo si e dashuron. Rëndësi ka që dashuron.”
“Roli im në shoqëri, apo roli i artistit apo poetit në shoqëri është të provojë ta shpreh atë që ne të gjithë e ndjejm. Jo për tu treguar njerëzve se çfarë të ndjejn. Jo si një predikues, jo si një lider, por si një reflektim i gjithë neve.”
“Nëse e dëshiron paqe, nuk do ta marrësh atë me dhunë.”
Universiteti i Oksfordit emëroi “Rizz” si fjalën e vitit për shkak të popullaritetit të termit që Gjenerata Z përdor për të përshkruar aftësinë e dikujt për të tërhequr, joshur dhe bërë për vete të tjerët.
“Rizz” fitoi vendin e parë në një listë të ngushtë që përfshinte fjalët “Swifty”, një term që tregon që je një fanse e këngëtares Taylor Swift, “situationship” që tregon një marrëdhënie të rastësishme romantike ose seksuale dhe “prompt”, d.m.th. udhëzimet që rregullojnë programet e inteligjencës artificiale.
“Rizz është një emër bisedor, i përcaktuar si stil, hijeshi ose aftësi për të tërhequr. Etimologjikisht, termi besohet të jetë një formë e shkurtuar e fjalës karizëm, marrë nga pjesa e mesme e fjalës, e cila është një model i pazakontë fjalëformimi Rizz mund të përdoret gjithashtu si folje dhe kjo shtrirje në pjesë të tjera të të folurit tregon se fjala po bëhet më e spikatur në gjuhë “, sipas faqes së internetit të Oxford University Press.
Fjala fituese zgjidhet çdo vit nga ekspertë që punojnë me botuesit e Oxford English Dictionary nga katër finalistët e zgjedhur nga publiku me votim.
“Ekspertët tanë të gjuhës zgjodhën ‘rizz’ si një shembull interesant se si gjuha mund të formohet, formësohet dhe përdoret në komunitete përpara se të përhapet në shoqëri. Kjo flet për mënyrën se si brezat e rinj tani kanë hapësirën, në internet ose të gjallë, për të përvetësuar dhe përcaktuar gjuhën që ata përdorni”, thuhet në faqen e internetit.
Njoftimi shton se Gjenerata Z po ndikon gjithnjë e më shumë në shoqëri me dallimet e saj në perspektivë dhe stil jetese, gjë që reflektohet edhe në gjuhë./KultPlus.com
Grupi LEGO, në partneritet me Alquemie Group, ka zbuluar dyqanin më të madh LEGO në botë.
I vendosur në qendrën tregtare “Sydney Arcade” në zemër të Sidneit, dyqani mbresëlënës 900 metra katror është i shtrirë në dy nivele.
Dyqani përmban pjesë të panumërta të ekranit, të gjitha të bëra me tulla LEGO, natyrisht. Kjo përfshin Urën e Sidneit me 549,378 pjesë, e cila u deshën më shumë se 3,500 orë për t’u ndërtuar. Mozaiku i Shtëpisë së Operës së Sidneit është gjithashtu aty, dhe kjo pjesë përbëhet nga 303,719 kube dhe u deshën 1,058 orë për t’u përfunduar.
Dyqani përfshin gjithashtu një fabrikë minifigurash LEGO që ju lejon të personalizoni minifigurat tuaja, si dhe grupe me format të madh të krijuara me porosi që marrin frymëzim nga ikonat dhe arkitektura lokale.
Troy Taylor, Zëvendës President dhe Menaxher i Përgjithshëm i LEGO Australia dhe Zelanda e Re, komentoi: “Është një privilegj i madh të hapësh dyqanin më të madh LEGO në botë në Sidnei. Me opsione mbresëlënëse, përvoja kreative të lojës dhe një lëvizje lozonjare ndaj kulturës, Sydney i ri Dyqani do t’u ofrojë fansave LEGO dhe të gjitha moshave mundësinë për të zbuluar një gamë të gjerë produktesh LEGO dhe përvoja emocionuese dixhitale dhe fizike.”/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët të vizitojnë hapësirat e reja të Muzeut të Forcave të Armatosura në Bërzhitë.
Rama u shpreh se, ky muze është një dëshmi reale e historisë së ushtrisë shqiptare.
Muzeu ka 5 pavijone të veçanta ku ekspozohen përmes metodave, teknikave dhe teknologjive bashkëkohore objekte, mjete, informacione e harta të periudhave që nga Iliria e deri në ditët e sotme./atsh/KultPlus.com
Drama ‘Gërrdia’ e shkruar nga Astrit Kabashi ka fituarn çmimin e parë si drama më e mirë në konkursin ‘Katarina Josipi’, përjcell KultPlus.
Njoftimin e ka bërë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpërmjet një postimi në Facebook.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:
Njoftim për shpalljen e fituesve të Çmimeve të Konkursit të Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”
Juria Profesionale për vlerësimin e dramave në konkursin e Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023, sipas konkursit të shpallur publik, ka bërë përzgjedhjen e fituesve si në vijim:
1️⃣ Çmimi i parë: “Gërrdia” 2️⃣ Çmimi i dytë: “Uellsi ka një Mbret” 3️⃣ Çmimi i tretë: “Marshi i hijeve të diellit”
Laureatët e çmimeve, sipas shifrave përkatëse, ftohen të lajmërohen sa më parë sipas udhëzimeve në këtë vegëz:/KultPlus.com
Përse mendohen këto male të larta, Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade? Një malësor ecën buzë mbrëmjes, Pushka e gjatë Me qindra kilometra hije lëshon mbi dhé.
Vrapon hija e pushkës, Pret male, fusha, fshatra; Hija e tytës lëviz shpejt në muzg. Eci dhe unë në një pllajë të pjerrët Me një mendim në kokë Diku.
Hija e mendimit dhe hija e pushkës Kryqëzohen e përplasen në muzg.
2
Kështu ke ecur gjithmonë, Shqipëri, Mbi këmbët e gjata, Me një pushkë të gjatë. Ecje dhe s’dije ku veje ti Drejt një mëngjesi plot re e mjegull, Të hirtë e të turbullt, si e linte nata.
3
Tokën kur e gërryejnë rrebeshet, I dalin rrënjët rrëpirave, Ashtu ta gërryen trupin tënd shekujt Gjersa të dolën dejtë e brinjët. Dej, dej dhe brinjë, Vetëm shkëmbinj, gurë e male, Pak fushë, O, sa pak fushë, Shekujt të lanë! Shekujt si qentë të kafshuan, Ku mundën të të hanë.
Mes tyre tek shkoje, Ata të suleshin, Dhëmbët e kohërave Në ije të nguleshin, Po ti nuk ktheheshe, Po ti s’përkuleshe.
4
Nga supet Pushkën e gjatë s’e hoqe kurrë, Nga supet e tua plot plagë, Nga supet kockë e lëkurë.
Bukën e ngjyeje me shëllirë, Shëllirë dhe misër përnatë, E ruaje atë pak yndyrë, Oh, atë yndyrë të paktë, Për mikun dhe pushkën e gjatë, Për të lyer pushkën e gjatë!
Se gruaja lindte fëmijë, Por pushka lindte krisma, Dhe për shqiptarin ishin Po aq të shtrenjta të dyja: Dhe krisma dhe fëmija.
Fëmija do lëronte nesër me parmendë Dhe do ta mbronte netëve krisma. Mbi supet e Shqipërisë kohërat krisma hidhnin, Ashtu si mbi supet e nuses orizin.
5
Në këmbët e maleve shtriheshin fushat, Të urta si gratë, si gratë kokulura. Ç’të gatuanin fushat për gjigantët e uritur? Mbi fushë era vërshëllente “u”, Shtriheshin duajt e rrallë sipër tyre Si të vrarë, përmbysur aty-këtu. Ndaj malet bubulonin e lëshonin tatëpjetë Gurë e përrenj plot sherr e poterë. Ato, kokulurat, gjithçka duronin Duke ëndërruar tjetrën verë.
6
Ta tretën trupin rrebeshet, ethet, malarja; Të shurdhuan veshët Priftërinjtë dhe hoxhallarët, Dhe, si Saturni, Bijtë e tu i haje me gjakmarrje Dhe bekonin gjakmarrjen Minaret dhe kambanaret.
7
Kontaktet e tua të para me shpikjet, Me të rejat teknike të qytetërimit, Ishin markat dhe kalibrat e rinj të armëve, Që provoheshin në gjoksin e rreshkur plot brima.
Dhe pas luftërave mbeteshin varre malësorësh të vetmuar; Murana të trishtuara. Emra njërrokësh, Gjer vonë Një grumbull gurësh Dhe, në vend të luleve, Te koka një këngë monotone. Ngritur nga fisi i tij Një këngë monotone. Dhe tretej pranë gjymtyrëve të gjata Pushka, pushka e gjatë. Dhe pas gjymtyrëve të gjata Tretej emri i shkurtër, I binin rrokjet, Si boçet e pishës në shi, Dhe, pas të gjithave, E fundit tretej kënga, Kënga monotone e fisit të tij.
8
Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle, Në netët e saj të zeza mitologjike; Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka Nga shpirti i pakuptueshëm i saj. Nga zërat e brendshëm, Që buçisnin shurdhër thellë tokës epike.
Kërkonte të thosh diçka, Po ç’mund të thoshin vallë Tre tela nën pesë gishta, që dridheshin prej urisë?
Duheshin qindra kilometra tela Dhe miliona gishta Për të thënë shpirtin e Shqipërisë!
9
Po ta vrisje në një breg, Në tjetrin dilte, Sikur mbinte nga toka, Shqiptari i thatë Dhe, përmbi trup, Si shtesë e hekurt, I rritej e zezë Pushka e gjatë.
Me të në krah, Në male e fusha Endej ai në këto vende. Më të gjatë shtatin ia bënte pushka, Megjithëse shpesh jetën më të shkurtër ia bënte.
10
Netët pillnin mëngjeset, Të turbullta, të hirta; Ditët mallkonin netët, Netët ditët. Shqipëria, nga ashpërsi e saj, Pillte fëmijë të bukur, Duke vënë në çdo fëmijë Një ëndërr, një shpresë, Gjinjtë e saj të shteruar duke ndukur; Pillte Shqipëria, Pillte ushtarë, Që vdisnin pastaj rërave të Saharës, Duke kënduar këngën e Urës së Qabesë.
11
Bijtë që dërgove qyteteve të Europës, Që njohën gëzimet e huaja, Erdhën një nga një, Duke gjetur n’atdhe trishtime, Re të ngarkuara me shi të verdhë. Monarkia si gurëthyese u thyente ëndërrimet Erdhën. Me valixhe plot iluzione Nën hije të minareve, të manastireve, U endën në vjeshtra deziluzionesh, Gjersa në gji toka i mori prapë, I kalbi nën këmbët monotone të shirave.
Frutat e hershme e kanë çmimin të shtrenjtë, Por frutat e hershme i rrëzon shpesh ngrica, Ato Shqipëria i futi prapë në gji. “Është herët”, tha, Duke vështruar agimin e zymtë. Dhe prapë u përkul mbi parmendë të lërojë, Duke mbjellë në brazda të gjata lotët e saj të athët, Nën një qiell të zi e të pafund injorance Mbillte lotët e saj Për furtunat dhe rrebeshet e ardhshme.
12
Himnizonin poetët zanat dhe shtojzovallet, Por ato qëronin morra ndanë ujërave, Zanave, shtojzovalleve u dilnin kokallat, Shtriheshin për lekë prapa shkurreve.
Ndonjëherë qëllonte që i braktisnin Zanat e shtojzovallet bjeshkët epike, Në lokalitete Një nga një zbrisnin E një nga një futeshin Në shtëpitë publike. Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve Mbi shpinat e lodhura Si plagë, Si tallje.
13
Në pallat mbreti Zog jepte ballo përnatë Buzëqeshnin princeshat, Vallëzonin çengitë; Në qelitë e qeta të manastireve të ftohta Bënin studime për sufikset priftërinjtë.
Në kafe “Kursal” Orkestrat binin, Lyheshin me pudër damat e plakura, Ndërsa Shqipëria lehonë Dështonte ditët Në pelena resh të përgjakura.
14
Pati njerëz që deshën t’i tërheqin malet Si kuaj të bindur për kapistalli, Dhe i tërhoqën një copë udhë, Porse në terr e humbën udhën. Vinin vargmalet e tmerrshme vërdallë Nëpër natë e mjegull, Të verbra, Të frikshme.
Si të trembura me klithma të lashta, tragjike, Hingëllinin nëpër ëndërr malet kreshnike.
15
Përse mendohen këto male të larta, Këto enigma me kurriz që zgjaten jug-veri? Vazhdoj udhën time Nën hijen e pushkës së gjatë; Kjo pushkë e gjatë: Leva e Arkimedit për ty, Shqipëri.
Nëpërmjet shënjestrës së pushkës së tij, Shqiptari vështronte horizontet dhe kohët, Vërshëllima e vetmuar e maliherit të tij I detyronte shekujt të ulnin kryet.
Kjo tyta e pushkës Mbi shpinë të shqiptarit Si një eshtër e gjatë, e mprehtë ka mbirë, Mbi kurriz e ngulur nga fati i vështirë, Vazhdim i shtyllës së tij vertebrale, Kjo e hekurt, e tmerrshme gjymtyrë, Atavizëm krenare e kohëve të para.
Me këtë fat mbi shpinë të tij Mes shekujve ka lëvizur i patrembur shqiptari, Duke shkelur me opingën e lashtë të tij Këtë tokë të stërlashtë me të gjyshërve varre.
Këtë tokë që më shumë heroizma sesa grurë Ka prodhuar gjatë shekujve, Këtë dhé… Ja përse mendohen këto male të larta, Ndërsa muzgu po bie tutje në xhade.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se “rreth 1 milion shqiptarë e të huaj kanë vizituar përgjatë këtij viti muzetë, parqet dhe monumentet tona”.
Në fjalën e saj në panelin “Prioritetet zhvillimore: Infrastruktura, Energjia, Financat, Turizmi, Bujqësia dhe Kultura” në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Margariti tha se “kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rilindja Urbante nuk do të kishte prekur qendrat historike në qytetet tona, në Korçë, Krujë, Vlorë, duke çuar te qytetari më shumë shërbime, punësim, turizëm, zhvillim ekonomik”.
“Nuk do të kishte ndodhur pa rikthimin e besimit te banorët, që bënë bashkë kursimet e tyre me bonuset e Ministrisë së Kulturës, për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “kushdo e kujton trishtimin gri të kalldrëmeve të Gjirokastrës. Një kontrast i thellë me Gjirokastrën e Festivalit Folklorik, kartolina më e bukur e shpirtit shqiptar. Një investim në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, që edhe UNESCO na e ka njohur, duke pranuar brenda 1 viti Xhubletën dhe transumancën në Listën e Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit”./ atsh / KultPlus.com
Ilva Dodaj jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arkitektja shqiptare ka kryer studimet për arkitekturë në “City College” në New York, shkruan albinfo.ch.
Gjithashtu, ajo jep mësim në Shkollën e Arkitekturës në “City College”.
Me një eksperiencë më shumë se 15-vjeçare në arkitekturë, ajo është projektuese e shumë projekteve të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka udhëhequr dhe menaxhuar hartimin e shumë projekteve të dukshme, të larmishme dhe sfiduese në gjithë SHBA-në, ndër to, është hapur së fundmi Terminali Delta C në aeroportin LaGuardia, Moynihan Train Hall në New York City, brendshme të Stacionit Union të Torontos dhe kompleksit terminal Miami të Brightline. /Albinfo.ch / KultPlus.com
Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës është pasuruar me mbi 60 vepra të reja nga 40 artistët e përzgjedhur përmes thirrjes së këtij viti për blerjen e veprave, të cilët kanë filluar dorëzimin e veprave në GKK.
Me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe mediume të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra si nga artistë të njohur ashtu edhe në zhvillim dhe mbulojnë një gamë të gjerë te temave dhe mediumeve që variojnë nga skulptura dhe piktura te video dhe instalimet, punimet në letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili.
Këto vepra shihen si një mundësi për ta bërë koleksionin më të larmishëm, për të adresuar boshllëqet ekzistuese dhe për të prezantuar narrativa të reja që forcojnë veprat historike brenda koleksionit kombëtar.
Komisioni i jurisë profesionale për këto blerje është përbërë nga kuratore të shquara, përfshirë Övül Ö. Durmusoglu, kuratore, profesoreshë, HBK Braunschweig (Bashkëkuratore, Autostrada Biennale), Hana Halilaj, kuratore, Galeria Kombëtare e Kosovës, Joanna Mytkowska, Drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Varshavë, Cathrine Nichols, kuratore, Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart (Kuratore në Manifesta 14), dhe Eriola Pira, kuratore dhe drejtoreshë e programeve, Vera List Center for Art and Politics, The New School./ KultPlus.com
Ylli i “Rolling In The Deep”, Adele, ka treguar në një intervistë për The Hollywood Reporter se çfarë i tha menaxherit të saj kur dëgjoi për herë të parë këngëtaren Dua Lipa.
Ajo u shpreh e emocionuar për rikthimin e këngëtares me origjinë nga Kosova, duke ndarë më pas etiketimin që i vendosi Dua-s.
“Jam gjithashtu shumë e emocionuar që Dua Lipa është rikthyer”, tha ajo.
“Kur dëgjova për herë të parë – ‘I’ve got new rules, I count’em”, më kujtohet që i thashë menaxherit tim, ‘Ajo duhet të jetë vajza e ardhshme e madhe e pop-it’. Dhe ajo është. Jam shumë e emocionuar që ajo është kthyer”, tha Adele.
Duket se Adele ka shprehur mbështetjen maksimale për Dua Lipan, ndërkohë që nga ana tjetër nuk është kursyer me komplimente as për këngëtaren me famë, si Lady Gaga. Këtë të fundit e ka konsideruar si të ftuarën më frikësuese në takimin “Fundjavë me Adele”./ KultPlus.com
Vatra, një shoqatë shqiptare-amerikane që daton që prej vitit 1912, i ka dërguar një kërkesë formale Kuvendit shqiptar për riatdhesimin e trupit të Fan Nolit, shkrimtarit të famshëm, shkencëtarit dhe themeluesit të Kishës Ortodokse shqiptare.
Euronews Albania u bë media e parë vendase që raportoi për fushatën e kësaj organizate për të sjellë në atdhe trupin e Nolit, i cili vdiq në Shtetet e Bashkuara në vitin 1965.
Noli është i njohur për kontributin e tij në letërsi, histori, teologji, diplomaci, gazetari, muzikë dhe bashkim kombëtar, dhe ka luajtur një rol kyç në konsolidimin e shqipes si gjuhë kombëtare dhe ka përkthyer shumë vepra të njohura të letërsisë botërore.
I lindur në qarkun e Korçës, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara, frekuentoi Harvardin, Konsevatorin e Muzikës në Nju Ingland dhe Universitetin e Bostonit. Ai u shugurua prift, themeloi Kishën Ortodokse shqiptare dhe ishte ndër të parët që përdori gjuhën shqipe në predikime kishtare. Ai gjithashtu udhëhoqi përpjekjet diplomatike pas Luftës Botërore I për ribashkimin e Shqipërisë dhe shërbeu shkurtimisht si kryeministër deri sa u rrëzua nga Ahmet Zogu, më vonë Mbreti Zog.
Gazetarja Alice Taylor intervistoi për Inside Albania doktorin shqiptar Skënder Murtezani, drejtues i degës së Vatrës në Kuins, i cili ka jetuar në SHBA për 33 vjet. Ai foli për një fushatë për riatdhesimin e trupit të Nolit, pas një fushate të ngjashme dhe të suksesshme për të sjellë trupin e Mid’hat Frashërit në vitin 2013.
Tani, hapi i ardhshëm i procesit është në zhvillim, pasi një kërkesë formale për të trajtuar temën në Kuvendin shqiptar është dorëzuar më 7 dhjetor 2023.
Kërkesa drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, lexuar nga Euronews Albania, thotë: “Është koha që Theofan Stilian Noli të pushojë përfundimisht në vatan.”
“Ne besojmë fort se riatdhesimi i eshtrave të imzot Nolit në Shqipëri do të përmirësonte disbalancën në komunitetet tona fetare, dhe përfundimisht do ta rregullonte atë,” duke theksuar se vetë Noli ka thënë: “Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare nuk i përket vetëm besimtarëve ortodoksë, por të gjithë shqiptarëve.”
Kërkesa vijon, “Ne, si anëtarë dhe drejtues të Vatrës, urojmë shumë që ky Parlament i nderuar do ta marrë në konsideratë kërkesën tonë, duke theksuar fort se kjo kërkesë është për forcimin e unitetit tonë kombëtar dhe vlerësimin e figurave tona historike.” / KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës po sjell shfaqjen e shumëpritur “Arrëthyesi”, si dhuratë të fundvitit për publikun.
Datat 16 dhe 17 dhjetor janë rezervuar për premierën e kësaj shfaqje e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës.
Nën koreografinë e Ilir Kernit, “Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, do shfaqet për herë të parë në Prishtinë.
Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme do të shfaqet në Sallën AMC duke filluar a ora 19:30. / KultPlus.com
Për të kuptuar diçka thellë, ti nuk i hap por i mbyll sytë. Aty zemra plotëson mendjen e ti vetveten. E nuk e bën veç për të shijuar puthjen e dashurinë, por reflektuar mbi shifra, realitetin dhe llogarinë.
Tani hap sytë e mos vështro, por shiko e kupto. Përreth teje kanë ndërtuar një botë false. Gjithçka është e sajuar, madje dhe mendimet e tua mbi këto gjëra. Ti kujton se ke kuptuar por je gabim.
E vetmja gjë autentike është vuajtja jote. Ki respekt për atë dhe të përvuajturit e tjerë. E përbashkët nuk është vetëm zgjedha por dhe zgjidhja. Bashkohu me ata e mos i shih si rivalë se vetëm kështu krijoni valë, për të përmbysur ata që po ju mbysin. Ndërsa i vetëm, çdo mendim që shpreh, çdo llaf që leh, të kthehet pas e të pret si teh. /Hejza/ KultPlus.com
Gala Koncerti i Vitit të Ri i Operës së Kosovës në Gjakovë i dhuroi publikut një mbrëmje të bukur të muzikës operistike.
Kasta e jashtëzakonshme e solistëve, Josif Gjipali, Marcelina Román, Vitaliy Bilyy, Flaka Goranci, Lorika Ismajli, Gesu Zefi, Ardita Meni dhe Dioklea Hoxha nën shoqërimin e Orkestrës dhe Korit të Operës së Kosovës, interpretuan një përzgjedhjeje të veçantë uverturash, ariaesh dhe duetesh të njohura.
Nën drejtimin e maestros Edon Ramadani, koncerti u organizua në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”. Të pranishëm ishin zëvendësministri i MPFT-së, Agon Dobruna, deputetët Mimoza Kusari Lila, Agon Batusha, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, Ardian Gola, drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, dhe artdashës të shumtë.
Gala Koncertin e radhës mund ta ndiqni me 10 dhjetor, prej orës 19:30, në Prishtinë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nderuar me “Medaljen e Mirënjohjes” së qytetit aktorin e madh shqiptar, Viktor Zhusti, i cili sot mbush 81 vjeç. Kryebashkiaku e falenderoi aktorin Zhusti për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në skenën e teatrit dhe filmit shqiptar.
“Ky është një moment për të shprehur mirënjohjen, respektin, falenderimin për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm. Na keni emocionuar, kemi qeshur, kemi qarë, jeni i paharrueshëm për shqiptarët. Në emër të gjithë djemve e vajzave të këtij qyteti, burrave e grave, doja t’ju falënderoj që jeni pjesë jo vetëm e memories sonë të përbashkët, por edhe përditshmërisë sonë, në një teatër modest, siç është Teatri i Metropolit, për të cilin mezi pres që të bëjmë më shumë investime. Pas Teatrit Kombëtar, të kemi edhe Teatrin e qytetit. Kjo medalje është në emër të qytetit të Tiranës, në shenjë mirënjohje për punën tuaj. Është një gjest respekti dhe falenderimi me gjithë zemër”, tha Veliaj.
Aktori i madh, Viktor Zhusti, falenderoi kryetarin e Bashkisë për medaljen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij.
“Ju falenderoj nga zemra juve, veçanërisht Teatrin Metropol, i cili ka qenë ndoshta streha më e ngrohtë për artistët vitet e fundit, si dhe gjithë spektatorët e jashtëzakonshëm të Tiranës, të cilët më kanë rrethuar me dashuri dhe besoj se më kanë dhënë shumë më tepër nga sa u kam dhënë unë. Prandaj, mbetem gjithmonë borxhli ndaj jush, ndaj Teatrit Metropol, dhe ndaj gjithë njerëzve. Shumë faleminderit!”, tha ai.
Viktor Zhusti ka lindur më 8 dhjetor të vitit 1942 në Athinë, Greqi. Galeria e roleve të Viktor Zhustit është shumë e pasur me shfaqje teatrale dhe filma./ KultPlus.com
Edhe sivjet të rinjtë e fshatit Bishtazhin të Gjakovës kanë zbukuruar kishën dhe fshatin e tyre për festat e fundvitit.
“Kisha e Zojes Rruzare ndodhet në fshatin Bishtazhin të Komunës së Gjakovës. Të rinjtë e fshatit (djem dhe vajza) kanë punuar rreth një muaj rreth këtij dekorimi dhe po ashtu kanë risjellë Betlehemin e gjallë për të treguar thjeshtësinë dhe ngrohtësinë festive”, tha Fran Oroshi, njëri prej të rinjve të fshatit.
“Qëllimi i këtij vendi është bashkimi i njerëzve pa dallime, ndarja e mirësisë ndaj njëri-tjetrit, ngrohtësia dhe gëzimi për të festuar së bashku me nga një gotë verë”, tha ai. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të performojë në një nga ngjarjet më të mëdha në nder të festës së “Vitit të Ri” që organizohen në “Times Square”
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të performojë në një nga ngjarjet më të mëdha në nder të festës së “Vitit të Ri” që organizohen në “Times Square” të New York-ut.
Lajmin e ka bërë me dije vetë ylli i popit, e cila shkruan se ndihet e nderuar që do të performojë në “Rockin Eve”, teksa do të shfaqet edhe në rolin e prezantueses, krah personazhit të famshëm televiziv amerikan, Ryan Seacrest.
“Është nder të jem bashkë-prezantuese e mbrëmjes së Vitit të Ri ‘Rockin Eve’ me Ryan Seacrest drejtpërdrejt nga ‘Times Square’”, shkroi ajo në X./ KultPlus.com
Të gjitha bisedat në Facebook dhe Messenger do të kodohen automatikisht, ka njoftuar kompania mëmë Meta.
Mesazhet dhe thirrjet e mbrojtura nga enkriptimi nga skaji në fund (E2EE) mund të lexohen vetëm nga dërguesi dhe marrësi.
Ka qenë e mundur të zgjedhësh mesazhet e koduara për vite, por tani do të bëhet pozicioni i paracaktuar.
Kritikët, përfshirë policinë dhe qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, kanë pohuar se shpërndarja do ta bëjë më të vështirë zbulimin e abuzimit seksual të fëmijëve në platformë.
Mbrojtja nënkuptonte se askush, përfshirë Metën, nuk mund të shihte se çfarë dërgohet ose thuhet, “përveç nëse vendosni të raportoni një mesazh tek ne”, ka thënë Loredana Crisan, drejtuese e Messenger në një postim.
“Kompania ka punuar me ekspertë të jashtëm, akademikë, avokatë dhe qeveri për të identifikuar rreziqet për të siguruar që privatësia dhe siguria të shkojnë dorë për dore”, shkroi ajo.
Pritet që mesazhet në Instagram, i cili gjithashtu është në pronësi të Metës, mund të kripohen si parazgjedhje diku në vitin e ri.
Meta thotë se njerëzit do të dinë kur bisedat e tyre të përmirësohen dhe të kodohen, sepse do t’u kërkohet të konfigurojnë një metodë rikuperimi për të rivendosin mesazhet e tyre nëse humbasin, ndryshojnë ose shtojnë një pajisje.
Aplikacionet duke përfshirë iMessage, Signal dhe WhatsApp mbrojnë privatësinë e mesazheve me E2EE, por teknologjia është kthyer në një fushë beteje politike.
Aplikacionet dhe mbështetësit e tyre argumentojnë se teknologjia mbron privatësinë dhe sigurinë, përfshirë atë të fëmijëve.
Por zbatimi i ligjit, disa organizata bamirëse për fëmijë dhe Home Office e kanë kundërshtuar zgjerimin e E2EE.
Fuqitë e reja në Aktin e Sigurisë në internet të miratuar së fundmi mund t’i mundësojnë Ofcom-it të detyrojë kompanitë e teknologjisë të skanojnë materialet e abuzimit të fëmijëve në mesazhe të koduara. Signal dhe WhatsApp kanë thënë se do refuzojnë të përmbushin kërkesa të tilla. Por pavarësisht këtyre kompetencave, ka pasur presion të vazhdueshëm ndaj Metës për të mbajtur zgjerimin e E2EE.
James Babbage, drejtori i Kërcënimeve të Përgjithshme në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), tha në shtator se nëse Facebook do të prezantonte enkriptimin nga fundi në fund, do të ulte masivisht aftësinë kolektive për të mbrojtur fëmijët.
Sekretarja e atëhershme e Brendshme, Suella Braverman, pretendoi se mesazhet direkte të Facebook Messenger dhe Instagram ishin platformat e zgjedhura për pedofilët në internet. Për BBC ajo u shpreh: Ne po arrestojmë në këtë vend rreth 800 autorë në muaj, po mbrojmë rreth 1200 fëmijë.
Por Meta argumentoi se kishte shpenzuar vite duke zhvilluar masa të forta sigurie për të parandaluar, zbuluar dhe luftuar abuzimin duke ruajtur sigurinë në internet.
“Kur E2EE është i paracaktuar, ne do të përdorim gjithashtu një sërë mjetesh, duke përfshirë inteligjencën artificiale, që i nënshtrohet ligjit në fuqi, për të zbuluar në mënyrë proaktive llogaritë e përfshira në modele keqdashëse sjelljeje, në vend që të skanojmë mesazhe private”, shkroi kompania.
Firma gjithashtu njoftoi të mërkurën se do të shtonte një sërë veçorish të reja, duke përfshirë aftësinë për të redaktuar mesazhet deri në 15 minuta pasi ato të jenë dërguar.
Ndryshimet do të duhen disa muaj për t’u zbatuar plotësisht, tha kompania./ KultPlus.com
Dua Lipa përkundër thjeshtësisë së saj, arrin të marr vëmendjen e të gjithë me paraqitjet e saj. Në mbrëmjen gala të “Women In Entertainment 2023”, e organizuar nga The Hollywood Reporter në Hotelin e “Beverly Hills” në Los Angeles, Dua mahniti me një paraqitje plot elegancë.
Dua Lipa, në tapetin e kuq u paraqit me një fustan të zi pa rripa, me një të çarë pranë ijeve.
Fustani i Duas, të cilin e kishte shoqëruar me geta dhe taka të zeza me rripa, kishte një detaj si rrip përgjatë dekoltesë, shkruan DailyMail.
Në tapetin e kuq, Dua Lipa foli për gazetaren e The Hollywood Reporter, ku tha se ndihej shumë me fat që ishte atje dhe shprehu admirimin e saj për artisten Adele, e cila gjithashtu ishte prezente.
Dua Lipa në “Women In Entertainment 2023” (Foto: Araya Doheny/FilmMagic)
Ndërkohë, në skenë, ajo dukej mahnitëse teksa fliste para të pranishmëve në mbrëmjen gala.
Ky event, të cilin e organizoi revista The Hollywood Reporter në Beverly Hills Hotel në Los Angeles të enjten në mëngjes, ka pasur shumë të ftuar dhe prezantues të njohur, duke përfshirë yje si: Camila Cabello, Billie Lourd dhe Lily Gladstone. / KultPlus.com
UNESCO njoftoi se përfshiu artin katërshekullor operistik italian nën kategorinë e saj të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, sipas BBC.
Opera italiane u zhvillua në fund të viteve 1500 dhe fillim të viteve 1600 në Firence, në oborrin e familjes Medici.
Zakonisht përfshin komplote të ndërlikuara, vënie në skenë dhe këndim virtuoz.
Këndimi i operës bashkohet me praktika të tjera të famshme italiane si pica apo arti i ngjitjes së majave alpine.
“Ky është një konfirmim zyrtar i asaj që ne e dinim tashmë. Këndimi i operës është një përsosmëri botërore”, tha ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano në një deklaratë pas vendimit të UNESCO-s.
UNESCO e përshkroi operën italiane si “një mënyrë e kontrolluar fiziologjikisht e të kënduarit që rrit fuqinë mbajtëse të zërit në hapësirat akustike si amfiteatrot dhe kishat”.
Ajo shtoi se arti promovoi “kohezionin kolektiv dhe kujtesën sociokulturore”, si dhe ishte “një mjet i shprehjes së lirë dhe dialogut ndër breza”.
Kompozitori i parë i madh i operës konsiderohet të jetë italiani Claudio Monteverdi, i cili jetoi nga 1567 deri në 1643.
Gazeta italiane ”La Repubblica” thekson se vlerësimi vjen në prag të përurimit tradicional të sezonit 2023-2024 në teatrin e operës ”La Scala”.
Sot ka rreth 60 shtëpi operash në të gjithë Italinë – një rekord global – ndërsa këngëtarët e operës si tenori i shekullit XX, Luciano Pavarotti janë nderuar si yje të mëdhenj./ atsh / KultPlus.com
”I just shot John Lennon” (”Sapo kam qëlluar John Lennon”), ishin fjalët të shqiptuara me ton të ftohtë dhe cinik, më 8 dhjetor 1980, nga Mark David Chapman, i cili i dha fund jetës së ish-Beatles.
Lennon kishte mbushur 40 vjeç vetëm dy muaj më parë, më 9 tetor.
Dhe 43 vjet më parë vdekja e tij tronditi botën dhe veçanërisht një brez, e cili ishte rritur duke u ushqyer me idealet e paqes, që gjithashtu frymëzoi albumin e tij më të suksesshëm ”’Imagine”’ (1971), kënga me të njëjtin titull i të cilit u shndërrua në një himn ndërkombëtar të pacifizmit.
Natën e 8 dhjetorit 1980, Lennon ishte në shoqëria e bashkëshortes, Yoko Ono, pasi të dy po ktheheshin në banesën e tyre, brenda ndërtesës ”Dakota”, përballë njërës prej hyrjeve në Parkun Qendror, në rrugën 72.
Atë mëngjes fotografja e famshme e portreteve, Annie Leibovitz kishte qenë në shtëpinë e çiftit për të bërë një set fotografik për kopertinën e revistës ”Rolling Stone” dhe kishte realizuar foton e famshme në të cilën Lennon krejtësisht i zhveshur përqafon dhe puth Onon, e veshur plotësisht në të zeza.
Rreth orës 22:50, Chapman u afrua në hyrje të ndërtesës ”Dakota”.
Pas hyrjes së Lennon me Ono, ai nxori një pistoletë të kalibrit 0,38 milimetra dhe gjuajti me pesë fishekë.
Katër prej tyre kapën Lennon në shpinë, ndërsa një shpoi aortën. Ish-Beatle mezi shqiptoi fjalën ”Më qëlluan…”, para se të ndërronte jetë.
Ai u dërgua menjëherë nga një patrullë policie në spitalin ”Roosevelt”, ku u shpall i vdekur në orën 23:15.
Në 1969 Lennon kishte thënë se ”nuk kam frikë të vdes”.
Sidoqoftë, 40 vjet më vonë, miti i John Lennon vazhdon të frymëzojë brezat.
Ai mbetet një nga ikonat më të fuqishme ndonjëherë prodhuar nga kultura popullore, një njeri që falë muzikës dhe angazhimit për paqen ndryshoi botën. / KultPlus.com
Russell Crowe, Rami Malek dhe Michael Shannon do të jenë protagonistët e “Nuremberg”, filmit me regji të James Vanderbilt për Gjermaninë e pas luftës.
Malek do të jetë në rolin e psikiatrit amerikan Douglas Kelly që vendoste nëse të burgosurit nazistë ishin të aftë mendërisht për të marrë pjesë në gjyqin për krimet e tyre të luftës. Ai do të përballet në “një betejë të ndërlikuar inteligjence” me Herman Göring, krahun e djathtë të Hitlerit që do të luhet nga Russell Crowe.
Shannon do të jetë kryeprokurori Robert H Jackson që ndoqi gjyqet e Nurembergut. Vanderbilt e shkroi skenarin duke u bazuar në librin “Nazistët dhe psikiatri” të shkrimtarit Jack El-Hai.
“Çfarë nderi është të punosh me një grup të mrekulleshëm aktorësh të talentuar…Mezi pres ta sjell këtë histori fantastike dhe të vërtetë në ekran”.
Xhirimet e filmit do të fillojnë në shkurt 2024 në Hungari./tvklan.al / KultPlus.com
Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” I, II,III (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan.
Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”:
“Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne, Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj. Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.
Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë. Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti. / KultPlus.com