Kryeministi Kurti përkujton masakrat e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe të Suharekës: Serbia kishte plan gjenocidal për shfarosjen e popullsisë

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar masakrat e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, Suharekës, Gjakovës, Landovicës dhe Padalishtës të cilat Serbia i ka realizuar  më 26 Mars, sipas planit gjenocidal “Patkoi” me synim shfarosjen e popullsisë shqiptare të Kosovës.

Kryeministri Kurti përmes një shkrimi ka thënë se përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve, sakrifica e të cilëve do të shërbejë si udhërrëfim për të ecur përpara.

Shkrimi i plotë në facebook:

Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Në paraditën e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta.

Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.

Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.

Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.

Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë.

Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.

Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.

Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.

“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kujtesa e Kosovës është e freskët.

Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.

Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë.

Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

E paçin të përhershme lavdinë!/KultPlus.com


Nga janari 2025 Florida do të ndalojë këdo nën 14 vjeç të zotëroj një llogari të mediave sociale

Në Florida, fëmijëve nën 14 vjeç u ndalohet të krijojnë llogari në media sociale duke filluar nga 1 janari 2025, sipas një ligji të ri të nënshkruar nga guvernatori Ron DeSantis të hënën.

Për më tepër, ligji urdhëron që 14 dhe 15-vjeçarët duhet të sigurojnë miratimin e prindërve për të mbajtur llogari në platformat e mediave sociale që paraqesin algoritme dhe “disa veçori të varësisë”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës, Paul Renner, tha në një deklaratë: “Interneti është bërë një rrugicë e errët për fëmijët tanë, ku grabitqarët i synojnë ata dhe mediat e rrezikshme sociale çojnë në nivele më të larta të depresionit, vetëdëmtimit dhe madje edhe vetëvrasjes”.

Ai vazhdoi, “Falë nënshkrimit të Guvernatorit DeSantis, Florida udhëheq rrugën në mbrojtjen e fëmijëve në internet ndërsa shtetet në të gjithë vendin luftojnë për të adresuar këto rreziqe.” / KultPlus.com

Biografia e filmit të Michael Jackson ka aktorët e Diana Ross dhe Motown Records

Michael gjen anëtarë të rinj të kastit për të luajtur Diana Ross dhe themeluesin e Motown Records. Filmi biografik i ardhshëm përcjell jetën dhe karrierën e mbretit të popit, Michael Jackson.

Filmi është drejtuar nga Antoine Fuqua i The Equalizer dhe aktualisht është vendosur të shfaqet në prill 2025.

Sipas Variety, Michael tani ka shtuar edhe dy anëtarë të tjerë të kastit. Ata anëtarë të kastit do të jenë Larenz Tate dhe Kat Graham. Tate do të luajë rolin e Berry Gordy, i cili ishte themeluesi i Motown Records. Graham do të ndërhyjë si ikonë e muzikës Diana Ross, e cila ndihmoi në prezantimin e Jackson 5, dhe si rrjedhojë vetë Michael Jackson, në botën e muzikës dhe publikun e gjerë. / KultPlus.com

197 vjet nga vdekja e gjeniut të muzikës klasike, Beethoven

Më 16 dhjetor të vitit 1770, në Këln, lindi Ludwig van Beethoven, kompozitor e pianist, figurë e rëndësishme në tranzicionin midis epokave klasike dhe romantike të muzikës, i cili mbetet nga më të famshmit dhe më me ndikim i të gjithë kompozitorëve.

Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.

Beethoven shkoi në Vjenë në 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi reputacion si pianist virtuoz. Në Boston, më 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” duke mbrojtur argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Noli, i njohur si republican dhe anti-monarkist, thotë se kompozimet më të dobta të Beethovenit janë ato të krijuara në Vienë gjatë periudhës perandorake, kur kompozonte me kontratë për princër e perandorë, thjesht për para.

Biografët thonë se Beethoveni ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, Beethoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë; më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Sinfonia heroike për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkoëitz, në pallatin e të cilit sinfonia e tretë u interpretua për herë të pare.

Beethoven jetoi në Vjenë deri në vdekje (1827). Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër; u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara vijnë pikërisht nga kjo periudhë nën ndikimin perandorak. / KultPlus.com

137-vjetori i hapjes së shkollës shqipe në Pogradec, ekspozitë me dokumente e fotografi

Mësonjëtorja e dytë shqipe pas Korçës është hapur në Pogradec, një javë më pas më 14 mars të vitit 1887 nga Koço Sotiri.

Por krahas shkollës shqipe në qytetin liqenor funksionoi edhe shkolla e vashave e drejtuar nga një grua, Persefoni Treni.

Prej vitit 1887 dhe deri në 1920, Pogradeci ka lënë gjurmë në rrugën e arsimit dhe për të konkretizuar këto përpjekje të kohës studiuesi i historisë Niko Kotherja solli në këtë qytet një ekspozitë me dokumente, fotografi dhe libra, të cilët materializojnë këto përpjekje për arsim në qytetin liqenor.

Ekspozita titullohet “Shkollat Shqipe të Pogradecit në 1887-1920” dhe në të janë pasqyruar fotografi, dokumente, imazhe dhe libra origjinalë, të cilat u përcollën për herë të parë tek publiku në kuadër të 137-vjetorit të hapjes së shkollës shqipe në Pogradec.

Për Entela Gushon, nënkryetare e bashkisë Pogradec, si një arkiviste në profesion, dokumente dhe fotografi të tilla janë një moment shumë interesant për t’u studiuar, por edhe për t’u njohur me këtë pjesë të historisë kryesisht brezat e rinj, të cilët duhet të kuptojnë qartë përpjekjet heroike të bëra për të mësuar shqip.

“Sot për herë të parë në qytetin tonë hapet një ekspozitë me dokumente, materiale dhe fotografi, të cilat evidentojnë rrugëtimin e gjatë të shkollës në Pogradec prej vitit 1887-1920. Qytetarët e Pogradecit panë për herë të parë materiale origjinale, jo vetëm të aspektit fotografik, por edhe tabelave dhe librave që janë përdorur nga nxënësit e shkollave”, theksoi Gusho.

Ekspozita dokumentare krahas dorëshkrimeve dhe fotografive kishte si pjesë të saj edhe librat e përdorur për të mësuar shqipen, që nga abetarja e Sami Frashërit dhe libra të tjerë.

Studiuesi Niko Kotherja tha gjatë çeljes së ekspozitës se “shkolla e dytë shqipe pas asaj të Korçës është hapur në Pogradec, e cila fatmirësisht ka mbërritur e dokumentuar përmes një dokumentimi të jashtëzakonshëm që ka bërë Llazar Gusho, i njohur si Lasgush Poradeci, një dosje voluminoze që ka mbledhur materiale sa i përket  shkollës së parë të Pogradecit për vitin 1887. Një material , i cili është botuar nga vajza e tij Marie Gusho. Nëse ai ka thënë se në këtë shkollë është përdorur abetarja e Sami Frashërit ne kemi sjellë në ekspozitë abetaren origjinale të Sami Frashërit, që është përdorur në shkollën e parë shqipe të Pogradecit”.

Shkolla e parë në Pogradec u hap më 14 Mars 1887, një javë pas çeljes së shkollës së parë shqipe në qytetin e Korçës, me mësues Koço Sotirin. Kjo u bë e mundur falë përpjekjeve të patriotëve pogradecarë. Patriotët e shoqërisë “Drita” dhe “Dituria” të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, siguruan të ardhura financiare e libra shqip. Në fillim në këtë shkollë ishin 11 nxënës, pas një kohë të shkurtër u bënë 22./ atsh / KultPlus.com

Rrëfimi i gazetarit kroat për luftën e Kosovës, Gjukanoviq tha: “Merrini të gjithë refugjatët, ushtria nuk do t’i prekë”

Gazetari kroat, Zoran Kusovac, në 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ka sjellë në kujtesë arritjen e refugjatëve shqiptarë të Kosovës në Mal të Zi më 1999. Ai shkroi edhe për rolin kyç që kishin disa zyrtarë malazezë në pranimin e refugjatëve në rrethana të vështira nën kërcënimin e regjimit serb. Në këtë përvjetor ai kërkon nga krerët e Kosovës dhe të Malit të Zi që ata të nderohen dhe t’u njihet kontributi.

Në një postim të gjatë në X, Kusovac ka zbuluar biseda edhe të presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, që shërbente në këtë post edhe në vitet 1998-2002, si dhe të zëvendëskryeministrit Dragisha Burzan, raporton Gazeta Express.

Zoran Kusovac është një analist gjeopolitik dhe i sigurisë, korrespondent lufte dhe producent i cili ka ndjekur konfliktet në Europë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë Qendrore për gati katër dekada.

Rrëfimi i tij i plotë:

NATO bombardoi Serbinë më 24 mars. Shumica e gazetarëve të huaj ishin në Beograd pasi të gjitha objektet e transmetimit ishin në duart e Millosheviqit. Disa ditë më parë kisha telefonuar presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Ai më pyeti nëse mund të sillja një lidhje satelitore meqë të gjithë në Beograd ishin të kontrolluar nga regjimi serb. Sky Neës nuk mund të dërgonte një të tillë pasi sigurimi nuk do ta mbulonte atë, kështu që gjeta operatorin privat SNG në Londër dhe i shpjegova se Mali i Zi do t’i jepte ‘DISH armed protection’ (mbrojtje) dhe ai do të bënte shumë para si i vetmi ‘uplink’ atje. (Jo, nuk kam marrë asnjë qindarkë prej tij, ai duhet të ketë bërë 1.000.000). Arritëm në kryeqytet, Podgoricë, më të 23-in. Gjukanoviq na dha një përcjellje të fortë policore pasi kundërzbulimi ushtarak serb donte të më arrestonte për raportimin tim të mëparshëm mbi UÇK-në.

Më 25 mars isha duke darkuar në Hotel Crna Gora, AKA Casablanka që ishte me plot me spiunë, me zëvendëskryeministrin Dr Dragisha ‘Gisha’ Burzan, një i njohur i vjetër. Ai ishte fizikan bërthamor, anëtar i SPD-së, (Partia Socialdemokrate e Malit të Zi). Rreth orës 20:00 i ra celulari.

“Bëre mirë”, tha ai “Më lajmëroni nëse vijnë më shumë”. Ai më tha “Serbët po i dëbojnë me dhunë shqiptarët nga Kosova. 150 kanë mbërritur në Rozhaje [qyteti i parë në Mali i Zi nga Peja] në 2 orët e fundit”.

Shefi i policisë ishte nga partia e tij, shpjegoi ai, dhe ai tashmë i futi refugjatët në shkollat lokale dhe organizoi ushqim dhe batanije. Një orë më vonë një telefonatë tjetër. “Tashmë 1000” njoftoi Gisha. Në mesnatë 2000, shefi i policisë tha se shkolla ishte plot, nuk kishte më vend, batanije dhe ushqime. Por ai kishte një problem gjithnjë e më të madh: “Kolonel i Ushtrisë Serbe thirri të na thotë se ne nuk duhet të pranojmë refugjatë. Ne i flakim jashtë, ju i mirëprisni. A duhet të vijmë që t’i dëbojmë për në  Shqipëri?”. Shefi pyeti se çfarë të bëjë. “Vazhdo t’i marrësh, përpiqu të shmangësh përleshjen me ushtrinë, por qëndro i palëkundur”.

Në orën 1 të mëngjesit Gisha, duke pirë dojçin e tij të 10-të [pije e njohur në Mal të Zi ] thirri Gjukanoviq i cili pranoi: “Merrini të gjithë, ne do të dërgojmë ndihmë dhe përforcime policie, ushtria nuk do t’i prekë”. Në fillim të 26 marsit, më shumë se 4000 dhe vazhduan të vinin. Shefi i futi në fabrikën e tekstilit. I kërkova Gishës të vinte me ne në Rozhaje. Ne nuk mund të merrnim lidhjen me vete, por Londra do t’i intervistonte me telefon. Në pamundësi për të ardhur, Gisha na dha Ndihmës Ministrin e Jashtëm. Të shoqëruar nga 10 policë arritëm në Rozhajë në mesditë: qyteti prej 9,000 banorësh dyfishoi popullsinë e tij brenda një dite , deri në atë mbrëmje kishte pothuajse 8000 refugjatë. Ishte tensionuese por jo kërcënuese. Kosovarët padyshim u besuan nikoqirëve të tyre. Më në fund takojmë shefin e policisë: Shemso Dedeiq, ish-mësues. I qetë, i përmbajtur, sillte qetësinë, por i vendosur, me durim dhe me kohë për të gjithë.

“Kam vendosur pika kontrolli për të mos lejuar ushtrinë të provojë të bëjë ndonjë budallallëk. Të gjithë vendasit janë të mrekullueshëm, ata kuptojnë dhe ndihmojnë. Por së shpejti nuk do të jemi në gjendje t’i vendosim askund të ardhurit. Ne kemi nevojë për gjithçka: tenda, batanije, ushqim, kemi vetëm dru zjarri dhe ujë”.

Më pas na dërgoi në Qafë të Kullës. Rruga ngjitet nga 1100 në 1800 m të Rozhajes dhe më pas rënie e frikshme mbi shtigjet e Pejës në 500 m. Rruga e mbuluar me akull ishte e mbushur me traktorë, makina, kamionë, karroca kuajsh, madje edhe në këmbë. Ishte qetësi e frikshme, vetëm frymë dhe zhurma e traktorëve me naftë që luftonin për t’u ngjitur. Çdo automjet ishte i mbipopulluar, 3 ose 4 breza, shumë duke ngrirë në rimorkio të hapura, të gjithë me një përzierje frike dhe shprese në sytë e tyre”.

Ata nuk e dinin nëse do pranoheshin në Malin e Zi, kur ne e konfirmuam, ata u lehtësuan. Ne korrespondentët e luftës, të ngurtësuar duke parë skena të tilla, gumëzhinim duke mbledhur të dhëna, duke intervistuar, duke punuar. Por diplomati ynë i gjorë, Miodrag ‘Mishko’ Jovoviq, profesor i ekonomisë, u trondit, duke marrë frymë, duke qarë, duke përmendur fëmijët e tij, duke kërkuar ndonjë gjë në xhepa për të dhënë.

Kur e futa në programin Sky News në ‘satphone’ (pajisje që përdor infrastrukturën satelitore), ai u lut për ndihmë, duke e ndarë tronditjen dhe dhembshurinë e tij me gjithë botën. Ai vazhdoi të pyeste “si mund t’ua bëjë dikush këtë të tjerëve?”. Kur u kthyem në Rozhaje, shefi Dedeiq na tha se forcat ajrore serbe kishte bombarduar një zonë aty pranë, por meqë po errësohej ai nuk na çoi atje dhe nuk dërgoi patrullë. Të nesërmen patrulla e policisë arriti në fshatin e bombarduar dhe gjeti një fëmijë malazez të vrarë. 3 javë më vonë, disa km larg Ushtria vrau 18 (ose 22) kosovarë duke ikur në këmbë në rrugë të ndryshme. Nuk u zgjidh kurrë “përmes mungesës së provave”.

Rozhaja përfundimisht priti 50-60,000 refugjatë shqiptarë të Kosovës, disa qëndruan gjatë gjithë luftës, të tjerë kaluan në kampe më të mira.

Tani në përvjetorin e 25-të i kërkoj autoriteteve të Kosovës dhe Malit të Zi të njohin përfshirjen vendimtare të Dr Dragisha Burzan dhe Shemso Dedeiq. Iniciativa, vendosmëria, vullneti dhe guximi i tyre shpëtuan mijëra jetë.

“Ju lutem, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Mickey Spajiq, Jakov Milatoviq. Fund”. / KultPlus.com

Aktorja Luiza Xhuvani feston sot 60-vjetorin e lindjes

Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, Luiza Xhuvani (Papathanasi), feston sot 60-vjetorin.

Luiza Xhuvani lindi më 26 mars 1964, në Sarandë. U diplomua aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje dyvjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, fillon karrierën si aktore filmi me “Dhe vjen një ditë” (Infermierja) dhe “Flutura në kabinën time” (Flutura) të Vladimir Priftit, me të cilin fiton Kupën për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Filmit, të vitit 1985.

Interpretoi në “Fjalë pa fund” (Magdalena) i Spartak Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i Esat Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i Muharrem Fejzos. Nga viti 1991 e në vazhdim pati një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gjergj Xhuvani, nën drejtimin e të cilit interpretoi në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit”, me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe së fundi “I dashur armik” (2004).

Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhes, “Dhelpra dhe rrushtë” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier. / atsh / KultPlus.com

Një eklips i plotë diellor pritet të ndodhë më 8 prill, përshkruhet si spektakli më i madh i planetit tonë

Një eklips i plotë diellor do të na verbojë ne tokësorët më 8 prill në atë që është përshkruar si spektakli më i madh i planetit tonë, sipas Sky News.

Eklipsi i plotë diellor është kur ndodh përafrimi i përsosur i Tokës, diellit dhe hënës.

Gjatë eklipsit, hëna bllokon plotësisht të gjithë dritën e diellit. Nuk është e sigurt të shikosh drejtpërdrejt eklipsin pa mbrojtje të veçantë për sytë.

Vendndodhja e parë ku do të dëshmohet eklipsi i plotë diellor do të jetë bregdeti i Meksikës në Paqësor në orën 11:07.

Eklipsi më pas do të shfaqet në Teksas dhe do të udhëtojë nëpër Oklahoma, Arkansas, Misuri, Illinois, Kentaki, Indiana, Ohajo, Pensilvani, Nju-Jork, Vermont, Nju Hempshir, Mejn, Tenesi dhe Miçigan.

Dhe më pas do të shihet në Kanada, mbi Ontarion Jugore, Quebec, Nju Brunsuik, Prince Edward Island dhe Kepin Breto.

Ekslipsi do të shihet për herë të fundit në Newfoundland.

Gjithashtu një eklips i pjesshëm diellor do të shihet në Britaninë e Madhe në një nga këto qytete: Kardif, Edinburg, Gllazgou, Lidz, Liverpul, Mançester.

Eklipsi i pjesshëm do të fillojë në orën 19:52 dhe përfundojë në orën 20:51. /atsh / KultPlus.com

Shitet për 718 mijë dollarë dera e skenës së fundit të Titanikut

Dera që të dashuruarit Jack dhe Rose thanë fjalët e fundit, para vdekjes së Jack në filmin Titaniku, ishte një nga ekspozitat e një ankandi në Dallas të Teksasit, ku ajo u shit për 718 mijë dollarë.

Skena me derën është një nga momentet më të diskutueshme nga të gjitha skenat e filmit.

Dy protagonistët kryesorë nuk përshtaten në derë së bashku, dhe për të parandaluar vdekjen e Rose e cila shpëton duke qëndruar mbi atë derë, Jack sakrifikon vetën dhe zhytet në fund, shkruan Screen Crush.

Dy vjet më parë, Cameron testoi disa teori nga fansat për një dokumentar të National Geographic që ata të dy mund të kishin jetuar. Cameron më pas u detyrua të pranonte se, në rrethana shumë specifike, Jack dhe Rose mund t’i kishin mbijetuar të padëmtuar fatkeqësisë.

Rekuizita të tjera të famshme të shitura gjatë ankandit përfshinin kamxhikun e Indiana Jones (525,000 dollarë), sëpatën e Jack Nicholson nga The Shining (125,000 dollarë) dhe kostumin e zi të Spider-Man të Tobey Maguire nga pjesa e tretë. në serinë e tij për njeriun heroik merimangë (gjithashtu 125,000 dollarë). / KultPlus.com

19 vite nga vdekja e Melihate Ajetit, aktores që shkriu në skenë mbi 180 role kryesore

Aktorja Melihate Ajeti ka lindur më 9 tetor 1935 në Prishtinë dhe ka vdekur më 26 mars të vitit 2005 në vendin e saj të lindjes.

Shkollën fillore e kreu në Prishtinë, dhe vijoi shkollën e aktrimit poashtu në Prishtinë, duke vazhduar në Paris për të bërë një specializim. Ajeti e nisi aktrimin në moshën 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore ku dëshmoi talentin, bukurinë e kapacitetin e saj si aktore ku luajti tek: Zullumqari, Vajza pa pajë, Zonja me kamelie, Besa, Sikur të isha djalë, Halili e Hajrija, Erveheja, Hanka, Hamleti, Shtetrrethimi, Othello, Ana Karenina, Vdekja e një mbretëreshe, Svinga e Gjallë, Magbethi, Antigona, etj.

Ajo la gjurmë edhe në kinematografinë Kosovare e Jugosllave, tek Uka i Bjeshkëve të Nemuna, Buka, Zonja me kamelie, Etja, Trimi, Lepuri me 5 këmbë, Era e Lisi, Erveheja, Kur Pranvera vonohet, Të ngujuarit, E shtëna në ajër, Othello, Përroi vërshues, Migjeni, Gjurmët e bardha, Magbethi, Dorotej, etj.

Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic (1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.

Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti, ishte një nga gratë që u vlerësua si Primadona e skenës shqiptare. / KultPlus.com

Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe aleanca e ngushtë me Alfonson V të Aragonit

Më 26 mars të vitit 1451, Gjergj Kastriot Skënderbeu lidhi një aleancë me mbretin e Napolit, Alfonson V të Aragonit (1396-1458).

Përmes këtij akti zunë fill edhe marrëdhëniet hispano-shqiptare, deri atëkohë inekzistente. Me nisjen e mbretërimit të tij në vitin 1442, nën gjurmët e paraardhësve të tij normanë, Alfonso nisi aplikimin e një politike ballkanike ambicioze.

Në sajë të traktatit që nënshkroi me Skënderbeun, i njihej e drejta historike që mbretërit e Napolit kishin pasur mbi Shqipërinë, i dorëzonte Krujën dhe të gjitha zotërimet e tjera, si edhe zotohej për pagimin e haraçeve.

Deri në shuarjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe më pas i biri, Ferrante I (1458-1494) vijuan të kontribuonin në luftën kundër osmanëve. Në këmbim, Skënderbeu së bashku me 4000 vetë, u nis drejt Napolit, për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që pat shpërthyer në mbretëri në vitin 1462.

Kjo marrëdhënie e llojit ushtarak, qëndron në themel të kontakteve diplomatike që spanjollët dhe shqiptarët mbajtën gjatë shekullit XVI. / KultPlus.com

“Iu lutsha me shpirt me ma kthy djalin”, rrëfimet nga Masakra e Krushës së Madhe si thirrje për ndërgjegjen tonë historike

“Djalin ta kanë vra”, “Krejt me dalë jashtë”, “E ka gjujt me automat”, “Iu lutsha me shpirt me ma kthy djalin”, janë disa copëza të rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që ka ndodhur më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në nderim të secilës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur dje ekspozita: “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”, shkruan KultPlus.

Në fundin e muajit mars të vitit 1999, që siç njihet është muaji i pranverës, për banorët e fshatit u kthye në një dimër të fortë e në një stuhi që po i merrte familjarët e tyre në mënyrën më mizore, e që veç pranverë nuk mund të quhej. Në një fshat të vogël të Rahovecit, në Krushë të Madhe, u masakruan 243 persona që ishin të moshuar, burra, të rinj e fëmijë. Ata nuk u vranë, se vrasja me një plumb do të ishte lehtësim për ta, por u rrahën, u maltretuan, e u dogjën të gjallë duke i lyer me materiale djegëse e duke u vënë flakën.

Në mbrëmjen e 25 marsit, pas 25 viteve ku dhimbja është shumë e freskët edhe pse ka kaluar një çerekshekulli, është hapur kjo ekspozitë, projekt ky që ka filluar katër vite më parë, ku është promovuar botimi me rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës më të madhe në Kosovë, në dhjetë vëllime.

Në promovim, ishin të pranishëm ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ambasadorja e Kroacisë, Danijela Barišić, Ambasadori i Austrisë Georg Schnetzer, ambasadorja e Sllovenisë, Minca Benedejčič e shumë banorë të fshatit Krushë, mes të cilëve edhe të mbijetuar të masakrës.

Në hyrje të natës së promovimit, menaxherja e projektit, Gresë Maliqi, u shpreh se ky botim po del në dritë përpara përkujtimit të përvjetorit të kësaj masakre, ku u vranë të moshuar, burra, djem e fëmijë nga forcat serbe, dhe shumë të tjerë u zhdukën, u torturuan dhe u detyruan të largohen nga trojet e tyre.

“Ky botim është një përmbledhje e paçmuar e përvojave të jetuara të familjarëve dhe të të afërmeve të viktimave dhe të të mbijetuarve të masakrës, para, gjatë dhe pas luftës”, është shprehur Maliqi.

Ky projekt i cili përfshinë 33 hulumtues, është mentoruar nga prof. Arsim Canolli, prof. Tahir Latifi dhe prof. Shemsi Krasniqi. Ndërsa, projekti është udhëhequr nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës: Gresë Maliqi, menaxhere e projektit, dhe punëtorët e Bibliotekës: Rudina Tahiraj, Liridon Zekaj, Albana Morina – Mazreku, Eronida Ismajli, Bujar Mehmeti dhe Valdet Hoti.

Në ekspozitë janë përzgjedhur disa fragmente nga videointervistat e transkriptuara të Masakrës së Krushës së Madhe, me qëllim që të frymëzojnë për të kujtuar se Krusha e Madhe është një nga vendet më të rëndësishme në Kosovë, për ndërgjegjen tonë historike.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një fjalim të shkurtër u shpreh se viktimat e Krushës së Madhe nuk mund t’i harrojmë sepse nuk mund të harrojmë historinë tonë, dhe se mbledhja e këtyre rrëfimeve jo vetëm të tipit të këtij projekti, por edhe grumbullimi i atyre rrëfimeve para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare do të ishte një material i bollshëm për dokumentimin e krimeve të luftës.

“Kosova e ka institutin me të cilin do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë, jemi duke u angazhuar shumë që të fuqizohen institucionet, ato nuk do të falen dhe nuk do të harrohen asnjëherë”, është shprehur Haxhiu.

Në një intervistë për KultPlus, Haxhiu tutje u shpreh se gjatë mbrëmjes janë shpalosur 10 vëllime të masakrës së Krushës së Madhe, dhe se secila dëshmi e të mbijetuarve do të jetë ndihmesë për institucionet e drejtësisë me qëllim që ato të trajtojnë secilin krim që ka ndodhur gjatë luftës, duke filluar nga masakrat.

“Unë kam bërë përpjekje që të fuqizojmë kapacitetet e institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, numri i prokurorëve që merren me krimet e luftës është i vogël dhe ne kemi shtuar buxhetin që të rekrutojmë prokurorë shtesë për adresimin e këtyre krimeve”, ka thënë Haxhiu për KultPlus.

Tutje, ajo tha se adresimin e këtyre krimeve e ka pasur në përgjegjësi UNMIK-u dhe më pas EULEX, duke shtuar se sipas saj asnjëra nuk i kanë adresuar siç duhet krimet e luftës. Ajo tha se as pas dy dekadash nuk ka drejtësi për shumë të vrarë, dhe se instituti është në përfundim të shumë veprimeve për të funksionalizuar si institucion.

“Ua kemi borxh familjarëve apo të mbijetuarve, kur i shohim duke na parë në sy dhe kërkojnë nga ne që të sjellim drejtësi për familjarët e tyre”, është shprehur në fund Haxhiu.

Ndërsa, Kryetari i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, është shprehur se është e rëndësishme që materiale të tilla të jenë në dispozicion edhe si video edhe të transkriptuara.

“Gara mes gjuhës së shkruar dhe të folur në epokën tonë të mediumeve bashkëkohore merr një tjetër dallim. Dallimet e para pak dekadave kanë ndryshuar dukshëm falë rrjeteve sociale dhe kulturës ku gjendemi. Në këtë epokë e kemi edhe projektin që po e promovojmë sot”, është shprehur Rugova.

Tutje, ai tha se një gjuhë e folur që është shkruar si një sfidë për kujtesë, për shoqërinë që e ka aq të lehtë të harrojë, për shoqërinë që është mësuar të harrojë.

Kurse, një nga mentorët e projektit, prof. Tahir Latifi, ka treguar se janë trajnuar hulumtuesit e këtij projekti.

“Forcat serbe kanë kryer rreth 300 masakra në Kosovë, një ndër më të tmerrshmet është ajo në Krushë të Madhe, menjëherë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s”, është shprehur Latifi.

Ai tha se pavarësisht dëshmive të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të kësaj masakre, shteti serb nuk është përballur ende me drejtësinë, dhe se është parë e nevojshme që të bëhet dokumentimi i fakteve përmes intervistave.

“Në vitin 2020 Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin e Antropologjisë me profesorët mentorë, hartoi projektin e mbledhjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe që e përkrahu financiarisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Komuna e Rahovecit”, u shpreh Latifi.

Por, ajo që preku zemrën e secilit prej të pranishmëve, ishte e mbijetuara e kësaj masakre, Miradije Ramadani, e cila u shpreh se e ka përjetuar tmerrin në ato tre ditë.

“Unë si nanë kam humbur burrin dhe 12 burra të familjes Ramadani, i kam shtatë fëmijë, djalin e kam pas tetë muaj dhe gjashtë vajza, e kam humb burrin si me i pas humb krejt familjen se s’dijsha qysh me i rrit fëmijët”, tha ajo nën emocione të forta.

Mes lotësh, ajo rrëfeu ditën e parë kur serbët i kanë urdhëruar që të gjithë të largohen nga shtëpitë e tyre, ku ka pasur edhe refugjatë të vendeve të tjera.

Ramadani tregoi se burrat e Krushës së Madhe i kanë marrë serbët e i kanë maltretuar, duke shtuar se burrat i kanë vendos në dy anët e rrugës dhe i kanë vrarë.

“Na kanë thanë përshëndetuni për herë të fundit, na ecshim tu i ngreh fëmijët, na kanë kërku pare e dukat. Burri jem e ka pas një copë bukë në dorë e e kanë pyt pse po e mban bukën në dorë, ai tha që po don me ja dërgu vajzës, serbët i ranë me pushkë në dorë e gati ia këputën dorën”, rrëfen ajo duke treguar tmerrin e fshatit që siç thotë ajo, i doli flaka.

E mbijetuara Ramadani, tha se kur kemi dal në rrugën kryesore duke u larguar, e kanë parë flakën e fshatit, ku disa persona kanë thënë se i kanë djegur trupat e burrave në fshat, që kanë qenë rreth 160 persona.

“Edhe djalin ma morën serbët, dhe e sillshin nëpër pushkë, një ushtar ma shpëtoi djalin, se iu lutsha me shpirt, i thojsha se veç këtë djalë e kam e atëherë ma kthyen djalin”, tregon ajo.

Pas rrëfimit të Miradije Ramadanit, pothuajse të gjithë të pranishmit ishin me lot në sy, e në këto emocione ata vazhduan të shohin ekspozitën e të shkëmbejnë mes vete përjetimet nga lufta e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Olen Cesari vjen në Tiranë

Olen Cesari më në fund do të vijë në Tiranë me tre shfaqje në data 18, 19 dhe 20 Prill 2024. Violinisti i talentuar dhe një nga krenaritë e kombit tonë në skenën ndërkombëtare do vijë si pjesë “International Clandestine Orchestra”.

Të ftuar special në Pallatin e Kongreseve do të jenë Sergio Cammariere, Marsela Çibukaj, Carlos Paz dhe Gaz Paja.

Ai gjithashtu mban një pasaportë italiane dhe konsiderohet “fëmijë i mrekullive”. Ai u diplomua nga Instituti i Tiranës në moshën 14 vjeçare dhe 17 vjeç u diplomua me ndere nga Santa Cecilia (violinisti më i ri i konservatorit të Romës). Një vit më vonë u diplomua nga Mozarteum në Salzburg.

Me pasaportën e tij të dyfishtë Oleni është një bohem, një person autentik që ka luajtur në një numër të madh tempujsh mbarë botës, nga Taormina i lashtë në Konzerthouse Wiener në Vienë, Carnegie Hall në New York te Auditorium Park della Musica në Romë, nga Le Palace i Parisit në RTVE në Madrid.

Mes shfaqjeve më unike është videoja në shpatullën e Krishtit, hapi i parë i projektit ambicioz për të zbuluar shtatë mrekullitë e botës. / Tema / KultPlus.com

Burgu i Spaçit do të kthehet në Muze Kujtese

Ministri për Kulturën, Ekonominë dhe Inovacionin Blendi Gonxhja ka zhvilluar një takim për ecurinë e projekteve me organizatën Cultural Heritage Without Borders- Albania.

Puna e saj ka në fokus rijetësimin e trashëgimisë kulturore për zhvillimin socio-ekonomik të zonave ku ato ndodhen.

Në diskutim u fol për restaurimin e monumenteve të dëmtuara, disa nga tërmetet, si dhe për projekte më konkrete, siç është kthimi i ish Burgut famëkeq të Spaçit në një Muze Kujtese.

Gjithashtu u diskutua për ndërhyrjet në Kalanë e Krujës, ndihmë në konservime apo shpëtime të tjera anëkënd vendit dhe mundësi bashkëpunimi.

U theksua ndër të tjera rëndësia e shpejtimit të praktikave për koordinimin  më të mirë mes ekipeve respektive. /Tema / KultPlus.com

Sot 17 vjet nga koha kur Ahtisaari dorëzoi raportin për pavarësinë e Kosovës

Sot u bënë 17 vjet që kur ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin thoshte se Kosova duhej të bëhej e pavarur.

Derisa SHBA-ja e përkrahte planin e Ahtisaarit dhe mendonte se Kosova duhet të bëhet e pavarur, serbët vazhduan ta kundërshtonin planin.

Rusia bëri deklarata që mund të interpretohen si kundër pavarësisë, por nuk përmendi përdorimin e vetos.

Tri ditë më vonë, më 29 mars 2007, Parlamenti Evropian miraton një rezolutë me 490 vota pro, 80 kundër dhe 87 abstenime, ku shprehej përkrahja për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.

Në moshën 86-vjeçare, ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari vdiq më 16 tetor të vitit të kaluar. / KultPlus.com

“Journal des Femmes”: Shqipëria – destinacioni ideal për udhëtarët që kërkojnë klimë mesdhetare dhe natyrë të virgjër

Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet turistike më tërheqëse për pushime, falë çmimeve të lira, ujërave të kristalta, natyrës së pacënuar dhe trashëgimisë së pasur kulturore, sipas të përditshmes franceze “Journal des Femmes”.

Kur kërkojmë një destinacion pushimesh në Evropë, që ofron motin e nxehtë, detin, ujërat e kristalta, natyrën dhe një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, ne përgjithësisht mendojmë menjëherë për Italinë, Ibizën apo edhe disa ishuj të Portugalisë.

Të gjitha destinacionet në Evropën Perëndimore, një rajon evropian krejtësisht i ndryshëm, i vendosur në juglindje, përmbush të gjitha kriteret e dëshiruara për pushime të paharrueshme.

Rajoni ka një klimë mesdhetare në bregdetin e tij dhe në brendësi një klimë kontinentale, dhe kufizohet nga lumenjtë Danubi, Sava dhe Kupa në veri.

Ballkani është i pasur falë gjuhëve, kulturës dhe feve të tij.

Kjo pjesë e Evropës përfshin gjeografikisht Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe pjesërisht Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Rumaninë dhe Turqinë Evropiane.

Ky rajon po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj dhe viti 2024 padyshim nuk do të bëjë përjashtim.

Sipas ekspertes së udhëtime të “Responsible Travel”, Emma Heywood Shqipëria është një destinacion i paeksploruar në Evropë që ofron mot të ngrohtë, det, male, liqene, kanione dhe një kulturë magjepsëse dhe miqësore.

Destinacioni po fiton popullaritet dhe po tërheq një numër në rritje udhëtarësh të etur për të eksploruar dhe zbuluar natyrën e tij, veçanërisht liqenet, lumenjtë dhe plazhet madhështore.

Për më tepër, Shqipëria është shumë më e lirë se Kroacia, një nga destinacionet kryesore për turistët.

Nëse dëshironi të zbuloni territore të reja këtë verë me familjen tuaj, tani e dini se ku t’i përqendroni kërkimet tuaja! / atsh / KultPlus.com

https://www.journaldesfemmes.fr/maman/magazine/3167688-region-du-monde-attire-familles/

‘Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar, përveç nesh’

Beqir Musliu

”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”

Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur

Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë

Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan

Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë

Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh.

Promovohet ‘Kujtesa e Kosovës’, botimi me intervista të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” sot është promovuar botimi 10 vëllimësh “Kujtesa e Kosovës”, si përmbledhje e përvojave të të mbijetuarve dhe familjarëve nga kjo masakër.

Këto histori personale të banorëve, do të frymëzojnë për të kujtuar se Krusha e Madhe ishte një nga vendet më të rëndësishme për ndërgjegjen historike të Kosovës.

Me këtë rast, u hap edhe ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”, ku u prezantuan videointervista të transkriptuara të dëshmitarëve të masakrës së kryer më 25, 26 dhe 27 Mars të vitit 1999.

Në këtë ngjarje mori pjesë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetari e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe dëshmitarë e familjarë të të vrarëve në këtë masakër./KultPlus.com

Botohet vëllimi i IX i veprës se Mit’hat Frashërit, Stërmbesa: Ai e krahasonte gjuhën me një grua

Është botuar vëllimi i 9 i veprës së plotë të Mithant Frashëri, figurës polidrike te kulturës shqiptare dhe emrit kyç të Ballit kombëtar. Libraria, lufta, dashuria e emigracioni përfshihen në këtë vëllim. Duket se Frashëri e parashikoi atë që do të ndodhte:

“Unë edhe sikur të më përzini nga Shqipëria, do të punoj për Shqipërinë. Në përpjekje për bashkimin me lëvizjen nacionalçlirimtare është e njohur marrëveshja e Mukjes dhe përfshirjen e padëshiruar e të imponuar në luftën civile, të udhëhequr ng PK dhe Enver Hoxha që e provokoi, e nisi dhe e përfundoi luftën shkatërrimtare me vendosjen e regjimit komunist dhe ndarjen nga perëndimi demokratik”.

Stërmbesa e Mithat Frashërit, Lorena Frashëri rikujtoi mesazhin e tij për gjuhën shqipe.

“Mithati u bënte thirrje shqiptarë të shkruanin shqip, gjithnjë shqip.
Gjuhë, thoshte ai, është 100 herë më grua se gruaja më e stolisur. Po thërresin për të çelur shkolla, por librat ku i kemi. Po thërresin që të kemi bashkim, po një gjuhë të përbashkët ku e kemi. Duam qytetërim por themelet nuk kemi zënë t’i hedhim”, shkruante ai, tha stërmbesa.

Për një figurë poliedreke si ai, që jeta intelektuale e politike ka qenë më në vëmendje, por përtej saj, jeta e tij personale duket se e shpëtoi nga dëshpërimi

“Këtu botohen disa letra të shoqes së tij të dashur rumune, Anxhela Romano, me shkurtimin Mimi, e cila ankohen se vitet e fundit ai nuk po i shkruante rregullisht. Ajo jetonte me kujtimet e bukura me Mithatin në Rumani, Stamboll e Zvicër, dhe ëndërronte ta takonte në Gjenevë a gjetkë. Dashuria e mbajti gjallë Mithatin në jetën e tij të mundimshme si shërbëtor i përvuajtur i kombit”, tha Lorena Frashëri.
Vëllimi i 9-të nis në dokumente nga letra dhe koha e fundit të mbretërisë, përfshin luftën e dytë Botërore dhe mbërrin te vitet e emigracionit politik./balkanweb/KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ me koncert në Tetovë, paralajmëron spektakël muzikor

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” koncertin e radhës do ta mbajë në qytetin e Tetovës.

Ansambli “Shota” ka njoftuar se përmes këtij koncerti do të dhurohet një spektakël tërheqës me plot muzikë, kulturë dhe traditë, duke frymëzuar e emocionuar me trashëgiminë tonë të pasur artistike.

“Qendra e Kulturës në Tetovë dhe komuniteti artdashës i qytetit me kënaqësi mirëpresin koncertin artistik të ansamblit kombëtar ‘SHOTA’.

Një spektakël tërheqës plot muzikë, kulturë dhe traditë arrinë në Tetovë për të frymëzuar, emocionuar dhe mburrur me trashëgiminë tonë të pasur artistike. Ju ftojmë të bashkoheni në këtë ngjarje të jashtëzakonshme të kulturës sonë, për të përjetuar emocionet dhe bukurinë e muzikës dhe valleve të ansamblit ‘SHOTA’.

Mos harroni të rezervoni vendin tuaj për një eksperiencë të paharrueshme!”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më 13 prill, në ora 19:00 në Qendrën e Kulturës-Tetovë./KultPlus.com

Zija Çela, shkrimtari pa korniza me shpirtin e madh si horizonti

Sot shkrimtari Zija Çela mbush 78 vjeç.

Ai lindi më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet.

Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga 1984-1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejmë kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.

Si autor u bë i njohur nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili për realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit.

Libri autobiografik “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” dëshmon pikërisht forcën shpirtërore e artistike të Zija Çelës, që humbjen e djalit e ktheu në dashuri e forcë krijuese, ndërkohë që romani “SOS, një buzëqeshje” është përgjigjja më e jashtëzakonshme, e pashembullt, e pangjashme që një shkrimtar mund t’u japë sfidave dhe pësimeve të jetës. “SOS” është ndër arritjet letrare më të realizuara të Zija Çelës dhe njëra ndër majat më të larta të prozës sonë. Në vitin 2023 boton romanin “Pilisama Selfie”.

Gjatë gjithë karrierës së tij, shkrimtari Zija Çela është vlerësuar dhe etiketuar me epitete mjaft stimuluese. Në vitin ‘88, kur shkroi “Mali i tejdukshëm”, studiuesi Shaban Sinani, në një shkrim kritik mbi librin, e quante Çelën “zharminal shqiptar”. Por ky Zharminal, të kujton Emil Zolanë. Në vitin 1990-1991, kur u botua “Gjaku i dallëndyshes” dhe “Gjysma e Xhokondës”, shkrimtari Eqerem Basha në Prishtinë shkruante në një revistë duke u bërë thirrje shqiptarëve “lexojeni Çelën, se ne kemi Garsia Markezin shqiptar”.

Më tej e kanë krahasuar me Kamynë, Kafkën, Letërsinë e absurdit.

Rexhep Qosja është shprehur për Çelën, se “krijimtaria e tij është një pasuri shpirtërore me mvetësi e origjinalitet të veçantë, është krijimtari e disallojshme e shumaspektore në të cilën me fjalët janë bërë beteja kundër të këqijave politike, shoqërore, morale e kombëtare dhe në të cilën njëkohësisht janë bërë beteja për rëndësinë, kuptimin, figurshmërinë e bukurinë e fjalës.”

Ndërsa albanologia rumune Oana Glasu, ka thënë: “E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta. E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt!”

Zija Çela është fitues i disa çmimeve letrare, si Çmimi i Republikës (“Buletini i borës”) (1984); Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Monedha e dashurisë”) 1996; Çmimi “Velija” për romanin më të mirë të vitit (“Banketi i hijeve”) 1998; Çmimi “Buzuku” (Kosovë) për romanin më të mirë të vitit (“Lëngata e hënës”) 2002; Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Las Varrezas”) 2006; Çmimi Kriterion, 2010; Çmimi “Petro Marko” për romanin më të mirë të vitit (“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”) 2012; Çmimi “PEN i Shqipërisë”, 2013 dhe Urdhri “Nderi i Kombit” 2016 – dhënë nga presidenti i kohës, Bujar Nishani./atsh/KultPlus.com

Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka refuzuar kërkesën e Rusisë, për të vendosur në rend dite të agjendës, seancë të jashtëzakonshme për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë 25 vjet më parë.

Vetëm tre anëtarë votuan pro gjatë një procedure formale, ndërsa 12 të tjerë abstenuan ndaj kësaj kërkese, transmeton klankosova.tv.

Përfaqësuesit e Francës dhe SHBA-së insistuan se Rusia nuk është konsultuar fare me anëtarët e Këshillit të Sigurimit për këtë seancë, ndaj dhe kërkesa u hodh poshtë.

Kurse përfaqësuesi i Rusisë ka insistuar me arsyetimin se kërkesa e saj kishte figuruar në agjendë dhe ishte publikuar në kalendar nga Presidenca Japoneze e OKB-së.

Pak fjalë për Kadarenë…

Josif Papagjoni

Herë pas here, kryesisht në artikuj gazetash e më shumë në rrjetet sociale, ka shpërthime kritikash denigruese, gjer të neveritshme ndaj Ismail Kadaresë dhe veprës së tij. Një nga këto denigrime lexova këto ditë dhe saora nervat m’u cytën… Po cili nga këta liliputë e zëvendëson madhështinë e letërsisë së Kadaresë?! E shajnë dhe e stërshajnë, marrin pozat e njohësve të letërsisë, duke ngatërruar enkas pozicionin e tij politik gjatë regjimit komunist si dhe karakterin e tij shpesh të ftohtë, i distancuar, me fuqinë e artit, aq superior me veprën që shkroi e na la pas, i paarritshëm nga askush përbri – një aset kombëtar. Ndonëse thuhet se shkrimtari është po aq edhe vepra e tij, nga ana tjetër vepra me shkrimtarin kanë jetë të mëvetshme, gëzojnë një integritet dhe pavarësi secili më vete.

Ca më shumë kjo bëhet e vërtetë kur koha rrjedh dhe vepra i drejtohet një lexuesi tjetër. Lexuesi, mbase, ndaj shkrimtarit nuk është i interesuar se si ka qenë ai e çfarë ka bërë këtu apo atje, me këtë apo atë person, i pëlqen a s’i pëlqen kjo kafe, kjo raki, ky njeri; ndërsa ndaj veprës së tij, përkundrazi, lexuesi krijon një lidhje shpirtërore të ngushtë, gati ndërvarësie, falë kënaqësisë që ajo i shkakton dhe dijes që i jep. Është një lloj epifanie, një farë ekologjie e medjes dhe shpirtit të tij prej shqiptari që rreket drejt të përsosurës, asaj që pa dashjen tënde kthehet në një farë tempulli dhe faltoreje estetike për të gjithë.

Pra, në këtë rast, jo vetëm për Kadarenë, shkrimtari dhe krijimtaria e tij që vjen edhe në kohën e fundme, janë dy identitete të ndryshme, me zanafilla po të ndryshme, e para humane (njeriu si shkrimtar), e dyta estetike (vepra si krijim artistik). Ky dallim duhet bërë mepatjetër, përndryshe bie në kurthin e ndjenjave jo mirëfilli estetike në perceptimin dhe vlerësimin e veprës së tij. Kur nuk bëhet, mendimi dhe kritika si e tillë ose devijon nga objekti, ose denigron në sharje dhe mohime pa sens e logjikë. Shumë nga këta “kritikë”, jo vetëm ndaj Ismail Kadaresë, bëjnë vetë letërsi, shkruajnë romane, shkarravisin paçavure, mediokre, krejt në fasha ideologjike e politike (por të “reja”), sa me zor e shtyn leximin e tyre.

Letërsia e këtij madhori të letrave shqipe nxit shumë xhelozi, sikur i verbon, i budallalleps, dhe mërinë e tyre, politike në këtë rast, e çon në ligësi dhe e nxjerr nga diagrama estetike. Kur një madhor nuk arrihet dot, sepse është shumë lart, ziliqari, mediokri, i vockli, kinse shkrimtari modern, veçse shan, veçse mohon, veçse hedh poshtë, qit kleçka, shkelmon. Kërkon ta ndot shkrimtarin por ndot vetveten, se balta i përplaset në fytyrë. Ia përplas vetë koha. Ia përplas pëlqimi që ai ka te lexuesi. Shija e mirë zotëruese. Ligji i hekurt i artit dhe bukurisë.

Po si t’ia bëjnë hallit ziliqarë të tillë të paepur se kjo letërsi si ajo e Kadaresë ka një pëlqim botëror dhe nderon gjeniumin e krejt një kombi si i yni?! Kush e shkruan aq bukur dhe me aq guxim një “Pallati i ëndrrave”, një “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kush? Po një “Prilli i thyer”, një “Kronikë në gur”, një “Kështjella”, një “Koncert në fund të dimrit” të para vitit 1990 etj? Se këtu e kanë hallin dhe gozhda këtu u ka ngecur, duke u rënë borive se letërsia e tij është e kontaminuar… Veprat e mëdha nuk rrëzohen dot me sharje, përkatësi ideologjike dhe ulërima politike. Këto nuk i përkasin “letërsisë si të tillë”, nuk janë pjesë e mishit dhe kockës së saj (si përkryerje letrare artistike). Janë jashtë saj. As me xhelozi mediokrish kjo letërsi nuk rrëzohet dot. Kush nga këta vocërrakë e arrin atë bukuri dhe atë elegancë të gjuhës së Kadaresë, kush?

Po atë begati dhe shpengim poetik të narrativës së tij, atë koreografi fjale e fraze që ligjërimi ka e përfton, atë sintaksë vallëzuese, atë filozofi, atë subjekt e mënyrë rrëfimi që të rrëmben dhe s’të lë ta mbyllësh fletën e librit, atë sugjestion, atë magji dhe tërheqje që ti ndjen kur lexon letërsinë e tij? Po atë risemantizim modern të mitit dhe legjendës (p.sh. romanet “Kështjella”), po atë simbolikë që dekriptohet lehtë (p.sh. “Përbindëshi”, “Koncert në fund të dimrit” etj.), po atë imazh trallisës si një habi dhe grotesk (p.sh. “Kronikë në gur”), po atë psikë të deformuar, atë antropologji dhe kod zakonor si një stigmë mu në zemër (“Prilli i thyer”) etj. Gjejnë këtyre romaneve ca gjethe të kalbura rënë nga suferina e kohës. Nuk shikojnë blerimin, kurorën, si aora e metafora të spërndritura të një talenti të jashtëzakonshëm, që bëri letërsi normale në një kohë anormale (siç e ka pohuar vetë).
Kur mali është i lartë, shumë i lartë, të tjerët, ziliqarë e sharës duken si minj… (për mos ta tepruar, po i quaj vocërrakë, liliputë, që bubrojnë në asgjënë e tyre)…/Balkanweb/KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton të rënët e Fortesës, Celinës dhe Brestocit të Rahovecit: Arritëm lirinë me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve

Kryeministri Albin Kurti, në 25 vjetorin e masakrave ka përkujtuar të rënët e fshatrave të Rahovecit, Prizrenit dhe Gjakovës, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe në vitin 1999.

Kryeministri Kurti tha se pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

“Kërkoni ndihmë nga NATO tash!”, u kishin thënë policët e Serbisë grupit prej 13 shqiptarëve në Fortesё (ish Bellacёrkё) para se të shtinin mbi ta me armë automatike. Çlirimi, Lumturija, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm Shkodran Zhuniqi, 4 vjeҫar.

Më 25 mars 1999, në Fortesë të Rahovecit u vranë 69 shqiptarë, mes tyre 15 fëmijë. Më i vogli ishte 3 vjeç.

Atë ditë në Celinë të Rahovecit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në fshat nga katër drejtime. Ata vranë e masakruan 82 persona të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën.

13 nga të vrarët ishin fëmijë: Alma (18 muajshe), Albani (5 vjeҫ), Bledari (8 vjeҫ), Besarti (10 vjeҫ), Altini (10 vjeҫ), Albulena (11 vjeҫe), Suzana (11 vjeҫe), Burbuqja (13 vjeҫe) nga familja Zeqiri, Ramazani (8 vjeҫi), Mejremja (15 vjeҫe) dhe Gëzimi (17 vjeҫ) nga familja Salihu, dhe Bedrush Hasani (15 vjeҫ) e Alban Rexhepi (14 vjeҫ).

Po atë ditë në masakrën në Brestoc të Rahovcit, forcat e armatosura serbe vranë 54 shqiptarë.

25 vite më parë, masakrat mizore të Serbisë mbi popullsinë civile, lanë edhe 46 të vrarë në Tërnje të Suharekës dhe 20 të vrarë në Goden të Gjakovës, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën. Në Randobravë të Prizrenit, forcat serbe vranë 8 anëtarë të familjes Pajaziti. Në mesin e tyre ishte një nënë me katër fëmijët e saj, të moshave ndërmjet 7 dhe 2 vjeç.

Një ditë më parë kishte filluar fushata bombarduese nga forcat e NATO-s, me qëllim të ndalonin gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Bombardimet e NATO-s ndaluan projektin gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.

Me ndihmën e vendeve aleate të NATO-s e arritëm lirinë e Kosovës, me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që e gëzojmë!/KultPlus.com