Nis restaurimi i shtëpisë së familjes Safqiu në Prishtinë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se sot kanë filluar ndërhyrjet restauruese në shtëpinë e familjes Safqiu në Prishtinë, e cila është e ndërtuar rreth vitit 1800.

Sipas Ministrit Çeku kjo shtëpi paraqet vlera arkitektonike, historike e shoqërore.

“Vazhdojmë pa u ndalur me investime në trashëgimi kulturore

Kanë nisur ndërhyrjet restauruese në shtëpinë e familjes Safqiu në Prishtinë. E ndërtuar rreth vitit 1800, kjo shtëpi paraqet vlera arkitektonike, historike e shoqërore.

Asete të tilla janë pasqyrë e trashëgimisë sonë dhe si të tilla po i ruajmë për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Çeku në facebook./KultPlus.com

Vdes shkrimtari për fëmijë, Laurent de Brunhoff

Shkrimtari Laurent de Brunhoff ka vdekur sot në moshën 98-vjeçare.

Francezi i cili u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1980-ta, vdiq të martën në shtëpinë e tij në Florida.

Ai ishte autor i serisë së librave me piktura, Babar, të cilat i kishte krijuar i ati i tij, Cecile, e që ua kishte lexuar atij dhe vëllait të tij si tregime gjumi.

Kjo seri librash ka shitur miliona kopje në mbarë botën, dhe madje është krijuar edhe program televiziv bazuar në to.

Ekspozita ‘Ideas for Prishtina’, Kryetari Rama fton qytetarët të votojnë për projektet më të mira

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar qytetarët që të vizitojnë ekspozitën “ Ideas for Prishtina”, dhe me këtë rast të votojnë për projektet më të mira nga gjithasej 67 projekte të kryeqytetit të cilat janë të ideuara nga arkitektë, ingjinierë e dizajnerë nga vende të ndryshme të botës.

Kryetari Rama me këtë rast i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit të cilët ishin sot të pranishëm në hapje të ekspozitës.

“Falënderoj të gjithë pjesmarrësit në hapjen e ekspozitës “Ideas for Prishtina”.

Të dashur qytetarë, nga sot e deri më datën 5 prill 2024, ju mund të shihni, vlerësoni dhe të votoni për projektet më të mira, nga 67 sa janë të ekspozuara. Projekte të ideuara me kujdesin më të madh nga arkitektë, inxhinierë e dizajnerë nga 17 vende të ndryshme të botës.

Ejani në hollin e objektit të komunës në rrugën “UÇK”, vizitojeni ekspozitën dhe votoni për projektet më të mira të cilat do ta transformojnë Prishtinën”, është shprehur Rama në facebook./KultPlus.com

‘Gjithçka të shumtë ai e pati, të vetme kish veç Shqipërinë’

Poezi nga Ismail Kadare

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com

Octavio Paz: Poezi dhe frymëmarrje

Étiemble* pranon se kënaqësia poetike mund të jetë me origjinë fiziologjike. Më saktë: vjen prej muskujve dhe organit të frymëmarrjes. Dhe për të përligjur pohimin e tij nënvizon se masa e vargut aleksandrin francez – koha që vonohemi për ta shqiptuar – përkon me ritmin e frymëmarrjes. Po ashtu ndodh edhe me njëmbëdhjetërrokëshin spanjoll e me atë italian. Megjithatë, Étiemble nuk na shpjegon se si dhe pse na shkaktojnë kënaqësi vargjet e masave më të shkurtra apo më të gjata.

Gjatë shumë shekujsh tetërrokëshi qe vargu kombëtar spanjoll dhe, po ashtu, pas reformës së Garsilasos tetërrokëshat e romancës vazhdojnë të jenë mjet i qëndrueshëm për poetët e gjuhës tonë. A mund të mohohet kënaqësia me të cilën dëgjojmë dhe themi tetërrokëshin tonë të vjetër, vargjet e gjata të Uitmanit apo vargjet e bardha të isabelinëve*? Duket se masa varet më shumë nga ritmi i gjuhës – siç ka treguar poeti Tomas Eliot në një ese shumë të njohur, kënaqësia vjen prej muzikës së bisedës – se sa nga fiziologjia.

Masa e vargut gjendet qysh në embrion, në masën e frazës. Ritmi verbal është historik dhe shpejtësia, ngadalësia ose tonalitetet që arrin gjuha në këtë apo atë moment, në këtë apo atë gojë, priren për t’u kristalizuar mandej te ritmi poetik. “Ritmi i epokës” është diçka më shumë se një shprehje e figurshme dhe mund të bëhej një model historie për çdo komb – dhe për çdo njeri – nisur nga ritmi i vet jetësor. Ky ritëm – koha e veprimit, e mendimit dhe e jetës shoqërore – është gjithashtu e mbi të gjitha ritëm jetësor.

Shpejtësia marramendëse dhe fluturake nga Lope de Vega te Kalderoni bëhet madhështore, shëtitje emfatike përmes gjuhës; poezia e Huidobros* është një varg të shtënash verbale, siç i përshtatet temperamentit të tij dhe atij të brezit të pasluftës së parë botërore që sapo zbulonte shpejtësinë mekanike; ritmi i vargjeve të Cesar Vajehos* rrjedh prej të folmes peruane…

Kënaqësia poetike është kënaqësi verbale dhe është bazuar te gjuha e një epoke, e një brezi dhe e një komuniteti.Nuk e mohoj që ekziston një lidhje e padyshimtë midis frymëmarrjes dhe vargut: çdo fakt shpirtëror është gjithashtu edhe fizik. Por kjo lidhje nuk është e vetmja e as përcaktuesja, sepse, po të ishte ashtu, do të kishte vargje vetëm të së njëjtës masë në të gjitha gjuhët.

Të gjithë e dimë se japonezët nuk praktikojnë veç metrikën kon – pesë dhe shtatërrokësh -, ndërsa arabët dhe hebrenjtë preferojnë vargjet e gjata. Të recitosh vargje është një ushtrim frymëmarrës, veç është një ushtrim që nuk përfundon në vetvete.

Të marrësh frymë mirë, plotësisht, thellë, nuk është vetëm një praktikë higjiene e as vetëm sportive, por një mënyrë për t’u bashkuar me botën dhe për të marrë pjesë në ritmin universal. Të recitosh vargje është si të vallëzosh me lëvizjen e përgjithshme të trupit tënd dhe të natyrës tënde. Parimi i analogjisë apo përkimi kryen këtu një funksion vendimtar. Recitimi ka qenë – dhe vazhdon të jetë – një rit. Aspirojmë dhe thithim botën, mbushemi me botën, në një akt që është ushtrim frymëmarrjeje, ritëm, imazh dhe ndjenjë, në unitet të pandashëm. Frymëmarrja është një akt poetik sepse është një akt kungimi. Aty, dhe jo te fiziologjia, qëndron ajo që Étiemble e quan “kënaqësia poetike”.

I njëjti kritik thotë se për André Spire – teoricien francez për vargjet e lira – kënaqësia poetike reduktohet në një lloj gjimnastike, ku marrin pjesë buzët, gjuha dhe muskujt e tjerë të gojës bashkë me fytin. Sipas kësaj doktrine të mprehtë, çdo gjuhë, që të flitet, lyp një seri lëvizjesh muskulore. Vargjet na shkaktojnë kënaqësi sepse provokojnë dhe nxitin lëvizje të këndshme të muskujve. Kjo shpjegon pse disa vargje “tingëllojnë bukur”, ndërkohë që të tjerë, me të njëjtin numër rrokjesh, nuk “tingëllojnë” dhe aq mirë; që vargu të jetë i bukur, fjalët duhet të jenë vendosur në frazë në atë mënyrë që shqiptimi i tyre të bëhet me lehtësi, pa sforcim.

Ashtu si edhe vrapuesi në garën me pengesa, recituesi hidhet nga një fjalë te tjetra dhe kënaqësia që i shkakton kjo garë vrapimi, me kthesa dhe kapërcime, në një labirint që i ngacmon dhe i josh ndjenjat, nuk është i një natyre të ndryshme nga ajo luftëtarit apo e notarit. Gjithçka thamë më lart për poezinë si frymëmarrje është e zbatueshme në këto ide: ritmi nuk është një kumbim i izoluar, as një vlerë e thjeshtë dhe as kënaqësi muskulore, por të gjitha këto së bashku, në unitet të pazgjidhshëm.

Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli /Hejza/KultPlus.com

Gruaja shqiptare sipas Mit’hat Frashërit

Mit’hat Frashëri

E dashur këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nuk bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë aktive në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.

Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë, pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.

Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.

A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?

Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmë gruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?

Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonë prej lëngatavet, të kemi një popull të shëndoshë, një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë.

Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.

Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.

Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.

Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.

Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.

Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë.

Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërë dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.

Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë

Përmes një postimi në facebook, Kryeministri Kurti ka treguar të arriturat në fushën e Kulturës duke thënë se reformat e ndërmarra kanë prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Postimi i plotë në facebook:

Qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë. Kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë.

Shumë ligje e politika të reja me ndikim të matshëm në mirëqenien e artistit dhe sportistit. Reforma jonë ka prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Vëmendjen e munguar më herët, e që tash ia kemi dhënë trashëgimisë, e dëshmon trefishimi i buxhetit vjetor për investime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe restaurimi i mbi 100 aseteve të trashëgimisë kulturore. Përuruam Lokalitetin Arkeologjik që dëshmon se Prizreni është për tetë shekuj më i lashtë sesa është menduar fillimisht, e për herë të parë po realizojmë shpronësime në lokalitete arkeologjike siç kemi bërë në rastin e Dresnikut dhe Ulpianës. Te kjo e fundit vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i perandorit Justinian, dëshmi e lidhjes së tij me Dardaninë, dhe dëshmi e identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetë të hershme – pa dyshim një ndër zbulimet më të rëndësishme në arkeologjinë e vendit.

Përkushtimi që kemi pasur për sportin e dëshmon programi 12 milionësh “Kosova, Shtet i Xhudos”; puna dhe investimet aktuale në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve; organizimi për herë të parë i Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos; dhe aplikimi i suksesshëm për organizimin historik të Lojërave Mesdhetare 2030, që u kumtua në shtator të vitit të kaluar nga Kreta e Greqisë.

Ndamë 15 milionë euro për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit. Kanë filluar dhe po vazhdojnë punët në renovimin e Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kemi ndarë 14.5 milionë euro për rinovimin e tërësishëm të Stadiumit të Qytetit të Pejës “Shahin Haxhiislami”. Kanë filluar punimet për rinovimin dhe zgjerimin e Stadiumit të Qytetit në Shtime. Së shpejti fillon rindërtimi i tërësishëm i fushës së stadiumit të Prishtinës “Fadil Vokrri”. Kamenica do të bëhet me stadium të atletikës, të parin të këtij lloji në vend. Jemi duke e zbatuar planin investiv pesë vjeçar në infrastrukturën e futbollit që përfshin gjithsej 27 stadiume anekënd vendit.

Prishtina mirëpriti Manifestën 14, ngjarjen më të madhe kulturore dhe artistike në vend. Themeluam institucionin e Operës së Kosovës. E ajo solli në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqjen më të madhe operistike të luajtur ndonjëherë te ne.

Kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë në kinematografi – 12 milionë euro për prodhim të filmit dhe kinematë. Kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëprodhimit kinematografik me disa shtete, si mundësi shtesë financimi për kineastët tanë.

Për të nxitur të rinjtë që të angazhohen e merren sa më shumë me art e sport, kemi filluar programet “Arti në Shkolla” dhe “Sporti në Shkolla”. “Arti në Shkolla” gjatë këtij viti do të zgjerohet në 30 komuna të Kosovës dhe të përfshijë 50 mijë nxënës. Në kuadër të programit “Sporti në Shkolla” po marrin pjesë mbi 13 mijë nxënës brenda vitit. Basketbolli, shahu, xhudoja, skijimi dhe ngjitja në mal (hikingu) tashmë janë bërë pjesë e integruar e kalendarit jashtëkurrikular arsimor.

Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen. Kultura, arti dhe sporti, po kultivohen e ruhen si pasuri kombëtare. Sepse talentet zhvillohen, por edhe duhen mbështetur përmes qeverisjes së mirë./KultPlus.com

Rregullatorët evropianë nisin hetim kundër Apple, Google dhe Meta

Rregullatorët evropianë i kanë nisur hetimet kundër kompanive Apple, Google dhe Meta të hënën.

Ky është rasti i parë i hetimeve në përputhje me ligjin e ri – që hyri në fuqi këtë muaj – i cili ka për qëllim të mos i lejojë kompanitë e mëdha të teknologjisë ta kontrollojnë tregun digjital.

Komisioni Evropian tha se po i heton këto kompani për “mosbindje” ndaj Aktit të Tregjeve Digjitale (ATD).

Akti i Tregjeve Digjitale është një ligj i gjerë i cili i ka në shënjestër kompanitë e mëdha të teknologjisë që ofrojnë “shërbime të platformës kryesore” duke i detyruar ato t’u përmbahen një sërë rregullash se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo.

Nëse nuk i përmbahen ligjit, ato rrezikojnë ndëshkime të ashpra financiare, e madje edhe me mbylljen e bizneseve.

Rregullat kanë për qëllim t’i bëjnë tregjet digjitale “më të drejta” dhe “më të kontestueshme”, duke i prishur ekosistemet e mbyllura teknologjike të cilat i detyrojnë myshterinjtë të përdorin produkte apo shërbime të një kompanie të vetme.

Rregullatorët po hetojnë nëse Google dhe Apple po u përmbahen plotësisht rregullave të ATD-së, të cilat kërkojnë që këto kompani t’i lejojnë zhvilluesit e aplikacioneve t’i drejtojnë përdoruesit kah ofertat në dispozicion jashtë dyqaneve të tyre të aplikacioneve.

Komisioni Evropian tha se ndihet i shqetësuar se këto dy kompani janë duke vendosur “kufizime të ndryshme”, përfshirë pagesa që ua parandalojnë aplikacioneve promovimin e ofertave falas.

Google përballet me kritika se nuk po u përmbahet rregullave të ATD-së, të cilat u ndalojnë kompanive gjigante t’i bëjnë preferenca shërbimeve të veta karshi atyre rivalëve.

Komisioni tha se është duke e hetuar kompaninë Apple gjithashtu për të parë nëse ajo po bën mjaftueshëm për t’i lejuar përdoruesit e iPhone t’i ndryshojnë me lehtësi ueb-brouserat.

Ndërkohë, Meta po hetohet për një opsion i cili u mundëson përdoruesve të paguajnë një shumë mujore për versione pa reklama të Facebook dhe Instagram, në mënyrë që ta shmangin përdorimin e të dhënave personale kur targetohen me reklama online. /REL / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë kushtuar publicistit arbëresh Anselmo Lorecchio

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u çel sot ekspozita përkujtimore “In memoriam Anselmo Lorecchio (1903-1966)”, duke sjellë në vëmendje të publikut, në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta, krijimtarinë e publicistit arbëresh.

Lorecchio u shqua si veprimtar i Lëvizjes Kulturore e Politike të Arbëreshëve të Italisë. Mori pjesë në Kongresin Gjuhësor Arbëresh në Koriliano-Kalabro më 1895, ku u zgjodh edhe sekretar i Shoqërisë Kombëtare Shqiptare, që u themelua atje. Më 1897 kryesoi Kongresin Gjuhësor në Unger (Lungro) të Kalabrisë. Bashkëpunoi me organe të ndryshme të shtypit italian.

Është autor i një vargu artikujsh dhe i disa studimeve për çështjen kombëtare shqiptare, ku është shprehur për vendosjen e marrëdhënieve të gjithanshme italo-shqiptare. U bë i njohur si drejtor i gazetës së përdyjavshme “La nazione albanese” (1897-1924), e cila i bëri jehonë të gjerë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Ai ishte nismëtar për përkthimin dhe botimin italisht të veprës së Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe çdo të bëhetë” dhe i “Historisë së jetës dhe bëmave të Skënderbeut” të M. Barletit. Është autor i biografive të figurave të njohura të botës arbëreshe, midis të cilave, studimi për F. Krispin, që e quan “shqiptar me zemër e me gjak”. Ai përkrahu idenë e origjinës pellazgjike të shqiptarëve. Autor i librave: “La questione albanese” (“Çështja shqiptare”, 1898); “Il pensiero albanese in raporti agli interesi italiani”, 1904 (“Mendimi shqiptar në raport me interesat italiane”) etj.

Më 2 mars 1922, me propozim të Fan Nolit, ai u caktua përfaqësues i shtetit shqiptar pranë Selisë së Shenjtë. Me ndarjen e tij nga jeta u mbyll edhe gazeta “La nazione albanese”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së. / atsh / KultPlus.com

Në nder të 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, hapet ekspozita “Kosova në gjuhët e botës”

Akademia e Shkencave dhe e Arteve në Kosovë, gjatë ditës së sotme ka hapur ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”, në nder të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-S në Kosovë në vitin 1999.

Ceremonia e hapjes së ekspozitës u përcoll me një program të shkurtër muzikor, ku në piano luanin Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli – Dehiri.

Të shoqëruar lehtas nga tingujt e pianos, të pranishmit po udhëtonin në kohë përmes kësaj ekspozitë ku ishin ekspozuar qindra libra dhe botime në shumë gjuhë të huaja, që në vitet e pushtimit serb në Kosovë, kanë paraqitur vuajtjet e popullit tonë, vrasjet e të moshuarve, grave e fëmijëve, spastrimin, dhimbjen e të mbijetuarve, e çdo gjë të tmerrshme që ka prekur familjet shqiptare, ku secili ka një histori të dhimbshme e trauma të asaj periudhe, shkruan KultPlus.

Viti 1999, me ndihmën e shteteve aleate dhe të bombardimeve të NATO-s, ka shënuar “fundin” e vuajtjeve të shqiptarëve, e thënë në thonjëza pasi pasojat e veprimeve të militantëve serb, kanë përcjellur popullin tonë shumë vite më vonë, duke vazhduar edhe sot të shënohen përvjetore të familjeve të tëra që janë vrarë, të kërkohen trupa të zhdukur, e të bëhen përpjekje për të zvogëluar traumat e grave të dhunuara.

Në ekspozitën e hapur sot, ishin të pranishëm shumë persona, figura të njohura politike e akademike e përfaqësues të mediave. Në mesin e të pranishmëve ishin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ish-ministri Arsim Bajrami, historiani dhe anëtari i Akademisë së Arteve, Frashër Demaj e shumë të tjerë.

Në fjalimin hyrës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Kosovë, Mehmet Kraja, duke folur për ekspozitën që rikujton shumë momente të asaj kohe, është shprehur se kjo ekspozitë do të duhej të quhej “Kosova në Memorien e Botës”, duke shtuar se kjo është një memorie e botës për ne dhe shtetin tonë.

Kraja tutje ka thënë se kjo ekspozitë është një mesazh me vlerë të qëndrueshme politike dhe humane, dhe se përmes këtyre librave të ekspozua, kujtojmë thirrjen e kujtesës dhe ndërgjegjes për shtetin tonë në fund të shekullit të XX.

Pas tij, fjalën e mori kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se përkimi i kësaj ekspozite të librave për Kosovën me luftën që NATO e bëri për të shpëtuar Kosovën, na bën të mendojmë se lufta e popujve të vegjël për liri duhet të zhvillohet në shumë fronte, sepse ne varemi nga mbështetja e shteteve të mëdha.

Konjufca ka shtuar se paraqitja e ngjarjeve në Kosovë në tërë opinionin publik, ka qenë shumë e rëndësishme sepse propaganda serbe në shtete tjera ka qenë e hershme dhe e gjatë.

“Për ne që mbështetjen e kemi kërkuar nga aleatët, ka qenë me rëndësi që mbështetjen ta kemi edhe nga çarqet akademike, dhe vendimi i shumë krerëve dhe shteteve mike për të mbështetur çlirimin e Kosovës, ishte më i lehtë për faktin e krijimit të opinionit pozitiv të të huajve”, është shprehur Konjufca gjatë fjalimit të tij.

Ai ka shtuar se duhet të veçohen librat e autorëve që ishin edhe vetë protagonist kryesorë në Pavarësinë e Kosovës, si presidenti amerikan Bill Clinton, sekretarja e shtetit Madeleine Albright, kryeministri italian Tony Blair e shumë të tjerë që vendosën kujtimet e tyre për Kosovën dhe për të vërtetën.

Në një intervistë të shkurtër për KultPlus, kryetari Konjufca, shtoi se kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme sepse janë të gjitha librat që janë botuar në gjuhët e huaja sa i përket çështjes së Kosovës.

“Ka qenë shumë e vështirë që shtetet demokratike të Evropës dhe të botës në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të veprojnë pa u bindur opinioni i brendshëm publik se kush ka pasur të drejtë, Kosova apo Serbia, e për të bindur botën që Kosova ka pasur të drejtë, është dashur të shkruhen qindra libra që të prezantohen padrejtësia, shtypja, spastrimi e në fund gjenocidi që po e bën Serbia në Kosovë”, ka deklaruar Konjufca për KultPlus.

Ndërsa, historiani Frashër Demaj i cili është edhe anëtar në Akademinë e Arteve, ka thënë se Akademia në kuadër të planifikimeve për shënimin e 25-vjetorit për sulmin e NATO-s, në mesin e shumë aktiviteteve, ka organizuar edhe këtë ekspozitë me tituj dhe botime që vijnë nga bota jo shqipfolëse, që shumica janë në gjuhën angleze.

“Përmes ekspozitës ne deshëm të sjellim në kujtesën e qytetarëve të Kosovës rëndësinë e këtyre botimeve me autorë që kanë qenë bartës të funksioneve të ndryshme, siç është presidenti Clinton dhe sekretarja Albright, që kanë ndikuar pozitivisht që çështja e Kosovës të sensibilizohet gjithandej rruzullit tokësor”, është shprehur Demaj.

Tutje, historiani Demaj tha se kontributi i tyre duhet të ndahet në dy faza, në fazën e parë që është nga viti 1990, ku më pas u organizuan zgjedhjet parlamentare e presidenciale që nxorën institucione legjitime, që dhanë rezultatet e veta.

Kurse, faza e dytë, siç thotë ai është nga viti 1999 kur çështja e Kosovës kishte ngelur e pazgjidhur dhe duhej sensibilizim i gjerë që u bë përmes këtyre shkrimeve që konstatuan se Kosova pas një faze duhet të gëzojë Pavarësinë.

“Gjithë këta emra kanë dhënë kontributin e tyre që Kosova të përmbyll fazën më të rëndësishme të saj me Pavarësi dhe me njohjen e rreth 11 shteteve që e kanë njohur Kosovën”, ka përfunduar Demaj për KultPlus. / KultPlus.com

Dokumentari “Rikard” vjen në Kino “Armata”

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës do të shfaqin dokumentarin “Rikard”, prezantim ky që do të bëhet në Kino Armata më 1 prill, me fillim në ora 19:00, shkruan KultPlus.

Dokumentari “Rikard”, është një dokumentar për artistin Rikard Ljarja e që është punuar me regji të Mevlan Shanaj. Ky dokumentar është shfaqë deri më tash edhe në vende të tjera, e që ka sjell pasionin dhe dashurinë e Rikard Ljarjës për artin, dashuri kjo në shumë dimensione./ KultPlus.com

Terr

Ndue Ukaj

Natë! Shikoj diçka që nuk përkon me terrin
dhe ky mospërkim më hap horizonte.
Është terr, si në fillimet e kohëve
e veshët i kam hapë që të dëgjoj
buçimën e një zëri,
një zëri që vjen nga misteret e kohëve
dhe flet me një gjuhë që e kuptojnë të gjithë:
“lë të bëhet drita.”

Dhe drita lë të bëhet,
e njerëzit të kundrojnë sa i bukur është një çast dritë,
kur jeta zhvishet nga terri dhe shfaqen livadhet plot lule,
e qielli bëhet fushë e pafund,
spektakël për zogjtë dhe retë e lumturisë.

Por diçka të rëndësishme mund të mësohesh edhe në terr:
se zhurma e paqartësisë mund të shndërrojë në terr,
në një tokë të djegur,
prej së cilës nuk sheh lulishtet fatit të gatuara për ty.

Në terr nuk ndien hovet e gëzimit,
që të çlirojnë trupin nga pushtet i natës.
Në terr nuk dallon asgjë, e as hijen tënde,
as sytë e butë që mund të jenë diku afër
duke kërkuar, duke pritë,
duke vuajtë për sytë e tu plot dritë.

Megjithatë në terr e mëson se
të shpëtosh prej pushtetit të tij,
asgjë nuk të duhet më shumë se drita,
ajo dritë e vogël që bie në zemër të errësirës,
si kandili që e mbajnë duart e forta
brenda një dhomë të zhytur në terr dhe trishtim. / KultPlus.com

127-vjetori i revistës “Albania” të Faik Konicës

Më 25 mars të vitit 1897, në Bruksel, doli në qarkullim revista “Albania”. Themeluesi i saj ishte eruditi Faik Konica, i cili hodhi themelet e mendimit shqiptar në disa fusha.

Revista trajtonte aspekte të historisë, letërsisë, gjuhësisë dhe aspekte të tjera të jetës shqiptare.

Qëllimi i revistës “Albania” ishte zgjimi i ndjenjës kombëtare, emancipimi shoqëror dhe pavarësia e Shqipërisë. Kjo revistë e botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, ishte një enciklopedi e vërtetë duke përfshirë një hapësirë të gjerë informacionesh.

Revista “Albania” u shndërrua në një tribunë të mendimit shqiptar, ku publikoi dhe lëvroi pjesa më elitare e Rilindjes Kombëtare. Botimi i kësaj reviste vazhdoi deri më vitin 1909. / atsh / KultPlus.com

Katër mënyrat e Aretha Franklin me të cilat luftoi për një botë më të mirë

“Historia amerikane fillon kur të këndojë Aretha”

Aretha Franklin, do të shënonte sot 82 vjetorin e lindjes. E vlerësuar si një nga këngëtaret më të mira të muzikës amerikane Franklin ndikoi në shpirtin e panumërt të reperëve, dhe artistëve të muzikës pop gjatë të dekadave të fundit. Ndikimi i Franklin ndihet ende në artistet si, Beynoce, Jenifer Hudson dhe Adele.

Me gamën e saj të lartë dhe mesazhet e fuqishme, Franklin gjithashtu frymëzoi një brez aktivistësh.

Franklin ishte një filantrope e dedikuar gjatë gjithë jetës së saj dhe nuk ishte larguar asnjëherë nga drejtësia sociale, duke u shfaqur në faza me Martin Luther King Jr dhe ish presidentin Barak Obama.

Të Drejtat e Grave

Në një epokë kur respekti nuk u pranua në mënyrë universale në SHBA, versioni nxitës i këngës “Respect” i Franklin, i regjistruar së pari nga Otis Redding, ishte një thirrje elektrizuese për gratë. Kërkesat e saj ishin të pandërprera për respekt ndaj të drejtave të grave dhe lëvizjes së të drejtave civile.

E paraqitur së pari në vitet 1970, kënga rrënjos radikalisht konventat gjinore duke vendosur një grua si shtylla kryesore e familjes në një familje dhe supozimet seksiste të ashpra të sfiduara.

Këngët tjera të Franklines të cilat u bënë himn feminist ishin “The conscious liberation of the female state!, Mothers, daughters, and their daughters, too, Woman to woman, We’re singin’ with you, The inferior sex got a new exterior, we got doctors, lawyers, politicians, too.”

“Historia amerikane fillon kur Aretha fillon të këndoj” kishte thënë Barack Obama në vitin 2015. “Askush nuk e mishëron më shumë se ajo shpirtin afrikano – amerikan, bules , R&B dhe rok and roll, ku vështërsitë dhe pikëllimin e transformon në diçka të bukur dhe vitale”, kishte vazhduar tutje Obama.

Të drejtat civile

Babai i Franklin ishte një aktiviste e angazhuar për të drejtat civile, dhe ajo shpesh e jepte të gjithë lulëzimit dhe rritjen e saj për lëvizjen.

Këngëtarja soul performonte rregullisht në ngjarjet e të drejtave civile dhe ishte atje për të mbështetur Martin Luther King Jr gjatë tubimeve të tij. Asaj u dha në fund Çmimi i Lidershipit Jugor të Krishterë për punën e saj të përkushtuar nga Luther Kingiu. Kur King u vra në vitin 1968, Franklin luajti në funeralin e tij.

Mbështetja e Qasjes në Ushqimin

Mbretëresha e Soulit ka mbështetur gjithashtu edhe aktivitetet e bamirësisë të tilla si “Feeding America”, e cila financoi më shumë se 200 banka ushqimore në mbarë vendin dhe Qendra Barbara Davis për Diabetin e Fëmijërisë, e cila është e specializuar në identifikimin e diabetit.

Franklin ka jetuar me diabet gjatë gjithë jetës së saj dhe donte të sigurohej që njerëzit e tjerë të kishin mundësi të kujdesen për ushqimin e duhur.

“Ndihem e mrekullueshme, kam më shumë energji, kam ndryshuar dietën time, duke shkuar në Ëhole Foods tani, jam duke marrë gjërat më të mira”, tha ajo pas rikuperimit nga një qëndrim në spital në vitin 2012 në The View, “Hidhni proshutën, unë do të ju them të merrni ushqim më të mirë”, kishte thënë Franklin.


Ngritja e ngjarjeve të bamirësisë

Gjatë karrierës së saj, Franklin ndihmoi rregullisht në mbledhjen e sa më shumë të hollave, me ç’rast organizonte edhe ngjarje për mbledhje të fondeve.

Në vitin 2012, ajo mori pjesë në një gala për Fondin e Rainforest, i cili kërkonte të mbrojë të drejtat e njeriut në Amazon Rainforest. Vitin e ardhshëm ajo ia dha zërin një albumi të Krishtlindjeve, të ardhurat e të cilit shkuan në Lojërat Olimpike Speciale. Në vitin 2017, Franklin ishte një akt i titulluar për Fondacionin Neë York Gala të Elton John, i cili vazhdoi të rriste 4.4 milion dollarë.

“Të qenit Mbretëreshë nuk është e gjitha vetëm për të kënduar dhe të jesh një diva nuk është e gjitha për të kënduar”, tha ajo për famën e saj, “më shumë ka të bëjë me shërbimin tuaj ndaj njerëzve. Dhe kontributet tuaja shoqërore në komunitetin tuaj dhe kontributet tuaja qytetare”, kishte thënë Franklin. /KultPlus.com

34 vjet nga protesta në stadiumin e Kavajës, detaje të dosjes së ish-Sigurimit

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përkujtoi sot 34-vjetorin e protestës në stadiumin e Kavajës.

Në  25 mars 1990 në stadiumin e Kavajës pati protesta gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku mbarë qyteti u ngrit në këmbë e protestoi fuqishëm me parullat “Poshtë diktatura”, “Liri-demokraci”, “Poshtë Nexhmije Hoxha”. Numri i të rinjve, sipas raportimeev të Sigurimit të Shtetit ishte prej 200-300 veta.

Pas kësaj, djemtë e Kavajës u përleshën me forcat policore  disa prej tyre u arrestuan. Dy punëtorë të fabrikës së Gozhdë Bullonave mes tyre Rexhep Rugeja dhe Ilir Rugeja u rrahën nga policia. Dhjetëra arrestime u bënë asokohe. Protesta dhe pse jo të përditshme vijuan. Në 10 korrik, të po atij viti, do të vritej 21-vjeçari Josif Budo, pjesmarrës në këto protesta.

Dosja nr. 641 vitit 1990, “Mbi ngjarjet e ndodhura në qytetin e Kavajës, komentet, reagimet, arrestimet dhe masat e mara si dhe plagosja e një polici, etj. “ përmban dokumente zyrtare, raporte e urdhëresa mbi këtë ngjarje, që kanë nisur të krijohen në 2.03.1990 dhe kanë përfunduar më 14.12.1990.

AIDSSH informon se sipas raporteve  të policisë së kohës: “Në datën 26.03.1990  një grup keqbërësish mblidhen para rajonit të policisë, thyejnë xhama dhe hedhin parulla armiqësore: “Liri Demokraci”, “Poshtë diktatura”, “Poshtë dinastia”. Kjo ngjarje ndodhi pas ndeshjes “Besa”-“Partizani” në stadiumin e Kavajës. Një natë më parë ishin shpërndarë fletushka me thirrjen për të protestuar në minutën e ’80 të ndeshjes, kundër vështirësive ekonomike dhe udhëheqjes.

Thirrjet për protestë në ndeshjen “Besa”- “Partizani” në minutën e ‘80 të ngrihemi lart e të thërrasin pa pushim “Liri- Demokraci”, “Le t’i lajmë me gjakun tonë shkallët e stadiumit. “Propaganda komuniste është fund e krye mashtrim.” Numri i të rinjve ishte prej 200-300 veta, sipas raportimeve./ atsh / KultPlus.com

Roberto Cavalli X Valdrin Sahiti mahnisin me paraqitjen e koleksioneve të tyre në FMF 24 në Las Vegas

Dizajnerët legjendar Roberto Cavalli dhe Valdrin Sahiti kanë bashkuar forcat për një shfaqje ekskluzive të modës në FMF 24 Weekend në Las Vegas.

Dy titanët e modës janë “përplasur” në Las Vegas, teksa kanë bashkuar forcat për një ekspozitë ekskluzive në fundjavën e shumëpritur FMF 24, që u mbajt në datat 21 – 23 Mars 2024. Të njohur për inovacionin, elegancën dhe dizajnet e tyre që shtyjnë kufijtë, këta dy stilistë ikonë ndriçuan pistën me një shfaqje magjepsëse të modës së lartë në W.A.T.C.H. (We Are The Culture…Hello) Fashion show, shkruan Beauty magazine.

Bashkëpunimi mes Roberto Cavalli, maestros italian sinonim i luksit, dhe disenjatorit shqiptar Valdrin Sahitit, i njohur për pamjen e tij në tapetin e kuq, duke përfshirë mjeshtërinë e tij të ndërlikuar dhe estetikën moderne, sollën botën e modës në shtetin e argjendtë. Me pjesë të papara nga të dy koleksionet, kjo ngjarje ka sjell një shkrirje të magjepsjes tradicionale dhe stilit bashkëkohor, duke kulmuar në një mbrëmje plot shkëlqim.

FMF 24 Weekend, i njohur për festimin e modës, muzikës, filmit dhe kulturës, ofroi një skenën perfekte që Cavalli dhe Sahiti të zbulojnë kryeveprat e tyre më të fundit. E mbajtur në Palms Casino Resort, kjo ngjarje prestigjioze ka tërhequr shumë njerëz nga kjo industri, të famshëm dhe entuziastë të modës nga e gjithë bota. / KultPlus.com

“S’po muj me ia kthy shpinën miletit”, kujtojmë sot fjalët e Idriz Seferit në 96 vjetorin e vdekjes

Shqiptarët e Kosovës e kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e Shtetit shqiptar. Në këtë rrugëtim të Shtetit shqiptar, gjurmë të pashlyeshme ka lënë edhe atdhetari ynë i madh, Idriz Seferi.

Gjilani me rrethinë zë vend të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme, rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe në çdo kohë ka qëndruar në ballë të kësaj detyre, duke i dhënë atdheut bijtë e tij më të mirë.

Njëri ndër udhëheqësit kryesor, që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.

“Kalorësi i Karadakut” është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës 100-vjeçare, bashkë me Isa Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, epokë kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pa Shqipërinë e pavarur zor se sot të kishim Kosovën shtet.

Historiani Aliriza Selmani thotë se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare.

Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses e udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim. Kushtrimit të Idrizit populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij.

Seferi vdiq duke i thënë të birit se tërë jetën është munduar që ta bëjë këtë tokë Shqipëri, por zor qenka. Historiani Rasim Rexhepi thotë se Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i përgjigjet duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.

“S’PO MUJ ME IA KTHY SHPINËN MILETIT…”

Shkrimtari Sabit Rrustemi thotë se e ka pyetur njëherë bacën Lush pse Idriz Seferi nuk shkoi në Vlorë, si Isa Boletini. E ai i kish pas thënë: Kur kishin fol me Hasan Prishtinën, ai u kish pas thanë cili po shkoni me ruajt Ismajl Qemalin, edhe Qeverinë? “I pari kish kcy Isë Boletini. Qe, le t’ fol Idriz Seferi. Edhe ky i joni i kish dredh mustaqet njëherë, kish kesh pak ndër buzë se e kish pa qefin e Isës për me shkua… – Mirë pra, po foli mbasi po kërkon prej meje Isa Boletini… Unë po rri me këta trima se nuk muj m’i lanë vetëm. Le t’ shkojë Isa se asht edhe pak ma i ri. S’po muj me ia kthye shpinën këtij mileti…” /KultPlus.com

39 vjet nga vdekja e Sandër Prosit, aktori që i dha jetë Ismail Qemalit të filmi “Nëntori i dytë”

Sot shënohet 39-vjetori i vdekjes së aktorit të njohur shqiptar, Sandër Prosi, i cili ka vdekur në vitin 1985, në moshën 65 vjeçare.

Ai ka lindur më 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, duke u bërë më vonë një prej aktorëve ikonë të teatrit shqiptar, dhe një ndër figurat që ka mbetur në arkivin e kinematografisë.

Sandër Prosi ka luajtur mbi 100 role me personazhe të ndryshme,  që kanë mbetur në arkivin e Teatrit Kombëtar, duke filluar që nga fëmijëria të ëndërrojë për karrierën e tij si artist.

Ai ka mbaruar gjimnazin në Tiranë, ku ka marrë pjesë në dramën “Vilhem Teli” dhe më pas ka ndjekur studimet për stomatologji në Austri, duke i lënë në gjysmë që të kthehet dhe të merret me artin.

Kur u kthye, ai mori pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta.

Të gjithë filmat e tij, të cilët në numër janë 30, janë parë dhe pëlqyer nga shqiptarët, por ata që veçohen nga kolegët e tij janë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njerëzore, filmike dhe skenike.

Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos, personazh që iu deshën katër vjet për të arritur magjinë e tij, duke punuar shumë me vetën.

Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe, duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.

Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, e shumë vepra të tjera./ KultPlus.com

Kumbaro: Stanet e Murgës, me ngjyrat më të bukura

Natyra është treguar bujare me Pukën, duke i dhënë bukuri magjepsëse në çdo skaj.

”Maja e Murgës”, 20 km nga Puka është kthyer në destinacionin më të ri turistik, duke tërhequr vëmendjen e shumë turistëve vendas e të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit , Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Maja e Murgës në Pukë, duke ftuar të pasionuarit pas turizmit malor ta vizitojnë atë.

“Me tablonë e pranverës që ka shpërthyer me ngjyrat më të bukura në Stanet e Murgës në Pukë, ashtu siç vetëm natyra di t’i kombinojë”, shkruan Kumbaro.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj po ashtu në një postim në rrjetet sociale thekson se “Maja e Murgës”, destinacioni më i ri turistik, që ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve, do të vlerësohet me prioritet, duke i dhënë rëndësinë e duhur në strategjinë tonë të zhvillimit të turizmit.

“Ndërhyrjet afatgjata në sektorin e turizmit, do të konsistojnë para së gjithash në infrastrukturën rrugore, për të kulmuar me paketa stimuluese për ndërtime bujtinash dhe alokime fondesh për nxitjen e sipërmarrjeve në agro-turizëm”, tha Dodaj.

Maja e Murgës është një ndër destinacionet turistike që ofron Puka. E ndodhur në 600 metra lartësi, Maja e Murgës ofron pamje mahnitëse. Kjo hapësirë është tepër atraktive për të apasionuarit pas natyrës, malit, alpinizmit, lartësive, aventurës, etj.

Ngjitja e kësaj maje nuk është shumë e vështirë dhe me të mbërritur në destinacion, ju do të shijoni liqenin e Komanit në një tjetër këndvështrim. Pamja mbresëlënëse e liqenit të Komanit nga maja e Murgës konfirmon që bukuritë shqiptare i ka pikturuar natyra./ atsh / KultPlus.com

“Prishtina në vizionet botërore”, arkitektë nga 17 vende të botës sot prezantojnë ide për Prishtinën

Sot do të bëhet hapja e ekspozitës arkitektonike “Prishtina në vizionet botërore”, e cila do të jetë bashkim i ideve për ndryshim të kryeqytetit.

E organizuar nën patronatin e Komunës së Prishtinës dhe Fondacionit Kosovar të Arkitekturës, sipas njoftimit kjo ekspozitë do të jetë mundësi transformimi.

“Kjo ekspozitë do të sjellë në vëmendje 67 projekte të ndryshme inovative për Prishtinën, të krijuara nga arkitektë të talentuar nga 17 vende të ndryshme të botës. Është një mundësi e shkëlqyer për të parë nga afër idetë që mund të ndryshojnë fytyrën e qytetit tonë dhe të votojmë për ato që na pëlqejnë më shumë”, thuhet në njoftim.

Ekspozita arkitektonike “Prishtina në vizionet botërore” do të hapet sot në ora 15:00 në objektin e Komunës së vjetër të Prishtinës dhe do të jetë e hapur për dy javë. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”

Mbrëmjen e sotme, duke filluar nga ora 19:30, do të hapet ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.

Sipas njoftimit të Bibliotekës, në ekspozitë janë përzgjedhur disa fragmente nga videointervistat e transkriptuara të të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe, që tregojnë mizorinë e forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe se çfarë kanë parë dhe përjetuar më 25,26 dhe 2 mars të vitit 1999.

Ekspozita do të realizohet në përkujtim të përvjetorit të masakrës së Krushës, ku të moshuar, burra, djem e fëmijë u vranë nga serbët, e shumë të tjerë u zhdukën.

“Këto histori personale të banorëve, do të frymëzojnë për të kujtuar se Krusha e Madhe ishte një nga vendet më të rëndësishme në Kosovë për ndërgjegjen tonë historike. Për më tepër, dokumentimi i kapitullit të masakrave në Kosovë, siç është edhe kjo e Krushës, do të ndihmojë në mbrojtjen e vlerave shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ky projekt u formësua nga puna e dy institucioneve: Bibliotekës Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe të Fakultetit Filozofik – Departamenti i Antropologjisëi Universitetit të Prishtinës.

Projekti është ndihmuar financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është mbështetur nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë dhe nga Komuna e Rahovecit.
Kjo ekspozitë është një ftesë për t’i njohur dhe për t’i kujtuar sakrificat dhe sfidat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Janë shembulli më i mirë se si një vend dhe shoqëri duhet të mbrojë të kaluarën e tij.

Shqiptarët e Kosovës dhe komunitetet e tjera mund të parandalojnë fatkeqësi të reja nëse kujtojnë dhe institucionalizojnë vuajtjet e së kaluarës së tyre. Në këtë kuptim, historitë gojore të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, janë një shembull premtues. / KultPlus.com

144 vjet nga lindja e Mid’hat Frashërit, veprimtarit që la gjurmë në çështjen kombëtare shqiptare

Mid’hat Frashëri ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare. Lindi në Janinë më 25 mars 1880 dhe ishte i biri i Abdyl Frashërit, patriotit të shquar shqiptar.

Mid’hat Frashëri njihet edhe me pseudonimet “Lumo Skëndo” dhe “Mali Kokojka”. Mësimet e para i mori nga Naim dhe Sami Frashëri. Nën ndikimin e tyre, ai mori një kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja.

Në vitin 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik. Nga viti 1897-1928 botoi me ndërprerje revistën “Kalendari Kombiar”. Në vitin 1909 botoi revistën “Diturija” në Selanik, në Konstancë dhe në Tiranë. Këto revista trajtuan çështje me rëndësi historike, gjuhësore, folkloristike dhe të traditave të popullit shqiptar.

Mid’hat Frashëri zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare, kulturore dhe politike. Në Kongresin e Manastirit (1908) u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912.

U emërua ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Gjatë periudhës së Princ Vidit, u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe Punëve Botore. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore qëndroi në vende të ndryshme të Evropës.

Në vitin 1918 u emërua ministër i qeverisë së Turhan pashë Përmetit dhe anëtar i delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1923-1925, mbajti detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë.

Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, Mid’hat Frashëri protestoi për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga qeveria greke. Në vitet 1926-1939 hapi librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar. Në përfundim të luftës, fillimisht shkoi në Itali dhe më pas në Londër, ku formoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Vdiq në New York, më 3 tetor 1949. /atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Për avokatin Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij duhet të vendoset drejtësia

Presidentja Vjosa Osmani, mëngjesin e sotëm ka kujtuar 25 vjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi, bashkë me dy djemtë e tij.

Presidentja është shprehur se janë të përkushtuar për vënien e autorëve të krimit para drejtësisë.

“Njëzet e pesë vjet më parë, Kosova humbi luftëtarin për të drejta të njeriut, avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.

Një ditë pasi që u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga forca të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, u ekzekutuan mizorisht.

Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë për vënien e autorëve të krimit para drejtësisë për vrasjen e avokatit Kelmendi dhe djemve të tij. Ai bëri një jetë të tërë në mbrojtje dhe kërkim të drejtësisë, ndaj i detyrohemi vendosjes së drejtësisë.

Veprimtaria e avokatit Kelmendi mbetet trashëgimi e çmuar për ne dhe për brezat.

Qoftë i përhershëm kujtimi për Bajram Kelmendin dhe dy djemtë e tij!”, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com

Teatri i Sofratikës në Gjirokastër, ndërtuar nga romakët në fushë të hapur

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Gjirokastër ndërhyri për sistemim dhe ngritjen e mureve të dëmtuar si dhe pastrimin nga bimësia në Teatrin Antik të Sofratikës.

Teatri i Sofratikës ndodhet në fshatin me të njëtin emër rreth 500 m në lindje të rrugës nacionale (Gjirokastër-Kakavijë). Teatri ka diametër 50 m dhe përafërsisht një kapacitet prej 4000 vetë. Ai përbën shembullin e vetëm në Ballkan të një teatri të ndërtuar në fushë të hapur. Ky teatër mendohet të jetë ndërtuar nga perandori Adrian (117-138 pas Kr.).

DRTK Gjirokastër solli edhe disa të dhëna në lidhje me këtë monument.

Kështu, gërmimet arkeologjike japin elemente të rëndësishëm për identifikimin e këtij siti me qytetin e përmendur në Tabelën Peutingeriane (Tab.Peut. VII, 3) Hadrianopolis, qytet i themeluar nga Adriani për kontrollin, manaxhimin dhe shfrytëzimin e kësaj lugine shumë të begatë.

Teatri ka një formë planimetrike gjysëm elipsi me përmasa 40,4 x 51 m, krijohet prej një muri të jashtëm 0.90 m të gjerë, të përforcuat me kontraforte. Teatri përbëhet nga skena, orchestra 23 m e gjatë dhe shkallarja (cavea) e mbështetur në mbushje dheu e të përforcuar me tre mure perimetralë e tërthorë.

Teatri i Sofratikës është i ndërtuar tërësisht në terren fushor duke realizuar të gjithë konstruksionin me gurë e llaç gëlqeror. Teknika e muraturës në brendësinë e vet respekton atë romake duke aplikuar mbushje të tipit butobeton ndërsa sipërfaqet në dukje janë në rreshta gurësh gëlqerorë, pothuajse të barabartë në spesor dhe me gdhendje sipërfaqësore jo të imtë. Janë përdorur gurë të mëdhenj vetëm në shkallare dhe pjesë të poshtme të skenës e orkestrës./ atsh / KultPlus.com