25 vjet nga beteja e Zhegocit dhe masakra e Sllovisë

Në agun e 15 prillit 1999, forcat serbe ia mësynë Zhegocit.

Në orët e hershme të mëngjesit, kolona të shumta ushtarësh dhe arsenal i shumtë ushtarak serb rrethuan fshatin nga të gjitha drejtimet.

Në përleshjen mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave armike për disa orë, në altarin e lirisë ranë 8 ushtarë të UÇK-së dhe 18 civilë.

Po të njëjtën ditë në fshatin Sllovi nga dora e armikut serb u vranë 49 civilë të pafajshëm shqiptarë./KlanKosova/KultPlus.com

572 vite nga lindja e gjeniut të Rilindjes, Leonardo da Vincit

Djali i paligjshëm i një noteri dhe një fshatareje, mbase homoseksual, pak i vlerësuar nga të pushtetshmit që nuk e kuptonin obsesionin e tij me kufomat, vegjetarian dhe heretik. Sekretet e një njeriu të madh.

Eshtë 15 Prill 1452 kur Caterina, një fshatare në Campo Zeppi, në fshatin Vinci, lind një fëmijë të paligjshëm: Leonardo. Babai i tij është Ser Piero, një noter nga Firence që nuk dëshiron të prishë reputacionin e tij. Këtu ndërhyn Ser Antonio, babai i tij, dhe shkelja mbahet e fshehur.

Eshtë po ai, pesë vjet më vonë, kur Albiera, gruaja e Pieros, zbulon se është sterile, që ia merr Leonardon nënës natyrore për të mos lejuar që linja e gjakut të shuhet. Sidoqoftë, fëmija nuk e merr për mirë dhe shpik një lojë fjalësh: në një shënim ai shkruan “di s.p.ero”, i cili mund të lexohet si mbiemri që ai nuk e ka (nga Ser Piero), por edhe si “dëshpërim”. “Një shaka që zbulon një marrëdhënie të pashpresë”, thotë Costantino D’Orazio në librin Leonardo i Fshehtë, ku përmblidhen sekretet që rrethojnë misterin e gjeniut të Firences.

Një injorant i vërtetë

Kështu e përkufizon Lorenzo i Madhërishëm. Në fakt, e vetmja pikë referimi e Leonardos është Verrocchio, një artist tek i cili shkon për të mësuar zanatin. Në ato vite “piktorët qëndronin brenda Arte dei Medic dhe Specialëve, ku ata ndajnë interesat me berberë, shitës të erëzave dhe poçarë”, shkruan D’Orazio.

Por Leonardo tregon menjëherë talentin e tij. Rasti vjen kur babai i kërkon të dekorojë një copë druri të sjellë nga një fermer, i cili synonte ta bënte një vepër arti. Leonardo vendos ta përdorë për të përfaqësuar një skenë të pasur me kafshë dhe mbledh insekte, hardhuca dhe gjarpërinj. Ai i mban të gjitha në dhomën e tij: “Eshtë aq i përqendruar sa që nuk vë re as kutërbimin e gjithë atyre kafshëve të ngordhura në dhomën e tij”, thotë D’Orazio. Rezultati është befasues: Ser Piero e mban dhe më pas e shet për njëqind dukate.

Fshatarit i jep një tjetër vepër, të blerë për pak para. Por, si është Leonardo aq i saktë në riprodhimin e fytyrave, trupave apo kafshëve? Ai kalon orë të tëra për t’i ekzaminuar. Quhet teknika lentikulare, ajo që bën të mendosh se përdoret një gotë zmadhuese për të parë më mirë detajet. Kështu që ai krijon një inventar botanik: qindra vizatime që do t’i përdorë më vonë në pikturat e tij. Për shembull tek Annunciazione, ku zambakët që mban engjëlli në duar janë të gjitha të ndryshme: “Secili prej tyre shfaqet në një fazë të ndryshme të pjekurisë, nga petalet e tyre nuk del asnjë pistil i  barabartë me tjetrin, siç ndodh në realitet”, shpjegon D’Orazio. Jo vetëm kaq.

Pasioni për detaje hyn gjithashtu në lojë në studime mbi trupin e njeriut, të cilat e bëjnë atë një lloj mjeku ligjor që provon dorën në autopsitë e kufomave. Eshtë një praktikë e shpeshtë në atë kohë: disa artistë vjedhin trupa në varreza, të tjerë i blejnë nga familjet në nevojë. Leonardo hyn dhe largohet nga spitalet dhe është pikërisht duke studiuar trupin e një njeriu që zbulon një pengesë në sistemin e qarkullimit të gjakut, duke regjistruar kështu arterosklerozën e parë në histori. Ai është gjithashtu i interesuar për shtatzëninë. Deri atëherë gruaja konsiderohej një lloj inkubatori dhe burri krijuesi i vërtetë i jetës.

Leonardo e revolucionarizon këtë koncept dhe shpall se është nëna ajo që transmeton shpirtin tek fëmija, përveç ushqimit për nëntë muaj përmes “venës së kërthizës”. Duke studiuar fëmijët që kanë vdekur në bark, ai vazhdon të argumentojë se “frika e një nëne mund të vrasë fetusin dhe kjo do të thotë që emocionet e trupit të nënës transmetohen te fëmija”. Sidoqoftë, ai është i kujdesshëm që të mos përhapë teoritë e tij të reja, në një kontekst ku Kisha do e quante heretik, i cili kundërshton faktin që shpirti injektohet drejtpërdrejt nga Zoti. Sipas tij, qendra e shpirtit është e vendosur në majë të shtyllës kurrizore, në lidhjen me kafkën: prova vjen nga hardhucat, të cilat, të goditura në atë pikë, ngordhin menjëherë.

Shpirt revolucionar

Revolucioni i vërtetë i Leonardos, megjithatë, qëndron në qasjen e tij ndaj artit, ku ai guxon si askush më parë. Për shembull, humanizon shenjtorët. Në fakt, skenat e tij të shenjta duken si situata në familje ose në mesin e miqve: ai dëshiron që njerëzit e zakonshëm ta njohin veten në to dhe për këtë arsye eleminon distancën midis atyre që vëzhgojnë pikturën dhe atyre të portretizuar në të, tipike këto të shekujve të mëparshëm. Kështu që ai pikturon skena me Jezusin, Virgjëreshën dhe Shenjtorët duke eleminuar përdorimin e arit: duke humbur aureolën,  të gjithë përfaqësohen si njerëz të zakonshëm. Dikush nuk e pëlqen këtë mënyrë të re të pikturës dhe në të vërtetë padronët e Shën Jeronimit të penduar hedhin poshtë pikturën, sepse e konsiderojnë shenjtorin shumë “të humanizuar”. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse koka e tij përfundon duke u bërë vend jashtëqitje që Kardinal Joseph Fesch, xhaxhai i Napoleonit, do të gjejë në një qoshe rruge. Leonardo megjithatë nuk ndalet dhe ndryshon konceptimin e portretit.

Mund të shihet tek “Dama con l’ermellino (1490), ku figura nuk është më frontale dhe statike, por krijon lëvizje dhe duket e vërtetë. Në shënimet e tij ai shpjegon se për të bërë një portret të përsosur, fytyra nuk duhet të jetë kurrë në të njëjtën anë të bustit. Vetëm duke e kthyer imazhin disa gradë, ai bën një revolucion të vërtetë.

Mëkati i ambicies

Leonardo është një eksperimentues dhe natyra e tij ambicioze e çon gjithnjë të shkojë më tej. Ndonjëherë me rezultate katastrofike. Eksperimenti i parë i dështuar është statuja e kalit me dy këmbët e përparme të ngritura, të cilat ai i projekton për Sforzan: një kolos 7 metra i lartë me 70 ton peshë. Pas shumë vitesh punë, ai është i detyruar të heqë dorë: i zhgënjyer, Ludovico il Moro e konsideron një humbës kohe të paaftë që mashtron, dhe ia heq veprën. Nuk i shkon më mirë në fillim të shekullit të XVI, kur u thirr në Firence për të pikturuar Betejën e Anghiarit. Edhe një herë projekti është ambicioz: jo vetëm që piktura është tre herë më e madhe se Darka e Fundit, por Leonardo ia ndërlikon edhe më tej jetën vetes, dhe dëshiron ta krijojë atë me teknikën shumë të vjetër të encaustikës, e cila konsiston në rregullimin e ngjyrës në mur me nxehtësinë e mangallëve. Ai bën një gabim në vlerësim sepse nxehtësia e shpërndarë keq përfundon në shkrirjen e plotë të pikturës. Rreth pesëdhjetë vjet më vonë, Giorgio Vasari thirret për ta mbuluar atë me një vepër tjetër, e cila mbivendos pluhurat dhe ngjyrat e Leonardos, të identifikuara kohët e fundit falë sondave shumë të holla.

Po ç’mund të thuhet për Darkën e fundit?

Dëshmitarët tregojnë për një Leonardo shumë pak të përqendruar që shkon në rafinerinë e Santa Maria delle Grazie në Milano, ku ndodhet vepra, jep dy penelata dhe largohet menjëherë. Edhe këtu ai mëkaton prej një ambicie të tepërt: nuk është i kënaqur me një afresk normal, i cili siç thotë fjala, duhet të pikturohet “në afresk”, domethënë duke përdorur bazën e freskët të muraturës për ta bërë më të mirë ngjyrat.

Ai është shumë reflektues për një teknikë kaq të shpejtë dhe shpik një përzierje e bojës së lagësht dhe të thatë, të pasur me vajra. Nuk është një ide e mirë: ngjyra fillon të zhvishet edhe para se të përfundojë vepra. Historia dihet. Siç e shohim tani, në të vërtetë, Darka e Fundit e Leonardos është rezultat i një restaurimi imponues që zgjati rreth njëzet vjet.

Sekretet e Darkës së Fundit

Me Darkën e Fundit Leonardo sjell Darkën e Fundit në një mënyrë të re, në të cilën do të tërhiqen artistët e shekujve në vijim. Deri atëherë, episodi i Ungjillit u përfaqësua për të bërë besimtarët, shpesh analfabetë, të njohin menjëherë protagonistët e skenës: Juda ishte i izoluar dhe e rrethuar nga errësira, ndërsa Krishti ishte në qendër me qëllimin për të thyer bukën me Gjonin, apostullin e preferuar, duke u përkulur drejt tij. Leonardo kthen gjithçka përmbys duke filluar nga Krishti i cili nuk shfaqet kur merr bukën, por kur zbulon se dikush do ta tradhëtojë.

Juda është pjesë e grupit, apostujt shikojnë njëri-tjetrin dhe Gjoni nuk mbështetet në shpatullën e Jezusit. Për të gjetur frymëzime për fytyrat e personazheve, Leonardo endet nëpër Milano me një fletore në të cilën ai shënon ide të dobishme. Për tre vjet ai kërkon fytyra të përsosura: ajo e Jezusit duket se i përket Giovanni Contes, një kardinal nga Vogevano. Për të gjetur Judën, eksploron lagjet më të varfra të qytetit. Sa i përket djalit të portretizuar pranë Jezuit, sipas disa hipotezave, ai është një grua, më saktë Maddalena, gruaja e tij sipas ungjijve apokrifë. Në realitet është gjithmonë Gjoni, i përfaqësuar me tipare të buta dhe femërore, sepse ai është më i riu nga apostujt dhe i vetmi pa mjekër. Nuk përjashtohet mundësia që për të ai të ketë përdorur një modele, Giovannina, e përmendur nga Leonardo në shënimet e tij. / KultPlus.com

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina.

TKK po ashtu do të organizojë mbledhje komemorative për nderim të saj.

“Nesër, e hënë, 15 prill 2024, në ora 14:00 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, organizojmë mbledhje komemorative për të kujtuar aktoren e ndjerë. Varrimi i të ndjerës është në ora 16:00 në varrezat e qytetit, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar./KultPlus.com

Anija më e famshme në histori, Titaniku, u fundos 112 vjet më parë

Padyshim anija më e famshme në botë, Titaniku, u fundos 112 vjet më parë, duke lënë shumë detaje e pikëpyetjet në këtë tragjedi që do të mbetet gjithmonë në histori, shkruan KultPlus.

Anija u fundos më 15 prill 1912, rreth 740 kilometra nga vendi më i afërt, dhe anija e parë për ndihmë arriti një orë e gjysmë pas fundosjes, shumë kohë pasi viktima e fundit u mbyt në det.

Temperatura e ujit ishte 2.2 gradë Celsius, ku mbijetesa njerëzore është vetëm 15 minuta. Nga fundosja e Titanikut, humbën jetën 517 njerëz, ndërsa shanset më të larta për mbijetesë patën udhëtarët e klasës së parë, pasi u shpëtuan 63 për qind e tyre.

Në Titanik ishin 20 barka shpëtimi, të cilat mund të mbanin vetëm 1100 pasagjerë, gjysma e atyre që ndodheshin në bord , por kjo ishte në përputhje me rregullat ligjore të asaj kohe dhe u konsiderua e mjaftueshme.

Pavarësisht nga kjo, vetëm 700 pasagjerë mundën të hynin në barkat e shpëtimit, shumica e tyre ishin gjysmë të zbrazura dhe në pothuajse secilën prej tyre kishte ende vende të lira.

Por çfarë ndodhi me kufomat?

E vërteta në lidhje me këtë është fshehur dhe ata që ishin në dijeni nuk dëshironin të tregonin.

Por, pas kaq shumë vitesh del në shesh e vërteta e hidhur se kapiteni i një prej barkave shpëtuese, Mackay-Bennet, donte të tërhiqte të gjitha trupat nga deti.

Por shpejt e kuptoi se barka e tij ishte shumë e vogël për 334 trupa të gjetur.

Atëherë u mor vendimi që ata do të hidhnin kufomat e udhëtarëve më të varfër, atyre të klasës së tretë, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për ata që janë në klasën e parë dhe të dytë.

Domethënë, mendimi i ekuipazhit ishte se ata kishin të drejta më të mëdha për një varrim dinjitoz. Nga 334 trupat e gjetura, më shumë se njëqind u hodhën jashtë anijes dhe nuk u gjetën kurrë në Oqeanin Atlantik.

E vërteta për atë që ndodhi ishte fshehja e telegrameve sekrete, të cilat më vonë u morën nga historianët nga arkivat e fshehtë. /KultPlus.com

Poezia e Zanzotto-s: OGM

Andrea Zanzotto (1921 – 2011), poet, italianist dhe partizan italian, njëri prej poetëve më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit XX.

OGM?

Çfarë krijese qe vallë ajo shkurre

e paanë me flokë aq të gjelbra me gjëmba

shkurre e fshehur me shekuj

me paudhësi të kapërcyera

deri te themelet më të largëta

të skëterrave dimërore –

përdredhjet e saj të tejzave dhe pjerrësia dhe kudogjindshmëria

me gërshëtim joshjeje dhe ngashënjimi –

çfarë dritësie, çfarë esëllsie

çfarë ilaçesh të tërbuara, zilish

(Frankenstein)

emrin e cilit si përherë këmbëngul ta injoroj

psenë sinë

hallakamp sidoqoftë piciake

tureçkë mbushur me dëshira mbizotërimi

e megjithatë ngopur në narcis-autizmin e saj

vetëm në vetvete paralizuar por

shtënë si një mijë mëntesha në akt

në djegie aq të rregullt të gjelbër?

Në sa lloje djegiesh konvulsionesh

që e shtyjnë gjithë botën përreth

dhe zgavrat skëterrore

drejt një të ardhmeje një përmbysjeje pa kthim?

KHANI I MADH i drurëve-bimëve

bir i Swedenborgut dhe i Mabuse dhe i C.

o kombinim kimerik

i vegjetalitetit dhe seksualietesh

të shtrembëra, a mos je tamam

bija kryelartë* e KHANIT të madh të CATAIT

së cilës duhet t’i kërkojmë dashurinë romake

kushedi kur, në çfarë mënyre?

/Marrë nga Andrea Zanzotto, Tutte le poesie, Mondadori, 2020/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Komedia angleze ‘Duke edukuar Ritën’ shfaqet në Berat

Teatri Çajupi ka shfaqur në Berat komedinë “Duke edukuar Ritën”. Pjesa e autorit anglez Willy Rusell vjen me regji të Kiço Londos dhe interpretimin e aktorëve Mehmet Xhelili dhe Laura Nezha. Tema që trajtohet në këtë komedi është forca që ka kultura, edukimi dhe arti për të transformuar gjithçka.

Në qendër të pjesës është një vajzë që vjen nga shtresat e ulëta të shoqërisë dhe ka ambicien ta kapërcejë nivelin e saj dhe të dalë nga vetvetja, për të arritur një status të rëndësishëm social. Në marrëdhënien mes saj dhe profesorit, është edhe profesori ai që përfiton. Nxënësja dhe profesori krijojnë një lidhje mes njëri-tjetrit, një lidhje që i transformon ata të dy./balkanweb/KultPlus.com

‘Koha është më e vlefshme se paratë, paratë mund të shumohen, por për kohën themi të kundërtën’

100 thënie për paratë, dashurinë, perendinë, kohën e gjëra të tjera të vlefshme dhe jo të vlefshme për mirëqenien e një njeriu, shkruan KultPlus.

1. “Paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme në botë. Dashuria është. Për fat të mirë, unë dua paratë”.
Jackie Mason

2. “Tek Perëndia besojmë. Të gjithë të tjerët duhet të paguajnë para në dorë”.
Thënie amerikane

3. “Paratë janë më mirë se varfëria, por vetëm për arsye financiare”. Woody Allen

4. “Koha është më e vlefshme se paratë. Paratë mund të shumohen, por për kohën themi të kundërtën”.
John Updike

5. “Nëse i detyrohesh bankës 100 dollarë, ky është problemi yt. Nëse i detyrohesh bankës 100 milionë dollarë, atëherë është problemi i bankës”.
JP Getty

6. “Nuk ka rëndësi a je i bardhë apo me ngjyrë … ngjyra e vetme që ka rëndësi është e gjelbra”.
Family Guy

7. “E vetmja mënyrë për të mos menduar për paratë … është të kesh shumë prej tyre”.
Edith Wharton

8. “Nëse doni të dini se çfarë mendon Zoti për paratë, mjafton të shihni njerëzit të cilëve ai ua jep”.
Thënie e vjetër irlandeze

9. “Jini të pasur për veten tuaj … dhe të varfër për miqtë”
Juvenal

10. “Nëse doni ta dini vlerën e parave, provoni të merrni hua disa”.
Benjamin Franklin

11. “Me 10 mijë dollarë do të ishim milionerë! Kështu do të blinim gjithë gjërat e nevojshme si … dashuria!
Homer Simpson

12. “Mënyra më e lehtë që fëmijët të mësojnë për paratë do të ishte kur ju të mos kishit”.
Katharine Whitehorn

13. “Financa është arti i kalimit të parave nga dora në dorë derisa më në fund të zhduket”.
Robert W. Sarnoff

14. “Gjithçka që kërkoj është një mundësi për të treguar se paratë nuk më bëjnë të lumtur”.
Spike Milligan

15. “E ç’vlerë ka lumturia? Ajo nuk t’i blen dot paratë”.
Henry Youngman

16. “Shumë njerëz shpenzojnë paratë që s’i kanë fituar, për të blerë gjëra që s’i duan, për t’i lënë mbresa njerëzve që s’i pëlqejnë”.
Will Smith

17. “Sikur vetëm Perëndia të më jepte një shenjë të qartë … si për shembull të më hapte një llogari të madhe në një bankë zvicerane”.
Woody Allen

18. “Ai që martohet për dashuri pa para kalon netë të mira dhe ditë të këqija”.
Thënie amerikane

19. “Mes punës dhe familjes, vërtet që s’po kaloj shumë kohë me paratë e mia”.
Thënie amerikane

20. “Ndryshimi mes një divorci dhe një ndarjeje ligjore është se ndarja ligjore i jep burrit kohë për të fshehur paratë e tij”
Johnny Carson

21. “Një bankë është një vend që do të të japë para nëse i vërteton se s’ke nevojë për to”.
Bob Hope

22. “Kushdo që thotë se paratë nuk e blejnë lumturinë, thjesht nuk dinë se ku të bëjnë pazar”.
Bo Derek

23. “Kur isha i ri mendoja se paratë ishin gjëja më e rëndësishme në jetë; tani që jam i rritur e di se janë vërtet”.
Oscar Wilde

24. “Monedha është e pavlefshme në ditët e sotme”.
Yogi Berra

25. “Çdo ditë ngrihet dhe shikoj listën e “Forbes” për njerëzit më të pasur në Amerikë. Nëse nuk jam atje, shkoj në punë”.
Robert Orben

26. “Gjithmonë merr para hua nga një pesimist … ai nuk pret që ti t’ia kthesh”.
Thënie amerikane

27. “Nëse mendon se askujt nuk i intereson nëse je gjallë, provo të mos paguash dy muaj fatura”.
Earl Wilson

28. “Mos më thoni se ku i keni prioritetet. Më tregoni për çfarë i shpenzoni paratë dhe unë do t’ju tregoj se çfarë janë”.
James W. Frick

29. “Arsimi formal do t’ju nxjerrë bukën e gojës; mësimet nga jeta do t’ju bëjnë të pasur”.
Jim Rohn

30. “Paratë janë realitetin, një tipar permanent i jetës së përditshme. Ato i japin jetës një ritëm të veçantë, një “tërheqje” të caktuar, një perceptim të pazakontë të botës dhe vendit tonë në të”.

31. “Paratë i krijojnë problemet atëherë kur nuk i kemi; na i shtojnë ato edhe kur i kemi. Por është vetëm një iluzion se ne jemi në kontroll të parave tona. E vërteta është se ne e dimë dhe e kuptojmë sa kontroll ushtrojnë mbi ne”.
32. “Paratë na bëjnë zotërinj dhe skllevër. Pushteti ynë mbi paratë është i vërtetë, por vetëm kur kuptojmë pushtetin e tyre mbi ne”.
Thënie franceze

33. “Shumë prej nesh i konsiderojnë amerikanët si ndjekës të parave. Kjo është një shpifje mizore, edhe pse është përsëritur nga vetë amerikanët”.
Albert Einstein

34. “Ai, opinioni i të cilit është se paratë mund të bëjnë gjithçka, mund të bëjë gjithçka për para”.
Benjamin Franklin

35. “Nëse do të ishit të pasur, mendoni edhe të kurseni”.
Benjamin Franklin

36. “Kush është i pasur? Ai që është i kënaqur. Kush është ai? Askushi.
Benjamin Franklin

37. “Pasuria mund të na aftësojë të bëjmë favore; por hirin pasuria s’na e jep”.
Charles Caleb Colton

38. “Të ardhurat vjetore njëzet paund; shpenzimet vjetore nëntëmbëdhjetë; rezultati, lumturi. Të ardhurat vjetore njëzet paund; shpenzimet vjetore njëzet e gjashtë paund; rezultati, mjerim”.
Charles Dickens

39. “Nëse të gjithë njerëzit e pasur në botë do ta ndanin
pasurinë mes tyre, nuk do të kishte mjaftueshëm për të tjerët”.
Christina Stead

40. “Paratë e tepërta janë delli i luftës”
Cicero

41. “Paratë nuk kanë qenë kurrë motivim i rëndësishëm për mua, përveçse për të shënuar pikë. Nxitja e vërtetë është loja”.
Donald Trump

42. “Paratë janë delli i dashurisë, si dhe i luftës”.
Doktor Thomas Fuller

43. “Po jetoj kaq larg të ardhurave të mia, sa mund të thuhet se po jetojmë të ndarë”.
Anonim

44. “Kurseni nga pak çdo muaj dhe në fund të vitit do të habiteni se sa pak që keni”.
Ernest Haskins

45. “Të pasurit janë shkuma e tokës në çdo shtet”.
G.K. Chesterton

46. “Mungesa e parave janë rrënja e gjithë të këqijave”.
George Bernard Show

47. “Njerëzit duhet të jenë të varfër për ta kuptuar luksin e të dhënit”.
George Eliot

48. “Paratë ju çlirojnë nga të bërit e çdo gjëje që s’pëlqeni. Meqë s’më pëlqen asgjë, paratë më hyjnë në punë”.
Groucho Marx

49. “Vlera kryesore e parave është në faktin se njerëzit jetojnë në një botë e cila mbivlerësohet”.
H.L. Mencken

50. “Bëjeni paratë perëndinë tuaj, dhe do t’ju shkatërrojë si djalli”Henry Fielding

51. “Nëse mund t’i numëroni paratë, nuk keni një miliardë dollarë”.
J. Paul Getty

52. “Kam aq para sa të më mbeten deri në fund të jetës, deri në momentin që do të blej diçka”.
Jackie Mason

53. “Një rrogë e mirë është receta më e mirë për lumturinë që kam dëgjuar ndonjëherë”.
Jane Austen

54. “Një njeri i zgjuar duhet ta ketë paranë në kokë, por jo në zemër”.
Jonathan Swift

55. “Mos u gënjeni duke besuar se një njeri i pasur është domosdo i zgjuar. Ka mjaft prova që vërtetojnë të kundërtën”.
Julius Rosenwald

56. “Kurrë s’e kam përfunduar gjimnazin, megjithatë jam i pasur dhe i suksesshëm”.
Këngëtar anglez

57. “Nëse doni të ndiheni të pasur, mjafton të numëroni gjërat që keni dhe që paratë s’i blejnë”.

58. “Paratë janë si shqisa e gjashtë, s’mund t’i përdorësh pesë të parat pa to”.
William Somerset Maugham

59. “Mund të bëheni të përkryer në diçka që doni. Mos i bëni paratë synimi juaj. Por, përkoni gjërat që doni të bëni, dhe atëherë bëjini ato aq mirë, sa të tjerët s’do t’jua ndajnë sytë”.
Maya Angelou

60. “Paratë ende s’e kanë bërë një njeri të lumtur. Sa më shumë të ketë, aq më shumë do të dojë. Në vend që të mbushë një vakum, krijon një tjetër”.
Benjamin Franklin

61. “Ju kujtoni se paratë janë rrënja e të këqijave. E keni pyetur veten se cila është rrënja e gjithë parave”?
Ayn Rand

62. “Intelekti ndërtohet paralelisht me ekonominë e parave”.
G. Simmel

63. “Paratë, nëse nuk të sjellin lumturi, të paktën të ndihmojë të jesh i mjerueshëm në luks”.
Helen Gurley Brown

64. “Arti nuk është në bërjen e parave, por në ruajtjen e tyre”.
Fjalë e urtë

65. “Paratë janë vetëm një mjet. Do të të çojnë ku të duash, por nuk do të të zëvendësojnë ty si shofer”.
Ayn Rand

66. “Paratë shpesh kushtojnë shumë”.
Ralph Waldo Emerson

67. “Nuk do të jetoni një ditë të lumtur, edhe sikur të keni fituar shumë para, nëse nuk bëni diçka për dikë që s’mund t’jua rikthejë”.
Ruth Smeltzer
68. “Dilni në botë dhe punoni sikur paratë mos kenë rëndësi, këndoni sikur askush s’ju dëgjon, dashuroni sikur kurrë mos jeni lënduar dhe kërceni sikur askush s’po ju sheh”

69. “Është mirë të keni para dhe gjërat që i keni blerë me para, por është mirë që ndonjëherë të bëni një kontroll se mos keni humbur ndonjë nga gjërat që s’i keni blerë me para”.
George Lorimer

70. “Me para mund të blini një qen të mirë, por vetëm dashuria do ta bëjë të tundë bishtin”.
Richard Friedman

71. “Paratë kurrë s’e krijojnë një ide. Është ideja që krijon paratë”.
Owen Laughlin

72. “Sa ndryshim bën sa shumë ke? Ajo që s’keni është edhe më e madhe”.
Seneca

73. “Paratë janë barometri i virtytit të shoqërisë”.
Ayn Rand

74. “Shumë njerëz nuk kujdesen për paratë e tyre, derisa ato përfundojnë, ndërsa të tjerë bëjnë të njëjtën gjë me kohën e tyre”.

Johann Wolfgang von Goethe
75. “Paratë dhe gratë janë më të kërkuarat”.
Will Rogers

76. “Paratë do të vinë kur bëni gjënë e duhur”.
Mike Phillips

77. “Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen më shumë se paratë”.
Thomas Jefferson

78. “Nuk jap rroga të mira, pasi kam shumë para; kam shumë para, pasi jap rroga të mira”.
Robert Bosch

79. “Paratë zakonisht tërhiqen, nuk kërkohen”.
Jim Rohn

80. “Paratë nuk kërkohen për të blerë një nevojë të shpirtit”.
Henry David Thoreau

81. “Nëse paratë s’mund ta blejnë lumturinë, të paktën ju lejojnë të zgjidhni një formë mjerimi”.

82. “Një burrë ka njëqind dollarë dhe ju e lini me dy dollarë. Kjo është zbritja”.
Mae West

83. “Paratë nuk rriten në pemë”.
Fjalë e urtë

84. “Paratë janë si dashuria; vret me ngadalë atë që e mban dhe gjallëron atë që e jep”.
Kahlil Gibran

85. “Nuk kemi borxh një miliardë miliardë dollarë, pasi nuk kemi taksuar mjaftueshëm; kemi borxh një miliardë miliardë dollarë, pasi kemi shpenzuar shumë”.
Ronald Reagan

86. “Nuk më interesojnë shumë paratë, se paratë s’ma blejnë dashurinë”.
Tekst nga “Beatles”.

87. “Mënyra më e mirë për ta dyfishuar paranë është ta palosësh dhe ta fusësh në xhep”.
Frank Hubbard

88. “Ekziston një mënyrë e lehtë për t’u kthyer nga kazinoja me një shumë të vogël: të shkosh atje me një shumë të madhe”.
Jack Yelton

89. “Të përzierat e makinës të vijnë kur kalon afati i pagimit të faturave”.

90. “Inflacioni ka shkatërruar gjithçka. Një monedhë përdoret vetëm si kaçavidë”.
Jackson Brown

91. “I kundërshtoj milionerët, por do të ishte e rrezikshme sikur të ma jepnin mua atë post”.
Mark Twain

92. “S’mund ta përballoj të humbas kohën duke bërë para”.
Louis Agassiz

93. “Kur ka para në poezi, por nuk ka as poezi në para”.
Robert Graves

94. “Kur has në para e heq qafe shpejt, para se të më futet në zemër”.
John Wesley

95. “Një xhepmbushur shpesh rënkon më shumë se një stomakbosh”.
Franklin Delano Roosevelt

96. “Pas një vizite në plazh, vështirë të mendosh se jetojmë në një botë materiale”.
Pam Shaw

97. “Masa e vërtetë e pasurisë është sa shumë do të vlenit sikur t’i humbisnit paratë”.

98. “Kur pema e fundit të jetë fishkur dhe lumi i fundit të jetë helmuar dhe peshku i fundit të jetë zënë, atëherë do të kuptojmë se s’mund ta hamë paranë”.
Fjalë e urtë indiane

99. “Do të më pëlqente të jetoja si një njeri i varfër me shumë para”.
Pablo Picasso

100. “Filozofia e parave kontribuon në edukimin e njerëzimit dhe i ndihmon njerëzit të kujtojnë se “matësi i të gjitha gjërave” duhet të jetë gjithmonë njeriu”./KultPlus.com

92 vite nga lindja e aktorit Pirro Mani

Pirro Mani (Korçë, 14 prill 1903 – Berat, 1 qershor 1993) ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar.

Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.

Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.

Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.

Pirro Mani u nda nga jeta ne moshën 89 vjeçare me 1 Qershor 1993 në Berat, kupër shumë vite jetoi me familjen, fëmijët dhe gruan, aktoren Pavlina Mani./KultPlus.com

Ekspozita ‘E kaluara e tashme’, ish-të burgosur politikë rikthehen në ish-burgun e Spaçit

Disa ish-të burgosur politikë u rikthyen në ish-burgun e Spaçit për të ndarë historitë e tyre me brezat e rinj.

Takimi u organizua me rastin e ekspozitës “E kaluara e tashme” e mbështetur nga programi EU4CULTURE.

Nëpërmjet skulpturave dhe regjistrimeve të 49 ish-të burgosurve politikë, kjo ekspozitë kujton vuajtjet, por edhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar dhe në këtë mënyrë nxit një diskutim të mirëfilltë për të kaluarën e Shqipërisë.

Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, Silvio Gonzato e cilësoi prekës takimin me të mbijetuarit e burgut të Spaçit.

“Takimi me të mbijetuarit e burgut të Spaçit, një prej burgjeve më brutale të regjimit komunist në Shqipëri, ishte vërtet prekës. Të dëgjuarit e historive të tyre më kujtoi se ka mbetur shumë për të bërë në ballafaqimin me të kaluarën. Më vjen mirë që kaq shumë të rinj erdhën në Spaç për të takuar të mbijetuarit. Ata duhet të kuptojnë se nga vijnë dhe çfarë ka kaluar Shqipëria. Njeriu duhet të shërojë plagët e së kaluarës duke adresuar të drejtat e viktimave. Jam krenar që e mbështetëm këtë event, por kjo nuk mjafton. Ish-burgu i Spaçit po përkeqësohet me shpejtësi, ndërkohë që duhet ruajtur në mënyrë që ne të kujtojmë atë që ndodhi këtu dhe të themi: kurrë më”, u shpreh ambasadori i Gonzato./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti takon deputetin kanadez: Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që nga ’99-ta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me deputetin kanadez, Rob Oliphant me të cilin kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Kanada.

Përmes një postimi në “X”, Kurti është shprehur mirënjohës për mbështetjen e Kanadasë.

“Është kënaqësi të diskutoj për forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Kanada me deputetin kanadez Rob Oliphant Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë që nga ’99”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Kryetari Rama për vdekjen e aktores Shirine Morina: Një yll i skenës u shua

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me rastin e vdekjes së aktores Shirine Morina ka ngushëlluar familjarët e saj dhe gjithë komunitetin artistik.

Kryetari Rama u shpreh se Shirine Morina ishte një aktore e madhe, e cila la  gjurmë në botën e artit tonë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plot

“Shirine ishte një aktore e madhe, e cila la një gjurmë në botën e artit tonë. Nga performancat e saj të jashtëzakonshme dhe të shumta në teatër, tek rolet memorabël në emisione të dashura në RTP dhe deri tek pranitë e saj të spikatura në seriale vendore, ajo shkëlqeu çdo herë.

Shirine Morina do të mbahet mend si një artiste e madhe e vendit, e cila ndriçoi skenën me talentin dhe pasionin e saj. Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”, është shprehur Kryetari Rama./KultPlus.com

Kryeministri Kurti shpreh ngushëllime për aktoren Morina: Vdekja e saj është humbje e madhe për komunitetin artistik

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktores Shirine Morina, shkruan KultPlus.

Kryeminstri Kurti përmes një shkrimi në facebook vdekjen e aktores Morina e ka cilësuar si humbje të madhe për gjithë komunitetin artistik.

“Me pikëllim të thellë, komunitetit artistik të Kosovës e gjithë vendit i shprehi ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Shirine Morinës.

Në kujtesën tonë, do të qëndrojnë përjetë rolet e saj si ajo e monodramës “Mbreteresha Teutë”, si dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shfaqjet “Hotel Kashta”, “Makbethi”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në filmin “Era dhe lisi”, si dhe serialet “Kombinati” dhe “Cimerat”.

Vdekja e saj është humbje e madhe për komunitetin artistik. Shpirti i saj u prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti në Facebook/KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj viziton Kosovën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj është nisur sot në Kosovë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.

Zyra e shtypit e Institucionit të Presidencës bënë të ditur se, “Presidenti Bajram Begaj do të mbajë një fjalë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqe dhe Siguri që zhvillohet në Prishtinë ditën e nesërme, në datën 15 prill 2024.

Po ashtu, njoftohet se kreu i shtetit do të ketë një takim kokë më kokë me Presidenten Osmani si edhe disa takime bilaterale me personalitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare./rtsh/KultPlus.com

Fushata për shënimin e 14 prillit mbështetet nga figura me renome botërore, Rushiti: Historia e re e Kosovës të shkruhet me këtë plagë të luftës

Sot më 14 prill në Ditën Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, QKRMT organizoi konferencë për shtyp.

Drejtorja ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti foli për rëndësinë e kësaj dite në krijimin e një klime më të përshtatshme ku të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës të kenë qasje në drejtësi, shërim dhe rehabilitim.

Ajo, po ashtu, foli për kampanjën e 14 prillit të cilës po i bashkohen figura me rëndësi botërore si Dr. Denis Mukwege – fitues i Çmimit Nobel për Paqe, aktivistë botërore të të drejtave të njeriut, Presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca, kryeministri Kurti , ministra, deputet, aktivistë të shoqërisë civile, njerëz të kulturës dhe artit.

“Historia e re e Kosovës të shkruhet me këtë plagë të luftës. Fushata për shënimin e 14 prillit po mbështetet nga figura merenome botërore”, është shprehur Rushiti.

Të mbijetuarat Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, gjatë prononcimit u shprehën se përkundër që kjo ditë është e mërzitshme dhe e rëndë, kjo ditë është edhe ditë guximit dhe mbështetja duhet të jetë e vazhdueshme ngaqë lufta nuk mund të harrohet./KultPlus.com

103 vite më parë lindi aktori Pandi Raidhi

Pandi Raidhi ishte aktor shqiptar i teatrit dhe kinemasë i shekullit të XX.

Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 në shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjeherë simpatinë e publikut korçar.

Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.

Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958. Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysëm shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.

Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtesinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën. Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte.

Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.

Disa nga projektet kinematografike në të cilat mori pjesë janë: Njerëz në rrymë, Familja ime, Përsëri pranverë, Rrethimi i vogël, Duaje emrin tënd, Kush vdes në këmbë, Nëntori i dytë, Shoqja nga fshati, Partizani i vogël, Agimet e stinës së madhe, Liri a vdekje, Ne vinim nga lufta, Flamur në dallgë, Përballimi, Monumenti, Tokë e përgjakur, Zonja nga qyteti, Beni ecën vetë, Rrugicat që kërkonin diell, Shpërthimi, Shtigje të luftës, Krevati i perandorit, Yjet e netëve të gjata, Kur zbardhi një ditë, Mëngjeze lufte, I teti në bronz, Horizonte të hapura, Vitet e para, Tana etj.

Vdiq në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999./KultPlus.com

Stina e dashurisë

Poezi nga Ndue Ukaj

Ta themelojmë një stinë të re,
lë të quhet stinë e dashurisë,
pak pranverë, verë sa për t’i pjekë frutat,
vjeshtë sa për t’i rregulluar ngjyrat
dhe dimër sa për t’i zbardhë ëndrrat.

Ta themelojmë stinën tonë,
një gramatikë të re fjalësh.

Tingujt të mos jenë stinë,
të jenë diçka në mes,
dhe foljet të mos jenë të parregullta.

Dhe pastaj ta themelojnë mbretërinë tonë,
me lumenj dëshirash që nuk ndalen kurrë,
me lumenj dëshirash që kthehen
në secilën stinë – e gurgullojnë –
e gurgullojnë, dhe ne e thyejmë rregullin e moçëm,
dhe lahemi dy herë në të njëjtin ujë.

Yje, lule, buzëqeshje dhe sy të gëzuar
dhe piktura dashurie, dhe askund pemë të ndaluara,
as gjarpër, as Kain.

Lë ta themelojmë stinën tonë, 
e malet të mos duken të larta,
e luginat të mos jenë të thella,
e ne të ulemi mbi maja malesh,
e të themi fjalë lartësish për ujdhesat,
fushat dhe luginat e fatit.

Lë ta themelojmë stinën tonë, në një djep plot ëndrra
dhe t’i përkundim duke kënduar ninulla dashurie,
për veten dhe për të tjerët.

Dhe në fund, lë të shkundim pluhurin
dhe historitë që janë ngjitë nëpër thembrat tona
e të hyjmë triumfalisht në këtë stinë,
të mbështjellë me të gjitha stinët nga pak./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gjurmët e krimeve të luftës ende e rëndojnë jetën e qytetarëve tanë

Më 15 dhe 16 prill, Kosova do të mirëpresë personalitete të ndryshme nga disa shtete të botës në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po në këtë forum, temë bosht pritet të jetë dhuna seksuale gjatë luftës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani derisa nderoi të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kërkoi drejtësi.

“Përpara një viti ne dëgjuam zërin e fuqishëm të të mbijetuarve dhe vendosëm që 14 prilli të shënohet si një akt i përhershëm i solidaritetit tonë. 14 prilli është një kujtim i rezistencës së tyre në ballafaqim me dhunën. Në këtë ditë ne ngrisin zërin për drejtësi. Drejtësia nuk do të jetë e plotë derisa kriminelët nuk dalin para drejtësisë për veprat e tyre. Gjurmët e krimeve të ushtrisë serbe vazhdojnë të rëndojnë edhe sot jetën e qytetarëve tanë. Për të senzibilizuar të gjithë për dhunën seksuale gjatë luftës, në kuadër të sesionit të dytë te Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që do të mbahet në Prishtinë do të jetë temë boshtë çështje e dhunës seksuale gjatë luftës. Nesër në Prishtinë do të mblidhen më shumë se 40 shtete anembanë botës. Liderë, ekspertë, akademikë, gazetarë e përfaqësues te shoqërisë civile. Forumi është një platformë që i dedikohet fuqizimit të zërit të grave”, tha presidentja sot në një konferencë për media, raporton RTKlive.

Ajo ka thënë se gjurmët e krimeve të dhunës seksuale të kryera nga Ushtria dhe Policia Serbe vazhdojnë të rëndojnë ende jetën e qytetarëve tanë, pas gati 25 viteve të pas luftës.

Osmani tha se dhimbja e Kosovës është e madhe, pasi gjatë luftës së fundit janë dhunuara mbi 20 mijë gra nga ana forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë./rtk/KultPlus.com

TKK organizon mbledhje komemorative për aktoren Shirine Morina, jepen detaje për ceremoninë e varrimit

Teatri Kombëtar i Kosovës pas vdekjes së aktores Shirine Morina ka njoftuar se do të mbajë mbledhje komemorative, në nderim të veprës së aktores tashmë të ndjerë.

TKK po ashtu ka njoftuar se varrimi i aktores Morina do të bëhet nesër në ora 16:00, në varrezat e qytetit, në Prishtinë.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e shkuarjes në amshim të aktores së Teatrit Kombëtar të Kosovës, znj. Shirine Morina.

Nesër, e hëne, 15 prill 2024, në ora 14:00 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, organizojmë mbledhje komemorative për të kujtuar aktoren e ndjerë.

Varrimi i të ndjerës është në ora 16:00 në varrezat e qytetit, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e TKK/KultPlus.com

Kryemnistri Kurti në hapjen e Kampionatit Shtetëror të Esports: Mundësi për të treguar talentin e inovacionin edhe ndërkombëtarisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen solemne të Kampionatit Shtetëror të Esports.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se Kurti është shprehur që Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që mundëson zhvillimin e esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike”, është shprehur Kurti.

Ai tutje ka thënë se për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare.

“Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen”, është shprehur kryeministri.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e Shirine Morinës: Teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të aktores, Shirine Morina.

Presidentja Osmani ka thënë se teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar.

“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun”, shkroi Osmani.

Më tej Presidentja Osmani tha se Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive.

“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!”.

“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”.

Letra e Simone de Beauvoir për të dashurin amerikan: Parisi më duket i trishtë pa ty

Nelsoni im,

Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?

Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua. 

Nga libri “Dashuri Trasantantike”.

Përkthyese: Alda BardhyliKultPlus.com

Varkat turistike, realitet në Liqenin e Shkodrës

Varkat turistike janë sot një realitet në Liqenin e Shkodrës, duke rikthyer lundrimin në këtë pasuri të të gjithëve.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci publikoi pamje nga liqeni ku turistët e parë tashmë përjetojnë ndjesinë e lundrimit me këto varka.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një intervistë për mediat u shpreh i lumtur për këtë hap të parë që synon rikthimin e lundrimit elitar në Liqenin e Shkodrës.

Beci tha se falë mbështetjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Qeverisë Shqiptare, pranë molit të Shirokës janë ankoruar tashmë dy varkat e para turistike me kapacitet 33 vende secila që janë një mundësi për vizitorët në Shirokë për të shijuar magjinë e liqenit më të madh në Ballkan.

Varkat i shtohen një rrjeti ndërhyrjesh që ka nisur me krijimin e 3 moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna.

Dy molet ne Shirokë dhe Zogaj kanë përfunduar ndërkohë që në me përfundimin e molit pranë Urës së Bunës do krijohet rrjet molesh për ankorimin e varkave turistike dhe rikthimin e lundrimit elitar në këtë pasuri ujore të Shkodrës në shërbim të turizmit. / KultPlus.com

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Prishtinë, Kumbaro: Promovim Shqipërisë dhe Kosovës si destinacion i vetëm

Potenciali turistik i Shqipërisë si një vend mesdhetar rrethuar me bregdet dhe male u prezantua më 12-13 prill në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot në një postim në rrjetet sociale se “të gjitha shijet e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë që po kthehet në traditë të bukur për kryeqytetin e Kosovës”.

“Promovojmë më të mirat ndër veti me ftesën e përhershme për mysafirët nga Kosova që të shijojnë bregdetin tonë dhe krejt ofertën turistike gjithëvjetore, por edhe të hapim rrugë të reja bashkëpunimi për t’iu prezantuar tregjeve më të mëdha si një destinacion i vetëm nga Shqipëria në Kosovë me krenarinë e natyrës e kulturës sonë”, theksoi Kumbaro.

Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi gjithashtu në panair arritjet e Aplikacionit TEA, që premton të rrisë shërbimet këtë vit për të vijuar të prijë udhëtimet drejt atraksioneve të bukura të Shqipërisë.

Ky panair ndërkombëtar i turizmit shërbeu po ashtu si një qëllim jetik për Prishtinën dhe në qendër të vëmendjes ka potencialin e madh dhe të gjerë që ka Kosova, si një destinacion turistik i pasur me kulturë, me histori, bukuri natyrore mbresëlënëse.

Ky panair nxiti gjithashtu bashkëpunimin mes subjekteve turistike në rajon.

Në panair morën pjesë mbi 300 kompani nga më shumë se 15 shtete. Panairi u organizua nga Unioni i Turizmit të Kosovës dhe nën kujdesin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Kurti në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit: Aftësia jonë për të ecur përpara pengohet në mënyrë aktive nga Serbia

Zyra për Media e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka marrë pjesë virtualisht në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit, që po mbahet në Dubai.

Gjatë fjalimit të tij, ai foli për sfidat në nivel global, si energjia dhe ndryshimet klimatike, qasjes ndaj tyre dhe punën dhe “të arriturat” e qeverisë.

“Në Kosovë, ne si qeveri socialdemokrate, besojmë në një vizion për politikë që është më gjithëpërfshirës – një vizion që e bën përulësinë dhe solidaritetin prioritet, ushqen qëndrueshmërinë dhe vlerëson dinjitetin e punës. Qeveria jonë është fokusuar në adresimin e pabarazive socio-ekonomike duke investuar në rritje dhe zhvillim. Paketa jonë gjithëpërfshirëse e politikave siguron që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe grupet e margjinalizuara, të arrijnë përmirësime të rëndësishme në mirëqenien, aksesin në punësim, arsim dhe shëndetësi, energji dhe shërbime të tjera publike. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka ofruar pakon më bujare të ndihmës në Ballkanin Perëndimor si përqindje e BPV-së për t’i ndihmuar qytetarët të përballen me inflacionin”, tha Kurti.

Ai ndër të tjerash, tha se aftësia e Kosovës për të ecur përpara po pengohet në mënyrë active nga Serbia, e cila sipas tij nuk është e interesuar të jetë pjesë e NATO’s dhe BE’së.

Kurti përmendi ushtrinë serbe afër Kosovës dhe sulmin e Banjskës.

“Aftësia jonë për të ecur përpara pengohet në mënyrë aktive nga Serbia, e cila nuk është e interesuar të jetë pjesë e NATO-s apo BE-së. Aleanca e saj me Rusinë dhe fantazitë e saj për një të kaluar alternative po na mbajnë ne dhe të gjithë rajonin prapa. Në dy vitet e para si kryeministër, Serbia grumbulloi ushtrinë e saj përgjatë kufirit me Kosovën katër herë dhe sponsorizoi terrorizmin brenda kufijve tanë. Shtatorin e kaluar, një polic kosovar u vra pas një inkursioni të terroristëve paraushtarakë. U sekuestruan armë dhe pajisje ushtarake me vlerë mbi 5 milionë euro. Rreth 90 ushtarë të NATO-s majin e kaluar u plagosën, disa të plagosur rëndë, për shkak të sulmeve nga një turmë e sponsorizuar nga Beogradi. Pavarësisht të gjithave, ne kemi hyrë në një marrëveshje me Serbinë nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE – një marrëveshje që Serbia tani refuzon ta nënshkruajë.”

Kurti foli edhe “për rritjen e punësimit, dyfishimin e investimeve të huaja direkte dhe eksporteve, shtesat për fëmijë e mbështetja për nënat lehona, sistemi dual, arsimi i lartë falas, mbështetja dhe bursat për gratë në STEM, por edhe përmendi rankimet e larta e pozitive të vendit tonë në indekset e renditjet të ndryshme ndërkombëtare”.

Në fund, Kurti tha se ngjarjet e tri viteve të fundit kujtojnë që barazia dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena.

“Ngjarjet e tri viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit, na kujtojnë se barazia, të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena. Ata duhet të ushqehen, të mbrohen dhe të avancohen me çdo kusht, dhe ne jemi krenarë që jemi të pozicionuar në mënyrë unike për të vlerësuar dhe promovuar këto vlera.” / KultPlus.com