Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri publik programin e ri të qeverisë, për zhvillimin e turizmit malor nën logon “investo në tokën tande”, që synon të rikthejë emigrantët për të investuar në tokën tyre, falë lehtësirave dhe mundësive të ndryshme që do të ofrohen për ta përmes një pakete “one stop shop” .
“Ne po punojmë fort për një transport ndërqytetas për një rrjet ndërlidhës shumë më të mirë, nga pikat hyrëse, marinat, portet, aeroportet. Shqipëria po përfundon aeroportin e dytë shumë të madh për kargo dhe për një afrim më shumë me zonën e jugut”, u shpreh Gonxhja në sot Konferencën për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë – “Nxitja e investimeve në turizëm për ndryshim pozitiv në përfitim të të gjithëve”, që u zhvillua në Tiranë.
Gonxhja tha se, “jemi në përpunim të një programi të ri për turizmin malor dhe për zhvillimin në zonat malore, e themi këtë sepse turizmi sezonal për ne në një vend me më shumë se 300 ditë diell është i pamjaftueshëm vetëm në det dhe bregdet, por edhe nga pikëpamja e një menaxhimi vjetor dhe i nevojës që popullsia ka për të përfituar nga turizmi duhet të jetë në të gjithë gjeografinë dhe hapësirën e vendit, ndaj bëhemi gati që të shpallim një paketë dhe projekt që do ta quajmë “investo në tokën tande” për pjesën e veriut ku ne do të thërrasim shumë emigrantë, që sot janë në gjendje shumë më të mirë ekonomike, të cilët kthehen dhe do ta kenë këtë paketë një “one stop shop” shumë interesante. Duam t’i nxisim ata dhe të investojnë me lehtësi shumë të mëdha në zona shumë të largëta”.
Gonxhja e cilësoi këtë nismë një shtytje për zhvillimin e ekonomisë rurale në zonat veriore të vendit.
“Kthimi i emigrantëve për të investuar në tokën e tyre është alternativa më e mirë sesa ata të investojnë në vendet ku ata janë të suksesshëm”, u shpreh ai, teksa vuri në dukje ambicien e qeverisë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor nga jugu deri në veri të vendit./atsh/KultPlus.com
Po shkrihet bora, Dimri po shkon; Bylbyl i vorfën, Pse po gjimon?
Pushoi murrlani Me duhi t’vet; Bylbyl i vorfën, Çou, mos rri shkret.
Gjith’ fushët e malet Blerimi i mbëloi; Livadhi e pema Gjithkah lulzoi.
Ndër pyje e ograja, N’ma t’mirin vend, Me rreze dielli Po e gëzon gjithkend.
E tuj gjimue Shkon rreth e rreth Nji prrue që veret Rrjedh nëpër gjeth.
A çilë kafazi, Bylbyl flutro; Ndër pyje e ograja, Bylbyl, shpejto.
Kurrkush ma hovin Atje s’ta pret; Me zeher hajen Kurrkush s’ta qet.
Kafaz ke qiellin, Epshin pengim; E gjith’ ku t’rreshket Shkon fluturim.
Nëpër lamie, Ke me gjetë mel; Për gjith’ prendverën Njajo buk’ t’del.
E kur t’zit edi Ndër prroje pi; Te njato prroje Që ti vetë di.
Tash pa frikë çerdhen E mban n’ndo’j lis; Nuk je si ‘i nieri Që nuk ka fis.
E kur t’vij’ zhegu, Kur dielli shkon, Ti ke me këndue Si ke zakon.
Rreth e rreth gjindja Me t’ndie rri; Prej asi vendit Ndahen me zi.
A çilë kafazi, Bylbyl, fluturo; Ndër pyje e ograja, Bylbyl, shpejto.
Ndër drandofille, Ndër zambakë nga; Ku qeshet kopshti, Idhnim mos mba.
Po shkrihet bora, Dimni po shkon; Bylbyl i vorfen, Pse po gjimon?
II
Por vaj! Se ‘i dimën tjetër Paske, o bylbyl i shkreti; Pa da ty zemra t’treti Mbas vajit që t’rrethon.
Me lulzim t’vet prendvera Ty s’ta përtrin gazmendin: Jo kurrë s’e njifke shendin, Bylbyl, që po vajton.
A thue po kjan, se çerdhen Ta ka shkatrrue skyfteri? A thue po kjan, o i mjeri, Se me rrnue gjallë s’ke mel?
Ndrrojn’ edhe stinët e motit, E për çdo herë ndron era. Mbas dimrit vjen prendvera, Mbas borës blerimi del.
Veç ti me idhnime t’tuja N’zemër gjithmonë po pihe, E ditë e natë po shkrihe Mbas vajit që t’mundon.
Kur â tuj ardhun drita Ndihet tuj këndue shpendi, E n’kangë i duket shendi, Që zemrën ia gazmon.
Gjetiu ndër pem, ndër lule Shkon e fluturon bylbyli; N’at erë që jep zymbyli Vjollca e zambaku nget.
Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm, Ty t’paska ndry mizori, E kurrnjiherë nuk t’nxori Me t’lëshue ku zemra t’thrret.
Ti kurr, nji kangë s’ia këndove Diellit kur nadje çohet; Zemra me vaj t’coptohet E me pajtue nuk don.
Ndoshta kujdesi i t’tujve Gjith’ ket hidhnim ta qiti, E shendin ta shutiti E vshtira që i mundon.
T’burguem i bani gjindja Veç përse donë me ndie Njat za që lëshojnë me hije Që t’knaq e që t’ban rob.
Çdo krajl i madh ndër shpija Ty t’mba m’u thanë i veti; Vetë bukuria, o i shkreti, Kenka për ju nji kob.
Përse tu ndeja e t’mëdhajve Nji shpend i vogël s’ndalet; Shpendit i kande malet, Çerdhen e t’parve do.
Me at zanin tand t’përmallshëm Ndoshta ti ankon këto t’vështira; Derisa t’kthejn’ e mira, Bylbyl, papra gjimo.
III
Por njaj vaj që je tuj lëshue, Bylbyl, zemrën ma copton; Ditë e natë rri tuj prigjue, Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?
Gjama jote a porsi ankimi I nji fëmijës që vetun mbet; Gjama jote a si shungllimi I nji t’zezës që gja s’ pre.
Porsi dnesë me futë në krye Nana e shkretë që mbet pa djelm; Njashtu tine rri tuj shfrye Njat idhnim që t’u ba helm.
Puna jote, o i mjeri, m’mbyti E kurrkund nuk m’len pushim, Shkoi nji muej, po shkon i dyti T’zezat t’tua s’kanë mbarim.
Tash ndër arë lulzoi qershia E me borë dimni po shkon: Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia, Gjama jote kurr s’mbaron.
Si t’burguemit n’ishull t’detit, Ku tallazi i thekshëm vrret, O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit, Vaji zemrën ia pëlset;
E papra n’ankime t’veta Vajton fisin që larg la; E tu fëmija i shkon si zgjeta Mendja e shkretë se mbet pa ta;
Njashtu ti rri tuj vajtue N’njat kafaz që shungullon; Fisin tand rri tuj mendue T’zinë atdhe që s’e harron.
Për fat tand, për zogj që kishe Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb; Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.
Me e pasë ndie njat za që lëshoshe, Me e pasë ndie njat vajin tand, Kishin ardhë kudo që t’shkoshe, T’kishin lypun kand e kand.
Njat vaj tandin tuj kujtue Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net; Pveshtin hanën tuj gjimue, Pvetshin hyjt për prind të vet.
Por aj kob që hana e diti E njaj vaj që ylli pau, T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti, E kurr zemra nuk ju ndau.
Me ditë hyjt me bisedue, Me pasë sy që me derdhë lot, Vajin tand ju kishin prue T’kishin kja për jet’e mot.
Nëpër fush’ e nëpër shpija, Me kujdes që s’nep afat, Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija, Kjamun t’kishte i ngriti fat…
IV
Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti; Ankimi e vaji nuk asht i zoti Përgjithmonë zemrën me na coptue; Fillo me gëzue.
Mbas boret t’dimnit çilet prendvera; Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era; Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue; Fillo me gëzue.
Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat, Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat; Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue; Fillo me gëzue.
Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem! Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue: Fillo me gëzue.
Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi Për fmij, për grue që s’shef i shuemi, Por prap durimi ka me ja prue, Fillo me gëzue.
Shpend tjerë burgosi sa herë mizori, E rishtas jashtë dikur i nxori; Ndër fushë e male janë tuj fluturue; Fillo me gëzue.
Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule, Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule, E kangët e parshme nisin me këndue: Fillo me gëzue.
Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin, Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin; Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue: Fillo me gëzue.
Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet: Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet; Edhe natyra po don m’u ndrrue: Fillo me gëzue.
Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë, Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë, Por vaji e ankimi kanë për t’u shue; Fillo me gëzue.
Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi, Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi, Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue: Fillo me gëzue.
Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male, Afër shpisë seme hovin tand ndale; Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue Kam për t’u gëzue. / KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar është i mbyllur për vizitorët nga 15 marsi 2024, e dhe deri në 15 mars të vitit 2028. Kjo mbyllje është në kuadër të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, kuratorja e muzeve, Yllka Gjikopulli e konsideroi këtë investim në kohën e duhur, pasi pas 4 dekadash duhet rikonceptuar në linja muzeale.
Ajo ka theksoi se pavarësisht kontestimeve, është një hap pozitiv që do të ndihmojë të gjithë publikun.
“Mbyllja e muzeut dhe fillimi i punimeve është një gjë shumë e mirë, një lajm shumë i mirë që do të ndodhi. Është një nga gjërat më të rëndësishme që ka vendi ynë dhe ai muze meriton të jetë patjetër në standardet e një muzeu europian. Gjithmonë, ka një kohë që do kontestohet dhe do thuhet në mos turistike, do dali dhe diçka tjetër. Nuk është dhe një kohë e caktuar kur mund të mbyllet dhe kur mund të hapet një muze. Është një hap pozitiv. Kontestimet do të jenë gjithmonë në çdo rast, ai ka nevojë të shihet dhe nga ana historike, edhe nga ana estetike, pa diskutim dhe t’i përkojë kohës dhe të ketë dhe ndërhyrje dhe të reja ndërvepruese me publikun”, u shpreh Gjikopulli./abcnews.al/KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, e ka nënshkruar sot dekretin “Për dhënie amnistie”.
Nga vendimi i Begajt, do të përfitojnë rreth 700 të burgosur, raportojnë mediat shqiptare transmeton Klankosova.tv
Ky ligj u miratua të enjten e kaluar më 4 prill.
110 deputetë votuan pro kur socialistët dhe deputetët opozitarë të Rithemelimit bashkuan votat bashkë dhe me dy deputet/ të grupit demokrat Basha.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, firmosi sot dekretin nr. 139, datë 09.04.2024, “për shpalljen e ligjit nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”’, thuhet në njoftimin e presidencës.
Preç Zogaj e Bashkim Shehu në prozë dhe Shaban Murati në publicistike janë tre fituesit e çmimit kombëtar “At Zef Pllumi” për vitin 2024. I kthyer në traditë, edicioni i 8 i këtij konkursi u organizua nga Bashkia Lezhë, ndërsa të pranishëm ishin autoritete lokale si dhe personalite të shquara të artit dhe letersisë shqipe, të cilët dhanë vlerësimet e tyre për veprat e autorëve fitues.
Fituesit e çmimit kombëtar “At Zef Pllumi” e konsideruan nderim të madh këtë vlerësim.
Në këtë konkurs, juria e përbërë nga Behar Gjoka, Marash Mirashi dhe Agim Xhafka vlersoi me “Çmimin e karrierës” Frano Kullin, Thanas Medin dhe Pashk Përvathin. Gjithashtu u akorduan dhe dy çmime nderi për shrimtaret Namik Dokle dhe Ahmet Premçi./BalkanWeb/KultPlus.com
Studiuesi Evarist Beqiri, i cili nisur nga hulumtimi vetjak, ka vendosur t’i besojë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë. Këto materiale, pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike, zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane.
DPA fton çdo studiues t’i drejtohet sallës së Studimit në Tiranë, ose Këndeve Arkivore të çelura në mbarë vendin, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Greqi dhe në Italinë e Jugut për të mësuar më tepër mbi kulisat që i paraprinë Kuvendit të Vlorës.
“Rrugëtimi i përveçëm i kryeministrit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, mes orvatjeve dhe mëtimit të pareshtur për mëvetësinë e Shqipërisë, do jetë ngahera një lëm kërkimor për t’u shteruar e për të nxjerrë mësime të vyera”, shkruan DPA në faqen e saj online, duke e konsideruar veten si rojtare dhe shërbestare të pasurisë dokumentare.
Kohët e fundit fondet e DPA-së janë pasuruar nga disa dhurime, të cilat kanë shërbyer edhe si shtysa për dhurime të tjera si dhe për nisjen e hulumtimeve të reja. / atsh / KultPlus.com
Poeti i njohur francez, Charles Baudelaire, lindi më datë 9 prill të vitit 1821 në Paris.
E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.
Në vitin 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zëmëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotizmin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.
Në vitin 1842, njohu poetët Gerard de Nerval, dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim të Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se cfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet ti kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.
Në vitin 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.
Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e së keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet, ndërsa botuesi, detyrohet të censurojë disa prej poezive.
Bodleri ra në depresion të thellë. Në vitin 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Fronsez, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.
I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge. / KultPlus.com
Multimiliarderi Elon Musk deklaroi se kompania e tij “Starlink” ka filluar të ofrojë shërbimin e saj në Shqipëri.
Musk e dha lajmin ditën e sotme në rrjetin social X, ish-Twitter, kompani të cilën gjithashtu ai e zotëron.
Lapsi.al ka publikuar çmimet për Shqipërinë.
Sic mund ta shikoni nga fotoja më lart, paneli që vendoset në taracën tuaj kushton 425 mijë lekë të vjetra plus 24 mijë lekë të vjetra posta. Ndërsa pagesa mujore është 65 mijë lekë të vjetra në muaj. Nga një hulumtim i Lapsi.al këto çmime janë të reduktuara për Shqipërinë pasi për shembull në Shtetet e Bashkuara çmimi mujor për shërbimin është 100 dollarë në muaj.
Paneli që vendoset në taracën tuaj merr internet direkt nga mijëra satelitët që Elon Musk ka ngritur në hapësirë. Shpesh herë ato kanë kaluar mbi Shqipëri dhe kanë krijuar sensacion, ku rrjetet sociale janë mbushur me foto dhe video ku fillimisht dyshohej për aktivitet jashtëtokësor, por më pas u mësua se ishin satelitët e Elon Musk.
Shpejtësia e download-imit varion nga 120-500 mb/s. Kjo shpejtësi është e konkurushme me planet që ofrohen sot në shtëpiat e shqiptarëve. Sigurisht që çmimi është më i shtrenjtë se kompanitë që ofrojnë shërbim interneti me fibër në Shqipëri. Por Starlink është dizenjuar për zonat rurale të cilat nuk kanë akses në internet të shpejtë. Ose për rulotat, ku platforma montohet sipër, dhe ju mund të keni internet kudo që të shkoni, edhe në zonën më të humbur, për sa kohë paneli shikon nga qielli. / KultPlus.com
Një grup grash të moshuara zvicerane kanë fituar çështjen për mbrojtjen e klimës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas BBC.
Gratë, kryesisht në të 70-at, thanë se mosha dhe gjinia e tyre i bënë ato veçanërisht të prekshme ndaj efekteve të valëve të të nxehtit të lidhura me ndryshimet klimatike.
Gjykata tha se përpjekjet e Zvicrës për të përmbushur objektivat e saj të reduktimit të emetimeve kishin qenë të pamjaftueshme.
Është hera e parë që gjykata e fuqishme vendos për ngrohjen globale.
Aktivistja suedeze, Greta Thunberg iu bashkua aktivistëve që festonin sot në gjykatën në Strasburg.
Vendimi është detyrues dhe pritet të ketë ndikim në ligjin në 46 vende në Evropë, përfshirë Britaninë e Madhe.
Gjykata vendosi se Zvicra kishte dështuar në përputhje me detyrat e saj sipas Konventës në lidhje me ndryshimet klimatike.
Gratë zvicerane, të quajtura “KlimaSeniorinnen” ose (Gratë e moshuara) për mbrojtjen e klimës, argumentuan se ato nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të pësojnë probleme shëndetësore gjatë valëve të të nxehtit në Zvicër.
Të dhënat treguan se marsi është muaji i 10-të radhazi më i nxehti në histori, duke nxitur shqetësime se bota mund të jetë duke u kthyer në një fazë të re të ndryshimit edhe më të shpejtë të klimës.
Gjykata hodhi poshtë dy çështje të tjera të ngritura nga gjashtë të rinj portugez dhe një ish-kryetar bashkie francez. Të dy argumentuan se qeveritë evropiane nuk kishin arritur të trajtonin ndryshimet klimatike mjaft shpejt, duke shkelur të drejtat e tyre./atsh / KultPlus.com
I lindur në Milano në vitin 1933, Gian Maria Volontè studioi në Romë në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike, ku u diplomua në vitin 1957. Filloi të punonte në teatër dhe televizion, ku u vu re shumë shpejt si një nga aktorët më premtues të brezit të tij.
Pas disa roleve si joprotagonist, ai u bë i njohur me personazhin e Ramón Rojo në filmin “Për një grusht dollarë” (A Fistful of Dollars) i Sergio Leone-s. Ky sukses u dyfishua në filmin tjetër të të njëjtit regjisor, “Për disa dollarë më shumë” (1965). Dhjetë vitet e ardhshme do të ishin më intensivet e karrierës së Volontè.
L’armata Brancaleone (1966) me regjia të Mario Monicelli-t, ishte filmi italian më i suksesshëm i vitit, “Ne ende vrasim si dikur” (1967) me regji të Elio Petri, fitoi Grand Prix du Scenario në Festivalin e Filmit në Kanë dhe Volontè fitoi Nastro d’Argento-n e tij të parë (Fjongo e Argjendtë – çmimi më prestigjioz i aktrimit në Itali), në vitin 1970 për “Hetimi i një qytetari larg dyshimeve” (1970), duke e bërë atë një yll ndërkombëtar. Filmi fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Kanë dhe dy Globe të Artë italiane.
Në vitin 1972, ai interpretoi në dy filma italianë si protagonist: “Klasa punëtore shkon në Parajsë” dhe “Çështja Mattei”. Të dy filmat fituan Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Kanë, ku edhe Volontè u vlerësua maksimalisht nga kritika. Në jetën e tij, Volontè fitoi një numër të madh çmimesh dhe vlerësimesh të tjera, duke u bërë një nga aktorët italianë më të famshëm të viteve shtatëdhjetë dhe duke sfiduar Vittorio Gassman dhe Marcello Mastroianni-n si aktori më i njohur italian. Vdiq në Greqi në vitin 1994./ atsh / KultPlus.com
Ndryshimet klimatike mund të lëvizin në një territor të paeksploruar nëse temperaturat nuk bien deri në fund të vitit, tha një shkencëtar, sipas BBC.
Të dhënat treguan se marsi është muaji i 10-të radhazi më i nxehti në histori, duke nxitur shqetësime se bota mund të jetë duke u kthyer në një fazë të re të ndryshimit edhe më të shpejtë të klimës.
Një sistem moti i quajtur “El Niño” qëndron pas disa prej nxehtësive të fundit.
Temperaturat duhet të ulen përkohësisht pasi “El Niño” pritet të përkeqësohet në muajt e ardhshëm.
“Deri në fund të verës, nëse ne jemi ende duke përjetuar temperaturat rekorde në Atlantikun e Veriut apo diku tjetër, atëherë me të vërtetë kemi lëvizur në një territor të paeksploruar”, tha drejtori i Institutit Goddard për Studimet Hapësinore të NASA-s, Gavin Schmidt.
“Marsi i vitit 2024 ishte mesatarisht 14,14 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm nga viti 2016 me një të dhjetën e shkallës”, sipas të dhënave të Copernicus.
Dhe ishte 1,68 gradë C (3 gradë F) më i ngrohtë se në fund të viteve 1800, baza e përdorur për temperaturat përpara se djegia e lëndëve djegëse fosile të fillonte të rritej me shpejtësi. /atsh / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka njoftuar se për herë të parë në Shqipëri do të vjen konkursi ndërkombëtar “Voci di Mascagni”.
Sipas njoftimit, konkursi do të mbahet më datë 11 prill, duke filluar nga ora 10:00 deri në 13:00 dhe ka për qëllim të përgatisë interpretuesit e rinj, për të marrë pjesë në produksionet operistike për festivalin “Mascahni”.
“Trajnimet do të zhvillohen nga artistë të mirënjohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë dirigjentë orkestre dhe këngëtarë”, thuhet në njoftim.
Reperi me famë botërore Drake është parë duke kënduar me flamurin shqiptar në duar gjatë një koncerti.
Gjatë performancës së tij, një vajzë nga publiku e cila mbante flamurin në dorë, e ka hedhur në drejtim të skenës ku po performonte Drake. Ai sapo e sheh flamurin, e merr në duar dhe e vazhdon performancën.
Ndryshe, në albumin e tij më të ri, në një prej këngëve, Drake përmend Prishtinën. Bëhet fjalë për këngën “Polar Opposites”, shkruan Express.
“Ose është mesazhi yt që po e lexoj gabim; Ose thjesht veprimet tuaja janë mashtruese; Nuk e di se si i bëjnë gjërat në Prishtinë; E di që tensioni po rritet; Ka shumë njerëz të vdekur për mua që ende marrin frymë”, thotë mes të tjerash në vargjet e këngës reperi kanadez. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 32 civilët që u vranë më 9 prill të vitit 1999 në Rakoc të Kaçanikut, në mesin e të cilëve ishte edhe 105-vjeçari Nebih Livoreka.
“Në betejë me forcat armike të Serbisë që kishin sulmuar popullsinë shqiptare ranë heroikisht 28 dëshmorë të UÇK-së. Sot u mbushën 25 vjet”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka shkruar se atë ditë që Kaçaniku ishte rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe që granatonin në të gjitha anët, në mbrojtje të civilëve dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe.
“Në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, u zhvilluan luftime të ashpra. Në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë. Në mesin e tyre edhe katër gra dëshmore: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri. Sikurse që doli në ballë të luftimeve në prill 1999, ashtu në maj 1998 Mukadezja ishte në ballë të protestave kundër dhunës serbe në Kaçanik”, ka shkruar Kurti.
Ai ka treguar se sot kanë shkuar në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave dhe grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun, duke shtuar se nderojnë 28 dëshmorë dhe 32 viktima civile, martirë të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re.
Këshilli i botimeve i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) u mblodh sot për të vendosur për listën e veprave që do të botohen prej saj si ent botues gjatë vitit 2024.
Kryetari i këshillit të botimeve akad. Skënder Gjinushi informoi anëtarët e tij për procedurën e ndjekur deri më tani sipas rregullores për veprimtarinë botuese të ASHSH. Kërkesat për botim i janë paraqitur ASHSH prej autorëve të tyre deri më 31 dhjetor 2023, në gjendje të përfunduar. Numri i veprave të miratuara për botim është 23, duke përfshirë disa tituj të miratuar qysh vjet, por të caktuar në kalendarin e botimeve të vitit 2024.
Përparësi patën fjalorët dhe studimet gjuhësore,duke qenë se sivjet është Viti i Gjuhës Shqipe.
Kryetari Gjinushi njoftoi këshillin e botimeve se 32 tituj të tjerë janë miratuar nga këshillat shkencorë të instituteve të albanologjisë vitin e kaluar, janë kryer të gjitha procedurat e recensionimit dhe diskutimit shkencor, madje edhe prokurimi, por nuk u arrit të bëhej shtypshkrimi i tyre, prandaj janë një detyrim i bartur për shkak të riorganizimit dhe këshilli i botimeve në këtë rast njoftohet për ta gjykuar listën në tërësi lidhur me përputhjen me prioritetet e Akademisë, pa dubluar procedurat.
Lista e tretë e titujve të përfshirë në programin e veprimtarisë vjetore botuese, që iu njoftua këshillit të botimeve, ishte ajo e veprave me karakter promovues dhe jubilar, 12 tituj, kryesisht akte të konferencave, libra-kushtim, botime në përvjetorë etj.
Lista e periodikëve përmban 18 njësi për këtë vit. / atsh / KultPlus.com
Sot janë bërë 16 vite që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që u ratifikua me 9 prill të 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008.
Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Në këtë ditë të shënuar ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani e cila është shprehur se Kushtetuta jonë është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike.
“Sot, në ditën e miratimit të Kushtetutës, e cila është normë supreme që përcakton identitetin dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike, rikonfirmojmë përkushtimin tonë institucional për zbatimin dhe afirmimin e këtyre vlerave.
Kushtetuta jonë është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike”, shkruan presidentja. / KultPlus.com
Sot janë bërë 16 vite që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që u ratifikua me 9 prill të 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008.
Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi./KultPlus.com
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Universitetin e Bolonjës, Rajonin e Emilia-Romagna, si dhe Zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Apoloni-Bylis, janë duke bashkëpunuar me qëllim mbrojtjen, ruajtjen dhe vlerësimin e vlerave historike dhe arkeologjike të parkut të Bylisit dhe kujtesës kulturore të këtij qyteti antik, si dhe atij të Klosit.
Në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit, financuar nga projekti IPA, është organizuar një dëgjesë publike në Bylis.
Falë kontributit të vyer të shumë autorëve, ekspertëve dhe specialistëve të njohur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, është propozuar një draftplan që synon të rrisë dhe të ruajë përdorshmërinë dhe atraktivitetin e qytetit antik të Bylisit dhe Klosit, si një hap i mëtejshëm i promovimit dhe ruajtjes së pasurive të trashëgimisë kulturore.
Ky plan synon përmirësimin e aksesueshmërisë, me qëllim promovimin e rëndësisë kulturore të sitit, përmes një rrëfimi historik tërheqës dhe emocional, nxitjes së turizmit kulturor dhe inkurajimit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës./atsh/KultPlus.com
Më 9 prill të vitit 1961 ka vdekur mbreti i parë i Shqipërisë, Ahmet Zogu, i cili ka lindur më 8 tetor të 1985.
Ai ka lindur në Burrgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani.
Pas 13 viteve, ai u bë shef i krahinës së Matit dhe më pas është dërguar në liceun Francëz dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.
Mbreti Zog që në moshë të re ka marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.
Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecar.
Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe bëhet Mbret i Shqiptarëve.
Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.
Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.
Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.
Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com
Koleksioni më i madh në botë për vepra arti origjinale të Banksy do shfaqet në Soho të Londrës.
Arti i Banksy, që përfshin më shumë se 150 vepra nga artisti anonim me bazë në Bristol do të hapet në 100 Charing Cross Road në 11 Prill.
Veprat e artit përfshijnë Dismaland dhe vepra të tjera më të vonë bëjnë homazh ndaj luftës në Ukrainë.
Ekspozita, që nuk është e autorizuar nga artisti, u vendos më së fundim në Regent Street.
Është sjellë përgjatë botës dhe ka qenë në qytete që përfshijnë Auckland, Boston, Chicago, Gothenburg, Miami, San Francisco, Sydney, Tel Aviv dhe Washington DC. / KultPlus.com
Ditën e sotme është përkujtuar firmëtari i pavarësisë, filatelisti, poligloti, arkivisti, etnografi dhe politikani shqiptar Lef Nosi që lindi më 9 prill 1877 dhe ka vdekur më 15 shkur 1946.
Lef Nosi ka lindur në qytetin e Elbasanit, në një familje ortodokse. Studimet e larta i ka kryer në Athinë, në drejtimin “Farmaci”.
Pa përfunduar studimet, ai u kthye në Shqipëri, dhe u angazhua thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë dhe kulturës kombëtare.
Derisa ishte ende i ri, Nosi kishte në zotim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri. Ai themeloi gazetën “Tomorri” në Elbasan, dhe artikujt e botuar në të kishin frymë kombëtare që nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, që e arrestuan dhe e dënuan me vdekje.
Mirëpo, për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, ai u caktua kryetar bashkie i Elbasanit, mirëpo me largimin e Nolit, ai u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua botimit të dokumenteve me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.
Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946. Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./KultPlus.com
Udhëtarët po i shkëmbejnë gjithnjë e më shumë hotelet me akomodimet në ferma, pasi kërkojnë hapësira më intime dhe të qeta të zhytura në natyrë, ku shërbehen prodhime vendase dhe ku mundësohen një sërë aktivitetesh në funksion të mirëqenies, shkruan Mhairi Mann në revistën britanike të udhëtimeve “RoadBook”.
Imagjinoni skenën: një mikpritës i vëmendshëm ju shërben duke hedhur me njërën dorë vaj ulliri në përbërësit e rritur në kopshtin organik aty pranë. Ndoshta mishi po kullon në një skarë aty pranë, ndërsa ju pini një gllënjkë verë vendase i bërë nga vreshti ngjitur. Një tingull i dobët delesh që kullosin dëgjohet diku, ndërsa dielli lëviz pas një sfondi baritor të kodrave të pafundme gjithëpërfshirëse, livadheve dhe majave. Ju akomodoheni në një nga shumë dhomat, për t’u zgjuar nga natyra të nesërmen në mëngjes.
Nuk është çudi që agroturizmi po lulëzon si një alternativë e jetës së hareshme në fshat dhe ndërgjegjësimit për të qënë miqësor me mjedisin kundrejt banesave të qytetit.
Harrojeni “jetën e thjeshtë”, akomodimet në ferma në vitin 2024 janë të rafinuara, ku ndërthuren ambientet e brendshme luksoze me ushqimet organike.
Në fund të fundit, ku tjetër mund të shijoni produkte të freskëta autentike, përveçse në ferma?
Zhvillimi i agroturizmit
Tregu global i agroturizmit pritet të rritet nga 56,92 miliardë dollarë në 2023 në 60,89 miliardë dollarë në 2024, dhe 79,9 miliardë dollarë deri në vitin 2028, sipas Raportit të Tregut Global të Agroturizmit 2024.
Agroturizmi ndihmon në uljen e varfërisë rurale duke i lejuar fermerët dhe punëtorët e bujqësisë të diversifikojnë biznesin e tyre duke u ofruar vizitorëve mikpritje gjatë natës dhe një sërë aktivitetesh që përfshijnë vjeljen e ullirit, prodhimin e djathit dhe bletarinë.
Claus Sendlinger, themeluesi i rrjetit “Design Hotels”, citohet të ketë thënë shpesh: “Shtëpia në fermë është fusha e golfit të shekullit të XXI”.
Fermat më të mira gjenden në Evropë
Akomodimet në ferma në Evropë u bënë të njohura në vitet 1970, veçanërisht në Spanjë dhe Itali. Një tendencë në rritje e akomodimeve në ferma po shfaqet në Greqi dhe Shqipëri, ndërsa Sllovenia dhe Portugalia gjithashtu ofrojnë një rrjet të lulëzuar ofertash të përballueshme.
Mrizi i Zanave Agroturizëm, Shqipëri
Më i miri për: Ambjente gjithëpërfshirëse, kuzhinë të shijshme shqiptare
Adresa: Rruga “Lezhë – Vau i Dejës”, Fishtë, Lezhë 4505, Shqipëri
Çmimi: Nga 60 euro nata
Kjo fermë familjare e vendosur në një fshat të largët në veri të Shqipërisë përshkohet nga ngrohtësia dhe mikpritja.
Shtëpia e fermës origjinale është rinovuar me dhoma me mure xhami që shfaqin pamje gjithëpërfshirëse baritore, ndërsa patat mblidhen në ullishtat e mbuluara nga dielli dhe punëtorët me veshje tradicionale shqiptare mbledhin prodhime të freskëta në fusha.
Restoranti i famshëm, i cili është i popullarizuar nga vendasit, nuk ka menu dhe vaktet bazohen në atë që ofrohet atë ditë.
Porosisni një vakt të plotë me ushqime organike shqiptare për më pak se 45 euro, si peshq të egër, pulë të pjekur në hell, domate turshi dhe djathëra të bëra vetë./atsh / KultPlus.com
Së shpejti Galeria e Artit Tiranë (GAT) do të çelë ekspozitën vetjake të piktorit Buron Kaceli, titulluar “Dhoma e pasme”. Në faqen e saj online, GAT shkruan se ekspozita vjen në vazhdë të konceptit kuratorial “Si ishim, si jemi, si ndihemi-Vetëm, Bashkë”.
Veprat që piktori ka përzgjedhur për këtë ekspozitë vijnë si një hulumtim i fenomeneve të vetë qytetit, njerëzve, lagjeve, komunave, bashkëjetesës në realitetin e ri në përgjithësi, që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar kjo me rivizitimin e trashëgimisë kulturore dhe interpretimeve bashkëkohore.
Galeria e Arteve Tirane synon një program të qëndrueshëm duke krijuar ekspozitat dhe eventet e saj në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës.
“Dhoma e pasme” e Buron Kacelit vjen pas disa ekspozitave interesante që patën jehonë në jetën kulturore në Tiranë si, ekspozita e Kukullave Japoneze,“Ningyo & Na ishte Njëherë’, “Introspeksion” i artistit Toni Milaqi dhe së fundmi ekspozita fotografike “Lana-Tirana,Para-Pas Albania” e fotografit Roland Tasho./atsh/KultPlus.com
Sot ka vdekur veterani i Ansamblit Folklorik “Rugova”, Kapllan Nikçi.
Duke qenë anëtar i Ansamblit Folklorik Autokton ”Rugova”, ai për vite me radhë ka kultivuar dhe bartur kulturën dhe traditën rugovase.
Me pamje dhe zë jashtëzakonisht të veçantë, Nikçi në mënyrë autentike ka shpërfaqur rolin e malësorit dhe karakteristikat e banorëve të Grykës së Rugovës.
KultPlus ju sjell një nga interpretimet brilante të Nikçit: