Tre filma nga Kosova do të shfaqen në CineMarket gjatë këtij prilli në Oslo, Norvegji.
Filmat do të shfaqen si pjesë e programit që nxjerr në pah valën e re të kineasteve gra nga Kosova.
Filmat që do të shfaqen janë: “Hive/ Zgjoi” nga Blerta Basholli, “Vera andrron detin” nga Kaltrina Krasniqi dhe “Luaneshat e Kodres” nga Luana Bajrami.
Filmat do të shfaqen gjatë datave: 10,11 dhe 12 prill.
Në Tiranë u çel sot Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, i cili hap siparin e një jave të rëndësishme për turizmin në Shqipëri, që do të vazhdojë me takimin e 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferencën e Investimeve në Turizëm, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
E ftuar në ceremoninë e hapjes, ministrja Mirela Kumbaro, u shpreh se Tiranës i duhet një pikëtakim i tillë, pasi ka arritur të jetë një destinacion turistik i 365 ditëve të vitit dhe i paraprin një ngjarjeje historike si ajo e mbledhjes së Komisionit të Europës për UNWTO.
“Nëse objektivin 365 ditë turizëm nuk e kemi arritur në Shqipëri, në Tiranë e kemi tejkaluar. Tirana është një destinacion turistik. Edhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të bashkisë së Tiranës. Tirana, arsyen kryesore për të cilën i tërheq sot turistët, siç thonë ata vetë, e ka sepse është një laborator i artit, arkitekturës bashkëkohore. Më vjen shumë mirë sot që në të gjitha raportet dhe kontaktet me partnerët kërkojnë vizitë turistike në Tiranë, që nga Sheshi ‘Skënderbej’ deri tek liqeni që është një atraksion më vete falë rikualifikimit dhe gjithë ndërhyrjeve që janë bërë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja Kumbaro gjatë fjalës së saj gjithashtu, u ndal tek shifrat dhe tek kërkesa e lartë për punësime në turizëm duke theksuar se po punohet për të arritur marrëveshje me vende të tjera në turizëm.
“Nëse arritëm 10.1 milionë vizitorë të huaj në vitin 2023, për dy muajt e parë të këtij viti ne e kaluam me 50% më shumë vitin e kaluar. Jemi duke parë një realitet, treg, biznese, që po ecin më shpejt se sa statistikat dhe nuk kemi më dyshim që Shqipëria turizmin e ka industri kryesore, e ka pasaportën kryesore, e ka imazhin më të mirë. Dhe përtej shifrës 4,2 miliardë euro që hynë në ekonominë shqiptare vetëm nga turizmi vitin e kaluar, krahasuar me 2,8 miliardë euro të vitit 2022, përtej sektorit që punëson gjithmonë e më shumë, përtej faktit që po arrijmë marrëveshje me vende të tjera për të huazuar forca punëtore dhe burime njerëzore siç sapo kemi bërë me Filipinet dhe po vazhdojmë edhe me vende të tjera siç është Indonezia”, vazhdoi ministrja Kumbaro.
Edicioni i 6-të i këtij panairi synon të vazhdojë promovimin e Shqipërisë si destinacion për 365 ditët e vitit, duke u fokusuar në turizmin e kohës së lirë, konferencat dhe eventet e korporatave (MICE) nga e gjithë bota, turizmin digjital dhe turizmi mjekësor po zhvillohet gjithnjë e më shumë në vendin tonë./ atsh / KultPlus.com
Në vitin kur po e kremtojnë 10-vjetorin e themelimit, Autostrada Biennale, ka njoftuar se po i zgjerojnë hapësirat edhe me një Hangar të ri në ITP Prizren.
“Së fundi ne kemi nënshkruar kontratën e re 10-vjeçare për zgjerimin e hapësirave tona të cilat do t’i plotësojnë nevojat e komunitetit për prodhim artistik dhe edukim’, thuhet në njoftim.
Rritja e Autostrada Biennale dhe Autostrada Hangar në vitet e fundit tregon përkushtimin e tyre për të përforcuar të ardhmen kulturore dhe sociale në Kosovë, përkrah vizionit për ta vendosur këtë angazhim në një kontekst artistik ndërkombëtar.
Ashtu siç është krijuar Autostrada Hangar me 50% të materialeve të ricikluara nga edicionet e mëparshme të Autostrada Biennale, e njëjta praktikë e riciklimit dhe qëndrueshmërisë po vazhdon me Hangarin e dytë.
Autostrada Biennale gjatë edicionit të katërt prodhoj një sërë veprash artistike në Autostrada Hangar dhe pati një impakt të madh në zhvillim socio-ekonomik të vendit, e cila u vlerësua si një ndër 10 ekspozitat më të mira në Evropë në 2023 nga Frieze Magazine me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Me këtë rast, bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, deklaruan: “Jemi të lumtur që Hangar II do t’i plotësojë nevojat e komunitetit përmes krijimit të studios së re të produksionit, studios së mediave dhe komunikimit, hapësirës multifunksionale, hapësirës rezidenciale për artistë, si dhe krijimit të një depoje për vendosjen e veprave të artit, e cila do të jetë depoja e parë profesionale në Kosovë. Falë këtij zgjerimi, ne do të kemi një hapësirë më të madhe kreative fizike dhe mendore për vizionin tonë të ardhshëm dhe programet gjithëpërfshirëse, duke e bërë Autostrada Biennale një qendër që vazhdon të frymëzojë, krijojë dhe promovojë artin dhe kulturën me një qasje të re inovative.”
Autostrada Biennale ka marrë mbështetje bujare dhe ka krijuar partneritete me Fondacionin Allianz, Ministrinë e Kulturës në Kosovë, ITP Prizren dhe GIZ, Komunën e Prizrenit, Ambasadën Amerikane në Prishtinë dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com
Teatri antik në parkun arkeologjik të Orikumit përfaqëson një nga ndërtesat me monumentale të zbuluara në Orikum. Monumenti daton në fillimin e shekullit III para Krishtit dhe paraqet disa karakteristika të rralla për teatrot e botës antike.
Shkallarja e teatrit pjesërisht mbështetej në pjerrësinë e kodrës shkëmbore dhe pjesërisht ka qenë e ndërtuar me mure radiale. Prej saj na ruhet vetëm radha e parë e ndenjëseve, e vendosur mbi një podium, e cila i rezervohej elitës së qytetit.
Orkestra ka qenë e shtruar me pllaka të mëdha prej guri, ndërsa skena ka qenë e dekoruar me kolonada dhe gjysmëkolona.
Ky është një nga teatrot më të vegjël të njohur deri më sot në Shqipëri, me një kapacitet rreth 500-600 spektatorë.
Duke marrë në konsideratë veçoritë e këtij teatri mendohet se ai mund të ketë luajtur dhe një rol të rëndësishëm në ceremonitë dhe procesionet fetare të qytetit.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë fton turistët të vizitojnë monumentet dhe parqet arkeologjike, për të shijuar një fundjavë ndryshe./ atsh / KultPlus.com
Nga Teatri Shqiptar në Shkup kanë njoftuar se ka vdekur aktorja Silvana Bajçinovci,.
“Të nderuar kolegë, miq, e artdashës. Ju informojmë se varrimi i aktores tonë Silvana Bajçinovci bëhet nesër, e shtunë (06.04.2024) në orën 13.00 në Varrezat e Butelit. Kufoma niset nga Xhamia e Butelit. Takimi komemorativ mbahet të hënën në ora 12.00 në Teatrin Shqiptar. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Teatri Shqiptar në Shkup.
Ajo jetonte në Shkup, lindi në Stari tërg të Mitrovicës, në vitin 1955 ku e ka kryer shkollën fillore dhe të mesme.
Në Teatrin e Kombësive në Shkup sot Teatri Shqiptar, ka ardhur në cilësinë e aktores profesioniste në vitin 1975. Ka luajtur mbi 80 role ndër të cilat mbi 30 role kryesore.
Deri në fundin e viteve të 80-ta ka qenë yll i Teatrit të Kombësive kur pas tragjedive të rënda familjare është tërhequr dhe ka luajtur kohë pas kohe.
Ka qenë njëra ndër aktoret që ka lënë gjurmë në artin skenik të Maqedonisë dhe të hapësirave të ish- Jugosllavisë. Për punën e suksesshme ka marrë çmime të nivelit jugosllavë dhe republikan./KultPlus.com
Akademia e Shkencave njoftoi se së shpejti do të organizojë një konferencë shkencore kushtuar “bajronizmit në botën shqiptare”, si një nga dukuritë më të hershme të mitit të traditës, të evokimit të “Motit të Madh”, të romantizmit gjuhësor dhe të romantizmit ideologjik e letrar, të mitit të origjinës dhe të hyjnizimit të etnisë.
Në konferencë do të trajtohen çështje të periudhës më të hershme të romantizmit (pararilindja arbëreshe); të fillimeve të idesë shqiptare (l’albanesità); të “utopisë kombëtare” të Rilindjes; të lidhjeve të poetëve romantikë shqiptarë me më të shquarit e kohës në Europë (De Rada dhe Lamartin, Hugo, Mistral); të projekteve për një “Shqipëri zonjë” (Naimi, Samiu, Çajupi, Pashko Vasa); të qasjes romantike europiane në letërsi e dije (V. Hugo, Alexander Dumas); të veprave të krijuara në klimën e “Child Harold” (“Alipashaida”).
Do të jenë të ftuar studiues shqiptarë nga gjithë hapësira historike (Kosovë, Maqedoni e Veriut, arbëreshë e arvanitë, nga Mali i Zi) të propozojnë çështje për t’u paraqitur në konferencë nga fusha të ndryshme të albanologjisë: studime letrare, historiografi, antropologji.
ASHSH bën me dije se konferenca do të zhvillohet në muajt e ardhshëm dhe kalendari do të bëhet i njohur së shpejti.
Vendi i shqiptarëve në poemën e mirënjohur të Byron-it është spikatur qartazi edhe në filmin artistik të BBC “Byron”, në të cilin flitet shqip, këndohet shqip, madje dhe kostumet e kryengritësve revolucionarë janë tradicionale shqiptare. Filmi është bazuar në periudhën e hershme të jetës së poetit./ atsh / KultPlus.com
Libri më i vjetër fetar i Krishtërimit, sipas shtëpisë së ankandit Christie’s, do të dalë në shitje në qershor, shkruan BBC.
Kodiku ”Crosby-Schoyen”, i shkruar me shkrim koptik në një papirus në Egjipt, daton në vitet 250-350 pas Krishtit.
Besohet gjithashtu të jetë një nga librat më të vjetër dhe mund të shitet deri në 3,8 milionë dollarë.
Libri liturgjik është prodhuar në një manastir të hershëm të krishterë dhe përmban tekstet e plota të dy librave biblikë.
”Teksti ka rëndësi monumentale si një dëshmi e përhapjes së hershme të Krishtërimit në Mesdhe”, tha Eugenio Donadoni, specialist i librave dhe dorëshkrimeve në ”Christie’s”.
Murgjit e parë të Egjiptit të Epërm në manastirin e parë të krishterë përdorën pikërisht këtë libër për të festuar festimet e para të Pashkëve, vetëm disa qindra vjet pas Krishtit dhe vetëm njëqind vjet pas shkrimit të Ungjillit të fundit.
Libri është pjesë e Papirusit Bodmer, një koleksion tekstesh të ndryshme të zbuluara në vitet 1950 dhe përfshin shkrime të krishtera, ekstrakte biblike dhe literaturë pagane.
Vetë dorëshkrimi përmban tekste duke përfshirë letrën e parë të plotë të Pjetrit, Librin e Jonait dhe një predikim të Pashkës.
”104 faqet ose 52 fletë, u shkruan nga një skrib në agimin e krishterimit, gjatë një periudhe prej 40 vjetësh. Libri është një nga tekstet më të vjetra në botë”, theksoi shtëpia e ankandeve.
Kodiku u ble nga Universiteti i Misisipit ku mbeti deri në vitin 1981 dhe u ble disa herë përpara se të blihej nga koleksionisti norvegjez i dorëshkrimeve Martin Schoyen në 1988.
Schoyen po nxjerr në ankand dorëshkrimin së bashku me pjesë të tjera nga koleksioni i tij, i cili është një nga arkivat më të mëdha të dorëshkrimeve në botë./atsh / KultPlus.com
Me rastin e 140-të vjetorit të botimit të parë të librit të Carlo Collodi “Aventurat e Pinokut- historia e një kukulle prej druri” do të prezantohet në Kosovë nëpërmjet një ekspozite me 62 prezantime që i dedikohen kësaj figure, e që janë realizuar nga 31 dizajnerë dhe 31 grafistë, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë do të prezantohet në Prishtina Mall, më 6 prill, në ora 19:00, ekspozitë kjo që vjen e kuruar nga Giulio Lacchetti, me dizajn të Matteo Vercelloni dhe me dizajn grafik nga Federica Marziale Ladevaia.
Kjo ekspozitë që do të prezantohet në Kosovë deri më 29 prill është rezultat i bashkëpunimit mes Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës (IIC) dhe Agjencisë ICE/ITA në Tiranë, përgjegjëse edhe për Kosovën, si dhe “Prishtina Mall”.
“140-vjetori i librit të Collodi është një mundësi për të festuar dhe përkujtuar një kryevepër të letërsisë italiane, por edhe për të theksuar natyrën multidisiplinare të dizajnit që frymëzoi figurën e Pinokut, një dizajn që është trashëgimi e një pasurie kulturore të aftë për të bërë pyetje për t’iu përgjigjur nevojave të përditshme”, shpjegon Ambasadori italian në Kosovë Antonello De Riu.
“Ne jemi veçanërisht krenarë për këtë bashkëpunim kulturor me Ambasadën Italiane dhe aktorë të tjerë të Sistema Italia në Kosovë, i cili filloi me ‘Javën e Kuzhinës Italiane në Botë’. Gjurmë të dizajnit italian dhe produkte të shumta ‘Made in Italy’ janë shpërndarë në të gjithë qendrën tonë tregtare, e cila me hapësirat dhe ofertën e saj të larmishme synon të jetë një urë mes kulturave”, shton Alvaro Costa nga “Prishtina Mall”.
PINOKU DHE EKSPOZITA
“Aventurat e Pinokut. Historia e një kukulle prej druri” është një roman fantastik për fëmijë, i shkruar nga Carlo Collodi, pseudonimi i gazetarit dhe shkrimtarit Carlo Lorenzini, botuar për herë të parë në Firence në shkurt 1883. Rrëfen përvojat tragjikomike të Pinokut, një kukull prej druri që nga zdrukthëtari Xhepeto konsiderohet sikur të ishte i biri, i cili, falë ndihmës së Zanës me flokë të kaltër, arrin të piqet moralisht derisa bëhet një fëmijë i vërtetë. Versioni i parë shqip i librit u botua nga Cuk Simoni në vitin 1935.
Ekspozita “Pinoku shumë i dashur” u ekspozua në “ADI Design Museum” në Milano nga fundi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2024, duke tërhequr mbi 20 mijë vizitorë. Falë bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, ekspozita filloi një turne ndërkombëtar dyvjeçar, i cili tashmë ka prekur San Franciskon dhe Shkupin. Pas ndalesës në Prishtinë, ekspozita do të ndalet në Tiranë dhe më pas në Beograd. Më pas, do të vazhdojë udhëtimin e saj në pjesën tjetër të Evropës, Azisë dhe Amerikës. Në fund të turneut udhëtues, 62 Pinokët të realizuar posaçërisht do të shiten në një ankand bamirësie./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 25 vjetorin e Masakrës së Rezallës.
Osmani është shprehur se forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra.
Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës.
“Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme.
Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!
Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, shkruan presidentja Osmani. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është nderuar përsëri me një statujë prej dyllit, në qytetin e Stambollit.
Muzeu “Madame Tussaunds Istanbul” e ka zbuluar statujen e këngëtares, në të cilën ka të veshur njërën nga veshjet e tourit të saj “Future Nostalgia”, me të cilën Dua ka promovuar albumin e saj.
“Madame Tussauds Istanbul” është një atraksion turistik që gjendet në Avenue Istiklal në Stamboll.
Statuja prej dyllit e Dua Lipës gjendet edhe në vende të tjera, duke përfshirë Londrën, Orlandon e Singaporin./KultPlus.com
Më 5 prill, 30 vite më parë, Kurt Cobain qëlloi veten në kokë.
Njeriut simbol të skenës së Seattle-it iu bashkua të ashtuquajturit ”Club 27” si Jimi Hendrix, Jim Morrison, Janis Joplin apo Amy Winehouse.
Edhe sot një aureolë fantazmë rri pezull mbi revolucionin e fundit autentik të rock-ut, i shkaktuar nga një seri e gjatë, shumë e gjatë, vdekjesh të hershme.
Ajo e Andrew Wood, liderit karizmatik të ”Mother Love Bone”, i njohur unanimisht si themeluesi i lëvizjes ”Grunge”, shoku i dhomës dhe shoku më i mirë i Chris Cornell, i vrarë në moshën 24-vjeçare nga një varësi shkatërruese ndaj heroinës.
Dhe më pas ato të Layne Staley, këngëtares së ”Alice in Chains”, të Scott Weiland, zërit të ”Stone Temple Pilots” dhe më pas të ”Velvet Revolver”, Mike Starr, basistit të ”Alice in Chains” dhe vetë Chris Cornell.
Megjithatë, Kurt Cobain mbetet ikona më e fuqishme dhe, siç ndodh shpesh me liderët, është ai që përmbledh një rrugë kolektive.
Kurt Cobain është dhe ishte një ikonë pavarësisht nga vetja.
Me ”Nirvana” ai arriti të sintetizonte ato fermente muzikore që ishin të përqendruara në Seattle duke i bërë ato universale.
“Nevermind”, një nga albumet më të rëndësishme të rock-ut në histori, e solli në mënyrë sensacionale muzikën e pavarur në krye të top listave në vitin 1991, duke i dhënë zë shqetësimeve të asaj që atëherë quhej Generation X, siç përshkruhet në librin e Douglas Coupland.
Është pikërisht në vazhdën e këtij suksesi të bujshëm që Grunge pushtoi botën e muzikës (dhe më gjerë).
Është pikërisht ky roli i yllit, i imazhit të bluzave, i personazhit të kopertinës që ka bërë ndoshta shpërthimin e një shqetësimi që i kishte rrënjët në një fëmijëri të torturuar dhe që gjeti ushqim në një skenë muzikore që, pavarësisht konotacioneve të saj dramatike, ka çuar një qytet, Seattle, për t’u transformuar nga qyteti shumë i mërzitshëm i Veriut, i njohur vetëm për selinë e ”Boeing”-ut dhe varrin e Jimi Hendrix, edhe falë ardhjes së Microsoft dhe Starbucks, në një nga metropolet më vitale dhe mikpritëse të botës.
Zemërimi dhe dhimbja post punk e ”Nirvana”-s u bënë zëri i një brezi, por me sa duket Cobain nuk donte ta merrte atë rol.
Ai as nuk mund ta vlerësonte vëmendjen e thashethemeve mediatike të ngjallur nga martesa e tij me Courtney Love, një udhëheqëse shumë ambicioze e ”Hole”, e cila gjithashtu ishte prekur nga probleme serioze të varësisë./ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër, ka njoftuar se sot, me datë 5 prill në ora 19:00, do të hapet ekspozita “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy italianë në Lindjen e Largët”.
“Muzeu Marubi dhe “Fondazione Alinari per la Fotografia” ka kënaqësinë t’ju ftojnë në hapjen e ekspozitës “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët” kuruar nga Fondazione Alinari per la Fotografia, me konsulente shkencore Rossella Menagazzo-n”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë në mes dy institucioneve dhe shfaq punët e autorëve të rëndësishëm për fotografinë italiane dhe atë botërore.
Këta fotografë ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, në veçanti Japoninë, duke kontribuar në përhapjen e fenomenit kulturor të Japnonisë në Evropë. / KultPlus.com
Dy vëllezërit Arnold dhe Artan Balla kanë hyrë në rekordet Guinnes. Vëllezërit Balla dy vite më parë me performancat e tyre me akrobaci kanë marrë pjesë në America’s Got Talent, e më pas edhe në Spanjë.
Ata kanë njoftuar se së fundi kanë hyrë në histori duke vendosur rekord botëror për kohën më të gjatë të qëndrimit në ekuilibër me sy të mbyllur në një cilindër, performancë të cilën e kanë dhënë në Times Square të New York-ut.
“Sfidë e vështirë, por të vendosur për ta përballuar. Jemi shumë të lumtur për të njoftuar se kemi vendosur Rekordin Botëror Guinness për kohën më të gjatë të qëndrimit në ekuilibër me sy të mbyllur në një cilindër”, kanë shkruar ata në rrjete sociale.
Në të dhënat e Guinness thuhet se rekordi i regjistruar nga Arnold dhe Artan Balla është 61.95 sekonda dhe është kryer më 3 Mars të këtij viti./KultPlus.com
Mes fjalësh pa peshë, papritmas sheh një kthesë në jetën tënde. Mbrëmje dhe stuhi. Dhe vetmi e nënkuptueshme. Të duhet zbritja nga zeniti i figurave poetike, atje ku krijove poema të bukura blatimi. Dhe pastaj rrugës e kupton se krahët t’i kanë cunguar demonë të pabesë.
Zbritja s’është e lehtë, kur s’je engjëll hijelehtë të kërcesh kodër n’kodër, të fluturosh me retë ose t’i dëftohesh dikujt në ëndërr.
Në sheshin e metaforave ka rrëmujë mendimesh, paqartësi shprehjesh dhe kaos dëshirash.
Njerëzit u blatohen truporeve të larta dhe një ditë do t’i pështyjnë ato.
Fryn erë e fortë dhe ka mendime të turbullta. Askund s’duket shtëpia e ëndrrave, as tabelat orientuese, që të dëftojnë rrugën drejt pyllit të lumturisë.
Vjen momenti kur duhet të lëvizësh akrepat prapa dhe e sheh stinën e ftohtë qe troket në derën tënde.
Muret e shtëpisë duke u zvogëluar dhe turmat duke u zvogëluar dhe idetë duke u zvogëluar dhe dëshirat e mbetura udhëve. / KultPlus.com
Turizmi rural në fshatrat e Vlorës vitet e fundit ka shënuar një zhvillim të menjëhershëm duke tërhequr vizitorë të pasionuar pas natyrës, historisë dhe traditave.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet dy turisteve gjermane, qp kanë vizituar fshatin Bashaj në Vlorë.
Rama tha se turistet vlerësojnë shijen e mirë të mikpritjes familjare, ajrit të maleve dhe kulinarisë fantastike në fshatin Bashaj pranë Lumit të Vlorës.
Kryeministri Rama tha se kjo zonë në Vlorë po kompleton mozaikun e mundësive edhe me turizmin rural të preferuar përherë e më shumë nga vizitorët e huaj.
“Jemi dy ditë këtu në fshatin Bashaj, erdhëm dje dhe është shkëlqyeshëm. Natyra është shumë e bukur dhe e qetë, ngado të kthehesh kokën është thjesht gjithçka shumë bukur”, tha një turiste.
“Ushqimi është i shkëlqyer dhe çdo gjë është e gatuar në shtëpi. Ka pasur verë gjë të cilën ne e kemi shumë qejf”, shtoi ajo.
Turistja tjetër u shpreh se “sapo erdhëm nga një ecje në mal nëpërmjet një lumi shumë të bukur. Ata që kanë qejf gurët atëherë këtu jemi në vendin e duhur, sepse ka shumë gurë që mund të mbledhësh. Familja është shumë e sjellshme e sigurisht edhe e gatshme të na ndihmojnë”.
Përtej bregdetit magjepsës dhe pasurisë së thesareve historike e arkeologjike, Shqipëria ka një numër të madh zonash të mbrojtura natyrore që e bëjnë atë një destinacion ideal të turizmit rural.
Me një përqindje të konsiderueshme të Zonave të Mbrojtura në territorin e saj, Shqipëria ofron potenciale të mëdha për turistët që kërkojnë aventura natyrore si rafting në lumë, paragliding, ecjet me biçikletë, peshkim, ecjet në natyrë, alpinizëm, ngjitjet në mal, udhëtime me kalë, ture studimore, etj./atsh/KultPlus.com
Një Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht – “Qui resiste a la peste resiste au diable”, nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit.
Shkruan: Aleksandar Zoto
Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa këto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.
Është e pamundur, gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyre, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin, nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim.
Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman.
Në romanin „Kështjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“: atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi.
Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani, ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë otomane.
Nga ana tjetër, si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderisa njëri, ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.
Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane. Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën, hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“, që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë. Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe, së fundit, popujt rebelë – të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.
Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme, të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti, që murgu i Buxhovit, po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.
Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjaftohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë, pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kushëri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikisht e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu: ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë: figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi, lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj…Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë.
Pra, të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij; ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.
Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm, së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara.
Në fakt, romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë. Së pari, e rithemi, sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik, a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike. Nga ana tjetër, edhe pse konsideratat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një aventurë kolektive. Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi; pra ai të drejton te një entitet paksa abstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta. Po ashtu, megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë, me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësishtë të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nënshtruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht. Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë, në mos shprehimisht, së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.
Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cilave ai u vën qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kueqe, edhe atë zezën. Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimisht, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte, siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore: cilat mund të jenë, në një vështrim absolut, sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër, e, më përgjithësisht, përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?
Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive, por mbetet, siç e theksuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi, pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi, përkundrazi, ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë: ajo përbën për dje, por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shtyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël, për t´u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.
Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta, një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë, për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij.
Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane.
Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit. (Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realitet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane, i quajtur Osman Inxhi Karaogllu, sipas rrëfimit të Gjon Nikollës. E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar, sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik. Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj: mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa arsyetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman, njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë?
Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.
Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut, i jetës dhe i vdekjes, e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale, që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka.
Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme, e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.
Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik; ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij: me vëllezërit e tij, me tokën, gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“, që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, Shqiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit, sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt, kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi, e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh, që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përsëritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndiejë që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër: kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur, kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës, këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.
Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve, zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare, që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë, si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët. Së fundit, duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujtesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar, saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë, pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur, në fund të fundit, kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.
Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“. Madje, herë-herë, ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes; së pari, sepse kjo vdekje e lavdishme, e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta, për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë, mposhtje e gjunjëzimit. Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë, në mos të përligjë për këtë, zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë. Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi, bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun, sa autori i mohon shugurimin e tokës, duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar: askush s´është në gjendje të thotë nga vjen, nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare.
Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike: nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet, qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella, dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe, po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë, përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme, e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare, ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“, “murtajë“, në shqip, është sinonim i vdekjes. Ndaj, edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë, për të ruajtur identitetin e vet.
Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë, u shtohen, për lexuesin perëndimor, shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu, vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist, që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brendshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrugët“ për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare). Shtjellimet që paraprijnë, sidoqoftë, e vërtetojnë mjaftueshëm: ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese, një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron, e mendimeve që ai ushqen, e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë, edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë. / KultPlus.com
Dje janë hapur pikat e basteve për netët gjysmëfinale të Eurovizionit.
Në natën e parë gjysmëfinale shanset më të mëdha për të hyrë në finale ka përfaqësuesja kroate Baby Lasagna, e cila aktualisht është në vendin e parë. Tifozët e Eurovizionit gjithashtu i japin Ukrainës një shans të madh për në finale. Për sa i përket gjysmëfinales së dytë, basteshkruesit aktualisht janë në vendin e parë me Holandën dhe në vendin e dytë është Zvicra, e cila së fundmi u bë favoritja më e madhe për të fituar garën e sivjetshme.
Holanda tashmë ka tërhequr vëmendjen me këngën Europap, me të cilën Joost Klein do ta përfaqësojë këtë vit. Kjo këngë u bë një hit i madh në internet pas publikimit të saj, dhe Holanda më pas u hodh në disa vende në librari.
Kënga u publikua në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube një muaj më parë dhe deri më tani ka mbledhur 17 milionë shikime. Asnjë këngë e publikuar në atë periudhë apo në fillim të këtij viti nuk është as e përafërt me atë holandeze. Fansat shkruajnë se ky është një numër “i sëmurë” shikimesh në një kohë kaq të shkurtër. “Kjo është e pabesueshme, një këngë e mrekullueshme”, thonë ata në komente. Bookmakers aktualisht i japin Joost një shans 9 për qind për të fituar.
Për kujtim, teksti i këngës Europap është letra e Joostit drejtuar babait të tij të ndjerë që vdiq nga kanceri dhe i tha se nuk ka kufij për atë që mund të arrijë.
“Europapa ka të bëjë me një jetim që udhëton nëpër Evropë (dhe më gjerë) për të gjetur veten dhe për të treguar historinë e tij. Në fillim njerëzit nuk e njohin atë, por ai vazhdon të shfrytëzojë çdo mundësi për t’u parë. Kënga është një dedikim për babain tim. Duke më rritur, ai më dha një pamje të gjerë të botës,” tha Klein./ KultPlus.com
Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka shënuar një dyfishim të numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-mars të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në periudhën janar-mars “muzeu u vizitua nga 13 637 vizitorë, nga të cilët 4560 të huaj. Të huajt vijojnë të tregojnë interes për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me atë të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
“Vendet që kryesojnë janë vizitorët nga Italia me 35%, Kina me 30%, Spanja 20% dhe 15% janë vizitorë nga vendet e tjera”, tha Hafizi.
Hafizi bën të ditur se “ditët e para të prillit muzeu u vizitua nga rreth 80 studentë të shkollës DvM Humaniora Aalst, Belgjikë si dhe gjimnazistë nga Sofja, Bullgari”.
Nga janari deri në dhjetor të 2023 Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50% ishin vizitorë të huaj, 30% vendas dhe 20% nxënës dhe studentë”.
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në muze numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit XV, etj./ atsh / KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 72-vjeçare kitaristi i rok grupit britanik “Ultravox”, Chris Cross.
Lajmin e hidhur e ka bërë publike një tjetër anëtar i këtij grupi, Midge Jur.
Cross, emri i vërtetë i të cilit ishte Chris Allen, vdiq më 25 mars dhe Jur e nderoi atë duke e përshkruar atë si “ngjitësin që e mbajti grupin së bashku” dhe “logjikën në çmendurinë e jetës sonë”, duke shtuar se ai do Mis Allen.
“Jam shumë i trishtuar për Chris. Kaluam një kohë të mrekullueshme së bashku”, ka postuar në Facebook, Billy Curry.
Detajet e vdekjes së artistit nuk dihen, raporton Sky News.
Cross ishte një anëtar themelues i grupit Tiger Lilly në mesin e viteve 1970, më vonë u quajt Ultravox, më i njohur për këngën e tyre të vitit 1981 “Vienna”./KultPlus.com
Dr. Martin Luther King ishte ministër amerikan, aktivist dhe udhëheqës i shquar në lëvizjen për të drejtat civile, mbahet mend sot për avancimin e të drejtave civile përmes jodhunës.
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur u vra në vitin 1968, por shumë citate dhe fragmente të Martin Luther King Jr. nga fjalimet, predikimet dhe librat e tij të fuqishëm mbeten po aq të rëndësishme edhe sot (nëse jo më shumë). Ai foli me mençuri për barazinë, mirësinë, guximin, ndryshimin, faljen dhe më shumë – dhe bindjet e tij kuptohet që ende rezonojnë me kaq shumë njerëz.
Nga viti 1955 deri në vrasjen e tij, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe mori pjesë, ndihmoi në organizimin dhe udhëhoqi marshime dhe protesta jo të dhunshme, duke përfshirë marshimin e vitit 1963 në Uashington, ku ai mbajti fjalimin e tij tashmë të famshëm “Unë kam një ëndërr” në shkallët e Memorial i Linkolnit.
“Urrejtja e paralizon jetën; dashuria e çliron atë. Urrejtja e ngatërron jetën; dashuria e harmonizon atë. Urrejtja e errëson jetën; dashuria e ndriçon atë.”
“Falja nuk është një akt i rastësishëm; është një qëndrim i përhershëm.”
“Dashuria është forca më e madhe në univers. Është rrahja e zemrës së kozmosit moral. Ai që dashuron është pjesëmarrës në qenien e Zotit.”
“Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.”
“Ndryshimi nuk rrokulliset mbi rrotat e pashmangshmërisë, por vjen përmes luftës së vazhdueshme.”
“Askush të mos ju tërheqë aq poshtë sa ta urresh atë.”
“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.”
“Bëni një karrierë njerëzore. Përkushtoni veten në luftën fisnike për të drejta të barabarta. Ju do të bëni një person më të mirë për veten tuaj, një komb më të madh të vendit tuaj dhe një botë më të mirë për të jetuar.”
“Pyetja më këmbëngulëse dhe urgjente e jetës është: “Çfarë po bën për të tjerët?”
“Nëse nuk mund të fluturosh, atëherë vrapo, nëse nuk mund të vraposh, atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh, atëherë zvarritu, por çfarëdo që të bësh, duhet të vazhdosh të ecësh përpara.”
“Masa përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”
“Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”
“Një ditë do të mësojmë se zemra nuk mund të jetë kurrë plotësisht e drejtë kur koka është plotësisht e gabuar.”
“Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”
“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo. Ne jemi kapur në një rrjet të pashmangshëm reciproke, të lidhur në një rrobë të vetme fati. Çfarëdo që prek një person drejtpërdrejt, i prek të gjithë në mënyrë indirekte.” /WomansDay/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot familjen e Vasfije Krasniqi Goodman, përcjell KultPlus.
Ai në një postim në Facebook tha se gjatë kësaj vizite i shprehu sërish mirënjohjen e tij për guximin dhe përkushtimin e saj që t’i jep zë të vërtetës.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Kënaqësi e veçantë që këtë mbrëmje ta kaloj në familjen e Vasfije Krasniqi Goodman.
Vasfijes ia shpreha sërish mirënjohjen më të thellë për guximin dhe përkushtimin e saj që t’i jep zë të vërtetës. Ritheksova mbështetjen e palëkundur për të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Përkrahja e pakushtëzuar institucionale dhe shoqërore është e domosdoshme për të larguar heshtjen që mveshë këtë krim, këtë armë lufte të përdorur nga Serbia./KultPlus.com
Unë e desha përtej vdekjes, Ashtu dashurova unë Edhe prap s’ia fal dot vetes: S’i s’e desha pak më shumë… Pak më shumë ku shpirti thyhet, T’i them ndarjes: – Prit, ca pak… Të gënjejmë mallin që s’shuhet, Kujtimin të gënjejmë pak. Përtej vdekjes, përtej botëve, Atje ku nis “ca pak” tjetër,- Asaj që më rri mes Zotave: “Si s’të desha pak më tepër…”./KultPlus.com
Monodrama “Të martën në supermarket”, e regjisorit Kiço Londo, këtë fundjavë do të ngjitet në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
“Të martën në Supermarket”, me protagoniste aktoren Laura Nezha, është një monolog i gjatë i protagonistit, duke na shpjeguar rrjedhën e ditëve të së martës në shoqërinë e babait të tij.
Drama e shkruar nga Emmanuel Darley në vitin 2007, është një rrëfim në vetën e parë i një transeksuali që kujdeset për babain e tij çdo të martë. I quajtur më parë Jean-Pierre, personazhi tani është një grua që mban emrin e Marie-Pierre, një identitet i ri të cilin i ati ka vështirësi ta pranojë.
Nëpërmjet reflektimeve të shumta nënçmuese dhe të pakëndshme të babait të saj, Marie-Pierre e gjen veten gjithnjë e më të mbytur. Pika e thyerjes duket se po afrohet. Duke i dhënë fund këtij rituali të famshëm të së martës, Marie-Pierre thotë se nuk do të kthehet përsëri të martën. Dhe ky është edhe fundi i shfaqjes me të vërtetë. Në fund të kësaj skene, rrëfimtarja rrëfen vdekjen e saj në të kaluarën, e cila ndodhi të hënën në mbrëmje, kur ajo ishte duke punuar si prostitutë dhe një klient e goditi me thikë.
Kjo shfaqje tronditëse dhe njëkohësisht brilante do të shoqërohet me muzikë të luajtur në sallë, nga violonçelisti Arven Pjetri./KuktPlus.con
Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi ka vizituar ekspozitën ‘You know me so well’ të kuratores Martina Menegon, përcjell KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook tha se në kohën teknologjia mbikëqyrë trupat e grave dhe rrezikon privatësinë e tyre, ekspozita ‘you know me so well’ na nxit të reflektojmë mbi kujdesin për qenien tonë virtuale e për rrjedhojë edhe për atë fizike.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të Halimit:
Në kohën kur teknologjia mbikëqyrë trupat e grave dhe rrezikon privatësinë e tyre, ekspozita ‘you know me so well’ kuruar nga artistja Martina Menegon na nxit të reflektojmë mbi kujdesin për qenien tonë virtuale e për rrjedhojë edhe për atë fizike.
Shumë e lumtur që Komuna e Prishtinës, përkrahë ngjarje të tilla, të cilat janë në shërbim të inicimit të debatit që nxisin të menduarit për fenomene të reja shoqërore si tema e ndikimit të digjitalizimit në jetën e trupave të grave dhe vajzave.
Vetëdija mbi ekzistencën e rrjedhave të reja shoqërore na ndihmon në ruajtjen dhe mbrojtjen nga efektet negative të saj!
Kjo ekspozitë është organizuar nga Fondacioni 17./KultPlus.com