Përmbyllet edicioni i IV i Festivalit të Letërsisë ‘ZaNa’ në Mitrovicë

Edicioni i IV i Festivalit të Letërsisë “ZaNa”, i mbajtur për katër ditë nga 22 deri më 25 maj 2024 në Mitrovicë, nën tematikën “Me art kurojmë”, solli një sërë ngjarjesh letrare dhe kulturore gjithëpërfshirëse për dashamirësit e letërsisë dhe artit.

Ky festival bashkoi komunitetet përmes artit, duke përfshirë aktivitete të ndryshme si netë poetike, punëtori kreative për fëmijë e të rinj, orë letrare, ekspozita multimediale dhe muzikë.

Në hapjen e festivalit, Shoqata e të Verbërve të Mitrovicës dhe grupi i shkrimit kreativ “Za” lexuan poezi, ndërsa Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë festival.

Gjithashtu u organizua ekspozita e fëmijëve që realizuan punimet e tyre në dy anët e qytetit. Diskutimet me autoret austriake Barbara Marković dhe Friederike Gösweiner në Qendrën Kulturore Akvarijus në veri të qytetit, pasuruan më tej festivalin. Nata kryesore përfshiu lexim të poezive, muzikë dhe përkthime në gjuhën e shenjave, e moderuar nga Arbër Selmanaj.

Dita e fundit e festivalit u mbyll me një orë letrare nga poetet lokale dhe një koncert e ekspozitë multimediale, duke theksuar përfshirjen dhe mbështetjen nga Ambasada e Austrisë dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (Unmik).

ZaNa vazhdon të jetë një platformë e fuqishme për promovimin e letërsisë në Mitrovicë, duke ofruar një hapësirë gjithëpërfshirëse për artistët dhe komunitetet e margjinalizuara, dhe duke konfirmuar rolin e saj të rëndësishëm në pasurimin kulturor të qytetit./KultPlus.com

Ambra Hysa boton librin e saj të ri ‘Një dekadë dashurie’

Shkrimtarja e re Ambra Hysa, ka publikuar librin e saj më të fundit, “Një dekadë dashurie”. 

Ambra Hysa është një autore e njohur dhe e vlerësuar në botën letrare shqiptare, me një bibliografi që përfshin tituj si “Balada e bardhë” (cikël poezish), “Dashuri në kohë Koronavirusi” (roman), “Lady D” (roman) dhe “Luftë dhe trendafila” (novelë). Me romanin e saj të fundit, “Një dekadë dashurie”, ajo sjell një histori shumë të veçantë dhe personale për herë të parë për lexuesit e saj.

“Një dekadë dashurie” rrëfen historinë e dashurisë së gjatë dhe të veçantë mes autores dhe bashkëshortit të saj, një histori që ka filluar që nga fëmijëria. Njohur që në moshë të vogël dhe rritur si shokë të ngushtë, ata përjetuan një dashuri që u formua natyrshëm dhe me kalimin e viteve u bë gjithmonë e më e fortë dhe e qëndrueshme. Ky roman jo vetëm që shpalos detaje intime dhe emocionale të marrëdhënies së tyre, por gjithashtu ofron një reflektim të thellë mbi vlerën e vërtetë të dashurisë, besnikërisë dhe aftësisë për ti përjetuar mes shumë koloritesh, dashuritë romantike.

Ambra Hysa, me stilin e saj emocionues, na bën pjesë të një rrugëtimi të paharrueshëm të dashurisë së saj të përjetshme. “Një dekadë dashurie” është një testament i fuqishëm i asaj se si dashuria mund të rritet dhe kurorëzohet pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve që sjell jeta.

Autorja është një zë i veçantë në letërsinë moderne, me një botë të pasur shpirterore dhe pasion të thellë për artin e shkrimit. Me këtë libër të ri, ajo jo vetëm që thellon lidhjen me lexuesit e saj, por gjithashtu u ofron atyre një histori që rezonon me ndjenjat dhe përvojat e shumë njerëzve./KultPlus.com

Po vazhdon restaurimi i aseteve të trashgëmisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se po vazhdon puna në restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në gjithë vendin.

Sipas njoftimit ka përfunduar faza e parë e punimeve restauruese në Kishën Katolike “Engjëlli i Rojes” në Ferizaj.

Tuje ministria njofton se tashmë është hapur procedura për fazën e dytë të restaurimit dhe për ndërhyrjet e radhës MKRS-ja ka ndarë 1.3 milion euro.

“Ky objekt me vlerë të trashëgimisë kulturore është ndërtuar një shekull më parë, dhe pas restaurimit të plotë do të vazhdoj të jetë i qasshëm për banorët dhe turistët”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani e Spahn: Kosova dhe Korpusi i Paqes do të vazhdojnë bashkëpunimin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim drejtoreshën e Korpusit për Paqe të SHBA-ve, Carol Spahn.

Gjatë takimit është diskutuar rreth misionit të këtij Korpusi në Kosovë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-ve.

“Korpusi i Paqes, këtë javë shënon 10 vjetorin e themelimit të misionit të tyre në Republikën e Kosovës, 10 vite shërbim të vullnetarëve amerikanë. Gjatë takimit diskutuam mbi misionin e jashtëzakonshëm të Korpusit të Paqes, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe nismat që kanë për qëllim përafrimin më të madh të popujve tanë. Korpusi i Paqes është personifikimi më i mirë i partneritetit mes SHBA-ve dhe Kosovës. Një investim i tillë nga ana juaj ndikon në impakt afatgjatë në Kosovë. Ky mision ka ndihmuar në shkrimin e një kapitulli të ardhshëm të historisë tonë të përbashkët”, tha presidentja Vjosa Osmani.

Ndërsa, drejtoresha e Korpusit për Paqe të SHBA-ve, Carol Spahn deklaroi se për 10 vite, 220 vullnetarë të tyre kanë shërbyer në Kosovë.

“Prej vitit 2014 më shumë se 220 vullnetarë kanë ardhur për të ndërtuar ura të mirëkuptimit. Populli i Kosovës i ka mirëpritur vullnetarët tanë në shkolla e shtëpi. Së bashku vullnetarët kanë ndihmuar në shtytjen përpara të projekteve që udhëhiqen nga komunitetet”, tha ajo.

Pas takimit u tha se Kosova dhe Korpusi i Paqes do të vazhdojnë bashkëpunimin për të mirën e dy popujve dhe mbrojtjen e vlerave që i bashkojnë ato.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Shfaqja ‘Audienca’ nga Teatri i Prizrenit vjen në TKK

“Audienca” shfaqje mysafire nga Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”, shfaqet nesër nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në “Audienca e Vaclav Havelit”, shteti autoritar ka ngritur një system të çuditshëm byrokratik, një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene,  aneks-vendime e aneks-nene…  bash si një rrjetë e hekurt merimange,  që përdoret për të bërë shantazh, për të ngre kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithë secilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi.

Është e parëndësishme që ti nuk ke bërë ndonjë gabim, prapë se prapë do të gjendesh fajtor, sepse diku aty ekziston një nen, në njërin prej ligjeve a rregulloreve të pafundme, që dëshmon se ti ke qenë në ‘konflikt interesi’ me… se iu ke shmangur nenit b apo f të ligjit për… Ti dëshiron të mbrohesh, prandaj thirresh në një ligj tjetër, siç thirret në ligjin që e ‘garanton larine krijuese’, personazhi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, por ncuk, krejt e kotë, sepse gjithmonë është edhe një ligj tjetër, dhe pastaj edhe një rregullore e madje edhe një nen kushtetute që dëshmon të kundërtën. Dhe prandaj edhe drejtori i “Audiencës së Vaclav Havelit” gjendet fajtor.

Autor: Václav Havel
Regjisor: Bashkim Ramadani
Luajnë: Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi
Producent: Burim Mustafa
Udhëheqës Artistik: Fatos Berisha
Inspicient Mahir Musliu
Skenograf: Burim Arifi
Kostumografe: Agnesa Malushaj
Dizajni i dritave: Yann Perregaux
Tonist: Flamur Krasniqi
Grimi: Canan Cibo
Ndriques: Fikrim Menekshe
Financier: Krenar Gaxholli
Rekuiziter Arben Rashkaj
Garderobiere: Vjollca Hoxhaj
Dekorater: Murat Javori
Realizator i sken skenografisë: Onur Cibo
Teknik i skenës: Shqipe Gollopeni
Dizajni i posterit: Dardan Luta

‘Butrint 2000’, historia e festivalit që u kthye në shkollë teatrore

 Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua “lectio magistralis” me Alfred Bualotin, aktor dhe drejtori artistik të festivalit “Butrint 2000”.

Veprimtarinë e çeli drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve, akad. Stefan Çapaliku. Ai tha se festivali “Butrint 2000” është një festival shumë i rëndësishëm për jetën teatrore shqiptare, të cilin Bualoti e ktheu në festivalin e Butrintit duke e transformuar në një shkollë të jashtëzakonshme.

Dr. Anxhela Çikopano, moderatorja e aktivitetit, kujtoi se ky festival është vlerësuar shumë nga artisti Maks Velo i cili ka thënë se “duhet të kuptojmë që festivali i Butrintit është një festival i pakrahasueshëm!”

Ndërsa vetë Bualoti shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i kanë bërë festivalit kritikët e njohur si i ndjeri Adriatik Kallulli, Josif Papagjoni, Stefan Çapaliku, etj., dhe rrëfeu se “Butrint 2000” nisi të shtojë trupat pjesëmarrëse, jo vetëm se ato plotësonin parametrat artistikë, por edhe për specifikën e vendit të hapur që ishte një sprovë e madhe për shfaqjet.

Lidhur me skenën e hapur, Bualoti u shpreh se, ajo bëri që kriteri i përzgjedhjes të ishte sfidues për trupat më të mira në nivel rajonal e ndërkombëtar.

Bualoti rrëfeu rrugëtimin e këtij festivali që nisi nga një aplikim, në ‘98-n, në projektet e Ministrisë së Kulturës, kur ministër Kulture ishte kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama. Ai kujtoi se teatri antik i Butrintit në atë kohë ishte i mbuluar nga uji dhe ferrat.

Në festivalin “Butrint 2000” kanë marrë pjesë trupa teatrore nga Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Kina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria. Nga këto vende kanë pasur fatin të luajnë në skenën magjike të Butrintit rreth 3000 artistë, ndërsa shfaqjet janë ndjekur nga mijëra spektatorë vendas e të huaj./atsh/ KultPlus.com

Publikohet agjenda shtetërore për shënimin e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës

Sapo është bërë publike agjenda shtetërore për shënimin e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, dhe po sipas kësaj agjende aktivitete të ndryshme kulturore dhe pritje shtetërore do të fillojnë prej 8 qershor e do të zgjasin deri më 21 qershor, shkruan KultPlus.

Ky manifestim do të nisë me koncertin e këngëtares së njohur Shkurte Fejza e cila njëherit shënon edhe 50-të vjetorin e karrierës së saj, për të vazhduar me konferencën shkencore për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës, konferencë që do të mbahet në Akademinë e Shkencave.

Agjenda më pas përfshinë edhe ekspozita, koncerte, promovim libri dhe aktivitete të tjera kulturore. Më poshtë po ju sjellim të plotë agjendën e shënimit të 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë hap ekspozitë kushtuar 180-vjetorit të lindjes së Zef Serembe

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ka njoftuar se në nder të 180 vjetorit të lindjes së arbëreshit Zef Serembe (1844-1901), këtë javë ka hapur një ekspozitë që sjell në vëmendje te lexuesit krijimtarinë e poetit lirik që ndodhet në koleksionet e BKSh-së.

Zef Serembe ka lëvruar gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, ka krijuar lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë.

“Në vjershat atdhetare grishi në luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora d’Istrias”). Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar (“Elegji”, “Kujtim” etj.) dhe të zhgënjyer nga jeta. Në poezinë e tij të përshkuar nga një ndjenjë malli, gërshetohen optimizmi e stoicizmi me nota të trishtuara mistike e pesimiste”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës.

Poezia e Sermebes thuhet se është një shprehje e kontradiktave dhe e zhgënjimit tragjik që përjetonnin inteletualët arbëreshë.

“Shumë prej krijimeve të Serembes (poezi, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit), që ai shpesh i rishikonte e i ndryshonte, humbën gjatë jetës së tij endacake. Sa qe gjalle ai botoi vetëm: “Poesie italiane e canti originali tradotti dall`àlbanese” (Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja – Kozencë, 1883), në italisht dhe shqip; “Il reduce soldato, ballata lirica” (Kthimi i ushtarit, baladë lirike – Nju-Jork, 1895), vargje vetëm në italisht; “Sonetti vari” (Sonete të ndryshme – Napoli, 1891), një përmbledhje prej 42 sonetesh me një parathënie (hyrje), me një shkrim të imtë të ndrydhur në vetëm 4 faqe”, shkruhet tutje në njoftim.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së./KultPlus.com

Shitet për 5 milionë e 250 mijë dollarë rezidenca e famshme e filmit “Home Alone”

Shtëpia e famshme e familjes McCallister në filmin legjendar të Krishtlindjeve ” Home Alone ” është në shitje. Është ndërtuar në vitin 1921 në Winnetka, Illinois dhe çmimi i shitjes është 5 milionë e 250 mijë dollarë.

Është hera e parë që shitet që nga viti 2012 kur pronarët aktualë e blenë për 1.58 milionë dollarë.

Sipas faqes së internetit Zillow, pronarët rinovuan dhe zgjeruan pronën në vitin 2018 “duke i kushtuar vëmendjen maksimale ruajtjes së detajeve arkitekturore dhe integritetit të hapësirave më të paharrueshme dhe më të njohura të shtëpisë”.

Pjesa e përparme dalluese e rezidencës me tulla të kuqe është ruajtur siç ishte në filmin e vitit 1990 me Macaulay Culkin, Kathryn O’Hara, Joe Pesci dhe Daniel Stern, shkruan vizion plus.

Ka pesë dhoma gjumi, gjashtë banja, dy dhoma ndenjeje, një dhomë ngrënie, një kuzhinë të madhe, një kinema, një palestër, një verandë me oxhak dhe një fushë basketbolli të mbyllur.

Regjisori i filmit, Chris Columbus, ka deklaruar më parë se ai zgjodhi pronën sepse “nëse je fëmijë, është kënaqësi të jesh vetëm “./ KultPlus.com

Emri i Dua Lipës po diskutohet për rolin e Megit në filmin e Disney

Emri i këngëtares së madhe Dua Lipa është duke u lakuar nga kompania e madhe filmike “Disney” dhe hiq më pak se sa për rolin e Megit për filmin “Hercules”, raportojnë mediet e huaja.

Ky film deri më tash është i realizuar vetëm në versionin e animuar, dhe se pritjet që po vjen edhe në formatin e filmit artistik janë mjaftë të mëdha.

Mbetet të shihet se a do të realizohet ky projekt me rol të luajtur nga Dua Lipa./  KultPlus.com

Projekti “Green Quest”, përfaqëson Shqipërinë në çmimet e YouthStart 2024, Berlin

Me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, Young Entrepreneurs Albania (YEA) organizoi eventin që vuri në pah shpirtin sipërmarrës dhe kreativitetin e nxënësve të talentuar të shkollave të mesme.

Bashkia Shkodër u mbush me të rinj sipërmarrës nga e gjithë Shqipëria, të cilët prezantuan idetë e tyre inovative në YEA! Awards Final 2024.

Fituesit e konkursit për idenë më të mirë të biznesit, të nderuar me Certifikatën e Artë ishin Omnifixx, prezantuar nga Stefi Fushaj, Jonejda Zaimi, Nedit Xhaferri dhe Ditmar Zekja.

Me çmimin Plani më i mirë i Biznesit u vlerësuan NeoNet, prezantuar nga Arion Minina. Çmimi RYAS Changemaker Award iu dha Green Quest, prezantuar nga Klajdi Lazri, Klaudio Shkalla dhe Maria Vathkruja.

Ky projekt do të përfaqësojë Shqipërinë në Çmimet e Sipërmarrjes Rinore Evropiane YouthStart 2024 në Berlin, Gjermani.

Bashkia Shkodër uroi të rinjtë për arritjet, përkushtimin, krijimtarinë dhe shpirtin sipërmarrës, dhe premtoi të vazhdojë të nxisë sipërmarrjen dhe inovacionin në komunitet./atsh/KultPlus.com

Promovohet trashëgimia e Durrësit antik përmes një parade mode në Amfiteatër

Qendra Muzeore e qytetit të Durrësit ndau me ndjekësit e rrjeteve sociale një album fotografik interesant me vajza që u përngjajnë nimfave të Antikitetit.

Në Amfiteatrin antik vajzat e vitit të dytë të degës Tekstil-Konfeksione, nga shkolla profesionale “Hysen Çela”, performuan me veshje të krijuara nga vetë ato.

Shkolla është pjesë e rrjetit rajonal “Western Balkans”, një rrjet shkollash profesionale. Qëllimi i këtij projekti është të promovojë, përmes bukurisë e talentit të vajzave, trashëgiminë e çmuar dhe unikale të qytetit të Durrësit.

Vajzat zgjodhën pikërisht muret e lashta të Amfiteatrit të Durrësit, një madhështi antike, si sfond për të vënë në dukje rininë e tyre rrezatuese dhe talentin krijues./atsh/KultPlus.com

Sali Bashota, Poeti Laureat i vitit 2024 në “Netët Korçare të Poezisë”

Më 25 dhe 26 maj 2024 në qytetin e Korçës, Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, me përkrahjen e Bashkisë së Korçës dhe në bashkëpunim me PEN Qendrën e Shqipërisë, organizuan edicionin 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”.

Hapja solemne e aktivitetit u bë me fjalët përshëndetëse nga Jorida Dhëmbi Tollkuçi, Drejtore e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” dhe nga Zamira Kita, Drejtore e Kulturës dhe Teatrit.

Në këtë festival morën pjesë poetë nga Shqipëria, Kosova, Zvicra, Italia, Sllovenia, Turqia, Greqia, Franca, Irlanda, Rumania, Maroku, të cilët i lexuan poezitë e tyre, mes tyre si: Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Rafael Newman, Besnik Mustafaj, Muhsine Arda, Dalila Hiaoui, Binak Kelmendi, Liridon Mulaj, Sali Bashota, Entela Kasi, Barbara Pogaçnik, etj.

Në këtë vit Pema simbolike e poezisë, u mboll në “Lëndinën e Poetëve”, në lulishten “Vangjush Mio” nga Sali Bashota, i cili u shpall Poeti Laureat i vitit 2024.

Gjatë dy ditëve u zhvilluan aktivitete të shumta në Bibliotekën Publike “Thimi Mitko”, në Shtëpinë Muze “Vangjush Mio”, në Muzeun “Gjon Mili”, në Muzeun e Artit Mesjetar etj., ku u organizua debati për jetën dhe veprën e Nazim Hikmetit, pastaj u bë promovimi i kompletit të veprave të Basri Çapriqit, bashkëbisedimi me Besnik Mustafajn, biseda midis autorëve Ahmet Prençi, Liridon Mulaj, Entela Kasi, Enerestina Gjergji Halili, trajtimi i temës “Letërsia si atdhe universal i njerëzimit”, etj.

Në këto aktivitete me fjalët e tyre u paraqitën: Gunei Ozkilinic, Rozana Belli, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Jorida Dhëmbi Tollkuçi, Enerestina Gjergji Halili, Entela Kasi, Ahmet Prençi, Liridon Mulaj, Mariana Gorzyca, Daniela Stoica, etj.

Juria profesionale në përbërje: Entela Kasi, kryetare, Rafael Newman, anëtar ndërkombëtar dhe Enerestina Gjergji Halili, anëtare, ndau çmimet tradicionale të “Netëve Korçare të Poezisë”.

Çmimi Special, Barbara Pogaçnik nga Sllovenia, Çmimi Asdreni, Mariana Gorczyca nga Rumania, Çmimi Dritëro Agolli, Guney Ozkilinç nga Turqia, Çmimi Poezia më e bukur, Liridon Mulaj, Kurora e poezisë, Besnik Mustafaj, Poeti Laureat për vitin 2024 Sali Bashota.

Me Mirënjohje për kontribute të çmuara në promovimin e kulturës kombëtare u nderuan: Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Shtëpia Studio Kadare, Zamira Kita, Drejtore e Kulturës dhe Teatrit dhe Kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro.

Më datën 27 maj, poetët vizituan Bashkinë e Devollit, ku u takuan me Eduard Duro. Po ashtu, vizituan disa vende të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ndërkaq në mbrëmje u mbajt një orë e madhe letrare, shoqëruar edhe me një program kulturor.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës vlerësuan veprat e dy shkrimtarëve me Çmimet PEN. Milazim Krasniqi u nderua për veprën poetike “Kujtimet luajnë me mua” dhe Ahmet Prençi për veprën në prozë “Brenga e prokurorit”.

Gjithashtu, u botua vëllimi antologjik në dy gjuhë shqip-anglisht me titullin “Një diell i ri”, në të cilën përfshihen 34 poetë: Skënder Rusi, Albi Lushi, Aleksandër Çipa, Alfons Al Zeneli, Ahmet Prençi, Antonio Babliku, Besnik Mustafaj, Entela Kasi, Erenestina Gjergji Halili, Liridon Mulaj, Mimoza Kuchly, Rakela Zoga, Rozana Belli, Sadik Bejko (Shqipëri), Christas R. Tsiailis (Greqi), Billy Ramsell (Irlandë), Anna Lattanzi, Luccilla Trapazzo, Salvatore Nappa (Itali), Alketa Gashi Fazliu, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Lulzim Tafa, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Vlora Ademi (Kosovë), Dalila Hiaoui (Marok), Mariana Gorczyca (Rumani), Barbara Pogacnik (Slloveni), Rafael Newman (Zvicër), Filiz Civaner, Gunel Ozkilinç, Mesut Senol, Muhsine Arda (Turqi)./ KultPlus.com

“Ktheje ka Zagrebi” promovohen librat e poetëve kroatë në Kosovë

Ditën e djeshme, më 28 maj, në ditën e dytë të Ditëve të Kulturës në Kosovë “Ktheje ka Zagrebi”, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, u bë prezantimi i librave të autorëve të njohur kroatë të përkthyera në gjuhën shqipe.

Poetja Jadranka Pintarić prezantoi librin e saj “Mirë jam, të tjerat janë gënjeshtra”, Diana Burazer prezantoi librin me poezi “Mollët e qiellit”, Davor Šalat prezantoi librin me poezi “Interpretimi i dimrit” dhe Lana Derkač prezantoi librin me poezi “Hoteli për të vdekur”.

Pas prezantimit të librave, autorët e pranishëm kanë lexuar disa nga poezitë e tyre, të cilat ishin pjesë të shkëputura nga librat e promovuar.

Pas leximit të poezive nga secili autor, fjalën nga moderatorja e ka marrë profesoresha, shkrimtarja dhe kritikja e njohur Dije Demiri Frangu, e cila fjalimin e saj e filloi me të qeshura, dhe duke e kombinuar edhe në gjuhën kroate, shkruan KultPlus.

Profesoresha Demiri Frangu tregoi se kishte fatin që gjatë jetës së saj të kishte kontakt me autorë kroat dhe se menon se kultura kroate e ka bërë punën e vet në kulturën shqiptare.

“Ka ushtruar një ndikim shumë pozitiv në formën, stilin, motivet, para së gjithash nëse nisemi prej një determicioni shumë të thjeshtë do të thotë që kultura është ajo që krijon njeriu dhe ajo është pasuria shpirtërore. Nëse koncentrohemi në këtë shohim se populli kroat ka kulturë të hershme dhe kjo dëshmon për seriozitetin e këtij populli dhe kreacionin që e ka brenda vetes si popull”, është shprehur ajo gjatë fjalimit.

Tutje, Demiri Frangu tha se në Kosovë është përkthyer një numër i mirë i autorëve që janë lexuar si dhe janë integruar në ambientin letrar të Kosovës. Ajo foli edhe për literaturën kroate e cila është e përhershme në universitetet tona dhe se janë mësuar e studiuar si dhe janë përdorur këtu.

“Emocionii në letërsinë kroate është shumë i reduktuar, është një emocion i emancipuar, i përmbajtur dhe i shndërruar në figurë, ironi dhe absurd. Kjo e ngrit nivelin e poezisë”, tha tutje ajo.

Pas saj, fjalën e ka marrë botuesja Fatmire Duraku për të folur për secilin prej autorëve, dhe për shtetin kroat. Ajo tha se Kroacia njihet për etjen e përhershme për liri dhe është tokë e larë me gjak e cila ka luftëtarë dhe poetë të njohur.

“Në pjesën më të madhe është e spërkatur me ujin e Detit Adriatik dhe ka qytete që nëse vetëm njëherë vizitohen nga njeriu, dashurohet. Shtëpitë prej guri brenda së cilave rrash shpirti kroat, rrah edhe shpirti i poetëve të shquar. Poezitë kanë vlera të larta, deri tani këto libra janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ne kemi përzgjedh që këta të jenë në mesin e letërsisë shqipe”, u shpreh ajo.

Pas saj, shkrimtarët kroat lexuan përsëri copëza të librave të tyre. Në mbrëmje duke filluar nga ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery, u mbajt mbrëmja e letërsisë kroate./KultPlus.com

”Der Standard”: Shqipëria ndër më të kërkuarat nga turistët

Sipas të gjitha analizave, turizmi në Shqipëri është rritur veçanërisht fuqishëm, shkruan sot Bettina Pfluger për gazetën më të madhe austriake ”Der Standard”.

”Pushimet verore po afrojnë dhe bashkë me to edhe sezoni i pikut të udhëtimeve. Më në fund duhet të dilni nga përditshmëria dhe të relaksoheni. Pavarësisht inflacionit dhe normave më të larta të interesit pas pandemisë, kërkesa për udhëtime ka mbetur e fortë”, shkruan gazeta.

Numri i netëqëndrimeve në Evropë arriti në 2,91 miliardë fjetje në vitin 2023 dhe 2,88 miliardë në 2019.

Në veçanti, turistët amerikanë kohët e fundit janë bërë më të rëndësishëm për Evropën.

Për shembull, pjesa e SHBA-së e të ardhurve në Spanjë u rrit nga katër për qind në 2019 në pesë për qind në 2023, në Portugali nga gjashtë në nëntë për qind dhe në Britaninë e Madhe nga 13 në 16 për qind.

Prandaj, industria e udhëtimeve në Evropë është një nga sektorët më elastikë brenda ekonomisë evropiane, sipas raportit ”Travel Tends 2024: Breaking Boundaries” nga Mastercard.

Destinacioni më i njohur për këtë verë në Evropë është Mynihu, falë tifozëve të shumtë të futbollit.

Më pas vijojnë Tirana, Nisa (Francë), Korfuzi (Greqi) dhe Stambolli (Turqi).

Këtë vit, destinacionet më të lira të plazheve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Turqisë po shënojnë disa nga rritjen më të lartë të trafikut ajror.

Sipas të gjitha analizave, turizmi në Shqipëri është rritur veçanërisht fuqishëm.

Numri i lidhjeve me fluturime është dyfishuar që nga viti 2019 dhe numri i mbërritjeve të udhëtarëve është rritur nga 12 milionë në 2019 në 17 milionë në 2023.

“Vëzhgimet tona tregojnë një prirje emocionuese drejt sezonit të ulët”, thotë Natalia Lechmanova, kryeekonomiste e Evropës në institutin ekonomik ”Mastercard”, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Arsyeja për këtë është se gjithnjë e më shumë udhëtarë evropianë po zgjedhin muajt më të butë nga maji deri në qershor dhe nga shtatori në tetor dhe duan të shmangin sezonin e lartë të mbushur me njerëz në verë.

Kjo kthesë do të mundësojë rritje të vazhdueshme në udhëtimet evropiane, pasi sezoni i lartë i verës po përballet gjithnjë e më shumë me pengesa në kapacitet.

Në përgjithësi, njerëzit janë të interesuar të përjetojnë diçka.

Sipas raportit, konsumatorët preferojnë përvojat kuptimplota sesa të mirat materiale.

Austriakët pëlqejnë veçanërisht të shpenzojnë para për udhëtime dhe ngjarje të muzikës live. Pushimet në veçanti kanë prioritet, pasi pothuajse dy të tretat (63 për qind) thonë se duan të udhëtojnë më shumë në vitin 2024”, përfundon ”Der Standard”./atsh/KultPlus.com

29 Maji, ​Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 29 majin si Ditën Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të OKB-së.

Kjo ditë ka për qëllim të nderojë paqeruajtësit që kanë humbur jetën për kauzën e paqes, si dhe nderimin e gjithë burrave e grave, të cilët vazhdojnë shërbimin në operacionet e OKB-së me profesionalizëm të lartë, përkushtimin dhe kurajo.

Që nga themelimi i misionit paqeruajtës në vitin 1948, rreth 3200 ushtarë, policë dhe staf civilë, kanë humbur jetën në shërbim të paqes, si pasojë e aksidenteve, dhunës, apo sëmundjeve të ndryshme në disa vende. Kjo ditë përdoret për të forcuar lidhjet  mes  paqeruajtësve dhe komunitetit ku ata shërbejnë. /KultPlus.com

Akademia e Shkencave, marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Arteve

U nënshkrua dje marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit të Arteve.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe rektori i Universitetit të Arteve prof. Kastriot Çaushi, në praninë e zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole dhe sekretarit shkencor akad. Shaban Sinani.

ASHSH bëri me dije se, marrëveshja e bashkëpunimit midis palëve shtrihet në të gjitha fushat e dijes, me përparësi fushat me më shumë interes të përbashkët, si studimet për artin dhe kulturën.

Palët do të bashkëpunojnë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj. Marrëveshja ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre./atsh/KultPlus.com

Këndngushtë

Xhevat Latifi

I ngjan bririt t’dhisë
Asht njejtë si me pa diellin kur futen n”re
t’zeza
Ay lule e brishtë nga shiu i ftoftë lëshon supet
pa forcë as me kërkue meshirë!
Më pas aroma e rrënjëve nisē me zgjidhë atë nyje prej maje gjilpëre
E ngre ngadale sythin e kaltërt
Ja kjo ēshtē dashuria: Veç një puls i vogël
Nga një kênd-i-ngushtë bahen pesë yje…
( në përkalim të një agu me vesë ) / KultPlus.com

Përkujtohet firmëtari i Aktit të Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorri

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot në ditën e ndarjes nga jeta, Dom Nikollë Kaçorrin, atdhetar, klerik e nënshkrues i Aktit të Pavarësisë (1862-1917).

Kaçorri lindi në Krej të Lurës në vitin 1862. Ishte atdhetar e diplomat shqiptar dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.

Ipeshkvi i Durrësit, dom Ambrosio, e mori me vete dhe e çoi në shkollë. Më 1882 mbaroi kolegjin urban për retorikë dhe gramatikë. Po atë vit shkoi në Romë ku vijoi studimet për gramatikë dhe retorikë në kolegjin urban atje. Më pas studioi për teologji, filozofi e shkenca politike në Universitetin “Zeking” në Zyrih.

Më 1893 u kthye në Shqipëri, ku gjatë viteve 1905-1907 drejtoi kryengritjen e armatosur në Kurbin. Pajisi popullin me 500 armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës dhe në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i parapriu shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1909 në Kongresin Kombëtar të Elbasanit./atsh/KultPlus.com

Rama: Tuneli i Llogorasë drejt finalizimit, ju çon në jug sa hap e mbyll sytë

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, po jetësohet me ritme të shpejta.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga nga ky kantier ku kanë përfunduar afro 88% e punimeve.

Rama shprehet se “tuneli i Llogorasë drejt finalizimit, që këtë verë ju çon në jug sa hap e mbyll sytë”.

Kreu i Ekzekutivit thekson se  “bashkë me aeroportin e ri të Vlorës do t’i shtojnë industrisë së re të turizmit dy motorë vendimtarë për Shqipërinë 2030 kampione në rajon”.

Deri tani ka përfunduar puna për betonimin e tunelit kryesor në të gjithë gjatësinë e tij, ndërsa po vijohet për për vendosjen e sistemit elektromekanik dhe sistemin e ndriçimit.

Paralelisht po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit.

Tuneli kryesor, 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare  si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët./atsh/KultPlus.com

Masakra e Strpcit: Filmi në Kanë nderon “heroin e harruar” që u përball me vrasësit

Regjisori kroat Nebojsa Slijepceviç thotë se filmi i tij i shkurtër për një njeri që doli kundër luftëtarëve serbë kur ata morën robër nga një tren në stacionin Strpci gjatë luftës në Bosnje shtron pyetje të rëndësishme për natyrën njerëzore.

Heronjtë e luftërave të viteve 1990 në Jugosllavi harrohen sepse nuk përshtaten me narrativat nacionaliste që janë ende të forta, tha për BIRN regjisori kroat Nebojsa Slijepceviç në një intervistë rreth filmit të tij të ri Njeriu që nuk mund të heshtte (‘Covjek koji nije mogao sutjeti’).

Filmi i Slijepceviçit do të ketë premierën e tij më 24 maj në Festivalin e Filmit në Kanë si pjesë e konkursit zyrtar të filmit të shkurtër. Filmi bazohet në një krim lufte të kryer në stacionin hekurudhor të Strpcit në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1993.

Historia ndjek një tren pasagjerësh që udhëton nga kryeqyteti serb Beograd për në Bar, një qytet portual në Mal të Zi gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje. Forcat serbe të Bosnjës e ndaluan atë në një stacion të vogël në Strpci në Bosnje.

Pasi morën një informacion se pasagjerë myslimanë boshnjakë ishin në tren, ata morën 20 prej tyre dhe më vonë i ekzekutuan. Rreth 500 pasagjerë ishin dëshmitarë të kësaj, por askush nuk guxoi të përballej me ta, përveç Tomo Buzovit, një oficer në pension i Ushtrisë Popullore Jugosllave, i cili po udhëtonte për të vizituar djalin e tij.

Të burgosurit, përveç Buzovit që ishte me origjinë nga Kroacia, ishin kryesisht boshnjakë. Ata u dërguan nga stacioni i Strpcit në një shkollë në Prelovo, ku fillimisht u sulmuan. Më pas ata u dërguan në një shtëpi të djegur në fshatin Musici dhe u ekzekutuan.

Slijepceviçi pranon se nuk e dinte për aktin heroik që i kushtoi Buzovit jetën deri pesë vjet më parë, kur ai lexoi një artikull të gazetarit dhe shkrimtarit të famshëm kroat Boris Dezuloviç.

“Dezuloviçi shkroi një tekst të jashtëzakonshëm që merret me vlerësimin e sotëm të heroizmit të Buzovit dhe në fakt me tezën se ai është harruar dhe se sakrifica e tij nuk përkujtohet në mënyrë adekuate, kryesisht sepse ajo nuk i përket asnjë narrative nacionaliste. Edhe pse ai është kroat, sipas disa standardeve nacionaliste kroate ai është ‘i dobët’ sepse e jetoi jetën e tij si një kapiten i Ushtrisë Popullore Jugosllave në Beograd”, tha Slijepceviçi.

“Sipas standardeve të nacionalistëve serbë, ai është gjithashtu i padëshirueshëm sepse u vra pasi u përball me një formacion paraushtarak serb. Dhe boshnjakët e harronin Buzovin kur përkujtonin viktimat e këtij krimi, sepse ai nuk është mysliman. Buzovi disi nuk i përket asnjë vendi sepse ai është mbi të gjitha ato narrativa. Ishte teza e artikullit të Dezoluviçit që më frymëzoi dhe e pashë menjëherë filmin”, shtoi ai.

“Veprimet e një prindi, asgjë më shumë”

Tomo Buzov me djalin e tij Darkon. Foto kortezi e familjes Buzov.

Treni nr. 671 në vitin 1993 nga Beogradi për në Podgoricë kalonte nëpër një pjesë të vogël të Bosnjës dhe Hercegovinës, por zakonisht nuk ndalonte në Strpci. Por këtë herë, siç tha Zeljko Radojiciçi, i cili drejtonte trenin, në një gjykatë në Beograd, ai u ndalua në stacionin boshnjak.

Një grup njerëzish të armatosur – kryesisht anëtarë të një njësie paraushtarake serbe të quajtur Avengers (Osvetnici) – të udhëhequr nga Milan Lukiç, hipën në tren dhe filluan të kontrollonin identitetin e pasagjerëve.

As policia në trenin në Strpci dhe as pasagjerët e tjerë nuk reaguan kur Avengers filluan të merrnin njerëz sepse mendonin se po kërkonin dezertorë të ushtrisë.

I vetmi person që u ngrit kundër tyre ishte Buzovi.

Tridhjetë e një vjet më vonë, familja ende nuk e ka gjetur trupin e tij. Djali i tij, Darko Buzov, i tha BIRN në vitin 2022 se informacioni për atë që ndodhi në tren është i paplotë, por, sipas asaj që i thanë, babai i tij ndërhyri në përpjekje për të mbrojtur një të ri nga Mali i Zi që të mos merrej nga luftëtarët.

Darko Buzov tha se shumë njerëz i kanë quajtur veprimet e babait të tij heroike, por ato në fakt ishin “veprime të një prindi, asgjë më shumë; në atë moment ai reagoi si baba i një djali”.

Slijepceviçi thotë se qëllimi kryesor i filmit të tij është të detyrojë shikuesit të mendojnë se si do të reagonin në situatën në të cilën u gjend Buzovi. Ai thotë se përveç aktit heroik të Buzovit, i interesonte edhe qëndrimi i të gjithë personave të tjerë në tren, me të cilët, thotë ai, disi identifikohej.

“Kisha ndjesinë se ishte një metaforë për përvojën tonë kolektive. Ne ishim shumë pasagjerë në një tren të përbashkët që u gjend përballë një fatkeqësie. Shumica dërrmuese prej nesh në fakt heshtim për të gjitha, duke mbajtur kokën ulur, por ne të gjithë mbajmë një barrë prej saj. Unë, në fakt, isha i interesuar për këtë – pashë në të një situatë që mund të zbatohet në një përvojë shumë më të gjerë përveç asaj që ndodhi në tren”, shpjegoi ai.

Prandaj, shton ai, ai sheh në historinë e trenit nr. 671 një lidhje me kohët e sotme në shumë situata ku kërcënohen të drejtat e pakicave.

Që nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, janë bërë shumë filma që kritikojnë shpërbërjen e përgjakshme të ish-shtetit të bashkuar, por forcat nacionaliste mbeten të forta pothuajse në republikat e pavarura të krijuara si rezultat i atyre luftërave.

“Procesi i pajtimit nuk ka përfunduar. Pjesërisht sepse nuk ka kaluar shumë kohë nga lufta. Viktimat, kriminelët dhe dëshmitarët e asaj kohe janë ende gjallë”, tha Slijepceviçi.

“Nga ana tjetër, ka një tendencë të theksuar për të shmangur katarsisin. Forcat nacionaliste të krahut të djathtë në të gjitha vendet e rajonit po punojnë për të parandaluar shërimin e plagëve, sepse polarizimi është materiali i tyre”, shtoi ai.

Krimi dhe dënimi i pjesshëm

Kreu i Avengers Milan Lukiç në gjykatë në fillim të gjyqit të tij për krime lufte në Hagë në shkurt 2006.

Tre paraushtarakë të dyshuar serbë, Gojko Lukiç, Dusko Vasiljeviç dhe Dragana Djekiç, janë aktualisht në pritje të fillimit të një rigjykimi në Beograd për krimin e Strpcit. Ai ishte planifikuar të fillonte në janar, por seanca u shty, si dhe dy të tjera në vijim, në prill dhe maj. Seanca e radhës është caktuar për në qershor.

Një i pandehur tjetër, Jovan Lipovaç vdiq në shkurt, ndërsa një tjetër, Ljubisa Vasiljeviç, vdiq në korrik 2021. Në tetor 2023, Gjykata e Apelit e Beogradit anuloi vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi një rigjykim në këtë rast. Në këtë vendim, të shkurtit të vitit 2023, Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi Lukiçin, Vasiljeviçin, Lipovaçin dhe Djekiçin me gjithsej 35 vjet burg.

Dhjetë ushtarë të tjerë serbë të Bosnjës të kohës së luftës janë dënuar tashmë për përfshirje në krimin e Strpcit, në Bosnje dhe në Mal të Zi.

Gjykata shtetërore e Bosnjës dënoi ish-komandantin e Togës së Ndërhyrjeve të Brigadës së Visegradit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Boban Indjiç, me 15 vjet burg në janar të vitit të kaluar.

Në tetor 2022, gjykata shtetërore e Bosnjës shpalli gjithashtu shtatë ish-ushtarë nga Brigada e Dytë Podrinje e Ushtrisë Serbe të Bosnjës fajtorë për përfshirje në rrëmbime dhe vrasje. Gjykatësi në gjyq tha se Milan Lukiç mori pjesë në ekzekutimin e 18 civilëve të kapur.

Gjykata shtetërore e Bosnjës dënoi Mico Joviciçin, një vullnetar paraushtarak nga Serbia, me pesë vjet burg pasi ai bëri një marrëveshje për pranimin e fajësisë në vitin 2016.

Një gjykatë në Mal të Zi dënoi një tjetër vullnetar paraushtarak, Nebojsa Ranisavljeviç, me 15 vjet burg për krimin e Strpcit.

Organizatori i dyshuar i krimit, Milan Lukiç, aktualisht ndodhet në burg në Estoni pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, e dënoi atë me burgim të përjetshëm për krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje, por jo për vrasjet në Strpci./balkaninsight/KultPlus.com

Media franceze “Figaro Nautisme”: Zbuloni shtatë vendet mahnitëse në Rivierën Shqiptare

Riviera Shqiptare shtrihet përgjatë detit Jon rreth 100 kilometra nga Vlora në veri, deri në Sarandë, që ndodhet në kufirin grek, sipas një artikulli të botuar në revistën franceze “Figaro Nautisme”.

Kjo vijë bregdetare shkon përgjatë limaneve të egër dhe shkëmbinjve të pjerrët nga vendpushimet bregdetare në fshatrat autentikë.

Vizitoni shtatë vendet mahnitëse gjatë turneut tuaj në jug të Shqipërisë.

Vlora – hyrja në Rivierën Shqiptare

E vendosur në zemër të gjirit me të njëjtin emër, qyteti i Vlorës është i mbushur me vende emblematike; Sheshi i Flamurit dhe Muzeu i tij i Pavarësisë, Xhamia e Muradies, Varrezat e Dëshmorëve…

Në fund të këtij pushimi kulturor, kthehuni në bregdet për të shijuar gjiret e egra dhe limanet me ujëra të pastër kristal.

Shijoni një zhytje sensacionale për një zbulim të Rivierës ekzotike!

Orikumi – jeta tradicionale vendase

Vazhdoni udhëtimin tuaj drejt fshatit të bukur të Orikumit, një ‘portret’ i vërtetë i jetës lokale.

Lëreni veten të tundoheni nga pyjet e larta deri në mbi 2000 metra mbi nivelin e detit.

Do të zbuloni shumë lloje pemësh me forma mahnitëse, si dhe një përqendrim të lartë të kafshëve të egra, duke përfshirë shqiponjat e arta dhe ujqërit.

Dhërmiu –  fshati me dy pamje

Në verë, fshati shndërrohet në një vendpushim të kushtueshëm dhe të gjallë bregdetar.

Dhërmiu kufizohet nga një plazh olimpik me rërë të hollë dhe me pamje nga Manastiri i Shën Theodhorit, duke formuar një mjedis mahnitës!

Jala- e imët dhe e artë

Jala është një nga plazhet më të bukura në rajon. Rëra e saj e imët, e artë dhe uji i kaltër, formojnë një peizazh idilik.

Lukova – fshati i njëmijë aromave

Vazhdoni udhëtimin drejt Lukovës.

Një thesar i vërtetë ku ajri i kripur i detit Jon përzihet me aromat e luleve të egra dhe portokalleve.

Ky fshat në bregdetin shqiptar është shtëpia e një prej plazheve më të bukura në të gjithë vendin dhe do t’ju lejojë të relaksoheni në qetësi të plotë.

Saranda – joshëse

Ky qytet bregdetar me një atmosferë miqësore ndodhet pikërisht përballë ishullit të Korfuzit.

Shkoni për një shëtitje në shëtitoren e saj bregdetare, dhe ndaloni në fshatin e vogël të Ksamilit për t’u çlodhur në plazhet e mrekullueshme dhe për të notuar në ishujt e tij.

Mos e humbisni sitin arkeologjik të Butrintit, i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, më pak se 20 kilometra në jug.

Butrinti – një nga vendet e klasifikuara të UNESCO-s

Butrinti, një park kombëtar dhe vend arkeologjik, është një vend i paharrueshëm që do t’ju lejojë të zhyteni në historinë e largët të vendit.

Në zemër të një ekosistemi të jashtëzakonshëm, vendi ndërthur monumentet historike të lashta greke me atraksionet natyrore të bimësisë së ruajtur.

Një vend ideal për të përfunduar udhëtimin tuaj në Rivierën Shqiptare!

Shqipëria nuk është prekur ende nga turizmi masiv, por po tërheq gjithnjë e më shumë turistë që kërkojnë autenticitet dhe udhëtime të orientuara drejt natyrës dhe kulturës.

Ka shumë gjëra për të parë dhe bërë në Shqipëri! Plazhe të mrekullueshme, vende të UNESCO-s, monumente historike…

Shqipëria ka një histori magjepsëse dhe një trashëgimi arkitekturore që ia vlen të vizitohet.

Adhuruesit e natyrës mund të eksplorojnë male, pyje dhe shtigje të shumta të ecjes.

Zgjidhni udhëtimin tuaj midis majit dhe tetorit: temperatura e detit është e këndshme, shirat janë të lehta dhe transparenca nënujore është e shkëlqyer./atsh/KultPlus.com

Në ajrin e mbrëmjes

Poezi nga Pablo Neruda

Pemet e kopshtit
te amullta rrine ne ajrin e bute te mbremjes,
si te ishin piktura
mbi nje pelhure te holle;
nje zog i perhimet qe kolovitet
mbi degen e nje pjeshke ne lulezim,
keqyr mire se mos turbullon heshtimin
qofte edhe vetem nje klithme;
gjithcka eshte ne gjume,
dhe hena qe reflektohet ne ujin e liqenit,
eshte si nje barke imcake
ne mes te livadhit te ndricuar me ar./ KultPlus.com