Vrojtime metafizike

Nga Bajram Haliti

Përpara nesh është një koleksion i suksesshëm dhe i pazakontë i poezive, autori i të cilit Lulzim Tafa është shumë i njohur dhe i pranuar në rajon dhe më gjerë, dhe tani është mundësia për të paraqitur cilësitë e tij krijuese dhe artistike para lexuesve të gjuhës rome. Ai ka botuar një duzinë librash me poezi dhe ka marrë shumë çmime të vlefshme ndërkombëtare.

Poeti Lulzim Tafa trajton një repertor ideo-tematik shumë të larmishëm dhe unik, i cili, në të shumtën e rasteve, ka të bëjë me jetën e tij personale dhe detajet rrëfyese intime, nga dashuria dhe vuajtja, atdheu dhe natyra, nga vrojtimet metafizike e deri tek ato filozofike dhe gjithçka që përbën udhëtimin tonë dhe të tij të përditshëm.

Ky poet ka një biografi dhe reputacion të lakmueshëm letrar, kështu që koleksioni i tij pa dyshim se do të ngjall interesimin e lexuesve dhe të kritikëve letrarë në gjuhën rome. Të gjitha këto poezi janë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe në një farë mënyre janë të lidhura, ashtu që mund të lexohen me një frymë dhe me të njëjtin interes.

Tafa është një lirik delikat dhe i ndjeshëm, i cili shkruan për mjedisin e tij, për jetën dhe dashurinë intime, për atdheun dhe natyrën, për patriotizmin dhe universin dhe tema e motive të tjera pak a shumë të zakonshme. Aq sa është kombëtar dhe patriotik (“Teuta”, “Skënderbeu”), po aq është edhe humanist dhe kosmopolitan në solidaritet dhe tolerancë, duke treguar dashurinë dhe besnikërinë e pafshehur jo vetëm për të vetin, por edhe për të gjithë kombet e tjerë përreth.

Vargu i tij është i disiplinuar dhe i kujdesshëm dhe nuk është i ngarkuar nga epikja. Në këtë thjeshtësi dhe lapidaritet shprehës, gjendet thelbi i poetikës dhe bukurisë së kësaj poezie, me të cilën është e lehtë të vendosësh një komunikim të vlefshëm. Edhe pse ka të bëjë me një marrëdhënie dhe qëndrim kompleks ndaj jetës, botës dhe në përgjithësi ndaj gjithçkaje që ekziston në habitatin e jashtëm dhe të brendshëm (emocional, etik dhe psikologjik), kjo sigurisht që nuk nënkupton një dozë të hermetizmit, njëfarë konstruksioni artistik apo variacioni modern, e as të cilat nuk janë të huaja për këtë poet.

Ky libër në mënyrë ilustruese dhe të qartë tregon se si letërsia në këtë moment universal të globalizmit dhe multikulturalizmit me kohë bëhet destinacion /strehim, dhe mund të thuhet edhe topos, në të cilën krijuesi mund të thotë qartë dhe hapur gjithçka që mendon dhe ndjen, pa asnjë kufizim dhe ndikim. për fatin e tij. Duke demistifikuar dhe dekonstruktuar disa stereotipe të vjetruara, poeti Tafa avokon për ndërkulturalizmin si një qasje etike dhe krijuese të bazuar në shkëmbime, takime, marrëdhënie dhe marrëdhënie personale dhe kolektive midis letërsisë, gjuhës dhe kulturave. Në këtë, ndër të tjera, gjendet kuptimi dhe cilësia e poezisë së tij dhe e angazhimit krijues, i cili gjithashtu kontribuon në zhvillimin e ndërkulturës, tolerancës dhe vetëdijes për përhapjen e të mirave civilizuese, pra vlerave dhe arritjeve.

Tema dhe lënda e këtyre poezive është, në të vërtetë, njeriu si një individ i kryqëzuar në vështirësitë mizore dhe ekzistenciale të botës moderne, ku ai përballet me shembjen e vlerave shpirtërore, tjetërsimin

dhe rrezikimin jo vetëm të subjektit lirik, por edhe të shoqërisë në tërësi. Nga ana tjetër, kjo flet edhe për një dozë të caktuar të angazhimit të poetit dhe dëshirën për të mos pajtuar me situatën ekzistuese rreth tij, sepse ai dëshiron të jetë aktiv, krijues dhe etikisht konstruktiv.

Këto poezi, në të vërtetë, edhe një herë konfirmojnë lidhjen e pashmangshme midis letërsisë dhe globalizmit si të qenësishme në letërsinë moderne botërore, dhe gjithnjë e më shumë të pranishme edhe në skenën vendore letrare, pra edhe në përkthime. Nga libri në libër, ky poet ambicioz dhe i talentuar zgjeron shkallën ideo-tematike të këndimit dhe përshkrimit lirik, duke i siguruar asaj një dozë shtesë reflektimi, spiritualiteti, angazhimi dhe atdhetarizmi vendor.

Marrë në tërësi, poezitë e tij, janë shumë të qarta dhe të kuptueshme me një integritet të thjeshtë logjik e konceptual të fjalëve dhe metaforave, të cilat në transformimin sintetik të parimeve moderne poetike duken shumë origjinale dhe impresive.

Nuk është e vështirë të vihet re që Tafa, si poet, është shumë i rreptë dhe rigoroz, ai nuk është një harxhim i fjalëve dhe i ideve. Ai është i përmbajtur dhe i ndjeshëm kur shkruan për gjithçka që është në fokus të interesit dhe përjetimit të tij, duke mos harruar që ndonjëherë të luajë me pamjen grafike të këngës, me shenjat e pikësimit dhe përcaktuesit e zhanrit. Ky mozaik poetik është kompozuar me shkathtësi dhe me frymëzim, me një rritje të lehtë në intonacionin retorik dhe emocionaliteti eterik, gjë që tregon qëndrueshmërinë gjuhësore dhe energjinë e kondensuar të narracionit melodramatik.

Lulzim Tafa, Bersa e Roslipeimaske, poezi, botim në gjuhen rome, Romani Emancipacia, 2020, fq 100

(Autori është shkrimtar dhe studiues i njohur Rom)

Fotografi të rralla nga vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri (FOTO)

Bekim Fehmiu ose më qartë aktori i madh i “Odisesë” në rolin e Uliksit në krah të Irene Papas, njohur nga shqiptarët më vonë si një hero kinematografie, ka vizituar Shqipërinë në vitin 1972.

Ishte akoma një kohë “liberalizmi” dhe akoma nuk kishte filluar goditja vdekjeprurëse  artit dhe kulturës në Shqipëri nga Enver Hoxha, e në këtë fazë, është lejuar edhe vizita e një aktori të tillë të madh, në vëndin më të izoluar ndoshta të të gjithë botës. Në një fletë të muzeut të atëhershëm në Shkodër, në datën 30 prill 1972, aktori i madh shqiptar shkruan me dashuri për Shkodrën: Jam i lumtur që mbas tridhjetë e nji vjetë të gjindem në Shkodër, në qytet ku kam kaluar vitet e para të fëminisë s’ime, rrajët kishin qënë të thella dhe të pa shpërngulta…..Bekim Ibrahim Fehmiu….Shkodër me 30-Prill. 1972.

Një gjuhë e bukur në një shqipe të veriut dhe sidomos shprehja “ të pa shpërngulta” në atë kohë ishin shumë domethënëse për të gjithë ato që kishin mundësi ti lexonin. Një dedikim dhe përshtypje e ndjerë e një kosovari “gjysëm shkodran” me origjinë nga Gjakova, që kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij dhe fillimin e shkollës në qytetin e Shkodrës. I jati tij Ibrahim Fehmiu, i lidhur me patriotët anti serbë, por edhe me një përndjekje të gjatë, ka qenë një mësues si në vitet 20-të, por edhe një qytetar i Shkodrës në vitin 39-të dhe drejtor didaktik i shkollave fillore.

Sikundër thotë dhe djali i aktorit të madh që tashmë nuk jeton Uliksi, emrat e fëmijëve të Ibrahimit ishin vënë kështu: Vajza më e madhe u quajt Besa, fjalë e nderit, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa do të thoshte shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim, djali i parë, në kuptimin e bashkimit të shqiptarëve; Arsim, arsimimi i popullit; Fatmir, fat i mirë për popullin; Bekim, babai im, donte të thoshte bekimi i popullit; Afërdita, agimi është afër për popullin shqiptar dhe Luljeta, lulja e jetës.

Afërdita është edhe vajza që ka lindur në Shkodër. Por një pjesë e madhe  e fëmijëve kanë qënë në shkollë në qytetin e madh verior në shkollën “Skanderbeg” të lagjes Rus. Bekimi është larguar nga Shkodra në vitin 41 dhe në këtë mënyrë ai shkruan i qartë dhe mungesën prej 31 vitesh në qytetin ku ka mësuar për herë të parë të lexojë.

Në Shkodër në atë kohë, edhe pse me një kujdes të madh nga ana e autoriteteve si të partisë e cila kontrollonte gjithshka dhe më në prapavijë atyre të sigurimit, e kanë pritur me një gëzim dhe respekt të madh njerzit, sidomos ato të kulturës dhe artit. E gjithë trupa e teatrit “Migjeni” dhe pjesët intelektuale të qytetit, por dhe kulturës në veçanti, kanë mundur të jenë afër tij. Shoqëruesi i përhershëm i Fehmiut ka qënë drejtori i atëhershëm i teatrit Jovan Vojushi që nuk jetom më. Fehmiu i veshur në mënyrë të kohës, por tepër serioz, ka dalë në disa dhjetra foto me të ndjerët Serafin Fanku e Tano Banushi, Vitore Nino e Bep Shiroka, por edhe Bik Pepa e Mërgim Muhja si dhe të tjerë, të cilët nuk janë më. Janë në foto në një gëzim të veçantë shumë artistë të skenës shqiptare, letrarë dhe kompozitorë e këngëtarë të Shkodrës.

Janë në foto me Fehmiun, Fadil Kraja, Esat Kola, Ymer Bala dhe Katrina Biga, Bik Ndoja dhe Mark Kaftalli, Paulin Preka dhe i riu Zef Deda në atë kohë, e vogla e asaj kohe Violeta Zefi, por dhe Bruno Shllaku etj etj. Me aktorin e madh janë shumë e shumë artistë, dhe patjetër Fehmiu ka takuar ose më mirë të themi është lejuar të takojë edhe qytetarë të ndryshëm në rrugët e Shkodrës. Ai ka takuar edhe bashkëshorten e Bajram Currit dhe familjen e saj në Shkodër, ka vizituar Muzeun e Shkodrës, dhe ka takuar shumë njerëz të historisë dhe letrave, në mes tyre edhe prof Karahman Ulqinin, por edhe shumë të tjerë, dhe është interesuar në mënyrë të veçantë për historinë. Në një nga sektorët ku ka qënë edhe historia e Gjergj Kastriotit, Fehmiu i emocionuar shumë, ka kujtuar se “duhet një film i madh i luajtur nga një shqiptar për Skënderbun” dhe nga kjo batutë, ka dalë edhe e thëna e asaj kohe, se Bekim Fehmiu, ka kërkuar të luajë Skënderbun.

Në fakt, Fehmiu ka treguar se nuk ka një film për Skënderbeun, të luajtur nga një shqiptar, duke ditur se aktori i filmit të realizuar kryesisht nga sovjetikët, ishte një aktor gjeorgjan. Vizita e Fehmiut, ka bërë një bujë të madhe në qytetin e Shkodrës dhe duhet thënë se në atë kohë një aktor i tillë, i përmasave të mëdha, që kishte luajtur një nga filmat më të realizuar për “Odisenë”, është parë edhe me interesin e madh të një “lirie” dhe kontakti me botën. Fehmiu ka vizituar edhe në shtëpinë e dikurshme, dhe është interesuar edhe për të dhëna të tjera mbi familjen dhe sidomos të jatin e tij.

Është interesuar për të shkuarën e familjes dhe miqësitë e dikurshme, apo edhe për emra të komshive. Bekim Fehmiu në atë kohë pinte shumë cigare, dhe në një rast i kanë afruar një cigare nga markat e reja të prodhimit të fabrikës së Shkodrës, e batuta e asaj rradhe ka qënë sipas njerzve prezent në takimet me të: Ky po, që është duhan i fortë, dhe i pastër si vetë ky qytet. Një ditë mbas Bekim Fehmiu mori pjesë në tribunë në paradën e “1 Majit” në Tiranë dhe normalisht që tërhoqi vëmëndjen e madhe të njerzve, që vizitën e tij, e shikonin si një premisë të një lëshimi nga diktatura.

Pandemia rëndoi gjendjen e fëmijëve në Kosovë

Gjendja e fëmijëve në Kosovë është rënduar edhe më tej pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime sociale, ndërkaq shumë të tjerë po shfrytëzohen për punë të rënda, e në raste të tjera edhe po trafikohen. Niveli lokal nuk e ka prioritet një gjë të tillë, ndonëse edhe buxheti që ndahet, nuk mjafton as për subvencionim.

Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku KOMF ka publikuar raportin e monitorimit “Komuna ime, e drejta ime sociale”.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, fëmijët në këtë ditë ndërkombëtare janë në gjendje edhe më të rëndë.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime. Po ashtu fëmijët të cilët janë të përfshirë në punët e renda po abuzohen dhe po janë pre e trafikimit. Fëmijët nuk po trajtohen me prioritet as nga qeveria e komunat. Ligji për mbrojtjen e fëmijëve është aprovuar me 29 qershor vitin e kaluar. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi ne korrik. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm, në Kosovë gjendja sociale është rënduar. Pikët e dobët mbesin shërbimet sociale sidomos për fëmijët”, tha Kelmendi.

Bukureza Surdulli nga KOMF tha se për këtë raport kanë monituar 7 komuna të Kosovës.

Sipas saj, për shkak të mos implementimit të procesit të decentralizimit, në ministrinë e punës shumë persona mbesin pa shërbime.

“Mos vullneti politik nga niveli qendror dhe lokal, dhe kështu nuk është implementuar procesi i decentralizimit. Komunat nuk ndajnë buxhet për shërbime sociale. Deri më tani nuk është bërë postimi i shërbimeve sociale, kur ndahet buxheti nuk dihet se sa do të jetë shuma në bazë të nevojave. Sa i përket buxhetit të ndarë nga komunat, ndajnë disa fonde ne formë të subvencioneve për OJQ-të që këto shuma janë të pakta dhe nuk mjaftojnë”, tha Surdulli.

KOMF vlerëson se duhet të fuqizohet komunat dhe qendrat sociale dhe se niveli lokal duhet të ketë persona të profilizuar të cilët merret vetëm me qendrat sociale./ KultPlus.com

Lady Gaga e quan presidentin Donald Trump një “budalla dhe racist”

Ylli i hitit “Poker Face”, Lady Gaga, së fundmi shpërtheu nga mllefi dhe reagoi si një person i zakonshëm në Amerikë, duke e akuzuar presidentin Donald Trump për dështim në udhëheqjen e duhur të shtetit, për shkak të paragjykimeve të tija personale.

Gaga insistoi duke thënë se nuk dëshiron të nxisë më shumë zemërim, sidomos pas vdekjes së George Floydit i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ngjarje kjo e cila zuri vend javën e kaluar dhe e cila nga atëherë ka shkaktuar protesta të dhunshme në mbarë vendin.

Këngëtarja thotë se dëshiron të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e fundit të krijuar në Amerikë, transmeton Koha.

Ajo e postoi një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale ku ka shkruar: “Kam shumë gjëra për të thënë, por kam frikë të them diçka që do të mund të nxiste më shumë zemërim, edhe pse ky është emocioni më i arsyeshëm në këtë situatë. Nuk dua të kontribuojë në shkaktimin e më shumë dhune, sepse dua që së bashku ta gjejmë një zgjidhje për problemin e racizmit në Amerikë. Jam e prekur tej mase nga vdekja e George Floydit, njësoj sikurse personat e shumë afrikano-amerikan të cilët i kemi humbur gjatë vjetëve në këtë shtet, si rezultat i racizmit sistematik dhe sistemit të korruptuar që e përkrahë atë. Zërat e komunitetit të zezakëve në vendin tonë janë heshtur për një kohë shumë të gjatë, dhe kjo heshtje ka rezultuar me vdekje të njëpasnjëshme. Pavarësisht se çfarë bëjnë për të protestuar, ata ende përballen me jo dhembshuri nga liderët e shtetit të cilët kanë për detyrë t’i mbrojnë ata. Njerëzit e zakonshëm në Amerikë janë racist, dhe ky është një fakt i padiskutueshëm. Ne kemi kohë të gjatë që e dimë se presidenti, Donald Trump, ka dështuar në punën e tij. Ai e udhëheq një prej zyrave më të fuqishme në botë, dhe sërish nuk ofron asgjë për popullin e këtij vendi, përveç injorancës dhe paragjykimeve derisa jetët e afrikano-amerikanëve vazhdojnë të rrezikohen. Ne e dimë që ai është një budalla dhe racist. Ai po e ushqen një sistem që tashmë është i rrënjosur në racizëm, dhe të gjithë po e shohim se çfarë po ndodhë me vendin tonë. Është koha për ndryshim.”

Ylli 35-vjeçar i muzikës ka deklaruar se do të vazhdoj ta shfaq dashurinë dhe përkrahjen e saj ndaj komunitetit afrikano-amerikan, si dhe premtoi se do ta bëjë të pamundurën për të bërë thirrje për ndryshim.

Gaga po ashtu tha se të gjithë personat e privilegjuar në Amerikë, nuk kanë bërë sa duhet për ta luftuar racizmin dhe për t’i përkrahur qytetarët e tjerë të cilët po vdesin si pasojë e racizmit në vend.

Polici Derek Chauvin i cili në pamjet e incizuara me telefona mobil nga disa kalimtarë të rastit, shihet duke qëndruar me gju mbi qafën e George Floydit për nën minuta, pavarësisht se ai po i lutej të largohej ngase nuk po mund të merrte frymë.

Nga atëherë, ai së bashku me policët e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje janë pushuar nga puna, si dhe Chauvin është paditur për vrasje. / KultPlus.com

84 vjetori i lindjes së ikonës shqiptare të filmit, Bekim Fehmiut


Më 1 Qershor të vitit 1936, u lind në Sarajevë, i mbështjellë me pëlhurë (kënishëz), që thonë se ashtu lindin njerëzit me fat. Më 1939 u transferua në Shkodër, kurse kah mesi i vitit 1941 në Prizren.

Si nxënës i gjimnazit të Prizrenit i bëri hapat e parë të aktrimit në Shoqërinë “Agimi” dhe Teatrin e qytetit, kurse më 1955 u pranua si aktor profesional në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë. Ëndërronte të bëhej aktor i madh dhe i njohur në botë, prandaj në vjeshtë të vitit 1956, pas dhënies së provimit pranues, regjistrohet në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, në klasën e profesorit Mata Millosheviq, ku diplomon më 1960, me notën më të lartë dhe bëhet aktori i pare shqiptar me akademi.

Menjëherë u pranua në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd, ku në një konkurrencë tejet të madhe nuk ishte lehtë që një shqiptar të fitonte role të mëdha, por edhe ato dytësore që i luante, shquhej me talentin e tij të rrallë. Rolet e personazheve më të njohura të dramave: Hamletin, Riçadrin e tretë, Otelon, etj…i luante në banesë, vetëm, pa publik.

Roli i romit ‘Beli Bora’, në filmin “Mbledhësit e puplave”, në festivalin e Kanës, më 1967, i nominuar edhe për Çmimin “Oskar”, ia hapi dyert e kinematografisë botërore, kurse seriali televiziv ODIESU (1968) e bëri të famshëm, për çka edhe kërkohej nga regjisorë e producentë të njohur në filmat e të cilëve luajti role kryesore bashkë me aktorë më të mëdhenj të filmit.

Ishte aktori i pare që e shpërtheu perden e hekurt të diktaturës komuniste të Evropës Lindore, dhe luajti në shumë filma e seriale televizive. Aktori në shumë gjuhë në ish republikat jugosllave, Itali (ku ishte më i njohur), SHBA, Gjermani, Francë, Çekosllovaki, Tunizi… Ndërsa filmat e tij u shfaqen në të gjitha kontinentet dhe të titulluar në gjuhë të ndryshme.
E arriti kulmin në profesion dhe u bë njëri nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të filmit në shekullin XX, me përmasa botërore. Por nuk aktroi në shqip që mbeti ëndrra e tij e parealizuar.

Kishte jetë të Odiseut. E luajti aktin e fundit të dramës që quhet JETË, (15.06.2010) por prapa perdes, pa publik: skenarist, regjisor dhe aktor kryesor i së cilës ishte ai vet!!!

Dhe serish u kthye në Prizren, prej nga u mis në vjeshtën e vitit 1956, në urnën me hirin e trupit që, sipas dëshirës së tij, të hidhet në lumin Bistricë, përmes tij do të derdhej në Drin e Bunë dhe të arrijë në Detin Adriatik, dhe detet e oqeanet tjera të botës… ODISEU iu kthye Itakës: UJIT, DHEUT dhe QIELLIT të PRIZRENIT të cilin e ka dashur aq shumë, por ai nuk ia ktheu këtë dashuri… Ishte kjo estetika e jetës dhe e vdekjes së aktorit të madh…

Mbeti HESHTJA me të cilën BEKIMI ka jetuar gjatë 20 viteve të fundit. Dhe kujtimi i amshueshëm por edhe injorimi i çuditshëm, që vazhdon t’i bëhet atij nga pushtetet e nivelit lokal e qendror të Kosovës, edhe në këtë vit jubilar!
Shqiptarët ta falin çdo gjë, por suksesin JO. Të vetin e vrasin dy herë (të gjallë e të vdekur), kurse të huajin e lartësojnë në majat më të larta!

Por shkëlqimi i figurës dhe veprës së Bekimit nuk do të zbehet kurrë. Me fat ditëlindja e Bekimit të gjithë dashamirëve dhe adhuruesve të tij./ Fahri Musliu / KultPlus.com

Trumpi është futur në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë gjatë protestave

Sipas disa raportimeve, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është vendosur në bunkerin nëntokësor të Shtëpisë së Bardhë të premten në mbrëmje, kur protestuesit po përplaseshin me policinë dhe agjentët e Shërbimit Sekret jashtë ndërtesës së famshme.

Gazeta “The New York Times” raportoi të dielën se kreu i Shtëpisë së Bardhë është dërguar në bunker pasi protestuesit i larguan barrikadat afër portave të Shtëpisë së Bardhë të premten në mbrëmje.

 Sipas televizionit “CNN”, presidenti ka qëndruar aty për rreth një orë para se të kthehej në zyrë. Nuk është e qartë nëse atë e kanë shoqëruar bashkëshortja Melania dhe djali Barron, shkruan “The Hill”, transmeton Gazeta Express.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk i kanë komentuar këto raportime, ndërsa Shërbimi Sekret nuk ka folur për shkak të shqetësimeve operacionale. Presidenti Trump e akuzoi kryetaren e Uashingtonit, Muriel Bowser, se nuk e ka lejuar policinë lokale që të ofrojnë ndihmë për agjentët e Shërbimit Sekret.

Sidoqoftë, Shërbimi Sekret përmes një deklarate tha se policia amerikane e parqeve dhe policia metropolitane e kryeqytetit kanë qenë në vendin e ngjarjes të premten në mbrëmje.

Protesta në Uashington ishte në mesin e shumë protestave të tjera që shpërthyen pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestimit nga policia.

Bowser reagoi ndaj akuzave të presidentit, duke thënë se qëndron me protestuesit që po kërkojnë drejtësi për këtë rast dhe u zotua se policia e kryeqytetit do t’i mbrojë të gjithë banorët. / KultPlus.com

Rama: Sot festa e 1 qershorit është vetë rikthimi në kopsht dhe çerdhe

Në 1 Qershor, pikërisht në ditën e festës së tyre, fëmijët do të rikthehen sot në çerdhe dhe kopshte.

Kryeministri Edi Rama ka uruar të vegjlit në këtë ditë të veçantë për ta.

“Mirëmëngjes! Sot festa e 1 qershorit është vetë rikthimi në kopsht dhe çerdhe. Gëzuar fëmijëve, prindërve, gjysheve e gjyshërve”, shprehet Rama ndërsa ka publikuar edhe një foto të disa fëmijëve teksa pikturojnë.

1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, në Shqipëri dhe në mbarë botën, u kushtohet fëmijëve me aktivitete festive.

Dita e fëmijëve është vendosur më datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë në 1925. / KultPlus.com

Sot 1 Qershori, Dita Botërore e Fëmijëve

Sot të gjithë fëmijët gëzojnë festën e tyre, 1 Qershorin. Më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve dhe shtetit. Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjithë qytetet.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre. Dritare.net iu uron gëzuar festën, fëmijë! / KultPlus.com

Ky qytet po ofron hotele, ushqim dhe marrje makinash me qira falas pas koronavirusit

Me shumicën e botës në izolim, industria e turizmit është goditur tej mase.

Derisa shtetet fillojnë të rihapen, disa vende ofrojnë zbritje për të inkurajuar vizitorët të kthehen, shkruan Metro.

Vendi i fundit për të ndjekur idenë e ofrimit të shërbimeve falas është qyteti i Cancún në Meksikë. Pika e nxehtë e pushuesve ka plazhe të gjata dhe zakonisht është e mbushur me vizitorë.

Meksika planifikon të rihapë turizmin në zonë nga 8 qershori dhe kjo iniciativë do të fillojë një javë më vonë në mbarë shtetin, më 15 qershor.

Sigurisht, FCO ende këshillon që të mos udhëtohet nga jashtë.

Gjithashtu, vendi do ofrojë hotele falas për dy netë, ushqim falas, bashkë me marrjen e veturave me qira.

Roberto Cintron, Presidenti i Shoqatës së Hoteleve në Cancun, Puerto Morelos dhe Isla Mujeres, deklaroi se kjo metodë po shfrytëzohet për rimëkëmbje të turizmit.

“Ideja është dizajnuar për të riaktivizuar pushimet në destinacionet tona pas krizës së shkaktuar nga Covid-19”. / KultPlus.com

Pianisti gjerman me koncert 20-orësh për gjendjen e artistëve gjatë pandemisë

Pianisti gjerman është bërë gati për të filluar koncertin maratonik që zgjat 20 orë të shtunën, në të cilin ai do të luajë një vepër të vetme muzikore për të ngritur vetëdijen në lidhje me gjendjen e vështirë të artistëve gjatë pandemisë.

Igor Levit do të luajë “Vexations” nga Erik Satie, një nga veprat më të gjata në historinë e muzikës, që përbëhet vetëm nga disa nota që luhen 840 herë.

“Këto kohë janë brutale për artistë, si në aspektin fizik, atë mental dhe emocional. Prandaj, kjo pjesë funksionon shumë mirë, sipas mendimit tim për të rritur vetëdijen për atë që po kalojmë”, ka thënë Levit për agjencinë telegrafike të Gjermanisë.

Pianisti do të luajë notat e tij të para në ora 02:00 të mëngjesit dhe të fundit në mbrëmjen e së shtunës. Do të transmetohet live nga një studio në Berlin përmes disa kanaleve nëpër rrjete sociale, përfshirë edhe llogaritë e 33-vjeçarit në Instagram dhe Twitter.

Vepra muzikore e vitit 1893 nga Satie (1866-1925) përbëhet nga një temë e shkurtër dhe variacione, dhe të gjitha notat e saj janë të shkruara brenda një faqeje. Sipas pianistit Levit, është diçka që të kujton një “britmë të heshtur” gjatë monotonisë së saj.

“Artistët kanë nevojë për skenë. Situata e tanishme është jashtëzakonisht e vështirë dhe këtu flas edhe për veten time, po ashtu”, ka shtuar ai. “Pamja është e errët, duke vënë në pah këtu rregullat për ngjarje kulturore”.

Më 10 mars, Levit ka luajtur koncertin e tretë dhe të pestë të Beethovenit në “Elbphilharmonie” në Hamburg. Ishte ditëlindja e tij dhe koncerti i tij i parë para një audience virtuale për të ardhmen e paparashikueshme.

Ditën tjetër, kancelarja Angela Merkel njoftoi për të ardhmen e paqartë pasi që vendi filloi të mbërthehet nga novela e koronavirusit. Brenda disa ditëve një mbyllje kombëtare u shpall për të mbajtur nën fre rastet, duke anuluar mbledhjen e një numri të madh të njerëzve. Që atëherë, Levit ka mbajtur më shumë se 50 performanca nga shtëpia. / DW/ KultPlus.com

Majlinda Kelmendi: Shtyrja e Lojërave Olimpike lajm i mirë për mua

Pandemia e koronavirusit ka pezulluar të gjitha aktivitet sportivë në Kosovë, këtu duke përfshirë edhe sportin e xhudos.

Kjo ka ndikuar mjaft shumë edhe në formën e kampiones olimpike, Majlinda Kelmendit, e cila ka qenë e karantinuar së bashku me ekipin olimpik të Kosovës për më shumë se 11 javë, në qendrën stërvitore në qytetin e Pejës.

Kelmendi në një intervistë për KosovaPress, ka përshkruar kohën e karantinës, duke u shprehur se kanë pasur vështirësi të mëdha në ditët e parë, mirëpo më pas janë mësuar duke qëndruar së bashku me trajnerin Driton Kuka dhe pjesën tjetër të ekipit.

“Mund të them se në fillim ka qenë pak e vështirë, por pas disa javësh jemi mësuar, jemi adaptuar. Pjesa më e vështirë ka qenë ajo që nuk e kemi pa familjen, mirëpo sa i përket stërvitjeve kemi ushtruar mjaft mirë, në krahasim me vendet tjerat të cilat nuk kanë munduar me ushtru aspak”, tha Kelmendi.

Covid-19 ishte gjithashtu shkaktari i shterjes për një vit të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, mirëpo një vendim të tillë, Kelmendi e cilësoi si një lajm të mirë për të duke parë edhe formën në të cilën ajo është duke kaluar.

“Për mua personalisht ka qenë lajm i mirë duke e marrë parasysh që kam pas probleme me disa lëndime kohëve të fundit dhe po mendoj që kam kohë të përgatitemi më mirë”, deklaroi ajo.

Kelmendi gjithashtu u shpreh se i kanë munguar shumë garat, si asaj, ashtu edhe pjesës tjetër të ekipit, ndërsa për të ardhmen potencoi se nga ajo duhet të priten vetë suksese të mëdha, e sidomos në Lojëra Olimpike, atje ku edhe synon medaljen e dytë të artë në karrierën e saj.

“Mos me rrejt kam pasur shumë stres këto kohët e fundit dhe kam pasur nevojë që të pushoj. Këtë e kam vërejtur gjatë karantinës. Tash ia ka nis me më munguar por gjatë këtyre tre muajve s’mund të them se më kanë munguar shumë, se thjesht kam pushuar, jam relaksuar dhe e kam pas jetën ashtu komplet pa stres dhe tanimë kam filluar të ndjej mungesën… Po unë po vazhdoj me punu, me ushtru shumë seriozisht dhe po mendoj që duhet të presim vetëm suksese”, përfundoi Kelmendi.

Kujtojmë që Majlinda Kelmendi së bashku me trajnerin e saj, Driton Kuka kanë qenë shumë të zëshëm në kërkesën e tyre për lirimin e masave, sidomos për sportistët të cilët është dashur ta mbanin formën e tyre në nivel të lartë me stërvitje jo të zakonshme gjatë pandemisë së koronavirusit. / KultPlus.com

Ata që dashurojnë akoma

Poezi nga Fatos Arapi

Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë. / KultPlus.com

Vizitorët rikthehen në Apoloni, simbiozë e shkëlqyer e trashëgimisë kulturore dhe natyrës

Pas lehtësimit të masave kundër COVID-19, vizitorët janë rikthyer në Apoloni të Fierit, në një nga parqet arkeologjike të mrekullueshme të vendit, ku natyra dhe trashëgimia kulturore janë në një simbiozë të shkëlqyer.Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar një seri fotosh ku shihen vizitorë, që tregojnë interes për objektet arkeologjke që janë ekspozuar aty, ambientet e amfitetarit dhe që shkrepin aparatin për të fiksuar momentet e bukura nga ky park.

Me një kolazh të pasur asetesh të çmuara që nga Muzeu Arkeologjik, te Manastiri i Shën Mërisë, Monumenti i Agonotetëve, Biblioteka, Odeoni  etj parku arkeologjik ka kaq shumë për të parë dhe ngjall interes të veçantë në çdo kohë. Atsh / KultPlus.com

Ndërron jetë “Mjeshtri i madh” i këngës dibrane Qerim Sula

Këngëtari i njohur nga Dibra, Qerim Sula, ndërroi jetë sot në moshën 69-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Sula ishte një nga këngëtarët më të njohur të zonës së Dibrës, ndërsa është vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i madh”.

Edhe pse mbaroi shkollën mekanike, Sula  ishte i dashuruar dhe i përkushtuar për muzikën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zalldardhës, ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”.

Një vit më pas, më 1968 bën prezantimin e parë në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, “Kënga e Lam Dacit”, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000.

Ai është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble, si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë. Ka kënduar në shumë skena të vendit, por edhe jashtë shtetit, si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj.

Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kukësi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitet kombëtare. Ka realizuar dy albume me këngët më voluminoze dibrane.

Theodore Roosevelt: Mbaji sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë

Shprehje mbi ëndërrat, shpresën dhe faljen.

“Shumë nga ne nuk janë duke jetuar ëndrrat e tyre, sepse kanë zgjedhur të jetojnë frikërat e tyre”.” – Les Brown

“Unë nuk jam produkt i rrethanave të mia. Unë jam produkt i vendimeve të mia”. – Stephen Covey

“Mënyra më e zakonshme që njerëzit të japin gjithë fuqinë që kanë, është duke menduar se nuk kanë aspak fuqi”. – Alice Walker

“Njohuritë nuk janë të mjaftueshme, ne duhet t’i aplikojmë ato. Dëshirat nuk mjaftojnë, ne duhet t’i realizojmë ato”. – Leonardo da Vinci

“Kur isha 5 vjeç, mamaja më thoshte përherë se lumturia ishte çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, më pyetën një herë se çfarë doja të bëhesha kur të rritesh, dhe unë shkruajta “Lumturi”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën dhe unë u përgjigja se ata nuk e kuptonin jetën”. – John Lennon

“Kur gjithçka duket sikur po shkon kundër teje, kujtohu se aeroplani shkon gjithë kohës kundër erës, jo në të njëjtin drejtim me të”. – Henry Ford

“Mos e lejo të djeshmen të zërë shumë vend në të tashmen”. – Will Rogers

“Ndaje mendjen se pavarësisht çdo gjëje që do të kalojë në rrugën tënde, pavarësisht se sa e vështirë të jetë, sa e padrejtë të jetë, ti do të bësh më shumë se sa thjesht të mbijetosh. Ti do të lulëzosh pavarësisht situatave të tilla”. – Joel Osteen

“Unë besoj tek të qëndruarit të fortë, kur gjithçka duket sikur po shkon gabim. Unë besoj se vajzat e buzëqeshura janë më të bukurat. Unë besoj se e nesërmja është një ditë tjetër dhe unë besoj tek mrekullitë”. – Audrey Hepburn

“Unë i dua njerëzit që buzëqeshin në probleme, që marrin fuqi në strese, që rriten me reflektim. Të kundërtat i bëjnë vetëm ata që kanë mendje të vogla, ndërsa ai që ka një zemër të vendosur, do t’i ndjekë parimet e tij deri në vdekje”. – Thomas Payne

“Mbaji sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë”. – Theodore Roosevelt

“Personi i vetëm me të cilin duhet të krahasohesh dhe të jesh më i/e mirë, është personi që ti ishe dje. Bëhu sot një version më i mirë i tij”. – Anonim

“Jeta është shumë misterioze për ta marrë në mënyrë serioze”. – Mary Engelbreit

“Askush nuk mund të të bëjë të ndihesh inferior/e pa lejen tënde”. – Eleanor Roosevelt

“Nuk ka rëndësi se sa dëm u bën të tjerëve, por sa shumë të dëmtojnë ty dhe ti sërish të vazhdosh të ecësh përpara”. – Rocky Balboa

“Nëse do të shkosh shpejt diku, shko i vetëm. Nëse do të shkosh larg, shko në shoqëri”. – Proverbë afrikane

“Bëj atë që të duket e drejtë në zemrën tënde. Të tjerët do të të gjykojnë gjithsesi”. – Eleanor Roosevelt

“Ne jemi ajo çfarë bëjmë vazhdimisht. Përsosmëria pra, nuk është një art, por një zakon”. – Aristoteli

“Nëse punon fort dhe sillesh mirë, gjëra të mrekullueshme do të të ndodhin”. – Conan O’Brien

“Çdo gjë e mirë është e vështirë. Nëse do të ishte e thjeshtë, çdokush do ta dëshironte”. – Jimmy Dugan

“Falja nuk e ndryshon të shkuarën, por mund të zgjerojë të ardhmen”.

“Të falësh do të thotë ta lësh të lirë një të burgosur dhe të kuptosh se i burgosuri ishe ti”.

“Le ta falim njëri-tjetrin, sepse vetëm atëherë mund të jetojmë në paqe”.

“Ai që është i mirë në falje, duhet padiskutim të jetë i mirë edhe në harresë”.

“Të mbash inate nuk të bën më të fortë, por më të hidhur. Të falësh nuk të bën më të dobët, të bën më të lirë”.

“Kur dikush bën diçka gabim, fale duke mos i harruar gjithë gjërat e mira që ai ka bërë”.

“Falja nuk është përherë e lehtë. Ndonjëherë ajo ndihet më e dhimbshme se plaga që kemi marrë, nga mendimi se po falim dikë që e ka shkaktuar atë plagë. Dhe përsëri, duhet të dimë se nuk ka paqe pa falje”.

“Fali të tjerët jo sepse ata e meritojnë faljen, por sepse ti e meriton paqen”.

“Të falësh dikë mund të të ulë krenarinë, por mos ta falësh atë mund të kushtojë ty lirinë”.

“I dobëti nuk mundet asnjëherë që të falë. Falja është një atribut i të fortit”.

Kalaja e Skënderbeut me punime dhe në pritje të gjallërimit prej vizitorëve

Pavarësisht situatës së vështirë nga COVID-19 dhe dëmeve të tërmetit, Kalaja e Krujës vijon të mirëmbahet.

Hapësirat e gjelbra, kalldrëmet në rrugicat e kalasë dhe muret shekullore pastrohen nga bimësia, duke ofruar një pamje të qetë dhe relaksuese.

Kjo pasi prej vitit 2019, Kalasë së Krujës iu shtua një mirëmbajtës i cili është dhe banor i Kalasë.

Shkëlzen Topçiu, mirëmbajtësi i kalasë shprehet për ATSH-në “se unë po pastroj shtëpinë time, këtu jam lindur e rritur”.

Ai shton se “këtë punë e kam bërë kur isha emigrant në Itali, por këtu është ndryshe dhe ora ime e punës nis në orën 5 të mëngjesit”.

Lajm po i mirë është se edhe në qytetin antik të Albanopolisit, në vendbanimin Ilir, pas 30 vitesh është punësuar një mirëmbajtës.

Prej 15 shekujsh, Kalaja qëndron mbi një kodër shkëmbore, dëshmitare e luftrave dhe e jetës së egër të qytetit të Krujës, një herë e një kohë, qendra e shtetit të Arbrit. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi,ndërsa pranë saj ndodhet Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut.

Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavijone të tilla si pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princërve, e pinokotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë. Atsh / KultPlus.com

Rama për Teatrin e ri: Sot ka hyrë në Europë me hapësirën e kushtet e reja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e sotëm e ka filluar me një video për Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Rama shkroi se Teatri i Operas e Baletit të Shqipërisë ka nxjerrë yje me famë botërore dhe se sot ka hyrë në Europë me hapësirën e kushtet e reja, njofton Klan Kosova

“Nesër, do të hyjë po kështu në Europë me hijeshi e dinjitet, edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që gjatë tërë jetës së vet nuk ka pasur dot një të ftuar për shkak të kushteve prej hauri kafshësh, ku dhanë shpirt të mëdhenjtë e skenës shqiptare dhe ku publiku s’e pati kurrë dot, dinjitetin e konsumatorit të ushqimit shpirtëror”, shkroi mes tjerash Rama.

Postimi i plotë i Ramës:

MIRËMËNGJES

me këtë provë shembullore të vizionit e ambicies sonë për institucionet kombëtare të artit e të kulturës në Shqipërinë e shekullit XXI, ku shihet fare qartë edhe dallimi i madh mes dy botëve që u përplasën për Teatrin e Ri Kombëtar…

Teatri i Operas e Baletit të Shqipërisë që ka nxjerrë yje me famë botërore, sot ka hyrë në Europë me hapësirën e kushtet e reja dhe skena me sallën e saj nuk është më një vrimë e ftohtë për artistët dhe publikun, po një vatër kënaqësie për krijuesit dhe dashamirët e atij teatri.

Nesër, do të hyjë po kështu në Europë me hijeshi e dinjitet, edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që gjatë tërë jetës së vet nuk ka pasur dot një të ftuar për shkak të kushteve prej hauri kafshësh, ku dhanë shpirt të mëdhenjtë e skenës shqiptare dhe ku publiku s’e pati kurrë dot, dinjitetin e konsumatorit të ushqimit shpirtëror…

Industria e muzikës i bashkohet protestave pas vrasjes së George Floydit

Warner, Universal dhe Dirty Hit janë disa nga shtëpitë diskografike të cilat po i bashkohen lëvizjes, shkruan revista NME.

Disa nga shtëpitë diskografike dhe figura tjera të industrisë së muzikës janë duke planifikuar ç‘kyçje nga mediat sociale të martën, më 2 qershor, në solidaritet me komunitetin afro-amerikan në SHBA.

Mesazhet e ndara nga Warner, Universal, Dirty Hit dhe tjerë kanë planifikuar “të ç‘kyçemi nga puna dhe të lidhemi me komunitetin tonë” për një ditë, hap “urgjent i veprimit për të nxitur përgjegjshmëri dhe ndryshim”.

Ky vendim vjen për shkak të vrasjes së George Floyd në Minneapolis, Minnesota në fillim të javës që shkoi, transmeton KOHA.

“Si roje të kulturës, është përgjegjësia jonë që të bashkohemi jo vetëm gjatë fitoreve, por edhe të mbajmë njëri tjetrin gjatë humbjes. Bashkohuni me neve më 2 qershor si ditë për tu shkëputur nga puna dhe për t’u bashkuar me komunitetin,” thuhet në mesazhin e përbashkët.

Veprat shqipe të botuara në Zarë të Kroacisë

Shkruan: Sinan Gashi

Duke qenë fati i krijuesit letrarë shqip tarë i lidhur edhe me fatin e krijimit të veprës së tij, ajo shte- gtoi gjithandej hapësi-rave të botës. Kështu, shumë vepra, në mos ato që ishin të parat si histori botimi, kishin zënë fil;;ë në Romë, o në Vjenë, o në Stamboll, o në Bruksel, o në Bukuresht, o në Nju Jork, o në Mynih e tjerë.

Atje i shpuri fati nëpër fërfllazat e kohëve personalitetet tona, të vetëdijes së lartë kombëtare dhe të aftësive e dhuntive të dëshmuara intelektual e e krijuese.

Kësisoj, edhe në Zarë të Dalmacisë (Kroaci), kur që nga vitet ‘700 të shekullit që lamë pas, ku ishte bërë një strofull i disa grupeve të shqiptarëve të ndjekur nga lokalitete e Rrethit të Shkodrës, kishte frymuar, me vështirësi, fjala shqipe, sa edhe ishte bërë përpjekja që edhe aty të mësohej, shkruhej e botohej në gjuhën shqipe. Aty madje ishte nisur një iniciativë për ta nxjerrë një të përkohshme në gjuhën shqipe, që qe emërtuar “Zâni i Šćyptarit”, i cili mbeti vetëm dëshirë e tyre.

Por, jo vetëm kjo iniciativë ishte ajo që e bën vendvotim të veprave letrare këtë vend. Këtu, në Zarë, ishin botuar veprat e para të krijuesve të shquar shqiptarë, autorët e të cilave kishin jetuar dhe punuar këtu, që ia shton edhe më vlerat e kësaj oaze shqiptare, nga ku është vendlindja e disa veprave të rralla dhe madje disa të njëhershme në literaturën shqiptare. Se pse ishin botuar mu këtu, në këtë mes të huaj gjuhësor, veprat e gjuhës shqipe, duhet kërkuar të vërtetën bë disa kahe: në lirinë e çfarëdo lloj shkrimi, pa frikën e censurimit, në lehtësinë teknike të nxjerrjes së një libri dhe në përkushtimin e autorit që aty edhe e kaluan njëfarë kohe të jetesës.

   Kush dhe çka u botua në Zarë

Janë krijues të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare ata që krijimet e tyre i  bënë në formë libri në Zarë. Ndër ata që do t’i përmendim janë edhe mësues të gjuhës shqipe, të cilët ishin caktuar të ligjëronin gjuhën e tyre shtesë, për nxënësit shqiptarë atje. Mbase edhe ajo largësi nga vendlindja ua nxiti edhe më fantazinë krijuese dhe përmallimin atdhetar. Janë të ditura më se pesë vepra, të cilat janë botuar mbase edhe kruar në Zarë.


Pashk Bardhi (1870-1947) nga Shkodra, mësues i gjuhës shqipe, gjuhëtar dhe leksikograf, e kishte shkruar me pasionin e një studiuesi një vepër, për të cilën fitoi njohur për së afërmi. Kështu kishte bërë një studim të rëndësishëm, me përkushtim, për këtë të folme arbneshe. Puna e tij u kurorëzua me botimin e veprës studimore “Gjuha shqype e arbëneshvet në Zarë”, (Zadar,1905). Ai, ngase jepte mësim në Shkollën Normale të Zarës, mblodhi edhe gojëdhëna e fjalë të rralla në këtë mes, të cilat i botoi në të përkohshmet “Ylli i dritës” dhe “Albania”, por këto materiale ishin edhe materiale plotësuese për “Fjalorin e ‘Bashkimit’”. Këtu, mbase për herë të parë u panë dhe u evidencuan lashtogjuha e këtij grupi shqiptarësh, të cilët të folmen gegërishte të veriut të Shqipërisë e kishin konservuar në mënyrën më të saktë, vetëm nga pamundësia për të komunikuar më me atdheun e tyre dhe me ndryshimet që kishte pësuar gjuha shqipe atje. Vdiq në vendlindje.

Gjergj Fishta (1871-1940) nga Shkodra, poeti i epikës kombëtare dhe atdhetari i dëshmuar, dy herë u dëshmua si autor i botimit të veprave letrare atje. Së pari ai botoi vetëm një pjesë nga vepra e tij kapitale “Lahuta e Malcis”, titulluar “Te  ura e Rrzhanicës”, madje dy herë radhazi, (Zadar,1905 dhe 1907) ishte e para, dhe tjetra, po e Gjergj Fishtës, “Pika voëset”,  (Zadar, 1909). Ai asnjëherë dhe në asnjë vend nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe krijuese. Vdiq në Shkodër.

Kostandin Kotte (1889-1950) nga Korça, është intelektuali tjetër, e kishte dëshmuar talentin krijues letrar me botimin e një drame, “Shpërblimi i gjaksís”, pjesë në tri akte (Zadar, 1929). Ai ishte marrë me aktivitete politike e pushtetore. Kishte migruar për njëfarë kohe jashtë atdheut, pas pushtimit të Italisë fashiste. Pasi dorëzohet në Shqipëri, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit.

Ernest Koliqi (1903-1975) nga Shkodra, shkrimtari e studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, si dhe i përkushtuari për arsimimin e shqiptarëve, në trojet shqiptare si dhe jashtë saj, botoi veprën e vlerave të rralla artistike “Hija e maleve”, (Zadar, 1929). Ai edhe para kësaj e kishte botuar një vepër në Tiranë, “Kushtrimi i Skënderbeut”, më 1924. Edhe në Itali, ku kishte jetuar pjesën e dytë të jetës, kishte qenë  profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në universitete prestigjioze atje. Vdiq në Romë.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu (1874-1929) nga Janjeva, njeriu i shumësisë së aftësive intelektuale dhe artistike, ngase njihet edhe si arkeolog, folklorist, dramaturg, poet, etj., kudo që u gjend u aktivizua në mbledhjen e materialeve nga arkeologjia shqiptare, krijoi vepra letrare përherë me theks kombëtar si dhe luftoi me çdo mjet kundër shkombëtarizimit të shqiptarëve, si në Zarë, Pejë, Rubik, Laç e vende të tjera, ku kreu shërbimin e meshtarit.. Në Zarë ai ishte në detyrën  e mësuesit të gjuhës shqipe, ku e kishte shkruar po këtu një nga dramat e shumta të tij më temë atdhetare, “Tradhti gjaksore (vrasja e Marka Kulit)”, dhe atë në vitin 1906. mu për shkak të veprimtarisë atdhetare, ai u vra nga serbomëdhenjtë në Zym të Hasit.   / KultPlus.com     

KOMF thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka bërë thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin masa urgjente lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, shkruan KultPlus.

“Edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e tyre.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“KOMF thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershorit, KOMF i bën thirrje Qeverisë dhe komunave të marrin me urgjencë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili do të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020. Ky duhet të jetë prioritet absolut i të gjithë sektorëve në nivel qendror dhe komunal, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të fëmijëve edhe si pasojë e pandemisë Covid-19.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve këtë vit i gjen fëmijët në një gjendje akoma më të rënduar, si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime dhe mbrojtje. Periudha e zgjatur e izolimit, kushtet e rënda të jetesës dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje. Përveç kësaj, gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe e prindërve të tyre është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbimet esenciale sociale, shëndetësore e rehabilituese, si edhe pa mbështetjen e nevojshme psikologjike. Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit mendor, prandaj mbështetja profesionale ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Fëmijët e përfshirë në punë të rënda, edhe gjatë pandemisë po vazhdojnë të jenë në rrezik për jetën, shëndetin dhe po ekspozohen ndaj abuzimit, shfrytëzimit seksual dhe trafikimit.

Edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale, qoftë në zbatim të politikave, legjislacionit, ndarje të buxhetit apo ofrim të shërbimeve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është aprovuar me datë 27 Qershor 2019, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe parashihet të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020. Prandaj kjo thirrje i drejtohet Qeverisë dhe Komunave, për të marrë me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës, si edhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës.

Fëmijët përbëjnë 30% të popullsisë së Kosovës, prandaj Qeveria dhe komunat duhet të investojnë në këtë potencial për të krijuar një shoqëri të shëndoshë dhe një fuqi punëtore e cila në të ardhmen do mund të kontribuojë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm për Kosovën e cila proklamon mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

KOMF poashtu njofton që përgjatë gjithë javës, duke filluar nga nesër 1 Qershor, do të zhvillojë aktivitete në vazhdimësi për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre”. / KultPlus.com


Fjalimi briliant i Victor Hugo-it në varrimin e Honore De Balzac-ut

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Maj 2020

Më 18 gusht të 1850 u nda nga jeta në moshën 51 vjeçare shkrimtari, dramaturgu, kritiku letrar dhe i artit, eseisti, gazetari dhe botuesi i shquar francez Honoré de Balzac.

Me këtë rast, gazeta “Le Siècle” ka botuar, të enjten e 22 gushtit 1850, në faqen n°2, fjalimin brilant të mbajtur nga shkrimtari dhe politikani i shquar francez, Victor Hugo, në momentin e varrimit të Balzac-ut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zotërinj,

Njeriu që zbriti në këtë varr ishte një nga ata për të cilët dhimbja publike mban kortezh. Në kohërat në të cilat ndodhemi, të gjitha trillimet janë zhdukur. Tani, sytë janë fiksuar jo më mbi kokat që mbretërojnë, por mbi ato që mendojnë dhe i gjithë vendi dridhet kur njëra prej këtyre kokave zhduket. Sot, zija popullore është vdekja e njeriut të talentuar; zija kombëtare është vdekja e njeriut gjenial.

Zotërinj, emri i Balzac-ut do të përzihet me gjurmën e ndritshme që epoka jonë do të lërë në të ardhmen.

Z. Balzac ishte pjesë e asaj gjenerate të fuqishme shkrimtarësh të shekullit të XIX-të, të cilët erdhën pas Napoleonit, ashtu si plejada e shekullit të XVII-të erdhi pas Richelieu-t, — sikur, gjatë zhvillimit të civilizimit, të ketë pasur një ligj i cili ka bërë që dominuesit e shpatës të pasoheshin nga dominuesit e mëndjes.

Z. Balzac ishte një nga të parët ndër më të mëdhenjtë, një nga më të lartët ndër më të mirët. Nuk është këtu vendi për të thënë gjithçka që përfaqësonte kjo mëndje e shkëlqyer dhe sovrane. Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, të ndritshëm, të thellë, në të cilin mund të shohim që vjen dhe shkon, ecën dhe lëviz, nuk e di me diçka frikësuese dhe të tmerrshme të përzier me realen, i gjithë civilizimi ynë bashkëkohor; libër i mrekullueshëm të cilin poeti e ka titulluar komedi dhe që mund ta kishte titulluar me të drejtë histori, i cili merr të gjitha format dhe të gjitha stilet, i cili tejkalon Tacitus-in dhe që shkon deri te Suétone, i cili përshkon Beaumarchais dhe që shkon deri te Rabelais; libër i cili është vëzhgim por edhe imagjinatë; që vë në pah të vërtetin, intimin, borgjezin, të parëndësishmin, materialin (lëndën); dhe që herë pas here, përmes realiteteve të papritura dhe të copëtuara, papritmas zbulon idealin më të errët dhe më tragjik.

Pa dijeninë e tij, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo, pavarësisht nëse pajtohet me të, autori i kësaj vepre të jashtëzakonshme dhe të çuditshme bën pjesë në racën e fortë të shkrimtarëve revolucionarë. Balzaku shkon drejt e në pikë. Ai e sfidon shoqërinë moderne ballë për ballë. Ai zbulon diçka tek të gjithë, disave iluzionet, të tjerëve shpresën, disave të qarat, të tjerëve maskën. Ai gjurmon vesin, analizon pasionin. Ai gërmon dhe heton njeriun, shpirtin, zemrën, brëndësinë, trurin, humnerën që secili ka në vetvete. Dhe, nëpërmjet dhuntisë së natyrës së tij të lirë dhe të fuqishme, nëpërmjet privilegjit të zgjuarsive të kohës sonë që, duke parë nga afër revolucionet, shohin më mirë fundin e njerëzimit dhe kuptojnë më mirë Providencën, Balzac-u del në pah i buzëqeshur dhe i qetë nga këto studime të frikshme të cilat prodhuan melankolinë te Molière dhe mizantropinë te Rousseau.

Kjo është ajo që ai bëri mes nesh. Kjo është puna që ai na lë, një punë e lartë dhe e qëndrueshme, një grumbull i ngurtë vendesh prej graniti, një monument ! një vepër nga maja e së cilës tashmë do të shkëlqejë fama e tij. Njerëzit e mëdhenj krijojnë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën.

Vdekja e tij mpiu Parisin ! Që prej disa muajsh, ai ishte kthyer në Francë. Duke e ndjerë se vdekja po afronte, ai dëshiroi të shihte sërish mëmëdheun, ashtu si një ditë para një udhëtimi të madh, kur vijmë për të puthur nënën tonë !

Jeta e tij ishte e shkurtër, por e mbushur; e mbushur më shumë me vepra sesa ditë!

Fatkeqësisht! ky punëtor i fuqishëm dhe kurrë i lodhur, ky filozof, ky mendimtar, ky poet, ky gjeni, jetoi mes nesh duke bërë një jetë stuhish, luftimesh, grindjesh, përballjesh, e zakonshme, në të gjitha kohërat, për të gjithë njerëzit e mëdhenj. Sot, ai gjendet në paqe. Ai u largohet kontestimeve dhe urrejtjeve. Po në këtë ditë, ai hyn në lavdi dhe në varr. Do të shkëlqejë tani, mbi të gjitha këto re që janë mbi kokat tona, midis yjeve të atdheut!

Të gjithë ju që jeni këtu, a nuk jeni të tunduar ta keni zili ?

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zotërinj, sido që të jetë dhimbja jonë në prani të një humbje të tillë, le t’i pranojmë këto katastrofa. Le t’i pranojmë ashtu siç janë me dhembshurinë e tyre. Ndoshta është mirë, ndoshta është e nevojshme, në një epokë si e jona, që herë pas here një vdekje e madhe tu komunikojë shpirtrave që gllabërohen nga dyshimet dhe skepticizmi një lëkundje (tronditje) fetare. Providenca e di se çfarë bën kur e vendos popullin ballë për ballë me misterin suprem, duke i dhënë atij mundësinë të meditojë për vdekjen, që është njëkohësisht barazia dhe liria e madhe.

Providenca e di se çfarë bën sepse është më e larta nga të gjitha mësimet. Nuk mund të ketë veçse mendime të errëta dhe serioze në të gjitha zemrat kur një mëndje e shkëlqyer hyn me madhështi në jetën tjetër! Kur njëra prej këtyre qenieve e ngritur shumë lart mbi turmën me krahët (fletët) e dukshëm prej gjeniu, papritmas, hap këto krahë të tjerë që ne nuk i shohim dhe zhytet në të panjohurën !

Jo, nuk është e panjohura! Jo, e kam thënë tashmë në një rast tjetër të dhimbshëm dhe nuk do të lodhem kurrë ta përsëris, jo, nuk është nata (ërrësira), por drita! Nuk është fundi, por fillimi! Nuk është asgjësia, por përjetësia ! A nuk është e vërtetë, të gjithë ju që më dëgjoni ? Arkivole të tilla demonstrojnë pavdekësinë. Në prani të disa të vdekurve të shquar, i ndiejmë më qartë fatet hyjnore të kësaj inteligjence që përshkon tokën për të vuajtur dhe për të pastruar veten e saj, dhe të cilën ne e quajmë njeri, dhe themi se është e pamundur që ata që kanë qenë gjeni gjatë jetës së tyre të mos jenë shpirtra pas vdekjes së tyre! (Duartrokitje të fuqishme.)

 https://www.darsiani.com/la-gazette/le-siecle-1850-fjalimi-brilant-i-victor-hugo-it-ne-varrimin-e-honore-de-balzac-ut/ / KultPlus.com

Kafenetë hapen nga nesër, këto janë masat që duhet të zbatohen

Nesër pritet rihapja e kafeneve dhe restauranteve në Kosovë. Në Shoqatën e Gastronomëve kanë treguar se cilat janë masat që duhet të zbatohen nga e hëna nëpër lokale.

Petrit Kllokoqi nga kjo shoqatë  ka bërë thirrje që këto masa të respektohen nga të gjithë pronarët e kafiterive, por edhe nga klientët.

Me masat e reja, tavolinat duhet të kenë distancë 1.5 metra nga njëra-tjetra e stafi duhet të jetë i pajisur me maska.

Dezinfektuesit duhet të jenë të vendosurë ne lokale, derisa klientër nuk do të kenë qasje në banak për të bërë porosi.

Menytë duhet të bëhen njëpërdorimëshe, përderisa ato që janë të plastifikuara të dezinfektohen pas çdo përdorimi, derisa pirunët, thikat e lugët do të dërgohen vetëm me porosi, pra nuk do të jenë të ekspozuara në tavolinë sikurse zakonisht.

Para çdo kafeneje duhet të vendosen pankarta vetëdijësuese, ku bëhet thirrje për mbajtje të distancës dhe higjienës.

“Menaxherët dhe pronarët e lokaleve të mbajnë përgjegjësinë për çdo parregullsi dhe grumbullim në lokale mos të hezitojnë të kontaktojnë organet e rendit”, ka shkruar Kllokoqi./Gazeta Express

Fragment nga libri “Djajtë”, Fyodor Dostoevsky

“- Po përpiqem të gjej arsyen, përse njerëzit nuk kanë guxim të vrasin veten. Kjo është.
– Si kështu, nuk kanë guxim! Po pse pak vetëvrasje bëhen?
– Shumë pak.
– Këtë mendim keni?

Nuk mu përgjigj. Qëndroi i menduar dhe pastaj ecejaku nëpër dhomë.
– Po ç’i përmbaka njerëzit të vrasin veten, sipas jush? – e pyeta.
Më pa i hutuar, si të donte të sillte ndër mend se për çfarë po flasim.
– Po ja, dy paragjykime i përmbajnë: një i vogël dhe një shumë i madh.
– Cili është i vogli?
– Dhembja!
– Dhembja? Pse kaq e pamposhtme qenka dhembja në një rast të tillë?
– Dhembja është e para. I gjejmë të shfaqur dy llojëshe: janë ata që e vrasin veten o nga pikëllimi i pangushllueshëm, o nga ligësia, o nga çakërdisja, o nga ku di unë se çfarë. Këta pak mendojnë për dhembjen! Janë dhe ata që e bëjnë me mendje të ftohtë, këta mendojnë shumë.
– Pse ka që e bëjnë me mendje të ftohtë?
– Ka shumë. Po të mos ekzistonin paragjykimet, do të kishte më shumë: do të qenë të gjithë.
– A thua të gjithë?

Ai heshti.
– Po pse a nuk njihen mënyra të vdesësh pa ndier dhembje?
– Përfytyroni, – më tha dhe qëndroi para meje – përfytyroni një gur të kësaj madhësia, sa një shtëpi, ai varet poshtë. Ju jeni nën të: në rëntë, a do ndienit dhembje?
– Nga një gur sa një shtëpi? E tmerrshme!
– S’e kam fjalën te tmerri, dhembje a do ndienit?
– I përmasave të tilla? Kuptohet, asnjë dhembje s’do ndjehej.
– Sikur ju vetë të gjendeshit nën të, me siguri, që s’do mbeteshit pa e përfytyruar ç’dhimbje të padurueshme do të ndienit në atë rast. Edhe shkencëtar po të ishit, edhe mjek po të ishit, frikë do kishit.
– Po arsyeja e dytë, ajo e madhja?
– Bota e matanvarrit.
– Domethënë, ndëshkimi?
– Bota e matanvarrit, si e tillë.
– Po pse nuk ka ateistë të regjur që s’besojnë në botën e matanvarrit?

Përsëri heshti.
– Ndoshta niseni nga vetja që flisni kështu?
– Jo gjithkush mund të gjykojë nisur nga vetja. – mërmëriti dhe u skuq e u bë flakë. – Liria ka për të qenë e kulluar, kur të jemi shpërfillës ndaj asaj: të rrojmë apo të mos rrojmë. Drejt kësaj duhet synuar.
– Duhet synuar? – Po atëherë askush nuk ka për të dashur të jetojë?
– Po, askush. – Tha me zë të fortë.
– Njeriu ka frikë nga vdekja, sepse e do jetën, ky është mendimi im. – i thashë. – Është ligj i natyrës.

– Poshtërësi është, gënjeshtër është! – sytë i shkrepëtinë dhe i nxorën xixa. – Jeta është dhimbje, jeta është tmerr, njeriu është fatkeq. Njeriu tani jetën e do, sepse e do dhimbjen dhe tmerrin. Këtu dhe fshihet mashtrimi. Njeriu i tanishëm nuk është njeriu që duhet të jetë. Do ketë të rinjë: të lumtur dhe krenarë. Për ta do jetë njëlloj: të rrojn apo të mos rrojnë: ky do të jetë një njeri i ri. Kush del fitimtar mbi dhembjen dhe frikën, ai do të jetë vet perëndi. Kurse të tjerët, s’kanë për të qënë.

– Pra perëndia qenka, sipas jush?
– Ai mungon, por për të qenë është. Nën shkëmb s’ka dhimbje, por në frikë nga shkëmbi ka dhimbje. Perëndia është dhimbje, frikë nga vdekja. Kush do ta mposht dhimbjen dhe vdekjen, ai do të bëhet perëndi. Do të jetë një jetë e re ajo, do të jetë njeri i ri, çdo gjë do të jetë e re … Atëherë historinë do ta ndajnë në dy gjysma: nga gorilla deri në zhdukjen e perëndisë dhe nga zhdukja e perëndisë…

– Deri të gorilla?
– Deri te këmbimi i tokë dhe i njeriut fizikisht. Njeriu do bëhet perëndi dhe do ndryshojë fizikisht. Edhe bota do ndryshojë, edhe mendimet për të gjitha ndjenjat. Ju si mendoni: a ka për të ndryshuar njeriu fizikisht?
– Në qoftë se do të jetë shpërfillës ndaj të jetuarit apo mos të jetuarit, atëherë të gjithë do ta vrasin veten: kështu dhe ka për t’u shfaqur ndryshimi.

– Sidoqoftë, gënjeshtrën do ta vrasin. Kush e do lirinë, si gjënë më kryesore, ai duhet të guxojë ta vrasë veten. Kush guxon ta vrasë veten, ai është perëndi. Është në dorën e secilit që të mos ketë dhe asgjë të mos ketë. Por askush këtë s’e ka bërë.
– Vetvrasës ka me miliona.
– Veç e kanë bërë me frikë, jo si duhet. E kanë bërë jo për ta vrarë frikën. Kush e vret veten për ta vrarë frikën, ai menjëherë bëhet perëndi.”/filozofia.al

– Fyodor Dostoyevsky, “Djajtë”

Njeriu më i vjetër në botë thotë se sekreti i jetëgjatësisë është dashuria

Një gjysh nga Rumunia është emëruar si njeriu më i vjetër në botë, dhe thotë që fshehtësia për një jetë të gjatë është dashuria.

Dumitru Comanescu, që ka 111 vjet dhe 203 ditë, e trashëgoi këtë titull pas vdekjes së britanikut Bob Weighton, i cili vdiq dje në moshën 112 vjeçare, shkruan Daily Mail.

Rumuni 111 vjeçar ka lindur më 8 nëntor në Proviţa de Jos, në bashkinë Draganeasa të komunës Prahova, transmeton KOHA.

“Kam nderin, dhe ndihem i bekuar të jem zyrtarisht njeriu më i vjetër në botë dhe të përfaqësoj Rumaninë në nivelin më të lartë! Është e pabesueshme!”, ka thënë Comanescu, i cili jeton në Qendrën për të Moshuar në Bukuresht.

Ai tha se fshehtësia për një jetë të gjatë ishte dashuria për gruan e tij, djemtë dhe nipërit, dhe i tha adhuruesve “shpresoj se do të rriteni më shumë se unë”.

Comanescu, i cili diplomoi nga universiteti në vitin 1933, kishte punuar tërë jetën si inxhinier i agrikulturës dhe si patolog i bimëve, tha agjencia rumune Insider.

Ky stërgjysh ka jetuar gjatë shumë momenteve historike përfshirë të dy Luftërat Botërore, si dhe okupimin Sovjet të Rumanisë në mes viteve 1944 dhe 1958.

Comanescu tashmë ishte deklaruar si qytetari më i vjetër rumun në Bukuresht në shkurt të këtij muaji dhe ishte shpërblyer me 1,046 euro dhe një pllakë nderi si homazh për jetën e tij.

Rekordi Botëror i Guinnesit ka konfirmuar statusin e tij si njeriu më i vjetër në botë pasi që Bob Weighton, i cili ishte 112 vjeçar, vdiq nga kanceri edhe pse kurrë nuk kishte tymosur asnjë cigare në jetë.

Weighton kishte qenë njeriu më i vjetër në botë që nga muaji shkurt 2020, pas vdekjes së 112 vjeçit Chitetsu Watanabe nga Japonia.

Ditëlindja e fundit e Weightonit u festua më 29 mars prapa dyerve të mbyllura për shkak të koronavirusit, ndërsa 112-vjeçari pat thënë se bota sot “është në rrëmujë”.

Në një deklaratë, nipi i tij e përshkroi Bob Wightonin si “baba, gjysh dhe stërgjysh të zgjuar, të dashur dhe të ditur”.

Personi më i vjetër i regjistruar në botë ka qenë Jeanne Calment nga Franca, e cila ka lindur më 1875 dhe ka vdekur më 1997, dhe e cila kishte jetuar 112 vjet dhe 164 ditë.