Ahmeti: Shpenzohen 500 mijë euro ndërsa Xhamia e Çarshisë mbetet e pakryer

Pak më herët, edhe Shpend Ahmeti ka reaguar rreth vendimit të gjykatës dje, që Agim Gërguri dhe Gani Gashi të dënohen me disa muaj burgim dhe me gjobë.

Gërguri dhe Gashi kanë qenë për disa kohë pjesë e institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore.

“Në vitin 2014 kam has në një parregullsi të madhe në renovimin e xhamisë së Çarshisë. Komuna kishte transferuar 500 mijë euro tek Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore për renovimin e xhamisë. Tani po i kërkonin edhe 80 mijë të tjera.
Nuk kishte asnjë raport të 500 mijë eurove të shpenzuara, nuk kishte asnjë raport për tender, ndërsa gjendja e xhamisë nuk tregonte se ishte afër. Prandaj që atëherë kërkova hetim dhe auditim sepse nuk ishin pak para. Nuk e dija as kush ishte drejtor në Institut e as kush është marr me atë punë.
Dje kuptova që Gjykata ka konstatuar keqpërdorim të pozitës dhe ka dënuar dy persona me 6 muaj burg, dhe më pastaj këtë dënim e ka kthyer në gjobë prej 3600 eurove.
500 mijë euro, xhamia e pakryer, asnjë dokument, asnjë raport dhe në fund 3600 euro gjobë” ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Ish-drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Agim Gërguri dhe shefi i sektorit të arkitekturës në këtë institut, Gani Gashi, janë dënuar, të enjten, me nga gjashtë muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Dënimi me burgim, me pajtimin e të akuzuarve, u është shndërruar në dënim me gjobë, në shumë prej 3600 euro për secilin, shkruan KultPlus.

Ndër kompanitë përfituese për kryerjen e punimeve, sipas aktakuzës, kishin qenë edhe kompania “Arch Code” me pronare bashkëshorten e të akuzuarit Gashi, Luljeta Gashi, pastaj kontrata për shërbime ishin lidhur edhe me Amir Gërgurin, djalin e të akuzuarit Gërguri dhe Ard Gashin, djalin e të akuzuarit Gani Gashi.Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës. / KultPlus.com

Vetëm

Poezi e shkruar nga Maya Angelou, përkthyer nga Blega Sheholli.

Mramë
E shtrime,
Tuj mendu qysh me ja gjetë
Shpirtit tem nji shpi,
Atje ku uji nuk asht i etun
Dhe buka nuk asht gurë
E m’ra n’mendje diçka
(E s’po besoj që jam gabim)
Se askush
Ama
Askush
S’mundet me ja dalë
vetëm n’këtë botë.
Vetëm për vetëm,
Askush s’mundet me ja dalë.
E tash nese m’dëgjoni mirë
Kam me ju kallxu at’ që e di,
Stuhitë e rrufetë janë tuj u bashkue
Era po frynë,
Raca e njerzimit po vunë
E unë e ndij britmën
“Se askush s’mundet me ja dalë
Vetëm n’këtë botë”.
Se, vetëm për vetëm,
Askush s’mundet me ja dalë.

Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, verën tjetër së bashku në Peralada

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër të parat këngëtare klasike që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Festivalin Peralada.

Ermonela Jaho do të jetë krahas Placido Domingos në festivalin e madh spanjoll, duke performuar operën “Thais” nga Jules Massenet. Koncerti do të ndodhë verën e ardhshme, me 29 korrik.

Një ditë më parë, me 28 korrik, tenori Jonas Kaufmann do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Mbretëror të Spanjës.
Ermonela Jaho, në anën tjetër, ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën me Placido Domingon ndërsa në Spanjë do të sjellin operën më të mirë të francezit, e cila tani po kalon në një periudhë lulëzimi në disa skena të mëdha botërore, shkruan KultPlus.

Jaho vjen në rolin e kurtizanes, ndërsa Domingo në rolin e Athanael. Artistët do të shoqërohen nga Michele Angelini, Jean Teitgen, Lidia Curtis dhe Elena Copons. Performanca fillon në ora 22:00 në The Castle Gardens Auditorium në qytetin Peralada.

Libretoja e operës bazohet në novelën me të njëjtin titull nga Anatole France. Premiera e operës është dhënë në Paris me 16 mars 1894. / KultPlus.com

Shfaqja ’55 shades of gay’ të hënën shfaqet në Suboticë

Shfaqja “55 shades of gay – pranvera ballkanike e revolucionit seksual” e Qendrës Multimedia nga Prishtina, do të shfaqet të hënën (27 nëntor), në Suboticë, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor Desire. Desire që këtë vit shënon edicionin e 9-të, organizohet nga teatri hungarez në Suboticë Dezső Kosztolányi Theatre.

Në këtë edicion të këtij festivali, veç shfaqjes nga Kosova, marrin pjesë edhe trupa të tjera teatrore nga regjioni e Evropa. Ndër emrat e regjisorëve të njohur, janë edhe Oliver Frljić, Árpád Schilling, Sebastijan Horvat, Selma Spahić, András Urbán e të tjerë.

Shfaqja “55 shades of gay” e autorit Jeton Neziraj, në regji të Blerta Nezirajt, ka pasur premierën këtë shtator në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Nga ajo kohë ajo është dhënë edhe në Ferizaj e Tiranë. Në shfaqje luajn aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj, Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich, muzika: Irena Popovic, koreografia: Florian Bilbao.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është:
a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institute. Menaxhere e skenës: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Verona Koxha / Drejtor teknik: Denis Berisha / Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com

Poetja Erenestina Halili e kujton të birin në përvjetorin e vdekjes

Ergi Dini dhe miku i tij Kejdi Halili u ndanë nga jeta tragjikisht 1 vit më parë, në një aksident me motor.Kejdi ishte djali i vetëm i gazetares, poetes dhe pedagoges Erenestina Halilit. Halili, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të Kejdit ngriti meshë në Vatikan.

“Mesha e Shenjtë në altarin e Shën Pjetrit, Vatikan, për tim bir, sot në përvjetorin e tij…Zoti i bekoftë miqtë e mi, tashmë familja ime e madhe! Të Krijuesit jemi të gjithë!”, shkruante dje gazetarja Halili në faqen e saj në Facebook.

Ndërkohë ajo ka publikuar imazhe tepër prekëse nga ceremonia përkujtimore për Kejdin. Të rinj të veshur me bluza ku është e stampuar imazhi i djalit të gazetares. “Për ty bir…”, shkruan gazetarja në postimin e bërë në Facebook. Kejdi Halili ishte duke drejtuar motorin me të cilin dy të rinjtë u aksidentuan në ish-Bllok. / KultPlus.com

Artistja nga Bosnja kritikon ndërkombëtarët që nuk e ndaluan luftën (FOTO)

Ratko Mladic dje u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u gjet fajtor për gjenocidin në Bosnjë për masakrën e Srebrenicës.

Kasapi i Ballkanit do të jetojë pjesën e mbetur të ditëve të tij prapa grilave.

Smirna Kulenović, e lindur në Bosnjë pikërisht në kohën e luftës, është artiste e cila dëshiron që bota gjithandej ta kuptojë të vërtetën për gjenocidin dhe luftën, edhe pse Mladic është dënuar. Drejtësia, sipas saj, nuk përfundon këtu.

Kulenović është fotografuar para ndërtesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Sarajevë.
Puna artistike quhet Bosnian Girl 2, ndërsa është reagim direkt ndaj vendimit për Ratko Mladic. Bosnian Girl në origjinal është punë artistike e krijuar në vitin 2003 nga artistja Shejla Kameriq, shkruan KultPlus.

“Duhet të solidarizohemi me të gjitha viktimat e Bosnjës që nuk morën kurrë mbështetjen ndërkombëtare, e cila do ta ndalonte krimin dhe vrasjen e të pafajshmëve” shkruan artistja.

Artistja ka kërkuar që fotografia të shpërndahet sa më shumë, pasi edhe bota duhet ta kuptojë që komuniteti ndërkombëtar nuk e ndaloi Mladicin dhe të tjerët gjeneralë nga Serbia ta kryenin krimin e madh në Bosnjë.

Mladic dje u dënua në Hagë me burgim të përjetshëm. Mladic është 74 vjeçar, ndërsa The Guardian dje ka shkruar se gjatë pushimit që ndodhi në gjykimin e tij, Mladic ka ofenduar rëndë njerëzit që i gjendeshin afër në këtë ditë të gjykimit. / KultPlus.com

Fragment nga libri “Delikatesa” i David Foenkinos

Delikatesa
David Foenkinos

Natalia nuk para binte në sy (një lloj femërie kjo, zvicerane). Periudhën e vajzërisë e kishte kapërcyer pa përplasje, duke u treguar shumë e kujdesshme. Në moshën njëzetvjeçare, të ardhmen e shihte si një premtim. I pëlqente të qeshte, i pëlqente të lexonte. Dy veprime rrallëherë të njëkohshme, sepse atë e tërhiqnin më shumë ndodhitë e trishtuara. Meqë, sipas asaj, t’i futeshe letërsisë nuk ishte diçka aq konkrete, kishte vendosur të studionte për ekonomi.

Pavarësisht pamjes prej ëndërrimtareje, përpiqej t’i bënte gjërat me saktësinë më të madhe. Rrinte orë të tëra, me një buzëqeshje të çuditshme në fytyrë, duke vëzhguar grafikët e ndryshimit të PBB-së në Estoni. Në momentin kur nisi të ndiente se ishte rritur, i rastiste nganjëherë të kujtonte fëmijërinë. Çaste lumturie të përmbledhura në disa episode, përherë të njëjtat. Vraponte në plazh, hipte në avion, flinte në krahët e të atit. Por nuk përjetonte fare mall, asnjëherë.

Çka ishte gjë gati e rrallë për një femër me emrin Natali. Te Natalitë shpesh vihet re një prirje e pastër për t’u përmallur.

Pjesa më e madhe e çifteve vdesin t’i tregojnë njëri-tjetrit përralla, të mendojnë se takimi i tyre i parë është krejt i veçantë, dhe këto lidhje të panumërta që krijohen në një mënyrë tejet të rëndomtë, shpesh pasurohen me hollësira që, gjithsesi, të kallin paksa në dehashpirt. Në fund të fundit, për çdo gjë, njeriut i pëlqen të bëjë komente.

Natalia dhe Fransuai u takuan në rrugë. Gjithmonë, kur një mashkull ndalon një femër, krijohet një situatë disi e sikletshme. Ajo, detyrimisht, mendon: “A thua kështu ta kalojë kohën ky?” Meshkujt shpesh thonë se e kanë për herë të parë. Sipas tyre, një frymëzim i paparë u vjen papritur dhe u krijon mundësinë ta mposhtin druajtjen e përhershme.

Femrat përgjigjen, si të ishin një robot, se nuk kanë kohë. Natalia nuk e shkeli këtë rregullë. Veproi shumë gabim: ajo nuk kishte ndonjë gjë të madhe për të bërë, madje i pëlqente ideja që dikush po i afrohej në atë mënyrë. Askush nuk guxonte kurrë ta ndalonte atë në rrugë. Shpesh kishte pyetur veten: Mos vallë dukem si tepër turivarur ose si tepër përtace? Njëra nga shoqet i kishte thënë: Ty s’të ndalon kurrë asnjeri, sepse ecën si një femër të cilën po e ndjek koha që ikën.

Kur një mashkull i afrohet një të panjohure, arsyeja është se dëshiron t’i thotë fjalë të ëmbla. A nuk do të ishte një kamikaz i mirëfilltë mashkullor ai që do ta ndalte një femër për t’ia përplasur fytyrës: “Si arrini t’i mbani gjithë ato këpucë? Aty, gishtat ju ndenjkan si në Gulag. Çfarë turpi, ju qenkeni Stalinia e këmbëve tuaja!” Kush mund ta thoshte këtë? Sigurisht, jo Fransuai, që ishte aq i mençur sa të parapëlqente përdorimin e komplimenteve. Ai u përpoq të analizonte atë çka ishte më pak e analizueshme: turbullimin. Përse e kishte ndaluar atë femër? Kryesisht për shkak të mënyrës sesi ecte. Tek ajo kishte ndier diçka të re, pothuajse fëminore, një si rapsodi të kupave të gjunjëve. Nga trupi i saj çlirohej një lloj natyrshmërie prekëse, një hijeshi në çdo lëvizje dhe ai mendoi: Pikërisht me këtë tip femre do të dëshiroja të kaloja një fundjavë në Gjenevë. Atëherë, mori çdo gjë në sy – madje, në atë çast do të kishte dashur ta merrte jo vetëm në sy. Sidomos sepse për atë ishte vërtet hera e parë. Ata po takoheshin në një vend dhe në një moment të caktuar. Një hyrje në temë absolutisht klasike, që shpesh përcakton fillimin e një historie më pak klasike në vazhdim.

Ai kishte belbëzuar fjalët e para dhe, papritmas, gjithçka kishte rrjedhur kthjelltas. Fjalët i kishin shpërthyer falë asaj energjie paksa patetike, por edhe aq prekëse, të dëshpërimit.

Kjo është pikërisht magjia e paradokseve tona: situata ishte aq e sikletshme, saqë ai po ia dilte mbanë me elegancë. Tridhjetë sekonda më vonë, ai arriti madje ta bënte që të buzëqeshte. Kjo qe një e çarë në murin e anonimatit. Ajo pranoi të ulej me atë për një kafe dhe ai e kuptoi që nuk kishte ndonjë ngut nga ana e saj për t’u larguar. Iu duk aq e çuditshme që mund të rrinte kështu një copë herë me një femër, të cilën, deri para pak çastesh, nuk e kishte parë ndonjëherë. Gjithmonë i kishte pëlqyer të shihte femrat tek ecnin rrugës. I kujtohej madje që kishte qenë një lloj adoleshenti romantik, i aftë për t’i ndjekur vajzat e familjeve të mira deri te dera e apartamentit të tyre. Në metro, i qëllonte të kalonte nga një vagon në tjetrin për t’u ndodhur pranë një udhëtareje së cilës ia kishte vënë syrin nga larg. Ndonëse nën diktaturën e epshit, mbetej gjithsesi një mashkull romantik, që mendonte se bota e femrave mund të përmblidhej në një femër të vetme. Fransuai e pyeti se ç’do të pinte. Gjithçka varej nga porosia e saj. Ai mendoi: Po të marrë një kafe pa kafeinë, do të çohem e do të iki. Në një takim të kësaj natyre, njeriu nuk ka të drejtë të pijë kafe pa kafeinë. Kjo është pija më e papërshtatshme për një muhabet të këndshëm. E njëjta gjë mund të thuhet për çajin. Ende s’je ulur mirë dhe vetja të duket sikur gjendesh brenda një fshikëze krimbi mëndafshi pak të flashkët. E ndien veten sikur do të kalosh një varg të dielash pasdite duke parë televizor. Ose më keq: sikur je te vjehrri e vjehrra. Po, çaji të kujton pa diskutim shtëpinë e vjehrrit e të vjehrrës. Po çfarë atëherë? Një pije alkoolike? Jo, nuk është mirë në këtë orë. Mund të të zërë frika nga një femër që fillon të pijë kështu, papritmas. Madje edhe një gotë me verë të kuqe sikur nuk shkon. Fransuai po priste që ajo të vendoste se çfarë do të pinte dhe vazhdonte kësisoj analizën e tij të lëngshme të përshtypjes së parë që po i linte ajo femër. Ç’mund të pinte tjetër? Koka-Kola ose çdo lloj tjetër pijeje me gaz… jo, e pamundur, një femër s’do të bënte kurrsesi një zgjedhje të tillë. Pse të mos kërkonte edhe një pipëz me atë rast? Përfundimisht, ai mendoi që një lëng frutash do të ishte mirë. Po, një lëng frutash i afron njerëzit. Ai të bën ta pranosh tjetrin, ta heq agresivitetin.

Vajza përkarshi të duket e butë dhe e ekuilibruar. Por çfarë lëngu? Ia vlen më mirë të mos marrësh ndonjë lëng krejt të zakonshëm, si ai i mollës apo i portokallit, që t’i zë syri në çdo tryezë. Duhet të tregohesh paksa origjinal, pa lënë përshtypjen e një antikonformisti të pandreqshëm. Papaja ose gojava janë të frikshme. Jo, idealja është që të zgjedhësh diçka midis të dyjave, si kajsia. Po, më mirë se kaq prishet. Një lëng kajsie është kryevepër. Po të zgjedhë lëngun e kajsisë, do të martohem me të, mendoi Fransuai. Pikërisht në atë çast, Natalia shkëputi vështrimin nga menuja si të dilte nga një përsiatje e gjatë. E njëjta përsiatje si ajo që sapo kishte përmbyllur i panjohuri përballë asaj.

– Do të marr një lëng…

– …?

– Një lëng kajsie, besoj.

Fragment nga romani “Delikatesa”, botimet “Pegi”

Nesër në Prishtinë hapet ekspozita ‘At’ Zef Pllumi’ (1924-2007)

Në dhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, nesër në Prishtinë hapet ekspozitë për nderë të figurës së Pllumit.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Provinca Françeskane Shqiptare organizojnë ekspozitë me dorëshkrime dhe sende personale të Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës.

Ekspozita do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës më 24 nëntor 2017, në orën 11:00, shkruan KultPlus.

Zef Pllumi qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.

Nënën Terezë e përcolli për në Shkodër ku u mbajt mesha e parë në Katedralen e Shkodrës. / KultPlus.com

Shqiptarja Kleofina Pnishi, favoritja për të fituar Miss Franca 2018

Me datë 16 dhjetor, vajzat më të bukura të Francës do të ngjiten në skenën e Miss France.

Organizimi që këtë vit është i popullarizuar si asnjëherë më parë, tanimë po zë vend në Amerikë. Për momentin vajzat kanë udhëtuar për në Kaliforni ku po bëjnë përgatitje por edhe po e njohin kulturën lokale.

Kemi shkruar edhe më herët se një prej vajzave që garon këtë vit është edhe shqiptarja Kleofina Pnishi, Miss Provence. Ajo është në mesin e favoriteve për të fituar.

Miss Guadeloupe është më e reja prej kandidateve, sapo ka mbushur 18 vjec. Madje ajo është edhe kandidatja kryesore për të fituar, shkruan KultPlus.

Shqiptarja Pnishi është në mesin e kandidateve më të shkurtra me fizikun e saj, vetëm 1.70 e gjatë.
Ed Sheeran do të bëjë hapjen e ngjarjes e cila këtë vit ka për temë “festimin”.

Pos shqiptares, në këtë garë ka edhe vajza me prejardhje nga Algjeria, Italia, Ukraina, Kina dhe Suedia, vajza të cilat jetojnë prej vitesh në Francë. / KultPlus.com

Dënohen me nga gjashtë muaj burgim Agim Gërguri dhe Gani Gashi

Ish-drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Agim Gërguri dhe shefi i sektorit të arkitekturës në këtë institut, Gani Gashi, janë dënuar, të enjten, me nga gjashtë muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Dënimi me burgim, me pajtimin e të akuzuarve, u është shndërruar në dënim me gjobë, në shumë prej 3600 euro për secilin.

Nëse nuk paguhet gjoba, dënimi do të ju shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet nga 20 euro, për një ditë.

Tashmë dy të dënuarit, gjithashtu janë obliguar që të paguajnë edhe paushallin gjyqësor prej 50 eurosh, për secilin.

Aktgjykimi i shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Shasivar Hoti ka ardhur pasi që më 21 nëntor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e arritur ndërmjet të akuzuarve Gërguri e Gashi, me prokuroren e rastit, Merrushe Llugiqi.Me rastin e shpalljes së aktgjykimi, i pranishëm ka qenë vetëm mbrojtësi i të akuzuarit Agrim Gëguri, avokati Naim Rudari.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë i ngarkonte Agim Gërgurin, në cilësinë e drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), dhe Gani Gushin, si arkitekt në këtë institut, se në vazhdimësi gjatë viteve 2010-2013, me qëllim të përfitimit për veti apo personave të tjerë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.Sipas aktakuzës, derisa Komuna e Prishtinës kishte lidhur memorandum të mirëkuptimit me IKMM, ku kishte ndarë shumën prej 562.000.00 euro për restaurimin e xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, i akuzuari Gashi kishte gjetur personat që do të angazhoheshin në kryerjen e punëve dhe drejtori Gërguri ka angazhuar personat në fjalë për kryerjen punimeve pa shpallur tender.

Ndër kompanitë përfituese për kryerjen e punimeve, sipas aktakuzës, kishin qenë edhe kompania “Arch Code” me pronare bashkëshorten e të akuzuarit Gashi, Luljeta Gashi, pastaj kontrata për shërbime ishin lidhur edhe me Amir Gërgurin, djalin e të akuzuarit Gërguri dhe Ard Gashin, djalin e të akuzuarit Gani Gashi.Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës. / Kallxo.com / KultPlus.com

Përurohet shtatorja e Shën Nënë Terezës në Poreç të Kroacisë

Një shtatore e Shën Nënë Terezës u vendos sot në qytetin e Kroacisë, Poreç.

“Nga sot, lidhja e shqiptarëve me Kroacinë do të jetë edhe më e fortë, edhe më shpirtërore, sepse Poreçi, ky qytet i bukur, do të ketë në gjirin e vet, nje simbol të paqes, humanizmit, dashurisë, lidhjes dhe miqësisë”, u shpreh Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në përurimin e shtatores së Shën Terezës në Poreç të Kroacisë.

Presidenti Meta, së bashku me Kardinalin Ernest Simonin (Troshani), me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesič, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj dhe shumë personalitete të tjera nga të gjitha trevat shqiptare, morën pjesë në ceremoninë e përurimit e të bekimit të shtatores së Shenjtores dhe bamirëses shqiptare, Nënë Tereza, me autor Anto Jurkič.

Me këtë rast solemn u mbajt edhe mesha e shenjtë në Bazilikën Eufrazjane.

“Le të jetë vepra e Shën Nënë Terezës udhërrëfyes për të gjithë ne!”, tha Meta, duke shtuar se, “Nënë Tereza, u bë nënë e njerëzve të pashpresë, e nevojtarëve që ishin më së shumti në nevojë, e jetimëve dhe e të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dashuri dhe ngrohtësi njerëzore. Ky humanizëm dhe kjo devotshmëri e paparë e Nënë Terezës, bëri për vete personalitetet më të rëndësishme botërore”, tha Meta.

“Nëna Tereza është simbol i vlerave të larta humane, i bujarisë, mëshirës, shpirtmadhësisë, flijimit për të tjerët, bashkëvuajtjes dhe vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal. Vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezës janë bashkim i vlerave më të mira të civilizimit shqiptar, dhe shpjeguesi më i saktë i frymës tolerante dhe kulturës së unitetit tonë kombëtar, edhe pse popull me përkatësi të ndryshme besimesh”, u shpreh Kreu i Shtetit, Ilir Meta. KultPlus.com

Një portret nga Gazmend Freitag për Çun Lajçin (FOTO)

Piktori i njohur shqiptar Gazmend Freitag vazhdon të shprehë ndjesinë shpirtërore të autorit ambicioz.

Emri i tij ka mbi një dekadë që udhëton nëpër botë nëpërmjet tablosh befasues, ku problemet e mprehta sociale që e shqetësojnë dhe e privojnë sot botën njerezore, kanë gjetur te peneli i piktorit bisturinë e së vërtetës së dhimbshme.

Së fundi ai ka pikturuar edhe portretin e aktorit të njohur shqiptar Çun Lajçi.

Lajçi mbetet ndër personazhet kryesore të kulturës shqiptare. Së fundmi ai pati një tragjedi familjare, e cila ka bërë që qytetarët dhe artdashësit ta kthehin kokën kah ai dhe ta shohin edhe njëherë shpirtin e tij njerëzor e artistik, për ta ngushëlluar atë. / KultPlus.com

“Bajram Curri u lind në rrugë, te Krusha e Madhe”

Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit, në librin “Ecje nëpër kujtesë – Tregime jete të grave me karrierë” flet për lindjen e vështirë të babait të saj. Në bashkëbisedim me Sanije Gashin, Hajrija tregon për Bajram Currin, burrin që kurrë nuk do ti bjerë në dorë armikut, burrin që lindi në rrugë.

Po e sjellim këtu një pjesë nga libri :
Ishin kohë nën okupimin osman, viti 1862. Shaqir Currit, të atit të Bajramit, që ishte një kundërshtar i rreptë i regjimit turk, pas një ‘konflikti’, meqë zaptijet nuk po mund ta shtinin në dorë, ia marrin gruan, shtatzënë.
Hajria rrëfen:
“Babai im ka lindur në karrocë druri, në kohën kur gjyshen time, të shoqëruar nga gruaja e axhës, po e internonin, nga Gjakova në Prizren. Gjyshja, që ishte në ditë të vetë, lind në rrugë, te Krusha e Madhe. Një familje fisnike nga ky fshat, i vijnë e i sjellin tesha, për ta mbështjellë bebe. Kishte qenë ditë bajrami, prandaj edhe, siç thuhet, kishte lindur me emër – Bajram”.

Të ëmën, bashkë me foshnjën i mbajnë për 6 muaj në internim në Prizren, prej nga Bajrami del foshnjë 6 muajshe. Kjo edhe është arsyeja pse Bajrami betohet që kurrë më, përjetë, nuk do të bjerë në dorë të armikut! Prandaj, tregon Hajria, kur Bajrami dilte nga shtëpia, gjithherë i mbante dy revole në brez, ndërsa kur e shoqja Ajkuna po e pyeste – Po pse, more burrë, me dy?, ai përgjigjej shkurt:
Një për vete e një për armikun! C`thua ti, t’u bie unë në dorë armiqve! Jo kurrë! Dhe mbajeni mend, nëse më gjeni me plumb në ballë, ta dini….! rrëfen e bija.
—-

Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912. / KultPlus.com

Edon Muhaxheri vjen me alfabetin e harruar shqiptar në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Artisti Edon Muhaxheri, tanimë edhe profesor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sjellë ekspozitën e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Bëhet fjalë për prezantimin ‘Evetari – Ringjallja e alfabetit të harruar shqiptar’.

Edon Muhaxheri është artist i diplomuar në RIT Kosova, shkruan KultPlus.

Në maj 2017, ai prezantoi temën e diplomës së Masterit në Artet e bukura. Evetari, i cili fokusohet në ringjalljen e alfabetit origjinal të harruar, nga libri i parë Shqiptar ABC në vitin 1844.

Për mbrojtjen e temës së Edonit, MFA në Praktikën e Ilustrimit në Institutin e Maryland, Kolegji i artit aranzhoi prezencën e Ellen Rixford, një artist i mirënjohur dhe kontribuues në botën e sotme të automatizuar.

Puna e tij autentike i siguroi një intervistë me Steven Heller për Magazinën PRINT, e cila u pasua me shfaqjen në GDUSA, AIGA Eye on Design, Design Week, How Things Work, dhe media tjera lokale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë KultPlus, AFP, KOHA, Prishtina Insight, Flatra dhe shume tjera. Së fundmi, programi Fulbright ka shënuar punën e Edonit me një storie personale në blogun e tyre zyrtar.

Ai ka prezantuar punën e tij disa herë në MICA, Ambasadën e Shqipërisë në DC, dhe në Universitetin George Washington, gjatë ngjarjes së Fulbright, shkruhet mes tjerash në prezantimin e artistit nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Këtë nëntor Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë, së bashku kanë ftuar atë të prezantojë punën e tij në Korçë, vendlindja e Naum Bredhit, autorit të librit të parë Shqiptar ABC, në vitin 1844.

Edoni është i angazhuar si mësim-dhënës në studimet postdiplomike MFA in Illustration Practice, dhe ‘Eksperienca e vitit të parë’, niveli bachelor, në Maryland Institute, Kolegji i Artit në Baltimore.
Ekspozita në fjalë do të hapet me 1 dhjetor, në ora 18:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Presidenti Thaçi, i impresionuar me Librarinë e Parlamentit të Kanadasë

Presidenti Hashim Thaçi ka vizituar Librarinë e Parlamentit të Kanadasë gjatë vizitës së tij në këtë shtet, dhe nga ajo që ka shkruar në Facebook, ku ka publikuar disa fotografi ai është impresionuar me këtë librari.

“Gjatë vizitës në Parlamentin e Kanadasë vizitova disa prej pjesëve më të veçanta të ndërtesës. Libraria e Parlamentit, me mbi 1 milion ekzemplarë të librave e dokumenteve historike, që nga themelimi i Konfederatës së Kanadasë para 150 viteve, te marrja e sovranitetit të plotë e deri te zhvillimet e sotme, por edhe me arkitekturën dhe orenditë e saj, është një elaborim madhështor i historisë së Kanadasë”, ka shkruar Thaçi në Facebook. / KultPlus.com

Sidrit Bejleri: Çapaçulët që shkojnë në dasmat VIP, e harruan kompozitorin Lalo

Këngëtari i njohur Sidrit Bejleri ka reaguar ditën e djeshme pas ndarjes nga jeta të Mjeshtrit të Madh, Aleksandër Lalo.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai kritikon ata artistë që nuk kanë marrë pjesë në homazhet për kompozitorin Lalo.

Duke iu drejtuar atyre që i quan “çapaçulë” dhe sipas tij, pretendojnë se po bëjnë art në këto kohë, Bejleri shkruan se: “ata nxitojnë të shkojnë në dasmat vip, por nuk nderojnë figurat e njohura të artit shqiptar”.

POSTIMI I PLOTË:

“Sot në drekë, tek po prisnim të përcillnim trupin e të ndjerit, mjeshtrit Aleksandër Lalo, vura re me keqardhje, por nuk u surprizova, se mungonin shumë “yje” të “showbizit” shqiptar. Nuk e kam për ata që e kishin të pamundur të vinin nga largësia dhe varet sa e njihnin. E kam për ata që rendin kush e kush të shkojë sa më shpejt në “dasmat vip”, ftuar e pa ftuar…
E kam për ata që pretendojnë se po bëjnë “muzikë” dhe “art” në këto kohë të “arta të muzikës”.

E kam për “çapaçulët” që nuk dinë dhe s’kanë për ta kuptuar kurrë sa vlerë dhe peshë ka për t’u bërë Arti i Vërtetë.
Mjeshtrat po ikin një nga një dhe vështirë të zëvendësohen e për më tepër Arti që na dhuruan. E di që kohët ndryshojnë, por të zezës nuk i them dot e bardhë.

E kam sërish me “çapaçulët”
Kush nuk respekton rrënjët dhe baballarët e vet nuk i mbetet gjë pas, e vërtetuar kjo. Si të hash “plehra” po “plehra” do prodhosh.

Kam mllef, po po, kam mllef sepse e di mirë çfarë arti na dhuruan Kujtim Laro e Aleksandër Lalo me shokë.
Se “çapaçulët” janë bërë të pasur dhe harrojnë se baballarët ikën të varfër, por pasurinë e lanë prapa.

…dhe “çapaçulët” vazhdojnë të qelbin ajrin dhe realitetin që me aq mund e sakrifica na e lanë të pastër baballarët tanë…
TURP!!!

Kujt t’i djegë le ta mbajë!”

Vazhdon tradita e koncertit të ShKA Agimit për Ditën e Flamurit

ShKA Agimi ka kënaqësinë të njoftojë publikun për organizimin e koncertit tradicional kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

Veçantia e koncertit të sivjetëm për Ditën e Flamurit është rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në reportorin e Agimit. Koncerti vjen me një program shumë cilësor, me performansë të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit dhe valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit. Një numër solistësh, emra të njohur të artit në Kosovë do të jenë gjithashtu pjesë e programit të koncertit, i cili mbahet me 26 Nëntor në Shtëpinë e Kulturës në Prizren dhe fillon në orën 19.30.

Koncerti për nder të DItës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit.

Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve. / KultPlus.com

Sia sjellë me videoklip këngën “Santa’s Coming for Us” (VIDEO)

Pasi e kishte publikuar këngën më 30 tetor, Sia ka sjellë edhe me videoklip “Santa’s Coming for Us”.

Kjo është kënga e parë e saj e albumit të Kërshëndellave, “Everyday Is Christmas”.

Albumi “Everyday Is Christmas” është lansuar më 17 nëntor. / KultPlus.com

Sarajevo City of Film thërret regjisorët shqiptarë

Sarajevo City of Film – një projekt i veçantë në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë, ka hapur aplikimin për edicionin e radhës, të 23-tin me radhë.

Projekti i fton filmbërësit nga regjioni për një mundësi bashkëpunimi për filmat e metrazhit të shkurtër – duke punuar, duke i financuar ata dhe duke i shfaqur, shkruan KultPlus.
Kushti i vetëm është që aplikuesit të jenë pjesëmarrës të edicioneve të kaluara të Sarajevo Talents – dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre janë shqiptarë, nga Kosova e Shqipëria.


Secili film do të marrë shumën prej 15 mijë eurosh ndërsa do të ndihmohet nga ekipi për zhvillimin e filmit dhe më pas shfaqjen e tij.

Deri me 1 dhjetor të këtij viti, kjo thirrje është e hapur për të gjithë të interesuarit. / KultPlus.com

Informata të tjera i gjeni në linkun poshtë:

http://www.sff.ba/en/page/call-for-entries-ts-2017

Arben Bajraktaraj, mësuesi i rreptë i të rinjve në Kamboxhia

Arbër Selmani

Arben Bajraktaraj është i rreptë me të rinjtë, por megjithatë ka një arsye pse ai bërtet, që ata të perfomojnë si duhet.

Të rinjtë në Kamboxhia, shtet në Azi, janë të talentuar kur vjen puna për performancë para publikut, por kanë frikë dhe ende nuk janë ballafaquar me të kaluarën e shtetit të tyre. Gjyshërit e tyre, prindërit e tyre, kanë vuajtur pasojat e një regjimi të fuqishëm. Në vitet 1975-1979, gati 3 milionë qytetarë në Kamboxhia kanë vdekur nga regjimi Khmer Rouge – i cili ushtroi një gjenocid në vend.

Shqiptari Arben Bajraktaraj është angazhuar që të rinjtë që kanë pasion teatrin dhe performancën të japin më të mirën e tyre. Në dokumentarin “Year Zero36”, i cili u dha këtë javë në një nga kinematë e Berlinit, e pasqyron rreptësinë por edhe profesionalitetin e Arbenit krahas të rinjve.

“Jam vetë me prapavijë nga një shtet ku ka pasur luftë e gjenocid dhe e kuptoj emocionin e këtyre të rinjve” tregon mes tjerash Bajraktaraj, një aktor i njohur tanimë jo vetëm në Francë por edhe në mbarë Evropën, sidomos në shtetet ku flitet gjuha franceze, shkruan KultPlus.

“Puna kërkimore në Kamboxhia rreth kujtesës ndërbrezore ( transgjeneratash) ka qenë punë e gjatë, e thellë dhe të ju them të drejtën shumë prekëse” tregon për KultPlus Bajraktari.

“Ndjeshmëria është një prej gjërave më të rëndësishme në procesin e krijimit. Duhet ti lëmë anash gjykimet tona për të zbuluar një pikturë të vërtetë të asaj se si e shohim botën. Për këtë, duhet të çlirohemi në tërësi” tregon Bajraktari.

Në Kamboxhia, ai vjen si trajner i trupës së të rinjve në bashkëpunim me Global Arts Corps.

Trupa, pasi bëhet gati për performancë, udhëton për në Ruandë, atje ku në kampin e refugjatëve jepet performanca e parë e trupës. Tanimë, të rinjtë futen thellë në role dhe nga një grup i amatorëve shndërrohen në aktorë. Me anë të aktrimit, ata e zbulojnë dhe ballafaqohen me të kaluarën e familjes së tyre, pjesën tjetër të identitetit.

Bajraktaraj, pjesë e dokumentarit i cili ende nuk ka përfunduar në tërësi, shihet se ka plot emocione për shkak të përvojë personale si një njeri me të kaluarën ku përfshihet lufta e gjenocidi.

Gjatë dokumentarit në fjalë, një prej valltarëve pëson një aksident që gati del të jetë fatal për të. Trupa pengohet nga shumë çështja drejt suksesit, por megjithatë ia del të formohet, me ndihmën e trajnerëve dhe regjisorit të dokumentarit, dhe vetë Arbenit.

Bajraktaraj ka studiuar në Slloveni, ndërsa ka luajtur në filmin “Heroi” dhe në “Woman who brushed off hear tears”, në mes plot filmave tjerë.

Dokumentari “Year Zero36” ende është ëork-in-progres, i papërfunduar. / KultPlus.com

E mahnitshme, Ana Kodra realizon provën e parë për Junior Eurovision (VIDEO)

Vogëlushja Ana Kodra ka realizuar dje provën e parë në skenën e Junior Eurovision 2017.

Kodra ka realizuar kësisoj provën e parë, e cila është komentuar si e suksesshme me Kodrën e cila ka përmirësuar aftësitë e saj vokale, diçka që shihet edhe në video.

Wiwibloggs, një prej portaleve që e përcjellë festivalin, e ka quajtur Anën një këngëtare në rritje dhe një konkurrente të fortë për këtë edicion të Eurovizionit për më të vegjlit, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?list=PLws1OoB9I0ztSi9VtzzcEWPuinlBMFe59&time_continue=1&v=lccRtOORH2E

Ana ka kënduar këngën “Don’t touch my tree”, ndërsa pos saj provën e parë e kanë realizuar këngët nga Armenia, Maqedonia, Qipro, Australia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia.

Festivali do të mbahet me 26 nëntor 2017 në Gjeorgji, ndërsa janë gjithsej 16-të shtete pjesëmarrëse. / KultPlus.com

Një Prishtinë e zbehur vjen përmes fuqisë artistike të Rron Qenës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Artisti Rron Qena dëshmoi stilin e tij të veçantë edhe në ekspozitën personale të titulluar “Fading”, e cila u hap sonte në Galerinë Monet në Prishtinë.

Kjo ekspozitë e rikujton më së miri nivelin e ajrit të ndotur që kishte kaluar parametrat e lejuar, dimrin e kaluar. Pamja e mjegulluar e cila kishte mbuluar gati çdo cep të Prishtinës, nuk kishte se si të kalonte pranë syve të artistit Rron Qena pa e nxitur edhe kreativitetin e tij. Një shpirt Rroni kësisoj pati shkëndijën e flaktë. Ai për pothuajse një vit punoi për të reflektuar këtë gjendje përmes dhjetë pikturave të cilat i prezantoi në këtë ekspozitë.

Ishte pikërisht kjo pamje e cila e kishte zhytur brushën e piktorit në të hirtë, duke e zbehur kaltërsinë e qiellit. Megjithatë qielli kishte zënë pak hapësirë në pikturat e tij, të cilat në anën tjetër paraqitnin një qytet të mbingarkuar nga ndërtesat.

Pikturat e tij vijnë në një ambient të mjegulluar për vizitorët mirëpo duke përçuar një mesazh të pastër. E gjithë kjo shprehje e veçantë e pikturës nuk ka se si të tingëllonte më mirë tek vizitorët e kësaj ekspozitë derisa plotësohej me këngët emblematike të Muharrem Qenës në sfond, xhaxhait të Rronit.
“Rron Qena i përket një gjenerate të artë të artistëve të Kosovës. Së bashku me gjeneratën e Rronit kemi provuar të debatojmë dhe të analizojmë sepse arti nuk ka kuptim nëse jepet si i përkryer. Me Rronin kemi pasur debatet më të ashpra sepse në atë kohë mendonim se piktura si medium shumë klasik nuk ofron aq mundësi sa mediumet e tjera por Rroni me kokëfortësinë e tij ka vazhduar deri më sot dhe besoj që do të vazhdojë edhe më tutje” tha profesori Mehmet Behluli në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.

Profesori Behluli tregoi për KultPlus se punën me Rron Qenën e kishte filluar në Akademi para vitit 1999, për të vazhduar më pas edhe jashtë Akademisë, të cilën në atë kohë e përshkruan si shumë klasike.

“Në atë kohë kushtet kanë qenë pak më ndryshe, akademia jonë ka qenë shumë klasike dhe nuk ka pranuar shprehje ndryshe dhe të reja dhe ne thjeshtë kemi dalë prej akademisë dhe kemi provuar të debatojmë”, tregoi profesorit Behluli për KultPlus.

Behluli e përshkruan Rronin si fanatik të mediumit, ndërsa brenda provon të qëndrojë sa më i freskët dhe gjithnjë në kërkim të formave të reja.
“Nganjëherë mendoj së është shumë e vështirë ta gjesh formën e re shprehëse, se sa të merresh me diçka që është eksploruar, eskplatuar maksimalisht. Pikërisht ta gjesh veten të freskët aty, është një mrekulli” tha profesori Behluli.

Piktori Rron Qena tregon për KultPlus se ideja e titullimit dhe përmbajtjes së kësaj ekspozitë ka ardhur si pasojë e smogut të vitit të kaluar. Mes mendimeve të tij për Prishtinën e mjegulluar në ajrin e ndotur ai krijoi këtë ekspozitë të veçantë.

“Në një moment jam ndjerë i zhgënjyer prej Prishtinës dhe kam menduar se nuk mund të krijojë diçka më shumë këtu. Mandej mendova se nuk mund të ndihem i zhgënjyer sepse ky është vendi ku unë po jetoj. E hapa dritaren dhe gjithçka çka pashë ishte mjegull, mandej edhe provova ta pikturoj Prishtinën në mjegull. Ajo mjegull mua më ndihmoi në venitjen e stilit tim të pikturës por edhe ta tregoj qytetin tonë pak si më të zbehur, i cili edhe pse po ndërtohet mjaft duket gjithnjë e më i zbehur”, është shprehur Rron Qena për KultPlus.

Bukuria që e karakterizonte këtë qytet, pothuajse është mbuluar tërësisht nga ndërtimet, të cilat sipas piktorit po e zhdukin këtë qytet.
“Gurthemeli i kësaj ekspozite është qyteti i humbur i Prishtinës sepse me të gjitha këto mbindërtime jemi duke e zhdukur qytetin. Këtu më nuk ka hapësirë, madje edhe ecja në këtë qytet është gjithnjë më e vështirë. Pikërisht këtu është dhimbja të cilën unë e kam reflektuar”, përfundoi Rron Qena.

Veprat e veçanta të kësaj ekspozite do të qëndrojnë brenda Galerisë Monet deri më 4 dhjetor, sa edhe do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë. / KultPlus.com

Fotografi të Prizrenit dhe Prishtinës në vitin 1913 (FOTO)

Këto janë disa fotografi në Prizrenin dhe Prishtinën e vitit 1913.

Njëra prej fotografive tregon ushtarët e Serbisë në Prishtinë, ndërsa një tjetër Prizrenin me datë 7 maj 1913, shkruan KultPlus.

Mirko Ilic i ka publikuar fotografitë në rrjetin social Facebook dhe ato duket se mund të jenë përpunuar.

Historia është kjo. Në vitin 1913, Auguste Leon dhe Jean Bunhes, njëri fotograf e kimist dhe i dyti një profesor i gjeografisë humane në College de France, erdhën në Ballkan për të fotografuar jetën, zakonet dhe njerëzit, zhdukja e të cilëve është vetëm “çështje kohe”.

Fotografitë po realizoheshin për t`iu dërguar më pas Albert Kahn – një bankier parisien. / KultPlus.com

Rritet numri i turistëve që e vizitojnë Shqipërinë

Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për turizëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti u rrit me ritme dyshifrore.

Sipas raportit të publikuar të martën nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në dhjetëmujorin e 2017 është 4.6 milionë, duke u rritur me 7,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Por referuar shifrave të INSTAT-it të huajt që vizituan Shqipërinë për qëllime turizmi u rritën me 21% gjatë 10 mujorit.

Polonia renditet ndër vendet që kanë rritjen më të lartë të numrit të turistëve që vizituan Shqipërinë, me rreth 74%. Gjithsej 113 mijë polakë vizituan Shqipërinë në 10-mujorin e parë të 2017-s.
Rritje të lartë kanë shënuar dhe turistët italianë, me 42%. Hyrjet nga shtetasit nga Anglia u rritën me 26% ose 116 mijë persona, duke u renditur pas Italisë. Pavarësisht rritjes, pesha e tyre ndaj totalit të hyrjeve është vetëm 2.4%.

Rritje e vizitorëve të huaj është parë jo vetëm në vijën tonë bregdetare ku janë dhe plazhet më të reklamuara si, ai i Sarandës, Dhërmiut, Vlorës, Durrësit apo Shëngjinit e Velipojës, por edhe në zonat tona malore pati më shumë lëvizje vizitorësh të huaj.

Kjo konfirmohet edhe nga operatorët turistike. / KultPlus.com