Shqipe Kamberi dhe Mjellma Goranci vijnë me ekspozitë të përbashkët në Galerinë Monet

Dy piktoret e njohura Shqipe Kamberi dhe Mjellma Goranci, këtë të henë do të sjellin ekspozitën e përbashkët në Galerinë “Monet”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen si dialog mes dy piktoreve, duke shpalosur punimet e stilin e tyre në një hapësirë.

Ekspozita do të hapet këtë të hënë në Galerinë “Monet”, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Në Galerinë “Monet” mund të blini piktura të shtrenjta por që ofrohen me çmim të lirë

Punime e stile të ndryshme zunë vend mbrëmë në Galerinë Monet në Prishtinë, krejt kjo për t’u dhënë mundësinë publikut që të pasurohen me punime origjinale, me çmime jo dhe aq të larta, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Krejt këto në kuadër të Panairit të leverdishëm të artit Pranverë 2018, që u hap sonte për herë të parë. Këtë panair e karakterizon një përzierje gjeneratash e stilesh në punime të ndryshme artistike. Për shkak të hapësirës së ngushtë në Monet, e punimeve jo të pakta në numër, zbrazëtira mes punimeve ishte shumë pak e pranishme. Megjithatë ato dallonin nga madhësia e figuracioni, që bëhej i identifikueshëm edhe me anë të emrave që ishin vendosur shumë pranë punimeve, e gjithë kjo për t’i dhënë mundësi blerësve që të gjejnë stilin e tyre dhe atë që u përshtatet më së miri për ta vendosur në ambientet që i rrethojnëçdo ditë.

Blerta Surroi, themeluesja e Galerisë “Monet”, tha se përmes hapësirës jo edhe aq të gjerë por shumë funksionale të këtij ambienti po mundohen të zhvillojnë sa më shumë aktivitete brenda muajit. Ky aktivitet ka synuar që publikut t’i sjellë diçka më ndryshe në këtë stinë. Ajo tha se ky panair u afron një mundësi të mirë për artistët që ta shesin punën e tyre por që shërben edhe si një motiv në krijimtarinë e tij artistike.

“Na ka gëzuar fakti që të gjithë ju kanë përgjigjur ftesës, vendi dhe artistët kanë nevojë për aktivitete të tilla. Ne artistët kemi nevojë të mblidhemi në një panair ku jemi të gjithë bashkë dhe ky është synimi ynë që t’i sjellim sa ma afër blerësit punimet tona”, tregoi Surroi për KultPlus.
Vlera më e lart që kapin çmimet është 300 Euro. Kjo nënkupton edhe qëllimin e Galerisë që publikut t’i ofroi punime me vlera artistike me anë të një çmimi më të ulët, kjo bazuar edhe në rrethanat ekonomike në të cilat ndodhet shoqëria kosovare. Lidhur me këtë, piktorja e themeluesja e Galerisë “Monet”,
Blera Surroi u shpreh se secili artist ka punimet në të cilat kanë investuar shumë mund dhe që mendojnë se vlejnë shumë, por në anën tjetër, secili artist në atelienë e vet ka edhe punime që do të mund t’i shiste edhe në çmim më të lirë.

Ky panair kishte mbledhur punimet e po thuajse dyzetë emrave të artistëve të njohur të vendit. Në mesin e tyre janë të përfshirë: Rexhep Ferri, Fatmir Tufina, Arif Lushi, Veli Blakçori, EshrefQahili, Musa Kalaveshi, BasriMakolli, Adem Rusinovci, BurhanAhmeti, Faik Krasniqi, Majlinda Kelmendi, Blerta Surroi, ZakePrelvukaj, Mjellma Goranci, ZeniBallazhi, Naim Spahiu, Eliza Hoxha, Shqipe Kamberi, FahredinSpahija, MirsadLushtaku, Valdete Vuçitërrna, Valbona Rexhepi, Merita Maloku, Bardha Buza, Vlora H. Hajrullahu, Afrora Uka , Arlinda Hajrullahu, YrzemeMulliqi, Bardhyl Bejtullahu, Mentor U. Berisha, Artan Balaj, LeonidPalushaj, Mina Krasniqi, Jeta Kalaveshi, Albana Ejupi, AlbulenNeziri, Genc Rezniqi, Drita Blakçori.

Në mesin e shumë punimeve, janë edhe dy punime të fotografit, Fahredin Spahija të cilat edhe kanë qenë pjesë e ekspozitës që u hap së fundmi në Galerinë “Monet”. Spahija tha se këtë panair e vlerëson si shumë të rëndësishëm si për artistët, ashtu edhe për Galerinë.
“Uroj që Kosova të ketë blerës për art, unë besoj që në këtë krizë të madhe ka edhe njerëz që mund të investojnë në art dhe t’ia rrisin vlerën shtëpisë së tyre me një vepër artistike”, tha Spahija për KultPlus.

Piktorja Mina Krasniqi në këtë panair ka sjellë dy piktura nga cikli i ekspozitës së saj të fundit “Nuset”. Ajo tha se Kosova ka nevojë për panaire të tilla por edhe për panaire më të mëdha.
“Ka mungesë të panaireve në Kosovë dhe në vende të tjera shqiptare kështu që panairi u jep mundësi artistëve që të njihet më mirë puna e tij dhe pa dyshim edhe një mënyrë shumë e mirë që të përfitojnë nga puna e tyre. Ky panair ka më të vërtet artistë prej më të mirëve, është mirë që publikut t’i prezantohet një panair me art të mirëfilltë”, ka thënë për KultPlus, piktorja Krasniqi.
Këto punime do të qëndrojnë për dy javë në Galerinë “Monet”, aq sa do të qëndroi i hapur panairi në këtë galeri./ KultPlus.com

Fahredin Spahija sonte sjellë ekspozitën “Përtej”

Fotografi kosovar, Fahredin Spahija do të sjellë ekspozitën personale të titulluar “Përtej”, shkruan KultPlus.

Fotografi Fahredin Spahija do të sjellë punimet e tij në ekspozitën që do të hapet të mërkurën në Galerinë “Monet”.

Ekspozita hapet sonte, më 21 mars duke filluar nga ora 20:00, për të qëndruar e hapur deri më 4 prill./KultPlus.com

Artistët shqiptarë shesin piktura me çmime të lira në ekspozitën shitëse në MONET

Arbër Selmani

E tërë hapësira ekspozuese e galerisë është e mbushur me piktura të ndryshme. Formatet janë të ndryshme, ngjyrat janë trullosur prej tërmetit që ka shkaktuar lëvizjen e vijave brenda cdo pikture. Disa janë më abstrakte, disa më të errëta e herë më të dritësuara. Ka edhe vajza me kokën e ngjyrosur në ngjyrë rozë.

Genta Gola shëtitet nëpër Monet – Art & Books, ndërsa është në emocione sepse ka vendosur ta blejë njërën prej pikturave. Sonte në këtë galeri në Prishtinë po mbahet një ekspozitë shitëse. Emra artistësh si Rron Qena, Eshref Qahili, Zake Prelvukaj, Shqipe Kamberi, Adriana Puleshi, Arlinda Hajrullahu e artistë tjerë kanë sjellë pikturat që ato të shiten. Asnjëra nuk kushton 100 euro, disa prej tyre janë 99 euro dhe çmimet tjera veç sa shkojnë drejt numrave më të vegjël.

Genta e zgjodhi pikturën e saj, ndërsa aty për aty bëri edhe pagesën.

“Pikturat që mua më pëlqejnë janë zakonisht të shtrenjta, prandaj sonte ishte mundësia me ardhë dhe me marrë pikturë me çmim të volitshëm. Aktivitete si kjo i duhen kryeqytetit dhe publikut, me e pasuru shtëpinë me art cilësor të këtyre artistëve” tregon Genta.

“Pata problem për pikturën, sepse u konsultova edhe me një shoqe me të cilën e kemi shijen e njëjtë, ajo është vetë piktore, prandaj u nguta dhe e bleva pikturën. Por jam e lumtur që e bleva” tregon Genta.
Pikturat gjithandej dukej sikur rrinin të gatshme ti dorëzoheshin secilit që do të paguante për to. Shijet e ndryshme puthen me stilin e ndryshëm të artistëve.

Rron Qena, punët e tij i pati te ekspozuara në hyrje të MONET, derisa pak më larg vetë Blerta Surroi pati punimet e saj. Nën tingujt e muzikës, ngjyrat e Afrora Ukës dhe fotografia e Burim Myftiut poashtu patën çmimin e lirë për tu shitur. Mjellma Goranci solli vajzat e bukura të pikturuara tanimë në një stil që e veçon atë. Dikush edhe e bëri për vete njërën nga pikturat e saj, të vogla por simpatike.

Mjellma tregon se me dëshirën më të madhe bëhet pjesë e nismave të tilla ku pikturat vijnë me çmime më ultë se zakonisht.

“Unë për vete jam mirë me shitjet e veprave të mia artistike, por iniciativat e tilla janë tepër të nevojshme për artistin dhe për publikun në Kosovë. Në këtë mënyrë njerëzit kanë qasje tek veprat e artistëve dhe janë më afër tyre. Një artist e përcakton vlerën e artit të vet, dhe ky aktivitet i sotëm më pëlqeu shumë” tregon piktorja Mjellma Goranci.

Blerta Surroi, vetë artiste dhe pjesë e Monet – Art & Books, tregon se një ide e tillë dëshiron ta thyejë distancën e krijuar në mes të artistit dhe blerësit.

“Kjo është e para ekspozitë e këtij lloji në Monet, ndërsa është menduar ta afrojë këtë distancën e krijuar në mes të veprave artistike dhe qytetarëve. Neve na gëzon fakti që ende pa u hapë ekspozita ka filluar shitja e punimeve” tregon Blerta Surroi për KultPlus.

20 për qind e shitjes shkon për vetë Galerinë ndërsa pjesa tjetër shkon për artistin, si formë stimulimi për vazhdimin e krijimit të punëve artistike.
“Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në mesin e janarit, prandaj njerëzit kanë mundësi të vijnë dhe të blejnë veprat që ata duan. Ideja është që diçka e tillë të organizohet më së paku tre herë gjatë vitit, herën tjetër besoj me karakter bamirës, gjithmonë me synimin kryesor që blerësin dhe veprën e artit ta sjellim më afër njëri tjetrit. Ka humbur tradita e blerjes së punëve artistike, askënd nuk e sheh duke e blerë një vepër arti” tregon Blerta Surroi. / KultPlus.com

Mund të bleni punimet origjinale të 22 artistëve shqiptarë me vetëm 99 euro

Konsiderohet të jetë ekspozita e parë shitëse kushtuar festave të fundvitit, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspzitë që do të hapet më 7 dhjetor, mund të bleni punime origjinale vetëm deri në 99 euro, ku 22 autorë do te ekspozojne punimet e tyre. KultPlus ju sjellë emrat e këtyre artistëve, punimet e të cilëve mund ti keni në shtëpitë, zyret, institucionet…

Artistët që ofrojnë punimet e tyre me këtë cmim janë: Veli Blakcori, Blerta Surroi, Eshref Qahili, Arif Lushi, Adriana Puleshi, Rron Qena, Zake Prelvukaj, Arlinda Hajrullahu, Lyra Zajmi, Bardha Buza, Besnik Xhemajli, Merita Maloku, Burim Myftiu, Ardiana Kika, Eliza Hoxha, Mjellma Goranci, Afrora Uka, Vlora Harjullahu, Engjëll Berisha, Vala Blakcori, Zana Ramdani e Shqipe Kamberi.
Ekspozita do të hapet në Galerinë “Monet”, në ora 19:00, më 7 dhjetor./KultPlus.com

Një Prishtinë e zbehur vjen përmes fuqisë artistike të Rron Qenës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Artisti Rron Qena dëshmoi stilin e tij të veçantë edhe në ekspozitën personale të titulluar “Fading”, e cila u hap sonte në Galerinë Monet në Prishtinë.

Kjo ekspozitë e rikujton më së miri nivelin e ajrit të ndotur që kishte kaluar parametrat e lejuar, dimrin e kaluar. Pamja e mjegulluar e cila kishte mbuluar gati çdo cep të Prishtinës, nuk kishte se si të kalonte pranë syve të artistit Rron Qena pa e nxitur edhe kreativitetin e tij. Një shpirt Rroni kësisoj pati shkëndijën e flaktë. Ai për pothuajse një vit punoi për të reflektuar këtë gjendje përmes dhjetë pikturave të cilat i prezantoi në këtë ekspozitë.

Ishte pikërisht kjo pamje e cila e kishte zhytur brushën e piktorit në të hirtë, duke e zbehur kaltërsinë e qiellit. Megjithatë qielli kishte zënë pak hapësirë në pikturat e tij, të cilat në anën tjetër paraqitnin një qytet të mbingarkuar nga ndërtesat.

Pikturat e tij vijnë në një ambient të mjegulluar për vizitorët mirëpo duke përçuar një mesazh të pastër. E gjithë kjo shprehje e veçantë e pikturës nuk ka se si të tingëllonte më mirë tek vizitorët e kësaj ekspozitë derisa plotësohej me këngët emblematike të Muharrem Qenës në sfond, xhaxhait të Rronit.
“Rron Qena i përket një gjenerate të artë të artistëve të Kosovës. Së bashku me gjeneratën e Rronit kemi provuar të debatojmë dhe të analizojmë sepse arti nuk ka kuptim nëse jepet si i përkryer. Me Rronin kemi pasur debatet më të ashpra sepse në atë kohë mendonim se piktura si medium shumë klasik nuk ofron aq mundësi sa mediumet e tjera por Rroni me kokëfortësinë e tij ka vazhduar deri më sot dhe besoj që do të vazhdojë edhe më tutje” tha profesori Mehmet Behluli në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.

Profesori Behluli tregoi për KultPlus se punën me Rron Qenën e kishte filluar në Akademi para vitit 1999, për të vazhduar më pas edhe jashtë Akademisë, të cilën në atë kohë e përshkruan si shumë klasike.

“Në atë kohë kushtet kanë qenë pak më ndryshe, akademia jonë ka qenë shumë klasike dhe nuk ka pranuar shprehje ndryshe dhe të reja dhe ne thjeshtë kemi dalë prej akademisë dhe kemi provuar të debatojmë”, tregoi profesorit Behluli për KultPlus.

Behluli e përshkruan Rronin si fanatik të mediumit, ndërsa brenda provon të qëndrojë sa më i freskët dhe gjithnjë në kërkim të formave të reja.
“Nganjëherë mendoj së është shumë e vështirë ta gjesh formën e re shprehëse, se sa të merresh me diçka që është eksploruar, eskplatuar maksimalisht. Pikërisht ta gjesh veten të freskët aty, është një mrekulli” tha profesori Behluli.

Piktori Rron Qena tregon për KultPlus se ideja e titullimit dhe përmbajtjes së kësaj ekspozitë ka ardhur si pasojë e smogut të vitit të kaluar. Mes mendimeve të tij për Prishtinën e mjegulluar në ajrin e ndotur ai krijoi këtë ekspozitë të veçantë.

“Në një moment jam ndjerë i zhgënjyer prej Prishtinës dhe kam menduar se nuk mund të krijojë diçka më shumë këtu. Mandej mendova se nuk mund të ndihem i zhgënjyer sepse ky është vendi ku unë po jetoj. E hapa dritaren dhe gjithçka çka pashë ishte mjegull, mandej edhe provova ta pikturoj Prishtinën në mjegull. Ajo mjegull mua më ndihmoi në venitjen e stilit tim të pikturës por edhe ta tregoj qytetin tonë pak si më të zbehur, i cili edhe pse po ndërtohet mjaft duket gjithnjë e më i zbehur”, është shprehur Rron Qena për KultPlus.

Bukuria që e karakterizonte këtë qytet, pothuajse është mbuluar tërësisht nga ndërtimet, të cilat sipas piktorit po e zhdukin këtë qytet.
“Gurthemeli i kësaj ekspozite është qyteti i humbur i Prishtinës sepse me të gjitha këto mbindërtime jemi duke e zhdukur qytetin. Këtu më nuk ka hapësirë, madje edhe ecja në këtë qytet është gjithnjë më e vështirë. Pikërisht këtu është dhimbja të cilën unë e kam reflektuar”, përfundoi Rron Qena.

Veprat e veçanta të kësaj ekspozite do të qëndrojnë brenda Galerisë Monet deri më 4 dhjetor, sa edhe do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë. / KultPlus.com