‘Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri…’

John Lennon

“Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri…”

“Na kanë bërë të besojmë se dashuria, ajo e vërteta gjendet vetëm një herë në jetë dhe në përgjithësi para moshës 30 vjeç, nuk na kanë thënë që dashuria nuk ka kohë e nuk mbërrin në një moment preciz.

Na kanë bërë të besojmë se secili prej nesh është gjysma e një portokalli e se jeta ka kuptim vetëm kur arrijmë të gjejmë gjysmën tjetër. Nuk na kanë thënë se kemi lindur Të Plotë e që asnjë në jetën tonë nuk meriton të mbajë mbi supe përgjegjësinë për të kompletuar atë që na mungon: rritemi me veten. Nëse jemi në shoqëri të mirë është thjesht më e këndshme.

Na kanë bërë të besojmë në një formulë të quajtur “dy në një”, dy njerëz që mendojnë njësoj, që veprojnë njësoj e që vetëm kjo mund të funksiononte. Nuk na kanë thënë se vetëm duke qenë individ me personalitetin tënd, të lejon të kesh një marrëdhënie të shëndetshme.

Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri e se dëshirat jashtë saj duhen shtypur. Që ekziston një formulë e vetme për lumturinë, e njëjta për të gjithë ata që dalin jashtë kësaj janë të dënuar të margjinalizohen.
Nuk na kanë thënë se këto formula nuk funksionojnë dhe e tjetërsojnë njeriun. Nuk na kanë thënë se askush nuk do na i tregonte të gjitha këto. Secili nga ne do ti zbulojë vetë. Dhe kështu kur të duash vetveten, do jesh po aq i lumtur e do mund të duash dikë tjetër”.

Afro 10 mijë persona nisin aksionin ‘Ta pastrojmë Gjilanin’

Sipas planifikimeve të cilat janë bërë nga Task Forca “Ta pastrojmë Gjilanin”, me pjesëmarrje të të gjitha institucioneve komunale, Gjykatës, Prokurorisë, Policisë së Kosovës, FSK-së, shkollave fillore e të mesme, bashkësive fetare, ndërmarrjeve publike, shëndetësisë primare e regjionale, organizatave rinore, veteranëve, operatorëve privat dhe qytetarëve të shumtë, sot në mëngjes ka nisur aktiviteti për pastrimin e gjithë territorit të Gjilanit.

Sipas njoftimit për media të Komunës së Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri para turmës së mbledhur në sheshin qendror “Agim Ramadani” ka thënë se në javën e parë do të bëhet vetëm pastrim dhe grumbullim të mbeturinave.

“Javën e ardhshme do të punojmë për mbjelljen e drunjve dekorativë dhe gjelbërim të hapësirave nëpër pjesë të ndryshme të qytetit. Së bashku do të punojmë vazhdimisht edhe për ruajtjen e ambientit në të ardhmen. Sot ky aksion do të nis edhe në lagje dhe fshatrat e Komunës sonë, përmes këshillave të fshatrave, bashkësive fetare dhe banorëve nëpër lokalitetet atje”, ka thënë kryetari Haziri.

Për ndryshe, besohet se në qytetin e Gjilanit sot janë duke pastruar afro 10 mijë persona, që nga shkollat me afro 6 mijë nxënës e mësimdhënës, rreth 500 mjekë, rreth 300 shërbyes civilë, rreth 500 punëtorë të ndërmarrjeve komunale, afro 500 persona nga organizimi i bashkësive fetare, pastaj vullnetarë të shumtë, OJQ, etj. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita personale e Petrit Halilajt në Los Angeles

Ekspozita e tij e parë personale në Los Angeles do të hapet sonte.

Deri me 20 janar të vitit tjetër, Hammer Projects prezantojnë artistin kosovar Petrit Halilaj, një emër i njohur në artin bashkëkohor momental.

Qilimat e famshëm të cilët ai i prezantoi në Bienalen e Venecias vitin e kaluar, do të zënë hapësirën e Hammer Museum në Los Angeles. Për këtë ekspozitë, siç shkruan koncepti, Petriti ndërton botëra të çuditshme nga krijesat fantastike dhe reliktet e rimëkëmbura, nisur gjithmonë duke përthekuar përvojën e tij personale.

Shkopinjtë, balta dhe pëlhura janë elemente të cilat Petriti i sjellë në këtë ekspozitë. Ekspozita është një vazhdimësi e obsesionimit që Halilaj ka me kafshët: u shndërrua në zog, në qen, ndërsa tani prapë merret me kafshët, gjegjësisht me molën apo tenjën, që i përngjanë fluturës, shkruan KultPlus.

Për Petritin, ky inspirim përfaqëson zbulim, transformim dhe fshehje, duke dashur ti lartësojë insektet shpesh të këqija në një pozitë më të mirë në botën e mbretërisë së kafshëve.

Halilaj është fitues i Mirënjohjes Speciale në Bienalen e Venecias ndërsa ka fituar edhe Mario Merz Prize. Ai ka lindur më 1986 në Kostërrc, ndërsa jeton midis Prishtinës dhe Berlinit. / KultPlus.com

Tash po nisemi

Jusuf Gërvalla

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.

Fotografi nga Manastiri i Deçanit në fillim të shekullit XX

Manastiri i Deçanit edhe sot është mollë sherri në mes të Serbisë e Kosovës.

Një objekt i bukur i trashëgimisë kulturore por edhe vend kulti, Manastiri i Deçanit është pikë reference edhe për turistët e ndryshëm që vijnë në Kosovë.

Manastiri është ndërtuar afër lumit Bistrica, nën shpatet e mprehta të Bjekshëve të Nemuna, ndërsa e ka themeluar Shën Stafeni Uroshi III i Deçanit, djali i mbretit Millutin dhe babai i mbretit Dushan.

Manastiri është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO. Po i sjellim këtu disa fotografi të Manastirit të Deçanit në fillim të shekullit XX, postuar nga Kosovas Archäologie. / KultPlus.com

‘Biblioteka Kombëtare e Kosovës është mrekulli e arkitekturës moderne!’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, punë e arkitektit kroat Andrija Mutnjakovic, disa herë është përfshirë në dy lista: në listën e objekteve mrekulli në aspektin arkitekturor dhe shpesh në listën e objekteve më të shëmtuara.

Me gjithë faktin se mendimet nuk pajtohen dhe janë relative, nuk ka dyshim që objekti është i veçantë në formën dhe ndërtimin e tij dhe i jep Prishtinës një pamje tjetër.

Gazeta kroate Jutarnji List së fundmi e ka quajtur këtë ndërtesë si një mrekulli të arkitekturës moderne.

“Ndërtesa, që nga hapja e saj në vitin 1982, nuk është renovuar asnjëherë, pos aty-këtu ndryshimeve të vogla. Madje ndërtesa është me fakt që i ka shpëtuar edhe luftës në Kosovë. Së fundmi, Ministria e Kulturës në Kosovë ka ndarë disa para për të ndërhyrë në funksionimin më të mirë të ndërtesës, në këtë proces ku do të marrë pjesë edhe vetë Mutnjakovic” shkruan mes tjerash Jutarnji list.

Në këtë shkrim përmendet edhe Java e Arkitekturës në Kosovë dhe takimi i Bekim Ramkut dhe Nol Binakajt me Mutnjakovic.

Në shkrim përmendet se MoMA – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka disa ide se di të integrojë trashëgiminë e Mutnjakovic brenda ndërtesës, për të lënë më shumë gjurmë të këtij arkitekti brenda kësaj ndërtese unike.

Para pak ditësh KultPlus tregoi se si ky objekt prapë është përfshirë në një listë të bibliotekave më të mahnitshme në Evropë. / KultPlus.com

Sonte fillon Salloni i Tetorit, pjesëmarrëse edhe Yoko Ono

Artistja 85 vjeçare japoneze Yoko Ono është një prej pjesëmarrëseve në Sallonin e Tetorit këtë vit në Beograd.

Ajo që njihet edhe si Bienalja e Beogradit, Oktobarski Sallon është një prej ngjarjeve më kryesore të artit në Ballkan, ku marrin pjesë vit për vit rreth 50 artistë nga mbarë bota, për të ekspozuar por edhe për të fituar çmimin e përvitshëm.

Yoko Ono është vetëm njëra prej pjesëmarrëseve. Artistja e njohur, dikur gruaja e John Lennon, është e famshme për paraqitjet e saj artistike dhe performancat në gjuhën angleze dhe japoneze, shkruan KultPlus.

Një punë që vlen të përmendet është ajo e vitit 1964, e titulluar “Cut Piece”.

https://www.youtube.com/watch?v=lYJ3dPwa2tI

Në këtë edicion të Sallonit të Tetorit, që do të nisë sonte në mbrëmje, do të marrin pjesë edhe artistë të tjerë, mes tyre Jasmina Cibic, Maja Dordevic, Ian Cheng, Takashi Murakami, Cindy Sherman e artistë të tjerë.
“Kakofonia e mrekullueshme” është tema e këtij edicioni, i cili do të jetë i hapur deri me 28 tetor. / KultPlus.com

Në shenjë revolte, aktorja Irena Cahani nuk do të luajë në shfaqjen ‘Ana dhe Zefi’

Pas aktorit Astrit Kabashi, i cili sot tregoi se nuk do të luajë në shfaqjen “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator për shkak të moskryerjes së obligimeve nga ana e Teatrit Kombëtar të Kosovës kundrejt tij, edhe aktorja Irena Cahani ka vendosur të mos luajë në njërën prej shfaqjeve ku ajo është angazhuar.

“Në muajin tetor kur të dalë orari i shfaqjes nuk do të jem pjesë e “Ana dhe Zefi”. Prej datës 26 qershor kur ka qenë premiera, ndaj meje nuk janë kryer obligimet nga ana e TKK-së, as ndaj meje e as ndaj asnjërit prej kolegëve me të cilët jam në shfaqje, e të cilët janë krejt aktorë jorezident të Teatrit” tregon Irena Cahani, rreth vendimit të saj në shenjë proteste e pakënaqësie.

Si pasojë e gjakmarrjes, krijohen shtigje enigmatike, të cilat nuk kanë zgjidhje për shkak të dokeve dhe zakoneve që ia marrin jetën njeriut. Ky është një ndër konstatimet e dramës tragjike “Ana dhe Zefi”, me regji të Erson Zymberit, e cila sjell një përshkrim të ndjeshëm të dy të rinjve që luajnë në të panjohurën me plot dashuri.

Cahani tregon se po e mbështetë aktorin Kabashi në këtë problematikë e cila po shkakton probleme në moralin e punës të shumë prej aktorëve në TKK, ndërsa shpreson që së shpejti të ketë një përfundim më të mire të kësaj çështjeje brenda institucionit më të madh teatror në vend.

“Nëse nuk kryhet pagesa deri në shfaqjen e ardhshme, unë nuk kam me lujtë në shfaqje” tregon Irena.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Ernest Zymberi, Irena Cahani, Kushtrim Qerimi dhe Verona Koxha. / KultPlus.com

Nesër mbahet Festivali ‘Ylberi i Prishtinës’

Nesër, e shtunë, 15 Shtator 2018 mbahet festivali i valleve për fëmijë “Ylberi i Prishtinës” 2018. Defileu i ansambleve fillon në ora 17:00 nga Sheshi “Adem Jashari” (platoja tek Komuna e vjetër) për të vazhduar përgjatë sheshit “Ibrahim Rugova”, ”Skënderbeu”, “Nëna Terezë” e deri tek Sheshi “Zahir Pajaziti”.

Ceremonia e hapjes së festivalit do të bëhet në ora 18:00 në Amfiteatrin e hapur në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ansamblet pjesëmarrëse janë:

– QKF “Durrës” – Shqipëri

– AKV “Ibe Palikuqi”- Maqedoni

– AKV “Fluturat” – Mali i Zi

– BKUD “Podgorski Biseri” – Prizren

– KSSD “Gercek” – Prishtinë

– AKV “Minatori i Ri”-Kishnicë

– SHKA “Bajram Curri” – Prishtinë

– AKV “Dëshmorët e Kombit” – Obiliq

– AKV “Prishtina” – Prishtinë

– AKV “Hajvalia” – Hajvali

– Qendra Kulturore e Fëmijëve – Prishtinë

– Qendra Rinore – Pejë

Festivali tradicional i valleve për fëmijë “Ylberi i Prishtinës”2018, organizohet për të gjashtëmbëdhjetin vit me radhë, dhe është një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore për fëmijë që zhvillohet në Prishtinë. Festivali organizohet nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Kulturë, dhe realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës. / KultPlus.com

Njihuni me autorët më të shquar të të gjitha kohërave

Në një studim të revistës “TIME” duke mbledhur mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur të kohëve të sotme kanë vlerësuar autorët më të shquar të të gjitha kohërave. Pra, jo dhjetë shkrimtarët më të mirë, por më të famshmit. Shkrimtari rus Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i famshëm botëror. Më pas vjen Uilliam Shekspir. Ndërkohë në një listë tjetër po të revistës TIME, Tolstoi zinte sërish vendin e parë. Këtë herë për librin më të mirë të historisë. “Ana Karenina” e Leo Tolstoit u shpall si libri më i mirë i të gjitha kohërave. Historia klasike e Leo Tolstoit mbi një dashuri fatkeqe, është një nga novelat më të admiruara në literaturën botërore. Gjenerata të tëra lexuesish janë magjepsur nga heroina e tij e mrekullueshme, me një martesë jo të lumtur të Ana Kareninës dhe marrëdhënies së saj tragjike me kontin e pashëm Vronski. Në botën e tyre, lidhjet e parëndësishme janë të zakonshme, por pasioni që lind mes Anës dhe Vronskit i kthen ata në objekt përçmimi dhe çon në izolimin e Anës. Mënyra se si marrëdhënia e tyre shkatërrohet është në kontrast të plotë me gëzimin që rrethon miqtë dhe familjen e saj, sidomos çiftin e ri Kiti dhe Levin, që përjetojnë një marrëdhënie prekëse. Ana Karenina është një kryevepër, jo vetëm për gruan e paharrueshme që përjeton dramë në fatin e saj, por gjithashtu sepse ajo eksploron dhe hedh dritë mbi pyetjen e madhe se si duhet jetuar plotësisht jeta! Në këtë listë në vend të dytë vinte kryevepra e Gustav Flobert “Madam Bovari”. Ndërkohë rusi Leo Tolstoi vinte sërish në këtë listë me vendin e tretë që e zë me veprën “Lufta dhe Paqja”. Leo Tolstoi ishte i vetmi autor që në këtë listë është më dy libra. Në atë listë nuk kishte si të mbetej jashtë “Aventurat e Hakëleberri Fin” të shkrimtarit të famshëm, Mark Tuein. Gjithashtu në listën e librave Uilliam Shekspir me kryeveprën e tij “Hamleti”.

1. Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i madh botëror. Ndonëse në kohët e sotme është kaq shumë i çmuar, jeta e tij në periudhën kur jetoi, pati shumë dhembje dhe moskuptim. Ai ishte i pambështetur prej familjes dhe miqve prej pikëpamjeve të tij të ndryshme mbi jetën, fenë, dashurinë dhe mënyrën e ndërtimit të shoqërisë. Në vitin 1910, në moshën 81-vjeçare, si shenjë e revoltës së tij dhe për të mbrojtur më së miri ideologjinë që predikonte, Tolstoi u largua nga shtëpia dhe vdiq në ndërtesën e stacionit të trenit të Astapovos prej sëmundjes dhe pleqërisë.

2. Uilliam Shekspir, dramaturgu, poeti dhe shkrimtari më i njohur anglez, me shumë mister që e rrethon, është vlerësuar i dyti. Ai e bëri botën të qajë e të qesh me dramat dhe komeditë e tij të papërsëritshme. Është shkrimtari më i lexuar në botë, me 4 miliardë libra të shitur. Talenti i tij në depërtimin e botës së çdo personazhi dhe mjeshtëria e gjuhës, e bëjnë Shekspirin “Lordin e shkrimit anglez”. Shekspiri realizoi gjithsej 37 vepra: 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Tragjeditë e tij më të famshme janë “Hamleti”, “Henri IV”, “Makbeth” dhe “Romeo e Xhulieta”. Te komeditë përmendim “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Nata e dymbëdhjetë”.

3.Xhejms Xhojs, është i akuzuar prej shumë kritikëve si shkrimtari irlandez me stil të pakuptueshëm, të vështirë dhe monoton. Në listën e shkrimtarëve më të mirë botëror, renditet i treti. Xhejms Xhojs konsiderohet si një nga autorët më me ndikim të shekullit XX. Ai është i njohur për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë të diskutuar “Zgjimi i Fineganëve” (1939), për përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe për romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit djaloshar” (1916).

4.Vladimir Nabokov, shkrimtari rus i famshëm për romanin e tij tërësisht tronditës për shoqëritë e të gjitha kohërave, “Lolita”, është vlerësuar i katërti. Karriera e tij filloi pas përkthimit të veprave në anglisht, ku u bë shumë i njohur sidomos me romanin “Lolita”, i cili është realizuar shumë herë në filma, ku përmendet filmi i vitit 1997 aktruar nga i madhi Xheremi Ajrons dhe Melani Grifit.

5. Fjodor Dostojevski,shkrimtari, filozofi dhe eseisti rus, është i njohur për veprat e tij madhështore. Në këtë klasifikim është vlerësuar i pesti. Veprat e tij hulumtojnë thellë në psikologjinë njerëzore nga pikëpamjet politike, shoqërore dhe shpirtërore të Rusisë së kohës. Ai është themeluesi i ekzistencializmit të shekullit të 20 në Rusi. Për Dostojevskin thuhet se është ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me influencë të të gjitha kohërave.

6. Uilliam Folkner,shkrimtari i rëndësishëm që prej natyrës së tij të tërhequr ishte gati-gati i panjohur për lexuesit, derisa në vitin 1949 mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ai është vlerësuar në këtë listë si shkrimtari i gjashtë më i shquar. Vepra e tij, që korri më shumë sukses dhe që i dha emër, është “Një trëndafil për Emilinë”. Në fjalën e tij, gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai tha: “Është veç një fjalë goje të thuash se njeriu është i pavdekshëm, vetëm sepse ai do të mbijetojë, kur të ketë kumbuar tiktaku i mbramë i fundit të botës, pasi të jetë shuar me shkëmbimin e sprasëm e krejt të pavlerë të përshkënditjes së mbrëmjes së fundit, edhe atëherë do të ketë mbetur kumbi i një zëri: kumbi i mezindier, i pashtershëm i njeriut që ligjëron ende.”

7. Çarls Dikens,shkrimtari i madh anglez vjen në këtë listë i vlerësuar i shtati. Ai mendohet se është ndër të parët shkrimtarë anglezë, të cilët lëvruan romanin shoqëror. Si veçori e këtij autori është se veprat e tij përbëhen nga personazhe kryesisht fëmijërorë, nga ku vijnë dhe titujt e librave. Mendohet se shkak i kësaj është fëmijëria e tij e mjerueshme. I varfër dhe pa asnjë mjet jetese, ai i nënshtrohet punës në moshë shumë të re. Ndoshta ky është edhe çelësi i suksesit të tij, nëpërmjet personazheve që krijoi, ai pasqyroi dhe rishkroi fëmijërinë e tij për t’i dhënë një fund të lumtur. Veprat e tij më të njohura janë: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell” dhe “Nikolla Nikëllbi”.

8. Anton Çehov,konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar jo vetëm rus, por mbarëbotëror. Ai vlerësohet i teti nga kritikët e sotëm. Çehov u diplomua në Mjekësi, por me shaka shprehej: “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”. Përmbledhja e novelave të tij është një nga librat më të shitur dhe më të vlerësuar të të gjitha kohërave, thellësia që pasqyron Çehov në novelat e tij, të magjeps dhe njëkohësisht të fut në kolapsin e shoqërisë ruse të shekullit të 19.

9. Gustav Flober, është një nga novelistët më të njohur francezë të shekullit të 19, kohë kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit dhe miqve të tij. Ndjenjat që ushqente ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit europian. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Zonja Bovari”, “Tundimet e Shën Andonit”, “Salambo” dhe “Një zemër e thjeshtë”.

10. Xhejn Ostinështë shkrimtarja e vetme që arrin të përfshihet në listën e shkrimtarëve më të mirë botërorë, pavarësisht se shumë femra të tjera kanë dhënë kontributin e tyre në letërsi. Që më 1787-n, Xhejn filloi të shkruante poema, histori dhe drama për zbavitjen e vetes dhe familjes së saj. Xhejn më vonë përpiloi kopje të 29 prej këtyre punimeve të hershme në tri blloqe, tashmë të quajtura “Juvenilia”, që përmbanin pjesë të shkruara mes 1787-s dhe 1793-shit. Veprat e saj të mëpasshme janë frymëzim i shumë filmave hollivudianë, tepër të ndjekur dhe të lexuar. Ajo është një autore që nuk do të harrohet për veprën e saj “Krenari dhe paragjykim”.

Sot në Ferizaj me lexime e diskutim kujtohet Shpresa Vinca Tuda

Alter Habitus organizon edicionin e parë të ‘Letërsia Lëvizëse’ – seri ngjarjesh letrare nëpër qytete në Kosovë. Ky edicion do të përkujtojë dhe festojë jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve: Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi. Letërsia e tyre do të lexohet në oborret e shtëpive të tyre, sheshet e qyteteve apo lagjeve.

Sonte, në Ferizaj do të lexohet dhe flitet për letërsinë dhe punën profesionale të Shpresa Vinca Tudës, në sheshin “Ismail Kadare”. Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes janë: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit dhe Klubin Letrar ‘De Rada’.

Ngjarja mbahet në ora 17:00 në Sheshin Ismail Kadare në Ferizaj.

Në Prishtinë, në anën tjetër, me datë 17 shtator, do të lexohet e flitet për letërsinë e Mirko Gashit, mbi Kurriz në Dardani. Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’. / KultPlus.com

Kurorëzim

Nga CLAUDE CHATRON-COLLIET

Mëse një ditë hapat e ëndrrave të tua rastësisht do të sjellin
poshtë shtëpisë sime e zemra jote aty do ndalet për një çast
atje,
mes erës së luleve në botën e zemres sime që troket butësisht
për të qenë
së bashku
qoftë edhe një çast,
për një psherëtim,
për nje rrahje zemre,
kokën mbeshtetur mbi timin gjoks,
buzët e mia mbi tëndin ballë,
mes perkëdheljesh ëmbëlsisht pa fund,
në bashkim shpirtrash gjer ne barrierën e kohrave,
s’do na mjaftonin as njëmijë vjet.
E une do flisja me gjuhën e syve të mi,
këtyre liqeneve të thellë që falin gjithmon,
do flisja me gjuhën e duarve te mia delikate rreth fytyrës tënde
çdo rrudhë dhimbjeje është mbushur me dashurinë time.
Me buzët e mia ne gojën tënde dashurinë do e shprehja bukurisht,
në lartësi ndjenjash qiellore që çdo krijesë njerëzore do të ketë njohur,
me të çmendurin pasion,
nga thellesitë e trupit drejt syve të ty,
nga duart e mia në të tuat duar,
nga buzët e tua në trupin tim,
nga sytë e tu ne zemrën time.
Dhe me ëmblat duar mbyllmë lehtë,
të rëndat qepalla nga hullitë e deteve,
që të lumtura për të vetmën herë në jetën time,
thithën nektarin hyjnor të jem e dashuruar,
kaq thellësisht me më të bukurën e të zjarrtën menyrë.

Sa herë qe do mbyll sytë e gjer në të fundmen frymë,
para meje do të shfaqen karvana beduinësh,
prej të cilëve zogj të praruar do të fluturojnë
drejt detit e erërave,
duke shkuar drejt brigjeve të reja,
zemër lehtë se kanë jetuar
qoftë dhe një çast të vetëm.

Nga 23-30 shtator vjen Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit në Tiranë

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit nga Teatri Kombëtar në Tiranë. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të zhvillohet në datat 23-30 shtator dhe në të do të marrin pjesë 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare. Skena e re “arTurbina” do të hapë dyert për të mirëpritur artistët dhe publikun në këtë festë të përbashkët.

Festivali i teatrit rikthehet pas 6 vitesh mungesë. I fundit ka qenë ai i zhvilluar në vitin 2012 për dramën shqipe. Por tashmë këtë herë festivali do të ketë jo vetëm vepra shqiptare, por dhe të autorëve të huaj.

Sipas teatrit, Ministria e Kulturës si dhe Bashkia e Tiranës janë në ndihmë të këtij festivali, ku shfaqjet për publikun do të prezantohen në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, si dhe te “arTurbina”. / KultPlus.com

Era Istrefi rrëfehet rreth shërimit dhe ditëve larg rrjeteve sociale

Në fund të muajit gusht, Era Istrefi iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike për largimin e apendiksit (që njihet si zorra qorre).

Që atëherë, këngëtarja shqiptare ka qenë më e rezervuar me postimet në rrjetet sociale, ndërsa arsyeja ka qenë se e ka shfrytëzuar kohën për t’u shëruar dhe për gjërat që e kanë bërë të lumtur.

Ajo e ka bërë një publikim në rrjetet sociale, të shoqëruar me video për t’i njoftuar fansat e saj se Era tashmë është shëruar.

“Arsyeja pse nuk po postoj shumë kohëve të fundit, mund ta lidh tërësisht me këtë intervistë që e kam bërë para afro një viti”, ka shkruar Era në Instagram.

“Qëndrimi ç’kyçur është luksi i ri. E kam kaluar kohën duke u shëruar pas ndërhyrjes kirurgjike dhe jam përqendruar në atë që më bën vërtet të lumtur dhe që më bën të ndihem si qenie njerëzore”.

“Jam shumë e përgjegjshme për energjinë që jap, prandaj duhet të kujdesem që fillimisht gjithçka të jetë në rregull”.

“Ndihem e shëruar dhe pozitive, falënderuese dhe e bekuar. Mezi pres gjënë e radhës që ta ndaj me ju”, ka shkruar Era në Instagram. / KultPlus.com

“Nuk më duhet pendimi yt asgjë, nuk dua të t`shoh më” (VIDEO)

Shpesh duhet ta rikthejmë repertorin e këngëtares Eliza Hoxha, edhe për ta kthyer veten në një kohë tjetër kur albumet e saj ishin të fuqishme.

Nostalgjia e këngëve të Eliza Hoxhës e mishëron secilin.

Me disa albume dhe me këngë nga më të ndryshmet, shumë gjenerata janë rritur me këngët e Elizës. Rriten edhe sot.

Këngë më e veçantë është “Pendimi”. Një refren që këndohet edhe sot, kënga “Pendimi” e solli Elizën edhe me një videoklip në kohën kur u lansua.
Arkitekte dhe një udhërrëfyefe e kryeqytetit në një libër me përvoja personale, Eliza megjithatë qëndron më së miri në muzikë, aty ku ka shkëlqyer me shumë këngë e paraqitje.

Sot po e risjellim pikërisht këngën “Pendimi” të Elizës, pjesë e albumit “100 %” në vitin 2003. Në po këtë album kujtojmë edhe “Lart në Qiellin tim” apo “Bëhu më trim”, dhe këngë tjera të zërit të veçantë të Eliza Hoxhës. / KultPlus.com

Në shenjë proteste, aktori Astrit Kabashi nuk do të luajë në shfaqjen ‘Bordel Ballkan’ me 15 shtator

Aktori Astrit Kabashi nuk do të jetë pjesë e shfaqjes “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator.

Aktori Astrit Kabashi, një prej aktorëve më të mirë kosovarë dhe goxha aktiv në disa projekte teatrore, ka treguar për KultPlus se për shkak të moskryerjes së detyrimeve që ka Teatri Kombëtar i Kosovës ndaj tij dhe aktorëve tjerë, ai nuk do të luajë në këtë shfaqje, në këtë datë.

“Për shkak të moskryerjes së detyrimeve nga Teatri Kombëtar unë refuzoj të luaj shfaqjen “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator dhe shpresoj që edhe aktorët tjerë të jashtëm ta bëjnë një gjë të tillë” tregon Kabashi.

Kabashi thotë se me gjithë grevën e cila së fundmi zuri vend në Teatër nga Ansambli Rezident, aktorët tjerë të jashtëm vazhdojnë të diskriminohen pasi nuk kanë një Sindikatë të organizuar.

“Në shenjë proteste nuk do të luaj në shfaqje. Ka 3 muaj e më shumë që Teatri nuk ka kryer obligimet ndaj meje dhe një pjese të ekipës që luajmë në këtë shfaqje. Nuk jemi vetëm ne, sa kam dëgjuar të gjitha institucionet kulturore janë në kolaps financiar dhe përgjigjja është që nuk do të ketë të holla deri në janar të vitit tjetër” tregon Kabashi për KultPlus.

“Bordel Balkan” prekë temën e luftës dhe pasluftës në Kosovë, ndërsa në natën e premierës në Prishtinë, në prillin e vitit të kaluar, edhe pse u lajmëruan kërcënime të ndryshme, shfaqja erdhi fuqishëm dhe pa ndonjë incident.
Shfaqja është menduar të jetë pjesë e Festivalit MESS në Sarajevë, festival ky prestigjioz i teatrove.

Kabashi thotë se në mes të këtij kaosi kulturor në Kosovë dhe faktit që askush nuk jep përgjegjësi, pjesëmarrja në Sarajevë po rrezikohet.
“Jemi ftuar në MESS në Sarajevë por shfaqja ëshë në rrezik të mos marrë pjesë në këtë festival. Por nuk e di pse të gjitha institucionet kulturore po e mbajnë të fshehtë faktin që janë në kolaps financiar, kjo ndoshta shkaku i presionit që bëhet nga Ministria e Kulturës” tregon Kabashi.

Autor i shfaqjes është Jeton Neziraj, ndërsa në të luajnë edhe Adrian Morina, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi e aktorë tjerë. / KultPlus.com

‘kurrë mos e fyeni ju një grua…’

Victor Hugo

Oh! kurrë mos e fyeni ju një grua që bie!
E di dot sa ka hequr? Sa ka vojtur urie?
Sa net si ferr ka gdhirë në ankth e drithërim?
Virtytin kur ua tund Mjerimi me tërbim,
E kush nga ne s’ka parë të tillë gra të mjera
Si rreken që të mbahen, me ngulm, me duar të ndera?
Sikundër buzë degës shohim varur tek ndrin
Një pikë shiu si lot, kur dielli vetëtin,
Q’e tundin tok me pemën e që dridhet, po mbahet,
Perlë, pa rënë akoma, dhe baltë, passi ndahet!

Fajin e kemi ne. Ti kamës! Ari yt!
Po uji i pastër gjindet dhe aty në llom të ndyt.
Dhe që kjo pikë loti të dalë nga ka rarë,
Të bëhet prapë perlë me atë shkëlqim’n e parë,
Mjafton – Ja kështu rihet e ngrihet, passi bie –
Një rreze djelli ose një rreze dashurie!

Përktheu: SOTIR CACI

Hapet dyqani i tretë i ‘Teshavesha’ në Ferizaj

Teshavesha është ndërmarrje sociale e themeluar nga ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ në korrik të 2016-tës për të mbështetur programet shëndetësore për nëna dhe fëmijë.

Në “Teshavesha” qytetarët mund të dhurojnë dhe blejne rroba për gra e vajza, burra e djem, lodra, dekorime të vogla shtëpiake, aksesorë, e tjera me çmime shumë të lira për të ndihmuar kështu programet e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë nga shitjet e dyqanit.

Dyqani Teshavesha do bëj hapjen e pikës së tretë tani edhe në Ferizaj falë mbështetjes financiare të partnerit Raiffeisen Bank Kosova.

Data: 18 Shtator 2018,
Koha: 12:00
Vendi: Rr. Ahmet Kaqiku, Ferizaj (Afër stacionit të autobusave)
Arsyeja: Hapet dyqani i tretë i Teshaveshës

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Gjuha Shqipe dhe Letërsia ndahen në dy lëndë të veçanta

Viti i ri shkollor që nis të hënën në Shqipëri i jep një vëmendje të shtuar gjuhës shqipe, e cila për shumë vite u la jashtë vëmendjes së domosdoshme.

Kështu ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një videoje ku paraqiten ndryshimet në kurrikulat mësimore në nisje të vitit të ri shkollor.

“Deri dje, ishin 1300 tekste alternative, kaos në përzgjedhje, gabime të panumërta, mbingarkesë e pajustifikueshme, 50 % e teksteve të refuzuara nga mësuesit. Por me tekstet e reja i është dhënë fund kaosit, gabimeve dhe mbingarkesës. Tekstet e reja janë jo vetëm nga emra prestigjiozë Cambridge/Oxford/Pearson, por ka edhe një vëmendje të shtuar në procesin e arsimimit. Tashmë jemi në vitin e tretë të ndryshimeve në kurrikulat mësimore dhe në gjimnaz, ndahet gjuha shqipe nga letërsia”, raporton atsh.

“Lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në gjimnaz është ndarë. Janë dy lëndë të veçanta”, thotë Oriana Osmani, mësuese e letërsisë dhe gjuhës shqipe në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.

Kjo ndarje nxit mendimin kritik, orienton drejt leximit, ndërkohë që rrit njohuritë gjuhësore tek nxënësit.

“Nxënësve u ofrohen tekste të cilat i aftësojnë ata, i bëjnë nxënësit më të prekshëm ndaj të menduarit kritik, por njëkohësisht i ofrojnë njohuri gjuhësore. Në lëndën e letërsisë nga analizë teksti, kemi kaluar në histori letërsie, që nxënësin ta shtyjmë drejt leximit jo vetëm të librave bashkëkohorë, por edhe atyre klasikë”, thotë mësuesja Osmani.

Ndërkohë, nxënësit do kenë mundësi edhe për orë mësimore të digjitalizuara.

“Digjitalizimi është një nga reformat më të suksesshme, e bën nxënësin të jetë më ndërveprues, të thotë lirshëm mendimin e tij. Ana vizive është shumë e rëndësishme për të mësuarit dhe kjo do të ndikojë në rritjen e performancës të arsimimit në Shqipëri”, thotë mësuesja Oriana Osmani. / KultPlus.com

Këngëtarja Joss Stone publikon videon me Shpat Dedën (VIDEO)

Joss Stone, soul këngëtarja britanike me famë botërore, ka publikuar në të gjitha kanalet e saja zyrtare (Instagram, Facebook dhe Youtube) video bashkëpunimin e saj me kantautorin prishtinas Shpat Deda.

Në këtë video, ata e performojnë këngën “N’shpirt m’ka Rritë” nga albumi i parë i Shpatit “Molla e Parë”, shoqëruar në kitarë edhe nga Art Lokaj. Video është realizuar në vitin 2016, kur Joss Stone pati vizituar Prishtinën për ta mbajtur aty një koncert si pjesë e turit të saj përreth botës me emrin “Total World Tour”.

Në mesin e artistëve nga e tërë bota, Joss kishte përzgjedhur edhe Shpatin për ta realizuar bashkëpunimin e veçantë. Në kanalin zyrtar në Facebook, krahas videos Joss shprehet:

“Mbrëmje e bukur në Kosovë në 2016-tën, u takuam me kantautorin Shpat Deda. Shumë prej këngëve të tij janë të bazuara në ndjenja dhe ngjarje të vërteta, dhe muzika si kjo është mjet i hatashëm për të shprehur emocion. Me zërin e tij karakteristik dhe harmonitë e këndshme, ishte moment perfekt për këtë pjesë të Total World Tour. Një bashkëpunim i këndshëm me një person të këndshëm. Shpresoj se do t’ju pëlqejë”. / KultPlus.com

Rrahje në koncertin e Dua Lipës në Kinë (FOTO)

Një incident gjatë koncertit në Kinë ka përlotur këngëtaren shqiptare, Dua Lipa. Ndërsa ajo po këndonte në skenë, fansat e saj shijonin muzikën dhe kërcenin.

Por në një moment të papritur disa efektivë policie janë futur mes turmës dhe kanë goditur disa prej fansave që po kërcenin, shkruan 27.al

Edhe pse u mundua të përmbahej, Dua nuk mundi t’i ndalë lotët. “Dua të krijoj një mjedis vërtet të sigurt për të gjithë që të argëtohemi. Dua që ne të gjithë të këndojmë, të kërcejmë e të kalojmë bukur”, iu drejtua fansave.

Sipas disa statuseve në rrjetet sociale fansat u përzunë nga koncerti prej policisë sepse po valëzonin flamurin e homoseksualëve.

Faruk Begolli në ballinën e revistës serbe ‘Ilustrovana Politika’

Legjenda Faruk Begolli ka kaluar një jetë plot suksese në botën e filmit dhe teatrit.

Profesori i kujtuar nga gjeneratat e ndryshme në Kosovë, në dhjetor të vitit 1972 pushtoi kopertinën e revistës javore serbe ‘Ilustrovana Politika’.

Me 5 dhjetor të këtij viti ai do të ishte në kopertinën e revistës së njohur, ende në një moshë të re.

Begolli atyre viteve ishte angazhuar me “Të ngujuarit”, “Si të vdise” dhe më vonë në projektin “Era dhe Lisi”.

Begolli vdiq me 23 gusht të vitit 2007, ndërsa mbetet ndër kolosët e kinematografisë shqiptare dhe mësues i pashoq në këtë fushë. / KultPlus.com

Ditët e mia

Fehime Selimi

Ditët e mia
janë mërgimtare të palodhura
që rrugën e vet e masin,
me kujtime…
e unë në to jam
çerdhe e zogjve të lodhur

Ditët e mia
janë bredhëse të përjetshme
që në vetvete e ruajnë
një legjendë të heshtur,
e unë në të jam
përrallë e pasosur…

Ditët e mia
janë stinë të harruara
rrugëve të jetës
e unë në to jam
djep i vjeshës së vonë…