Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra

Skënder Rusi

Të lashë në Korçë
E të kërkoj në Kajro!
(Ku dihet, mbase dhe ke ardhur!)
Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Që çmëndurira t’i kam quajtur!

Të lashë në tokë
E të kërkoj në qiell!
(Ku dihet në ç’yll më ke pritur!)
Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Sa të kam quajtur të lajthitur!

Kap një bionde nga flokët mbrapa,
ia kthej fytyrën për ta puthur!
Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Vjen dhe atje ku s’është e mundur!

Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Që të tregojnë dhe më të bukur!
Ndaj ca i marrë dhe unë mundet,
Sot gjithë Kajros t’i jem dukur!

Dion Zeqiri përmes ‘Ripërtypje’ sjellë mutacionin e kafshëve si ndërlidhje me mutacionin ekonomik e shoqëror

Gili Hoxhaj

Ata që qëndronin pranë hyrjes së Hapësirës “Motrat”, nga jashtë ishin bërë pjesë e ekspozitës ndërsa shihnin një punim i cili nuk mund të shihej nga ata që gjendeshin në brendësi të objektit. Në formë të video incizimit paraqiten zorrët e një personi dhe mesazhi prapa saj qëndron në atë se për shkak të produkteve të dobëta ushqimore, brenda është rritur një mutagjent.

Në Hapësirën “Motrat”, Dion Zeqiri pati mundësinë ta shënojë ekspozitën e parë personale. Me anë të kësaj ekspozite të titulluar ‘’Ripërtypja’’, ai solli para publikut katër punë serike të cilat paraqesin një narracion të materializuar, në formë fizike, të cilat paraqesin trupa mutant të kafshëve ku në mungesë të informacioneve për prejardhjen e tyre, i ngjajnë një krijese imagjinare mutagjene, shkruan KultPlus.

Ekspozita e tij flet për një anë personale të problemit të mishit të paverifikuar, flet për sistemin ekonomik e shoqëror që njëjtë mund të shihet si mutacion sepse dështon në mbrojtjen e konsumatorit nga cilësia e dobët e produkteve të mishit dhe si ky konsumim ndikon në vetë organizimin e tij.

Dion Zeqiri tregoi se kjo ide ka nisur të zhvillohet atëherë kur atij i kanë rënë në duar disa produkte, kryesisht të mishit e që vijnë prej vendeve shumë të largëta dhe pa shumë informata se si janë importuar.

“Kur i jam qasur këtyre produkteve, kafsha të cilën po e konsumoj, më ka ngjarë në një kafshë imagjinare mutagjene dhe pikërisht këtë mutacion kam tentuar ta sjell në ekspozitë, që nuk ka qenë vetëm mutacion kafshëror por edhe ekonomik pasi nuk është ditur si importohen, është dashur t’i konsumojmë këto produkte pasi kanë qenë të vetmet në treg”, u shpreh Zeqiri për KultPlus.

Lola Sylaj, kuratore e kësaj ekspozite dhe drejtoreshë artistike që po menaxhon ngjarjet e fundit në Hapësirën “Motrat”, u shpreh se i ka pëlqyer qasja e artistit Zeqiri që nuk është vetëm informuese dhe ngritë pyetje, por vjen edhe si qasje nga ana artistike. Krijesat e tij imagjinare janë goxha morbide dhe e përfaqësojnë situatën.
“Është një situatë morbide dhe e pabesueshme se çfarë është duke ndodhur dhe përmes mediumeve të ndryshme tregon se si mund të përfundojë një kafshë në trupin e dikujt. Po më vjen mirë që ai ka arritur t’i paraqesë në punimet e tij të gjitha këto informata. Po ashtu është e rëndësishme të flitet se në Kosovë ka shumë vegjetarian, por është mirë që të flitet për këtë temë e një pjesë e madhe e shoqërisë nuk janë mirë financiarisht dhe njerëzit nuk mund të hanë vetëm sallata dhe duhet të koncentrohemi në atë se nuk ka informata dhe nuk ka zgjedhje, për të zgjedhur ndryshe”, tregoi Lola Sylaj për KultPlus.

Në mesin e vizitorëve në këtë ekspozitë ishte dhe profesori Mehmet Behluli i cili tha se ndihet shumë mirë kur sheh artistë të rinj që nuk e kanë barrierë materialin. Ai tha se edhe artisti Dion Zeqiri hyn në mesin e atyre artistëve premtues të cilëve shoqëria duhet t’u japë më shumë hapësirë.

“Më vjen mirë që artistët e rinj tashmë nuk e përdorin mediumin por idenë, e përzgjedhin atë që çfarë duan ta thonë dhe e organizojnë në mënyrën më të mirë, për Dionin kam fjalë të mira dhe kjo ekspozitë është shumë e freskët dhe shumë simpatike kështu që veç i ftoj njerëzit e tjerë ta shohin këtë ekspozitë”, tha Behluli.
Të gjithë ata që duan ta shohin këtë ekspozitë, mund t’i adresohen Hapsirës “Motrat”. / KultPlus.com

Petrit Halilaj, Andrra dhe performuesit tjerë, me 7 korrik në Runik

Me datë 7 korrik në Shtëpinë e Kulturës në Runik do të japë performancë artisti Petrit Halilaj.

#Shkrepëtima është performancë e ideuar dhe drejtuar nga artisti Petrit Halilaj që përfshin mbi 30 aktorë dhe muzikantë. Kjo ngjarje, e cila do të ndodhë para rrënojave të Shtëpisë së Kulturës në Runik (Skenderaj), është ndërhyrja e parë e këtij niveli nga Halilaj në një hapësirë publike.

Skena do të animohet nga skulptura lëvizëse, tinguj, projeksione të dritave dhe një skenografi e jashtëzakonshme e krijuar prej Halilajt nga rrënojat e ndërtesës dhe e inspiruar nga kujtimet kolektive të qytetarëve të Runikut.

Shkrepëtima do të risjellë fragmente nga disa prej dramave më të njohura shqiptare që janë performuar në teatrin e këtij objekti gjatë viteve të ‘80-ta. Mbrëmja do të përmbyllet me një koncert të veçantë nga ANDRRA (Fatime Kosumi), e cila do të performojë EP-në e saj Palinë (2017).

Performuesit/ Performers:
Donikë Ahmeti
Edlir Gashi
Tristan Halilaj
Rrezarta Haziraj
Qendresa Kajtazi
Bislim Muçaj
Behie A. Murtezi
Agnes Nokshiqi
Ermal Sadiku
Edon Shileku
Alketa Sylaj

Prodhuar nga / Produced by: Fondacioni Hajde!, Fondazione Merz.

Me përkrahje të / With the support: Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC) in Kosovo; Culture For Change, an EU funded project managed by the EU Office in Kosovo and implemented by Qendra Multimedia and Goethe-Institute; the Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; the Municipality of Skenderaj, ChertLüdde (Berlin); kamel mennour (Paris and London).

Përkrahje është dhënë edhe nga / Further support was provided by / Raven City Production Sh.P.K. (Kosovo) and T4Media Dooel (Macedonia); Cultural Heritage without Borders (CHwB Kosovo)

Festivali i Sarajevës eksploron pasojat e luftës

Festivali i pestë i përvitshëm WARM u hap në kryeqytetin boshnjak të mërkurën, duke paraqitur imazhe dhe filma rreth konflikteve në mbarë botën, si dhe për pasojat tragjike të luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Çështjet si refugjatët, ndarjet etnike dhe diskriminimi kundër pakicave gjithashtu po shqyrtohen në festival, i cili drejtohet nga një fondacion i quajtur WARM (Lufta, Arti, Raportimi, Kujtimet) që u krijua nga një grup gazetarësh dhe artistësh, shumë prej të cilëve vizituan Sarajevën gjatë rrethimit të qytetit të viteve 1990.

“Të gjitha pasqyrohen përmes temave që trajtohen, si refugjatët, siç është ekspozita e fotografive të Rohingya, e cila është mbi eksodin e më shumë se një milionë refugjatëve në Bangladesh,” tha kryetari i Fondacionit WARM, Remy Ourdan gjatë hapjes së festivalit në Sarajevë.

“Këtë vit në veçanti, ashtu si në vitet e kaluara, lufta siriane po trajtohet nëpërmjet katër filmave rreth pasojave tragjike të luftës që po vazhdon ende,” shtoi ai.

Rreth 350 vepra nga rreth 200 krijues imazhi nga Ballkani dhe pjesa tjetër e botës do të ekspozohen në Muzeun Historik dhe i Ruajtjes Sarajevë, që është pjesë e Galerisë Kombëtare.

Menaxherja boshnjake e Fondacionit ËARM, Velma Sariç, tha se çështja e mohimit të krimeve të luftës dhe gjenocidit do të theksohet nga shfaqja e një filmi të shkurtër të titulluar “Përse nuk jeni këtu?” nga Aida Sehoviç, krijuesja e një udhëtimi përkujtimor të përbërë nga filxhanë kafeje bosh.

Sariç tha se në bashkëpunim me partnerin e ri të Festivalit WARM, Misioni i OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, do të mbahet një seminar një ditor për ndarjen arsimore të nxënësve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku nxënës shkolle të grupeve të ndryshme etnike ndonjëherë marrin mësim veçmas në të njëjtën ndërtesë, një praktikë e njohur si “dy shkolla nën një çati”.

“Më pas ne do të kemi gjithashtu një panel diskutimi mbi shkeljet e të drejtave të njeriut të pakicave, në këtë rast të romëve,” shtoi Sariç.

Adnan Pavloviç, drejtor i programit të filmit të festivalit, tha se të gjithë filmat që do të shfaqen këtë vit janë prodhuar në vitin 2017 dhe përfaqësojnë “shfaqjen më të freskët të dokumentarëve që trajtojnë çështjet pas konfliktit”.

Pavloviç përmendi filmin e Matthew Millan “Më i fortë se plumbat”, për rolin e muzikës gjatë revolucionit libian të vitit 2011, si dhe filmin e Srdjan Sarenaç për ndarjen arsimore boshnjake, “Dy shkolla nën një çati”. / BIRN / KultPlus.com

Ayo ka një mesazh para se të elektrizojë Tiranën sonte

Ylli botëror i muzikës, Ayo ka mbërritur në Shqipëri pak pas mesnate. Këngëtarja e super hiteve si “WHO”, “Down on My Knees”, “Slow Slow” do të interpretojë te Amfiteatri i ri për të gjithë ata që duan ta ndjekin atë dhe padyshim me performancën e saj pritet të elektrizojë Tiranën.

Në një intervistë të dhënë gazetares Elda Lamja, për Gazetën Shqiptare, Ayo ka treguar impresionet e para të mbërritjes në Shqipëri. Ja se si shprehet ajo:

“Nuk kam parë shumë akoma, sepse kam mbërritur këtu në mesnatë për shkak të vonesës së fluturimit. U shtriva për të fjetur në orën 12:00 dhe u zgjova në orën 8:00 për shkak të zhurmës, sepse këtu po ndërtohet (qesh)”.

E pyetur nga gazetarja sesi arrin që të jetë njëkohësisht edhe nënë e përkushtuar e tre fëmijëve, por edhe këngëtare e suksesshme, Ayo u shpreh: “Nuk mund të them sesi, por arrij t’ia dal. Thjesht mund të them se po ja dal. Mendoj se gratë në përgjithësi, gjithmonë e gjejmë një mënyrë që të bëjmë atë që kemi për të bërë. Jo vetëm për ne, por për fëmijët tanë mbi të gjitha.

Ka shumë gra në botë që e bëjnë këtë çdo ditë, edhe në mënyrat më të vështirë. Kjo që unë bëj është e lehtë në krahasim me atë që bëjnë disa gra në kushte më të vështira”.

Teksa do të performojë mbrëmjen e sotme tek amfiteatri, e ka pyetur se çfarë pret nga publiku shqiptar, Ayo u përgjigj: “Gjyshi im nga ana e babait gjithmonë na thoshte shpesh që të mos krijomë pritshmëri, sepse vetëm kështu nuk mund të zhgënjehesh. Por kjo është e pamundur, sepse ne të gjithë kemi pritshmëri. Por, pritshmëritë e mia janë më shumë si dëshira. Shpresoj që të jetë shumë bukur dhe t’ia kalojmë mirë së bashku.

Mendoj se çfarë të japësh atë do marrësh, dhe kur luaj muzikë edhe sikur të jenë 3 persona përpiqem të jap maksimumin. Sepse sa herë që këndoj, e mendoj sikur të ishte hera e fundit”.

Pyetjes të gazetares Elda Lamja se ju keni lindur me muzikën apo ka qenë një inspirim dhe ju ka bërë të ndiqni këtë rrugëtim, këngëtarja u shpreh: “Jeta ka qenë inspirim për mua. Kur kam dhimbje muzika më bën të ndihem mirë, të këndoj më bën të ndihem më mirë. Fëmijëria ime ka qenë shumë e vështirë, kam qenë e ndarë nga prindërit dhe këngët që babai im i këndonte kur isha në shtëpi më krijonin ndjesinë e lidhjes me ata. Vetëm përmes muzikës. Kanë qenë kujtimet e mia më të bukura dhe përpiqesha t’i kujtoja vazhdimisht. Ka nisur fillimisht me të dëgjuarit muzikë dhe më pas kur nisa të këndoj vetë më bënte të ndihesha edhe më mirë”.

Para kësaj interviste, këngëtarja me famë botërore Ayo, teksa ka zbritur në aeroport ka dhënë një mesazh për të gjithë fansat në Shqipëri dhe e ka shpërndarë në rrjetin social. “Unë jam këtu, jam në Tiranë. Jam shumë e lumtur. Shpresoj t’ja kalojmë bukur sonte”.

Fituesit e çmimeve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka ribërë të njohura veprat dhe autorët fitues për dy edicionet e para të çmimeve të mëdha shkencore kombëtare që akordohen prej saj: Fituesit e vitit 2016:

1. Çmimi i karrierës iu akordua gjuhëtarit Idriz Ajeti, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës;

2. Çmimi Çabej u fitua nga historiani Pëllumb Xhufi, me veprën monografike Àrbërit e Jonit;

3. Çmimi Radovicka u fitua nga studiuesi Niko Pano, me veprën Pasuritë ujore të Shqipërisë;

4. Çmimi i studiuesit të ri më të suksesshëm në shkencat shoqërore dhe albanologjike u fitua nga studiuesit Andi Rëmbeci dhe Sokol Çunga, me veprën Katërungjillëshi i dekoruar i Korçës;

5. Çmimi i studiuesit të ri më të suksesshëm në shkencat natyrore dhe teknike u fitua nga studiuesi Rigers Bakiu, me veprën Molecular Evolution of Pyroglutamylated RFamide Peptide and Orphan G Protein Coupled Receptor.

Fituesit e vitit 2017:

1. Çmimi i karrierës iu akordua shkrimtarit dhe mendimtarit Ismail Kadare, anëtar i Akademisë së Shkencave;

2. Çmimi Çabej u fitua nga akad. Kolec Topalli, me veprën Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe;

3. Çmimi Radovicka u fitua nga studiuesit Nazim Gruda dhe Andrea Shundi, me veprën Hortikultura: vështrim enciklopedik;

4. Çmimi i studiuesit më të suksesshëm të vitit në shkencat shoqërore dhe albanologjike u fitua nga studiuesi Aleksander Novik (dhe bashkautorët), me veprën Ekspedita në detin Azov – Gjuha kultura e shqiptarëve të Ukrainës.

Dashnia e Dijes për Shpendin, në “Sikur t’isha djalë”

Një prej librave të cilin e kujtojmë çdoherë me dashuri dhe me nostalgji është “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli.

Ditari i Dijes dhe dashuria e saj për Shpendin na kanë bërë gjithmonë të ndihemi mirë.

Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga ligje të egra që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nisë të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave…

Po e sjellim këtu një pasazh nga romani i Haki Stërmillit, gjithmonë një dashuri letrare për shumë gjenerata shqiptare.

“Fati i lig që na lufton besomë se do të përkulet e do të ndrydhet para vullnetit që buron nga zemrat tona të mbushuna me flakë dashunie. Nji milion herë ma mirë do të ishte përjetësimi i asaj jete, ashtu sikundër ishte, sesa kjo gjendje që nuk na lejon as të shifemi me shoqi-shoqin. Hera-herë mërzitem pa masë dhe më duket sikur do të rroposet krejt bota e andrrave tona lumnuese, ajo botë e bukur që krijuen zemrat tona. Sot jam mjaft i mërzitun, pse mbramë – vetëm mbramë – nuk të pashë në andërr. Fillimi i ambël i këtij mëngjesi, sigurisht do të dojë me t’i sjellë puthjet e nxehta të kësaj zemre që asht plot mall e dashtuni për ty, o engjëlli im.”

Pelegrinët serbë largohen nga Gazimestani

Kolona e automjeteve me pelegrinë serbë nga Gazimestani sapo ka hyrë nga jugu në veri të Mitrovicës.

Pothuajse në secilin automjet është vërejtur nga një pjesëtar i policisë së Kosovës, ndërsa para dhe pas kolonës janë vërejtur automjete të policisë duke përfshirë edhe një furgon të njësisë speciale.

Edhe Charlie Chaplin me shqiponjë (VIDEO)

Këtyre ditëve kur po diskutohet më shumë se kurrë për shqiponjën – simbolin shqiptar të pranishëm edhe në flamurin kombëtar dhe faktin se si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri me festimin e tyre shkaktuan debat në Evropë, faqe të ndryshme dhe njerëz të ndryshëm me kreativitet po nxjerrin shqiponjën në kontekste të ndryshme jetësore.

Diçka kreative është edhe një shqiponjë e Charlie Chaplinit vite më parë.

‘Kosovo Next 10’ shpalosi vizionin e të rinjve për të ardhmen e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Përkundër ekspozitave që thirren në të kaluarën, ekspozita Kosovo Next 10 sheh nga e ardhmja dhe sheh botën nga syri i atyre që do ta përbëjnë të ardhmen e shoqërisë.

Shoqata e Shkëmbimeve Kulturore të Tajvanit dhe Kosovës sonte prezantoi ekspozitën e cila vjen dhee vizualizon botën vizionare të më shumë se 50-të të rinjve se si e shohin ata të ardhmen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme.

Për ta finalizuar tërë këtë ekspozitë, rreth pesëdhjetë të rinj kanë kaluar nëpër 5 punëtori ku i kanë ndarë pikëpamjet e tyre me 4 dizajnerë tajvanez. Në këtë ekspozitë që u hap sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës shtrihen veprat e artit interaktiv dhe ajo vjen si një udhëzues për vizitorët që të eksplorojnë aspektet e ndryshme të Kosovës dhe si një mundësi që edhe ata të kontribuojnë me idetë e tyre lidhur me të ardhmen në krijimin kolektiv për ta ndarë atë me të tjerët. Dizajnerët tajvanezë kanë sjellë këto dizajne në mënyrë mjaft kreative e interaktive, e momentin që atyre u vihet një tabletë përballë aktivitetet nuk rrijnë më të ngurtësuara.

Ngjyra e verdhë, kaltër dhe e bardhë dominonin në tërë ekspozitën. Si e tillë ekspozita pasqyronte tri fusha që shtrihen në gjendjen aktuale, në vizionin për të ardhmen dhe në ndërmarrjen e veprimeve. Në njërën anë të murit gjendja aktuale e Kosovës përfaqësohet me arritjet e Kosovës gjatë 10 viteve të fundit. Muri i Kosovës vjen plot ngjyra e gjallëri të ngjarjeve që e kanë karakterizuar një dekadë.

Në mesin e tyre bëjnë pjesë toleranca ndërfetare, pasuritë nëntokësore, dashuria e kosovarëve për Amerikën, Parada e parë e LGBTI-së, DokuFesti, përqindja e lartë e përdoruesve të internetit, makiato më e mirë në botë, presidentja e parë femër në Ballkan e përqindja e lartë e njerëzve nën moshën 35 vjeçare, futollistët e talentuar, e shoqëria civile shumë aktive. Të gjitha këto fakte si përgjigje ndaj pyetjes “Sa e njihni Kosovën”. Përmes dizajnit të Zombie Soup erdhi “Udhëtimet VR”, ku përmes “VR Travel Game”, nëpërmjet lojës VR publiku mund të udhëtonte në qoshe të ndryshme të botës. Për shkak të ruajtjes së pajisjes, ajo është në dispozicion të vizitorëve vetëm fundjavave. Në vazhdimësi publiku has “Makinën e Misioneve” që përfaqëson 36 misione të ndryshme për barazinë shëndetësosre, ushqimore dhe vetë eksplorimin.

Përmes fotografive të shpërndara në Instagram me hashtag # kosovonext10, fotografitë do të shërbejnë për vizitorët e tjerë si inkurajim për të ndërmarrë veprimeve. Në këtë ekspozitë nuk mungon as testi në internet për të nxjerrë rezultatet se “Çfarë lloj kosovari jeni”.

Në ekspozitë një pjesë të madhe kanë zënë edhe kutitë e votimit, në të cilat kalohet pasi të keni parë dhjetë faktet pse duhet të ndiheni krenar me Kosovën.

Me fije të kaltra dhe të verdha të lëshuara poshtë është portretizuar pema e dëshirave e cila me ngjyrë të kaltër prezanton hartën e Kosovës kurse me të verdhën atë të Tajvanit dhe prezantohet si një simbol i miqësisë mes Kosovës e Tajvanit. Kjo pemë kërkon përgjigjet e vizitorëve për të ardhmen e shoqërisë kosovare në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa kjo pemë do të përkthehet e do të shfaqet në Tajvan.

Kuratorja e ekspozitës, Chiayo Kuo, tha se ndihet e nderuar që përmes kësaj ekspozite të paraqesë bashkë me kolegët e saj vizionin e Kosovës për të ardhmen. Ajo kujtoi kohën kur ishte shpallur Pavarësia e Kosovës, ndërsa kishte qenë në shkollë të mesme dhe ky lajm kishte qenë shumë relevant atje, më pas ajo kishte kërkuar e lexuar shumë për Kosovën dhe pas 9 vitesh, ajo tha se nuk donte të mbetej vetëm vizitore në këtë vend kështu që bëri këtë ekspozitë për t’i lidhur më shumë vizionet e njerëzve të rinj, pasi ata janë e ardhmja e Kosovës.

“Ne besojmë se në dhjetëvjetorin e Kosovës, kjo ekspozitë ka një kuptim të veçantë. Kjo ekspozitë përmban punën e disa trajnimeve që kemi pasur me Termokiss dhe bazohet edhe në disa intervista që kemi marrë në rrugë. Ekspozita është online dhe offline. Ne kemi krijuar edhe një website për këtë ekspozitë kosovonext10.com, çfarëdo që ndodhë në ekspozitë, do të shfaqet edhe në website. Në këtë mënyrë çdokush mund të marr pjesë në këtë ekspozitë, pavarësisht vendndodhjes, pa marrë parasysh se sa larg jeni nga Kosova, ju mund të merrni pjesë dhe të festoni dhjetëvjetorin e Kosovës përmes kësaj ekspozite”, u shpreh Kuo.

Skënder Boshtrakaj tha se ndihet i lumtur që Muzeu e ka arritur atë nivel që të jetë i mbushur me vizitorë dhe me aktivitete të të rinjve që i prodhojnë për të rinjtë dhe vendin.

“Kur kam filluar punën në Muze i kam vendosur vetes dhe kolegëve prioritetet në tri shtylla të veprimit, për t’i vendosur në rend të parë të rinjtë dhe fëmijët, pastaj akademia dhe universitetet, studiuesit e rinj dhe grupi i tretë vizitori që është jo më pak i rëndësishëm. Jam i lumtur që Muzeu i Kosovës e ka arritur këtë nivel. Unë do doja t’i falendërohem të gjithë të rinjve që kanë marrë pjesë në këtë projekt dhe atyre që e kanë mbështetur projektin”, u shpre Boshtrakaj në fjalën e tij.
“Duke u bazuar në dhjetëvjetorin e shtetit të pavarur dhe duke aluduar në atë se si do ta shohim Kosovën në të ardhmen, do të isha shumë e nderuar që çdo ide e juaja se si e shihni Kosovën të jetë edhe me frytdhenëse për neve”, u shpreh Burbuqe Bakija nga MKRS e cila falënderoi ata që kanë marrë pjesë në këtë projekt.

Në emër të Zombie Soup, fjalën e mori Agnesa Belegu e cila u shpreh se ndihen shumë të lumtur për kontributin e tyre në këtë ekspozitë përmes projektit Travel Vr që mundëson një kapërcim përtej izolimit në të cilin ndodhen njerëzit e Kosovës.

“Do të ju ftoja të gjithëve t’i provoni këto eksperienca, ky nuk është një organizim shumë i zakonshëm në Kosovë. Realisht ky organizim na ka sjellë një perspektivë të re për t’i parë arritjet tona të cilat ne shpesh i harrojmë për shkak të problemeve tona. Shijojeni këtë ekspozitë për të parë më larg se këtu”, u shpreh Belegu.

Kjo ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj në Muzeun e Kosovës erdhi si bashkëpunim i Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore të Tajvanit dhe Kosovës, Muzeut të Kosovës, Termokissit dhe Zombi Soup./ KultPlus.com

‘Kultura për ndryshim’, programi që mbështetë ndryshimet në Kosovë përmes kulturës

Alberina Haxhijaj

Tashmë ka përfunduar raundi i parë i granteve të dhëna në kuadër të projektit “Kultura për ndryshim“ që financohet nga BE-ja dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, me të marrë fjalën sot në një ngjarje të organizuar nga programi në fjalë, zgjodhi një paralele me thënien e Robert Schumanit se nëse Bashkimi Evropian do të krijohej nga fillimi, pikënisje do ta kishte kulturën.

E rëndësinë e kulturës e theksoi edhe Genoveva Ruiz-Calavera, drejtoresha e Western Balkans në DG NEAR (Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations).

Ajo u shpreh se Kosova duhet të jetë e lumtur për potencialin të cilin e kanë të rinjtë këtu, për të sjellë ndryshime, ndryshime të cilat vijnë si rrjedhojë e angazhimit në kulturë.

“Unë kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë pata filluar punën pikërisht në muze. Tani jam e lumtur që po rikthehem përsëri. Më kujtohet kur erdhëm dhe u vendosëm këtu në hapësirat e muzeut i cili nuk kishte aspak i tillë, tani më vjen shumë mirë që ky Muze (i Kosovës) është më të vërtetë muze i denjë dhe jam e lumtur që e shoh të mbushur me eksponate”, u shpreh ajo.

Ruiz Calavera theksoi rëndësinë që kanë programet e shkëmbimit në mes të të rinjve nga Kosova dhe atyre nga vendet tjera të Evropës.
“Rinia e Kosovës duhet që të vazhdojë të mendojë jashtë kutisë dhe asaj që i servohet dhe sidomos të rinjtë duhet që të jenë më shumë me mendje kritike pasi vetëm kështu do të bëjnë më shumë presion ndaj politikanëve për ndryshime”, u shpreh Genoveva Ruiz-Calavera e cila po ashtu pranoi një kopje të “Hyjneshës në Fron” si dhuratë nga drejtori i Muzeut të Kosovës.

“Ajo çka po bën sot Bashkimi Evropian është hapja e mundësive dhe ofrimi i tyre prandaj ne duhet të jemi ata që do t’i shfrytëzojmë këto mundësi në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë mundësi dhe perspektivë evropiane. Të rinjtë tanë janë evropian, të rinjtë tanë dinë të bëjnë vepër evropiane, krijimtari evropiane dhe nga programet si ‘Evropa Kreative’ jam i sigurt që shumë të rinj do të përfitojnë”, tha Shyqyri Bytyqi – Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Jeton Neziraj nga Qendra Multimedia e cila së bashku me Institutin Goethe po implementojnë programin “Kultura për Ndryshim”, tha se ky programi deri tani ka përfunduar kohortin e parë të granteve ku përfitues direkt janë 42 artistë individualë dhe organizata të ndryshme kulturore.

“Shumica e granteve janë orientuar jashtë kryeqytetit, te organizatat dhe grupet artistike më të vogla por të cilat kanë potencial zhvillimi dhe qëndrueshmërie. Nga 200 aplikacione sa kemi pranuar mbi 30% e tyre kanë ardhur nga artistë dhe organizata kulturore nga komunitetet pakicë në Kosovë, që do ta konsideroja një lajm të mirë dhe një fakt optimist”, tha Neziraj.

Projekti “Kultura për Ndryshim” synon të rritë kapacitetet dhe të forcojë operatorët kulturorë në Kosovë përmes grant-dhënies dhe ngritjes së kapaciteteve të organizatave kulturore në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin e kulturës në zonat jashtë kryeqytetit të Kosovës, dhe veçanërisht në mesin e operatorëve kulturorë që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara. Projekti po ashtu do të mbështesë operatorët kulturorë nëpërmjet rrjetëzimit dhe promovimit që synojnë lidhjen e iniciativave kosovare me bashkëpunuesit potencial brenda dhe jashtë Kosovës.

Në dokumentin më poshtë mund të gjeni listën e plotë të fituesve të Thirrjes së parë për grante të projektit Kultura për Ndryshim për vitin 2018. / KultPus.com

Intelektualët pejanë në disa fotografi të kohës

Në këto fotografi të realizuara gjatë viteve 1977, 1995 dhe 1998 shihen shoqëria e njohur si elita intelektuale e Pejës së atyre viteve.

Profesorët Ymer Muhaxheri, Feti Ibishaga, Qemajl Beqiri, Mahir Morina, Gëzim Basha, Muharem Pasha, Viktor Gashi, Aziz Zeka, Burhan Gjikolli dhe Jusuf Haxhiu janë në mesin e personazheve që i shohim në këto fotografi.

Ymer Muhaxheri, i lindur në vitin 1929, ishte kryetar i LDK në Pejë. Mahir Morina është një ndër mjekët e parë në Kosovë, ndërsa në fotografi shihet edhe historian e profesori Gëzim Basha dhe profesori i gjuhës frënge në Gjimnazin e Pejës – Feti Ibishaga.

Intelektualët pejanë grumbulloheshin në Berberhanen e njohur të qytetit. Ajka ishte identifikuar si kundërshtare e politikës ditore e zhvillimeve politike në Pejë. Shumë prej këtyre intelektualëve dhanë kontribuut të çmuar dhe u dalluan për punën e tyre.

Burimi: Kosovar Basha

‘Të jetosh i dëshpëruar’

ALBERTO MORAVIA

“E kështu, për herë të parë, dëshpërimi përzihej me shpresën, si dy lumenj me ujëra të ndryshme nga dy burime të ndryshme, e para e bënte më të gëzueshme të dytën, e dyta e bënte më të thellë të parën. Unë ndihesha i dehur nga gëzimi, por në të njëjtën kohë, më i dëshpëruar se kurrë.
Problemi që më mundonte prej kohësh – domethënë nëse do të ishte e mundur që dëshpërimi, si të thuash , të “stabilizohej” ose të shndërrohej në një kusht normal të jetës në mënyrë që të mos arrihej kurrë në zgjidhjen logjike dhe të padhmangshme, në vetëvrasje – tashmë papritur ishte përmbysur. Përsëri, si në ditët e mia më të këqija, ndihesha i gatshëm të vrisja veten; kësaj radhe jo se më mungonte shpresa, por për shkak të një shprese tepër të madhe, së cilës nuk i hynte aspak në punë urtësia e hidhur e një dëshpërimi, siç thashë, të “stabilizuar”.”

‘Dielli’ nga Mjellma Istrefi, njëri prej filmave studentorë në PriFest

Festivali PriFest ka prezantuar sot edhe programin garues të filmave studentorë.

Po e veçojmë këtu filmin “Dielli” me regji nga Mjellma Istrefi.

Filmi 12 minutësh tregon për një profesor i cili u tregon studentëve të tij për mitin – dielli djegë gjithçka që prekë, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë.

Një studente është mjaft e guximshme. Ajo shpjegon se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e saj. Profesori vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim.

Lista e plotë e Programit të filmave Studentorë:
1. This must be the ritual (Poloni), Premierë Evropiane
2. Reenactment (Bosnje dhe Hercegovinë), Premierë Ndërkombëtare

3. Big sister (Izrael), Premierë Kosovare
4. Pulse (Izrael), Premierë Kosovare
5. Mustacheland (Turqi), Premierë Regjionale
6. The wheel (Kosovë), Premierë Kosovare
7. Dielli (Itali, Kosovë), Premierë Botërore.

Përveç filmave garues, në seksionin e filmave studentorë do të shfaqet edhe një program prezantues.

“Retrospektiva e regjisoreve femra nga Jerusalem Sam Spiegel Film School” do të prezentojnë një listë filmash të studentëve të kësaj shkolle me tematikën ‘Femra e fortë’. / KultPlus.com

Piktura ‘Salvator Mundi’ e Da Vinci, nga shtatori në Abu Dabi

‘Salvator Mundi’ do të ekspozohet në Abu Dabi duke filluar nga muaji shtator.

Puna magjepsëse nga Leonardo Da Vinci nga data 18 shtator do të ekspozohet në Muzeun e Luvrit në Abu Dabi.

Në pikturë është Jezusi duke dhënë uratën ndërsa njihen rreth 20 versione të pikturës së njohur botërisht.

“Një pikturë që ka kaluar nëpër shumë duar, e humbur dhe e gjetur, më në fund vjen në vendin tonë dhe është dhurata që do ti japim botës. Piktura na takon të gjithëve” thotë He Mohamed Khalifa Al Mubarak nga Departamenti i Kulturës dhe Turizmit në Abu Dabi, shkruan KultPlus.

Vitin e kaluar piktura u shit në ankand për 450.3 milionë dollar duke u bërë kësisoj piktura më e shitur ndonjëherë në botë. Da Vinci shpesh konsiderohet nga studiuesit si “Gjeniu Universal” dhe “Njeriu i Rilindjes”.

Punët tjera të njohura të tij janë “Mona Lisa”, “The Last Supper”, “Lady with an Ermine”, “The Vitruvian Man” dhe piktura të tjera. / KultPlus.com

“Politiko” i Brukselit e quan budallallëk sjelljen e Serbisë ndaj shqiponjës me gishta

Portali “Politiko” i Brukseli ka bërë një shkrim rreth zhurmës që Serbia bëri pas manifestimit të futbollistëve shqiptarë të përfaqësueses zvicerane të fitores ndaj Serbisë me formimin e shqiponjës me gishta, duke e konsideruar budallallëk atë që bënë serbët, transmeton Koha.net.

Teksti nis: “Merrini me mend 11 serbë që futen në fushën e futbollit për t’u ballafaquar me Zvicrën. Po, serbët që tashmë i njohim, djem shtatgjatë me zemra hipërnacionaliste dhe tifozë të rryer në beteja, nga të cilët disa bartin shenja gjenocidale të Ratko Mlladiqit, kriminelit serb të luftës të dënuar. Ekipi është jashtëzakonisht homogjen, ortodoks… Stojkoviq, Toshiq, Tadiq, Milenkoviq, Saviq, Matiq, Mitroviq… E kuptoni poentën”.

Zvicra, nga ana tjetër, nuk është më ai vendi i orëve dhe i djathit, por toka e futbollistëve imigrantë. Nëse përjashtohen ata pak futbollistë zviceranë, ai ekip ka mjaft futbollistë nga vende të bukura. Tre janë nga ish krahina serbe e Kosovës, që tash është e pavarur, por që Serbia nuk e pranon dhe ku Liria u desht të fitohej me forcë, shkruan portali belg.

Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën vazale të saj,kurse shqiptarët e atjeshëm i konsideron “terrtarë urrjetës në narracionin shekullor të tragjedisë fisnore”

Ndeshja ndërmjet Serbisë e Zvicrës përshkruhet si luftë për ta mbajtur Kosovën. “Serbët fillimisht “çuan peshë gjithë Zvicrën”, duke pretenduar fitoren. Fillimisht shënuan gol në minutën e pestë, përmes Mitroviqit. Por zviceranët u këndellën dhe fituan – ashtu siç bënë kosovarët në luftën guerile gjatë të cilës nuk kishte engjëj, në të cilën njerëzit e Kosovës patën ndihmën e pakursyer të NATO-s”, transmeton Koha.net.

Në vazhdim … dy kosovarë zviceranë shënuan gola. Shaqiri ka stemën e Kosovës në atlete , ndërsa ky, sikundër edhe Xhaka pas shënimit të golit formoi me gishta simbolin e shqiponjës dykrenore, përkatësisht të Shqipërisë së madhe, që tërboi aq shum ë serbët sa iu ankuan FIFA-s.

Serbia është aleate shumë e afërt e Rusisë në Europë dhe FIFA do të duhej të kishte këtë parasysh me rastin marrjes së vendimit për dënimin e Shaqirit dhe Xhakës. Po ashtu nuk do të guxonte të harronte se tifozët rusë e serbë gjatë ndeshjes kënduan këngë me gjyra politike. Rusia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe ajo është organizatore e Kampionatit Botëror, pjesërisht edhe në saje të udhëheqjes së korruptuar të FIFA-s me Sepp Blatterit.

“Pra, thelbi i akuzës kundër Shaqirit dhe Xhakës moralisht ishte ofensive meqë vinte nga vendi që kishte bërë luftë për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. Mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës (më së paku) janë vrarë gjatë asaj lufte. Që të dy futbollistët zviceranë që dhanë gola janë fëmijë refugjatësh që kishin ikur nga Kosova prej represionit serb, kështu që simbolizimi i shqiponjës shqiptare prej tyre duhet të shqyrtohet nga këndi i manifestimit të emocioneve dhe të këndelljes historike “ shkruante “Politiko” e Belgjikës, dhe shton “thelbi i futbolli në fakt është manifestim i emocioneve kombëtare”, transmeton Koha.net.

“Dy njerëz krenarë e kanë vendin në fushë (të futbollit), por aty nuk ka vend për budallallëqet serbe”, shkruan “Politiko”.

Kongresmeni Engel rikthehet në Kongres, feston me simbolin e shqiponjës

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, mbështetës i hapur i shqiptarëve, ka treguar me një gjest të thjeshte se anën e kujt mban edhe në rastin e gjobitjes së futbollistëve Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka nga FIFA për mënyrën sesi e festuan fitoren, duke bërë shenjën e shqiponjës.

Pas marrjes se mandatit në Kongres, Engel pozoi duke bashkuar duart mbi gjoks në të njëjtën mënyrë. Veprimi i tij tejet domethënës është përshëndetur gjerësisht nga komuniteti shqiptar.

Por Engel nuk ishte i vetmi qe rreshtohet në anën e Xhakës e Shaqirit. Të njëjtin gjest bëri edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, çka ngjalli reagimin e fortë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

“Kroatët dhe shqiptarët na urrejnë,- tha ai, duke shtuar- Veprimet e tyre flasin për ta e jo për ne, ne duhet të shohim se si të shkojmë përpara, të zhvillohemi. Urrejtja vret atë që urren, jo atë që është objekt i urrejtjes.

Foton, që duket u ka dhembur shumë, e kanë shpërndarë edhe një pjesë e mirë e mediave serbe. FIFA për çdo rast nuk i ndëshkoi ashpër futbollistët shqiptarë, duke u mjaftuar vetëm me gjobë e duke mos i ndaluar të marrin pjesë në lojërat e ardhshme. / KultPlus.com

‘Shqiponjat’ e Xhakës e Shaqirit nuk janë aspak politike

Mania për festimet e Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit pas golave ndaj Serbisë po vazhdon edhe më tej.

Mediumi zviceran “20minutes” ka biseduar me profesorë e njohës të rrethanave të Kosovës e Serbisë.

Sipas specialistit për Ballkanin, Loic Tregoures, veprimi i lojtarëve të Zvicrës nuk paraqet asnjë kuptim politik.

“Veprimi i tyre kuptohet nga i gjithë populli shqiptar dhe paraqet shqiponjën e flamurit shqiptar. Nuk ka asnjë kuptim politik. Është një shenjë identiteti siç e kanë edhe vendet tjera. Nëse do ta bënin atë kundër Portugalisë apo Anglisë, për shembull, askush nuk do të prekej”, thotë ligjëruesi i Institutit Katolik të Parisit, transmeton Koha.net.

Mediumi më tej thotë se pas fishkëllimave nga fansat e Serbisë, disa nga të cilët bartnin fanella me imazhin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq, lojtarët e Zvicrës kanë dashur t’u përgjigjen atyre provokimeve.

Për Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën është e vështirë të jenë neutralë kur dihet se babai i Xhakës ka qenë i burgosur politik nga Serbia.

“Është një veprim i bërë nën ndikimin e emocionit dhe historisë personale. Mund të jetë fatkeqe për shkak të tensioneve mes Kosovës e Serbisë, por për mua nuk është veprim politik. Meqenëse Kampionati Botëror është shumë i përhapur, veprimet e tyre ngjallën reagime. Por është një epifenomen në nivel diplomatik. Kjo nuk do ta ndryshojë situatën”, ka thënë Odile Perrot, drejtoreshë e Shkencave Politike dhe specialiste për Kosovën.

Tutje, mediumi zviceran në gjuhën franceze, përmend edhe përkrahjen që djemtë morën në Kosovë, nga i madh e i vogël – madje edhe duke mbledhur fonde për t’ua paguar gjobat.

Por, Tregoures thotë se ndonëse në Zvicër ka nga ata që janë hezitues ndaj shqiptarëve të Kosovës, në këtë rast i përkrahën.

“Edhe në Zvicër pari përkrahje për këta lojtarë. Është paksa qesharake sepse në Zvicër, është një pjesë e shoqërisë që janë shumë hezitues në raport me shqiptarët e Kosovës dhe emigrantëve në përgjithësi. Por në këtë rast, i përkrahim ata”, thotë ai.

Por, reagimet janë krejtësisht të kundërta në Serbi, ku u nxit një skandal diplomatik. Ndonëse Federata Serbe e Futbollit u gjobit me 46,780 euro nga FIFA për mesazhet diskriminuese nga fansat e tyre gjatë ndeshjes kundër Zvicrës, shqiponja vështirë të kapërdihet nga ta.

“Serbët pretendojnë se kjo shqiponjë i referohet ‘Shqipërisë së Madhe’ (bashkimi i të gjithë shqiptarëve të Ballkanit në një shtet). Por, kjo nuk është e vërtetë pasi këtë projekt nuk e përkrahin qeveritë aktuale”, vazhdon Odile Perrot.

Ekspertët e intervistuar nga “20minutes” kanë deklaruar se tashmë gjithçka ka kaluar.

Vjen në shqip romani erotik i Kostas Mourselas

Një roman klasik karakteresh. Kështu shihet nga kritika romani “Flokë flakë të kuq” i shkrimtarit grek Kostas Mourselas. Libri ka ardhur në shqip nën përkthimin e Maklena Nikës e botimet “Toena”. Në kopertinë është një imazhi i një vajze nudo nga Helidon Haliti. Një roman psikologjik me skenë shoqërore të ngurtë dhe erotizëm të fortë. Një roman që ngjason me një pikturë të Hieronymus Bosch-it. Shkrimtari grek Kostas Mourselas lindi në Pire në janar të vitit 1932. Është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Athinës.

Deri në vitin 1969 punoi në administratën publike, nga ku u pushua prej qeverisë së Juntës Ushtarake. Pikërisht në këtë kohë filloi të shkruante pjesë teatrale dhe skenarë filmash televizivë. Është autor i mjaft librave, si: “Oh, çfarë bote, baba!”, “Akuarium”, “Miqtë”, “Zonja nuk mban zi”, “Veshi i Aleksandrit”, “Ngadalë, atdheu po pushon”, “Thika ka shkuar në kockë”, “Njerëz dhe kuaj”, “Ai dhe ai”, “Komedi kombëtare”, “Ngarkesë e rrezikshme”, “Flokë flakë të kuq”, “Mbyllur për shkak të melankolisë”, që patën një sukses të madh. Veç tyre shkroi edhe 130 monodrama.

Veprat e tij teatrale janë vënë në skenë edhe në Francë, Gjermani dhe Qipro. Romani “Flokë flakë të kuq” qarkulloi për herë të parë në greqisht, më 1989 dhe u lexua nga mijëra e mijëra lexues duke e kthyer këtë roman në një nga më të suksesshmit e viteve 80-të. Madje, pothuajse në të njëjtin vit, u realizua edhe seriali televiziv me të njëjtin titull. Në vazhdim u përkthye dhe u botua në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, hebraisht dhe turqisht. Shkrimtari Kosta Mourselas u nda nga jeta, më 15 korrik 2017, në moshën 85-vjeçare.

Çdo 1 orë nga 1000 dollarë për Xhakën e Shaqirin

Gjoba e shqiptuar nga FIFA për futbollistët e Zvicrës me prejardhje nga Kosova Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka ka mobilizuar shqiptarët, raporton KTV.

Vetëm disa orë pas vendimit të FIFA-s, që konsideron se festimi i golave të fitores ndaj Serbisë me simbolin e shqiponjës është sjellje e pahijshme, u krijuan dy kampanja për të grumbulluar para.

Në përkrahje të futbollistëve, Rilind Reka krijoi kampanjën online për të mbledhur para për të paguar gjobën për futbollistët nga Kosova, por edhe për kapitenin e helvetikëve, Stephan Lichtsteiner, që u dënua me 5 mijë franga.

Për 20 orë, kjo kampanjë ka grumbulluar mbi 20 mijë dollarë.

E nëse Federata e Zvicrës nuk do t’i pranojë paratë e grumbulluara, sipas organizatorëve, ato do të dhurohen për bamirësi.

Paralelisht me këtë, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë një nismë të ngjashme për të mbledhur mjete financiare përmes llogarisë bankare të emërtuar “Mos kini frikë nga Shqiponja”.

Rama e quan absurde gjobën e FIFA-s ndaj Xhakës dhe Shaqirit. Golave të futbollistëve të Zvicrës iu është gëzuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Por ai nuk i ka komentuar fare nismat për të grumbulluar para.

Ndërkaq, ministri i qeverisë Haradinaj, Bajram Hasani, ka ndarë pagën e tij pa rritje 1163 euro për gjobën e futbollistëve. Gjoba prej 25 mijë frangave, e shqiptuar nga FIFA për tre lojtarët e skuadrës zvicerane, eksperti kosovar i referimit Ismajl Kasumi i quan të padrejta.

‘Zvicra’, dokumentari për identitetin nga Fisnik Maxhuni

Regjisori Fisnik Maxhuni e ka përfunduar dokumentarin ‘Zvicra’.

Kërkimi për identitetin në Zvicër kësisoj mban vulën e regjisorit Maxhuni.

Dokumentari i cili ka nisur të xhirohet para dy vitesh, asokohe kur dy vëllezër nga Kosova po luanin kundër njëri tjetrit në EURO 2016, duket edhe më aktual sidomos këtyre ditëve duke marrë parasysh lojën Zvicër-Serbi dhe ndëshkimin e FIFA ndaj Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës.

“Me anë të këtij dokumentari mësuam se identiteti përbëhet nga shumë elemente, por edhe se identiteti nuk është term përjashtues – nëse je zvicran kjo nuk do të thotë se përjashtohesh nga një identitet tjetër” tregon regjisori Fisnik Maxhuni në rrjetin social Facebook.

Dokumentari do ta ketë premierën këtë verë dhe do të shfaqet më pas në vjeshtë në Radio Television Suisse RTS, shkruan KultPlus.

“Identitetet nuk janë absolute, ato ndryshojnë bashkë me kohën. Unë sot jam krenar ta quaj veten një regjisor zvicran, duke mos harruar kurrë vendin ku linda dhe rrënjët e mia nga Kosova” ka shkruar më pas Maxhuni.

Dokumentari ‘Zvicra’ është me regji nga Maxhuni dhe Benoit Goncerut, të cilët e kanë shkruar edhe skenarin. / KultPlus.com

Kërcej me motrën

Poezi nga Sidorela Risto.

Gramafoni i vjetër rrotullohet ngadalë
si çadra e një geishe në vallëzim.
Hap, hap, hap në vitet ’20,
Kokëlarta, duart si balerina mbi supe,
lëvizje të lëmuara.
Unë vërtitem si kos i ngrirë në një kaush akulloreje.
Ti shtyp gishtin e vogël të këmbës.
Unë rrëzohem, ti qesh.
Merre shkopin e bambusë,
jam gati të ec në botën e vjetër të viteve ’20.

Zbulohet dorëshkrimi i panjohur i Marin Barletit

Kërkimet shkencore disavjeçare individuale dhe të përbashkëta të studiues Lucia Nadin dhe historianit Aurel Plasari, kanë çuar në zbulimin e një teksti të panjohur të Marin Barletit. Ai ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, i ardhur nga Venecia.

Nga studimi i deritanishëm, ky dorëshkrim që vjen i ilustruar përmes dy fotografive, është më i hershmi i zbuluar nga Marin Barleti, si dëshmues i rrethimit të parë të Shkodrës mbi pesë shekuj më parë.

Albanologia Lucia Nadin nënvizoi faktin se ishin disa të dhëna që çuan në këtë studim, ndërsa nënvizoi se bashkë me studiuesin Aurel Plasari ka punuar për vite me radhë.

Plasari tha se fakti që dokumenti daton shumë më herët seç studiuesit kishin menduar, përfshirë edhe vetë atë, përkthehet në një “vetëkorrigjim” që i duhet bërë historisë.

“Ky dorëshkrim përmban rrethimin e Shkodrës të datuar në 1500. Botimi i librit i dedikohet një dogje, kreut të Republikës, më 1504. Botimi ose teksti i tanishëm i dedikohet dogjës paraardhës dhe kjo është siguria maksimale që është shkruar shumë vite më parë se Beçikemi. Kjo ndryshon shumë gjëra në kontekstin kur është shkruar vepra e Barletit. Është menduar se është shkuar gjatë paqes që bënte Republika e Venedikut me otomanët, por në të vërtetë vitet na japim diçka tjetër. Është viti i kryengritjes shqiptare, kryengritjes së Lezhës, për çlirimin e Krujës dhe Shkodrës dhe kur në Arbëri vjen nipi i Skënderbeut, ose Skënderbeu i Ri. Pra, rrethanat përmbysen krejtësisht. Pretendimet e autorëve që duke llogaritur botimin dhe pa njohur këtë vepër kanë menduar se Barleti ka marrë pasazhe nga Beçikemi në 1503, pra ka kopjuar prej tij. Këto marrëdhënie kthehen kokëposhtë, sepse rezulton që është Barleti vite përpara Beçikemit dhe nuk është Barleti ai që ka marrë nga Beçikemi, por e kundërta”, shpjegoi studiuesi Plasari.

Nga ajo që është studiuar deri tani bëhet fjalë për një dorëshkrim që i përket fundit të 1494-ës. Sipas Nadinit dhe Plasarit, dorëshkrimi duket si një kopje luksi e përgatitur për botim, pa shënime anash, i pastër, me një shkrim të thjeshtë, lehtësisht e korrigjueshme. Një kopje e këtij dorëshkrimi në formatin digjital do t’i jepet edhe Bibliotekës Kombëtare. / KultPlus.com

Rita Ora jep përkrahje për albumin e ri të Bebe Rexhës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka publikuar së fundmi albumin e saj të ri.

“Expectations” titullohet albumi i saj më i ri, i cili ka gjithsej 14 këngë përbrenda e tij.

“I’m a mess” është kënga e fundit që këngëtarja Rexha solli për fansat e saj, këngë e cila është pritur mirë nga fansat e saj.

Përkrahje për albumin e saj më të ri përveç fansave, kanë dhënë edhe kolegët e saj.

Rita Ora është njëra ndër mikeshat më të mira të këngëtares, e cila në një fotografi të publikuar në InstaStory, ka dhënë mbështetje për albumin e koleges së saj.

Kujtojmë që të dy shqiptaret këtë vit sollën së bashku edhe një bashkëpunim me Cardi B dhe Charli XCX, të titulluar “Girls”.