Polonia dhe Ukraina ia ndaluan koncertet Bregoviqit, ky i fundit e mbështeti pushtimin rus të Krimesë

Polonia dhe Ukraina i kishin anuluar koncertet e këngëtarit serb, Goran Bregoviq, për shkak të përkrahjes që ai kishte shprehur për pushtimin e Krimesë së Ukrainës nga Rusia.

Pavarësisht shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut nga regjimi pushtues rus në Krime dhe sanksioneve ndërkombëtare, Bregoviqi kishte mbajtur një koncert në Sevastopol të Krimesë, ku e kishte lavdëruar Rusinë dhe kishte thënë se shpresonte që Perëndimi “do të shërohet nga paranoja”.

Pas koncertit të mbajtur më 26 mars të vitit 2015, Bregoviqi ishte pyetur nga gazetarët nëse i frikësohej bojkotit. Ai kishte thënë: “Nuk mërzitem. Ne në Ballkan gjithmonë e kemi ndier madhështinë që vjen nga lindja, nga Rusia. Mendoj se Perëndimi gjithmonë ka shprehur një lloj paranoje për këtë. Shpresoj që kjo do të kalojë dhe se ata do të gjejnë një lloj ilaçi për këtë.”

Paraqitja e Bregoviqit në Sevastopol kishte rezultuar me anulimin e koncertit të tij, të planifikuar për 16 maj të atij viti në Kiev të Ukrainës, raporton Grupi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kharkiv.

Në të njëjtin vit – 2015 – Bregoviqi kishte planifikuar që të merrte pjesë edhe në një festival në Poloni, por koncerti i tij ishte anuluar pikërisht për shkak të mbajtjes së koncertit në Krimenë e pushtuar dhe përkrahjes që kishte shprehur për Rusinë./ gazeta express/ KultPlus.com

Rikthehet Festivali më i madh i shqiptarëve në Zvicër

Në vitin 2019 në Zvicër u mbajt festivali “Alba Festival”, një nga ngjarjet muzikore më të suksesshme në diasporë. Pas lehtësimit të masave të pandemisë Covid-19, ky event do të rikthehet, kësaj radhe edhe më fuqishëm.

Festivali do të mbahet në Zyrih, me datat 4 dhe 5 shtator, derisa përgatitjet për këtë spektakël në qiell të hapur, thuajse kanë përfunduar.

Edhe këtë edicion, prezantuese do të jetë një nga femrat më të suksesshme në botën e modës në Zvicër, Mimoza Lekaj, e cila ka dhënë detaje në lidhje me programin dhe mbarëvajtjen e këtij viti.

Ajo në emisionin N’NEJË ka thënë se tashmë janë disa emra të famshëm, që kanë konfirmuar që do të jenë pjesëmarrës, duke zbuluar kështu disa prej tyre. “Konfirmimet tashmë janë parë edhe në faqen tonë zyrtare në Instagram. Po ashtu edhe të gjitha informacionet e tjera, ku jemi mundu t’i bëjmë në disa gjuhë, ku çdo dy – tri ditë tregojmë për ndonjë artist të ri”, ka thënë ajo.

Interesim sipas saj kanë shprehur nga të gjitha vendet e botës, deri nga Amerika e largët. Pasi që edicioni i parë ka pasur bujë shumë të madhe, me 20 mijë pjesëmarrës. “Ma special këtë vit do të jetë, pasi që dy vite s’kemi pas mundësi ta bëjmë për shkak të pandemisë. Dhe jam e bindur që do të kënaqemi së bashku, pasi është festivali i parë pas pandemisë në Zvicër. Veç konfirmimit të Ledri Vulës dhe Orhidea Latifit – Kida, gjithashtu po e zbuloj se do të jetë edhe grupi Elita 5, por edhe shumë emra të tjerë të njohur nga muzika”, tregoi Lekaj./ rtk.live/ KultPlus.com

Anulohet festivali “Zurich OpenAir 2021”

Festivali i muzikës popullore, i planifikuar të mbahet nga 25 deri më 28 gusht, nuk do të zhvillohet këtë verë, transmeton albinfo.ch.

“Rregullat e rrepta të udhëtimit për artistët dhe udhëtimet e anuluara tërësisht kanë ndikuar në orarin aq shumë sa që nuk ka asnjë shans për të krijuar një formacion që plotëson standardet e cilësisë në një kohë kaq të shkurtër”, thanë organizatorët.

Biletat e blera tashmë do të kthehen. Vitin e ardhshëm Zurich OpenAir do të mbahet nga 24-27 gusht, sipas lejimit të Covid. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

Super-aksioni The Suicide Squad, me një kast të mahnitshëm aktorësh, nga 5 gushti nis të shfaqet në Cineplexx

Skuadra e njohur e The Suicide Squad, rikthehet në ekranet e mëdha të kinemave sërish, dhe nga 5 gushti nis shfaqjen edhe në Cineplexx.

Filmi The Suicide Squad, arrin në kinematë botërore më 5 gusht, dhe në të njejtën datë do të filloj të shfaqet edhe në Cineplexx. Filmi i cili është ribërje e filmit Suicide Squad të vitit 2016, po vlerësohet nga kritikët si në nga filmat më të mirë dhe më argëtues të këtij viti. Me një super kast aktorësh, me emra të njohur si Margot Robbie, Idris Elba, John Cena, etj, filmi përfshin Super-antagonistët e DC, Harley Quinn, Bloodsport, Peacemaker dhe një koleksion i kriminelëve më të këqinjë në burgun Belle Reve, të cilët bashkohen me Task Forcën super sekrete X, dhe dërgohen në ishullin e largët, të mbushur me armiq, Corto Maltese, në një mision për të shpëtuar botën.

Trailer embedded: https://fb.watch/7aj7m3Ubyk/

Biletat për këtë super film mund t’i bleni çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx, ose përmes aplikacionit të cilin mund ta shkarkoni në të dy platformat, edhe në IOS, edhe në PlayStore. Më shumë informata rreth filmit, mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx. ://www.cineplexx-ks.eu/movie/The-Marksman/)/ KultPlus.com

Dua Lipa vazhdon të bëj bujë me qëndrimin në Shqipëri, e quajnë ambasadore të promovimit të vlerave

Dua Lipa së fundi ka qenë në qendër të vëmendjes, e cila bashkë me familjen e saj qëndruan gjatë nëpër pika të ndryshme turistike të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Për disa ditë, në të gjitha rrjetet e saj sociale ka promovuar Shqipërinë, e duke pas parasysh se Dua Lipa ndiqet nga miliona ndjekës, nënkuptohet se reklamë më e mirë nuk mund ti bëhej.

Së fundi, bashkë me familjen e saj vizituan edhe Qytetin Antik të Butrintit, e cila shihet të jetë e shoqëruar edhe nga familja e saj.

Ndërkohë, faqja zyrtare e Parkut Kombëtar të Butrintit, vizitën e Dua Lipës e ka vlerësuar tepër të rëndësishme.

“Miq të veçantë vizituan këtë fundjavë Qytetin Antik të Butrintit. Faleminderit Dua, ambasadorja jonë në promovimin e vlerave të trashëgimisë kombëtare!”, kanë shkruar në faqen zyrtare të këtij institucioni kulturor./ KultPlus.com

30 dokumente për të dëshmuar pafajësinë, një kosovar më shumë do të sjellë murtajën

Bardhyl Salihu

Vizita duhet caktuar muaj më parë. Paraqitja në pikë kontroll e përpiktë. Një roje e sertë të hapë dyert metalike dhe ti futesh në grazhdin e të dyshuarve. Gjësendet e tua personale merren, preken, hapen. Të bëhet me dije të ulesh dhe i qetë të presësh në radhën e inkuizicionit. Çdo bashkëvuajtës është fajtor deri sa të dëshmojë të kundërtën.

Javët e fundit ke mbledhur me djersë 30 dokumente për këtë moment. Çdo gjë nën rrezet e diellit. Dëshmi për të ardhurat financiare në të cilat figurojnë gjërat më intime të jetës tënde. Dëshmi rreth vendit të punës, të jetës. Dëshmi mbi gjendjen civile dhe anëtarët e familjes brenda dhe jashtë vendit. Gjëra aq personale sa që, po të publikoheshin në rrethana të tjera, autori do të sanksionohej ashpër nga ligji evropian i privatësisë. Për këtë odisejadë të janë dashur ditë të tëra, shumë energji dhe qindra euro.

Por pa asnjë garanci. Asnjë garanci që ky kalvar do të përfundojë me shfajësimin tënd. Një zyrtar vendosë për fatin tënd duke u kapardisur në kolltukun e tij, pa të njohur ty dhe rrethanat e tua. I bezdisur që një plebe po e kërkon atë që i takon edhe kriminelëve më të regjur të kontinentit, lirinë e lëvizjes, me kusht që e kanë vuajtur dënimin dhe e kanë atë copë letre që quhet pasaportë.

Ky gjykues dhe eprorët e tij politikanë që e kanë getoizuar një vend të vogël nuk duan t’ia dinë që ti nuk e ke ndërmend të shkelësh ligjin. Në të kundërtën nuk do t’ju afroheshe për të kërkuar shfajësimin por si i fajshëm do ndiqje rrugët ilegale për të kaluar kufirin. Dhe do talleshe me muret e tyre të moralizimit. Ata druhen që pasi miliona ukrainas në gjendje lufte e miliona refugjatë sirianë të kenë lëvizur lirshëm në tokën e tyre të shenjtë, një kosovar më shumë do të sjellë murtajën.

Premtimi i tyre për shfajësim kolektiv mbi bazën e disa kushteve që e pranojnë vet se janë përmbushur zbehet përherë. Sikur premtimi i një tregtari mashtrues i cili gjithmonë sajon arsyetime të reja që e tejkalojnë banalitetin e të vjetrave.

Muri i Berlinit nuk ka rënë. Ti dhe të tjerët në Kosovë jeni blloqet e fundit mbi të cilat gjembat e egër të ndarjes qëndrojnë të thepisur. Pasaporta e Republikës është ylli yt i Davidit i cili të veçon si kriminel i zgjebosur, larg të cilit evropianët e qytetëruar duhet të mbajnë distancë sociale. Në fjalët e Primo Levit, ti je një skllav i privuar nga të gjitha të drejtat, i zhveshur para çdo fyerje, i dënuar me vdekje të sigurtë.

Por po nga i njëjti autor vije shpresa: “…ne ende e kemi një fuqi dhe duhet ta ruajmë atë me të gjithë forcën tonë sepse është e fundit – fuqia për të mos dhënë pëlqimin. Kështu që ne duhet patjetër të lajmë duart pa sapun në ujin e ndotur dhe të thahemi me palltot tona. Ne duhet të lustrojmë këpucët tona, jo sepse rregulli e kërkon, por për dinjitet dhe hije. Ne duhet të ecim trupdrejtë, pa tërhequr këmbët zvarrë, jo si homazh ndaj disiplinës prusiane por për të qëndruar të gjallë, për të mos filluar së vdekuri”./ KultPlus.com

Ata pak të rinj që lexojnë, bullizohen nga ata që nuk prekin libër me dorë

Ankohemi se s’ka libraria, s’ka libra në gjuhën shqipe, nga ana tjetër shitësit ankohen se nuk shiten librat. Si do të shiten librat kur njerëzit nuk kanë edukatë leximi?! Si do të shiten kur shumica e rinis as që prekin një libër në dorë brenda muajt, jo brenda javës? Si do të ketë shitje kur edhe ato pak të rinj që lexojnë bullizohen nga ana e këtyre të dytëve që nuk prekin libër me dorë por, që veten e dinë për të mençur

Nga: Mimoza Mustafai Jonuzi

Fjalë shumë e vepra hiç. Premtime boshe, publikime të thënieve të mëdha nga autor me renome botërore por, që as idenë më të vogël nuk e kanë se çka ka dash autori të thotë me të. Dimë të citojmë e vjedhim shumë nga të tjerët, ama nuk duam të lexojmë aspak. Të gjithë gjërat i duam të gatshme, duke ia lexuar vetëm titullin e ndërtojmë lajmin, duke ia ditur veç emrin dikujt ja shkruajmë biografin, bile edhe më shumë nga sa di vetë personi në fjalë.

Kush i ka fajet? Faji jetim, si gjithmonë! Kjo nuk është aspak për tu çuditur sepse vjen nga neglizhenca e të lexuarit. Rroftë teknologjia, rrofshin rrjetet sociale ku përmes dy klikimeve arrijmë deri tek informacioni që duam. Pse të lodhemi të lexojmë faqe e faqe të tëra kur mundemi me dy renda të ndërtojmë të gjithë historinë?!

Një herë e një kohë kur nuk ekzistonin rrjetet sociale, deshe s’deshe ishe i detyruar të lexosh një gazet ditore, të dëgjosh edicionin e lajmeve, një revistë mujore në mos më pakë. Kishte edhe nga ato që lexonin edhe romane apo libra të ndryshëm por ato quheshin “njerëz me shkollë”, ato ishin të gjithë ditshmit! Hmmm! Po sot ku janë? Sot i ka përpirë toka sepse sot të gjithë janë bërë “ njerëz me shkollë” fal teknologjisë, jo fal librave. Librat i mbajnë nëpër rafte të pluhurosura ose – ose kur ju duhet ndonjë foto për të treguar se janë njerëz të lexueshëm, fatkeqësisht! Them fatkeqësisht sepse këtë ua lamë trashëgimi edhe të rinjve sepse, të rinjtë priren të ecin drejt hapave që ne i bëjmë, dhe jo drejt fjalëve që ne ju themi, apo thënë ndryshe këshillat tona.

Ankohemi se s’ka libraria, s’ka libra në gjuhën shqipe, nga ana tjetër shitësit ankohen se nuk shiten librat. Si do të shiten librat kur njerëzit nuk kanë edukatë leximi?! Si do të shiten kur shumica e rinis as që prekin një libër në dorë brenda muajt, jo brenda javës? Si do të ketë shitje kur edhe ato pak të rinj që lexojnë bullizohen nga ana e këtyre të dytëve që nuk prekin libër me dorë por, që veten e dinë për të mençur. Nga turpi këto të parët fshihen e mbyllen në strofullat e tyre për mos t’i parë kush, e ndien veten fajtor pse lexojnë.

Ja kjo është çudia më e madhe sot dhe lufta midis leximit nëpër rrjetet sociale dhe atyre që lexojnë me mijëra libra. Ky fakt është për tu shqetësuar sot por, askush nuk flet për këtë fenomen, të gjithë heshtin. Heshtin sepse më lehtë ju vjen të lexojnë dhe të diplomohen në mënyrën më të lehtë të mundshme se sa të ulen e të nxehin karrigen. Dhe mburren, mburren me plotë të drejtë sepse lexuesit e vërtet po vdesin pak e nga pakë në heshtjen e tyre!

Nuk ka shitje! Nuk ka, sepse nuk dimë të lexojmë!

Le të mësojmë të lexojmë libra pastaj të shesim. Por ne jemi mësuar vetëm të ankohemi se janë çmimet e shtrenjta vetëm pse kemi dëgjuar dikë që ka thënë se librat janë të shtrenjta, ama vet nuk e dimë as ku e ka derën libraria.
Para se të shesim libra të mundohemi t’i edukojmë njerëzit që të lexojnë!/ KultPlus.com

Gratë e reja në Kosovë e Serbi angazhohen në ndërtimin e paqes, kërkojnë pjesëmarrje në dialog

Gratë në Kosovë e Serbi kërkojnë të japin kontributin e tyre në dialogun bilateral, që ka nisur tash e dhjetë vjet, ashtu siç në përditshmëri kontribuojnë në komunitetet e tyre.

Një iniciativë me rëndësi të veçantë sa i përket këtij procesi ka nisur nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis nga Kosova dhe Qendra Alternative e Vajzave nga Serbia, të përkrahura nga Kvinna tillKvinna.

Këto dy qendra, që gruan e kanë kryefjalë të tyre, në disa takime online kanë bërë bashkë gra të reja nga Kosova e Serbia, për të diskutuar, propozuar e nxjerrë konkludime dhe rekomandime rreth procesit të dialogut e çfarë do të jetë roli i gruas brenda tij. Me njohuri mbi feminizmin e të gatshme për ndërtimin e paqes këto gra të reja kanë qenë pjesë e gjashtë edicioneve të Shkollës Feministe Praverore, që zë vend dy herë në vit në Kosovë e Serbi nën organizimin e Artpolis dhe Qendrës Alternative të Vajzave.

Për udhëheqësen e këtij diskutimi, Andrijana Kocić, nuk është e rëndësishme nëse je majtas a djathtas në orientimin politik, por e rëndësishme është që gratë e reja janë mbledhur për të shpalosur idetë e tyre për procesin e dialogut, për të përpiluar rekomandimet që do t’iu dorëzohen institucioneve përkatëse në Kosovë e Serbi.

“Ne si organizatë për tëdrejtat e grave ka vite që merremi me këtëçështje, por për fat të keq as Serbia as Kosova nuk kanë pasur ndonjë pikë diskutimi për këtë. Kështuqë, ne jemi mbledhur këtu të diskutojmë mbi këto tema lirshëm dhe të paraqesim gjëra që nga ju propozohen dhe të dalim me një dokument që vlen për bisedime. Ndoshta ne nuk e dimë se çkapërmbajnë saktë pikat e bisedimeve, por qëllimi ynëështë që t’iu japim propozim për sa u përket të drejtës sëgrave në Serbi dhe Kosovë”, u shpreh ajo.

Mostransparenca është karakteristika e dialogut dhjetë vjeçar, sipas pjesëmarrëses Milena Beran, e cila shprehet se ky proces është paksa mistik, pasi nuk dinë shumë gjëra rreth tij e informacionet nga mediat lënë për të dëshiruar.

E një propozim interesant për dialogun me Serbinë erdhi pikërisht nga Berani, e cila deklaroi se pjesë e delegacionit serb duhet të jenë edhe serbët që jetojnë në Kosovë, duke theksuar se aty duhet të ketë edhe gra, duke përmendur Rada Trajkoviqin si një nga opsionet.

“Besoj që edhe serbët e Kosovës të përfshihen në dialog, mendoj se kjo qeveri ka interes për atë. Pse jo të mos jetë edhe një grua e komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe ështëaktiviste politike, siçështëRada Trajkoviq, mendoj qëështë e duhura për këtë gjë, më shumë se të tjerët”, u shpreh Milena Beran.

Kurse menaxherja e projekteve në Artpolis, Venera Ismaili, tregoi se tashmë kjo organizatë ka marrë hapa konkretë që në delegacionin e Kosovës të përfshihen edhe gratë.

Ismaili deklaroi se e kanë përkrahjen e presidentes, Vjosa Osmani, që edhe gratë të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi, derisa theksoi se Artpolis ka krijuar një dokument si një kërkesë në formë proteste, drejtuar Ambasadës Norvegjeze, si mbështetëse teknike e këtij procesi, me ç’rastështë kërkuar përfshirja e grave.

“Këtë letër e kemi përgatit për t’ia dërguar pastaj Ambasadës norvegjeze, si mbështetëse teknike në procesin e dialogut. Kjo letër pritet të përfshijë edhe organizata të tjera dhe do t’iu dërgohet institucioneve relevante për këtëçështje”, tha Ismaili, me ç’rast paralajmëroi se shumë shpejt do të bëhet publike e gjithë kjo.

Ndërsa, sa i përket takimeve që kanë pasur me këto tre fokus grupe në kuadër të këtij diskutimi, Ismaili u shpreh se ekziston një pajtueshmëri te vajzat nga Serbia që shteti i tyre duhet ta njohë Kosovën, sepse kjo do të lejonte zhvillimin e të dyja vendeve.

“Nga ana e Kosovës, vajzat të gjitha janë të pajtimit që Kosova e Serbia duhet të pajtohen por duke mos u anashkaluar kërkimi për drejtësi, vrasjet, zhdukjet, përdhunimet (qoftë nga të dy palët). Të dyja palët pajtohen që nuk janë të informuar nga politikanët, por vetëm nga mediat të cilat informatat i marrin vetëm nga konteksti çka paraqitet në publik. Të dyja palët pajtohen që informimi duhet të jetë i drejtëpërdrejtë, ndoshta direkt nga tavolina negociuse, sepse në këtë mënyrë mediat nuk shpërdnajnë denziformata dhe nuk manipulojnë me publikun”, deklaroi Ismaili.

Në fund fare, të gjitha pjesëmarrëset dhanë nga një mendim të tyre në lidhje me këtë diskutim.
Aty u vu re nevoja që gratë të informohen sa më shumë për dialogun dhe ato të përfshihen në proces, pasi që, gjykimi i tyre nuk përfshin aspak nacionalitetin dhe inatet politike që këto dy shtete kanëndërvite.

Këto diskutime janë realizuar në kuadër të aktivitetit “Gratë e reja për pjesëmarrje në ndërtimin e paqes”, që synon bashkimin e grave të reja të interesuara për të kontribuuar në politikat e paqes në rajon dhe krijimin e një dokumenti rekomandimesh me qëllim të kontributit në kulturën e paqes nga një perspektivë gjinore që mbështet forcimin e demokracisë në Kosovë dhe Serbi dhe ndërtimin e një dialogu përtej kufijve midis grave të reja aktiviste.

E gjithë kjo u mundësua nga Qendra Alternative e Vajzave nga Serbia dhe Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, e përkrahur nga KvinnatillKvinna./ KultPlus.com

Luiza Gega përfundon garën finale, ja ku u rendit atletja shqiptare

Luiza Gega përfundoi garën e 3 mijë metrave me pengesa. Atletja shqiptare u rendit në vendin e 13-të nga 15 finaliste. Hera e parë që një atlete shqiptare merr pjesë në finale.

Luiza Gega arriti të siguronte një vend mes 15 atleteve më të mira të botës, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të bërë në kualifikuese. 32-vjeçarja regjistroi kohën 9.23.85, duke u pozicionuar e pesta në baterinë 2 dhe e 11-ta në renditjen e përgjithshme, në një garë ku konkurruan 41 atlete.

Gega ishte sportistja e fundit shqiptare që garoi në “Tokyo 2020”. Delegacioni shqiptar u paraqit më mirë se në “Rio 2016”, që kulmuan me Briken Caljan i katërti në botë dhe me Luiza Gegën finaliste.

https://player.boostplatforms.com/video?id=1628075684240

Nga Bashkia e Korçës: Bregoviq do të këndojë në Shqipëri, Festa e Birrës s’ka lidhje me politikën

Këngëtari serb Goran Bregoviç, pritet të këndojë para publikut shqiptar në Korçë. Organizatorët të cilët kanë lajmëruar për ardhjen e tij, po e cilësojnë ‘kulmin e atmosferës’ natën kur do të këndojë Bregoviç, derisa në Kosovë është kundërshtuar pjesëmarrja e këngëtari nacionalist serb. Bashkia e Korçës thotë për Gazetën Express se është në dijeni për këto kundërshtime, por cilëson se po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht

Ishte cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Kosovë, me këngën e tij “Kallashnikov”, por kjo nuk i ka ndaluar në Bashkinë e Korçës që ai të ftohet për koncert.

Në vitin 2006 kishte mbajtur koncert të madh në Tiranë, ku ishte vlerësuar me çmimin “Çelësi i Tiranës”, nga Edi Rama, i cili atë kohë ishte kryetar i bashkisë.

Zëri e këngët e tij në gjuhën serbe pritet të jehojnë përsëri në Shqipëri. Kësaj radhe në Korçë, në Festën e Birrës, që organizohet nga 18 deri më 22 gusht.  

Nga Bashkia e Korçës, e cila është organizatorja e Festës së Birrës, kanë deklaruar për Gazetën Express se këngëtarët propozohen nga një kompani që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi apo jo i tyre, i takon Bashkisë.

“Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh”, ka deklaruar për Express Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës.

Megjithëse nga organizatorët tashmë është bërë e ditur se Bregoviç pritet të jetë në Korçë, Katundi tha se nuk e di ende nëse është konfirmuar pjesëmarrja e tij.  

“Nuk e di të them të drejtën, sepse organizatorët e festës e dinë këtë gjë dhe normalisht duhet pyetur ata që e menaxhojnë festën, unë merrem vetëm me pjesën e promocionit, kështu që nuk e di, akoma nuk na kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të jetë apo jo”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviç pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri.

Ajo deklaroi se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën dhe s’ka lidhje me respektimin e politikave,

“I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.

Ndryshe, lajmi se Bregoviç pritet të performojë në Korçë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, për shkak të qëndrimeve të tij anti-shqiptare dhe këngëve të tij që janë cilësuar si inspirim i ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë./gazeta express/ KultPlus.com

Në pritje të medaljes së tretë, nesër garon Egzon Shala

Egzon Shala do të përballet në raundin e parë me mundësin algjerianin, Djahid Berrahal, në peshën e rëndë, 125 kilogramë, në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, përcjellë KultPlus.

Shorti i hedhur sot në Tokio e vuri kosovarin përballë mundësit nga Algjeria , në garë për medalje olimpike më 5 gusht.

Shala është garuesi i fundit i Kosovës që do të garojë në Tokio 2020 dhe do të synojë t’i ndjekë hapat e xhudisteve Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova për t’i sjellë vendit medalje olimpike nga Japonia. KultPlus.com

Nata e operës, dedikim për Nexhmije Pagarushën

Sonte me fillim nga ora 19:30 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, “Ramë Lahaj Opera Festival” mban natën dedikim për Nexhmije Pagarushën.

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj njoftoi se në këtë natë do ketë muzikë shqipe, ku yjet e lirikëve italian që janë sjellë enkas për të i dhënë madhështinë e duhur ikonës  historike Nexhmije Pagarusha.

“Sado që gjendja e saj shëndetësorë ishte shumë e rënduar viteve të fundit, ajo nuk mungonte asnjëherë në ato pak koncerte që bëja në Prishtinë. Sa herë që kam ardhur në Kosovë mbas vizitës së nënës time kam shkuar dhe e kam pa edhe “Nanushin” zonjën e madhe të shekullit Nexhmije Pagarushën. Sigurisht që në festival nuk do mungonte kurrë një dedikim enkas për te”, shkroi Lahaj në Facebook.

Veç kësaj, Rama ka njoftuar se sonte do jenë edhe artistet tanë të mrekullueshëm./KultPlus.com

Vrapuesi në paqe me vetën, nuk e synoi titullin që nuk e meritonte

Vrapuesi kenian Abdul Mutai ishte vetëm disa metra nga vija e finishit, por u ngatërrua me shenjat dhe u ndal, duke menduar se e kishte përfunduar garën. Kundërshtari spanjoll, Ivan Fernandez, ishte menjëherë pas tij dhe duke kuptuar se çfarë po ndodhte, filloi t’i bërtiste kenianit për të vazhduar të vraponte.

Mutai nuk dinte spanjisht dhe nuk e kuptonte. Duke e kuptuar se çfarë po ndodhte, Fernandez shtyu Mutai drejt fitores.

-Një gazetar e pyeti Ivanin “Pse e bëre këtë?” Ivan u përgjigj, “Ëndrra ime është që një ditë të kemi një lloj jete komunitare ku shtyjmë veten dhe gjithashtu të tjerët të fitojnë.

-“Gazetari këmbëngulte ” Po pse e le Kenianin të fitonte?” Ivan u përgjigj, “Nuk e lashë të fitonte, ai ishte fituesi real.

-Gazetari insistoi dhe pyeti përsëri, ” Por ti mund të kishe fituar!” Ivan e shikoi dhe u përgjigj: ” Po cila do të ishte merita e fitores sime? Cili do të ishte nderi i kësaj medaljeje? Çfarë do të mendonte nëna ime për këtë?” Vlerat transmetohen brez pas brezi. Çfarë vlerash u mësojmë fëmijëve tanë dhe sa i frymëzon të tjerët të fitojnë? Shumica prej nesh përfitojnë nga dobësitë e njerëzve në vend që të ndihmojnë për t’i forcuar ato. Kjo ngjarje ka ndodhë në Lojërat Olimpike të Londrës, që janë mbajtë në vitin 2012./ KultPlus.com

Njerëz pa rrënjë

Petrit Ruka

Gjithmonë e më shumë shtohen njerëzit pa rrënjë,
ata që nuk kanë më
një shtëpi të tyre.
I marrin me qira të gjitha… dhe ëndrrat,
i rrëmojnë e i shkulin në libra psikologjie.

Pa rrënjë tani ngjajnë me pemët e shkulura,
tek varret e prindërve shkojnë rrallë e më rrallë,
xhezven e nënës së vdekur e kanë hedhur
kafen e pinë rrugëve
në këmbë si kuaj.

Nuk kanë miq shtëpie, i çojnë në hotele
aty u shtrohet fjetja, buka dhe vera,
me qira, me kredi të gjitha,
të gjitha
dhe emrat e dytë, kombësitë e tjera.


Babai i vdekur drejt e nga spitali
me qira tek “Funerali”
fle natën e fundit,
dhe vajzat e tij mbajnë syze të errëta
të mos iu shkrijë nga lotët lapsi i plumbit…

Me qira sot fytyrat, një tjetër dhe një tjetër
ndërrojnë lëkurën si gjarpri
në klinika të shtrenjta,
ndër romane i huajnë fëmijëritë që nuk patën
kujtimet e florinjta, mallet e argjendta.

Mëmësinë mund ta blesh me para në një bankë
mbjell në bark një bebe
pa baba e pa gjyshe,
gjithmonë e më shumë takoj njerëz pa rrënjë,
(dhe oh sa më dhemb kjo bota “Ndryshe”.)/ KultPlus.com

Nisma e mbesës së Kapedan Gjon Marka Gjonit për Sarajet e të parëve

Sarajet e Kapedan Gjon Marka Gjonit kanë një vlerë të madhe historike, jo vetëm për familjen që e posedon këtë pronë, por për mbarë zonën dhe shqiptarët. Kapedan Gjon Marka Gjoni me besnikërinë dhe harmoninë që e karakterizonte arriti të pajtojë 600 raste gjakmarrje në Mirditë. Edhe pse kanë kaluar shumë vite dhe sistemi komunist e detyroi Kapedan Marka Gjonin të largohet nga Shqipëria, mbesa e tij nuk ka hequr dorë në rindërtimin e Sarajeve. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” mbesa Bianca Gjomarkaj Nakovics tregon se si është ngulitur tek ajo historia e të parëve të saj.

Çfarë do të thotë për ju të jeni mbesa e Kapedan Gjon Marka Gjonit?

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse të jesh mbesa e Kapedan Gjon Marka Gjoni ka shumë kuptime dhe ky status mbart shumë përgjegjësi. Por mund të them se kjo ndjenjë përgjegjësie vjen nga fakti se gjyshi im ishte mishërim i njeriut të ndershëm dhe besnik, dy tipare nga të cilat ai nuk u lëkund kurrë.

Ndershmëria e tij është reflektuar në aftësinë e tij për një periudhë 20 vjeçare në Mirditë duke vendosur paqe, duke zgjidhur rreth 600 raste gjakmarrje dhe duke mbajtur rrethin në harmoni të plotë. Besnikëria e tij ndaj familjes, bashkëatdhetarëve dhe vendit ishte e palëkundshme, e vërtetuar kjo edhe gjatë mërgimit të tij në Itali. Së bashku me babanë tim dhe shumë shqiptarë të tjerë të njohur ata krijuan “Bllokun Kombëtar Independent” dhe vazhduan rezistencën e regjimit komunist edhe nga jashtë vendit. Kjo organizatë ishte shumë e rëndësishme sepse ishte ndër të parat misione të fshehta në Shqipëri që mbanin gjallë shpirtin luftarak. Ai vazhdoi luftën e tij për lirinë e Shqipërisë deri në vdekjen e tij në vitin 1968. Të jesh mbesa e tij dhe të kesh jetuar me të deri në vdekjen e tij është privilegj i madh dhe është një ndjesi që nuk harrohet kurrë. Si mbesa e tij unë shpresoj të krahasohem me këtë njeti të mëdh në një mënyrë sado të vogël.

Mendoni se restaurimi i sarajeve do tí kthej familjes atë çfarë i takon?

Nisma ime për të rindërtuar Sarajet lindi si një nevojë për të rikujtuar vlerët e derës së Gjomarkut. Po, prona i përket familjes sime, por është diçka shumë më tepër se kaq. Është një simbol historik dhe kulturor për të gjithë Mirditën dhe Shqipërinë. Sarajet nuk janë vetëm një ndërtesë, është shpresa dhe liria dhe duke e rigritur atë unë shpresoj që të rikthej pak nga ajo shpresë dhe liri dhe të korigjoj një gabim të madh që ju bë familjes në atë kohë, që ju shkaktuar gjithashtu edhe njerëzve të Mirditës. Në thelb ky restaurim do të rikthente jo vetëm atë që na takon neve si familje, por do të rikthente shpresën edhe për Mirditën për të treguar se gjithçka është e mundur dhe se gjëra më të mira do të vijnë në të ardhmen.

Ju jeni rritur dhe formuar me historinë e familjes suaj, do të thotë kjo që interesi për ta parë të rindërtuar këtë ndërtesë është shumë i madh?

Sigurisht që historia e familjes sime ka luajtur rolin më të madh në dëshirën time për tí parë Sarajet të rindërtuara. Fakti që jam rritur me gjyshin time në Itali dhe kam dëgjuar shumë histori për Sarajet dhe Oroshin nxitën këtë dëshirë të madhe brenda meje. Sidoqoftë interesi për të rindëtuar Sarajet përfshin më shumë se familjen tonë. Shumë shqiptarë këtu ku unë jetoj dhe në të gjithë botën janë shprehur të etur për të qenë pjesë e këtij projekti historik dhe shpresoj se ndërtimi i Sarajeve do të sjell fundin e një kapitulli të errët për Mirditën.

Qëllimi im, pas restaurimit është të krijoj një “Qendër Mirëseardhje” për të gjithë shqiptarët dhe të huajt që të shijojnë muzen, të marrin pjesë në aktivitete kulturore dhe të shijojnë natyrën përreth. Sigurisht do të siguroj një rrugë, e cila do të ndikojë në zhvillimin e zonës. Do të jetë një vend gëzimi, rilindje dhe paqe.1 nga 4 

Mendoni se ky projekt do të realizohet?

Unë besoj se me shpirtin tim amerikan, vendosmërinë time shqiptare dhe një prekje të këmbënguljes sime italiane, ky projekt do të bëhet realitet.

Familja ime luajti një rol të madh në historinë shqiptare dhe shumica e asaj historie u zhvillua në Sarajet. Shumë personalitete të huaja na vizituan dhe ngjarje të mëdha politike ndodhën në Sarajet, të tilla si rinovimi i besëlidhjes së Besës në 1928, për barazinë e Bajrakëve, e cila u mblodh nga Kapidan Gjon Marka Gjoni në Shpal dhe u shpall si festë në Sarajet . Ky dhe shumë arritje të tjera historike ndodhën atje dhe ato duhet të mbahen mend si pjesë e historisë së Shqipërisë. Shembulli më i afërt me vizionin për projektin tim ka shumë të ngjarë të lidhet me Muzeun Marubi në Shkodër. Në kuptimin që Sarajeti do të jetë një vend i historisë dhe kulturës, duke treguar arritjet e Dera e Gjomarkut dhe rëndësinë e vendit të saj në historinë e Shqipërisë, bazuar në fakte historike të cilat nuk mund të mohohen.

Website: https://sarajetgjonmarkagjonit.com/ 

Ka pasur gjithashtu mjaft restaurime që kanë ndodhur në vitet e fundit duke përfshirë financime private, duke përfshirë shtëpinë e Bektash Bej Cakrani dhe Gjergj Fishtës, prandaj ndjehem shumë i sigurt se kur të gjithë palët e interesuara të shohin se ky projekt po ecën përpara ata gjithashtu do të dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj ngjarje historike. Unë do të jap gjithçka për ta realizuar këtë ëndërr, jo vetëm për mua por për Mirditën.

A keni provuar më parë të rindërtoni Sarajetin në Orosh?

Jo, kjo është hera e parë që dikush ka inicuar një projekt të tillë. Meqenëse i përket trashëgimtarëve ligjorë të Kapidan Gjon Marka Gjoni, është mëse normale që unë, si një nga nipërit e mbesat e tij që jetoj në Shqipëri, të bëj hapin e parë. Pjesa tjetër e nipërve dhe mbesave të gjithë jetojnë në SHBA  te cilat edhe ata  janë shumë mbështetës të projektit.

Ju e  keni vizituar Mirditën, çfarë ju pëlqen më shumë në vendin tuaj të origjinës?

Mirdita nuk është si asnjë rajon tjetër i Shqipërisë që kam parë ndonjëherë. Malet dhe liqenet e tij të bukur të tërheqin dhe mund të ndjesh se si shqiponjat fluturojnë sipër. Ështënjë vend magjik si asnjë tjetër. Por përveç ambientit të saj të bukur janë njerëzit e Mirditës që e bëjnë atë kaq të veçantë. Ata janë më mikpritësit dhe bujarët nga të gjithë njerëzit që kam takuar këtu. Ata ju mirëpresin në shtëpinë e tyre sikur të ishit familje dhe ju trajtojnë me respektin më të madh. Ata do t’ju japin këmisha nga shpina nëse do të duhej. E them nga përvoja ime se ata janë njerëzit më të dashur dhe bujarë të që kam takuar .

Na tregoni pak për veten tuaj, cili është profesioni juaj dhe me çfarë jeni angazhuar në vendin ku jetoni?

Babai im, Kapidan Ndue Gjon Marku së bashku me gjyshin tim, Kapidan Gjon Marka Gjoni, ishin refugjatë politikë në Itali që nga viti 1945. Unë linda dhe u rrita atje deri në moshën 12 vjeç, kur emigruam në Nju Jork, SHBA. Ne zgjodhëm Nju Jorkun sepse vëllai i vogël i babait tim, Kapidan Nikoll Gjon Marku, i cili kishte ikur nga kampi në Tepelene në 1949, u vendos përfundimisht atje. Disa vjet pas vdekjes së gjyshit tim në 1968 ne u bashkuam me Nikoll dhe familjen e tij.

Arsimi im formalisht  përfundoi në Nju Jork. Në 1981 u martova me një nënoficer të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe për 22 vitet e ardhshme udhëtova nëpër botë së bashku me burrin tim, ndërsa më tej ndoqa një karrierë administrative në agjenci të ndryshme të qeverisë amerikane. Pasi u tërhoqa nga shërbimi qeveritar, fillova biznesin tim Antik në Virxhinia, i cili ishte funksional deri në shpërnguljen tonë në Shqipëri në 2012.

Që nga mbërritja jonë këtu unë kam qenë mjaft e zënë duke u përpjekur për të restauruar Kullën e Gjon Marka Gjoni në Shkodër, ku unë jetoj , si dhe trajtimin e shumë çështjeve të pronës me të cilat përballemi. Shpresa ime është që përfundimi i projektit Sarajet do të më lejojë të jem më shumë e  angazhua në mënyrë sociale  me njerëzit e Oroshit. Synimi im është që ta vendos atë në një fondacion bamirës me fokusin në shtimin e angazhimit të kulturës, historisë dhe trashëgimisë përmes turneve udhëzues në muze dhe shtëpi, së bashku me ngjarjet e organizuara që promovojnë historinë e pasurisë dhe trashëgimisë për të avancuar edukimin e publikut në lidhje me Mirditën, me theks të veçantë te Kapidan Gjon Marka Gjoni dhe Dera e Gjomarkut./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Gushti sjell Verën Arbëreshe në komunën e San Costantino Albanese

Përgjatë gjithë gushtit komuna arbëreshe e San Costantino Albanese do ta kalojë në festë.

Duke e cilësuar si Vera Arbëreshë 2021 programi festiv nis më 4 gusht me teatrin veror “Petrolio” më 4 gusht e vijon më pas në data të tjera me koncert për Luciano Ligabue, shkuma party me DJ, lojërat popullore arbëreshe e për tu përmbyllur më 18 gusht me një koncert të Cover Band të Nomadi.

Gjithashtu është parashikuar që përgjatë gjithë periudhës festive do të ketë vizita me guidë për etnomuzeun e kulturës arbëreshe. Të gjitha eventet do të ndjekin masat antikovid duke respektuar protokollet e shëndetësisë.

San Costantino Arbëreshe nisi të presë turistë që në maj pas një stopimi për shkak të koronavirusit, duke u prezantuar atyre gastronominë, muzetë, kishat dhe rrënjët e kulturës arbëreshe. / diaspora shqiptare / KultPlus.com

Nuh Sahatçia, shkodrani që i ktheu orën kapitenit gjerman pas 30 vitesh, e vërteta e një krenarie

Pastaj njeriu që rrëfen ndalon paksa, si për të mbledhur fillin e kujtimeve. E kemi zënë disi në befasi e me sa duket e ka vështirë ta ngrejë ngjarjen aty për aty. Megjithatë, orientohet shpejt dhe rikthehet në bisedë, duke ndalur në momentet që gjykon se janë më të rëndësishme. Më parë kemi komunikuar në telefon dhe kemi lënë takim te lokali i tij afër Radio Shkodrës. Në kioskën e thjeshtë ku është shkruar me germa të vogla, si në një tavolinë restoranti, “Besnik Sahatçia”, kishte hapur një orë dhe po punonte i përqendruar, si një kirurg mbi trupin e pacientit. Pas përshëndetjes së rastit, e ftojmë për një kafe. Burri matanë dritares së kioskës heziton. “Nuk kam kohë, – thotë. – Pas pak vjen nji klient prej Vaut Dejës me marrë orën që i kam premtu. Më vjen keq. Nuk kam se si t’ia ha fjalën”. Dhe vazhdoi pa e ngritur kokën, sikur të ishte i vetëm. “Po ne kemi ardhur që nga Tirana, pastaj kemi lënë dhe takim!!”. “Aaaaa, ju kekeni, a? Po, po, ju kam dhanë fjalën. Erdha!”. Pastaj me shoferin e “Panoramës”, Altinin, të katërt zëmë vend te “Tullat e Kuqe”, dhe shkodrani si na pyet këmbëngulshim se çfarë do pimë, nis të rrëfejë shtruar…

– Ju jeni djali i Nuh Sahatçisë, atij orëndreqësit të legjendës…

– Jo, nuk jam djali. Axha Nuh nuk ka pasë fëmijë kurrë. Tamam – tamam jam nipi i tij. Mua axha Nuh më ka dashtë fort, thonë se i kam ngja shumë. E kam dashtë mjeshtërinë e tij. E kam ushtru si ai. Në fakt, den baba den, jena fis orëndreqës, që nga stërgjyshi. Nji këtë mbiemër mbajmë prej disa brezazh. Bahena nji armatë Sahatçi që jena marrë me rregullim orësh. Qe për shembull disa emna: Lutfi Sahatçia, Muhamet Sahatçia, Ali Sahatçia, Beqir Sahatçia, axha Nuh. Të njohun edhe matanë Shkodre, jo vetëm për si mjeshtër sahatësh, por edhe zanatçi korrektë. Kjo asht një tipar burrniet; mbajtja e fjalës. Me u mbajtë burri mbas fjalës që ka dhanë. Unë kam në raft mbi 70 orë, që m’i kanë pru me ia rregullue, e nuk kanë ardhë me i marrë hala. Pse nuk kanë ardhë? Punë e tyne. Por una ua kam ruejtë dhe kam me ia dhanë të rregullueme, sa t’i kërkojnë…

– Krejt orëndreqësit e Shkodrës paskan qenë Sahatçi…

– Shkodra ka pasë orëndreqës shumë të mirë, mjeshtra të vërtetë. Që t’ju përmendi disa prej tyne: Mustaf Sula, Shefik Kotrri, Hysni Kadia, Zef Gurashi – nipi i atij kangëtarit, Kolë Gurashi, Ferid Kadia, Tonin Kuka… Ka pasë bile edhe disa gra, Hydajete Zhabiaku, Shpresa Spahia, Minire Kuka… Në kohën e komunizmit kanë punu në kooperativë. Axha Nuh ka vazhdue me punue vetëm. Njatje, afër çinarit (rrapit – shën.), e ka pasë dugajën (dyqanin- shën.). E kanë falë axhën me punue njashtu, edhe kur të tjerët i mblodh bashkë. Axha ka kenë vetëm, por delte e punonte për zakon; ma shumë me kalu kohën se sa me fitue. U ulte mbi postiqe kambturqisht, e vente tavolinën e vogël përpara. Gjithnjë i veshun me kostum kombëtar. Vinin nga ana e anës me rregullu sahatin. Porositë nuk mbaronin kurrë. I kanë pas sjellë edhe sahatin e Ramiz Alisë. Ka kenë i premë: Ban – s’ban. Ka kenë i rregullt fort axha Nuh. Çdo ditë delte në të njëjtën orë prej shtëpie. Pinte çajën në të njëjtën kohë. Punonte në të njëjtin orar e kthehej prej pune si në të njëjtën orë, fiks. Nuk ka ditë me shkrue e këndue. Ka kenë analfabet. Komunikonte me klientët me mënyrën e vet. Pagesën e shënonte me vija në një letër që mbate stampën e dyqanit të tij. Për shembull ti u dote me pague 550 lekë. Ai bate 5 viza të gjata e nji përgjysë…

– Thonë se axha nuk ka qenë besimtar…

– Posiiii. U falte pesë herë në ditë, raki e venë nuk shtinte në gojë, agjinonte për Ramazan dhe e mbante lokalin pastër – pastër, si me kenë laborator. Edhe vetë mbahej shumë pastër. I shëndrisnin teshat gjatë punës. Dhe i kish hije shtati, njashtu si ka kenë, i gjatë e i dobët. Besonte fort dhe nuk diskutohej me i shkelë kujt në fjalë. Ishte shumë i kandshëm në muhabet – ndigjonte me vëmendje, përgjigjej mbasi mendohej mirë, dhe, po ta merrte diçka për sipër, ta kryente patjetër. Veçse fëmijë, nuk i dha Zoti, të shkretit. Desh me marrë vajzën e të vëllait, që e kishte me një turkeshë, nga e cila u pat divorcue, por nuk pranoi nëna e vet me ja dhënë. Kështu që e mbylli i vetëm…

– Ajo puna e orës që i ktheu gjermanit ka qarkullu si legjendë…

– Ka qarkullu si legjendë përtej Baçallëkut, se këtu në Shkodër e kanë dit si ngjarje të gjithë. Ka kenë një përvjetor i Skënderbeut (më duket qershor 1968), kur ai gjermani erdhi me një grup turistash dhe u interesua për orën e lënë që prej lufte. Fillimisht pyeti te sporteli i hotelit. “Kam pas një shok të ngushtë që në kohën e luftës ka kenë në Shkodër. Ka lënë këtu nji orë të vetën që e ka dashë si sytë e ballit. E ka pasë kujtim nga gjyshi. Kur mori vesh se do vija në Shqipni, më asht lut me ardh në Shkodër, mu interesue për orën. Ia kam pasë lanë një mjeshtri, më tha, e, në qoftë se e ka ruejtë, me ma marrë. Ai orëndreqësi ka kenë nji burrë që punonte ulë mbi postiqe si një turk.” Hotelxhiu i tha se po interesohet, por kishte kalue kaq vjet e ishalla nuk ka hupë ora. I tha se ishalla ishte gjallë orëndreqësi. E mori vesh hotelxhiu se ishte fjala për axhën Nuh. E dinte bile se ishte si molla, por, gjithesi, donte me e mbrojtë, merr vesh ti. Sa iku gjermani, kah darka vjen përkthyesi me një të sigurimit e bisedojnë si me ia ba. Nji të ardhë në shtëpi. E kena pasë njatje – dhe, dang-dang në derë. Urdhnoni, hajde bujrum. Ia diftojnë përkthyesi me atë të sigurimit tanë punën axhës Nuh. Njishtu e njishtu. I thanë axhës Nuh që, në qoftë se nuk e ke orën, gajle e madhe. I thojmë që ka dekë ai orëndreqësi, ose ia ka prishë dyqanin lufta; i thojmë se ia kanë plaçkitë, ia kanë vjedhë… luftë, more. Nuk duhej të sikletosej Nuh Sahatçia. Ai i sigurimit e njifte, se qe shkodran dhe e dinte se sa burrë korrekt, i ndershëm e sedërli ishte axha Nuh. Veçse i thotë axha: “Orën e kam. E kam në dugajë. Të vijnë e ta marin nesër prej kësaj ore e deri në këtë orë”.

– Të nesërmen pastaj…

– Të nesërmen nadje, si hangrën bukë në turizëm, i vijnë axhës Nuh në dyqan. Ai gjermani, përkthyesi, edhe do të tjerë. Kishin kalue kaq vjet, mor burrë i dheut. Qysh në katërdhetekatërshin e tash ishte gjashtëdhetetetë. Çohet në kambë axha Nuh dhe, si e sheh me kujdes gjermanin, e pyet: “Më thuaj për ç’orë bëhet fjalë”. Tjetri shqiptoi aty për aty: “Ka kenë “Erberhard”, një markë e rrallë zviceriane”. I hedh dhe një herë sytë axha, dhe i thotë:

– Prit pak. E nxjerr prej kasafortës, ia kurdis në sy dhe uron me përzemërsi “Ta gëzojnë!”. Veçse kur e ka pa orën, ai gjermani asht shtangë. Dhe nji të xjerrë paret prej xhepit, alamet tufet, e i drejtohet axhës Nuh: “Sa marka të detyrohet miku im? Do t’i paguej vetë e, kur të shkoj me ia çue, m’i nep paret menjiherë”. Axha i diftoi ato vizat e dreja mbi letër dhe i tha: “E ka pague qysh atëherë!”. “Atëherë, më lejoni të paguaj për…”. “Kurrgjë s’ke me pagu. Asht amanet”. Gjermani e ftoi për kafe, por axha Nuh me dorën në zemër i kujtoi se ishte agjinueshëm. Dhe u çue me i dhanë dorën. Fap gjermani heq sahatin prej dorës së vet me ia dhanë hedije. Axha Nuh refuzoi prerë. Iu vunë edhe të tjerët me pranue peshqeshin, por nuk qe burrë me ia mbushë mendjen. “Nuk ka kuptim kjo dhuratë, asnji kuptim. Nuk ban vaki me e pranue”, – shtoi ai. Atëherë, duke dalë, tek dera, gjermani i ka hedhë sahatin që donte me ia falë në prehën dhe ka ikë…”.

– Iku gjermani me orën e rrallë…

– Nji të shkue në Gjermani, e nji të shkrue një artikull për Shkodrën e për axhën Nuh. E kush e dinte, more? Revista kishte ardh në Universitetin e Tiranës e aty e kish gjet një nipi jonë. Çfarë nuk shkruhej në të. “Më shumë se një orë të harrume, në Shkodër gjeta një virtyt të rrallë”, thoshte gjermani i sahatit dhe kujtonte nji për nji historinë e axhës Nuh. Dugajën e tij e quante një strehë xhevahiresh. Xhestin e orës, një legjendë të padëgjume. U fol ato ditë në Shkodër për mesazhin e gjermanit. Dikush tha se edhe ai nuk pati fëmijë si axha Nuh. Pati të tjerë që kujtuan një vrasje të tij në Koplik. Ajo revistë dhe shkrimi rikthyen edhe një herë pas disa vitesh ngjarjen e sahatit. Po axhës Nuh s’i bani pështypje. Bile ndjehej ngusht…

– Me kaq dhe gjermani i orës nuk u kthye më në Shkodër…

– Nuk ka ardhë asnjëherë, po historia nuk asht fashit. Nji shkodran e ka taku atë gjermanin, te shtëpia e vet në Noistrasse Kasel-Trier. Ka folë gjatë e ka mësue boll nga kujtimet e tij në Shqipëri. Është ai shkodrani qi ka mujtë me ngulë flamurin shqiptar në Polin e Veriut. I ka dëftu edhe orën e axha Nuhit dhe ka ba fotografi me të.

– Po axha Nuh e ka taku?

– Axha Nuh ka vdek në fundin e viteve ’80. Sa ishte gjallë nuk ia vuni veshin kësaj historie. E ka përcjellë krejt Shkodra. Tash së voni, e kanë shpallë “Nderi i Qytetit”, por hala nuk e kam marrë dokumentin. Sa të ma bijnë këta që drejtojnë bashkinë, kam me e varë në lokal; në bash të vendit.

Shkodra dhe Nuh Sahatçia në një dokumentar gjerman

Në pranverën e vitit 1995 është dukur në Shkodër një grup xhirimi me kineastë e gazetarë nga Berlini. Kujtim Shllaku, mësuesi që ka bërë përkthyesin, thotë se kishin ardhur aty për kalanë e Rozafës dhe Nuh Sahatçinë. Më saktë, – shpjegon ai, – për të ekranizuar legjendën e murimit dhe historinë e mjeshtrit të sahatëve. Ditët e para filmuan mjediset e kështjellës, mandej u interesuan për orëndreqësin e famshëm. Fakti që Nuh Sahatçia kishte vdekur, i stepi disi, por nuk i zbrapsi. Kërkuan bashkëkohësit, kolegët e familiarët e tij. U ulën e biseduan shtruar me ta. Njohën nga afër jetëshkrimin e Nuh Sahatçisë. Shkuan pastaj tek vendi ku kishte qënë dyqani i tij, afër Radio Shkodrës. Filmuan aty çdo gjë me detaje. Më në fund u ndalën te kodrina ku pushon përjetësisht mjeshtri duarartë. Mbi këtë “lëndë” ngritën në Berlin dokumentarin, në formën e një guide për Shqipërinë.

Një emër, një histori, një legjendë

Ka qenë një mjeshtër i famshëm në Shkodër, pinjoll i një dinastie orëndreqësish të dëgjuar. Ka jetuar një shekull e ka ikur duke lënë një emër të nderuar. Një emër dhe një histori të çuditshme, që ka qarkulluar si legjendë edhe përtej qytetit verior. E kanë rrëfyer së pari dëshmitarët, pastaj pasardhësit e tyre, duke e sjellë të pacenuar deri në ditët tona: “Në kohën e luftës një oficer gjerman i trokiti në dyqan Nuh Sahatçisë. I kërkoi me i rregullu sahatin. Mirëpo lufta e rrëmbeu dhe e çoi tjetërkund. E gjermani nuk u duk ma. U kthye në Shkodër pas tridhjetë vitesh dhe kërkoi mjeshtrin e orës. U përball me të dhe ia nisi: “More zotni Shkodret, kam pasë një sahat kujtim prej gjyshit. Kot me të pyet, a thue e ke kund? Në pastë humbë, na pastë marrë të keqen!”. U çua në këmbë i zoti i dyqanit dhe iu kthye mysafirit: “Më thuaj nga vjen e për ç’orë bëhet fjalë”. Tjetri shpjegoi se ishte gjerman dhe kërkonte një orë “Erberhard”, të lënë aty gjatë luftës. “Tani po”, bëri Nuh Sahatçia dhe fap sahatin prej kasafortës. “Urdhno!”. “Sa ban?” – drëng paratë gjermani. “Janë pagu, zotni. E ke të shkruar në faturë”, i është përgjigjur Nuh Sahatçia dhe e ka përcjellë deri te porta. Janë shuar njëri pas tjetrit dëshmitarët e ngjarjes, por jo buja e saj. Në Shkodër shumëkush ta rrëfen me kënaqësi, veç e ka vështirë për emrin e “gjermanit të orës” dhe bëmat e tij gjatë luftës. Megjithatë, dikush është njohur e ka mësuar jo pak nga kujtimet e tij për Shkodrën. Një tjetër histori fle pikërisht aty…

Johann Arendt

Johann Arendt, kapiteni gjerman që la orën për ta rregulluar te mjeshtri Nuh Sahatçia, ishte efektiv i Brigadës 999, Batalioni i XX, kompania e III që mori pjesë në luftime në zonën veriore të Shqipërisë. I lindur në Noistrasse Kasel – Trier, djalë i vetëm një çifti gjermano-polak, Arendt, kishte kryer studimet universitare në Zvicër dhe në vazhdim ishte diplomuar ushtarak karriere në Berlin. Fundi i luftës e gjeti në Shkodër, ku mbeti rob i forcave partizane, për t’u riatdheusuar në vitin 1947. Vdiq në moshën 90 vjeçare në vitin 1996. Për herë të parë pas luftës e vizitoi Shqipërinë në vitin 1968.

(Panorama) Nga Riza Lahi / Afrim Imaj

Libri i ri mbi këngëtaren Amy Winehouse zbulon detaje mbi vdekjen e saj

Së fundmi janë zbuluar detaje të reja nga vdekja e këngëtares  Amy Winehouse.

Ian Halperin ka shkruar në librin  e tij të ri “27 Heaven”se një ndër miqtë e saj i ka treguar se Amy  ndihej e trishtuar para se të ndërronte jetë. “Ajo po jetonte në tym në javët e fundit, ishte shumë e dobët dhe po konsumonte shumë cigare dhe pije aloolike. Amy ishte e dëshpëruar, kjo grua që vlente miliona, ishte jashtëzakonisht e trishtuar. Miku i saj që intervistova tha se këngëtarja duhej të ishte shpëtuar, nuk kishte arsye që ajo të vdiste. Ajo vinte nga një familje e mirë dhe nuk kishte arsye që të vdiste. Thjesht njerëzit po shikonin më shumë sukseset e rekordeve të saj sesa gjendjen e saj shëndetësore”, shkruhej në libër.

Libri “27 Heaven” është një përkujtim ndaj pesë artistëve të famshëm që vdiqën në moshën 27 vjeçare, si Jimi Hendrix, Janis Joplin, Jim Morrison, Kurt Cobain dhe Amy Winehouse./ KultPlus.com

40 vjet pa poetin e arbëreshëve të Zarës, Shime Deshpali

Sot shënohet 40-vjetori i vdekjes së poetit të shquar të arbëreshëve të Zarës në Dalmaci, Shime Deshpali. Ai mbetet një nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Lindi në vitin 1897 në Zarë, në një familje patriotike me origjinë nga Kraja.

Punoi si mësues muzike dhe si dirigjent. Botoi shumë shkrime në organet letrare të Kosovës. Disa nga librat e tij të botuar janë: libri “Tregime arbnore”, përmbledhjet poetike “Agimet dhe parambramjet e Arbneshit” dhe “E vërteta” me temë nga jeta e arbëreshëve të Zarës.

Shkrimet e tij shquhen për notat romantike dhe për thjeshtësinë e shprehjes. Gjithashtu, ai ka krijuar disa këngë, si dhe operën me temë patriotike “Vana”.

Shime Deshpali, poeti i shquar i arbëreshëve të Zarës në Dalmaci qe një nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Ai lindi në vitin 1897 në Zarë, në një familje patriotike të ardhur nga Shestani në vitin 1721. Familja e tij u vendos në Arbnesh të Zarës dhe u mjor kryesisht me bujqësi dhe blegtori për të siguruar bukën e gojës larg atdheut të të parëve. Gjendja e vështirë ekonomike, varfëria dhe mundimi, jeta e vështirë do të linte gjurmë të thella tek djaloshi i vogël.

Rreth vitit 1903, nis mësimet në shkollën fillore të fshatit me mësues Atë Pashka Bardhin përmes të cilit u pais me kulturë të gjërë dhe me dashuri të pakufishme për dheun e të parëve. Pasi përfundoi shkollën fillore, vijoi mësimet në shkollën normale në zarë ku u përgatit dhe mori njohuri në fushën e edukimit. Studimet e larta i vijoi në Zagreb në fushën e muzikës, pasioni për të cilën i kishte lindur që në moshë të re.

Për shumë vite me radhë punoi si mësues i lëndës së muzikës në Arbnesh të Zarës, ku veç edukimit muzikor dhe dirigjimit i praktikonte nxënësit edhe në fushën e këngës, sidomos atë patriotike. Gjatë kësaj periudhe hartoi shumë këngë kryesisht për atdheun etij, për figurat e shquara, për fshatin e tij Arbnesh, madje krijoi edhe një opera me titull “Vana” me motive patriotike. Kjo krijimtari e bëri Shime Deshpalin një intelektual dhe krijues të njohur në koloninë arbreshe të zarës dhe një mësues patriot të nderuar.

Shpesh kur bisedonte me prindërit e tij rreth oxhakut në netët e gjata të dimrit, tema qëndrore ishte ajo e dashurisë për atdheun. Gjyshi i tij i tregonte histori dhe ngjarje për vende dhe trima nga vendlindja duke i edukuar Shime Deshpalit ndjenjën e patriotizmit dhe dashurinë për atdheun.

Kjo temë do të sundonte edhe krijimtrainë e tij të mëvonshme. Këtë e verteton edhe fakti që së bashku me shkrimtarin e shquar Josip Rela, është ndër të parët qe merret me veprimtari artistike dhe në vitin 1921 patë vënë në skenë dhë shfaqur pjesën dramatike “Lundërza e Jozhës, qe përben tekstin e parë serioz të arbreshëvë të Zarës si dhe pati formuar shoqërinë kulturore dhe artistike “Arbëneshi” në Zarë, ku hartoi një program për edukimin patriotik të të rinjve me qëllim që, siç e pati thënë edhe ai vetë: “…këtë e kam ba me qëllim që të ndihet Arbneshi, Ti kallxoj botës shpirtin e katundit tem, virtytet e vllazëne të mij, të merret vesh se na jena arbën…”.

E në kuadër të kësaj shoqërie, Shime Deshpali si një atdhetar i vërtetë pati organizuar mjaft aktivitete kultuore dhe artistike, takime, vizita, koncerte në funksion të ruajtjes së gjuhës, historisë, traditave, zakoneve, veshjeve dhe cilësive të tjera morale të arbneshëve. Ka nisur të botojë krijimet e para në revistën “Jeta e re“ qe në vitin 1953, pastaj botoi edhe në revistat “Lenës” dhe “Romanea”.

Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit vijon me librin me tregime “Tregime arbnore”, botuar në vitin 1966 nga “Jeta e re” në Kosovë. Në këta tregime autori synon lartësimin e virtyteve morale dhe patriotike të arbneshëve. Tregimet e këtij vëllimi janë pasqyrë e jetës dhe veprimtarisë të arbneshëve, e karakterit burrëror dhe mjediseve fshatare ku gjallen puna dhe jeta. Përshkruan mjedise, tradita, zakone, tipa dhe portrete të arbneshëve duke synuar ti afrojë sa më shumë me shqiptarët e sotëm.

Kudo ndjehet vuajtja, mundimi, jeta e vështirë që shqiptarit të gjorë nuk iu nda as në mërgim. Në një tregim të titulluar “Fyerje”, shkëputur nga “Tregimet arbneshe”, botuar në Prishtinë në vitin 1966, ai shkruan: “…Moni zbriti prej kulmit e duke dalë përpara Vancit zbathur e pa këmishë, nxori pesë solda prej kulete që mbante në tirqet gjithë arna.

-Mbaji, – i tha së shoqes duke i dhënë soldat. –Kjo është gjithë pasuria ime. Në këtë kohë të vështirë s’ka kuptim ruajtja. Bli diçka për fëmijët. Thotë se i ndalon të dridhurat kafja e zezë. –Ashtu më tha e shoqaja e Kolës, -tha Vanci…”. E më tej, përmes një tregimi të thjeshtë, me ndjenjë dhe të shpalosur më çiltërsi njerëzore ngre zërin kundër varfërisë, kundër dhunës dhe kundër padrejtësive shoqëroreqë bëhen ndaj shqiptarit. Ai tashmë është në moshë të pjekur rreth 70 vjeç, prandaj më mirë se kushdo e analizon dhe gjykon gjendjen e vështirë të arbneshit të zarës duke thënë … -Eh, -tha Vanci, -do tia dalim mbanë edhe ne varfërisë sonë? –Ja dalim! Ja dalim mbanë, Vanci? –tha Moni hidhur.

–Do t’ja shtrydh kokën gjarprit, që mbështolli edhe stërgjyshin tim në varfëri… Nga dita në ditë po ripem në punë të huaj, e me mundim dhe djersën tipe po nxjerrin të tjerët dobi, e ne gjithmonë arna, arna e të urët!. . . ”. Shihet qartazi se autori di të përshkruajë atmosferën me ngjyrimet karakteristike negative por plot aktivitet dhe vlerësim të vendlindjes, ditët plot vuajtje, plot punë e halle, përpjekjet e bashkëfshatarëve për të dalë nga gjendja e mjeruar e tyre, duke synuar shpesh të japë edhe zgjidhje.

“Hero ii përbahskët i tregimeve të Shimes, -thutë diku studiuesi Nasho Jorgaqi, -është arbëneshi i ndershëm, punëtor e krenar, më nje botë pasur shpirtëore, me temperament të gjallë e i vrullshëm, njeri i drejtë dhe guximtar…”. Vepra ka vlera jo vetëm përshkruese, por edhe kompozicionale dhe artistke.

Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit kulmon me librin me poezi “Agimet dhe parambarmjet e Arbneshit” – poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1968 dhe vëllimin “E vërteta”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1972, ”Këngë shqiptare”-korale. Në poezinë e tij mbizotëron fryma atdhetare, malli për të parët, për gjuhën, për traditat më të vjetra të kombit tonë. Ashtu si mjaft të tjerë arbreshë, edhe Shime Deshpali kërkon të derdhë emocionet dhe mallin në vargje të thjeshta poetike, por plot ndjenjë dhe emocion.

Objekt i poezisë së tij është katundi Arbnesh, plot jetë dhe gjallëri, pjesë e shkëputur nga trungu arbëror: “…O katund/me arbnesh të ndershëm, /guximtar, /krenar, /shikim, flakë, /O katundi jem, /sa të due, / me t’tregue, /fjal s’kam…”. E vështron katundin e tij plot krenari, sepse ka ruajtur traditat e të parëve, burrërinë, besën dhe vlerat njerëzore të trimave arbëror dhe me sytë e mendjes poeti sheh atdheun e tij të dashur Shqipërinë, ku lindën dhe u rritën stërgjyshërit e tij, ata njerëz trima dhe bujarë, punëtorë dhe mikpritës.

Ai i sheh në beteja duke luftuar, nëpër ara duke punuar, nëpër kuvende duke biseduar, por dëgjon edhe fallin nëpër gryka dhe lugina tek gjëmon duke dhënë kushtrimin për luftë, prandaj shprehet: “…Ma shumë se dyqind e katërdhjet vjet janë, /se rrembi jonë/u këput prej trungut, /të paradheut, /porn e s’kemi harrue, /as nuk i harrojmë, /Kështu paradheut dhe juve, /Po ju thomi…”, u drejtohet qi vëllezërve të tij të një gjaku, atyre njerëzve me karakter të hekurt, krenarë, të guximshëm dhe patriotë.

Në krijimtarinë poetike të Shime Deshpalit mbizotërojnë notat romantike, çiltërsia e ndjenjave dhe thjeshtësia e mendimeve. Në këtë poezi pulson gjaku arbëror. Ai këndon dhe kënga e tij jehon e dëgjohet në tërë krahinën “…se kombiarbëresh, /e ka një histori botnore, /me nder të posaçëm një vend…”, pra vepra e Deshpalit është një thirrje krenare, plot dhimbje dhe shpresë për të mos humbur, për ti qëndruar kohës plot dallgë e stuhi, për të mbijetuar me nder e lavdi.

Poezia e tij të ngjan me një kronikë artistike që vjen gjithnjë në rritje kun ë të është Arbneshi, Zara, Arbëria, Shqipëria e mbi të gjitha njeriu-arbnesh, i cili kujton të parët, burrat e mençur e patriotë, gjyshin dhe nanën, ata që i edukuan dashurinë për atdhe. I këndon me pasion bukurive të fshatit, ndryshimeve të tij, punës plot vrull të fëmijëve, të rinjve e deri tek të moshuarit për të ndryshuar diçka në fshatin e tyre, në jetën e tyre të varfër. Por malli e digjte për gjithçka, për atdheun dhe për njerzit, prandaj dote shkruante:”…

Mbas se jemi takue, /të parën herë, /të kam marrë me të jaseminit, /të amblën erë. Të dytën here, /si hije m’je duke, /si hija m’je zhdukë. Prap i vetëm kam mbetë, /”A takohemi edhe një here?/Vetveten degjoj tu pvetë…”. E kjo poezi është e mbrojtun me dashuri, me dashuri njerëzore që nuk shuhet kurrë, kjo dashuri përshkon poezitë e tij duke u dhënë atyre ndjenjë, emocion, jetë.

Arbneshit i duhet luftë, mundë, sakrificë për të përballuar jetën, për të mbijetuar Brenda kontureve të trungut arbëror. Këtë e kërkon poeti përmes poezisë, përmes artit kur thotë: Mos më thuaj se je Arbnesh, /në mos bolla me nderje, /nuk të rrezaton, /në mos syni guximisht, /nuk të vekton, /në mos zemra parzmat, /me muburrje nuk t’i gjanon, /Këta virtyte në mos i ke, /ti s’di se kush je, /as çfarë trimash të lavdueshëm, /

stërgjyshët i ke, /Mos më thuaj se je arbënesh, /nëse gjuhën e jonë, /pasdore e lëshon, /me me të huaj pispillohe, /dhe krenohe, /se për tingëllim t’ambël, /të gjuhës jonë, /vesh s’ke, /Dhe jo vetëm arbnesh, /por as njeri nuk je!. . . ”.

Këtë thirrje artistike autori e bën përmes poezisë “Mos më thuaj” shkruar në vitet e fundit të jetës, e cila shërben sistematikisht filozofik që grish bashkëkombasit e vet për të qëndruar, për të mos u asimiluar, për të mbetur krenar si shqiptarë. E kërkon në emër të trungut arbëror për të cilin poeti Shime Deshpali mburret me krenari të ligjshme, sepse për këtë qellim do të punonin edhe pasardhësit e tij. Këtë na e thotë në një intervistë studiuesi i njohur Aleksandër Stipçeviq, i cili thekson ”…Mos ta zgjas shumë, nga arbreshët e Zarës janë shquar shumë emra, qe nga shkenca, artet, politika e deri në estradën muzikore. Familja Dashpali, pra fëmijët e poetit dhe muzikologut Shime Deshpali, Valteri, Pali, Maja sot praktikisht dominojnë në skenën muzikore të Zagrebit dhe të Kroacisë…”

Simbolet e dashura të Shime Deshpalit, por edhe të krijimtarisë tij janë atdheu dhe flamuri. Madje për këtë të fundit Nasho Jorgaqi na tregon një ngjarje që poeti ja ka treguar vetë dhe që do të ketë ndodhur aty nga viti 1901, në Arbnesh të Zares: “…Kam qenë jo më shumë se katër vjeç, kur gjyshi më ka marrë për dore, më ka çue rrazë lisi të naltë të katundit dhe m’ka qitë prej prazmit nji flamur kuq e zi: Hyp n’majë t’lisit, -m’urdhnoj dhe m’dha flamurin n’dorë.

Atë ditë frynte erë dhe degët e lisit lëkundeshin. Po unë s’kam dasht me ditë. Jam ngjitë n’majë tu kacavjerrë deri dera sa kam nigjue zanin nga poshtë: -Ndalu! Lidhe flamurin në majë t’majës…Kisha me vedi shpirtin e arbneshit. E thom tash këtë se atherna nuk e kuptojsha… M’pa mir kur e lidha dhe m’pyeti: -Shikon si valvitet? Nga valvitet nga juga a nga veriu? …Nga deti a nga toka? –Nga Deti, -i them menjëherë. “Të lumtë, -ndigjova zanin e tij, -po shikoje mirë dhe gëzohu”…Kah valvitet flamuri, -më thotë, -asht Arbnia, paradheu i jonë. Kte mos e harro kurrë…”.

Gjithë motet e tij të jetës prej 84 vjetësh e kaloi në fshatin Arbnesh të Zarës, mes vëllezërve të tij të një gjaku, të një gjuhe duke folur shqip dhe duke menduar për atdheun e të parëve, sepse dikur pati thanë: “…Unë jam mjellma e arbneshëve këtu, që po këndoj. Atëherë si mund të iki prej këtu? Këtu i kemi të tana gjanat të vyeshme që kemi sjellë nga Arbnia, shpirtin fisnik, gjuhën, shpijat plaka, oborret me lule…”.

E me këtë ndjesi të ëmbël, një ditë të ftohtë janari të vitit 1981, mbylli sytë përgjithmonë në fshatin e tij të lindjes në Arbnesh të Zarës i paharrueshmi poeti dhe krijuesi i mirënjohur arbresh Shime Deshpali. Mendoj se kjo figurë e shquar e letersisë së arbreshëvë të Zarës në Kroaci, duhet të trajtohet në tekstet tona shkollore krahas poetëvë të tjerë arbreshë të Italisë qe studiohen sot, sepse ai la një vepër me vlera atdhetare, ai la një emër teper të njohur, ai la një zë të bukur dhe kumbues që vazhdon të gjëmojë ëndë edhe sot brigjeve të detit Dalmat./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Violeta Lumani, çiklistja e parë memaliote që theu mentalitetin tepelenas dhe më gjerë

Memaliaj, edhe pse një qytet, ku në themelet e saj ka kontributin e njerëzve me kulturë, të ardhur nga treva të ndryshme të vendit; ku shumë prej tyre kanë punuar dhe jetuar për shumë vite, edhe nëpër vendet më të zhvilluara të perëndimit, kishte edhe një pjesë të banorëve që jetonin me një mentalitet të prapambetur! Këta të fundit, mbanin gjallë verbërisht, jo vetëm regjimin, por krijonin situata të rrezikshme edhe për jetën e asaj pjese të komunitetit që ishin të civilizuar.

Një prej tyre ishte edhe memaliotja Violeta Lumani dhe familja e saj, vetëm se ajo dilte me biçikletë në qytet. Ajo është vajza e Xheko dhe Sabri Lumanit, të ardhur nga rrethi i Përmetit, qysh në fillimet e ndërtimit të qytetit të Memaliajt.

Ajo është fëmija i katërt nga motrat dhe e pesta nga fëmijët. Motra e madhe quhet Thëllëza, Zerdeli, Elena, Rrapo, Violeta dhe Vasilika. Në vitin 1970-të, familja Lumani, bleu një biçikletë 28-she, të prodhimit kinez. Në kohën që Leta filloi të mësonte biçikletën, ishte 14-15 vjeçe.

Violeta ose Leta, siç e përkëdhelnin të familjes, të afërmit dhe shokët e shoqet e saj, u lind dhe u rrit në një familje me tradita dhe kulturë bashkëkohore. Babai i saj, Sabriu kishte parë perëndimin shumë herët, pasi kishte qenë emigrant në Francë dhe prej andej, kishte luftuar edhe në luftën e Spanjës (1936-39), krahë luftëtarëve të tjerë shqiptarë, që bënin pjesë në “vullnetarët e lirisë” nga 53 vende të ndryshme të botës, përkrahë atyre spanjollë, duke iu bashkuar thirrjes së këtyre të fundit: “Popuj të botës na ndihmoni, fashizmi po na mbyt në gjak!” Nuk duhet harruar, se veterani internacional, Sabri Lumani, ka ndihmuar edhe LANÇ. Asnjë nga këto kontribute nuk u mor parasysh, por e sulmuan sikur të kishte qenë një armik i fshehur i sistemit të asaj kohe.

Memaliaj: Violeta Lumani, me biçikletën e saj.

Kjo vërejt kur disa bashkëqytetarë filluan ta sulmonin, pasi vajza e tij, Violeta, dilte me biçikletë nëpër qytet dhe këtë gjest ata e quanin një sjellje të huaj dhe borgjeze. Veterani Sabri Lumani ua kishte blerë biçikletën, djalit të tij të vetëm, Rrapos, me rastin e ditëlindjes, kur ai mbushi 16 vjeç. Rrapua dhe Leta, shkonin shumë si vëlla e motës, pasi ishin afër në moshë. Leta, duke qenë e shkathët nga natyra, u bë kureshtare dhe i shprehu dëshirën të vëllait, për t’i mësuar biçikletën dhe nuk iu nda derisa e mësoi. Pasi e mësoi, filloi të dilte lirshëm nëpër qytet, ashtu siç dilnin vajzat dhe gratë shqiptare edhe nëpër qytete të tjera të vendit.

Në shumë raste, Rrapua i kërkonte biçikletën bashkëqytetarit të tij, Pëllumb Nana, pasi të tijën e merrte e motra, Leta dhe të dy së bashku, shkonin në Këlcyrë, Përmet dhe ktheheshin përsëri në Memaliaj.

Për më shumë detaje, pyeta motrën e saj, Elena Lumani, e cila na sjell shumë detaje të vyera, për të bërë më të plotë shkrimin në fjalë. Ajo shprehet: “Në ato vite, t’mos ndihemi keq, pasi injoranca ishte në shkallën superiore. Nënat nuk i linin vajzat e tyre që të shoqëroheshin me Letën, por kjo nuk e kishte problem, pasi kishte mbështetjen e vëllait dhe të babait. Një ditë, babain tonë e thirrën në një mbledhje të jashtëzakonshme të Partisë. Propozimi nga baza, ishte për t’i hequr teserën e Partisë, me akuzën se nuk i kishte edukuar mirë fëmijët dhe kishin shfaqje të huaja. Aty u ngritën duke e kritikuar, për arsyen se vajza bredh me biçikletë në qytet. Babai u ngrit dhe u tha: “S’ka asgjë të keqe..!!” Të partisë, i thanë: “Nuk jemi këtu në Francën borgjeze.”. Babai, pasi i dëgjoi, iu përgjigjet: “Atëherë, po në Tiranë dhe Shkodër, ku femrat marrin biçikleta dhe i përdorin për të shkuar në punë dhe shëtitje, janë borgjeze…!! Unë do ta dërgoj vajzën për shofere dhe aviatore edhe pse në vendin tonë, ende nuk ka një femër me profesion të tillë …!” dhe iku nga mbledhja. Pak kohë më vonë, Leta kërkoi që të shkonte në kursin e shoferëve, por nuk ia dhanë këtë të drejtë! Nga kjo, Leta shikohej si jashtëtokësore në Memaliajn e atyre viteve! Ju dhe gjithë bashkëqytetarët memaliotë, e dinë që babai im, nuk dëgjonte, pasi kështu u kthye nga lufta. Si e tillë edhe në mbledhjet e Parisë, ia jepnin me shkrim çfarë do diskutohej. Edhe për këtë ngjarje, vendimin, ia kishin dhënë me shkrim dhe pasi e lexonte dhe njihej me përmbajtjen, ja merrnin letrën. Unë po e kërkoja këtë letër, në dokumentat e familjes, por nuk e gjeta. Si duket, pasi ndërroi jetë, nuk e kemi parë të domosdoshme, ta mbanim. Edhe biçikleta, është ende tek shtëpia e vëllait, por, ajo ka rënë e nuk mund të hyjë më në punë.”

Në kujtesën e shumë memaliotëve të vjetër, përveç përdorimit të biçikletës, ajo mbahet mend si një vajzë e çiltër, e sjellshme dhe e komunikueshme me bashkëqytetarët e saj. Një vajzë ndryshe nga të tjerat që blinin copa për të qepur fustane, ajo blinte kadife, doqe, stofra dhe teritale dhe i qepte pantallona me porosi, të cilat i përdorte përditë. Në atë kohë, ishte e veçantë, pasi vajzat dhe gratë, i mbanin pantallonat vetëm në punë. Gjithashtu, mbahet mend kur në vitet ’70, “Organizata e Rinisë” së qytetit organizonte mbrëmje në tarracën e Pallatit të Kulturës, ku ajo shkonte shpesh me të  vëllan e saj, Rrapon dhe kërcenin tuist (Twist) së bashku.

Në vitin 1982, Violeta Lumani krijon familje me memaliotin Lado Xhezairi, ku në jetë u vijnë edhe katër fëmijë të mrekullueshëm, të cilët quhen, Irena, Oltjon, Eglantina dhe Ledjon, ku të gjithë së bashku jetojnë në Athinë.

Edhe unë e mbaj mend Letën, kur ajo e përdorte biçikletën për të shkuar dhe kthyer nga puna, psonisje apo argëtim; dhe më dukej aq sa e veçantë, por edhe me vlera për atë qytet, pasi demonstronte një atmosferë qytetërimi, e cila do ishte fatkeqësi, nëse do i mungonte atij qyteti të banuar edhe me njerëz që kishin jetuar dhe punuar me vite edhe nëpër vendet më të zhvilluara të perëndimit! Padyshim që ajo ishte edhe femra e parë në rrethin e Tepelenës që përmbysi mentalitetin e asokohe!

Violeta Lumani na bën krenar për kurajon dhe qytetarin e saj, e cila, jo vetëm na ka ngelur në kujtesë, por ajo bëhet pjesë edhe e historisë së qytetin tonë të vogël, por me zemër të madhe!

Edmond Ismailati

Kryeministri Kurti: Fuqia e rinisë sonë është brenda shtetit, për të na shtyrë drejt zhvillimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Muajit të Rinisë me mundësi të punës praktike për 900 të rinj, ngjarje kjo e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Në këtë ceremoni, ku i pranishëm ishin edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, private dhe publike, Organizatat e Shoqërisë Civile, si dhe 200 të rinj, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht.

“Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme, sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë. Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate”, tha kryeministri Kurti.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët.

Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme, u shpreh kryeministri Kurti, duke vlerësuar se shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë.

“Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

ë rinj pjesëmarrës,

I nderuari ambasadori Weidinger,

I nderuari udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë, profesor Shpend Selimi

Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

Përfaqësues të institucioneve të tjera në Kosovë,

Thash profesor Selimi meqenëse kur unë isha i ri, si student, Shpend Selimi ishte i ri sikurse tani, dhe ishte profesor i imi e mi mbante disa lëndë, njëra prej tyre ishte Antenat.

E antenat janë të rëndësishme edhe për jetën politike, përveçse për valët elektromagnetike. Faleminderit profesor që na ke mësuar në rini, por edhe për punën që e ke bërë për të rinjtë edhe jashtë universitetit.

S’po dua ta heq kravatën e të jem më i lirë sepse ndoshta pastaj, mund të ndodhë që dikush prej jush të më sfidojë në basketboll pasi që jemi këtu. Njëherë, në po këtë fushë, më priu fati gjatë kohës së zgjedhjeve që para kamerave të shënoj në tentimin e parë. Kush e di çfarë rezultate do kishim në ato zgjedhje pa atë kosh. Prandaj edhe nëse sfidohem në gjuajtje të lira, e sipas probabilitetit mundësia të mos shënojë është më se reale, kërkesa ime për ju do të ishte të mos mbetet asnjë gjurmë që do mund ta shfrytëzonte opozita për kritikat e saj.

Është kënaqësi të gjendem mes jush, të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht. Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë.

Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate. Është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët. Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme. Shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë. Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare.

Por përtej paraqitjes jashtë, fuqia e rinisë sonë është brenda kufijve të vendit tonë, për ta formësuar shtetin dhe për të na shtyrë përpara drejt zhvillimit. Sfidat tona më të mëdha do zgjidhen nga ky brez i të rinjve, ndërsa përgjegjësia jonë tani është t’ua largojmë barrierat, t’ua ofrojmë mundësitë dhe hapësirën, dhe t’i pajisim me aftësitë e nevojshme për t’u angazhuar në të gjitha sferat e jetës.

Më shumë se liderët e së nesërmes, të rinjtë janë subjekti i sotëm i ndryshimit që po e kërkojnë të gjithë. Rinia gjithmonë ka qenë zëri i parë dhe më i lartë i avokimit që shoqëritë të përparojnë duke shtyrë kufijtë tanë përtej asaj që u mendua si e mundur nga gjeneratat e mëparshme.

Si kurrë më parë, shteti i Kosovës po investon në potencialin e brezit të ardhshëm. Prioriteti ynë i parë është menaxhimi i pandemisë COVID-19 në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish dhe të mbrojmë ekonominë e vendit. Përmes masave mbrojtëse dhe administrimit të vaksinave të siguruara, situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm. Në këtë aspekt, ju si të rinj keni detyrën dhe përgjegjësinë të vaksinoheni sa më parë, nëse këtë nuk e keni bërë ende.

Edhe ekonomia i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë. Eksportet, aktiviteti ekonomik dhe të hyrat buxhetore: të gjitha janë rritur. Kemi miratuar projektbuxhet për vitin 2021 prej 2.5 miliardë eurove sipas të cilit projektohet rritje ekonomike për 7.9%. Përpara se të merrnim drejtimin e Qeverisë, ky nivel rritjeje parashihej të arrihej vetëm në vitin 2023.

Pakoja e Ringjalljes Ekonomike që kemi miratuar gjithsej ka vlerën 1.1 miliardë euro. Të rinjtë do të përfitojnë posaçërisht përmes Skemës për Punësim të Garantuar për të Rinjtë, e cila do fillojë të zbatohet së shpejti. Përmes kësaj skeme, Qeveria do t’i subvencionojë pagat dhe kontributet për çdo 12 muaj çdo të ri që punësohet për herë të parë. Po ashtu, në kuadër të Pakos së Ringjalljes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndajë 2.5 milionë euro në projekte të organizatave dhe individëve ku përfitues dhe pjesëmarrës do të jenë të rinjtë. Një pjesë e mirë e këtij fondi do t’iu dedikohet projekteve që rrisin përfshirjen e të rinjve në tregun e punës përmes trajnimeve, granteve dhe programeve për punë praktike.

Në veçanti ne jemi zotuar për lidhjen e tregut të punës me arsimimin profesional, në mënyrë që ta urëzojmë hendekun e shkathtësive, ashtu që të rinjtë kur ta mbarojnë fakultetin të kenë edhe një vend pune adekuat që lidhet me vitet dhe fushat e studimit.

Të gjitha këto por edhe shumë më tepër në kuadër të programit tonë qeverisës po i bëjmë për të rinjtë, jo vetëm sepse e kemi përgjegjësi, por sepse është interesi ynë më i lartë shtetëror.

Të rinjtë janë grupimi më i madh i fuqisë punëtore të Kosovës dhe çdo përpjekje për të rritur mirëqenien tonë kolektive duhet të synojë mbushjen e çdo të riu me një entuziazëm për të ardhmen që e pret në Kosovë dhe me një garanci se ata mund të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhme këtu në vendin e vet.

Shumë prej përpjekjeve tona lehtësohen falë bashkëpunimit me partnerët tanë zhvillimorë, vendorë dhe ndërkombëtarë. Sot, në aktivitetin e parë të Muajit të Rinisë po lansojmë fazën e dytë të Programit të Punës Praktike ‘Kosova Generation Unlimited’ në partneritet me UNICEF dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim. Ju që do të përfitoni nga ky program, shpresoj që ta shfrytëzoni si mundësi për t’u sfiduar, rritur e ngritur profesionalisht. Sigurohuni që të jeni aktivë gjatë kësaj kohe duke bërë pyetje vazhdimisht dhe kontribuoni sa më shumë që të mundeni sepse kështu do të merrni më të mirën për vetën tuaj nga secila përvojë. Për punëdhënësit apo ofruesit e praktikës në punë është po aq mundësi e mirë kjo. Sipas raportit të një studimi në Kanada, punëdhënësit shohin një kthim të investimit prej afërsisht 1 dollar e gjysmë për çdo dollar të investuar në praktika pune për të rinjtë, por kjo me kusht se i angazhoni të rinjtë në role produktive ku mund të mësojnë dhe kontribuojnë maksimalisht.

Të dashur të rinj,

Ju jeni rritur në një periudhë me sfida të mëdha – nga lufta për liri kur ishit veçse fëmijë ose ndoshta ende të palindur e i kishit prindërit tuaj në vështirësi e sfida tejet të mëdha, deri në shpalljen e pavarësisë dhe tentimet e pandalshme që nga ajo ditë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt, paqësore, demokratike dhe të barabartë. Tash, derisa vazhdojmë të menaxhojmë pandeminë COVID-19 dhe variantet që shpalleshin kohë pas kohe të këtij virusi, dhe teksa përpiqemi të rikuperohemi nga pasojat ekonomike të saj, Kosova hyn në një kapitull të ri me juve në front.

Ta ruajmë paqen, të punojmë për prosperitet, të luftojmë për drejtësi dhe gjithëpërfshirje, dhe ta mposhtim cinizmin me shpresë dhe me optimizëm.

Unë kurrë më i frymëzuar nga ju sesa tani nuk kam qenë. Tashmë e keni hapësirën dhe lirinë për të ndërtuar një të ardhme ashtu siç e meritoni, dhe për këtë, keni mbështetjen tonë të pakusht.

Nëse nuk jemi për rininë, atëherë nuk jemi. Por ne duhet dhe do të jemi me rininë dhe për rininë.

Ju faleminderit./ KultPlus.com

Për herë të parë në Kosovë, Kolegji Universum sjell diplomë angleze në bashkëpunim me Northampton University

Kolegji Universum dhe Northampton University nga Anglia sot lansuan programin e përbashket te studimeve bachelor dhe master me kurrikulë dhe standarde angleze. Studentët të cilët ndjekin këto programe do të pajisen me diplomë angleze nga Northampton University.

Programet të cilat ofrohen për studime në bashkëpunim me Northampton University për Bachelor janë: Dizajn Grafik, Teknologji e Arkitektures, Infermieri, Dizajn Mode, Komunikim Grafik, Shkenca Kompjuterike dhe Biznes Menaxhment. Ndërsa për Master ofrohen programet Biznes Menaxhment, Administrim Biznesi (MBA), Data Science dhe Marrëdhenie Ndërkombëtare.

Regjistrimet kanë filluar dhe aplikimi mund të bëhet përmes këtij linku: https://www.universum-ks.org/sq/apliko/

Edhe studentët nga institucionet tjera mund të përfitojnë nga kjo mundësi, duke i transferuar studimet në Kolegjin Universum dhe vazhduar ato në Northampton University në Angli.

Pse të zgjedhni Anglinë dhe Northampon University?

  • Ju përfitoni diplomë angleze dhe vendore për kohën e njejtë të studimeve (3 vite)
  • Mundësi për të studiuar në Angli gjatë vitit të tretë
  • Përparësi për të vazhduar studimet postdiplomike (Master)
  • Diploma nga Northampton University njihet në të gjithë botën dhe ju përgatitë për karrierë ndërkombëtare
  • Mundësi e mirë për të eksploruar Mbretërinë e Bashkuar.

Informata më të hollësishme rreth këtij programi gjeni të publikuar në website https://www.universum-ks.org/sq/northampton-university/ apo kontaktoni Kolegjin Universum +383 44 144 062 apo [email protected]./ KultPlus.com

Rita Ora dhe Taika Waititi në tapetin e kuq të premierës “The Suicide Squad” (FOTO)

Rita Ora dhe Taika Waititi kanë kaluar në tapetin e kuq si çift, në premierën e “The Suicide Squad”, të hënën në mbrëmje. 

30-vjeçarja mbante veshur një fustan të bardhë e të shkurtë, me një model shumë të veçantë. Ndërkohë për ta kombinuar kishte zgjedhur një palë sandale ngjyrë gri. Flokët i mbante të lidhur dhe kishte zgjedhur një make-up të thjeshtë.

Ndërsa 45-vjeçari mbante veshur një kostum ngjyrë gri, këmishë të bardhë dhe këpucë të zeza. Teksa merrnin poza para aparatit fotografik, Rita dhe Taika, qeshnin me njëri-tjetrin dhe dukeshin mjaft të lumtur./ KultPlus.com

Mula për themelimin e Operës së Kosovës: Bravo Kosovë për vendimin historik

Kuvendi i Kosovës ka votuar ditën e hënë, propozimin për themelimin e institucionit “Opera e Kosovës”, vendim që i ka dhënë dritën jeshile funksionalizimit të këtij institucioni të munguar në Kosovë, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, sopranoja e njohur Inva Mula është shprehur entuziaste me këtë vendim, duke e vlerësuar këtë vendim si një vendim historik.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e sopranos Mula.

Themelimi i Operes se Kosovës eshtë lajmi me i bukur i këtyre momenteve qe po kalon bota !

Sot me shumë se kurrë kemi nevojë per ART !

Bravo Kosovë per vendimin historik !

FALEMINDERIT./ KultPlus.com